• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KU JE MOJ E DREJTË?

June 16, 2024 by s p

Skicë humoristike/

Naum Prifti

Sa herë vinte xha Sadedini në shtëpi, unë gëzohesha se ai qe një plak i mençur, nga ata që bartin me vete urtësinë popullore në çdo kohë dhe në çdo vend. Ai kishte qejf të rrëfente ngjarje të lashta, të cilave u thoshte “iqaje” dhe unë kisha qejf të dëgjoja. Madje disa prej tyre i mbaja shënim, derisa një ditë vërejta se ishte mbledhur një tufë syresh.

Mes tyre është edhe rrëfimi E Shtrembra dhe e Drejta.

Sado që i përkisnin një gjinie E Shtrembra dhe e Drejta takoheshin rrallë, si disa kushërinj që s’e duronin njëri-tjetrin nga që nuk u puqeshin pipëzat. Kurrë nuk arrinin në një dyzen apo harmoni, sikurse i thonë sot.

Një ditë papritur u takuan para vitrinës së një hani luksoz, ku ishin sëritur tavat me turli lloj gjellësh për të ftuar klientët nga rruga. E Shtrembra qe veshur mirë e mbathur me sqimë, e shëndoshë dhe buçkane dhe si gjithmonë ne qejf.

-Si je? -e pyeti të Drejtën. -Të shoh të brengosur.

-Ngordha për të ngrënë, – ia ktheu E Drejta. – Askush nuk më fton, askush s’ka nevojë për mua…

Nga vitrina e hanit gjellët e mira ua bënin me sy dhe avulli përqark kundërmonte erë mishi dhe shish qebapi.

– Kthehemi këtu dhe hamë diçka, – e ftoi e Shtrembra, duke ecur e para drejt derës së hanit.

– Nuk mundem, – i tha E Drejta, – nuk kam asnjë metelik.

– Mos u merakos, se sot po të ftoj unë, – e qetësoi E Shtrembra.

Ajo porositi dhe e mbushi tryezën me gjellë të shijshme dhe të shtrenjta ndërsa dëftente zotësitë e saj dhe manovrimet e saj të shkëlqyeshme. Midis të tjerash i tha se së shpejti do kishte rast të bindej edhe vetë si mund të hahej një dreke e mirë, pa patur asnjë grosh në xhep.

E Shtrembra vërente klientët që paguanin në arkë. Sapo dalloi një klient që dorëzoi një kartëmonedhë të madhe u duk edhe më e qetë dhe vazhdoi të bisedonte me të Drejtën. Pas disa minutash, thërriti hanxhiun dhe i kërkoi kusurin.

– Çfarë kusuri? – u skandalizua hanxhiu. – Ju keni porositur dy herë dhe s’keni paguar asnjë herë!

– Kusurin shpejt! Mos na vono se nxitohemi! – i tha ajo me shumë seriozitet.

– A jeni në vete ti? Kjo as është parë dhe as dëgjuar. Të vijë tjetri të hajë mirë e mirë dhe pafytyrësisht të mëtojë edhe te holla, – bërtiste hanxhiu që filloi të nxehej aq sa dëgjohej deri jashtë në rrugë.

– Kusurin!- ngulmoi E Shtrembra. – Dhe mos u bëj hajdut sikurse e ke zakon!

– Unë hajdut? – u tërbua hanxhiu. – Unë që e fitoj bukën me djersë duke qëndruar njëzetekatër orë në këmbë?

I tërhequr nga zhurma e madhe, një zabit hyri brenda në han dhe duke e ngritur zërin që të dëgjohej nga të gjithë pyeti se çfarë po ngjiste atje.

Të dyja palët parashtruan kërkesat e tyre ankimore. Njeriu i ligjit ngeli paditur cilën anë të merrte.

– Unë nuk gënjej, – ndërhyri E Shtrembra për ta sjellë në anën e saj. – Ja, hape arkën dhe do të shohësh një kartëmonedhë me një cep mangët. Kartëmonedhën sapo ia dhashë dhe e mbaj mend nga shenja që ka.

Polici pasi e vërejti edhe veshjen prej zengjini të ankueses, urdhëroi të hapej arka. Me të parë kartëmonedhën me cep të këputur, u bind se e drejta ishte me klientin dhe urdhëroi t’i kthehej të Shtrembrës kusuri.

Hanxhiu, i zemëruar në kulm, vuri duart mbi kokë dhe duke ngritur sytë nga qielli u përgjërua me shpirt:

– Ku je moj e Drejtë? Ku je?

Aty ishte e Drejta mirëpo nuk mund të fliste se e kishte gojën të zënë me bukë.

Filed Under: ESSE

HERALDIKË

June 15, 2024 by s p

Zija Vukaj/

Rreth gjysmës së shekullit XII, në zemrën e epokës feudale- atë të kalorësve e të ndeshjeve kalorësiake, të kështjellave e të Kryqëzatave, të aventurave të mbretit Artur dhe romaneve të parë të Tryezës së rrumbullakët- një emblemë e re shfaqet në rajone të ndryshme të Evropës perëndimore, një emblemë e destinuar të shndërrojë thellë të gjitha praktikat simbolike të shoqërisë mesjetare: stema. Në fakt nga stema dhe kodi që përbën gramatikën e saj- moton- u ngritën zakone figurative, sisteme vlerash dhe ndjeshmëri që shkuan goxha përtej fushës së heraldikës. Nga fillimi i shekullit XII dhe për më shumë se një gjysmë mijëvjeçari të gjithë kodikët pamorë që lidhen me identitetin, me farefisninë, me imazhet apo simbolet duken të ndikuara pak a shumë drejtpërdrejt nga stema. Veç kësaj, ky ndikim është akoma i pranishëm edhe sot: flamuj kombëtarë, emblema ushtarake, uniforma sportive, logo firmash, tabela rrugore dhe sinjale të llojeve të ndryshme janë trashëgimi- direkte apo indirekte- të sistemit heraldik mesjetar. Për sa i përket stemave, ato ekzistojnë akoma: megjithë konkurrencën e shumë formulave të tjera të shfaqura në kohë, kanë kapërcyer shekujt dhe janë përhapur në pesë kontinente.. Veç kësaj, nuk duken të destinuara të zhduken në një të ardhme as të afërt as të largët, madje krejt e kundërta..

Larg të qenit anekdotike apo rrethanore, shfaqja e stemave mbi fushat e betejës dhe në ndeshjet e epokës feudale është një fakt shoqëror me rëndësi të veçantë. Gjithsesi, me gjithë këtë rëndësi, heraldika mbetet një shkencë relativisht e panjohur, qoftë për publikun e madh, qoftë për historianët e profesionit. Arsyet janë të ndryshme, por kryesorja mund të jetë të përcaktuarit në ngatërresën që shpesh është bërë mes përkatësisë së fisnikërisë dhe përshtatjes së një steme. Në fakt, shumë profanë kanë besuar dhe vazhdojnë të besojnë që stemat janë shenja fisnikërie dhe vetëm kush është fisnik mund t’i mbajë. Por kjo është një ide e gabuar. Nga asnjë vend në Evropën qendrore dhe në asnjë moment të histories së saj përdorimi i stemave nuk ka qenë i kufizuar në një klasë të veçantë apo kategori shoqërore. Çdo individ, çdo familje, çdo grup a komunitet ka qenë përherë i lirë, kudo, të përdorë një stemë sipas zgjedhjes së vet dhe ta përdorë sipas dëshirës së vet, me kushtin e vetëm që të mos uzurpojë atë të të tjerëve.

Një tjetër gabim i përhapur gjerësisht sheh tek heraldika një shkencë ekzoterike, që përdor një gjuhë të kodifikuar e misterioze, praktikisht të pamundur për ta kuptuar dhe që mbart kuptime të fshehta. Akoma edhe një herë, asgjë nuk mund të jetë më e largët nga e vërteta. Heraldika nuk është fare një shkencë hermetike; përkundrazi, është një sistem shenjash vendosmërisht i hapur ndaj shoqërisë. Funksioni i saj kryesor është ai i të shprehurit të identitetit të individëve e të familjeve dhe ta bëjë me qartësi. Nuk ka asgjë ekzoterike në formimin e një sistemi apo të gjuhës e motos. Kjo e fundit përbën një gjuhë dokumentare paraqitëse, në gjendje të thotë shumë me pak; përdor një fjalor të vetin dhe një sintaksë të vetën, por që në origjinë, në shekujt XII e XIII, nuk dalloheshin aspak nga gjuha letrare. Veç kësaj, sot, pavarësisht nga vendi i përbashkët, mjaftojnë pak orë për të mësuar termat dhe figurat kryesore të motove dhe për të përshkruar me korrektësi pjesën më të madhe të stemave mesjetare apo moderne.

Në këto fusha- pse mos ta themi?- heraldika ka qenë viktimë e librave të këqinj, që pretendonin të zbulonin “misteret e stemës”, tamam siç ngulmonin të zbulonin misteret e artit romak, të katedraleve, të urdhrave kalorësiakë, të Graal-it, të Katarëve, të Templarëve. Kjo letërsi e hidhur, që është shfaqur në epokën romantike, vazhdon të bëjë dëme, duke arritur nganjëherë një sukses të madh në publik në kurriz të veprave serioze. Autorët e saj kërkojnë në stemat mesjetare shenja të përkatësisë së shoqërive hipotetike sekrete, kalorësiake, templare apo masonike dhe spekullojnë në mënyrë absurde, në mos delirante, mbi simbolizmin e figurave e të ngjyrave. Natyrisht, asnjëri prej tyre nuk i reziston një analize dokumentare, por dëmi është bërë. Është thënë e përsëritur që heraldika mesjetare nuk e njeh ekzoterizmin, kuptimet e fshehta apo lidhjet me të ashtuquajturat forca të errëta apo shoqëri secrete. Kur figurat dhe ngjyrat që përbëjnë stemën kanë një përmasë simbolike, bëhet fjalë për një simbologji të zakonshme, të përditshme dhe të qartë sa për atë që e përdor aq për publikun të cilit i drejtohet.

Filed Under: ESSE

Universi paralel i Zija Çelës

June 14, 2024 by s p

Lazer Stani/

Shkrimtari Zija Çela me romanet e tij të njëpasnjëshme të botuara në këto vite, ngjan me një personalitet që e ka zënë gjithë hapësirën e tij krijuese, korpusi i tij letrar shfaqet aq i përplotësuar, sa nuk mund të shtosh e as mund të heqësh gjë prej gjëje. E megjithatë, me Zija Çelën ngjet si me hapësirën që zgjerohet; hapësira e tij krijuese zgjerohet nga romani në roman, sa fundi i romanit të sapobotuar ngjan sikur mbjell farën e një romani të ri. Dhe në këtë hapësirë krijuese që zgjerohet, secili roman pasardhës është më gjithëpërfshirës, më total. I tillë është edhe “Djalli Komik”; një roman total, gjithëpërfshirës.

Milan Kundera në esenë e tij të gjatë “Arti i Romanit” shkruan: “Romani është një meditim për ekzistencën siç shihet ajo nëpërmjet mediumit të karaktereve imagjinare”. Zija Çela me imagjinatën e tij magjepsëse dhe me energjinë e tij të pashtershme krijuese pikërisht këtë ka arritur: të shkruajë një roman tronditës për ekzistencën tonë të mbushur me pasiguri, absurd, tragjizëm, ku jetët dhe fatet njerëzore luhen në një skenë groteske, herë-herë qesharake. Si edhe në romanet e mëparshme, në procesin e tij letrar, Zija Çela krijon një univers paralel me universin në të cilin jetojmë, një univers që është vetëm i tij, ku shkrimtari gëzon lirinë e tij të pakufizuar nga modelet, traditat e shkollat letrare, ashtu si nga imponimet që ushtron realiteti mbytës dhe historia me dëshmitë e saj kokëforta, të patjetërsueshme.

Në këtë univers krijues e paralel me tonin, Zija Çela është i gjithi vetvetja në nivelin më të lartë të shfaqjes, në formën më të lartë të ekzistencës, atë të demiurgut, krijuesit. Kur kam shkruar për romanin e tij “Ora e Zooparkut”, kam thënë se Zija Çela nuk është një shkrimtar që ne thjeshtë e lexojmë, ai është shkrimtar që gjithashtu e lexon njeriun, na lexon thellë ne lexuesve të tij. Në “Djalli Komik” shkrimtari ndjek një procedurë tjetër. Ai vë në objektivin e syrit të tij shoqërinë shqiptare, por edhe shoqërinë njerëzore në tërësi, ashtu sikurse një mikrobiolog vë në objektivin e mikroskopit një koloni bakteresh dhe e vëzhgon.

Zija Çela i deshifron vëzhgimet e tij dhe i përshkruan me një gjuhë drithëruese, ku spikasin gjithashtu hapësira e imagjinatës dhe stili mjeshtëror i rrëfimit. Kolonia njerëzore në romanin “Djalli Komik” është një koloni e vështruar me një sy pa perde, me një sy depërtues, që sheh thellë e më thellë në qenien tonë individuale dhe në organizimin tonë social e shtetëror, zbulon raportet ngjethëse të individëve, në të shumtën e herës të degraduara, të molepsuara nga mungesa e idealit, bjerrja e virtytit dhe shthurja, raporte të dekompozuara deri në një shkallë të frikshme, aq sa të vjen të ulërish: këta jemi ne, kjo është shoqëria në të cilën jetojmë, kjo është bota groteske në të cilën ekzistojmë.

Universi paralel i Zija Çelës, edhe pse fiction i pastër, është në të njëjtën kohë universi ynë dramatik e komik, veçse shkrimtari me aftësinë e tij arrin të na çlirojë disi nga verbëria kolektive. Është zakon që në shkrimet për librat të flitet për subjektin, karakteret, të argumentohet se përse ky roman duhet lexuar. Dhe nuk është zakon i keq. Por në rastin e Zija Çelës, kjo është e tepërt.

Sepse Zija Çela nuk të zhgënjen në asnjërin nga krijimet e tij, qofshin tregime të shkurtë prej disa faqesh, apo romane qindra faqesh. Mjafton të lexosh disa paragrafë për të kuptuar se sa madhështore e magjepsëse është gjuha e shkruar, se çfarë bukurie tronditëse dhe imponuese bart në vetvete fjala, sa urtësi dhe dije universale ruhet në kodet e saj. Fjalët në penën e Zija Çelës jo vetëm krijojnë me perfeksion një univers paralel, por edhe na bëjnë të jetojmë e të ndihemi të shpëtuar brenda këtij universi. “Romanet janë për njerëzit e tjerë, kurse poezitë shkruhen për vetveten”, – thoshte poeti amerikan Filip Larkin. Duke çmontuar metaforikisht strukturën e jetës së vet, Zija Çela projekton dhe ndërton krijimet e tij për ne, njerëzit e tjerë, lexuesit e tij, për çka i jemi thellësisht mirënjohës.

Filed Under: ESSE

Komb

June 13, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Çfarë forme njëjëse ka njeriu; besimet, data dhe vendi i lindjes e modifikojnë figurën e tij. Ato janë reale si lëkura dhe indiet; të pazëvendësueshme, për sa kohë që kanë gjallëri. Asnjë njeri nuk mund të ekzistojë pa lëkurë dhe pa inde. Para së gjithash, këta duhet të formojnë veten, siç bëjnë në të vërtetë spontanisht dhe në mënyrë të pashmangshme. Vetë shkuma, dhe kjo ia vlen të mendohet, mund të ngurtësohet në guaskë deti; të gjitha objektet e gjalla krijojnë një lloj Forme. Kur petkat e të varfërit, të paushqyera më, bëhen lëkurë e vdekur; derisa asnjë zemër nuk mund të ndihet më të rrahë mes tyre, aq të pashpirta, të kalcifikuara janë; dhe në të gjithë atë që tani është rritur thjesht një guaskë ose një perlë e lëmuar, përbrenda pothuajse deri në zemrën e njeriut të varfër: – po atëherë, mund të thuash se dobia e tij edhe një herë është mjaft e penguar; është koha që ai të shkojë në shtrat dhe të përgatitet për nisjen, e cila tani nuk mund të jetë udhëtin i fundit.

Zakoni është ligji më i thellë i natyrës njerëzore. Është forca, nëse në rrethana të caktuara nuk është dobësia jonë më e mjerë. Është një fushë e pa shkelur. Nuk ka ende asnjë shteg apo gjurmë njerëzore; dhe i shtyrë nga nevoja, megjithatë njeriu duhet ta ndërmarrë një udhëtimin të tillë. Shkon një herë, duke shikuar rrugën me çdo vështrim të zellshëm, gjurmët e tij janë një ftesë për herë të dytë për të ecur. Dhe mund të shkojë këtë herë, duke mos parë gjurmët, çfarë ngushëllimi; dhe në një shkallë, për të gjithë të njerëzimit.

Gjurmët e këmbëve shkelen; shtegu shkon gjithnjë e më i gjerë, më i lëmuar, në një rrugë, ku mund të ecet edhe me rrota; dhe shumë e udhëtojnë atë; derisa qyteti të zhduket; nuk ekziston jeta për njeri atje: dikush duhet të udhëtojë; zakoni dhe ndjenja; nuk ka asgjë më të përhershme.

Po, edhe njeriu i mençur flet dhe vepron në Forma; të gjithë e bëjnë këtë. Të Gjithë Format e kalbura duken sikur qëndrojnë afër, duke shkundur me indinjatë leckat e mbijetuara dhe zhgënjimet e pashëndetshme – mendo se edhe ti je ende i veshur. Kjo kombësi, çfarëdo qoftë nga mosha, është e vërtetë dhe një fakt në mesin e vendasve, dhe fjalët dhe mënyrat e tyre; e gjithë kjo, a nuk është bërë një ngjitës lëkure apo si lëkurë natyrale? Këtë nuk do ta zhveshësh kurrë.

Je njeri i zakonshëm, ose i pazakontë: por njeri i mirë, i çfarë lloji, do të ishit me gjithë ato cilësira.

Filed Under: ESSE

NJË PERIUDHË E VËSHTIRË PËR KIEVIN

June 13, 2024 by s p

Nga PAOLO MIELI – “Corriere della Sera”, 12 qershor 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika/

Lajme të këqija vijnë për Kievin nga përfundimet e votimeve evropiane. Shumica e rrjeshtuar në dobi të Ukrainës në thelb ka qëndruar, por përparimi i të djathtave më skajore ka shkaktuar tek neve ndonjë lëkundje jo të lehtë tërmetore e në Rusi një gjëndje dalldie. I pari e ka ngritur gotën Marat Bashirov, i vetshpallur që në 2014 kryeministër i Republikës popullore të Luganskut: “Ditë e bukur” ka thënë, “Në Kremlin po hapin shishet e shampanjës”. Ata rezultate ”prishin dukshëm klimën e konferencës zvicerano – ukrainase e të takimit të nivelit të lartë të NATO-s”. Dhe përbëjnë provën se “qytetarët evropianë nuk duan të luftojnë kundër Rusisë”. Humbjet e Makronit e të Scholzit, simbas shumë të njohurit Dimitër Medvjedev, “janë një  pasqyrim i pazotësisë  politike të tyre në mbështetje të autoriteteve ukrainase”. Për më tepër, ka shtuar Medvjedevi duke i shkelur syrin të djathtave më skajore, “të politikave të tyre idiote ekonomike dhe të imigrimit”. Dhimitër Peshkov është treguar i bindur se partitë e së djathtës skajore “do t’i shkelin këmbët” atyre që duan të vazhdojnë të mbështesin Zelenksin. E kështu me rradhë. 

Bën përshtypje që lëvdata dhe inkurajime (herë herë edhe financime) partive që hymnizojnë esesët vijnë nga një Vend që, prej dy vitesh e katër muajsh, kryen çdo ditë ploja me qëllim të “çnazifikojë” Ukrainën.

Ndërmjet mbështetësve të çështjes ruse (në emër të paqes, merret vesh) të jetë ndonjë – makar  një antifashist i sinqertë – që të shkandullohet nga ky solidaritet i hapur  forcave që haptas i thërrasin përvojës hitleriane. Ndonjëri – me që ra fjala – nga ata që dy vjet më parë me të drejtë u lebetitën në prani të simboleve naziste të pikturuar mbi krahët e luftëtarëve të batalionit Azov, apo të riabilitimit të Stepan Banderës, në emërimin e një sheshi apo të një rruge, asnjë prej tyre nuk i ka vënë re fjalëve të kërshërimta të Bashirovit, Medvjedevit, Peshkovit apo shumë të tjerëve “çnazifikues” besnikë të Putinit.

  Gjenerali Roberto Vannacci do të jetë ai që do të mbajë lart flamurin e “paqësorizmit” italian në Parlamentin e ri evropian. Më i votuari ndërmjet mbështetësve – simbas asaj që ai vetë deklaron – i “arsyeve të papës Francesco” (e, natyrisht të Matteo Salvinit). Përballë tij, për këtë mision do të kishte më shumë tituj – për shembull ish drejtori i Avvenire-s Marco Tarquinio kandidat në listat e PD – “populli i paqës” u tregua më pak bujar duke bërë të rrezikojë gazetarin e shquar, të mbetej i përjashtuar nga lista e të zgjedhurve. Në të njëjtën mënyrë ky trup zgjedhor që në social apo në media letre shprehet me ngulm për ndërprerjen e furnizimeve me armë qëndrestarëve ukrainas, këta zgjedhës, thonim, nuk janë treguar mirënjohës kundrejt më luftarakëve për vetë çështjen e tyre: Michele Santoro, Jasmine Cristallo, Ginevra Bompiani, karikaturisti Vauro, Raniero La Valle. Si shpërblim Vannacci mund të bashkëndajë – gjithnji në Parlamentin evropian – barrikadat kundër Zelenski me Cecilia Stradën, Ilaria Salis e hamendësojmë me Pasquale Tridico që ka fituar një vend në Strasburg në sajë të L5Y.

Ky bashkim ndërmjet së majtës paqësore dhe gjeneral Vannaccit – në llogari të të cilit, të jetë e qartë, nuk rezultojnë as vlerësime publike dhe as pagesa nga ana e rusëve – është kremtuar në tv nga një përqafim (së largu) ndërmjet tij dhe Angelo D’Orsit. Profesor D’Orsi, edhe ai, duhet thënë në mënyrë po aq të qartë, pa marrë përgëzime apo financime nga Moska –  lufton burrërisht e ndonjëherë me argumentë bindës në ballin paqësor.

Ajo që habit është ndieshmëria e pakët e paqësorëve tanë kundrejt përparimit të partive të djathta, edhe skajore, dhe kënaqësia e dukëshme kur shikojnë të poshtëruar udhëheqësit evropianë, të cilët pak ditë më parë kremtuan tetëdhjetëvjetorin e zbarkimit në Normandi. Një zbarkim, rëndësia e të cilit, ndërmjet të tjerash është vënë në lojë në disa botime që çojnë në rrjeshtimin e tyre.

E gjithë kjo është shoqëruar nga një urim – edhe ai i hapur – që tjetri personazh i pranishëm në Normandi, presidenti Shteteve të Bashkuar Joe Biden, të humbë zgjedhjet e nëndorit në dobi të kundërshtarit Donald Trump, që ai po, do të dinte të gjente “paqën” sa hap e mbyll sytë. Nuk guxojmë as t’a përfytyrojmë në çfarë kushtesh për Zelenskin dhe për ata që kanë luftuar deri sot për pavarësinë e integritetin territorial të Vendit të tyre. 

Nga ky kuadër i vogël nxjerrim mësimin  se Evropa (ajo që, mbas votimeve, mbetet në këmbë nga Evropa) ka katër muaj kohë – nga tashti e deri në nëndor – për t’u vënë në rregull me vetveten. Kështu për t’u gjendur kur të mbahen votimet presidentore në Shtetet e Bashkuar (dhe ka ende ndonjë arsye për të qënë pohenikë) e gatëshme për të bërë pjesën e vet deri në fund. E mund të dilte jashtë diçka e mirë, përtej Ukrainës, për vetë Evropën. Do të thotë për t’ardhmen tonë.

“Corriere della Sera”, 12 qershor 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika      

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT