• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mbyllja e Institucioneve Paralele Serbe në Kosovë: E drejta e Kosovës dhe qëndrimet e SHBA-së dhe BE-së

January 16, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Institucionet paralele serbe që veprojnë në veri të Kosovës përfaqësojnë një sfidë të rëndësishme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Këto struktura, të financuara dhe mbështetura nga Serbia, përfshijnë administrata, institucione arsimore dhe shëndetësore, si dhe grupe të maskuara si “mbrojtje civile.” Veprimtaria e tyre jo vetëm që cenon sundimin e ligjit dhe rendin kushtetues të Kosovës, por gjithashtu nxit tensione ndëretnike dhe favorizon destabilitetin rajonal.

Në këtë kontekst, mbyllja e këtyre institucioneve nuk është thjesht një çështje juridike, por një domosdoshmëri për forcimin e shtetësisë së Kosovës. Megjithatë, qëndrimet e SHBA-së dhe BE-së shpesh reflektojnë një kujdes të veçantë për të ruajtur balancat dhe shmangur përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë.

E Drejta e Kosovës për të Vepruar

Sipas Kushtetutës së Kosovës dhe dokumenteve ndërkombëtare që mbështesin pavarësinë e saj, përfshirë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) mbi shpalljen e pavarësisë, Kosova ka të drejtën:

-Të ushtrojë sovranitet të plotë në të gjithë territorin e saj.

-Të ndalojë çdo aktivitet që cenon rendin kushtetues dhe sundimin e ligjit.

-Të garantojë barazinë qytetare dhe të drejtat e komuniteteve brenda juridiksionit të saj.

Kjo përfshin ndërmarrjen e veprimeve për të mbyllur institucionet paralele, të cilat janë të jashtëligjshme dhe bien ndesh me funksionalizimin e shtetit të Kosovës. Në këtë drejtim, Plani i Ahtisaarit mbetet një referencë kyçe: ai garanton të drejtat e minoriteteve, por nuk legjitimon struktura që operojnë jashtë autoritetit shtetëror.

Raste të Mbylljes së Institucioneve Paralele

1. Shpërbërja e “Mbrojtjes Civile” në veri të Kosovës (2015):

Këto struktura të paautorizuara sigurie, të financuara nga Serbia, u shpërbënë me ndihmën e EULEX-it dhe presionin e BE-së. Shumë nga anëtarët e tyre u integruan në institucionet legjitime të Kosovës, duke përfaqësuar një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të rendit kushtetues.

2. Kontrolli i institucioneve arsimore dhe shëndetësore:

Shkollat dhe spitalet që operonin me financime nga Serbia shpesh refuzonin të bashkëpunonin me Ministritë përkatëse të Kosovës. Përmes reformave dhe monitorimit, Kosova ka arritur të ndalojë një pjesë të financimeve ilegale, duke kërkuar që këto institucione të regjistrohen brenda sistemit të Kosovës.

3. Vendosja e taksës 100% ndaj produkteve serbe (2018):

Edhe pse ishte një masë ekonomike, kjo taksë synonte të reduktonte ndikimin financiar të Serbisë në Kosovë dhe të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e forcimit të sovranitetit ekonomik.

Qëndrimet e SHBA-së dhe BE-së

SHBA-ja dhe BE-ja, si mbështetësit kryesorë të pavarësisë së Kosovës, shpesh ndjekin qasje të kujdesshme për shkak të:

1. Rrezikut të tensioneve ndëretnike: BE-ja ka një interes të theksuar për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan dhe shpesh sugjeron zgjidhje përmes dialogut Kosovë-Serbi.

2. Ruajtjes së procesit të dialogut: Veprimet e njëanshme nga ana e Kosovës konsiderohen si potencialisht të dëmshme për negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja.

Megjithatë, SHBA-ja ka treguar një mbështetje më të qartë për veprime sovrane të Kosovës, si në rastin e dërgimit të policisë në zonat strategjike si Ujmani dhe Liqeni i Gazivodës.

Mësime nga Rajoni

Përvoja nga vendet e tjera të Ballkanit ofron mësime të vlefshme:

1. Bosnja dhe Hercegovina: Shpërbërja e forcave paralele të Republika Sërpska u realizua me presion ndërkombëtar dhe përmes një integrimi gradual.

2. Maqedonia e Veriut: Decentralizimi pas Marrëveshjes së Ohrit ndihmoi në integrimin e strukturave të pavarura të zonave shqiptare brenda sistemit shtetëror.

3. Herceg-Bosna në Bosnjë: Strukturat kroate u shpërbënë përmes ndërhyrjes së fuqishme të BE-së dhe SHBA-së.

4. Kosova në vitet ’90: Shqiptarët e Kosovës zhvilluan struktura paralele gjatë regjimit të Milosheviqit, të cilat më vonë u integruan në sistemin e ri të pasluftës.

Rekomandime për Kosovën

Kosova duhet të ndjekë një strategji të qartë dhe të koordinuar:

1. Ligjshmëri dhe gradualitet: Çdo veprim duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe kushtetutën e Kosovës, duke shmangur tensionet e panevojshme.

2. Angazhim diplomatik: SHBA-ja dhe BE-ja duhet të jenë partnerë të ngushtë në proces, duke siguruar mbështetje politike dhe teknike për veprimet e qeverisë së Kosovës.

3. Përfshirja e komuniteteve lokale: Dialogu me qytetarët serbë në veri është thelbësor për të shmangur izolimin dhe për të rritur besimin në institucionet e Kosovës.

Mbyllja e institucioneve paralele serbe është një hap i domosdoshëm për funksionalizimin e shtetit të Kosovës dhe për ruajtjen e rendit kushtetues. Përvoja nga rajoni tregon se, megjithëse procesi mund të jetë i ndërlikuar dhe i ngadalshëm, një strategji e koordinuar që përfshin ligjshmërinë, gradualitetin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar mund të sjellë rezultate të qëndrueshme. Në këtë drejtim, Kosova duhet të vazhdojë të angazhohet me aleatët e saj dhe të ndjekë politika që forcojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.

Filed Under: Ekonomi

Zjarret e Kalifornisë. Si demokratët e çuan “Parajsën” në “Ferr”

January 14, 2025 by s p

Analizë nga Rafael Floqi

“Ferri në Parajsë: Los Angeles i përpirë nga flakët” mund të jetë një mënyrë për ta përshkruar situatën tragjike të zjarreve të fundit që kanë goditur qytetin dhe zonat përreth. Është ironike si një vend i njohur për bukurinë, ëndrrat dhe madhështinë e tij mund të shndërrohet kaq shpejt në një arenë të katastrofës natyrore.

Zjarret shpesh simbolizojnë një “ferr të gjallë” për ata që humbasin gjithçka: shtëpitë, kujtimet dhe ndonjëherë edhe jetët. Ndërkohë, në një qytet si Los Angeles, ku kontrastet janë gjithmonë të pranishme – nga supervila në kodrat e Hollywood-it te rrugët ku njerëzit luftojnë për mbijetesë – këto zjarre tregojnë brishtësinë e asaj që mund të duket si “parajsë”.

Zjarret e Los Anxhelosit ishin ende të ndezura të pakontrolluara kur drejtuesit e shtetit filloi të tregohen me gisht. Shkatërrimi nuk u shkaktua nga thatësira e zgjatur apo erërat e Santa Ana-s, sipas Presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe të tjerëve, por nga politikanë demokratë, prioritetet e të cilëve lejuan përhapjen e zjarreve.

A është politizim ky ?

Duke iu përgjigjur akuzës së Trump, guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom i tha Anderson Cooper-it të CNN: “Njerëzit po ikin fjalë për fjalë, njerëzit kanë humbur jetën, fëmijët kanë humbur shkollat ​​e tyre, familjet janë copëtuar plotësisht, kishat janë djegur. Dhe ai donte ta politizonte situatën. Kam shumë gjëra, që dua të them, por nuk do t’i them.”

Por nuk ishte vetëm Trump. Pyetjet po fluturonin nga banorët e Los Anxhelosit, duke përfshirë të famshmit e Hollivudit, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan, në lidhje me disponueshmërinë e ujit dhe rrugët e evakuimit dhe pse autoritetet nuk ishin më të përgatitura për rrezikun që Shërbimi Kombëtar i Motit kishte paralajmëruar një javë më parë. Kryebashkiakja e Los Anxhelosit Karen Bass madje, nuk ishte as në vend kur shpërthyen zjarret – ajo ishte në Gana. 

Dhe ekspertët zbuluan shpejt se biografia zyrtare e shefit të zjarrfikësve të Los Anxhelosit, Kristin Crowley, thotë se prioritetet e saj janë “krijimi, mbështetja dhe promovimi i një kulture që vlerëson diversitetin, përfshirjen dhe barazinë ndërsa përpiqet të përmbushë dhe tejkalojë pritshmëritë e komuniteteve.”

Memet e Gavin Newsom me Los Anxhelosin që digjet 

Faji u ngarkohet gjithashtu demokratëve në përgjithësi, me disa që parashikojnë se perspektivat politike kombëtare të Newsom-it po bëhen tym tok me zjarret, ndërsa memet qarkullojnë për të me Los Anxhelosin që digjet në sfond.

Duke folur me Laura Ingraham në Fox, aktori James Woods, i cili humbi shtëpinë e tij nga zjarri i Palisades, e quajti Newsom-in një “idiot drithërues” dhe tha se nëse politikat e tij të menaxhimit të zjarrit ishin përgjegjëse, “kjo nuk është një thirrje zgjimi; kjo është një lloj gjëje për të cilën kemi gjykata.” Duke folur për shefin e zjarrfikësve të LA, Woods tha: “Ky nuk është një ushtrim i drejtësisë sociale për të cilin ju jeni në krye; kjo është dërgimi i ujit në zonat që kanë nevojë për ujë, sepse ka zjarre dhe erëra me shpejtësi 100 milje në orë që i djegin shtëpitë deri në tokë.”

Dhe podkasteri dhe komediani Adam Carolla, i cili duhej të evakuohej dhe nuk e di nëse shtëpia e tij është ende në këmbë, u shfaq si në Fox News ashtu edhe në emisionin radiofonik Clay Travis dhe Buck Sexton për të folur për “qeverisjen e keqe” që çoi në shkatërrim. Carolla vuri në dukje se Malibu pati një zjarr të madh vetëm muajin e kaluar dhe tha se zyrtarët po dështojnë të ndërmarrin hapa që do t’i lehtësonin ato. Për shembull, paratë që shpenzohen për hekurudhat me shpejtësi të lartë duhet të përdoren për të përmirësuar linjat e energjisë elektrike “të rrënuara” që mund të ndezin zjarre,” tha ai. “Ata duan të fajësojnë ndryshimet klimatike, për gjithçka, por në të vërtetë është mosveprimi i tyre.”

Mosveprimi, jo ndryshimet klimatike

Dhe duke iu përgjigjur një videoje virale që tregon kryebashkiaken e Los Anxhelosit duke qëndruar e heshtur kur u pyet për zjarret dhe përgjegjësinë e saj, Carolla i tha Sean Hannity se zyrtarët demokratë në Kaliforni “nuk janë mësuar t’u bëhen pyetje të vështira … ata as nuk e dinë si të reagojnë, kur u bëhet një pyetje e vështirë.”

Është e vështirë të shihet se si karriera politike e Bass do t’i mbijetojë shqyrtimit të ripërtërirë në rrugën e saj. Ajo ishte tashmë e diskutueshme, pjesërisht falë admirimit të saj në të kaluarën pro Fidel Kastros, të cilës iu desh të tërhiqej kur u konsiderua për pak kohë si kandidatja e Joe Biden në vitin 2020. Kur shpërthyen zjarret, ajo ishte në Ganë si pjesë e delegacionit duke përfaqësuar SHBA-në në inaugurimin e presidentit të ri të Ganës; Në kohën kur ajo u kthye në shtëpi, më shumë se 1000 shtëpi ose struktura ishin shkatërruar shkrum e hi.

Shërbimi Kombëtar i Motit kishte paralajmëruar për “kushte ekstreme të motit të zjarrit” disa ditë përpara se të shpërthente zjarri i parë dhe një i evakuuar tha për New York Times se katastrofa është rezultat i “një shkatërrim të plotë në udhëheqje dhe fillon me zyrën e kryetares së bashkisë. ”

Në një konferencë shtypi të mërkurën, Bass fajësoi thatësirën dhe erërat për zjarret dhe tha: “Ne duhet t’i rezistojmë çdo përpjekjeje për të na ndarë”.

Një katastrofë e shkaktuar nga njeriu

Ajo ka të drejtë – por edhe kritikët e saj. Ajo që po shpaloset në LA është më shumë se një fatkeqësi natyrore dhe një “katastrofë e shkaktuar nga njeriu”, siç e ka thënë Free Press.

Shkatërrimi është pjesërisht rezultat i një thatësire që e kishte kthyer bimësinë në ndezje nga erërat me shpetjësi të madhe  të Santa Ana-s, të cilat hodhën prush që ndezën zjarre të reja dhe që penguan përpjekjet për shuarjen e zjarrit. Shkatërrimi është padyshim gjithashtu një dështim i largpamësisë së lidershipit, i bërë i dukshëm nga raportet se rezervuarët e ujit ishin mbyllur dhe hidrantët e shuarjes së zjarrit mbetën thatë.

Sipas NBC News, “Ekspertët në menaxhimin e ujit urban thanë se nuk ka gjasa që planifikimi i dobët ose neglizhenca të jenë fajtorë për tharjen e rezervuarëve të ujit. Përkundrazi, “këto sisteme nuk janë të dizajnuara për t’u marrë me këto fatkeqësi në madhësinë dhe shkallën dhe frekuencën që po ndodh”, tha Newsha Ajami, shefi i zhvillimit për kërkimin në Laboratorin Kombëtar, Lawrence Berkeley.

Por kjo është pikërisht çështja. Është e qartë se këto sisteme duhet të dizajnohen më mirë, dhe gjithashtu se, kur përballen me kufizime buxhetore, shkurtimi nga buxheti i departamentit të zjarrfikësve mund të mos jetë i mençur në një kohë të rrezikut të shtuar. Sipas NBC Lo Në Angeles, shefi i zjarrfikësve paralajmëroi kryetarin e bashkisë në një memo muajin e kaluar se shkurtimet e buxhetit “kufizuan rëndë kapacitetin e departamentit për t’u përgatitur, për t’u trajnuar dhe për t’iu përgjigjur emergjencave në shkallë të gjerë, duke përfshirë zjarret”.

Autoritetet nuk e dinë se si filluan zjarret e LA, mundet nga shkëndijat elektrike dhe padyshim që do të ketë vite të tëra hetimesh se si – ose nëse – shkatërrimi i gjerë mund të ishte parandaluar.

Nevojitet llogaridhënie. Por tani për tani, bëhet fjalë për t’u bashkuar për t’u shërbyer atyre që kanë nevojë për ndihmë. Numri i të vdekurve nga zjarret e Kalifornisë jugore arriti në 16, që nga nata e së shtunës, ndërsa zjarret mbetën kryesisht të pakontrolluara dhe urdhra shtesë evakuimi ishin duke u kryer. Zjarri i Palisades shkaktoi pesë nga vdekjet dhe zjarri i Eaton shkaktoi 11 nga vdekjet, sipas një përditësimi nga zyra e mjekëve të kontesë së Los Anxhelosit.

16 vdekje renditën ende si “person i paidentifikuar”

Gjysma e 16 vdekjeve u renditën ende si “person i paidentifikuar” që nga mëngjesi i së dielës, ndërsa rastet më të fundit ende prisnin më shumë informacion nga ekzaminuesi mjekësor përpara se të renditeshin në një mënyrë ose në një tjetër.

Kanë qenë katër zjarre të listuara si aktive, që nga mëngjesi i së dielës. Zjarri Palisades, i cili filloi më 7 janar, ishte vetëm 11 për qind i kontrolluar dhe tashmë dogji 23,654 hektarë. Zjarri Eaton, i cili filloi më 7 janar, ishte vetëm 15 për qind i kontrolluar dhe tashmë dogji 14,117 hektarë.

Zjarri Kenneth, i nisur më 9 janar, ishte nën kontroll 90 për qind, pasi dogji 1052 hektarë; dhe Zjarri Hurst, i nisur më 7 janar, ishte 76 për qind i kontrolluar, pasi kishte djegur 799 hektarë.

Rick Caruso, pronari miliarder i Village Palisades, një qendër tregtare e nivelit të lartë që i shpëtoi për pak nga flakët më të rënda, shprehu mosbesim për shkallën e shkatërrimit. “Shumica e qendrës së qytetit është zhdukur, pjesë të tëra lagjesh janë zhdukur,” tha Caruso për Fox News. “Ajo që është e mahnitshme për mua është se sa i përhapur është shkatërrimi – dhe sesi kjo mund të ndodhë në një periudhë kaq relativisht të shkurtër kohore.”

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom (D), i cili në fillim të kësaj jave shpalli gjendjen e jashtëzakonshme mes shpërthimeve të zjarrit, bëri thirrje të premten për një hetim të pavarur të Departamentit të Ujit dhe Energjisë në Los Anxhelos, pasi u ngritën pyetje në lidhje me furnizimin me ujë të rajonit.  

Duket se fajësimi ka filluar, por kjo është dëshmi se politikat e majta ideologjike nuk mundën ta mbrojnë “Parajsën” nga “Ferri”. 

Filed Under: Ekonomi

SHQIPJA NË MAQEDONINË E VERIUT ËSHTË GJUHË ZYRTARE

January 9, 2025 by s p

Xhelal Zejneli/

Me Marrëveshjen e Ohrit si dhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, shqipja në Maqedoninë e Veriut është gjuhë zyrtare.

Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni, përkatësisht në Maqedoninë e Veriut është rregulluar me Marrëveshjen e Ohrit, të nënshkruar në Shkup më 13 gusht të vitit 2001, në gjuhën angleze. Nënshkrues kanë qenë: kryetari i Republikës së Maqedonisë, Boris Trajkovski, kryeministri i RM-së, njëherazi edhe kryetar i VMRO-DPMNE-së, Lubço Georgievski, kryetari i PDSh-së, Arbën Xhaferi, kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski dhe kryetari i PPD-së, Imer Imeri. Dëshmitarë kanë qenë: përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, politikani francez Fransoa Leotar (François Léotard, 1942-2023) dhe përfaqësuesi i posaçëm i ShBA-së, diplomati amerikan Xhejms Perdju (James William Pardew Jr., 1944-2021). Lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe, në Marrëveshjen e Ohrit ndërmjet tjerash  thuhet:

6. Arsimimi dhe përdorimi i gjuhëve

1. Lidhur me shkollimin fillor dhe të mesëm, mësimi do të zhvillohet në gjuhën amtare të nxënësve, e njëkohësisht në mbarë Maqedoninë do të aplikohen standardet e unifikuara për programet akademike.

2. Financimi nga shteti do të sigurohet për arsimimin sipëror në gjuhët të cilën e flasin të paktën 20 për qind e popullatës në Maqedoni, e në bazë të marrëveshjeve të posaçme.

3. Gjatë regjistrimit në universitetet shtetërore të studentëve të rinj të cilët iu takojnë bashkësive që nuk janë popullatë shumicë në Maqedoni do të aplikohet parimi i diskriminimit pozitiv, gjithnjë derisa regjistrimi nuk e shpreh si duhet përbërjen e popullatës në Maqedoni.

4. Në tërë Republikën e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase.

5. Cilado gjuhë tjetër të cilën e flasin të paktën 20 për qind e popullatës, po ashtu është gjuhë zyrtare, sikurse është arsyetuar këtu. Në organet e Republikës së Maqedonisë, cilado gjuhë zyrtare tjetër nga maqedonishtja mund të përdoret në pajtim me ligjin, sikurse është elaboruar më tej në aneksin B. Cilido person që jeton në njësinë e pushtetit vendor në të cilin të paktën 20 për qind e popullatës flasin gjuhë zyrtare ndryshe nga maqedonishtja mund të përdorë cilëndo gjuhë zyrtare për të komunikuar me zyrën rajonale të pushtetit qendror, kompetent për këtë komunë; zyra e tillë do të përgjigjet në atë gjuhë në mënyrë plotësuese në maqedonishte. Cilido person mund ta përdor cilëndo gjuhë zyrtare për të komunikuar me zyrën kryesore të pushtetit qendror, e cila do t’i përgjigjet në atë gjuhë, në mënyrë plotësuese në maqedonisht.

6. Lidhur me pushtetin vendor në komunat ku bashkësia e caktuar përbën të paktën 20 për qind e popullatës së komunës, gjuha e asaj bashkësie do të përdoret si gjuhë zyrtare, në mënyrë plotësuese maqedonishtja. Në raport me gjuhët, të cilët flasin të paktën 20 për qind e popullatës së komunës autoritetit lokale në mënyrë demokratike do të vendosin për përdorimin e saj në organet publike.

7. Në procedurat penale dhe qytetare gjyqësore të cilitdo nivel, personi i akuzuar ose cilado palë do të ketë të drejtë të përkthimit në shpenzim të shtetit të të gjitha procedurave, si dhe të dokumenteve në pajtim me dokumentet përkatëse të Këshillit të Evropës.

8. Cilat do dokumente personale të qytetarëve që flasin gjuhën zyrtare ndryshe nga maqedonishtja po ashtu do të lëshohen në atë gjuhë, në mënyrë plotësuese në gjuhën maqedonase në pajtim me ligjin.

*   *   *

Ligji për përdorimin e gjuhëve

Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni, përkatësisht në Maqedoninë e Veriut është rregulluar edhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, “Gazeta Zyrtare e RM-së, Nr. 7, datë 14.01.2019. Ky ligj përmban 25 nene të përfshirë në shtatë faqe. Në tre nenet e para të ligjit të sipërthënë thuhet:  

Neni 1

(1) Në tërë territorin në Republikën e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. 

(2) Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj. 

(3) Në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, entet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabeti i saj, në mënyrë të përcaktuar me këtë ligj. 

(4) Në njësitë e vetëqeverisjes lokale gjuha dhe alfabeti që e shfrytëzojnë së paku 20% e qytetarëve është gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik. Për përdorimin e gjuhëve dhe alfabeteve në të cilat flasin më pak se 20% e qytetarëve në njësitë e vetëqeverisjes lokale, vendosin organet e njësive të vetëqeverisjes lokale. 

Neni 2

(1) Qytetarët kanë të drejtë ta përdorin cilëndo nga gjuhët e theksuara zyrtare dhe alfabetet e tyre nga neni 1 paragrafët (1) dhe (2) të këtij ligji, ndërsa institucionet nga neni 1 paragrafi (3) të këtij ligji si dhe institucionet tjera e kanë për obligim që t’u mundësojnë qytetarëve shfrytëzim, përdorim dhe zbatim të atyre gjuhëve zyrtare dhe alfabeteve të tyre në cilëndo qoftë procedurë, si edhe zbatim të atyre procedurave në atë gjuhë zyrtare dhe në atë alfabet. 

(2) Në pajtim me të drejtën e qytetarëve që ta përdorin cilëndo nga gjuhët e cekura zyrtare nga neni 1 paragrafët (1) dhe (2) të këtij ligji në procedurat gjyqësore, administrative, ekzekutive, procedurat parahetimore dhe hetimore, procedurat penale dhe për kundërvajtje, procedurat kontestimore dhe jashtëkontestimore, procedurat për ekzekutimin e sanksioneve, si dhe procedurat tjera të parapara me ligje tjera. Gjykatat, prokuroritë publike, si dhe të gjitha organet tjera, trupat dhe institucionet tjera janë të obliguara ta mundësojnë shfrytëzimin, përdorimin dhe zbatimin e cilësdo prej gjuhëve zyrtare nga neni 1 paragrafët (1) dhe (2) dhe alfabetet e tyre në ato procedura dhe procedura tjera. 

(3) Në institucionet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë nga neni 1 paragrafi (3) i këtij ligji, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabeti i saj në: komunikim, përdorim dhe zbatim në të gjitha procedurat e qytetarëve para të gjitha organeve të cilat e përbëjnë pushtetin shtetëror (Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë, gjyqësia, prokuroria publike), Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë, Avokati i Popullit i Republikës së Maqedonisë, në procesin zgjedhor, arsim, shkencë, shëndetësi, kulturë, gjatë zbatimit të autorizimeve policore, në veprimtarinë radiodifuzive, noteri, përmbarim, objekte infrastrukturore, evidencën e amzës, dokumentet personale, financat, ekonomi, si dhe në sferat tjera. 

Neni 3

Funksionarë të zgjedhur ose të emëruar të institucioneve nga neni 1 paragrafi (3) dhe neni 2 paragrafi (3) të këtij ligji, si dhe institucionet tjera selia e të cilave është në Shkup ose komunat në të cilat së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase, në komunikimin e tyre zyrtar e përdorin gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabetin e saj, nëse së paku njëri prej funksionarëve të zgjedhur ose të emëruar flet gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase.

*   *   *

Nga sa më sipër shihet në mënyrë të qartë dhe të padiskutueshme se shqipja në Maqedoni, përkatësisht në Maqedoninë e Veriut është gjuhë zyrtare. 

Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është çështje partiake. Përdorimi i shqipes është çështje kombëtare e një rëndësie madhore. Rrjedhimisht, askush s’ka të drejtë të bëjë tregti me gjuhën. Gjuha është elementi themelor i identitetit të një kombi. Kuptohet, ka edhe raste kur në një shtet flitet gjuha e ndonjë populli tjetër. Gjuhë amerikane s’ka. Amerikanët apo australianët flasin anglisht. Nuk është mirë të merren me të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe ata funksionarë apo edhe politikanë të cilët nuk kanë njohuri të mjaftueshme për këtë çështje. Po qe se nuk e ke lexuar Marrëveshjen e Ohrit dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve, atëherë çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe do t’i qasesh në mënyrë diletante. Po qe se për çështjen e lartpërmendur nuk ke njohuri të mjaftueshme, atëherë mos u prononco publikisht. Me një prononcim të tillë personi publik, pushtetari apo politikani krijon huti në publik. Prononcimi i tillë – i pamatur, mund të ketë për pasojë defaktorizimin e faktorit politik shqiptar. Të thuash se shqipja në Maqedoni nuk është gjuhë zyrtare do të thotë ta çosh ujin në mullirin e armikut, do të thotë t’i bësh shërbim armikut. 

Duke qenë se çështja e gjuhës është zgjidhur me Marrëveshjen e Ohrit, atëherë vënia në dyshim e karakterit zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, zhvlerëson edhe marrëveshjen e sipërthënë. Ajo është një marrëveshje me karakter ndërkombëtar, është një marrëveshje që e ka ndalur një luftë, atë të 2001-shit. 

Askush s’ka të drejtë të ruajë “pushtetin” në dëm të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Për ta bërë zyrtare gjuhën shqipe, ky popull ka derdhur mund. Janë dashur dekada. Ajo që është ngritur ndër dekada dhe me shumë sakrifica, nuk mund të shembet apo të nëpërkëmbet për hiçgjë. Qëndrimi në pushtet nuk mund të bëhet në dëm të shqipes. 

Për shqipen zyrtare, faktori politik shqiptar duhet të jetë një, duhet të jetë unik, i bashkuar. Tregti me gjuhën s’bëhet dot për asnjë kusht, për kurrfarë kuazipushteti. 

*   *   *

Faktori politik shqiptar, pozitë dhe opozitë, duhet të kërkojnë që shqipja të figurojë, jo si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e popullatës, por si gjuhë shqipe. Sot shqiptarët janë mbi 20 % prej Struge deri në Likovë. Bëhet fjalë për rreth 700 mijë shqiptarë në trojet etnike historike, si popull rrënjës, autokton. Faktori politik shqiptar duhet ta ketë parasysh faktin se shqiptarët ballafaqohen me dy gjëra: 

– e para, rënia e shkallës së lindshmërisë (e natalitetit) dhe

– e dyta, shpërnguljen e të rinjve për në Gjermani dhe gjetkë.

Mund të ndodhë një ditë që në ndonjë pjesë të Maqedonisë veriperëndimore numri i popullatës shqiptare të bjerë nën 20 për qind. Forcat anakronike, retrograde antishqiptare sllavo-maqedonase këtë presin. Ato do të kishin thënë: “Në këtë zonë jeni më pak se 20 për qind, ndaj ju privohet e drejta e përdorimit zyrtar të shqipes”.   

*   *   *

VMRO-ja nuk duhet të çelë tema që i trazojnë ndjenjat kombëtare të popullit shqiptar. VMRO-ja është parti anakronike, retrograde dhe e pareformuar. Ajo a e ka parasysh faktin se më pak se 4 për qind e serbëve në Kosovë, serbishten e kanë gjuhë zyrtare. 

Faktori politik shqiptar duhet të kërkojë që gjuha shqipe të jetë zyrtare në tërë territorin e këtij vendi. Faktori shqiptar duhet të kërkojë që nxënësit sllavo-maqedonas të nisin ta mësojnë gjuhën shqipe në shkollë, duke filluar nga klasa e tretë fillore. Të jetosh në një qytet të banuar nga 80 për qind shqiptar dhe të mos e dish gjuhën e popullit shumicë absolute, kjo paraqet diskriminim klasik. Kjo ta përkujton aparteidin. 

Faktori politik shqiptar në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojë që nëpër shkollat e mesme shqipe viti shkollor të fillojë dhe të mbarojë me ekzekutimin e himnit sllavo-maqedonas. S’ka shqiptar në Maqedoninë e Veriut që e respekton simbolin shtetëror dhe himnin e këtij vendi, përpos në raste ceremoniale. 

Faktori politik shqiptar duhet të kërkojë që Dita e Flamurit, d.m.th. 28 Nëntori, të jetë në Maqedoninë e Veriut festë shtetërore.   

Faktori politik shqiptar duhet të kërkojë ndryshimin e himnit dhe të simbolit shtetëror të këtij vendi, për arsye se në to nuk përfshihet asnjë vlerë e historisë dhe e kulturës kombëtare shqiptare. Ultranacionalistët sllavo-maqedonas duhet ta dinë shqiptarët e kanë edhe simbolin e vet kombëtar, edhe himnin e vet kombëtar. Ata njëherazi duhet ta dinë se pa shqiptarët s’ka Maqedoni të qëndrueshme. 

Xhelal Zejneli  

Filed Under: Ekonomi

A mund të sigurohet energjia e shtëpisë me një biçikletë-gjenerator?

January 8, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

Kur lexova pyetjen e një lexuesi që pyeste nëse një biçikletë që prodhon energji elektrike mund të furnizojë shtëpinë ashtu si edhe një gjenerator, desha të di më shumë. Veçanërisht në kohën e festave shpenzimet përfshirë ato të energjisë i kalojnë kuotat e muajve të tjerë. Zbukurimet e ndriçuara dhe vargjet e llampushkave brenda në shtëpi dhe në oborre e shtojnë konsumin e energjisë rreth pesëdhjetë kilovat në orë mesatarisht dhe ne shpenzojmë qindra, dikush deri edhe mijëra dollarë gjatë muajit të festave për faturën e energjisë elektrike. Sa për ilustrim, rrugë pas rruge lagjja Dyker Heights e Bruklinit ka vila dy a tri-katesh të stolisura nga varganë dritash shumëngjyrëshe që ngjajnë si ujëvara luminishente. Është e natyrshme të ndjesh admirim për banorët e shtëpive që e praktikojnë këtë traditë vit pas viti vullnetarisht duke i dhënë famë vendbanimit të tyre në kohën e Krishtlindjeve dhe ndërrimit të viteve.

Kureshtja më shtyu të pyes sesa paguajnë banorët për këtë spektakël zbukurimesh të ndriçuara.

Varësisht nga metrat e varganëve me drita, instalimi dhe paketimi (nëse e bëjnë vetë apo kanë punësuar kompani të specializuara) shpenzimet shkojnë nga 1,000 deri në 20,000 dollarë për familje. Një shtëpi në Amerikë mesatarisht konsumon 1,000 kilovat orë energji në muaj. A është e mundur qe njeriu të gjenerojë vetë kaq kilovat orë duke i dhënë një biçiklete të montuar në vend? Kurrsesi jo, as përafërsisht. Pedalimi me një shpejtësi mesatare jep rreth 100 vat d.m.th. aq sa një llambe njëqind vatëshe. Edhe sikur t’i japësh biçikletës për tetë orë për tridhjetë ditë rresht pa pushim në fundjavë do arrije 24 kilovat orë energji, që përbën një përqindje të vogël të përdorimit mujor të energjisë. Nga një lexim i shpejtë është e qartë se shpërpjesëtimi midis energjisë që mund të prodhojmë vetë dhe asaj që çdo njeri nga ne konsumon është diçka që të bën të mendosh.

Sa shumë konsumojmë në raport me sa pak kontribuojmë. Po ta ilustrojmë me shembullin e biçikletës, nga tetë orë pedalimi njeriu arrin të jap 0.8 kwh pra kaq do kishte në dispozicion për vete. Nëse i duhet më shumë se kaq do duhej të blinte energjinë e prodhuar nga të tjerë. Me zbulimin e energjisë së fosileve dhe në sajë të fuqisë së prodhuar prej saj, ne përdorim mesatarisht aq energji sikur të kishim 40 vetë të tjerë që prodhonin energji nga biçikleta për ne. Ndonëse jemi mësuar me këtë lloj luksi duhet t’i dimë pasojat e mbipërdorimit të kaq shumë energjie dhe të mendojmë për konsum të arsyeshëm nga burime energjie të ndjeshme ndaj kapaciteteve të planetit tonë.

Filed Under: Ekonomi

SHKOLLA TEKNIKE AMERIKANE “HARRY FULTZ” DHE ROLI I SAJ NA ARSIMIN SHQIPTAR

January 6, 2025 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Përpjekjet e individëve amerikanë në fushën e arsimit në arsimin shqiptar, në dekadën e parë të shekullit të 20-të u pasuan nga aktivitete më të institucionalizuara dhe më të organizuara pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Një ekip prej 60 personash nga Kryqi i Kuq Rinor Amerikan (AYRC) erdhi në Shqipëri në shkurt të vitit 1919. Ky ekip hapi spitale, ambulanca anti-TBC dhe kundër malaries në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Durrës e gjetkë, edukoi nënat shqiptare me norma higjienike, mblodhi fëmijë jetimë nga rruga dhe i vendosi në qendra të veçanta, të cilat më vonë u kthyen në strehimore shtetërore. Por, mbi të gjitha, Kryqi i Kuq Rinor Amerikan kishte një rol unik në arsimin shqiptar. Në shtator të vitit 1919, drejtuesit e Kryqit të Kuq Rinor Amerikan në Uashington dërguan përfaqësuesin e tyre O. M. Salisbury në Shqipëri, për të vëzhguar nevojat urgjente të vendit. Gjatë vizitës, Salisbury vuri në dukje mungesën e shkollave dhe dëshirën e madhe të shqiptarëve për arsim. Ai rekomandoi menjëherë sigurimin e bursave për të rinjtë shqiptarë që dëshironin të studionin në kolegjet amerikane në Stamboll, si dhe sugjeroi hapjen e shkollave të mesme bujqësore dhe profesionale në Shqipëri.

Rrjedhimisht, me ndihmën financiare të AYRC dhe nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, në korrik të vitit 1921 hapi dyert shkolla e parë profesionale, Shkolla Teknike Amerikane. Fillimisht drejtor i shkollës ishte profesor Ch. A. Hollingshead. Më pas drejtor shkolle u bë Harry Fultz.

Harry Fultz, ky bir fermeri, u nis me një avullore më 23 shtator 1922, për të ardhur në një vend të Ballkanit që deri atëherë nuk ia kishte dëgjuar as emrin, pa e menduar se në këtë vend, ai për 11 vjet, jo thjeshtë do të drejtonte një shkollë teknike, por do bënte një histori. Për 11 vjet familje për Harry Fultz u bë shkolla, nxënësit dhe mësuesit dhe atdhe i dytë u bë Shqipëria, ndërsa ideal i tij zhvillimi i arsimit teknik në Shqipëri. Ai qëndroi në këtë post deri në vitin 1933, kur qeveria e Mbretit Zog I të Shqipërisë shtetëzoi të gjitha shkollat ​​e huaja në vend.

Filozofia mbizotëruese e shkollës ishte se nxënësi duhet të jetë qytetar i lirë, duhet të mësojë vetë dhe duhet t’i bëjë gjërat në përputhje me rregullat dhe zakonet e vendit të tij. Puna në

Shkollën Teknike “Harry Fultz” bazohej në pragmatizmin amerikan dhe funksiononte në bazë të shprehjes latine “decendo discimus” (të mësuarit duke bërë). Anglishtja ishte gjuha e parë e huaj në këtë shkollë dhe mësohej një orë çdo ditë. E njëjta gjë ishte edhe për gjuhën shqipe. Ndërsa në vitin e katërt dhe të pestë mësohej gjermanishtja dhe italishtja nga pesë orë në javë. Shkolla kishte një orientim praktik dhe synimi i saj ishte nxjerrja e specialistëve të aftë. Synimi ishte shndërrimi i saj në një institucion të veçantë, i cili do të zhvillonte industrinë dhe kulturën shqiptare. Motoja e shkollës ishte “shërbimi dhe miqësia”.

Tarifa e shkollës për një vit shkollor ishte 25 napoleona dhe mbulonte strehën e akomodimin. Stafi mësimor përbëhej nga mësues shqiptarë dhe amerikanë, të cilët u trajnuan në shkollat amerikane ​​në SHBA, Maltë, Turqi, Austri, Hungari dhe Itali. Nga viti 1921 deri në vitin 1933 shkolla financohet nga Kryqi i Kuq Rinor Amerikan, ndërsa grante të vogla udhanë nga qeveria shqiptare dhe u nxorën të ardhura edhe nga aktivitetet e veta tregtare.

Në këtë shkollë nxënësit trajtoheshin të gjithë në mënyrë të barabartë. Pikëpamja e zotit Hollingshead për një mësues ishte se ai “duhet të jetë një mik, një udhëheqës i mirë, një këshilltar dhe një nxënës vetë”. Aplikantët për t’u pranuar në shkollë u përzgjodhën midis moshës 14-16 vjeç. Ata duhet të kishin mbaruar arsimin fillor pesëvjeçar; të kishin çertifikatë shëndetësore që vërtetonte se nxënësi nuk ishte me aftësi të kufizuara fizike. Para pranimit, kandidatët iu nënshtruan provimeve në lëndët: gjuhë shqipe, gjeografi, histori e Shqipërisë dhe matematikë.

Kur filloi shkolla nuk kishte kurrikula të paracaktuara. U bë rishikimi i kurrikulave me kalimin e kohës, në mënyrë që ato të përshtateshin me fazën e zhvillimit të nxënësve, për të përmbushur nevojat në rritje të ekonomisë së vendit. Falë programeve cilësore, maturantët u pranuan në universitetet më prestigjioze në SHBA dhe Evropë. Në vitin 1921 u regjistruan 32 studentë.Në vitet 1932-1933 u regjistruan 500 studentë; Janë diplomuar 150 maturantë, shumica e tyre të punësuar në organet shtetërore apo sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit.

Në vitin 1926, me iniciativën e Ministrit të Arsimit, Rexhep Mitrovica, në shkollë u hap dega Normale për përgatitjen e mësuesve. Kurrikula u zhvillua nga pedagogët shqiptarë Gaspër Beltoja dhe Karl Gurakuqi. Dega Normale kishte një shkollë ushtrimore, ku nxënësit normalistë mund të bënin praktikën e tyre pedagogjike. Ajo u hap një vit pas hapjes së degës normale. Shkolla kishte buletinin e vet të quajtur “Laboremus”. Në maj të vitit 1930, nxënësit e shkollës themeluan klubin normal (pedagogjik).

Në periudhën 1921-1934 me punën e përbashkët të nxënësve dhe mësuesve-inxhinierë u bë e mundur ndërtimi i centralit elektrik, që ishte meritë historike për kryeqytetin dhe pati ndikim të madh në jetën urbane të tij. Ky central u vu në punë më 29 mars 1923. Centrali i drejtuar dhe i mirëmbajtur në makineri dhe në rrjetin shpërndarës të energjisë, furnizoi me rrymë elektrike përreth pesë vjet, përveç korpuseve të shkollës edhe ndriçimin e rrugëve të Tiranës në pjesën juglindore të shkollës. Midis tyre Rrugën e Elbasanit, deri te Legata Amerikane, pastaj qendrën e qytetit së bashku me disa zyra të administratës shtetërore. Më vonë u ndërtua fabrika e akullit në Tiranë. Një peshë jo të vogël pati Shkolla Teknike në fushën e ndërtimit, ku qysh në vitet e para të saj nxënësit e shkollës filluan punën për ndërtimin e ofiçinës, konviktit, dy ndërtesave të shkollës dhe ajo që duhet theksuar, në vitin 1928 nxënësit dhe inxhinierët e shkollës morën pjesë në ngritjen e ndërtesave të përfaqësisë diplomatike amerikane në Tiranë.

Shkolla Teknike e Tiranës luajti një rol të rëndësishëm në edukimin e të rinjve me ndjenjën e patriotizmit, disiplinës, dashurisë dhe respektit për punën. Ajo nxori një mori kuadrosh të zotë e të përkushtuar, intelektualë të përmasave të mëdha, specialistë të talentuar në fushën e inxhinierisë dhe pedagogjisë, teknikë të fushave të ndryshme, të cilët i dhanë një impuls të ri modern dhe inovativ këtij vendi.

Në vitin 1947, shkolla mori emrin “Politekniku 7 Nëntori”, duke ruajtur profilin e saj teknik. Ajo vazhdoi të trajnojë specialistë në fusha të ndryshme të ekonomisë përmes programeve lëndore akademike të ndërthurura me programet e praktikave dhe aktiviteteve jashtëshkollore. Imazhi pozitiv i Shkollës Teknike Amerikane në Tiranë ishte rrënjosur thellë në mendjet e njerëzve, pavarësisht përpjekjeve për të diskredituar ose minimizuar rëndësinë e saj. Kjo u pasqyrua qartë pas vitit 1990, në një kohë ndryshimesh të mëdha demokratike.

Në vitin 1992 u themelua në Shtetet e Bashkuara Fondacioni Shqiptaro-Amerikan “Harry Fultz” me president Johan Fultz Khontos. Qëllimi i këtij fondacioni ishte të mbështeste shkollën për të ndjekur gjurmët e traditave të Shkollës Teknike në Tiranë, në të njëjtën rrugë që ndoqi Harry Fultz; formimi i plotë i të rinjve dhe kontributi i tyre në zhvillimin e Shqipërisë moderne.

Në vitin 1992, me propozimin e stafit të shkollës, me vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës, iu rikthye shkollës emri “Harry Fultz”. Me 16 korrik 1992 në Uashington u krijua Fondacioni shqiptaro- amerikan “Harry Fultz” me kryetare zonjën Joan Fultz Kontos, e bija e Harry Fultz. Në statutin e fondacionit shkruhet: “Objekti kryesor i Fondacionit është rivendosja e traditës së shkollës teknike të Tiranës, e cila në vitet ‘20-‘30 arriti standarte të larta arsimimi në Shqipëri”.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 231
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT