• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hapet shkolla shqipe në Rümlang të Kantonit të Zyrihut

October 26, 2022 by s p

Vazhdojnë sukseset e «Shkollës Shqipe» në Zvicër, nga njëra shkollë te tjetra, nga njëri kanton te tjetri, vazhdon të rritet interesimi i prindërve dhe njëkohësisht edhe i nxënësve, të cilët vijnë me përkushtim t`i ndjekin mësimet në gjuhën amtare. A ka gëzim më të madh kur i sheh këta fëmijë, të buzëqeshur, të lumtur me abetare në duar. 

Ein Bild, das Person, stehend, darstellend, Gruppe enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Mësuesja Qefsere Sejdiu së bashku me nxënësit e shkollës shqipe në Rümlang të Zyrihut

Dje, e hënë, datë 24 tetor 2022 hapi dyert edhe shkolla shqipe në Rümlang të Zyrihut. E kemi thënë në vazhdimësi se aty ku mësuesit punojnë me përkushtim dhe bëhen bashkë me prindërit sukseset nuk mungojnë. Kjo është dëshmi e pikës shkollore në Rümlang të Zyrihut dhe dhjetëra pikave shkollore ku prindër dhe mësues u bënë bashkë me qëllim që  të hapet pika shkollore sa më afërm këtyre fëmijëve, të cilët jetojnë dhe i vijojnë mësimet në shkollën e vendit në këtë rajon. Mësimi zhvillohet çdo të hëne nga ora 16:00 -18:30, ku Medini, Burhani, Jora, Aroni, Alisa, Xhensila, Saranda, Rejhani, Sara, Almini, Lorisi, Rinesa, Lea, Selina dhe Era ju bëjnë thirrje edhe bashkëmoshatarëve të tjerë, t`iu bashkëngjiten në orët mësimore të gjuhës shqipe.

Ein Bild, das Boden, drinnen, Raum, Fenster enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Të gjithë kanë arsye të buzëqeshin, nxënës, prindër, mësues, sepse i shoqërojnë fjalët që mrekullueshëm tingëllojnë, ora e mësimit në gjuhën shqipe ka filluar!

Klasa ku zhvillohej mësimi në gjuhën shqipe i ngjasonte një çerdheje të vogël në vendlindje. Një copëzë e atdheut shpërndahej nëpërmjet teksteve shkollore “Gjuha dhe kultura kombëtare. Në fytyrat e prindërve shihej qartë gëzimi se tani fëmijët e tyre jo vetëm që do të mësojnë edhe shqip, por edhe e kanë afër shkollën shqipe. Gatishmërinë e tyre për një bashkëpunim sa më të afërt e treguan edhe në mbledhjen e prindërve në mbrëmjen e kësaj të hëne, ku ata vullnetarisht zgjodhën edhe kryetaren e Këshillit prindëror znj. Burbuqe Elmazi, e cila së bashku me prindërit tjerë do të angazhohen jo vetëm në rritjen e numrit të nxënësve por edhe rreth aktiviteteve të lira. 

Shkruan: Vaxhid Sejdiu

Filed Under: ESSE

Policia “mbron”

October 25, 2022 by s p

Astrit Lulushi/

Është gjithmonë e rrezikshme për liritë e njerëzve. Çdo ditë të vrarë. Toka e dhunuar nga ndërhyrjet absurde. Forcat e policisë janë ushtri e përhershme mes njerëzve, që nuk mbajnë absolutisht asnjë përgjegjësi. Detyra është për të mbrojtur vetëm palën e tretë – qeverinë. Presidenti gjithashtu nuk është përfaqësues i popullit – nuk është i zgjedhur – kështu që mund të mos veprojë si komandant i përgjithshëm. Disa gjëra nuk ndryshojnë kurrë.
Policia e vendosur mes nesh më së shumti është armiku ynē. Ajo nuk ndjen besnikëri ndaj “Komandantit të Përgjithshëm” dhe kësisoj jo besnikëri ndaj popullit, vetëm ndaj Qeverisë.
Besnikëria shkon ndaj republikës përfaqësuese de jure, që është zëvendësuar nga një kleptokraci statiste okupuese, antikushtetuese.
Një polici e përbërë nga qytetarë të lirë është e ndarë nga të gjithë tiranët. Ndërsa “policia e shtetit” mbështet krimet pa viktima, vjedhje pa u ndëshkuar, zvogëlimin e të drejtave të individit, pezullimin e të gjitha akteve të tjera në kundërshtim me ligjet. Është gjithmonë e rrezikshme për liritë e njerëzve që të ketë një polici të tillë, mbi të cilën ata nuk kanë asnjë kontroll. Askush nuk ka fuqi. Shkopinjtë e tyre dhe çdo mjet tjetër i tmerrshëm, janë si e drejta e njeriut, që në lindje.
Është mirë të dini se ekzistojnë njerëz të tjerë të civilizuar. Ata, p.sh., kanë një respekt të lartë për diskutimin, mendimet e ndryshme, shprehjen e hapur, vlerat e lindura, kulturat e ndryshme, etj, por kjo është vetëm për njerëzit që pajtohen me ‘ta.
A nuk është qesharake se si qeveritarët duhet të përdorin jo-fakte më të paprovueshme ose të shtrembëruara për të larguar vëmendjen. Çfarë do të thotë “më shumë njerëz vriten me armët e tyre” Më shumë se çfarë? Nuk e di. Çdo ditë vriten në këtë vend, nga policia pra.
Ata pretendojnë se nuk ka armë = paqe. Më duket se kujtoj se nuk kishte armë jo shumë kohë më parë, dhe lufta bëhej me shpata dhe shigjeta. Dhe para shpatave, shkopinjve dhe gurëve. Në çfarë bote fantazi jetojnë ata të mendojnë se armët janë ato që bëjnë luftën. Stilolapsat nuk janë përgjegjës për fjalët e shkruara gabim. Armët nuk janë fajtore për vrasje apo luftë.
Përpjekja e liberalëve ose konservatorëve për t’i mbrojtur njerëzit nga vetja me ndonjë gjë tjetër përveç një edukimi të duhur është një ideal arrogant. Është koha të ndalojmë së përdoruri qeverinë për të ndihmuar njerëzit – nëse doni t’i ndihmoni ata, ndihmojini vetë nëse ju lejojnë. Liria për të zgjedhur — kjo është Liria; ndalon ndërtimet abuzive, dhunumin e tokës, dhe miratimin e ligjeve për masat për të kontrolluar njeriun dhe sjelljen e tij – por gjithmonë dështon (siç është qëllimi i vërtetë i Establishmentit).

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

NJERIU I PYLLIT

October 24, 2022 by s p

Prof. Dr. Ylli Pango

Pyllin e bënë të parët. Mes tyre ai: I pari. Aty…kur asokohe nuk kishte veçse dhe, gëlqere, shkurre koti. Bënë dhe liqerin. (Lasgushçe). Qyteti u bë me mushkëri.

Me Park të madh. Me liqen

…Nuk ka as edhe një mikro-foto. Jo

më statujë a bust të atij që e rriti. E mbrojti

Nuk e kujton njeri. Se ai nuk dinte ç’ishte pylli. Dmth kish studiuar pylltari, dinte të mbarështonte pyje, të “lindte” pyje për të tjerë…Për fēmijë me prindër e të moshuar. Për sportista e ëndërrimtarë podiumesh. Për të dashuruarit e për dashnorët se pyllin e bëri dhe për ata. Ata ishin stolia e pyllit. E pylli streha e tyre e dashurisë.

…Ai diti e bëri shumë. Por prapë…nuk dinte tamam ç’ishte pylli. Nuk ja diti “vlerën”. Andaj sot atje, në pyll, në park, buzë liqeni, nuk ka as edhe një foto, kujtim, shënim për të…More as edhe një gjurmë të tij. Se ai nuk diti të vidhte pyje, t’i shiste, tu kafshonte copa.

…Copa?!…Është fjala për ata që filluan ta kafshojnë pyllin. I pari ngriti në cep të pyllit një lokal. Pak pemë kafshoi. Lekë hëngri shumë. Pastaj e bëri pallat… Pastaj dy.( diku u lut, dha diçka në kēmbim…lek…). U prenë edhe ca drurë të tjerë(“..e mo ka pylli plot…ca pemë u prenë. Pastaj ja u mbollën fidanë. Për 50 vjet i ke gati)

Pastaj i dyti kafshoi më thellë. Kish kafshim më të thellë, thonë stomatologët….Ngriti hotel. I treti…bëri një kompleks….Gjigand…

…Ca nga ca…Po avancohej drejt zemrës së pyllit. Po për zemrën ka bypass. U bënë ca fusha e ca korsi që i vinin rrotull zemrës së pyllit. Kur zemra të pushonte së rrahuri, parashikohej të hiqeshin dhe bypasset. (Me plan çdo gjë). Dhe në vend të zemrës do ngrihej një kompleks i madh ndërtesash në formë Zemre.Zemër artificiale. Do

eci shkenca pra…

Njerëzit që kishin shtëpi pranë pyllit( dhe thellë e më thellë)shtoheshin. Quheshin njerëz të pyllit.

Ndryshe nga njerëzit e pyjeve të së shkuarës, këta ishin më të qytetëruarit..Dmth më të pasurit. Jetonin në shtëpi pylli.

…Pastaj pylli i pallateve, hoteleve, shtëpive e hēngri krejt pyllin e drurëve.

Gjithsesi njerezit që jetonin aty, përsëri quheshin të pyllit. Jo për histori. Po se jetonin në shtëpi të pyllit. Të pyllit tē gurtë të pallateve, hoteleve, shtëpive…

…P.S Ja pra dhe një arsye tjetër që nuk gjejmë dot një gjurmë të krijuesit të pyllit në pyll. Ku kishte vend mes gurëve për atë që mbolli pyllin e gjelbër

( Nuk ēshtë më mes të gjallëve. Këtyre që harrojnë. Emrin e tij, do u a them një herë tjetër)

(Nga CIKLI: Po ndodh, por ju nuk doni të shihni)

Filed Under: ESSE

Shqiperia/ Shoqëria, politika dhe çrregullime të trurit në një kontent historik

October 20, 2022 by s p

Nga Dr. Fatjona R. Lubonja Ed.D/

Duke u bazuar në studimet e neuroshkences sëmundjet mendore janë çrregullime të trurit, pra kanë një bazë biologjike (Griesinger W. 1861; Menninger K, et al, 1959) dhe si të tilla duhen trajtuar si ç’do sëmundje fizike. Sëmundjet mendore përballohen me vështirësi si në shoqëri ashtu dhe politike apo ligjislature, duke u trajtuar si një stigmë që ka penguar bisedën e hapur historikisht në edukimin dhe kuptimin e këtyre ç’rregullimet. 

Në Shqiperi, ashtu si dhe në shumë vënde të botës, tabutë brënda shoqërisë shpesh i trajton sëmundjet mendore të trurit duke i perceptuar ato si të papranueshme dhe të pakuptuara. Për shkak të mungesës së mirëkuptimit ose paaftësisë për të kuptuar sëmundjen apo dhe një etiketë morale shumë raste janë mbuluar apo harruar. Kjo shihet në shkallë me çrregullime të trurit si psikozat, çrregullime bipolare, alzheimer, parkinson, e të tjera…por dhe ato që shfaqen më shpesh në nivele të ndryshme siç janë ankthi, stresi, çrregullime në ngrënie, pagjumësi, emocione, adiksione, dhe të tjera. 

Si shumë çrregullimet të tjera edhe çrregullimet e trurit influencojnë individë të ndryshëm në ç’do profesion dhe ç’do moshë. Mungesa e transparences në data studimore e këtyre sëmundjeve gjatë shumë viteve historikisht ka thelluar hendekun e kuptimit dhe edukimit të shoqërise kundrejt çrregullimeve të ndryshme, gjë që transmetohet në familje, institucionet edukimi dhe politikë. 

Historia në shumë vënde të zhvilluara të botës është përballuar me shumë eksperienca individuale ashtu dhe politikanë që kanë drejtuar vendet e tyre në rrethana të ndryshme të historisë (Parcesepe, A. M., & Cabassa, L. J. 2013). Politika, për veç faktit që është një profession i complikuar me shumë fusha dhe faktorë apo interesa të ndryshme e bën të jetë më e maskuar apo e fshehur më shumë se professionet e tjera. Në Shqipëri ka një vakum informacioni në lidhje me këtë subjekt, duke u bazuar në informacionet historike. Në një studim që kam bërë në Columbia University në New York, dhe me ndihmen e Arkivës së Shtetit, kam hasur në material që legjitizon fshehtësinë dhe ndalimin e studimit dhe marjes së një informacioni të tillë (Lubonja, R., F. 2018). Ky legjislacion është ruajtur me fanatizëm për shumë vite në historinë e vendit, gjë që ka sjell pasoja në mangësitë dhe mundësitë e studimeve si nga studiues shqiptar ashtu dhe specialist huaj. Si pasojë shumë informacione dhe situata të individëve me çrregullime të trurit nuk janë publikuar apo kuptuar nga shoqëria në përgjithësi. Kjo ka bërë të thellohet edhe më shumë ndër vite vakumi i edukimin mbi çrregullimet të trurit. 

Ne Shqiperi, duke u bazuar në informacionet arkivore historike, ka patur raste të njerëzve të historise që kanë vuajtur në një farë periudhe të jetës së tyre nga çrregullime të trurit. Pavarësisht se raste të tilla nuk janë bërë asnjeherë publike apo subjekte studimi nga studiues të

ndryshëm, ato kanë ekzistuar dhe duhen respektuar si cdo çrregullim biologjik. Një rast interesant është rasti i ish-kryeministrit të shtetit gjatë periudhes së Mbretërisë Shqiptare “Mbretnija Shqiptare”, Sulejman Bej Delvina (Arkiva e Shtetit, Drejtoria e Shëndetsisë, 18/1/1932). Dokumenti i referuar nga arkiva e shtetit tregon interesimin e shtetit për shtrimin e pacientit në një trajtim të privilegjuar apo respektuar. #fatjonalubonja 

Resources APA: 

Arkiva e Shtetit, Drejtoria e Shëndetsisë, (1932). Tirane

Lubonja, R., F.(2018). Shqiperia, censura studimore dhe poilitka ne nje kontent historik. Opinion.al 13/11/18 http://opinion.al/shqiperia-censura-studimore-dhe-politika-ne-nje-kontent-historik/ 

Menninger K, Ellenberger H, Pruyser P, et al. The unitary concept of mental illness. Pastoral Psychol. 1959;10:13–9 

Griesinger W. Die pathologie und therapie der psychischen krankheiten: für aerzte und studierende. The pathology and therapy of mental illnesses: for physicians and students A. Krabbe; 1861. 

Parcesepe, A. M., & Cabassa, L. J. (2013). Public stigma of mental illness in the United States: a systematic literature review. Administration and policy in mental health, 40(5), 384–399. doi:10.1007/s10488-012-0430-z

Filed Under: ESSE

SHQIPTARËT – NJË GJUHË, NJË HISTORI, NJË KOMB

October 16, 2022 by s p

Xhelal Zejneli/

Teoria e kombit kosovar është antishqiptare.

Kohët e fundit në hapësirën shqiptare në Ballkan paraqiten do ide, sipas të cilave shqiptarët nuk qenkëshin një komb por dy a më shumë sish. Fatmirësisht, numri i atyre që thonë se ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve jashtë saj, ka dallime të caktuara, është tejet i vogël dhe numërohet në gishta.

Shqiptarët në Ballkan: në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi, në Greqi, duke përfshirë dhe çamët – janë një popull, flasin një gjuhë, kanë një histori dhe janë një komb. Pjesë e pandarë e kombit shqiptar në Ballkan janë edhe shqiptarët në diasporë: në Evropë, në SHBA, në Kanada, në Australi…

Midis shqiptarëve, kudo qofshin ata, nuk ka kurrfarë dallimesh të theksuara, madje mbi kurrfarë baze. Shqiptarët janë një.

Ka individë që thonë se ekziston kombi shqiptar në Shqipëri si dhe kombi kosovar – në Kosovë. S’ka komb kosovar. Kosova është term gjeografik. Ka komb shqiptar në Kosovë:

– që përbën 92% të popullsisë së përgjithshme të Republikës së Kosovës;

–  që është trashëguese e shtetësisë;

– që është mbartëse e shtetësisë;

– që posedon kapacitet të plotë shtetformues apo shtetndërtues;

– që ka një histori të lavdishme;

– që ka perspektivë euro-atlantike.

Kosova është shtet i shqiptarëve, me të drejtat e pakicave, të garantuara me ligj, sipas standardeve evropiane. Askush s’mund t’i detyrojë shqiptarët ta ndërrojnë emrin, për hir të 5% serbëve. In ultima linea, a ka forcë në botë që mund t’ia ndërrojë një populli shpirtin, zemrën, mendjen, gjakun, kujtesën historike dhe vetëdijen kombëtare.  S’ka plan në botë që mund ta bëjë këtë. 

Ca individë, që numërohen në gishta, thonë se shqiptarët nuk janë një komb, por dy a më shumë kombe. Këta individë, te shqiptarët vërejnë:

– dallime historike;

– dallime gjuhësore;

– dallime kulturore;

– dallime psikologjike;

– dallime arsimore;

– dallime në pikëpamje të emancipimit.

Asnjë nga “dallimet” e sipërthëna nuk është i bazueshëm.

Shqiptarët kanë një histori – Në vjeshtën e tretë të vitit 1912 Ismail Qemali (1844-1919), të pavarur e shpalli – Shqipërinë. E Shqipëri ishin trojet shqiptare në Ballkan që shtriheshin deri aty ku bukës i thoshin bukë, e ujit ujë. Fqinjët grabitqarë – Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia, të ndihmuar nga Moska, Parisi dhe Londra, pushtuan më tepër se gjysmën e trojeve etnike dhe historike shqiptare. Ndërkaq, shqiptarët e viseve të pushtuara, që nga dita e parë e pushtimit e deri më sot, kurën e kurës nuk e njohën pushtimin. Pushtuesve të egër serbë, bullgarë, malazez, sllavo-maqedonas dhe grekë, u bënë ballë me sakrifica mbinjerëzore.

Që nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1912-1913) e deri në ditët tona, shqiptarët e viseve të pushtuara, Shqipërinë e quajnë nënë, e konsiderojnë të shenjtë dhe të shtrenjtë, e kanë në zemër dhe e duan me shpirt. Dhe do ta duan deri në jetë të jetëve. Edhe pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve (1912-1913), shqiptarët në Ballkan, vazhdojnë të kenë një histori.

Pavarësisht nga përkufizimet e kombit që janë bërë nga sociologët borgjez dhe marksistë, kombi është para së gjithash dhe mbi të gjitha: gjaku, zemra, shpirti, dhe mendja.

*   *   *

Gjuha popullore shqipe përbëhet prej dy dialekteve kryesore, prej disa nëndialekteve dhe prej shumë të folmeve. Përkundër dialekteve, nëndialekteve dhe të folmeve të gjuhës popullore shqipe, shqiptarët në Ballkan dhe kudo në botë, komunikojnë dhe kuptohen ndër vete pa kurrfarë vështirësish. Gjermani i jugut të Gjermanisë, për shkak të dallimeve dialektore vështirë merret vesh me atë të veriut të vendit. Megjithëkëtë, asnjë gjerman nuk thotë se ekzistojnë dy a më shumë gjuhë gjermane dhe se brenda në Gjermani duhet të ketë dy a më shumë kombe.

Më 20-25 nëntor 1972 u mbajt në Tiranë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Në të morën pjesë studiues të gjuhës shqipe nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan, përfshi pra edhe intelektualët dhe akademikët nga Kosova, nga Maqedonia, nga Mali i Zi si dhe arbëreshët e Italisë. Kanë qenë të pranishëm edhe albanologë të huaj. Ky kongres mbylli periudhën kur gjuha letrare shqipe funksiononte në dy a më shumë variante dhe hapi një periudhë të re, periudhën e një gjuhe letrare të vetme, të njësuar. Kongresi i Drejtshkrimit pati një jehonë të gjerë në jetën shoqërore e kulturore të shqiptarëve në Ballkan dhe në diasporë dhe ndikoi për forcimin e njësisë shpirtërore të tyre. Shqiptarët sot, kudo në botë, flasin në gjuhën letrare shqipe. Dhe kështu do të flasin deri në jetë të jetëve. Shqipja është një. S’ka dy gjuhë shqipe.

Nacionalistët serbë të Beogradit nuk e pritën mirë Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të 1972-shit. Sipas inteligjencies serbe, shqiptarët kanë dy gjuhë: gjuhën shqipe që flitet në Shqipëri dhe gegërishten – që flitet në Kosovë. Rrjedhimisht shqiptarët, sipas akademikëve serbë, meqë flasin dy gjuhë, janë dy popuj të ndryshëm.

Këta pak shqiptarë që thonë se ndër shqiptarë ka dallime aq të mëdha saqë bëhet fjalë për dy popuj të ndryshëm, përkatësisht për dy kombe të ndryshme, me vetëdije apo pa të, me pikëpamje të tilla, i shërbejnë ideologjisë antishqiptare serbe dhe greke.

Shqiptarët janë pak, për të qenë dy a më shumë kombe.

*   *   *

Shqiptarët:

– janë populli më i lashtë i Gadishullit Ballkanik;

– janë pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve;

– janë popull rrënjës (autokton) i Ballkanit.

Gjuha shqipe:

– është bijë e ilirishtes;

– është degë e parë e familjes së gjuhëve indo-evropiane.

Me fjalë të tjera, prejardhja e përbashkët e shqiptarëve dhe e gjuhës së tyre është një prej shumë faktorëve që i bashkon shqiptarët.

Shqiptarët në Ballkan dhe kudo në rruzullin tokësor, kanë një krye-hero – Gjergj Kastriotin (1405-1468), krenarinë, nderin dhe lavdinë e kombit. Shqiptarët në rajon dhe kudo në rruzullin tokësor, i bashkon epoka e madhe e kryezotit të mesjetës – e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Shqiptarët në rajon dhe kudo në rruzull, e kanë në zemër epokën e madhe të Rilindjes Kombëtare (1840-1912). Kombi shqiptar sot, përulet me nderimin më të thellë para rilindësve, q u flijuan për dritën tonë të sotme. Shqiptarët sot, si dikur, i bashkon njëra nga periudhat më të lavdishme të historisë politike të kombit – ajo e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881).

Shqiptarët sot, si dikur, i bashkon Vlora e pavarësisë e vitit 1912.

Shqiptarët, sot e një mijë vjet i bashkon himni dhe flamuri kombëtar – shqiponja me dy krerë, në hapësirë të kuqe, që e përdori Skënderbeu në luftërat për mbrojtjen e atdheut. Çdo shqiptar në rajon dhe kudo në botë, e ka në zemër flamurin kombëtar. Në luftë, në beteja, në fitore, në paqe, në ceremoni mortore, në dasma shqiptarët shkojnë me një flamur të vetëm që e kanë në shpirt, në zemër, në gjak dhe në mendje – shqipen me dy krerë. Flamuri dhe himni kombëtar janë një. Para tyre dhe vetëm përballë tyre qëndron hijerëndë çdo shqiptar në Ballkan dhe kudo në botë.

Shqiptarët në Ballkan dhe kudo në rruzull, i bashkon virtyti: besa, bujaria, fisnikëria, mikpritja, trimëria dhe mendjemprehtësia.

Shqiptarët në rajon dhe kudo në botë, shquhen për vitalitetin e racës.

Shqiptarët pra krenohen:

– me prejardhjen ilire, me lashtësinë, me autoktoninë, me pastërtinë e racës, me vitalitetin e racës, me historinë e lavdishme, me personalitetet historike, me virtytet etnike;

– me gjuhën e tyre që zëri i kombit – Gjergj Fishta (1871-1940) e quajti gjuhë e Perëndisë.

Shqiptarët janë popull solidar dhe human. Në asnjë periudhë të historisë së vet, nuk janë paraqitur kundër fqinjëve të tyre.

*    *    *

Ata individë që thonë se kombi kosovar dallohet nga ai shqiptar në Shqipëri, duhet të dinë se shqiptarë – në troje të tyre – ka edhe në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), edhe në Maqedoni, edhe në Mal të Zi, edhe në Greqi, edhe në diasporë. Po qe se shqiptarët e Shqipërisë do të quhen shqiptarë, e këta të Kosovës – kosovarë, si do të quhen vallë shqiptarët në Kosovën lindore, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Greqi dhe në diasporë?!

Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Greqia janë të gatshëm për t’i quajtur serbë, maqedonas, malazezë, grekë. Ose më saktë: serbë me prejardhje shqiptare, maqedonas me prejardhje shqiptare, malazezë me prejardhje shqiptare etj.

Ku shpie kjo?! Ku shpie ideja e dy gjuhëve shqipe dhe e dy kombeve shqiptare?!

Pikëpamja: “Për të pasur shtet të pavarur dhe sovran është e domosdoshme të kesh edhe komb të veçantë” është absolutisht e gabuar. Për hir të askujt, as edhe të qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes, shqiptarët nuk mund ta ndërrojnë emrin, shpirtin, zemrën, gjakun dhe mendjen. Edhe koreanët kanë dy shtete por kurrë nuk thonë se janë dy popuj apo dy kombe.

Solidariteti vëllazëror – Gjatë pastrimit etnik të Kosovës që e ndërmori Serbia me forcat e saj militariste në vitin 1999, u detyruan të largohen prej vatrave të veta rreth 1 milionë shqiptarë. Rreth 600 mijë sish u strehuan në Shqipëri, nga veriu deri në jug. Ndërkaq, rreth 350 mijë u vendosën në viset shqiptare në Maqedoni. U strehuan pra te vëllezërit e gjakut dhe nuk vajtën as në Greqi, as në Bullgari. Përse?!

Shqiptarët:

– i bashkon fati tragjik i përbashkët, armiku dhe rreziku i përbashkët, gjatë historisë dhe sot;

– i bashkon kënga popullore që e mbajti gjallë ndër shekuj;

– i bashkon krijimtaria gojore e përbashkët, që nga këngët e djepit deri te epika legjendare;

– i bashkon qëndresa e përbashkët ndaj pushtuesve dhe sundimtarëve të huaj;

– i bashkon krijimtaria letrare-artistike, që nga Buzuku e deri në ditët tona dhe pas nesh.

– i bashkon ideali i përbashkët – miqësia me SHBA-në dhe integrimi në familjen perëndimore;

Shqiptarët i bashkon ideali i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës martire, e cila, pas një shekull gjenocidi, kolonializmi dhe politike të aparteidit të ndjekur nga Serbia, doli nga ferri dhe terri për të ecur drejt shtigjeve të përparimit dhe të demokracisë.

Shqiptarët nuk u ndanë shpirtërisht ndër vete, as atëherë kur boshti i krimit Shkup-Beograd-Titograd (sot Podgoricë), vendosën ndër shqiptarë kufij të hekurt.

*    *    *

Ndër shqiptarë sot s’ka kufij. Edhe këta pak kufij që kanë mbetur një ditë do të hiqen. Në hapësira ndër-shqiptare të caktuara, shqiptarët qarkullojnë tanimë, jo me pasaporta, por me letërnjoftime. Janë edhe detet – Joni dhe Adriatiku – bashkues të shqiptarëve. Shqiptarët i bashkon dhe rëra e plazheve, dielli i korrikut dhe i gushtit, ekskursionet e nxënësve, muzeu i Krujës dhe i Vlorës, kalaja e Shkodrës.

Sot shqiptarët kanë mundësi komunikimi, si kurrë në histori. Bashkimin ua mundëson zhvillimi i mediumeve, sidomos i atyre elektronike si dhe programet televizive satelitore apo kabllore. Në saje të rrugës së kombit një ditë do të rritet akoma më shumë qarkullimi i njerëzve, i mallrave, i kapitalit dhe i vlerave kulturore.

Gjermanët, vërtet kanë më shumë se një shtet kombëtar, siç janë Austria dhe Zvicra Mirëpo duhet ditur se:   

– Gjermania jashtë kufijve të vet ka një përqindje të përballueshme të popullsisë dhe të territorit gjermano-folës, ndërkaq në rastin e Shqipërisë, më tepër se gjysma e popullsisë dhe e territoreve shqiptare, kanë mbetur jashtë saj;

– Nacionalistët gjermanë, si në Gjermani ashtu edhe në Austri, kurrë nuk janë pajtuar me ekzistimin e dy shteteve gjermano-folëse. Ata gjithmonë kanë synuar bashkimin;

– Në rastin e Gjermanisë dhe të Austrisë, mund të flitet për dy histori të ndryshme, por në rastin e shqiptarëve kemi vetëm një histori – atë të çlirimit nga zgjedha osmane, të krijimit të Shqipërisë së pavarur si dhe atë të krijimit të Shqipërisë etnike dhe natyrale;

– Shqipëria është e brishtë, pikërisht pse është e ndarë dhe e copëtuar;

– Shqipëria do të jetë më e qëndrueshme kur t’i rikthehet gjysma që iu shkëput në Londër (1912-13);

Derisa popuj të tjerë, brenda kufijve të shteteve të veta, mbajnë territore të popujve të huaj, për ca shqiptarë që numërohen në gishta, ndërmjet shqiptarëve paskësh dallime historike, gjuhësore, psikologjike dhe kulturore…

Derisa Serbia, me Vojvodinën, me Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) dhe me Sanxhakun (të banuar me popullsi myslimane) krijon shtetin e madh serb, shqiptarët në anën tjetër, jo vetëm që s’arrijnë të krijojnë Shqipëri të madhe apo Shqipëri etnike dhe natyrale, por akoma më keq. Ca individë gjurmojnë dallime midis shqiptarëve për të shkaktuar ndarje dhe përçarje ndër-shqiptare dhe për të krijuar deri edhe dy popuj dhe dy kombe shqiptare.

Shqiptarët kanë nevojë të bashkohen. Së paku shpirtërisht. Të bashkojnë tregjet, kapitalin, pasuritë materiale dhe vlerat kulturore. Të qarkullojnë të lirë në hapësirat brenda-shqiptare. Të paktën këtë sot s’ua ndalon kush.

*    *    *

Çështja shqiptare në Ballkan përkufizohet si çështje e popullit të ndarë, të rindarë dhe të shtypur. Me çlirimin e Kosovës (1999) nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe nga aleanca e NATO-s, padrejtësia ndaj shqiptarëve nisi të korrigjohet. Konstelacioni në rajon, në kontinent dhe në planin global sot – është i favorshëm për shqiptarët. Ndaj shqiptarët nuk kanë përse të formojnë dy kombe, por një komb të bashkuar.

A është e mundur kjo?!

Shqiptarët janë i vetmi popull i Ballkanit që nuk e kanë të zgjidhur çështjen kombëtare. Ndonëse ende s’e kanë të zgjidhur çështjen kombëtare, shqiptarët janë i vetmi popull i gadishullit që nuk kanë të ndërtuar një platformë kombëtare. Paradoks! Popull me çështje kombëtare të pazgjidhur dhe pa projekt kombëtar.

Rrjedhimisht, shqiptarët janë populli më jo-nacionalist i Gadishullit Ballkanik. Mirëpo, nuk mund të thuhet se shqiptarët nuk kanë vetëdije kombëtare të lartë. Mungesa e ideologjisë kombëtare apo e një platforme nacionaliste te shqiptarët është pasojë e mungesës së kapaciteteve të përgjithshme të kombit shqiptar në Ballkan.

Në anën tjetër, pothuajse të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit, nacionalizmin e kanë të inkorporuar në politikën shtetërore. Nacionalizmi turk, serb dhe grek manifestohet në çdo pore të jetës.

Ideologjia kombëtare nuk është çështje individësh, por e shtetit dhe e institucioneve shkencore të kombit. Kur troket ora e madhe e historisë për zgjidhjen e çështjes kombëtare, me atë rast nuk pyeten individët apo segmentet anacionale dhe antikombëtare të një shoqërie. Po ta kishte përfillur Oto fon Bizmarku (Otto Eduard Leopold von Bismarck, 1815-1898) pjesën e pavetëdijshme të popullit gjerman, bashkimi i principatave gjermane do të zvarritej deri në mbarim të shekullit XIX.

Zgjidhja e çështjes kombëtare varet prej determinuesve historikë dhe sociologjikë dhe jo prej vullnetit të lirë të individëve

Shqiptarët flasin një gjuhë, kanë një histori dhe janë një komb.  

  Xhelal Zejneli

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 151
  • 152
  • 153
  • 154
  • 155
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT