• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Truri dhe kozmosi

May 29, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Besojeni apo jo, mbi supet tona është objekti më kompleks i krijuar në universin e njohur. Duhet të shkosh të paktën 35 trilion km tek ylli më i afërt për të gjetur një planet që mund të ketë jetë dhe inteligjencë. E megjithatë truri ynë konsumon vetëm rreth 20-30 përqind të energjisë së tij dhe i kryen llogaritjet më mirë se çdo superkompjuter.

Kohët e fundit, shkencëtarët gjetën ngjashmëri në funksionimin e dy sistemeve krejtësisht të ndryshëm – trurit të njeriut dhe rrjetit të galaktikave. U zbulua se proceset fizike shumë të ndryshme mund të krijojnë struktura që ndajnë nivele kompleksiteti dhe organizimi, edhe nëse ato ndryshojnë në madhësi. Studimi i pazakontë u krye nga specialistë italianë.

Shkalla e ngjashmërisë sugjeron se vetë-organizimat e të dy sistemeve – trurit dhe kozmosit – ka të ngjarë të formësohen nga parime të ngjashme pavarësisht nga shkallët dhe proceset rrënjësisht të ndryshme. Një nga njohuritë më bindëse është shikimi i trurit si univers në vetvete, që përmban rreth 69 miliardë neurone; universi i vëzhgueshëm ka të paktën 100 miliardë galaktika.

Rreth 77 përqind e trurit është ujë, ndërsa rreth 70 për qind e Universit është i mbushur me energji të errët. Këto janë të dyja materiale pasive. Shkencëtarët gjetën gjithashtu një ngjashmëri të çuditshme midis luhatjeve të densitetit të materies në tru dhe në rrjetën kozmike.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

DUKE PRITUR TË HËNËN E MEMORIES – ABDULLA RAMI – PËRTEJ HARRIMIT

May 29, 2023 by s p

Ines Angeli Murzaku*/

*Profesoreshë e Religjionit, Drejtoreshë e Departamentit dhe Programit të Studimeve Katolike – Seton Hall University, Neë Jersey, USA

Ndërsa Dita e Dëshmorëve/Përkujtesës 2023 po afron, e gjej veten duke menduar shumë për rëndësinë e të kujtuarit, rëndësinë e mos-harresës. Këtë të Hënë më 29 Maj, Amerikanët do të kujtojnë ato gra dhe burra që dhanë jetën duke i shërbyer Amerikës. Familjet do të kujtojnë njerëz të dashur, do të shkojnë në varreza të vënë flamurë dhe lule. Kështu ata që kanë shkuar mbesin në kujtesë. E tillë është fuqia e të kujtuarit dhe kujtesës. E tillë është fuqia që dikush tjetër të kujtojë diçka për ne dhe për historinë tonë të përbashkët.

Kujtesa është themeli i kulturës dhe identitetit të një populli, dhe kapaciteti ynë njerezor për të kujtuar e respektuar kujtesën na ndan nga të gjitha krijesat e tjera. Identiteti është i rrënjosur në njohjen dhe kujtimin e origjinës dhe historisë sonë. Identiteti dhe kuptimi forcohen kur mblidhemi dhe ndajmë historitë tona qofte të dhimshme apo të lumtura. Siç ka thënë laureati i Cmimit Nobelit që i mbijetoi Holokaustit, Elie Ëiesel: “Pa kujtesë, nuk ka kulturë. Pa kujtesë, nuk do të kishte qytetërim, shoqëri, dhe të ardhme”.

Është pikërisht “kujtesa-përtej harresës” që na ofron libri i autores Ermira Xhomaqi-Godo dedikuar gjyshit të saj Abdullah Ramit, intelektualit që vuajti në burgjet komuniste për 19 vjet. Libri është një biografi e informuar dhe e bazuar në burime arkivore nga Kosova dhe Shqipëria, në shkrime të ndryshme të botuar në shtypin zyrtar dhe jozyrtar, në dokumenta të arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe kujtime personale të njerëzve të afërm që e kanë njohur personalist Abdullah Ramin.

Libri, është një dedikim i një mbese të devotshme për gjyshin, që jeton për të treguar dicka që gjyshi nuk mundi ose nuk arriti ta tregonte – një jetë të rëndë në kalvarin e tre burgjeve – Burgun e Tiranës, Burgun e Shtatë Penxhereve dhe Burgun e Burrelit, dhe internim që ishte një zgjatim i burgosjes. Por, Abdullah Rami, diti të vazhdojë jetën intelektuale – mbase e vetmja rrugë për të mbijetuar dhe jetuar nëpërmjet njerëzve dhe historive të tyre që ai me mjeshtëri i përktheu. Çfarë kujtese dhe trashëgimie la Abdullah Rami për ne sot? Përgjigjja është e thjeshtë: shembullin e njeriut që edhe në kushte çnjerëzore të burgjeve famëkeqe mundi të edukojë me prezencë dhe kulturë, duke mos pranuar të keqën që kishte gllabëruar vendin por duke shikuar përtej të keqës. Kjo filozofi jete i dha Abdullahut forcën për të jetuar e përkthryer disa nga kryeveprat e letërsisë botërore. Ai diti të shikojë përtej të keqës.

Pra, vlerat e ketij libri janë optimiste – si të gjesh kuptim në jetë dhe në jetesë përtej dhunës dhe errësirës së kampeve. Është më lehtë të jesh optimist në një vend të bukur o të begatë. Por të gjesh dashurinë per jetën, për të kërkuar e përkthyer nën hijen e vdekjes është një mrekulli. Do të ishte shumë e kuptueshme nëse Abdullai i rrethuar nga errësira do të kishte hequr dorë nga jeta intelektuale ose nga jeta e marrëdhëniet me njerezit. Aftësia e tij për të vazhduar jetën intelektuale në burg është shembull i dëshirës për jetën që i lejoi atij të dilte nga burgu me vlera dhe humanizëm. Pra libri është filozofik dhe teologjik përsa i përket thelbit të jetës.

Libri Përtej Harrimit‛ është një studim I rëndësishëm për të gjithë ata që duan të njihen me historinë e persekutimit intelektual në Shqipëri; për ata që e kanë jetuar por edhe për brezat e rinj që nuk e njohin diktaturën ose kanë iluzione për komunizmin.

“Kurrgjâ në mos kjosh i zoti me bâ, rrno vetëm për me tregue. A e kupton shka due me t’thanë? Mbaruen të tjerët, mbarojmë na, mbaron edhe ti: të gjithë shkojmë si qeni në rrush po nuk kje dikush me kallxue se si kje puna. Kush të teprojë le të kallxojë! Nuk duhet të mbarojmë për nesër e për shekujt e ardhshëm. Un jam sot për sot Superjor: po të jap urdhën: ik, rrno! Vetëm për me tregue! – E un rrnova… e mora si detyrim… nuk e di a ia kam mrritë!” – shkruan At Zef Pellumbi, një prift françeskan që kaloi më shumë se dy dekada në burgjet famëkeqe të Shqipërisë, në librin e tij “Rrno për me tregue.”

Po, autorja, Ermira Xhomaqi-Godo, kërkoi, tregoi dhe na mësoi të mos harrojmë kurrë këtë histori të dhimshme të kombit tonë. Për këtë i jemi mirënjohës! Ndërsa e Hëna e Dëshmorëve po vjen, ne jemi mirënjohës për një dëshmor të ri – Abdullah Ramin. Kujtimi qoftë i përhershëm.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ines Murzaku

KUSH ËSHTË ABDULLAH RAMI?

May 28, 2023 by s p

Agim Rexhaj, New York 27 Maj 2023/

Të nderuar pjesmarrës!

Vatra promovon vazhdimisht libra të autorëve të ndryshëm nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, nga shqiptarët tanë, vëllezër dhe motra të vendosur nëpër vende të ndryshme perëndimore.
Një promovim libri këtu tek ne, në fakt është një ngjarje e rëndësishme dhe përbën një gur të ri kilometrazhi në trashëgiminë e Federatës tone, e cila në fakt vetë zanafillën e saj e ka tek njerëzit e penës – Noli dhe Konica.
Dhe tradita vazhdon.
Janë shumë libra të promovuar në këtë sallë. Janë edhe shumë autorë. Secili ka pasë rëndësinë e vet dhe neve i kemi pritur me dëshirë, respekt dhe mirënjohje.
Megjithatë, më duhet të them se ky rasti i sotëm është shumë i veçantë.
Është i veçantë për disa arësye:
E para, libri “William Shakespeare është një vepër madhore, në mos më e rëndësishmja që ndonjë autor francez ka shkruar ndonjëherë për një autor anglez, siç është Shakespeare.

Autori i këtij libri është shkrimtari i madh Francez, Viktor Hugo.
Pra dy kollosët që e kanë dominuar letërsinë e Evropës Perëndimore gjëjnë një pikë takimi në kritikën e shprehur në këtë vepër madhore e cila nderon çdo bibliotekë, qoftë me libra në gjuhën franceze, qoftë në gjuhët e tjera ku libri është përkthyer në gjuhët kryesore të botës.

E dyta, autori i librit në original është njëri prej shkrimtarëve më të mëdhenj të Francës. Victor Hugo, autor i veprave si:
1. Të Mjerët (1862):
2. Notre-Dame e Parist” (1831
3. Lindorët (1829):
4. “Punëtorët e detit” (1866):
5. “Njeriu që qesh” (1869) etj.

Pra është vepër e një shkrimtari të jashtëzakonshëm që ka shkruar në një nga gjuhët më të rëndësishme të botës.

E treta, libri i kushtohet shkrimtarit anglez më të madh të të gjitha kohërave, William Shakespeare.

Është e tëpërt të flasim për madhështinë e këtij autori por fakti që dy kollosë, njëri anglez i shekullit të 15-16 si Shakespeare dhe tjetri një francez i shekullit të 19 – të, Hugo, kryqëzohen në një libër si ky që kemi sot në dorë, flet vete.

Pa hyrë në vlerat e librit të cilat zonja Ermira Xhomaqi – Godo na i shpjegoj kaq me elegancë, do të desha të ndalem tek përkthyesit e këtij libri:

KUSH ËSHTË ABDULLAH RAMI?

Abdulla Rami ka lindur më 20 maj 1908 në Delvinë. Vitet e para të shkollimit i nisi në Egjipt dhe i përfundoi në vitet ’20, në Delvinë.

Nga viti 1927 – 1931 – ai vazhdoi studimet në Liceun francez të Korçës, ku u diplomua në degën e filozofisë.

Nga viti 1931 – 1936 – ai punon si misionar i dijes në Fier, Përmet dhe Delvinë.

Nga viti 1936 – 1940 – studion në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Montpellier-së në Francë, dhe laurohet në Jurisprudencë.

Më lejoni të shënoj këtu se në atë shkollë studionte edhe diktatori i ardhshëm, Enver Hoxha, i cili pas luftës bëri atë që bënte me të gjithë patriotët dhe ata që i dinin bëmat e tij të mbrapshta. Edhe Abdullah Rami nuk i shpëtoj dot ndëshkimit të diktatorit.

Në korrik të vitit 1940 – emërohet gjykatës në Përmet e më pas në Konispol.

Në prill të vitit 1942 – emërohet gjyqtar i klasit të parë në administratën juridike të Gjilanit, Kosovë.

Ne shtator të vitit 1943 – mbështet dhe përkrah Konferencën e Mukjes duke mbrojtur idealin e bashkimit mbarëkombëtar për një Shqipëri të lirë dhe Etnike. Është ndër përfaqësuesit më të spikatur të organizatës “Balli Kombëtar” për qarkun e Gjirokastrës dhe kundërshton hapur përhapjen e ideve komuniste në Shqipëri.

Më 16 Dhjetor 1944, fill pasi komunistët e Enver Hoxhës e morën pushtetin, ai -arrestohet si kundërshtar i regjimit komunist dhe dënohet fillimisht me burgim të përjetshëm, më pas me tridhjetë vjet burg, nga të cilat vuan tetëmbëdhjetë vjet në Burgun e Burrelit.

Mbas burgut dëbohet familjarisht në Gosë të Kavajës. i mohohet e drejta e ushtrimit të profesionit të juristit dhe gjykatësit. Punon si punëtor krahu në punë të detyruar, deri në fund të jetës së tij.

Sfidant e stoik, edhe pse gjëndja shëndetsore i përkeqësohet nga vuajtjet e gjata të burgut, ai vazhdon të shkruajë e të përkthejë vepra të autorëve francezë e anglezë si: Victor Hugo, Henry Van Dyke, William Ernest Henley, Lord Byron, James Montgomery, Walter Skott, Emily Jane Brontë.

Ai studioi dhe analizoi vepra të ndryshme si “Drejtësia e Paqes” të Eugène Raviart-it, “Njeriu komunist” të Aragon-it e të tjerë. Nga përkthimet e tij kanë shpëtuar dy vepra të plota “William Shakespeare”, i shkrimtarit Victor Hugo dhe “Arti në pikëpamje sociologjike”,

Ai vdiq më 29 janar të vitit 1973.

Më 19 shkurt 1996, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Dr. Sali Berisha, e ka dekoruar me titullin :
“Martir i Demokracisë”: Motivacioni “Luftëtar i vendosur kundër komunizmit për një Shqipëri Demokratike, masakruar mizorisht nga regjimi komunist”.

Një vepër kaq emblematike e shkruar nga një peronsalitet i tillë është shumë e mirëpritur.
Një legjendë e tillë e intelektualëve shqiptarë nuk mund të sillte asgjë më pask se sa një kryevepër.

Por edhe më të përkryer veprën e ka bërë puna e kujdeshme e mbesës së ti. Ermira Godo të cilën e kemi sot.
Më lejoni të shpreh të gjithë admirimin për këtë vepër kaq të rëndësishme dhe më shumë se aq, për autorët dhe sidomos këtë intelektulal i cili edhe nëpër burgjet komuniste edhe në internim nuk iu nda punës së tij me vlera kaq të mëdha.

Po aq e admirushme është edhe kujdesi dhe sakrifica e njerëzve të afërm të Abdullah Ramit të cilët e ruajtën me aq kujdes veprën e tij për ta sjellë deri në ditët e sotme me kaq finesë, art, cilësi botimi dhe kujtime të dhimbshme por me vlerë të madhe.

Nderim të përjetshëm për këtë martir, mbesën e tij Ermirën dhe familjen dhe pasardhësit e Abdullah Ramit!

Agim Rexhaj, New York 27 Maj 2023

Filed Under: ESSE Tagged With: Agim REXHAJ -

I fundit…

May 26, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Shqipëria, si shtet, u krijua pas luftërave ballkanike. Më parë ishte shtruar për 5 shekuj. Deri, edhe sulltanë kishte pasur. Dihet, se për daljen nga diktatura komuniste, vendi ishte i fundit në Evropën lindore, si ai që nuk merr pjesë fare në garē. Por i fundit doli vendi edhe nga perandoria osmane, duke u qeverisur me “hoxhë, shehë” e pasardhës. Kjo tregon se me popullin luhet e manipulohet, ose mbahet në errësirë e propagandë. Më përpara kishte vetëm një kanal televiziv; sot ka shumë, por në një orkestër. Big Brother VIP dhe emisione të tjera janë “fshat pomjetkin”, mur fasade për të mbuluar të vërtetën. Nuk ka shpjegim tjetër.

Pas luftës ballkanike, Austro-Hungaria, në veçanti, ishte mbështetësi kryesor në krijimin e një Shqipërie të pavarur në kufijtë e saj aktualë. Situata në terren kishte bërë që forcat serbe dhe malazeze të pushtonin pjesë të Ballkanit Perëndimor, duke marrë pjesën më të madhe të Shqipërisë. Kjo përfshinte vijën bregdetare të Adriatikut dhe qytetin e rëndësishëm të Shkodrës. Traktati i Londrës vendosi kufijtë dhe Serbia u kërcënua të tërhiqej nga territoret e sapomarra.

Vendosmëria e Austro-Hungarisë ishte për të penguar Serbinë nga sigurimi i një daljeje në detin Adriatik. Nën sloganin (e shteteve të rajonit), “gadishulli ballkanik për popujt ballkanikë”, Austro-Hungaria gjeti një parim që mund të përdorej kundër kërkesave serbe. Ajo mbajti qëndrimin se shqiptarët janë një popull ballkanik krejtësisht i ndryshëm nga sllavët dhe grekët:

“Do të ishte po aq vetëvrasëse të vendosësh ndonjë nga shqiptarët nën sllavët, sa të ktheje ndonjë nga sllavët nën turqit. Shqipëria duhet të jetë një shtet autonom; që të mund të jetojë në paqe, duhet të ketë bregun e saj të paprekur”.

Ky pozicion u përkrah edhe nga Italia, e cila kishte interesa po aq të rëndësishme:

“Asnjë shtet nuk mund të lejojë që tjetri të zotërojë bregun lindor të Adriatikut; dhe të dy janë të vendosur që nuk do të bjerë në zotërimin e një fuqie tjetër ndoshta të fortë”.

Ky qëndrim astro-hungarez e italian ngjallën indinjatën e fortë të serbëve, ushtritë e të cilëve, në kundërshtim me ndalimet e shprehura të Austro-Hungarisë, kishin pushtuar Durrësin në Adriatik dhe Shqipërinë veriore.

Për të shprehur mendimin e saj se Shkodra duhet të jetë shqiptare, Austro-Hungaria ra dakord që qytetet shqiptare të Pejës, Gjakovës, Prizrenit dhe Dibrës t’u shkonin serbëve. Luftanijet e të gjitha fuqive, përveç Rusisë (e cila nuk kishte asnjë në Mesdhe) u përfshinë në bllokadë. Më 15 prill, për shkak të presionit dhe marrëdhënieve të acaruara që kishin lindur midis Serbisë dhe Bullgarisë, trupat serbe u tërhoqën nga Durrësi. Malazezët këmbëngulën të vetëm dhe u tërhoqën nga Shkodra një javë më vonë, më 22 prill 1913. Pas Dy ditësh, qeveria austro-hungareze kërkoi që fuqitë të ndërmerrnin veprime për të vënë në zotërim të Shqipërisë së pavarur edhe Shkodrën. Reagimi më i madh mbizotëroi në të gjithë Rusinë. Në shumë qytete të mëdha u mbajtën demonstrata kundër politikës austro-hungareze. Austro-Hungaria filloi të mobilizohej, ashtu edhe Italia, dhe i dërguan një ultimatum Malit të Zi – “tërhiqu nga bregu ose pushtohu”. Mali i Zi u tërhoq dhe Shqipëria mori kufirin e saj të njohur nga traktati i Londrës, që u tregua ende shumë bujar ndaj Serbisë në baza etnike, por edhe shumë në favor të Shqipërisë për sa i përket fuqisë së saj ushtarake inekzistente.

Jo shumë kohë më parë, Italia ishte mundur nga Etiopianët. Siç u tregua në Luftën e Dytë Botërore, një Itali fashiste më e industrializuar dhe e gatshme për luftë mund të zmbrapsej edhe nga Ballkani. Por Italia ishte shumë e vendosur për të qenë një “fuqi e madhe” dhe shkuarja pas Astro-Hungarisë ishte rendi i ditës. Me fjalë të tjera, nëse Austro-Hungaria nuk do të kishte ndërhyrë, kishte shumë të ngjarë që pothuajse e gjithë Shqipëria do të ishte vënë nën sundimin serb për pjesën më të mirë të shekullit të 20-të, megjithëse jo shumë e sigurt për stabilitetin e këtij konstruki. Harta ishte shumë e përafërt me kufijtë shqiptarë në kufijtë etnikë të epokës osmane.

Duhet shtuar se në gazetat evropiane në atë kohë kishte shumë interes humanitar për fatin e myslimanëve në duart serbe. I gjithë ai interes u zbeh sapo Austria dhe Italia siguruan bregun strategjik.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

GEGNISHTJA THRRET!

May 25, 2023 by s p

Filip Guraziu/

Egziston nji praktikë gjuhësore që po zbatohet ende me “dhunë te dukshme e të padukshme” në shoqninë shqipfolëse që prej kohës së kongresit famëkeq politik ( i ashtuquejtuni gjuhësor) të vjetit 1972: në punë , shkollë etj. përdoret gjuha e kongresit, kurse në jetën private vazhdohet me gegnishten.

Përveç situatës qesharake që na ofron “nji gegë” kur ligjëron në gjuhën e “standardit”, kjo praktikë reflekton ndjejen e mosbesimit për ligjëruesin , si dhe ushqen DYZIMIN në karakterin tonë .

Po; fatkeqësisht sot na jetojmë të dyzuem, jemi qenie të dyzueme ! Humanoidë me dy ftyra, me dy karaktere, me mungesë identiteti dhe personaliteti, me të kalueme mjegullnajë dhe të ardhme pa orjentim, mbasi “ ai që nuk e din se prej kah vjen, nuk mund ta dijë as edhe ku shkon.”

Kjo praktikë, padyshim, demostron dëshminë rrënqethëse të rrugës së transformimit të ndërgjegjës dhe të identitetit për 70% të shqiptarve ku flitet gegnisht. Dami kulturor dhe shpirtnor që i bani dhe po i ban shoqnisë shqipfolëse ai “kongres” asht vështirë të matet apo të llogaritet .

Në radhë të parë ai vendim përçau, tue nda në dy pjesë shqiptarët, mbasi nuk projektoi nji gjuhë zyrtare bashkuese për Gegnishten e Tosknishten, por dënoi “për jetë” Gegnishten, tue eleminue prej përdorimit paskajoren, urën lidhëse të kulturës së lashtë shqipe me gjuhët europiane, si dhe reduktoi fjalorin e gjuhës shqipe, tue mos përfshi në te sinonimet që të ofron gegnishtja, për mos me kujtue të tjerat…

Sot të rijtë nuk munden me lexue korifejt e gjuhës shqipe, si Fishta, Mjeda, Gjeçovi, Nikaj, Camaj, Koliqi , Migjeni, Shllaku, Gjeçi etj., sepse nuk i kuptojnë, dukuni që synon shkatërrimin në themel DNA-n e të qenunit shqiptar.

Këto rreshta nuk duhen kuptue si antagonizëm i verbtë kundër tosknishtes që sot përfaqësohet te gjuha e standardit, por si tentativë pro shqiptarizmit, që nëpërmjet ruejtjës së rrajve tona të herëshme e të përbashkëta, por që mbijetojnë kryesisht te Gegnishtja, të krijojmë kushte reale për homogjenizimin kulturor gjuhësor me pasojë bashkimin shpirtnor dhe patriotik të popullit shqiptar.

Jo polarizim, por homegjenizim të gjuhës së përbashkët shqipe. Polarizimi largon , ndanë, përjashton, përçanë, kurse homogjenizimi, afron, bashkon dhe nuk përjashton.

Homegjenizimi gjuhësor i ‘ gjuhës së përbashkët shqipe’ asht pafundësisht ma i randësishëm për shqiptarizmin se sa egoizmi ideologjik përçamës që na la trashigim polarizimi gjuhësor i të ashtuquejtunit kongres i 1972-shit, rishikimi i të cilit, jo vetem nevojë e domosdoshmëni, por edhe urdhnore patriotike. Përfundoj me nji shprehje të akademikut kosovar, Rexhep Ismajli, sekretar i Akademisë së shkencave të Kosovës, i cituem te gazeta Ekspres, datë 24 prill 2023:

«…Nuk duket reale të mbahet në mënyrë rigjide gjendja e ngurtësuar më 1972 (në rrethana dhe realitete krejt të tjera). Më duket e nevojshme të për­zgje­dhim një qasje më përfshirëse (inkluzive), gjithsesi më pak konfrontuese dhe përjashtuese të segmenteve të ndryshme brenda shqipes në raportet e standardit të përbashkët me varietetet normale brenda realiteteve shoqërore e të tjera që kemi ne».

Foto: ballikombëtar.info

Filed Under: ESSE Tagged With: Filip Guraziu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 118
  • 119
  • 120
  • 121
  • 122
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT