• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tash me gjilpanë, jo me gërshanë

February 22, 2025 by s p

Fatmir Konja/

“V”-ja e gishtave u bo gërshan “, tha Albin Kurti në një takim me zgjedhësit gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit. E kishte fjalën për aktet e qeverisë së drejtuar prej tij kundër korrupsionit. Ndoshta ishte edhe një përgjigje ndaj komenteve mediatike se në periudhën para zgjedhjeve nuk po i ndaheshin nga dora lopata dhe gërshërët për të përuruar investimet e kryera nga qeveria e drejtuar prej tij. Simbolika e gërshërëve iu bashkëngjit në këtë mënyrë simbolit “VV” për të fituar “500k ❤️“. Me gjasë u pëlqye nga votuesit e bindur të partisë së tij, por votuesit e pavendosur nuk i shkuan pas fijes euforisë dhe mujsharisë së Kurtit, i cili kërkoi gjithçka ose asgjë. Nga ana tjetër, Kurti dhe Vetëvendosja, të ardhur në pushtet me fitore plebishitare katër vite më parë, i kishin përdorur “gërshërët” rregullisht kundër çdo mundësie bashkëpunimi me kundërshtarët politikë, deri edhe për çështje thelbësisht të interesit shtetëror, ku spikat çështja e koordinimit me përfaqësuesit ndërkombëtarë lidhur me procesin e dialogut me Serbinë. Revanshi i Kurtit, i yshtur nga numrat në Kuvend, nuk u la asnjë hapësirë përpjekjeve të partive të tjera politike për t’u dëgjuar dhe për të kontribuuar në këtë fazë të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Jo vetëm kaq, po edhe në momente kritike të marrëdhënieve edhe ashtu të tendosura me kancelaritë perëndimore, nuk ndërmori asnjëherë një konsultim të sinqertë me faktorët politikë të vendit. Në këtë kontekst, Kurti bëri copash me “gërshërët” e tij edhe kostumin e dikujt që nga baza e zgjedhësve të Vetëvendosjes thirrej “Albin baba”, duke mos i respektuar, e shpeshherë duke i tallur kundërshtarët politikë. Pikërisht për shkak të kësaj sjelljeje, edhe pse ka marrë dyfishin e votave të partisë së dytë në radhë, partitë opozitare janë bërë bllok kundër tij dhe asnjëra prej tyre nuk po jep asnjë shenjë se mund të hyjë në bisedime për të ndërtuar një qeveri me Kurtin kryeministër. Sikur të mos mjaftojë kjo, përfaqësuesit e kancelarive perëndimore duket se nuk kanë ndërmend të mbështesin krijimin e një qeverie të re të drejtuar nga Kurti, për të mos thënë se ka prej tyre që po përcjellin mesazhe që e minojnë këtë mundësi. Tanimë, shumë më gjerë se në rrethet politike apo diplomatike, po përpiqet të zërë rrënjë ideja se një qeveri e re me kryeministër Albin Kurtin nuk do të shihej si partnere e besueshme as e Brukselit, e as e Uashingtonit. Nuk është e tepërt të themi se rivalët politikë janë duke pritur edhe ndonjë ndërhyrje direkte nga përtej Atlantikut për të rrëzuar përfundimisht përpjekjet e Kurtit për një qeveri të re të ndërtuar prej tij. Duhet shtuar fakti se rrëzimin e Kurtit e dëshirojnë njëheraz, por për arsye të ndryshme, edhe qeveritë e Beogradit dhe të Tiranës. Këtë të dytën dhe emrin e kreut të saj, me shumë elegancë nuk e përmendi kurrkund as ish-drejtori i VOA, Elez Biberaj në analizën e para dy ditëve mbi idenë e tij se marrëdhënia e veçantë e Kosovës me SHBA, nën qeverisjen Kurti është shndërruar në një marrëdhënie të ndërlikuar. Është fakt se aventurieri politik i Tiranës i ka bërë boll dëme Kosovës me nismat e ndërmarra për të siguruar kredo politike ndërkombëtare për qeverinë e tij. Thënë të gjitha këto, Albin Kurtit i duhet të hedhë tutje gërshërët, dhe të përpiqet tanimë me gjilpërë t’i qepë vetes një kostum të ri, të një politikani jo vetëm të gatshëm për kompromis me opozitën për krijimin e një qeverie të re, por të përulur para nevojës urgjente që ka Kosova për një zë të përbashkët të të gjithë faktorëve politikë të vendit përballë sfidave dhe rrethanave të reja gjeopolitike.

Filed Under: ESSE

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare – Disa fjalë e shprehje të shqipes që duhen diskutuar

February 21, 2025 by s p

Prof. Dr. Bahtijar Kryeziu/

Standardi i shqipes, i cili lipset të zbatohet në praktikë edhe më me ngulmë dhe pa ngurrim, në të gjitha poret e jetës, është zgjidhja më e mirë dhe e pa alternativë, “por që ka nevojë të pasurohet, të plotësohet e veçanërisht të mësohet – në vazhdimësi”. Kështu ka ndodhur dikur e kështu ndodh edhe sot me gjuhët e popujve edhe më të përparuar të botës, si te gjermanët, te grekët, te italianët, te austriakët e zviceranët gjermano-folës etj.

Mbyllja vetëm në “guaskën” e asaj që është vendosur si normë para 50 vjetësh, mbështetur në treguesit e atëhershëm, sot, në dritën e disa trysnive që na sjellë koha, do të ishte jo dobiprurëse. Këtë e mbështesim edhe te konceptet e disa dijetarëve, si te linguisti e psikologu Ferdinand Brunot (1860 – 1938), i cili që atëherë kishte shkruar se “gjuha është një fakt sociologjik, që prodhohet, evoluon, ndryshon e përsoset, në funksion të shoqërisë, së cilës i përket”. Edhe gjuhëtari e filozofi i njohur zviceran, Ferdinand de Sosyri, e përkufizon gjuhën si diçka “të paprekshme, por jo edhe të pandry-shueshme”. Një mendim të ngjashëm kishte edhe akademiku Shaban Demiraj, kur thotë: “edhe për gjuhët që kanë tradita më të vjetra, shtrohet kërkesa për përmirësime” (Sh. Demiraj, në “Seminarin XVII ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare”, Tiranë, 1995, f. 740). Jo ndesh këtyre qëndrimeve është edhe koncepti i akademik Rexhep Ismajlit, i cili, duke bërë fjalë për këtë problem gjuhësor nënvizon: “Më duket se rrjedhat në shoqëri janë të atilla që të bëhen të mundshme ndryshimet eventuale që do ta zgjeronin bazën standardologjike, por assesi … jo rikthimet ose rizgjedhjet e bazës…”. Këtu duhet përmendur, sigurisht, edhe konceptin e vlerësimin e Humboldit, se “gjuha nuk është një proces i përfunduar (një ergon), por (një energeia)”. Fundja, për ndryshime të arsyeshme dhe ato të cilat i imponon koha, leje ka dhënë edhe Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe i vitit 1972, ku thuhet, se: “Rregullave të drejtshkrimit t’u bëhen, në të ardhmen, kur të jetë e nevojshme, përmirësimet dhe plotësimet e duhura” (Drejtshkrimi i gjuhës shqipe, Prishtinë, 1974, f. 27)… e jo të një veprimi sipas mendimit të disave: rrëno e ndërto, si në kështjellën e Rozafës.

Në këtë fushë, një punë me mend e me vend do duhej ta bëjnë institucionet kombëtare shkencore, ose qoftë edhe një Këshill Ndërakademik (si ai i krijuar në Tiranë, më 27 tetor 2004, nga 15 anëtarët e tij: nga Shqipëria, Kosova, Ma¬qe¬donia etj.), (Elsa Demo, Do ta quajmë Europë e jo Evropë, gazeta “Shekulli” (internet), Tiranë, 20 maj 2006), që heshti, e Zoti e di nga çfarë trysnie e për çfarë arsyeje (?!) dhe i riaktivizuar më 30 janar 2020.

Në kontekst të parimeve që zura në gojë, duke çmuar gjithnjë bazën e përbashkët të stan¬dardit të shqipes, si një arritje e madhe e kombit tonë, kujtoj se shumësi i disa emrave të përgjithshëm, është mirë sikur të kodifikohej, pos tjerash, edhe për shkak të një ekonomizimi gjuhësor, si te fjalët: një çam – disa çamë, një lab – disa labë, një nip – disa nipa, sesa: disa çamër, prindër, nipër, ashtu siç do të shqiptoheshin më lehtë edhe format e shumësit të emrave: drapinj, gjarpinj (ose dhe drapij, gjarpij), arij, barij, huj, lumej, ullij…), gishta, sesa: drapërinj, gjarpërinj, arinj, barinj, hunj, lumenj, ullinj, gishtërinj etj.

Po ashtu është koha për të rishqyrtuar përdo¬rimin e fonemës ll në vend të l-së (përkundër Drejt-shkrimit…, Shënimi 1, f. 105) te disa emra të përveçëm sllavë, si: Millan, Millosh, Vllqdimir etj., analogjikisht me Jugosllavi, jugosllav, sllav etj., për Milan, Milosh, Vladimir (të normuar atëbotë kështu nën ndikimin e rusishtes), kur dihet se këta emra dhe shumë të tjerë si këta, në gjuhët burimore (sllavo-jugore), nuk përdoren me l por me ll, siç i përdorim edhe ne, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi, por edhe të disa krahinave të Shqipërisë. Dihet se serbokroatishtja ka dy fonema të ndryshme: l e ll, nga 30 sa ka alfabeti i tyre, që krijojnë kundërvënie fonologjike, si ludi (ljudi) “njerëz – lludi (ludi) “budallenj, të marrë” (në cirilikë: l (lj)=љ dhe ll (l) = Л).

Prandaj emrat e tillë e të ngjashëm mund të normëzohen, të shqiptohen e të shkruhen pa pengesë me ll, si: Millorad, Millutin, Millosav, Millosh, Millovan…, ose oikonimi Milloshevë etj., që i gjejmë të jenë përdorur edhe te revista “Përparimi”(Nebi Caka, Leksiku i përveçëm i revistës “Përparimi” 1955-1968, ASHAK, 2018, f. 801-803), që para njësimit të gjuhës shqipe, ashtu sikurse që përdoren me l e jo me ll disa emrat të tjerë të përveçëm, si: Lubomir, Lilana, Lubjana e jo Llubomir, Llillana, Llubjana…

Emrat e përveçëm sllavo-jugorë, i ndeshim të përdoren jo drejt edhe sot, në të folur e në të shkruar, kur bëhet rrafshimi i bashkëtingëllores okluzive – gjuhore ç ˃ q në trup të emrit, si p.sh.: Miqeviq, Miqkoviq, Miqunoviq (Nebi Caka, Vepra e cituar, f. 808-809 dhe 806): në vend të Miçeviq, Miçkoviq, Miçunoviq…) të cilët në serbokroatisht, me alfabetin latin, përdorën duke respektuar č e ć e në cirilikë përdoren ч e ћ.

Edhe kodifikimi i fjalës Europë për Evropë – siç ka zënë vend tanimë edhe në FESh dhe siç përdoret edhe gati në të gjitha vendet evropiane, është mirë të përdoret edhe në gjuhën tonë me eu- e jo me ev-, pra Europë e jo Evropë.

Nuk do të ishte “mëkat” standardologjik, sikur datat, si në shumë gjuhë të tjera, të shkruheshin me një zero përpara, kur janë njëshifrorë; përdorimi i shkronjës së madhe tek emrat e popujve; tek emrat e festave fetare (Ramazan, Bajram, Krishtlindje…), ashtu sikur¬se edhe për emrat: Zot, Perëndi, Allah etj., që hëpërhë bien ndesh me drejtshkrimin e vitit 1972, por që janë fjalë të cilat shumë shpejt do të mund të fitonin qytetarinë në standardin e gjuhës sonë, që nga veriu e deri në jug. (Disa probleme që i kemi shtruar këtu, sado që na duken të drejta t’i përdorim, janë ndesh drejtshkrimit të shqipes, derisa nuk vendoset ndryshe, por që me kohë, besojmë se do të tumiren).

Kur jemi te kjo temë, besojmë se me interes janë të diskutohen edhe disa “dromca” fjalësh e shprehjesh në gjuhën tonë, të cilat po i zë në gojë këtu:

1. Te portali i gazetës (“Bota Sot”, 30 qershor 2023), në titull kemi ndeshur dy fjalë sinonimike, por jo gjithherë sinonime: “Nga skara e deri tek tharja e rrobave, këto janë rregullat e ballkonit në Gjermani”.

Unë kujtoj se në rastin konkret, në vend të fjalës tharja, më drejt do të ishte sikur të ishte përdorur fjala terja. Me përjashtim (ndoshta) të ndonjë areali, është thënë e thuhet: ishin terur rrobat; më janë terur flokët, duart etj. Fjala tharj/e,-a, përdoret në rastet, si: ishte tha bari nga dielli i fortë; ishte tha pema pa e ujitur etj. Ç’ është e vërteta, te Fjalori i shqipes së sotme, “Toena”, Tiranë, 2002:1378, ndeshim nja 2 shembuj ku përdoret leksema thaj, -va, -rë, edhe për rrobat e tokën: i thau rrobat në diell; i thanë tokat, porse po në këtë Fjalor, fq. 1337, përmendet edhe emri “terinë,-a, f. sh.-a, -at, vend ku ndejnë rrobat”, d.m.th., ku teren rrobat.

Leksemat terje – tharje, sado që na duken si sinonime, kanë edhe nuanca dallimi, ashtu sikurse fjalët: krye – kokë (doli në krye të vendit e jo doli në kokë të vendit), udhë – rrugë (hekurudhë – e jo hekurrrugë) etj., prandaj edhe duhen përdorur secilën në vendin e duhur.

2. Meteorologët me rastin e parashikimit të motit me shi, kryesisht shprehen: sot (ose nesër) do të ketë mot me reshje shiu, siç e kemi hasur te shembulli: “Reshjet e shiut bëhen shkak për aksident në aksin Memaliaj-Mallakastër, plagosen disa persona” (Titull te gazeta “Panorama”, Tiranë, 12.8. 2022), në vend se të thuhet: do të bie shi, mot me riga shiu etj., kurse për borë është thënë gjithmonë e thuhet: do të ketë reshje bore; po reshë borë etj. Edhe në popull kaherë ka ekzistuar një thënie: “Bora po reshë e miki po kesh”, por po reshë shi, nuk thuhet.

3. Edhe fjalia “Ikën dritat”, ashtu si te shembulli (togfjalëshi) “Reshjet e shiut …”, na duket shembull semantikisht i paqëndrueshëm e që sot po përdoret me të madhe si në masmedie, ashtu edhe te një pjesë e gjerë e popullatës, sidomos në Shqipëri. Dritat mund të fiken ose jo, të ndalet rryma (elektrike), por jo “të ikin” dritat. Ikin gjallesat, ato që mund të lëvizin, të ikin, por jo edhe gjësendet e pashpirt.

4. Edhe ndajfolja patjetër, nuk na duket e drejtë të përdoret gjithherë ashtu. Fjalori i gjuhës shqipe e ka me këto shpjegime “1. Medoemos, në mënyrë të detyrueshme a të padiskutueshme; me çdo kusht. Do të vijë (do të shkojë, do të ndodhë) patjetër”, ngase edhe në këto raste veprimi mund të mos jetë i domosdoshëm, patjetër të kryhet një veprim. Ose kur dikush i thotë dikujt takohemi, ai ia kthen: – po, patjetër, pa pasur parasysh rrethanat e tjera – në vend të fjalëve: besoj, mbase, ndoshta, mund…

5. Edhe leksema flak/ë,-a, f. sh. –ë, -ët, si te shembulli: “Mëngjesin e sotëm një objekt në Suharekë është kapluar nga flakët” (“Bota Sot”, 19 janar 2025) etj., është përdorur në shumësin e shquar – flakët, ose te shembujt: e kapluan flakët shtëpinë, veturën, malin… Unë kujtoj se në raste të tilla, semantika e fjalisë (logjikisht) nuk dëmtohet, në qoftë se fjala flakë përdoret në njëjës: e kaploi flaka shtëpinë, veturën, malin…, ose kur emri flakë,-a përdoret në rasën emërore, kurse emrat shtëpi, veturë, mal – në dhanore, si p.sh.: i doli flaka shtëpisë, veturës, malit, etj.

Krahas përdorimit të fjalës flakë (në njëjës) përdoret edhe fjala tym (e jo tym,-ra, -rat), si te shembulli: u ngjit përpjetë tym e flakë… Edhe fig. për një fëmijë, kur ka tempe¬raturë të lartë, është thënë e thuhet edhe sot: i doli flaka, (më rrallë: i doli tymi) e jo i dolën flakët ose i dolën tymrat.

6. Të pa kripë na duket edhe folja lindi (për kafshët) e ndeshur te shembujt e masmediave tona, si:

“Lopa lindi tre viça në Pestovë të Vushtrrisë” (gazeta “Express”, 26 dhjetor 2015). Gjithmonë është thënë lopa polli një viç, dy ose edhe tre viça e jo lindi tre viça; ose shembulli i radhës, po te kjo gazetë: Macja lindi 4 macja të vogla” – për: Macja polli 4 kotele.

7. Të kësaj natyre janë edhe shembujt e radhës: “Sasia e nikotinës, që gjendet në cigare, në një pako, po të merret përnjëherë mund të shkaktojë vdekjen e elefantit brenda një minute” (gazeta “Bujku”, 1993, f. 8 – për: ngordhjen e elefantit brenda një minute. Ose:

“Në bregdetin e… u gjeten shumë delfinë të vdekur” (RTK, 18 dhjetor 2011) – për: Në bregdetin e… u gjeten shumë delfinë të ngordhur etj. Vetëm për bletën në popull thuhet vdes/vdiq: më kanë vdekur kaq koshere (sëndukë) bletë … etj.

8. Jo rrallë, sidomos në Shqipëri, kur takohen dy shokë/shoqe, njëri/a e pyet tjetrin/ën: Si dukesh? (për të kuptuar si është, mirë apo jo bash mirë). Ai/ajo i përgjigjet: mirë jam; po mirë jam, ose nëse nuk është bash mirë ia kthen: po, mirë jam. Nuk e kemi hallin se si i përgjigjet shoku/shoqja atij/asaj që pyet, por e kemi fjalën te pyetja e atij/asaj kur i drejtohet dikujt: Si dukesh? Pyetje kjo jo dhe aq e logjikshme në rastet si ky. Se si duket – duket, shihet, ngase dukja shpërfaqë pamjen e jashtme, në raste të tilla kujtoj se më me vend është që ai/ajo të pyesë: si je – si jeni?; qysh je – qysh jeni?; a jeni mirë?…, për të kuptuar gjendjen shëndetësore, shpirtërore e fizike të atij/asaj që i drejtohet pyetja.

Le të jenë këto fjalë e shprehje edhe një lloj “provokimi” pozitiv para jush për të nxitur mendimet e juaja edhe ndryshe, pse jo?

Filed Under: ESSE

GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

February 21, 2025 by s p

(Me rastin e Ditës ndërkombëtare të gjuhës amtare)

Nga Prof.dr Skender ASANI/

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, e shpallur nga UNESCO më 21 shkurt 1999, ka një domethënie të veçantë për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhëve, veçanërisht në një botë ku globalizimi shpesh rrezikon gjuhët më të vogla. Kjo ditë shërben si një moment reflektimi mbi rëndësinë e gjuhëve amtare jo vetëm për identitetin kombëtar e kulturor, por edhe për funksionimin e një shoqërie demokratike dhe të hapur.

Gjuhët nuk janë ishuj të izoluar në shoqëritë moderne. Përkundrazi, gjuhët historikisht, përveç mesazheve të ndryshme, kanë bartur edhe mvetësitë etnopsikologjike e kulturotre të popujve të ndryshëm. Prandaj, shumëgjuhësia nuk duhet parë si pengesë, por si një mundësi për të ndërtuar ura komunikimi mes njerëzve dhe kulturave. Historia na mëson se qytetërimet më të zhvilluara kanë qenë ato që kanë njohur dhe respektuar gjuhët e njëra-tjetrës, duke nxitur kështu shkëmbimin kulturor, ekonomik dhe tregtar. Në këtë kontekst, përdorimi dhe njohja e gjuhëve të ndryshme nuk është thjesht një nevojë administrative, por një domosdoshmëri për harmoninë dhe bashkëjetesën shoqërore.

Në Maqedoninë e Veriut, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është një hap i rëndësishëm drejt garantimit të të drejtave gjuhësore dhe respektimit të diversitetit kulturor. Sfidat e zbatimit të këtij ligji nuk duhet parë si vështirësi të pakapërcyeshme, por si një mundësi për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Është e rëndësishme që institucionet dhe bota akademike të bashkëpunojnë për të gjetur mënyra më efikase për zbatimin e shumëgjuhësisë në realitetin e përditshëm.

Respektimi i gjuhëve të tjera nuk cënon identitetin gjuhësor të askujt. Përkundrazi, ai ndihmon në ruajtjen dhe forcimin e gjuhëve duke i bërë ato pjesë të një procesi të natyrshëm komunikimi. Për shembull, për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, funksionimi normal i gjuhës shqipe në institucionet shtetërore nuk duhet të shihet si një favor, por si një e drejtë e natyrshme që forcon barazinë dhe harmoninë shoqërore.

Në epokën e globalizimit dhe teknologjisë, është e domosdoshme që përfitimet e komunikimit të avancuar të reflektohen edhe në marrëdhëniet ndërgjuhësore. Një shoqëri moderne nuk mund të përparojë pa respektuar gjuhën dhe kulturën e tjetrit. Ligjet janë mjete juridike që rregullojnë të drejtat, por është në dorën e njerëzve të dijes dhe institucioneve shkencore të krijojnë një qasje që i përshtatet standardeve të botës së qytetëruar.

Gjuha amtare është një pjesë thelbësore e identitetit dhe trashëgimisë sonë kulturore. Ruajtja dhe promovimi i saj nuk janë vetëm detyra të institucioneve, por edhe të vetë individëve dhe shoqërisë në tërësi. Nëse respektojmë dhe njohim gjuhët e njëri-tjetrit, atëherë kemi bërë hapin e parë drejt një shoqërie më të hapur, më të drejtë dhe më të zhvilluar.

Realiteti shumetnik e shumkulturor në vendin tonë, nuk lejon kurrfarë arbitrariteti gjuhësor. Përkundrazi, gjuha e një kombi është vet historia dhe tradita e tij dhe çdo mohim i saj është mohim i ekzistencës së atij kombi.

Filed Under: ESSE

Rinia dhe libri: Kush do ta shkruajë Shqipërinë e nesërme?

February 20, 2025 by s p

Dr. Afrim Shabani/

Sa herë shkoj në libraritë dhe bibliotekat e Tiranës, Prishtinës, Shkupit, dhe Tetovës më përzihet një ndjenjë krenarie me një shqetësim të heshtur. Sallat janë plot. Të rinj që lexojnë, studiojnë, mbushin tavolinat me libra dhe fletore. Një pamje që do ta gëzonte këdo. Por pastaj vështroj raftet, vendet ku vendosen librat më të lexuar, ata që janë të parët që bien në dorë. Janë gjithmonë të njëjtët emra të huaj, të njëjtat histori të botës që pushton mendjen e rinisë shqiptare. Ku janë autorët shqiptarë? Ata janë atje, por shpesh diku më tutje, në një qoshe që duhet kërkuar. E kërkimi ndonjëherë është një përpjekje që pak vetë e bëjnë.

Në diasporë, situata është edhe më e rëndë. Shqiptarët janë të lumtur kur fëmijët e tyre arrijnë të flasin disa fjalë shqip në një vend të huaj. Kjo është arritje, por është gjithashtu një iluzion. Nuk mjafton të flasësh shqip në shtëpi. Një gjuhë nuk është gjallë vetëm kur flitet, por kur lexohet, kur përpunohet, kur bëhet pjesë e mendimit të një kombi. Çfarë do të ndodhë pas një brezi? Kur këta fëmijë që mezi flasin shqip, rriten dhe bëhen prindër? Çfarë do t’u mësojnë fëmijëve të tyre? Nëse nuk lexojnë shqip sot, nesër nuk do ta flasin më fare.

Dhe çfarë lexon rinia shqiptare sot? Ata njohin filozofinë e Nitzsche-s, por sa prej tyre kanë lexuar Pjetër Bogdanin, që i pari shkroi një traktat teologjik e filozofik në shqip? Ata njohin Homerin, por sa dinë për Gjon Buzukun, që në mesjetë, në errësirën e Perandorisë Osmane, hodhi fjalën e parë të shkruar në shqip? Ata lexojnë për histori të largëta, por a kanë dëgjuar për Marin Barletin, i cili shkroi historinë madhështore të Skënderbeut dhe bëri që Europa të lexonte për shqiptarët? Po për Frang Bardhin, që me një fjalor të vogël mbrojti identitetin shqiptar përballë shkrimeve sllave? Po për Pjetër Budin, që në shekullin XVII shkroi në shqip për të mbajtur të gjallë një komb të harruar?

E pastaj vijmë te letërsia e Rilindjes. A e di rinia shqiptare kush është Naim Frashëri, jo si emër shkolle, por si poet i shpirtit shqiptar? A e njohin Çajupin, që me vargjet e tij thërriste për një Shqipëri që ende nuk ekzistonte? Po Ndre Mjedën, që me një poezi të vetme, “Andrra e Jetës”, mund të zgjojë një komb të tërë nga përgjumja?

E vijmë më afër. Gjergj Fishta, që është më shumë se poet, është themeli mbi të cilin mund të ndërtohet vetëdija shqiptare. Fan Noli, që jo vetëm shkroi, por edhe veproi, për të sjellë jo vetëm fjalën, por dhe politikën, dhe muzikën, dhe qytetërimin. Ernest Koliqi, që kuptoi se pa gjuhën dhe pa letërsinë, Shqipëria mbetet një emër bosh. Martin Camaj, që e mbajti gjallë fjalën shqipe në mërgim, kur Shqipëria vetë nuk donte të dëgjonte për të.

Nëse një popull lexon letërsinë e tij, ai mbetet një popull. Nëse rinia shqiptare vazhdon të jetojë mes librave të huaj dhe të njohë historitë e të tjerëve, por jo të veten, ajo rini nuk do të dijë më kush është. Një komb që nuk lexon veten, është një komb që nesër do të flasë për veten si një kujtim të largët.

Zgjidhja: Rrënjët duhen ujitur.

Çfarë mund të bëjmë? E para, shkollat në Shqipëri dhe shteti Dardan, e po kështu shkollat në Iliridë duhet të rikthejnë fuqishëm leximin e letërsisë shqiptare. Jo thjesht si detyrë, por si kënaqësi. Nuk mund të lëmë që rinia të njohë vetëm atë që vjen nga jashtë dhe të harrojë atë që është brenda vetes së saj.

E dyta, biblioteka dhe libraritë duhet të vendosin autorët shqiptarë në qendër, jo në qoshe. Kur një i ri hyn në një librari, librat e Fishtë, Nolit, Camajt, Koliqit, duhet të jenë të parët që bien në sy.

E treta, diaspora duhet të bëjë më shumë se të ruajë gjuhën e folur. Fëmijët e mërgimtarëve duhet të lexojnë libra në shqip. Nuk mjafton të dinë ta thonë fjalën “shqiptar”. Ata duhet të dinë edhe çfarë do të thotë të jesh shqiptar. Dhe këtë nuk e mësojnë nga televizori, por nga libri.

Dhe mbi të gjitha, vetë shqiptarët duhet ta kërkojnë këtë letërsi, ta duan atë, ta lexojnë jo si një detyrë, por si një nevojë për të mos humbur. Sepse një komb që e lë mënjanë letërsinë e tij, është një komb që ka filluar të shkruhet nga të tjerët.

E ne nuk mund të lejojmë që Shqipëria të shkruhet nga të tjerët. Duhet ta shkruajmë vetë, fjalë pas fjale, brez pas brezi.

Filed Under: ESSE

VËREJTJE MBI SHKATËRRIMIN E MUZIKËS SHQIPTARE

February 18, 2025 by s p

Nga Ramazan Çeka/

Në krijimtarinë time poetike me tendencë tekstet e këngëve, gjithmonë jam munduar të shpalos anën pozitive për këngëtarët dhe kompozitorët e nderuar. Të kujdesesh për ndjeshmërinë dhe respektin është shumë e rëndësishme, veçanërisht kur ke të bësh me një temë kaq delikate.

Është hera e parë që trajtoj një temë si vërejtje dhe është e natyrshme të jesh i kujdesshëm dhe i ndjeshëm, pasi flet për një fenomen shumë të rëndësishëm, i cili ka ndikuar në shumë krijues dhe muzikantë. Po përpiqem për të strukturuar mendimet dhe të formuloj një mesazh të qartë dhe të respektueshëm për ata që janë të përkushtuar ndaj artit, por gjithashtu të ngrisim shqetësimin për ata që dëmtojnë vlerat e muzikës shqiptare.

Në një kohë kur arti i vërtetë muzikor kërkon përkujdesje dhe përkushtim, ne jemi dëshmitarë të një fenomeni shqetësues që po dëmton rëndë vlerat e muzikës shqiptare. Përdorimi i termit “tregu muzikor” ka bërë që muzika, që dikur ishte një shprehje e shpirtit, të kthehet në një produkt që mund të blihet dhe shitet. Por, as zemra e askushit dhe as shpirti i artit nuk mund të shiten, dhe kjo është arsyeja pse muzika nuk mund të quhet “treg” – sepse muzika është më shumë se një transaksion; ajo është një mesazh i shpirtit.

Sot, ndërsa muzika e vërtetë po kërkon kujdes dhe vlerësim, duket se një pjesë e madhe e saj po bie viktimë e një prodhimi mediokër dhe komercial.

Kjo gjendje ka një burim të qartë: tingujt e zakonshëm dhe të rëndomtë, tekstet vulgare dhe meloditë pa shpirt.

Prodhimi mediokër i muzikës, mungesa e ideve artistike, banalizimi i gjuhës së teksteve me vargje pa kuptim dhe varfërimi i cilësisë muzikore pa emocion dhe pa respekt për artin, është një pasqyrë e qartë e degradimit kulturor që po përjetojmë.

Ndërsa muzika që ka pasur vlerë dhe shpirt, ajo që dikur nderohej dhe respektohej, jo vetëm po anashkalohet me një shpejtësi alarmante, por po lëngon në hije. Kjo është një shenjë e qartë e një kalimi në një fazë të degradimit kulturor që nuk mund të injorohet.

Në këtë mes, dikush mund të pyesë: Si kemi arritur deri këtu? Shumë nga këngëtarët e rinj që shpallen si ikona të muzikës, mburren me numra të mëdhenj ndjekësish në rrjetet sociale, por shumë herë dështojnë të imponojnë një performancë të denjë në skenë.

Mungesa e profesionalizmit dhe e njohurive të thella mbi artin e muzikës ka bërë që muzika jonë të shndërrohet në një “produkt” që ndjek vetëm interesat e shpejta dhe fitimin e menjëhershëm, duke injoruar mjeshtërinë dhe vlerat e thella artistike që dikur përbënin identitetin e muzikës shqiptare.

Për fat të keq, institucionet artistike që duhet të jenë në ballë të mbrojtjes së artit, qëndrojnë indiferente. Një katastrofë muzikore e etur për fitim të shpejtë ka prishur shijet e njerëzve, duke promovuar banalitetin si model referimi dhe duke refuzuar mjeshtërinë e vërtetë muzikore.

Në këtë situatë të rrezikshme për të ardhmen e muzikës shqiptare, ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur. Muzikantët e vërtetë është e domosdoshme që të kundërshtojnë këtë barbarizëm të shijeve.

Ata duhet të ngrihen dhe të luftojnë për mbrojtjen e vlerave që kanë kontribuar në trashëgiminë tonë, duhet të bëhen zëri i së vërtetës. Ne si shoqëri duhet të themi “mjaft!” dhe të mbrojmë artin nga analfabetizmi muzikor që po e dëmton.

Ne kemi qenë dëshmitarë të krijimeve të jashtëzakonshme nga kompozitorë dhe artistë të nderuar, të cilët me mjeshtri dhe përkushtim kanë udhëhequr muzikën tonë përpara. Është koha që të riaktivizojmë vlerat e asaj muzike dhe t’i kthejmë seriozitetin dhe respektin që meriton. Le të mos mbetemi indiferentë përballë kësaj rrjedhe destruktive, por të ngrihemi dhe të mbrojmë muzikën nga mediokriteti që po e shkatërron.

Kjo është një thirrje për të gjithë ata që vërtet duan të shërbejnë për artin e vërtetë, të qëndrojnë të fortë dhe të kontribuojnë në ruajtjen e identitetit tonë muzikor, duke respektuar dhe promovuar mjeshtërinë që e ka ndihmuar këtë art të lulëzojë për shumë vite.

Le të mos mbetemi apatikë përballë kësaj rryme destruktive. Është detyrë e jona të ruajmë dhe të kultivojmë muzikën me profesionalizëm, duke i dhënë vlerën e duhur mjeshtërve të vërtetë dhe duke luftuar mediokritetin që po e gërryen thelbin e artit tonë.

U përpoqa të ruaj një ton të kujdesshëm dhe të respektueshëm ndaj atyre që janë ende të përkushtuar ndaj artit, ndërkohë që theksoj nevojën për të luftuar kundër trendëve të shkatërrimit të cilësisë muzikore.

Michigan, Shkurt 2025

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT