• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Migjeni dhe estetika e asnjanësisë

October 17, 2024 by s p

Behar Gjoka*/

Krijimtaria letrare e Migjenit, shkrimtarit që hodhi themelet e lavrimit modern të letrares, pamëdyshje poezia dhe proza e lëvruar prej tij, ndonëse po i afrohet një shekulli pranie mjaft aktive dhe ndikuese në letrat shqipe, sërish e sërish, megjithatë rreth specifikave dhe natyrës së saj, po vijon që të mbetet i hapur debati se cilës estetikë i përkon më së shumti ajo, si frymë dhe teknikë shkrimi, si shenjë dhe shqiptim letrar, si një materie e përveçme artistike. Dhe, në fakt nuk kishte se si të ndodhte ndryshe me krijimtarinë letrare të tij, sepse vepra artistike migjeniane duke bartur kështu, njëherësh një karakter të hapur dhe tejet të ndërlikuar, që lidhet veçmas të tjerash me aspektet e kulturimit dhe të parapëlqimit të poetikave dhe estetikave të ndryshme dhe përplot larmi artistike, lindore dhe perëndimore, pra natyrisht pa përjashtuar asnjërën prej tyre, bart dhe shpalon gjasat e një larmie poetikash shkrimore, tejet të ngjeshura në hapësirat e teksteve, në poezi dhe prozë, madje në format më të larmishme, i pranisë tipologjike estetike, pra kryesisht i asaj mënyre që mbizotëron mbi të tjerat, madje duke mos shmangur asgjë nga ky realitet letrar, i mëvetësishëm dhe i vetvetishëm, edhe sot e gjithë ditën është më tepër një çështje krejt e hapur, që me uljengritjet e veta, pohimet dhe kundërpohimet, shqyrtimin dhe patetizmin, si dhe me dritëhijet e verifikimit dhe të trajtimit të saj, ka qenë krejt e pranishme, madje pa ndërprerje në debatin e njerëzve të letrave, shumë më tepër të studimeve letrare, zyrtare dhe jo të tilla, si dhe në një masë të konsiderueshme po ashtu edhe të opinionit të gjerë publik, që në fakt ka parë në mënyrë të pashkëputshme, kinse në të gjitha kohërat tek Migjeni dhe vepra letrare e tij, tek poezia dhe proza, një nga poetët dhe shkrimtarët më të vyer të letrave shqipe, gjithkohore dhe gjithhapësinore, e mbase një poet që përgjithësisht i ka thyerë korrnizat e përcaktimit të tipologjisë së shkrimit letrar, pra duke qenë njëherit, modern dhe klasik, sidomos në kohën e interpretimit të teksteve dhe të formësimit letrar. Modern, madje si një prijës i kahjeve të këtilla, në kuptimin e përmbysjeve të mëdha dhe të thella, që solli në letrat shqipe, veçmas në shkrimin e poezisë, por njëherit edhe me tipare shkrimi, tashmë mirëfilli klasike me ndikimin e vetë të thellë dhe të pazakontë në gjithë këtë periudhë të shkrimit letrar në gjuhën shqipe, si dhe duke mbetur gjithashtu në shumicën e tipareve të poetikës së shkrimit, ende i patejkaluar, veçanërisht në lavrimin e poezisë së natyrës moderne, në vargëzimin e lirë, dhe padiskutimisht në të gjithë aspektet e sendërtimit të materies poetike, tashmë dhe vetëm me teksturë moderne.

Estetika e brendisë

Kurba e debatit, përmbi estetikën mbizotëruese të pranishme në letërsinë apo ka gjasa të letrares, që sendërtoi shkrimtari, pra njëherit në shkrimin poetik dhe në prozë, po aq të larmishëm dhe vetjak, si mendësi dhe teksturë e plotë shkrimore, përgjithësisht në përcaktimet e bëra deri më tani në studimet letrare, lëviz në një situatë të trefishtë:

A – Se vepra letrare e Migjenit, në optikën zyrtare të përpara viteve ’90, qoftë në poezi, e po kaq edhe në prozë i përket vetëmse modelit të letërsisë së re, si me thënë që lidhet qartësisht me mesianizmin komunist, një formulim ky i R. Qoses, pra si një krijimtari artistike me shenja të zbatimit të metodës së realizmit socialist, i cili lidhet pazgjidhshmërisht po kaq edhe me vetë sistemin socialist, që ishte vendosur, pothujase në gjysmën e botës deri para pak kohësh, por që në Shqipëri mbërriti në nivele të frikshme sundimi. Kjo hipotezë, ndonëse është parashtruar dhe shtjelluara gjerë e gjatë, për shumë kohë dhe në të gjitha hapësirat e lëvrimit të letërsisë shqipe, në pikëpamje teorike dhe praktike, në brendi dhe formë, në analizë dhe në shqyrtimet tekstologjike, nga studiuesë dhe shkrimtarë, poetë dhe shkruesë të ndryshëm, madje edhe e rrahur në caqet e një gjysëm shekulli, përsëri ka mbetur, përgjithësisht dhe veçmas, më tepër në kufijt e një argumentimi formal dhe të rrafsheve sipërfaqësore, kryesisht duke u nisur vetëm nga nivelet e tematikës dhe të problematikës së trajtuar nga shkrimtari, apo të anësimit të prekshëm social dhe ideologjik, si dhe të disa thirrjeve që vijnë më shumë nga pozicioni i kundërshtarit të regjimit të kohës shkrimore, por edhe të pushtetit të çdo kohe, se sa si një shenjëzim letrar i mirëfilltë. Tezat dhe hipotezat e shtjelluara deri më tani, pikërisht në këtë linjë të shkrimit letrar, pavarësisht kohës dhe hapësirës, modelimeve të ndryshme teorike, letrare dhe jashtëletrare, veçmas sa i përkon faktit se krijimtaria letrare e autorit, është pjesë e estetikës së socrealizmit, madje si e nënkuptuar si vetëm e këtij tipari, së paku si parashtresa të pranishme në studimet e deritanishme, madje edhe të shpallura si kulmi i verifikimit të shenjave letrare, nga më të njohurat, janë:

– Fakti që ka lëvruar kaq gjerësisht dhe shpesh morinë e çështjeve që lidhen me varfërinë, ku të duket sikur ka rrëmuar gjer në rrënjë në problematikën sociale, madje deri në thelbin e vetë si pamje dhe tablo e mjerimit, kinse për t’iu kundërvënë kohës dhe sistemit të kohës shkrimore, pandarazi me të po ashtu të çdo sistemi, që dhunon dhe përdhunon qenien njerëzore, çka në fakt si ngjyresë tekstesh, përgjithësisht e tejkalon kohën shkrimore, si frymë dhe dëshmi, si ankth dhe shqetësim tërësor, madje në të gjitha përmasat e veta, një prani mjaft e dukshme në poezi dhe prozë, ka gjasa të përfaqësojë një tipar që në shumicën e vetë i ka dhënë shkrimtarit, dukshëm edhe atribute të përveçme shkrimore, si autor i mjerimit dhe i të varfërve, si poet i angazhuar përtej çdo idoelogjie, dhe më në fund si një shkrimtar që urren dhe shkallmon mjerimin si askush tjetër në letrat shqipe, porse edhe duke e sendërgjuar realitetin letrar si një ferr i ndritshëm.

– Shkrimtari që nuk njohu tabu (pra tema të ndaluara, sepse deri tek Migjeni në letërsinë shqipe ka patur edhe tema që nuk trajtoheshin ose që kundroheshin krejt shtrembër) dhe që nuk njohu asnjë pengesë në pasqyrimin (në fakt duhet thënë në sendërtimin e realitetit letrar), pamëdyshje e realitetit konkret, social dhe individual, madje pa asnjë kufi, ndalues dhe paragjykues, të botës së çuditshme që na rrethon, e ku vështrimi i tij, si njeri dhe krijues, pra si poet dhe prozator, po ashtu edhe si një publicist mendjendritur, padyshim dhe pa droje është hedhur mbi jetën e fshatit dhe qytetit, sidomos në Shkodër dhe në rrethinat e vendlindjes, si dhe që përfshin në të një gamë problematikash, që kanë të bëjnë gati fare hapur me mjerimin, pasojat dhe shëmtimin, zvetënim dhe shkatërrimin e qenies, që ka zatet jetën e shqiptarëve në atë kohë, por që megjithatë e zgjaton hijen e vetë të hidhur edhe në këndejkohën e sistemit të lirive të plota, por që realisht me sa duket, duhet ende edhe shumë përpjekje dhe kërkim i pandërprerë që të përmbushen.

– Modeli i realizmit si mënyrë dhe metodikë pasqyruese, i përveçëm dhe unik, vetjak dhe që depërton deri në thellësi të realitetit të qenies, si mjet dhe fokusim pasqyrues, pra si kritikë dhe protestë e hapur, mallkim dhe kundërvënie nga më të ashprat, ndaj gjithçkaje të kohës dhe matankohës së tij, madje në shumicën e vetë edhe i revoltës kundër gjithë botës së hidhur, pabarazisë dhe mjerimit të skajshëm, që në fakt i përçon veprës letrare të tij edhe një shenjë të dukshme gjithkohore dhe universale, pra që zakonisht i shpërfill dhe tejkalon sinoret përndarëse kohore dhe hapësinore, të shkrimit letrar. Zvetënimi i jetës, madje në shumicën e vetë gjer në rrezbitje të plotë dhe shkatërrimtare, po kaq edhe i vetë fatit të shqiptarëve, më tepër se sa një prirje e spikatur e shkrimtarit, pra për të qëmtuar rrafshe të këtillë, në fakt ka të bëjë shumë më tepër me një realitet tjetër, unik dhe të përhershëm, ku shqiptari dhe çod banor tjetër i rruzullit, mundet të shtypet dhe shfrytëzohet edhe nga pikëpamja sociale, pra edhe nga qeverisjet e brendshme, çka i duket e pamundshme dhe rreket më kotë të çlirohet prej makthit, kryekëput duke ecur nëpër rruginat e iluzionit, që në fakt nuk shpëtojnë askënd, ndonëse duket që paku, të mbajnë me gajret për jo pak kohë.

Estetika e Niçes

Pra, tashmë duket qartë se vepra letrare dhe formati shkrimor i Migjenit, në poezi dhe prozë, padyshim edhe në shkrimin pubcilistik, është kërkuar dhe shenjuar si i tillë, pra kryesisht si një materie e botës së re, duke u nisur kryesisht dhe vetëm nga leximi ideor dhe sociologjik, kryekëput dhe vetëm duke u bazuar kështu në shqyrtimet e brendisë së veprës, si dhe nga prania e ideve kundërshtuese dhe kundërvënëse, kinse me kohën shkrimore dhe më gjerë se sa kaq. Megjithatë, për ta parë vetëmse si të tillë, nuk kanë munguar edhe trajtimet e natyrës letrare, siç është prania e lëvrimit të një poezie tjetër dhe të ndryshme nga leëtrsia e hershme, pra të sendërtimit të poezisë së vargjeve të lira dhe të thyera, si dhe të një figurshmërie më të hapur dhe të drejtëpërdrejtë, duke shenjuar kështu edhe një cak të mbylljes së ligjërimit të poezisë tradicionale, të hershme dhe të kohës së tij. Idhtarët e leximit të letrares së Migjenit, të poezisë dhe prozës së tij, si me një anësim të dukshëm nga letërsia e re, padyshim e modelimit të realizmit socialist, si dhe e projektuar si në mbështetje të sistemit monist, gjithashtu me po atë forcë, paragjykuese dhe jo verifikuese, ka bërë çfarë kishte në dorë për të shmangur çdo trajtim tjetër, pra jashtë binarëve të modelit zyrtar të realizmit socialist. Pra, leximi ideologjik dhe sociologjik, biografik dhe ideor, përpos se e rreshtoi gabimisht shkrimtarin për një kohë të gjatë, vetëmse në letërsinë e botës së re, patjetër dhe kuptohet tashmë, së paku në distancë kohore, me anë të shkopit magjik të ideologjisë dhe të studimeve të shërbesës letrare, të parullëzimit të letrares, njëherit ai ka realizuar gjer më tash edhe mbylljen e të gjithë shenjave të tjera interpretuese të materies letrare të shkrimtarit.

B – Se krijimtaria e tij letrare, ndonëse e përmbledhur vetëmse në një vëllim me poezi dhe po ashtu edhe në një të këtillë në prozë, ka lidhje të dukshme dhe të padukshme, thelbësore dhe formale, edhe me filozofinë dhe estetikën e Niçes, më së shumti nga shenjëzimet e tjera të pranishme, porse po kaq edhe me shenja të tjera të lidhjeve, esenciale apo rastësore, më shkrimin letrar bashkëkohor. Në këtë optikë të pranisë së këtyre tipareve, madje qysh në fillesat e leximit dhe interpretimit të natyrës së krijimtarisë letrare të autorit, e veçmas të poezisë së tij, e sheh dhe e argumenton si tipar, madje qysh në krye të herës Arshi Pipa, personaliteti që hodhi themelet e kritikës dhe të studimeve letrare në gjuhën shqipe, si dhe një nga figurat e shquara të kulturës dhe të letrave shqipe të shekullit të kaluar. Shqyrtimi i këtyre shenjave dhe dëshmive të këtilla letrare, si frymë dhe prani letrare, nuk ka më shanse, që të mbetet vetëm në caqet ndalimit të evidentimit të pranisë së tyre në hapësirat e teksteve, siç e sugjeroi dhe ndaloi, madje dhe në mënyrë krejt absurde estetika e brendisë, pra estetika e leximit ideologjik dhe sociologjik të letrares, posaçërisht të poezisë dhe prozës së Migjenit. Prekja e tyre, tashmë për të evidentuar dhe zbërthyer këto tipare, ka gjasa që në fakt vetëm sa do të ndikonte edhe ca më fuqishëm në zbulimin e përmasave të plota të shkrimtarit, si art dhe estetikë e formës, si gjurmë dhe dëshmi e vlerave artistike, si tekst dhe nëntekst shkrimor, që po udhëton nëpër dy shekuj ekzistence dhe ndikimi të fuqishëm. Megjithatë, sipërmarrja për të kundruar dhe interpretuar këto prani, tashmë më tepër se sa për autorin, kanë rëndësi për shenjat letrare të letërsisë shqipe, veçmas sqarimi i tipareve të këtyre ngjyresave:

– Ku në fakt, më shumë se gjithçka tjetër, në veprën letrare të Migjenit, prekim më tepër një shtrim të zgjeruar dhe duke hyrë në thellësinë e problemeve ekzistenciale të jetës së njeriut, si individ dhe komunitet, si ide dhe idealitet, si angazhim dhe sipërmarrje, madje duke parë dhe kundruar gjerësisht, njëherit të gjitha mungimet e veta, si mjerimi dhe skamja, zvetënimi dhe shkatërrimi shpirtëror, padrejtësitë dhe pabarazia, që në të gjithë tekstet e shkrimtarit të krijohet, përgjithësisht dhe veçmas, një ndjesi ankthi dhe tmerri, po kaq edhe një sens i dukshëm i kundërshtisë dhe kundërvënies ndaj kohës dhe sistemit politik dhe social, madje edhe më përtej ngjyresave të kohës shkrimore, si një aparat administrativ dhe burokratik që vetëmse e shkatërron qenien shqiptare, kur e ka për detyrë që ta lehtësojë në udhëtimin ekzistencial të vetin.

– Po kaq në jo pak prej teksteve letrare të autorit, pamëdyshje në poezi dhe prozë, artistikisht dhe realisht, kemi të shtjelluar gjerë e gjatë edhe filozofinë e mbinjeriut, pra e një aspekti ndikues në jetën e njeriut në pjesën e parë të shekullit të njëzet, e cila në fakt nuk ka gjasa që të pikëtakohet me ideologjinë e komunizmit, një figurim etik dhe estetik, filozofik dhe jetësor, i cili e shpështjelloi jo pak planetin tonë, që nisur nga materia e teksteve, në asnjë kriter dhe modelim nuk ka të bëjë me etikën dhe filozofinë e komunizmit, madje në shpërfaqjen e vetë tipi i mbinjeriut, është nga ato raste të një kundërvënie të thekur dhe të përveçme ndaj tij, madje të derdhur edhe në një formë të jashtëzakonshme në disa prej teksteve poetikë dhe në prozë të shkrimtarit.

– Prania e një angazhimi të veçantë dhe më tepër autorial, po ashtu të ndritshëm dhe rrezëllitës, që buron kryesisht nga një përjetim i thekur dhe i dalluar, shpirtëror dhe kreativ, që ka të bëjë mbase me kërkimin e të drejtës së jetës dhe të shumë të drejtave njerëzore, më shumë larg ideve dhe ideologjisë së kohës, por edhe me një anësim të prekshëm të shkrimtarit, sidomos kah ideologjia e mbinjeriut, që pothuajse është e angazhuar kundër gjithçkaje, pra kundër gjithë botës, çka menjëherë të shpie tek filozofia dhe estetika e Niçes, themeluesit dhe babait të saj. Madje, ky lloj angazhimi, i dukshëm dhe specifik, ka gjasa që të lidhet edhe me masën dhe përjetimin maksimalist të poetit që ka po ashtu një ndjeshmëri specifike ndaj së keqes dhe padrejtësive në jetën shoqërore të kohës. Migjeni është i angazhuar në nivel mjaft të ngritur në çdo tekst, pra në poezi dhe prozë, po ashtu edhe në tekstet publicistike, ku duken dhe preken të gjitha plagët e kohës, e natyrisht me mbizotërim të plagëve shoqërore, që në fakt e bëjnë autorin dhe krijimtarinë e tij, të pranishëm për çdo kohë dhe universalitet të qenies.

– Fryma dhe atmosfera e një pesimizmi tërësor dhe tronditës, shpesh edhe me ca shkëndijime të frikshme, madje edhe të shpallura qartësisht në poezi dhe prozë, që realisht dhe artistikisht ka ndërfutur në tekstologjinë e tij edhe një ngjyresë të një pesimizmi të zi, në thellësinë e skajshme të kësaj ngjyre, në ndjenja dhe mendime, në imazhe dhe fanitjet e plota, pra që në tipologjinë e vetë shkrimore, dukshëm nuk ka të bëjë asgjëkundi me optimizmin rozë (të idealeve utopike të barazisë së komunizmit), që në fakt përçonte letërsia e re, e modelit letrar të realizmit socialist. Mbizotërimi i tyre, madje deri në një situatë të thurjes së një ferri mbitokësor, padyshim edhe njëherit të një ferri të ndritshëm si shenja dhe poetikë letrare, jep dorë qartësisht për ta larguar krijimtarinë e tij letrare, ka gjasa përfundimisht dhe me të drejtë nga poetika e realizmit socialist, që e shpërndërroi artin e fjalës në një shërbestare të ideologjisë së kohës dhe të vetë sistemit.

Pamundësia e asnjanësisë estetike

Prania e kësaj estetike dhe filozofie, pra të shenjave të mirëfillta të mbinjeriut, ka raste që vjen si e dëshmuar edhe fare hapur, siç edhe ngjet së paku në rastin e poezisë Trajtat e mbinjeriut, ku prekim dhe rrokim madje gati të gjithë universin e filozofisë dhe estetikës së Niçes, porse ngjyresa të tjera, të dukshme gjithsesi, si prani dhe tekst, frymë dhe shpalim i tillë, kapen edhe në poezi dhe proza të tjera të autorit. Mosmarrja seriozisht dhe me qëllim të përcaktuar, të prekjes dhe zbulimit të vlerave letrare, në shqyrtim të kësaj hipoteze të bazuar në disa tekste në poezi, por që për studiues të nivelit të Arshi Pipës, tashmë është shpërndërruar në një tezë të faktuar dhe argumentuar, edhe për këto rrethana të hapësirave të tjera të shprehësisë letrare, i ka të gjitha gjasat që tashmë dhe më në fund të shpërndërrohet dhe shqyrtohet si një tezë fondamentale e përfaqësimit të shenjave letrare të Migjenit, në një pjesë të konsiderueshme të teksteve letrare.

C – Se krijimtaria e autorit, poezia dhe proza e tij, në një mënyrë edhe më të habitshme, nuk i përket asnjërës estetikë, as socrealizmit e as niçeanizmit, si dhe asnjërës metodë shkrimi, pra duke sugjeruar kështu fare hapur edhe tipologjinë e një estetike të asnjanësisë, çka në fakt e vështirëson edhe ca më tepër ligjëratën dhe debatin, përmbi natyrën e pranisë estetike të autorit, sepse përfundimisht dhe në një qasje kaq shumë absurde dhe pa asnjë bazament logjik, e vë në zgrip vetë ekzistencën dhe funksionimin e materies letrare të shkrimtarit, në substancën artistike, poezi dhe prozë. Të rrekesh që të krijosh një situatë të këtillë fiktive, si teori dhe praktikë shkrimi, si konceptim dhe strukturim, pra të mungesës së plotë të estetikave të pranishme në shekullin e kaluar, madje që edhe i hasim si substanca shkrimi në tekstet e Migjenit, është një futje e pavëmendshme, e shtjellimit dhe shqyrtimit të teksteve letrare, nëpër shtigjet pa krye, madje ka më tepër gjasa se kemi të bëjmë me një rrëshqitje në theqafje të habitshme dhe të sigurta, një term ky i poezisë së autorit, të shqyrtimit të letrares së shkrimtarit modern, në mendim dhe konceptim, në një formësim dhe shprehësi letrare, madje edhe si një variant i shpallur i mos leximit dhe mos shqyrtimit, real dhe tekstologjik të letrares së endur prej tij në të dyja përmbledhjet, poezi dhe prozë. Më në fund, tashmë kuptohet qartësisht se përpjekjet e idhëtarëve të asnjanësisë, si me thënë të asaj estetikës së asnjanësisë së shkretimit letrar, që mbase lidhet ngushtësisht, me një qëndrim të dyzuar dhe krejt të habitshëm:

– Se në veprën e plotë letrare të Migjenit, në poezi dhe prozë, por edhe në pjesën publicistike, tashmë e pohuar edhe publikisht, nuk hasim pothuajse asnjë shenjë të realizmit socialist, pra të letërsisë së botës se re, që kishte si parësore programin ideologjik të diktaturës, natyrisht të sistemit që e lamë pas, e vënë në gojën e po atyre studiuesve dhe shqyrtuesve të krijimtarisë letrare të shkrimtarit, që përpara viteve ’90, po ata dhe me kaq shumë zhurmë dhe fanfara të papame, e fusnin shkrimtarin me forcë dhe krenari vetëm se në radhët e këtij modeli, të tejkaluar shumë kohë më parë, në hapësirat e tjera.

– Se krijimtaria e tij letrare, poezia dhe proza, nuk ka të bëjë, madje në asnjë tregues të vetin, të brendisë dhe të mjeteve shprehëse, sidomos me filozofinë dhe estetikën e Niçes, çka na duket më tepër edhe si një zgjatim qëllimore i pohimeve të dikurshme, të thëna e stërthëna nga ana e studimeve zyrtare, që e shikonin më së shumti filozofin e madh gjerman, që pavarësisht faktit se nuk pati asnjë titull akademik, mendimet e thella të tij, vijojnë të jenë të parapëlqyera edhe sot, e gjithçka që vinte prej perëndimit, e kundruar vetëm si pjesë e dekadentizmit dhe shmëtimit kapitalist, si dhe një frymë e shëmtuar dhe reaksionare, gjithnjë simbas optikës së shqyrtimeve të kohës.

– Se duke e përfshirë, autorin dhe veprën e tij letrare, tashmë edhe në filozofinë e asnjanësisë, një utopi e pagjasshme për të mbetur në këmbë për aq shumë kohë, pra kryesisht dhe vetëm në situatën e përjashtimeve absurde dhe pa asnjë bazë ekzistenciale, pavarësisht se kush e thotë këtë pohim, të pambrojtshëm teorikisht dhe praktikisht, kemi të shpaluar një lartsynim për ta futur në heshtje dhe harrim, artin e tij. Këtu, pra në rrethanat emërtuese dhe anashkaluese, si përfaqësues i estetikës së asnjanësisë, ka më tepër gjasa që të vijohet më lehtë me linjat e përdorimit dhe shpërdorimit të krijimtarisë letrare të tij, madje të larmisë së shkrimit të letërsisë, gjë që ndodhi hapur dhe zyrtarisht në shumicën e moteve të shekullit të kaluar, që e mbajti letërsinë shqipe të lidhur fort vetëm pas qerres së shërbesës letrare, e sidomos të ideologjisë së monizmit.

Prania e të tre linjave, sado kundërshtuese dhe kundërvënëse, pohuese dhe mohuese, tekembramja edhe njëherë tjetër, na konfirmojnë idenë se Migjeni nuk është një shkrimtar i zakonshëm, si dhe krijimtaria e tij letrare, në fakt bart një tharm të ndërlikuar, që mund të trajtohet dhe shqyrtohet me mjete dhe teori të tejkaluara tashmë, pra të vështrimit dhe verifikimit klasik, në kuptimin e përdorimit të kësaj fjale në studimet e munguara si analizë teksti dhe formësim letrar, sepse në shumicën e herëve më tepër është renduar mbas jetëshkrimit dhe shenjimeve të përmbajtjes së krijimtarisë së tij, dhe për më tepër është lënë jashtë vëmendjes forma dhe stili i shkrimtarit. Pra, tashmë dhe më në fund jemi të bindur, se tek krijimtaria e autorit, në poezi dhe prozë, si dhe në shkrimin e prozës publicistike, ndeshim më tepër nëpër gjurmë të socialitetit të skajshëm, po kaq edhe në një protestë dhe revoltë gati–gati të paimagjinueshme, si frymë dhe shpalim, si dhe në një pasqyrim kritik të realitetit, porse këto tipare, të shtjelluara gjerë e gjatë në shqyrtimet zyrtare, megjithatë nuk mjaftojnë kurrësesi për ta rreshtuar vetëmse në modelin e socrealizmit, që më tepër u kthye në një institucion të mirëfilltë propagande dhe tekstet letrare, më tepër në shërbesë ndaj sistemit. Përngjitur me këto tipare dhe prani shkrimore, ndeshim po ashtu, ndonëse si të ndëfutur, në tekstet e tij letrare, edhe filozofinë dhe estetikën e Niçes, si frymë dhe mentalitet, si gjurmë dhe kërkim, madje në disa raste poeti bën thirrje fare hapur për t’u mbështetur edhe tek Mbinjeriu, pamëdyshje figura simbolike e filozofit të madh të shekullit të njëzet. Praninë e tij, por edhe disa ngjyresa të tjera shkrimore, në tekstet e shkrimtarit, e paraqet kështu A. Pipa, ndërsa thekson: Si pat thanë Nietzsche-s. Njeriu ( o Mbinjeriu) i rigeneruem, nuk duhet të ketë dyshime, iluzjone. Duhet të jetë nji sfinks: pa ndjenja; vetëm logjik e violent. Influenca e Nierzsche-s puqet me ate të Dostojevski-t, (Raskolnikov, Stavrogin, Kirilov), kur shqyrton vargje të poezisë Pesha e fatit. Frymën e filozofisë së Niçes e hasim edhe si një ndikim i tërthortë, pra nisur edhe nga prania e poetikës së Dostojevskit, shkrimtarit të dëshpërimit dhe tmerrit të papamë, të vetmisë dhe makthit, mjeshtrit të shkrimit të prozës së gjatë, të romaneve që kanë bërë epokë. E në të gjitha rrethanat, nisur vetëmse nga tekstet e autorit, në poezi dhe prozë, veçmas të tjerash, nuk të jep dorë për ta lënë përjetësisht në udhëkryqin e asnjanësisë, sepse tekstet siç dëshmojnë angazhimin e thekur, po kaq bartin edhe mungesën e angazhimit të bazuar në idealet e botës së re, pra të ideologjisë së sistemit monist, siç duan përgjithësisht që ta ruajnë studimet letrare zyrtare, edhe gjatë kësaj ndërkohje, më tepër të shqyrtimit anësor, se sa duke u marrë dhe duke depërtuar në hapësirat tekstologjike, në poezinë dhe prozën e larmishme.

*Shënim- shkëputur nga libri i autorit MIGJENI NË PAKOHËSI.

Filed Under: ESSE

MBI SUBLIMEN

October 16, 2024 by s p

Zija Vukaj/

-kulturologji-

«Sublimja i tërheq lexuesit e dëgjuesit jo në bindje, por në ekstazë: sepse ajo që është e mrekullueshme i shoqërohet gjithmonë një ndjenje përhumbjeje dhe dominon mbi atë që është vetëm bindëse dhe e këndshme, për shkak se bindja në përgjithësi është në prirjen tonë, ndërsa ajo, duke i dhënë argumentit një fuqi dhe një forcë të pamposhtur, mbisundon çdo dëgjues.»

Për t’i kuptuar deri në fund këto fjalë, që shfaqen në batutat e para të Traktatit, duhet larguar ideja që sublimja është një çast i thjeshtë i arratisjes së dëshiruar nga realiteti; përkundrazi, Anonimi ngulmon se letërsia është në gjendje të modelojë shpirtin dhe se njëlloj për një shpirt të ngritur e fisnik është e mundur të ngjallet në një vepër të tërë arti (“rezonanca e një shpirti të madh”, μεγαλοφροσύνης ἀπήχημα). Pra në këtë mënyrë Sublimja resht së qeni një përgojim polemik i kritikës letrare dhe përqafon çështje të karakterit etik, duke zgjeruar kështu fushën e vet e duke përuruar linjën e kërkimeve që do të bëhet pastaj e përveçme nga letërsia dhe estetika.

Sublimja është metri me të cilin maten autori dhe përfituesi i veprës, të lidhur mes tyre si në një polaritet, nga një raport empatie: duke nisur nga bindja që të gjithë njerëzit janë të bashkuar nga i njëjti tension, të lindur nga natyra e shpirtit të secilit, drejt madhësisë, përfitimit të sublimes e parë si njohja e madhësisë së shpirtit të autorit, njohje që buron nga vepra e artit dhe nënvizohet nga lartësimi qoftë i stilit, qoftë i ideve të paraqitura.

Anonimi e thjeshtëson gjithë këtë duke e ilistruar me njohjen e tij të gjerë të letërsisë, duke sugjeruar si modele një sërë autorësh, maja e artit të fjalës. Qasen kështu një nga një Homeri, tragjikët, Pindari, Safoja, Platoni e deri Bibla dhe komediografi Aristofan, aq sa edhe qeshja është një pathos hokatar dhe sublim i bashkëlindur me njeriun: “në fakt e qeshura është një emocion kënaqësie”. Por referimet nga poetët helenikë janë të mangëta.

Natyrisht, Apolloni tek “Argonautikat” është poet i patëmetë, dhe kështu është Teokriti te “Bukoliket”, përveç pak elegjive të lëna pas dore; por do të donit të ishtit Homer apo Apollon? E pra? Eratosteni tek Erigona- poemth krejt i pakritikueshëm, a është vallë poet më i madh se Arkiloku, që mbart pas shumë gjëra të papërpunuara të atij shpirti hyjnor i vështirë për t’iu nënshtruar një rregulle? Në lirikë do të zgjidhnit të ishit Bakilidi apo Pindari dhe në tragjedi Ioni i Keas apo Sofokliu, për Zeus? Sepse njëshat janë të pagabueshëm dhe në stërhollimin terësisht kaligrafik, teksa Pindari e Sofokliu nganjëherë djegin nga afshi, shpesh shuhen pa shkak dhe bien papritmas. E pra askush me mendje të shëndoshë nuk do të ndërronte një tragjedi të vetme si “Edipi mbret” me të gjitha dramat së bashku të Jonit.

Filed Under: ESSE

ÇDO HERO KOMBËTAR ËSHTË I NJOLLOSUR NGA ANTIVLERAT E KOHËS SË TIJ

October 14, 2024 by s p

Artan Nati/

Largësia në kohë nuk jep vetëm nostalgji, por perspektivë, e ndoshta edhe objektivitet. Ne shpesh vlerësojmë më mirë një objekt fizik, qoftë një mal apo një monument dhe marrëdhënien e tij me ambientin rrethues, në një distancë të caktuar sesa nga afër. E njëjta gjë vlen edhe për figurat historike. Gjithashtu ne nuk duhet t’i gjykojmë figurat historike nga kulmi i tyre i përsosmërisë ose i suksesit, por nga distanca që ata kanë udhëtuar nga pika ku kanë filluar.
Me rastin e 200 vjetorit të vdekjes së Napoleon Bonapartit, një njeriu që ndan opinionet në Francë, Presidenti Emmanuel Macron, duke vendosur një kurorë në varrin e Napoleonit në “Les Invalides” në Paris, kaloi një vijë delikate, duke këmbëngulur se ishte një akt përkujtimor, jo festimi. Ishte një ambivalencë që pati jehonë në botë. Megjithatë, kur bëhet fjalë për figurat tona kombëtare, si për shembull Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Nano, Berisha, Meta, Rama etj, ky kuptim i kompleksitetit historik shpesh zhduket. Në vend të kësaj, ne jemi përballur me një “luftë kulturore”. Është një kontrast që ndihmon në ndriçimin e mënyrave shpesh të ndërlikuara me të cilat ne kuptojmë marrëdhënien e ngatërruara të së kaluarës me të tashmen.
Në Francë, emocionet e përziera për Napoleonin janë të rrënjosura në një histori të ngjeshur. Pasi bëri emrin e tij si një udhëheqës ushtarak dhe strateg në Francën post-revolucionare, ai mori pushtetin si konsull i parë në një grusht shteti në 1799, duke e kurorëzuar veten perandor pesë vjet më vonë, pak a shumë si Zogu ose siç dëshironte Berisha, por nuk mundi, por e realizoi Rama me makinacione moderne.
Ata që lavdërojnë trashëgiminë e tij pretendojnë se ai e projektoi Francën në skenën botërore dhe hodhi themelet e një shteti të fortë. Kodi i Napoleonit, një grup i gjerë ligjesh që mbulojnë shtetësinë, të drejtat individuale, pronën, familjen dhe çështjet koloniale, krijoi një kuadër të ri ligjor për Francën dhe ndikoi në ligjbërjen nga Evropa në Amerikën e Jugut.
Përpjekjet për të rivlerësuar historinë shpesh dënohen si “jo patriotike”. Kundër kësaj janë politikat tronditëse reaksionare. Napoleoni rifuti skllavërinë në kolonitë franceze në vitin 1802, tetë vjet pasi asambleja kombëtare e kishte shfuqizuar atë, u imponoi barra të reja hebrenjve, duke u hequr të drejtat që kishin fituar pas revolucionit, forcoi autoritetin e burrave mbi familjet e tyre, duke privuar gratë nga të drejtat individuale dhe duke injoruar qeverinë republikane.
Në të djathtën ekstreme në Francë, Napoleoni është një hero i pashoq. Për shumë të tjerë,trashëgimia e tij është një trashëgimi shqetësuese. Megjithatë, trashëgimia komplekse e tij nuk është unike për Napoleonin. Është fati i shumicës së figurave historike, qoftë Churchill, Jefferson apo Roosevelt, Ataturk apo edhe figurave shqiptare historike, të gjitha veprimet dhe besimet e të cilëve mbeten të kontestuara. Biografitë rrallë ndahen mirë në “të mira” ose “të këqija”. Megjithatë, shumë njerëz ndiejnë nevojën për ta parë historinë në terma të tillë moralë, për të pikturuar heronjtë dhe të dështuarit bardhë e zi, për të thjeshtuar të kaluarën si një mjet për të ushqyer nevojat e së tashmes. Historitë kombëtare në Shqipëri janë zbardhur prej kohësh, aspektet më të errëta janë errësuar dhe ato më të lavdishme janë ndriçuar. Kompleksiteti i historisë bie në kundërshtim me nevojat politike dhe morale të së tashmes. Në Shqipëri, politika është sporti kombëtar. Njerëzit ndjekin çdo lëvizje me interes të veçantë dhe diskutojnë veçoritë e lojtarëve politikë. Debatet në Parlament, me batuta dhe kundërthënie, shpesh vulgare por edhe të koduara, ofrojnë argëtim për popullin e varfër dhe të pashpresë.
Politikanët tanë të kohëve moderne kanë ngjashmëri, por edhe veçantitë e tyre, për mënyrën si e qeverisën vendin dhe degradimin e pushtetit të tyre. Ahmet Zogu dhe diktatori komunist kanë ngjashmëri për nga mënyra si erdhën në pushtet, por ndryshojnë tërësisht për drejtimin në të cilin e futën vendin. Ata të dy ishin diktatorë dhe e drejtuan Shqipërinë, ashtu si drejtohet në diktaturë, me kontroll absolut e me denime te ashpra, me ndalim te cdo mendimi ndryshe, organizimi e veprimi, që mund të rrezikonte pushtetin e tyre. Të dy i likuiduan pa mëshirë kundërshtarët politike, secili me mënyrat e me metodat karakteristike për kohën e tyre. Por kur flasim për mbretin Zog duhet të kemi parasysh hapat e rendësishëm që u bënë në kohën e tij, në ndërtimin dhe kompletimin e institucioneve të shtetit dhe të një legjislacioni me frymë perëndimore (pavarësisht se funksionimi e zbatimi në praktikë la shumë për të dëshiruar,për shkak të korupsionit të pushtetarëve e të injorancës së tyre), në vendosjen e autoritetit të pushtetit qendror dhe të ligjit, në të gjithë teritorin e vendit, duke i dhënë fund përçarjeve, tendencave patriarkaliste te sundimtarëve të vegjël injorantë, cifligarë e bajraktarë, që kërkonin te qeverisnin feudet e tyre, pronat dhe cifliqet e tyre,sipas rregullave që i vendosnin vetë, pa pyetur për ligjin, për pushtetin qendror dhe për detyrimet ndaj tij. Enver Hoxha i ktheu mbrapsht të gjitha arritjet madhështore të kohës së Zogut, ai përfundimisht e ndau Shqipërinë nga kultura perëndimore, si edhe zhduku pronën private dhe depersonalizoi njeriun, duke e kthyer Shqipërinë në një burg dhe kamp përqëndrimi për qytetarët e vet. Rritja ekonomike dhe e standartit të jetesës pas luftës, në kurriz të shpronësimit dhe burgosjes shtresës së pasur dhe intelektualëve, vetëm se rriti një ekonomi monstër, që do të dështonte dhe do të fuste vendin në varfëri dhe si pasojë shteti u shëmb si një ndërtesë pa themele. Argumenti se komunizmi në Shqipëri, por edhe kudo në botë, ishte thelbësisht në kundërshtim me natyrën njerëzore, dëshmoi se tiparet e natyrshme njerëzore si ambicia, interesi vetjak dhe konkurrenca e bëjnë pothuajse të pamundur krijimin e një shoqërie të bazuar në pronësinë kolektive dhe shpërndarjen e barabartë të burimeve, siç parashikohet nga ideologjia komuniste. E vetmja arritje që mendoj se duhet përmendur është rreshtimi i Shqipërisë me aleatët dhe fitorja e luftës nacional çlirimtare, por edhe kjo në kurriz të unitetit kombëtar si edhe në bashkërendim me shovinistët serb. Po ashtu Sali Berisha e funksionarë publikë e politikë kanë merita për përmbysjen e komunizmin dhe afrimin e vendit me komunitetin europian, por kur morën pushtetin nuk ndryshuan shumë nga Ahmet Zogu, me gjithëse Zogu drejtoi vendin një shekull më parë. Berisha e Rama u shndërruan shumë shpejt në diktatorë si edhe drejtojnë vendin dhe partitë e tyre si pronë private. Eksperienca botërore, por edhe ajo kombëtare na tregon një dukuri të përsëritur dhe një fenomen tipik se siç thotë Hegel : “Historia na mëson se njerëzit nuk mësojnë asgjë nga historia” dhe se njerëzit ose edhe liderët historikë mund të kalojnë nga ëngjëj në djaj me një lehtësi të pakuptueshme, por që është pjesë e natyrës njerëzore dhe si e tillë e pashmangshme nga individi. Është kjo arësyeja që shoqëria perëndimore, duke kuptuar dhe analizuar natyrën njerëzore, ka ngritur sisteme politike, ekonomike dhe juridike të tilla që pa kufizuar liritë dhe të drejat e njeriut, të kanalizojnë njeriun e thjeshtë apo edhe drejtuesit e kombeve apo botërorë, drejt një të mire të përbashkët, sigurisht pa pretenduar përsosmëri, sepse ne jemi thjesht qënie njerëzore irracionale dhe nuk drejtohemi nga arësyeja, por nga pasioni dhe shpesh arësyeja jonë bëhet skllav i pasionit dhe ne pa e kuptuar përfundojmë në anën negative të fenomeneve. Është kjo arësyeja që perëndimi ka ngritur një sistem të kontrollit dhe balancave si edhe të kufizimit të mandateve dhe konkurimit të hapur të kandidatëve. Vija e betejës midis të mirës dhe të keqes kalon nëpër zemrën e çdo njeriu dhe në varësi të kushteve në të cilave ndodhemi njeriu shfaq anën pozitive apo negative të tij. Politika duke qenë ambienti më toksik për të shfaqur anën negative njerëzore kërkon rregulla të qarta loje si dhe vëzhgim e pjesëmarrje masive nga shoqëria si edhe organizmat e shoqërisë civile. Nqs njerëzit intelegjentë dhe të përgjegjshëm nuk do të marrin pjesë në jetën politike të vendit atëhere ata duhet të pranojnë të udhëhiqen nga inferiorët e tyre. Ky është ligji i shoqërisë njerëzore dhe ai nuk na lë shumë hapësira për të zgjedhur. Të kuptuarit e arsyeve, pse kaq shumë francez janë të dyzuar në lidhje me trashëgiminë e Napoleonit, është e dobishme. Do të mund të jemi ne në Shqipëri njëlloj përceptues për figurat dhe ngjarjet tona?

Filed Under: ESSE

FESTË SHQIPTARE NË PHILADELPHIA

October 12, 2024 by s p

FESTË SHQIPTARE NË PHILADELPHIA.

Filed Under: ESSE

Rrëfimi i shkrimtarit

October 11, 2024 by s p

Lazer Stani/

Nganjëherë ne jemi shumë kërkues ndaj shkrimtarit: ngaqë e duam, kërkojmë që ai të na thotë gjithçka rreth vetes së tij, të gjitha hollësitë, të gjitha detajet, të gjitha të fshehtat e jetës. Eshtë një kërkesë ekstreme. Marrdhëniet njerëzore janë shumë komplekse, shumë të ndërlikuara. Ka të vërteta që ne u shmangemi, të vërteta që ne nuk duam t’i dimë. Shkrimtari vetë, nëse ka vendosur të shkruajë një libër me kujtime, apo një libër për vetën (autobiografi) tregon të vërtetat që ka andje t’i dëgjojë edhe vetë, jo ato të cilave u shmanget që të mos i takojë kund rrugës. Përzgjedhja e këtyre të vërtetave varet nga natyra e shkrimtarit, nga mënyra se si ai e koncepton jetën, botën. Megjithatë, kam përshtypjen, se në libra të tillë, gjithmonë ka diçka të pathënë, diçka që shkrimtari e merr me vete në botën tjetër, sikurse çdo njeri tjetër. Rrëfimi është një akt kristian që dëshmohet para syve të Zotit, jo para syve të robit. Por ne, prapëseprapë, duhet ta falenderojmë shkrimtarin për ato që na rrëfen.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT