• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DARDANËT

May 6, 2024 by s p

Kastriot Fetahu/

Ese

Një popull me male, lumenj, pyje të përbashkët dhe jetë të ndarë, një popull në dy gjysma popujsh me emra të ndryshëm që kishin krijuar ngadalë një jetë duke grumbulluar javë, muaj, vite, madje dhe shekull pa njëra tjetrën.

Një botë njerkë dhe një popull jetim, që kishte lindur para saj…

Isha fëmijë, diku në klasën e tretë, kur një ditë në rrugën që shkon për në kalanë e Beratit rrugëtonin tre burra të ndjekur nga një numër kureshtarësh në distancë.

U afrova, pasi kurioziteti im është një aksesor i hershëm dhe pyeta dikë -Çfarë janë këta burrat?-

-Kosovarë thonë- më foli ai.

-Çfarë gjuhe flasin këta,- e pyeta përsëri.

Hajde, hajde afrohemi, se më duket se flasin shqip si ne- dhe më bëri shenjë me dorë.

U afrova më shumë nga ç’duhej dhe një “kostumgri” mu drejtua në një mënyrë kategorike -Largohu!-

Kosovarët e dëgjuan dhe, pasi folën pak fjalë që si kuptova qartë, buzëqeshën aq njerëzishëm.

Unë i shikoja ata sikur të ishin jashtëtokësorë që kanë sy të mëdhenj dhe fytyrë jo të ngjashme me ne, pasi bota matanë nesh ishte një deformim kubist në ndërgjegjen time.

Të gjithë ata që jetonin jashtë piramidave të kufirit tonë i imagjinoja barbarë, ca të pafat në geto dhe bandustane, që hanin mish të gjallë…!

Ky ishte takimi i parë me shqiptarët e Kosovës.

Në mbrëmje tregova ngjarjen tek shokët e mëhallës dhe njëri prej tyre, më i madh se ne të tjerët, na tha që ata banojnë në territorin e fisit Dardan, që sot është Kosovë.

Po emri i paketës së cigareve “Ardian” ka lidhje me Dardanët(?), e pyeta.

Ardianët janë një fis tjetër ilir në Jugosllavi, anës Adriatikut, na tha…

E kam pyetur veten se ku është qendra e gravitetit tonë kombëtar dhe… besoj të ma thotë dikush!

Tronditem kur e mendoj se çfarë ishte në gjendje të derivonte politika dhe diktatura tek unë, a thua se duhej të shikoja “NATIONAL GEOGRAPHIC” për të parë çfarë ishin dhe nga vinin këta njerëz, që e dinin se na bashkonte gjaku, gjuha dhe historia…

Nuk e kuptoja dot nëse i ishim arratisur njëri tjetrit, apo na kishin ndarë pa qenë vëllezër siamezë?

Dukej sikur I ngjanim atij personazhit të filmit italian “Vëllai im është djalë i vetëm” në sytë e dardanëve.

Më vonë me kalimin e viteve gjeta në bandën e stacioneve në një radio të prodhimit kinez me stampën “25 vjetori” në shtëpi, stacionin e radio Prishtinës.

E dëgjoja netëve i heshtur dhe i pangopur për të mësuar sa më shumë për atë botë që e konsideroja Perëndim, sepse Tito etiketohej revizionist dhe perëndimor nga Hoxha.

Mbaj mend mirë një këngëtar, që më dukej i paarritshëm me zërin e tij, kur këndonte “Ç’po dremit liqeni i kaltër” melodinë e të cilës një shok dhome, kur isha student, e kishte sinjal për të dashurën e tij.

Ishte Gazmend Pallaska dhe po ashtu Luan Hajraj, Pagarusha, Liljana Çavolli me “O zambaku i Prizrenit,” ishin shumë të dashur për mua!

Më tej mësova për “ Stari Tërg,” Trepçen dhe Mitrovicën, Azem Vllasin, Mahmut Bakallin, por admiroja veçanërisht Pajazit Nushin dhe doktor Ymer Jaka.

Po Kaçusha Jashari, që ishte në krye të Lidhjes Komuniste të Kosovës kur filluan protestat në 1988, është pozitive(?), më mundonte kjo pyetje…

Emrin e Rugovës e dëgjova për herë të parë si studiues letërsie dhe Fehmi Agani se di pse më dukej si Anteu i Kosovës, të cilin e admiroja, pasi i ngjante aktorit të madh francez Jean Gabin, që e pëlqeja aq shumë.

Të gjithë këta më dukej sikur jetonin me mitin e ilirëve, ndërsa ne jetonim me mitin e revolucionit botëror…

Ndërkohë gazetat e vendit më jepnin idenë se kishim të bënim me një gjysmëpopulli, i koleksionuar në arshiva lajmesh periferike, që kishte po aq interes sa Uganda e Idi Amin.

Më shumë kisha dëgjuar për historinë e baskëve dhe Sinn Fein e ngjarjet në Londonderry të Irlandës së Veriut se sa për Kosovën, që as nuk e hamendësoja dot se çfarë ndodhte, ishte sikur të vrisja mendjen për Kalkutën e Indisë…

Pse ne dëgjonim Pozdravin dhe Zdravko Çoliç me “Druzhe Tito mi ti se kunemo?”

Në romanin “Mallkuar qoftë ajo ditë” dy vëllezër, nga një nënë mulate dhe një baba “i bardhë,” Entoni me lëkurë të bardhë dhe Stivi me lëkurë në ngjyrë të zezë, jetonin të ndarë. Stivin e përndiqte policia e rregjimit të aparteidit në Pretoria, pasi ishte një aktivist në luftën e të drejtave të njerëzve me ngjyrë, derisa e arrestoi fshehur pas perdes në shtëpinë e vëllait!

Ndërsa Entoni jetonte në lagjen e të bardhëve, punonte si avokat, i cili në fund e mbron në gjyq Stivin dhe deklaron se janë vëllezër…

Dardanët përndiqeshin nga shovinizmi rankoviçian pse luftonin për flamurin kuqezi, ne dëgjonim… “Pozdravin.”

Dardanët gjithmonë “Stivi” edhe për ne.

Po ne a ishim “Entoni” për ata?

Hoxha në një kongres partie deklaroi “Vëllezërit tanë kinezë dhe miqtë tanë nga Kosova”…

Plaku i mënçur, rapsodi popullor Dervish Shaqja, këndonte këngën e Rexhës, e dëgjoja i menduar, sepse i doja kosovarët edhe pse isha mbrujtur me legjendën urbane se ata që arratiseshin nga Kosova për në Shqipëri ishin… spiunë të Titos.

Më intrigonte shumë kjo këngë, që të mësoja për Rexhën dhe fatin e tij në ditën e martesës kur e gjuajti kali me shkelma…

Jam pezmatuar deri në trishtim kur dëgjova se ulqinaku Kapllan Resuli, shkrimtari i novelës “Gjarpri” dhe romanit “Tradhëtia” u burgos si një spiun jugosllav.

Është momenti i parë që urreva diktaturën, pasi kisha qarë dhe isha lumturuar me atë djalin e vogël që shpëtoi jetën, në fund të novelës, nga gjarpri që jetonte në atë qypin me lakra turshi.

Aq e madhe ishte padija jonë, sa që çdo shqiptar në Jugosllavi e quanim kosovar.

Edhe atë fatorinon e linjës së autobuzave Berat -Qyteti Stalin, që një ditë më fali lekët e biletës kur po shkoja në Berat, e arrestuan më në fund si armik i popullit shqiptar, pasi spiunonte për Titon, një “Richard Sorge” që nuk mund ti shpëtonte sigurimit tonë më të fortit të botës në mendimin tim fëminor…

Gjuetia e shtrigave ishte më dinjitoze dhe njerëzore se gjuetia e kosovarëve që kalonin kufirin me shpresën se do ti shpëtonin Rankoviçit…

Po Millovan Gjilasi dhe Eduard Kardeli si Rankoviçi ishin, pyesja veten.

Dardanët e themeluan mbretërinë e tyre në shekullin e IV para Krishtit, ndërkohë që sllavët e Aleksandër Rankoviç u dyndën në Ballkan në gjysmën e parë të shekullit të VII të epokës sonë.

Në luftën e dytë botërore ushtria jonë shkoi deri në Vishegrad, por Hoxha i tërhoqi trupat edhe nga Kosova në 1945, duke e braktisur e lënë nën çizmen serbe Dardaninë.

Internacionalizmi proletar nuk e donte Kosovën përpara triumfit të revolucionit botëror!

Ëndrrat e revolucionarëve radikalë majtistë e kalojnë utopinë e Saint-Simon dhe Charles Fourier, Atdheu i tyre, ashtu si pushteti, ishte pa kufij…

Dardanë na mëshironi për këtë, se ndoshta vuajtëm më shumë se ju, na kishte marë peng vetvetja dhe udhëheqësit tanë nuk ishin as në nivelin e Rahman Morina e Sinan Hasani.

Se di pse më dukej se vesi ishte virtyt i maskuar tek ne…

Sa do të doja të takohesha, ti kërkoja falje dhe përqafoja ata tre burrat që shetisnin të ngazëllyer në rrugën e kalasë së Beratit, ata që Atdheun e dinin se ku formësohej, ndërsa unë shuaja kuriozitetin kozmonautik të paatdhe kur isha fëmijë!

Ata vazhdojnë të jenë plaga jonë që nuk rrjedh gjak.

Nuk e di, nëse akoma jemi për sytë e dardanëve “Vëllai im është djalë i vetëm?!”

Filed Under: ESSE

GJASHTË KËNGË TË PERIUDHËS SË TANZIMATIT

May 4, 2024 by s p

Shkruar nga AVNI ALCANI/

Kur ende nuk ekzistonin mjetet e informimit, siç janë sot gazetat, revistat, radio-televizioni, interneti etj., ngjarjet dhe historitë që përbënin lajm përcilleshin nëpërmjet tregimeve apo këngëve popullore. Ato risillnin kujtime të lavdishme të kohërave të kaluara, të cilat ishin ngjarje të jashtëzakonshme, që kishin shkaktuar sakrifica të mëdha. Në kushtet kur ende nuk ekzistonin shkollat apo universitetet këngët historike patën shërbyer si vatra edukimi për shumë breza. “Për shumë shekuj me radhë, – shkruan shkrimtari Ismail Kadare, – poezia popullore ka qenë për njeriun shqiptar kronikë e jetës së tij, historia, dijet, morali, urtësia, arkivi, kujtesa kombëtare… Ajo zëvendësonte shkollën, botimet, gazetat, universitetin, akademinë” (I. Kadare: Autobiografia e popullit në vargje, Onufri 2002, faqe 12).

Në mesin e shek. të 19-të në krahinën e Çermenikë kishin shpërthyer kryengritje të armatosura antiosmane kundër Tanzimatit. Kryengritjet i udhëhoqën prijësat popullorë, si Sulë Xhaboli, Ymer Tusha, Hasan Alia, Selman Lleshi, Maksut Kenga, vëllezërit Ymer dhe Limon Alcani, Hysen Toda etj. Ato patën shqetësuar seriozisht administradën osmane të Kazasë së Elbasanit. Në një dokument osman të kohës shkruhet: “Përveç qytetit të Elbasanit, kryengritja u shtri në krahinat e Shpatit, Çermenikës e të Krastës” (Dokumenta osmane, 1978: Kryengritjet popullore në vitet ’30 të shek. XIX , f. 336-337).

Në krahinën e Çermenikës janë mbledhur ndër vite një numër i madh këngësh kushtuar kësaj ngjarjeje, nga të cilat kemi veçuar gjashtë prej tyre. Gati në të gjitha këngët evidentohen udhëheqës popullorë, që, me shëmbullin e tyre të trimërisë, kishin fituar “medaljen” më të lartë nga populli, të emërtuar: “Yll i dritës” (Selman Lleshi – Yll’i dritës, zbardhi faqen Çermenikës). Bëmat dhe trimëritë e tyre janë ruajtuar gati me detaje në këngët popullore, të cilat kanë pasqyruar me realizëm ngjarjet historike. “Populli… në krijimet e tij, – shkruan prof. Q. Haxhihasani, – ka bërë objekt frymëzimi tema dhe probleme të rëndësishme të aktualitetit – kontradikta, revolta dhe konflikte politike-shoqërore me armiqtë e interesave të tij jetike, ngjarje të mprehta, të përgjithëshme ose të veçanta, në zgjidhjen e të cilave shprehen, me prespektivën e tyre historike, aspirata, kërkesa dhe ideale që e çojnë jetën përpara” (Q. Haxhihasani: “Hyrje” e librit Epika Historike-2, 1981, f. 7-8). Këngët historike ishin “dokumente” të rëndësishmë, që kanë ruajtur dhe pasqyruar me realizëm dhe vërtetësi, si ngjarjet, vëndet, kohën, emrat e heronjve dhe të protagonistëve të tjerë, që patën marrë pjesë në këto ngjarje etj. “Ngritja e këngëve në flakën e ngjarjeve a në jehonën e tyre të menjëherëshme, – shkruan Prof. Qemal Haxhihasani, – ngritja nga njerëz që i kanë jetuar drejtpërsëdrejti skenat monumentale të luftimeve, entusiazmin e fitoreve, që kanë mbajtur mbi supe peshën e sakrificave, përcakton në një masë të madhe një nga veçoritë themelore të këngëve të kësaj gjinie – karakterin e tyre të veçantë realist” (Q. Haxhihasani, po aty, f. 7).

Këngët historike të folklorit çermenikas, veç rëndësisë histoirike, ato shquhen dhe për vlerat të larta artistike. Në përgjithësi tekstet e këngëve janë të shkurtëra, siç janë, p.sh., “Kanga e ilamllive” dhe “Sal Miraky ty t’raft pika”, të cilat kanë 8 vargje etj., por, brënda atyre pak vargjeve, ato mbartin një mendim të thellë. Përjashtim bën vetëm kënga “Në Shmil u rraf nji lodër”, e cila ka 56 vargje, e cila është krijimi poetik më i gjatë në folklorin çermenikas.

Këngët e folklorit çermenikas në përgjithësi kanë vargje 8-rrokshe. Vargjet janë monokolonë dhe kanë rima të puthitura. Ato janë mjaft të pasuruara me figura letrare, si epitete, krahasime, metafora, hiberbola etj., të cilat u japin atyre ngjyrime emocionale të veçanta dhe vlera të spikatura artistike. Disa nga këngët kanë fjalë dialektore, të cilat, veçse ruajnë të folurën krahinore, ato u japin këngëve vlera letrare, si dhe ndjesi emocionale. Një tjetër veçori e disa prej këngëve është se ato kanë krijuar një galeri të madhe tipash dhe karakteresh të personazheve të tyre, të cilët vlerësohen për moralin, heroizmin, trimërinë, vetëflijimin etj.

Disa prej këngëve, si “Në Shmil u rraf nji lodër”, “Satabeg, mor faqezi”, “Sal Miraku, ty t’raft pika!”, “Stundet Toda me shtatë zemra” etj., janë nga krijimet më të bukurat të foklorit çermenikas dhe atij shqiptar.

KANGA E ILAMLLINJVE

Aman, Babë, ç’bon n’kët Shqipni ;

Lyp haraç e lyp vergji ?!

Kem’ ka i dele, dy tri dhi,

Dy pen dhe nën shtëpi,

Gjysma mal e gjysma bri,

Shtatë kunata vesh’ me i li ;

Katër vllazën nji kapaklli.

Karadakut i rrimë karshi…

Kostenjë-Çermenikë. Mbledhur nga Shahin Zharri.

*) Botuar në librin e Sh. Zharrit: “Rrugëtim në historinë e rrethit të Librazhdit” (2018), faqe 85.

SATABEG, MOR FAQEZI*)

(Neshtë-Elbasan)

“Satabeg, mor faqezi,

Ku po e nis gjith’ kët’ ushtri?!”

“Der’ në Neshtë me ba kërdi!”

“Satabeg, vithecaliku,

Nuk asht’ Neshta si Luniku.

Në Lunik mish e byrek,

Në Neshtë pluma e dyfek!”

“Jalla, Zot, kush e kthei Benë?

Lëma Cani me Imerë!”

“Limo’ Can’, o yll i dritës,

Zbardhe faqen gjithë Çermenikës!”

“As m’u hiq, o Selman Troka,

T’i baj krahët copa-copa!”

“Sata-beg skile e kuqe,

Hyne beg e dole nuse”.

_________________________

Komandanti i një fuqie turke që vinte të shtronte Çermenikën.

Luniku (katund i Çermenikës) e kish pritur mirë Çermenikën.

4) Trima nga Neshta, që u shquan në luftimet kundër Sata Begut;

5) Nga Gurakuqi, kallauzi i Sata Begut.

*) Botuar në “Këngë popullore historike”, Tiranë 1956, faqe 187-188.

S’TUNET TODA ME SHTATË ZEMRA*)

(Neshtë – Elbasan)

Po t’vinë plumat rrema-rrema,

“Del, o Todë,1) se u dogje mrena!”

“S’tunet Toda me shtatë zemra!”

“Ç’asht ai që lufton mas frashnit?”

“Isen Toda i bi bylykbashit”.

Pri ke Toda e mje ke Isaku,2)

Kalldramin ç’e mbulloi gjaku.

Prike Toda e mje ke Alcani.3)

Plot me gjak ç’u mbush kalldrami.

Isen Toda ‘i burr’ i unjët,

Mylazimit i theu gjunjët.

____________________

Hysen Toda, nga katundi Neshtë (Çermenikë), luftoi me një oficer turk që kish ardhur të shtronte Çermenikën;

3) Shtëpi në Neshtë;

*) Botuar në “Këngë popullore historike”, Tiranë 1956, faqe 187.

SAL MIRAKU, TY TRAFT’ PIKA*)

Sal Miraku ty t’raft’ pika;

Nuk del vaj nga Çërmënika.

Hajde, hajde Sali Miraku,

Pika-pika të rodhi gjaku.

Bylykbash, mor bylukbash,

Si e lype un’ ta dhash’…

Bylykbash mo m’ja ke shpija,

Ta boj vorrin ke xhamija!

_________________________

Kuturman. Mbledhur nga Shahin Zharri.

*) Botuar në librin “Shahin Zharri” (Tiranë 2006), faqe 108.

KANGA E MYSLIM ALCANIT*)

(Prevall – Çermenikë)

Myslim Lika1) po vjen prej kurbeti,

N’Dibër t’ Madhe ç’e ka zan’ gazepi2).

Zan’ gazepi, ç’e ka zan’ alltia3),

Shpejt për shpejt ç’u çel çarshia4).

Vjen kamzerri5) jep selam6):

“Mos luj’ Myslim, se je i zanë!”

“M’u më thonë Myslim’ i Alcanit,

T’a derdh gjakun në odë të hanit!

Çoju, mre Likë, çoju, mre vlla,

Se na sonte jemi të vra!”

Lik Isufi7) i holl’ e i gjatë,

Vrau kamzerrin tuj hyp n’shkallë.

“Moj patllak’-patllakja ime;

Kur m’u deshë vet’ m’u gjine!”

Tri paritë kan dalë ke ura

Rrethu Myslimin me 600 burra,

600 burra, 600 vetë,

Met Myslimi pa fishekë.

“Hamit Disha8), more memec,

Le fishekët e more lesht”.9)

“Hason Shehu10), mor çijone,

Ç’e marrove veten tone”.

“Hajde-hajde, ti Has Meta11),

Ku i ke ato t’shkreta?!”

“Islam Rrahmani12), more vlla,

S’e pe Likën kur u vra?!”

Moj Turqia me ksula t’kuqe

se ke njoft Myslimin me huqe.

Mbledhur nga Bedri Alcani.

*) Botuar në librin “Almanak. Librazhdi-1” (Tiranë 1958), faqe 147-148.

NË SHMIL U RRAF NJI LODËR*)

(Vallja e mëngjesit)1)

“Plakë e Mazhit, moj xhadi,2)

si na prune haber të zi?!

Si na prune haber të zi,

se kan’ lidhë kët’ pleqsi?!”

Lidhur pleqtë me zinxhir,

bamë avraqet3) për Manastir.

Në Shmil u rraf nji lodër,

u ngrit Çermenika i madh e i vogël.

Ymer Tusha, Hasan Alia4)

dajnë kuvendin ke xhamia:

– “Haj, medet, na shkuen pleqsia!”

U rraf lodra ke mullini:

– “Epni haber ke Ballgjini5)!”

U rraf lodra mes Orenjës:

– “Ti ku je, or Çollaku i Kengës6)?!”

U rraf lodra, u dha haberi:

– Ti ku je , or Osman Skëneri?!” 7)

U rraf lodra mu ke moni:

– “Çoni haber ke Alconi!” 😎

U rraf lodra me purteka:

-“Çoni haber ke Selman Leka!” 9)

Shpejt për shpejt u mblodh halia,

mblidhet dheu si halamia;10)

U mblodh dheu i madh e i vogël,

shkoi teposhtë e ra në Mokër.

– “Ju mos tremi, mre mokranë!

Kemi punë në Qaf-Thanë!

Boni bukë, boni byrek,

se atje kemi dyfek”.

Sulë Xhabili11) ngriti nji thikë:

– “M’jeni mrapa moj Çermenikë!”

Prina, prina Sul Xhabili,

sepse mrapa të vjen Shmili.

– “Kush drejton rrug’n e Draganit ?”

Selman Lleshi i Kuturmanit.

– “Xhandermo, or rrobe-zi,

ku na e çon ate pleqsi?!”

– “Ju, mre pleq, ju mre shopa,12)

ç’desht’ atje ku hiqej llota13)

e t’ju lidhin porsi lopa?!”

Zenel Karai, nji shatorr,14)

në Qaf-Thanë boni i vorr.

Ali Kafazi – dordolec,15)

i nodhi kali trim skopec,16)

e la yryshin n’Karkavec.

Kush ka nodh ke u bo leshi?

Ai ma i pari, Selam Lleshi.

Kush ka nodh ke u bo gjaku?

Maksut Kenga, dor sallaku.

Hallall buka k’tij Selmanit!

N’mal t’Draganit, n’fush t’rrajcanit,

mori pushkën xhandermanit.

Selman Lleshi – yll’ i dritës,

zbardhi faqen gjith’ Çermenikës.

Vojt haberi n‘Manastir,

Çermenika theu zinxhir.

Mbledhur nga Shahin Zharri. Kuturman, 1958.

Filed Under: ESSE

Kodi i Nderit

May 3, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Mjaft afër liqenit Prasias (Prespës) ishte miniera që më pas do t’u jepte maqedonasve të lashtë argjend për të shtypur monedhat e mbretërisë së tyre.

“Nga kjo minierë ju mbetet vetëm të kaloni malin e quajtur Dysorum për të gjetur veten në territorin maqedonas”, tregonte Herodoti në librin e hiistorive të tij (shekulli V para erës sonë). Kështu, Persianët, të dërguar për këtë argjend, kur arritën, dhe u sollën në prani të Amintës, i kërkuan atij t’i jepte tokë dhe ujë mbretit Dar. Dhe Aminta jo vetëm që u dha atyre atë që kërkuan, por edhe i ftoi të darkonin me të. Mreti Aminta kishte edhe një djalë me emrin Aleksandër. Prej tyre më pas dolën Filipi dhe Aleksandri Emathia (emër që bota e morri edhe si ‘i Madh”. Nejse, këto dihen.

Pra, mbreti Aminta shtroi një darkë dhe i argëtoi persianët në mënyrën e duhur miqësore. Kur mbaroi vakti dhe të gjithë u vunë për të pirë, persianët thanë: “I dashur maqedonas, ne persët e kemi zakon kur bëjmë një gosti të madhe t’i sjellim me vete gratë dhe t’i bëjmë konkubina.

Atëherë Amyntas u përgjigj:

“O, Persianë, ne nuk kemi një zakon si ky; por me ne, burrat dhe gratë janë të ndarë. Megjithatë, duke qenë se ju, që jeni zotërit tanë, dëshironi, edhe kjo do t’ju jepet.” Kur Aminta foli kështu, ai urdhëroi disa të shkonin dhe të merrnin gratë. Dhe gratë erdhën me thirrjen e tij dhe u ulën në një rresht përballë Persianëve. Pastaj, kur Persianët panë që gratë ishin të bukura, i folën përsëri Amintas dhe i thanë:

“Më mirë që gratë të mos kishin ardhur fare, sesa të vinin në këtë mënyrë dhe të mos uleshin pranë nesh, por qëndron përballë”.

Kështu Aminta u detyrua t’i urdhëronte gratë të uleshin krah për krah me persianët. Gratë bënë siç urdhëroi ai; dhe pastaj, pasi kishin pirë më shumë se ç’duhej, filluan të vinin duart mbi to, madje njëri u përpoq t’i jepte një puthje gruas pranë tij. Mbreti Aminta e pa, por heshti, megjithëse i pikëlluar shumë, sepse i frikësohej shumë fuqisë së persëve.

Por Aleksandri, i biri i Amintas, i cili ishte po ashtu aty, duke qenë i ri dhe i panjohur me vuajtjet, nuk mundi të përmbahej, dhe. Ai, plot inat, i foli Amyntas:

“I dashur baba, ti je plakur dhe duhet të shlodhesh. Çohu nga sofra dhe shko pusho. Unë do të qëndroj me të ftuarit dhe do t’i jap atyre gjithçka që është e përshtatshme.”

Aminta, i cili mendoi se Aleksandri po bënte një shaka të hidhurr, u përgjigj:

“I dashur bir, fjalët e tua më duken si ato të atij që është afër zjarrit, dhe e kuptoj që ti më largon që të mund të bësh verpra të liga. Të lutem mos bëj ndonjë rrëmujë për këta njerëz, që të mos na shkatërrosh të gjithëve, por duro të shikoj me qetësi atë që bëjnë ata”.

Amyntasi, kur iu lut kështu djalit të tij, doli; Dhe Aleksandri u tha persëve:

“Shikoni këto zonja si tuajat, të dashura – na tregoni vetëm dëshirat tuaja. Por tani e shoh që të gjithë keni pirë verë të mjaftueshme; nëse dëshironi, le të tërhiqen gratë të lajen dhe kthehun përsëri”.

Persët ranë dakord me këtë dhe Aleksandri, pasi i largoi gratë, i dërgoi në harem dhe përgatiti në dhomën e tyre një numër të barabartë të rinjsh pa mjekër, të cilët i veshi me rrobat e grave, dhe më pas, duke i armatosur me kama, ua solli persianëve, duke u thënë ndërsa i prezantonte,

“Mendoni, të dashur persianë, se argëtimi nuk iu ka munguar. Ne kemi vënë para jush gjithçka që kishim për t’ju a dhënë – dhe tani, për të kurorëzuar të gjithën, ju japim motrat dhe nënat tona, që ju të mund të mendoni se jeni plotësisht të nderuar nga ne, ashtu siç e meritoni për të qenë- dhe gjithashtu që të mund t’i ktheni fjalën Darit që ju dërgoi këtu, se ishte një burrë, sundues i Maqedonisë, nga i cili ju festuat dhe fjetët bukur.”

Kështu, Aleksandri vuri në krah të secilit persian një nga ata që i kishte quajtur gra maqedonase, por që në të vërtetë ishin burra. Dhe këta burra, kur persianët filluan të ishin të vrazhdë, i vranë me kamat e tyre. Ambasadorët u vranë, ashtu edhe pasuesit e tyre. Sepse persianët kishin sjellë me vete një karvan të madh, karroca, shoqërues dhe bagazhe të çdo lloji – të gjitha u zhdukën në të njëjtën kohë me vetë ambasadorët. Jo shumë kohë më pas, Persianët bënë kërkime të rrepta për ambasadën e tyre të humbur; por Aleksandri, me shumë mençuri, e mbylli biznesin, duke u dhënë ryshfet atyre që ishin dërguar në këtë detyrë. Kështu vdekja e këtyre persianëve u mbyll dhe nuk u fol më për të.

Mbretëritit maqedonë e kanë prejardhjen nga Perdika (ilir, sh.im) “siç pohojnë ata vetë” thotë Herodoti, “sepse kur Aleksandri, biri i Amintës, donte të merrte pjesë në lojëra dhe kishte ardhur në Olimpia, grekët që do të garonin kundër tij do ta përjashtonin nga gara – duke thënë se vetëm grekët lejoheshin, dhe jo barbarët”.

Filed Under: ESSE

Hajdutët e kombit

May 2, 2024 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Përtej ekranit televiziv, por edhe sipas ekspertëve të kriminalistikës shikojmë se çdo ditë nëpër dyert e SPAK-ut në Kryeqytet “parakalojnë” si në parradë – horror qeveritarë, ish qeveritarë, politikanë dhe ish politikanë. Së fundmi janë kontrolluar nga SPAK edhe banesat e dy personazheve të ekranit, ku i janë sekuestruar telefona dhe pajisje të tjera komunikimi.

Jo vetëm disa politikanë të lartë janë nën hetim për transaksionet dhe pasuritë që ata zotërojnë, por aktualisht është duke u zhvilluar një kontroll i madh edhe në banesat e disa bashkëpunëtorëve ose “zarave” te tyre. Sipas ekspertit Karamuço: Janë njerëz të ekranit që dyshohet se janë të lidhur me politikanë shumë të lartë të vendit dhe mendohet që mund të jenë bërë bashkëpunëtorë për pastrimin e produkteve të veprave penale.

Është për të ardhur keq, por kësaj tymnaje i ështe bashkuar edhe një grua e moshuar e cila po hetohet si latifondistja më e madhe e rrethinave të Tiranës mbas Toptanësve, por e viteve të fundit që ka toka pafund deri në Rinas. E cila akuzohet për pastrim të produkteve të veprës penale edhe transaksione në emrin e saj.

Pas kontrelleve nëpër banesat e tyre drejtues e punonjës të SPAK qenkan llahtarisur nga gjërat që po ju vijnë nga burime të ndryshme, nga institucionet shqiptare, lidhur me pasuritë se si janë ngurtësuar, transferuar dhe pastaj janë munduar të fshihen gjurmët.

Hajdutët e kombit nuk paskan të mbaruar, popullli nuk ngop barkun me bukë, pensionistët nuk shtyjnë dot as muajin, nuk kanë as para për të blerë medikamente për shëndetin. Llafet nga financat shqiptare thonë se ekonomia nuk ka ecur mirë përgjatë dekadës së fundit dhe ritmet e rritjes kanë qenë të ngadalta. Për sa kohë kjo nuk ndryshon, nuk ka alternativë tjetër se nga mund të gjenden paratë, jo vetëm për rritje pensionesh, por as për të paguar pensionistët që pritet të shtohen tani së shpejti.

Nga Shqipëria janë larguar jo vetëm të rinj por edhe pensionistë, apo mosha mesatare që pleqëria i gjeti në emigracion. Sot ata kërkojnë të kthehen në atdhe. Me pensionet që do të marin s’do mund të paguajnë dot as qeratë e lartë të apartamenteve ku mund të jetojnë, qindra prej tyre banesat që kishin i humbën nëpër fajdet e skemat piramidale. Ndëkohë në Shqipëri hajdutllëku ka plasur hapur. Vetë qeveritarët e ligjëvënësit bëjnë kërdinë duke vjedhur xhepat e shtetit e të popullit. Kriminaliteti, vrasjet edhe tek pensionistët janë shtuar, si dhe emrat e politikanëve që merren me pastrimin e produkteve të veprave penale.

Filed Under: ESSE

Test, Kuark dhe Torah

May 1, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Thomas Edison administroi një test inteligjence me 146 pyetje për punonjësit e ardhshëm.
Thomas Edison kërkonte shumë nga punonjësit e tij dhe donte të siguronte që të punësonte vetëm individët më të ditur. Për ta bërë këtë, kompania e tij administroi një test të gjatë për të gjithë të punësuarit e mundshëm, që përmbante 146 pjesë të vogla në dukje të rastësishme. Kuizi përfshinte pyetje të tilla si: “Cili është kryeqyteti i Pensilvanisë?” dhe “Çfarë drithi përdoret në të gjithë botën?” Shumë njerëz që u intervistuan për një punë në kompaninë e Edison-it e quajtën testin si të pamundur për t’u kaluar. Edhe vetë djali i Edisonit, student në MIT, dështoi në provim, ashtu si Albert Einstein, i cili iu nënshtrua testit pasi u botua në gazetë. Pavarësisht kritikave, Edison e mbrojti pyetësorin si një domosdoshmëri, duke thënë se çdo mungesë memorie nga punonjësit e tij i kushtonte kompanisë 5,000 dollarë (afërsisht 86,000 dollarë sot).
***
Blloku ndërtues i fizikës teorike është kuarku, i cili është një lloj grimce dhe një komponent themelor i materies. Në vitin 1964, fizikani Murray Gell-Mann e dinte se ai donte t’i shqiptonte grimcat e tij të zbuluara rishtazi si “kwark”, por vendosi drejtshkrimin “kuark” pasi lexoi “Tre kuarkë për Muster Mark!” në romanin “Finnegans Wake” nga James Joyce. Ekzistojnë lloje të ndryshme kuarkesh (të njohur edhe si “shije”). Nëse jeni në Evropë, mund të hani edhe një pjatë me kuark, një produkt qumështi që njihet si “gjizë”.
Në fizikë, çdo nga një numër grimcash nënatomike që mbartin një ngarkesë elektrike të pjesshme, quhet ‘kuark’. Kuarkët nuk janë vëzhguar drejtpërdrejt, por parashikimet teorike të bazuara në ekzistencën e tyre janë konfirmuar eksperimentalisht.
Gjatë shekullit të 20-të, shkencëtarët zbuluan protonin, elektronin, neutronin dhe kuarkun.
Një mikroskop i zakonshëm nuk është aq i fuqishëm sa për t’ju treguar një kuark.
***
Qeniet njerëzore duket se kanë një prirje të natyrshme për të kërkuar rendin dhe simetrinë edhe në kaos. Ata gjejnë kafshë të fotografuara në retë që kalojnë, fytyra në rrezet e diellit që godasin xhamat e dritareve dhe figura njerëzore në formacione shkëmbore natyrore. Duke qenë kështu, është e natyrshme që ata të kërkojnë kode të varrosura në tekstet e lashta.
Zanafilla 1:1–4. Biblia Hebraike.   Katër shkronja, 50 shkronja larg njëra-tjetrës, duke filluar nga në vargun e parë, formojnë fjalën
Torah (shqip ‘të ra, të reja’, si një libër sjell informacion mbi krijimin e botës dhe historinë e hebraikëve.
Michael Drosnin, autor i The Bible Code dhe The Countdown, pretendon se ka zbuluar një kod sekret të fshehur brenda shkronjave dhe frazave të librit më të njohur në botë. Nëse është e vërtetë, implikimet janë tronditëse. Kjo do të thotë se një vetëdije e mbinatyrshme, ose, së paku, një entitet shumë i zhvilluar nga një qytetërim i lashtë qoftë në tokë apo gjetkë në galaktikë, kishte aftësinë për të parashikuar të ardhmen dhe u përpoq të paralajmëronte njerëzimin në një mënyrë krejtësisht përtej të kuptuarit aktual.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 73
  • 74
  • 75
  • 76
  • 77
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT