• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Humnera që vjen prej gjuhës sonë

October 26, 2023 by s p

Agim Baçi/

Umberto Eko, teksa analizonte mënyrën se si shfaqen njerëzit sot në publik, shkruante se, “fatkeqësisht sot shumë njerëz po e pranojnë se është më mirë të jesh një hajdut i mirënjohur, sesa një i ndershëm i injoruar nga të gjithë”!.

A nuk e kemi hasur dhe ne në përditshmërinë tonë këtë arrogancë? A nuk jemi ne që, pasi kemi dëgjuar dikë të krenohet se ka bërë korrupsion, vazhdojmë të qëndrojmë me to pas krekosjes për këtë “kryevepër”? Sa nga ne i kanë braktisur tryeza të tilla, ku ka nga ata që krenohen për të tilla “vepra”, ndërkohë që të tjerë të pranishëm i thonë “bravo”, apo kur ikën ai apo ajo nga tavolina, i thonë “bravo filani, bir kurve, ka bërë para”!

Sociologu i njohur polak, Zigmunt Bauman, shkruante kohë më parë sesi “rrjetet sociale”, që përfaqësojnë instrumente të vëzhgimit të mendimeve dhe emocioneve të të tjerëve, po përdoren e shfrytëzohen nga pushtete të ndryshme me qëllim kontrollimin, duke nxjerrë në pah heqjen e kufirit të turpit për veprime që dekada më parë do bënin gjithkënd të skuqej, nëse merrej vesh veprimi i tij.

Atëherë, çfarë mund të bëjmë kur nuk i plas më askujt për asgjë? Si mund t’i orientojmë të rinjtë sot kur, në komunikim, ka rëndësi që të dukesh, e jo thelbi i asaj që thua?

Padyshim që korrupsion, vrasje, apo perversitete ka patur kurdo e kudo, në gjithë historinë njerëzore. Por shoqëritë janë dalluar nga barrikada që bëjnë ndaj të padrejtës, ndaj së keqes, ndaj ligësive apo dhe ndaj indiferencës për këto akte. Dhe ne sot jemi në atë pikë të paralajmërimit të Umberto Ekos, ku hajduti publik ka epërsi ndaj të ndershmit që injorohet, madje që quhet “naiv, i ngathët”.

Librat e shenjtë e kanë paralajmëruar rrezikun që na vjen nga humnera që shkakton gjuha e lëvdimit për të qenurit i aftë në vjedhje, korrupsion apo ligësi. Ne thjesht po e jetojmë, gati të dorëzuar përballë qytetarisë që ka marrë i forti, grabitësi, i korruptuari- fiks siç i do pushteti qytetarët e tij, të paaftë të dallojnë dhe të denoncojnë të drejtën nga e padrejta. Pas kësaj, pushteti do e përdorë këtë humnerë të gjuhës sonë dhe komunikimit tonë publik, për të krijuar pamundësinë e kundërshtisë ndaj të padrejtës, ndaj të keqes.

Nëse kjo humnerë thellohet, nuk ka pse të habitemi se një kryeministër apo politikanë të tjerë, tallen me qytetarët, madje, duke folur në emër dhe dëshirave të qytetarëve!

Filed Under: ESSE

Mikpritja jonë e gabuar në gjuhën shqipe! 

October 25, 2023 by s p

Sevi Lami Agolli

Kur udhëton nga një vend tjetër drejt vendit tënd, drejt Shqipërisë, krahas mallit dhe emocioneve që po shkel në tokën tënde, se më fund arrin të dëgjosh shqip dhe të komunikosh lirshëm në gjuhën e nënës, emocionet dhe mallin për vendin tënd ta mbytin tabelat që të urojnë mirëseardhjen, që janë plot me gabime drejtshkrimore. 

Pikërisht në vendin ku fillon toka shqiptare, para syve të del tabela e zverdhur dhe e pluhurosur, që të uron “Republika e Shqiperise – Miresevini!”. 

Këtë shprehje e has edhe nëpër xhamat e sporteleve të doganës, kudo nëpër pikat doganore të Shqipërisë. Përpiqesh ta largosh mendjen nga këto pakujdesi të rënda dhe të përqendrohesh te ndjesitë e çmalljes me atë copëz tokë të shtrenjtë, që quhet vendlindje.

Pasi përfundon procedurat në doganë, dalëngadalë futesh më në brendësi të atdheut tënd, më në brendësi të mijëra e mijëra kujtimeve që ke aty. Por, sapo bën hapat e parë, një zile në telefon të njofton për një mesazh të ardhur në kutinë tënde të mesazheve. Është kompania celulare, që të uron mirëseardhjen, po me gabime drejtshkrimore:  “Miresevjen ne Shqiperi…” 

Pas kilometrave të parë për në brendësi të vendit tënd, kalon para disa qyteteve, që u paraprin një tabelë e shkruar po ashtu me gabime: “Mirësevini në qytetin X!”. 

Mund të kesh kaluar shumë shtete e qytete nëpër botë, por asnjëri prej tyre nuk ta uron mirëseardhjen të shkruar me gabime! Po ne, pse i kushtojmë kaq pak rëndësi gjuhës sonë nëpër institucione të rëndësishme shtetërore?! Pse këtë gjuhë të shkruar e mbrojtur me gjak, sot e shpërfillim dhe e shkelim kështu?

Gjuha është një ndër simbolet më të rëndësishme të një kombi. Ajo përcakton identitetin dhe mbart në vetvete historinë dhe kulturën e tij. Lufta kundër gjuhës shqipe ka qenë e ashpër, e egër, mizore. Pushtues të ndryshëm që kanë sunduar vendin tonë kanë bërë përpjekje për ta shfarosur me të gjitha mënyrat. Shumë atdhetarë dhe patriotë të shquar shqiptarë dhanë jetën e tyre, që shqipja të mos vdiste, por të jetonte… Dhe rruga deri në Kongresin e Manastirit qe mjaft e vështirë, por vendimtare për fatin e gjuhës sonë. E sot, falë këtyre përpjekjeve të përgjakshme, ne kemi një pasuri kombëtare, siç është gjuha jonë. Një pasuri që nuk e njohim, që nuk e vlerësojmë dhe nuk dimë ta çmojmë! 

Një pasuri që sot po e përdhosim çdo ditë e më shumë… 

Këto mendime t’i ndërpret një tabelë edhe më trishtuese se të parat. “Mirësevini nxënës të dashur!” shkruhet në hyrjen e një shkolle… E kur këtë urim e has të shkruar gabim edhe në institucione ku merren dijet bazë të gjuhës shqipe, gjendja bëhet vërtet edhe më e pashpresë! 

Drejtshkrimi ynë po bën gjysmë shekulli jetë dhe rregullat e gjuhës shqipe janë “vendosur dhe vulosur” një herë e mirë aty gjysmë shekulli më parë dhe nuk është se po i shpikim sot, por ne nuk i njohim! Përveçse nuk i njohim, nuk marrim mundimin të konsultohemi, pyesim, të shfletojmë, të paktën kur duam të shkruajmë një emërtim publik, një tabelë, një njoftim etj.

Si rregullave të gjuhës shqipe, shprehjet pasthirrmore që shprehin përshëndetje, urime, falënderime, ngushëllime shkruhen ndaras, pasi pjesët përbërëse të tyre e ruajnë pavarësinë kuptimore!

Dhe kemi “Mirë se vini! Mirë se erdhe! Mirë se vjen! Mirë se rrini! Mirë se ju gjeta! Mirë ardhsh! Mirë mbetsh! 

KUJDES! Këto lokucione shkruhen bashkë vetëm kur marrin veçoritë e emrit, (dhe për t’i dalluar, ato kanë një përdorim të rrallë). P.sh.: I uroi mirëseardhjen. Fjala e mirëseardhjes. Në shenjë mirëseardhjeje etj.

Ndaj, të dashura pika doganore, kryetarë bashkish dhe drejtues të shkollave, që kontrolloni dhe drejtoni punët në këto institucione shtetërore, shkruajini saktë këto tabela, ashtu siç i ka hije gjuhës shqipe!

Filed Under: ESSE Tagged With: Sevi Lami Agolli

Pedagogjia Manipuluese vs. Pedagogjia Komunikuese

October 24, 2023 by s p

Viliem Kurtulaj

Universiteti Qiriazi/

Duke qenë se arsimi është një nga format e shumta të ndërveprimit shoqëror, pedagogjia është një fushë ku diskurset apo ligjërimet zhvillohen dhe luajnë një rol të rëndësishëm. Studiuesi holandez Gert Biesta, në artikullin e tij të titulluar “Pedagogy Without Humanism: Foucault and the Subject of Education” (1998), shpjegon se ekzistojnë dy koncepte kryesore të arsimit: a) arsimi si manipulim dhe b) arsimi si komunikim. Nëse bëjmë një dallim në epoka, pedagogjia manipuluese lidhet më së shumti me epokën moderne, ndërsa pedagogjia komunikuese lidhet kryesisht me epokën pasmoderne. Duke iu referuar konceptit të parë (pedagogjisë manipuluese), mësuesi dhe nxënësi hyjnë në komunikim në klasë si të pabarabartë. Nga ana tjetër, qëndron pedagogjia komunikuese e cila lidhet me qasjen pasmoderne. Kjo e fundit nuk e sheh arsimin thjesht si një marrëdhënie instrumentale. Sipas pedagogjisë komunikuese, marrëdhënia instrumentale në arsim e injoron personalitetin në zhvillim të nxënësit. Në pedagogjinë komunikuese, mësuesi dhe nxënësi mund të konsiderohen të barabartë në procesin mësimor (mësimdhënie-mësimnxënie) në shkollë.

Nga një këndvështrim i ngushtë, mund të thuhet se nëse aplikohet pedagogjia manipuluese, ndikimi i ushtrimit të pushtetit është i fortë sepse mësimdhënësi ushtron drejtpërdrejt pushtet mbi nxënësin, ndërsa nëse aplikohet pedagogjia komunikuese, ndikimi i ushtrimit të pushtetit është më i dobët sepse të dyja palët (mësues – nxënës) ushtrojnë pushtet në një proces ndërveprues, dhe, për rrjedhojë, kundërshtojnë dhe balancojnë ndikimin e njëri-tjetrit. Në klasë, diskursi që institucionalizohet është, me së shumti, ligjërimi i mësuesit, sepse, formalisht, ai është autoriteti. Pra, ligjërimi i mësuesit prodhon të vërteta për nxënësit. Për rrjedhojë, është mësuesi ai që ushtron pushtet mbi nxënësit. Sidoqoftë, kjo është vetëm gjysma e fotografisë. Duke iu referuar filozofit francez Michel Foucault, ushtrimi i pushtetit nuk është aq i thjeshtë dhe nuk funksionon ekzaktësisht në këtë mënyrë. Sipas tij, pushteti mund të gjendet kudo, sepse pushteti mund të prodhohet në çdo kohë, në çdo pikë, në secilën marrëdhënie. Marrëdhëniet e pushtetit mund të shihen si një rrjet, ku pikat nga ku ushtrohet pushteti dhe pikat mbi të cilat ushtrohet pushteti mund të jenë kudo. Për rrjedhojë, pretendimi për të zhdukur ushtrimin e pushtetit në klasë duke ndryshuar teknikat e mësimdhënies duket pothuajse i pamundur. Në çdo situatë, personat e përfshirë do të vazhdojnë të ushtrojnë pushtet mbi njëri-tjetrin, në përmasa të ndryshme, madje edhe pa dijeninë apo qëllimin e tyre.

Në pedagogjinë manipuluese, mësuesi dhe nxënësi janë të pabarabartë në procesin e komunikimit në klasë sepse mësuesi është një person i rritur dhe, rrjedhimisht, konsiderohet subjekt. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për nxënësin i cili është i mitur (në arsimin parauniversitar) dhe është në vazhdim të një procesi formal të të mësuarit. Nxënësi konsiderohet si një subjekt potencial ose subjekt në formim. Pra, marrëdhënia mësues – nxënës këtu është asimetrike. Nxënësi është ende në procesin e të bërit subjekt, i ndikuar nga procesi pedagogjik (manipulues).

Siç e përmenda më lart, modernizmi lidhet me formën manipuluese të pedagogjisë, ndërsa më vonë, pasmodernizmi solli ndryshime në formën e pedagogjisë duke kaluar nga metoda manipuluese në atë komunikuese, duke pretenduar se me formën e re pedagogjike do duhet të shmanget manipulimi i nxënësve nga mësuesi. Nga ana tjetër, pedagogjia manipuluese nuk përpiqet të mohojë manipulimin e nxënësit nga mësuesi. Përkundrazi, ajo ka argumentet e veta pse mësuesi duhet të manipulojë nxënësit, në vend që të ndjekë komunikimin simetrik mes të barabartëve në klasë.

Pedagogjia manipuluese qëndron prapa idesë se arsimi në shkolla duhet të jetë asimetrik sepse marrëdhënia mes mësuesit dhe nxënësve është një marrëdhënie midis dy subjekteve jo të barabarta, ose ta themi më qartë, midis dikujt që tashmë është subjekt (mësuesi) dhe të tjerëve që u duhet ende të bëhen subjekte të plota (nxënësit). Pra, mësuesi ka një mision për të kryer. Ai duhet të punojë në procesin e mësimdhënies dhe në formimin e subjektit të nxënësve. Në këtë drejtim mund të na ndihmojë koncepti i studiuesit brazilian Paulo Freire, i njohur si pedagogjia kritike ose pedagogjia çliruese (liberatory pedagogy). Freire shkon më tej duke thënë se pedagogjia kritike/çliruese ndihmon si mësuesin, ashtu edhe nxënësit, të bëhen subjekte duke zhvilluar vetëdijen ose ndërgjegjen. Ai e konsideron vetëdijen si një kusht që njeriu të bëhet subjekt. Mësuesi, i cili është i rritur, i arsimuar dhe i trajnuar për të qenë i tillë, normalisht është i vetëdijshëm për rrethanat dhe pasojat e veprimeve të tij. Për rrjedhojë, mësuesi është subjekt. Ndërkohë që nuk mund të thuhet e njëjta gjë për nxënësit nën 18 vjeç. Përderisa arsimi është një proces mësimdhënie-mësimnxënie ndërmjet subjektit dhe ende jo-subjekteve, është detyrë e mësuesit të manipulojë nxënësit për t’i ndihmuar ata në procesin e formimit të tyre si subjekte. Hapi i parë për t’i ndihmuar nxënësit të bëhen subjekte është vetëdijesimi dhe ndërgjegjësimi i tyre se ata nuk janë ende subjekte të plota, prandaj në këtë fazë duhet të mësohen/manipulohen nga një subjekt profesional dhe i specializuar, siç është mësuesi.

Pedagogjia manipuluese e sheh identitetin e nxënësit si rezultat të influencës pedagogjike. Ajo e konsideron subjektivitetin një efekt të ndikimit pedagogjik. Projekti pedagogjik modern (manipulues) bazohet mbi një supozim normativ, përkatësisht, në vlerën e pareduktueshme të subjektivitetit (në zhvillim) të nxënësve. Këta të fundit nuk janë ende të aftë ose të përgatitur për dialog dhe komunikim të vërtetë. Sipas Robert E. Young, nxënësit i mungon kompetenca komunikuese në kuptimin strikt në të cilin kompetenca komunikuese mendohet se përbëhet nga kapaciteti social për të hyrë në diskutim dhe aftësia njohëse për të gjeneruar ose kritikuar argumente. Siç thotë filozofi anglez Richard Stanley Peters, fëmijët mund dhe duhet të hyjnë në “pallatin e komunikimit” përmes “oborrit të manipulimit”. Pra, arsimi shihet si një trajektore ku manipulimi zhvillohet dhe transformohet në komunikim me kalimin e kohës.

Një faktor tjetër, i cili mund të përdoret si argument në favor të pedagogjisë manipuluese është mosha. Çdo person – duke përfshirë nxënësit – nuk konsiderohet plotësisht subjekt deri në një moshë të caktuar. Pedagogjia komunikuese thotë se edukimi duhet të jetë një proces komunikimi ndërmjet subjekteve. Nga këtu mund të shtrohet pyetja: Në çfarë moshe një person apo nxënës/student konsiderohet plotësisht subjekt (individ me përgjegjësi të plotë)? Për shembull, shumica dërrmuese e vendeve në botë nuk i konsiderojnë personat nën moshën 18 si plotësisht subjekte, prandaj prindërit ose kujdestarët e tyre ligjorë janë përgjegjës për ta dhe për veprimet e tyre. Duke qenë nën moshën 18 vjeç, individëve u mungojnë një sërë të drejtash, përfshirë të drejtën e votës, e cila është një nga të drejtat themelore të njeriut në botën demokratike. Mohimi i këtyre të drejtave për personat nën moshën 18 vjeç konsiderohet gjerësisht si i drejtë sepse të drejtat e plota janë për subjektet e plota. Personi nën moshën 18 vjeç është subjekt jo i plotë, prandaj gëzon të drejta jo të plota. Një nga këto të drejta që mohohet mund të jetë edhe e drejta për pedagogji komunikuese. Nëse pedagogjia e përdor këtë kriter për ta konsideruar ose jo nxënësin si subjekt – kriter i legjitimuar nga pothuajse të gjitha vendet në lidhje me disa të drejta të caktuara – atëherë pedagogjia manipuluese bëhet e pashmangshme, dhe pedagogjia komunikuese bëhet e paefektshme, pasi komunikimi – veçanërisht në institucione – konsiderohet si një proces që zhvillohet midis subjekteve. Si rezultat, nxënësi në shkollë duhet të manipulohet nga mësuesi për të mirën e tij për sa kohë që ai nuk është ende një subjekt i plotë.

Nga ana tjetër, pedagogjia komunikuese, siç mund të kuptohet, qëndron pas idesë së nevojës për komunikim të lirë dhe jo shtrëngues në klasë. E lidhur ngushtë me konceptet pasmoderniste, kjo teori pedagogjike zbërthen idenë moderniste të subjektit njerëzor si autonom, të pavarur, racional ose parasocial. Qenia njerëzore këtu konsiderohet si e prodhuar nga një sërë faktorësh dhe praktikash diskursive. Nga këndvështrimi i Foucault, edukimi në shkollë konsiderohet një proces i marrëdhënieve ndërsubjektive, prandaj ai nuk është një e vërtetë e dhënë për subjektivitetin njerëzor. Individi (mësues ose nxënës) është produkt i disa marrëdhënieve të pushtetit. Përmes ndërkomunikimit krijohet një marrëdhënie midis nxënësve dhe mësuesit. Kjo marrëdhënie duhet të jetë e barabartë dhe simetrike. Ndryshe nga pedagogjia manipuluese, e cila thotë se arsimi është një trajektore manipulimi që mund të zhvillohet dhe transformohet në komunikim, pedagogjia komunikuese thotë se procesi arsimor duhet të jetë gjithmonë një trajektore komunikimi.

Megjithatë, edhe pse nxënësit nuk janë ende plotësisht subjekte, një lloj dialogu në klasë do të ishte i dobishëm për ta. Kjo nuk do të thotë se nxënësit janë të barabartë me mësuesin gjatë procesit mësimor në shkollë. Do të ishte naive të besohej. As nuk do të thotë që nxënësit duhet të jenë të barabartë me mësimdhënësin në procesin e komunikimit në klasë, sepse, ndryshe nga mësuesi, ata nuk kanë për detyrë të japin mësim e të mësojnë të tjerët. Gjithsesi, ata duhet të kenë lirinë të shprehen. Dialogu në klasë duhet të shërbejë edhe për t’u dhënë nxënësve mundësinë për të mësuar se si të artikulojnë. Freire mbështet idenë e dialogut në klasë kur thotë se dialogu mes mësuesve dhe nxënësve nuk i vendos ata në të njëjtën pozitë profesionalisht, si dhe mësuesit dhe nxënësit nuk janë identikë. Në fund të fundit, është ndryshimi mes tyre i cili i bën ata pikërisht nxënës apo mësues. Nëse do të ishin thjesht identikë, secili mund të ishte tjetri. Dialogu është kuptimplotë pikërisht sepse subjektet dialoguese, agjentët në dialog, jo vetëm e ruajnë identitetin e tyre, por e mbrojnë atë në mënyrë aktive dhe kështu rriten së bashku. Pikërisht në këtë kuptim, dialogu nuk i vendos ata në të njëjtin nivel, nuk i barazon, e as nuk i redukton te njëri-tjetri. Mësuesi mbetet autoriteti në procesin mësimor ose, siç thotë studiuesi amerikan Wayne Au, në klasë, mësuesi është autoriteti, por nuk duhet të jetë “autoritari”.

Filed Under: ESSE

Miqësia

October 23, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

C. S. Lewis fillimisht u takua me J.R.R. Tolkien (autor i Lord of the Rings) në vitin 1926 dhe që nga ajo kohë zhvilluan një miqësi të përjetshme. Lewis, i cili ishte bërë ateist, gjeti rrugën e kthimit në teizëm dhe krishterim nën drejtimin e Tolkien.

Clive Staples Lewis lindi në Belfast, Irlandë, në 1898 dhe u zhyt shpejt në letërsi: filloi të lexonte kur ishte 3-vjeç dhe në moshën 5-vjeçare kishte filluar të shkruante tregime duke u mbështetur në fantazinë e tij

Vite më vonë, 19-vjeçar, Lewis shërbeu në Luftën e parë. Ai përjetoi një luftë në llogore në vijën e frontit në Somme, tmerret e së cilës i mbajti me vete gjatë gjithë jetës.

C. S. Lewis vdiq më 22 nëntor 1963 , por kjo nuk tërhoqi vëmendje, sepse John F Kennedy u vra në të njëjtën ditë.

Një javë para se të vdiste, ai i tha vëllait të tij: “Warnie, kam bërë gjithçka që jam dërguar në botë për të bërë dhe jam gati të shkoj”.

Ndërkohë, Tolkien e vlerësoi hapur Lewis-in si një burim kryesor inkurajimi krijues –

“Deri tani jam ndjerë si një pemë e vjetër që po i humbet të gjitha gjethet një nga një: por vdekja e tij është si një goditje me sëpatë pranë rrënjëve”, tha Talken për humbjen C.S. Lewis.

Vetë Lewis ishte shkrimtar pjellor i trillimeve. Temat fetare janë gjithashtu shumë të përhapura në veprat e tij mjaft popullore, të cilat përfshijnë Space Trilogy dhe, më e famshmja, The Chronicle of Narnias.

Miqësia, thoshte Lewis, është më e mira e kësaj bote – sakrifikoni pothuajse gjithçka për të jetuar aty ku mund të jeni pranë miqve tuaj.

Arsyeja është organi natyror i së vërtetës; por imagjinata është organi i kuptimit. Imagjinata, duke prodhuar metafora të reja ose duke ringjallur të vjetrën, nuk është shkaku i së vërtetës, por gjendja e saj. Të gjithë mendojnë se falja është një ide e bukur, deri kur të kenë diçka për të falur. Librat apo muzika në të cilën mendonim se ndodhet e bukura do të na tradhtojnë, e bukura vjen vetëm nëpërmjet tyre… Sepse nuk janë vetë gjëja; por vetëm aroma e një luleje që nuk e kemi gjetur, jehona e një melodie që nuk e kemi dëgjuar, lajme nga një vend që nuk e kemi vizituar kurrë. Ne i kemi trajnuar njerëzit që të mendojnë për të Ardhmen si një tokë të premtuar ku fitojnë heronjtë e favorizuar – jo si diçka që secili duhet të përpiqet për çfarëdo që të bëjë, kushdo qoftë. Të gjithë duam përparim. Por nëse jeni në rrugën e gabuar, përparim do të thotë të bëni një kthesë dhe të ecni përsëri në rrugën e duhur; dhe në atë rast, njeriu që kthehet më shpejt është njeriu më i përparuar. Ashtu si qielli i natës në poezinë greke, unë shoh me një mori sysh, por gjithsesi jam unë që shoh, jo dikush tjetër. Kur isha dhjetë vjeç, lexoja përralla në fshehtësi dhe do të kisha turp nëse do të më gjenin duke bërë një gjë të tillë. Tani që jam i moshuar i lexoj hapur. Kur u bëra burrë, i lashë gjërat fëminore, duke përfshirë frikën nga fëmijëria dhe dëshirën për të qenë shumë i rritur. Ju kurrë nuk e dini se sa shumë besoni me të vërtetë diçka derisa e vërteta ose e pavërteta e saj të bëhet një çështje jete a vdekjeje për ju. Vlera e mitit është se ai merr të gjitha gjërat që ne dimë dhe u rikthen atyre rëndësinë e pasur që është fshehur nga “veli i familjaritetit”. Një histori për fëmijë që kënaq vetëm fëmijët është një histori e keqe për fëmijë. Të mirat zgjasin. Një vals që mund të pëlqeni vetëm kur jeni duke vallzuar është një vals i keq. Shprehja tipike e fillimit të Miqësisë do të ishte diçka si, “Çfarë? Edhe ti? Mendova se isha i vetmi”. Shkrova librat që do të më pëlqente t’i lexoja. Kjo ka qenë gjithmonë arsyeja për të shkruar. Njerëzit nuk do të shkruajnë librat që unë dua, kështu që unë duhet ta bëj për veten time.

Një ditë do të jeni mjaftueshëm në moshë për të filluar të lexoni përsëri përralla.

Filed Under: ESSE

“Miq për Perëndinë, Dritë për popullin, Uratë për mëmëdhenë!”*

October 18, 2023 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave

#SiSot, më 18 tetor të vitit 1858, lindi në Manastir atdhetari Gjerasim Qiriazi.

Rilindasi dhe shkrimtari Qiriazi, ishte themeluesi i Kishës Ungjillore të Korçës dhe i shoqërisë “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë”. Së bashku me të motrën, Sevastinë, përgatiti në vitin 1892 projektin për hapjen e Shkollës së Vajzave dhe të Shkollës të së Dielës në Korçë.

Në nëntor të po atij viti, botoi numrin e parë të gazetës së shoqërisë që themeloi “Letra e Vëllazërisë”. Lëvroi penën në gjinënë e vjershës dhe të këgnës. Për shkak të angazhimit të tij, më 17 janar 1893, u bë objektiv i një atentati të pasuksesshëm. Ndërroi jetë më 2 janar të viti 1894 në moshën 35 vjeçare. Në vitin 1987, Qiriazit iu dha titulli “Mësues i Popullit”, ndërsa në vitin 1992, iu akordua titulli “Urdhri i Lirisë i Klasit të Parë”.

*Formula që udhëhoqi Qiriazin në veprimtarinë e tij kushtuar fesë dhe atdheut.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#GjerasimQiriazi

#FototekaAQSH

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 99
  • 100
  • 101
  • 102
  • 103
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT