• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria po shkon drejt një diktature demokratike!

August 9, 2024 by s p

Besim Ndregjoni/

Shkëlqesi z. ambasadore, Nancy VanHorn! E ngarkuara me punë në ambasadën amerikane në Tiranë! Më lejoni t’ju shpreh mirënjohjen time të thellë dhe t’ju uroj mirëseardhjen në Tiranë! Ardhja juaj në Shqipëri na gëzon për vetë faktin që ju, sipas mesazhit tuaj, që përcollët nga ambasada keni shërbyer si diplomate në shumë vende të Europës Juglindore dhe keni njohur regjimet komuniste, ku Shqipëria gjatë 50 viteve është sunduar nga regjimi stalinist, kur Europa e kishte dënuar që në vitin 1956, Shqipëria nuk e ka dënuar atë regjim gjenocidal, por kaloi direkt në sistem pluralist dhe ka tri dekada që nuk e dënon krimin komunist, kjo falë edhe heshtjes së përfaqësive diplomatike të akredituara në Shqipëri! Nisur nga mesazhi i juaj miqësor dhe si përfaqësuese e vendit më demokratik në botë, si përfaqësuese e vendit të Marting Luterkingut, po ju drejtohemi dhe po ju përgjigjem mesazhit tuaj të tri pyetjeve:

Ju sjell në vëmendjen tuaj bilancin e krimit komunist, që ka ndodhur në vendin tim, sipas statistikës shtetërore:

-Të ekzekutuar për motive politike, 5037 burra dhe 450 gra.

-Të dënuar me burgosje politike, 21.788 burra dhe 7367 gra.

-Të internuar për motive politike, 48.217 burra dhe 10.792 gra.

-U dëbuan nga qytetet kryesore dhe nga zonat kufitare 11.536 familje.

-U pushkatuan apo vdiqën në burgjet shqiptare 64 shtetas të huaj.

-U burgosën 1215 burra dhe 38 gra të huaja me kombësi joshqiptare.

-95 shqiptarë kosovarë që ndodheshin në Shqipëri u pushkatuan.

-U ekzekutuan dhe u burgosën klerikë katolikë 120 veta.

-U ekzekutuan dhe u burgosën klerikë bektashianë 83 veta-

-U ekzekutuan dhe burgosën klerikë myslimanë 60 veta.

-U ekzekutuan dhe burgosën klerikë ortodoksë 39 veta.

-U shkatërruan dhe u mbyllën 2169 institucione fetare.

-Xhami 740, kisha manastire ortodokse 608, kisha manastire katolike 157, teqe, tyrbe 530.

-Mbi 6000 të pushkatuarve me gjyq dhe pa gjyq mbas 34 vitesh nuk u janë gjetur eshtrat.

Dhe këto familje po vuajnë prej tri dekadash që nuk kanë një varr në tokën e tyre se diktatura u ka zhdukur kufomat… Ky është bilanci i një krimi të padënuar dhe sot mbas 34 vitesh në Shqipëri, ka vetëm heshtje shtetërore. Do të ishim të lumtur, ne, të mbijetuarit e diktaturës që ju të vizitoni të parin vend: 1.Kampin burg të Spaçit, ku u organizua revolta e parë antikomuniste në mbrojtje të identitsetit kombëtar. Flamuri pa yllin sovjetik dhe në mbështetje të lirisë duke pasur udhërrëfyes SHBA-të. 2.Burgun politik të Burrelit, ku diktatura komuniste vrau elitën e kombit shqiptar! 3. Kampin shfarosës të Tepelenës, ku diktatura e Enver Hoxhës u mori jetën mbi 350 fëmijëve nga mosha 1 deri në 5 vjeç, duke mos lejuar ushqyerjen e tyre se quheshin fëmijë armiq të komunizmit! Ne të ftojmë të lexosh librin e At Zef Pllumit “Rrno me tregu”, prift dhe ish-i burgosur politik për 27 vite! Të njohësh krimet e komunizmit në Shqipëri! Tradita e shqiptarit është që miku pritet me ëmbëlsirë dhe të rekomandojmë ëmbëlsirën dibrane “Sheqerpare”. Shqipëria po shkon drejt një diktature demokratike, rezistenca e të mbijetuarve të diktaturës kundër kësaj diktature duhet të ketë mirëkuptimin e ndërkombëtarëve dhe në veçanti të tuajin si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës! E nderueme mike!

Kemi 34 vite që kërkojmë të dënohen krimet e komunizmit me ligj si gjithë Europa. Ka mbi 6 muaj që së bashku me tre komunitete fetare u kërkojmë drejtuesve të shtetit shqiptar që të dënohen krimet dhe këta heshtin siç kanë heshtur prej tri dekadash! Shpresojmë ju si mike dhe diplomate do të bashkoheni me ne që ky shtet i ashtuquajtur “demokratik” të dënojë krimin komunist me ligj! Ne, bashkëkohësve të Dr. Martin Luther King – kampionit të drejtave dhe lirive të njeriut në Amerikë shekullin e kaluar, kur përballeshim me diktaturën enveriste na rri në kujtese thënia brilante e tij: “Më në fund, ne nuk do të mbajmë mend fjalët e armiqve tanë kundra nesh, por do të kujtojmë heshtjen e miqve tanë”, – përballë padrejtësive ndaj nesh.

Autori: Aktivist i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut! President i Unionit Mbarëkombëtar Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë!

Filed Under: ESSE

“Sfida dhe dinamika e Sigurisë Kombëtare”

August 9, 2024 by s p

Dr. Dritan Demiraj/

Para disa ditësh mora dhuratë librin: “Sfida dhe dinamika e Sigurisë Kombëtare” të përgatitur me shumë pasion nga Hyzri Salihu në Dardani, për të cilën e falënderoj. Autori analizon në detaje rreziqet, kërcënimet dhe sfidat në Ballkanin Perëndimor të lidhura me sejcilin prej vendeve në kuadrin e sigurisë së tyre kombëtare. Më pas ai analizon Ballkanin Perëndimor si një urë lidhëse midis lindjes dhe perëndimit, ku nga njëra anë si BE-ja dhe SHBA-të me të drejtë mbështesin integrimin euro-atlantik të këtyre vendeve, ndërkohë që nga ana tjetër aktorë si Federata Ruse dhe Kina përpiqen që nëpërmjet përdorimit të fuqisë së butë, projekteve ekonomike, mbështetjes diplomatike dhe aplikimit të luftës hibride me të gjitha format e saj, përpiqen të krijojnë kaos, shpërqëndrim dhe të dëmtojnë këtë integrim.

Më pas autori, analizon konceptin dhe elementët kryesorë të sigurisë kombëtare si dhe rolin, pozicionin strategjik dhe anëtarësimin e Republikës të Shqipërisë në NATO, në kuadër të sigurisë Ballkanike por jo vetëm.

Një element i rëndësishëm i librit, është nevoja e rritjes të bashkëpunimit në fushën e diplomacisë, sigurisë kombëtare, sigurisë energjetike, sigurisë ekonomike, ushqimore, etj midis Shqipërisë, Dardanisë dhe lidershipit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Ndërthurja e demokracisë, paqes dhe e sigurisë kombëtare, me qëllim përballjen me sukses kundër strategjisë serbe, e cila vitet e fundit ka qënë shumë agresive, antishqiptare dhe kriminale.

Në këtë këndvështrim, ai analizon të gjitha faktorët aktivë dhe pasivë duke analizuar në mënyrë të veçantë aplikimin prej saj të luftës të dizinformimit, luftes asimetrike, luftës hibride, luftës të shkallës së ulët dhe operacioneve kibernetike.

Së fundi, një element i rëndësishëm autori parasheh si determinant ndërtimin dhe forcimin më tej te bashkwpunimit me Departamentin Amerikan të Shtetit dhe të Mbrojtjes, me qëllim përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Dardanisë në NATO, anëtarësim i cili do të ndalonte përfundimisht pretendimet territoriale, provokimet dhe sulmet terroriste të një shteti agresiv si Serbia.

Në fund autori e zgjeron spektrin e analizës më gjerë në rajon dhe në Lindjen e Mesme, duke analizuar situatën gjeopolitike globale dhe luftën që Ukrainë. Ai mendon se aleanca e Kinës me Federatën Ruse, Republikën Islamike të Iranit e cila gjithmonë e më shumë po sfidon haptazi politikën paqeruajtëse të SHBA-ve në Lindjen e Mesme, Korenë e Veriut fuqia bërthamore e të cilës po bëhet gjithmonë e më shumë shqetësuese në këtë rajon të botës duke kërcënuar drejtëpërsëdrejti sigurinë kombëtare të Japonisë, Koresë së Jugut, bazat amerikane në Oqeanin e Paqësorit por jo vetëm.

Për të gjithë ata që kanë interes në lëmin e sigurisë, mbrojtjes, gjeopolitikës, gjeostrategjisë, gjeoekonomisë dhe marëdhënieve ndërkombëtare në Lindjen e Mesme, kontinentin Europian, Amerikën e Veriut por jo vetëm ja vlen ta kenë këtë libër në biblotekën e tyre.

Filed Under: ESSE

Korça, qyteti pikturë…

August 8, 2024 by s p

Aleksandër Ikonomidhi Sulioti/

Aroma e këtij qyteti vjen e të gjen, kudo që të jesh, ngado që të ulesh. Të mbështjell papritur një natë gushti ku nuk e pret. Para teje dalin pranitë dhe mungesat e njerëzve si dhe jehona e udhëtimeve nga të cilat hoqe dorë me kokëfortësi. Ky qytet, herë është poezi, herë është pikturë dhe herë është një notë endacake që rrëshqet nga grilat e hapura përballë mitropolisë.

Pirgje kujtimesh të kërcejnë me modesti nën dritën e hënës. Kujtime të lëna mënjanë nga koha e pamëshirshme. Korça është, tingulli i një teli që dëgjohet nga larg, pa qenë i sigurt nëse është kitarë apo mandolinë. Korça është, një paletë ngjyrash që hidhen në telajon e një qielli piktor. Korça është një poçe me borzilok që të buzëqesh nga një ballkon në mesnatë.

Korça është një laps i vogël që edhe me majë të zbehtë, shkruan vargje në paketën e cigareve. Korça është dheu që mban erë lagje me një copë bukë të thatë në dorë.

Filed Under: ESSE

KRIJUAR PËR TË MATUR KOHËN, PRIMORDIAL PASSION ËSHTË VETË SHPIRTI I KOHËRAVE

August 7, 2024 by s p

Luljeta Dano/

Ora e parë shqiptare Primordial Passion, një orë dore krijuar nga Mjeshtri i Madh i artit të punimit të metaleve dhe gurëve të çmuar, Spiro Ruço, konkuron në Grand Prix d’Horologeria de Genevë 2024 dhe shoqërohet me çmimin valor 1.3 milion USD që përfaqëson vetëm kuotimin, si një orë luksi, por fryma ekstravagante metafizike në artbërjen e saj është përtej të zakonshmes. Në këtë verë të nxehtë ora Primordial Passion, tringjyrëshja arbërore skënderbejane e kuqe – e zezë – e artë, po përurohet fuqishëm në median shqiptare e të huaj dhe në rrjetet sociale, si një ngjarje dedikuar jo thjesht, kohës, por shpirtit të kohërave.

Primordial Passion në gjuhën shqipe përkthehet me më shumë fjalë për t’u emërtuar: Një ndjenjë shumë e fuqishme dashurie krijuar që në fillim të kohërave (botëve). Emri i zgjedhur prej Mjeshtrit që e krijoi këtë orë na tregon se asgjë nuk është rastësi, por gjithçka buron dhe i përket kategorisë të së mbinatyrshmes, transhedentales, e që mbartet e fjetur në pavetëdijën kolektive për t’u zgjuar dikur fuqishëm, qoftë dhe pas mijëravjeçarësh.

Ora Primordial Passion është ndërtuar me një polifoni ari të verdhë 18K, ari të bardhë dhe ari të tonuar (ngjyrosur) në të zezë. Në qendër të fushës së orës ndodhet një basoreliev që kulmon me logon e mirënjohur shqiponja dykrenore dhe emri Pirro. Flatrat e shqiponjës ngujuar, si shkëmbinjtë e maleve të Shqipërisë ku gjashtëmbëdhjetë figurinat e arta 9 – 10 mm: katër muziktarë që luajnë me fyell, lahutë, gajde dhe çifteli në mes të një valleje dorëpërdorë me dymbëdhjetë burra të veshur me kostume kombëtare nga gjithë trojet etnografike shqiptare, që vijnë si tipologji veshjesh të lashta dhe paraantike, të cilën rilindin në jetë, zgjohen nga gjumi i kohërave sapo ora Primordial Passion kurdiset. (Ky ansambël i skulpturuar duket se u dedikohet bijve të vetë Panit, kultit të hyjit, miti i të cilit përfshin edhe trojet shqiptare në hartën e vet fizike, lidhet veçanërisht me Butrintin, ku u dha së pari lajmi i vdekjes së tij dhe me piluriotët këmbëlehtë në valle e bilbila të këngës, si ata, që quhen: bijtë e Panit të Madh).

Në mikromozaikun me gradient kuq e zi, janë përdorur njëmijë e pesëqind gurë Murano, me tetë tone të ndryshme dhe gjashtëdhjetë e katër prerje, ndër të cilët më të vegjlit arrijnë në minimalistikën ekstreme 0.2 mm për të krijuar pjerrësinë e nevojshme në fushën e kuqe dhe ndarjet e florinjta që shënojnë orët. E zezë dhe e artë janë dy ngjyrat për akrepat e orëve dhe minutave. Kasa e orës është gjithashtu prej ari. Kurora e kurdisjes është dekoruar me kalinyrat e shtyllave antike, me meandrat ujore dhe gjethen e lisit kultik. Rripat e orës janë lëkurë hardhuce origjinale me hojeza kuq e zi, që lidhen me kasën e orës me togëza të arta në trajtë kapiteli.

Kupola e tejdukshme që mbulon ansamblin e artë në orën Primordial Passion është prej kristal zafiri/bombè me trajtim të veçantë antirefleksion.

Dhe “vetëm një markë e kalibrit të lartë të horologjisë, si Agenhor, mund të kuptonte dhe të përceptonte gjithë punën mahnitëse të Spiro Rucos. AGH 6911 AP prodhohet nga Agenhor, një shtëpi sahatçinjsh që prej njëzet e pesë vitesh sjell disa nga mekanizmat më intriguese në botën e orëve luksoze. Jo më kot, kanë mbi dyqind patentime në fushën e horologjisë … Agenhor prodhon mekanizmat e disa nga market e orëve më të shtrenjta në treg, si Fabergè, Hermès, Arnold&Son, etj. Pafund. Tani i shtohet edhe Pirro, ora shqiptare”, e përshkruan mekanizmin mekanik të orës Primordial Passion në shkrimin e saj, gazetarja Marsela T. Najdeni, që vetë është një trashëgimtare e familjes më të njohur shqiptare që kanë bërë historinë disashekullore të tregtimit të sahatëve të xhepit dhe orëve në Shqipëri, fisi i njohur kryeqytetas, që nga 1700 – a “Vllaznit Tufina”(1. Gjyshi i Marsela T. Najdenit, Bahri Tufina ka prodhuar orën e parë shqiptare të tavolinës “Tirana”, si dhe orën e parë shqiptare të murit, në vitin 1973. Në koleksionin e fisit Tufina ndodhet edhe ora e xhepit e Sulltan Hamidit II (1842 – 1918), me një kasë të florinjtë që peshon 280 gram.

Lexoj në shkrimet e botuara se ora Primordial Passion ka marrë pesë vite kohë që nga idea gjer në realizimin final, por besoj se, mistikut metalpunues, Ing. Spiro Ruço i është dashur gjithë rrugëtimi i tij, që nga nisja në vitin e largët 1986, kur realizoi emblemën e parë për një ngjarje të rëndësishme shtetërore për të mbërritur në atë arkitekturë të shumëfishtë konceptuale të orës Primordial Passion, që shkëlqen sikur fjalët e Charles Baudelaire: Imagjinata mbetet më shkencorja e aftësive, ngaqë vetëm ajo e kupton analogjinë universale (2.

Kjo orë ngjason me kryeveprën e vetë Krijimit: Njeriun. Me gjithë teknologjinë sipërane të prodhimit, pa frymën nuk do të vinte në jetë.

Në bisedat e para njëzet viteve me Pirron më bënte shumë përshtypje mahnitja e tij që kishte dy fushëpamje si simboli ynë kombëtar: fjala e fundit në teknologjinë më bashkëkohore në përpunimin e metaleve, artefaktet prej metalesh në muzetë madhështorë të botës dhe mahnitja prej artit popullor shqiptar, si trashëgimi materiale dhe trashëgimi shpirtërore. Kemi folur gjatë për historinë, për keltët që u dhanë ilirëve mjeshtërinë e punimit të metaleve, granulimin e argjendit, dy ngjyrat kryesore të gurëve në stoli: jeshil dhe të kuq që të përbashkuar duket se marrin një energji specifike(3, për famën e mjeshtrave shqiptarë në metropolet e argjendarëve Shkodër, Janinë, Prizren, Pejë dhe porositë që merrnin madje dhe nga oborret mbretërore evropiane, ku argjendarët shqiptarë ishin të kuotuar lart dhe përbënin vlerë krenarie në koleksionet mbretërorë ku hynin (4. (Ndjesë se më duhet pak kohë të gjej faqen e referencës përkatëse në librin: Pena të arta franceze për shqiptarët)! Pirro thotë se, atë vetë kjo nuk e çudit. Edhe sot në sheshin Vendom në Paris, argjendarët e rinj, kryesisht shkodranë që punojnë në markat më të njohura të stolive valore nuk janë më pak të vlerësuar se mjeshtrit e vjetër.

Gëzimin e Primordial Passion, natyrisht që do e ndaja së pari me një nga miqtë më të mirë të familjes time dhe që ka një nga koleksionet më të jashtëzakonshme të orëve në botë, athinjotin i vjetër, Yannis Meintanis, që shkroi menjëherë sapo pa fotografitë dhe videot: Punë e jashtëzakonshme dhe unike! Besoj se, do të vlerësohet dhe do të gjejë një pronar krenar. Padyshim që do të zerë vend në historinë e vrojtuesve. Do të doja shumë të shihja në një foto lëvizjen brenda.

Një nga fushat kryesore të qytetërimit njerëzor, arti i punimit të metaleve për të realizuar mjetet e teknologjive të prodhimit, artin e stolisjes së njeriut, por edhe si tregues i kastës shoqërore, prodhimin e armëve dhe pajisjeve të tjera luftarake, kjo fushë jetike do të kishte në Olimp një nga dymbëdhjetë perënditë, perëndia Hefest për grekët dhe Vullkani për romakët, perëndia përgjegjëse i zjarrit, vullkaneve, përpunimit të metaleve, arpunuesve, metalurgjisë, marangozëve, farkëtarëve dhe skulpturës. Ashtu si në botanikë ku bimësia, lulet, kërpudhat, pemët, shkurret kanë muzikën e tyre dhe nuk rriten dot pranë njera – tjetrës nëse muzika që bën vala e ekzistencës së secilës nuk harmonizohet me njera – tjetrën, gjithçka kam mësuar në hulumtim të objekteve kultike dhe dukurive zakonore tradicionale, më është vërtetuar besimi i verbër në fillesë, se misteret e kohërave, alkimisë, gjenerimit na kanë lënë krejt në padije e mosnjohje.

Si një zot kryefarkëtar, Hefesti, djalë i Zeusit dhe Herës pajis perënditë me armë dhe stoli. Skena ku hyjnorja Tetidë, shkon të porosisë armët e reja të të birit jetëshkurtër e lavdimadh, Akilit, Homeri e këndon me përshkrime që na çorientojnë me kohën, Homeri përshkruan i pari një robot pune: Dy shërbëtore ari të sajuara/iu lëshuan anash mbretit për ta mbajtur,/posi dy vasha t’gjalla e tërë njomsi./ Brenda në zemër janë pajisë me mendje,/ligjërojnë bukur me fuqi vështrimi,/dinë shumë mjeshtri nga zotat e pavdekshëm;/e mbretit gati për çdo shenjë i rrinin/e i shkonin pranë.

Atëherë kjo teknologji që ka përgjegjës një perëndi, ka ekzistuar në të shkuarën parahistorike, në të sotmen, ku padroni primat i Inteligjencës Artificiale, homo sapiensi Elon Musk, po mendon të lidhë martesën e re me një robot, apo referuar dëshmisë homerike, mund të ngremë pyetjen edhe nëse kjo teknologji zotash na vjen nga e ardhmja?

Kjo parabolë e kohëve nëpërmjet gjithë Këngës XVIII të Iliadës së Homerit, dëshmi par excellence e fondit etnografik botëror, më pasqyrohet fuqishëm në mendime fort të ngatërruara mbi konceptin kohë, sa herë jam para vitrazhit të artë të krijimtarisë së Mjeshtrit Siro Ruço në mjediset e punishtes dhe Show Room – in e Artistic Jewellery Pirro.

Në panairin Botëror Expo ’98 në Lisbonë, një nga tetë pavionet e mëdhenj tematikë, përmidis pavioneve të 146 vendeve pjesëmarrëse ishte ai, pavioni i orëve Swatch, përshkruar në faqen e Expo ’98, si një koncept arkitekturor, i ngjashëm me orët e njohura zvicerane, pavion i projektuar “si një aventurë/zbulim me gjithçka që kjo nënkupton: habi, habi, pyetje… një formë inicimi/fillimi”. Si vizitor, pas një radhe të gjatë që mund të zgjaste edhe me orë, hyje në këtë pavion që nga tejdukshmëria të dukej se vozisje në erë, nëpërmjet rampave të veshura me mure plastike të tejdukshme ku shfaqen koleksionet vintage të Swatch Watches. Struktura gjigande të përbëra nga kornizë çeliku e mbuluar me fletë alumini të valëzuar dhe tekstil me fije qelqi për disa kate lartësi. Ai pavion qe projektuar për të të kujtuar se, koha që rrjedh është si ajri: e padukshme, e tejpashme. E megjithatë, ajo rrjedh. E kufizuar për njeriun, si e kundërta e përjetësisë.

Përjetimet e mia personale, si hulumtuese e atropologjisë kulturore dhe koleksioniste, duke ndjekur zhvillimin e krijimtarisë artistike të Mjeshtrit Spiro Ruço dhe realizimit nga farkëtorja Artistic Jewellery Pirro, që nga titujt e panumërt në kompozime të vogla apo në volume mbresëlënëse që janë njësoj monumentale, medalje nderimi të institucioneve të larta të shtetit, monedha, stoli të çmuara, etj. … e përthyejnë kohën, e bëjnë të kthyeshme pas, aty ku përjetimi i një dashurie të fuqishme që në fillim të kohërave, shpirti i etnosit shqiptar lind, ushqen, mbron jetën dhe është gjithmonë i mbijetuar në errësirat e kohërave. Ndaj natyrshëm do të kulmonte me krijimin e kësaj ore të pangjashme me asgjë tjetër dhe që tejkalon vetveten: Primordial Passion, mbulesa e vogël transparente prej kuarci e së cilës, i ka dhënë botës shqiptare një horizont të ri.

Si një kryefjalë nga mozaiku me ngjyrat e tërë gurëve të çmuar të shkrimeve të shumta përcjellëse, Primordial Passion(5 është quajtur në opinionin publik: Ora e Shqipërisë.

Ora e Shqipërisë që nënkupton, si sinonim fjalësh në gjuhën shqipe, baraz: Zanë Mbrojtëse e Shqipërisë.

Tiranë, korrik, 2024

Tufinat kanë punuar për të vendosur për orën e madhe në Kullën e Sahatit në qendër të kryeqytetit të sotëm shqiptar, “mekanizmi i së cilës u ble në Londër nga Ismail Tufina, tek vëllezërit Eduart dhe James Prior në vitin 1828. Ora u instalua në Kullën e Sahatit që ndërtoi Et’hem Bej Molla me kontributin e disa qytetarëve të Tiranës. Ora ishte e pajisur me një këmbanë që peshonte njëqind kg, 40% e së cilës përbëhej nga materiale të çmuara dhe argjend. Sipas gojëdhanës, tingulli i këmbanës dëgjohej gjer në Dajt. Ky sahat punoi deri në vitin 1916, mandej ushtria austro – hungareze e grabiti orën dhe në vitin 1928, Haxhi Arif Tufina me fondin e mbledhur prej 660 napoleonash floriri bleu në Zvicër orën “Jurgens” për vendosjen e së cilës Kullës iu shtuan edhe pesë metra të tjera. Kjo orë punoi gjer në vitin 1944 dhe gjatë luftës çlirimtare orën e goditi një predhë duke e nxjerrë jashtë përdorimit”. Kjo është shkëputur nga intervista e sahatçiut Ardian Tufina me titull “Familja Tufina dhe historia e Sahatit të Tiranës/Breznitë e Tufinëve, dinastia e sahatçinjve të Tiranës”, publikuar në gazetën SHEKULLI, 2003, nga Belinda BUDINI. Edhe sot, pasardhës të rinj kanë hapur rrjetin e dyqaneve “Tufina” të familjes së njohur që e ka emrin ngushtësisht të lidhur me orët, ku promovojnë dhe shesin koleksione të reja orësh dore. Në kryeqytet ka edhe disa dyqane të vogla sahatçinjsh orëndreqës “Tufina”.

Referuar nga Tzvetan TODOROV tek “Letërsia në rrezik”, botimet BUZUKU, Prishtinë, 2007. ISBN: 9951-08-054-5.

Aleksander STIPÇEVIÇ, Ilirët, Historia, Jeta, Kultura, Simbolet e kultit, Tiranë, 2006. ISBN 978 – 99927 – 160 – 9 – 6.

Fotaq ANDREA, Pena të arta franceze për shqiptarët (1332 – 2007), Tiranë, 2009. ISBN 978 – 99956 – 743 – 8 – 0.

Fotografitë ilustruese për këtë shkrim kanë lejen përkatëse dhe janë subjekt i të drejtës së autorit ©Spiro Ruço&Artistic Jewellery Pirro.

Filed Under: ESSE

Akronime

August 5, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Njerëzit gjithmonë kanë përdorur inicale për të shkurtuar kohën e shkrimit ose të folurit. Siç janë hieroglifet e lashta, të pakuptueshme për ne sot, ashtu janë edhe akronimet që në fillim nuk kuptohen derisa të mësojmë inicialet e fjalëve nga të cilat ato formohen. NATO, OKB, BE, USA etj., nuk mund të kuptoheshin nëse nuk do të dinim emrat e plotë të tyre. Pas 1000 a më shumë vitesh, njerëzit do të përpiqen të gjejnë kuptimin e tyre, por më kot; si tani ne kërkojmë të zbulojmë domethënien e tabletave të lashta.

Nga supa te arrat, ekziston një markë që përpiqet të na shesë diçka. Disa prej këtyre emrave janë inicializma, si AT&T (American Telephone & Telegraph), CNN (Cable News Network) ose KFC e inicializuar së fundmi (që ne dikur e njihnim si Kentucky Fried Chicken). Por shumë emra të tjerë të markave janë akronime, në të cilat emri formohet nga shkronjat (ose pjesët) fillestare të një serie fjalësh dhe shqiptohet si vetë fjalë.

Emri GEICO është absolutisht një akronim: Leo Goodwin (një ish-punonjës i USAA Insurance) dhe gruaja e tij Lillian themeluan kompaninë në vitin 1936, Government Employees Insurance Co. (GEICO). Warren Buffett ishte një investitor i hershëm, dhe tani kompania është në pronësi të Berkshire Hathaway, konglomerati shumëkombësh i Buffett.

Shumë artikuj të shitur në IKEA duhet të montohen – ashtu si emri i markës. Në vitin 1943, adoleshenti suedez Ingvar Kamprad mori inicialet e tij dhe i shtoi ato në shkronjën e parë të emrit të fermës së tij (Elmtaryd) dhe fshatit (Agunnaryd) për të krijuar emrin e kompanisë së tij të re të vogël, e cila shiste mallra shtëpiake si stilolapsa dhe korniza. Sot, IKEA ka më shumë se 400 dyqane të mëdha blu-verdhë që shesin orendi skandinave të shtëpisë në pothuajse 60 vende të botës.

Në vitin 1985, dy kanadezë të quajtur Frank (Toskan dhe Angelo), punuan një buzëkuq të frymëzuar nga një shkumës rozë Crayola dhe dolën me një perandori kozmetike. M·A·C (fillimisht njihej si Make-up Art Cosmetics) u themelua nga Toskan (një grimier dhe fotograf) dhe Angelo (i cili zotëronte një sallon flokësh). Motoja e M·A·C është “Të gjitha racat, të gjitha gjinitë, të gjitha moshat” dhe përfshirja e Frankëve është shpërblyer. Tani pjesë e Kompanive Estée Lauder, M·A·C është një markë kryesore e shitur në 120 vende të botës.

Marka ikonë italiane Fiat është një nga prodhuesit më të mëdhenj të automobilave në botë dhe linja më e shitur e makinave në Itali. I lançuar në 1899, FIAT është një akronim për Fabbrica Italiana Automobili Torino, i cili tregon se çfarë bën kompania (fabrikonte automobila) dhe ku e bëri atë, në (

qytetin e Torinos, Itali. Sot, FIAT është i dashur për makinat dhe kupat e tij klasikë të dizajnuar bukur dhe pa kohë, si dhe për fitoret e shumta në gara.

Shkencëtarët vlerësojnë se në një moment, çdo person në Tokë do të shkelë këmbëzbathur mbi një copë Lego. Këto tulla plastike të ndërthurura, të prezantuara për herë të parë në 1949, janë një nga lodrat më të njohura në botë, me më shumë se 400 miliardë copë në planet dhe 60 miliardë tulla tani që prodhohen çdo vit. (Ata madje kanë arritur në hapësirë!) Fraza daneze “Leg Godt”, e cila përkthehet “luani mirë”, është origjina e akronimit të kësaj marke.

Në vitin 1927, austriaku Eduard Haas shpiku një karamele mente si një alternativë ndaj pirjes së duhanit. Emri i markës Pez vjen nga tre shkronja në “PfeffErminZ”, fjala gjermane për mente. Karamelet fillimisht u paketuan në kuti të vogla metalike dhe përsëritja e parë e shpërndarësit mekanik doli në vitin 1949. PEZ u prezantua në SHBA në vitin 1952 dhe dispenzuesit popullorë me kokë lodrash u shfaqën në vitin 1957, duke filluar me një shtrigë me temë Halloween. Karamelet tani shitet në 90 vende dhe janë krijuar më shumë se 1400 karaktere të ndryshme.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT