• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kërcënimet e Vuçiqit, rreziku i destabilizimit në rajon dhe nevoja për ndërhyrje ndërkombëtare

September 14, 2024 by s p

Hisen Berisha/

Kërcënimet e fundit të Aleksandar Vuçiqit në raport me Kosovën janë pjesë e një strategjie të vazhdueshme të Serbisë për të ushtruar presion politik dhe diplomatik, veçanërisht kur vijnë tensione apo zhvillime të rëndësishme në dialogun mes dy vendeve.

Këto deklarata shpesh bëhen për të krijuar një atmosferë frike dhe për të demonstruar forcën ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe brenda Serbisë. Vuçiq shpesh përdor retorikë kërcënuese për të shfokusuar vëmendjen nga problemet e brendshme në Serbi, si protestat dhe pakënaqësitë ekonomike, dhe për të rritur mbështetjen për të në mesin e opinionit publik serb. Kjo është shkolla e vjetër e Millosheviçit.

Vuçiq ka një histori të përdorimit të tensioneve me Kosovën për të fituar simpati brenda vendit dhe për të portretizuar veten si mbrojtës i interesave serbe në rajon.

Këto kërcënime gjithashtu shërbejnë për të minuar përpjekjet e Kosovës për të konsoliduar sovranitetin e saj, sidomos në veri të vendit, dhe për të krijuar një narrativë që Serbia është viktimë e padrejtësive ndërkombëtare.

Kam shumë dilema se ky hap i Vuçiqit e tjerë që po paralajmërohen, të jenë vazhdimësi e skenarit Banja ‘24!? Nëse nuk ka një qeveri të shpëtimit kombëtar, që do ta përmbyllte dialogun me njohjen dhe ratifikimin e kufirit me Serbinë, atëherë këto faza para e pas zgjedhjeve do të jenë shqetësuese, nëse nuk eliminohen politikisht autorët e skenarit të 24 Shtatorit. Ndryshimet ideologjike pas zgjedhjeve në SHBA janë determinuese të proceseve politike dhe të sigurisë globale edhe në rajon.

Aleksandar Vuçiq, zëdhënësi i shtetit dhe regjimit të Millosheviçit që sulmoi popullin slloven, kroat, boshnjak dhe shqiptar, regjimi i të cilit u shpall shtet gjenocidial nga OKB-ja, vazhdon të ndjekë të njëjtën linjë kriminale. Vuçiq është një imitator i ulët i Hitlerit nazist, që me thënie si “për një serb të vrarë, do masakrohen 100 boshnjakë apo shqiptarë,” po përpiqet të mbjellë frikë dhe destabilizim. Nëse ky kriminel lufte dhe zëdhënës i regjimit gjenocidial nuk arrestohet tani, atëherë BE-ja, NATO-ja dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po shkelin mbi parimet dhe vlerat që ato promovojnë në procesin e integrimeve.

Vetëm Serbia në rajon ushqen ambicie ndaj shteteve fqinje, i kërcënon ato dhe diskriminon minoritetet kombëtare brenda juridiksionit të saj, qoftë shqiptarët në qytetet jugore të Serbisë apo gjermanët dhe hungarezët në veri të Serbisë, në rajonin e Vojvodinës, të cilët i ka asimiluar plotësisht përmes diskriminimit.

Një pyetje shqetësuese që duhet ta shtrojmë sot është se, nëse Serbia ndërmerr një hap ushtarak të pamatur, siç po kërcënon krimineli Vuçiq, ashtu siç bëri në Banjë më 24 shtator 2023, duke shkelur parimet bazë të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që mandaton NATO/KFOR-in atje, a do të sulmojnë këto shtete të fuqishme të Evropës e Azisë, investimet e tyre miljardëshe që po i bëjnë në Serbi?

Tolerimi i këtij regjimi është një fyerje për viktimat e luftërave në Ballkan dhe një tradhti ndaj drejtësisë ndërkombëtare. Arrestimi i Vuçiqit është i domosdoshëm, përndryshe këto organizata dhe shtete do të jenë bashkëfajtore në legjitimimin e një regjimi që vazhdon të kërcënojë paqen dhe sigurinë në rajon.

Filed Under: Ekonomi

“Zëri i Amerikës” : Harris, Trump kritikojnë ashpër qëndrimet politike të njëri-tjetrit në debatin e tyre të parë

September 11, 2024 by s p

11 shtator, 2024

  • AP dhe Reuters

(COMBO) This combination of pictures created on September 10, 2024 shows
former US President and Republican presidential candidate Donald Trump (L) and US Vice President and Democratic presidential candidate Kamala Harris participating in a presidential
(COMBO) This combination of pictures created on September 10, 2024 shows former US President and Republican presidential candidate Donald Trump (L) and US Vice President and Democratic presidential candidate Kamala Harris participating in a presidential

Debati i parë mes kandidates demokrate për presidente Kamala Harris dhe rivalit të saj republikan Donald Trump u shoqërua me polemika luftarake mbi ekonominë, emigracionin, abortin, kujdesin shëndetësor dhe politikën e jashtme.

Nënpresidentja Harris, 59 vjeçe, kritikoi synimin e zotit Trump për të vendosur tarifa të larta ndaj mallrave të huaja, një propozim që ajo tha se do të ishte një taksë për klasën e mesme, ndërsa foli mbi planin e saj për të ofruar përfitime tatimore për familjet amerikane dhe bizneset e vogla.

“Donald Trump na la nivelin më të ulët të punësimit që nga Depresioni i Madh (rënia e madhe ekonomike në Shtetet e Bashkuara e viteve 1930)”, tha zonja Harris, duke iu referuar viteve të tij si president nga viti 2017 deri në vitin 2021. Niveli i papunësisë arriti kulmin në 14.8% në prill të vitit 2020 dhe ra në 6.4% kur ai u largua nga detyra.

Zoti Trump, 78 vjeç, kritikoi zonjën Harris për inflacionin e lartë gjatë mandatit të administratës së Presidentit Biden, megjithëse ai e mbivlerësoi nivelin e rritjes së çmimeve. Ai gjithashtu iu drejtua shpejt çështjes së tij kryesore, emigracionit, duke pretenduar përsëri pa prova se emigrantët nga “azilet e të çmendurve” po kalojnë kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara me Meksikën.

Inflacioni, tha ai, “ka qenë një katastrofë për njerëzit, për klasën e mesme dhe gjithë të tjerët.”

Debati filloi me një shtrëngim duarsh mes dy rivalëve, të cilët nuk ishin takuar më parë.

Politika e Jashtme

Kandidatët gjithashtu shkëmbyen kritika për luftën mes Hamasit dhe Izraelit në Rripin e Gazës dhe agresionin rus në Ukrainë, megjithëse asnjëri nuk ofroi plane specifike për zgjidhjen e këtyre konflikteve.

Demokratja Harris akuzoi republikanin Trump se ishte i gatshëm të të tërhiqte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën për të fituar favorin e Presidentit rus Vladimir Putin, duke e quajtur zotin Trump një “turp”, ndërsa zoti Trump pretendoi se zonja Harris “urren” Izraelin, një pohim që ajo e hodhi poshtë.

Zoti Trump kritikoi Presidentin Biden dhe Nënpresidenten Harris për tërheqjen e pa organizuar të trupave amerikane nga Afganistani, duke thënë se ata lanë duart e talebanëve pajisje ushtarake amerikane me vlerë prej miliarda dollarësh.

Sulmet personale

Zoti Trump, i cili ka kaluar javë të tëra duke bërë sulme personale ndaj zonjës Harris, duke përfshirë fyerje raciste dhe seksiste, kryesisht shmangu fyerjet në fillim të debatit, por u bë gjithnjë e më i zëmëruar nga kritikat e zonjës Harris.

Zoti Trump u pyet nga moderatorët për një nga ato sulme, kur ai tha në një konferencë me gazetarë afrikano-amerikanë në korrik se zonja Harris së fundmi ishte “bërë një person me ngjyrë”.

“Nuk më intereson aspak kjo çështje”, tha ai. “Çfarëdo që ajo dëshiron të jetë është në rregull me mua.”

Zonja Harris, me origjinë zezake dhe aziatike u përgjigj: “Unë mendoj se është një tragjedi që ne kemi dikë që dëshiron të jetë president, i cili vazhdimisht gjatë karrierës së tij është përpjekur të përdorë racën për të përçarë popullin amerikan”.

Ajo kritikoi zotin Trump për shpalljen fajtor nga një juri për fshehjen e pagesave për një aktore e filmave pornografikë, si dhe paditë e tij të tjera dhe një gjyq civil për sulm seksual. Zoti Trump hodhi poshtë këto akuza dhe sërish akuzoi zonjën Harris dhe demokratët se kanë orkestruar të gjitha paditë ndaj tij pa prova.

Ish Presidenti Trump gjithashtu përsëriti pretendimin e tij të rremë se zgjedhjet e vitit 2020, të cilat i fitoi demokrati Joe Biden, ishin manipuluar dhe e quajti zonjën Harris një “marksiste” dhe pohoi në mënyrë të rreme se migrantët kanë shkaktuar një rritje të madhe të krimit të dhunshëm në vend.

Ky mund të jetë debati i vetëm mes tyre në fushatën për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit. Debati mbahet tetë javë përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve, por vetëm disa ditë përpara fillimit të votimit të hershëm në disa nga 50 shtetet e vendit.

LEXONI EDHE KËTË

Qëndrimet kontradiktore të kandidatëve Trump dhe Harris përpara debatit të tyre të parë

Debatet presidenciale nuk ndryshojnë domosdoshmërisht mendjet e votuesve, por ato mund të jenë shumë të rëndësishme. Paraqitja e dobët e zotit Biden në debatin me zotin Trump në qershor çoi në tërheqjen e tij nga gara për president më 21 korrik.

Debati, i organizuar nga kanali ABC, u mbajt në Qendrën Kombëtare të Kushtetutës në Filadelfia. Siç ishte rënë dakord nga drejtuesit e fushatave, nuk kishte audiencë të drejtpërdrejtë dhe mikrofonat e kandidatëve ishin të fikur në momentet kur kandidatët nuk e kishin radhën e tyre për të folur.

Filed Under: Ekonomi

Europa si orientim i shprehur në trashëgiminë tonë mendore

September 7, 2024 by s p

Ndriçim Kulla/

Një përfaqësuese e denjë e mendimit të pjekur politiko-historik e veçanërisht diplomatik, të spikatur, është edhe Dora D’Istria, sidomos në trajtesën e saj mbi dallimin midis Lindjes dhe Perëndimit, ku ajo shfaqet si pararendësja më e parë e ndërdyzjes së madhe, ose njërës nga temat që do të debatohet me po të njëjtën ashpërsi në vitet ’30-të, për të arritur kulmin në vitin 1935-1936, me disa artikuj të famshëm si Lindje apo Perëndim (Zef Valentini), Oriental apo Oksidental (Krist Maloki), Zvicër apo Afganistan (Ismet Toto), e kështu me radhë. Është një rrëke kjo mjaft e rëndësishme e mendimit politik shqiptar të gjithë atyre viteve, që gufoi kah detit të mendimit perëndimor.

Qytetërimi për Dora D’Istrian kishte kohë që ishte zhvendosur nga Lindja në Perëndim. Me këtë ajo nuk nënkuptonte se roli i Lindjes nuk kishte pasur rëndësinë e vet për qytetërimin botëror; përkundrazi, kultura lindore e vendeve mesdhetare, kishin qenë ndërmjetëse të fuqishme për botën perëndimore. Por gjërat ndër shekuj kishin ndryshuar. Autores, Lindja i ngjante me një ferr akoma dhe më të rëndë se ai i Dantes, pavarësisht se brenda vetes ajo fshihte një shpirt të fuqishëm përparimi. Atëherë, cila duhej të ishte e ardhmja e Ballkanit? Vetëm Perëndimi, një përgjigje për të cilën ajo ishte krejtësisht e vetëdijshme. Është për t’u vërejtur një mendim i vyer i Tomas Masarik, presidenti i parë i shtetit Çekosllovak dhe një figurë e njohur e diplomacisë, i cili përputhet me konceptimin e Dora D’Istrias. Në librin e tij “Rusia dhe Evropa”, Masariku theksoi me forcë se e para duhet të zbresë në Perëndim, dhe jo kjo e fundit në ngjitet në Lindje.

Ndërkohë që për Dora D’Istrian, Europa në procesin e saj historik do të gjejë rrugën e zgjidhjes së bashkimit të saj të plotë. Ajo do ta ndihmojë Ballkanin, por me kusht që ai të ndihmojë vetveten, duke shuar zjarrin e anarkisë brenda vetes. Ashtu si dhe Hygoi, ajo kishte besimin e patundur se Shqipëria do t’i përkiste Shqipërisë, si anëtare e denjë e shoqërisë perëndimore. Ndoshta atëherë kishte njerëz që kjo dëshirë u dukej e parealizueshme, por ideja që Rilindësja e madhe kishte rrënjosur thellë në zemrën e vet ishte se Shqipëria s’ishte larguar kurrë nga Perëndimi me dëshirën e vet. Një trajektore e tillë mendimi do të kërkonte debat edhe më vonë, në përshtatje me kontekstin historik të Shqipërisë, e natyrshëm që elementët dhe argumentet do të qenë të ndryshëm, por që gjithsesi do të arrinin të mbrunin një mendim të pjekur dhe përfundimtar në pjesën më të madhe të elitës së mendimit shqiptar.

Edhe vetë realizuesi i madh i pavarësisë shqiptare, që përpara aktit të shënuar në Vlorë do të shtronte pyetjen: Shqipëria për të jetuar e përparuar duhet të vështrojë nga Lindja apo nga Perëndimi? Me cilën prej tyre do të mbante marrëdhëniet më të ngushta dhe a ishte e mundur me të dy? E përgjigjja jashtë çdo gjykimi, pavarësisht ngurrimit dhe mëdyshjeve në taktikën dhe formën e pavarësimit, qe një dhe e vetme. Për Ismail Qemalin, vetëm lidhjet me perëndimin evropian, duke ruajtur pavarësinë e plotë, mund ta shpëtojnë Shqipërinë.

Ai uronte që kohërat e Don Kishotëve dhe Sanco Pancove të përfundonin sa më parë, një mendim ky që do të gjente më pas jehonë edhe te Fan Noli, kur theksonte se kjo kohë duhet t’u shërbente shqiptarëve si mësim. Sot mund të thuhet me plot gojën që historiografia shqiptare ende nuk e ka përcjellë aq sa duhet opinionin e saj shkencor tek opinioni i gjerë ndërkombëtar sidomos tek ai europian dhe ndoshta ky është një ndër elementët që deri në një farë mase i justifikon edhe argumentet e diplomatëve të lartë europianë, kur shprehen që institucionet e Bashkimit Europian ngurrojnë për të marrë vendime për Shqipërinë, pasi nuk kanë njohuri të mjaftueshme për këtë vend dhe popull, të cilin realisht e pranojnë që është europian. Për shkak se viset shqiptare kanë njohur pushtime perandorake, që kanë zëvendësuar periodikisht njëra-tjetrën, shqiptarët kanë qenë pjesë e qarqeve përkatëse kulturore dhe superstrukturës së shteteve ku kanë bërë pjesë.

Nga një pozicion i tillë, Pashko Vasa shkroi veprën “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, një punim i karakterit enciklopedik, i cili brenda vitit 1879 kur dhe u botua frëngjisht në Stamboll, u publikua njëkohësisht edhe në Paris (frëngjisht), në Londër (anglisht) dhe në Berlin (anglisht). Ende sot mbetet jo shumë e qartë, madje duhet hulumtuar, rruga që Pashko Vasa ndoqi për botimin në Evropë të këtij punimi njohës për historinë e shqiptarëve nga antikiteti deri në atë kohë. Gjithsesi, ai është i pari intelektual shqiptar që rrezikut të copëzimit që po u kanosej viseve shqiptare iu përgjigj me një punim historik gjithëpërfshirës në të gjitha gjuhët kryesore të Evropës.

Kurse vepra e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” (1899), manifesti i lëvizjes kombëtare shqiptare, e njohur si programi i saj sintetik apo si strategjia dhe taktika e kohës kur u shkrua, njohu një fat tjetër. Me këtë vepër fillon faza e dytë e mendimit politik shqiptar, ose më mirë pikënisja e mendimit të vërtetë politik të pavarësisë që zgjati deri në vitin 1919. Ajo është ndoshta e para vepër shqiptare, e cila vetëm disa vjet pas botimit të parë (1899), pra në vitin 1902, u përkthye në osmanisht nga Shahin Kolonja, për t’iu bërë e njohur opinionit osman të kohës, por periudha më dinamike në publikimin e historisë shqiptare në gjuhë të huaj është dekada e dytë e shek. XX, kur ekzistenca e shtetit të shpallur shqiptar ishte në duart e Fuqive të Mëdha. Këtu spikasin tri figura të mirëfillta intelektuale: Mit’hat Frashëri, Kristo Dako dhe Kostë Cekrezi.

I pari në frëngjisht dhe dy të tjerët në anglisht shkruajnë libërtha që trashëgiminë historike të shqiptarëve t’ia bëjnë të njohur opinionit të gjerë ndërkombëtar. Por më së shumti, ato synonin të mbërrinin në ambientet e kancelarive vendimmarrëse. Madje libërthat e tyre i kushtohen edhe historisë së atyre rajoneve të banuara nga shqiptarë, që me vendimet e Konferencës së Londrës (1913) iu lanë shteteve fqinje. Botimet historike në gjuhë të huaj përgjatë kësaj dekade, ndonëse jo fryt i një politike të përcaktuar më parë, por një përgjigje e nevojave që kërkonte momenti historik, edhe sot e kësaj dite për nga numri përbëjnë “kohën e artë”, kur qoftë edhe në trajtë sintetike, opinionit ndërkombëtar iu prezantua historia e shqiptarëve si europian. Shkruesit vërtet nuk ishin historianë profesionistë, por ishin patriotë në kuptimin më të pastër. Noli shkruan se “në lëvizjen kombëtare shqiptare prijësin ideologjik do ta bëjë iluminizmi francez… i cili përqafoi teorinë e praktikën e një shteti të bazuar mbi një kombësi me kulturë dhe gjuhë të përbashkët dhe jo mbi një fe apo mbret absolut”.

Dhe Sami Frashëri me mendimin e tij shfaqet shumë i ndikuar nga parimet dhe vlerat e iluminizmit francez, ndërkohë që për shkak të energjisë për punë dhe mendjes universale, ai mund të përcaktohet me plot të drejtë si “Volteri shqiptar”. Sipas bindjes së tij, pavarësisht nga zigzaget dhe regreset në historinë njerëzore, qytetërimi ka ecur përpara. Për këtë arsye, ai vëren me forcë se “pasuria, idetë morale dhe shpirtërore mund të realizohen vetëm me arsim, prandaj mund të themi se përparimi është arsim”. Një tjetër element lidhës me iluminizmin gjendet në idenë e Samiut që “zhvillimin e qytetërimit dhe shkencave e lidh ngushtë me luftën politike e shoqërore të një populli. Në konceptin e qytetërimit, ai përfshinte mbi të gjitha punën e arritjeve materiale dhe shpirtërore të individit, nëpërmjet veprimtarisë fizike dhe mendore për ta kthyer njeriun antropomorf në një qenie të vërtetë fisnike falë qytetërimit në çdo fushë të jetës. Kurse, në tërësinë e vet, burimin e qytetërimit, ai nuk e gjen kryesisht te klasa e lartë, por te punonjësit, te prodhimi i tyre dhe tek intelektualët krijues. Është kjo një temë që do të fillojë që në shkrimet e para të gazetave të fillimshekulli XX, duke përballur përkrahës të aristokracisë (që herë-herë merrte formën e përkrahjes së klasës së bejlerëve) dhe rolit vendimtar të vegjëlisë në pavarësimin dhe zhvillimin e vendit.

Në fillim të shekullit të shkuar, veçanërisht e ashpër u bë veprimtaria e shovinizmit grek dhe e qarqeve reaksionare të Athinës, të shqetësuara nga bashkimi ose lëvizja mendimtare shqiptare që prirej kah bashkimit pa dallim feje e krahine, pra që kishte një busull europiane. “Për t’u bindur për të kundërtën, shkruan Noli, mjafton t’u drejtohesh veprave të historianëve të lashtësisë, si Tuqididi dhe Straboni, të cilët ilirët, maqedonasit dhe të tjerët i quanin “barbarë”, në kuptimin që nuk flisnin greqisht dmth., nuk ishin grekë. Po të njëjtën tezë të pathemeltë quante Noli edhe ndikimin e fesë dhe greqishtes ndaj kulturës sonë kombëtare. Si mund të pranohet, shpjegonte Noli me qesëndi, që në kulturën shqiptare ka ushtruar ndikim të rëndësishëm kisha ortodokse e nëpërmjet saj gjuha greke, kur përveç të dhënave të shumta, kundër kësaj teze flet edhe terminologjia kishtare, që mund të kuptohet vetëm prej latinishtes”.

Për të trajtuar akoma edhe më mirë këtë problem, do të na duhet të studiojmë më në thellësi një shpërthim të madh, qoftë patriotik, qoftë intelektual, që solli veprimtaria e klerit katolik shkodran, gjatë lëvizjes kombëtare dhe gjatë përpjekjeve të konsolidimit të shtetit shqiptar deri në Konferencën e Paqes. Analiza e kulturës dhe shkollave shqipe tregon se për 400 vjet (duke filluar nga viti 1632) në trekëndëshin Mat-Mirditë-Dibër (sipas Fulvio Kordinjano në veprën “Shqipëria”, në trekëndëshin Shkodër-Pulati-Shkupi kishin ekzistuar betejat e gjigantit katolik të Veriut, (vëll. II) kishte filluar dhe ishte zbatuar arsimimi i popullit shqiptar dhe përgjegjës për atë proces ishte institucioni i Klerit Katolik Shqiptar i lidhur me institucionin qendror në Romë, fillimisht dhe pastaj e vazhduar nga Perandoria Austro-Hungareze. Këto 400 vjet përbëjnë fazën e domosdoshme të formimit të popullit shqiptar dhe atë që shkenca botërore e konsideron si zanafillë të proceseve sociale të një populli.

E në këtë proces rolin vendimtar e kishin luajtur urdhrat françeskanë e më pas jezuitë, së bashku me misionet shëtitëse apo kolegjet e nivelit sipëror që ata hapën e mbajtën në Shkodër . Përgatitja e tyre kulturore, atdhetare dhe politike qe me të vërtetë e spikatur jo vetëm për shumicën e njerëzve, por edhe për selitë e njohura të Europës, atëherë kur edhe vetë emri shqiptar, ndoshta dëgjohej prej tyre për herë të parë. Ishte pikërisht forca morale e këtyre njerëzve të Zotit, ajo që i dha hov luftës me penë, për liri dhe të drejta njerëzore të shqiptarëve. Jo më kot në strehën e françeskanëve shqiptarë, në derën e saj shkruhej me shkronja shqipe: “Për Atdhé e Fé-na bajmë vdekjen si me lé !”…

“Gazeta Panorama”

Filed Under: Ekonomi

“DRITËS SË GONXHËS” U NDAL NË ARQIPESHKVINË MITROPOLITANE DURRËS-TIRANË

September 5, 2024 by s p



Në Arqipeshkvinë Mitropolitane Durrës-Tiranë në shenjë të 114 vjetorit tëlindjes (26 gusht), 27 vjetorit të vdekjes (5 shtator) tëNënës Tereze dhe të 45 vjetorit të marrjes së Çmimit Nobel për Paqe nga ana e saj, u bë prezantimi i veprimtarisë botuese të ITSHKSH-së, në kuadër të edicionit të katërt të manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës”, konkretisht librat: “Porositë e Shën Nënës Terezës për ne”, e autorit Dom Lish Gjergji, ”Gjon Antoni, një margaritarkujtese për Shkupin e rinisë” e autorëve Skender Asani , Emin Azemi, Albert Ramaj, “Si dhe pse lindi Departamentipër studimne trashëgimisë shpirtërore të GonxheBojaxhiut – Nënës Tereze”, e autorëve Anton Nikë Berishadhe Skender Asani si dhe numri i 3-të i revistës “Drita e Gonxhës”.
Pas fjalës përshëndetëse të Arqipeshkvit, Imzot ArjanDodës, për rëndësinë e këtij manifestimi si dhe për vlerat që ofrojnë botimet e dedikuar jetës dhe veprës së Nënës Tereze, foli drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, i cili nënvizoi se se trinomi Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza – Shën Tereza ka qenë dhe mbetet preokupimi kryesor shkencor e profesional i Institutit që ai drejton, në kuadër të të cilit tash e disa vite vepron Departamentit për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze.
Pjesë e panelit ishte edhe Dom Lush Gjergji, i cili u ndal në disa çështje që ndërlidheshin me veprën e tij “Porositë e Shën Nënës Terezës për ne”, për të cilën foli Atë Bernard Caruano.
Në prezantimin e sotëm auditoriumi u njoftua edhe me veprat ”Gjon Antoni, një margaritar kujtese për Shkupin e rinisë” e autorëve Skender Asani , Emin Azemi, Albert Ramaj, “Si dhe pse lindi Departamenti për studimnetrashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – NënësTereze”, e autorëve Anton Nikë Berisha dhe Skender Asanisi dhe me numrin 3 të revistës “Drita e Gonxhës”, për tëcilat një zbërthim më të detajuar e bëri kryeredaktori i kësaj reviste, Emin Azemi.
Pjesë e këtij promovimi ishte edhe debati që u zhvillua nëmes të auditoriumit dhe panelistëve, me ç’rast u ngritëndisa çështje që kishin të bënin me mënyrën dhe strategjinëe trajtimit të figurës së Nënës Tereze.

Filed Under: Ekonomi

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH): Mendime dhe sugjerime mbi Projekt-ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë

September 2, 2024 by s p

Tiranë, 29 Gusht 2024

I nderuar zoti Ministër,

Duke mbajtur parasysh ecurinë mbi 30 vjeçare të Shërbimit të Jashtëm, ndryshimet ligjore të bëra në kohë të ndryshme dhe problematikat e ndeshura, si ato që lidhen me formulime ligjore të papërshtatshme ashtu dhe me moszbatimin korrekt të legjislacionit në fuqi, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka bindjen se Shërbimi i Jashtëm ka nevojë për rregullime ligjore të qenësishme, sikurse dhe për krijimin e kulturës së interpretimit dhe zbatimit korrekt, në frymë dhe germë, të legjislacionit në fuqi.

KASH, me dëshirën për të kontribuar në përpilimin dhe miratimin e një ligji sa më të mirë për Shërbimin e Jashtëm, që t’i rezistojë kohës dhe të patur një trupë diplomatike të karrierës në RSH, mbas një konsultimi të gjerë brenda anëtarëve tij, duke iu referuar praktikave më të mira në rajon dhe në vendet e BE-së, dhe duke vlerësuar në parim shqetësimin dhe qëllimin e shprehur për rregullimet dhe përmirësimet e synuara në këtë Projekt-ligj, shpreh mendimet si më poshtë:

Së pari, lidhur me FRYMËN e tij, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë gjykon se Projekt-ligji për Shërbimin e Jashtëm i hedhur për diskutim publik, në tërësi dhe me disa nene të veçanta, në vend që t’i shërbejë forcimit dhe modernizimit të diplomacisë së karrierës, ai e zhvesh dhe më shumë atë nga ana profesionale, duke e kthyer në një ligj klientelizmi politik dhe partiak, ku përfaqësues të këtyre të fundit, të veshur me kostumin e diplomatit do ta kthenin këtë shërbim karriere në diplomaci partiake, duke dëmtuar rëndë investimin e madh profesional të bërë ndër dekada.

Gjykojmë se në relacionin përkatës duhej të ishte pasqyruar se çfarë nuk ka funksionuar siç duhet me legjislacionin ekzistues, çfarë duhet përmirësuar, dhe mbi bazën e cilave parime do bëhen këto përmirësime. Në relacion argumentohet se “…ka ndryshuar situata gjeopolitike…”. KASH ka bindjen që ky argument nuk qëndron, sepse Ligji i Sh.J. në rradhë të parë rregullon organizimin dhe funksionimin e vetë sistemit të Shërbimit të Jashtëm, si dhe marrëdhënien dhe bashkëpunimin e këtij sistemi me institucionet e tjera, si Presidenti i Republikës, Kuvendi, Këshilli i Ministrave, ministritë, institucionet qendrore dhe organet e qeverisjes vendore etj, dhe me publikun. Ndryshimi i situatave gjeopolitike (gjithsesi të pashtjelluara në relacion) nuk mund dhe nuk duhet të ketë ndikimin e pretenduar në ndryshimet që synohet të bëhen nëpërmjet këtij Projekt-ligji.

Vërejmë gjithashtu se relacioni që shoqëron këtë projektligj është në masë të madhe kopje e relacionit që ka shoqëruar procesin e miratimit të ligjit që është sot në fuqi. Nëse nuk ka argumente të reja, ato të kaluarat pretendohet që duhet të ishin zgjidhur me ligjin e miratuar në vitin 2015.

Në tërësinë e vet, ndryshimet e propozuara sjellin së paku këto pasoja të rënda:

Forcon tej mase rolin e Ministrit, në çështje që nuk janë të kategorisë “drejtim politik”, duke rënë ndesh me parashikimet e Ligjit Nr. 90/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore”, Kreu III, Neni 1 i të cilit përcakton që “Ministria drejtohet nga ministri, i cili drejton politikën shtetërore për fushën që mbulon punën administrative dhe kontrolluese në institucion”. Pra Ministri bën drejtimin politik, jo drejtimin administrativ të institucionit.

Në kundërshti me këtë, ky Projekt-ligj i jep Ministrit kompetenca të gjithëfuqishme vendimmarrëse në çështjet e ecurisë së karrierës së diplomatëve, pranimeve në Shërbimin e Jashtëm të “specialistëve” jashtë sistemit, dhe të emërimeve në Ministri dhe në Përfaqësitë jashtë vendit. Përveçse në kundërshtim me ligjin e sipërpërmendur, ky fakt bie ndesh edhe me synimet e reformimit të administratës publike dhe forcimit të pavarësisë dhe profesionalizmit të sistemeve të karrierës.

Në linjë me komentin e mësipërm, vërejmë një zbehje të skajshme të rolit të Sekretarit të Përgjithshëm, duke e reduktuar rolin e tij nga drejtues kryesor i sistemit të karrierës dhe të funksionimit administrativ të institucionit, në një nëpunës të rëndomtë që nuk ka as kompetencën formale të propozimit të emërimeve në sistemin e Shërbimit të Jashtëm. Në versionin e hedhur për diskutim, është parë e arsyeshme që Sekretari i Përgjithshëm të mos parashikohet fare as të jetë anëtar në strukturat administrative, si p.sh. në Komisionin e Gradave dhe Disiplinës, të cilat me legjislacionin aktual i drejton ex officio. Është propozim i drejtë që strukturat e kësaj kategorie të ngrihen me urdhër Ministri. Por vërejmë me keqardhje që pasi të jenë ngritur, këto struktura do jenë në varësi të ministrit duke i bërë plotësisht të varura nga ndikimi politik.

Shumë shqetësues është fakti se ky Projekt-ligj dobëson sistemin e karrierës diplomatike në favor të vendimeve arbitrare dhe hyrjeve të pakontrolluara në sistem. Kjo sjell dëm sistemik, duke ulur interesimin e kandidaturave të mira për diplomatë karriere pa mbështetje politike apo njohje personale, rrjedhimisht edhe të cilësisë së personelit diplomatik.

Në disa nene të veçanta të Projekt-ligjit, shohim me keqardhje se shqetësimi dhe meraku më i madh është përshtatja e ligjit dhe rregullave përkatëse ndaj akomodimit të nevojave në rritje për zgjerimin e diplomacisë sonë, tashmë nga jashtë, në dëm të shërbimit përcaktues të karrierës nga brenda. Ndërkohë që forcohen më tej kushtet, kriteret dhe kërkesat për diplomatët dhe titullarët e karrierës, ato liberalizohen dhe lehtësohen ndjeshëm për kooptimin e diplomatëve nga jashtë, duke krijuar një pabarazi dhe padrejtësi sociale të dëmshme.

Një përqasje e tillë, e cila gjen vend gjerësisht në p/ligjin e ri të propozuar, i lë në hije diplomatët e karrierës të formuar ndër vite, me synim eliminimin shkallë shkallë të kësaj trupe profesioniste, për t’i hapur vend një shtrese të re diplomatësh, që pritet të rekrutohen ose më mirë të themi kooptohen, të cilët do të marrin atributet e karrierës, duke zëvendësuar të tanishmit dhe duke kapur poste drejtuese në diplomacinë shqiptare, pa patur pothuajse fare përvojë – cilësi e domosdoshme në diplomaci.

Nisur nga kjo frymë dhe nevoja për shmangien e dukurisë së lartpërmendur, jemi dakord dhe mbështesim procedurat e vlerësimit në punë të çdo diplomati, kompetencat e drejtorëvë politike në MEPJ, në raport me vartësit e tyre dhe të Ambasadorëve në raport me diplomatët në varësi në përfaqësitë apo misionet diplomatike. Ndërkohë që duhet të forcohet sistemi i dhënies së gradave diplomatike, ai të jetë i mirë-motivuar dhe sipas një piramide të mirë-studiuar të gradave. Çdo vend pune duhet të jetë në pajtueshmëri të plotë me nivelin e gradave diplomatike dhe diplomati i karrierës duhet të jetë i motivuar në rrugën e tij të rritjes profesionale, ashtu siç duhet të mbajë përgjegjësi për mos realizim të detyrave, e reflektuar kjo dhe në ecurinë e karrierës diplomatike.

Goditja ndaj diplomacisë së karrierës në Projekt-ligjin për shërbimin e jashtëm që propozohet, pasqyrohet dhe realizohet nëpërmjet formave të mëposhtme (dhe jo vetëm): përmbysjes së butë të raporteve midis diplomacisë së karrierës dhe të ashtuquajturës diplomaci e rrugës/outsiders; nëpërmjet uljes së nivelit të gradave diplomatike për ata që do të vijnë nga jashtë sistemit dhe emërimit të tyre të pritshëm në poste të larta drejtuese në MEPJ apo misione/përfaqësi diplomatike jashtë vendit; nëpërmjet heqjes së fashave kufizuese për ata që do të emërohen si Titullarë Misionesh, duke synuar shtrirjen e trupës së anti-karrierës dhe në poste drejtuese brenda MEPJ, etj.

Për fat të keq dhe në mënyrë të pajustifikueshme, kjo tendencë negative po synohet të ligjërohet në një kohë kur gjatë dekadave të fundit, siç dihet, vendi ynë, me ndihmesën e dukshme dhe të shërbimit diplomatik, ka shënuar disa arritje madhore – anëtarësimi në KiE, nënshkrimi i MSA-së, antërarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, mbështetja e pakufishme dhe kontributi esencial e profesional në pavarësinë e Kosovës, për të vijuar me kryesimin e KiE-së, të OSBE-së, anëtarësimin dhe kryesimin e KS të OKB-së, sigurimi i statusit kandidat dhe çelja e negociatave të anëtarësimit në BE, etj.

Këto dhe fakte të tjera dëshmojnë se tanimë kemi një diplomaci karriere të konsoliduar dhe me përvojë, me diplomatë dhe ambasadorë të profilit ndërkombëtar, me disa mandate jashtë vendit, të cilët janë në poste drejtuese në MEPJ, pa harruar një numër të konsiderueshëm prej tyre që kanë kontribuar ndër vite në MEPJ e që për arësye të ndryshme janë jashtë saj, por ende kontribues e aktiv në këtë fushë.

Për rrjedhojë, emërimi i ambasadorëve politikë nga jashtë sistemit dhe ca më pak përfshirja e tyre në shërbimin e karrierës është bërë shumë më pak e nevojshme se vite më parë.

Gjithsesi, caktimi si titullarë përfaqësish të personaliteteve të spikatura të artit, kulturës, letërsisë, botës akademike dhe sportit është i mirëpritur; veçse kjo në ligj të kufizohet deri në 10 përfaqësi të rëndësishme për një mision dhe periudhë të caktuar kohe. Por jo siç ka ndodhur që të kooptohen nga jashtë dhe pastaj të vazhdojnë karrierën diplomatike pa konkurim, në dëm të diplomatëve profesionistë që ia kanë kushtuar jetën e tyre diplomacisë.

Kujtojmë se deri para 10–15 vitesh Ligji i Sh. J. sanksiononte kuotën 20% për Ambasadorët jashtë sistemit. E vërteta është se kjo kuotë nuk respektohej, por minimalisht kishte një barrierë e cila ishte si referencë për kritikat përkatëse. Ligji i 2015-ës dhe Projekt-ligji në fjalë duhet të forconte zbatueshmërinë e kësaj kuote dhe jo ta asgjësonte tërësisht atë, në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare e ligjet e atyrë vendeve, grupimit të të cilëve aspirojmë ti bashkohemi. Mbështetur sa parashtruam edhe në paragrafet e mësipërme, ky Projekt-ligj duhet ta ulë deri në 15 për qind këtë kuotë. Në asnjë mënyrë nuk mund ta lerë pa asnjë kufi. Kjo i hap rrugë abuzimeve.

Nisur nga sa sipër, nëse fryma e këtij Projekt-ligji është vërtet forcimi i profesionalizmit dhe diplomacisë së karrierës, synim që ky Ligj ka patur qëkurse u hartua për herë të parë në vitin 1998, atëhere sistemin e karrierës nuk duhet ta përcaktojë e ta drejtojë Ministri përgjegjës, por vetë diplomacia e karrierës, nëpërmjët komisioneve përkatëse, të drejtuara nga Sekretari i Përgjithshëm.

Sa për marrëdhëniet me Kryeministrinë, Presidencën, Kuvendin dhe dikasteret e tjera, projekti nuk sjell asgjë të re, me përjashtim të ndryshimit të vendeve dhe ndonjë formulimi ndryshe por pa ndryshim në substancë. Ose për të argumentuar nevojën e një ligji të ri. Madje, referenca të caktuara në lidhje me këto marrëdhënie janë antikushtetuese.

Fatkeqësisht, Projekt-ligji nuk ndryshon as non-sensin kushtetues të Ligjit të 2015-ës, i cili kushtëzon politikisht në kohë firmën kushtetuese të Presidentit të Republikës në emërimin dhe lirimin e Ambasadorëve.

Kësisoj, projekti nuk përmban ndonjë risi, ca më pak të rëndësishme. Edhe përcaktimi i afatit kohor prej 4 vitesh dhe jo më shumë se dy mandate 8 vjet, ka qenë në ligjin përpara vitit 2015, por u hoq si “risi”.

E njëjta gjë mund të thuhet për paragrafë të tjerë si “sigurimi i pastërtisë së figurës”, etj., si këto, të cilat kanë qenë dhe në ligjet e mëparshme.

Gjithashtu, ndryshe nga çdo përvojë e vendeve të BE (ku ne duam të bashkohemi), lihet në heshtje kriteri i mbajtjes nga diplomati vetëm të shtetësisë shqiptare.

Përveç se në kundërshtim me praktika ndërkombëtare të gjithë pranuara, të sanksionuara edhe në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961, kjo bie ndesh me formulën e betimit të diplomatit (neni 44, pika 2 e Projekt-ligjit).

Nisur nga sa sipër dhe duke bërë krahasimin me Ligjin e vitit 2015, mendojmë se është më e drejtë të flitet për “Ndryshime në Ligjin 2015” se për një Ligj të ri, por që nuk zgjidhin problemet sistemike të grumbulluara ndër vite të Shërbimit të jashtëm.

Së dyti, në vijim po parashtrojmë dhe ”NË GËRMA” një numër sugjerimesh/ndryshimesh në Projekt-ligjin e propozuar:

Në Nenin 6, pika 2. C, duhet të shtohet dhe fusha e bashkëpunimit konsullor.

Në nenet 7, 8 dhe 9, duhet përcaktuar në ligj se, në kuadër të bashkëpunimit midis MEPJ dhe Presidencës, Kuvendit dhe KM-së, është me rëndësi dhe informimi i MEPJ-së, lidhur me aktivitetin diplomatik të kryer nga këto institucione të larta shtetërore, ashtu siç përcaktohet në Nenin 10, pika 5.

Në Nenin 18, pika 4, grada e Sekretarit të Përgjithshëm (SP) të jetë Ambasador ose Ministër Fuqiplotë, pasi ai është nëpunësi më i lartë civil dhe i karrierës diplomatike në institucion; veç kësaj, në diplomacinë shqiptare tanimë ka një kontigjent të mirë me gradën diplomatike Ministër Fuqiplotë.

Neni 20, që merret më trajtimin protokollar, duhet të përfshijë dhe drejtuesit e forcave politike, që janë parti parlamentare.

Në Nenin 22, pika 2, Komisioni i Karrierës duhet të ngrihet nga SP, si nëpunësi më i lartë civil dhe i karrierës diplomatike, dhe vendimet e këtij Komisioni të jenë të detyrueshme për miratim nga Ministri.

Edhe Komisioni i Apelimit, i parashikuar në Nenin 23, duhet të ngrihet më urdhër të SP dhe jo të Ministrit.

Nenet 24 dhe 25 duhet të jenë të përmbledhur, se Misionet Diplomatike dhe Konsullore janë pjesë e MEPJ-së dhe drejtohen prej kësaj të fundit.

Neni 32 :

Pika 4, Komisioni i Politikës së Jashtme të Kuvendit duhet të japë gjykim mbi kandidatin për Ambasador, kur ai paraqet platformën e tij të punës gjatë mandatit të tij, ashtu siç ka qënë e parashikuar më parë, përfshi Ligjin e vitit 2015. Mendimi i këtij Komisioni duhet t’i përcillet Presidentit të Republikës, përpara dekretimit të Ambasadorit në fjalë.

Pika 6, mandati duhet të jetë deri në 4 vite.

Pika 7, i Ngarkuari me Punë duhet të emërohet nga Kryeministri, me propozim të Ministrit të Jashtëm, mbasi i Ngarkuari me Punë është Titullar i Misionit dhe ky nivel përfaqësimi mund të jetë për arsye politike në vendin pritës, afatgjatë, etj.

Në Pikën 8, në çdo rast, përcaktimi i drejtuesit të Misionit të bëhet me miratim të Ministrit, mbasi diplomati në atë detyrë bëhet Titullar i Misionit. Kjo të shprehet në mënyrë eksplicite në ligj.

Neni 33 :

Pika 1, kreu i Misionit duhet të përzgjidhet nga ata diplomatë që mbajnë gradën diplomatike Ministër Fuqiplotë dhe Ambasador

Pika 2 duhet vënë tavani deri në 15%.

Neni 37:

Pika 1 duhet të përcaktohet si diplomat karriere dhe jo thjesht diplomat; sipas këtij Projekt-ligji ky term merr karakter abuziv dhe subjektiv.

Në rastet kur kërkohen ekspertë të përkohshëm nga jashtë sistemit, duhet të mirë-argumentohen si “rast tejet i veçantë” nga një grup pune i ngritur posaçërisht për këtë qëllim. Përzgjedhja e tyre duhet të bëhet me konkurs, me terma të mirë përcaktuar dhe për rekrutimin e tyre duhet të angazhohet Komisioni i Karrierës, i cili duhet të emërohet nga SP.

Ministrit i duhet kufizuar vëndimmarja në përzgjedhjen e kandidatëvë të ekspertëve, për të eliminuar çdo tendencë klientelizmi, partitizmi dhe dëmtim të karrierës.

Neni 4 është abuziv. Nuk ka pse dhe nuk mund të këtë 2 Ambasadorë në të njëjtin Mision Diplomatik, ndërkohë që grada “Ambasador” jepet më Dekret Presidenti, jo nga Ministri.

Në Nenin 40, të shtohet “personat që synojnë të bëhen pjesë e Shërbimit të Jashtëm të mos kenë nënshtetësinë e ndonjë shteti tjetër, mbasi ata do të jenë dhe nën juridiksionin e shtetit tjetër”.

Neni 44 pika c dhe ç, grada e DP dhe SP duhet të jetë Ministër Fuqiplotë dhe Ambasador.

Në Nenin 45, pika 2, të hiqet referenca “publike” tek organizatat ndërkombëtare.

Në Nenin 46, pika 1, lidhur me përzgjedhjen e diplomatëve të karrierës në poste diplomatike dhe konsullore jashtë vendit, të shtohet fraza “…mbas përzgjedhjes nga Komisioni i Emërimeve, i drejtuar nga SP të kandidaturave që kanë konkuruar për postin vakant, në bazë të njoftimit paraprak për vendet vakante, duke përmbushur kriteret e përcaktuara…”.

Në Nenin 50, pika 5, grada Ministër Këshilltar sugjerojmë të ketë dhe 1 mandat si Titullar Misioni, ndërsa pika 6 Ministër Fuqiplotë të ketë 6 vite eksperience në poste drejtuese (të përfshihet tek posti drejtues dhe ai i Përgjegjësit të Sektorit, i cili duhet të përllogaritet në raportin 2:1 me atë të Drejtorit) dhe 2 mandate si Titullar Përfaqësie diplomatike apo Misioni.

Në Nenin 51, gërma dh, ngritja nga Ministër Këshilltar në Ministër Fuqiplotë të bëhet 6 vite dhe gërma e, nga Ministër Fuqiplotë në Ambasador të bëhet 8 vite dhe gjithsej karrierë 30 vite.

Në Nenin 52, pika b, Konsulli të barazohet me Këshilltar dhe 2 pozicionet e tjera të zbresin më poshtë.

Në Nenin 53, pika d, të shtohet dhe “institucionet homologe ndërkombëtare”.

Në Nenin 56, pika 7, të shtohet “kur regjistrohet në listë pritje, duhet paguar me nivelin e pagës që merrte përpara largimit nga puna.”

Së fundi, na lejoni, Z. Ministër, të shprehim gjithë gatishmërinë tonë për t’u angazhuar në konsultime me grupin përkatës të punës për hartimin e Projekt-ligjit, në funksion të hartimit të një Ligji të denjë për Shërbimin tonë të jashtëm.

Me konsideratë,

Besnik MUSTAFAJ

President i Këshilli të Ambasadorëve Shqiptarë

https://albanianambassadors.al/…/mendime-dhe-sugjerime…

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 227
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nexhat Peshkëpia dhe “Noli si Poet Shqiptar…”
  • RINGJALLJA E BALADËS SI KUJTESË KULTURORE DHE NARRATIVË TRAGJIKE
  • Filatelia serbe si instrument i hegjemonisë dhe shovinizmit shtetëror
  • SHQIPTARËT NË HOLOKAUST PARA HEBRENJVE
  • Kujtesa e Luftës së Kosovës në Udhëkryqin e Historisë dhe Kohës – Studime nga Profesor Asistent Abit Hoxha
  • Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare Shqiptare
  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT