• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SKANER DIAGNOSTIKUES I SIGURIMIT TË SHTETIT KOMUNIST

February 3, 2025 by s p

Kosta Nake/

Objekti i veprës plot ngjarje me peshë historike e filozofike në 731 faqe, toni tërësisht i ndryshëm nga librat që kam lexuar, mjetet dhe teknikat e zgjedhura për sjelljen e karaktereve të sigurimsave dhe bëmave të tyre, përbëjnë një doktrinë për të ndryshuar disa kalke historike dhe botëkuptimore të cilat këto vite tranzicioni vetëm sa janë këqyrur nga jashtë qelqnajës së trashë mbrojtëse dhe shumë pak janë prekur.

Përbuzja

Ndoshta është e para vepër letrare ku shoqëria shqiptare e viteve të diktaturës komuniste dhe organizimi shtetëror i është nënshtruar një përzgjedhjeje të vëmendshme se si propoganda e atëhershme i shikonte klasat e përmbysura dhe forcat politike kundërshtare: “Ata kishin me vete policinë, pushtetin, simpatinë e shoqërisë dhe, sigurisht, halabakët… Na e nginjën trurin e njomë me parrulla, me idole, me gatishmëri, me shkencë e skolastikë, me materializëm dhe domosdoshmëri historike, me shkak-pasojë dhe besim në Njeriun e Ri… Tani në kokat tona ka vetëm shkretëtirë të paskjatë, xhungël mbijetese… Në mur varej një portret i udhëheqësit buzëtrashë.” Për ushtarakët përdoren karakterizimet qafëgic, qafëderri, fytyrëbytha, thatan, turiqena, zemërbisha, lukuni qensh të unshëm, si gostia e një zogorie qensh mbi pirg kockash.

Autori atakon drejtpërdrejt partinë që kishte marrë përsipër të luante rolin udhëheqës në gjithë jetën e vendit: “Partia është një sekt satanist, si çdo religjion e di për mrekulli se ç’është në gjendje të bëjë miti tmerronjës e lebetitës i frikës dhe demonizmit… Jo mirësia, jo ndriçimi, jo dashuria e përvujtnia, por ankthi, mizoria, ndëshkimi i përgjakur e absurd i nënshtron turmat… Njerëzit duan të jetojnë, frika e ankthi i rraskapit, i sfilit… Çmenduria dhe egërsia vjen një çast dhe të lodhin.”

Gjithë kjo ngarkesë negative shkarkohet mbi dy qëndrestarë: Martin Gega si mbrojtës i kauzës antikomuniste, Ljuba Borisovna si mbrojtëse e dashurisë së vërtetë.

Kompozicioni

Rrëfimit të autorit i bashkohen edhe rrëfimet e karaktereve duke shkrirë kufirin midis vetës së tretë me vetën e parë njëjës. Kompozicioni i përngjan një prizmi ku e njëjta ndodhi dhe i njëjti karakter shikohen dhe rishikohen nga sy dhe kënde të ndryshëm shikimi. Ai bëhet edhe objekt diskutimi në vepër: “Çështja e kompozicionit është tortura më e madhe për një shkrimtar dhe jo procesi i shkrimit… Kompozicioni është në thelb loja me kohën, sepse suksesi i një arkitekti të mirë është organizimi harmonik i hapësirës dhe triumfi mbi kohën: ja se çfarë e mban një rrëfim dhe çfarë i jep dramacitet fatit të protagonistëve në një histori.”

Romani hapet me prologun që i ngjan një amaneti për të rrëfyer një tragjedi që nuk është thjesht fati i një familje, por pikënisje për ta ndarë me dhimbjen e të tjerëve. Kaq mjafton që autori të sjellë në përmasa të ndryshme pesë modele të grave ruse që e lidhën fatin e tyre me atë të burrave shqiptarë: Zinaida që bashkëpunon me pushtetin komunist dhe ruan pozitën e lartë në fushën e artit dramatik, Ljuba që përballet me dinjitet me përndjekjen nga Sigurimi i Shtetit, Olja që e largojnë djallëzisht nga Shqipëria, Elena që qëndron larg rrymave të rrezikshme të ekspozimit politik, Ljudmilla që bëhet viktimë e burgut në Qytetin Stalin.

Pjesa e parë e romanit “Ofelia s’del në skenë” fillon me Ljubën që qëndron para pasqyrës: “gjinjtë e kërcyer, të fryrë e të fortë, qafa alabstër me vena të kaltra, supet të rrumbullta, e shkëlqare.” Bukuria fizike e saj do të jetë edhe karrem vuajtjeje sepse nga njëra anë do të lakmohet marrëzisht nga Viktori që është mik dhe armik i burrit të saj dhe nga ana tjetër do të tentohet të depersonalizohet nga punonjësit e sigurimit. Duke e vendosur Ljuba Borisovnën në qendër të veprës, autori hap dy shtigje për linjat e subjektit: Të zbulojë fantazmat dhe përbindshat që bashkëjetojnë me njeriun, i nxjerrin kthetrat dhe përgjakin shpirtrat edhe në rrethet e ngushta familjare dhe shoqërore siç ilustrohet me rrëfimin e Zinaidës për motrën e saj Ira dhe burrin e saj Misha, po ashtu marrëdhëniet e Ljubës me Lev Kashkinin, Viktor Sallakun dhe Martin Gegën. Kjo i shërben autorit si indicje për ta shtruar marrëdhënien seksuale në një rrafsh filozofik si raport mes vullnetit dhe dhunës, pranimit me dëshirë dhe detyrimit.

Martin Gega, i diplomuar si inxhinier gjeolog në Bashkimin Sovjetik, nuk pranon të ndahet nga bashkëshortja ruse dhe kaq mjafton që Sigurimi i Shtetit të gjejë pretekste ose të sigurojë dëshmitarë ta burgosë dhe ta vrasë pa gjyq për veprimtari armiqësore. Kur Ljubës i ofrohet roli i Ofelisë nga tragjedia “Hamlet”, Martini ka katër muaj që ndodhet në burg. Regjisorja Zinaida Mihajllovna e këshillon që të dalë nga pozicioni i vështirë duke filluar me joshjen seksuale dhe kurvërimin selektiv. Pikërisht këtu fillon heqja e tabusë për foljen e aktit seksual, përdorimi pa pika, pa asteriks, madje duke u ndalur në trajtën veprore dhe vetevetore, duke e kthyer në një nga veçoritë e punës së Sigurimit të Shtetit për depersonalizimin e njerëzve. Kjo bën që ky libër duhet lexuar vetëm dhe jo me zë për ta dëgjuar të tjerët. Atmosfera e nderë që përfton veprimtaria subversive e Sigurimit të Shtetit ka antipodin zbutës erotik që kalon paralelisht fund e krye veprës.

Një roman brenda romanit

Qëkur ishte student në Moskë, Martini kishte shkruar një roman dhe dorëshkrimi i tij kishte arritur edhe te duart e poetit Samuil Ismari. Ishte një sprovë e hedhjes në letër të jetës së vet të rinisë. I ati e pati dërguar Martinin 15-vjeçar të çonte me kalë trasta me ushqime në majë të Çoparit, te Logjet e Zanave ku ishte çeta antikomuniste e Jup Ndreut. Atje ra në pritë dhe ndodhi një masakër. “Kjo që po na bajnë komunistat s’ka mal që e mban mbi kurriz…. Nuk po lëmë me na bo zap do morra të partishëm. Ky pushtet mbushë me xhahila dhe këlyshë të anmikut shekulluer.”

Pasqyrimi i asaj masakre dhe pakënaqësia që s’mund të fshihej, e bënte atë roman jo vetëm në një krijim të pabotueshëm, por edhe të rrezikshëm për fatin e vetë autorit. Shoku i tij student, Viktor Sallaku, ka një parahistori antagonizmi me Martinin që te prindërit: I ati i Viktorit është shpallur dëshmor edhe pse “është vrarë duke vjedhur bostan”, kurse i ati i Martinit është pushkatuar pa gjyq dhe është klasifikuar si reaksionar. Ljuba u lidh së pari me Viktorin, pastaj iu dorëzua Martinit duke filluar një rivalitet dashuror që vjen duke u rritur, edhe pse Viktori krijoi një lidhje tjetër me Olja Pisarjevën. Këtyre dy shkaqeve u shtohet edhe termi “malok” që Viktori e përdor për Martinin duke përftuar racizëm brendashqiptar dhe patologji të urrejtjes. Kaq mjafton që Viktori ta bëjë Martinin pre të Sigurimit të Shtetit duke i zbuluar Nesho Dragoit se ai ka shkruar një roman të dyshimtë. Si rezultat Neshua i thotë Viktorit: “Martini ka karakter dhe bindje antipushtet. Ai nuk është njeriu ynë.”

Tragjedia “Hamlet” në një vështrim të ri

Rishikimi i trashëgimisë letrare botërore siç ndodh në këtë vepër me tragjedinë ‘Hamlet’, përbën një veçori të kësaj vepre që e ndeshim gjerësisht dhe mjeshtërisht në Veprën e Ismail Kadaresë. Sipas autorit, Klaudit nuk i duhej mbretëria e të vëllait, po mbretëresha Gertrudë, jo froni por shtrati. Nga ana tjetër edhe Gertruda mund të jetë joshur fillimisht nga Klaudi, pastaj ka zgjedhur fronin. Mos mbreti ishte i paaftë në shtrat? Pse u zgjodh helmi në vesh? Kujtohet paralelizmi me Egjistin e Klitemnestrën te Sofokliu, Paolon dhe Françeskën te “Komedia” e Dantes. Duket qartë se autori jo vetëm se e ka rilexuar tragjedinë e shqipëruar nga Noli, por ka parë edhe variantin rus të Pasternakut. Një detaj ilustrues: Noli përkthen “qyqe” kurse Pasternaku “kukuvajkë.” Qyqja dhe kukuvajka bashkohen te vetmia, por qyqja këndon ditën dhe kukuvajka natën. Noli e quan Ofelinë “zonjë”, kur ajo është “zonjushë”, kurse Pastërnaku e quan “ëmbëloshe.” Së fundi, autori ka vënë re se fjalët “mos të të rrejë mendja dhe dije mirë” nuk janë fare te përkthimi i Nolit.

Shkrimtari Samuil Ismari

Pjesa e fundit e romanit “Ç’lajme na sjell, Hermes?” i kushtohet shkrimtarit Samuil Ismari, por ai shfaqet gjatë gjithë romanit, duke filluar që në pjesën e parë. Ka ndonjë detaj që na bën ta lidhim me një shkrimtar real, që ishte ende gjallë deri pak muaj më parë: “Samuil Ismarit iu zmadhuan bebet e syve poshtë qelqeve të syzave optike.” Kur shkrimtari rrëmbehet nga policia, shtrohet pyetja: “Kush do t’i dilte krah? Prindërit atje, në qytetin e Jugut.”

Duket qartë në vepër se autori është rreshtuar në anën e adhuruesve të këtij shkrimtari. Kur Martini e pati takuar Samuilin në Moskë, i patën thënë se “është ylli në ngjitje i letërsisë së re shqipe,” kurse Martini i thotë Ljubës se “është një fenomen i letërsisë më të re.” Shumë besojnë se Ismari është i shenjuar me talent, andaj një palë mundohen t’ia hanë kokën dhe një palë tjetër ta mbrojnë. Madhështinë ia njohin edhe ata që nuk e duan ose janë dyshues: “Një qiellor me flatra, dhelpër e rafinuar… S’e dija që qenka karagjoz kaq i madh ky Samuil Ismari… Ai është një pusht karizmatik, sa çdo femër e bukur do të ëndërronte një histori dashurie me të, në mos më shumë, një flirt… Samuili është i talentuar… më i talentuari, por ama edhe me prirjet më të rrezikshme.”

Shkrimtari Tufa nuk është kufizuar vetëm me vlerësimet, por është i pari që e fton për të qenë pjesë e subjektit të veprës. Përpjekjet e Sigurimit të Shtetit për të shtënë në dorë romanin e birit të reaksionarit, arrijnë deri te marrja forcërisht e shkrimtarit Ismari nga policia dhe agjentët e sigurimit. Edhe pse shkrimtari Samuil përballet me dinjitet me represionin, autori gjen rast të bëjë edhe deklarimin e vet: “Nuk ka asgjë heroike në përballimin e torturave dhe nuk mund t’ia kërkosh askujt një heroizëm të tillë.” Ka dhe një shpjegim për titullin e kësaj pjese: “Hermes është hyu që zbret në ballkonin e Samuilit dhe sjell “kumtet e qiejve.”

Shkrimtari Tufa e shfrytëzon këtë pjesë të fundit për të na çuar të shohim një galeri figurash nga Lidhja e Shkrimtarëve, disa prej të cilëve janë lehtësisht të identifikueshëm: Poeti hundëfajkua Dritan Agalliu – një yll fushor në ngjitje në qiellin e poezisë së angazhuar shqipe, me namin e Ezopit, që ia thotë për dolli. Kryetari i lidhjes, shoku Shute. Dafina Luçi – anëtare e detashmentit “Engjëjt e hekurt”, e re, tunduese, alturiste, gjithë sharm, stil dhe dell aventuresk. Nasihat Toçaj – prozator me subjekte sigurimsash, ambicioz i madh, servil, mediokër.

Historia

Agron Tufa është i pari autor që në rrafshin artistik bën një postluftë fyt për fyt e dhëmb për dhëmb me sistemin e diktaturës komuniste duke u ndalur në pikat më të zeza të atij sistemi. Ai guxon të heqë nga lista e temave tabu edhe çështje shumë të ndjeshme që lidhen me historinë e re të Shqipërisë, duke filluar nga lufta çlirimtare kur deklaron: “Historia do të vazhdojë të mbetet një bijë bastarde e kohës, përderisa atë do të vazhdojnë ta shkruajnë fitimtarët, sepse pergamena ku e shkruajnë do të jetë po e njëjta: lëkura e të mundurve.” Në gojën e Martinit ai vë akuzën: “Pushteti ynë politik ka ardhur në qeverisje duke kryer krime gjatë dhe pas luftës.” Gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri u shfaqën dy palë me qasje të ndryshme ndaj pushtuesit, por të dyja palët kanë dhënë jetën për qëllimin më të epërm në emër të atdhedashurisë. Pse disa quhen “dëshmorë” dhe të tjerët “tradhëtarë”? Pse disave u ngrihen lapidarë e të tjerëve nuk u gjendet eshtrat?

Shtatzania e Ljubës

Shtatzania e Ljubës pasi Martini është asgjësuar dhe pa kontakt me ndonjë mashkull tjetër, i ka dhënë titullin krejt romanit. A kishte aftësi koitale dorëshkrimi i Martinit që gëlltiti për të sjellë ngjizjen e papërlyeme? A është një mrekulli? “Asnjëra prej fjalëve nuk e shpreh gjendjen e saktë të një gruaje, së cilës ia kanë thithur me shiringë shpresën deri në pikën e fundit.” Autori ka krijuar një linjë speciale subjekti për këtë rrjedhë të pazakontë të fatit të saj tragjik. Si gjithçka tjetër në mjedisin shqiptar, dukuria bëhet pronë e thashethemnajës, ai kapërcen cakun e shqetësimit familjar, hyn te rrethi shoqëror, madje autori thërret në skenë mjekun Zef Sheldia si zëdhënës shkencor i kësaj ngjizjeje të papërlyeme, na fut në hullitë e shkencës dhe alkimisë dhe në labirinthet e partenogjenezës dhe telegonisë, e vendos nën lupën e orgazmës dhe regjistrimit të materialit trashëgimor.

(Romani “Ngjizja e papërlyeme” i Agron Tufës, Roman, Onufri 2021)

Filed Under: ESSE

Kritika letrare

January 31, 2025 by s p

Agim Baçi/

Çfarë ndodh me kritikën letrare, kritikën e kritikës dhe të kritikuarit? Për mua, të shkruaj artikuj rreth përshtypjeve të mia për romane apo libra me poezi e tregime, është gjithmonë kënaqësi, më shumë se sa profesion, edhe pse masteri dhe doktorimi im është në fushën e “kritikës letrare”. Ndoshta çështja e të paturit apo mungesës së kritikës, nevojës apo shpërfilljes së kritikës, duhej të ishte prej kohësh një debat i rëndësishëm mes katedrave të letërsisë, shoqatës së botuesve dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, pasi letërsia nuk është një zbavitje, kalim i këndshëm i kohës, por dhe një takim i rëndësishëm me gjuhën, që në rastin tonë është element shumë i rëndësishëm në mbijetesën kulturore, pasi nëse helmohet gjuha, na helmohen edhe mendimet, edhe komunikimi.

Shumë autorë, herë me të drejtë e herë jo, fajësojnë mungesën e kritikës për atë që po ndodh, me indiferentizmin ekstrem ndaj letërisë dhe letrarëve.

Në fakt, njoh shumë nga ata që ankohen për mungesë kritike, por që, njëkohësisht, janë të parët që mund të të sulen nëse i kritikon publikisht për fabulën apo për stilin. Siç ka edhe autorë që kërkojnë të vërtetën për krijimet e tyre letrare, duke pritur qetësisht heshtën e fjalëve kritike.

Unë për fat, të mirë a të keq nuk mund ta them, e kam njohur kritikën që është lëvruar në fund të viteve ’80, e më pas, edhe pas vitit 1990. Them kritikë, e jo studime shkencore, pasi në universitete është lëvruar në këto vite studimi shkencor i veprave të mjaft autorëve, por te lexuesi nuk ka patur ndonjë efekt, ose, ka patur efekt të papërfillshëm.

Më vjen keq të them se, nëse para vitit 1990 koncepti i kritikës u përdhunua nga ideologjia komuniste, që orientonte leximin sipas partishmërisë, pas vitit 1990 më shumë pati një striptizë të kritikës, nën ritmin e muzikës funebre të shkollës komuniste, që nuk u fut kurrë në hullinë e një debati të vlerave të vërteta estetike-ideore. Kritika e shfaqur në shtyp apo TV, më së shumti ishte prezantim libri se sa kritikë. Ose edhe më keq, ka patur qoka-kritika, që më shumë dëmtojnë autorin, i cili nis të besojë se Balzaku, Dostojevski, Tomas Mani, Kundera, Floberi, Kafka, Xhojsi, Çehovi, Buxati, e shumë të tjerë, mund të flenë të qetë se pasardhësi i tyre tashmë ka mbërritur pikërisht në Shqipëri.

Por kjo nuk do të thotë se kritika nuk duhet. Personalisht, besoj se një autori më shumë dëm i sjell heshtja për të, siç i sjell dëm edhe lëvdimi i gënjeshtërt.

Shkolla e sotme shqiptare ka pak shanse të përgatisë kritikë, por të paktën kemi nisur me një nivel më fin të lexuesve, që janë hapi i parë drejt kritikës. Unë kam biseduar gjithë këto vite me të rinj, studentë e nxënës, të cilët janë lexues me bindjet e tyre, që kanë aftësitë edhe të jenë në të ardhmen sugjerues të mirë të leximit, e më pas edhe kritik.

Dhe unë besoj se shkolla e sotme duhet të përgatisë më së pari lexues, nga të cilët më pas mund të dalin dhe kritikët që mund të ftojnë lexuesin të ndjehet pjesë e udhëtimit me atë çfarë na sjellin autorë të ndryshëm.

Universitetet, QKLL, Shoqata e Botuesve dhe vetë botuesit, duhet të jenë nxitësit për një debat sa më të hapur për letërsinë e sotme shqipe, e cila ka qenë në këto vite e dënuar dy herë- me lexues të kufizuar, për shkak se lexuesit shqip kaq janë, dhe me mungesë debati rreth vlerave të tyre.

Ndaj çdo “kritikë” për mungesën e kritikës duhet parë me dashamirësi, pasi letërsia ka nevojë të debatohet, sepse shumëkush që është i interesuar për letërsinë ka nevojë të dijë se për kë dhe përse flitet.

Filed Under: ESSE

Mirënjohja, si ndjesi e virtyt moral në etikën e reciprocitetit!

January 30, 2025 by s p

Irena Dragoti/

Ta tregosh mirënjohjen, duhet të dish më parë ç’ është ajo! Mirënjohja, “borxhi “që mbetet pa shlyer plotësisht prej mungesës së kontureve, detyra që nuk delegohet pasi askush nuk e shlyen dot si ti e sa ti, është pengu i përmbushjes së plotë! Mirënjohja si një nga virtytet universale të njerëzimit, lind e ushqehet sa fitojmë ndërgjegjen me atë përkundrejt Zotit , përkundrejt dashurisë prindërore, përkundrejt natyrës , familjes, mësuesve, miqve, kolegëve, heronjve etj etj. Sot do të ndalesha tek ajo ndaj lexuesit tim! Çdo kah mirënjohje ka formën e vet të shpërfaqjes. Nëse kundrejt njeriut nis me fjalën, kundrejt natyrës duhet vepra, kundrejt Zotit lutjet , kundrejt lexuesit mbetet letërsia dinjitoze! Mirënjohja nuk është varësi por reciprocitet, nuk kërkohet, por duhet dhënë! Evolojnë me vitet veç format e përshfaqjes por virtyti mbetet unik në çdo epokë nëse dëshiron ta veshësh. Në pozitat e një vargshkrueseje pyes veten: -A jam mjaftueshëm mirënjohëse kundrejt lexuesit tim, për kohën e leximit? Ai që më mbështet mua në këtë udhë, ai që më lexon, nuk meriton fletërrrufe poetike, mllef poetik, nuk meriton të ngushtohet banalitetin e zënkave personale, pra në narcizmin tim! A ia kam dalë të mos krijoj të tilla? Lexuesi nuk është kosh për të hedhur pakënaqësitë personale!

-Po si ka udhëtuar mirënjohja nga antikiteti deri ne ditët tona?- pyes veten!

Cilat janë përpjekjet apo faktet që e kanë himnizuar atë si virtytin e lumturisë?

Historia përveçse kujtesë është etalon , përvojë, e udhë drejt së ardhmes. Në mendimin grek dhe romak, mirënjohja shihej si një virtyt thelbësor për harmoninë shoqërore dhe vetë-përmbushjen. Aristoteli, në “Etikën Nikomakiane”, e përfshinte mirënjohjen si pjesë të drejtësisë dhe e shihte atë si një obligim ndaj të mirave që marrim nga të tjerët. Nga ana tjetër, Stoikët, si Epikteti dhe Seneka, theksonin se mirënjohja është një akt i brendshëm që na çliron nga ankthi dhe na lidh me rendin natyror. Për Senekën, mirënjohja nuk duhej të ishte një detyrim i jashtëm, por një shprehje e sinqertë e shpirtit për të njohur dhuratat e jetës. Mirënjohja është ndërtuese e marrëdhënieve njerëzore, thotë filozofi modern Immanuel Kant, duke vendos mirënjohjen në kategorinë e detyrimeve morale, duke e parë atë si një akt që nderon bashkëudhëtarët e tu. Për Kantin, kur jemi mirënjohës, ne pranojmë se jemi pjesë e një komuniteti moral ku askush nuk është i vetë-mjaftueshëm.

Ndërkohë, David Hume, në qasjen e tij empiriste, e lidh mirënjohjen me emocionet dhe shprehet se ajo është një përgjigje e natyrshme ndaj akteve të dhembshurisë dhe bujarisë. Përmes mirënjohjes, njerëzit forcojnë ndjenjën e përkatësisë dhe krijojnë ura lidhëse që i mbajnë shoqëritë të bashkuara. Filozofia ekzistencialiste e shekullit XX ka ndihmuar në thellimin e konceptit të mirënjohjes si një përgjigje ndaj dhuratës së ekzistencës. Albert Camus, në meditimet e tij për absurditetin, na fton të shohim mirënjohjen si një akt rebelimi ndaj indiferencës së universit dhe një pohim i vlerës së përvojave tona. Mirënjohja është mësim për shoqërinë moderne e cila duke i dhënë përparësi ambicieve dhe kërkesave materiale në një botë të dominuar nga shpejtësia dhe konkurrenca, harron të ndalet dhe të vlerësoj gjërat e thjeshta. Sipas filozofit bashkëkohor Alain de Botton, mirënjohja është një akt i vetëdijshëm që na ndihmon të përballojmë ndjenjat e zbrazëtisë dhe tjetërsimit, duke na lidhur me nj-tj. Në vitin 1886, Franca i dhuroi Shteteve të Bashkuara, Statujën e Lirisë, si shenjë miqësie dhe mirënjohjeje për mbështetjen e SHBA gjatë Revolucionit Francez.

Holanda dhuron çdo vit tulipanë, Kanadasë si shenjë mirënjohje për ndihmesën gjatë luftës së dytë botërore. Që nga viti 1947, Norvegjia i dhuron Londrës, një pemë të madhe Krishtlindjeje si shenjë mirënjohjeje për mbështetjen britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pema vendoset në Sheshin Trafalgar. Mahatma Gandi tregoi mirënjohje për popullin e tij përmes filozofisë së mosdhunës, duke frymëzuar miliona njerëz të luftojnë për liri dhe të drejta pa përdorur dhunë, një trashëgimi që vazhdon të frymëzojë botën. Pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA nisi Marshall Plan për të ndihmuar rindërtimin e vendeve të shkatërruara në Europë, duke treguar mirënjohje për aleancën dhe për të kontribuar në stabilitetin global. Mirënjohja nuk ka tagër fuqie, moshe, përmase , pozite shoqërore apo kohe ndaj ajo manifestohet në forma të ndryshme si një gjest simbolik, ndihmë konkrete apo trashëgimi e përhershme mes njerëzve, institucioneve apo kohës, Zotit apo natyrës! Unë mbetem e mendimit se mirënjohja është tipar i lindur, mënyrë të menduari e jetuari në një botë ku shpesh përqendrohemi tek ato që na mungojnë, pa çmuar ato që kemi. Të jesh mirënjohës do të thotë të kuptosh se jeta nuk është thjesht një rrjedhë rastësish, por një dhuratë e këmbim. Mirënjohja nuk është përulje por ndërgjegjësim e krenari. Një aspekt i rëndësishëm i mirënjohjes është aftësia për ta shprehur me fuqinë për ta ndarë lumturinë barabar mes atij që e jep e atij që e merr. Mirënjohja mbetet gjithmonë një ndalesë e nevojshme që na rikthen te thelbi i ekzistencës!. Është akt e zgjedhje e ndërgjegjshëshme, forcë transformuese që perfeksionohet duke e praktikuar. Kur e ushtrojmë rregullisht mirënjohjen, ajo kthehet në një mënyrë të të jetuarit ose “ ves” i vlerë. Kushdo që ka lexuar “Les Misérables” – Victor Hugo është mbresuar nga Jean Valjean, ku një ish-i burgosur, falet dhe ndihmohet nga peshkopi Myriel, pra shpëtohet nga dënimi për vjedhje, por njëherazi i jep atij argjendin e shtëpisë së tij, si një mënyrë për të nisur jetë të re. Akti i mëshirës së peshkopit ndryshon jetën e Jean Valjean-it dhe është një shembull i fuqishëm i transformimit njerëzor përmes mirënjohjes. Në librin”The Alchemist” – Paulo Coelho, gjatë udhëtimit për të gjetur thesarin, Santiago mëson rëndësinë e të qenit mirënjohës për çdo pengesë dhe përvojë, pasi ato e ndihmojnë të rritet dhe të kuptojë vlerën e vërtetë të ëndrrave të tij. “A Christmas Carol” – Charles Dicken, Familja Cratchit, pavarësisht varfërisë së tyre, shprehin mirënjohje për njëri-tjetrin dhe për jetën, duke treguar se mirënjohja nuk është e lidhur me pasurinë materiale, por me dashurinë dhe ndihmën që marrin. “Mirënjohja nuk është vetëm virtyti më i madh, por edhe prindi i të gjithë virtyteve të tjera.” – thotë Cicero “Mirënjohja shndërron atë që kemi në mjaftueshmëri dhe më shumë. Ajo kthen mohimet në pranime, kaosin në rend, dhe konfuzionin në qartësi.” – ngulmon Melody Beattie.

Sa bukur kur zbulon se mirënjohja përmbush të parin atë që e jep atë dhe normalisht një njeri i përmbushur bën veç vepra të vlera. Mirënjohja bën atë që nuk do ta bënte dot asnjë lloj pushteti ligji apo rendi pasi ai veprim, ndjesi a virtyt nuk kufizohet te një individ i vetëm kur e dhuron .Virtytet tona apo të mirat që përftojmë duke filluar nga koha e njerëzve e deri te kujdesi mbështetja a ndihma e tyre janë bërthama e rrjedhimeve që vijnë për familjen, shoqërinë apo natyrën! Mistiku persian Rumi e konsideron mirënjohjen si një mënyrë për të përqafuar çdo aspekt të jetës me dashuri dhe pranim. Pas shkatërrimeve të Luftës së Dytë Botërore, Franca dhe Gjermania nënshkruan Paktin Elysee në vitin 1963, duke u zotuar për bashkëpunim dhe paqe. Ky pakt ishte një shenjë mirënjohjeje për pajtimin midis dy kombeve dhe një hap drejt krijimit të një Europe më të bashkuar. Pas përfundimit të apartheidit në Afrikën e Jugut, Nelson Mandela tregoi mirënjohje për të gjithë ata që luftuan për liri dhe barazi duke promovuar pajtimin kombëtar. Ai ftoi edhe ish-armiqtë e tij politikë në bisedime, duke dëshmuar se falja është një nga format më të larta të mirënjohjes për jetën dhe njerëzit. Ekonomisti indian Jagdish Bhagwati ka marrë mirënjohje të veçantë nga vendi i tij për përpjekjet e tij në përmirësimin e politikave të zhvillimit ekonomik dhe për promovimin e ideve që ndihmuan miliona njerëz të dalin nga varfëria. Mirënjohja si forcë lidh njerëz, kombe dhe breza, duke krijuar ura për një të ardhme më të ndritur dhe më të bashkuar.

Çfarë ndodh kur ajo mungon?

A demoralizon?

A ul vetvlerësimin?

A frenon ?

Duhet një forcë e madhe për t’mos u pushtuar prej asnjë nga reteorikat më sipër. Mos u nis të bësh mirë pa u pregatitur për mosmirënjohjen,- thotë Konfuci!. • Galileo dha një kontribut të jashtëzakonshëm në shkencë dhe në kuptimin tonë të universit, por në vend të mirënjohjes, ai u dënua nga Inkuizicioni për pikëpamjet e tij që kundërshtonin doktrinat e kohës. Vincent van Gogh, nuk mori njohjen dhe mirënjohjen që meritonte sa ishte gjallë nga shoqëria e kohës por u vlerësua vetëm pas vdekjes. Nikola Tesla dha kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e teknologjive moderne si energjia elektrike dhe komunikimet, por ai shpesh u keqtrajtua dhe u shpërfill nga korporatat dhe bashkëkohësit e tij, duke e lënë të vdesë në varfëri dhe harresë. Pra shohim se mungesa e mirënjohjes nuk i ndali ata të bënin atë që dinin më mirë, t’i dhuronin njerëzimit pa kthim art, shkencë, përkushtim. Ata nuk ngatërruan egon me detyrimin që ndjenin brenda vetes se duhej të vazhdonin! Ata respektuan nevojën e shumicës jo dashakeqësinë e disa individëve të shkëputur! Tek kujtoj filmin “Schindler’s List” ku Oskar Schindler, një industrialist gjerman, shpëton qindra hebrenj gjatë Holokaustit duke i punësuar në fabrikën e tij. Në një nga skenat më prekëse, hebrenjtë i dhurojnë atij një unazë me mbishkrimin: “Ai që shpëton një jetë, shpëton botën mbarë.” Kjo sekuencë përçon mirënjohjen e thellë që ata ndjenë ndaj tij. ….apo filmin tim të preferuar “Gladiator” (2000) Komodusi, duke vrarë të atin, perandorin Marcus Aurelius, dhe duke tradhtuar Maksimusin, simbolizon mosmirënjohjen ndaj vlerave dhe trashëgimisë familjare. Ndërkohë, Maksimusi mbetet një simbol i nderit dhe mirënjohjes për të kaluarën e tij.

Në Kuran, thuhet “Allahu nuk ka nevojë për mirënjohjen tuaj, por Ai e do atë te besimtarët.” (Sure Ez-Zumer: 7). Bibla gjithashtu vendos një theks të madh në mirënjohjen si një shenjë dashurie “Falënderojeni Zotin, për çdo gjë falënderojeni; sepse kjo është dëshira e Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.” (1 Selanikasve 5:18).

Si në Kuran, ashtu edhe në Bibël, mirënjohja është detyrim moral dhe shpirtëror. Të dy tekstet e shenjta i lidh mirënjohja.

Po ne çfarë na lidh me lexuesin? Kur ai jep kohën, jep mbështetjen, pse i kërkojmë edhe rolin e gjykatësit në problemet personale? Pse kërkojmë të zgjedhë-“o me ne , o me ata”. Pse nuk e konsiderojmë letërsinë mision paqtimi dhe ngushëllimi për të? Pse duhet ta mbajmë në gjendje lufte të përhershme praninë e tij!

Duke iu drejtuar vetes me trokitje të forta në ndërgjegje” – Bëj letërsi aq sa di e mundesh- mendoj se indirekt kam vënë një tullë në atë çka quhet detyrim moral ndaj lexuesit, shoqërisë dhe vendit tim!

Mirënjohja, kjo ndjesi e paqtë duhet menduar se çdo ditë të re që lind e ka ditën e parë të saj ndaj lexuesit! Pa analizuar çfarë e jap e marr kuptoj se duhet të sillem sikur kam marrë gjithçka e kam dhënë kurrgjë! Pra unë ndihem “borxh” ndaj lexuesit ! Koha e tij meriton mirënjohjen nëpërmjet letërsisë së vërtetë!

Filed Under: ESSE

Kadare mes ikjes dhe ardhjes!

January 29, 2025 by s p

Agron Gjekmarkaj/

Duket sikur Shqipëria është çliruar nga Patriarku i eperm kulturor i saj Ismail Kadare dhe ditëlindjet e tij shnderrohen në datë rutinore!

Ikjen dhe ardhjen i ndajnë pak muaj !

E para pa kthim e dyta është ngrirë! Mjafton të gervishtesh pak kujtesen për të kuptuar sa banale ja bëmë percjelljen në të pertejmen botë!

Një kontrast i madh me dhimbjen që ndiente kombi, me respektin që shfaqte Franca, me lajmin që percillte Europa dhe Bota!

Kryeministri vuri veten në qënder të ceremonise funebre dhe nga podiumi mortal zihej me të gjithë ata që i kerkonin dy metra dhe të dënja per gjeniun e letrave!

Merzia e tij për këtë “maraz”duhej të merrej në konsideratë më shumë se pershpirtja apo reflektimi per jeten pas vdekjes së Kadaresë!

Askush nuk pat mundesi ta nderonte me një fjale dinjitoze rasti, as Kryeministri i Kosoves as Akademia e Shqiperise as ajo e Frances e Kosoves , as shtepia botuese e as botuesit e “Fajar” e të “Onufrit” asnje nga perkthyesit e tij të gjuheve të medha, as një shkrimtar i shquar shqiptar apo i huaj!

U panë në atë perzierje dhimbje e dukjeje shumë ministresha që kerkonin vemendje, rrol e sqimë në skenen e perkoheshme të vanitetit të tyre meskin!

Ngjanin shume syresh si personazhe që nglumueshem kerkonin të merrnin pakësa nga madheshtia e mjeshtrit !

Ndoshta nga kjo ditëlindje duhet te nisemi për të ndrequr diçka në ndergjegjen tonë jo për Kadarene të cilin Qeveria e çoi dhe po e lë në Tufinë pertej zotimit solemn për ti realizuar atij të merituarin vënd per prehjen e madhe!

Historia jonë shpesh tragjike na bëri të harrojmë per shumë shekuj edhe themeluesin politik të identitetit shqiptar Gjergj Kastriotin -Skenderbeun! E ruajti Europa kujtimin e tij dhe na e ktheu kur na duhej për të bërë shtetin e gjetur shtizen ku te varej Flamuri i Pavarësisë kombetare!

Fatalitetet e kohes dhe komlekset marroke të një vëndi të vogel mund ti rezervojnë një vënd të ngjashem edhe Kadaresë perkufizuesit të identitetit kulturor të shqiptarve në modernitet!

Kadare është një shkrimtar europian dhe rri si i tillë në të ardhmen por të gjithëve ne na duhet per vete dhe femijet tanë edhe si shkrimtar shqiptar si katalizator i kultures se deritanishme dhe themel i ngrehines të së ardhmes!

Ditëlindjet e tij janë shelbese per shpirtin dhe mendjen tonë! E kotë ti themi ministrit rrondokop të kultures që do duhej filluar kjo ditë me themelimin e Institutit Kadare si politike kulturore si nevojë jonë e jona per lavdinë e tij dhe me fjalen publike per dy metrat që ja mohuam se kur e ku do ja japim!

“Top-Channel”.

Filed Under: ESSE

Mjegulla e informacionit…

January 25, 2025 by s p

Dr. Afrim Shabani/

Në këtë epokë, ku informacioni vërshon nga të gjitha anët, shqiptari ndodhet përballë një sfide të re: si të dallojë të vërtetën nga mashtrimi, faktin nga propaganda, dijen nga padituria e zbukuruar. Nga ekranet e televizioneve te titujt e portaleve, nga rrjetet sociale te opinionet e rastësishme, gjithçka duket e paketuar për të shitur, për të tërhequr vëmendje, për të grumbulluar klikime. E vërteta? Ajo shpesh mbetet në hije, e deformuar dhe e shpërfillur.

Mediet nuk janë më bartëse të dijes, por të fitimeve. Sa më sensacional një titull, aq më i rëndësishëm bëhet për ta, ndërsa shqiptari i zakonshëm gjendet mes një lumi informacioni që nuk synon ta ndriçojë, por ta shpërqendrojë. Çdokush flet me siguri absolute—historianë të vetëshpallur, analistë të orës së vonë dhe individë që dje nuk kishin lidhje me të vërtetën, por sot e shpërndajnë atë me zë të lartë.

Kjo problematikë nuk është e kufizuar vetëm në media. Shpeshherë, në ngjarjet shqiptare, dëgjojmë fjalime nga njerëz që nuk janë aspak të përgatitur për temat për të cilat flasin. Në vend të fakteve, shpesh përhapet dezinformim, keqinformim apo ekzagjerime që vetëm shtojnë konfuzionin. Në vend që të pasurohet dija jonë, ajo rëndohet me të pavërteta të artikuluara me siguri, por pa thellësi.

Në konferencat ku marr pjesë, shoh një botë tjetër—shkenca e mirëfilltë është e kujdesshme, e bazuar në fakte, e verifikuar. Megjithatë, edhe institucionet akademike dhe konferencat me vlerësim shkencor nuk janë të pagabueshme. Gabimet ndodhin, qasjet ndryshojnë dhe vetë shkenca pranon kufizimet e saj duke u përpjekur të përmirësohet përmes debatit, analizës kritike dhe korrigjimit të vazhdueshëm. Jashtë këtyre sallave, informacioni qarkullon lirshëm, pa filtra, duke krijuar konfuzion. Institucionet akademike dhe studiuesit e pavarur shpesh nuk bien dakord—të parët kritikojnë për mungesë metodologjie, të dytët për burokraci dhe distancim nga realiteti. Shteti, nga ana e tij, herë përfshihet me agjenda të caktuara, herë rri indiferent.

Kjo është një sfidë për gjithë botën, por shqetësimi im është për ne shqiptarët. Për ne që kemi luftuar për të mbrojtur identitetin dhe kombin tonë, për ne që jemi të rrethuar nga zëra që duan të tjetërsojnë historinë dhe të ardhmen tonë. Ne shqiptarët kemi detyrën që të ruajmë veten nga çdo përpjekje për të na përçarë, për të na dobësuar dhe për të na larguar nga rrënjët tona. Ne kemi dëshmuar se kur jemi të bashkuar në mendje e në shpirt, asnjë mjegull nuk na errëson dot rrugën.

Si mund të mbrohemi? Me kthjelltësi dhe maturi. Shqiptari duhet të lexojë përtej titujve, të kërkojë burime të besueshme dhe të mos pranojë gjithçka që i servohet. Historia jonë nuk është një fletë e bardhë për t’u mbushur nga kushdo që ka një mikrofon apo një llogari në rrjetet sociale.

Në një botë ku gjithçka shitet, edhe e vërteta ka një çmim. Shqiptari duhet të qëndrojë vigjilent dhe të mos lejojë që historia e tij të shitet për pak klikime. Në fund, gjithçka varet nga një pyetje e thjeshtë: a do ta kërkojmë të vërtetën, apo do ta blejmë atë të gatshme?

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT