• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËR KONFERENCËN SHKENCORE QË DO T”I KUSHTOHET 75-VJETORIT TË ÇLIRIMIT TË SHQIPËRISË

August 24, 2019 by dgreca

Akademia e Shkencave e RSH shpalli disa javë më parë se do të mbajë një konferencë shkencore kushtuar 75-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga nazi-fashizmi me synim për të vënë në dukje antifashizmin popullor. Luftën Antifashiste e mbështeti populli, madje ai pësoi dëmet e saj, por këtë luftë e organizuan dhe e drejtuan forcat politike: forcat mbretërore, nacionalistët, Partia Komuniste Shqiptare dhe Balli Kombëtar. Mirëpo deri sot historia jonë zyrtare ka qenë e shtrembëruar prej diktatorit Enver Hoxha dhe studiuesve që shkruanin e shkruajnë sipas dëshirave, synimeve dhe diktimeve të tij dhe klanit të tij. Duke menduar se mund të sjell një farë ndihme që kjo konferencë të arrijë rezultate sa më të vlefshme me referatet dhe kumtesat që do të mbahen, po jap disa mendime.

* * * 

          Çlirimi i Shqipërisë nga nazi-fashizmi është një nga pesë ngjarjet më të rëndësishme që përjetoi populli ynë gjatë shekullit të XX-të:

          1. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Kjo ngjarje solli krijimin e shtetit të pavarur shqiptar në gjysmën e territoreve të banuar nga populli ynë, për shkak të imponimit të politikës antishqiptare të Perandorisë Ruse ndaj Fuqive të Mëdha të asaj kohe. Gjysma tjetër e territoreve shqiptare iu dha më 1913 shteteve fqinjë: Sebisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Kështu u krijua një Shqipëri e vogël dhe një Serbi e madhe që përfshiu shumë territore jo serbe të banuar nga shqiptarë, bullgaro-maqedonë dhe hungarezë (këta iu dhanë më 1919).

          2. Në gusht të vitit 1941 Gjermania Naziste pasi pushtoi shtetin Serbo-Kroato-Slloven ia ktheu Shqipërisë pjesën më të madhe të territoreve që i ishin dhënë padrejtësisht Serbisë e Malit të Zi. Kështu u krijua Shqipëria e bashkuar, e cila ishte një arritje e madhe kombëtare edhe pse Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia Fashiste. Në të vërtetë ky shtet i bashkuar shqiptar nuk mund të quhej Shqipëri etnike, sepse në të nuk u përfshinë gjithë territoret ku banonte populli shqiptar.

          3. Më 28 nëntor 1944 u shpall çlirimi nga zgjedha nazi-fashiste (një vit më vonë si datë e çlirimit u quajt 29 nëntori 1944, datë e cila festohet dhe sot). Shqipëria pas kësaj date u rizvogëlua në kufijtë e Shqipërisë londineze.

          4. Më 12 dhjetor 1990 Partia e Punës së Shqipërisë, vijuesja e PKSH-së, u detyrua të shpallte pluralizmin në Shqipëri, pra kapitullimin e regjimit diktatorial komunist njëpartiak me ekonomi të centralizuar.

          5. Më 11 qershor 1999 u shpall çlirimi i Kosovës mbas bombardimeve të suksesëshme të forcave të NATO-s dhe të luftimeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).

          Këto pesë ngjarje kanë qenë fitore të mëdha për popullin shqiptar, por ato nuk u përjetuan dhe nuk u shfrytëzuan si duhej prej klasës politike shqiptare, prandaj ato dhanë frute më të pakta sesa duhej të jepnin. Këto mosrealizime nuk kanë ndodhur vetëm për shkak të pengesave që na kanë krijuar shtetet që nuk na kanë dashur të mirën, as për shkak se aleatët tanë nuk na ndihmuan sa duhej, por dhe për fajin tonë. Ne duhet të pranojmë se kemi qenë dhe vijojmë të jemi ende një popull kombëtarisht i përçarë dhe moralisht i dëmtuar rëndë, për shkak të pushtimit të gjatë turk, politikës antishqiptare të Rusisë Cariste dhe diktaturës së egër komuniste.

          Dëmin përçarës brenda kombit me anë të imponimit të fesë islame dhe atë të shkëputjes nga kontinenti mëmë europian, që i shkaktoi popullit tonë sundimi turk e ka vënë bukur në dukje më 1989 Prof. Rexhep Qosja:

          “Perandoria Osmane ka ngritur mur mes shqiptarëve dhe Evropës, në radhë të parë me ideologjinë fetare islame si ideologji e saj shtetërore, por jo vetëm me të. Robëria turke ka cënuar rëndë zhvillimin e popullit shqiptar: ia ka këputur lidhjet që deri atëherë ka vënë me Evropën; ia ka ndërruar drejtimin që deri atëherë ka përvijuar; ia ka çrregulluar ritmin jetësor që deri atëherë ka krijuar.
          Duke e shkëputur prej Evropës, pothuaj, në të gjitha pikpamjet, robëria turke do ta vonojë zhvillimin e popullit shqiptar, mandje në të gjitha fushat: materiale, ekonomike, kulturore, qytetëruese urbane
.”

          Kurse sistemi i diktaturës së egër komuniste, përmes terrorit dhe luftës së egër të klasave, varfërimit të skajshëm dhe izolimit na e shkatërroi moralin e lashtë të krijuar gjatë mijëvjeçarëve mbështetur mbi normën e besës, trimërisë, liridashjes, mikpritjes, mirënjohjes, përkrahjes së të dobëtit, etj.

          Zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe i Vetingut, dy procese, që janë ndërmarrë prej aleatëve tanë, SHBA-ve dhe BE-së, do të sjellin krijimin e shtetit ligjor, pra ndërprerjen e korrupsionit dhe pastrimin e pushtetit politik nga oligarkët që kanë pushtuar dhe kanë komanduar qeverinë shqiptare gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit. Ndërprerja e korrupsionit, mënjanimi i oligarkëve nga pushteti dhe dënimi i tyre, do të përbëjnë bazën për arritjen e sukseseve më të rëndësishëm të Shqipërisë paskomuniste. Do të fillojnë investimet e huaj, do të hapen shumë vende pune, njerëzit do të punësohen dhe emërohen sipas meritave e kualifikimit. Emigracioni do të pakësohet, madje do të kërkohen krahë pune dhe kuadro të kualifikuar edhe nga jashtë. Mirëpo që rezultatet e këtij procesi jetëdhënës në aspektin ligjor të japin rezultate sa më të mëdha duhet që ato të shoqërohen me arritje në aspektin moral, politik dhe shoqëror.

          Për të arritur zhdukjen e të metave kryesore që sundojnë sot në shoqërinë tonë, si konfliktet shoqërore e klanore, urrejtja midis shqiptarëve, shkelja e lirive të medias, vlerësimi i njerëzve jo sipas aftësive por sipas partishmërisë, mungesa e atdhetarizmit, etj, duhet që individët, grupet shoqërore dhe partitë politike të ndërmarrin një proces të sinqertë pastrimi (katarse) ndaj mendësive që kemi trashëguar prej ideologjisë komuniste dhe pasojave të saj shkatërruese. Dobësitë tona janë njerëzore vijnë nga mungesa e kulturës morale. Eshtë shumë e nevojshme të ndërtohet shqiptari si njeri larg mendësisë së urrejtjes, mendësisë së populizmi, ksenofobisë, racizmit të ri, përndryshe populli ynë nuk mund t’i përkasë njerëzimit modern që në çdo fushë shoqërore, politike, ekonomike, kulturore dhe sociale dallohet për dinjitetin e tij, për vlerat e tij të çmueshme morale. Të tillë njerëz bashkohen jo vetëm brenda shoqërisë kombëtare, por edhe në planin botëror për mbarëvajtjen e shoqërisë njërëzore.

          Dhe kjo fillon së pari nga shkolla, e cila gjatë diktaturës ishte e politizuar, kurse mbas ndërrimit të regjimit u dobësua shumë për shkak të një liberalizmi të shfrenuar, korrupsionit dhe rënies së kërkesave. Pra, krahas forcimit të anës shkencore, luftës kundër korrupsionit na duhet që tekstet mësimore të mbarë botës shqiptare të kenë vlerësime të njëjtë ose të afërt për dukuritë, personalitetet historike, grupet ose partitë politike dhe për ngjarjet historike.

          Vetëm kështu do të arrijmë që të realizohet evoluimi edhe i ish-komunistëve kokëfortë dhe i mbështetësve të tyre, që vijojnë t’i i quajnë armiq, tradhëtarë e neofashistë të gjithë bijtë e pasardhësve të nacionalistëve, ballistëve, legalistëve dhe intelektualëve të formuar në Perëndim, baballarët e të cilëve PKSH-ja, për të realizuar marrjen dhe mbajtjen e pushtetit politik dhe ekonomik si forcë e vetme, i shpalli armiq e tradhëtarë pa fakte e pa gjyqe, ose me gjyqe fallco . Pasi e mori pushtetin kjo parti e mbajti atë 47 vjet duke zbatuar politikën e luftës së klasave, për të trembur popullin. Propaganda e fuqishme pro partisë dhe udhëheqjes së saj, arrestimet, internimet dhe shpallja e njerëzve “agjentë e armiq të partisë e të popullit” kryheshin sipas një plani të caktuar. Përmes kësaj politike PKSH / PPSH-ja arriti të siguronte nënshtrimin dhe respektin e detyruar të shumicës së popullit. Mirëpo ky nënshtrim e ky respekt, që shpreheshin me votimet 99.99 %, ishin dukuri fiktive dhe jo reale. Ato e kishin burimin te frika. Ky fallsitet u zbulua mbas shpalljes së pluralizmit në zgjedhjet e marsit 1992, kur populli votoi mbi 75 % për Partinë Demokratike.

          Ndërkohë, mosqeverisja e mirë e Partisë Demokratike gjatë dy radhëve që iu dha pushteti (1992-1997 dhe 1999-2013) bëri që populli në zgjedhjet e vitit 2013 t’ia jepte shumicën e votave Partisë Socialiste, bijës së PPSH-së, kësaj partie që e kishte lënë të uritur. Edhe sot, me metoda të ndryshme, kryeministri Edi Rama ka arritur që shumica e popullit shqiptar brenda Shqipërisë të jetë me Partinë Socialiste, ndonëse kjo parti duke iu bindur oligarkëve nuk ndjek një politikë sociale edhe pse quhet parti e së majtës. 

          Me pak fjalë, që festa e 75-vjetorit të çlirimit të na gjejë në rrugë të mbarë për të arritur suksese që nuk i kemi arritur dot më parë është e mira që forca më e madhe politike, Partia Socialiste në konferencën shkencore kushtuar këtij përvjetori të udhëzojë kumtuesit, që të dëshmojnë e të kërkojnë dënimin e shumë gabimeve e krimeve që u kryen gjatë sundimit diktatorial të PKSH/PPSH-së, si dhe gjatë këtyre 27 vjetëve qeverisje pluraliste me gabime nga të dy forcat kryesore politike të majta e të djathta. Një analizë objektive e gabimeve të kryera deri sot dhe një e kërkuar më fal nga ana e drejtuesve të PS-së do t’i detyrojë edhe drejtuesit e partive të tjera politike si Balli Kombëtar, Legaliteti, Partia Demokratike, Partia Republikane, etj të bëjnë dhe ato shpëlarjen e tyre nga gabimet e krimet që kanë kryer deri sot. Ky proces do të ndikojë në rritjen morale të popullit dhe ecjen drejt pajtimit kombëtar.

          Disa prej krimeve kryesore që ka kryer PKSH/PPSH-ja dhe shteti diktatorial ndaj popullit shqiptar i kemi shtjelluar në artikujt tanë Thembra e Akilit e studiuesit Pëllumb Xhufi, Politizimi i historisë – krim kombëtar dheLufta e klasave – kanceri i politikës dhe shoqërisë shqiptare. Këtu sa për t’ua kujtuar organizatorëve të konferencës shkencore po riprodhoj shkurt disa nga krimet kryesore të diktatorit Hoxha, të PKSH/PPSH-së dhe të shtetit diktatorial, krime të cilat në referatet dhe kumtesat e kësaj konference duhet të analizohen dhe dënohen me kurajo dhe pa hezitim. 

          1. Roli i emisarëve jugosllavë Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha për vënien e Enver Hoxhës në krye të PKSH-së dhe orientimet që ata dhanë për politikën e kësaj partie, kanë qenë të dëmshme. Enver Hoxha nuk meritonte të zgjidhej sekretar i përkohshëm i PKSH-së e më tej sekretar i përgjithshëm i asaj partie, sepse ai nuk ishte anëtar i asnjë grupi komunist dhe nuk e njihte teorinë Marksiste-Leniniste. Komunistë që e njihnin këtë teori ishin Zef Mala, Sejfulla Malëshova, Llazar (Zai) Fundo, Koço Tashko, Anastas Lulo, Sadik Premtja, Aristidh Qendro, etj, por Miladini dhe Enveri i luftuan këta dhe i asgjësuan sepse po të merrnin ata drejtimin e PKSH-së, kjo parti nuk do të ishte e nënshtruar ndaj urdhërave të PKJ-së.

          2. Emisarët jugosllavë i detyruan komunistët shqiptarë që në ditën e themelimit të PKSH-së të mos e përmendnin ekzistencën e Shqipërisë së bashkuar dhe aq më pak nevojën e krijimit të Shqipërisë etnike në fund të L2B sipas të drejtave të Kartës së Atlantikut. Ata i detyruan udhëheqësin e PKSH-së dhe anëtarët e saj që ta shtrinin veprimtarinë e tyre organizative, politike e ushtarake vetëm brenda kufijve të Shqipërisë londineze. Kjo tregonte se territoret shqiptare që i ishin dhënë padrejtësisht Serbisë e Malit të Zi më 1913, shumicën e të cilave Gjermania Naziste ia kishte kthyer Shqipërisë në verë të vitit 1941, duhej t’i ktheheshin përsëri Jugosllavisë që do të formohej në fund të L2B. Nënshtrimi pa kushte i udhëheqjes së PKSH-së ndaj vijës politike të PKJ-së ishte tradhëti kombëtare, e cila që nuk ka pse të lihet pa u dënuar, si është lënë deri sot.

          3. PKSH-ja gjatë L2B dhe mbas saj, punoi me rrugë të ndryshme, me propagandë dhe dhunë, që t’ua mbushte mendjen anëtarëve të saj dhe mbarë popullit shqiptar, se nuk duhej të mendonin për pjesën e popullit që kishte mbetur jashtë kufijve të vitit 1913.

          4. Në dhjetor të vitit 1947 Enver Hoxha kërkoi bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë si republikë e saj. Analisti Mërgim Korça në bazë të dokumenteve të gjetur në Arkivin Qendror të Shtetit, ka vënë në dukje se në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKSH më 15 dhjetor 1947, në praninë e të dërguarit të Mareshallit Tito, Sava Zllatiç, Enver Hoxha deklaroi: “…tani që e likuiduam këtë pengesë (Nako Spirun – shënim sqarues i Mërgim Korçës), duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin de fakto të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.) se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin, pa u bashkuar me Jugosllavinë…”

          Për këtë deklaratë Enver Hoxha nuk bëri kurrë autokritikë. Deri sa vdiq, ai nuk pranoi kurrë të kritikonte dhe dënonte gabimet dhe krimet që kreu ai e bashkëpunëtorët e tij gjatë Luftës Antifashiste dhe mbas saj.

          Historianët shqiptarë në këtë konferencë nuk ka pse të vijojnë fshehjen dhe mosdënimin e krimeve që kreu Enver Hoxha, herë i detyruar prej emisarëve jugosllavë dhe udhëheqësit të PKJ-së Josif Broz Titos, ose prej J.V. Stalinit e Mao Ce Dunit dhe herë prej interesave të tij pushtetore.

          5. Një tjetër tradhëti kombëtare e kryer prej PKSH-së është dhe mohimi i rezistencës që iu bë ushtrisë fashiste italiane më 7 prill 1939 dhe i dëshmorëve që ranë gjatë atyre luftimeve. Edhe pse pjesëmarrja ishte e pakët, forcat shqiptare të përbëra nga një pjesë e ushtrisë mbretërore, e xhandarmarisë dhe nga disa qytetarë vullnetarë, kryen një rezistencë të denjë në Durrës. Ata e detyruan pjesën e ushtrinë italiane që zbarkoi të rikthehej në anijet dhe i shkaktuan asaj 124 viktima (shtypi anglez i atyre ditëve përmendi 300-400 italianë të vrarë). Kurse nga radhët e forcave shqiptare atë ditë në Durrës ranë nëntë dëshmorë, të cilëve gjatë mbasdites iu shtua dhe një qytetar ortodoks, i cili kundërshtoi pushtimin duke e lyer dhe djegur veten me benzinë te sheshi i qytetit para ushtrisë italiane që ishte renditur për të festuar fitoren. Emrat e këtyre dëshmorëve janë: Mujo Ulqinaku, Hamid Dollani, Haxhi Tabaku, Hysen Koçi (Kallço), Ibrahim Osmani, Isak Metalija, Ismail Reçi, Ramazan Velia (Lezha), Hamit Vesho, si dhe qytetari orthodoks që dogji veten, emri i të cilit deri sot nuk është verifikuar ende.

          Kjo konferencë do të bëjë një akt atdhetarie po ta vlerësojë rezistencën e 7 prillit 1939 që u zhvillua në Durrës dhe në qytete të tjerë ku ranë dhe këta dëshmorë: në Sarandë Mitro Dhimërtika, në Shkodër Tonç Toma; në Berat Zenel Blana dhe në Vlorë dy dëshmorë. Emrat e dëshmorëve të Vlorës janë ende të paverifikuar. Dëshminë për dy dëshmorët e rënë në Vlorë na e ka dhënë Prof. Sami Repishti, i cili e pati dëgjuar këtë fakt prej dy malësorëve bashkëvuajtës në Burgun e Burelit, ish-pjesëmarrës në luftimet e Vlorës.

          6. A nuk duhet dënuar fakti që anëtarët e grupeve komuniste shqiptare nuk morën pjesë në asnjë nga luftimet e 7 prillit, si dhe fakti tjetër se asnjë prej këtyre 15 të rënëve për liri nuk është vendosur në ndonjë prej Vorrezave të Dëshmorëve në Tiranë, ose qytete të tjerë të Shqipërisë? Ata nuk janë përmendur në asnjë tekts historie dhe as te “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”. Mohimi i dëshmorëve të 7 prillit 1939 nuk ka pse të lihet pa u dënuar, sepse e ka emrin tradhëti kombëtare.

          Tradhëti kombëtare edhe më e rëndë ka qenë dhe mohimi i Proklamatës / Marrëveshjes së Mukjes që u realizua më 1-3 gusht 1943 midis delegatëve të forcave balliste, nacionaliste e komuniste, të cilët u ulën si të barabartë në tavolinë dhe zgjodhën Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë. Ky komitet formuloi Marrëveshjen (Proklamatën) e përbashkët për vijimin e luftës kundër pushtuesit italian dhe çdo pushtuesi tjetër që mund të vinte. Aty u kërkua që në mbarim të L2B të krijohej Shqipëria etnike sipas të drejtave të Kartës së Atlantikut, kurse çeshtjen e pushtetit u la të vendosej prej popullit në zgjedhjet e lira që do të organizoheshin mbas luftës. Përgjegjësinë kryesorë për këtë akt e ka Miladin Popoviçi, i cili mbasi e lexoi e grisi Marrëveshjen dhe copat e letrvs ia hodhi Enver Hoxhës në fytyrë duke e urdhëruar që ta mohonte sa më parë. Po ashtu dhe Enver Hoxha, si zbatues i këtij urdhëri ka përgjegjësinë e vet dhe duhet dënuar. Këtë skenë që ndodhi në Vithkuq të Korçës e ka shkruar pjesëtari i delegacionit të PKSH-së, Doktor Ymer Dishnica në një intervistë botuar te gazeta Rilindja Demokratike më 1994.

          7. Më 10 shtator 1943, Enver Hoxha e thelloi më tej veprimtarinë e tij antikombëtare. Ai shkroi me pseudonimin Shpati, një shkresë sekrete me të cilën i urdhëronte organizatat bazë të PKSH-së që ta shpallnin Ballin Kombëtar tradhëtar dhe bashkëpunëtor të pushtuesit dhe ta luftonin me armë. Kjo shkresë ishte një hap tjetër drejt tradhëtisë kombëtare. Ajo shkresë jo vetëm e asgjësonte Marrëveshjen e Mukjes, por e shpallte Ballin Kombëtar “tradhëtar e bashkëpunëtor të pushtuesit”, kur në fakt forcat balliste deri në atë datë kishin luftuar së bashku me forcat partizane kundër pushtuesve italianë.

          8. Ndërkohë nuk mund të lihet pa u kritikuar dhe pa u cilësuar tradhëti edhe braktisja e atdheut prej Mbretit Zogu i I pa shkrepur asnjë pushkë, si dhe çoroditja e shumë forcave të Ballit Kombëtar, të cilat pas 10 shtatorit 1943, të ndodhura përballë pushtuesve të rinj gjermanë nga njëra anë dhe forcave partizane nga ana tjetër, gjetën si zgjidhje bashkëpunimin me forcat gjermane. Braktisja e atdheut prej Mbretit pa ia bërë bamp dhe transformimi i shumicës së forcave balliste nga forca patriotike antifashiste në bashkëpunëtore të pushtuesve të rinj gjermanë, e ka gjithashtu emrin tradhëti kombëtare, prandaj është dënuar deri sot dhe nuk mund të falet.

          Mendoj të ketë disa kumtesa kritike ndaj potitikës së PPSH-së për izolimin e Shqipërisë, për varfërimin e popullit dhe ushtrimin e luftës së klasave ndaj pasardhësve të Ballit Kombëtar, Legalitetit e nacionalistëve në vitet 1944-1991. Në po këtë plan vlen të kritikohet dhe fryma e luftës midis partive politike dhe simpatizantëve të tyre në vitet 1992-2019, si variant i ri i luftës së klasave, gjë që ka mbajtur gjallë urrejtjen dhe përçarjen midis bashkëqytetarëve të Shqipërisë.

          Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare ka qenë një ngjarje e rëndësishme e popullit shqiptar dhe nuk mund ta nënvlerësojë askush. Por vlerat e saj nuk pakësohen po të thuhet e vërteta për sasinë e partizanëve dhe të dëshmorëve të saj. Mbivlerësimet e bëmave dhe shumëfishimi i numërit të partizanëve dhe dëshmorëve që ka bërë deri sot propaganda dhe kalemxhinjtë e PKSH/PPSH-së dhe vijueses së tyre PS-së, në fakt pvrbëjnë një poshtërim të asaj lufte dhe pjesëtarëve të saj.

          Dihet se ushtria partizane nuk e mundi dhe nuk e hodhi ushtrinë italiane në det si e mundi dhe e hodhi ushtria vullnetare shqiptare në vitin 1920. Ushtria partizane nuk çliroi asnjë qytet të pushtuar prej ushtrisë fashiste italiane, ajo nuk organizoi asnjë betejë për mbrojtjen e qyteteve nga pushtuesit e rinj gjermanë. Të cilët e zëvendësuan ushtrinë italiane paqësisht. Madje, vlen të thuhet se ushtria partizane u shpartallua gjatë operacionit ushtarak që kreu ushtria gjermane në dimrin e viteve 1943-1944.

          Numëri i ushtrisë partizane nuk arriti kurrë në 70.000, si është shkruar nëpër tekste mësimore dhe fjalime udhëheqësish. Sipas statistikave të botuara te Fjalori Enciklopedik Shqiptar vëll. II, 2008 në zërat Brigadat e Ushtrisë Na-Çl, del se deri më 24 prill 1944 kishte 5.075 partizanë, kurse deri në fund të luftës, më 28 nëntor 1944, ky numër arriti gjithsej në 26.877 partizanë. Edhe numëri i dëshmorëve nuk ka qenë 28.000 si ka deklaruar Enver Hoxha dhe është thënë nëpër tekste, fjalime e festa. Pas një pune shumëvjeçare një grup studiuesish hartuan serinë “Yje të pashuar” me 20 vëllime, ku arritën të shkruajnë biografinë e 2.800 dëshmorëve, sepse ata nuk gjetën as emra as biografi për dëshmorë të tjerë. Kurse studiuesi Teodor Kareco në librin e tij “Jo 28.000 dëshmorë, vetëm 3.500” mbështetur në të dhëna të arkivave të disa ministrive, ka nxjerrë se në vitin 1946 merrnin përkrahje ekonomike vetëm 2.396 familje dëshmori. Kurse numëri i përgjithshëm i dëshmorëve, shkruan ai, mund të jetë jo më shumë se 3.500.

          Që kjo konferencë shkencore të ndihmojë për realizimin e pajtimit kombëtar, për të cilin ka aq shumë nevojë shoqëria shqiptare, është e nevojshme që të trajtojë dhe nevojën e heqjes së yllit partizan nga Vorrezat e Dëshmorëve në Tiranë dhe qytetet e tjerë ku ka të tilla vorreza. Në këto vorreza është mirë të vendosen eshtrat e gjithë dëshmorëve që kanë rënë për lirinë e atdheut që nga viti 1878 e deri më 29 nëntor 1944, pra edhe dëshmorët e Rilindjes e pas saj, si dhe nacionalistët, ballistët, legalistët etj që dhanë jetën për lirinë e atdheut. Mendoj se numëri i tyre është më shumë se 7.000. E në këtë numër dëshmorësh, partizanët që ishin anëtarë të PKSH-së (ata që i besonin yllit komunist, ishin vetëm 1.057 sipas të dhënave të vetë Komitetit Qendror të PKSH të vitit 1946); përbëjnë një pakicë.

          Pajtimi kombëtar dhe uniteti kombëtar nuk vjen duke vijuar shtrembërimet dhe gënjeshtrat, duke zmadhuar vlerat e njërës palë e duke nënvlerësuar e asgjësuar vlerat e palëve të tjera. Pajtimi kombëtar vjen po të mbajmë qëndrim të moralshëm, qëndrim objektiv shkencor ndaj të gjitha dukurive politike e shoqërore, kombëtare e krahinore, ndaj ngjarjeve, personaliteteve, organizatave dhe partive dhe sidomos, po të vlerësojmë si duhet viktimat e diktaturave komuniste dhe nazifashiste.

           Data 23 gusht është shpallur Dita e Kujtesës së miliona viktimave të komunizmit dhe nazizmit, që u shkaktuan si rrjedhim i deportimeve në masë, i vrasjeve dhe zhdukjeve pa shenjë, i viktimave të kampeve të punës dhe kampeve të përqendrimit të këtyre regjimeve. Qeveria e sotme shqitare nuk e ka njohur këtë ditë, gjë që, si shkruan analisti Frank Shkreli, do të thotë se “Shqipëria jonë, zyrtarisht, nuk e ka gjetur ende vullnetin politik, forcën morale as dinjitetin kombëtar për tu bërë pjesë e Evropës, në këtë ditë të kujtimit të viktimave të komunizmit — dhe për të treguar dinjitetin e saj përball totalitarizmit në përgjithsi, megjithse politikanët e të gjitha ngjyrave dhe të partive kryesore politike shqiptare të këtyre 30-viteve post-komunizëm – bërtasin me të madhe, në përpjekje për të na bindur se ata i ndajnë vlerat me botën perëndimore.”

          Pa moral, pa objektivitetit shkencor dhe pa art realist nuk ka përparim. Për fat të keq shumica e studiuesve me mendësi komuniste ose socialiste nuk i lexojnë, ose i hedhin poshtë studimet dhe rezultaret e studiuesve dhe analistëve që vijnë nga radhët e të përndjekurve, ose të studiuesve të paanshëm si Uran Butka, Pjetër Pepa, Agim Musta, Tomor Aliko, Agron Tufa, Spartak Ngjela, Fatos Lubonja, Kastriot Dervishi, Çelo Hoxha, Lek Pervizi, Eugjen Merlika, Mërgim Korça, Jozef Radi, Muharrem Dezhgiu, Beqir Meta, Enver Memisha, Teodor Kareco, Dalip Greca, Ruben Avxhiu, Idriz Lamaj, Frank Shkreli, Ardian Ndreca, Fritz Radovani, Fatmir Terziu e mjaft të tjerë, shkrimet e të cilëve unë nuk kam mundur t’i gjej.

          Studiuesit dhe anvtarët e PS-së me mendësi komuniste nuk i lexojnë ose i përçmojnë veprat letrare që riprodhojnë me realizëm jetën e të përvuajturve nën diktaturën komuniste si Atë Zef Pëllumbi, Sami Repishti, Visar Zhiti, Frederik Reshpja, Astrit Lulushi, Faruk Myrtaj, etj. 

          Që kjo konferencë shkencore të sjellë dritën e duhur, është e nevojshme të nxisë kurajon qytetare për nxjerrjen e së vërtetës, e cila është shtrembëruar për 75 vjet me radhë. Këtë punë duhej ta kishte bërë Partia Socialiste që në vitet e para të formimit të saj dhe nuk kishte pse të ishte manipuluar shkenca dhe shoqëria jonë me gënjeshtra këto 28 vjet…

Filed Under: Emigracion Tagged With: Thanas L. Gjika- Konferenca e 75 vjetorit-Clirimi i Atdheut

Odë Shqiptare në Amerikën Veriore

August 13, 2019 by dgreca

Oda u ndërtua në 2004 e veçueme nga shtëpia e cila ndodhet në çarkun e Torontos, Kanadë. Pronar i saj është Qamil S. Dardhankodra prof i Gjuhës dhe letërsisë shqipe i cili erdhi këtu me familjen si muhaxhir në 1999. Mbiemrin Dardhankodra e mori simbas mikrotoponimit ku ndodhet shtëpia e tij në Llashticë, Gjilan. Unë jam Arbana e bija e tij, pranë meje janë vëllezërit e miÇlirimi dhe Shpëtimi. Ati im Qamili vazhdon traditën e gjyshit të tij i cili kishte odë në Llashticë, në fshat qenë disa oda po më e njohura ishte ajo e Bejtë Llashticës që kishte rëndësi historike, kulturore e arkitektonike dhe ishte një nga 5-6 odat kryesore në gjithë Moravën e Epërme. Odën e atit tim deri më tashti e kanë vizituar disa qindra shqiptarë dhe të tjerë të cilët janë mahnitur me bukurinë e saj. Aty ndodhen disa sende të rëndësishme etnografike e historike, disa nga eksponatet pronari “para fundit të tij” mendon t’ia dhurojë muzeut të “Vatrës” në Nju Jork, ai është nënkryetar i degësisë së federatës gjithshqiptare “Vatra” me seli në Toronto. 

Çfarë ka në këtë odë? – përpos mikpritjes tradicionale shqiptare dhe çiltërsisë zemrore aty ndodhen edhe këto gjësende: 2 shpata veku, 1 pollë qilimi 1953, 1 pshtjellak 1952 bogosi (Bogota), 1 verig, 1 bajonetë sh. XIX, 1 dru nga dyert e pesëgjyshit të tij 250-300 vjet, 1 çekan sh. XIX, shtaga e gjyshit Shaip Q. Salihu 1903-1980, 7 gjilpana duhani, 1 drapën, kombana e cingare, 1 def, 1 kandar i blerë në Elbasan sh. XIX, 1 mashë, 1 saç, 1 vegsh, 1 kalanë, 1 çifteli, 1 bludë kafeje 1946, 3 plisa, etj. çdogjë e sjellun nga Dardania.

Dhurata e dhurime: harta e tokave shqiptare – Muharrem Gashi Begracë, gravure e tokave shqiptare -Xhevat Jahiu, Prishtinë, bluzë e federates shqiptare të futbollit 1930 – Edi Laro, Tiranë, flamuri i Dardanisë Xhemajl Hyseni kryetar i çarkut të Gjilanit, parmendë e zgjedhë – Refki Sertolli, Prizren, llampë vajguri – Sabri Sulejmani, Gjilan, të mbathura blerë në Krujë – autorja, 1 lejkë – Avdush Beqiri, Velekincë, Gjilan, 1 fshisë  – Faik Ramiz Berisha, Llashticë, 1 amblemë “Kosova” – Adem Hyseni, Gjilan, etj.

Pamje kulturore e historike nga Kruja, Prizreni, Tirana, e simbole kombëtare; foto: mbretëresha Gjeraldina, mbreti Zog (pronari është monarkist) dr. Rugova, nënë Tereze, etj.

Në këtë odë mbahen mbledhje, takime, përvjetorë si dhe mbledhjet e Federatës gjithshqiptare “Vatra” dega në Toronto, sidomos gjatë dimrit shqiptarët këtu hanë, pinë, bajnë qef dhe terin mish. 

A. Aratërthore 

Filed Under: Emigracion, Histori Tagged With: Ode Shqiptare-Amerika e Veriut

Dorëheqja e Kryeministrit : Kulmi i tërbimit shovenist serb dhe padrejtësisë ndërkombëtare

July 29, 2019 by dgreca

Nga Magjister Agim Aliçkaj* /

Ishte ky një lajm shqetësues, por jo i papritur. Për Kryeministrin Haradinaj, edhe pse politikisht të dobësuar, shpëtim nga “koalicioni jolojal i dëmshëm për Kosovën”, dhe këthim në vendin e merituar të patriotëve dhe heronjve të kombit.  Për Kosovën, kulmi i  çfrenimit të shovenizmit serb, dhe, për më keq kulmi i padrejtësisë ndërkombëtare ndaj popullit të Republikës së Kosovës. Për ata që janë optimist, shans dhe shpresë për një ngritje të madhe kombëtare.

Akti i gjykates së Hagës për ta marrë Kryeministrin e Kosovës në pyetje, i cili ishte faktor dominant që e shtyri atë në dorëheqje, pa marrë parasyshë arësyen, ngjallë dyshime, dhe e dëmton autoritetin e saj si vend i drejtësisë. Pse tash, pse Kryeministri Haradinaj, luftëtarë i lirisë, për herë të tretë në Hagë, po ku janë shumë kriminel të vërtetë ?!  Kjo gjykatë rrezikon të vlerësohet dhe dëshmohet si gjykatë politike. 

Politika ndërkombëtare 20 vjeçare, fundamentalisht e gabuar, e barazimit të agresorit serb me viktimën shqiptare, e përkrahjes së  “politikanëve servil” siç thojnë amerikanët  “politically correct” të Kosovës, e kombinuar me ledhatim të Serbisë, dhe lëshime të njëpasnjishme në dëm të Kosovës, dështoi përfundimisht.  Është absurde dhe e pakupëtueshme, si u lejua Serbia  agresore dhe humbëse e luftës të shëndrrohet në “viktimë”, në vend se të dënohet për krimet e dokumentuara monstruoze.

Duhet shpresuar dhe besuar se erdhi koha për një rrugë tjetër!Erdhi, koha për një thyerje të madhe, ngritje të madhe kombëtare. Erdhi koha për një rezistencë të re, e të organizuar paqësore. Rezistencë gjithëpopullore me zgjedhje të reja dhe forma tjera, kundër padrjetësisë ndërkombëtare dhe klasës politike të korruptuar e të dështuar. Populli i Kosovës  nuk ka ç ka të humbë më shumë. Liria nuk mund ti merret më kurrë, luftën e ka fituar  dhe luftërat kan përfunduar. Kosova, është e shenjtë për kombin shqiptar, është vija e fundit të mbrojtjes kombëtare. Nuk bën dhe  nuk mund të ndahet. Shkëmbimi i teritorit është katastrofal dhe i parealizueshëm . Zgjidhja e imponuar është burim i konfliktit të pafund dhe nuk bën të pranohet  kurrë nga populli i Kosovës.

Dhe kështu duhet shpresuar se klasa politike ( pozitë dhe opozitë) do të ballafaqohet me realitetin, do ti kuptojë dhe pranojë dështimet, dhe do të fillojë me ndryshimin e kursit të veprimit. Duhet shpresuar, se ky popull i shumëvuajtur, do të nxjerr në krye, si shumë herë më parë gjatë një historie të vështirë, por të lavdishme, lider të fortë, patriot  të vërtetë, që e duan kombin më shumë se veten, pa ngarkesa nga e kaluara, të pakorruptuar e të pafrikë, që afrojnë dhe angazhojnë kuadro të fortë dhe të aftë për ta çuar çështjen përpara për një zgjidhje të drejtë, në të mirë të Kosovës, Serbisë dhe të mbarë Evropës. 

Njohja zyrtare e Republikës së Kosovës nga Serbia, dhe të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, si dhe  pranimi në OKB, në kufijt  ekzistues, të pranuar me shpalljen e pavarësisë, është parakusht  i panegociushëm për një  zgjidhje të vërtetë dhe të përherëshme. Vetëm kjo mund të hapë rrugë për bisedime qenësore me Sërbinë, në lidhje me marëdhënjet ndërshtetërore dhe trajtim të minoriteteve në të dyja shtetet. Pa këtë njohje nuk ka për çfarë të bisedohet.

Koha e bisedimeve të kota antishqiptare ka kaluar.

E drejta është në anën tonë. Evropa dhe Amerika duhet ballafaquar me fakte dhe argumente. Serbët në Kosovë i gëzojnë të gjitha të drejtat  dhe shumë privilegje, më shumë se çdo minoritet tjetër në botë.  Me ta duhet biseduar vazhdimisht për integrimin e tyre në shtetin e Kosovës. Nga ana tjetër, shqiptarët në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi  dhe në Greqi janë sistematikisht të diskriminuar, gjë që shumë lehtë mund të dokumentohet. Sankcionet ekonomike të Qeverisë së Republikës së Kosovës, janë  të domosdoshme dhe përgjigje e merituar ndaj sjelljeve destruktive të klasës politike shoveniste serbe. Ata që kërkojnë të hiqen apo suspendohen, duhet ta përdorin trurin dhe ta pyesin veten, pse Amerika, nuk i suspendon sankcionet kundër Iranit dhe Koresë Veriore  për të biseduar.  Amerika e thotë vetë se, terroristët, diktatorët , shovenistët dhe komunistët, e kuptojnë dhe e respektojnë vetëm gjuhën e forcës dhe presionit të vërtetë. Lehtë mund të spjegohet se nuk ka kurrëfarë dallimi në mes të Iranit dhe Sërbisë, natyrisht në shkallë të ndryshme.

Përpjekjet e fundit serbe për ta siguruar përkrahjen amerikane në realizimin e synimeve të tyre shoveniste dhe ekspanzioniste në Ballkan dhe më gjërë do të dështojë. Amerikanet e dinë fare mirë se serbët me shumicë janë pro-rus dhe anti-amerikan të përbetuar kurse shqiptarët anti-rus dhe pro-amerikanë të përjetshëm. Nuk ka  logjikë të besohet se administrata  patriotike  amerikane  “America First” e presidentit Trump mund të heqë dorë nga interesat strategjike në Evropë dhe investimin e madh në Kosovë, që do ti shërbente Interesave të hegjemonizmit ruso-serb.Interesat strategjike të shqiptarëve dhe të amerikanëve janë të njëjta.     

Por, Amerika, nuk ka kohë t’i kryej punët tona. Ne duhet  të punojmë shumë vetë. Me veprimin, luftimin e korrupsionit, angazhimin dhe organizimin tonë, ne duhet  ta meritojmë përkrahjen amerikane. Ndryshimet  qenësore janë të domosdoshme dhe duhet urgjentisht të fillojnë  në Kosovë, Shqipëri, dhe trojet tjera shqiptare. Mërgata shqiptare është në ankth dhe pritje të këtyre ndryshimeve. Është e gatëshme për përkrahje, por jo pa kushte, që me veprime lobiste dhe aktivitete tjera të ndihmojë në arritjen e zgjidhjes së drejtë dhe përfundimtare  të çështjes sonë kombëtare.  

Pas të gjitha humbjeve dhe dështimeve njëzetvjecare, përfshirë rënjen e qeverisë Haradinaj, ka ardhur koha që politikanët shqiptarë të punojnë për  kombin e vet, pra ta qesin interesin e vendit të tyre të parin. Kombi ynë  e ka dëshmuar se është i drejtë dhe tolerant ndaj kombeve, racave dhe besimeve të ndryshme fetare

*Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Shqiptaro Amerikane -Anetar iKeshillit te VATRES

Filed Under: Emigracion Tagged With: Agi Aliçka-Doreheqja e Kryeministrit-terbimi Serb

Dorëheqje e gabuar e Haradinaj

July 28, 2019 by dgreca


Nga Alfons GRISHAJ/

Mediat dhe opinioni kombëtar dhe ai ndërkombëtar u njohën me dorëheqjen e Kryeministrit Haradinaj. Pothuajse në mënyrë unanime ai u përshëndet nga  mediat shqiptare, prononcimet në FB, portalet private etj… duke u quajtur “një hero”, një njeri me përgjegjësi dhe vetëdije të lartë, i cili sa herë ka “nevojë” Haga për investigime dhe pyetje ekstra… ai  jep dorëheqje.  Pikërisht këtu  nis dhe zanafilla  e kritikës time… 
Oh what times! Oh what customs ! (Ciceroni)
Ramush Haradinaj, një luftëtar i thekur lirie, nuk duhet të binte në grackat e  anti-shqiptarëve dhe “eminencave gri” që falen në Serbi.  Tashmë ai e kishte përvojën dhe nuhatjen e politikanit të rritur në aksione  dhe diplomaci.  Populli i Dardanisë dhe Kuvendi saj  i dha dhe  një mandat tjetër për t’i shërbyer atdheut në mënyrë të zgjuar e rigoroze, për t’a nxjerrë  nga  kolapsi, korrupsioni dhe pazaret e ndyra të ish bashkëpunëtorëve të tij, të cilët bënin… dhe bëjnë akoma rolin e protagonistëve paqësorë dhe politikanëve profesionistë, por, që në fakt nuk janë asgjë tjetër veç ca servilë, dallkaukë dhe puthadorë të këmbanave të vjetra antikombëtare.
Haradinaj me veprimin e vet, dhe mbase dhe këshillat e këqija, i bëri një dëm të konsiderueshëm popullit të vet duke hapur portat e kështjellës për kalin trojan. 
Lidhur me akuzën, Haradinaj ia dha mundësinë disa herë Gjykatës  Hagës (për të cilën ruaj respekt, por që çuditërisht, ky Tribunal që guxon të thërrasë Haradinaj disa herë, nuk guxon të arrestojë një ushtar të vetëm amerikan që është i akuzuar si Haradinaj!), dhe “gjuetarëve të shtrigave” për të bërë investigimet e nevojshme të specializuara. Gjithashtu, ia dha  dhe privilegjin armiqve të tij për fabrikimin  e akuzave fallso. Dhe pse Karla Del Ponte, do e përkufizonte si kriminel lufte, dhe trysnia e  mekanizmit dinak të qarqeve jomiqësore ishte e madhe, ai  mori pafajësinë. Vuçiç, do e quante lëvizjen e fundit (dorëheqjen) të Haradinaj: “Mashtrim Politik!” Por prapa kuintave nuk ndajnë të njëjtin mendim udhëheqësit e qeverive europiane,  të cilët e kanë përshëndetur për sy e faqe qëndrimin e Haradinaj, por që në fakt janë dashnorët e Vuçicit. 
Duke e njohur këtë realitet të trishtë alternativ e subjektiv, armiku e quan “Mashtrim Politik”, kurse “miqtë” që bëjnë orgji me armikun e brohorasin?! Ky është kulmi i prostitucionit politik. Litari në dy skajet e humnerës ka qenë gjithnjë ura jonë për të kaluar në Europë. Flip-flapet e politikanëve europianë i kanë kushtuar shtrenjtë Shqipërisë. Nëse këto politikanë e quajnë vendimin e Hagës të padrejtë, përse nuk dalin hapur në mbrojtje të Haradinaj? Dihet botërisht dhe nga kalamajtë se për një akuzë që merr pafajsinë dy herë nuk mund të bëhen më investigime të tjera, sepse tregohet mungesë profesionalizmi dhe serioziteti. Në prag të kësaj thyerje, Gjykata e Hagës, do të merrte emrin,  Mejhana e Krrabës. Kjo mungesë serioziteti e institucionit të Hagës, duhet të sillte si pasojë injorimin total të riakuzës nga Haradinaj, por ai nuk e bëri! 
Mendoj se, koha e eksperimenteve dhe heroizmave ka mbaruar. Mekanizmi i zhvillimit të një shteti nuk është si mulliri, që mund ta ndalësh sa herë që bluhet mielli. Po e ndale mekanizmin e shtetit, pushon zhvillimi, ndalet ora dhe mbretëron kaosi. Ky burrë duhet ta dijë mirë këtë. Nuk bëhen eksperimente në një laborator pa lëndën kryesore dhe eproveta. Çdo eksperiment i tillë sjell dështim të shkallëzuar. Si mund ta lësh vendin tënd në amulli për të plotësuar kapriçot e të huajve? Ç’është kjo mendjelehtësi?! Sepse kështu i bie  që sa herë t’i teket b… matrapazëve  të huaj, ne duhet të ulim pantallonat dhe t’i themi:  hajdeni o burra se këtu na keni! 
Detyra ndaj atdheut është gjëja më e shenjtë që për asnjë moment nuk duhet të përzihet me pasionin dhe reaksionin personal, partiak, dhe pazaret e të huajve, sepse atëherë  dalim të gabuar, për të mos  thënë  tradhëtojmë veteveten dhe kauzën e shenjtë ndaj atdheut. Përgjegjësia ndaj kombit dhe popullit tënd nuk është uni naiv, por thelbi i shtyllës imperative që buron nga ndërgjegja dhe përgjegjësia kombëtare, që, në asnjë rrethanë apo moment  nuk mund të  tjetërsohet në aksiomë politike personale. Këtë duhet ta dijë çdonjeri që hyn në politikë dhe që kërkon të udhëheqë popullin e vet drejt lirisë dhe prosperitetit. 
Haradinaj gaboi! Gabimi i tij duhet t’i vlejë çdo shqiptari si mësim… që përpara se t’i shërbejë drejtësisë së shitur dhe urisë së verbër ndërkombëtare duhet t’i shërbejë me devocion dhe besnikëri detyrës së dhënë nga populli, pastaj të ushqejë oreksin e portave të dallaverëxhinjve që në shekuj na nënçmuan, biles  na quajtën dhe “Njerëz me bisht”! 
Sikur ne te ishim me të vërtetë pjesë e Europës dhe ajo të na donte aq fort… do na pranonte kështu siç jemi. Ateherë  do ishim të detyruar të kryenim çdo obligim ligjor dhe moral. Po Europa kërkon të na imponojë standarte që fatkeqësisht dhe ajo vetë nuk i disponon realisht. 
Vëzhguesit “inteligjentë” ksenomanë mund dhe të më vërsulën: “Hej lum miku,  kohët kanë ndryshuar!”.
Unë u them atyre që koha është e njëjtë! Diplomacia vazhdon pikë për pikë skenarët e vjetër… dhe oreksi i qarqeve antishqiptare ka mbetur po i njëjti. Ka ndryshuar vetëm një realitet që e injorojmë ne vetë të parët: shqiptarët janë më të fortë, janë bërë mal!  Një fjalë e urtë japoneze thotë: “ Mali nuk lëviz!” Pas kësaj thënie të urtë japoneze i bie që, kush të jetë i interesuar  për malin, mirë se të vijë tek mali, në të kundërt… nuk flitet më për të tillë.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Alfons Grishaj-Dorehqja e Gabuar-Ramush Haradinaj

Imigrantët dhe fati i tyre

July 26, 2019 by dgreca

Shkruan: Nikë Gashaj/ DIELLI

Me nocionin “imigrantët” nënkuptohen bashkësitë e formuara në bazë të vendimeve individuale dhe familjare që braktisin vendlindjen e vet dhe shpërngulen e vendosen në një vend dhe shtet tjetër, shpesh herë duke ia kthyer shpinën të afërmve të vet, prindërve, vëllezërve e motrave, kushërinjve e miqve e shokëve, trojeve të veta etnike, kulturës dhe kombit të vet. Ata këtë vendim e marrin për shkaqe ekonomike, përgjithësisht për arsye të varfëris familjarë, të papunësis, dhe më pak politike etj. Ata vendosin që të jetojnë në një mjedis tjetër, ku flitet një gjuhë tjetër, ku kultura dhe tradita e tyre kurrë nuk ka qenë e pranishme. Mirëpo, ata vetë e kanë zgjedhur këtë rrugë që ta ndërrojnë mjedisin kulturor dhe në pikën e fundit, kryesisht të asimilohen, ata apo pasardhësit e tyre, çka paraqet çështje shqetësuese për ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar, në rend të parë të nacionalitetit shqiptar. Kështu ka ndodhur, edhe me një pjesë të shqiptarëve të Malit të Zi, që janë shpërngulur  në vendet e Europës Perëndimore, Australi, SHBA dhe gjetiu.

Ndërkaq, është e domosdoshme që të bëhet dallimi ndërmjet dy grupeve të imigrantëve: në ata që kanë të drejtë të bëhen nënshtetas të shtetit të ri dhe ata të cilëve nuk e  kanë këtë të drejtë. Pikërisht, lënia pas dore e këtyre dallimeve është shkak i mosmarrëveshjeve të shumta, si në literaturën relevante ashtu edhe në debatet publike. Në kuptimin e parë përdoret termi imigrantët, ndërsa për kategorinë e dytë përdoret “metikët“.

                                          Kush janë imigrantët?

Imigrantët janë persona të cilët janë vendosur në një shtet tjetër në pajtim me dispozitat e imigrimit të atij vendi dhe të cilët kanë të drejtë për ta fituar nënshtetësinë, pas një periudhe relativisht të shkurtër (3-5 vjet), në dakordim me kushtet e tjera minimale të përcaktuara (p.sh.njohja e gjuhës zyrtare dhe njohja elementare e institucioneve politike dhe të historisë së vendit). Këto janë kushtet themelore për ta fituar nënshtetësinë e shteteve në të cilat janë më së tepërmi përqëndruar imigrantët: SHBA, Kanadaja dhe Australia.

Shikuar historikisht, raporti i imigrantëve ndaj procesit të ndërtimit të kombit shumicë ka qenë i ndryshëm në krahasim me pakicat kombëtare. Për dallim prej pakicave kombëtare, “garat“ në ndërtimin e identitetit nacional nuk kanë qenë as të dëshirueshme, as të mundshme për imigrantët në demokracitë perëndimore. Grupet imigruese janë, parimisht, tepër të vogla dhe territorialisht të përçara dhe të thërrmuara për përpjekjen e rekonstruimit të kulturës së tyre burimore në shtetin e ri. Në vend të asaj, ata tradicionalisht pranojnë që të integrohen në kulturën e shumicës societale. Janë të rralla rastet që imigrantët janë ankuar se njohja e gjuhës zyrtare është kusht për të fituar nënshtetësinë e shtetit të tyre të ri, apo që fëmijëve të tyre iu duhet të mësojnë gjuhën zyrtare në shkolla. Ata e kanë pranuar që perspektiva e tyre, e veçanërisht perspektiva e fëmijëve të tyre varet nga participimi i tyre në institucionet themelore sociale, ekonomike dhe politike (të cilat funksionojnë në gjuhën zyrtare të shtetit përkatës).

                        Demokracitë perëndimore dhe imigrantët

Demokracitë perëndimore sot kanë më shumë se dy shekuj eksperiencë me imigrantët dhe ka fare pak fakte që imigrantët të cilët kanë të drejtë në fitimin e nënshtetësisë paraqesin ndonjë kërcënim për stabilitetin dhe kohezionin e shteteve të tyre të reja, në të cilat jetojnë. Në gishtërinj mund të numërohen shembujt e grupeve imigruese, që kanë organizuar lëvizje separatiste ose parti nacionaliste, ose kanë përkrahur lëvizjet revolucionare për rrëzimin e qeverive demokratikisht të zgjedhura në shtetet përkatëse.

Në vend të kësaj, imigrantët integrohen në sistemin politik, ekonomik dhe social të shtetit të tyre të ri. Këtu po cekim se në vendet me një vërshim të madh të imigrantëve, si dhe në numrin më të madh të shteteve  të tjera të Perëndimit, refugjatët që e kanë fituar azilin politik po ashtu e kanë statusin e imigrantëve me të drejtë nënshtetësie.

Analizuar historikisht, qeveritë e Perëndimit nuk i kanë dalluar refugjatët nga imigrantët ekonomikë, duke  patur dhe drejtuar një raport politik, pak a shumë identike në lidhje me pranimin dhe asimilimin e tyre.

Imigrantët nuk i kanë kundërshtuar aksionet e drejtuara për integrimin e tyre. Mirëpo, ajo nuk do të thotë, se ata nuk janë përpjekur që të bëjnë negociata mbi kushtet e integrimit. Debati aktual mbi “multikulturalizmin“ në vendet e imigrimit paraqet në të vërtetë shqyrtimin mbi redefinimin e kushteve të integrimit. Imigrantët kërkojnë një qasje më tolerante (“më multikulturore“) të integrimit, që do t’iu lejojë, madje, do t’i inkurajojë, për t’i ruajtur aspektet e ndryshme  të trashëgimisë së tyre kombëtare, madje edhe pas integrimit të tyre në institucione të përbashkëta, ku përdoret gjuha zyrtare e shumicës.

Imigrantët insistojnë mbi të drejtën e ruajtjes së identitetit të tyre kombëtar, të kulturës dhe të zakoneve (kuzhina kombëtare, veshja, religjioni), si dhe për të drejtat të shoqërohen me qëllim të ruajtjes së identitetit të vet.

Synimet e tilla janë legjitime dhe nuk konsiderohen sipas teorive politike perëndimore “jopatriotike“, ose “antiamerikane“, ose “antiperëndimore“. Aq më tepër, institucionet shtetërore, mendojnë teoricienët perëndimorë, do të duhej t’u përshtateshin këtyre synimeve – p.sh.shkollat dhe institucionet e tjera publike punën e vet do të duhej t’ua përshtatnin festave religjioze të imigrantëve, mënyrës së veshjes së tyre, kufizimit në ushqim etj.

                             Sigurimi i kushteve të drejta të integrimit

 Si përgjigjen demokracitë liberale në këto kërkesa për multikulturalizmin e imigrantëve? Edhe këtu demokracitë liberale, shikuar historikisht, u kanë kundërshtuar kërkesave të tilla. Deri në vitet gjashtëdhjetë, shtetet kryesore të imigrimit (SHBA, Kanadaja dhe Australia) e kanë zbatuar një politikë të asimilimit të plotë. Nga imigrantët është pritur që të përvetësojnë normat dhe vlerat ekzistuese kulturore të shtetit ku jetojnë, çka gradualisht, në pikëpamje të të folurit, të veshjes, të shfrytëzimit të kohës së lirë, të mënyrës së ushqimit, në madhësinë familjare etj. Ata do t’i bëjnë të padalluar në krahasim me njerëzit e lindur në atdheun e tyre të ri.

Është konsideruar që një politikë e tillë do të sigurojë lojalitetin e tyre ndaj shtetit ku kanë vendosur të jetojnë dhe dotë garantojë që imigrantët të bëhen anëtarë produktivë të shoqërisë.

Ndërkaq, në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar fillohet të shihet se politika e një asimilimi total është joreale, e papranueshme dhe e padrejtë. Ajo është joreale për arsye se, pavarësisht nga intensiteti i asimilimit, imigrantët kurrë nuk e humbin identitetin e vet kombëtar dhe kulturor në terësi. Andaj, paraqitja e “veshit për shkrirje“ kurrë nuk e ka shprehur gjendjen e vërtetë; fakti se imigrantët janë integruar në institucionet shoqërore dhe se e kanë mësuar gjuhen zyrtare të shtetit të ri, nuk do të thotë se ata me atë e kanë humbur identitetin e vet kombëtar dhe kulturor.

Politika e asimilimit është po ashtu e paarsyeshme, duke marrë parasysh se faktet tregojnë se imigrantët, që e kanë ruajtur në mënyrë të dukshme identitetin kombëtar dhe kulturor mund të jenë anëtarë lojalë dhe produktivë të shoqërisë.

                    Integrimi i drejtë i imigrantëve në shtetin e ri

Definitivisht, politika e asimilimit është e padrejtë, sepse i diskriminon imigrantët dhe e bën integrimin proces të dhunshëm. Sipas disa autorëve perëndimorë, kërkesa e imigrantëve për modelin “multikulturor“ të integrimit është kërkesë e drejtë dhe me rëndësi për procesin e konstituimit të kombit shumicë. Në qoftëse demokracitë liberale kërkojnë nga imigrantët që të integrohen në institucionet shoqërore ku përdoret gjuha zyrtare e shtetit, atëherë si detyrë e shumicës etnike është sigurimi i kushteve të drejta të integrimit.

Sipas teorisë politike, integrimi i drejtë supozon ekzistimin e elementeve siç vijojnë:

(a) Duhet të shmanget integrimi “përkrye nate“, se ka të bëhet mbi një proces të komplikuar dhe afatgjatë, i cili kyçë gjenerata të shumta dhe të ndryshme. Plotësimi i kësaj kërkese supozon, ndër të tjera, që të jetë e mundshme që shërbimet e caktuara të bëhen në shumë gjuhë, si dhe përkrahjen e pushtetit shtetëror, atyre organizatave dhe grupeve brenda bashkësive imigruese që ndihmojnë integrimin e imigrantëve në mjedisin e ri shoqëror.

(b) Është e domosdoshme të sigurohet që institucionet sociale, në të cilat imigrantët integrohen mundësojnë  dhe garantojnë një nivel të njëjtë të respektimit dhe njohjes së identitetit kombëtar dhe kulturor, sikurse edhe ndaj pjesëtarëve të kombit shumicë.

Kjo kërkon kontrollimin sistemor të institucioneve sociale, për ta vërtetuar se rregullat e tyre, organizimi i brendshëm dhe simbolet – a i diskriminojnë imigrantët apo jo? Po ashtu, sipas teorisë politike, është e domosdoshme të kontrollohen programet shkollore për t’u vërtetuar se ato a i nxisin stereotipet mbi pakicat, ose e nënçmojnë kontributin e tyre historisë nacionale dhe botërore.

Këto janë masa të domosdoshme, se si imigrantëve do të iu ofrojnë kushte të drejta për integrim.

                        Politika e multikulturalizmit  dhe imigrantët

Politika e “multikulturalizmit” e qeverive të Australisë dhe Kanadasë, paraqet përpjekje që të definohen kushte të drejta dhe adekuate të integrimit. Kritikuesit e multikulturalizmit, ndërkaq, theksojnë se kërkesa e imigrantëve për multikulturalizëm nuk do të thotë vetëm redefinim të kushteve të integrimit, por në thelb paraqet refuzimin e vetë idesë së integrimit, si dhe mospranimin e participimit në institucione të përbashkëta, që funksionojnë në gjuhën e shumicës etnike. Mirëpo, sipas teoricienëve demokratikë kjo nuk është e vërtetë. Para së gjithash, imigrantët janë të vetëdijshëm se është në interesin e tyre – e në veçanti në interes të fëmijëve të tyre – që të integrohen në shoqërinë e re. Vetëm të integruar ata mund t’i shfrytëzojnë plotësisht mundësitë për prosperitet të cilat ua ofron shteti i ri. Sikurse imigrantët t’i kishin dhënë më tepër rëndësi dhe ta kishin nderuar dhe respektuar identitetin kombëtar dhe kulturor më tepër sesa prosperitetin ekonomik nuk do të kishin shkuar në imigrim.

Natyrisht se këtu ka edhe përjashtime. Duke pasur parasysh, se shkaqet kryesore për imigrim janë kryesisht ekonomike kërkesa e imigrantëve për multikulturalizëm është racionale dhe e arsyeshme vetëm në qoftëse ajo është në pajtim me integrimin e tyre ekonomiko-shoqëror në një bashkësi të gjerë. Me fjalë të tjera, multikulturalizmi duhet të mundësojë një integrim më të lehtë të imigrantëve në shoqëri, e jo të pengojë integrimin e tyre.

Dhe më të vërtetë, kur të analizohen kërkesat aktuale të imigrantëve, vërehet se ato nuk janë të drejtuara për refuzimin, por për ndërrimin e kushteve të integrimit. Imigrantët kërkojnë ndërrime në institucionet themelore – shkolla, vende të punës, gjyqe, polici dhe në shërbimet sociale- se si më lehtë të participojnë në punën e tyre.

Ata insistojnë për reformat i institucioneve në fjalë, me qëllim që identiteti i tyre kombëtar dhe kulturor më tepër të respektohet. P.sh. ata dëshirojnë që shkollat të japin më shumë informacione  mbi jetën e imigrantëve; që festat e tyre kombëtare dhe fetare si dhe mënyra e veshjes të pranohen në vendin e punës; që ndihma sociale të jepet në mënyrë që te kihen parasysh dallimet kulturore, etj. Larg asaj që këto kërkesa e pengojnë integrimin, ato përkundrazi e nxisin.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Nike Gashaj-Immigrantet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 111
  • 112
  • 113
  • 114
  • 115
  • …
  • 183
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT