• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zgjidhja e konfliktit Rusi-Ukrainë pas rikthimit të Trump-it në Presidencë

December 13, 2024 by s p

Eneida Jaçaj/

Rikthimi i Presidentit të zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë, për një mandat të dytë katër vjeçar, pritet të forcojë ekonominë e brendshme amerikane dhe të rishikojë marrëdhëniet diplomatike në aspektin e luftës si rregullator i botës, duke zgjidhur konfliktin Rusi-Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme. Në zgjedhjet e 5 nëntorit 2024, Trump ka siguruar votën popullore dhe elektorale, ku ka arritur të fitojë 2.5 milionë vota më shumë krahasuar me zgjedhjet e 2020-ës; ndërsa arriti të marrë 312 vota elektorale nga 538 gjithsej; në 2020 arriti të sigurojë vetëm 232 vota. Kjo fitore e Trump është një këmbanë alarmi për ekonominë amerikane në radhë të parë, pasi populli është i pakënaqur me rritjen e çmimeve, taksave, etj, dhe e pa të nevojshme rikthimin e tij në Presidencë duke i dhënë votën, pasi ai ka premtuar se do t’i rikthejë Amerikës madhështinë, duke nënshkruar marrëveshje tregtare, duke larguar emigrantët pa dokumenta, duke rritur buxhetin ushtarak për t’i dhënë më shumë peshë dhe rëndësi SHBA-ve, etj. Gjithashtu, ajo që vlen për t’u theksuar është se fitorja e Donald Trump-it do të jetë një shuplakë e fortë në arenën ndërkombëtare ndaj kampit të luftës, pasi është etiketuar si një figurë emblematike e paqes, pasi nuk ka provokuar asnjë konflikt në botë, gjatë mandatit të tij të parë presidencial.

Por, le të ndalemi në fatin e luftës Rusi-Ukrainë, i cili është një konflikt shumë delikat dhe zhvillohet në Europë, se çfarë rrjedhe do të marrë pas marrjes së detyrës së Presidentit Trump, në 20 janar. Presidenti i zgjedhur ka premtuar edhe gjatë fushatës elektorale, se do të ndalojë luftën në Ukrainë, duke hyrë në bisedime me Vladimir Putin. Sa e mundur do të jetë kjo? Në 4 vitet e fundit, bota është futur në një qerthull të rëndë mosmarrëveshjesh, në një arenë të nxehtë lufte, e cila nëse do të thellohet akoma më shumë dhe nuk do të përdoren mjetet diplomatike për t’u dhënë zgjidhje konflikteve, globi do të tronditet nga themelet dhe do të vendoset një rend i ri botëror, ku shtetet më të fuqishme do të konkurrojnë me njëri-tjetrin, për të dominuar dhe për të drejtuar politikën në arenën ndërkombëtare. Thellimi i luftës në Ukrainë, me fitoren e Vladimir Putinit si rezultat, do të ishte një kërcënim për vetë SHBA-të dhe globin, pasi qëllimi i Rusisë ka qenë i kahershëm që në Luftën e Ftohtë për të dominuar. Nga ana tjetër, Rusia është e interesuar që Serbia dhe Kosova të hyjnë në luftë me njëra-tjetrën, duke i dhënë mbështetje maksimale Vuçiçit, pasi kërkon të ushtrojë ndikimin e saj në Ballkan.

Ndoshta Trump nuk ka shumë përvojë në çështjet diplomatike ndërkombëtare, por është aq i mençur sa të kuptojë lojën e Putinit. Afrimi i flotës ushtarake të NATO-s në kufi me Rusinë, ishte edhe një nga arsyet e fillimit të luftës në Ukrainë, ku Putin e kërcënoi SHBA-në, dhe gjithashtu ka kërcënuar edhe shumë shtete të tjera nëse do të ndihmojnë me armatime Ukrainën. Gjatë mandatit të tij të parë, Trump u përpoq të vendoste marrëdhënie të mira me Putin, por nga ana tjetër i vendosi edhe sanksione. Kështu që Trump do të gjejë një rrugë për t’i dhënë fund luftës. Ekspertë të çështjeve diplomatike thonë se konflikti do të zgjidhet me kompromis, por që me shumë mundësi ajo që do të humbë më shumë është Ukraina sesa Rusia. PhD. Lutfi Bilalli, njohës i Gjeopolitikës dhe Autor i tre librave për Ukrainën, për gazetën “Dielli”, sqaron situatën aktuale dhe jep disa zgjidhje për konfliktin Rusi-Ukrainë. “Presidenti i sapozgjedhur amerikan Donald Trump , në fokusin e tij në politikën e jashtme, prioritet do ta ketë dhënien fund të luftës në Ukrainë. Ai tani më ka emruar të deleguarin e tij për Ukrainën, ish-gjeneralin në pension z. Keith Kellogg. Presidenti Trump si duket dëshiron që përmes takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, në të ardhmen e afërt të ridizanjojnë një marrëveshje mbi baza të gjendjes në terren që do nënkuptonte një pozicion jo të mirë për integritetin territorial të Ukrainës. Sigurisht në tavolinë mund të jenë disa zgjidhje: 1.Demilitarizimi në vijat ndarëse në terrerin e luftimeve -që defacto do ishin vijat ndarëse -vijat e kontrollit rus në katër regjone në pjesën lindore të Ukrainës ( Luhansk, Donbas, Zaporozhe dhe Kherson, tre regjionet e fundit me një përqindje mbi 50% nën kontrollin e forcave okupuese ruse). Kjo do ishte një lloj modeli i Qipros dhe aspak i dëshiruar për interesat ukranise, por dhe të vet perëndimorëve. 2.Çështja e Krimesë do trajtohej si “temë e kryer” në këmbim me pjesën e katër regjioneve në Ukrainen Lindore? 3.Një autonomi e lartë pë katër regjionet lindore në kuadër të Ukrainës (pa prezencë ushtarake ukrainase-zonë e demilitarizuar-Statuse speciale). 4.Heqja dorë e Ukraines për anëtarësim në Nato ( noratorium për një periudh ), dhe e drejta e Ukrainës për rikthim të territoreve të humbura përmes rmetodave diplomatike. 5.Anëtarësimi i Ukrainës në Nato dhe Unionin Evropian, si kompromis për “heqje dorë” nga territoret e pushtuara ruse në Ukrainën Lindore dhe Krimenë. 6.Tërheqja e trupave ruse nga territoret e pushtuara në Ukrainë dhe statusi i Krimesë, fatëkeqsisht zgjidhje vështirë e realizuar”, thekson Bilalli.

Lutfi Bilalli shprehet se do të jetë e vështirë, por SHBA do të luftojë që ta mbajë sa më larg Ballkanit, Rusinë. “A do arrijë presidenti i ri amerikan, Donald Trump, pas 20 janarit ta “disiplinojë” Putinin dhe a do ketë sukses Trump ta rikthejë Rusinë në taborrin e Perëndimit, me qëllim të largimit nga aleanca me Kinën (ridefinimi i rendit të ri botëror me dominim amerikan)? Apo në planin afatgjatë amerikanët do presin një “Jelcin të ri ” në Rusi? A do kemi një lloj “Jalte II” nga një marrëveshje Trump-Putin dhe interferim rus në Ballkan? Rusia është sponzoruesi numër 1 i interesave serbe në Ballkan në veçanti ndaj aspiratave serbe në lidhje me Kosovën, por edhe me shqiptarët në përgjithësi. Shpresa e vetme për të ndaluar hovin rus në Ballkan janë amerikanët dhe interesat e tyre që Rusinë ta lënë sa më larg Ballkanit. A do kemi një arkitekturë të re të gjeopolitikës në Ukrainë dhe Evropë ( por edhe në Ballkan ) nga e ardhmja e fatit të Ukrainës, mbetet pyetje dilematike. Viti 2025, shpresojmë të jetë viti i përfundimit të luftës në Ukrainë, por me një finale enigmatike: “Paqe me drejtësi apo Tokë për paqe””, thotë Bilalli.

Gjithashtu, edhe eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, jep një mendim të tijin, ku shprehet se lufta do mbyllet me kompromis, por Rusia nuk do dalë pa gjë. “Lufta mbyllet vetëm me kompromise, Rusia është e lodhur nga sanksionet dhe nga lufta, dhe Putin nuk mund të dalë pa lavdi. Trump ka armik Kinën, në ndryshim më radikal se politikat e Biden. Janë raporte që janë underground, komunikime, interesa të mëdha ekonomike dhe gjeopolitika, që po ndryshojnë. Biden largohet duke lënë një fushë të minuar dhe me shumë problematika. Trump do përqëndrohet te rritja e brendshme ekonomike, duke ulur shpenzimet në veçanti për Naton, duke detyruar aleatët e saj të investojnë mbi bazën e detyrimit”, shprehet Softa. Pra, situata është delikate ku do të dominojnë më shumë interesat e më të fortëve, ndërsa më të dobtit janë ata që do të vuajnë pasojat. E rëndësishme është që toka e minuar të zëvendësohet me një tokë për paqe, ku të mos ketë më viktima lufte, pasi populli i pafajshëm është ai që vuan pasojat, ndërsa kokat e mëdha ndajnë miliardat dhe forcojnë pushtetin e tyre.

Filed Under: Ekonomi

“Fund i merituar i tiranisë Al-Assad”

December 12, 2024 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Sytë dhe vëmendja e kancelarive, institucioneve, instituteve, medias si dhe ekspertëve të sigurisë strategjike janë drejtuar në Damasku, ku në fundajavën që lamë forcat rebele të njohura si Hayat Tahrir al-Sham, festuan rrëzimin e regjimit ose dinastisë së familjes Al-Assad, që 50 vjet ka sunduar me barbari Sirinë.

Në statusin e ekpertit për çështjet e Sigurisë Kombetare, Rajonit dhe NATO-s, në vijim po paraqes një përmbledhje strategjike, mbi të kaluarën, realitetin dhe sfidat e së ardhmërisë së Sirisë, vendit që mban peshë kritike në Lindjes së Mesme si dhe rrafshin global:

Kush është Bashar Al-Assadi, një nga liderët më të diskutuar dhe më të kontestuar të Lindjes së Mesme, i cili është këto ditë në Top-lajmet e TV dhe mediave ndërkombëtare? Çfarë ka qenë ai dhe dinastia e familjes së tij në gati 50 vitet e fundit? Çfarë roli ka luajtur Siria në Lindjen e Mesme? Cilat kanë qenë marrëdhëniet e regjimit të Assadit me SHBA, Kinën dhe Rusinë si dhe me vendet e rajonit? Po marrëdhëniet ndërmjet grupeve të ndryshme shoqërore, politike dhe fetare në vend? Çfarë përfaqësojnë grupet rebele dhe kush janë interesat dhe ideologjitë e tyre? Cila është e ardhmja e Sirisë në këtë udhëkryq të historisë së saj?

Kush është Bashar Al-Assad? Lindur në vitin 1965 në Damask, kryeqytetin e Sirisë, sot 59 vjeç, pas vdekjes së babait të tij, Hafez al-Assad, në vitin 2000, Bashar Al-Assadi mori drejtimin e Sirisë, duke u bërë president. Para se të futet në politikë, ai kishte një karrierë mjekësore dhe ishte i panjohur për shumicën e botës si një lider politik. Shumë shpresonin që Assadi do të sillte një frymë reformiste, por ai shpejt dëshmoi se do të ndiqte një politikë të ngjashme me atë të babait të tij, duke forcuar kontrollin e (gjithë) pushtetit si dhe duke trajtuar si fasade ose duke shtypur opozitën. Ai ka qenë në pushtet për më shumë se dy dekada dhe ka kaluar përmes krizash të mëdha, përfshirë luftën civile që ka shkatërruar vendin me pasoja të rënda për të gjithë rajonin. Ndërkohë që shumë analistë, sidomos perëndimorë, e shohin atë si një tiran që ka shtypur popullin sirian me një regjim të dhunshëm, disa të tjerë e kanë konsideruar si një lider që ka mbajtur stabilitetin në një rajon të përfshirë nga luftërat dhe tensionet???

Pushteti i Dinastisë Al-Assad. Pushteti i Bashar al-Assad është pjesë e një dinastie që ka kontrolluar dhe drejtuar Sirinë për mbi 50 vjet. Hafez al-Assad, babai i tij, e vendosi regjimin e tij në vitin 1970 pas një grushti shteti dhe sundoi për 30 vjet. Hafez al-Assad krijoi një shtet autoritar, të centralizuar, dhe përdori ushtrinë dhe shërbimet sekrete për të shtypur çdo kundërshtar. Pas vdekjes së Hafez al-Assad, Bashar al-Assad mori pushtetin dhe e ruajti këtë model autoritar, duke përdorur dhunën dhe represionin për të mbajtur pushtetin dhe kontrollin mbi vendin. Ky regjim ka mbajtur kontrollin e Sirisë për më shumë se gjysmë shekulli, duke e shndërruar familjen al-Assad në një nga dinastitë më jetëgjata të Lindjes së Mesme.

Cfarë solli regjimi i Asadit për Sirinë? Për popullin sirian, regjimi i Assadit ka qenë një burim i konflikteve dhe tensioneve të ndryshme. Nga njëra anë, ai ka sjellë një periudhë të qëndrueshmërisë, sidomos pas periudhës së trazirave dhe grushtit të shtetit të Hafez al-Assad. Siria ishte një vend relativisht i sigurt dhe me zhvillim të moderuar krahasuar me disa vende të tjera të rajonit. Megjithatë, kjo periudhë e stabilitetit ka ardhur në kurriz të lirisë politike dhe të drejtave të njeriut. Regjimi i Bashar al-Assad ka përdorur dhunën masive për të shtypur çdo formë kundërshtimi, sidomos kundër protestuesve gjatë “Pranverës Arabe” të vitin 2011 dhe shkaktuar një luftë civile që ka marrë jetë të pafajshme.

Një tjetër problem është se ndërsa disa grupe, veçanërisht pakicat fetare si Alavitët (nga të cilët vjen edhe vetë Bashar al-Assad), kanë përfituar nga mbështetje e regjimit, shumica e popullsisë siriane, veçanërisht ata që ishin të lidhur me opozitën, janë shtypur dhe shtrënguar të jetojnë në kushte të mjerueshme. Lufta civile ka shkaktuar miliona të vdekur, të plagosur dhe të pastrehë, duke përfshirë shkatërrimin e qytetit të Aleppos dhe Damaskut.

Akuza për përdorimin e Armëve Kimike. Ka fakte dhe akuza serioze nga organizata ndërkombëtare dhe qeveri të ndryshme për përdorimin e armëve kimike nga regjimi i Bashar al-Assad kundër popullsisë civile Siriane. Ja disa prej rasteve më të njohura të përdorimit të Lëndëve Kimike nga Assadi: Sulmi në Goutha në 2013 ku besohet se forcat e Assadit përdorën Sarin, një gaz nervor i fuqishëm që shkaktoi vdekjen e mbi 1400 qytetarëve, shumica e të cilëve ishin civilë, përfshirë gra dhe fëmijë. Po ashtu, një sulm tjetër me këtë gaz nervor ishte sulmi në Khan Shaykhun, më 4 prill 2017. Ky sulm shkaktoi vdekjen e më shumë se 80 personave, përfshirë gra dhe fëmijë, dhe shumë të tjerë u plagosën rëndë. Më 7 prill 2018, u krye sulmi në Douma, gjithashtu në provincën e Idlib, ku shumë civilë raportohet se u vranë nga përdorimi i klorit, një substancë kimike e ndaluar që përdoret për të shkaktuar dëm të madh në frymëmarrje dhe shëndet. Regjimi i Bashar al-Assad e mohoi përdorimin e armëve kimike dhe akuzoi opozitën për ngjarjet tragjike.

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) ka mbledhur prova dhe ka zhvilluar hetime që kanë konfirmuar përdorimin e substancave të rrezikshme, si Sarin, VX dhe Klorin, nga forcat e regjimit sirian. Po ashtu, Këshilli i Sigurimit të OKB ka kërkuar ndëshkimin e përgjegjësve për këto krime, por kanë hasur vështirësi për shkak të bllokimeve nga aleatët e regjimit të Assadit, si Rusia dhe Kina.

Marrëdhëniet e Brendshme dhe Shtetet e Rajonit. Bashar al-Assad ka ruajtur marrëdhënie të forta me grupe të ndryshme të brendshme që i kanë ofruar mbështetje për mbajtjen e pushtetit, si ushtria, shërbimet sekrete dhe elita politike dhe fetare. Pjesa më e madhe e mbështetjes vjen nga grupet Alavite dhe grupe të tjera të pakicave fetare që shohin tek regjimi një garanci për mbrojtjen e interesave të tyre. Në rajon, marrëdhëniet e Bashar al-Assad janë shumë të ndërlikuara. Ai ka pasur aleatë të fortë, si Irani dhe Rusia. Irani ka mbështetur regjimin e Assadit me armë, para dhe trupa ushtarake, për të siguruar stabilitetin e regjimit në Siri dhe për të ruajtur ndikimin e tij në rajon. Po ashtu, Rusia ka luajtur një rol kyç në luftën civile, duke ofruar mbështetje ushtarake dhe diplomatike për të parandaluar rënien e regjimit të Assadit.

Nga ana tjetër, marrëdhëniet e Assadit me shtetet e tjera të rajonit kanë qenë të tensionuara. Ai ka pasur kundërshtarë të fuqishëm si Arabia Saudite, Turqia dhe disa shtete të tjera të Gjirit, të cilat mbështesin opozitën dhe janë kundër regjimit të tij. Siria ka luajtur një aktor kyç në destabilizimin e rajonit përmes mbështetjes së grupeve militante si Hezbollah dhe Hamas, duke krijuar një atmosferë të tensionuar me shtetet si Izraeli dhe SHBA.

Ndersa marrëdhëniet e Bashar al-Assad me Izraelin kanë qenë gjithmonë të tensionuara, për shkak të konflikteve të vazhdueshme dhe politikave të mbështetjes së tij për grupet që luftojnë kundër Izraelit. Kjo ka bërë që Siria të ruajë një marrëdhënie shumë të ndërlikuar me fuqitë perëndimore dhe shtetet e tjera të rajonit që kanë njohur Izraelin.

Cilët janë Grupet Rebele dhe Axhenda e tyre? Forcat që drejtuan rebelimin dhe rrëzuan regjimin e Bashar al-Assad janë të përbëra nga një gamë e gjerë grupesh, përfshirë grupet e opozitës civile, grupet islamike dhe grupet kurde. Këto grupe janë të shumëllojshme dhe përfshijnë një spektër të gjerë, që variojnë nga grupe islamike të moderuara, deri tek ato radikale, si dhe grupe laike. Këto grupe janë mbështetur kryesisht nga shtete si Turqia, Arabia Saudite, SHBA dhe disa shtete perëndimore që kanë dëshiruar të shohin rënien e regjimit të Assadit. Megjithatë, këto grupe janë të ndara dhe me axhenda të ndryshme, si dhe kanë pasur përplasje të brendshme, duke e bërë rebelimin gjithmonë e më të vështirë për tu menaxhuar.

Në përgjithësi, rebelët mund të ndahen në disa kategori kryesore: Grupe me Orientim Islamik, të tilla, si Hayat Tahrir al-Sham (HTS), që janë më radikalë dhe kanë lidhje me ideologjinë e al-Kaidës ose grupe të tjera islamike, që synojnë një shtet islamik që i përshtatet interpretimit të tyre të Sheriatit; Grupe të Moderuara: si Ushtria e Lirë Siriane (FSA), që kanë kërkuar një qeverisje më të hapur dhe më demokratike, megjithatë këto grupe kanë qenë shpesh të fragmentuara dhe jo të konsoliduar; Grupe të Kurdëve: si YPG (Yekîneyên Parastina Gel), që ka zhvilluar një forcë të madhe ushtarake me ndikim të madh në lindje të Sirisë. Ata janë të angazhuar për një autonominë e Kurdëve në Siri, gjë që bie në kontrast me qëndrimet e Assadistëve dhe disa grupeve arabe.

Sa i përket zgjedhjeve demokratike në Siri, qëndrimet e rebelëve janë të ndryshme, dhe kjo është një prej arsyeve përse janë të vështira të arrijnë një marrëveshje të gjerë politike. Shumë grupe, sidomos ato më të moderuara, janë pro zhvillimit të një sistemi politik demokratik, bazuar në zgjedhje të lira dhe të drejta. Ata kërkojnë një kalim drejt paqes dhe stabilitetit, ku qytetarët sirianë do të kenë mundësinë të vendosin për të ardhmen e vendit.

Megjithatë, zhvillimet demokratike në Siri janë një mision i mundshëm, por shumë i vështirë, për disa arsye:

Së pari, sepse grupet janë shumë të fragmentuara në interesa dhe ideologji. Disa grupe kanë interesa dhe ideologji shumë të ndryshme, dhe kjo ka bërë të vështirë krijimin e një fronti të bashkuar.

Së dyti, është prania e grupeve Radikale si HTS dhe ato të tjera që lidhin luftën me ideologjitë islamike radikale, të cilat mund të pengojnë një kalim në një sistem demokratik, pasi ata kanë qëndrime të kundërta ndaj vlerave demokratike, si liria e besimit dhe pluralizmi politik.

Së treti, është mungesa e një mbështetjeje ndërkombëtare të qëndrueshme. Pavarësisht mbështetjes që disa grupe të moderuara kanë marrë nga perëndimi dhe shtetet e tjera të botës arabe, mungon një mbështetje e qëndrueshme dhe një plan i qartë për rindërtimin e një shteti demokratik në Siri. Kush do të bëhet organizatë apo vend ndërmjetës për të marrë përsipër ngritjen e shtetit të ri Sirian?

Së katërti, është bashkëpunimi i mëtejshëm me Assadin dhe me Rusinë, ku disa grupe janë akoma të gatshme të negociojnë me të, çka e bën zhvillimin e një shoqërie demokratike më të vështirë. Grupet që kanë mbështetur deri tani regjimin janë ato që kërkojnë kontrollit mbi Sirinë, si Alavitët, grupe të tjera fetare dhe ata që e shohin Assadin dhe Rusinë si një garant të interesave të tyre në rajon.

Konkluzion. Pyetja që bëjnë pothuaj të gjithë agjencitë e mëdha të lajmeve është ʺWhat is nextʺ?

Sipas mediave Ruse, Assadi, ka marrë strehim politik në Kremlin. Gjithesesi, rrezimi ketij rregimi konfirmon jo vetëm lidhjet e ngushta mes diktarorëve dhe autokrateve, por edhe një shuplake e rëndë për të gjitha tiranitë, përfshi Rusinë – Putiniste, Kim-Jong-ët, Shtetet dhe organizatat teroriste.

Ndersa SHBA ka mbajtur një qëndrim asnjanës të konfliktit të brendshëm në Siri duke u shprehur se ʺGrupet që rrëzuan regjimin në Siri kanë një histori të dyshimtë. Ata duhet të vlerësohen jo më nga fjalët, por nga veprat e tyre. SHBA do të bashkëpunojë me një qeveri demokratike, dalë nga zgjedhjet e lira, dhe që kërkon dialog dhe mirëkuptimʺ. Ndërsa Presidenti i zgjedhur Trump në një postim të fundit ka shprehur qëndrimin e tij të fortë: ʺKjo nuk është lufta jonë. Tani për tani, ne do të presim si do të sillenʺ!

Gjithësesi, grupi opozitar islamik sirian (HTS) dhe zyrtarë nga qeveria e përmbysur Asad-iste caktuan udhëheqësin politik të xhihadistëve, inxhinierin Mohammed al-Bashir, i cili gjithashtu ka luajtur nje rol kyç në administratën e mbikëqyrur nga grupi islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS), për të formuar një qeveri kalimtare.

Nga ana tjetër, konflikti është shumë i ndërlikuar dhe impakte të mëdha për sigurinë dhe politikën ndërkombëtare, për një të ardhme më të sigurt dhe më demokratike për Sirinë dhe rajonin.

Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut; & ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

Filed Under: Ekonomi

KONGRESI I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS: JO INFLUENCËS KOMUNISTE NË SHKOLLAT AMERIKANE!

December 12, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli/

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Rrallë ndodhë që Kongresi i Shteteve të Bashkuara të jetë aq i bashkuar në miratimin e një propjekt-ligji cilido qoftë, sa ç’ishte me 6 dhjetor 2024 kur Dhoma e Përfaqsuesve miratoi me vota dërmuese prej 327 në favor të Aktit Vendimtar të Mësimdhënies mbi Komunizmin dhe 62 kundër. Text – H.R.5349 – 118th Congress (2023-2024): Crucial Communism Teaching Act | Congress.gov | Library of Congress  Ky akt — autore e të cilit ishte përfaquesja republikane Maria Salazar e shtetit Florida — është miratuar nga përfaqësuesit republikanë dhe demokratë të Kongresit në një frymë bashkpunimi, me vota dërmuese,  me qëllim për të edukuar studentët e shkollave të mesme mbi rreziqet që vijnë nga komunizmi dhe totalitarizmi dhe se si këto sisteme janë në kundërshtim të plotë me parimet bazë të lirisë dhe demokracisë në Shtetet e Bashkuara, thuhet një njoftim të Kongresit, me këtë rast, për median. Sipas këtij Akti, materialet e mësimdhënies, mbi të vërtetat dhe rreziqet e komunizmit, do të shpërndahen nga Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit me qëndër në Washington – me përqëndrimin në të kaluarën kriminale komuniste dhe në trashëgiminë e vazhdueshme të komunizmit edhe sot e kësaj dite.  

Miratimi i këtij akti u cilësua si një “fitore monumentale për brezat e ardhëshëm të studentëve amerikanë”, nga Presidenti i Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit, Dr. Eric Patterson. “Muri i Berlinit mund të jetë shembur në vitin 1989, por ideologjia djallëzore që fshihej pas tij nuk është zhdukur ende. Akti Vendimtar i Mësimdhënies mbi Komunizmin, i miratuar ditët e fundit nga Kongresi amerikan, “është një akt legjislativ i cili garanton që studentët tanë të mësoinë të vërtetën – të kaluarën dhe aktualën – mbi këtë ideologji vdekjeprurëse… pasi studentët amerikanë janë gjithnjë e më shumë të keq-informuar ose aspak të informuar mirë mbi historinë dhe trashëgiminë e komunizmit”, citohet të ketë thenë Drejtori i Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit, Dr Eric Patterson.

Komunizmi botëror ka një histori të gjatë dhe të errët shtypjesh politike, persekutimesh, dhune, vrasjesh dhe në përgjithsi, një histori krimesh kundër njerëzimit, gjatë shekullit të kaluar e deri në ditët e sotëme. Një trashëgimi kjo, për të cilën, për fat të keq, po flitet gjithnjë e më pak, ndërkohë që aktorë të huaj djallëzorë po përpiqen ta infiltrojnë këtë ideologji kriminale edhe në institucionet arsimore amerikane. 

Kështuqë, sipas autores së këtij akti legjislativ, Përfaqësueses republikane nga shteti Florida, kubano-amerikanes, Maria Elvira Salazar, “Me miratimin e  Aktit Vendimtar të Mësimdhënies mbi Komunizmin, Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara siguron se brezat e ardhëshëm do të kujtojnë vuajtjet dhe krimet e shkaktuara nga ideolgjia brutale komuniste. Komuniteti im në Miami i njeh shumë mirë krimet e komunizmit, prandaj ne duhet të sigurohemi që të gjithë amerikanët të kenë të dhënat dhe të njihen me mizoritë dhe vdekjet e shkaktuara nga komunizmi”, është shprehur ajo pas aprovimit të Aktit nga Dhoma e plotë e Përfaqsuesve e Kongresit amerikan, me mbështetjen dërmuese nga të dy partitë kryesore të vendit, demokratët dhe republikanët. 

Zonja Maria Elvira Salazar, Përfaqsuesja republikane nga shteti Florida me disa kolegë të saj, ka punuar për një kohë të gjatë tani për të bindur opinionin publik amerikan dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara mbi krimet e komunizmit në botë — Frank Shkreli: Kongresi i Shteteve të Bashkuara denoncon tmerret e socializmit | Gazeta Telegraf — në të kaluarën dhe aktualisht si dhe për rreziqet që kjo ideologji kriminale paraqet për brezat e ardhëshëm. “Akti Vendimtar i Mësimdhënies mbi Komunizmin”, u shpreh ajo, “do të sigurojë që brezat e ardhëshëm do të kuptojnë më mirë historinë e tmershme dhe tragjike të komunizmit. Ne duhet të bëjmë çdo gjë të mundur që të ruajmë dhe të mbrojmë parimet themelore të lirisë dhe të demokracisë së vërtetë. Përpjekjet për mbrojtjen e endrrës amerikane për brezat e ardhëshëm, fillojnë që tani”, me miratimin e këtij Akti, ka thenë Maria Elvira Salazar. 

Ndërkaq, Kryetari i Dhomës së Përfasueseve, Mike Johnson përshëndeti miratimin e Aktit duke thenë se ndërkohë që përballemi me sfida gjithnjë e më të mëdha nga kundërshtarët tanë ideologjikë, siç është Partia Komuniste e Kinës, Akti Vendimtar i Mësimdhënies mbi Komunizmin i aprovuar nga Kongresi amerikan është një qëndrim i qart legjislativ kundër prirjeve të tilla të rrezikshme komuniste. “Sot është më e rëndësishme se kurrë që studentët tanë të mësojnë mbi rreziqet e vërteta që vijnë nga komunizmi, por edhe mbi rëndësinë e mbrojtjes së lirive tona”, është shprehur me këtë rast Kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve të Kongresit amerikan, duke shtuar se ky Akt garanton që sistemi arsimor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’i ketë rrënjët thellë në të vërtetën e historisë së regjimeve komuniste dhe në ruajtjen e vlerave tona.

Ndërsa përfaqsuesja e shtetit Indiana, me origjinë ukrainase, në fjalën e saja citoi Winston Churchillin i cili ka thenë se, “Ata që nuk mësojnë nga historia janë të destinuar ta përsërisin”, duke shtuar se ne duhet tu kujtojmë brezave të ardhëshëm, miliona viktimat e komunizmit, jetët e shkatërruara nga komunizmi ndërkombëtar, anë e mbanë botës, dhe që të mos harrojnë rëndësinë për të mbrojtur Republikën tonë të lirë dhe të fortë”, ka theksuar kongresistja me origjinë ukrainase. Frank Shkreli; Një frymë e re anti-socialiste /anti-komuniste në Kongresin e ardhshëm të ShBA-ve | Gazeta Telegraf

Miratimi me vota dërmuese (327 në favor-62 kundër) e Aktit Vendimtar i Mësimdhënies mbi Komunizmin, miratuar këto ditë nga Dhoma e Përfaqsuesve të Shteteve të Bashkuara në Washington, pason një numër përpjekjesh nga ana e një numri shtetesh amerikane për të pasqyruar krimet e komunizmit ndërkombëtar, ndonëse, historikisht dhe realisht, komunizmi kurrë nuk zuri rrënjë në Shtetet e Bashkuara, si regjim totalitar. Duket se me miratimin e këtij Akti, Kongresi i Shteteve të Bashkuara solidarizohet – 35 vjet pas shembjes së Murit të Berlinit — me viktimat e gjenocidit komunist ndërkombëtar, duke kujtuar dhe duke dënuar, zyrtarisht, krimet e komunizmit.  Ashtu që breznitë e ardhëshme të amerikanëve ta njohin më mirë të vërtetën mbi krimet dhe kriminalitetin e regjimeve komuniste kundër miliona njerëzve, anë e mbanë botës, gjatë shekullit të kaluar e deri në ditët e sotëme.

 Të gjitha këto përpjekje gjatë viteve të fundit në Shtetet e Bashkuara në nivel federal dhe në nivel shtetëror, në mbarë Amerikën, tregojnë se amerikanët — me gjithë se shembja e Murit të Berlinit mund të ketë qenë një simbol i rënjes së komunizmit të shekullit të kaluar – janë tani të vetdijshëm se ndoshta jo, doemosdoshmërisht, rrëximi i Murit të Berlinit të ketë simbolizuar gjithashtu edhe zhdukjen e trashëgimisë së kësaj ideologjie kriminale shkatërruese për shumë popuj anë e mbanë botës, përfshir Kombin Shqiptar.  Është një përpjekje, mendoj unë, nga populli amerikanë dhe përfaqsuesit e tij legjitim në Kongres, që krimet e regjimeve komuniste kundër njerëzimit dhe 100-milion viktimat e komunizmit, anë e mbanë botës, të mos harrohen kurrë por të kujtohen, ashtu siç ka paralajmëruar Winston Churchilli, me qëllim që historia e komunizmit të mos përsëritet më. 

Po Shqipëria, kur do bëjë një gjë të tillë?! Kur do kujtojë viktimat e komunizmit enverist, zyrtarisht, njëherë e mirë dhe kur do të dënojë krimet e komunizmit në atë vend?! Po viktimat e komunizmit në Kosovë, për të cilat nuk flet askush? Kur do të kujtohen ato?! 

Merrni shembull nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shumë vende të tjera ish-komuniste dhe jo-komuniste në Evropë, nëqoftse besoni në liri e demokraci dhe në një të ardhme më të mirë për fëmijt tuaj. Përballuni, zyrtarisht me krimet e komunizmit! Zbuloni të vërtetën për veten dhe për brezat e ardhëshëm. Nostalgjia ndaj komunizmit enverist dhe mos-përballja me krimet e komunizmit të ish-regjimit të tij në Shqipëri, ish-regjimit sllavo-komunist në Kosovë dhe në trojet shqiptare të Ballkanit Perëndimor — nuk ka asgjë të përbashkët me lirinë dhe demokracinë perëndimore as nuk përputhet me vlerat amerikane. 

Nëse dëshironi që historia e komunizmit në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare të mos përsëritet më, atëherë edhe për hir të brezit të ri të shqiptarëve sot dhe nesër, dënoni dhe denonconi edhe ju krimet e komunizmit sllavo-aziatik dhe mos harroni, por kujtoni viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe në Kosovë, në përputhje me vlerat amerikane që ligjvensit amerikanë shfaqen nepërmjet miratimit të Aktit Vendimtar i Mësimdhënies mbi Komunizmin, në mbështetje të studentëve amerikanë për të mësuar të vërtetën mbi krimet e komunizmit –në të kaluarën dhe për trashëgiminë djallëzore të kësaj ideologjie shkatërruese sot e kësaj dite në mbarë botën, përfshir Shqipërinë dhe Kosovën.  

Frank Shkreli

Debate on the Crucial Communism Teaching Act | C-SPAN.org

Text – H.R.5349 – 118th Congress (2023-2024): Crucial Communism Teaching Act | Congress.gov | Library of Congress

Salazar’s Crucial Communism Teaching Act Passes House | Representative Maria Salazar

A large group of people in a room

Description automatically generated

  Pamje nga dhoma e Përfaqusesve e Kongresit të Shteteve të Bashkuara

A flag flying on the top of a building

Description automatically generated
About | Representative Maria Salazar

Kongresistja Maria Elvira Salazar, nga shteti Florida — autorja e Aktit Vendimtar i Mësimdhënies mbi Komunizmin, miratuar pak ditë më parë nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara me një numër dërmues votash nga përfaqsuesit e dy partive kryesore politike amerikane – republikanë e demeokratë

Filed Under: Ekonomi

New Yorku – Qendër Diplomatike e Shqiptarëve, veçanërisht për Kosovën

December 9, 2024 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha/

New Yorku është një qendër e rëndësishme për shqiptarët dhe Kosovën për shkak të rolit të tij si qendër globale e diplomacisë dhe vendbanim i një prej komuniteteve më të mëdha shqiptare në diasporë. Ky qytet ka shërbyer si një platformë kryesore për promovimin e çështjes shqiptare dhe forcimin e lidhjeve diplomatike me shtetet e tjera.

New Yorku strehon një nga komunitetet më të mëdha dhe më të organizuara shqiptare në SHBA, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e çështjes së Kosovës:

Komuniteti shqiptaro-amerikan, përfshirë organizatën The Albanian American Civic League të drejtuar nga Joe DioGuardi, ka mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare. Organizimi i protestave gjatë viteve ’90 dhe gjatë luftës në Kosovë ishte vendimtar për ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe për mbështetjen e ndërhyrjes së NATO-s.

Gjatë krizës së refugjatëve në vitet 1998-1999, komuniteti shqiptar në SHBA grumbulloi fonde për ndihma humanitare dhe për mbështetjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Komuniteti shqiptar ka ndërtuar institucione fetare dhe kulturore si Kisha Ortodokse Shqiptare “Shën Nikolla” dhe Qendra Islame Shqiptare, duke kontribuar në ruajtjen e gjuhës dhe traditave kombëtare.

New Yorku si Qendër Diplomatike për Kosovën

Si seli e Kombeve të Bashkuara (OKB), New Yorku ka luajtur një rol kyç në vendimet që kanë ndikuar drejtpërdrejt në të ardhmen e Kosovës:

Rezoluta 1244 e OKB-së: Pas luftës në Kosovë, Këshilli i Sigurimit miratoi këtë rezolutë që vendosi Kosovën nën administratën ndërkombëtare të UNMIK-ut, duke përgatitur rrugën drejt shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Lobimi për Njohje Ndërkombëtare: Pas shpalljes së pavarësisë më 2008, delegacionet e Kosovës kanë zhvilluar takime me përfaqësues të shteteve në New York për të siguruar njohje ndërkombëtare dhe për të përmirësuar pozitën diplomatike të vendit.

Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në OKB: Një moment historik ishte fjalimi i saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku kërkoi njohjen ndërkombëtare dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Shqiptarët në SHBA dhe Ndikimi i Tyre Politik

Figura të Spikatura: Shqiptarë të suksesshëm si Harry Bajraktari dhe Mark Gjonaj kanë ndikuar në ngritjen e ndërgjegjësimit për çështjet shqiptare në New York. Mark Gjonaj, si anëtar i Këshillit Bashkiak të New Yorkut, ka promovuar interesat e shqiptarëve në nivel lokal dhe ndërkombëtar.

Kontributi i Diasporës: Shqiptarët në SHBA kanë dhënë kontribute të mëdha në fusha politike, ekonomike dhe kulturore. Shembuj përfshijnë vëllezërit Bytyqi, të cilët dhanë jetën për çlirimin e Kosovës, dhe figura të njohura kulturore si këngëtarja Rita Ora.

Kontributi në Zhvillimet Historike të Kosovës

MProtestat dhe Ndikimi në Politikën Amerikane: Gjatë viteve ’90, protestat masive në New York para selisë së OKB-së dhe institucioneve amerikane mobilizuan opinionin publik në SHBA dhe ndihmuan që administrata e Presidentit Bill Clinton të veprojë në Kosovë, duke parandaluar një gjenocid të mundshëm.

Mbledhja e Fondeve dhe Ndihma për Refugjatët: Komuniteti shqiptar në SHBA organizoi ngjarje për mbledhjen e fondeve, duke dhënë ndihmë financiare dhe humanitare për mijëra refugjatë të luftës.

Kontributi në Lobimin për Çështjen Shqiptare dhe Kosovën

Organizata dhe individë të shquar që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm:

Kisha Katolike Shqiptare në New York, që ka mbështetur komunitetin shqiptar dhe ka promovuar çështjen e Kosovës në qarqet ndërkombëtare.

Teqeja Bektashiane Shqiptare në Michigan, që ka shërbyer si qendër organizative për komunitetin shqiptar dhe përpjekjet kombëtare.

NAAC (National Albanian American Council), që ka lobuar në Kongresin Amerikan për njohjen dhe mbrojtjen e Kosovës.

Jim Xhema, një filantrop dhe lobist i njohur shqiptar në SHBA, që ka kontribuar me përkushtim në mbrojtjen e interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Roli Historik i Organizatës Vatra dhe Gazetës Dielli

Vatra, e themeluar më 1912, është një nga organizatat më të vjetra dhe më të rëndësishme shqiptaro-amerikane. Ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe Kosovës, ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare, si dhe në lobimin për të drejtat e shqiptarëve në nivel ndërkombëtar. Gazeta e saj Dielli ka qenë një platformë e fuqishme për informimin dhe ndërgjegjësimin e komunitetit shqiptar dhe opinionit ndërkombëtar.

Personalitete të Shquara me Kontribut të Madh

Dr. Elez Biberaj: Ish-drejtor i Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, që ka informuar botën për zhvillimet në Shqipëri dhe Kosovë gjatë periudhave kritike.

Dr. Sami Repishti: Aktivist dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut, që ka lobuar për të drejtat e shqiptarëve dhe ka denoncuar diktaturën komuniste.

Frank Shkreli: Gazetar dhe analist që ka kontribuar me artikuj dhe analiza për çështjen shqiptare në skenën ndërkombëtare.

New Yorku mbetet një qendër strategjike për diplomacinë shqiptare dhe kosovare, duke shërbyer si një platformë për lobim politik, zhvillim të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ruajtje të identitetit kombëtar. Kombinimi i rolit të komunitetit shqiptar dhe ndikimi diplomatik i këtij qyteti kanë ndihmuar në avancimin e çështjeve kombëtare shqiptare në nivel global.

Filed Under: Ekonomi

ADMINISTRATA E TRAMPIT DHE LUFTA NË UKRAINË

December 7, 2024 by s p

Republican presidential candidate former President Donald Trump and Republican vice presidential candidate Sen. JD Vance, R-Ohio, arrive a campaign rally, Saturday, July 20, 2024, in Grand Rapids, Mich. (AP Photo/Evan Vucci)

Ndalja e një lufte duhet të merret si akt human. Është thënë se presidenti i zgjedhur i ShBA-së Donald Tramp (Donald Trump, 1946- ) luftën e Ukrainës mund ta ndalë për një ditë. 

Kemi të bëjmë me një luftë komplekse. Kjo luftë karakterizohet prej dy gjërave:

– e para, pala ukrainase mbështetet prej Fuqive të Perëndimit dhe të NATO-s;

– e dyta, njëra prej palëve ndërluftuese është fuqi e madhe.

Kush e ka shkaktuar këtë luftë? Sipas Fuqive perëndimore dhe NATO-s, luftën e ka shkaktuar agresioni rus, i paprovokuar nga Kievi. Sipas Moskës, kjo luftë është pasojë e tendencës së Fuqive të Perëndimit dhe të NATO-s për ta përfshirë Ukrainën në Aleancën Veri-atlantike. 

Rëndom luftërat ndalen kur njëra prej palëve ndërluftuese e humb luftën dhe nënshkruan kapitullimin. Në rastin konkret, asnjëra prej palëve ndërluftuese nuk thotë se e ka humbur luftën. Secila prej tyre thotë se do ta vazhdojë luftën deri në thyerjen përfundimtare të palës armike. 

Presidenti i zgjedhur i ShBA-së Donald Tramp sakaq mund ta ndalë luftën duke ia ndërprerë Kievit ndihmat ushtarake dhe financiare. Po të ndodhë një gjë e tillë, atëherë fituese e luftës do të dilte Rusia. Që nga fillimi i kësaj lufte, Fuqitë perëndimore Rusinë e kanë cilësuar si agresore dhe si pushtuese e territorit të huaj. Sipas perëndimorëve, Moska i ka shkelur konventat ndërkombëtare me të cilat garantohet pacenueshmëria e kufijve, e sovranitetit të shteteve apo e tërësisë tokësore e tyre. 

Ç’qëndrim do të kishte Trampi lidhur me cilësimin e Rusisë si agresore dhe si shkelëse e parimeve ndërkombëtare mbi pacenueshmërinë e kufijve, mbrojtjen e sovranitetit dhe të integritetit territorial të shteteve? 

Kjo luftë ka një çmim tejet të lartë. Palët ndërluftuese kanë humbje të mëdha në njerëz, numër të madh ushtarësh të vrarë, numër të madh ushtarësh të plagosur, tanimë të paaftë për luftë. Pala ukrainase ka edhe një numër të caktuar civilësh të vrarë. Shumë fëmijë ukrainas kanë mbetur pa njërin prind, e një numër i caktuar edhe pa të dy prindërit. Një numër i madh i ukrainasve janë shpërngulur nga vendi për t’u strehuar në vende të ndryshme të Evropës. Ka prej tyre që kanë shkuar edhe në vendet përtej detit. Askush s’e di në do të kthehen ata në vendin e tyre të lindjes, në atdheun e tyre. Në Ukrainë kemi edhe lëvizje të brendshme të popullsisë. Shumë ukrainas u janë shmangur zonave të luftës dhe janë vendosur në rajonet që kanë qenë sa më larg fushëbetejave. Ukraina ka pësuar dëme të mëdha materiale, ndërtesa të rrënuara, rrugë, ura, objekte energjetike, centrale elektrike, fabrika, uzina dhe reparte prodhimi të shkatërruara. Shumë rajone të Ukrainës janë shndërruar në fusha të minuara. Është çrregulluar sistemi social, arsimor, shëndetësor, prodhues, riprodhues. 

Dëmet që i ka pësuar Ukraina mund të maten në miliarda euro ose dollarë. Dëme dhe humbje ka pësuar edhe pala tjetër ndërluftuese – Rusia. Askush s’e di numrin e saktë të ushtarëve të vrarë, të asnjërës palë ndërluftuese. Kievi dhe Moska këtë e ruajnë si sekret. 

Duke qenë se kemi të bëjmë me një luftë që ka kushtuar tejet shtrenjtë, atëherë rezulton se asnjëra prej palëve ndërluftuese nuk do të ishte e gatshme të dalë duarthatë nga një marrëveshje eventuale që do t’ua ofronte Trampi. 

Tani për tani Rusia kontrollon 27 për qind të territorit të Ukrainës. Pak më shumë se çerekun. Po qe se Uashingtoni ia ndërpret Kievit ndihmat ushtarake dhe financiare, në mos edhe politike, atëherë fituese e luftës do të dilte Rusia. A do të ishte kjo në dobi të Perëndimit, në dobi të NATO-s?! Sigurisht që jo. Rusia si fuqi e madhe nuk ka hyrë në luftë për ta humbur atë. Rusia nuk paguan çmim të madh për të dalë nga lufta duarbosh. A mund administrata e re amerikane të gjejë një formulë që do t’i kënaqte të dyja palët ndërluftuese, si ajo: “Edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet”. Sipas Moskës, Rusia i ka marrë ato pjesë të Ukrainës që janë të banuara kryesisht me popullsi ruse.                                   

Ka që thonë se me prolongimin e luftës, Perëndimi, përkatësisht NATO-ja synojnë ta dobësojnë Rusinë ushtarakisht dhe ekonomikisht. 

Fuqitë perëndimore dhe NATO-ja deri tani e kanë mbështetur Ukrainën me armatime, me mjete financiare, me prodhime dhe artikuj ushqimorë, me barna, me ekspertë lëmenjsh të ndryshëm etj. E kanë përkrahur edhe politikisht. Por, në fushëbeteja Ukraina e ka derdhur gjakun e djemve dhe të vashave ukrainase. Me fjalë të tjera, çmimin më të lartë e ka paguar populli ukrainas. 

Çmim për luftën në Ukrainë paguajnë edhe vendet e Perëndimit. Çmimi i luftës shkon në kurriz të taksapaguesve të ShBA-së dhe të shteteve evropiane. Qytetarit të rëndomtë në Perëndim, më tepër i intereson standardi i jetesës se çështjet gjeopolitike dhe interesat strategjikë të shteteve. Nuk është e rastit që në kontinentin e vjetër kanë marrë hov e djathta e skajshme apo e majta e skajshme.       

*   *   *

Po qe se lufta ndalet dhe Rusia merr 27% të territorit të Ukrainës, atëherë ajo del fituese. Shtrohet pyetja: Cili është interesi strategjik i ShBA-së, i NATO-s apo i BE-së?! A është interes i Fuqive perëndimore dhe i NATO-s që Rusia të dalë fituese e kësaj lufte?! Po qe se Trampi e ndal luftën duke ia njohur Rusisë 27% të territorit të Ukrainës, atëherë dalin humbëse: ShBA-ja, NATO-ja dhe BE-ja. Përse dalin humbëse? Kështu sepse ShBA-ja, NATO-ja dhe BE-ja e kanë mbështetur Ukrainën që nga dita e parë e sulmit rus. Pikërisht për këtë arsye administrata e re amerikane nuk do ta ketë lehtë ta gjejë formulën përkatëse të ndaljes së luftës. Formulë që do t’i kënaqte të gjitha palët – Ukrainën, Rusinë, ShBA-në, NATO-n dhe BE-në. 

Po qe se Rusisë i njihet pushtimi i 27 për qind të territorit të Ukrainës, atëherë ajo del fituese. Kësisoj, në vend që ta dobësonin, ajo do të dilte më e fortë! 

*   *   *

Është vështirë të arrihet armëpushim dhe zgjidhje për ndaljen e luftës edhe për shumë arsye të tjera: 

– Kush është viktimë e luftës dhe cila palë është agresore, kush zhvillon luftë të drejtë çlirimtare dhe cila palë bën luftë pushtuese;

– Duke qenë se lufta zhvillohet në territorin e Ukrainës, a do t’ia paguajë Moska Kievit dëmet e luftës apo reparacion lufte;

Sipas të dhënave të caktuara, Ukraina ka marrë prej vendeve të Perëndimit diku rreth 270 miliardë dollarë. Atëbotë, shtrohet pyetja: A do të mund t’i kthejë dhe si do të mund t’i kthejë Perëndimi këto mjete që ia ka dhënë Kievit në formë armatimesh, mjetesh monetare etj. Një pjesë e armatimeve dhe e mjeteve monetare janë dhënë në formë ndihmash, por një pjesë tjetër mbase i janë dhënë Ukrainës në formë huaje.

Ç’do të ndodhë me asetet apo me mjetet financiare të Rusisë që ndodhen të bllokuara nëpër bankat e Evropës dhe të ShBA-së?! A do të zhbllokohen ato dhe t’i kthehen Moskës apo do të vazhdojnë të mbeten të bllokuara?!

A do të përgjigjet ndokush për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit?

Cili do të jetë fati i Vladimir Putinit, të shpallur përgjegjës për krime lufte apo për krime kundër njerëzimit? A do t’ia dorëzojë Moska Hagës që ai të përballet me drejtësinë ndërkombëtare? A është normale që liderët perëndimorë të komunikojnë me të apo edhe të takohen me të?! Të takohen me njeriun të cilin e kanë fajësuar për krime lufte! 

Po qe se askush nuk përgjigjet për krime lufte apo për krime kundër njerëzimit, atëherë del se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vlejtka vetëm për popujt e vegjël apo për popujt e pambrojtur. A do të përgjigjet ndokush për ndarjen e fëmijëve prej prindërve të tyre?! A mban përgjegjësi ndokush për vrasjen e popullsisë civile?! A përgjigjet dikush për ekzekutimin e robërve?! A përgjigjet dikush për torturimin e robërve të luftës? Në këto përmasa, kjo s’ka ndodhur as në mesjetë. 

Po sanksionet ndaj Rusisë, do të hiqen apo do të vazhdojnë të jenë në fuqi?! Po tregtia midis vendeve të Perëndimit dhe Rusisë do të rivendoset apo do të vazhdojë të mbetet e ngrirë?! Ç’do të ndodhë me naftën dhe gazin natyror rus?! Naftësjellësit dhe gazsjellësit do të çojnë naftë dhe gaz drejt Evropës apo embargoja do të vazhdojë edhe për një kohë?! 

Kush do t’i çminojë fushat e minuara të Ukrainës, kur dhe me çfarë çmimi? Kush do ta rindërtojë Ukrainën e shndërruar në gërmadhë? Sa vjet do t’i duhen Ukrainës për ta rimarrë veten? Kush do ta ndihmojë Ukrainën në periudhën pas luftës?! A kanë llogari Fuqitë perëndimore t’i hyjnë kësaj pune pa pasur një interes strategjik? 

Çdo marrëveshje që e nxjerr ngadhënjyese Rusinë, me automatizëm e nxjerr humbëse ShBA-në, NATO-n dhe BE-në. Fitorja ruse do t’i trimëronte edhe aleatët e saj në Azi. Do të ngazëlleheshin edhe vendet e BRIKS-it, bashkë me kryetarin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un. 

Mosndëshkimi i Rusisë ia çel rrugën ariut të veriut për inkursione të tjera drejt Evropës. Rusia e pandëshkuar do të vazhdonte politikën e saj destruktive dhe luftënxitëse në Ballkanin Perëndimor. Do ta trimëronte satelitin e saj – Serbinë, për të intensifikuar aktet terroriste në Kosovë dhe në vendet e tjera të rajonit.

Mandati i një presidenti zgjat katër vjet apo tetë vjet, kurse interesi strategjik i  një fuqie globale zgjat me dekada, në mos dhe më tepër. Ndalja e luftës në Ukrainë nuk është çështje e lehtë. In ultima linea, kryetari Zelenski mund të thotë: “Me këto kushte, unë nuk e nënshkruaj marrëveshjen e paqes”. Pa nënshkrimin e palëve ndërluftuese, zotërimet ruse në Ukrainë do të konsideroheshin pushtim.          

Çfarë statusi do të ketë Ukraina? Do të jetë shtet asnjanës, apo do të jetë anëtare e NATO-s dhe e BE-së?!       

Pikëpamja: “Le të marrë Rusia 27% të territorit të Ukrainës, kurse si kompensim, Ukraina të pranohet në NATO”, nuk është e drejtë. Nuk arsyetohen gjithë ato viktima për një epilog të tillë. Këtë e dinë më së miri prindërit e djemve të vrarë, e dinë fëmijët e mbetur jetimë, e dinë gratë e reja të mbetur pa bashkëshortët e tyre. Shteti dhe kombi ukrainas ekzistojnë pavarësisht nga ç’thotë Putini. Nuk ka nevojë të vriten dhe të plagosen qindra mijë ukrainas që Putini më në fund ta njoh të drejtën e Ukrainës për shtetësi. 

Xhelal Zejneli             

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 227
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV
  • Përse duhet t’i lexojmë klasikët?
  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT