• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Haradinaj: Masa 100% Serbisë nuk hiqet deri në njohjen e Kosovës

December 11, 2018 by dgreca

-Qeveria e Republikës së Kosovës, Vendim për ndarjen e mjeteve financiare për aktivitetet e Qendrës për Studime Shqiptare në Londër në vlerë prej 21,379.00 euro/

1 a qeveria Haradinaj

PRISHTINË, 11 Dhjetor 2018-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në  mbledhjen  e qeverisë sot pasdite  foli edhe rreth vendosjes për masën prej 100 për qind ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

“Kjo masë është vendosur ndaj shtetit të Serbisë dhe në asnjë mënyrë ndaj qytetarëve serbë” tha ai dhe shtoi se, “kjo masë nuk do të hiqet deri një njohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia”.

Në 21 nëntor 2018, Kosova vendosi 100% tarifë doganore për të gjitha mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

“Ky vendim është marrë në pajtim me nenin 18 të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Vendimi është një përgjigje ndaj veprimeve të vazhdueshme destruktive të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës që kërkojnë të minojnë sovranitetin e Kosovës”, theksohej në një letër të kryeministrit Haradinaj drejtuar ambasadorëve dhe shefave të zyrave ndërlidhëse të akredituar në Kosovë.

Sot, Qeveria e Republikës së Kosovës, drejtuar nga kryeministri Haradinaj, ka mbajtur mbledhjen e saj të rregullt, të 79-tën me radhë.

Mes tjerash, kabineti qeveritar ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare për aktivitetet e Qendrës për Studime Shqiptare në Londër në vlerë prej 21,379.00 euro./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Haradinaj, Taksa 100%, Vendim qeverie

Unaza e Re, pezullohet aktiviteti i kompanisë amerikane

December 7, 2018 by dgreca

Në Shqipëri, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njoftoi sot se ka vendosur të pezullojë aktivitetin ndërtimor të kompanive Biba X dhe DH Albania, për ndërtimin e një pjesë të Unazës së Re, pas publikimit mbrëmë të fakteve që hedhin hijë të rënda dyshimi mbi falsfikimin e dokumentave të kompanisë amerikane Dunwell Haberman, e cila fitoi garën përmes degës së saj në Shqipëri, DH Albania.

1 unazaSipas dokumentave të publikuara në emisionin “Të Paekspozuarit” në televizionin “NEWS 24”, referuar Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania amerikane rezulton të jetë themeluar në shtetin Delawere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në qershor të vitit 1998. Për këtë ajo ka depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Shqipëri, një letër nga Sekretari i Shtetit të Delaware, Jeffrey Bullock, që vërteton aktivitetin e saj në këtë shtet dhe po ashtu dhe datën e themelimit 20 vjet më parë.

Emisioni “Të Paekspozuarit” i është drejtuar Departamentit të Shtetit të Delaware për të verifikuar të dhënat mbi kompaninë Dunwell Haberman. Përgjigja zyrtare e dhënë nga drejtori i Marrëdhënieve me Komunitetin Doug Denison ka zbuluar se dokumenti i paraqitur pranë institucioneve shqiptare është i falsifikuar.

“Dokumentat që ju na keni dërguar nuk janë autentike dhe nuk e kanë origjinën nga zyra e Sekretarit të Shtetit të Delaware. Vërtetimet për gjendjen e kompanive të cilat Departamenti i Korporatave lëshon, nuk kanë përmbajtje të njëjtë me dokumentat të cilat na keni dërguar. Gjithashtu, dokumentat që ju na keni paraqitur, theksojnë se Dunwell Haberman LLC, është krijuar në 25 Qershor 1998. Të dhënat e Departamentit të Korporatave, tregojnë se ky entitet është krijuar në 25 Qershor 2018, sipas të dhënave publike, bashkëngjitur kësaj letre. Datat dhe numrat e verifikimit, gjithashtu janë ndryshuar në disa vende në dokumentat që ju keni dërguar”, shkruhet në përgjigjen që Departamenti i Shtetit të Delaware, i ka dhënë emisionit “Të Paekspozuarit”

Drejtuesi i emisionit, Ylli Rakipi tregoi se i ka dërguar Departamentit të Shtetit të Delaware, dhe aktin e themelimit të kompanisë, dorëzuar në QKB-në shqiptare, ku sërish pretendohet se data e themelimit të kompanisë është 25 Qershor 1998.

“Përgjigja e zyrtarëve të Departamentit të Shtetit të Delaware, qe e njëjtë. Edhe ky dokument ishte falsifikuar”, u shpreh zoti Rakipi, duke publikuar dhe çertifikatën origjinale të themelimit të Dunwell Haberman, “ku duket qartë se data e themelimit është pikërisht 25 Qershor 2018”. Për më tepër, kompania rezulton të ketë dorëzuar pranë QKB-ës dhe bilance e pasqyra financiare fallso, të viteve 2015, 2016 dhe 2017, ndërkohë që është themeluar në Qershor të vitit 2018.

Në garën për Lotin I të projektit të Unazës së Re, dega shqiptare e kompanisë amerikane, DH Albania, është rregjistruar në Shqipëri në muajin korrik të këtij viti, pak përpara se të hapej tenderi, me përfaqësues të saj një 26 vjeçar shqiptar, Avdiol Dobi. Së bashku me kompaninë shqiptare Biba X, u shpall fituese ndërsa konkurrenti i tyre, kompania Vëllezërit Hysa, vetëm sa ishte rregjistruar në garë dhe nuk kishte paraqitur asnjë dokument. DH Albania dhe Biba X (kjo e fundit rezulton të ketë vetëm 7 përqind në këtë konsorcium) fituan me një ofertë që përfaqëson gati 45 përqind të të gjithë investimit, ose pak më shumë se 18 milion euro (pa TVSH).

Autoriteti Rrugor Shqiptar, në njoftimin e tij, shpjegon se “ka nënshkruar kontratën me bashkimin e përkohshëm të operatorëve ekonomik “Biba X shpk” dhe “DH Albania shpk- degë e shoqërisë së huaj”, pasi ka konstatuar që dokumentet janë në përputhje me kriteret e dhëna në dokumentet e tenderit.

Operatori ekonomik “DH Albania shpk- degë e shoqërisë së huaj”, pjesë e këtij bashkimi, ka paraqitur dokumentacionin të përkthyer dhe të noterizuar në gjuhën shqipe, ku kompania mëmë “Dunwell Haberman” rezulton e regjistruar dhe ushtron aktivitetin në një prej shteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, konkretisht në shtetin Delaware”.

Sipas njoftimit “Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk ka patur ndonjë indicie që vë në dyshim vërtetësinë e dokumentave të paraqitura e cila do mund të çonte në një procedurë verifikimi paraprak”. Megjithatë, për të sqaruar situatën, ARRSH shprehet se i është “drejtuar institucioneve që përmes komunikimit me rrugë zyrtare t’u kërkohet autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të verifikuar dokumentet e paraqitura në institucionet shqiptare nga kompania në procedurën e garës” e për pasojë deri në pritje të përgjigjes “nuk do të vijohet me aktivitetin ndërtimor të kësaj kompanie”.

Autoriteti Rrugor shton se “në rast se autoritetet amerikane do të konfirmojnë zyrtarisht pretendimet për falsifikime dokumentacioni nga kjo kompani, në zbatim të përcaktimeve ligjore, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të zgjidhë kontratën në mënyrë të njëanshme dhe do ndjekë procedurat e tjera të përcaktuara në ligj. Në rast të zgjidhjes së kontratës, ARRSH do të rifillojë menjëherë procedurat e prokurimit për këtë lot për të mundësuar përfundimin në kohë të këtij projekti të rëndësishëm për kryeqytetin”.(Kortezi:Zeri i Amerikes)

Filed Under: Ekonomi Tagged With: firma fantazme, ndalen punimet, UNAZA E RE

Dibra merr frymë përmes dibranëve të Amerikës

November 25, 2018 by dgreca

Intervistë e Myftiut të  Dibrës së Madhe, Imam Ruzhdi Lata dhënë gazetarit Dalip Greca(Kryetari i Tetovës ndërroi jetë me 24 Nëntor 2018. Në vend të ngushëllimit për familjen dhe miqtë po  ripublikoj intervistën e marrë nga unë për gazetën Illyria 15 vite të shkuara). Intervista mbetet aktuale edhe sot./

20Latiok

Imam Ruzhdi Lata për Gazetën Illyria në Nju Jork- Të aplikosh islamin edhe në gjuhën shqipe, do të thotë të inkuadrohesh në Islam siç kanë qenë persianët, turqit e të tjerët. Ne japim kontributin tonë në sferën shpirtërore fetare, por me unin, ndjenjën, karakterin e vetëdijen tonë që kemi. Islami na favorizoi dhe na ruajti të qenurit shqiptar në barrikadë ndaj sllavizmit por kemi borxh që atë që e ndjejmë në shpirt duhet ta themi në gjuhën tonë.

  • Shkurt, qartë e kuptuershëm: kërkoj që pak më shumë shqip, histori, gjuhë manifestim të festave kombëtare në këto xhami. Nuk guxojnë xhamitë shqiptare të marrin kahje tjetër përveç se kësaj popullate që i shërbejnë fetarisht por t’i shërbejnë edhe kombëtarisht. Në momentin kur humb vlerat njëra anë, të jemi të sigurtë se i humb vlerat edhe ana tjetër.

****

Ruzhdi Lata është nga Dibra e Madhe. Shkollën fillore e ka kryer në Dibër, të mesmen në medresën “Alaudin” në Prishtinë, më pas ka kryer fakultetin Fililogjik në Prishtinë në grupin e gjuhëve orientale dhe shkallën e tretë po ashtu në Prishtinë në degën e letërsisë me temën “Realiteti historik i Qerbelasë së Naim Frashërit.”

Ka punuar 13 vjet në Fakultetin Filologji të Universitetit të Prishtinës, Dega e orientalistikës, ka ligjëruar letërsitë orientale, njëkohësisht dy vite ka punuar në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup ku ka ligjëruar civilizimin Islam dhe tani punon në Dibër në postin e myftiut të Dibrës së Madhe. Ai është shumë i suksesshëm në pajtimin mërive mes shqiptarëve. Gjatë një vizitë në redaksinë e “Illyria-s” i morëm intervistën e mëposhtme:

Prej sa kohësh jeni në Amerikë dhe cili është qëllimi i kësaj vizite?

  • Në Amerikë është hera e katërt që e vizitoj vendin e demokracisë. Gjithmonë kam qëndruar 21 ditë kurse këtë vit do të qëndroj një muaj. Qëllimi është të vizitoj të afërmit dhe të mbajmë të ngritura urat e komunikimit me bashkëvendësit ngase në New York dhe shtete të tjerë të Amerikës gjenden përafërsisht 10 mijë dibranë të cilët në një mënyrë apo tjetër i kam njohur dhe i njoh dhe kam lidhje shoqërore, familjare e miqësore por më e rëndësishmja është se na lidh interesi i përbashkët i dibranëve që jetojnë në Dibër dhe i atyre që jetojnë në Amerikë.
  • Ju shqetëson zbrazja e Dibrës dhe rrejdhja e shqiptarëve drejt emigracionit?
  • – Ky shqetësim është i madh tek të gjithë dibranët sepse Dibra dhe dibranët edhe pse ndoshta kanë një rehabilitim ekonomik, duhet falënderuar mërgata jonë në Amerikë, nga se gjithmonë kam thënë se fryëmarrjen kryesore Dibra e ka nga djemtë e bijat tona në Amerikë. Por në një kënd tjetër, mërgimi i tyre në Amerikë është dhimbja më e madhe shpirtërore që nuk mund të përshrkuhet me fjalë. Dibranët vetëme përjetojnë, e ndjejnë në shpirt, por nuk ka fuqi oratorike që mund të përshkruajë këtë dhembje, aq më tepër kur gjendemi para një vështirësie të vizitave, këtu. Merre me mend  që baba nuk mund të vizitojë fëmijën dhe e kundërta, vëllai – vëllanë, motra -motrën nga se të atilla janë kushtet ligjore. Për mendimin tim edhe ambasada amrikane në Shkup duhet të ketë një qëndrim më tolerues ndaj dibranëve nga se me të vërtetë është një ndarje esenciale familjare në rrethet më të ngushta. Njëkohësisht kjo ndarje ne na vret në sedrën tradicionale dibrane nga se mërgimi ynë favorizon buzëqeshjen e shtetit maqedon.
  • A jeni të kënaqur me kontiributin e diasporës shqiptare në Amerikë në drejtim të vendlindjes së tyre?
  • Me kontributin e diasporës dibrane jemi shumë të kënaqur, por në këtë realacion unë dëshiroj gjithmonë të veçohen gjërat dhe të dhënat nga se nuk është mirë të mbulohen dhe sipërfaqësohen apo grumbullohen vetëm me një qëndrim. Dibranët këtu kanë kontribuar shumë: për çështjen kombëtare, pritjen e kosovarëve, luftën e Kosovës, Bujanocit e Medvegjës, atë të Maqedonisë. Përmes shoqatës “El Hilal” kanë ardhur atje shumë ndihma. Megjithatë më lejoni të them një gjë: të gjithë ata q ë kanë ndihmuar kanë emër e mbiemër. Nuk mund të themi se kanë ndihmuar të gjithë shqiptarët apo të gjithë dibranët. Por kanë ndihmuar dibranët duke shkuar me emrin e mbiemrin nga se globalizimi favorizon plogështinë e të tjerëve kështu që Dibrën e kanë ndihmuar shumë dibranët, por të gjitha ata që kanë ndihmuar kanë emër e mbiemër. Nuk është meritore që djerësn e mundin e tyre ta përvetësojnë të tjerët.
  • Ju jeni myfti i Dibrës. Ishte rastësi që iu përkushtuat kësaj sfere apo vazhdimësi në kuptimin e traditës familjare. Si keni shkuar te ky pozicion?
  • Sa i takon shërbimit fetar trashëgoj një traditë familjare. Jam gjenerata e pestë që shërbej në këtë drejtim. Dhashtë Zoti edhe djali ta çojë më tutje këtë traditë  sepse ai vazhdon të njejtat studime në Kuvajt. Lus  që të vazhdojë kjo traditë në shërbim të fesë dhe natyrisht në të mirë të atij populli ku ne jetojmë, i cili ka nevojë për mësime hyjnore.
  • Jetojmë në një kohë kur bota është  e tronditur nga ekstremizmat fetare. Mendoni se besimtarët tuaj janë të qetësuar në këtë situatë ku veçanërisht lakohet ekstremizmi islam, apo ndjehet një lloj frike e të qenit i besimit musliman?
  • – Sa i takon situatës momentale që flitet e bisedohet shumë, aty – këtu shihet ndonjëherë edhe frikësimi i të qenit besimtar musliman në rrethana e kushte të ndryshme, por edhe me thirrje të ndryshme për konvertimin në besime të tjera, mendoj se është një demagogji, është një qëndrim jofetar, jo demokratik, jocivilizues, jonjerëzor. Në këto kushte e rrethana, më së pari ekstremizimi është imponim i të tjerëve, nga s e ai nuk ekziston veçanërisht tek besimtarët muslimanë shqiptarë, nuk ka ekzistuar as në të kaluarën. Ata janë njerëz që aplikojnë besimin islam të një normative të synitëve e cila nuk favorizon në asnjë mënyrë ekstremizmin, por jo që them që të tjerët favorizojnë, besim i cili përmbush një zbraztësi shpirtërore dhe asgjë tjetër më tepër, por njëkohësisht në këto rrethana dhe kushte politike nuk duhet gërshetuar dhe nuk duhet favorizuar ai ektremizëm që na e mbjellin të tjerët dhe e pranojmë si tonën. Në të vërtetë nuk është prodhim as i yni, nuk duhet të jetë dhe me siguri nuk do të jetë nga se ekstremizmin nuk e pranon edhe vetë islami. Janë shumë parime e shumë qëndrime të cilat favozrizojnë mirëkuptimin ndaj të tjerëve e këtu veçanërisht ne shqiptarët kemi shembëlltyrën më të mirë të tolerancës dhe mirëkuptimit mesfetar. Unë po ju prezantoj vetëm dy argumente për këtë. Në kohën e Sulejmanit të Dytë ka qenë një përgjegjës fetar, Zymri Zade në Perandronë Osmane kur Sulejmani i Dytë merr qëndrim të largojë nga bregdeti shqiptar të gjithë të krishterët. Mirëpo qëndrimin e madh duhej të verifikojë te përgjegjësi fetar. Zymri Zade që ishte shqiptar ia refuzon nga se nuk ka baza fetare dhe nuk ka të drejtë fetare të shpërngulë nga vendbanimi i vet tjetrin. Në kohën e Mbretërisë së Zogut, kur mbreti Zog i ankohet Haxhi Vebi Dibrës, themeluesit dhe kryetarit të komunitetit të parë musliman shqiptar për prishtjen e marrëdhënieve midis besimtarëve të krishterë e muslimanë. Ndërkohë vdes kryetari i Kishës Autoqefale Shqiptare ortodokse. Haxhi Vebiu tubon të gjithë nxënësit e Medresës të veshur në uniformë të përcjellin kortezhin e kryetari të Kishës Autoqefale Shqiptare. Një vit më pas vdes vetë Haxhi Vebiu dhe të gjitha këmbanat e kishave të krishtera në Shqipëri kumbojnë në shenjë zie për vdekjen e Haxhi Vebiut. Ekstremizmi islam kushtimisht për shqiptarët është i papranueshëm.
  • Ju e thatë vetë se shqiptarët shquhen për tolerancë fetare, a shfaqet kjo tolerancë ndërmjet jush dhe Kishës Ortodokse Maqedonase?
  • – Marrëdhëniet tona me këtë kishë të panjohur akoma nga hirarkitë ortotokse janë absolutisht të prishura. Nuk do të pranojmë marrëdhënie me te përderisa ajo nuk i kërkon falje popullatës shqiptare. Sepse prifërit e saj që ishin në Manastir udhëhoqën bandat e rebelimit të shkatërrimit të pasurisë së besimtarëve muslimanë në Manastir e qytete të tjera të Maqedonisë. Paraqitja antishqiptare e kësaj kishe pas disa bisedave që kemi pasur në Shkup e Gjenevë ruan pozicione antishqiptare prandaj në këto relacione nuk mund të themi se janë të mira por tërësisht të prishura, edhe pse në Fakultetin e Shekncave Ortodokse në Shkup kam deklaruar se na e kanë borxh maqedonët të respektojnë qenien shqiptare nga se vetem shqiptarët në Ballkan janë ata që maqedonasve ua njohin kishën, kombin dhe gjuhë. Të gjithë të tjerët ua kontestojnë ose gjuhën, ose kombin, ose kishën. Pra ata kanë obligim që ndaj nesh të jenë më të matur, më të kulturuar, më të sinqertë për të bashkëjetuar.
  • Këtu në diasporë vëmë re që në aktivitetet fetare të komunitetit musliman shqiptar procedurat fetare së shumti kryhen në gjuhën arabe. A reflektohet kjo edhe në komunitetin tuaj atje?
  • – Unë përshëndes aktivitetin e predikuesve muslimanë këtu në Maqedoni të cilët kanë themeluar disa qendra, xhami, siç është ajo në Staten Island, Brooklyn, New Jersey, Queens etj., por këtu kam një sugjerim timin që është esencial: në të gjitha hyrjet e tyre është vënë mbishkrimi: Qendra islamike shqiptare në Amerikë. Organizatorët, themeluesit, realizuesit e veprimtarisë duhet me përkushtimin maksimal t’i dalin zot titullit apo emrit të cilin e mbajnë në hyrje të objekteve: Qendra islamike Shqiptare. Kështu që shembëlltyrën më të mirë e kanë në themelimin e komunitetit musliman shqiptar në Tiranë, do të thotë të ruajnë Islamin maksimalisht por edhe thesarin tonë kulturore, gjuhësor, civilizues, letrar në maksimum nga se mbajnë këtë emër e nuk na prish asgjë punë fetarisht por përtkundrazi favorizon qenien tonë në familjen e madhe të Islamit. Të aplikosh islamin edhe në gjuhën shqipe, do të thotë të inkuadrohesh në Islam siç kanë qenë persianët, turqit e të tjerët që neve të japim kontributin tonë në këtë sferë por me unin, ndjenjën, karakterin e vetëdijen tonë q ë kemi. Islami na favorizoi dhe na ruajti të qenurit shqiptar në barrikadë ndaj sllavizmit por kemi borxh që atë që e ndjejmë në shpirt duhet ta themi në gjuhën tonë. Shkurt, qartë e kuptuershëm: kërkoj që pak më shumë shqip, histori, gjuhë manifestim të festave kombëtare në këto xhami. Nuk guxojnë xhamitë shqiptare të marrin kahje tjetër përveç se kësaj popullate që i shërbejnë fetarisht por t’i shërbejnë edhe kombëtarisht. Në momentin kur humb vlerat njëra anë, të jemi të sigurtë se i humb vlerat edhe ana tjetër.
  • Si janë marrëdhëniet e bashkësisë Islame në Maqedoni me ato të bashkësive të tjera në hapësirat shqiptare?
  • – Më 1998 në Tiranë u themelua grupi i punës, këshilli i punës i bashkësisë islame të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi për të pasur disa aktivitete të përbashkëta. Edhe pse këshilli u themelua, aktiviteti i tij është shumë i ngadalshëm. Sa i përket Bashkësisë Islame në Maqedoni unë do të kisha deklaruar që edhe ajo duhet parë; më shumë t’i kushtojë kujdes çështjes kombëtare edhe pse ndonjëherë thirremi se kemi bërë e në të vërtetë kemi bërë por duhet të rritet ky intensitet sepse mundësia është më e madhe që të mos na kaplojë plogështia apo mos të shuajmë para elementit të politikës maqedone. Bashkësia islame është institucioni më i vjetër në Ballkan, i pandryshuar që vazhdon të jetojë si institucion, andaj duhet të ketë atë thesar, atë pasuri që me të vërtetë në mënyrë të mirfilltë t’i shërbejë kësaj popullate. Aty – këtu mund të gjendet ndonjë segment i paraqitjes së ndonjë proturqizmi ose ndonjë pro-je tjetër që nuk është as e Islamit e as e shqiptarëve.
  • Si e parashikoni ju të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoni?
  • Ardhëmëria e shqiptarëve të Maqedonisë duhet të inkorporohet në ardhmërinë e gjithë shqiptarëve. Vetëm të përbashkët mund të ecim përpara, normalisht jo me qëndrime ndoshta shumë radikale. Janë fushat e veprimit bashkëkohor që duhet të na lidhein e duhet të na nxisin që të kompaktësojmë qëndrime të përbashkëta siç janë marrëdhëniet arsimore, kulturore, sportive e fetare e mandej ato ekonomike, duke u zhvilluar të arrijmë që të pieqemi e të formohemi në brumin tonë kombëtar dhe në trojet tona.
  • Ju keni krijuar një përvojë bashkëpunimi me Shkodrën.Si është realizuar ky bashkëpunim?
  • Unë mendoj se Shkodra si qytet meriton të jetë si shembëlltyrë e shumë aktiviteteve e veprimeve në interes të  çështjes kombëtare, shqiptare e pastaj fetare. Më së pari janë marrëdhëniet e mira shkodrane në qytet ndërmjet besimeve fetare që duhet të kultivohet në të gjitha trojet shqiptare. Ka një jetë të pasur kulturore. Me Shkodrën duhet të lidhë miqësi tërë Shqipëria jo vetëm Dibra si qytet. Dua ta shoh Shkodrën të madhe gjithmonë me mikpritjen, bujarinë, sinqeritetin dhe atë melankolizimin e të folurit të thumbuar por shumë edukativ.
  • Në shumë raste ia keni arritur qëllimit për pajtimin e grindjeve dhe mërive mes shqiptarëve, ku qëndron suksesi juaj në këtë fushë?
  • Kjo është fusha jonë. Nuk është mirë të grindemi mes vetes. Kam punuar dhe vazhdoj të punoj e të kem sukses në shumicën e rasteve. Arsyeja ëshët sepse i njoh nga afër njerzit. Ua njoh shpirtin. ndryshe ne jemi mjekë të shpirtrave. Kam patur rast që të ndërhyj edhe në sallën e gjyqit dhe para se të jepej vendimi kam kërkuar pushim nga trupi gjykues dhe përmes nëj bisede u kam hapur sytë të grindureve që aty i kanë dhënë dorën njeri—tjetrit, janë pajtuar dhe i kanë shpëtuar burgut.
  • Ju keni një përvojë të gjatë në fushëne mësimdhënies, përkthimeve, krijimtarisë etj. Mund t’na tregoni diçka më shumë?
  • Kam përkthyer bashkë me një shok timin veprën e Sami Frashërit “Dashuria e Talatit me Fitneten” nga gjuha turke, kam pubilkuar në disa vazhdime veprimtarinë e Haxhi Vebi Dibrës, themeluesit të komunitetit musliman shqiptar , të Haki Sherofit (?), një mësues i popullit dhe drejtor i medresës së dikurshme të Tiranës. Kam shkruar i pari për Fuat Dibrën, për këtë patriot të madhe veçanërisht në këto kohë kur bëjmë krahasimin e kontributeve tona për çështjen kombëtare.Po ju kujtoj se në vitet 20-të Fuat Dibra për pavarësinë shqiptare nuk dhuron hiç më pak se 500 mijë franga flori. Duhet të jetë një simbol i bujarisë për çështjen shqiptare. Kam shkruar edhe për hoixhallarët dibranë, siç janë ata të Rekës së Dibrës, të cilët shteti maqedon pretendon t’i tjetërsojë në maqedonas muslimanë. Nga Reka na vijnë patriotë shumë të mëdhenj, si Haxhi Vildani, kryetar i Komisionit për hapjen e shkollave shqipe nga Shoqata Patriotike Atdhetare e Stambollit, Hafiz Maliq Tanusha nga Reka e Dibrës i cili është donatori kryesor i Shoqërisë Atdhetare të Stambollit, njëkohësisht edhe Iljaz Hoxha po ashtu nga Reka i cili vritet në luftë kundër serbëve. Kam pasur edhe përkthime të tjera. I fundit është vepra e Buhariut, një përmbledhës i thënieve profetike. E kam botuar vitin e kaluar. Jam duke punuar në një monogafi të hoxhallarëve dibranë që mendoj ta botoj këtë vit.
  • Mesazhi juaj për dibranët në veçanti dhe shqiptarët e Amerikës në përgjithësi?

– Dibranët e këtushëm si dhe  të gjithë shqiptarët do të doja t’u thosha se : Profeti Muhamet, shtetin e parë, shoqërinë e parë e themeloi në Medine. Por, nuk vdiq deri sa e çliroi Mekën që e kishte vendlidje. Ky simbolizëm duhet t’u shërbejë të gjithë dibranëve e të tjerëve që jetojnë në Amerikë në raport me vendlindjen. Jetojnë këtu por duhet të mendojnë njëherë e përgjithmonë që vendlindja të marrë statusin e duhur në historinë e vet. Meqenëse i njoh më shumë dibranët, kisha kërkuar më shumë unitet, të mënjanojnë revanshizmin, xhelozinë.Do të kisha dashur që t’i shoh të gjithë së bashku pse kështu do të arrinin më shumë edhe në bzines, edhe në mirëkuptim edhe në miqësi për të cilën kanë nevojë shumë të madhe në këtë vend por edhe vendlindjes do t’i kishin kontribuar më shumë. Sido që të jetë, mirë janë, mund të jenë edhe më mirë, kanë kontribuar e mund të kontribuojnë edhe më shumë. Do të ishte fatlumësi që raportet ndërmjet shqiptarëve në mërgim dhe atyre në vendlindje të rregullohen në mënyrë institucionale. Sa u takon të gjithë shqiptarëve ndoshta ne nuke kemi këtë kompetencë, ne dëshjiropjmë që ata të kenë lobin e fuqishëm, që të kenë një organizim sepse ata edhe kanë modelin e të tjerëve dhe kisha porositur që dëshirë kryesore pas luftëravë është të kontriubojnë me mjete materiale në ndikimin e politikës amerikane ndaj çështjes shqiptare. Por të gjitha këto që tash nuk do të arrihen asnjëherë pa pasur një mekanizëm i cili duhet që këtë popullatë ta informojë, nuk e teproj të them, ta edukojë, e ajo duhet ta bëjë këtë detyrë dhe e bën sipas mendimit tim shumë mirë  gazeta “Illyria”.

  • PS: Ne foto: Myftiu i Dibrës, Imam Ruzhdi Lata gjatë intervistës në redaksinë e Illyria-s

Filed Under: Ekonomi Tagged With: dalip greca, Interviste me Ruzhdi Laten, Ish imam i Dibres

Dy Qeveritë Shqiptar takohen me 26 Nëntor në Pejë

November 25, 2018 by dgreca

2 Qeverite-Korce-27 11 2017

Korrespondenti i gazetës Dielli në Kosovë Behlul Jashari njofton se të hënën në Pejë do të mbahet mbledhja e radhës së dy qeverive shqiptare, qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Shqipërisë. Aktiviteti i parë në fakt nisi që sot, të Dielën me 25 Nëntor me zbulimin e shtatoreve të patriotëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku ishin pjesëmarrës drejtuesit e dy shteteve, përfshi Presidentin Meta, Kryeparlamentarin Veseli dhe dy kryeministrat Haradinaj dhe Rama.

Ky është takimi i pestë mes dy qeverive që nga fillimi i këtij bashkëpunimi zyrtar. Ndër marrëveshjet kryesore që pritet të arrihen në këtë takim të pestë, është ajo e lehtësirave doganore mes dy vendeve, si dhe heqja e tarifës së romingut. Mbledhja e përbashkët e qeverive të Shqipërisë e Kosovës në Pejë më 26 Nëntor, do të jetë e pesta e kësaj tradite që ka nisur nga Prizreni, më 11 Janar 2014.Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka bërë të ditur në mbledhjen e qeverisë së Kosovës se ka kërkuar nga shteti shqiptar uljen e tarifës në Rrugën e Kombit, që Kosova e konsideron të lartë. Gjithëesi le të presim ditën e nesërme për të mësuar më shumë rreth këtij takimi që ka mbi vete shumë vëmendje, vecanërisht edhe për shkak të Vendimit të qeverisë së Kosovës për taksimin e mallrave serbe dhe boshnjake, c’ka hap më shumë hapsirë për bashkëpunim ekonomik mes dy shteteve shqiptare.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Dy Qeveritë Shqiptar takohen, me 26 Nëntor në Pejë

FTESA E ZV. MINISTRIT DHE PRRALLA E EZOPIT

November 23, 2018 by dgreca

2Eugjen-Merlika-2008V-1-204x300

“Njerёzit turpёrohen jo pёr fyerjet qё bёjnё, por pёr ato qё pёsojnё. Prandaj, pёr tё arritur qё tё paudhёt tё turpёrohen, nuk ka rrugё tjetёr veçse t’i shpёrblesh me tё njёjtёn monedhё”/

Giacomo LEOPARDI ( 1798 – 1837), poet e shkrimtar i njohur italian/

Shkruan:Eugjen MERLIKA/ DIELLI/

Nё festimet e pёrvjetorit tё Tiranёs, njё shkak pёr tё shpalosur tё gjitha bёmat e bujshme tё bashkisё sё Tiranёs, edhe se kjo e fundit ishte e rrethar nga qindra qytetarё qё kёrkonin paratё e mundit tё njё jete tё tёrё, tё investuara nё shtёpitё qё i kap plani i prishjes, nё emёr tё Qeverisё pёrshёndeti zv. ministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, i vetmi qeveritar i pranishёm.

Fjala e tij trajtoi tema tё sё shkuarёs, natyrisht me qё kremtohej pёrvjetori i njё ngjarjeje tё saj. Oratori mori pozёn e historianit, duke risjellё nё kujtesёn e dёgjuesve, qё mbanin nё duar portretet e “udhёheqёsit legjendar”, Enver Hoxha, se lufta nacional – çlirimtare kishte qёnё njё “vendim i duhur politik e ushtarak, pёr t’i u bashkuar njё koalicioni tё madh antifashist, me armё nё dorё pёr tё çliruar vendin.” Gjynah qё zv. ministri nuk thotё se kur u krijua ky koalicion e kur kishte filluar lufta. Mbase ai nuk e di se para atij koalicioni kishte qёnё njё tjetёr, me emrin “pakt mos sulmimi”, i nёnёshkruar nё kryeqytetin e Rajhut tё tretё mё 23 gusht 1939, nga ministrat e Jashtёm tё Gjermanisё e tё BS, tё autorizuar nga krerёt e tyre Adolf Hitler dhe Josif Stalin. Ndoshta nuk ёshtё mungesё e tij, mbasi edhe historia zyrtare, dhe ajo e botuar mё 2008, nuk e pёrmend fare kёtё fakt historik tё stёrnjohur nё botё. Madje ai “harron” tё thotё se lufta kishte hedhur hapat e saj tё parё, mbas sulmit tё Gjermanisё kundёr Bashkimit sovjetik e krijimit tё Partisё komuniste shqiptare, nёpёrmjet katalizatorёve jugosllavё, duke tingёlluar qartё si njё pёrpjekje pёr t’i ardhur nё ndihmё mё shumё “atdheut tё socializmit”, simbas urdhёrave tё Moskёs, se sa trojeve tё Arbёrit, tё bashkuara pёr herё tё parё mbas tridhjetё viteve, nё njё administratё tё drejtuar nga Tirana.

Pёrpjekjeve tё komunistёve, gjatё luftёs, pёr tё diskredituar klasёn drejtuese atdhetare, qё kishte si yll polar tё veprimtarisё sё saj, bashkimin e shqiptarёve nё njё shtet tё vetёm, i shtohet mbas tre tё katёrtat e shekullit edhe zv.ministri Koçi, qё shprehet kёshtu: “Ata donin qё, duke bashkёpunuar me fashizmin dhe nazizmin, tё mbanin pushtetin politik duke tradhtuar interesat e vendit. Ata nuk luftuan pёr Shqipёrinё e madhe, por tё merrnin pushtetin, por populli shqiptar nuk i mbёshteti.” Njё interpretim tё tillё tё historisё sё asaj kohe do t’a kishte zili edhe gazeta “Zёri i popullit” e kohёs sё luftёs. Vlen t’i kujtohet zv. ministrit tё painformuar se, gjatё pesё viteve tё qeverisjes nёn pushtim nё Shqipёri, u ndёrruan shtatё kryeministra, fakt ky qё vёrteton jo vetёm se sa e vёshtirё ishte jeta politike e tyre, nё mbrojtjen e shpalosjen e vlerave tё trashёguara kombёtare (shpёtimi i hebrenjve ёshtё shёmbulli mё domethёnёs), por edhe se ata nuk ishin tё ngulitur nё idenё e pushtetit, tё cilin e aspironin me çfarёdo çmimi  kundёrshtarёt e tyre,   kryesisht Enver Hoxha.

Bёn pёrshtypje shprehja “Shqipёri e madhe”, qё pёdor zv. minstri socialist, duke i bёrё jehonё njё koncepti tё propagandёs sё vjetёr e tё re kundёr shqiptare tё politikёs dhe kulturёs serbe. Drejtuesit e kombёtarizmit shqiptar kanё pёrdorur gjithmonё shprehjen “Shqipёri etnike”, kur binte fjala pёr Atdheun e bashkuar nё kufijtё e tij natyrorё, por z. Koçi parapёlqen tё rrjeshtohet me politikanёt e studjuesit serbё, nё terminologjinё e tij tё urrejtjes patologjike.

Madje kjo urrejtje gjen shprehjen mё tё plotё kur ai, nga lartёsia e detyrёs sё tij, si pёrfaqёsues i Qeverisё, pёr mё tepёr nё njё dikaster tё rёndёsishёm, si ai i mbrojtjes, gjen rastin tё ftojё “tё gjithё ata qё janё pasardhёs tё atyre qё bashkёpunuan me fashizmin t’i kёrkojnё falje popullit, qytetarёve tё Tiranёs, se vetёm kёshtu mund tё arrihet ai qё quhet pajtim kombёtar”. Ndoshta, nё historinё e kёtyre viteve tё demokraturёs, Petro Koçi do tё mbahet mёnd pёr kёtё ftesё tё tij nё njё festё pёrkujtimore, mbasi nuk shquhet pёr asgjё tjetёr.

Ky zotёri neokomunist arrin tё kёrkojё diçka qё nuk kanё patur paturpёsinё t’a kёrkonin as krerёt e njohur tё komunizmit shqiptar, kёrkesёn e faljes nga ana e pasardhёsve tё kundёrshtarёve tё tyre politikё. Ёshtё njё paturpёsi, nё kufijtё e zvetёnimit tё plotё intelektual dhe moral, brёnda vёshtrimit mё dogmatik e kriminal tё dukurive njerёzore. Zv. ministri e din mirё se ata pasardhёs, tё cilёve u drejtohet me njё cinizёm skajor deri nё absurditet, janё viktima tё pafajshme e tё panumurta tё shtypjes mё mizore nё gjithё Evropёn komuniste, qё ka ushtruar diktatura e etёrve shpirtёrorё tё tij. Kёto fjalё, qё besoj se janё unike nё historinё e botёs, mbasi askush, sado vrasёs tё ketё qёnё, nё çfarёdo sistemi e nё çfarёdo diktature, nuk ka zbritur kaq poshtё nё honin e zvetёnimit moral, sa qё tё ketё mёtuar kёrkesё faljeje nga ana e viktimave tё krimeve tё tij.

Falje kёrkojnё gjithmonё njerёzit qё ndjehen fajtorё para dikujt pёr paudhёsitё qё mund t’i kenё bёrё. Por njerёz qё, nga djepi e deri nё plakje kanё mbajtur nё qafё kularin e “luftёs sё klasave”, qё janё privuar nga tё gjitha tё drejtat qytetare, qё kanё provuar mbi shpinё dhjetra vitesh burgimi apo kampesh internimi, qё kanё gjetur vdekjen tё zhytur nё llucat e kampit tё Bedenit, apo nё galeritё e minierave tё Spaçit apo Qafё Barit, qё janё rritur pa baballarё e nё sajё tё flijimit sipёrnjerёzor tё nёnave tё tyre, qё kanё qenё gjithё jetёn prè e poshtёrimit dhe fyerjes vetёm nё sajё tё mbiemrit qё mbanin, nuk ka asnjё ligj tё shkruar e tё pashkruar tё botёs sonё qё t’i bёjё tё “kёrkojnё falje” tek xhelatёt e tyre.

Qёndrimi i zv. ministrit tё Qeverisё shqiptare mund tё gjejё shembёlltyra vetёm nё botёn e kafshёve. Nga ajo botё mё vjen ndёrmend njё pёrrallё e mrekullueshme e fabulistit mё nё zё tё botёs sё lashtё, grekut Ezop, qё titullohet “Ujku dhe qёngji”. Pёr ndonjё qё mund t’a ketё harruar margaritarin e grekut tё madh, po e sjell atё tё plotё:

“Njё ujk pa njё qёngj qё pinte ujё pranё njё rrёkeje uji dhe i erdhi dёshira pёr t’a ngrёnё me ndonjё sebep tё mirё. Duke qёnё lart nё kodёr, filloi t’a padisё se ai i ndotёte ujin, kёshtu qё ai nuk mund t’a pinte atё. Qёngji i tha se pёr tё pirё ai vetёm sa vinte buzёn tek uji e se nuk mund t’a turbullonte atё, mbasi ujku ishte mё lart. Me qё i shkoi huq ai shkak ujku atёherё i tha: “Po ti je ai qё vitin qё shkoi ke sharё babain tim!” Qёngji atёherё i shpjegoi se n’atё datё ai nuk kishte lindur ende. “Mirё, pёrfundoi ujku, nёse ti je aq i zoti pёr tё gjetur gjithmonё rrugёdalje, un nuk mund tё rri pa tё ngrёnё.”

Besoj se zv. ministri rrin mirё nё rolin e ujkut, edhe se nuk ka mё mundёsi tё pёrsёrisё nё praktikёn e tij bёmat “zulmё mёdha” tё terrorit tё paraardhёsve tё tij. Por urrejtja, qё mbruan çdo qelizё tё trurit tё tij, nuk mund tё shprehet mё mirё se sa tek pёrpjekja pёr t’i fyer e poshtёruar deri nё pafundёsi viktimat e asaj pёrndjekjeje tё pashembulltё qё qe lufta e klasave nё Shqipёrinё komuniste. Ai poshtёrim bёhet n’emёr tё “pajtimit kombёtar”, i cili pёr tё ёshtё pёrjetёsimi i logjikёs sё luftёs e terrorit, duke i ligjёsuar ato nё kundёrshtim me çdo normё e parim tё moralit njerёzor. Ai parim, qё do tё kёrkonte normalisht kёrkimin falje nga dhunuesi e jo nga i dhunuari, nё mёndjen e çoroditur tё zv. ministrit kthehet pёrmbys e prodhon arsyetime tё denjё vetёm pёr ujkun e Ezopit.

Nuk e di se sa pajtohet mendёsia e tij me vendimin e lёvdueshёm tё Qeverisё, pёr tё nderuar kujtimin e njё atdhetari, duke sjellё eshtrat e tij me ceremoni n’atdhe. Nё logjikёn e tij si edhe tё shumё tё tjerёve edhe Mithat Frashёri ishte njё “kolaboracionist”. Heshtja e kёtyre ditёve kundrejt ftesёs shkandullore tё Petro Koçit, drejtuar pasardhёsve tё ish kundёrshtarёve politikё tё komunizmit, tё martirizuar pёr gjysmё shekulli, pёr tё kёrkuar falje, ёshtё njё miratim i tёrthortё i asaj mendёsie qё gjen shtratin e ngrohtё nё zyrat e larta tё shtetit shqiptar. Nёse ai qёndrim, pёr arsye tё kuptueshme fasade, nuk mund tё jetё pozicioni zyrtar i Qeverisё, ёshtё detyrё e kёsaj tё fundit duke filluar nga kryetari i saj dhe ministrja pёrkatёse tё distancohen haptas nga “ftesa” e turpёshme e vartёsit tё tyre.

Nё çdo Vend tё Evropёs njё ftesё si ajo e zv. ministrit Koçi do tё kishte shkaktuar njё pёshtjellim politik e mediatik, tё pasuar nga njё dorёheqje e menjёherёshme. Tek ne ajo kalon nё pavёmёndjen mё shqetёsuese, edhe se pёrbёn njё fyerje cinike pёr shumё mijra qytetarё tё kёtij Vendi. Nuk ёshtё njё shenjё e mirё, tregon se evolucioni i mendimit ecёn me hapin e kёrmillit, se nuk shkёputemi dot si shoqёri nga mendёsia e regjimit, nga ndarja famёkeqe “ne” dhe “ata”, se ajo mendёsi vazhdon tё ketё idhtarёt e saj jo vetёm nё veteranёt qё manifestojnё me portretet e Enver Hoxhёs, jo vetёm nё komentet analfabete tё hymnizimit tё sё shkuarёs nё internet, por ajo qё ёshtё mё keq, edhe nё instancat e larta tё shtetit.

Nёndor 2018

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Eugjen Merlika, perralla e Ezopit, zv.Ministri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 152
  • 153
  • 154
  • 155
  • 156
  • …
  • 226
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT