• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Liriku i pashoq Skënder Rusi iku në qiell përjetësisht

June 2, 2024 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Me shumë hidhërim e morëm lajmin e ikjes së parakohshme të poetit të shquar korçar Skënder Rusit, në moshën 72 vjeç.

Vargjet e poetit Rusi jane korale të shpirtit të tij lirik, të një lirike të ngrohtë dhe tejet përjetuese. Lirika e tij duket sikur e ka fituar përjetësisht dashurinë e lexuesit si poezia që po sjellim më poshtë: “Fitorja e ngadalshme”.

Hyra prapë në sytë e tu jeshilë/ Në bebëzat e tyre/ zura prapë vend!/ Më pas trokita në shtëpinë e shpirtit/ Ku ca të tjerë prisnin prillin tënd!/ Dhe m’u duk vetja sikur isha një Odise/ Ndërsa ti-Penelopa e famshme!/ Të pata pushtuar një here kur ishe e re/ Por nuk mburrem me pushtimet e mëparshme!/ Eh/ Zgjasin më shumë/ Fitoret e ngadalshme!

E kam takuar së bashku me Qemalin në Bibliotekën “Thimi Mitko” të ftuar nga Shoqata e Shkrimtareve “Bota e Re” me kryetar z.Ylber Merdani ish i përndjekur politik (tashmë i ndjerë) dhe nga kompozitori dhe kantautori i mirënjohur korçar z. Nonda Kajno.

E gjithë udha nga Tirana për në Korçe ishte këngë, kurse xhamat e makinës lageshin nga një vesë e butëz shiu me pikla të argjendta vezulluese që shkëlqenin dhe më shumë ngazëllimin e shpirtrave tanë, për t’u takuar me shkrimtarët korçarë “Bota e re”, të cilët na kishin ftuar në vendin e kulturës, në bibliotekën “Thimi Mitko” në Korçë.

Ishte një ndjesi e bukur mbështjellë me dashurinë e pastër të poetëve korçarë me sherbet mikpritjeje.

Shkrimtarët korçarë dinë të dhurojnë mjaltë me hojëza poezie.

Dhoma kryesore e bibliotekës së qytetit të Korçës “Thimi Mitko”, atje ku na prisnin miqtë, ishte mbushur plot me shkrimtarë dhe dashamirës të artit dhe të kulturës.

Në krye të vendit qëndronte poeti i shquar z.Skënder Rusi, drejtor i bibliotekës “Thimi Mitko”, që mban emrin e folkloristit të shquar shqiptar. Mjaft interesant është fakti se kjo bibliotekë është krijuar nën kujdesin e Federatës “Vatra” dhe ishte vendosur pranë Bashkisë, sot ndodhet në një godinë tjetër të qytetit.

Nuk i kishja takuar më parë shkrimtarët e Korçës që ndodheshin aty, por nga leximi i librave ishja magjepsur prej poezive të tyre, pas metaforave të befta…

Edhe pse poetët dallohen nga njeri-tjetri në mënyrën e të shkruarit, ata se ç’kanë një gjë të përbashkët, atë hyjnoren, përshëndetjen e nxehtë poetike.

U takuam përzemërsisht, miqësisht me poetin dhe natyrshëm shkëmbyem librat. Kur takohem me poetët emigrantë, tha penëndrituri Rusi se ç’më bëhet një gur i rëndë në zemër, është malli i poetit që bëhet nyje në fyt. Krenohem që keni hapur shkollat shqipe, mësojuani fëmijëve emigrantë. Nëse keni mundësi i mirëpresim këtu në djepin e hapjes së Shkollave Shqipe, këtu në Korçën e ABC-së.

Sa ëmbël i ka kënduar poeti Korçës së serenatave, ka derdhur gjithë dashurinë e birit për të si: Jetoj në një qytet në formë zemre/ Ku kitarat netëve marrohen/ Ku djemtë nuk rrinë pa të shkelur syrin/ Dhe vajzave ju pëlqen të ngacmohen!

Poeti Rusi me metaforat e tij gati eterike për bukurinë e gruas, joshjen femërore, është pushtuar nga vetëtimat përpirëse të ninëzave tësyve te bukur, dhe prushëzohet nëpër trupin elegant të vargjeve marramendëse.

Po ndalem më konkretisht vetëm tek lirikat shpirtërore për gruan, pasi ai nuk i këndoi vetëm asaj, por nënës, Atdheut, Korçës, fëmijërisë e gjithçka. Ndalem tek këto poezi për bukurinë e femrës, pasi sot mjerisht të babëziturit dhe të pagdhendurit i kanë dhunuar dhe masakruar deri barbarisht shumë gra. Ndaj poezitë duhet të jenë libra të vegjël xhepi, të jenë shkëndijëza që të ndriçojnë mendjen e çdo lexuesi të kualifikuar ose jo…

Ai e skalit bukurinë femërore shumë ndjeshëm si në poezinë: “Në sytë e tu digjen meteorë”

Në sytë e tu digjen meteorë/ Ti rri e heshtur, si një Perëndi/ Unë fshehur jam, ku burojnë lotët,

E kam një vend që s’ma gjen dot as ti/ Në sytë e tu digjen meteorë/ Përmbysen qiej, ashtu, kot më kot/ Unë fshehur rri, ku burojnë lotët/ Bëj të të flas, po nuk të folkam dot!/ Në sytë e tu digjen meteor/ Qerpikët po të përcëllohen krejt/ Unë fshehur rri, ku burojnë lotët, Dua të ik, por s’po e gjej një shteg/ Kam frikë/ Mos dhe mua/ Ti më djeg!

Në shumë poezi ai është magjistar i fjalës shqipe dhe e ka lënë dritaren e shpirtit poetik për t’i kundruar nga larg dhe nga afër metaforat drithëruese që e bëjnë poetin të jetojë përjetësisht.

Autorja e shkrimit është shkrimtare, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, Ambasador i Kombit, Gruaja e Vitit 2022, NY dhënë nga Motrat “Qiriazi”, si dhe ka marrë titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Filed Under: ESSE

Walt Whitman, poeti që shkroi Biblën e shpirtit amerikan, mishëruesi i besimit dhe forcave të epërme të zotërimit

June 1, 2024 by s p

Nga Albert Vataj/

Ai, Walt Whitman, poeti që shkroi Biblën e shpirtit amerikan, u lind më 31 maj 1819 dhe u shua më 26 mars të vitit 1892 në moshën 73-vjeçare, duke mbetur në kujtesën e letërsisë botërore dhe historisë, si poeti që përfaqëson dhe personifikon Amerikën, mishërimin e forcave të epërme të zotërimit, zellin dhe zërin e gjeneratave që vunë gurëthemelet më të rënda të një kombi të madh.

Jo rastësisht, për vite të tëra vepra e Walt Whitman është konsideruar si Bibla e demokracisë amerikane, shpirti i shpresës, emblema e një shteti në rritje, simboli forcës që lind nga mundi dhe nga puna, nga nevoja e dëshirimit të jetës. Në poezinë e tij, individi shndërrohet në komb. Poezitë e Walt Whitman erdhën si lajmi i mirë i ngjalljes së shpresës. Nevoja e këtij shpirti për të kënduar, jetësoi kësodore shprehinë demokratike të miliona amerikanëve dhe jo vetëm. Me një gjuhë të përzier e krejtësisht personale, poeti në lirikat e tij kompozon një himn të pasionuar të mundësive ideale të individit dhe të botës, duke lartësuar dhe stërpikur me puhiza të hyjshme, natyrën njerëzore dhe mrekullinë e realitetit të përditshëm. Ai ishte i njimendtë si një vullnesë e shenjtë, kjo ndoshta edhe për vetë shpirtin e atij populli që hapi kanatat dhe e mishëroi atë si një fluturim parajsor.

Walt Whitman beh papritmas dhe në koherencë si një vullnet i epërm, me hovet e gjallimit të një ngulmi përtëritës. Erdhi në atëkohjen kur kremtohej pavarësia amerikane. Erdhi si një kumtues i një vepre që lartësonte shpirtin e atij populli, asaj njerëzie që rrëmon ngadhnjyeshëm mes rrënojave të luftës, kujtesës së britmave dhe apoteozës së dhimbjes, shpresën shpëtimtare.

Ai do të vinte me një mision të shenjtë. Jo medoemos si një dishepull, as si një apostull, por një rrëzëllimë drite që feks befas në qiejt e ngrysur prej reve të luftës, në tokën e mbjellë me varre e në shtatin e drobitur, e përplot vrragë të një shoqërie në kapërcyell të kohëve.

“Arritjet estetike të Whitmanit kanë ende nevojë për vlerësim dhe në disa raste janë të keqkuptuara… ai është artisti më i madh, që ka nxjerrë kombi. Dhe vërtet, në 400 vitet e fundit, asnjë figurë tjetër artistike nuk është e krahasueshme me atë të Whitman-it në të gjithë Amerikën dhe Karaibet.

Arti i tij pasqyron studime të vetëdijshme të pararendësve të tij në gjuhë, pavarësisht se, kombësia e tij amerikane do ta bënte atë të prirur ndaj traditës britanike.

Walt Whitmani ishte kremtuesi vendimtar i asaj, të cilën ne ende do të vazhdojmë ta quajmë “Besimi Amerikan”, një shkrirje e çastit i të gjitha besimeve në një amalgamë të Entuziazmizmit dhe Agnosticizmit, që shënoi fillimin e rënies së protestantizmit europian në Amerikë dhe që filloi Cane ridge revival më 1800.

Walt Whitman ishte poet i madh i një kombi të madh. Zëri i një mishërimi ndryshesash dhe ngadhënjimi. Ngulmi i kumteve të tij artistike u kthye asokohe në limfën amerikane të gjenerimit të pulsit të vërshimeve të hovshme. Rrapëllimave të një shpirti që do të mëkonte me fjalë, maksima, lirika dhe thellësi mendimi, ushqimin e gjallimit harlisës të shpirtit, i një populli të drobitur nga lufta.

Tek Walt Whitman gjallon një personalitet i tjetërllojtë i kumtit dhe këndimit. Ai është poeti i një energjie përtëritëse, i vitalitetit, asaj që lind magjishëm dhe vetvetiu. Ndër shpërthimet e atij shpirti predikues përftohet një tretësirë e përbërë nga humanizmi dhe hyjnorja, duke kumtuar sakaq afrinë me njerëzit dhe duke u kunguar atyre këtë ngulm sentimentesh si urdhnesat e një shëlbyesi siç mund të ishte vetëm Walt Whitman.

Duke përçapur të shkelim në vitet e hershme të rrugëtimit si personalitet, mësojmë se ai frekuentoi shkolla të ndryshme, por mbeti autodidakt, kremtues i së natyrshmes. Në lëmin e krijimit mbamendet të ketë botuar pjesë një romani, por më 1855 del dritë në New York përmbledhja me poezi “Fije bari”, e cila do futej në fondin e artë të letërsisë botërore, si themeli i poezisë moderne. I rrokur prej kërshërisë së shumë gjuhëve të botës, ky libër do të ngaste gjenerata të tëra dishepujsh, përfaqësuar prej zërash të fuqishëm të poezisë botërore. Por s’pariherë ajo ishte gjaku i shpresës në shtatin e Amerikës së pasluftës, ishte vetë Amerika, ishte ajo që e shuguroi Walt Whitman, atin e Amerikës.

Jeta e poetit

Walt Whitman lindi më 31 maj 1819, plot 195 vjet më parë, pranë Huntington, Long Island, ishulli në formë peshku për të cilin flet shpesh në poezitë e tij, ishull i adhuruar dhe i urryer në të njëjtën kohë, në një familje në gjendje jo të mirë ekonomike. Babai, ndonëse nuk kishte një punë të përhershme, solli në botë nëntë fëmijë. Whitman do të kishte një lidhje të veçantë me nënën, saqë vdekja e saj, ndodhur kjo gjithsesi në moshë shumë të vonuar, e degdisi atë në një gjendje dërrmimi. Kjo goditje do të linte gjurmë pesimizmi në pak nga poezitë e Walt Witman. Në vitin 1823, familja vendoset në Brooklin, kur poeti i ardhshëm ishte 4 vjeç. Witman deri në vitin 1830, iu dedikua studimeve, pastaj filloi të mësojë mjeshtërinë e tipografit. Në vazhdim punoi si mësues filloreje, fatorino dhe një mori angazhimesh të tjera derisa u bë gazetar. Kalimi nga tipograf në gazetar ishte një gjë e natyrshme asokohe në Amerikë. Në këtë periudhë, lindi dashuria e tij për lëvrimin e poezisë.

Në vitin 1833 boton atë që do ta shpallte atë përfundimisht poet dhe “shenjtor”, librin “Fije bari”. Libri kur doli s’pariherë vetëm portretin e tij me uniformë punëtori në kopertinë. Dymbëdhjetë poezitë pa titull dhe një parathënie dhe foton e tij me uniformë punëtori në kopertinë, ishte gjithçka e këtij botimi.

Vitet e famës dhe ndarja tokësore

Rrugëtimi i famës së këtij “ati” shpirtëror do të vijonte ta mbante në zenit famën dhe interesin për poezinë e Whitman.

Harold Bloom te “Amerika e Walt Whitmanit” shkruan se Ralph Emerson-i ishte Elijani, ose John Baptisti i Krishtit amerikan të Whitmanit. A nuk është Whalti aq enigmatik, fluturak, bishtnues, tërheqës sa Jezusi tek Ungjilli i Markut? Ai e vetëpublikoi Fije bari dhe ia dërgoi Emerson-it, i cili iu përgjigjvetpërurimit mendjehollë e të papritur më 21 korrik 1855. Se ishte, sikundër është edhe pas një shekulli e gjysmë, – “pjesa më e jashtëzakonshme e zgjuarsisë dhe mençurisë, që Amerika ka nxjerrë ndonjëherë”. Emerson-i vazhdon: “Ndjehem shumë i lumtur tek e lexoj atë, meqë fuqia e madhe na lumturon. Të përgëzoj për lirinë dhe mendimet e tua aq të guximshme. Kjo më gëzon shumë. Gjej gjëra të pakrahasueshme të thëna në mënyrë të pashembullt. I fërkova pak sytë për t’u bindur, nëse kjo rreze dielli nuk ishte gënjim, por plotëria e librit është e vërteta e esëllt. Libri ka meritat më të mira për sa i takon ndjesisë së fuqisë dhe nxitjes.”

“Fijet e barit” dhe këputja

Vijojnë botime gjithnjë e më të shpeshta të teksteve tashmë të famshme uitmaniane. Botimi i katërt e i pestë shohin dritën mes viteve 1867 e 1868, ndërsa botimi i gjashtë është ai i vitit 1876, për tu pasur Nga i shtati, ai i vitit 1882. Ndërkohë, Whitman bën ndonjë udhëtim: shkon në St. Louis, pastaj në Ontario, për të gjetur doktor R.M. Bucke që do të shkruante studimin e parë kritik për të. Në vitin 1873, do të merrte një goditje frenuese të këtij vërshimi, me një paralizë të pjesshme, por, fatmirësisht, rimerr veten. Më 1884, merr me qirà një shtëpi në Mickle Street, në Camden; në vitin 1888 ka një tjetër paralizë. Ndonëse në kushtet e krizës ekonomike, do të gjendeshin fondet për ta ndihmuar. Në vitin 1889 del botimi i tetë i “Fijeve të barit”. Në vitin 1891 Whitman filloi të përgatisë të ashtuquajturin “death-bed edition”, botimin në shtratin e vdekjes, publikuar më 1892. Po atë vit, më 26 mars, ndahet nga jeta në moshën 73-vjeçare. Vepra e plotë, poezi dhe prozë, iu publikua më 1902, në dhjetë vëllime, duke bërë të mundur ngjizjen e këtij kurmi të plazmojë në memuarin e vetëdijes dhe shpirtit amerikan, si një pjesë e historisë dhe mishërimit të shpresës së kombit, të cilit i shërbeu si një “shenjtor” i shpresës.

Filed Under: ESSE

Skënder Rusi; “Ç’ditë e bukur për të vdekur”

May 31, 2024 by s p

Poeti që ka lindur lirik dhe do të mbetet epitoma, mishërimi i bukurisë poetike dhe emocionit lirik.

Requiem Homazh – In Memoriam

Nga Raimonda Moisiu-Sade

I trishtë lajmi i ndarjes nga jeta e mikut tim, i miri i më të mirëve, e lirikut të shquar korcar, poeti i dhimbjes e dashurisë Skënder Rusi, -kjo emblemë poetike, lirike dhe bashkëkohore. Poeti dhe shkrimtari Skënder Rusi është nga ai kamp poetik që dalin dhe shpërthejnë rebelët, poeti dhe njeriu që shkruante me aq dhimbje për dashurinë njerëzit, nënën, gruan, babain, motrën, por mbi të gjitha, vargjet lirike pafund Korcës së tij, që ai e donte aq shumë. Poeti dhe njeriu që dashuronte cmëndurisht botën e letërsisë, poezisë dhe të librave. Letërsia dhe poezia i bën njerëzit të butë, të dashur e të dhimbshur, – i tillë ishte poeti i shquar i vargjeve lirike. Skënder Rusi. Sa herë shkoja në Korcë dhe endesha ngado rrugëve të qytetit tim, entusiaste dhe optimiste, shijoja sinqeritetin që rrezatonte mirësi, miqësi, dashuri, vullnet e kulturë, shijoja bashkëjetesën e kësaj magjie ngazëllyese me dinamizmin njerëzor. Komunikoja me vlerën e tyre të pamatë të reales dinjitoze dhe shpirtërores njerëzore, fleksibitetin e tyre. Ecja dhe ndalja aty përballë Bibliotekës që mbartëte emrin e autorit të “Bleta Shqiptare”, – Thimi Mitko. Kjo godinë madhështore mblidhte “pjalmin e bletëve” të artit, historisë, dijes, letërsisë e kulturës, muzikës, poetë e shkrimtarë, inteligjencës e qytetarisë korcare, në brendësi të saj, duke i ruajtur ato përjetësisht si pashaporta e qytetit, pika e takimit dhe e komunikimit me trashëgiminë e traditës, gjuhës dhe vlerave qytetare e kombëtare, të mesazhit për jetën dhe ekzistencën e dashurisë njerëzore dhe frymëzimit të përhershëm. Si gjithmonë nuk mund të rrija patakuar njeriun që drejtonte këtë “arkiv” të artit e kulturës, lirikun bashkëkohor, -mikun tim fisnik dhe të vyer, poetin Skënder Rusi. Pasi të përshëndetëte, me atë buzagazin e tij karakteristik, Skënder Rusi fillonte e të recitonte vargjet e poezive të tij të sapo krijuara dhe të librave me poezi që pati botuar. Ai recitonte vargjet, dhe në zërin e tij poetik, dalloje ndjeshmërinë e vetëdijshme për marrëdhënien e natyrës me shpirtin e njeriut, një zë poetik i vecantë, plot madhështi e me shije të hollë nga koha dhe përkushtimi ndaj artit poetik. Thuhet që një poet duhet tërë jetën të shkruajë vargje në bahcen e tij poetike, duke shprehur thellësinë e ndjenjave të cdo luleje, gjethe e petale të saj, melodinë e cicërimave të zogjve, me përkujdesje, brishtësi e butësi, dashamirësi e zemërdhëmbshuri, gjetje e detaje të tilla imtësisht artistike që mbajnë peng lexuesin dhe shpirtin e poetit. Jeta merr kuptim për poetin dhe njerësit që e rrethojnë, liriku Rusi e dashuronte jetën dhe hidhte ndjenjat e tij në poezi, që rrjedhin me nektarin e vargjeve; dashuri, magjepsje, ëndërrim, thirrje shpirti, pasion, lektisje zemre, frymë e frymëmarrje, muzën që nuk rreshtëte kurrë. Skënder Rusi është ndër lirikët më të shquar bashkëkohorë që reflekton e përcjell delikatesën dhe elegancën e ndjenjës së dashurisë mes dy qënieve njerëzore, por edhe si njeri-humanizmin. Ai dinte t’ia dilte dhe në cfarëdolloj mënyre arrinte suksesshëm ndjeshmërinë absolute me botën magjike të vargjeve. Poezia me titull “Vajzë prej qelqi”-është e thjeshtë në dukje, njerëzore, i shpërndarë ku ndjenjat luajnë këndshëm me koloritin e endjes së tyre, me sakrificën e saj pa pengesa dhe me dëshirën e mirë, që në fund gjithcka të jetë për dashurinë, miqësinë dhe njerëzoren;”Vajzë e vogël/me sy prej qelqi/sa herë hyj brenda tyre/unë eci zbathur/mos thyej ndonjë gjë/që dot se ndreq!”

Sakrifica e sfida për ndjenjën dhe me ndjenjën, për dashurinë dhe me dashurinë, të përballueshme, të ngrohta e të ëmbla, krejt jetësore e njerëzishëm mes dy qënieve në endjen e ndjenjës së përditëshme, se i përkasim dashurisë për jetën.

“Qelq i ke sytë, qelq!/vajzë kryenece/me buzët prej qelqi/sa herë ndeshem në to/ti mua më kap rob/dhe robërit i trajtoke keq!/Qelq,/I ke buzët/qelq!Vajzë e brishtë,/me trup prej qelqi/duart i kam skelet,/dridhem kur të prek,/kam frikë mos më thyesh vërtet!/qelq je e tëra qelq!”

Pikërisht kjo është ajo c’ka reflektohet në poezinë e Rusit, ku secili nga ne qoftë mashkull apo femër gjejmë vetveten, por edhe ata që nuk e gjejnë, sigurisht forca e ndjeshmërisë të tyre, i bën të gjejnë dicka nga vetvetja. Secili nga ne gjen shpirtin binjak, përkujdesjen, dashurinë e njerësve të jetës sonë, që ecin e marrin frymë me ne, që marrin e japin dashuri për ne e me ne, që i kemi pranë nesh me shpirt zemër e mëndje. Afeksioni metafizik i jetës, që na ndjek në cdo hap të saj, që i dëshirojmë me të gjitha atributet njerëzore të kësaj bote. Lirikat poetike të Skënder Rusit, me figura artistike e mendim filozofik, me rimëbardhat, kadencën dhe melodinë e fuqishme, dëshmojnë gabimet e bukura dhe forcën e tyrë tërheqëse, të papërballueshme e të dëshirueshme për t’i përsëritur. Rusi jo vetëm është i talentuar, por ai dhëmbshurisht dhe me kujdes, tregon agoninë e një botë të ashpër, butësinë e saj në nevojën për njerësit, të natyrës konfesionale të lidhur me shpirtin e tyre. Nga vëllimi poetik, “Digjen meteorë”, po shkëput disa tituj poezish që poeti i ka përdorur edhe për të emërtuar kapitujt e këtij vëllimi si; “Lirikë”, “E paske një mall”, “Dhe vjen një moshë”, “Net marrëzish”, “Simfoni e takave”,“Vetmi gruaje”, “Kapricoja e erës” “Gruaja mëkatare”, “Se ti gjithmonë sec bën ca gjëra”, “Duhet të duhemi” “C’ditë e bukur për të vdekur”, poezi që mbartin identitetin unik në zhanrin e saj. Pikërisht në poezitë “Vetëvrasje” (kushtuar –V.Qurkut-) dhe “Nuk qënka lojë” (kushtuar-Ilir Belliut-) ka dhimbje, ankth, tjetërsim, zbrazëti, dëshpërim që mund të jetë rezultat e një padrejtësie morale e shpirtërore, paraqet botën e konsumuar nga brutaliteti dhe robotizimi i saj; “Unë po ik’ miku im, po ju lë,/nuk pranoj me të tjerët të flas./jam ky kalë i lodhur që sheh,/që tërheq tërë botën nga pas/ jam ky kalë i lodhur që sheh,/I dënuar të mbaj mbi shpinë./Ndaj dhe erdhi ky cast që tu lë,veten time ta flak në greminë./(poezia Vetëvrasje,fq.119), apo të poezia “Nuk qënka lojë”, -për Ilir Belliun-fq. 131.“Gjithmonë kam shpresuar/se ish një lojë poeti/se u zhyte mes ujrash/sa për t’u fshehur pak./Delfin i brengës, ke ngatërruar detin,/atje ishte vendi yt,/e jo këtu në Dajt”

Në strofën e fundit të kësaj poezi shpirti i poetit shpërthen në zemërim e tërbim: “Kush të pëshpëriti,/ atë shteg të marrësh,/ty s’mund të të nxërë asnjë botë tjetër/- poezia të rrëmben në udhëtimin e një game të tërë të emocioneve të njeriut me brishtësinë si edhe të gjithë intensitetin e saj duke iu drejtuar përsri me vargjet ;”Unë e di që do ikësh/edhe prej parajsës,/drejt një qielli të grisur,/ku pushojnë poetët”.

Poeti lirik Skënder Rusi është mjeshtër, bukur dhe koherent, me metafora, me inteligjencë e parabolik, bën një gërshetim të fantazisë me realitetin, dramë e humor, me shumë të papritura, gërshetim që e ndihmon në përceptimin e narrativës poetike. Të gjitha këto në shërbim të ndjenjës së ndarjes e urtësisë së shpirtit njerëzor. Rusi shkëlqyeshëm në cdo varg të lirikave të tij, të befason me kompleksitetin dhe imagjinatën e tij, lejon lulëzimin e pjekurisë dhe urtësisë së shpirtit, magjepsjen, harmoninë, dashurinë, mallin, dhimbjen, jetën e vdekjen. Poezia e tij, është referim i fuqishëm shpirtëror, pafundësisht i këndshëm, intim, interiesant, i ndjeshëm, ritëm e muzikalitet, fjalor të pasur me figura artistike të vecuara që krijojnë imazhin poetik të ndritshëm, të lëvizëshëm, të angazhuar e të hermetizuar, forca tërheqëse në kuptimin e fjalëve, duke harmonizuar botën e brendëshme me botën e jashtëme, në të njëjtën kohë. Unë jam mëse e bindur se sa herë të lexohet poezia e tij, do të zbulojë më shumë nunancat e saj brenda shpirtit të gjithsecilit. Lirikat e Rusit ju ndihmojnë të kuptoni se ju tani kini rrëmbyer gjithë diturinë për t’iu përgjigjur dilemave të jetës. Poeti ka dhuntinë e vërtetë për të shpalosur përmes fuqisë poetike të dyja anët e mistereve të shpirtit, një përvojë e rrallë kjo që krijon një koleksion të paharrueshëm të bukurisë shpirtërore. Rusi në cdo lirikë zbulon e sjell risi dhe freski në rrugën e tij të komunikimit me idetë e tij dhe ndjenjat -me aftësi e njohuri, aspektet kyce të poezisë, manipulon gjuhën për efekte të vecanta, mosvënja në disa raste e shënjave të pikësimit, apo praktika e vecantë e dhënjes së titujve me metafora erotike, përshkrimi i realiteteve të dhimbshme, të shoqërisë shqiptare: “Kam filluar të jetoj në të tjerë njerëz,/(Ika prej vetes ku gjithnjë bëhej luftë.)/Si një i plagosur që lë fushën e betejës,/Dhe shkon për tu mjekuar, ku të mundë./Nuk mund të rrija më aty brenda,/Ku në fron, cdo natë,/Vihej zemra”,-klith në vargje poeti Skënder Rusi. Autori i këtyre vargjeve është në thelb “poet i imagjinatës së errët dhe artist i vetëdijshëm që i di vlerën e të fshehtave të artit. Rusi shquhet në lirikat e tij për varitetet, vitalitetin dhe cilësinë e tyre. Ai gjallëron format tradicionale ekzistenciale e impresionuese dhe stile më të qarta të të kuptuarit eklektik të krijimtarisë, vizionin e impulseve, thellësinë e ndjenjave, sensin e vet, dhe pasurimin e gjuhës.

“Ne s’bëjmë asgjë të keqe.Duhemi./Ndaj dhe kjo ditë/nuk perëndon ende./Ne jemi akrepat e orës së diellit,/Lëvizim brenda tij,/ si brenda një zemre./Ne s’bëjmë asgjë të keqe.Vështrohemi./Duke u bërë secili/sadopak i verbër/Që të mos na vijë turp kur të takohemi,/në tao vende ku s’ka shkelur asnjë tjetër.”(-Poezia “Ne s’bëjmë asgjë të keqe”-fq.167 –nga vëllimi poetik “Digjen meteorët).”

Rusi nuk ndalet në ligjërimin e bukurisë shpirtërore dhe ekzistencën e ndjenjës së dashurisë duke na dhënë edhe veten e tij në ngjashmëri me universalen e ndjenjave të dy qënieve. Dhe ai vazhdon me vargjet në të njëjtën poezi: “Ne s’bëjmë asgjë të keqe. Puthemi./Duke hapur portën/ e botës së përtejme./Brenda saj gjithmonë/ka dicka prej absurdi,/që bëhet shkak për grindjet mes njerëzve./Ne s’bëjmë asgjë të keqe.Gënjehemi./Duke i marrë atë që i vjeshton,/njëri-tjetrit./Në u bëfshim Promete,/zjarre nuk do vjedhim,/Por urrejtjet që në shpirt/mbajnë njerësit.”

Lirizëm i freskët, mendim tejet i ngjeshur, figuracion spontan, i përzëmërt, madhështor, i ngarkuar emocionalisht e kumbues. Virtyti i lirizmit të Rusit është ritmi në kërkim të së bukurës e të ndjeshmes, i pjekurisë dhe urtisë së tij, është kombinimi perfekt i dy rrymave; ekzistencializmit & impresionizmit.

“Korcës –një fjalë dashurie” është titulli i poezisë që poeti lirik Skënder Rusi ia dedikon qytetit të tij, ku ai jeton, punon e krijon.Tashmë kjo poezi është bërë himn, recitohet nën zë nga qytetaria e rinia korcare në cdo cep të saj.

“Jetoj në një qytet në formë zemre,/Ku kitarat netëve marrohen!/Ku djemtë nuk rrinë pa të shkelur syrin,/Dhe vajzave ju pëlqen të ngacmohen!/Jetoj në një qytet që dremit,/Dhe zgjohet mbi supin e një mali./Ku dielli para se të nisë udhëtimin,/Çlodhet pak mbi sup të një ushtari!*/Jetoj në një qytet që më deh,/Jo me vodkë,por me dashuri!/Ku çdo grua,në sy,nuk të sheh,/Po të ndjek me sy,kur s’sheh ti!/Jetoj në një qytet që m’i fal,/Të gjitha marrëzitë që kam bërë!/E ç’ta fsheh,edhe unë jam mëkatar,/Ndaj dhe falem siç falen të tërë!/Jetoj në një qytet që e dua,/Brenda zemrës së tij kristal!/Dhe druhem,a do arrij dot,/Që famë,nga fama ime t’i fal! Jetoj në një qytet ku nesër

do të kem,/Patjetër emrin e një rruge!/Po të më pyesni kë do zgjedh,/do t’ju tregoja atë,/Që në vend të gurëve/është e shtruar me puthje!”

Kjo poezi është një dhuratë e përkryer e poetit Rusi për Korcën dhe qytetarët e saj, ka spiritualitet e dëshirë për të hulumtuar në zemrën e qytetit e dinamizmit njerëzor. Poezisa mbart ndjenjë, dashuri, mall, brengë, nostalgji, muzikë, histori, gjeografi, mbart imazhet e këtij qyteti mondan e historik, qyteti i dashurisë dhe artit, dijes e kulturës, i serenatave e blireve. Mbart qytetarinë dhe botën intelektuale të frymëzimit të vazhdueshëm–mbart thesarin shpirtëror të Korcës. Shkruan prozë, reciton poezi, të flet dhe të krijon vargje me një rimë monstruoze, duke përdorur sarkazëm ironi, metafora dhe epitete te shumta në mënyrë të koloruar…!

Meditonte poeti teksa binte muzgu dhe dita ngrysej,mes thjeshtësisë së shpirtit, madhështisë së vetmisë, ëmbëlsisë dhe etjes për jetën, rebel i heshtur edhe ngjyrimeve të vdekjes, që poeti e dinte fare mirë – fenomene jetësore e njerëzore që munden të shpëtojnë vetëm përmes artit. Në të gjitha këto e tërhiqte tradita se si ajo përqëndrohet vetëm në atë moment kur fjalët e poetit fillojnë të jetojnë pas vdekjes së tij.

Poeti Skënder Rusi është epitoma, mishërimi i bukurisë poetike dhe emocionit lirik për të shprehur atë që e beson përballë krizës së shpirtit dhe të krizave në jetë. Skënder Rusi është mendja e pena lirike brilante bashkëkohore që besonte se mund edhe të ndryshojë e ta verë në lëvizje botën nëpërmjet testamentit sfidues e besues, gëzimit e dhimbjes, brengës e vetmisë, me finesë dhe i beftë, i ëmbël dhe i dhëmbshur, mërmërimë dhe pëshpërimë, trishtim e dashuri. Skënder Rusi ka lindur lirik e do të mbetet emblema poetike e letrave shqipe, si poeti i dhimbjes së bukur- dashurisë njerëzore. *Bëhet fjalë për monumentin e Ushtarit të Panjohur në qendër të Korcës.

Me ikjen e poetit dhe shkrimtarit Skënder Rusi

ndjejmë trishtimin, boshllëkun dhe mungesën që na lë në zemër e shpirt, gjithmonë humbje e një personaliteti intelektual, kombëtar e historike për kombin, letrat shqipe, Korcën dhe shoqërinë shqiptare. Mirënjohje dhe nderim për mikun dhe kolegun tonë të cmuar, Skënder Rusi , hija e veprës së tij do të shquhet ndër breza si një vlerë kombëtare e historike.

U prehsh në paqe Skënderi yne i mrekullueshëm, Poeti i Dhimbjes e Dashurisë!

Qofsh i paharruar!

Ëngjëjt të këndofshin në çdo agim!

Me dhimbje, respekt e dashuri

Filed Under: ESSE

RRUGA JONË DREJT RRËNJËVE TONA KULTURORE MUND TË FILLOJË NGA BOB DILLANI

May 31, 2024 by s p

Arti pa kujtesë nuk shprehë idealet e vërteta të njeriut shqiptar për jetën, familjen, atdheun, dashurinë, urrejtjen, besën, tradhtinë, vdekjen dhe jetën e pasosur. Prandaj, tjetërsimi ynë kurrkund nuk zbulohet më frikshëm se sa në poezi e në këngë.

Milazim KRASNIQI

Para pak ditësh ishte ditëlindja e Bob Dillanit, këngëtarit legjendar dhe fituesit të Çmimit Nobel për letërsi. Kur e pati fituar Nobelin kam thënë se ai çmim do të duhej të na gëzonte ne shqiptarëve më së shumti. Pse? Sepse vlerësimi i Bob Dilanit me çmimin më të lartë për letërsi, është vlerësim për një formë të artit poetiko-muzikor, që ne shqiptarët e kemi kultivuar me shekuj. Natyrisht shkaqet dhe konteksti ynë për këtë formë simbiotike të artit, ka qenë krejtësisht tjetër nga ai i Dillanit, por rezultati ka ngjashmëri: tekstet janë krijuar për t’u kënduar dhe janë kënduar duke shkrirë qëllimisht tekstin e muzikën në një tërësi unike artistike. Kjo nuk ka ndodhur vetëm me letërsinë popullore, po edhe me letërsinë e shkruar shqipe. Mjafton të kujtohet këtu poema zulmmadhe e monumentale “Lahuta e malcis” e Gjergj Fishtës, e cila është kënduar deri vonë nga rapsodët në Kosovë. Pra, vlerësimi për poezinë-muzikë të Dillanit, ne shqiptarëve do të duhej të na gëzonte, si një vlerësim për një formë të kombinuar të poezisë e muzikës, që ndër ne ka qenë dominante. Por, nuk ndodhi ashtu. Edhe në atë rast u vërtetua që letërsia dhe kultura jonë janë shkëputur shumë nga rrënjët e saj, nga tradita mirëfilli shqiptare, ku kombinimi i poezisë me këngën kanë qenë të pandashëm, të vetëkptueshëm. Pra, shumë shekuj para mrekullisë artistike të Bob Dilanit, këtë model e kemi kultivuar me sukses të rrallë ne shqiptarët. Kënga kreshnike shqiptare, me tekst mirëfilli artistik dhe me interpretim në formë rituali, ka edukuar artistikisht e kombëtarisht breza shqiptarësh ndër shekuj. Simbioza e tekstit dhe këngës kanë përftuar një model artistik që ka pasur audiencë të madhe dhe madje aktive. (Kujtoni këngën e Salih Sylës, ku bukuria e interpretimit të këngës, provokon pasionin e grave për ta dëgjuar, me çka thyen konvencionin dhe ashtu audienca aktive bëhet e kobshme për artistin!) Kjo simbiozë e poezisë me muzikën dhe ajo audiencë aktive e ka modeluar jo vetëm përjetimin artistik, po edhe atë real të botës nga ana e shqiptarëve. Disa nga rapsodët kanë qenë poetë e këngëtarë njëkohësisht, duke mbajtur gjatë interpretimit ekuilibrat fantastikë ndërmjet kuptimit të vargjeve dhe emocioneve të muzikës. Mjafton të kujtojmë në këtë kontekst rapodë si Sali e Feriz Krasniqi, Riza Bllaca, Augustin Uka, Marash Krasniqi, Ibish Broja, etj., që të kuptojmë se ata bënë për artin poetik-muzikor po atë mrekulli artistike që bëri e bën Bob Dillani për kulturën amerikane. (Natyrisht, me kufizimet që impononte gjendja e rëndë e kombit shqiptar.)

Pse nuk u kujtua askush për këtë ngjashmëri të disa poetëve dhe rapsodëve tanë me modelin e poetit-këngëtar, që sivjet fitoi Nobelin për letërsi? Përgjigja mbetet po ajo, e dhimbshme: sepse ka një harrresë të frikshme që është vendosur mbi kulturën tonë kombëtare nga periudha e “vesternizimit” të rremë dhe realizmit socialist e që po vazhdon me egërsi edhe në ditët tona të një liberalizmi anarkist. Gjatë kësaj kohe na është fshirë një pjesë e rëndësishme e kujtesës kulturore. Prandaj, sot eksperimentohet një art e kulturë pa kujtesë. Ama, arti pa kujtesë nuk shprehë idealet e vërteta të njeriut shqiptar për jetën, familjen, atdheun, dashurinë, urrejtjen, besën, tradhtinë, vdekjen dhe jetën e pasosur. Prandaj, tjetërsimi ynë kurrkund nuk zbulohet më frikshëm se sa në poezi e në këngë. Meqë kjo shkëputje nga vlerat e traditës shqiptare ka ndodhur në përmasa tmerruese, pothuaje askush më nuk e ndjen, as nuk e sheh gjëmën e kësaj shkëputjeje. Po rrezikojmë që të lëmë prapa vetes një amulli kultrurore. Nëse kjo ndodhë, do të jetë truall për zombet, që edhe nëse si nëpër mjegull do të thonë se janë shqiptarë, kulturalisht nuk do të jenë të tillë. Prandaj, verdikti i sivjemë i Komitetit të Nobelit meritonte vëmendjen tonë në këtë drejtim. Bile ka kohë që kjo të bëhet. Fjala vjen, mund të organizohen sesione e konferenca të reja shkencore lidhur me këtë tematikë, që të trajtohen aedët homerikë, rapsodët e këngëve kreshnike, modeli i poetit Gjergj Fishta, për të ardhur deri te të kuptuarit më të mirë edhe të mrekullisë artistike të Bob Dillanit. E gjitha kjo do të duhej të bëhej në kontekstin e vlerave të poezisë dhe të muzikës tonë shqiptare, e cila i ka rrënjët thellë në antikitet, atje ku poezia e muzika ishin bashkë. Dhe bashkë erdhën edhe përmjet aedëve, këngëve akritike e atyre kreshnike, poezisë alamiado, poezisë fishtiane, këngëve historike e deri te rapi. Por, amnezionin tonë duket se nuk po arrin të na e shërojë as mrekullia që ndodhi me Bob Dillanin. Ndërsa, vlerësimi i veprës së tij gjithnjë mbetet rast që t’i kthehemi kësaj çështjeje. T’u kthehemi modeleve tona artistike dhe rrënjëve tona kulturore.

Filed Under: ESSE

Neuroshkenca e daljes nga të menduarit negativ (dhe si ta bëjmë atë në nën 30 sekonda)

May 30, 2024 by s p

Nga Rafael Floqi ‘Psikologjia e vetvetes’

illustration of a brain against a graphical backdrop

Truri juaj është i lidhur për t’u fokusuar në negative. Ja se si të ndërtoni një mentalitet të ri, më pozitiv, në çdo kohë, kudo. Sapo keni marrë telefonin me një nga klientët tuaj më të rëndësishëm. Marrëveshja që do të ndryshonte lojën që po përpiqeshit të mbyllni është e mbyllur. Ata nuk janë të interesuar.

Sapo keni vendosur 10 investitorë potencialë. Ata të gjithë thonë se janë “të interesuar”, por kanë kaluar dy javë. Ju rifreskoni kutinë tuaj hyrëse çdo orë, por ende nuk ka asnjë fjalë.

Si reagoni në këto situata?

Nëse jeni si shumica e njerëzve, mendja juaj vërshon me negativitet. “Ndoshta produkti ynë është i neveritshëm,” “Pse nuk mund të bëj një pushim?” ose “Ndoshta ka diçka që nuk shkon me mua.”

Neuroshkencëtarët kanë një emër për këtë zakon automatik të trurit: “paragjykim negativ”. Është një tipar adaptiv i psikologjisë njerëzore që na shërbeu mirë kur po gjuanim me shtiza në savanë 120,000 vjet më parë.

Sidoqoftë, në kohët moderne, ky zakon i trurit na bën të reagojmë ndaj një emaili të ashpër ose bisedës së vështirë sikur jeta jonë të ishte në rrezik. Ai aktivizon një kaskadë të hormoneve të stresit dhe na lë të fiksuar ndaj kërcënimeve të mundshme, të paaftë për të parë pamjen më të madhe.

Neuroshkencëtari Rick Hanson ka një analogji të madhe për këtë cilësi të çuditshme të mendjes. “Truri juaj,” shkruan ai në librin e tij “Truri i Budës”, “është si Velcro për përvojat negative dhe Teflon për ato pozitive”. Kur humbet një klient, kur investitorët nuk vijnë në telefon, ose kur përballesh me qindra zhgënjime të tjera të përditshme të jetës, je i prirur të harrosh të gjitha gjërat e mira dhe në vend të kësaj të fiksohesh pas negatives.

Si mund ta kthejmë këtë zakon të ngurtë të mendjes?

Tre fjalë: Verejtje-Ndryshim-Rilidhje ( Notice-Shift-Rewire) Kjo strategji e thjeshtë vë në praktikë depërtimin thelbësor që doli nga revolucioni i neuroshkencës në 30 vitet e fundit – njohuria që, sipas fjalëve të neuroshkencëtarit të hershëm Donald Hebb, “neuronet që ndezin së bashku, lidhen së bashku”. Është njohuria që na kujton se truri nuk është i fiksuar. Zakonet e tij nuk janë si allçi. Ata janë më shumë si plastikë, mjaft të fortë për t’i rezistuar shtytjeve të herëpashershme, por mjaftueshëm të përkulshëm për të ndryshuar në përgjigje të përpjekjeve të përsëritura.

Kjo është magjia e Notice-Shift-Rewire. Duke marrë një moment çdo ditë për të tërhequr vëmendjen tonë te kjo praktikë, ne ndërtojmë zakonin e zhvendosjes nga paragjykimi negativ në gjendje më të dobishme mendore: duke kujtuar fitoret tona të së kaluarës, duke festuar pikat tona të forta dhe duke e parë jetën si një seri mundësish dhe jo një slogan i pamëshirshëm përmes pengesave dhe thyerjes së zemrës.

Si e integroni praktikën e Notice-Shift-Rewire në mes të jetës së përditshme?

1. Vini re paragjykimin tuaj negativ.

Hapi i parë është të ndërgjegjësoni këtë zakon të zakonshëm të mendjes. Kapeni veten kur rrëshqitni në dyshime për veten, përsiatje, ankth dhe frikë. Vini re kur mendja juaj fillon të tregojë skenarë të rasteve më të këqija se si gjithçka do të shembet.

2. Kaloni në një moment mirënjohjeje.

Vërejtja hap hapësirën për gdhendjen e rrugëve të reja nervore. Zhvendosja ju lejon të vërshoni këtë hapësirë ??me një fokus më produktiv të vëmendjes. Disa sekonda mirënjohje janë mënyra më efikase për ta bërë këtë. Mendoni për një gjë për të cilën jeni mirënjohës tani. Shtëpia juaj. Puna jote. Shendeti juaj. Familja jote. Talentet dhe pikat tuaja të forta. Makina juaj.

3. Rivendos trurin tuaj.

Ja ku fillon puna e vërtetë. Hanson e quan këtë akt të thjeshtë të shijimit. Duhen 15 sekonda për të qëndruar me këtë mentalitet të ri — për ta koduar atë thellë në strukturën e mendjes suaj.

Ky hap i fundit është vendi ku ne transformojmë zakonin tonë të zakonshëm për të anashkaluar pozitiven. Është vendi ku ne e zhvendosim reagimin e trurit ndaj të gjitha të mirave në jetë nga Teflon në Velcro. Ne po kthejmë telat tona të evoluara në kokën tonë — duke marrë vetëm disa sekonda për të ndërtuar kujtime më të forta rreth të gjitha gjërave të mira që ndodhin në jetë.

Gjëja më e mirë në lidhje me këtë praktikë është se është efikase në kohë, e lëvizshme dhe e fuqishme. Duhen më pak se 30 sekonda, ju mund ta bëni atë në çdo kohë dhe kudo dhe do të filloni të përjetoni një ndryshim të menjëhershëm në mentalitetin tuaj.

Në momentin që bëni këtë ndryshim, gjithçka ndryshon. Ju kujtoni qëllimin tuaj, prisni sfida të reja dhe e përballoni jetën me optimizëm të përtërirë.

Provojeni një herë në ditë, çdo ditë për një javë dhe shikoni se çfarë ndodh.

Çfarë i lëndon më shumë narcisistët? Si t’ia thyeni zemrën një narcisisti?

Thyerja e zemrës së një narcisisti mund të duket si një arritje e pamundur, pasi ata njihen për ndjenjën e tyre të fryrë të vetëvlerësimit dhe mungesës së ndjeshmërisë. Megjithatë, ka disa veprime dhe sjellje që mund t’i plagosin thellë emocionalisht. Për të kuptuar se çfarë i lëndon më shumë narcisistët, duhet të thellohemi në psikikën e tyre dhe të eksplorojmë dobësitë e tyre. 

 Sfidoni madhështinë e tyre: 

Narcistët lulëzojnë duke u perceptuar si superiorë ndaj të tjerëve. Sfidimi i besimeve ose arritjeve të tyre mund të jetë një goditje për egon e tyre. Angazhohuni në biseda të sinqerta që vënë në dyshim imazhin e tyre të ekzagjeruar për veten, por përgatituni për reagime mbrojtëse.

 Injoroni nevojën e tyre për vëmendje: 

Narcistët dëshirojnë admirim dhe vëmendje të vazhdueshme. Duke tërhequr vëmendjen tuaj dhe duke refuzuar të ushqeni egon e tyre, ju mund të shponi egocentrizmin e tyre. Kjo mund t’i bëjë ata të ndihen të parëndësishëm dhe të parëndësishëm, gjë që është thellësisht shqetësuese për ta.

 Vendosni kufij dhe pohoni veten: 

Narcistët shpesh shpërfillin kufijtë dhe ndjenjat e të tjerëve. Duke vendosur me vendosmëri kufijtë tuaj dhe duke mbrojtur veten, ju pohoni individualitetin tuaj dhe sfidoni besimin e tyre se ata kanë të drejtë për trajtim të veçantë.

 Ekspozoni taktikat e tyre manipuluese: 

Narcistët janë manipulues të aftë që përdorin sharmin dhe manipulimin për të marrë atë që duan. Duke iu drejtuar hapur taktikat e tyre dhe duke refuzuar të manipulohen, ju ua hiqni fuqinë dhe zbuloni qëllimet e tyre të vërteta.

 Refuzoni nevojën e tyre për kontroll: 

Narcistët kanë një dëshirë të pashuar për kontroll mbi të tjerët. Duke pohuar pavarësinë tuaj dhe duke refuzuar të përmbushni kërkesat e tyre, ju sfidoni ndjenjën e tyre të kontrollit, gjë që mund të jetë thellësisht shqetësuese për ta.

 Tregoni ndjeshmëri ndaj të tjerëve: 

Narcistëve u mungon empatia dhe shpesh i shfrytëzojnë të tjerët për përfitimet e tyre. Duke shfaqur ndjeshmëri të vërtetë ndaj të tjerëve, ju nënvizoni mungesën e tyre të dhembshurisë dhe ekspozoni natyrën e tyre të vërtetë.

 Angazhohuni në kujdesin për veten: 

Narcistët shpesh e perceptojnë veten si të përsosur dhe superior. Duke u fokusuar në kujdesin për veten dhe rritjen personale, ju demonstroni se i jepni përparësi mirëqenies suaj mbi miratimin ose vërtetimin e tyre.

Është e rëndësishme të theksohet se përpjekja për të thyer zemrën e një narcisisti nuk duhet të bëhet për hakmarrje ose me qëllim keqdashës. Në vend të kësaj, këto strategji duhet të përdoren me synimin për të vendosur kufij të shëndetshëm dhe për të promovuar rritjen personale.

Mbani mend, thyerja e zemrës së një narcisisti nuk është një rezultat i garantuar, pasi ata thjesht mund të hedhin poshtë përpjekjet tuaja ose të hakmerren me manipulime të mëtejshme. Është thelbësore t’i jepni përparësi mirëqenies suaj dhe të kërkoni ndihmë profesionale nëse është e nevojshme kur keni të bëni me individë narcisistë.

Si përfundim, sfidimi i madhështisë së një narcisisti, vendosja e kufijve, ekspozimi i taktikave të manipulimit, refuzimi i kontrollit, shfaqja e ndjeshmërisë ndaj të tjerëve dhe përqendrimi në kujdesin për veten janë mënyra efektive për të lënduar potencialisht një narcisist emocionalisht. Megjithatë, mbani në mend se thyerja e zemrës së një narcisisti mund të mos jetë gjithmonë e mundur ose e këshillueshme në çdo situatë.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 69
  • 70
  • 71
  • 72
  • 73
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT