• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JU RRËFEJ NJERIUN E MIRË, DALIP GRECA!

July 28, 2021 by s p

Nga Mëhill VELAJ */

Unë kam nevojë për njeriun, në tërësinë e tij, – shkruan shkrimtari i madh francez, Romen Rolan, shkrimtari që ka shkruar vepra për njeriun e vërtetë, njeriun e madh të punës, të përkushtimit dhe himnit madhështor të sakrificës, dinjitetit dhe shpirtit njerëzor. 

E parë në këndvështrimin ideor dhe social, forca e qëndresës dhe përvojave jetësore nën efektet emocionale dhe veçoritë dalluese të njerëzores, të qytetarisë dhe krenarisë që secili prej nesh ndjen kur jeta dhe fati të rezervon të njihesh nga afër me njerëz të mirë thellësisht humanë, sikundër është miku im Dalip Greca, – Publicist i njohur dhe ish-Kryeredaktor i Gazetës DIELLI, gazetës historike më tepër se një shekullore dhe kontribuesi veteran tashmë i Federatës “Vatra” në Amerikë.  

Pas në kohë…

Nuk kisha veçse dy vjet që kisha mbërritur në Amerikë, i detyruar nga lufta që pat nisur në Kosovë. Si për çdo emigrant, edhe për mua dhe familjen time, çdo gjë ishte e panjohur që nga; gjuha, tradita, dhe kultura e këtij vendi. Amerika është vendi ku operojnë raca dhe kultura të ndryshme në procesin e vazhdueshëm të integrimit e mbijetësës të jetës social –ekonomike dhe diskursit politik të kohës.  

Kur dolëm për herë të parë bashkë me babën tem,  jo vetëm dëshironim të soditnim New Jork-un- një nga metropolet me emër në botë, që është edhe stacioni i parë i emigrantëve shqiptarë, veçmas i të sapoardhurve që vijnë nga Europa në Amerikë, porse dëshironim të takonim edhe sa më shumë shqiptarë. Me thënë të drejtën ndjenim mall të njihnim sa më tepër bashkëatdhetarë të krahinave të Kosovës e Shqipërisë, ndjenim mall të flisnim shqip në këtë tokë të huaj. 

Babë Simoni dhe unë ecnim të hutuar dhe të heshtur në zonën e Pelham Parkway-it, në Bronx, apo siç e quajnë  shqiptarët e sotëm “Little Albania”, një nga komunitetet më popullore shqiptare të Amerikës. Baba jem binte në sy për veshjen e tij karakteristike tradicionale të malësorëve të Kosovës; tirqet me gajtana, brezin dhe jelekun, veçmas me atë plisin e bardhë si ajo bora ende e pashkrirë majë kreshtës e të Korabit madhështor. Rreth e përqark zonës së Pelham Parkway soditnim bukuritë natyrore, gjelbërimin, pemët, zogjtë që fluturonin, ketrat, të cilët me atë shpejtësinë marramendëse ushqehen dhe ikin vrullshëm nëpër lëndinë, harbojnë në degët e pemëve, njerës të racave të ndryshme që ecnin normalisht pranë nesh dhe vështronin tim atë,  madje nuk ngurronin ta shprehnin mahnitjen mbresëlënëse ndaj vëshjes tradicionale së tij, na përshëndësnin, paçka se ne nuk e kuptonim gjuhën e tyre, por baba jem ngrinte dorën dhe i përshëndeste shqiptarçe. Diku më tutje, përfund trotuarit të Parkut, syri më kapi një burrë në moshë relativisht të re, disi imcak me trastën hedhur supit dhe një kamera fotografik në dorë. Nuk e di porse me vete e kuptova që ai ishte shqiptar! Kjo ishte përshtypja e veçantë që më la sapo e pashë atë njeri.  Nisa t’i flisja shqiptarçe, të vetmen gjuhë të nanës që flisja:

-Na jemi Babë e Bir, prej Kosove! 

Kur i thashë se jemi “prej Kosove” sytë e burrit përballë nesh u gjallëruan dhe u bënë më të qeshur dhe entuziastë. Zgjati dorën dhe e toku me Babën, duke buzëqeshur më thotë:

-Jam Dalip Greca, Gazetar! 

-Pasha zotin, nuk paskam gabuar, thirrja e gjakut të shqipes na bashkon në këtë “botë të vogël”! –ia ktheva unë dhe tokëm duart. Fluturoja nga gëzimi për atë takim të papritur dhe tejet i përzëmërt me një shqiptar. Dhe ftesës mikpritëse të mikut të ri gazetar, për t’u ulur te kafe “Star”, nuk e refuzuam. Ishte një nder dhe respekt i veçantë për ne të uleshim, bisedonim dhe pinim një kafe shqiptarçe, veçmas për Babë Simonin. Si të gjthë shqiptarët që jetonin në anën tjetër të tokës mëmë, në Kosovë, Babë Simoni ishte tejet kurioz të dinte rreth gjendjes social -ekonomike dhe politike në të dyja sistemet në monizëm e demokraci në Shqipëri dhe i bënte pyetje të njëpasnjëshme Dalipit. Ai nuk lodhej, por i përgjigjej me kënaqësi çdo pyetje të Babë Simonit, madje edhe atyre pyetjeve delikate, që mund të ishin jashtë përfytyrimit të tij, porse Dalip Greca ishte mjaft i pergatitur nga përvoja e një gazetari profesionist, njohës i mirë i lëvizjes demokratike në të dyjat kahjet e atdheut, Ballkan e vendet e Lindjes,  dhe i shtypit shqiptar në të gjitha sferat e rëndësishme të situatës social -politike në Kosovë, Shqipëri dhe në Diasporën Amerikane. Qysh prej asaj dite Publicisti dhe Kryeredaktori i Gazetës Dielli, u bë mik i familjes sime, në hidhërime e gëzime, por ajo që është më e rëndësishmja, ishte mbështetja dhe bashkëpunimi ynë i frytshëm dhe tejet i suksesëshëme me Gazetën Dielli, të cilën ai e drejtoi për 12 vjet me rradhë. 

Ndër Vite dhe në Kohë…

Gazetaria është profesion dhe mision që kërkojnë virtytin e të ndershmit dhe së vërtetës. Gazetari po nuk rrezikoi me profesionin e tij, nuk mund të jetë gazetar. Për më tepër, gazetari nuk ka as armë as fishekë, por ai ka artin e guximit dhe të kurajos, artin e të shkruarit dhe të shprehurit që bashkërendon ngjarjet në kohë, gazetari është gjithmonë në kërkim dhe promovim të vlerave, që kur i lexon të befasojnë dhe impresionojnë për kredibilitetin e tyre të çmuar, për vlerat kombëtare, qytetare dhe atdhetare; për të mos u lënë në harresë! Diaspora shqiptaro-amerikane ka plot shembuj të shkëlqyer të gazetarëve të guximit dhe përkushtimit, mendimit të maturuar dhe mençurisë, mendjes së shëndoshë dhe krahëve të fortë. 

Në mesin e komunitetit të editorëve të hershëm që kanë drejtuar Gazetën Dielli të shqiptarëve të Amerikës, tashmë historia do të shkruajë edhe emrin e Publicistit të njohur, Dalip Greca, -një gazetar profesionist, unik, i matuar, i mençur dhe transmetuese e përhapjes së humanizmit, çuarjes e përjetësimit të veprës së Nolit e Konicës, editori, analisti, historiani, shkruesi dhe mbledhësi i fakteve, misionar i pazëvendësueshëm që ngulmon drejt së vërtetës, sado e thellë të jetë ajo në raport me vitet dhe midis dy epokave. 

Për 12 vjet rresht universi profesional i penës publicistike të Dalip Grecës manifestoi talent, energji, vullnet dhe ndjenja thellësisht humane, ai nuk rresht së shkruari, reportazhe, intervistoi personalitete e njerës të thjeshtë hulumtoi për shqiptarët e vjetër e të rinj, rilindi jo vetëm Gazetën Dielli por rilindi, ngriti dhe pasuroi edhe Bibliotekën e Federatës Pan Shqiptare  “Vatra”. Dalip Greca, solli të gjalla ëndrrat, shpresat, kontributin, idetë e vatranëve të vjetër e të rinj, idetë e shqiptarëve të Kosovës e Çamërisë që jetojnë e punojnë në Diasporën Amerikane.   

Fryma intelektuale, atdhetarizmi dhe patriotizmi që karakterizon penën publicistike, veprën dhe kontributin e publicistit të njohur dhe ish-Kryerdaktorit të Gazetës Dielli, Dalip Greca,- janë trashëgimia dhe vlerë e çmuar e historisë e krenarisë kombëtarë, identitetit shqiptar, vlerave kombëtare dhe çështjes kombëtare shqiptare, me ndikim të thellë në formimin e brezave të ardhshëm. 

Dalip Greca, i vendosur dhe i vëmendshëm, vet-kërkues dhe i vetdijshëm për ç’ka shkruan e projekton në atë ideal që ai beson, ringjalli gazetën më të vjetër të shqiptarëve të Amerikës- Dielli dhe si editor i saj, gazeta pati lavdi, sukses dhe ndryshime thelbësore në formë e funksion, gjithmonë duke ruajtur frymën e Nolit e Konicës. Dalip Greca u lind në “kryeqendrën” e Myzeqesë, Lushnjë, -qytei historik që njihet për një nga ngjarjet më të mëdha të historisë së kombit tonë, – Kongresi i Lushnjës, që u mbaj prej 21-31 Janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një Akt i Kushtetues për Pavarësinë e Plotë të Shqipërisë. Ngjarjet historike të vendlindjes dhe studimet për gjuhë letërsi, pasioni për të shkruar do e kapnin “prej dore” djaloshin lushnjar që e tërhoqën drejt profesionit të vështirë, të guximshëm, fort mbresëlënës, kurajoz e të rrezikshëm të gazetarit. Punoi si redaktor në disa gazeta lokale të qytetit të Lushnjës,  “Shkëndija, “Ora e Fjalës”, dhe ka drejtuar gazetën, “Republika” kryeredaktor i saj. Në vitin ’99 Dalip Greca me familjen emigroi në SHBA- ës, dhe që prej asaj kohe do të jetë i pranishëm në shtypin shqiptar dhe atë shqiptaro- amerikan, fillimisht redaktor-përgjegjës për seksionin shqip në gazetën shqiptaro-amerikane Illyria, por edhe bashkëpunëtor në mediat e shkruara dhe vizive shqiptare dhe shqiptaro-amerikane sikundër gazetar i jashtëm i Albanian Culture TV me qendër në New York. 

Pena publicistike e Grecës është mjaft e njohur me editoriale, reportazhe, opinione e kolumnat në shtypin shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Prishtinë e Tiranë, në gazetën e Vatrës -Dielli, ku paraqet Amerikën në dy plane, -Vendi i Lirisë dhe i demokracisë i mbështetur në ligje të palëkundshme dhe vendi i mijëra emigrantëve shqiptarë. Në vitin 2009-ë me nismën e Shoqatës Pan Shqiptare “Vatra”, një grup intelektualësh dhe dashamirës, të cilët  hodhën idenë e ringjalljes së Gazetës Dielli, gazetës historike e tradicionale, produkt i Era-Noli dhe Konica! Mbas 10 vite të editimit të edicionit shqip te Gazeta Illyria, në vitin 2009-ë, Publicist i njohur Dalip Greca merr drejtimin e Gazetës Dielli si Kryerdaktor i saj. Me vendosmëri e përkushtim, dhe me mbështetjen e fuqishme të Federatës Vatra rilindi gazetën historike Dielli! 

Dalip Greca ndryshoi krejt realitetit e Gazetës Dielli; stabilizoi botimin e përmuajshm të gazetës në print; publikimin e saj të përditshëm online; punoi pa u lodhur ditën e natën për mbledhjen dhe pergatitjen e koleksioneve të gazetës për një periudhë 42 vjeçare; gjithashtu ngriti, pasuroi dhe sistemoi me botimet të vjetra e të reja Bibliotekën e Shoqatës Vatra.  

Publicisti i njohur dhe Kryeredaktori i Gazetës Dielli ka qenë dashamirës dhe mik i devotshëm i shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë. Me trastën supit dhe kamerën e gazetarit, Dalipi ishte i kudogjendur, ai  ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm me penën e tij profesionale të gazetarit në promovim e librave të autorëve shqiptaro-amerikanë. Madje Federata Vatra dhe Kryerdeaktori i Diell-it Dalip Greca kanë organizuar dhe mirëpritur me qindara promovime të librave të anëtarëve të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, por edhe të shkrimtarëve të njohur të letrave shqipe dhe botës shqiptare.

Nën drejtimin e Dalip Grecës, Gazeta Dielli ka botuar në vazhdimësi poezi, esse, reportazhe, intervista, tregime, kolumna, opinione, tregime, etj, të shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, ku mes tyre edhe shkrimet e mija modeste. 

I shpreh falenderimet dhe mirënjohjen e thellë, vlerësimin tim për mbështetjen dhe bashkëpunimin dinjitoz me Gazetën Dielli dhe njeriun e mirë, Kryeredaktorin dhe Publicistin e njohur, Dalip Greca! 

Në emrin tim personal e të familjes sime i uroj:

Pensionim të mbarë, Bekimet e Zotit, plot Shëndet,  Jetë të gjatë,  Mbarësi dhe Lumturi përherë! 

Zoti Bekoftë Ty, Dalip dhe Familjen Greca! 

Zoti Bekoftë Vatrën & Diellin, shqiptarët dhe Amerikën.

*Mëhill VELAJ

Kryetar i SHSHSHA

Stamford CT USA

July 2021

Filed Under: Emigracion Tagged With: dalip greca, Mhill velaj

KËSHILLTARI I BASHKISË SË NEW YORK MARK GJONAJ, DEKOROI EDITORIN E DIELLIT DALIP GRECA

July 17, 2021 by s p

Sokol PAJA- DIELLI

New York më 17 Korrik 2021, Këshilltari i Bashkisë së New York-ut z.Mark Gjonaj nderoi editorin e gazetës Dielli z.Dalip Greca me rastin e daljes së tij në pension. z.Gjonaj shprehu vlerësimet më të larta për punën dhe kontributin 12 vjeçar të z.Greca në krye të Diellit dhe punën e madhe që ka dhënë në Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra. Ky nderim tha Gjonaj nuk është vetëm për z.Dalip por edhe për familjen e tij për sakrificat që ata kanë bërë në Vatër dhe në gazetën Dielli.

Në ceremoninë e dekorimit, Këshilltari Gjonaj u prit nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha i cili pasi shprehu falenderimet për vlerësimin që i bëhet editorit që drejtoi Diellin për 12 vjet, deklaroi se z.Mark Gjonaj është një krenari kombëtare për arritjet e tij dhe ndihmën që ka dhënë për komunitetin shqiptar në New York. 12 vite në Diell dhe 10 vite te Iliria janë një shërbim shumë i madh që Dalip Greca ka bërë për komunitetin shqiptar- tha Gjonaj. Dalip Greca ka qenë fisnik dhe i papërtuar në çdo kohë për të pritur e përcjellur njerëz në Vatër e kudo.

Mirënjohja dhe nderimi që ne i bëjmë sot është shumë pak përkundër talentit dhe shërbimit që ai i ka dhënë komunitetit tonë. Dalipi na bën shumë krenar të gjithëve. Duke nderuar Dalipin ne nderojmë familjen e tij dhe shqiptarët që janë shembull në komunitet- tha Gjonaj. Më tej shtoi: Dalipi Greca shërbeu me personalitet dhe integritet si një profesionist i shkëlqyer dhe qytetar shëmbullor- përfundoi fjalën e tij Këshilltari z.Mark Gjonaj. Editori Dalip Greca në fjalën e tij falenderuese për gjithë të pranishmit, e vlerësoi Mark Gjonajn për ndihmën e pakursyer që ka dhënë për Vatrën përgjatë gjithë karrierës së tij. z.Greca para të pranishmëve tregoi disa episode të mbështjes ndaj Mark Gjonajt dhe shprehu mirënjohje për vlerësimin e lartë që iu bë prej Këshillit të Bashkisë së New Yorkut. z.Greca tha se do i shërbejë Vatrës e komunitetit shqiptar përgjithmonë, me mish e me shpirt.

Në pritjen zyrtare me rastin e vlerësimit të editorit Greca, morën pjesë Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj, nënkryetari i Vatrës Ervin Dine, sekretarja e Vatrës zonja Nazo Veliu, Editori i Diellit Sokol Paja, anëtarët e kryesisë Mark Mrnaçaj, Anton Raja, anëtarët e Këshillit Simon Qafa, Ismer Mjeku, gazetari Halil Mula, anëtari më i ri i Vatrës Nosh Mrnaçaj dhe z.Mehmet Kadria. Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj falenderoi editorin Greca për shërbimet e jashtëzakonshme që ka bërë në Diell dhe në Vatër për 12 vite, ndau me të pranishmit kënaqësinë dhe krenarinë për arritjet e Diellit nën drejtimin e Dalip Grecës sidomos gjatë pandemisë globale ku Dielli u bë burim i dorës së parë të informimit për mediat shqiptare në Diasporë, Shqipëri, Kosovë e në mbarë hapsirat shqiptare. Sekretarja Nazo Veliu deklaroi se z.Greca ka qenë një personalitet i spikatur në New York dhe kryesisht i qytetit të Lushnjes dhe jo vetëm me veprimtarinë e tij dhe kërkoi që Vatra të bëjë një kërkesë për dekorimin edhe nga Bashkia e Lushnjës ku z,Greca ka kontribuar aq shumë. Në fund të takimit u anëtarësua në Vatër z.Shaqir Gjonbalaj i cili do të kontribuojë në degën Hudson Valley. Takimi u mbyll vëllazërisht me zotimin për të çuar përpara çështjen kombëtare dhe projektet që forcojnë komunitetin shqiptar në USA.

Filed Under: Emigracion, Vatra Tagged With: dalip greca, Mark Gjonaj, Vatra

SHQIPTARËT FAKTOR POLITIK NË NEW YORK

July 13, 2021 by dgreca

KANDIDATI REPUBLIKAN MARKO KEPI FLET PËR DIELLIN E VATRËS/

SHQIPTARËT FAKTOR POLITIK NË NEW YORK/

SOKOL PAJA – DIELLI/

Marko Kepi, kandidati Republikan për Këshillin Bashkiak të New Yorkut në një intervistë ekskluzive për Diellin e Vatrës deklaron se shqiptarët janë një faktor politik i pa kapërcyeshëm në New York. Ai tregon detaje nga fushata e tij elektorale dhe beteja për zërin shqiptar dhe votën e lirë në Staten Island.
TRANSPARENCA, THEMELI I DEMOKRACISË

Vota e lirë dhe transparenca e votës janë themeli i demokracisë. Unë dhe ekipi im kërkojmë me çdo kusht që nga Komisioni i administrimit dhe numërimit të votave të na ofrojë një proces të rregullt ligjor, të ndershëm, të barabartë dhe të numerohen të gjitha votat. Sot për sot ka një situatë absurde pasi janë bllokuar 370 vota, të gjitha vota shqiptarësh. Është rast i pa precedentë. Ne si ekip dhe shtab elektoral kemi arritur të kontaktojmë me të paktën 330 prej tyre që të firmosin edhe një herë që t’u numërohet vota e tyre. Rezultati është i ngushtë. Votuesit e tjerë shqiptarë dhe mbështetësit tanë janë me pushime dhe angazhime të tjera personale dhe profesionale dhe nuk na mjaftoi afati ligjor 7 ditor për ti marrë të gjitha firmat e tyre me qëllim numërimin e votës së bllokuar. Asnjë Komision, asgjë në këtë botë nuk e ndal transparencën e votës. Ne do ti ndjekim të gjitha rrugët tona ligjore për ta kërkuar fitoren dhe votën tonë.

FUSHATA, NJË ORGANIZIM MODEL

Ne si ekip zhvilluam një fushatë spektakolare. Si kurrë më parë komuniteti shqiptar në zonën time elektorale është përfshirë fuqishëm me qëllim që të ketë zërin e tij në Këshillin Bashkiak të New Yorkut. Unë shpërndava platformën time elektorale dhe mora mendime konstruktive nga gjithë komuniteti votues dhe sidomos ai shqiptar në zonën ku garoj. Dua në veçanti të falenderoj e ti shpreh mirënjohjen time të thellë shqiptarëve fisnikë dibranë që në këtë fushatë më kanë mbështetur pa hezitim. Shqiptarët nga Dibra më kanë lënë mbresa fantastike. Në përgjithësi kemi pasur një bashkëpunim të frytshëm me të gjithë shqiptarët, ndonëse kurdoherë kërkohet më shumë bashkim e bashkëpunim për të mirën e komunitetit tonë.

SHQIPTARËT FAKTOR POLITIK NË NEW YORK

Nga viti në vit, nga zgjedhjet në zgjedhje, pesha dhe forca politike e shqiptarëve po rritet. Është një ndjesi fantastike. Pritshmëria është e madhe në këto zgjedhje dhe garat vijuese pasi Republikanët janë forcë politike kryesore në Staten Island dhe kryesojnë bindshëm. Asnjëherë nuk mund ta nënvlerësoj kundërshtarin pasi kjo do shkaktonte vetëkënaqësi dhe neglizhencë. Çdo kundërshtari i duhet dhënë rëndësia dhe hapësira e duhur. Si kurrë më parë në këto zgjedhje, kemi kaq shumë kandidatë shqiptarë. Në këtë fushatë ne si shqiptarë kemi bërë histori sepse është hera e parë që në Staten Island një kandidat fiton kundra makinerisë super të fuqishme të republikanëve dhe thyen zinxhirin e kandidatëve që ata kishin planifikuar me vite me radhë. Shqiptarët janë faktor real.  Tashmë jemi faktor që ndryshon shifrat e fitores për shumë gara në këtë zonë zgjedhore dhe jo vetëm. Duke u rritur pesha po rritet dhe rëndësia e shqiptarëve në skenën politike në New York.

KËRKOHET BASHKIMI I SHQIPTARËVE

Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për njëri tjetrin si patriotë shqiptarë. Mesazhi Im është që të bashkohemi më shumë se forca jonë do jetë shumë më shumë se sa një politikan garues, por si një komb që futet në garën e fitores. Kemi popullsinë (forcës) për 3 politikanë në këtë zonë. Duhet të krijojmë qendrën tonë Illyria House ku të ruajmë me çdo kusht traditat gjuhën dhe kulturën tonë kombëtare shqiptare.

BETEJA NË KOMISION TË NUMËRIMIT

Do ta quaja shfaqje komuniste “grabitjen” e të drejtës së numërimit të votës. Ne në këtë betejë kemi treguar forcë dhe qëndrueshmëri. Nuk jemi ndalur as kthyer mbrapsht. Betejën për çdo votë shqiptare do ta zhvillojmë edhe në një kohë kur politikanët shqiptarë që kemi në Nju Jork nuk po na mbështesin sa duhet për të ruajtur votat shqiptare, ndërsa politikanët grekë na sulmuan me në krye Georgia Kontzamanis (Director of operations) në KQZ e Nju Jorkut që akoma vazhdojnë luftën për të mos u numëruar votat e shqiptarëve. Kjo betejë është për shqiptarët mbi të gjitha, jo vetëm për Marko Kepin. Sfida jonë e ardhshme është beteja kundrejtë Demokratit Sal Albanese. Sa më shpejt që të fillojmë punën do të jetë më e lehtë për komunitetin tonë për ta fituar atë betejë politike.  

Filed Under: Emigracion Tagged With: FAKTOR POLITIK, Marko Kepi, shqiptaret, Sokol Paja

Disa rreshta për përfoljen

July 5, 2021 by dgreca

   SHKRUAN:ALFONS GRISHAJ-  Sa më tepër ballafaqohem më rritjen e mjeranizmin-përfolës… aq më tepër falemnderoj Zotin , që nuk i dha njeriut  akses më të madh  se 10-15 %  të përdorimit të trurit. Sepse , po të realizohej një gjëmë e tillë , nuk do të kishte më tokësorë , por vetëm fluturakë që do fekondoheshin  në ajër si hutini… dhe si pterosaurs do të hanin njeri-tjetrin pa rënë në tokë.

Përfolja si fenomen është një nga pikat e errëta të  dobësisë së karakterit njerëzor  që ashtu si gënjeshtra krijon një fryrje artificiale  deri në ankth shpirtëror. Gjendje  dhune  psikologjike  sistematike   që e  lodh dhe të fortin.

         Përfolja është  sëmundje e një shumice inferiore patrajtë  që  ngjiz llapazanllëkun   si kroma  në oazin e shoqërisë   “moderne” ( mjafton të kujtosh “Komedinë Njerëzore” të Balzakut”) , duke  e   përpunuar në art  zbavitës , si poemth  hëne… bash  në terrin e ndërgjegjes së kalbur. Përfolja  është si frysa që mund t’a kthesh në çdo lloj forme për ti shërbyer  momentit dhe përkohësisht qëllimit duke penetruar deri tek veshë “dembelë”, që nuk pranojnë leksione kurbani, por prapëseprapë  si atomizer  erëmojnë parfum   fekalesh.

         Disa mendimtarë , përfoljen e quajnë si objekt të një shoqërie të përkufizuar intelektuale, e cila plotëson honin e mosdijes dhe  kohën e lirë e të bollshme. Ndërsa unë mendoj të kundërtën: vetë shoqëria jonë gjoja intelektuale prodhon përfoljen për qëllime  denigrimi, përfitimi , shtypje,  matrapazllëku , egoizmi dhe  shformimi..

          Përfolja nuk i shërben bariut, i cili është në dashuri me bagëtitë , fyellin , barin e njomë , yjet dhe pemët…, sepse  bariu me këtë pasuri natyrore është një Perëndi në parajsën e vet. Por , i shërben  hibriteve  moderne … farërave të këqija  që artificialisht mundohen të bëhen dragonj e udhëheqës… e dikushi nga askushi. 

        Sot ,  e keqja e dhimbshme  është se  shoqëria jonë ushqehet me jashtëqitjen e kafehaneve dhe paneleve mediokër, fb , opinioneve shterpë , “përkthyesve” gugëlianë dhe ca gazetarë teknefez, të cilët , duke u ushqyer si qentë nga  sponsorë bakërxhinjë… flijojnë dhe glorifikojnë : ngrejnë haletë dhe “fikin” yjet. Sorrat i bëjnë  pëllumba e pëllumbat minjë! Fallusin e bëjnë tra për të mbajtur peshën e shtetit… dhe burrin i shtetit … “legen e non grata”! Shokun e bëjnë kërmë për vulture. Hëm ! Ky është mjeranizmi i shoqërisë përfolëse konteporane , shoqëri   pakurrëfarë  principesh. Të prekur më thellë nga ky virus është shumica e ish -familjeve të privilegjuara gjatë rregjimit të kampit komunist në botë. Shumica e tyre …(të lurtuarit e asj kohe) janë si gjarpërinjë  në gji , ku dhe nëse i afron …, ua jep mundësinë  e ndryshimit, ato përsëri të kafshojnë në njëmijë mënyra. 

        Varfëria shpirtërore dhe intelektuale që ndjell ky nivel i ulët  zbret si hije e zezë shtrigash në çdo aspekt të jetës  dhe fatkeqësisht  “inteligjenca moderne” i ushqen si Piranha-nët…që e zhveshin prehën deri në kockë. 

Në këtë  kontekst,  kundër-arma më e fuqishme ndaj përfoljes është stoicizmi! Po i ike përfoljes , ajo të ndjek nga pas. Nëse i qëndron stoikisht … ajo tërhiqet nga  ftohtësia e kështjellës së arsyes dhe shuplaka  e virtytit. 

            Ka njerëz që  dorëzohen  në luftë me fantazmën e përfoljes, duke e braktisur njerëzisht  betejën e kësaj murtaje. Por ,  njerzillëku  i heshtjes nuk  ia pret dot rrezen e veprimit përfoljes. Vdekja e saj vjen vetem pas transformimit  të njeriut,  nga i shformuar në qënie humane.

          Disa të tjerë mendojnë se injorimi është një tjetër armë ndaj përfoljes, por shpesh injorimi nuk është fitorja ndaj të keqes por pakt i  bërë  me vetveten që sjell vetëm qetësi të shtirë  . 

Marcus Aurelius ( Perandor , luftëtar , filozof , i fundmi  stoicist i antikitetit) në librin e tij “The Meditations”, na përcjell  mesazhet  e filozofisë stoike. Stoicizmi mbetet një mburojë që mund t’a përdorësh kudo. Sepse në thelb ka virtytin , natyralen , ligjin e arsyes , zgjuarsinë   etj… 

Stoicizmi lundron nëpër dallgë si delfini që  gjiron rërën si tymnajë  duke e kthyer sulmuesin vocërrak aventurier nga predator  në prehë! 

Filed Under: Emigracion Tagged With: alfons Grishaj

DR. SALI BERISHA I SHKRUAN BORDIT EKZEKUTIV TË VATRËS

June 29, 2021 by dgreca

Dr. Sali Berisha/

Ish President & ish Kryeministër i Republikës së Shqipërisë/

Rr. Mustafa Matohiti, P. 7, Tirana 1000/

Tel: +355 69 209 9410/

E-mail: profsberisha@albaniaonline.net/

Të dashur dhe të nderuar antarë të Bordit Ekzekutiv të Vatrës!/

Të dashur anëtarë të Vatrës!

Lexova me kënaqësi deklaratën e Bordit Ekzekutiv të Federatës Pan – Shqiptare të Amerikës, Vatra, në lidhje me shpalljen time, persona non grata, nga Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Për këtë ju falenderoj të gjithëve emër për emër.

Një masë e tillë e aplikuar ndaj familjes time dhe ndaj meje përsonalisht, më ka lënduar shumë. Kjo përveç tjerash edhe se ndjehesha dhe ndjehem luftëtari më i paepur kundër komunizmit në Shqipëri, i asaj ideologjie dhe sistemi kriminal të cilin Ronald Regan e ka quajtur “Perandoria e të Keqes”. Po ashtu ndjehem edhe miku më i madh i Juaji dhe i atdheut tuaj të dytë – ShBA – së.

Jam ndjerë dhe ndihem edhe sot si promotori i hapjes së Shqipërisë ndaj perëndimit dhe veçanërisht ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si mikja më e madhe e kombit shqiptar. 

Që në ditët e para të angazhimit tim politik – pro – amerikan dhe pro – perëndimor, kam ndjerë afërsinë e Vatrës, si organizata shqiptaro – amerikane më e njohur dhe më aktive në mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar në Ballkan. Ju, si patriotë të vërtetë, keni influencuar me mjetet tuaja  legale, mbi politikën e jashtme të shtetit amerikan ndaj popullit tonë. Unë e ndjej se principet dhe qëndrimet e Vatrës janë edhe sot e kësaj dite të njëjta që në kohën e themelimit të saj.

Shpalljen time persona ‘non grata’ e konsideroj si një veprim aksidental, të ndërmarrë tërësisht pa bazë, pa fakte dhe pa prova. Nuk ka ekzistuar kurrë   dhe nuk ekziston asnjë  akuzë e adresuar ndaj meje, bashkeshortes dhe fëmijëve të mi prej ndonjë entiteti ligjor as në Shqipëri dhe as në botë. Gjithçka në atë vendim është bazuar në   trillime të sajuara prej atyre që në vitet 1990 flaknin flamurin amerikan si leckë ndërsa sot hiqen si dashnorët më të mëdhenj të vendit tuaj.

Ata që kanë trilluar fallcitete të tilla, çdo gjë mund të jenë por jo miq të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ata janë armiq të demokracisë dhe lirisë për të cilën ne luftuam së bashku me ju vatranë të dashur, që në ditët e fundit të dhjetorit 1990 e deri më sot. Kapja e shtetit sot shkon në drejtim krejt të kundërt me atë që Ju ëndërronit dhe ne punuam për Shqipërinë.

Bordit Ekzekutiv të Federatës Pan Shqiptare të Amerikës, Vatra

New York 

Fatkeqësisht, tërë ata që në atë kohë ishin kundërshtarët më të egër të Amerikës, e kanë ndërruar lëkurën e ujkut dhe në një mënyrë iluzicioniste dhe të paqartë për Amerikën e vërtetë, janë maskuar dhe shiten si miq të Amerikës. Ndërkohë, njerëzit tuaj, të persektuar për gjysëm shekulli vetëm se e donin Amerikën, dhe ju kishin juve atje, sot janë thjeshtë të shokuar, të tëhuajtur në vendin e tyre, të pashpresë dhe të paqartë me qëndrimet toleruese që mbahen nga ata që më kanë shpallur mua ‘non grata’ ndaj keqbërjeve të falangave post – komuniste, në Shqipërinë e sotme.

Dua t’ju siguroj, të dashur vatranë, patritotë, shqiptaro – amerikanë, se nuk do t’ju zhgënjej kurrë! Ju siguroj se shpallja ime persona ‘non grata’, nuk e zbeh besimin tim të patundur te miqësia që kam personalisht, familjarisht dhe politikisht me Amerikën dhe me Juve. Ndërkohë ju siguroj që nuk do t’ju zhgënjej në besimin që ju keni se asnjë nga hamendjet që janë dhënë në atë arësyetim të thatë dhe atë vendim absurd, nuk qëndrojnë.

Unë i sfidoj trilluesit e një vendimi të tillë me mbrojtjen ligjore, me nderin dhe dinjitetin tim dhe të familjes time, me krenarinë e një patrioti shqiptar, dhe të një dashamirësi të patundur ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke ju falenderuar nga zemra, mbetem,

I Juaji,

Dr. Sali Berisha

    ***. 

Dr. Sali Berisha

Former President & Prime Minister of the Republic of Albania

Rr. Mustafa Matohiti, P. 7, Tirana 1000

Albania

Tel: +355 69 209 9410

E-mail: profsberisha@albaniaonline.net

Tirana, Albania, June 25, 2021

Dear and honored members of the Executive Board of Vatra!

Dear members of Vatra!

I read with satisfaction the statement of the Executive Board of the Pan-Albanians Federation of America, Vatra, regarding the designation of me, as a persona ‘non grata’, by the US Secretary of State.

I do thank you all, the name by name, for your understanding!

Such a measure has severely hurt my family and me, personally. 

Furthermore, among other things, such a decision did hurt me, as I did feel and still feel myself the fiercest and invincible fighter against communism in Albania, an ideology, and a criminal system which Ronald Reagan once called “The Evil Empire”. At the same time, I feel that I am a great friend to you and your second home – the United States.

Moreover, I have felt and still feel today as a promoter of Albania’s openness toward the west and further down to the United States of America, considering the latter the greatest friend of the Albanian nation.

From the very first days of my pro-American and pro-Western political involvement, I felt the proximity of Vatra, as one of the more active Albanian American organizations, in defending the rights of the Albanian people in the Balkans. You, as true patriots, have influenced with your legal means, the foreign policy of the American state towards our nation. I do assert that the principles of Vatra are still today the same as those of the days when it was founded. 

I do consider the decision to declare me and my family as persona ‘non grata’ as an accidental action, taken completely unfounded, without facts, and any evidence. There has never been and there is no accusation/indictment submitted towards me, to my wife, or my children by any legal entity, either in Albania or in the world. Everything in that decision is based on fabrications invented by those who in the 1990s did throw the American flag like a rag while today they show themselves, hypocritically, as the “biggest lovers” of your country, the USA.

Those who have fabricated such forgeries can be anything but friends of Albania and Albanians. They are the enemies of democracy and freedom for which we fought together with you dear members of Vatra, from the last days of December 1990 until today. The capture of the state today goes in the opposite direction to what you dreamed of and we worked for Albania.

To the Executive Board of the Pan – Albanian Federation of America, Vatra

New York

Unfortunately, all those who, at the time were America’s staunchest opponents have disguised their wolf’s skin and in an illusory and vague way about true America, sell themselves like the friends of America. Meantime, your people, who were persecuted for half a century only because they loved America and because you were there, in the USA, today they are simply shocked, alienated from their country, hopeless and ambiguous about the tolerant attitudes held by those who have declared me ‘non grata’ to the wrongdoings of the post-communist phalanx in power in today’s Albania.

I want to assure you, my dear members of Vatra, the patriots, the Albanian-Americans: I will never disappoint you!

I assure you that the designation of me as persona ‘non grata’ does not diminish my firm belief in the friendship that I have personally together with my family towards the United States.

In the meantime, I assure you that I will not disappoint you in the belief that none of the allegations given in that dry reasoning and in that absurd decision, do stand.

I challenge the fabricators of such a decision with legal protection, with the honor and dignity of myself and my family, with the pride of an Albanian patriot, and an unwavering benevolence towards the United States of America.

Thanking you from the bottom of my heart

Yours

Dr. Sali Berisha

Filed Under: Emigracion Tagged With: Bordit Ekzekutiv, Dr. Sali berisha, leter, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 95
  • 96
  • 97
  • 98
  • 99
  • …
  • 183
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE
  • ALBANIAN HERITAGE BOOKSHELF INITIATIVE
  • Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne
  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT