• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Strategjia Shumëdimensionale e Vatrës i Parapriu Pavarësisë, Vizioni Mbarëkombëtar Nuk është Koncept i Ri

November 16, 2022 by s p

Dielli bisedoi me Dr. Ardiana Miçi, Lektore dhe Hulumtuese, Departamenti Histori – Gjeografi, Universiteti “Fan S. Noli” Korçë

“…e bëmë Shqipërinë më vete, e bëmë kishën autoqefale shqiptare…të mirë a të ligë, por e bëmë…Ju mbetet të tjerëve ta çojnë më përpara.” Fan Noli

Dielli – Vizioni mbarëkombëtar nuk ështe koncept i ri në kohën e sotme por ishte i tillë për themeluesit e Vatrës të cilët hartuan një strategji shumëdimensionale në funksion të tij. Ju dhe Dr. Adelina Nexhipi keni qasje shumëplanëshe në trajtimin e kësaj teme në kontekstin e marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane. Ndërsa nismëtarët dhe themeluesit e Vatrës ishin diplomuar në shkolla prestigjioze evropiane dhe më pas kryen studime pasuniversitare edhe në Amerikë, ata nuk kishin ndonjë model paraprak të ndërtimit të shtetit përderisa në fillim të shekullit XX Shqipëria nuk e kishte krijuar shtetin e pavarur dhe vazhdonte të ishte pjesë e Perandorisë Osmane.

Shpallja e pavarësisë në 1912 dhe rikonfirmimi i saj në vitet 20 i paraprinë vendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro amerikane në vitin 1922. Në të dy rastet Amerika ka luajtur një rol pozitiv në mbështetje të shqiptarëve, por kjo mbështeteje nuk erdhi vetevetiu, një komunitet i jashtëzakonshëm shqiptarësh i vendosur këtu punoi fort për ta arritur këtë. Megjithëse terreni i zgjimit kombëtar ekzistonte tek shqiptarët kohë më parë se të shpallej pavarësisa, arritja e saj u vështirësua nga mjaft faktorë krahasuar me popujt e tjerë të Ballkanit. Në një fjalim të vitit 1962, Fan Noli, me një artikulim sa të thjeshtë aq edhe të shkëlqyer shprehej se patriotizmi tek shqiptarët ishte krijuar qysh herët, mjafton të shohësh këngët popullore të shekujve XVIII dhe XIX të mbledhura nga Eftim Mitko tek “Bleta Shqiptare” në 1878. Dhe Noli citon më tej vargjet e këngës të Rapo Hekalit ku thuhet: “…pse lëfton a derëzi? As për mua, as për ti, por për gjithë Shqipëri”. Të mendosh që kjo këngë këndohej rreth viteve 1850. Noli argumenton pastaj se vetëdijësimi për Shqipërinë ishte në zemrat e mendjet e shqiptarëve shumë më herët,.. “ne vetëm e kanalizuam dhe e organizuan atë”, e bëmë Shqipërinë më vete, e bëmë kishën autoqefale shqiptare…të mirë a të ligë, por e bëmë – shprehet ai. “Ju mbetet të tjerëve ta çojnë më përpara…”. Fjalia e fundit është aktuale në çdo kohë, secilit brez i takon ta çojë më përpara atë që është arritur.

Dielli – Cilat ishin disa nga rrugët me të cilat figurat e kombit arritën atëherë ta sillnin çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare?

Një faktor me rëndësi ishte edukimi i tyre në shkolla prestigjioze në Turqi, Rumani, Greqi, Egjipt etj dhe ndonëse një pjesë e tyre ishte në administratën osmane e kishin të fortë ndjenjën kombëtare. Elementët më të përgatitur dhe më të aftë u vlerësuan nga bashkëatdhetarët të cilët ju besuan rolet më të rëndësishme në avancimin e çështjes kombëtare. Ata e kuptuan se politika evropiane e kohës nuk i mbështeste kërkesat e shqiptarëve për të bërë një shtet të tyre, ndërkohë që fqinjët kishin interesa territoriale, dhe vetë shqiptarët nuk kishin asnjë aleat të drejtpërdrejtë ndërkombëtar. Kolonitë shqiptare në Bullgari, Egjipt dhe sidomos Rumani kishin luajtur rol të rëndësishëm deri atëherë me organizimin e shqiptarëve, botimin e gazetave dhe librave ndërkohë që gjuha dhe shkollimi u ndalohej shqiptarëve në vendin e tyre. Koordinimi i kolonive midis tyre bënte të mundur që ato mos vepronin të izoluara nga njëra tjetra. Kombi kishte nevojë për njerëz të mençur dhe të zotë. Dhe kur një figurë spikaste në oratori dhe veprimtari, ata e ngrinin dhe e mbështesnin duke e vënë në kontakt me përfaqësues të tjerë të spikatur të kolonive. E p.sh thuhej, më në fund e njoha personalisht dikë…. për të cilin kisha dëgjuar të flitej. Pra kontaktet njerëzore kishin rëndësinë e tyre. Duke besuar se Amerika ishte vendi ku mund të gjenin përkrahje për lëvizjen kombëtare, elementët më të spikatur dhe të përgatitur u orientuan të vinin këtu, me synimin për të arritur mbështetjen amerikane nga brenda. Fan Noli erdhi në Amerikë në vitin 1906 pas njohjes me lëvizjen kombëtare në Egjipt, dhe i inkurajuar nga krijimi i shoqërisë “Mall i mëmëdheut” në Amerikë, ndërsa Sotir Peci dhe Petro Nini Luarasi kishin ardhur pak përpara tij dhe kishin filluar punën. Pas tyre erdhën dhe intelektualë e patriotë të tjerë. Është një treshe tipike “musketierësh” mund ta quajmë që do vendoste disa gurë themeli për lëvizjen kombëtare, ndërsa kishte vetëm një dekadë që shqiptarët e parë imigrantë vinin drejt Amerikës dhe po krijonin gradualisht diasporën shqiptare. Shumica e tyre hynin në Amerikë përmes Ellis Island. Shumë interesant është rasti i Petro Nini Luarasit, i cili pas hapjes së shkollave shqipe në Luaras dhe Kolonjë dhe drejtimit të Mësonjëtores së Parë Shqipe në vitet më të vështira, niset drejt Amerikës (1904). Teksa Petro Nini me bashkëudhëtarët etij i afroheshin brigjeve të Amerikës, ata diskutonin me njëri tjetrin se çfarë shtetësie do deklaronin tek nëpunësit e hyrjes meqë zyrtarisht i takonin Perandorisë Osmane. Ata vendosen të deklaroheshin shqiptarë pasi nuk dëshironin të regjistroheshin si turq. Sipas kujtimeve të mbajtura nga Guri Sevo, i cili ishte njëri prej tyre, ata i mbajtën edhe pesë ditë në Ellis Island për këtë arsye. Me këtë mënyrë u ngjiz fryma patriotike në kolonitë shqiptare të Amerikës. Rafaela, mendoj se ia vlen të shkojmë bashkë në Ellis Island për të gjetur ca gjurmë të Petros si edhe të gjyshërve tanë atje.Në atë kohë Amerika ishte konsoliduar si vend i ndërtuar me idealet demokratike dhe çfarë kishte rëndësi, në sferën politike nuk kishte interesa të drejpërdrejta ndaj Shqipërisë, në dallim nga fuqitë evropiane. Prandaj Adelina dhe unë si autore u orvatëm të hedhim dritë mbi kushtet historike dhe rrethanat e atëhershme për ta dhënë sa më të plotë tablonë e kohës në këtë vit jubilar të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro amerikane. Patriotët shqiptarë erdhën në Amerikë për të siguruar mbështjetjen amerikane dhe intuita e tyre intelektuale dhe mprehtësia politike që i orientoi drejt Amerikës nuk gaboi. Amerika u bë partneri më i fuqishëm dhe më i rëndësishëm ndërkombëtar për shqiptarët.

Dielli – Po ndërsa e gjetën atmosferën të favorshme për aspiratat e tyre liridashëse, këta patriotë përballeshin me analfabetizmin dhe rezistencë nga grupe interesi që punonin për interesat e fuqive evropiane. Paralelisht me lobimin e politikanëve dhe të zyrtarëve amerikanë dhe mbledhjen e fondeve, ata kryenin shkollimin e emigrantëve shqiptarë, botimin e gazetave si pjesë integrale të edukimit kulturor por edhe vetëdijësimit kombëtar të kolonisë shqiptare këtu. Çfarë i orientonte ata në hartimin e një programi të tillë?

Figurat drejtuese mendonin se do gjenin kushte të favorshme për avancimin e interesave kombëtare në Amerikë. Përsa i përket zhvillimit kulturor dhe arsimor, shqiptarët jashtë vendit ishin më të lirë për ta bërë këtë sesa brenda, sidoqoftë patriotët duhet të punonin në të gjitha planet sepse kjo ishte e vetmja rrugë për të zgjidhur njëherë e mirë çështjen kombëtare. Për sa i takon komunitetit shqiptar në Amerikë, në pjesën më të madhe ata kishin ardhur këtu për arsyse ekonomike dhe shumë prej tyre nuk ishin të shkolluar. Duke e njohur këtë aspekt, organizatorët u orientuan së pari në hapjen e shoqërive. Petro Nini Luarasi punoi për të bashkuar shqiptarët duke ndihmuar në themelimin e shoqërive të para, “Pellazgu” dhe më pas “Malli i Mëmëdheut” në Jamestown, New York, të cilat luajtën një rol të madh në periudhën përpara themelimit të “Vatra”. Petro Nini vizitoi shumë koloni të shqiptarëve të Amerikës dhe me oratorinë e tij të njohur kërkonte t’i bashkonte ato për të mirën e lëvizjes kombëtare. Sotir Pecit ju besua detyra e hartimit të gazetës Kombi, për të cilën ai bënte çdo gjë vetë, ndërsa Noli do të dorëzohej prift për të kryer një detyrë me shumë rëndësi për kombin. Petro Nini vazhdoi të vizitonte dhe mobilizonte kolonitë në mbarë Amerikën derisa u kthye në atdhe. Ishte si një pelegrin, që çfarë fitonte e harxhonte për çështjen kombëtare. Dhe madje kur u kthye në Shqipëri, dhe e pyetën se ç’pasuri kishte sjellë me vete, Petro Nini u përgjigj: “Fëmijëve u solla babanë, nënës së tyre burrin, Shqipërisë mësonjësin dhe miqve mikun e tyre, Petron”. Ai është një nga hedhësit e themeleve të strategjisë kombëtare edhe në Amerikë, ndonëse përmendet më shumë për shkollat shqipe e drejtimin e Mësonjëtores.

Dielli – Pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë erdhën si punëtorë sezonalë si gjyshi im dhe gjyshi juaj, por shumë të tjerë ishin analfabetë. Si arriti të bëhet gazeta një mjet për ngjizjen e ndjenjës kombëtare në ato kushte?

Shqiptarët e asaj kohe jetonin në konakë dhe kishin të zhvilluar ndjenjën komunitare, flisnin të njëjtën gjuhë por shumica nuk dinin ta lexonin dhe ta shkruanin atë. Në vitet 1906 kur doli Kombi për herë të parë, Kostë Çekrezi përmend se vetëm 20 vetë ishin të arsimuar prej mijëra emigrantëve që llogariteshin asaj kohe. Prandaj Sotir Peci jo vetëm e botonte dhe shpërndante gazetën tek abonentët por edhe ju shpjegonte pse u duhej ta lexonin atë. Disa e pyesnin “Çfarë më duhet mua kjo copë letër?” Pra nismëtarëve ju desh të ndiznin njëkohësisht ndjenjën atdhetare dhe dëshirën për shkollim dhe edukim kulturor. Përmes nevojës për të lexuar lajmet dhe përmes publicistikës, gradualisht shqiptarët e kolonisë filluan të mësojnë shqip.

Një shembull tjetër është Llambi Vaskë – George, anëtar i degës së Vatrës në Micigan, që kishte ardhur në Amerikë në moshë të vogël e kishte kryer shkollën e mesme këtu. Ai përgatiti një metodë për mësimin e anglishtes për bashkëatdhetarët e tij përmes të cilës ata gjenin rast të mësonin edhe shqip, kryesisht në orët pas pune. “Metoda” u përmirësua disa herë dhe u shpërnda edhe nëpërmjet Vatrës. Si sekretar i Trupit Vullnetar dhe i Bandës së Vatrës ai ka mbajtur edhe shënime në formën e një ditari ku me një gjuhë lakonike tregon se sa gazeta priste me postë gjatë ditëve të javës dhe jep të dhëna mbi debatin politik në gazeta të ndryshme shqiptare por dhe në sfondin amerikan. Ndikimi i këtij shtypi ishte i jashtëzakonshëm edhe në planin diplomatik. Mjafton fakti se në vitet 1919 dilnin 14 gazeta shqiptare në Amerikë, katër prej tyre në shqip dhe anglisht, ndërsa të tjerat vetëm shqip. Ato mbanin të gjallë debatin politik kombëtar dhe çështjen patriotike. Ndonëse punonin për një qëllim kombëtar, për pavarësinë e atdheut dhe mbrojtjen territoriale të Shqipërisë, midis grupimeve të shqiptarëve kishte edhe kontradikta. Por për mendimin tonë, kjo ishte shprehje e pluralizmit të mendimit. Një pjesë e anëtarëve të njohur për patriotizmin e tyre dhe vlerat intelektuale u larguan nga Vatra, të tillë si Kristo Dako, Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi, Mihal Grameno etj. Debatet dhe polemikat mes tyre që pasqyroheshin në faqet e gazetave ishin shprehje e kulturës demokratike e qytetare, sigurisht të ndikuara edhe nga mjedisi amerikan ku ata jetonin. Për ilustrim po përmend ditarin e shkurtit 1918 ku Ll. V. George shkruan dy fjali; “Punova 12 orë. Z. K. Grameno, me një artikull në “Dielli” kritikon z. Adams për sa shkruante javën e kaluar në “Koha”… Këtu ka pasur ndikim jeta dhe përvetësimi i normave të demokracisë amerikane, që na kthen tek pyetja juaj më lart sesi e hartuan ata programin kombëtar për modelin e shtetit shqiptar. Patjetër morën modelin amerikan të shtetit ku synimet ishin të njëjta për zgjimin e ndërgjegjes dhe kur ata nuk pajtoheshin për një rrugë apo një tjetër. Në këtë vazhdë krijimi i bandave muzikore, hapja e klubeve, ngritja e skuadrave sportive, që nuk ekzistonin në Shqipërinë e asaj kohe, e me rradhë janë modele të jetës amerikane. Në të vërtetë teza se debatet e polemikat në shtyp janë dëshmi se shqiptarët grinden me njëri tjetrin zbehet përpara faktit se argumentimi publik i qëndrimeve të kundërta është shprehja më e qartë e kulturës demokratike dhe pjekurisë politike të palëve.

Dielli – Një nga një dhe së toku, elementet që përmendët ishte në funksion të strategjisë kombëtare. Secili prej tyre, nga diplomacia te banda, kishte peshën dhe vendin e vet. Banda e Vatrës arriti të ngrinte peshë ndjenjat kombëtare të bashkësisë këtu dhe të kthehej në shprehje të përkushtimit atdhetar. Si e shikoni ju atë më konkretisht?

Janë disa ditë festash në Korçë, gjatë të cilave ne përjetojmë shumë bukur atmosferën përmes Bandës që luan në rrugët e qytetit apo kur shoqëron procesionin gjatë javës së Pashkëve. Dhe këtë thesar të qytetit që e trashëgojmë sot, ia dedikojmë Bandës “Vatra” e cila hodhi farën e muzikës dhe kulturës që u konservua aq mirë në Korçë. Përveç Korçës, Banda shkoi në Vlorë ku u bë mbështetja emocionale më e fortë e luftëtarëve dhe vazhdoi udhëtimin në qytete të tjera. Por nëse shohim në detaje se çfarë u ngjiz në qytetin e Korçës në këtë kohë, do duhej të flisnim gjatë. Drejtuesi dhe kompozitori Thoma Nasi me origjinë nga Dardha krijoi korin Lira, Shoqërinë e Arteve të Bukura dhe Orkestrën e Parë Simfonike, të cilat mbollën dhe kultivuan farën e kulturës në vitet 1920-1928 në Korçë. Meqë një pjesë e themeluesve të Vatrës vinin nga fshatra, rrethina dhe vetë qyteti i Korçës, ata i kthyen vendlindjes pasurinë kulturore me të cilën ishin brymosur. Llambi V. George, që e përmenda më parë, në ditarët që mbajti gjatë kohës së shoqërimit të Bandës Vatra në Shqipëri na tregon shumë për mënyrën se si pritej Banda kudo që shkonte por edhe për integrimin e anëtarëve të Trupit Vullnetar dhe të Bandës në jetën shoqërore e politike të kohës. Me pak fjalë, Banda u bë ambasadorja dhe frymëzimi i shqiptarëve që luftonin për të mbrojtur territorin dhe identitetin e tyre ndërkohë që hodhi themelet e jetës kulturore dhe emanicipimit të shoqërisë shqiptare. Ka shumë gjurmë të kësaj kohe në Korçë, detaje si koncerte, teatër, muzikë, poezi, këngë patriotike e lirike, bibliotekë publike…etj ndaj më vjen biseda tek Korça, por është edhe qyteti im.

Dielli – Çfarë roli pati Vatra në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike shqiptaro amerikane në atë kohë? Ku e vendos ky moment Vatrën në tablonë e madhe historike?

Vatra hapi apo shtroi rrugën që do të thotë se krijoi në mjedisin amerikan një diasporë të organizuar e cila arriti të afirmohej. Ajo u kujdes që të ndërtonte marrëdhënie shumë të mira me shtetin amerikan e t’i ushqente ato në shërbim të çështjes kombëtare, gjë që në momente të caktuara ka qenë shumë e vështirë. Për shembull, gjatë Luftës së Parë Botërore, Vatra dhe drejtuesit e saj gjetën dhe mbajtën një ekuiliber shumë të brishtë midis palëve ndërluftuese dhe interesave të tyre të brendshme për shtrirje territoriale dhe influencë, siç ishte rasti i Austro-Hungarisë. Kur Amerika hyri në luftë me aksin, përfaqësuesit shqiptarë ishin të vetëdijshëm për konfliktet e brendshme dhe pasojat e mundshme të çdo lëvizje të pamatur mirë.

Në momentet më të vështira të Shqipërisë së pas pavarësisë, Vatra plotësonte atë që mungonte e që nuk mund të bëhej në Shqipëri. Në kohën kur Shqipëria nuk kishte qeveri, ata e krijuan atë “në mërgim”; kur Shqipëria nuk kishte ushtri, ata e krijuan Trupin Vullnetar i cili ishte de facto forca ushtarake e vendit; në vend të taksave, “qeveria” e Vatrës mblidhte kontribute vullnetare, përmes të cilave u mbështetën veprimtaritë diplomatike dhe ato ushtarake. Vetëm të qëndroje në Paris gjatë periudhës së Konferencës së Paqes, duhet të kishe burime financiare. Ndonëse mund të tingëllojë e rëndomtë popujt e vegjël mund të kenë humbur shanse gjatë historisë sepse nuk kanë mundur të financojnë përfaqësuesit e tyre në takime e konferenca të mbajtura në kryeqytetet evropiane. Në vitin 1918 në takimin me Presidentin Wilson, Fan Noli mori pjesë si përfaqësues i diasporës shqiptare duke bërë që shqiptarët të kishin një nivel të lartë përfaqësimi. Vatra njihej si diaspora shqiptare në Amerikë në sajë të punës që kishte bërë në diplomaci, arsim e shkollim. Drejtuesit e Vatrës patën aftësinë dhe largpamësinë të kujdeseshin dhe përhapnin edukimin e emigrantëve si edhe të përfaqësonin Shqipërinë në nivelet më të larta sepse ishin të edukuar në shkollat më prestigjioze amerikane, p.sh Noli e Konica ishin studentë të Harvard. Intelektualët shqiptarë të kohës, në mjaft raste ishin në gjendje ta mënjanonin xhelozinë në interes të përfaqësimit sa më dinjitoz të kombit. Po t’i rikthehemi më herët Petro Nini Luarasit, ai për hir të çështjes kombëtare, edhe mund të ishte bërë prift nëse në Amerikë nuk do kishte ardhur një tjetër shqiptar më i përshtatshëm se ai”- thuhet në kujtimet për të. “Fan Noli ishte më “aksios” për këtë detyrë.” Ndjenja e përgjithshme ishte se na duhet “një zë i zoti” dhe të tillë ata shikonin Fan Nolin. Prandaj në takimin e Presidentit amerikan Woodrow Wilson me rreth tridhjetë përfaqësues të kombeve të shtypur, përfaqësimi i Shqipërisë nga Fan Noli nuk ishte fat por një zgjedhje e vetëdijshme e mbështetur nga zotësitë e tij. Në atë takim kishte disa përfaqësues të kombeve të tjera të cilët nuk dinin anglisht dhe komunikonin me përkthyes ndërsa Noli bisedonte me Presidentin Wilson me gjuhë të rrjedhshme dhe mprehtësi prej intelektuali të kalibrit të lartë.

Dielli – Kjo është forca apo fuqia e përfaqësimit?

Po, është e vërtetë, kjo është forca e përfaqësimit. Në atë kohë ne përfaqësoheshim nga njerëz të mençëm të cilët rekomandoheshin të shkonin në Amerikë sepse aty mendohej se do gjendej përkrahje për çështjen kombëtare. Dhe me nivelin e përfaqësimit të tyre, me aktivitetet e Vatrës në të gjitha planet, shqiptarët e siguruan atë. Ndërkohë që Presidenti Wilson hapi një etapë të re me platformën e tij për vendet e shtypura, vatranët ditën ta kapnin momentin në shërbim të Shqipërisë. Dhe jo vetëm kaq, ata arritën të ngrinin përmes të dërguarit të tyre Mehmet Konica në Londër një krah të fuqishëm diplomatik, Komitetin “Miqtë e Shqipërisë”, ndërkohë që përgatitej terreni në Amerikë përmes lobimit me anë të personave dhe grupeve që ishin afër Presidentit Wilson. Pra, pa vënë shpallje a deklarime të mëdha Vatra kishte hedhur themelet e diplomacisë.

Dielli – Për shkak se ka një zgjatje dyvjeçare, a mund ta saktësojmë këtu kohën e paraqitjes së kërkesës pranë autoriteteve dhe më pas zyrtarizimin e marrëdhënieve diplomatike midis Amerikës dhe Shqipërisë?

Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve, ku Noli tregoi sërish aftësitë si diplomat i përkryer me takimet paraprake, kontaktet me shtypin dhe fjalimin elokuent në Asamble. Sipas të drejtës ndërkombëtare, pranimi i një shteti në Lidhjen e Kombeve, konsiderohej si formë e njohjes kolektive të tij, kështu që kjo ripohonte statusin e Shqipërisë si shtet i pavarur. Megjithatë, vendimi i Konferencës së Ambasadorëve të Parisit që njihte qeverinë shqiptare dhe konfirmonte kufijtë e vitit 1913, doli thuajse një vit më vonë në 9 nëntor 1921. Në këtë arritje, Amerika kishte luajtur një rol vendimtar dhe vendosja zyrtare e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve ishte tashmë çështje proceduriale, megjithatë po e përshkruaj shkurt. Në nëntor 1921, Komisionieri i qeverisë shqiptare në Uashington, Kostë Çekrezi, dorëzoi kërkesën për njohje në Departamentin e Shtetit. Fati e solli që sërish Noli në detyrën e Ministrit të Jashtëm, të nënshkruante në janar 1922, notën zyrtare që kërkonte vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA. Më 28 korrik 1922, Xhafer Ypit, në cilësinë e Kryeministrit të vendit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, ju dorëzua nota e njohjes së qeverisë shqiptare nga SHBA dhe në dhjetor 1922 mbërriti në Tiranë përfaqësuesi i parë diplomatik i qeverisë amerikane U. Grant-Smith, në cilësinë e Ministrit të parë Fuqiplotë dhe të Jashtëzakonshëm të SHBA në Shqipëri. Në korrik 1926, Faik Konica, një vatran intelektual i spikatur, përfaqësoi Shqipërinë si Ministri i parë Fuqiplotë dhe i Jashtëzakonshëm shqiptar në Uashington deri në vitin 1939.

Dielli – Çfarë mesazhi përcillet nga figurat dhe bashkatdhetarët e asaj kohe për ditët e sotme? A shërbëjnë ato vetëm si mësime e fakte historike apo janë pika orientuese për ne sot?

Vatra është burim frymëzimi për shqiptarët. Vatranët jo vetëm hartuan rrugën, por e ndoqën atë deri në “bërjen e Shqipërisë”. Si e përmenda edhe në fillim, Noli shprehej: ne e bëmë Shqipërinë më vete…. “Ju mbetet të tjerëve ta çojnë më përpara…”. Fjalia e fundit është aktuale në çdo kohë…. Një komb konsiderohet se ka hyrë në rrugën e zhvillimit kur e gjithë shoqëria ndjen një nivel të caktuar prosperiteti, të gjitha shtresat kanë një mirëqënie të kënaqshme, pas kësaj më të zotët le të ecin më përpara. Po t’i referohemi këtij sistemi, duket se Shqipëria nuk ka hyrë ende në fazën e zhvillimit apo të ngritjes “take off”, dhe jemi për një kohë të gjatë në “pre take off”

ndërsa duket se shoqëria po shkon drejt polarizimit. Krerët dhe patriotët e asaj kohe u shkolluan me synimin që të përfaqësonin kombin. Kjo gjë duhet të frymëzojë edhe brezat e sotëm. Shkollimi nuk duhet të jetë vetëm ambicje individuale por edhe kombëtare dhe përsosja individuale të vihet në shërbim të avancimit të kombit. Kjo nënkupton vlerësimin e profesionistëve dhe vlerën e tyre të përfaqësimit. Historikisht nga Shqipëria kanë ikur gjithmonë më të mirët, mendja dhe mençuria kanë rrjedhur jashtë duke ulur propabilitetin për vlerën e përfaqësimit. Ashtu si bashkëatdhetarët e fillimshekullit XX mbështetën më të zotët për t’i përfaqësuar dhe udhëhequr, ashtu edhe sot duhet përkrahur potenciali më i mirë në mënyrë që ta çojmë Shqipërinë më përpara, si thoshte Noli. Në ditët e sotme kjo “më përpara” përkon me hapin përcaktues në zhvillimin e çdo kombi, të kapërcehet faza përgatitore “pre-take off” e të futemi në stadin e ngritjes, përparimit dhe prosperitetit.

Dielli – Ju jeni një nga ekspertet e vendit për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore si edhe për zhvillimin e qendrueshëm e fusha të tjera por në kontekstin e festës dhe përvjetorit të pavarësisë e përqendruam bisedën në strategjinë shumëdimensionale dhe largpamësinë e themeluesve të Vatrës dhe drejtuesve vizionarë të diasporës.

Në vite të tilla jubilare kur kemi shumë përvjetorë si 110 vjetori i Vatrës, 100 vjetori i marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Amerikë, fokusi natyrisht do jenë te këto ngjarje të rëndësishme. Për kërkimin për këtë periudhë kam patur edhe nxitje personale dhe mendoj se do të vazhdoj të kërkoj, ndoshta edhe mund të na bashkohen rrugët për disa gjurmë. Ndërkohë studimet e mia lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm, bashkëpunimin ndërkufitar midis komuniteteve kufitare për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore dhe ndikimin e tyre në ruajtjen e mjedisit dhe të paqes. Fokusi im ka qenë zona kufitare e liqeneve të Ohrit dhe të Prespës si zonë e Perdes së Hekurt që dikur ndante Evropën Perëndimore nga ajo Lindore dhe zhvillimet që ajo ka patur pas rënies së komunizmit. Mendoj se jo vetëm historia por edhe edukimi në tërësi duhet të jetë me fokus pozitiv në ditët e sotme. Ne shpesh i referohemi të keqes dhe e përmendim vazhdimisht por kjo në fakt na heq vëmendjen nga pozitiviteti, pra ajo që duhet të arrijmë. Duhet të flasim më shumë për të mirën dhe zgjidhjen sesa për problemet dhe për negativen. Edhe fokusi i OKB-së në dekadën e fundit duket se do të jetë i përqëndruar këtu.

Dielli – Ju falemnderit për bisedën!

Filed Under: ESSE Tagged With: ardiana mici, Rafaela Prifti

KRYETARI I VATRËS U PRIT NË TAKIM NGA ISH KRYEMINISTRI I KOSOVËS RAMUSH HARADINAJ

November 16, 2022 by s p

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA z.Elmi Berisha dhe stafi që e shoqëronte u prit në një takim të përzemërt e vëllazëror nga ish- Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Ramush Haradinaj në Selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Temë diskutimi ishte situata e përgjithshme në Kosovë, situata e sigurisë së brëndshme, propozimi Franko-Gjerman dhe çështja e përmbylljes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ishte konstatim i dyanshëm se është në interes të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon arritja e marrëveshjes përfundimtare me njohje reciproke mes Serbisë dhe Kosovës. Po ashtu u bisedua për rolin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra dhe intensifikimin e angazhimeve në Washington DC. Heroi i luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës z.Haradinaj në faqen e tij zyrtare shkroi: “Gjithmonë kënaqësi kur takohem me Federatën “Vatra”, organizatë kjo me traditë shekullore në avokimin e kauzës shqiptare në Amerikë. Edhe pse kaluan Atlantikun, bijtë e shqipes asnjëherë nuk u ndanë nga trungu shqiptar. Ashtu vazhdojmë edhe tani, të bashkuar e të koordinuar për interesin nacional dhe një të ardhme më të ndritur për Atdheun tonë të përbashkët”.

Filed Under: ESSE

E VEÇANTA DHE UNIVERZALJA E BOTËS SHQIPTARE

November 15, 2022 by s p

Shkruan Prof.dr. Skender ASANI/

Historia e shqiptarëve, sa është e dhimbshme, po aq është edhe krenare. E veçanta e kësaj historie ndërlidhet me vet rrugëtimin e popullit shqiptar për të mbijetuar në rrethana e procese që jo gjithmonë ishin në duart e vet shqiptarëve. Falë këtij rrugëtimi të vështirë e të ndërlikuar, shqiptarët me vonesë e etabluan vetëdijen e tyre në procesin historik të kombshtet-formimit. Por kjo nuk i pengoi ata që të ruajnë unitetin e brendshëm shpirtëror e kulturor, edhe përkundër një diversiteti të theksuar fetar, një vlerë kjo që i shquan shqiptarët dhe i bën të trajtohen si model për kombet tjera që e kanë të njejtin diversitet të brendshëm fetar si shqiptarët. Por ata, nuk e arritën atë që shqiptarët e kishin tejkaluar me kohë: që kauzat kombëtare asnjëherë nuk u eklipsuan nga ato fetare. Majfton të rishikojmë dokrinën ideologjike e kulturore të Rilindjes sonë Kombëtare dhe do të vërejmë se orientimi oksidental mbizotëronte në pikëpamjet e rilindasve tanë dhe ky ishte një favor kapital për të ardhmen tonë si komb që ndodhej i rrethuar nga errësira disa shekullore aziatike. Perden e trashë të kësaj errësire e grisën tekstet letrare e ideologjike të vëllezërve Frashëri, artikjut programatik të publicistit Shahin Kolonja e Nikolla Naçe, pikëpmajet e avncuara gjuhësore të Konstantin Kristoforidhit, epika brilante e Gjergj Fishtës, poezitë me patos social e kombëtar të Fipi Shirokës etj.

Shqiptarët kulturalisht i përkasin Perendimit, kurse në edukimin dhe formimin e tyre shpirtëror kanë ndikuar disa religjione:

-katolicizmi, ortodokizmi dhe protestanizmi ndikuan në avancimin e kulturës dhe arsimit,

-bektashizm shërbeu si urë lidhëse në mes të kulturave e feve të ndryshme dhe

-islami kontribuoi në trajtat e caktuara të mbijetesës në mjediset e përziera ku rreziku i asimilimit kombëtar ishte evident

Shqiptarët gjatë gjithë historisë u shoqëruan nga tradita e praktika të ndryshme fetare, por në kodin e tyre kulturorologjik ngeli e pandryshuar vertikalja kombëtare, si një shirit që përshkoi fjongon e diversiteteve tona fetare. Rrejidhimisht, i bie që shqiptarët fetë i përdorën si kostume që mund edhe t’i ndërrojnë varësisht nga festat, kurse kombin e mbajtën si shtyllë që garantoi qëndrueshmërinë e tyre ndaj rrebesheve të egra të kohës.

Tani kur jetojmë në një kohë me dimensione të shumanshme të multikulturalizmit dhe globalizmit, kombi shqiptar sërish ndodhet para sfidave të reja. Shpopullimi i vazhdueshëm që po ndodhë aktualisht në trojet tona, i ka zënë të papërgatitura elitat tona politike dhe për pasojë mungon një strategji efiksa për parandalimin e këtij procesi të dimbshëm, jo vetëm demografik, por edhe kombëtar. Familja shqiptare po shkon duke u reduktuar dhe duke u deatomizuar, dhe për pasojë rreziku nga asimilimi po bëhet eviend edhe për shkak të mungesës së një mekanizmi parandalues ndaj këtyre proceseve, sidomos në komunitetin tonë të madh të mërgatës shqiptare. Kjo e fundit i është ekspozuar një procesi degradues që po vjen si pasojë e një organizimi stihik, ku në të shumtën e rasteve dominon prirja për të hapur më tepr objekte fetare e më pak shoqata kulturore e shkolla kombëtare.

Një organizim i tillë i diasporës sonë, jo vetëm që bie ndesh me kodin tonë kulturor, por prish edhe kohezionin civilizues e social në mjediset ku shqiptarët jetojnë e veprojnë. Prandaj botën shqiptare duhet ta konceptojmë si një organizëm që po vjen duke u zgjeruar dhe duke dalur nga amza e vet, ku organizimi kulturor, teknologjik e arsimor duhet të jenë dimensionet vendimtare që e bëjnë botën shqipatare të duket si një “fshat global”, siç do të thoshte komunikologu kanadez Marshall Mclluchan (Meklluhan).

Që të arrihet kjo, mërgata e madhe shqiptare duhet të braktis urgjentisht disa trajta të tanishme të organizimit fetar dhe në vend të kësaj të praktikohet mësimbesimi fetar ku do të trajtoheshin të gjitha religjinet që kanë ndikuar në formmin shpirtëror e kulturor të shqiptarëve. Vetëm me kurikula të tilla të përbashkëta fetare, ku diversiteti i besimeve do ta përforconte dhe më tepër bazën edukuese të fëmijëve tanë, ne si komb do të arrijmë t’i parandalojmë disa sfida që janë pasojë e prurjeve të pakontrolluara globaliste.

Karakteri gjithpërfshirës i programit kulturor të Rilindjes sonë Kombëtare duhet të jetë udhërrëfim edhe për gjeneratat e sotme dhe të ardhme, duke e ngritur në edukim të përgjitshëm historinë e përbashkët të formimit tonë si komb, ku kontributet e familjes Qiriazi bashkë me Frashërlinjtë dhe Bojaxhinjtë e Shkupit vulosën axhendën tonë kulturore e arsimore.

E veçanta e botës shqiptare duhet të jetë kultivimi i vëllazërisë së brendshme kombëtare e fetare, kurse univerzalja gjithsesi duhet të na shërbejë rruga jetësore e Nënës Tereze. Pra, shqiptarët në vend se të kultivojnë vëllazëritë e jashtme mbi axhenda fetare, duhet të përforcojnë vëllazërinë e brendshme, sepse ai është motori i vetëm që vë në lëvizje progresin tonë si komb.

Ne duhet të jemi shumë me fat që nga gjiu ynë doli Gonxhe Bojaxhiu, të cilën bota e njohu si Nëna Tereze, e cila nga periferia barti dhe mori me vete përvojat kulturore që në thelb kishin diversitetin etnik e fetar, duke e shndërruar këtë përvojë në kauzë shpirtërore-univerzale. Nëna Tereze është shembulli më unikat i projektimit të shtëpisë së përbashkët për të gjithë njerëzit, pa pasur nevojë që ndonjeri prej tyre të ndjehet pronar, e ndonjëri qiragji. Shtëpia e madhe e Nënës Tereze ofroi strehë e ngrohtësi për të vemtuarit dhe braktisurit, për të sëmurët dhe të vobektit, kurse tapia e kësaj shtëpie ishte vet buzëqeshja e Nënës Tereze, e cila shpëndahej në skutat më të errta të vetmisë njerëzore.

Organizimi i komunitetit shqiptar në Kroaci, falë angazhimit këmbëngulës edhe të deputetes së nderuar znj. Ermina Lekaj-Përlaskaj si dhe të një armate të tërë veprimtarësh, mund të merret si model për mërgatën tonë në Europë dhe me gjerë. Hapja e tetë qendrave kulturore, që tani e tutje janë pronë e komuniutetit shqiptar në Kroaci, flet jo vetëm për seriozitetin e një qasje institucionale, parasegjitash të depuetes Përlaskaj dhe bashkveprimtarëve të saj, por edhe për një vetëdije të formuar kulturore e politike të këtij komuniteti, i cili e konsideron veten pjesë të proceseve të rëndësishme shtetmofrmuese në Kroaci.

Do të doja që edhe nga ky forum i sotëm të dalim më të qartë me visione e synime për të ardhmen tonë të përbashkët, duke forcuar lidhjet që na bashkojnë, dhe duke flakur veset që na ndajnë, sepse siç thoshte prof. Anton Çetta “Kur t’ja lshojsh tjetrit kryt n’dore, ta ven kapuqin qysh don ai, e jo qysh don ti”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Skender Asani

Prof. Bexhet Asani dhuroi 2 libra për Bibliotekën Shkencore të Vatrës

November 15, 2022 by s p

Prof. Bexhet Asani dhuroi 2 libra për Bibliotekën Shkencore të Vatrës. Libri “Ëmbëlsia e gjuhës amë” kryesisht përfshinë studime, recensione, kumtime, gjuhë, skica si dhe portrete për punonjësit e dalluar në fushë të arsimit e të kulturës në ultësirën e Strugës. Vepra “Ëmbëlsia e gjuhës amë” është e ndarë në gjashtë kapituj. Libri ka 274 faqe. Në libër janë përfshirë studimet për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, me rastin e “Vitit të Skënderbeut 2018”, si dhe kumtesa nga Konferenca shkencore që u mbajt me këtë rast në Nju Xherzi. Vlen të përmend kumtesat si: “Gjuha e Skënderbeut apo arbërishtja një raritet kulturor”, Poema e Binard Bilotës “Shpata Skanderbekut ndë Dibrë Poshtë”, “Një këngë popullore për Skënderbeun nga Malësia e Sharrit”, pastaj recensionet që u kushtohen veprave letrare dhe shkencore të autorëve arbëreshë qofshin ata të rilindjes qofshin ata shkrimtarë bashkëkohorë apo Grupe Artistike e Folklorike Arbëreshe si: “Një libër me vlera nga Mbuzati”, Grupi “Biltë e Firmozës” në mbrojtje të trashëgimisë kulturore arbëreshe”, “Me arbëreshët e Zarës”, “Një ringjallje te arbëreshët e Ukrainës”etj. Janë prfshirë edhe studime nga veprimtaria e shqiptarëve në Nju Xherzi si: “Disa fletushka të Fondit të Përbashkët Shqiptar” në Nju Xherzi. Ky studim ka të bëjë me fletushkën “Tribuna” e Fondit të Përbashkët Shqiptar sot Qendra Kulturore Shqiptaro – Amerikane në Riverdell të Nju Xherzit. Fletushka “Tribuna” arriti të botohet gjer te numri 24 dhe pastaj u shua. Megjithatë në këto pak numra shtjellohet tërë veprimtaria e Fondit të Përbashkët që nga themelimi në vitin 1977 derin në vitin 2012 kur dhe doli numri i fundit me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë.

Profesor Kristaq Shabani redaktor i librit “Ëmbëlsia e gjuhës amë” të dr. Bexhet Asanit shkruan: “Kështu mund të përmendim punimet: “GJUHA E SKËNDERBEUT APO ARBËRISHTJA NJË RARITET KULTUROR”, ku shprehet: “Arbërishtja arkaike, apo siç mund ta quajmë edhe gjuha e Skënderbeut, flitet sot e kësaj dite, në disa vende të botës. Arbërishtja flitet në krahinat Jugut të Italisë, në Kalabri e në Sicili. Arbërishtja arkaike, apo siç mund ta quajmë edhe gjuha e Skënderbeut, flitet sot e kësaj dite, në disa vende të botës”. Studiuesi Asani i mëshon fort qenësisë së sotme të saj ekzistenciale dhe dhe shndërrimin e saj në ranitet kulturor, duke sjellë shkaqet dhe arsyet e një gjendje të tillë. Të plotformuara dhe mbushamendëse janë paraqitja e disa fjalëve, frazeologjive, shprehje e fjalë të urta nga disa katunde arbëreshe, disa prej të cilave i ruan shqipja e sotme e disa nuk i ruan. Duke hyrë në këtë “arsenal” ndeshesh me gjallinë e ruajtjes dhe të përcjelljes së gjuhës arbërishte, me të cilat studiuesit, intelektualët nisen me rrallësinë dhe prezencën. Studiuesi shtron në tryezën e arsyes shkencore detyrën imediate për ruajtjen e kësaj pasurie. Ndaj, në këtë kontekst evidentues, është një detyrë historike, e cila realizon dhe njohjen dhe ruajtjen e traditës së gjuhës së folur dhe të shkruar. Përkushtimi i studiuesit, Dr. Bexhet Asani, shpaloset qartësisht dhe këtu vërehet dhe “pastërtia” e tij shkencore e motivuar”.

Se çfarë përmban më tej libri me titullin simpatik “Ëmbëlsia e gjuhës amë” le ta zbulojë vetë lexuesi.

Libri studimor në gjuhën anglishte është “Albanian Folk in North Macedonia” (Lirika popullore shqiptare në Maqedoni), siç shihet edhe nga titulli ka të bëj me këngët popullore lirike të shqiptarëve në Maqedoni. Librin në fjalë pas shumë peripecish arriti që ta botojë edhe në gjuhën angleze. Libri i ka 315 faqe. Studimi “Albanian Folk in North Macedonia” (Lirika popullore shqiptare në Maqedoni), është i ndarë në pesë kapituj. Është studim i parë që është bërë për lirikën popullore shqiptare në Maqedoninë e Veriut, prandaj është me interes për shkencat albanologjike në veçanti dhe për studiuesit dhe lexuesit e huaj në përgjithësi. Studiuesit e folklorit dr. Rrustem Berisha dhe dr. Sadri Fetiu, kur bëjnë fjalë për këtë studim monografik midis tjerash shkruajnë: “Studimi ka një hyrje relativisht të gjatë në të cilën janë paraqitur në vija të përgjithshme veçoritë e lirikës shqipe në Maqedoni, duke i vënë në spikamë karakteristikat dalluese të krijimeve të këtij regjioni, ku hulumtimet folklorike në terren kanë filluar shumë më vonë se në viset e tjera shqiptare. Shikuar përgjithësisht lirizmi i kësaj poezie, siç konstaton prof. Bexhet Asani kushtëzohet edhe nga mënyra e të kënduarit, ku janë ruajtur përbërës të hershëm të diafonisë dhe polifonisë shqiptare. Me gjithë karakteristikat e veçanta që në hyrje autori konstaton se lirika populllore shqiptare në Maqedoni është pjesë e pandashme e krijimtarisë popullore të kombit tonë. Në hyrje të këtij studimi, krahas paraqitjes së qëllimit për të cilin bëhet fjalë janë trajtuar shkurtimisht edhe aspektet teorike dhe metodologjike që janë zbatuar për hartimin e tij. Këtu, autori na jep edhe një pasqyrë të tërësishme të lëndës që përfshihet në kapitujt dhe nënkapitujt e këtij studimi”.

Filed Under: ESSE

TE VATRA MË 19 NËNTOR 2022 FESTOHEN DITËT E ALFABETIT SHQIP

November 14, 2022 by s p

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 148
  • 149
  • 150
  • 151
  • 152
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT