• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

E KUSH E BESON SE TI IKE ?

December 9, 2021 by s p

ZLushaj

Pergatiti Fritz Radovani:

ASKUSH ! Po bahet një muej plot pa Ty, o Zeqir Lushaj! E pabesueshme! 

Prania Yte per të gjithë ne ishte e padiskutueshme. Ku nuk ishte Emni Yt?! 

Ku nuk ishte fjala e ambel e Ytja o Zeqir? Ku nuk ishte këshilla e Mikut tonë? 

E ku, mungonte mendimi dashamirës i Yti o Mik i shtrenjtë? Po ku nuk gjindeshin vargjet Tua, aq joshëse e bujare o Fisnik, i Bjeshkve tona aq të bukra e burrnore? 

Të kerkova, të dergova mesazh… Por, kot! Nuk kuptova asgja! Asnjë pergjegje! 

Plot një muej që nuk e kuptojmë as sot mungesen Tande o Zeqir Lushaj! 

Perditë të kam kujtue e më duket se Ti, m’ ke kuptue ma mirë o Mik i shtrenjt! 

Asht buzqeshja Yte që, nuk na lejon me harrue asgja të mirë të karakterit Tand!

Prej buzve Tua të sheqerosuna veç fjalë t’ ambla rrjellën si Valbona! E ambelsia e Vargjeve Tua bujare shperthei si dikur motit dashunia per Mikun e Madh t’ Kombit! 

E cilin nuk kujtove Ti o Zeqir Lushaj, n’ ato ditë të bukra të Nandorit të Flamurit?! 

Cili nuk ishte i pranishem tek sofra Yte: Gjergji, Luigji apo Ati i Lahutës s’ Ate?!

O, jo jo, nder mendimet Tua nuk gjej mangut Burra që me shpatë e penë Ata, kanë ba Historinë e lavdishme t’ Atyne Bjeshkve t’ Nêmuna… Ku Ti, u leve, dhe u rrite. 

E kur në Shkoder u nise, kurr porosinë e Nanës Maleve nuk e harrove o Bir’ i denjë!

Me Té n’ krahnor udhtove e nder banka të shkolles e rroke fort per parzem. 

I rrethuem prej Kirit e Drinit, i këndove Bunës e Rozafës sonë, si t’ ishte Djali Saj! 

Shiroka  t’ priti e të percolli si Mik i shtrenjt’ i emi… O Burr’ i Grisë kreshnike! 

E as nepërmend nuk më shkonte se nuk do të shof ma buzqeshjen Tande…

E, prap, një shpresë më mban! Zeqir Lushaj asht prap nder Zemrat Shqiptare! 

E buzqeshja Yte nen ato thinja, do t’ jetë sa t’ jetë jeta: E Paharrueshme per të gjithë ne, e freskët, e kandëshme, joshëse, e dashtun, ashtu si ishte Ti, o Zeqir Lushaj! 

Melbourne, 7 Dhjetor 2021.    

Filed Under: ESSE

Nëse nuk shkulim varfërinë, atëherë nuk kemi bërë asgjë kundër dhunës

December 8, 2021 by s p

Dhurata Çupi Tyli/

Nuk mund të ndahet dhuna nga liria, edukimi dhe kultura. Gjithkush që nuk i vlerëson këto të tria i nënshtrohet dhunës dhe akteve barbare. Është e padiskutueshme, dhe këtë na e tregojnë statistikat se roli i edukimit, zhvillimit dhe kulturës është një faktor tepër i rëndësishëm në uljen apo rritjen e dhunës si brenda familjes, ashtu dhe jashtë saj. dhuna me bazë gjinore, apo ajo, brenda familjes lind mbi premisa që në thelb kanë: varfërinë, mungesën e dashurisë, mungesën e shkollimit, stresin social dhe atë mediatik, dështimin personal dhe atë financiar etj.Për fat të keq dhuna ndaj grave është një fenomen që na trishton cdo ditë, teksa dëgjojmë kronikat televizive me ngjarje të tilla të rënda, ku gra e vajza dhunohen në të gjitha format nga bashkëshortët, partnerët, baballarët apo edhe të afërm të njohur e të panjohur. Ngritja e zërit për këtë shqetësim në rritje duhet të jetë prioritet thelbësor në politikat për mbrojtjen e gruas, si shtyllë e familjes dhe e shoqërisë. Politikat e hartimit të ligjeve për barazinë gjinore dhe për denoncimin e dhunës nuk duhet të jenë vetëm ligje të mira por duhet që këto ligje te jenë të zbatueshme dhe efektive, aty ku duhet , tek ato gra që kërkojnë mbështetjen e strukturave të shtetit. Rastet janë të shumta se si gratë kërkojnë mbrojtje nga shteti e se si po ashtu shteti për mes atij policit të lagjes i nënqesh në fatin e tyre. Ligji dhe forcimi i zbatimit të tij duhet të jetë prioritet i prioriteteve për ta bërë këtë shqetësim të ndjeshëm në mënyrë që të shmanget ky fenomen.Prandaj duhet së me parë që kjo cështje përvecse të jetë ligjore të jetë mendësi që krijohet nga vetë strukturat që depërtojnë në cdo qelizë , u garantojn siguri grave e vajzave të predispozuara për tu dhunuar.Nëse kjo mendësi lufton stereotipet gjinorë, duke i parë gratë të barabarta atëherë do të jemi drejt rrugës së duhur për tja dalë në këtë betejë që vazhdon. Kjo fazë në fakt duhet të fillojë që nga shkolla në hapat e parë të arsimimit të fëmijëve.Më shumë se gjysma e grave dhe vajzave të moshës 15-50 vjeç kanë përjetuar një ose më shumë nga pesë llojet e dhunës (dhunë nga partneri intim, dhunë në lidhje dashurie, dhunë nga jopartneri, ngacmimi seksual dhe/ose përndjekja), gjatë jetës së tyre.Pra, para moshës 18 vjeç…e çfarë tregon kjo…? Kjo na tregon se çelësi i suksesit është edukimi, familja e shëndoshë, dashuria prindërore dhe sigurimi i premisave që fëmija të rritet në një ambient që nuk e stimulon dhunën në cilëndo formë të saj.Në vitin 2007, kur hyri në fuqi ligji i parë për luftën ndaj fenomenit të dhunës në familje, e gjatë gjithë këtyre viteve është përmirësuar më tej legjislacioni në këtë fushë. Sic e thashë më lart, mbetet me rëndësi të vecantë që institucionet të veprojnë me përgjegjshmëri të plotë në këtë beteje, duke filluar nga polici i thjeshtë i lagjes deri tek gjykatësit e prokurorët që marrin në shqyrtim dosje të tilla që kanë në themel hetimin dhe gjykimin e çështjeve të dhunës në familje, dhe të dhunës seksuale ndaj grave.Sot flitet shumë për dhunën me bazë gjinore dhe flitet shumë pak për parandalimin e dhunës. Kjo për faktin se në vendin tonë bëhet shumë pak prej institucioneve ligjvënëse dhe atyre ligjzbatuese për parandalimin. Duket sikur ne jemi të fokusuar vetëm tek ajo çfarë ndodh…e në fakt kështu është!Nëse flasim sot për sot, atëherë s’na ngel veç të merremi me agresorin dhe viktimën. Por nëse flasim për të nesërmen, duhet të flasim për shumë më tepër se kaq. Duhet të flasim për rritjen e divorceve, për shkatërrimin e familjes, për keqedukimin, për emigrimin, për shpërndarjen e drogërave pranë shkollave e çdo gjëje tjetër që është shkaku primar për të ushqyer dhunën në rrugë, në familje, në televizione, në rrete sociale, në shkollë, politikë e kudo.E nisa me lirinë dhe do ta mbyll po me lirinë. Përse në sistemin e vuajtjes se denimeve një vlerë të jashtëzakonshme dhe të veçantë merr rehabilitimi?Sepse i dënuari kupton vlerën e lirisë…sepse i denuari kupton se kryerja e një akti të dënueshëm ndëshkohet dhe ai nuk duhet të kryej më akte të tilla. Por, përpara se të mbërrijmë këtu, ne duhet të rehabilitojmë shoqërinë tonë, fëmijet që vuajnë nga bullizmi, rininë që bëhet pre e drogës dhe grupeve të dhunshme, familjen e cila për shkak të ekonomisë së dobët kalon strese pafund…duhet tu sigurojmë ambient e mjedis të qetë fëmijëve që rritem me një prind…ashtu siç duhet të bëjmë më shumë për të alkoolizuarit, përdoruesit e drogërave dhe të varurit prej tyre.Nëse nuk shkulim varfërinë, e cila prej vitesh shënon vetëm rritje…atëherë nuk kemi bërë asgjë kundër dhunës. Dhe në këtë luftë me vrasjen e dhunën duhet të jemi të gjithë bashkë dhe jo vetëm në dukje dhe për dukje.

Filed Under: ESSE

Të vuash harresën tënde

December 5, 2021 by s p

Amarda Ekmeciu Hoti/

Të qeshësh apo të qash me këtë fenomen i cili ka mbërthyer prej gryke shoqërinë sot?!Ti e shet mikun me vlera për një ofertë më të mirë, të cilën t’a ofrojnë po ata njerëz që të mësuan se si ecet mbi lakmi. Njerëz me të cilët ndërton ura interesi e pranon të jesh bashkëpunëtor i tyre – një mjet nënshtrimi duke marrë forma ekzekutimi si një plastelinë.Dëshira për t’i shpëtuar dëshpërimit është kthyer në një burim nga ku derdhet vrullshëm pajtimi yt me shume “elemente qesharak” si mjete për të shpëtuar unin nga “mbytja” e harresës në rutinën e jetësBota e egër e konkurencës, luftrat e ashpra për një dukje me fryrje e hiperbolizma, kanë shkatërruar kështu atë që është më me vlerë për qenien tënde Dashurinë për veten!Dhe veten e duan njerëzit me dinjitet!E pra, ti nuk mund të ndjesh diçka të tillë kur shkel mbi shpirtin e tjetrit,mbi lëndimet e tij, kur pranon të krahasohesh me figura historike e me patriotë të vërtetë, pa ditur se cila është njësia matëse e një shpagimi.Ti nuk ecën përpara duke shitur llogaritë e shfehura për karrigen që ka vlerën e frikës, vlerën e një dështimi. Lavdia që mendon se po të serviret është një pjatë e thatë me shijen qesharake që lejon për veten. Duaj e vlerëso për atë që je o njeri, për atë që bën! Ngopu me veten! Duaj thjeshtësinë e njeriut të mirë!

Filed Under: ESSE

SPROVA E PAMUNDUR E HARRIMIT MBI GENOCIDIN EKONOMIK TË SHQIPTARËVE NË PENËN E SHKRIMTARIT EQEREM CANAJ

December 3, 2021 by s p

Rreth romanit tw Eqerem Canaj, “Bisha e thinjur”, Vlorë 2021

Nga Enver MEMISHAJ                      

Të paraqesësh obsionet për një vepër letrare si romani “Bisha e thinjur” vetvetiu mendimi të shkon sa nga libri tek autori dhe anasjelltazi, kështu ndër kapitujt që përbëjnë tërësinë lëndore, duke përçuar synime e ide në të mirë të lexuesve të cilët me interesim presin botime me vlerë nga autorë që kanë bërë zë në letërsi. 

Eqerem Canaj, veprën e të cilit analizojmë ka një përvojë letrare dyzet vjeçare (1977 – 2017) ku, në këtë hark kohor, ai ka realizuar suksesshëm 30 botime, përfshirë të tëra gjinitë letrare: poezi, tregime, novela, dedikate, kritika letrare, prozë e gjatë, gjysma e të cilave romane të cilat plotësojnë mjaftueshëm mendimin e kritikës letrare duke e cilësuar “Prozatori modern i Jugut”.

Po ç’të reja na sjell autori me romanin “Bisha e thinjur”?

  1. Mohimi i lirisë së njeriut (asaj fizike), liria e lëvizjes nga fshati në qytet, si dhe liria e ndërgjegjes. Lufta e klasave, me tërë format më monstruoze që zhvillohej gjer thellë në kooperativat bujqësore malore, deri tek individi më i thjeshtë, veçanërisht të rinjtë, ata që do të çonin më tej stafetën… Bisha e thinjur do të kuiste në Shpellën e Kuqe, kulishërit e tërbuar (dedegtivët, spiunët do të mirrnin arratinë nëpër fshatra ta siguronin Diktatorin për jetë e paqe).

Ashtu si Jetnor Qëndroja, personazhi kryesor i romanit, edhe Eqerem Canaj djalë i ri e i bukur, plot ëndrra rinie, këtu e pesëdhjetë vjet më parë zbriste në qytet nga Pariku dhe së bashku mundoheshim të zgjidhnim domethënien e kësaj bote, si gjithë të rinjtë e asaj kohe, duke folur nën zë dhe duke vështruar për rreth mos na përgjonte njeri… Edhe pse të gjithë e kuptonin se rruga, ku kish hyrë ky vend (Shqipëria) për të ndërtuar shoqërinë komuniste, qe një katastrofë e vërtetë, prapë dukej se sistemi do të mbijetonte, qoftë edhe duke u zvarritur.

Këto mendime, të filozofisë së jetës në lëkundje të vazhdueshme, i gjejmë të pasqyruara në romanin e ri të autorit. Tashmë Eqeremi, i kërrusur nga mosha, por edhe nga pesha e mendimeve për shoqërinë, thelbin e të vërtetave kohore e ka shfaqur dukshëm në shumë nga veprat e botuara dhe veçanërisht, në romanin “Ikanaku” ku paraqet të shkuarën e dhunshme komuniste të shqiptarëve dhe portretizon sprovën e pamundur të harrimit mbi genocidin ekonomik.

Pavarësisht se autori ishte mësues dhe nuk vuante si fshatarët e tij, por, duke qenë poet dhe me një shpirt të ndjeshëm, ai e ka jetuar kooperativën dhe vuante shpirtërisht njësoj si fshatarët e tij halle mdhej. Këtë përvojë të mjerë vjen të na i tregojë edhe neve, brezit që do të pasojë. Rrëfimi i tij është një rrugëtim i njeriut që të mos provojë më humbjen, por të kërkojë lartësitë, sepse kudo ka ngjyra të pafundme, që kanë nevojë të shihen nga afër për t’i kuptuar, për t’i besuar, për t’i rrëfyer, shkurt është udha që kanë nisur shqiptarët e pas nëntëdhjetës. Sipas gjasave diktatori, i nofkuar me epitetin “bisha”, vinte shpesh në qytetin e dy deteve…

2. Intriga në roman: pigmentet konfliktuese të cilat synojnë qëllime madhore në vepër çka nënkuptohet tronditja e sistemit socialist, shembja e  Diktatorit – Diktaturës, për të ardhur liria e munguar e një populli që e meritonte prej kohësh.

Libri, me një numër të konsiderueshëm personazhesh, edhe pse veprojnë në terrenin e një fshati malor, brenda së njejtës kooperativë të bashkuar, ai bën të flasë shumë, të çjerrë maskën kamufluese të të tërë sistemit në kalbëzim, i cili, nga një grusht të ashtuquajtur “intelektualë kooperativist” bënin punën e partisë, duke mbajtur nën thundër masat e gjera të popullit skllevër të tokës e të sistemit. E këtë lloj marrëdhënieje e shprehin qart personazhet tek a tek a grupe të tillësh që përfaqësojnë shtresa të ndryshme të shoqërisë, si: Nori (Jetnor Qendroja), Havaja (nëna punëtore e palodhur që, edhe në moshë gati të thyer, ajo ende bën qilizmë në djerrinat e kooperativës, babai i moshuar bari në kopenë e deleve në malin me borë). Babë – nënë i gëzohen djalit të vetëm që do të kthehet nga ushtria, do ta fejojnë e martojnë me të bukurën e fshatit, Mirandën (Mirën). Këta janë fshatarë patriotë me të mirat e të këqijat, me mentalitetin fshatarak, të cilët kanë lindur e jetuar në këto rrëzoma, edhe pse shtypen mizorisht, prapë mbeten skllevër të bindur. Nori – Mira: të rinj fshatarë që ëndërrojnë, por nuk veprojnë dot në kohë, mentaliteti i frenon, i zvarrit. Dhe më shumë ligjet e hekurta: s’lejohet askush të dalë jashtë kufirit kooperativist, aq më tepër, braktisja për në qytet do të quhej e do të ndëshkohej për tradhëti. Gjë që s’do ta lejonin, do ta mbronin këtë me çdo kusht: babai vjen nga mali e merr rrugët e qytetit, së bashku me njeriun e partisë e të pushtetit, Nevruz Idrizin, me qëllim që ta gjejë të birin për ta kthyer nga rruga e gabuar…

3. Dy polet në intrigën e veprës: Nori, i porsakthyer, ndaj bashkëfshatarkës, Mirës, Nori ndaj Idës, ndaj grupit të pesëshes “Merimanga e zezë”… Ida, Niku, Tedi, Nori, Leta, grupi i të rinjve qytetar të qytetit të dy deteve apo ata të ardhurit nga Tirana, të cilët synojnë për vepra të mëdha: rrëzimin e Pushtetit Diktatorial. Për këtë qëllim vazhdojnë të zgjerojnë grupin me të rinj të përshtatshëm si Nori, i cili e ka një shkak. 

Ai ingranohet vështirësisht me të rejat e qytetit: i dashuron dhe i respekton shokët e rinj qytetar, porse nuk i kupton dot të fshehtat e nënlëkurës, të tatuazhit merimangë në krahun e djathtë. Nori vendos të sakrifikojë prindërit, madje edhe moralin njerëzor, mjaft të zërë qytetin! Të tilla raste u bënë të modës në kohën e sistemit diktatorial, aq sa pjesa tjetër e shoqërisë i ironizonin të tillët me këngët labe si ajo e gollovarit etj.

Grupi i përballtë: Nevruz Idrizi, një oficer i liruar , ardhur në kooperativën malore për të përçuar vijën e partisë të cilët, në bashkëpunim me njerëzit e sigurimit, e të tjerë që drejtonin të famshmen kooperativë, trysnonin nënshtrimin, edhe pse po vinte fundi dhe diktatori thinjej, dhe sistemi në gërrhamat e zbehjes. Eshtë një realizim domethënës i autorit, një kujtesë interesante për ata që jetuan dhe veçanërisht për të tjerët të cilët duhet të mësojnë se kush jemi nga vijmë e ku shkojmë?!

Nëpër faqet e romanit, autori nuk e cilëson asnjëherë emërin e diktatorit, por për shqiptarët është e qartë se bisha e kuqe s’ishte veç Enver Hoxhës. Canaj bën një zgjidhje të bukur, që vjen nga përvoja artistike e tij, duke përsëritur në fund të çdo pjesë të librit shprehjet: “Kishte kohë që Bisha rënkonte. Thonin se edhe i plakur, thinjur, po vuante dhembje koke. Kulishërit e tërbuar, tërbimshëm lihnin ndër qytete, fshatra e krahina, aq angullishëm sa zëri apo kujana e tyre depërtonte përtej gardheve me tela… Bisha do të pushonte në vilën në buzëdet, skllevërit duhej të gjendeshin kokulur. Kjo gjë, ujkut të shpellës i bënte mirë, i jepte shëndet, i zgjatej jeta pa kufi, thonin. Nëpër natë, lihnin qentë e ndërkryer, duke e garantuar bishën se jemi shtet i fortë, një qime floku s’do të lëvizte prej lëkurës së saj të egër… Kujtoi përsëri Diktatorin që pushtonte shpellën e kuqe të Tiranës, të cilin e kishin cilësuar “Bisha e thinjur” për prapësitë e pashoq të atij të flamuri sistem politik që kishte aplikuar, ndërsa populli përhiqte të zezat e kohës… Diktatori i fundshekullit, i dhimbjeve që hiqnin skllevërit e gardhuar brenda në të ashtuquajturat “kooperativa”… 

Dhe autori na jep një shembull kuptimplot të skllavërisë, kur në krye të shtëpisë, në një vend faqe të dukshme, vendosej fotografia e diktatorit Enver Hoxha, ndërsa Jetnori kundërshton babanë e tij: “Në krye vendoset fotografia e të madhit të shtëpisë, jo fotografia e Bishës”… E djali shkruante nëpër tru “sa i betuar është skllavi ndaj skllavopronarit?! Ndjenja e nënshtrimit, përuljes, është shndërruar në frikë… Frikë që shitet e blihet për besnikëri, atdhetari. Kjo, humbja e kombit tim”… Ose, “Kjo Bishë, me ç’kuptohet, bën një luftë të tmerrshme, atje në kështjellën e kuqe… Hanë njëri – tjetrin… Kulishët e tërbuar sulen lemerishëm gjithandej: lihin, kaplojnë, kuisin tmerrshëm që budallenjtë të përgjakin duart, duke rrahur pëllëmbët, brohorisin për Bishën, bukurinë, zgjuarsinë, partinë e të mallkuarës Bishë”… Kurse në një djalog të shkurtër, ai arrin të na japë të vërtetën tragjike të asaj kohe, shndërrimin e njeriut në një kafshë politike, të zhveshur nga ndjenjat njerëzore, dhe kjo jo vetëm në mesin e kulishërve të Diktotorit, por fatkeqësisht edhe në fshatarët e varfër: “Vure… kokëfortësinë tënde mbi vjën e partisë!”… “E ke njohur mirë nusen, puqeni nga biografia?”… 

Sapo mbaroi lufta, ndërsa ngjizej sistemi socialist, njerëzit do zgjoheshin nga gjumi i mundimshëm i transformimit në kafshë politike, të cilët vinin partinë mbi nënën dhe babën, mbi çdo gjë, edhe mbi atdheun. Nuk ishin të paktë ata kooperativistë që, pas një dite të lodhshme pune, do shkonin në shtrat si njerëz moralë, por do zgjoheshin të arrestuar, të damkosur si armiq të popullit, të demaskuar publikisht në të ashtuquajturat vatra të kulturës. Do zgjoheshin si armiq për t’u shtypur me këmbë e për t’i hedhur tutje në baltën e vdekjes… Fantazma kafkiane do shëtiste nëpër muzgun e stepave ruse, në zemër të Europës, në tokat e Ballkanit dhe për më shumë se gjysmë shekulli, do të gjente strehë edhe në Shqipërinë e shqiptarëve të varfër.

Romani i Canajt bën të mendosh, të hap horizont për gjykime të mëtejshme, me mendimin e thellë, me analizën që bën, me gjuhën e bukur artistike duke na kujtuar eksperimentin tragjik që komunistët bënë mbi popullin tonë, kooperativizmin e shoqërisë, sepse asnjë vend tjetër në botë nuk praktikoi sistemin çnjerëzor kooperativist i cili merrte fshatarit çdo lloj pasurie, deri tek pulat e kotecit, pavarësisht se për këtë kishin akuzuar shtresën tjetër të shoqërisë…

4. Mendja e ndritur e Kafkës kishte krijuar njeriun insekt si personazh në botën e fantazisë. Këtë “Njeri” gjysma e botës e ndoqi nga pas duke e ushqyer me mish e gjak nga njerëz të vërtetë. Kafka e ngriti stekën lart, duke përzier aq shumë fantaznë me realen sa nuk kuptohej më ku fillonte njëra e ku mbaronte tjetra. Por Kafka nuk do ndalonte vetëm tek proçesi i transformimit: fillimisht njeriu – insekt do pretendonte se duhej të ishte bërë ndonjë gabim në dosje, ç’ne armik i popullit, por përballë murit të shtetit autoritar, individi insekt ngadalë fillon e dyshon për veten e vet: përderisa të gjithë e akuzojnë atëhere ndoshta vërtet ishte një insekt i pistë për t’u shkelur me këmbë. Dhe, teatri kafkian luan aktin më absurd, i akuzuari ndjen keqardhje për xhelatët e vet, akoma më tej, në instancë të fundit ai kërkon t’i mirëkuptojë. Gjithashtu romani “Bisha e thinjur” e shkrimtarit E. Canaj është po aq interesant, një dritë dielli i realitetit shqiptar të viteve para nëntëdhjetë, një vepër e fortë mbresëlënëse që të përlot, nervozon gjer në tundim.

Ndërkohë, mendja e ndritur e ekonomistit ameikan Hayek, zbulonte se, përtej perdes së hekurt, pra në vendet ish komuniste ku tregu i lirë ishte inekzistent, shtonte “liria e tregut është e pandashme me lirinë e individit”, konkluzion i cili gjeti praktik tek ne. Kjo çfarë reklamohej nga qeveria ishte thjesht demagogji, këtë përfundim hayek ka arritur të na e jap Eqerem Canaj në veprën e tij “Bisha e thinjur”, këtu qëndron një nga vlerësimet e vetvetishme për shkrimtarin në fjalë ku vlera e veprës së tij duhet që tani të zërë vend në programet mësimore të shkollës sonë, në një formë a në një tjetër. 

5. Personazhet, gjuha dhe rëndësia kapitale e kësaj vepre krahasuar me  botimet e autorëve të tjerë të cilët, padrejtësisht, promovohen bujshëm, është në shkallën më të përkryer.

E tërë ngjarja e romanit përshkohet fund e krye nga Jetnor Qëndroja, një djalë i ri, që sapo ka mbaruar ushtrinë, kërkon të largohet dhe të punojë në qytet. Ai mundohet të kapërcejë një mal me vështirësi që sistemi komunist i vinte përpara çdo të riu të moshës së tij i cili kërkonte liri lëvizje e punësimi. Nevruz Idrizi, tipi i komunistit, që shkon në fshat dhe e bën atë lesh e li, pasi thellon luftën e klasave… “Se, ky Idrizi, e dhjetëra të këtij kallëpi bëjnë punë të dyfishta: syri e veshi i qeverisë, spiunë të lindur, prandaj edhe hidhen në flakë… Iu përvëlua xhani për kooperativën, demek! Për fshatin, dëngla! Fëmijët i ka rregulluar me punë të mirë në qytet…”, thotë personazhi qëndror i veprës, ku autori në romanin “Bisha e thinjur”, ka mundur me mënçuri dhe talent, të ngrejë në art ato ngjarje që rënduan mbi fshatarësinë tonë të përgjakur prej luftrave shekullore dhe e shtypur mjerisht prej sistemit totalitar.

Në krahinën e Lumit të Vlorës, në periudhën 1960 – 1990, komunistët, pasi prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, thelluan luftën e klasave në kohë paqje. Për këtë arsye nga lart u dërguan në fshatrat e kësaj krahine oficerë të lartë të Sigurimit të Shtetit, gjoja “vullnetarë”, për të thelluar luftën, të cilët u emëruan kryetarë kooperativash… Ata ishin të shumtë, nga një e dy për fshati, të cilët gjasme do të drejtonin ekonomitë bujqësore?! Kjo dihej, kuptohej fundkeqi… Eqerem Canaj ka ditur t’i zbulojë këto shkaqe katastrofike, t’i analizpjë e motivojë duke deklaruar ato të vërteta të hidhura që duan a nuk duan brezi i kastës, mbetet meritë e pakontestueshme e autorit vlonjat, romancierit në fjalë.

Të bën përshtypje gjuha e romanit, e cila është e lirshme me shprehje e frazologji të shkurtëra dhe të kuptueshme, me shumë fjalë të reja vetëm të burimit shqip, çka veprën e bën interesante për mënyrën e konceptualitetit artistik e gjuhësorë njëkohësisht. Edhe në zhanrin artistik të botimeve të shumta, ai është dalluar si i tillë, i cilësuar si fenomen letrar e gjuhësor në jugun e atdheut, por në këtë vepër, ca më shumë, profesionalizmi i tij për lexuesin e sotëm bëhet befasues, një sukses i letërsisë bashkëkohore. Pikërisht, kjo (gjuha) ka shtyrë gjuhëtarët e ditëve të sotme, specialistë të fushës,  në drejtim të veprës letrare të Eqerem Canajt, si: në Katedrën e Gjuhësisë, Tiranë, apo në Universiteti “I. Qemali” Vlorë me studimet interesante që i kanë shërbyer këtij qëllimi, ku përmes tyre kanë evidentuar vlerat e veçanta gjuhësore e që mbeten domosdo një burim i pastër në krijimtarinë e tij. Kjo dukuri gjuhësore e Canajt shfaqet mirë e bukur edhe nëpër faqet e këtij romani. “Bisha e thinjur” është edhe një pasqyrë e qartë e vetëdijes krijuese të autorit për t’i dhënë në dorë lexuesit një vepër me vlera të rralla sa letrare dhe gjuhësore.

Romani “Bisha e thinjur” i Eqerem Canajt është një nga veprat e pakta që denoncon, i ngre padi skllavërimit, mungesës së lirisë së njeriut, që është pasojë e mungesës së lirisë së tregut në Shqipërinë socialiste. Pra, ideja kryesore e romanit është të përshkruaj mungesën e lirisë së individit, e mohuar kjo liri në shoqërinë komuniste deri në kthimin e njeriut në një kafshë politike pa ndjenja, pra në një skllav siç thotë autori ose në një insekt siç thotë Kafka dhe kësaj ideje autori ia ka arritur me sukses. Në feudalizëm bujku ishte i lidhur me tokën dhe s’mund të lëviste. Eqerem Canaj na tregon në romanin që analizojmë, se komunistët na kthyen tetëqind vjet pas: e lidhën kooperativistin me tokën dhe ai nuk kishte të drejtë të largohej nga kooperativa, kish lindur aty dhe duhet të vdesë po aty. Kështu, i riu flokë verdhë, që përshkruan autori, mundohet të gjejë një punë në qytet, por nën ombrellën e Diktatorit fshatari ishte i lidhur me tokën si në feudalizëm, pavarësisht se jetohej në kohët moderne.

Sikurse edhe në botimet e tjera, mund të themi se Eqerem Canaj në përgjithësi është mediativ, analizues, veçanërisht në romanin që po trajtojmë. Në këtë roman, ai përdor metafora të bukura për vuajtjet e brengat, për pengesat që has personazhi kryesor Jetnor Qëndroja me nëpunësit e kooperativistët, autori gjithnjë përcjell shprehet: “Bisha hungërinte nëpër mjegull… në shpellën e kuqe… drithërohej koha”… Prej fillimit deri në fund, me mjeshtëri të lartë artistike, ai na bën të mendojmë se të gjitha të këqijat, skllavërimi dhe mjerimi i shqiptarëve vinte pikërisht nga ajo Bishë e thinjur e Shpellës së kuqe. Në këtë libër tema e kooperativës bujqësore trajtohet gjerësisht e në disa plane. Autori ndalet dhe tek zhvillimet e pas viteve ’70, kur sistemi kishte marrë rrukullimën e s’mund ta ndalte më asgjë. Sistemin komunist autori na përshkruan si sistem të gjirizeve: “Botë e ndyrë! Sa vetë kanë shitur nderin, sa shtëpi kanë marrë rrokullimën, sa familje të ndershme janë bërë qole, të gjitha: vetëm e vetëm për t’u bërë komunistë. Ptu, përjetësisht, o njerëz të kalbur! Ju, që hiqeni, sikur përvëloheni për komunizmin, s’jeni veçse gjirizi i njerëzimit!”…

Një autor serioz, me kërkesa të larta ideoestetike e historike si Eqerem Canaj, ka ditur t’i zbërthejë artistikisht këto marrëdhënie në kushtet e mjerimit që jetuan shqiptarët në të tmerrtat kooperativa bujqësore. Ai na tregon se ku mbështetej dhe nga kush mbrohej bota e gjirizeve, ajo mbahej në këmbë nga sigurimi i shtetit, organizata kriminale terroriste: “Për një pjesë njerëzish: vuajtje, mjerim, shtypje, gjer në barbari, një pjesë tjetër qenë ata që, me terma të kamufluara, i shtypnin. Kjo ia bënte mu! Po, ç’t’i bëje? Kështu ishte ndërtuar kjo e nëmur dynja dhe s’e ndryshoje dot asnjë fije floku. Se, pas njeriut, zvarritej hija e zezë që të ndiqte pas tërë jetën. Një çikëz, pra një fije të dilje nga binarët, përfundoje në mos në morg, të paktën në burg”. Po me ngjyra të gjalla autori ka përshkruar autori frikën dhe maninë e persekucionit që shoqëronte kudo njeriun në sistemin diktatorial, thotë ai: “Pas kësaj frika iu shfaq papritur. Dhe ktheu sytë prapa: në rrugën që ishte qorollisur, së paku brenda njëzet e katër orëve. E atëherë tmerri iu bë tepër dominues. Ç’iu desh që i mbrehu qetë me Nevruzin?”. Ndër vlerat e këtij romani evidentohen mënçuria dhe talenti të cilat, e bëjnë lexuesin që vetvetiu të arrijë në përfundimin se nga vjen vuajtja dhe mjerimi i madh? Për shembull: “Djalit i vajti mendja te Gërmadha e Tiranës dhe iu shfaq Bisha, teksa hallakatej e u bërtitte sejmenëve të gjurmonin bujkërobërit…”

Faqe pas faqeje e kapitujsh në vazhdim lexuesi gjen në këtë roman edhe disa përkufizime që ka arritur t’i japë autori me aftësi, përkufizime që do t’i vlejnë më shumë brezit që do të vijë më pas. Fenomeni komunist, thekson me të drejtë ai, përfaqëson një tragjedi historike, e cila buron nga një keqinterpretim i historisë dhe nga një keqkonceptim fatal i natyrës njerëzore. Ai nuk mund të marrë parasysh etjen njerëzore për liri individuale, për vetëshprehje artistike dhe shpirtërore. Autori shtron logjikën e dhimbshme e drithëruese: “Dhe bujkërobërit bujqësorë nuk do ta harronin Diktatorin, do tua kujtonin kallot e duarëve, krijuar nga rrahjet e duartrokitjeve, se ashtu e donte puna, siç edhe thonin e trumbetonin sejmenët…” Sikurse më poshtë: “Ç’qe e vërteta, ishte bërë ligj: erë pule të mos binte në fshat, këmbë zogu, hiç, ishte e mjaftë ajo “pularia” e kooperativës. E nëna e kishte fshehur gjelin për një rast”…

Përshkrimet përgjatë romanit, me pak fjalë të gjetura e të goditura, shprehin një botë të tërë të autorit: “I heshtur, si i ngrirë mbi tavolinën e akullt, ai përjetoi sytë e zes të saj, me një butësi deti të qetë. Gërsheti i zi i trashë, hedhur që pasqafe, mbi gjoks, lëvizte sipas ritmit të frymëmarrjes. Mblodhi duart grusht dhe shtypi brenda vetes një ndjenjë revolte. Çudi, tha, ndjenjat e njeriut, shumë herë nuk varen nga dëshira e tij, d.m.th. nuk imponohen. Ndonëse, të fjetura, diku në thellësi, të mbuluara nga një tis pluhuri harrese, ato buizin e shpërndajnë një çast gulshe hidhërimi, në rrethana krejt papritura”.

Romani “Bisha e thinjur” i shkrimtarit Eqerem Canaj, paraqitet me vlera të larta artistike, forcë treguese e analizuese kaq të qarta sa lexuesi e gjen vetë përfundimin ose mesazhin që autori dëshiron ta përcjellë tek lexuesi artdashës.

E:\DCIM\100KM863\100_1993.JPGmE:\DCIM\100KM863\100_1992.JPG

            Eqerem Canaj

E:\DCIM\100KM863\100_1994.JPG

Filed Under: ESSE

Si e kujtoj Atin e Pavarësisë së Kosovës

December 3, 2021 by s p

Bajram Mjeku

Në përvjetorë të presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, kam ndjesinë sikur më së paku shkruajnë dhe flasin bashkëpunëtorët e Tij dhe kanë të drejtë, pasi personaliteti i Tij nuk është lehtë për t’u shpjeguar!Personalisht besoj në tre hapa të mëdhenj të Rugovës, por edhe në shumë vendime tjera, që janë po aq të mëdhenj e të rëndësishëm për pavarësinë e Kosovës.Hapi i parë i madh i presidentit Rugova ishte orientimi i shqiptarëve kah Perëndimi, më saktë kah Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj evropian. Është lideri i parë shqiptar, i cili me objektiva të qarta orientoi popullin e tij që t’ia kthente shpinën Lindjes dhe të orientohej drejt Perëndimit dhe Evropës së qytetëruar.Hapi i dytë i madh i tij ishte opsioni paqësor si zgjidhje politike për sendërtimin e pavarësisë së Kosovës dhe shmangia e konfliktit të armatosur me Serbinë në fillim të lëvizjes politike në Kosovë. Në fillim të viteve nëntëdhjetë, ish-presidenti kroat Franjo Tugjman, insistonte në një luftë të pabarabartë shqiptaro-serbe, në mënyrë që Kosovës t’ia hidhte paq dhe të shpëtonte Kroacia e tij nga ploja e luftës. Ai kishte edhe një ëndërr tjetër, e cila nuk u realizua kurrë. Donte që mbas një lufte të përgjakshme shqiptaro-serbe të përmasave siç ndodhi më vonë në Bosnjë, serbët e Kroacisë me theks të veçantë ata të Likës, të ishin kolonët e radhës në Kosovë!Hapi i tretë i madh i Rugovës ishte besimi në pavarësinë e Kosovës. Edhe sikur të gjithë bashkëpunëtorët e tij ta braktisnin, Rugova edhe i vetmuar do ta shtynte “anijen” e pavarësisë në ujërat e Ballkanit të trazuar. Ka edhe shumë hapa të tjerë të Atit të Pavarësisë së Kosovës, si miqësia e përjetshme me Shtetet e Bashkuara, pastaj ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë në Bashkimin Evropian, krijimi i miqëve ndërkombëtarë, të cilët me kalimin e kohës u bënë gjeneratorë të fuqishëm në sendërtimin e projektit të pavarësisë Kosovës, si dhe administrimi i Kosovës nën një protektorat ndërkombëtar, si fazë kalimtare deri në realizimin final të pavarësisë së Kosovës.Mbi të gjitha, presidentin Rugova e çmoj pafundësisht edhe për disa gjëra tjera fundamentale. Në Kuvendin e Dytë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili u mbajt më 14 korrik të vitit 1994 në Prishtinë, segmente të caktuara të së majtës bën gjithçka që ishte e mundur që lëvizja e tij politike legale të shndërrohej në lëvizje ilegale! Sikur të ndodhte kjo, projekti i pavarësisë do të shembej si kulla prej letre dhe pavarësia si opsion do te mbetej vetëm një ëndërr e pasendërtuar, por ishte Rugova që pengoi këtë projekt ogurzi. Kundërshtarët më të mëdhenj politikë i refuzonte heshtur në mënyrën e tij estetike dhe mbi të gjitha shquhej për thjeshtësinë e tij, derisa bashkëpunëtorët e ngushtë i respektonte me pietetin më të madh.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bajram Mjeku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 199
  • 200
  • 201
  • 202
  • 203
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT