• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Udhëpërshkrim me interes  i viseve shqiptare

August 15, 2024 by s p

Çdo botim nga autor të huaj, të cilët si subjekt kanë çështje të ndryshme nga hapësira etnogjeografike shqiptare, janë me interes për lexuesit të cilët kanë kureshtje për temat e trajtuara. Ne gamën e autorëve të tillë bën pjesë edhe Branisllav Nushiqi, ku kohë më parë të pëkthyer në shqip i është botuar libri  Nga Kosova deri në bregdetin Adriatik, ”Naimi”, Tiranë, 2021.

Nail  Draga

Kemi të bëjmë me një libër të veçantë  ku autori ka paraqitur shënime udhëtimi nëpër viset shqiptare  që janë shkruar në vitin 1894, dhe botuar për herë të parë në vitin 1903. Ndërsa në shqip na vjen i përkthyer nga gazetari e publicisti Fahri Musliu dhe botuar nga NAIMI, në Tiranë në vitin 2021.

Alkibijad Nusha(1864-1938) ka lindur në Beograd në familje tregtare vllahe, ku këtë emër e ka mbajtur deri në moshën 18 vjeçare, ku përcaktohet me emër e mbiemer  si Branisllav Nushiq. Ndonëse me profesion ka qenë jurist, por në opinion është i njohur me krijimtarinë e tij letrare. Ka shkruar romane, drama, tregime e ese. Eshtë marrë edhe me gazetari e diplomaci, dhe pozita drejtuese në institucionet e ndryshme kulturore si në Manastir, Novi Sad, Shkup, Sarajevë, Beograd etj.

Në lidhje me prejardhjen e tij përkthyesi F.Musliu ceken se Nushiqi nuk jep ndonjë shpjegim, por ai në Serbi konsiderohet shkrimtar serb me prejardhje vllahe. Por, F.Musliu  me tutje cekën se “sipas një miku timin,hulumtues i arkivave, mësoj se ka ekzisuar një letër testament  i Nushiqit dërguar të bijës së tij,ku ai flet për prejardhjen e tij shqiptare dhe se ky dokument ka ekzistuar në Arkivin e Kosovës, por tani nuk ekzison më. Një dokument të tillë  nuk e posedon as Arkivi i Serbisë, as Fondacioni i Nushiqit”. Pavarësisht këtyre të dhënave  apo të tjerave deri më tash nuk ka ndonjë konformim të saktë të prejadhjes së tij kombëtare, çështje e cila mbetën e hapur për hulumtime nga studiues të ndryshëm.

Nga opusi krijues i Nushiqit janë me interes edhe katër libra udhë-përshkrimesh që kanë të bëjnë me shqiptarët: “Kosova”(përshkrimi i tokës dhe popullit), “Nga Kosova e  deri në detin e kaltër”(versioni në gjuhën shqipe del botohet me titullin Nga Kosova deri në bregdetin Adriatik”), “Në brigjet e liqenit të Ohrit” dhe tregimin “Mbrëmjet e Ramazanit”.

Këtë libër duhet analizuar në kontekstin e kohës kur autori ishte zëvendes konsul në konsulatën serbe në Prishtinë. Kemi të bëjmë me një autor i njohur si shkrimtar, e në veçanti si dramturg, por edhe intelektual i cili na ofron pikëpamjet e veta në lidhje me rrethanat shoqërore e politike në Vilajetin e Kosovës dhe më gjerë.

Autori i këtij botim dëshmon se ka qenë i informuar për botime nga autor të ndryshëm të cilët kanë shkruar për Kosovën dhe shqiptarët, të cilët i ka cituar në raste të veçanta. Pavarësisht se kemi të bëjmë me një udhëpërshkrim i cili daton për vitin 1894, të dhënat e prezantuara duhet kuptuar nga qasja e autorit i cili ishte në shërbim të diplomacisë serbe. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse Serbia në atë kohë në Kosovë kishte shërbimin konsulor në Prishtinë, ku bënte pjesë edhe vet B.Nushiqi, në cilësinë e zëvëndes konsulit.

 Andaj, interesimi i veçantë për shqiptarët dhe pjesëtarët e popujve të tjerë në Kosovë dhe me gjerë e sidomos serbet dhe ortodoksët  nuk ishte rastësi, por strategji e politikës dhe e diplomacisë serbe të kohës.  Duhet kuptuar se Nushiqi në cilësinë e diplomatit shtetëror ai ishte i detyruar t´iu përmbahet politikës së jashtme të shtetit që përfaqësonte dhe të qendrimeve të tij  ndaj shqiptarëve dhe hapësirës etnogjeografike shqiptare.

Në këtë udhëpërshkrim autori fillon nga Kosova, përkatësisht Prishtina, duke vazhduar tutje në qytete e vise shqiptare e përfunduar në detin e kaltër që ishte ëndrra e politikës serbe për dalje Adriatik. Të dhënat e prezantuara janë komplekse si nga aspekti gjeografik, historik, etnografik, antropologjik dhe të raportëve shoqërore, kombëtare e fetare, nga del se kemi të bëjmë me një autor i përgatitur me njohuri përkatëse por edhe me qasje intelektuale për çështjet e trajtuara.

Por, duke lexuar këtë libër lexuesi  për shumë çka  nuk mund të pajtohet me  qasjen e autorit, por duhet kuptuar se ky udhëpërshkrim ishte sipas  konceptit të politikës serbe të kohës. 

Nga ajo që njohim deri më tash del qartë  se Nushiqi është shkrimtari dhe diplomati i parë dhe i vetëm me prejardhje jo serbe që aq shumë është marrë  me shqiptarët dhe viset shqiptare, që, ndoshta flet edhe për interesimin dhe përpjekjet që të zbulojë edhe prejardhjen e tij etnike.

Përkthyesi i këtij botimi F.Musliu nuk  ka hezituar për të dhënë shënime   plotësuese për çështje të veçanta, duke iu lëhtesuar lexuesve për të kuptuar me lehtë tekstin e prezantuar. Por, duke marrë parasysh se në këtë botim janë evidentuar një numër i madh i emërvendeve gjeografike, disa kanë mbetur të shënuara  në formën sllave, pa prezantuar  formën tradicionale qe përdorët nga popullsia shqiptare, andaj në ribotimin eventual të këtij libri duhet të përmirësohen.

C:\Users\123456\Desktop\nga-kosova-deri-ne-bregdetin-adriatik.jpg

Nuk ka dilemë se lexuesi shqiptar me përkthimin e këtij libri në shqip ka mundësi që të njihet më për se afërmi, me një vepër pak të njohur të autorit  e cila ofron të dhëna me interes për hapësirën shqiptare.

Ndonëse kemi të bëjmë me një botim i cili është udhëpërshkrim, ky libër  ofron të dhëna me interes për hapësirën etnogjeografike shqiptare, të shkruara me mjeshtri nga autori, në fund të shek.XIX, dhe si i tillë për disa çështje  mund të përdoret si referencë nga studiues të ndryshëm.

Branisllav Gj.Nushiq, Nga Kosova deri në bregdetin Adriatik, Botoi:”Naimi”, Tiranë, 2021

(Gusht  2024) 

Filed Under: ESSE

INTERPRETIME DHE NJË FABUL ME KUAJT E DIKTATURËS

August 15, 2024 by s p

Nga Dr. Jani Gjoni

C:\Users\User\Downloads\IMG_9036.jpg

Në një nga librat që kam lexuar së fundmi, ”The Devil’s Chessboard”, theksohet se shkrimtarët e mëdhenj në vëndet komuniste u përdoren gjërësisht në interes të propogandës shtetërore.  Ne, lexuesit e thjeshtë, ishim konsumatorët e propogandës së ndërtuar me shumë kujdes e mjeshtëri nga këta shkrimtarë të mëdhenj. Metaforikisht unë do t’i krahasoj me kuajt që tërhoqën karrocën e komunizmit, me dëshirë na u dukën dhe përkushtim të lartë.

*  *   *

Adhurimi për kuajt për mua lidhet dhe me fëmininë. Fëmijëria dhe rinia ime ishte para viteve 90-të, jeta jonë pikturohej nga propoganda e kohës is një përrallë që ne vetëm duhej ta ëndërronim dhe kjo mjaftonte për të jetuar me “hov revolucionar”, epokën e përshkruar kaq bukur nga poetët dhe shkrimtarët tanë të talentuar. Emocionet dhe shkëndijat që ato krijuan në vetëdijen tonë të përbashkët bënë të mundur brumosjen tonë me mësimet e Partisë dhe të shokut Enver. 

Nëpër vargjet e poemave epike si “Shqiponjat fluturojnë lart”, “Baballarët”, “Pranvera e madhe”, etj, ne kërkonim rrënjët e Partisë sonë të lavdishme, himnizonim heroizmin e saj dhe lartësonim emrin dhe figurën e udhëheqësit të madh Enver Hoxha. Po flas me gjuhën e atëhershme.

Unë si dhe shumë shokët e mi ishim lexues maniak, të fokusuar në leximin e çdo libri që dilte në libraritë e qytetit e në bibliotekën e shkollës. Të etur për dije, art e shkencë, aq sa ishte e mundur e lejoheshin, besonim në emrat e autorëve tanë të mëdhenj si burimet të besueshme të informacionit dhe inteligjencës në krijimtarinë e tyre. 

Ne i shikonim ato me krenari se na mësonin se si të mendonim e të besonim. Këto libra bëheshin drama e filma të propaganduar me të madhe e ne përplaseshim nëpër biletaritë e qytetit për të blerë një biletë. Ato na bënë të mundur të krijonim fantazitë tona njëlloj si në legjenda për fuqinë e vëndit tonë përballë stuhive armiqësore të Lindjes dhe Perëndimit. Filmat me luftë, që nga “Furtuna”, prodhuar bashkë me sovjetikët e më pas me realizimet e mëvonshme me forcat tona si “I teti në bronz” sipas romanit “Komisari Memo” të Dritëro Agollit, “Radiostacioni” sipas romanit “Nëntori i një kryqyteti” të Ismail Kadaresë, etj, apo filmat e ndërtimit të socializmit, “Komisari i dritës” sipas poemës “Mësuesi” të Lazar Siliqit, lufta kundër revizionizmit sovjetik “Ballë për ballë”, i ndërtuar nga romani “Dimri i Madh”, që bashkë me librin, etj, na krijuan bindjen për forcën dhe pathyeshmërinë e Shqipërisë Socialiste nën udhëheqjen e Partisë me shokun Enver në krye, urrejtjen për gjithçka të huaj dhe luftën e klasave, që do të pushonte veç në komunizëm. Si të vegjël që ishim, shpesh imitonim skena të ndryshme në lojrat tona të luftës, me zbulues, me heronjtë e socializmit: Kanan Tafili, Mato Gruda, Coli, Tomka, Deda fillronjtës, Besniku, Adem Reka që vritet, por shpëtoi bigën, Shkurta që bie në ndërtimin e hekurudhës, poezitë kushtuar atyre, që nga Kadare e që botoheshin dhe në gazetën e Partisë. Ne duhej të imitonim. 

Duke marrë shkas nga shumë shkrime dhe artikuj që janë botuar kohët e fundit, shihet në to qartë përpjekja për të shpikur interpretime të pa imagjinueshme të librave të botuar në kohën e komunizmit. Në këta artikuj të shkruar jo keq ashtu si edhe librat në atë kohë, që shkruheshin dhe bukur, por nuk po trajtoj këtë çështje tani, por pretendimet që ata ia kanë hedhur çensurës me një finesë që vetëm pak njerëz e kanë kuptuar qëllimin e tij kundër Partisë dhe shokut Enver. Shëmbull merret Kadare, më saktë vetëm ai si më talentuari dhe që paskësh qenë me fat se ky grup i vogël me intelekt të veçantë ishte kundër kohës dhe nuk e spiunuan. Sot është e lehtë të fantazosh çdo gjë se je i lirë dhe interpretimet nuk të rrezikojnë nga asnjë dënim, aq më tepër që shumë nga këta kanë ikur dhe jetojnë në demokracitë Per:endimore, por kjo nuk i bën nder të v:ertetës, as Kadaresë, është e kuptueshme përpjekja dhe konformizmi për mbijetesën si shkrimtar profesionist me të gjitha privilegjet e mundshme, famë, daljet jashtë shtetit, deputet, anëtar partie, nënkryetar i Fronit Demokratik, me kryetare gruan e diktatorit, etj, dhe sot disident i tyre, por kjo i shërben diktaturës së dikurshme duke e nxjerrë atë kështu të butë, të arsyeshme dhe liberale, siç e thotë dhe vetë Kadareja diku, kur ajo, diktatura, nuk lejonte asgjë të këtij lloji, kur ndonjë disident apo kundërshtar shfaqej sado pak, burgosej menjëherë apo edhe pushkatohej. Të arrihet deri aty sa të pretendohet se kuajt e Lidhjes së shkrimtarëve ishin pararendësit e demokracisë dhe drita për shpëtimin e inteligjencës së Shqipërise në komunizëm është një kurajo e madhe për të mos thënë marrëzi e madhe. Një rresht i vetëm në një libër të tyre, jashtë kontekstit, e përkthejnë si dissidence?1 Po ajo mund t’i jetë lejuar ndonjërit nga shkrimtarëve në krye për të dhënë këtë ide të rreme, mashtrim si gjithçka në diktaturë. Shteti i diktaturës nuk lejonte të dilte asgjë kundër saj, shtëpia bouese ishte e saj, media, televizoni, librat, po ashtu, edhe artistët ishin të Partisë-shtet. Duhet ta pranojmë, edhe si vlerësim për të sotmen, që dëmi që këta kuaj të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Realizmit Socialist bënë me veprat e tyre, nuk i justifikon përpara histories dhe së ardhmes. Ata punuan për të krijuar Njeriun e Ri, të denatyruar, si rrjedhojë ndihmuan hapur në depersonalizimin e individit, i bënë njerëzit me hije, me dy fytyra duke u dhënë një ushqim të helmuar me ideologji për shpirtrat e tyre të pafajshem. Të gjithë janë përgjegjës, aq sa janë, për këtë tragjedi të ndërgjegjes kombëtare, së pari sundimtarët dhe doktrina e tyre dhe patjet:e dhe ata, kuajt e mëdhej të Lidhjes, që morën më shumë privilegje. “Nuk na hedhin më hi syve sot, le t’i mbajnë në zemrat tyre, nuk na gënjejnë dot, përveç vetes së tyre”, – po më thoshte me të drejtë një shok imi, lexues në dy kohë. Si reagim i një artikulli të tillë vetëmashtrues nga ata që duan të vetëmashtrohen dhe tani,  rrëmbimthi hodha në letër si me postë një parabol:

Kuajt në fëmini, jo vetëm timen…

Kur isha i vogël rreth 10 vjeç në qytetin tim të pastër dhe të vogël në verilindje të vëndit, karrocat me kuaj të tregëtisë dhe komunales shiheshin kudo nëpër rrugë e sheshe. Karrocierët i mbanin me kujdes dhe zbukurime të veçanta, ata bënin garë se  kush kishte karrocën më të bukur. Por kuajt ishin të dobët, të pa ngrënë, dukeshin si të ngordhur, dhe sado e bukur të ishte karroca, ajo ecte ngadalë, tundej nëpër gropa  dhe na vinte keq për kuajt e vuajtur. Shpesh u hidhnim bukën qe kishim marrë me vete në shkollë. Kur u godit grupi armiqësor në ushtri, pamë se karrocat e zbukuruara po tërhiqeshin nga disa kuaj të rinj, të veçantë, të lartë e të fuqishëm. Nga erdhën? Karrocierët iu kthyen përsëri garave të shpejtësisë e më me entuziazëm nëpër qytet. S’kishim shumë argëtime të tjera. Nga patkonjtë e tyre kur përplaseshin me shumë zhurmë, shikonim shkëndija. Midis tërë atyre kuajve të bukur arabë, dy ishin më të veçantë për mua. “Korabi” ishte i bardhë me një gri të lehtë, më i larti ndër të gjithë dhe me një ecje elegante e fisnike që nuk kishte të krahasuar. Dukej sikur na thoshte: “Mos më ngatërroni mua me të tjerët, unë jam i përzgjedhur” Ishte. Përflitej se kishte qenë kali i ministrit të pushkatuar, Beqir Ballukut. Por mua zemrën ma mori “Çajupi”, një kalë i kuq me një larë të bardhë në mes të fytyrës dhe me nga një vijë të bardhë në çdo këmbë. “Çajupi” ishte i fuqishëm, shtatlartë, nuk e mora vesh i kujt të pushkatuari kishte qenë, por ai tërhiqte karrocën bashkë me “Korabin”. Kur ecnin me shpejtësi, edhe kuajt garonin mes tyre. Dukej sikur “Çajupi” donte të më tregonte se nuk isha gabim që e kisha zgjedhur si të preferuarin tim. Në qytetin tim sollën dhe kuaj të tjerë, të gjithë të kuq, vetëm një ishte i bardhë. Më kujtohet shumë mirë, asnjë i zi. Pas një viti, edhe këta kuaj të ardhur u dobësuan, u bënë si të tjerët. Karrocat nuk bënin më gara, ndonëse ato vazhdonin të zbukuroheshin sipas kohës dhe mundësive të karrocierëve, që s’ishin pronarë të tyre. Prona ishte e ndaluar. 

Filed Under: ESSE

CAR PUTINI DHE BOSHTI (KRIMINAL) “I QËNDRESËS”

August 14, 2024 by s p

Nga FEDERICO RAMPINI – “Corriere della Sera”, 7 gusht 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika.

Boshti i së Keqes, version 2.0. Rusia furnizon me armë Iranin, për t’u siguruar se nuk do t’i mungojë fuqia e zjarrit në përshkallëzimin e konfliktit. Shprehja “Boshti I së keqes”na kujton ngjarje të shkuara shumë të këqija. Qe Georg W. Bush, mbas sulmeve të 11 shtatorit 200, të përmblidhte n’atë koalicion të armiqve të botës së lirë Iranin e ajatollahëve, Irakun e diktatorit Saddam Hysen, dhe mbretërinë komuniste të Koresë së Veriut. Nuk I solli fat askujt. Mbas pak kohe vendimi për të mësyer Irakun – të paditur pa të drejtë për bashkëpunim me Al Kaedën në atentatin kundrejt Kullave Binjake – qe fillimi i një kapitulli rrënimtar në politikën amerikane në Lindjen e Mesme.

Çfarë është ajo që sot teokracia shiite e Teheranit e quan Boshti i Qëndresës? Një bashkësi forcash të mbledhura nga fanatizmi fetar, urrejtja për Perëndimin e liritë tona; të vendosura për të kryer edhe ploja civilësh (përfshirë edhe civilët e tyre) mjaft që të imponojnë një synim mesianik. Një lidhje bashkon torturat e kryera mbi feministet në burgjet iraniane, përdhunimet e grave dhe masakrat e fëmijëve hebrej të bëra nga Hamasi, shkatërrimin e ish parajsës libaneze nga ana e Hesbollahut, mjerimin e llahtarshëm në të cilin mbahet populli jemenit nëpërmjet shtypjes së Hutëve.

Nëse bëhet fjalë për Boshtin e Qëndresës, sigurisht i ka qëndruar çdo mundësie të përparimit, përhapjeje së mirëqënies, të arsimit, të të drejtave. Mjafton të krahasohen kushtet e jetës së popullsive që bëjnë pjesë në këtë Bosht të Qëndresës me revolucionin e heshtur të zhvilluar në një pjesë të botës arabe: nga Maroku në Arabinë Saudite duke kaluar përmjet Emirateve e Katarit. Asnjë prej këtyre Shteteve nuk është një demokraci, kanë të gjithë regjime autoritare, por kanë përqafuar projekte laiçizimi, kanë kufizuar mujshinë e klerit, i kanë dhënë më shumë të drejta grave, kanë përmirësuar kushtet ekonomike të shumëve edhe se jo të të gjithëve. Boshti i Qëndresës nuk i qëndron vetëm imperializmit amerikan dhe sionizmit; në të vërtetë është një grumbullim forcash kriminale, që vrasin që në lindje çdo shpresë lirimi të popujve të tyre.

Rusia nuk ka qenë e rrjeshtuar me fuqitë e islamizmit prapanik, reaksionar e shtypës. Kur ishte ende Bashkim Sovjetik mbështeti krijimin e Shtetit të Izraelit dhe njohjen e tij në OKB. Përkrahu regjime laikë e kundërklerikalë si Naseri n’Egjypt dhe vetë Saddam Hysenin. I luftoi muhaxhidinët islamikë në Afganistan. Putini i a detyron ngjitjes së tij fillestare në pushtet egërsisë së pamposhtur me të cilën shtypi kryengritjen myslimane në Çeçeni.

Shndërrimi i tij i fundit në dobi të Boshtit të Qëndresës është i detyruar nga oportunizmi, leverdia taktike, shkëmbimi i favoreve. Ka një ngjasim me aleancën ndërmjet Iranit dhe palestinezëve. Në 1979, kur ajatollah Komejni imponoi teokracinë e tij në Teheran, asgjë nuk e detyronte të lidhej me udhëheqësin e OÇP, Jaser Arafatin , një kombëtarist laik që nuk i besonte fetarëve. Komejni e gjeti të leverdisëshëm përvetësimin e çështjes palestineze për synimin e tij: të rindërtonte një imperializëm persian në dëm të kombeve arabo-sunite, kryesisht kundër mbretërisë saudite. Të shpallej mbrojtës i palestinezëve e të premtonte vdekjen e Izraelit, qe një zgjedhje e cinike e Komejnit për qëllimet e tij të zotërimit gjeopolitik në Lindjen e Mesme; nuk i ka sjellë fat palestinezëve.

Në kapitullin e parafundit të kësaj ndodhie Irani i ka dërguar armë Rusisë – raketa e drone – për të vazhduar luftën e saj të agresionit në Ukrainë. Qe një mbështetje ushtarake e çmuar, po aq sa dhe ajo e Koresë së veriut (kush shihet: Boshti i së Keqes i Bushit të Ri?) dhe ajo e maskuar por e fuqishme e Kinës. Putini ka dërguar me mision në Teheran këshilltarin e etij strategjik, Sergej Shoigu, për të saksionuar shkëmbimin e favoreve: ashtu sikurse Irani e ka furnizuar me armë për të përndjekur popullsinë civile ukrainase, tani Rusia dërgon sisteme të mbrojtjes kundërajrore Rojeve të revolucionit islamik. Por shkëmbimi është më i gjërë, përtej shkëmbimeve ushtarake zgjerohet në një interes strategjik.

Për Putinin ploja e Hamasit e 7 tetorit 2023 ka qënë një dhuratë e mrekullueshme: ka zhvendosur para dhe kujdes të Shteteve të Bashkuar kundrejt një fronti të ri, duke pakësuar zotimin për Ukrainën. Putini ka interes që lufta në Lindjen e Mesme të zgjerohet e të përjetësohet, prej nga vjen mbështetja për Iranin, klasa drejtuese e të cilit mbetet gjithmonë besnike e tre misioneve të shenjta të trashëguar nga Komeini: shkatërrimi i Izraelit, përzënia e Amerikës nga Lindja e Mesme. pushtimi i Mekës e Medinës duke i hequr sauditëve vëndet e shënjta të Islamit. Xi jinping deri tani ka mbajtur një qëndrim të ndryshëm nga Putini. Sigurisht Republika Popullore – që nuk nguron të internojë në “kampet e riedukimit” myslimanët e saj ujgurë për t’i hequr nga koka besimin e tyre fetar – mban marrëdhënie të shkëlqyera me Iranin prej të cilit importon shumë naftë.

Por dy nisma të fundit të diplomacisë kineze janë pohenike: Pekini ka ndërmjetësuar për rivendosjen e lidhjeve diplomatike ndërmjet Iranit dhe Arabisë saudite; e këshillat e tij të mira kanë lejuar një afrim, në letër, ndërmjet tarafeve të ndryshme palestinezë, përfshirë Hamasin dhe Autoritetin e Cisjordanisë. Duhet shpresuar që takimi i nivelit të lartë të kombeve islamikë – me praninë e një dërgate iraniane në kryeqytetin saudit – të verë më së fundi në lëvizje një nismë diplomatike arabe, e cila deri tani nuk ka qënë në lartësinë e tragjedisë së Gazës. Jam përqëndruar në boshtin Rusi-Iran për të vendosur n’atë histori misionin e Shoigut. Nuk do të thotë se të tjerë aktorë nuk kanë përgjegjësi të llahtarëshme. Disa mjedise izraelianë duket se miklohen nga fakti se zhdukjet e zhurmëshme të drejtuesve të Hezbollahut e të Hamasit kanë rivendosur një “frikësim” që ishte shëmbur më 7 tetor. Është më mirë të kujtohet një rregull e organizatave të rrjetëzuara, siç janë shumë milici xhihadiste: “Të gjithë drejtuesit janë numëra dy”

“Corriere della Sera”, 7 gusht 2024 Përktheu Eugjen Merlika.

Filed Under: ESSE

POEZIA E BARDHYL LONDOS

August 13, 2024 by s p

Lazer Stani/

Gjeografia e poezisë së Bardhyl Londos është e gjerë, ajo shtegton nga Maki i de Radës në Ulqin, nga Parga në Lodevë, nga vendlindja në qytetin e madh, në të cilin nuk mund të vrasësh as veten, e për të cilin nuk është e denjë as vdekja. E tillë është edhe dhembja, tragjizmi që e shoqëron këtë poezi, zhgënjimi që të shkakton ekzistenca në një botë me Dhjatë të përmbysur. Dhe që të kesh dhimbje të mëdha në shpirt, duhet të kesh dashuri të mëdha, që të kesh zhgënjim tragjik, duhet të kesh pasur shpresa të mëdha gjithashtu, siç shprehet Ernesto Sabato.

Kjo dashuri e madhe për njeriun dhe për jetën ndihet në të gjitha poezitë e librit, si një nënshtresë e thellë, mbi të cilën projektohet dhe mbahet poezia e Londos, e sigurt dhe mbi themele të forta. Sepse vetëm ajo poezi dhe ai art në përgjithësi, që ngrihet mbi themele të thellë dashurie është poezi dhe art i qëndrueshëm, i pavdekshëm. Ngrehinat e urrejtjes mbyten nën peshën e gurëve të vet të zinj.

Ata që e njohin poezinë e Londos, qofshin këta poetë, studiues, kritikë apo lexues, e dinë me kohë se poezia e tij shquhet për bukurinë e fjalës poetike, për sintaksën e zgjedhur, për pasurinë e shprehjeve, metaforave, simboleve, krahasimeve, për ritmin e brendshëm, për muzikalitetin, strukturën e veçantë, kërkimin e vazhdueshëm, që shpesh ngjan me një lojë eksperimentale, por që gjithnjë ia del të na befasojë me stilin e përvetshëm dhe estetikën qartësisht të dallueshme. Tek “Shën Shiu” përveç shushurimës së shiut që ndihet sikur bie mbi një pyll shelgjishtesh dhe ti gjendesh i strehuar nën trungun e një druri, kemi një shkrirje të dy dialekteve të shqipes, atij gegë me atë toskë, duke krijuar një gjuhë të re, me efekt emocionues poetik, befasues dhe të patakuar askund më parë.

Filed Under: ESSE

Panaire botërore

August 12, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Panairi i parë botëror, i njohur si Ekspozita e Madhe, u zhvillua në Londër në vitin 1851. I mbajtur në Pallatin Kristal – një sallë masive ekspozimi prej qelqi dhe hekuri – panairi shfaqi mrekullitë e industrisë dhe shkencës, si dhe vepra artizanale dhe arti nga e gjithë bota. Që atëherë, më shumë se 100 panaire botërore janë mbajtur në mbi 20 vende dhe shpikje të panumërta kanë bërë debutimin e tyre në këto ngjarje masive, nga telefoni te karamele pambuku. Megjithëse panairi botëror ka rënë në popullaritet në Shtetet e Bashkuara, ai mbetet i popullarizuar në pjesën më të madhe të botës. Ekspozita Kolumbiane e Botës 1893 në Çikago (e emërtuar për nder të Christopher Columbus) ishte një mundësi për shitësit e ushqimit. Por H.J. Heinz – një furnizues amerikan i turshive dhe ketchup-it – ishte i frustruar me vendosjen e kabinës së tij. Ndërsa kati kryesor shfaqte ekspozita ushqimore nga Gjermania, Britania e Madhe, Meksika dhe vende të tjera, Heinz mbeti i mbërthyer në katin e dytë ku kishte pak trafik. Ai hartoi një plan marketingu që premtonte një çmim falas për këdo që vizitonte stendën e tij: një karficë të vogël plastike jeshile. Turmat që u dyndën në kabinën e tij ishin aq të mëdha sa thuhet se dyshemeja u ul rreth ekranit. Deri në fund të ekspozitës, Heinz kishte dhuruar më shumë se 1 milion kunja turshi, duke hapur rrugën që marka e tij të bëhej një emër i njohur.

Inkubatorët e foshnjave filluan si një atraksion karnaval.

Inkubatori i foshnjave – një pajisje shpëtimtare në të cilën mund të zhvillohen foshnjat e parakohshme ose të sëmura – u shpik në shekullin e 19-të nga mjeku obstetër francez Stéphane Tarnier, i cili e mori idenë pasi pa zogjtë e vegjël që inkuboheshin në një kopsht zoologjik. Shpikja u miratua gjerësisht dekada më vonë, falë punës së dy burrave, Pierre Budin dhe Martin Couney. Të vendosur për të popullarizuar teknologjinë novatore, Budin dhe Couney shfaqën gjashtë inkubatorë të kompletuar me foshnja të vërteta premature në Ekspozitën e Madhe Industriale të Berlinit të vitit 1896, në një ekspozitë që ata e quajtën “Child Hatchery”. Ekspozita ishte aq e popullarizuar sa Couney vazhdoi të ngrejë një ekspozitë të përhershme në një vend të pamundur: parkun argëtues Coney Island në Nju Jork. Për katër dekadat e ardhshme, Couney menaxhoi një njësi të kujdesit intensiv neonatal që shpëtoi mijëra foshnja ndërsa u dyfishua si një atraksion karnavalesh. Pavarësisht se nuk është një mjek i licencuar, Couney tani vlerësohet gjerësisht me adoptimin e inkubatorit të foshnjave në mjekësinë e zakonshme.

Ekspozita Pan-Amerikane e vitit 1901 u mbajt në Buffalo, Nju Jork, dhe shfaqi shumë përparime të fundit në shkencë dhe teknologji. Por ishte edhe vendi i tragjedisë. Ndërsa përshëndeti publikun në panair, presidenti i SHBA William McKinley u qëllua dy herë nga një anarkist i quajtur Leon Czolgosz. Plumbi i parë goditi vetëm McKinley-n, por plumbi i dytë e goditi atë në stomak dhe ekipi mjekësor nuk mundi ta gjente. Siç do ta kishte fati, një nga makineritë e reja me rreze X të Thomas Edison u ekspozua në panair. Edison kërkoi një asistent të sillte një makinë në shtëpinë ku po qëndronte McKinley, por ekipi mjekësor vendosi që gjendja e Presidentit ishte shumë e paqëndrueshme për t’iu nënshtruar procedurës me rreze X dhe pajisja nuk u përdor kurrë. McKinley ndërroi jetë një javë më vonë, duke bërë që disa të pyesin nëse shpikja e Edisonit mund t’i kishte shpëtuar jetën.

Çikago thuajse u bë shtëpia e një kulle më të madhe se Eifel, por në vend të saj mori një rrotë Ferris

Katër vjet pasi Kulla Eifel u ndërtua për Ekspozitën Ndërkombëtare të Parisit të vitit 1889, një komitet i Çikagos filloi të planifikonte panairin e tij botëror, duke kërkuar ide nga arkitektët amerikanë që do t’ia kalonin kullës së Eiffelit, Propozimet përfshinin një kullë 1,500 këmbë të bërë nga trungje dhe atë që do të ishte kulla e parë bungee. Arkitekti i Kullës Eifel, Gustave Eiffel, madje ofroi të ndërtonte një version më të madh të monumentit të tij adash. Në vend të kësaj, komiteti i Çikagos zgjodhi diçka unike: rrotën e parë të Ferrisit në botë, e ndërtuar dhe emëruar për George Washington Gale Ferris Jr. Me diametër 250 metra dhe e ulur në majë kullash 140 metra të larta, rrota e Ferrisit i çoi kalorësët më lart se kurorën e Statujës së Lirisë.

Ndërsa rrota origjinale e Ferrisit në Çikago që atëherë është zëvendësuar nga Rrota Centennial, vizitorët nga e gjithë bota vazhdojnë të shijojnë trashëgiminë arkitekturore të panairit botëror në Navy Pier.

Në 1883, një socialiste amerikane e quajtur Josephine Cochrane u zhgënjye me detyrën e lodhshme të larjes së porcelanit të mirë që përdorte për të argëtuar mysafirët. Ajo u zotua: “Nëse askush tjetër nuk do të shpikë një makinë larëse enësh, unë do ta bëj vetë”. Në 1886, Cochrane mori një patentë për makinën e saj të larjes së enëve, e cila mund të lante dhe thante deri në 240 enë në dy minuta me përdorimin e saj inovativ të presionit të ujit. Megjithatë, Cochrane luftoi për të shitur shpikjen e saj për shkak të kostos së lartë të prodhimit, si dhe seksizmit të kohës; Investitorët e mundshëm donin që Cochrane të jepte dorëheqjen dhe t’ua kalonte kontrollin e kompanisë së saj burrave. Ekspozita Kolumbiane Botërore e 1893 në Çikago i dha asaj platformën që i nevojitej – pasi demonstroi publikisht makinën e saj, Cochranet iu dha çmimi më i lartë i ngjarjes, për “ndërtimin më të mirë mekanik dhe përshtatjen me linjën e saj të punës”. Porositë nga restorantet dhe hotelet në të gjithë rajonin u rritën në qiell, duke hapur rrugën për pjatalarëse moderne.

Është e lehtë të supozohet se biseda me video është një shpikje e fundit që erdhi së bashku me ardhjen e internetit. Por teknologjia e video chat-it ka një histori më shumë se gjysmë shekulli. Kontakti i parë i publikut me video-chat ishte në Panairin Botëror të 1964-ës në Nju Jork, ku Bell Labs debutoi një “telefon me foto” që u mundësoi pjesëmarrësve të panairit të bënin telefonata me video me të huaj në të gjithë vendin në Disneyland të Kalifornisë. U krijuan rreshta të gjata dhe Bell Labs (së bashku me kompaninë e saj mëmë, AT&T) besuan se teknologjia do të ishte një sukses komercial, me drejtuesit që parashikonin që një milion komplete fotofonike do të shiteshin deri në vitin 1980. Mjerisht, pajisja dështoi të ngrihej, kryesisht për shkak të çmimit të lartë. Bell Labs u përpoq të shfaqte përsëritje të ndryshme të fotofonit në dekadat në vijim, por vetëm me ardhjen e internetit, biseda me video më në fund mori hov.

Sot, termi “vaj i gjarprit” nënkupton mallra mashtruese dhe marketing mashtrues, dhe gjithçka filloi me një njeri të quajtur Clark Stanley, i mbiquajtur “Mbreti i gjarpërinjve me zile”. Stanley prezantoi një produkt “vaji i gjarprit” për publikun amerikan në Ekspozitën Kolumbiane Botërore të 1893 në Çikago, duke pretenduar se kishte mësuar për të nga mjekët Hopi. Si pjesë e një demonstrimi dramatik të drejtpërdrejtë, ai hapi një gjarpër zile dhe e zhyti në ujë të valuar, duke hequr yndyrën që u ngrit në sipërfaqe për të krijuar “Vajin e Gjarprit të Stanley”. Spektatorët u mahnitën dhe produkti i Stanley u bë një hit i menjëhershëm. Por ndërsa vaji i disa gjarpërinjve, si gjarpërinjtë kinezë të ujit, kanë veti medicinale, vaji nga shumica e gjarpërinjve vendas në SHBA nuk kanë. Për më tepër, produkti i Stanley u zbulua më vonë nga FDA se nuk përmbante fare vaj gjarpri, por më tepër yndyrë viçi, piper të kuq dhe terpentinë, duke e bërë përgjithmonë vajin e gjarprit sinonim të mashtrimit.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT