• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria në Këshillin e të Drejtave të Njeriut

October 17, 2023 by s p

Nga Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe”
New York, Tetor 2023/

Për afatin kohor 2022 – 2023 Shqipëria u përzgjodh për herë të parë anëtare jo e Përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Gjatë fjalës së hapjes së kësaj ceremonie, ku u ngrit edhe Flamuri Shqipar, Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë pranë OKB-së, Ferit Hoxha tha se, “Shqipëria është e vendosur të luajë një rol aktiv dhe konstruktiv, duke përcjellë vlerat dhe parimet e saj në Këshillin e Sigurimit, duke bashkuar përpjekjet me të gjithë ata që synojnë ta bëjnë Këshillin më efikas, më të përgjegjshëm dhe më ndërveprues”. Pra Shqipëria u bë pjesë e një prej 15-të vendeve ulëse në organin më të lartë të OKB-së, për menaxhimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Por sipas një lajmi në rrjetin social “X” mësojmë se Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani deklaroi më datë 10/10/2023 se, Shqipëria u zgjodh anëtare e Këshillit për të Drejtat e Njeriut pēr periudhën 2024 – 2026, ku ndër të tjera tha, “Shqipëria si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut do të punojë brenda Këshillit të OKB-së, për të garantuar respektimin universal të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, për të gjithë individët pa diskriminuar askënd. Vendi ynë vijonte Ministri Hasani do të bashkëpunojë ngushtë me shtetet anëtare të OKB, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të gjithë partnerët për zbatimin e këtyre angazhimeve”.
Ky anëtarësim është i dyti për Shqipërinë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut pranë OKB-së, që njëherësh shënoi dhe refuzimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së duke ia refuzuar Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Në këtë konkurim për grupin rajonal të Europës Lindore, Rusia kishte përballë Shqipërinë dhe Bullgarinë, por pas votimit, 123 vende ishin pro Shqipërisë dhe 83 vota të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së shkuan pro Rusisë.
Pra Rusisë ju refuzua kjo e drejtë. Shqipëria duke filluar nga 1 janari i vitit 2024 deri më 31 dhjetor 2026 do të jetë një prej 15-të vendeve që do të ulen në KDNJ. Mendojmë se ndikim i këtyre arritjeve është edhe politika diplomatike e mbajtur nga Ambasadori i Shqipërisë pranë Misionit Shqiptar të OKB-së në New York, Ferit Hoxha, përsa i përket diplomacisë dhe çështjeve ndërkombëtare në mandatin e Tij të dytë.
Si Organizatë e Gruas “Shpresë & Paqe” ku në fokus kemi angazhimin e të drejtave të njeriut, grave dhe fëmijëve në SHBA, kërkojmë që ky vendim të trokasë fort në Ministrinë e Financave për avancimin e proçesit të dëmshpërblimeve për ish të burgosurit politikë të Shqipërisë, pasi nuk ka përfunduar akoma.

Filed Under: ESSE

Probleme të Vlorës dhe deputetët ushtarë të partive

October 16, 2023 by s p

Gëzim Zilja/

Janë gjithsej 12 deputetë të qarkut të Vlorës, dy të Foltores, një i PD-së zyrtare, një i çamërve dhe gjashtë të PS-së. Ata janë përfaqësues të popullit në parlament dhe si të tillë problemet themelore të banorëve të djathtë apo të majtë të Vlorës, duhet t’i trajtojnë në parlament me anë të ligjeve (të propozohen) ose me kërkesa për investime. Prej tridhjetë vitesh deputetët pjesën më të madhe të kohës e harxhojnë, duke punësuar  militantët, ndërhyrë në polici apo drejtësi për favore, duke nxjerrë leje ndërtimi për miqtë, duke ndikuar në pushtetet lokalë për të fituar një copë tokë qyl apo tenderin e radhës ndonjë miku i tyre dhe allishverishe të tjera. Nëse ata do të ishin përfaqësues të popullit për problemet themelore të qytetit në raste të veçanta do të bëheshin bashkë e do të flisnin me një gjuhë të unifikuar, që u shërben banorëve dhe jo interesave të caktuara të oligarkëve, grupeve të majta apo të djathta.  

Devijimi i lumit Shushica për ta çuar në bregdetin e Himarës.

Është një problem ekzistence, jetik për fshatrat e Lumit të Vlorës e më gjërë. Nga banorët e këtyre zonave (të djathtë e të majtë) dhe shoqatat ambjentaliste ky vendim i qeverisë është kundërshtuar, duke nxjerrë arsye shumë të forta, që kanë të bëjnë me florën, faunën dhe zhvillimin ekonomik të atyre zonave. Me përjashtim të deputetit Bujara Leskaj që e ka kundërshtuar me forcë devijimin e Shushicës në parlament, nuk kam dëgjuar deputet tjetër të djathtë të cicërijë ose recitojë diçka interesante kundër këtij projekti. Deputetët e majtë si zakonisht heshtin dhe pranojnë çdo veprim të KM-së së gjithëditur dhe të pakundërshtueshëm edhe pse e kanë për detyrë të flasin në parlament, për këto vendime që shkatërrojnë jetën e një krahine të tërë. Fundja të shprehen pro futjes së Lumit Shushica në tubo, duke e argumentuar pse duhet bërë ky devijim? 

 Instalimi i TEC-ve lundruese në Zvërnec.

Shumë politikanë, analistë, gazetarë, ekonomistë, janë shprehur qartë se kjo është një aferë e madhe korruptive, ndërsa shoqata dhe specialistë të ambjentit shprehen dhe argumentojnë se vendosja e tyre në punë do të sjellë pasoja katastrofike për florën dhe faunën detare dhe do të ndotin ajrin e qytetit me pasoja për shëndetin e banorëve. Përfaqësuesit e popullit heshtin. Edhe kur i kërkojnë TV-të kombëtare apo locale për tu shprehur, edhe kur i thërrasin ambjentalistët të bashkohen me ta në protesta, as marrin mundimin të hapin telefonin.   

Furnizimi i Vlorës me ujë të pijshëm

Vlora me rrethinat në pjesën më të madhe të saj vuan sidomos në verë nga mungesa e ujit. Janë hedhur miliarda euro për rrugë, beton, janë bërë, ç’bërë e ribërë nga dy e tre herë sheshe e rrugë të qytetit por asnjëherë nuk është bërë investim në rrjetin e ujësjellsit të Vlorës. U investuan rreth 140 milionë euro për tunelin e Llogarasë (Tuneli i Zamirit e quajnë) dhe rrugën Orikum-Dukat (Rruga e Gjikurisë, thonë) dhe asnjë nuk është ngritur e t’i thotë strategut të rilindjes së Vlorës, në parlament: “Zoti kryeministër: Pse kaq shumë para për një tunel apo rrugë ekzistuese, kur qyteti me rrethinat ka nevojë uluritëse për ujë?” Vetëm njëzetë milionë euro mjaftojnë që Vlora me gjithë fshatrat të ketë ujë çdo njëzetekatër orë. Në verë ka fshatra e lagje ku uji mungon me ditë të tëra. E di që militantët me grada e pa grada do më thonë: “Duhet Tuneli. Duhet rruga Orikum-Dukat se sjellin zhvillim,” Sigurisht që duhen them edhe unë. Po banorët e Vlorës thonë, që ka prioritete, dhe zgjidhja e çështjes së ujit është para asaj të Tunelit e të rrugës ekzistuese Orikum-Dukat. 

Nga dhe si do të zgjerohet qyteti dhjetëvjeçarët e ardhshëm?

Këto tridhjetë vjet Vlora është “zgjeruar” sipas parimit kaotik: Gjej vend e shesh bosh në qytet e ndërto ose duke kafshur, rruar e qethur kurorën e kodrinave (një kryevepër e natyrës) rrugë pa rrugë, nga hyrja e Vlorës deri në Jonufër e më tej, duke zhdukur sipërfaqe të tëra të gjelbra. Në shpatet e pjerrëta të kodrinave gjen edhe ndërtesa tetëkatëshe që është marrëzi sipas gjeologëve, inxhinierëve të ndërtimit dhe ambjentalistëve. Mendoj që deputetët e Vlorës në këto probleme duhet të jenë bllok dhe të kërkojnë një plan rregullues dhe zgjerues të qytetit për të ardhmen, duke ndërtuar lagje të reja. Nuk është e nevojshme të thërrasin miqtë e KM-së nga Danimarka apo Belgjika. Inxhinierët arkitektë, urbanistë, të ndërtimit në Vlorë janë të aftë ta bëjnë në mënyrën më të mirë. Ata e filluan projektin për zgjerimin e qytetit qysh në vitin 1996 por lufta e vitit 1997 rrënoi gjithçka. 

PS. Ka një projekt që para ish Akademisë së Marinës do të ngrihen së shpejti disa kulla. Nëse bëhet referendum, deputetët dhe KM-ja do të mësojnë se vlonjatët janë kundër këtij projekti. Ata shprehen  se në tokën para Akademisë (e vetmja hapësirë e lirë në Llungomare) duhet të ngrihet Muzeu Kombëtar i Detarisë. Deputetët si përfaqësues të popullit, duhet ta çojnë kërkesën në parlament e jo të sillen si ushtarë të partive. 

Filed Under: ESSE

Panamerikanizmi kosovar

October 14, 2023 by s p

Prof. Milazim Krasniqi/

Që nga riparaqitja e krizës në vitin 1989 e këndej, prezenca amerikane në Kosovë dhe lidhur me Kosovën ka qenë një element thelbësor për qetësimin e gjendjes dhe për orientimin politik të kërkesave të shqiptarëve. Deklaratat e kongresmenëve dhe të senatorëve, komentet e mediave dhe prezenca mjaft e shpeshtë e diplomatëve amerikanë në Prishtinë, krijuan një disponim të fuqishëm proamerikan në popull. Kjo ishte e lidhur edhe me proceset politike dhe ideologjike që po përshkonin Jugosllavinë. Meqë Millosheviqi ishte pozicionuar si vazhdues i ideologjisë komuniste, shqiptarët e Kosovës morën një kurs më të theksuar antikomunist. Ky kurs i ri i bashkonte me lëvizjet e mëdha antikomuniste që kishin përfshirë shumicën e shteteve të Evropës Lindore. Ndikimi më direkt vinte nga lëvizjet nacionale antikomuniste që zhvilloheshin në Slloveni dhe në Kroaci. Këto lëvizje përjetoheshin si aleanca të natyrshme në një front antiserb. Në vitet 1989-1991 kontakte dhe bashkëpunim më së shumti ka pasur ndërmjet shkrimtarëve dhe gazetarëve shqiptarë të Kosovës me shkrimtarë dhe gazetarë sllovenë e kroatë, të cilët edhe e formësuan me idetë e tyre opinionin publik. Në këto projeksione antikomuniste, si në planin lokal si në atë global, shqiptarët e ndjenin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë fuqia kryesore e cila do ta mundësonte fitoren mbi “murtajën e kuqe”, e prej këndej edhe fitoren mbi politikat represive të Millosheviqit.

Në vitin 1996 në Prishtinë u hap Zyra e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ishte një zyrë për kontakte dhe bashkëpunim kulturor. Mirëpo shqiptarët e përjetuan këtë zyrë si një ambasadë amerikane dhe kjo i motivoi edhe më shumë në kursin proamerikan.

Prezenca amerikane në Kosovë gjatë viteve të konfliktit të armatosur (1998-1999) ka qenë shumëplanëshe dhe i ka përcaktuar rrjedhat e zhvillimit të ngjarjeve. Ambasadori amerikan në Shkup, Kristofer Hill, ishte ndërmjetësues në kontaktet mes Prishtinës e Beogardit. Një kohë si emisar amerikan ishte Robert Gelbard, i cili u largua nën trysninë e regjimit të Beogradit. Më vonë u rikthye në skenën e përgjakshme ballkanike edhe Riçard Holbruku, i cili pati sukses në imponimin e takimit ndërmjet Rugovës e Milosheviqit në maj të vitit 1998. Roli i Holbrukut u bë përcaktues edhe në tetor të vitit 1998, kur arriti një marrëveshje armëpushimi mes palëve ndërluftuese (UÇK-së dhe forcave serbe). Ardhja e monitoruesve civilë të OSBE-së ishte rezultat i këtij angazhimi amerikan. Ndërsa roli i monitoruesve civilë të OSBE-së në janar të vitit 1999 do të jetë shumë i rëndësishëm për vlerësimin e arsyeve për intervenim ushtarak kundër caqeve ushtarake serbe. Sërish rolin kyç në këtë punë e pati një amerikan, gjenerali Uilliam Uoker. Kur ndodhi masakra mbi civilët shqiptarë në fshatin Reçak, më 15 janar 1999, gjenerali Uoker, në cilësinë e shefit të Misionit Monitorues të OSBE-së në Kosovë, e alarmoi botën për masakrën. Vlerësimi i tij eksplicit ishte pika që shënoi ndryshimin e kursit të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Millosheviqit.

Edhe në marrjen e vendimit për intervenim ushtarak të NATO-s, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur rolin udhëheqës. Armata amerikane ka mbajtur barrën kryesore të bombardimeve që shënuan kapitullimin e Millosheviqit në Kosovë.

Sot prezenca amerikane në Kosovë është shumëplanëshe: diplomatike, administrative dhe ushtarake. Shqiptarët e Kosovës e vlerësojnë lart këtë prezencë dhe e konsiderojnë si përcaktuese për stabilitetin dhe garanci për lirinë e Kosovës.

Filed Under: ESSE

Më 13 tetor 1917, dukja e fundit e Zojës së Bekuar tre barinjve në Fatima. Porosit që Ajo la për lutje, flijime dhe pendesë

October 13, 2023 by s p

Si sot, më 13 maj 1917, në livadhet e Kova d’Iria, ku tre fëmijë: Luçia, Gjaçinta e Françesko, kullosnin grigjat e tyre, u duk për herë të parë Virgjëra Mari, dukje që e shndërroi qytetin e Fatimës në qendër përshpirtërie botërore. Për herë të fundit Zoja, që tashmë njihet me emërtimin “e Fatimës” u duk 13 tetor 1917, kur njerëzimi ishte i mbytur në gjakun e Luftës I Botërore.

Virgjëra Mari u foli tre barinjve të vegjël, të cilët i porositi ta përcillnin mesazhin e saj për lutje, flijime e pendesë, që njerëzimi të shpëtonte nga përsëritja e tragjedive të luftërave.

Nga Kova d’Iria, në historinë njerëzore të shekullit të fundit, vjen një mesazh, që u rrënjos për vullnet të Hyjit, përmes hireve, veprave të jashtëzakonshme të Zotit në Kishë e në mbarë botën. U rrënjos përmes dukjeve e mrekullisë së diellit. Zoja foli për kthimin e Rusisë, gjë që ngjalli për vite me radhë shpresa të mëdha.

Pastaj dukjet u lidhën nga Provania hyjnore edhe me jetën e Gjon Palit II, me atentatin e 13 majit 1981. Me tre sekretet që Virgjëra Mari ua besoi barinjve të vegjël. E edhe me lumnimin e tre barinjve, ndërmjet të cilëve, Luçia, e cila jetoi gjatë për t’i zbuluar botës sekretet e Zojës së Fatimës, që njihet, nderohet e duhet nga mbarë bota e që Papa Benedikti XVI e kujtoi sot në audiencën e përgjithshme.

Nga Fatima vjen një mesazh ngushëllues, jo frikësues.

Kisha e fton botën, e cila tepër shpesh shikon gjithçka me mosbesim, të mos e shtrembërojë e harrojë atë, që u tha Zoja e Bekuar tre barinjve të vegjël, në një ditë të largët, më 1917, duke iu dukur në atë hapësirë të privilegjuar, të hapur nga qielli, përmbi tokë. Hapësirë e cila, që asokohe na mëson të shpresojmë në mëshirën hyjnore, që shëron e shpëton.

Zoja Bekuar përmes barinjve të vegjël në Fatima na mëson të shpresojmë në mëshirën hyjnore, që shëron e shpëton. Nga kjo ngjarje na drejtohet një mesazh i përqendruar mbi lutjen, mbi pendesën e mbi kthimin në rrugën e Zotit, që i kapërcen kufijtë e kërcënimeve, të rreziqeve, të tmerreve të historisë, për ta ftuar njeriun të ketë besim në veprën e Zotit, të ushqejë Shpresën e madhe, të provojë hirin e Hyjit, për t’u dashuruar me Atë, që është burim i dashurisë e i paqes.

Mesazhi që u përcolli Zoja Bekuar barinjve të vegjël mbetet aktual: është mesazhi i paqes; ashtu si Shenjtërorja e Fatimës është shenjtërore e paqes, djep i paqes. Në atë Shenjtërore ruhet plumbi, që e përshkoi Papën Shën Gjon Palin II, ngërthyer si stoli e çmuar, në aureolën e kurorës së shtatores së Zonjës. Ruhet edhe një copëz nga muri i Berlinit, që tregon se Zoja Bekuar ngadhënjeu edhe atje, ku perdja e hekurt e ateizmit dukej e pakapërcyeshme. E bota, që edhe sot tronditet rëndë nga konfliktet, nuk duhet ta harrojë porosinë e Zojës: lutjen për paqe, sepse paqja është dhuratë që vjen nga qielli, dhuratë e Zotit.

Në ditën e kremtimit të dukjeve të fundit të Zojës së Fatimës, ju propozojmë lutjen e motër Luçisë, vajzës, që jetoi gjatë e që bënte pjesë në treshen e barinjve të vegjël, të cilëve iu duk Zoja. Murgeshë, mbajti gjithnjë të fshehur Sekretet e Fatimës, derisa shën Gjon Pali II, papë, vendosi t’ia zbulojë botës. Ja lutja:

O Virgjër Nënë e Zotit e Nëna ime, i kushtohem krejtësisht Zemrës tënde të Papërlyer, me gjithçka jam e me gjithçka kam. Më merr nën mbrotjen tënde amnore, më mbro nga rreziqet, më ndihmo të fitoj mbi tundimet, që më nxisin drejt së keqes, e më ndihmo ta ruaj pastërtinë e trupit dhe të shpirtit tim.

Zemra jote e Papërlyer qoftë streha ime dhe udha që më çon te Zoti. Më jep hirin për t’u lutur e për t’u flijuar për dashurinë e Jezusit, për kthimin e mëkatarëve e për shpërblimin e mëkateve kundër Zemrës tënde të Papërlyer. Përmes Teje, në bashkim me Zemrën e Birit tënd Hyjnor, dua të jetoj për lavdinë e së Shenjtueshmes Trini, në të cilën besoj e shpresoj, të cilën e adhuroj dhe e dua. Amen!

R.SH. – Vatikan

Filed Under: ESSE

Nuk është 13 tetori 1911 ditëlindja e vërtetë e Migjenit. Pse vijon të mbetet e pakorrigjuar edhe pas kaq vitesh

October 13, 2023 by s p

Albert Vataj/

Ende kjo pyetje mbetet pa përgjigje.

Një kërkim të ngulmët në internet do të jetë i pamjaftueshëm për të mësuar për një detaj shumë të rëndësishëm për Migjenin e madh. Edhe pse në botimet e ndryshme, në prononcimet e historianëve dhe studiuesve, ende 13 tetori 1911 dominon si ditëlindja e poetit. Për kureshtinë e lexuesve, admiruesve të shumtë të Migjenit dhe një pasaktësie verbuese në portale të ndryshme, po publikoj Certifikatën e Lindjes së Migjenit, faksimile e cila është publikuar në botimin e vitit 1989, përgatitur nga Moikom Zeqo dhe me parathënie të Ismail Kadare dhe botuar nga “Naim Frashëri”.

Sipas kërkesës së tij, siç edhe saktësohet në diçiturën që shoqëron famsimilen, është korrigjuar ditëlindja duke përcaktuar 30 Shtator 1911 si dita dhe viti i saktë lindjes së poetit. Ky dokument sikurse është lehtësisht e verifikueshme edhe në faksimile e cila ndodhet në Muzeun Historik të Shkodrës, është lëshuar më 26 janar 1937, kur Migjeni ishte 26 vjeç, kishte përfunduar “Vargjet e Lira” dhe ushtronte profesionin e mësuesit në Gjimnazin “28 Nëntori”, Shkodër.

Midis dokumenteve të kohës, jo të sakta, është edhe një pasaportë e Migjenit e vit lindjes më 1909.

Në Muzeun Historik të Shkodrës ruhen gjithashtu në origjinal dorëshkrimet e krijimtarisë së Migjenit, si dhe stilografi me të cilin ai ka shkruar kryeveprat e letërsisë shqipe.

Ndër artefaktet më interesante është edhe kërkesa për vazhdimin e lejes se pushimit rreth 20 ditë para vdekjes, kërkesë që se ka përfunduar asnjëherë. Gjithçka që ka të bëjë me “Poetin e mjerimit” është e ruajtur dhe gjendet e ekspozuar për publikun dhe studiuesit. Ka shumë të vërteta të diskutueshme dhe vijojnë të mbeten të tilla për fatin e keq të mungesës së fakteve dhe dëshmive që rrëzojnë të shkuarën dhe korrigjojnë historinë. Por e vërteta e ditëlindjes së Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni, një e vërtetë kokëfortë, e dokumentuar dhe e publikuar disa herë vijon të jetë e verbër, ngulmon të dezinformojë. Kjo neglizhencë e patolerueshme dhe kjo joshje për të pranuar të mbetemi të gënjyer, jo vetëm denigron figurën dhe veprën e poetit, por shpërdoron çdo ndjenjë pranimi dhe admirimi që ne kemi për vargjet e tij monumentale.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 100
  • 101
  • 102
  • 103
  • 104
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT