• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SIMBOLOGJI

April 27, 2024 by s p

Zija Vukaj/

Shtata

Bashkë me treshin është më i rëndësishmi i numrave të shenjtë në traditën e kulturave të lashta orientale. Në literaturën akadiko- sumerike përmenden shtatë demonët që janë paraqitur nga shtatë maja dhe manifestohen në costelacionin e Plejadave. Tek hebrenjtë konceptimi oriental i shtatës realizohet në formën e shandanit me shtatë krahë (menorah) që shpie ndoshta sa në ndarjen në katër pjesë të orbitës së Hënës, që zgjat 28 ditë, aq në shtatë planete. Pastaj shtata është shumë e rëndësishme në “Apokalipsin e Gjonit” (ku flitet për shtatë kishat, shtatë brirët e dragonit të përbindshëm, shtatë kupat e zemërimit në “Librin e shtatë vulave”). Shkatërrimi që i detyrohet zemërimit hyjnor, është i lidhur me një episod të njohur që ka të bëjë me shtatën, i nxjerrë nga “Testamenti i Vjetër”: shtatë priftërinj me shtatë tromba prej briri dashi (shofar) bënë për shtatë ditë rrotullimin rreth murit të Jerikut në Palestinë. Të shtatën ditë bënë shtatë xhiro përreth qytetit; pastaj, në thirrjen për luftë të izraelitëve muret u shembën (Giosué, 6, 6- 20).

Në Persinë e lashtë nderoheshin “shtatë shenjtorët e pavdekshëm”, shtatë shpirtra të epërm (Amesha Spenta), në zjarrputizëm: mendimi i mirë, ligji më i mirë, mbretëria e dëshiruar e Zotit, mëshira e shenjtë, integriteti i përsosur, pavdekësia që kthen rininë, bindja. Në Evropën mesjetare konsideroheshin shumë grupet e shtatës: ishin shtatë dhuratat e Shpirtit të Shenjtë të paraqitura prej artit gotik në formën e pëllumbeshave. Përveç kësaj, shtatë ishin virtytet: arti, shkenca, sakramentet, mosha e jetës së njeriut, mëkatet kapitale, kërkesat e shprehura në tënzot. Në Kinën e Lashtë shtata i shoqërohej, si numër tek, parimit mashkullor të “yang” (yin- yang); ndërsa shprehte rendin e viteve të jetës së gruas: pas periudhës së parë të formuar nga dy herë prej shtatë vitesh fillon rruga e “yin” (menstruacioni i parë) dhe pas një periudhe prej shtatë herë nga shtatë vjet kjo jetë ka përfunduar (klimaksi). Përsëritje për shtatë here e shtatë ditëve ishte po ashtu e rëndësishme në kultin e të vdekurve, nga momenti që çdo shtaë ditë pas vdekjes (deri në ditën e 49-të) organizoheshin festime e sakrifica në kujtim të të vdekurit. Ditën e shtatë të muajit të shtatë mbahej edhe një festë e madhe për nder të grave të reja dhe të vajzave. Konceptimi i shtatës që i referohet shtatë planetëve dhe që ka mundësi të na çojë në një ndikim të kulturës indiane mbi Kinën, është në këtë vend më pak tradicional i konceptit më të lashtë, sipas të cilit, vetëm pesë ishin planetët- perëndi të fatit.

Shprehja gjermane “böse Sieben”, pra “shtata e keqe” (në kuptimin “shamataxheshë”, grindavece) mund ta ketë zanafillën në “derën e shtatë” të oroskopit (martesa) që tregon një aspekt grindjesh të ardhme ose, në kuptimin më të përgjithshëm, shtatës që në një lojë të vjetër me letra sillte imazhin e djallit dhe mund të fitonte të gjitha letrat e tjera. Kësaj sfere të kuptimeve simbolike i përket edhe përsomazhi për të cilin flet Ungjilli sipas Lukës (8, 2), Maria Madalena, “nga i cili kishin dalë shtatë demonë”.

Filed Under: ESSE

Rreth Librit “Mezhgorani” vështrim enciklopedik me autor Veledin Durmishi

April 26, 2024 by s p

Keze Kozeta Zylo/

Ndonëse gjithmonë kam shkruar esse, vështrime kritike, reportazhe për aktivitete nga më të ndryshmet sidomos këtu në Diasporë, por për librin “Mezhgorani” me autor shkrimtarin e njohur Veledin Durmishi më duhet të them që në fillim që kam pasur shumë emocione. Pena ime duhet të kishte një vëmendje të posaçme duhet të rridhte e kthjellët si ujët e Sollokushes, një dhuratë e Hyut për këtë popull martir mezhgoranas në shekuj. Të ulesh dhe të lexosh librin nga ke origjinën, është e papërshkrueshme, veçse ndihet në rrembat e gjakut. Natyrisht e rritur nga babai im Brahim Gjoni një aktivist, rrëfimtar i pashoq dhe me një kujtesë fenomenale, shumë gjëra i ke të qarta në kokë, në kujtesë, në libra duke iu referuar atij, por asnjëherë nuk është tepri të mësosh më shumë, të njohësh më thellë historinë e vendit tënd të shtrenjtë si në rastin në fjalë me librin “Mezhgorani”.

Autorin Durmishi me një punë skrupuloze dhe voluminoze i cili ashtu siç më ka shkruajtur privatisht se i është dashur dy vjet për të sjellë këtë xhevair në fondin e artë të historisë mezhgoranase e falënderoj publikisht.

Çdo njeri ka detyrim moral dhe shpirtëror për vendin e tij sidomos ata që kanë guxuar duke dalë në publik me penën e tyre si në rastin në fjalë. Autori që në hyrje shkruan si: “Kushdo që ka hedhur në fëmijëri një çantë doku me libra dhe mëkon dijet e veta duke mos i hequr librat nga duart, që dëgjon rrëfimet e të mëdhenjve, që ka atë ndjesinë se historia, nëse nuk shkruhet, vdes, sigurisht që do të ketë atë mirënjohje e cila do të jetë edhe shtysa kryesore për ta shkruar atë libër.

Libri “Mezhgorani” është dëshmi e gjallë për njerëzit autoktonë, vendin e bukur, historinë e jashtëzakonshme dhe të fut në atë botë sa mistike dhe reale gjatë leximit dhe kjo është meritë e penës së bukur të autorit. Duke lexuar ndjen thellë në pejzat e shpirtit dhe betohesh se nuk do ta harrosh kurrë atë vend, madje do ta transmetosh ndër breza edhe duke ëndërruar për një të ardhme më të mirë edhe pse je larg, larg nëntë male kaptuar dhe oqeani në mes. Ja si shkruan autori: “Se duhet kthyer aty, patjetër duhet kthyer, se aty është një nga rrënjët e tua. Duhet të rrish pak në heshtje aty se ndoshta dikush të flet me zërin e nëntokës. Dëgjoje mirë se në çdo fjalë është një kumt. Ndiz një qiri. Rri në heshtje se diçka ti kërkon të flasësh me vete, apo t’i flasësh vetes. Një përshpëritje njerëzore… Aty janë njerëzit tanë, aty është një pjesë e jetës së djeshme. Atyre nuk u rëndon guri i varrit te koka, por harresa. Janë prindërit, Mezhgorani, gjyshërit. “Në çdo dërrasë varri, mbulohet një histori e tërë”.

Mezhgorani është një perlë e Jugut nga natyra dhe këtë e pohoj pa modesti, në se do të kishte vënë dorë shteti ai sot do të ishte një vend përrallor turistik, por jo e pamundur të realizohet… Mjerisht duhet të jesh palë me ta ose militant… Ja si e përshkruan pena e autorit me një magji përpirëse si: “Qielli, ndonëse i mbërthyer në dy maja malesh, të jep kaq dritë, sa të duhet t’i zmadhosh sytë që të rrokësh gjithë atë ndriçim, dielli që nxiton t’i shpëtojë kurthit të maleve, nxjerr syrin diku në lindje e gjithë dashuri e mirësi të përshëndet, ajri i kaltër që kush e di nga është nisur të vjen turravrap e të futet në lëkurën tënde, ujërat e burimeve të ftohta, tek thurrin gërshetin e shkumtë mes zejeve në etjen e tyre të përjetëshme, gurgullojnë atë mërmërimën e tyre shekullore, ndërsa Vjosa, tek çan jo paqësisht gjokse malesh, nanurit me gjuhën e vet të valëve e me atë nanuritje mban zgjuar gjithë ëndrrat tona”.

Po e vërtetë ëndrrat tona janë marramendëse, janë herë reale e herë sikur s’do realizohen kurrë, por atë, por atë me superioren, ëndrrën e të parëve ta kemi si stamposje në ballë, mos ta harrojmë kurrë Mezhgoranin dhe mos të lemë të tjerët të venë dorë mbi të duke u joshur me pasuritë e tij natyrore.

E pamundur të sjellësh në një shkrim gjithë hulumtimet në libër, historinë e Mezhgoranit tënd të shtrenjtë, por gjithmonë është burim frymëzimi dhe jetese vendi i të parëve tanë. Që e vogël kam qenë e magjepsur me shtëpitë dy katëshe të Mezhgoranit, të gurta, të bukura, me sofatet e bisedave dhe shilteve që shtronim për pleqtë kur vinin, gostitë e gjithçka. Këtë e ka sjellë bukur dhe me finesë autori si: “Në Mezhgoran janë me dhjetra shtëpi dykatëshe, më një strukturë tipike shqiptare. Rrethuar me avlli me mure të lartë, porta e oborrit e lartë që të kujton kështjellat e mesjetës, e mbi të gjitha harqet e portave kishin një arkitekturë perfekte.

Deri para viteve 1900 ka qënë guri i bardhë më i përdorshmi dhe ndërtuesi ka parapëlqyer të gdhendë edhe ndonjë shpend, kryesisht ndonjë zog a shqiponjë, ndërsa në fillim të shekullit XX u përdor edhe guri i zi e shpendi tani ishte zëvendësuar me ndonjë gjeth, simbol i gjelbërimit dhe i përjetësisë. Gurë të gdhendur mjeshtërisht, sidomos gurët e qosheve, porta e jashtme e madhe, prej dërrase të trashë, e nga brenda mbyllej me një shul, dy anët e të cilit futeshin thellë murit në të majtë e të djathtë.

Nga jashtë portës, në të majtë e në të djathtë ishin ndërtuar dy sofate të gurta. Aty mblidheshin

si familje, si lagje e bisedohej për hallet, për zajrenë e dimrit, çështje të së shkuarës etj. Oborret ishin shtruar me dërrasa guri, anët të lyera me gëlqere, Mezhgorani një produkt “made in Mezhgorani”. Themi kështu se gëlqerja e fshatit tonë ka qënë me emër në të gjithë Tepelenën për shkak të gurit të pastër e të fortë.

Janë dhënë me fakte shumë gjëra të historisë sonë mezhgoranase, por unë do të ndaloj tek plaga e çarë si shege që happën pushtetarët tanë duke na rrëmbyer ujin e Sollokushes, ku autori e pëshkruan saktë, bukur dhe me artin e magjishëm të figurave letrare. Midis të tjerash në faktin e tretë në faqen 29 shkruan: Fakti i tretë: “Mezhgorani ka shumë ujëra. Janë kroje të cilët e bëjnë fshatin tonë ndër më të pasurit me ujëra. Kemi kroin e Diellit (kult pellazgjik), kroi me më shumë ujë e që nuk shterron kurrë. Gjatë viteve të socializmit nga punimet e bëra nëpër fshat, janë gjetur një sistem tubash qeramike që askush nuk të thotë nga ç’kohë kanë ardhur. Një linjë tubash zbrisnin nga kroi i Diellës drejt Bregut të Sadikajve, te kroi i Malajt janë gjetur tuba që zbrisnin nga lart. Ishte një krua që nuk shtonte ujë as në dimër e nuk pakësohej as në verën më të thatë e kështu që tubat duhet të jenë thellë. Te shkolla dikur ka qënë një çesëm, ndoshta rridhte nga kroi i Diellës që është pak më lart. Një burim i paktë ka qënë nën shtëpinë e Mullarajve, te plepi, një tjetër te shtëpia e Sinanit, një te shtëpia e Mehmet Rrapos, një te shtëpia e Sabri Durmishit. Pastaj kemi Sollokushen, një magje e vendosur mbi disa shkëmbinj e mbi kokë kishte një shkëmb stërmadh që kur e shihje nga poshte dukej i frikshëm e gati të shkëputej që andej. Një gurrë e vërtetë, një linjë uji e të cilit shpinte ujë deri te furra e fshatit në Hoxhaj, duke i dhënë njëherazi edhe ujë të rrjedhshëm gjysmës së fshatit, ndërsa përfund fshatit, përroi mbante me ujë një pjesë të madhe të tokave poshtë tij. Sot gjithçka ka humbur identitetin e vet. Ajo magje është shëmbur nga motet e vështira dhe uji buron përfund një shkëmbi dhe jo në sasinë e dikurshme. Në vitet e socializmit, gjatë punëve në bujqësi, është gjetur një linjë tubash edhe në Shpellë turka, ku ishte zallishte dhe uji mund të vinte më poshtë vetëm me tuba që u gjetën në 1,5 metra thellë. Nga konsultimet tona është arritur në konkluzion se kjo linjë uji është e periudhës romake. Po ashtu një vijë e hollë merrte ujë nga Gjilpëryeri drejt Hojmodhit.

Historia e jashtëzakonshme e Mezhgoranit

Në shumë kapituj të librit mund të them se janë memuaristik, e nëse do të ishte gjallë regjizori i famshëm mezhgoranas Kujtim Gjoni me siguri në bashkëpunim me shumë intelektualë mezhgoranas që nuk janë të paktë në numër do të sillte një dokumentar të shkëlqyer për publikun e shumtë dhe dashamirës të Mezhgoranit. Nëpërmjet këtij libri gjejmë shumë personazhe gjejnë vehten e tyre jo vetëm personalisht, por dhe historikisht. Mezhgorani është me kontribute të mëdha në çështjen kombëtare. Siç e thashë që në fillim e pamundur të përmend gjithë historinë e jashtëzakonshme të këtij vendi, por është krenari kur lexon psh që Sami Mullai është anëtar I mbrojtjes kombëtare siç thotë autori në Teqenë e Turanit ku u mblodhën patriotët dhe nga ky organizim u formësua një komitet që u quajt “Komiteti i mbrojtjes kombëtare” që detyrë parësore kishte moslejimin e andartëve grekë të shtrinin thonjtë e vet në këtë territor”. Fq:42.

Ne lexojmë një histori të pasur, mjerisht edhe të mohuar nga historia ose është folur shumë pak, prandaj kolegu im i çmuar Veledini ka sjellë fakte që të trondisin, realitete historike, impresionet e tij, befasinë e një shkrimtari. Një vend special në histori për Mezhgoranin është dhe Pavarësia e Shqipërisë, ku me krenari të ligjshme midis tre delegatëve kemi Fehmi Bej Mezhgoranin. Ne fq. 43 autori shkruan se:

“Tre ishin delegatët e Tepelenës që do të udhëtonin drejt Vlorës për të ngjizur atë çast të madh historik. Aristidh Ruçi ndodhej në Vlorë, ndërsa dy të tjerët, Sami Mullai nga Mezhgorani e Maksut Shehu u nisën së bashku drejt Vlorës me kuaj, por në Sevaster i mbërtheu një shi i madh dhe ata nuk mund të vazhdonin dot më tej. U strehuan në një familje në Dushkarak ku ndenjën 10-15 ditë të sëmurë. Paria e Tepelenës caktoi Fehmi Efendi Mezhgorani, përfaqësues i klubit të Janinës.

Vlen për të përmendur bashkëpunëtorët në këtë libër me plot dashuri dhe përkushtim për historinë e Mezhgoranit si Avdul Isaraj, Rrapo Gjoni, Skënder Bani, Beqir Zaimi, Guçe Durmishi, Fetah Kalemi, Enver Cani, Mehmet Gjoni dhe konsulent historik: Prof. Bektash Mema.

Libri “Mezhgorani” eshte një stekë e lartë për profesionistët si dhe për historinë e vërtetë të vendit, që shpesh shkruhet padrejtësisht nga sharlatanë dhe analfabetë.

Autori Durmishi ndalet dhe në emigracionin e fshatit, që sic e dëgjonim nga prinderit tanë thuhej se ishte derë e kurbet, dhe me plot gojën pohojmë se solli civilizimin dhe përparimin e Mezhgoranit duke e radhitur në atë kohë si një vend me shumë kulturë. Emigracioni më I dalluar ka qenë I Amerikës ku të gjithë bashkëfshatarët pothuajse ishin anëtarë të Vatrës dhe iu bashkuan kauzës së Nolit si dhe emigrimi në Francë. Fq: 46-47

Arsimi dhe hapja e shkollës shqipe ka qenë shumë e njohur për Tepelenën dhe më gjerë, pasi fshati ynë ka furnizuar me arsimtarë shume shkolla në rrethe. Mësuesi i parë ka qënë Aziz Mullai dhe gjashtë mësues vendas: Azis Mullai, Sami Mullai, Reshat Mullai, Myftar Salaj Tartari, Adem Isa Shehu. Ali Mete Zenuni. Pas çlirimit ka qënë Reshat Mullai.

Një rëndësi të vecantë autori i jep dhe luftës epope të Vlorës, ku mjaft mezhgoranas morën pjesë heroikisht. Shumë materiale natyrshëm janë shfrytëzuar dhe nga historiku i fshatit ku është bërë një përpjekje e madhe për të pasqyruar dhe dhënë me fakte kokëforte historinë, kulturën e fshatit ngritur nga një komision I posacëm me plot përkushtim.

Një vend të vecantë zë Fronti Nacional- Çlirimtar dhe Balli Kombëtar pasi në Mezhgoran kanë vepruar që të dyja aktivisht.

Fama e Mezhgoranit është në cdo skaj të Shqipërisë jo vetëm që fillon me Pavarësisnë nga bijtë e saj, por edhe me këngën si hymn në Luftën heroike me fashistët italianë ku ra heroikisht Asim Zeneli. Dhe ja si i këndohet: “Një zë po del nga gryk’ e Mezhgoranit/ Në sulm shqiptarë, armikun ta dërmojmë!/ A s’jemi ne të bijt’ e këtij vatani? A mundet ne, armikun ta durojmë?

fq. 73

Tridhjetë bijë të fshatit u rreshtuan me armë në dorë në këtë luftë. Ja lista e partizanëve mezhgoranas sipas historikut të fshatit tonë: Sadik Bani, Hajri Bani, Xhafer Bani, Male Bani, Misir Bani, Xhelal Bani, Kamber Dinaj, Nuredin Dinaj, Neki Durmishi, Refat Durmishi, Hamdi Durmishi, Fejzi Durmishi, Ismet Gjoni, Bajram Gjoni, Qemal Hoxha, Sako Hoxha, Ismail Dogani, Asllan Dogani, Rushan Dogani, Maliq Dogani, Xhemal Cani, Orhan Cani, Resul Groshi, Rakip Sako, Bedri Rrapaj, Saliko Rrapaj, Servet Mullai, Ferik Kasaj, Bejtullah Halili, Meleq Hyseni. Sipas historikut të fshatit dëshmorë të kësaj lufte janë:

Male Bani, Xhafer Bani, Maliq Dogani, Ferik Kasaj, Zenel Gjoni, Bedri Rrapaj.

Sollokushja e rrëmbyer nga pushtetarët

Nuk kishte se si ky burim i dhuruar prje Hyut mos të zinte vend në këtë libër historik të Mezhgoranit. Dhe mirë ka bërë, historia duhet të shkruhet siç është pa urrejtje dhe krahinizma.

Autori me këtë libër voluminoz të kujton autorin tim të preferuar, poetin e famshëm amerikan Ralph Waldo Emerson i cili thotë se: “Jeta është një varg mësimesh të sukseshme që duhen jetuar për t’u kuptuar.”

Shkrimtari Durmishi e jeton jetën, historinë e saj dhe me një bisturi të hollë të penës denoncon dhe demaskon këtë krim që iu bë popullit martir duke shkruar se: “Janë ca ethe investimesh, një dalldi trullosëse që ka mbërthyer mjaft investitorë të cilët, me mbështetje politike, u janë qepur pasurive të tokës sonë si vampire. Kanë grabitur pasuritë e nëntokës e tani së fundi edhe ujërat. Me harta nëpër duar nuk po lënë përrua pa eksploruar me qëllimin e tyre final; ta marrin atë ujë, ta futin nëpër tuba e nën një okelio si investim strategjik kombëtar, kërkojnë të ndërtojnë hidrocentrale duke i lënë fshatrat djerrë. Fshati ka bukuri të mëdha, ka dy male mbi kokë që e bëjnë aq atraktiv, por ka edhe një burim që është edhe i vetmi ujë për ata banorë.

A do të shuhet ky fshat? Dhe gjasat janë të dukshme qartësisht. 25 familje që kanë ngelur të fshatit autokton që kanë mbi 1000 krerë bagëti, që kanë toka për të ujitur nuk do të kenë më ujë. Fshatarët do të ikin nga sytë këmbët Shqiptarët e kanë gjetur një rrugë tutje… në emigrim… Le të shuhet një fshat historia e të cilit është lidhur me një ngjarje të madhe. E kujt i duhet më historia? Pushteti është i egër. Ai do vetëm votë dhe para”.

Duke lexuar me kersherine e nje bije te Mezhgoranit

Autori sjellë pas një pune hulumtues fiset e fshatit, historitë, traditat, njerëzit etj. Duke e përfunduar gjer në faqen e fundit plot 371 pata ndjesinë se ishja ulur rreth tryezës në qendrën e fshatit që duket si një ballkon i lartë vjenez ku kundron Vjosën që puth këmbët e Trebeshinës, Shëndëllinë dhe përballë përshëndet malin e Golikut. Në këtë pamje të hatashme bisedoja me stërgjyshërit tanë që dergjen pak më poshtë ballkonit, apo me miqtë e shumtë mezhgoranas që prindërit tanë kanë ndarë së bashku të mirën dhe të ligën sikur të ishin një familje e vetme mezhgoranase. Ç’pasuri na lanë! Ne vetëm duhet të dimë t’i ruajmë, t’i zhvillojmë dhe t’jua transmetojmë brezave të ardhshëm siç ka bërë autori me penën e tij, kolegu im i nderuar Veledin Durmishi.

Autorja është shkrimtare, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, Ambasador i Kombit si dhe ka marrë titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

24 prill, 2024

Staten Island, New York

Filed Under: ESSE

PROBLEMI I PERËNDIMIT ËSHTË PËLQIMI I PUTINIT

April 25, 2024 by s p

Nga FEDERICO RAMPINI – “Corriere della Sera”, 18 mars 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika/

Ndërsa Vladimir Putini festonte zgjedhjen e tij të pestë, me një fitore zyrtarisht stratosferike, në Seul të Koresë së Jugut mbahej një “takim i nivelit të lartë të demokracive” në një ton të thjeshtë.
Ideja e takimit qe hedhur nga Joe Biden më 1921, pastaj mori më shumë dukshmëri e dalje në pah mbas mësymjes ruse të Ukrainës, në një periudhë , në të cilën koalicioni i liberaldemokracive dukej më i bashkuar e më luftarak.Sot qëndrimi i perandorisë ruse në terrenin ushtarak, me shtesën e ritit zgjedhor të sapofestuar e bën problematik çdo lloj “triumfalizmi” të “botës së lirë”. Kina dhe Irani, dy fuqi të tjera të boshtit kundërperëndimor, kanë regjime që nuk duken se janë nisur drejt derës së daljes, së paku në dukje. Por ka ndryshime ndërmjet këtyre kombeve. Njëra ka të bëjë pikërisht me ritin zgjedhor. Përse Putini i kërkon rusëve të votojnë, mbasi ai i mbyll rrugën çdo zgjedhjeje, i heshton apo asgjëson kundërshtarët, pra mund të vazhdojë të ushtrojë pushtetin e tij despotik, duke kursyer votimet e përgjithëshme? Përse nuk bën si miku dhe aleati i tijXi Jinping, i cili mendohet gjatë për të thirrur kinezët në votime, nuk shtiret as se ka miratimin e tyre, por pranon (tashmë prej tre mandatesh) nga një sistem i fshehtë në brendësi të partisë komuniste?
Zgjedhja ruse është dhunuar në shumë mënyra. Vdekja e Aleksej Navalnit na ka kujtuar se çfarë fundi kanë kundërshtarët e vërtetë të regjimit. Pra është e drejtë të thuhet se vendimi i kutive ruse është i tjetërsuar. Megjithatë Putini ka ndjerë nevojën të organizojë këtë vënie në skenë. Kjo sepse dhe regjimet autoritare venë para vetes pothuajse gjithmonë problemin e pëlqimit. Kufijtë ndërmjet demokracive dhe autoritarizmave nuk janë vija të kuqe të shënuara me zjarr; ka shkallëzime dhe ngjyrime, shumë kalime të ndërmjetme, sisteme politike “hibridë” që mund të përziejnë shkallë autoritarizmi e miratime popullore.
Për të marrë ngjasime historike, mund të kujtohen Mussolini, Hitleri, Stalini, Mao, të gjithë kanë gëzuar një pëlqim nga popujt e tyre, së paku në disa faza të historisë së tyre. Disa hipën në fuqi edhe në sajë të votimit të masave (Mussolini, Hitleri), të tjerë kishin një ligjësim të tipit revolucionar që kalonte nëpërmjet rolit të partisë komuniste, “pararoja e proletariatit”.
Ndërsa, për të përdorur ngjasime të sotme, ndërmjet aq ndryshesave të ndërmjetme mes demokracisë “së përsosur” (që nuk gjindet) dhe autoritarizmit, mund të kujtojmë se më një mars u votua në iran. Edhe atje një opozitë e vërtetë është shtypur dhe ndrydhur mizorisht; pakënaqësia popullore kundrejt ajatollahëve është shfaqur nëpërmjet një mosvotimi rekord (madje dhe vetë regjimi islamik ka pranuar se pjesëmarrja në votime ka qënë vetëm 40%, më e pakta që nga revolucioni komeinist i 1979). Megjithatë edhe teokracia shiite e Teheranit, si Putini, kërkon të sanksionojë ligjëshmërinë e saj duke kaluar përmjet votimeve të përgjithëshme, gjë që nuk e bëjnë as Kina komuniste, asKoreja e Veriut, por as Arabia Saudite e qeverisur nga një mbretëri absolute. Në Turqi qeveris një “Sulltan” që ka pakësuar lirinë e shprehjes dhe disa të drejta të kundërshtarëve, por të katalogohet Erdogani si një diktator do të ishte e gabuar, pëlqimi të cilin e gëzon është i vërtetë, votimet e tijkanë qënë më të lira se ata ruse.
Duke u kthyer tek Putini, fatkeqësisht ka hulumtime mjaft të besueshme që i veshin atij një popullaritet në rritje në sajë të lutës, e megjithë vuajtjet që ajo luftë i shkakton një pjese të popullit rus. Terma “demokracia” është e dyshimtë dhe mund të keqkuptohet: me që emërton “qeverinë e popullit”, a është e mjaftueshme që populli të jetë shprehur – siç ka bërë në Rusi – për t’i dhënë ligjëshmëri demokratike një drejtuesi?
Etërit kushtetues të Shteteve të Bashkuar të Amerikës – më e lashta liberal-demokraci e botës – parapëlqenin fjalën Republikë. Për ata nuk mjaftonte që qeveria të kishte miratimin e qytetarëve nëpërmjet votës. Këtij elementi të qenësishëm të demokracisë, duhej t’i shtoheshin cilësitë e një Republike: ndarja e pushteteve, liri shprehjeje, liri besimi, mbrojtje e pakicave, shkurt të gjitha ato siguri që përbëjnë Shtetin e së drejtës e që një demokraci popullore do të mund t’i shkelte me këmbë. “Rule of Laë”, terma angleze që emërton Shtetin e së drejtës, është ndjellëse: do të thotë se ai që komandon është ligji, i njëjtë për të gjithë, edhe për të fuqishmit. Kjo nuk i zbatohet sigurisht Putinit, as edhe shumë të tjerë despotëve, edhe se të veshur me pëlqimin e masës.
Në problem i Rusisë është se ai pëlqim ekziston. Sigurisht nuk do të jetë 88%, por ekziston. Duke e parë me kthjelltësi këtë përfundim, do të thotë se Perëndimi, veçanërisht Evropa, nuk ka vetëm “një problem Putin”, ka një “problem rus” të vetin e të vërtetë. Ashtu sikurse Evropa vuajti “çështjen gjermane” deri sa kultura e atij kombi ishte e nginjur me kombëtarizmin viktimist, inatçi, agresiv e paranojak, që kishte ushqyer veprimet e Rajhut më parë se sa nazizmi.
Pastaj është problemi i putinizmit në shtëpinë tonë. Që kur filloi mësyemja kriminale kundër Ukrainës kemi matur shtrirjen e simpative për Putinin, nga ato më të hapurat (veçanërisht në të djathtë: Trump, Salvini, Orban), tek ato më të maskuarat të paçifizmit të së majtës, këto të fundit të frymëzuar nga vetëm një siguri, që Perëndimi është perandoria e vërtetë e së keqes.
Putinizmat e shtëpisë sonë mund të kenë prejardhje të ndryshme. Disa djathtas shohin në Carin mbrojtësin e sistemit të vlerave tradicionale, të kërcënuara nga politikisht korrekt ose nga kultura e zgjuar e Perëndimit. Të tjerë djathtas e majtas, janë lënë të indoktrinohen nga teoria e komplotit mbi rrethimin e hamendësuar të Rusisë nga ana e një NATO-je luftënxitëse , sa që të gjithë agresionet e Putinit bëhen mbrojtje e ligjëshme.
Së fundi ka një problem mbi sfondin, ai që tejduket nga klima e trishtuar dhe e përulur në të cilën zhvillohettakimi i retë botëror i demokracive në Korenë e Veriut. Edhe popujt që kanë traditat më të hershme e më të fuqishme demokratike, nuk janë të dashuruar në mënyrë jo kritike e përjetësisht me demokracinë për arsye filozofike, vlerash. Si çdo sistem politik edhe demokracia duhet të pushtojë e të meritojë pëlqimin nëpërmjet rezultateve që jep. Është në këtë drejtim që bilanci i sotëm nuk ngazëllen, deri n’atë pikë që në shumë vende zvjerdhja e qytetarëve ndeshet jo me këtë apo atë qeveri, me këtë apo atë parti , por me vetë sistemin.
Amerika shkëlqen në shumë manifestime të një lodhjeje demokratike, e fajet nuk janë vetëm në një anë. Trump-i, nxitësi i sulmit mbi Campidoglio, është një rast skajor me rregullën e vet, simbas së cilës “ose fitoj un ose zgjedhjet janë të fallsifikuara”. Nga ana e kundërt i përgjigjen me një koncept jo më pak të rrezikshëm “O fitojmë ne, ose kjo nuk do të jetë më një demokraci”.
Më 17 shtator 1787, kujt e pyeste se çfarë sistemi politik etërit kushtetues kishin përcaktuar për Shtetet e Bashkuar t’Amerikës, Beniamin Franklini përgjigjej: “Një Republikë, nëse do të jeni në gjëndje t’a ruani”. N’atë përgjigje ishte vetëdija se asnjë sistem politik është i përsosur në përgjithësi, e asnjë nuk është përgjithmonë, nëse qytetarëtnuk kanë arsye të forta për t’a mbrojtur.

Filed Under: ESSE

Komandanti

April 24, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Komandanti i përgjithshëm në Japoninë feudale quhej ‘shogun’. Kreut i shtetit (mikado ose perandori) ishte puajse ceremonial. Shogun ishte sunduesi i vërtetë derisa feudalizmi u shfuqizua në Japoni në vitin 1867. Por shembulli feudalist japonez ndiqet në vendet ish-komuniste. Kur portugezët mbërritën për herë të parë në Japoni në 1543, përfundimisht mësuan për politikën në arkipelag. Kështu krijuan një analogji. Nuk ishte një analogji e saktë, por ishte një analogji me të cilën mund të lidheshin evropianët. Perandori japonez ishte si Papa. (Aktualisht sipas Kushtetutës së MacArthur, perandori është në thelb kryeprifti i fesë Shinto). 

Edhe në Europë, Perandori i Shenjtë Romak, mbante një titull ceremonial. Por në 1543, Perandori Charles V ishte në kontroll. Ai goditi francezët, dhe më pas osmanët – duke detyruar francezët të bëjnë aleancë me osmanët. Charles V, pa dashje, goditi edhe Papatin. Trupat e tij të papaguara u hodhën në kryengritje dhe plaçkitën Romën në vitin 1527. 

***

Pasi iu paraqit koka e Pompeut pas vrasjes së tij në Egjipt, reagimi i Jul Cezarit ishte një tronditje dhe pikëllim. Pavarësisht armiqësisë dhe rivalitetit që kishte karakterizuar marrëdhënien e tyre në të kaluarën, Cezari dhe Pompei dikur kishin qenë aleatë dhe miq. Pamja e kokës së pajetë të Pompeit shërbeu si një kujtesë e ashpër e brutalitetit dhe tradhtisë që shpesh shoqëronte ndjekjen e pushtetit në Romën e lashtë.

Reagimi fillestar i Cezarit për të parë kokën e Pompeut nuk është i dokumentuar gjerësisht në të dhënat historike, por mund të konkludohet nga veprimet dhe deklaratat e tij të mëvonshme. Thuhet se Çezari u prek thellë nga pamja, duke kuptuar fundin tragjik që i kishte rënë ish-kolegut dhe rivalit të tij. Disa rrëfime sugjerojnë se ai qau për humbjen e një gjenerali dhe burrë shteti dikur të madh.

Pavarësisht mosmarrëveshjeve dhe konflikteve të tyre, Cezari e kishte respektuar Pompein si një kundërshtar të denjë dhe një romak me shtat të madh. Shfaqja e tmerrshme e kokës së Pompeut shërbeu si një kujtesë e zymtë e rreziqeve dhe pasigurive të natyrshme në peizazhin politik të Romës së lashtë. Ai gjithashtu theksoi koston personale dhe sakrificat që individë si Cezari dhe Pompei ishin të gatshëm të bënin në kërkimin e tyre për pushtet dhe lavdi.

Reagimi i Cezarit ndaj vdekjes së Pompeut dhe paraqitja e kokës së tij pasqyronte gjithashtu ndjenjën e tij të cenueshmërisë dhe vdekshmërisë. Mënyra brutale dhe publike në të cilën Pompei kishte arritur fundin e tij shërbeu si një përrallë paralajmëruese për Cezarin, duke i kujtuar atij brishtësinë e jetës dhe natyrën kalimtare të pushtetit. Në mes të ngritjes së tij në autoritetin suprem në Romë, Cezari nuk mund të mos mendonte për fatet e paqëndrueshme që prisnin edhe individët më të fuqishëm dhe më ambicioz.

Pas vdekjes së Pompeut, Cezari bëri përpjekje për të nderuar kujtimin dhe trashëgiminë e tij, duke njohur kontributet që Pompei i kishte dhënë Republikës Romake gjatë jetës së tij. Ai i dha Pompeut një funeral të duhur dhe siguroi që eshtrat e tij të trajtoheshin me respekt dhe dinjitet, pavarësisht nga armiqësia e hidhur që kishte ekzistuar mes tyre. 

***

Personi që nisi për herë të parë thashethemet se një majmun lindi një njeri ishte me të gjitha gjasat një kreacionist që donte të diskreditonte teorinë. Sepse kjo nuk është ajo që thotë teoria e evolucionit! Teoria e evolucionit thotë se njerëzit kanë një paraardhës të përbashkët me majmunët e tjerë të mëdhenj, jo se një majmun lindi një njeri. Pra, si zakonisht, ju po sulmoni kashtën e evolucionit të kreacionistëve, jo teorinë aktuale. Dhe teoria e evolucionit ishte shkencore në momentin kur u konceptua: ajo ishte dhe ende bazohet në prova, të mbështetura me prova, të testuara kundër provave, ka fuqinë të shpjegojë fenomenin e vëzhguar të evolucionit dhe bën parashikime që mund të testohen kundër së ardhmes ose përdoret praktikisht në mjekësi dhe biologji.

Filed Under: ESSE

NJË REFLEKTIM PËR PAQË E PAJTIM NDËR SHQIPTARË! 

April 23, 2024 by s p

45-vjet më parë Nënë Tereza mori Çmimin Nobel për Paqë

Nga Frank Shkreli
A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated         NËNË TEREZA ... na thërret të gjithëve në lutje për t'i dhuruar vetes ...

Ishte viti 1979, viti kur Çmimi prestigjoz Nobel për Paqë iu dorëzua në Oslo të Norvegjisë, Nënë Terezës, sot Shën Nënë Tereza – e para dhe e vetmja figurë shqiptare në histori me një Çmim Nobel për paqë, një njohje botërore dhe shpërblim për veprat dhe veprimtarinë e saj jetësore, për paqë në botë dhe për kujdesin ndaj më të varfërve. 

Për paqë në botë dhe për paqë e pajtim, edhe “për popullin tem Shqiptar”.  “Që paqja e Zotit të vijë në zemrat tona, në të gjitha familjet tona”, është shprehur Shenjtja Nenë Tereza ndërsa po dilte nga manifestimi solemn i pranimit të Çmimit Nobel për Paqë, 45 vjetë më parë (1979). Pasi iu dorëzua Çmimi Nobel, në një foto portret të saj, Nënë Tereza ka shkruar këto fjalë: “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shumë luti Zotin që paqja e Tij të vij në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën”, sipas biografit të njohur të jetës dhe veprimtarisë së Nenë Terezës, Dom Lush Gjergji.

Po e kujtoj këtë 45-vjetor të dhënjes së Çmimit Nobel Për Paqë, sidomos fjalët e Nenë Terezës për paqë “në familjet tona”, drejtuar shqiptarëve në atë kohë, si një rast reflektimi sot, pasi bota shqiptare ka aq shumë nevojë sot për paqë, për paqë me njëri tjetrin.  “Familja shqiptare” nuk ka sot paqë, paqë me veten e paqë me të tjerët.  Unë nuk besoj që shoqëria shqiptare në përgjithsi dhe politika shqiptare në veçanti, të ketë qenë ndonjëherë — në këto pothuaj 35-vite tranzicion të ashtuquajtur “post-komunist” — më konfliktuale, më e acaruar dhe me mungesë respekti e dashurie për njëri tjetrin, se ç’është sot. Thirrjen e Nenë Terezës për paqë e pajtim 45-vite më parë– po e kujtoj dhe si një pjestar i komunitetit shqiptaro-amerikan — prej më shumë se gjysëm shekulli në Amerikë – modestësisht – duke shfaqur nevojën për reflektim në këtë përvjetor, për gjëndjen e krijuar plot konflikte e në çdo nivel, por edhe mungesës së diskursit normal publik me njëri tjetrin, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporën e shpërndarë anë e mbanë botës edhe në mbarë trojet shqiptare, sikur bota shqiptare është në luftë me vet-eveten. Sidomos, diskursi politik, jo vetëm që është keqësuar, por duket se ka vdekur vitet e fundit. — Frank Shkreli: “Unë kam të drejtë e ti je idiot”. Vdekja e diskursit publik në botën shqiptare | Gazeta Telegraf

Po përdori rastin e 45-vjetorit të dhënjes së Çmimit Nobel për Paqë Nenë Terezes dhe thirrjes së saj për paqë, dashuri, e pajtim ndër shqiptarët – duke i kujtuar lexuesit se në të vërtetë ishte mrekullia e Nenë Terezës, ajo që 14-vite më parë, për herë të parë, këto tre dekada, që bashkoi politikën shqiptare në një ceremoni të shkurtër në Tiranë në kujtim të lumturimit të saj.   Ishte viti 2010 kur është inauguruar e ashtuquajtuara “Rrugë e Paqës”, në Tiranë, simbol i nderimit për Nenë Terezën me rastin e 7-vjetorit të lumturimit të saj – e njohur si, “Rruga e Milleniumit të Paqës”, në hyrje të Liqenit Artificial në kryeqytetin shqiptar. 

Me atë rast, afër 30-udhëheqës botërorë i janë përgjigjur thirrjes së Presidentit të atëherëshëm të Shqipërisë, Z. Bamir Topi që të merrnin pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Rrugës së Paqës në Tiranë. Një numër i madh liderësh botërorë iu përgjigjën thirrjes së Presidentit shqiptar. Por gjëja më e rëndësishme ishte pjesëmarrja në atë ceremoni e të gjithë përfaqësuesve politikë shqiptarë të asaj kohe, por dhe sot, përfshir ish-Presidentin Topi, ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe ish-Kryetarin e Bashkisë Tiranë, njëherësh edhe kryetar i Partisë Socialiste, sot Kryeministër Edi Rama. Për ata që e mbajnë mend, ishte një ecje e lirë e të gjithë liderve politikë shqiptarë së bashku me qytetarë të Tiranës në rrugën që besoj edhe sot mban emrin “Rruga e Milleniumit për Paqën”.  Një foto historike kjo që ndoshta ia vlen të nxirret nga arkivat si një simbol paqeje e bashkimi, për të parë – sidomos në rrethanat e sotme të konflikteve aktuale politike në Shqipëri — se çfarë është e mundur, me vullnet të mirë:  bashkimi simbolik i politikës shqiptare për një rast me rëndësi për të gjithë — megjithse merita e bashkimit të tyre qoftë edhe për një kohë të shkurtër, ishte meritë e kujtimit të Nenë Terezës. 

Siç dihet, “Rruga e Milleniumit për Paqën”, kushtuar Nenë Terezës, është ndër rrugët më të veçanta në kryeqytetin shqiptar, sepse aty gjënden të vendosura në rrugë pllaka me nënshkrime të nja 28 udhëheqësve botërorë kushtuar paqës – duke nderuar, në këtë mënyrë, jetën dhe veprimtarinë e Shënjtores shqiptare, Nenë Terezës, por edhe shqiptarët, në përgjithësi.  Ishte një gjest simbolik, por shumë domethënës. Në të vërtetë, ishte në ceremoni natyrale, spontane, asgjë e jashtzakonshme, në nderim të Nënë Terezës, për në një botë normale, ku udhëheqsit politikë të një vendi, pa marrë parsysh ndryhimet politike mdis tyre – kanë gjëra dhe kauza të përbashkëta që mund dhe duhej t’i bashkonin.

Në këtë mënyrë, ky ishte një mesazh simbolik që iu është dhënë edhe qytetarëve shqiptarë në përvjetorin e shtatë të Lumturimit të Nënë Terezës, 14 vjetë më parë.  Ishte një rast me të vertetë i bukur dhe i mirëseardhur, megjithse i jashtzakonshëm dhe ndoshta i papritur kur të merren parasysh konfliktet dhe antagonizmat politike midis politikanëve deri në ditët e sotme, midis pozitës dhe opozitës në Shqipëri. Por, megjithkëtë ishte një ditë e bukur, një fotografi simbolike që i mungon shumë sot jetës politike shqiptare.  Ishtë një fotografi e politikanëve kryesorë të Shqipërisë, duke i shtërnguar dorën njëri tjetrit, një akt që i pelqen syrit dhe disi qetëson edhe zemrat e shqiptarëve kur shohin politikanët e tyre të merren vesh me njëri tjetrin.  Për fat të keq, në këndvështrimin e sotëm të zhvillimeve politike në Shqipëri, por edhe kudo tjetër midis shqiptarëve, paqa për të cilën kishte bërë thirrje Nenë Tereza 45 vite më parë në Oslo, “në të gjitha familjet tona” — pikërisht aty ku e donte Nënë Tereza paqën, midis shqiptarëve, në familjet tona — është vështirë të identifikohet ose të dallohet paqa si e tillë sot në jetën publike dhe politike në marrëdhëniet midis shqiptarëve në nivele të ndryshme. “Rruga e Milleniumit për Paqën” ndoshta e mban gjithnjë emrin dhe na kujton thirrjen për paqë midis nesh të Nenë Terezës, por në jetën e përditshme, të gjithë e dijmë se, kryesisht, nuk ka paqë as dashuri midis njëri tjetrit, ndërkohë që në sallat e qeverisë e të shtetit – aty ku do duhej të ushtrohej respekti dhe paqa midis shqiptarëve për hir të shqiptarëve – aty mbetëron vetëm konflikti, urrejtja dhe mos respekti për njëri tjetrin, e nganjëherë edhe dhuna.

Në fjalimin e tij me rastin e emërimit, “Rruga e Milleniumit për Paqën”, në Tiranë, kushtuar Nenë Terezës, në vitin 2010, Presidenti i atëhershëm Bamir Topi ka folur   për modelin e paqës së Nenë Terezes, për një paqe që ndërtohet e kultivohet çdo ditë e çdo kund dhe nga cdo kush. Në një referencë drejtuar klasës politike shqiptare në atë kohë, Presidenti Topi ka thekësuar me atë rast, paqën shoqërore, që sipas tij, është një “detyrë themelore e një shteti demokratik…e që duhet të jetë gjithashtu objektiv parësor i politikës, si fuqi lëndore e demokracisë.  Për t’a ruajtur e për ta persosur atë metej, në perputhje me standardet evropiane, duhet angazhim i thellë i të gjithëve”, ka theksuar ish-presidenti Topi, duke nënvijuar “bashkpunimin, bashkjetesën, e tolerancën”, si, “forca morale e kulturore, në dispozicion të së sotmes dhe të ardhmes… në shërbim ndaj demokracisë dhe shtetit.”

Për fatin e keq, ai rast fotografik paqeje më 2010 midis udhëheqsve më të lartë politikë të shqiptarëve, në vend që të kishte simbolizuar një fillim të ri të zhvillimeve paqësore në Shqipëri, konfrontimet politike kanë ardhur duke u shtuar dhe vazhdojne gjithnjë edhe sot, madje janë edhe më të thekësuara se kurrë më parë.  Kriza politike nepër të cilën po kalon Shqipëria dhe Kombi shqiptar është një

krizë e madhe morale – një trashëgimi e gjysëm shekulli komunizëm – me besimin se kundërshtari politik është armik dhe si i tillë duhet të zhduket me çdo kusht.

Në ketë periudhë kritike për Kombin shqiptar, vazhdimi i një sistemi të polarizuar politik, jasht kontrolli, dhe dështimi i klasës politike për t’u marrë seriozisht, me problemet madhore të vendit e të Kombit — në të gjithë botën shqiptare pa përjashtim — do të ketë pasoja tragjike afatgjatë për të gjithë shqiptarët.  Abraham Lincolni citohet të ketë thenë se, “Një shtëpi e ndarë dhe e perçarë kundër vetvetes nuk mund të qendrojë në këmbë pa u shembur”. 

Thuhet se “politika është arti i kompromisit”.  Prandaj të ulurit në tryezë me ata që kanë pikepamje të ndryshme për të biseduar, me qellim të mirë dhe në paqe për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta, nuk duhet të shikohet si një dobësi, si diçka që nuk është burrënore.  Nuk është burrëri as nuk janë burrshtetas ata që interesat partiake e personale i venë mbi përparimin dhe interesat e Kombit, ndërkohë që konfliktin e vendosin mbi kompromisin, në kurriz të paqës në shoqëri dhe në familjen e madhe të shqiptarëve.  

U kërkoj falje atyre që këto fjalë mund t’i shikojnë si një predikim apo një pontifikim moral. Por shumë politikanë shqiptarë konsiderojnë se pozita politike që kanë tani është e drejtë e tyre dhe askujt tjetër dhe nuk e shikojne atë –për atë që në të vërtetë është — një përgjegjësi e privilegj qe ua ka besuar atyre, përkohësisht, votuesi shqiptar.  Në të njëjtën kohë, edhe elektorati duhet të jetë më i përgjegjëshëm e të perkrahë kandidatë/e për poste politike ata të cilët flasin me respekt e dinjitet për kundërshtarët e tyre politikë dhe qnedrimet e tyre dhe të cilët kanë parasysh, mbi të gjitha, interesin e vendit e të Kombit. Thomas Jeffersoni do tu bënte thirrje udhëheqsve politikë shqiptarë të gjitha ngjyrave, “Ejani e na ndihmoni me talentet tuaja si edhe me peshën e karakterit tuaj, të punojmë së bashku, drejtë vendosjes së demokracisë.”  Kombi shqiptar gjendet para një kthese historike dhe është një detyrë urgjente morale dhe kombëtare e këtij brezi politikanësh që t’i japin rrugën e duhur, “Rrugën e Paqës”, fatit të shqiptarizmit dhe shpresës për pranvera të reja për Kombin shqiptar, ashtuqë që shqiptarët të gjejnë sigurinë, paqën dhe rehatinë e vet, në vendin e vet, me bashkombasit e vet.

Momente të tilla si përurimi i “Rrugës së Milleniumit Për Paqën”, në nder të Nenë Terezës në Tiranë në 2010 — një ngjarje kjo që bashkoi klasën politike shqiptare të asaj kohe — do të bënin që të huajt, sidomos miqtë e Kombit shqiptarë të thonin sot — ah sa burra të mirë qenkan këta shqiptarët, kur bashkohen për të mirën e përbashkët. Për fat të keq, duke marrë parasysh zhvillimet aktuale politike dhe shoqërore në marrëdhëniet e politikanëve shqiptarë, me njëri tjetrin, kam drojë se nuk gjëndet kush të pohojë sot një gjë të tillë – pasi duket se është harruar mesazhi i Nenë Terezës i 45-viteve më parë në Oslo të Norvegjisë: Paqë në familjet tona, si parakusht i paqës dhe bashkimit në familjen e madhe shqiptare të përhapur anë e mbanë botës.

Nga Frank Shkreli

              A piece of paper with writing on it

Description automatically generatedPasi iu dorëzua Çmimi Nobel, në një foto portret të saj, Nënë Tereza ka shkruar këto fjalë: “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shumë luti Zotin që paqja e Tij të vij në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën”, pohon biografi i njohur i jetës dhe veprimtarisë së Nenë Terezës, Dom Lush Gjergji.

a-house-divided-against-itself-cannot-stand | QuotesToEnjoy

“Një shtëpi e ndarë dhe e perçarë kundër vetvetes nuk mund të qendrojë në këmbë, pa u shembur”. 

15 Interesting Facts about Mother Teresa

“Nëqoftse nuk kemi paqe, kjo ndodh sepse kemi harruar se i përkasim njëri tjetrit”.

                       r/pics - Ronald Reagan awarding the Presidential Medal of Freedom to Mother Teresa (1985)Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan duke i dorëzuar Nenë Terezës Medaljen Presidenciale të Lirisë (1985), dekorata më e lartë që jep Presidenti i Shteteve të Bashkuara. 

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • 76
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT