• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Legjenda e harruar…

April 9, 2025 by s p

Dr. Iris Halili/

Kujtimet s’më lënë ta harroj Drita Kosturin.

Në vitet e para të demokracisë, nisën të na vizitonin mikeshat e gjyshes, gra të guximshme që deri atëherë kishin qenë në burgje apo internime. Mes tyre mbaj mend me shumë përmallim Drita Kosturin. Inteligjente dhe pasionante, Drita rrëfente shumë histori nga Lufta Nacional Çlirimtare. Ajo kishte qënë e burgosur si nga fashistët ashtu edhe nga komunistët. Rrëfente pothuaj se herë na takonte sesi i kishin rrethuar mëngjesin kur vranë Qemal Stafën. Ajo e kishte bindje – vrasja apo vetvrasja e Qemalit në tentativë për tju shpëtuar karabinierëve italianë kishte firmën e Enver Hoxhës dhe Nexhmije Xhuglinit, sepse sipas saj, ata ishin të vetmit që e dinin vendndodhjen e bazës ku Qemali kaloi natën e fundit të jetës së tij. Tregonte Drita edhe tradhëti të tjera të Enverit dhe Nexhmijes ndaj shokëve komunistë që kishin qënë idealistë të vërtetë. Në shumë biseda ajo ngulte këmbë që edhe dëshmorët e 4 Shkurtit, ku mbeti i vrarë një ndër vëllezërit e saj, ishin ekzekutuar si pasojë e një tradhëtie nga vetë Enveri Hoxha, i cili edhe këtë herë e kishte raportuar bazën tek fashistët. Gjithmonë përsëriste sesi Bije Vokshi, që historia komuniste e kishte lavdëruar si një grua kosovare që pati strehuar bijtë komunistë përgjatë viteve të ilegalitetit, me porosi direkte të Enver Hoxhës, në vend ti strehonte kishte spiunuar tek fashistët sa e sa djem dhe vajza ilegale.

Drita kishte më shumë pasion të fliste për jetën e saj në vitet e luftës sesa për atë të burgjeve dhe intermineve. Kur fliste për këto të fundit binte si në një përhumbje. Rrëfente torturat. Një herë i kishin veshur dimija, dhe i kishin futur brenda tyre një mace të cilën ja patën lënë gjithë natën t’i kafshonte dhe të çirrte mishin. “Të nesërmen isha në koma,” tregonte ajo. “Kur u përmenda, trupin, këmbët dhe kofshët i kisha të copëtuara.”

Por torturat nuk përfundonin aty. Ato ishin sa fizike aq edhe psikologjike. Një natë tjetër, pasi e kishin torturuar për ditë të tëra , e kishin mbyllur në një qeli me shumë burra, në të cilën kishin lënë vetëm një dyshek që qelbej nga era. “Ata djem e burra ishin të gjithë fisnikë,” sqaronte ajo me zërin e trashur nga duhani që kishte pirë ndër vite. “Kur hyra, të tërë zunë vend si me një komand të dhënë nga askush në njërin cep të qelisë, ashtu gati cip mbi cip mbi njëri mbi tjetrin, dhe mua më lanë dyshekun për të shtrirë gjymtyrët që prej muajsh nuk i ndjeja nga torturat. Qëndrova aty disa javë dhe ata burra më trajtuan si motër, shpesh kur zgjohesha ndjeja që mbi trup më ishte hedhur një xhaketë apo triko e grisur që ata zotërinj kush një herë a kush një tjetër ma hidhnin në supe. Kur më nxorrën nga ajo qeli shpirtin e dërrmuar ma kishte përlarë ndjenja e lartë humane,mirënjohja. As vetë se kuptoja sesi kjo ndjesi më kishte bërë të harroja dhimbjet që kisha mbi trup. Mesa dukej shpirti brënda meje jetonte akoma dhe kjo më bënte të mos ndalesha”.

Mbaj mënd një pasdite kur Drita erdhi të na tregonte për një aktivitet ku kishte marrë pjesë gjatë paradites. E kishin ftuar në një podium të fliste kundër komunizmit që i kishte gjymtuar jetën asaj dhe mijra të tjerëve në vend. “U çova, Gano,” – i tha ajo gjyshes sime, por edhe ne të tjerët dëgjonim me kureshtje , “dola në podium dhe ngrita bastunin që ti e di e kam këmbën e tretë tani (Drita shquhej për një humor shumë elegant). Pastaj u thashë të pranishmëve: ‘E shihni këtë shkop? Hajde më jepni së pari një dru të mirë mua , se unë isha një nga ato që ua solli komunizmin. Pastaj le të flasim për krimet e tij”. Unë deri më sot nuk kam dëgjuar ende një apologji apo pendesë më të sinqertë se kjo. Dhe të mendosh që Drita nuk mori asnjë orë pushtet nga ai i ashtuquajturi “Pushteti Popullor”.

Drita Kosturi që njoha unë ishte tashmë e kërrusur dhe dëgjimi po e linte. Lëkura e saj e fytyrës ishte e gjitha me rrudha që paloseshin mbi njëra tjetrën. Dukej sikur çdo rrudhë ishte ditari i dhunimeve, persekutimeve dhe tragjedive që i kishin ndodhur në jetë. Rrudhat dendësoheshin edhe më shumë në ball i cili ngjante si një tokë e tharë që nuk kishtë parë ujë në dekada. Kur bëri vizitën e fundit në Itali për të kontrolluar sytë, mjekët i patën thanë të mos kishte shpresë pasi sytë i kishin mbaruar si pasojë e torturave. U kthye nga Italia, dhe e ndjente se nuk i kishte mbetur edhe shumë jetë. Pati marrë me vete një regjistrator, ma tregoi dhe me entuziazëm më tha se me anë të tij donte që unë t’i regjistroja kujtimet. Kështu të dyja menduam t’ja nismin punës mënjëherë. Fatkeqësisht, aparati nuk punonte. E çova në disa njërëz për ta kontrolluar dhe asnjëri nuk mundi ta ndreqte. Fakti që nuk arrita kurrë të regjistroj kujtimet e Drita Kosturit mbetet një nga pengjet më të mëdha të jetës sime. Ajo iku më shpejt sesa koha që mu desh për të gjetur një tjetër aparat regjistrues. Ndërkohë aparati që më dha Drita mbeti në sirtarin tim si kujtimi i fundit i një gruaje heroinë në çdo drejtim.

Drita fatkeqësisht nuk la shumë intervista apo kujtime. Atëhere më pati thënë që në Itali po xhirronin një film për të , por nuk kam dëgjuar asgjë më shumë. Duket se e gjithë historia e jetës së saj është e dhimbshme, jo vetëm për atë që ajo përjetoi, por edhe për mënyrën si po i harrohen vlerat dhe sakrificat në emër të një Shqipërie të lirë dhe demokratike. Drita Kosturi ishte një ndër ilegalet e para, një ndër vajzat e para komuniste të Shkollës së Nënës Mbretëreshë, njeriu i fundit që takoi Qemal Stafën përpara vdekjes , ishte ish e fejuara e tij, por ishte edhe një nga gratë shqiptare më të përndjekura të fashizmit dhe komunizmit. Drita kishte studiuar mjekësi në Universitetin “La Sapienza” në Romë. Mbetet historike një foto e tyre e përbashkët me Musine Kokalarin gjatë viteve studentore në Romë. Më pas ato ironikisht u ritakuan në burg, Drita si një idealiste e Shkollës Nëna Mbretëreshë që e kishte përkrahur komunizmin që ditën e parë, ndërsa Musineja edhe ajo nxënëse e Shkollës Nëna Mbretëreshë si një realiste që e kishte kundërshtuar komunizmin që në gjenezë. Hakmarrja e diktatorit sajonte akuza imagjinare shpesh pa asnjë lidhje me realitetin.

Sa herë e pyes veten pse nuk përsëriten më zonja të këtij kalibri apo karakteri? Si përgjigje më vjen mendimi se, për aq kohë sa figurat historike, dhe jo vetëm, që jetuan me dinjitet dhe forcë karakteri nuk studiohen nga brezat e rinj, ato modele do të flenë në heshtjen e kohës. Do të mbeten të harruara. Dhe kur veprat e mira harrohen, nuk ka kush t’i imitojë. Ndaj dhe vlerat duhet të studiohen me shembuj konkretë. Vetëm kështu brezat i mësojnë, kuptojnë, imitojnë dhe si rrjedhim shoqëritë përparojnë. Ndihem me fat që falë gjyshes sime e njoha nga afër Drita Kosturin dhe ndihem e mbushur që e desha aq shumë. Mbetem me shpresën e mirë që diku në kopshtet e Parajsës, të dyja tashmë pushojnë të qeta dhe gëzojnë jetën që nuk mundën ta shijonin sa ishin ende gjallë.

Filed Under: ESSE

Polifonia labe, kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit

April 8, 2025 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo*/

Nuk është aq e lehtë që të mbash një kumtesë të tillë si Polifonia Labe këtë kryevepër të Trashegimisë gojore të njerëzimit. M’u desh një studim i gjatë i detajuar për të arritur në këto përfundime llogjike dhe për t’ja sjellë publikut në këtë tempull të dijes së njerëzimit. Çfarë binomi i mrekullueshem krijohet midis Harvardit ky tempull i dijes së njerëzimit dhe Polifonisë Labe kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit mbrojtur nga UNESCO, më 25 nëntor 2005.

Që të bëhesh një oratore e vërtetë, apo të shkruash me elegancë dhe art o duhet të mësosh tekstet e folklorit të këngëve labe, apo për më tepër t’i këndosh, ose duhet të mësosh përmendsh dhe të intepretosh Lahutën e Malcis të Gjergj Fishtës. E meqënse kam si temë polifoninë labe kumtoj se kënga labe sjelle histori të pashoqe të Kombit tonë, jo vetëm të viseve jugore, por në mbarë Shqipërinë, në mbarë trevat e lëna jashtë nga perandoritë dhe fuqitë e mëdha europiane.

Duhet të më kuptoni miq te dashur se nuk ka banor që lind në ato vise të mos rritet qysh në bark të nënës me këngën labe.

Të dëgjoje nënat e bebeve me ninullat më të bukura, më të ëmbla pranë veshit duke pirë sisë dhe duke u nanurisur për gjumë doemos do të pasuroheshe do të visheshe me dritë. Qysh fëmijë jam magjepsur me zërat e marrësit, kthyesit dhe hedhësit dhe isove të grupit. Dasmat labe, vajtojcat labe, darkat familjare kanë qenë një nga universitetet më prestigjioze shpirtërore, ndryshe do të këndonin të gjithë. Por jo kjo nuk më rezulton kurrë, po qe se nuk je lindur dhe rritur në viset jugore aty ku këndohet kënga labe.

Po si spjegohet kjo magjepsje, kjo jetesë qëkur ka lindur njerëzimi bashkë me këngën në buzë? Është fuqia e artit, metaforat e hatashme të pa mësuara në shkollat teknike, por nga folklori gojor, drithërues, gjetjet gjeniale brez pas brezi.

Si këngët erotike, burrërore, epike, luftarake, vajtuese janë shndritëse, verbuese, goditëse në zemër, në sy, në vesh dhe gjëmojnë sa tunden malet. Ç’i kanë punuar barbarët tokës sonë mëmë, por nëse nuk do të ishte kënga folklorike e Kombit si dhe e Labërisë shumë ngjarje historike do të zhdukeshin nga faqja e dheut. Ja le të kujtojme vuajtjet e tmerrshme, djegiet, vrasjet, kalbjet nga shovinistët e regjimit grek në vitin 1913 dhe si e kanë perjetësuar në kengen labe këto gjëma kënduar nga grupi i Tepelenës në festivalin folklorik të Gjirokastrës.

“Seç na erdhi greku me urë në dorë/ Gratë e Kurveleshit shkojnë për në Vlorë/ Me djepe në krah, me foshnja në dorë/ Qaj, moj Shqipëri, ulëri e gjorë…”

Kënga është ulëritëse, e frikshme, e llahtarshme përjetimet që panë gratë e labërisë, kur pane fqinjin e marrosur duke ecur në këmbë dhe duke djegur e shkretosur çdo gjë që gjenin përpara s’të hiqet kurrë nga mendja. Nënat me djepe në krah u arratisën për në ullishtet e Vlorës, në vendin që të gjenin paqe pranë ullinjve. Degët e ullirit u binin mbi krye foshnjave që po gjenin paqe në qiell të hapur nga banditët grekë. Kjo është histori e shkruar letërsi gojore folklorike, është gjëmëmadhe dhe nuk ka nevojë fare të dëshmosh me historianë apo pseudohistorianë që mohojnë, por jo kënga labe në grup, në ecje, lëvizje dhe kudo tregon tmerret qe panë dhe hoqën me sytë e tyre në vinin 1913, një vit pas shpalljes së Pavarësisë. Nuk mund ta duronte dot fqinji Pavarësinë e Shqipërisë, por rrëmbeu urat e zjarrit për t’i vënë flakën Labërisë dhe viseve jugore.

Natyrisht jam me fat që jam rritur me artin e këngës labe magjepsëse, me historitë dhe e pamundur t’i përmbledhësh në këtë kumtesë, por po sjellë disa më pikantet në zemrën time dhe të popullit si “Bilbilenjtë ” që mjerisht brezi i ri sidomos i lindur dhe rritur ne Diasporë vështirë se mund t’i ketë dëgjuar. Ndaj na del detyrë ne edukimin historik dhe estetik.

Të mësosh për bilbilenjtë e Labërisë është si të kesh miq gjithë bilbilat e pemëve që këndojnë që deri më sot s’ka zog nga lloji që i arrin në zërat e tyre në kor.

Kur e dëgjoj këngën Trembedhjetë Bilbilenjtë apo e këndoj si një amatore gati “çmendem” në kuptimin metaforik, më vë në mendime si psh: Si është e mundur që këta Trembëdhjetë Bilbilenjtë vanë në litar vetë, jua kërkuan si dëshirë të fundit barbarëve.

Po ç’ishin këta Bilbilenjë, këta luftëtarë të paepur për Shqipëri?

Birbilenjtë kanë qenë një çetë kaçakësh shqiptarë të viteve 1850-60, qëkur u kapën nga autoritetet turke ishin 13 vetë, edhe pse grupi kur ishte aktiv shkonte deri në 50 vetë. Emërtimi u ngeli në kujtesën popullore nga emrat e komandantëve, Bilbil Shako e Bilbil Resuli. Ishin kryesisht të rinj të fshatrave Nivicë, Rexhin, Gusmar, Progonat, Lekdush, Smokthina e nga zona të tjera të Labërisë. Sulmonin karvanët ushtarakë turq, fama e tyre bëri që për shumë vite, autoritete turke t’i rrinin larg krahinës së Kurveleshit. U kapën me tradhti dhe u ekzekutuan me varje në Janinë.

Çfarë krenarie! Të mbrosh Labërinë, këtë zonë të jashtëzakonshme për Kombin për Jugun nga Bilbilenjtë dhe të mos lesh një Perandori turke më e madhja në botë të mos shkelë në trojet e Labërisë është më shumë se heroike, është gjithçka kombëtare dhe do kenë nderim në përjetësi! Ja si ju këndohet në këngët labe:

Bilbilenjtë trembëdhjetë/Vanë në litare vetë/ -Ngreu Bilbil e hidh litarë, -Dale bej të dredh cigarë/ Se s’jam çanaku me dhallë/ Po jam Bilbili me pallë…/Lanet paç Xhelal Voshtina/Vare trembëdhjetë trima…

Interesant shkencor mjekësor janë shumë fakte që mësohen nga këto këngë për trimat legjendarë. Me ka lindur pyetja se pse bilbilenjtë e Labërisë kërkuan cigare dhe këtë e mësova nga ata. Gjatë varjes ngaqë mungon oksigjeni, të varurit përpiqen të hapin gojën e të nxjerrin gjuhën jashtë, natyrisht nje transformim i fytyrës, ndjenjave e gjithçka. Nëse shtrëngon diçka në dhëmbë gjuha nuk del jashtë, dhe është kjo arsyeja për të cilën Bilbili kërkon cigare.

Se s’jam çanaku me dhallë/ Po jam Bilbili me pallë.

A nuk jane 13 male më këmbë siç thotë dhe grupi i Rexhinit në festivalin e Gjirokastrës më1988? C’bën gurra popullore, me forcen e artit, me gjakun e zemrës arrin të sjellë këto mrekulli folklorike pranë nesh.

Të gjitha etapat nëpër të cilat ka kaluar historia e Kombit tonë nuk ka këngë labe që të mos i ketë përjetësuar sikur të jetë një akademi shkencore botërore, pse jo një Harvard. Ja le të hidhemi në betejën e famshme të grykës së Mezhgoranit ku fashistët italianë lanë kockat ne Mezhgoran, ne ato male aq të larta, ata erdhën të pushtonin trojet tona, me bomba dhe municione, por gjetën vetëm vdekjen…

Biri i Labërisë, Ylli i Lirisë Asim Zeneli ra heorikisht në betejë, atje ku vriten vetëm trimat. Mezhgoranasit i kënduan në këngën labe: Te Gorica në të dalë/ O Asim, o lule djalë/ Të mori plumbi në ballë/ O Asim, o biro djalë! Çfarë ligjërimi nënash duke e thirrur, bir, djalë, lule e rinisë!

Asim Zeneli ra si burrë në fushë të betejës në Mezhgoran kunder fashisteve italiane, me 2 korrik 1943.

Një nga grupet polifonike më autotkton dhe me unik në gjithë Kombin është Grupi i Arrëzës së Madhe Tepelenë. Kjo këngë ka lindur bashkë me arrëziotët kushedi në ç’shekull daton dhe këndohet në grup. Magjia e këngës është se po transmetohet ndër breza, por natyrisht duhet një studim i mirëfilltë nga historianët e artit dhe të kulturës për këtë pasuri kombëtare. Sa herë e dëgjoj këngën “Lule Fejzo Arrëza” magjepsem për forcën, timbrin, muzikalitetin, vibrimet e kthimit, të marrësit, të hedhësit dhe të isove. Çfarë larushi ngjyrash në zë dhe në forcën e përcjelljes! Askush s’mund ta këndoj këtë këngë. Kendohet per heroin Fejzo Arrëza që u vra në vitin 1878 nga andartet greke. Fejzo Arrëza legjendari i luftërave heroike, vuri nën komandë rreth 200 burra për të luftuar me trimëri kundër andartëve grekë.

Arrëza e Madhe ka marrë pjesë në 1981 në Festivalin e Gjirokastrës dhe ja vargjet:

Dielli majave seç ra, lule Fejzo Arrëza/ erdhi çobanka të tha: ik o Fejzo mos u vra/ se ata janë 40 e ca! U përgjigj trimi me pallë/ Fejzua nuk iken i gjallë/ pa e bërë kërmë dynjanë, leonillën me gjithë vëllanë/ lule Fejzo Arrëza/ në shpëtofsha këtë radhë, nuk e le hakun pa marrë, mos paca faqen e bardhë, vuvu-së po si vura zjarrë/ Lule Fejzo Arrëza.

Apo kënga për trimin për Hodo Nivicën i cili ishte një prijës popullor në Kryengritjen e vitit 1847 kundër reformave të Tanzimatit, krahas Tafil Buzit, Zenel Gjolekës, Çelo Picarit. Ata bien në betejë si heronj të vërtetë, si heronjtë e antikitetit, si heronjtë kudo.

Çfarë force, cfarë gjëmash iu kanë ndodhur pranë syve, por ata nuk pyesnin luftonin dhe populli me magjinë e fjalës duke i ngritur në qiell i këndon:

“Gjylja mbi kokë i ra/ Koka më dysh iu ça/ Ai bën sikur se pa…”

Është vërtetë epike, heroike, frymëzuese gati e paarritshme. Ai u vra gjatë sulmeve malazeze në Veri në Shpuzë të Podgoricës, më 1852.

Këto këngë autoktone kanë efekte tronditëse, çudibërëse dhe të sjellin si në film gjithë ato male, qiej dhe jehonën e Vjosës që s’do të ndalojë kurrë.

Apo kënga për Tafil Buz mustaqeziu që i vuri kufirin tek thana Perandorisë turke. Ai ishte udhëheqësi kryesor i kryengritjeve antiosmane në Shqipërinë e Jugut në vitet 1828-1847. A e kuptoni se çdo të thotë që një djalë buzjot nuk i pagoi taksat nuk u bë skllav, mbrojti trojet e veta dhe i dërgoi osmanet me bisht ndër shalë në Anadoll? Hajde ta kuptoj brezi i ri që me siguri se kanë idenë kush ishte ky trim i pashoq nga Buzi i Tepelenës? Ndë Stamboll karta dërgojnë/

Se raeja po lëftojnë/ Se e dinë me kë lëftojnë/ Me Gjon Lekë Kuçin thojnë/ Gjon Lek’ e Hodo Aliu/ Mbë dorë palla ç’ju ngriu/ Tafil Buz-mustaqeziu/ Nga Gryk’ e Kuçit arriu,

E meqënse na hodhën fatet në emigrim e pamundur mos të citoj disa vargje nga kënga perlë e Neço Mukos si:“Vajz’ e valëve” ku shumë vasha dhe djem në emigrim gjejnë vehten

Vajz’ e valëve/ zëmëra s’ia mban/ mbi një gur anës së detit/ qan, e zeza qan/ e mjera, qan e zeza qan/ Pret atë që pret/ dhe një dhëmbje ndjen/ Gjithë bota ven’ e vine/ po ai nuk vjen/ e mjera, po ai nuk vjen.

Historia shkruhet lirisht dhe plot art edhe në lidhjet shpirtërore midis Kosovës dhe Shqipërisë. Një këngë e tillë rrëmbeu zemrën time dhe të Qemalit nga “Thesaret Labe” me drejtor artistik Viktor Aliu të cilët për herë të parë u ftuan nga Alba Life në Diasporë. Pra nje grup lab vinte për herë të parë nga Shqipëria dhe tundi Nju Jorkun. Kënga si: Tungjatjeta moj Kosovë,

Vjen nga motër Labëria/ Na bekoi Zoti me gojë/ Të jemi një gjak të dyja.

Moj polifonia jonë/ Mbretëreshë në rruzullime/ Gju më gju fjalën e shtron/ Me lahut e çiftelinë.

Kur këndojnë “Thesaret Labe” nga Shqipëria magjepsem dhe nje Vjosë lumi të tërë derdh nga sytë e mi të lagur nga lotët e mallit. Në këtë këngë që ka fjalët më të bukura dhe më shpirtërore si dhe më të kërkuarat nga populli, larg nga politikanët, bashkohemi dhe bëhemi një.

Këta janë bandillët e këngës labe që e këndojnë aq në mënyrë të hatashme dhe mbollën në zemrat tona një Pemë Arbërore me rrënjë sa vetë lashtësia e njerëzimit.

E pamundur të mbledhësh gjithçka në këtë kumtesë për polifoninë labe. Një vend tejet artistike të veçantë zënë vajet labe, ja po sjelle nga legjendari i këngës labe Maliq Lila kushtuar nënës

Erdha të putha gjirin e tharë/ Por dot nuk t’a nxorra mallë/ Oh nënë/ Det i thellë e i pamatur dhëmbshurie/ Sa më prite atë natë…ti e dije/

Duke dëgjuar këngë vaji, duke marrë pjesë në shumë morte, unë nuk mbaj mend që në anët tona të labërisë apo toskërisë në përcjellje të njerëzve në botën tjetër te ndodh që gratë të mos i përcjellin me ligje, me vaje. Te jesh në këto ceremoni të shkulet zemra prej vendit, nga arti drithërues dhe fjalët që i thurren të vdekurit. Vajtimi është një pasuri tjetër e artit të polifonisë labe, jo më kot korifeu i letrave shqipe, një nga figurat me emblematike të Kombit, student i Harvardit ku jemi mbledhur sot, Fan Stilian Noli lë amanet: “Kur të vdes të më përcillni me këngë labe”

Le te permendim edhe këtë vaj ne Himarë se si motra qan të vëllanë:

Vëllai nurë; Korba ditë e korba natë; O biro, biri im; Derëzeza që në ballë; U e zeza për vëllanë; E zeza, o rrënjëdalë; O rrënjëdali vëlla, Hajmedet.

Vërtetë ngulçet e klithmave vajtore nga vajtojcat e Labërisë janë këngë të përvajshme, në shpërthime të dhimbjes për të vdekurin që s’kthehet më.

Në fakt këto janë rite mortore në gjithë vendin, psh në Eposin e kreshnikëve Kënga “Ajkuna kjan Omerin” është e jashtëzakonshme, afektuese, ku me të drejtë ne ishte një historian i lashtë grek shkrimet e Herodotit, i cili fliste për vajtimet kolektive të Ilirëve”.

Në veprat e Herodotit gjejmë të dhëna të shumta për pellazgët dhe ilirët.

Këngët labe të dashurisë janë një minierë e pasur me xhevaire metaforash, vitalitet krijues, që nga koha më e lashtë e deri në ditët tona. Ja le të sjellim një prej tyre që mban vulën e Bardit të poezisë labe Lefter Çipa si:

O duke tundur zbret nga mali/ Me shaminë lidhur te balli/ Tundu moj bejkë e bardhë, tundu/ Natën me hënë, duku! Bejkë e bardhë e borë e malit/ Ti je ilaçi i çobanit/ Kur mbush ujë te burimi/ Më dukesh si lule prilli.

Apo kënga aq e dashur si “Vito, më iku fiqiri”

Marrës: Nazif Çela, Vitori Balili

Vito¹, më iku fiqiri/ kur dole përpara tëndës/ Djalë, të gënjeu syri/ duket nga argjëndi Hënës/ -Shkoi Vita, shkoi/ mënt’ e mia vanë/-Një faqe behari, djalë ta këputa xhanë/ -Një faqe behari, vitëç’ma këpute xhanë/ -Shkoi vita, shkoi/ djalë? Mënt’ e tua vanë.

Çfarë bashkëbisedimi midis djalit që po i ikën fiqiri nga dashuria dhe pasioni për të, i iku mendja nëse Vito nuk i fal dashurinë.

Ndjesitë e ëmbla gjer në pejzat shpirtërore e bën këtë këngë shumë të njohur dhe të dashur për publikun kënduar mjeshtërisht nga grupi i Vranishtit.

Apo kur ju këndojne djemtë vashave si: O moj vashë e bukura/ ndaj të mora me Sevda/ Sevda kam sa përvëlohem/ por jam djalë e turpërohem…Të kesh mall per sevdanë time….

Apo: Fol e mos fol/ fol se kam Sevda/ belin e holle/ Hajde marshalla/ ose: O sevda ku më kulise/ me dy cica byrynxhyke (te holla)

Keto janë vargje me një muzikalitet të ëmbël si vetë dashuria, farfuritëse.

Këto këngë bëjnë që vashat të hedhin vellot e bardha si perëndeshat e bukurisë ndërsa djemtë me qylafet e bardha kanë magjepsur botën me larushi ngjyrash çka është një pasuri e rrallë e artit shqiptar në botë.

Këto këngë labe janë magjistare shumëzërëshe dhe bëhen hënë e praruar në botën e pafund. Zërat si gurgullimë krojesh nga gurët e zalleve të bardhë, janë shenjtëri, janë bekim i ruajtjes së trashëgimisë popullore të ruajtur në gjak, në zemra, është padyshim ADN-ja jonë.

Polifonia Labe është mbreteri arti, një pasuri botërore, ndaj e kemi detyrë ta ruajmë se është ndërgjegje dhe pasuri e Kombit, është kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit

Autorja e shkrimit është shkrimtare, autore e tetë librave, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në gjithë New York-un dhe në Albany si dhe ka marrë titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

*Kumtesë e mbajtur në Harvard, më 6 prill, 2025.

Referencat:

1-Prof. Dr. Bardhosh Gace, Spiro Shituni “Polifonia Labe”

2-Prof. Dr. Rami Memushaj “Histori e Kurveleshit”

3-Herodoti Historiarum, libri IX edit. Henr. Rudolph.

Filed Under: ESSE

NJERËZ TË TRAZUAR…

April 4, 2025 by s p

Kastriot Fetahu/

Ishte libri “Mallkuar qoftë ajo ditë”, lexuar në vitet e adoleshencës, ai që më frenoi në stacionin e mendimit për ngjyrën e lëkurës së njeriut. Do të tregohem i padrejtë nëse do të ndaloj së qeni i sinqertë. Entoni me lëkurën e bardhë dhe Stivi me ngjyrë, dy vëllezër, në një ditë u ndodhën në sallën e gjyqit përballë njëri-tjetrit dhe bashkë për të shpëtuar njëri-tjetrin. Entoni avokat, ndërsa Stivi aktivist për mbrojtjen e të drejtave të zezakëve në Afriken e Jugut, faji i vetëm i të cilit ishte pse shkoi në shtëpinë e vëllait në lagjen e të bardhëve.

Nëna e tyre Meri, një metise, jetonte me frikën se një ditë kariera e Entonit do të ndërpritej nga ngjyra e errët e lëkurës së të vëllait, Stivit. Nuk e mbaj mend nëse lotova, po prej atij libri në jetën time u projektua një kauzë “Soweto”, bandustanet e saj, kampet e zezakëve në regjimin e Aparteidit të Afrikës së Jugut nën pushtetin e të bardhëve me presidentin e fundit Frederik De Klerk.

Pyetja se ku qëndron zotësia ime që kam ngjyrën e lëkurës të bardhë, ishte aq e pakuptimtë. Unë nuk kisha asnjë meritë në këtë gjë, ndaj vuaja pse “Soweto” ekzistonte si një plantacion njerëzish me ngjyrë në një botë të civilizuar. Në shkollën tetëvjeçare ajo ishte një vajzë e bukur, një vajze e urtë, e ndrojtur, recitonte vjershat më bukur nga të gjithë ne. Ishte e ndjeshme dhe gjithmonë shumë e kujdesshme, e ndrydhur, i mungonte lirshmëria e moshës dhe dukej sikur ndiqte me shumë vemendje çdo zhvillim shoqëror për të qenë e pranueshme dhe e barabartë në çdo gjë midis nesh. Me ngjyrën e lëkurës së Esmeraldës së Hygoit në “Katedralen” e famshme, zbukuronte mozaikun e klasës. Një ditë kur po recitonte poezi, në një çast njërën prej fjalëve e shqiptoi me një ndryshim shkronje, me ngjyrat e dialektit të gjuhës në shtëpinë e saj. Ne shpërthyem në ilaritet, ndërsa ajo zuri fytyrën me duar dhe qau. Edhe sot ndihem në faj pse ata qeshën me një lapsus për shkak të dialektit.

A nuk ju duket se ajo vajzë në gjenezë vjen si produkt i njerëzve që kanë qarë me shekuj? Edhe sa shekuj duhet të qante? Çfarë ishte më shumë se kaq dallimi racial? Unë isha gjithmonë Stivi, po ata? “Çfarë kënaqësie mund të provosh kur shikon tjetrin në vështirësi?” Këtë mendoja dhe nuk e gjeja dot atëherë kur klasa me ilaritetin absurd bullizoi një engjëll mes dy gjuhësh. Kur dhe ku mësohen dashuria dhe urrejtja?

Ndërkohë lajmet shpërndanin përditë ngjarjet në Soweto dhe burgun e Mandelës. Asokohe guxova dhe pyeta veten se çfarë roli ka komunizmi në këtë ngjarje?

Kur isha student nuk kaloja dot në “Bllok”, pasi ruhej me ushtarë të gardës dhe me polici. Kjo zonë e Tiranës më dukej mistike, si një vend me heshtjen e perëndive, si “jashtë shtetit.”

Nuk e gjeja dot nëse ishte dallim racial apo klasor, që nuk më lejonin të ecja në trotuarin ngjitur me Bllokun në rrugën “Sami Frashëri”, apo ndoshta kishte emër tjetër? Ndërkohë portretet e zymta e të padeshifruar të atyre që nuk gjetën kurrë prehje nga lufta e klasave, më ngecin në një kaos trafiku mendor edhe sot. A nuk ishte dallim racial politik, krijimi i “aborigjenëve të rinj” nga teoria e Leninit? Rrudhesha në fytyrë, sikur të hidhja njëherësh një gotë “Wisky”, kur studentët “tironc” na quanin katunarë ne të rretheve. Çfarë zotësie kishin më shumë se unë ata, pyesja veten. Ku qëndron merita se kishin lindur në Tiranë apo ishin vendosur atje si bij të baballarëve të afërt me pushtetin? Me atë logjikë, sot që jetoj në Boston, për analogji ata do t’i etiketonin “katunarë” qytetarët tiranas në raportin Tiranë – Boston, se i ngjan raportit të qytetit tim me Tiranën e asaj kohe.

Lulëzonte urrejtja në një tjetër fjalë, “malok” për veriorët, nën zë apo në grupe jashtë prezencës së tyre.

A na bashkonte apo na ndante komunizmi?

Nëse po, pse diferencoheshim në “tironc” që ishin gjithmonë “patricët” dhe ne të tjerët, katunarë, fshatarë, malokë. romë, egjiptian, shule apo emra të çfarëdoshëm që përfaqësonin ndasi më të vogla në numër dhe territor? Gjërat tek të cilat besoja, dukeshin si një univers i kithët me “patricët”. Shumë pyetje drejt vetes nuk gjenin dot kuptimet e përbashkëta.

Vuaja dhe që t’i shpëtoja autobullizimit, strehoesha në vetminë time si e vetmja mbrojtje, pasi trishtimi ishte një gjendje statike mbi të cilën mbivendosej çdo gjendje tjetër.

Njerëzit “vetvrasës” si derivat i vuajtjeve shpirtërore duan të arratisen shpejt nga kjo botë, ata nuk duan të japin shpjegime pse fati i tyre i kufizon shumë në ëndrra dhe realitete shpirtërore. Kush na e ka borxh një jetë më të mirë, se sa rinia që kaluam në vitet ‘80?

Vajzat studente, në teorinë e planeve të jetës, na trajtonin si “rezervë” ne, studentët e rretheve dhe kjo ishte një aksiomë të cilën nuk përpiqesha kurrë ta zgjidhja. Pse duhej të pleksej me çështjet e zemrës vendbanimi ynë? Ndoshta kishin të drejtë, sepse lëvizja e lirë ishte koncept i panjohur. Po përse vallë?

S’po i bëj më ndonjë të mirë kësaj bote, mendoja përderisa ekzistonin ide të tilla hapur apo fshehur pas nënqeshjeve cinike fyese të “patricëve” të ndryshëm në llojin e tyre.

Ideja për të eksploruar aspektet psikologjike e filozofike të këtyre fenomeneve, ma bëri detyrën më të vështirë nga sa e mendoja. Njeriu nuk kërkon të vdesë sepse ka ëndrra dhe iluzione, por a ishin njëlloj për të gjithë? Sa e dyshimtë është kjo gjë, i ngjan ndryshimit të thellësisë së detit edhe pse ai ka emrin det kudo në sipërfaqen e mbuluar nga uji i kripur. Ndodhte që të më zgjohej shpresa nën vrulle suksesi të papërfillshëm, por që ndizte ngjyra të bukura çastesh gjurmëlënëse në jetë. Dukej sikur më plaçkiste shpirtin identiteti im gjeografiko-politik edhe pse te ne nuk ekzistonte “Soweto” dhe as Sabra e Shatila të Bejrutit.

Ura mes instiktit dhe logjikës, ligjit dhe shkeljes, pasionit dhe moralit, dëshirave dhe objektivave, imagjinatës dhe mundësisë qëndronte e mbyllur tek unë.

Isha një njeri i trazuar, një student i ngatërruar që as urën drejt vetes nuk e ndërtova dot, një qenie njerëzore laboratorike e ekzistencializmit Sartrian.

Në moshën 22 vjeçare Gandhi kishte tre fëmijë, Mozart 30 simfoni, Evariste Galois shkencëtar me shpikje teoremash matematike, Evan Spiegel, themeluesi i Snapchat, miliarder, ndërsa unë nuk guxoja të kisha as… ëndrra. Vazhdoj të mendoj se të gjithë janë brenda të njëjtës vlerë dhe bij të lirisë, madje edhe bij të të njëjtit Zot. Po ndërkohë edhe sot më godet në mendimin e fundit, të pathënë kurrë më parë, ideja “A jemi racistë ne shqiptarët?”. Një pyetje e vendosur brenda një kornize ndërtuar me “pse” pafundësisht. Kjo ide më zvogëlonte gjithmonë si domosdoshmëri e arsyetimit të plagosur për mungesën e lumturisë në kohën e pamjaftueshme. Liria nuk është për egoistët, po rruga e kërkimit të së vërtetës brenda vetes në raport me të gjithë botën. “Mallkuar qoftë ajo ditë” nuk ekziston më dhe as “Soweto” nuk ka më tej dy ngjyra.

Ndërsa vazhdoj të jem gjithmonë Stivi…

Filed Under: ESSE

𝐍𝐢𝐬𝐣𝐚 𝐞 𝐳𝐛𝐚𝐭𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐏𝐥𝐚𝐧𝐢𝐭 𝐌𝐚𝐫𝐬𝐡𝐚𝐥𝐥

April 3, 2025 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Në këtë ditë më 3 prill të vitit 1948, Presidenti i SHBA Harry S. Truman nënshkroi në ligj planin e George C. Marshall, i njohur si Plani Marshall, pas Luftës së Dytë Botërore, për të ringjallur ekonomitë e vendeve të Evropës Perëndimore dhe Jugore në mënyrë që të nxitej demokracia në kontinent e të frenohej zgjerimi i influencës komuniste.

Plani Marshall u projektua për të rehabilituar ekonomitë e 17 vendeve të Evropës në mënyrë që të krijoheshin kushte të qëndrueshme në të cilat institucionet demokratike mund të mbijetonin pas luftës.

Shtetet e Bashkuara transferuan 13.3 miliardë dollarë (170 miliardë sot) në programe të rimëkëmbjes ekonomike për ekonomitë e Evropës Perëndimore ndërkohë që çlirimi i Evropës nga nazizmi kushtoi jetën e 400,000 mijë amerikanëve të vrarë e mbi 600,000 të plagosur.

Falë ndërhyrjes amerikane në luftë, jetëve të rëna dhe ndihmës së pakursyer financiare Evropa gëzon statusin që ka deri më sot.

Filed Under: ESSE

Krenari kombëtare!

April 2, 2025 by s p

Shkruan: Robert NUHA/

Prezantimi i shfaqjes “Pas Luftës, Kush jemi Ne?!”, në Théâtre du Gymnase Marie Bell, në Paris, më, 24.03.2025, dhe në Claridge Events në Bruksel, më, 26.03.2025. Një eksperiencë e paharrueshme me një Shfaqje artistike, dedikuar historisë sonë të lavdishme dhe të dhimbshme, në shenjë falënderimi për miqtë tanë ndërkombëtarë, e në veçanti për NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ju bënë krah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe, na e bënë lirinë realitet, pas më shumë se Një Shekull robërie.

Një ndërmarrje e tillë artistike do të duhej të përkrahej nga shteti, sepse, përveç temës që shfaqja mbartë, ajo gjithashtu prezanton kualitetet më të larta artistike, figurat e artistët ndër më të rëndësishmit në vend. Format skenik jo i shpeshtë dhe sigurisht lojë artistike që po lë mbresa të jashtëzakonshme kudo që po shfaqet. Një iniciativë e tillë, krejt personale e Prof. Nusret Pllanës, do të duhej të merrte vëmendjen e duhur institucionale dhe, jo ti mbetej kohës, e pesha edhe financiare, ta rëndoj një person të vetëm.

Gjithsesi, ne, me gjithë vështirësitë që kishim, kaluam çaste të paharrueshme dhe u prezantuam në formën më të dinjitetshme artistike.

Sigurisht, kjo është meritë e ekipës së punës, dhe një trupë prej 35 personash, të cilët u bëmë bashkë, që të prezantohemi në dy qendrat Europiane të Artit.

Krenari kombëtare, sepse dëshmia më e fuqishme e zhanrit dans teatër, e cila komunikon shqip dhe thërret me gjuhën universale, duke komunikuar nëpërmjet gërshetimit të arteve në modalitietet më origjinale, të ardhura në skenë nga puna e palodhshme, nga eksplorimi në laboratoret artistike e të gjithë artistëve pjesëmarrës, u paraqit dinjitetshëm para Europës, për ti hapur rrugë udhëtimeve tjera, si në; Gjermani, New York, Detroit e Dallas, për të cilat kësaj radhe shpresoj që institucionet kompetente të Republikës së Kosovës ta marrin seriozisht detyrën që ato kanë përballë nesh!

Të prezantosh një shfaqje të tillë, dans teatër, me komponim muzikor të interpretuar ‘live’, e cila është ndërtuar në formë të tillë sa ka depërtuar në çdo qelizë të interpretëve duke u bërë kështu Njësh, me konceptin total të shfaqjes, është mburrje për një punë kolosale të mjeshtrit Trimor Dhomi.

Ndaj, shfrytëzoj rastin të falënderoj secilin dhe secilën, që bënë të mundur këtë udhëtim dhe prezantim me karakter kombëtar e në veçanti z.Hazis Vardar , Nexhmedin Demiri dhe Muzafer Demiri, për mbështetjen që na keni ofruar, pa kushte, por me deshirën që ne të dalim sa më të suksesshëm, edhe në Paris e Bruksel, siç edhe dolëm, duke u duartrokitur një kohë të gjatë nga të pranishmit, në mesin e të cilëve, përveç kurbetçarëve tanë të shumtë, miqëve tanë francez e belgë, ishin prezent edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Paris, z. Mehdi Halimi, ndërkaq në Bruksel, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, z. Ferit Hoxha dhe Konsulli i Republikës së Kosovës, z. Miftar Kryeziu. Artistë dhe Artiste të shfaqjes , që tashmë është mburrja ime më e madhe, ju Faleminderit për çdo gjë, për cdo ditë, për çdo pjesë shpirtërore që e mishëruat në rolet dhe punët tuaja!

Jam krenar me të gjithë Ju!

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 605
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT