• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një Akademi linguistike me bazë gjuhën shqipe. A është e mundur dhe mbi të gjitha a ështe e vlefshme? 

April 8, 2024 by s p

Eva Brinja/

Në shkencat bashkohore, prej shekullit të XIX, kemi atë që quhet Lingustika klasike e cila realizoi “pemën e gjuhëve” prej ku shqipja u vendos ose në trungun e pemës  ose në rrënjën e saj. Prej këtij momenti lidhja e shqipes me gjuhën sanskrite është vënë në dukje nga  linguist anglez dhe gjerman shekullit të XIX-të. Në fillim të shekullit të XX-të kemi avancimin e mendimit shkencor në lidhje me  gjuhën apo “fjalën”, nëse ajo ishte diçka e rastësishme si një “etiket” e vendosur  mbi sendin/fenomenin, apo është diçka shumë më tepër se kaq dhe ka lidhje me  psikën e përdoruesit të fjalës. 

Për hir të së vërtetës sot ky mendim ka avancuar duke realizuar eksperimente mbi  përdorimin e “fjalës” së lashtë, dhe në këtë rast marrin kryesisht atë “hebre” ose  “aramane” (tashmë gjuhë e vdekur), për të evidentuar reagimin në trurin e  përdoruesit të fjalës. 

Gjithashtu tashmë është e njohur se përdorimi i fjalës pozitive si “lutje” kryen  mrekulli në trupin e njeriut. 

Pra lidhja e fjalës me psikën është vërtetuar se ekziston. 

Por, 

nëse tek kjo kërkesë e mendimit shkencor sot në botë do të ishte bërë prezent  zbulimi i Petro Zhejit se, 

“Fjala është krijuar në bazë të një botkuptimi hyjnor”, 

përdorimi i këtij mjeti do të kishte marrë përmasa dhe vlefshmëri për atë çka dhe  është dhënë FJALA. 

Le të japim në mënyrë të përmbledhur esencën e këtij zbulimi, pse jo të tregojmë  edhe përse konsiderohet në shumicën e rasteve si e vështirë për tu kuptuar si teori. 

• Çdo artikulim që del nga goja e njeriut, në njësinë më të vogël si zanorja,  rrokja dhe më tej fjala, nuk janë aspak një rastësi por një përmbajtje informative që gjithmon ka të bëje me: 

Krijuesin dhe historinë e lidhjes së Njeriut me të në këtë Jetë. 

• Por, shkencat e sotme, Fizika Kuantike, Theologjia, Filozofia apo Psikologjia (ajo analitike), në të gjitha përsiatjet e tyre të krijimit apo dhënies të ligjeve  apo postulateve që veprojnë në fushat e tyre të hulumtimit flasin pikërisht  për të njëjtën gjë: 

Krijuesin dhe historinë e lidhjes së Njeriut me të në këtë Jetë. 

• Fjala referon tek një symbol dhe jo tek një Koncept (siç mendonte linguistika  klasike), dhe duke qenë se vet Simboli lidhet direkt me Krijuesin apo Qëndrën siç e emërton Zheji kjo na çon tek Monogjeneza e gjuhëve. 

Krijuesi është Nji dhe gjuha që Ai dha është Nji.

Në këto kollona zbulimesh, këtë eurdit të frikshëm, Petro Zhejin, e çoi Shqipja si një  ndërmjetës i palodhur midis fushave të shkencave apo gjuhëve të ndryshme që nuk  janë gjë tjetër veç se Kulla e Babelit ku të gjithë të thonë te njëjtën gjë me gjuhë  apo me forma të ndryshme (shkenca) dhe nuk merren vesh. 

Prandaj le të japim një paragraph nga Libri I parë Sanskritishtja fq.123: 

“me qëllim që çdo lexues dhe jo vetëm specialistët, të kenë mundësi të  krijojë një ide sa më të qartë se përse është fjala dhe të mund të rrokë tërë  rëndësinë e madhe të kësaj vetie krejt të veçantë e unikale të gjuhës sonë,  si një dëshmi të lashtësisë së saj thuajse të pallogaritshme, por bashkë me  këtë edhe të “primaute-së” absolute të kulturës sonë, të rrezatuar, të  centrifuguar, fare-darë e shkapërdarë e të “përhumbur”mijëra e mijëra  vjetë nëpër tërë Botën, aq sa do të mund të flitej për një “Shqipe endacake”  ashtu siç flitej dikur për një “çifut endacak”, do të sjellim këtu disa  shëmbulla të tjera të kësaj “ndërmjetësie” të pafund të shqipes, të  zgjedhura mes gjuhësh relativisht modern dhe prat ë njohura për shumicën  e lexuesve tanë, 

Ndërsa për të realizuar ndërmjetësinë mes shkencave të ndryshme ai krijoi atë që  njihet si Algoritmi Simbolik. 

Këtu fillon ajo që quhet shkallë vështirësie apo i pakutueshëm. 

Në fakt ajo del kaq e thjeshtë në se shikojmë së elementët përbërës të këtij Sistemi  Llogjik (Algoritmi Simbolik) përbëhet jo më shumë se 10 simbole dhe njësitë  matematikore, (plus, minus, më i madh apo i vogël) dhe disa simbole shtesë që  tregojnë marrëdhënie midis tyre. 

– ∞ – infiniti 

– Ο – rrethi -qëndra 

– Ө – rrethi i ndarë 

– ↓- poshtë apo → 

– ≤≥- më madh ose më i vogël 

– ● – rrethi I zi

– F – kodi F  

– E – kodi E 

As më shumë e as më pak ashtu siç veprojnë të gjitha shkencat me të cilat ne  merremi që në bangat e shkollës. 

Vështirësia për shqipfolësit qëndron në faktin se nuk e kanë parasysh se çdo fjalë  që ne përdorim është një peshë dije e pafund. 

Ndërsa për joshqipfolësit, i pengon gjuha e tyre e cila vjen tek gjuha e parë lehtësisht duke aplikuar metodikën e Agron Dalipit. 

Dalipi heq njëra pas tjetrës të gjitha tullat që kanë ngritur Kullën e Babelit për të  mos u marrë vesh, mosmarrëveshje që vazhdon edhe në shkencat e lartë përmendura. 

Algoritmi Simbolik ju takon të gjithëve, 

thjeshtë një mënyrë e re e të menduarit. 

Në plotësim të këtyre njohurive vjen edhe Niko Stillo pasi me metodikën e tij  mendoj që ka ofruar mundësinë e zbërthimit dhe leximit të shkrimeve parahelene  dhe pararomake në tegjithë trevën e Mesdheut. 

Aparati i tij shkencor jepet saktësisht në skemën e mëposhtëme.

Me këto tre emra, 

Shqipja jonë jep një mënyrë më të re të njohjes së historis së Njerëzimit sipas  skemës së mëposhtëme. 

Eva Brinja, 

20 Janar 2024.

Filed Under: ESSE

Gratë në dimensionin e Lirisë

April 6, 2024 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Shtysë për këtë artikull më dha biseda në New York me një regjisor të ri, i cili më tha se temat mbi diktaturën komuniste në Shqipëri janë rezuaruar, pasi janë realizuar shumë filma, gjë që më la një shije të hidhur…. 

Romë, nëntor 2018. Po udhëtoja me avion nga SHBA për në Shqipëri. Në aeroportin Fiumicino të Romës, tranzit për në Tiranë. Aeroport që ka fituar Çmimin si më i miri në Europë.  Rastësisht takova e fola nga afër me aktorin italian Remo Girone, të famshmin Tano Caridi tek seriali italian “La Piovra”. Do të ishte protagonist në filmin e ri shqiptaro – italian të regjisorit Namik Ajazi “Portreti i pambaruar i Clara Bellinit”. Film i cili tashmë ka fituar disa Çmime të Arta në Gjermani dhe në Itali.

Sipas aktorit Girone, xhirimet e filmit kishin filluar dhe ai së bashku me bashkëshorten Victoria Zinny, prezantohen në rolin e një familje diplomatësh italianë në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit. Regjisori Namik Ajazi, edhe ai i prekur direkt politikisht, së bashku me skenaristin Ruzhdi Pulaha dhe një grup aktorësh shqiptarë e italianë, do të bënin të njohur për publikun një histori të parealizueshme dashurie gjatë viteve të diktaturës. Bëhej fjalë për histori dashurie mes një djali shqiptar dhe vajzës së një diplomati të lartë Italian.

Ngjarjet i përkisnin fund viteve ’70, fillim i ’80-ës dhe krahas historisë së dy të rinjve, do të vendoseshin ngjarje të viteve të vështira të kohës së diktaturës komuniste në Shqipëri. Duke iu referuar edhe shtypit shqiptar, për të arritur në këtë histori të dhimbshme, regjisori Ajazi ka punuar për gati tre vite dhe ka bërë kërkime në ish-Arkivën e Ministrisë së Brendshme. Është mbështetur në katër histori të vërteta, njëra prej të cilave i qaset më shumë asaj të filmit. Sipas Ajazit aty nuk mund të flitet për personazhe realë, pasi ka marë copëza nga disa syresh. Po sipas medias shqiptare regjisori Ajazi thotë se: “Nuk dua që askush të identifikohet me personazhet e filmit. Por është një histori e vërtetë që i bën homazh atyre ngjarjeve të dhimbshme, romancave të ngelura përgjysmë, idileve të prera në mes nga ana e regjimit, i cili nuk të falte”.

Është homazh për të gjithë ata njerëz që kanë kaluar nëpër situata të tilla. Disa nuk jetojnë më, disa tashmë janë gjyshër”, thotë Ajazi në një intervistë të tij, teksa shton që përzgjedhja e temave nga e kaluara komuniste vjen si një detyrim karshi një brezi që përjetoi kohëra të vështira, por edhe për t’i treguar brezit të ri se ç’kanë qenë ato vite”.

Dhe sigurisht regjisori Ajazi ka prekur një ngjarje tepër delikate të jetës në diktaturë, pasi gjatë atyre viteve të zymta ka pasur shumë dramë, divorce si në dashurinë e të rinjve ashtu edhe gjatë viteve pasmartesore, ku për shkak “biografie” e luftës së klasave shumë çifte u ndanë duke rritur fëmijët jetim me prindër gjallë. 

Përzgjedhja aktorëve përbënte një surprizë më vete. Ajazi kishte sjellë në Tiranë aktorin Remo Girone së bashku me aktoren Victoia Zinny që do të interpretonin prindërit e vajzës.

Beatrice Aiello, një aktore e re italiane në rolin e protagonistes, po ashtu interpreton edhe Marta Gastini. Roli kryesor i ishte besuar të riut shqiptar që jetonte në Firenze, Anton Kodrinaj. Filmi u mbështet nga QKK, Ministria Italiane e Kulturës dhe Eurimages.

Duke dëgjuar nga aktori Girone rreth skenarit të këtij filmi, një nga këto episode më ktheu në kujtesë miken time italiane Jola Tahmizi, që fatkeqësisht nuk jeton më, ish anëtare e Kryesisë së Shoqatës së Gruas ish të Persekutuar Politike të Shqipërisë, ku edhe unë kam dhënë kontributin tim vite me rradhë edhe pranë kësaj shtrese deri ditën që u largova për në SHBA. E kam njohur nga afër Jolën, i ati kishte qenë Konsull i Italisë në Vlorë. Për shkak të veshjes së saj “moderne” kishte rënë në sy të policisë sekrete shqiptare dhe sigurimi i shtetit e arreston në moshë tepër të re. Sa herë vajza e re me emrin Jola shkonte në Tiranë, luante tenis veshur me një fund të shkurtër të bardhë me pala të vogla dhe bënte shëtitje – xhiro duke mbathur në këmbë patinat rrëshqitëse. Kjo pamje ekstravagante e saj përbënte shqetësim për regjimin e kohës. Shfaqje e huaj, paçka se Jola ishte e huaj, në dhe të huaj. Vetëm për fundin e bardhë e të shkurtër që mbante veshur dhe rrëshqitjen me patina, e arrestojnë dhe e dënojnë për agjitacion – propagandë.

Një rast tjetër që kam njohur nga afër, Maria Dvorani, e cila la studimet e larta në Itali dhe kthehet në atdhe për tu gjendur pranë atdheut gjatë pushtimit fashist. Ndërkohë njihet e martohet me një inxhinier italian, që kish mbetur pas lufte në Shqipëri. Për këto veprime të ndaluara sigurimi i shtetit e arreston dhe e burgosin si armike e popullit. Edhe me Marien jam njohur pranë kësaj Shoqate. Ishin gra inteligjente, poete, shkrimtare, tolerante e tepër humane. Gra heroina që me dinjitet të lartë sfiduan diktaturën më të egër në Europë. Ishin bashkëvuajtëse e mike burgu politike me heroinën Muisne Kokalari, të cilat shpesh më tregonin ngjarje të atyre vuajtjeve të rënda e torturave çnjerëzore që kishin përjetuar nëpër birucat e diktaturës. Jeta dhe vepra e të cilave u përjetësua në lartësi me dimensionin e lirisë.

Një Memorial dedikuar Gruas ish të Burgosur e të Persekutuar Politike të Shqipërisë në qendër të Kryeqytetit të Shqipërisë do të ishte domosdoshmëri, pasi e meritojnë vërtetë. 

Duke u kthyer sërisht tek filmi, një Bravo! I takon regjisorit Namik Ajazi dhe skenaristit Ruzhdi Pulaha, të cilët vijojnë të tregojnë me vërtetësi atë periudhë të tmerrshme të jetës që kanë kaluar në komunizëm edhe femrat e huaja. 

Falenderoj aktorin e madh italian Remo Girone së bashku me bashkëshorten e tij Victoria Zinny, që ju bashkëngjitën këtij projekti dramatiko – artistik të vendit tonë.  

Filed Under: ESSE

Biblioteka e parë publike, ku lexoheshin libra të lidhur me zinxhirë

April 5, 2024 by s p

Siç mund ta dini, librat në mesjetë ishin tepër të pakta dhe të çmuara. Çdo libër, pasi sigurohej në rrugë të ndryshme, shpesh të blerë me shuma të majme, kopjohej me kujdes me dorë, disa prej të cilave të shoqëruar me ilustrime, që kërkonte mijëra orë punë të kualifikuar. Umberto Eco te “Emri i trëndafilit” shtjellon në mënyrë të detajuar mënyrën se si kopjoheshin librat nga murgjarit dhe si ruheshin objektet e rralla dhe botimet e rëndësishme në një bibliotekë rrethuar nga mistika e kodeve dhe labirinteve, befasive dhe intrigave, frikës dhe vdekjes.

Gjatë mesjetës së mëvonshme, kur u krijuan bibliotekat e aksesueshme për publikun, librat shpesh lidheshin me zinxhirë në raftet, duke i lejuar publikut t’i lexonte, ndërsa ruanin koleksionin e vlefshëm të bibliotekës nga hajdutët e mundshëm, që ishin të shumtë për shkak të vlerës.

Zinxhirët ishin të vendosur në cep ose në kopertinën e librave, nëpërmjet unazave dhe ishin mjaft të gjata për të lejuar, që librat të hiqeshin nga raftet e tyre dhe të lexoheshin, por jo të hiqeshin nga vetë biblioteka. Vetëm bibliotekari mund t’i hiqte librat nga zinxhiri duke përdorur një çelës.

Më e famshmja nga këto syresh është biblioteka e Katedrales Hereford, në Hereford, Angli, e cila është më e madhja e mbijetuar, e lidhur me zinxhirë, me shufrat dhe bravat e saj të paprekura ende sot, me një koleksion prej 150 librash. Ajo ishte një bibliotekë huadhënëse dhe referuese teologjike që funksionon e vendosur në Katedrale. Shumica e vëllimeve në koleksion datojnë nga blerjet e bëra në vitet 1100, megjithëse libri më i vjetër në koleksion, “Hereford Gospels”, daton rreth vitit 800. Librat kanë lëvizur nëpër ndërtesat e Katedrales gjatë shekujve me disa të lidhur me zinxhirë në tavolina dhe të tjerët në foltore ose tavolina studimi në të njëjtën kohë. Biblioteka e lidhur me zinxhirë si një koleksion u krijua kur librat u zhvendosën në Kapelën e Zonjës në 1611, pas një hetimi për kujdesin e librave. Çuditërisht, katedralja dhe koleksioni i bibliotekës i shpëtuan dëmtimit të gjerë të Luftës Civile Angleze, duke shtuar më shumë libra në 1678 nga një kolegj jezuit.

Gjatë mbretërimit të Elizabeth I, në vitin 1582, një komision që hetonte katedralen, zbuloi se koleksioni, i mbledhur që nga shekulli i 12-të, ishte i organizuar dhe mbajtur keq. Në vitin 1590 e gjithë biblioteka u zhvendos në Kapelën e Zonjës dhe në vitin 1611, Biblioteka e Zinxhirëve u krijua nga Thomas Thornton. Thornton, i cili ishte kanun i Herefordit, nga viti 1583 e tutje dhe zv/kancelar i Universitetit të Oksfordit më 1583 dhe 1599, ishte i pari që lidhi libra me zinxhir në bibliotekë. William Brewster ia la trashëgim koleksionin Kolegjit St John, Oksford. Shumë libra u shtuan në shekullin e 17-të dhe në 1678 koleksioni nga Kolegji jezuit në Cëm, Llanrothal, Uells, iu bashkua bibliotekës kur kolegji u mbyll pas pushtimit nga John Arnold i Monmouthshire.

Në vitet 1840, katedralja i’u nënshtrua një pune të konsiderueshme restauruese, librat dhe raftet duhej të hiqeshin nga Kapela e Zonjës. Ajo u nda midis Transeptit të Veriut dhe Bibliotekës Victorian Dean Leigh. Më vitin 1854, Francis Tebbs Havergal u emërua zëvendësbibliotekar dhe ai e përmirësoi shumë bibliotekën dhe i kushtoi vëmendje detajeve të tilla, si temperatura e dhomës dhe pastërtia. BF Streeter ishte përgjegjës për një ndryshim të madh në organizimin e bibliotekës, siç ishin bibliotekarët si Langton E. Brown dhe Maude Bull nga viti 1897 e tutje; Bull punoi në bibliotekë për më shumë se pesëdhjetë vjet deri në vdekjen e saj në 1951. Për vite me radhë, studiuesi i shquar, Canon Wlliam wolfe Capes (1834–1914), renditi regjistrimet brenda bibliotekës; ai shtypi një vëllim që përmban të dhëna të hershme, duke ua paraqitur atë anëtarëve të Shoqërisë Cantilupe. Gjithashtu të rëndësishëm në historinë e bibliotekës ishin Frederick Charles Morgan (vdiq më 1978, 100 vjeç) dhe vajza e tij Penelope (1976–90). FC Morgan mbikëqyri projektin e katalogimit të vitit 1927 e në vazhdim, pas një donacioni nga Fondi Dean Leigh. Nipi i tij Paul u pasua si bibliotekar nderi nga Penelope Morgan, e cila qëndroi në këtë post deri në vitin 1989. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Mappa Mundi (harta më e madhe mesjetare e njohur që ekziston ende) dhe dorëshkrime të tjera të vlefshme nga periudha mesjetare, u mbajtën gjetkë në sigurisë dhe u kthye në koleksion në 1946.

Në vitin 1988, Dekani dhe Kapitulli propozuan shitjen e Mappa Mundi dhe zgjuan kundërshtime të konsiderueshme kombëtare. Pas krijimit të një besimi të përkushtuar, një donacion nga Sir Paul Getty dhe një shume parash nga Fondi Kombëtar i Përkujtimit të Trashëgimisë, Mappa dhe biblioteka e lidhur me zinxhirë u transferuan në Trustin Bamirës Mappa Mundi dhe u hap një ndërtesë e re e projektuar nga Sir William Whitfield më 3 maj 1996 nga Mbretëresha për të strehuar koleksionet historike dhe bibliotekën historike të lidhur me zinxhirë, e cila është e hapur për publikun.

Si biblioteka e lidhur me zinxhirë, ashtu edhe koleksionet historike në dyqan tani mbahen në dhoma të kontrolluara nga temperatura, rezistente ndaj zjarrit, Mappa dhe koleksioni historik janë shumë më të lehtë për t’u aksesuar sesa në katedrale. Megjithatë, biblioteka e lidhur me zinxhirë është ende e lidhur me raftet e librave.

Shumica e librave në koleksion datojnë rreth vitit 1100. Vëllimi më i vjetër në bibliotekë, Ungjijtë Hereford me karaktere anglo-saksone, daton rreth vitit 780 dhe ishte i vetmi libër që i mbijetoi zjarrit të vitit 1055. Shumë nga librat dhe dorëshkrimet u mblodhën nga Herefordshire, me shumë prej atyre që nga shekulli i 14-të e tutje të lidhura me ligjin e qarkut. Për disa shekuj librat u ruajtën në dollapë ose arka druri derisa u krijua dhoma e parë e bibliotekës, në manastirin jugperëndimor të katedrales, në shekullin e 15-të.

Biblioteka përmban kryesisht libra të vjetër në dorëshkrim të lidhur me zinxhirë në vendet e tyre, disa prej tyre ekzemplarë të bukur të dorëshkrimit të lashtë, që përmbajnë ilustrime të bukura në ar dhe me ngjyra. Biblioteka ka një antifonar të lashtë dhe të ruajtur mirë të Herefordit të shekullit të 13-të. Një thesar tjetër është një relike e lashtë prej lisi, e lënë trashëgim në katedrale nga Canon Russell, që thuhet se është marrë nga një familje katolike romake në zotërimin e së cilës ishte prej kohësh. Ajo është e mbuluar me pllaka bakri të veshura me smalt Limoges që përfaqëson vrasjen dhe varrimin e Shën Thomas të Canterbury. Biblioteka disponon gjithashtu rreth 229 dorëshkrime, kryesisht teologjike, të datuara nga shekujt VIII-XVI. Përveç Ungjijve Hereford, është aty edhe Bibla Wyclifite dhe Breviary Hereford e shekullit të 13-të, si e vetmja kopje e mbijetuar.

Pjesa më e madhe e koleksionit të bibliotekës përbëhet nga libra mbi teologjinë, studimet biblike dhe kishtare dhe ligji. Përveç 150 vëllimeve, të datuara në shekujt e 16-të dhe të 17-të, nga Biblioteka e Jezuitëve në Llanrothal, ajo mori në vitin 1925m 242 vëllime mbi teologjinë nga Paul Foley nga Stoke Edith House dhe, në vitin 1978, 260 vëllime të shtypura midis viteve 1494-178. nga Biblioteka e Shkollës Lady Hawkins në Kington. Biblioteka ka marrë gjithashtu shumë donacione të tjera të vogla gjatë viteve, duke zbuluar një pasqyrë të rëndësishme në historinë e qarkut dhe praktikat kishtare brenda tij. Koleksioni përmban gjithashtu dorëshkrime muzikore të përdorura në Katedralen Hereford midis fundit të shekullit të 17-të dhe 19-të dhe rreth 9,000 artikuj të shtypur pas vitit 1850, si dhe një seksion të historisë lokale.

Përgatiti: Albert Vataj

Filed Under: ESSE

PËR LIBRIN E ANNA KOHEN “FLOWER OF VLORA”

April 5, 2024 by s p

Prof. Thanas Gjika/

Për ta kuptuar më mirë përmbajtjen dhe vlerat e librit “Flower of Vlora – Growing up Jewish in communist Albania” (Lulja e Vlorës – Rritja e ebrenjve në Shqipërinë komuniste) të shkrimtares Anna Kohen, bijë e komunitetit ebre të Shqipërisë, më duhet të jap së pari disa sqarime mbi historinë e këtij populli.

Populli ebre / Jewish, ka një histori tragjike. Mbas peripecish të shumta ky popull arriti të krijonte në territorin e quajtur Palestinë shtetin e vet të lulëzuar të ndarë në dy krahina, krahina veriore quhej Israel dhe ajo e jugut, Jude (si dy krahinat tona Gegëria dhe Toskëria). Kryeqytet i tij ishte Jerusalemi, ku sunduan mbretër të ndryshëm, midis të cilëve u shquan Davidi dhe Solomoni. Mirëpo më vonë ky popull ra nën zgjedhën Babillonase, u kthye në skllav dhe u shpërngul në Babilloni. Pas 75 vjetësh mundi të rikthehej në trojet amëtare e të vijonte jetën e vet. Në shek. VII krijimi i Perandorisë Arabe solli si pasojë shpërnguljen / dbimin e dytë të këtij populli. Kjo ishte shpërngulja më e madhe dhe më e gjata.

Ky popull i shpërndarë në shtete të ndryshme të Europës, Azisë dhe Afrikës mundi të mbijetonte duke u organizuar nëpër komunitete, ku jetonin afër njëra tjetrës familjet e judenjve me sinagogën e tyre (tempullin e fesë). Gjatë shekujve diaspora judaike e humbi gjuhën amëtare dhe pervetetësoi gjuhën e vendit ku jetonte, pra gjuhësisht u asimilua. Në gadishullin Hiberik judenjtë përvetësuan spanjishten si gjuhë shtëpie, në gadishullin Ballkanik përvetësuan greqishten; në Europën Qendrore gjermanishten dhe në Perandorinë Cariste Ruse, rusishten.

Diaspora ebraike ka një meritë të madhe, ajo i dha njerëzimit një fenomen madhështor: mbijetesën si etni kombëtare ndonëse jetoi më shumë se një mijë vjet larg trojeve të atdheut mëmë edhe pasi humbi gjuhën amëtare. Kjo mbrekulli nuk ndodhi rastësisht: Kudo ku shpërndaheshin judenjtë merrnin me vete një kopje të librit “Torahs”, si quhet prej tyre pjesa e parë e “Biblës”. Kapituj të këtij libri u komentoheshin besimtarëve çdo të shtunë prej rabinëve (priftërinjtë e ebrenje) nëpër sinagogat, ose prej kryefamiljarëve në shtëpi. Libri madhor “Torahs” luajti rolin e “Atdheut kulturor / Atdheut virtual” që i mbrojti bijtë e diasporës ebraike nga asimilimi..

Nazizmi gjerman kreu masakrën më të madhe ndaj këtij populli, shfarosi gjashtë milion ebrenj nëpër kampet e internimit. Për shkak të përndjekjes shekullore dhe sidomos të përndjekjes naziste ky popull u quajt “Popull Martir”. Qeveritë e shteteve që fituan luftën kundër nazizmit në vitin 1948 mundën ta krikrijonin shtetin e Israelit në një pjesë të trojeve të lashta amëtare të Palestinës, për t’i krijuar mundësinë e jetesës popullit martir në një shtet të pavarur, këtij populli që i ka dhënë kulturës, artit e shkencës botërore shumë njerës të shquar.

Në trojet shqiptare gjatë pushtimit turk u vendosën disa komunitete ebrenjsh sidomos në qytete si Preveza, Parga, Janina, Vlora, Kavaja, Durrësi, dhe deri në Manastir (Bitola), Shkup, Prizren, Prishtinë, etj. Zyrtarisht Perandoria Osmane i quajti ebrenjtë e Ballkanit “Ebrenj Romanjotë”, dmth të greqizuar.

Në Ballkan ndoshta disa ebrenj ishin tërhequr prej ebrenjve të vendosur më herët. Në Sarandë arkeologët kanë gjetur një shandan judaik të ndërtuar me gurë mozaiku në një dysheme, që dëshmon ekzistencën e një sinagoge judenjsh që në shek V-VI. Ndryshe nga popujt e tjerë populli shqiptar nuk i pa me zili banorët e komuniteteve ebre, por i rajtoi si të barabartë. Madje gjatë L2B populli ynë i mbrojti prej nazistëve gjithë ebrenjtë e Shqipërisë së Bashkuar dhe ata që erdhën nga Gjermania, Austria, ish-Jugosllavia. Bujaria dhe mbajtja në besë e ebrenjve prej popullit tonë rrëfehet me dashuri në faqet e këtij libri. Në vitin 2012 autorja shkoi me gjithë bashkëshortin në fshatin Trevllazër dhe i takoi pasardhësit e familjes së Kadri Lazaj, që kishte strehuar familjen e saj gjatë L2B.

Gjatë viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri u shquan disa bij të diasporës ebraike si doktori Nuni Theodhosi, Zino Matathia, Ingjinieri Marko Menahem, përkthyesit at’ e bir Robert & Edvin Zhvarc, etj. Midis tyre shkëlqen dhe doktoresha stomatologe Anna Kohen, mjeke e shquar dhe aktiviste shoqërore, që ka merituar disa medalje e vlerësime nga shteti shqiptar e amerikan. Tani së fundi ajo u rendit dhe si krijuese e letërsisë memuaristike…

Mora pjesë në promovimin që iu bë në Worcester MA librit të saj “Flower of Vlora – Growing up Jewish in communist Albania”, ku ajo vetë tregoi shkurt disa momente të jetës, me të cilat na preku të gjithëve. Pasi e bleva librin, e lexova dhe nuk mund të rri pa shkruar një vlerësim për të mbasi u qartësova plotësisht për jetën e komunitetit ebre të Vlorës dhe ecurinë e jetës plot zgjuarësi dhe guxim të Anna Kohen, aftësitë e së cilës shpërthyen kur ajo doli në botën e lirë, mbasi u largua nga Shqipëria (1966). Mbrojti tituj e grada shkencoree si dentiste stomatologe, hapi klinikën e saj, punoi dhjetë vjet si Prof. Assistente Restorative Dentristy në Universitetin e mirënjohur të Nju Jorkut, Dental School; drejtoi për njëzet vjet Shoqërinë e grave shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi”; organizoi mbledhje dhe dhurime të shumë ndihmave për Universitetin e Tiranës; riatdhesoi 37 judenj të Vlorës në ShBA (1990); ndihmoi për të strehuar e punësuar shumë e shumë të shpërngulur me dhunë nga Kosova (1999), etj.

Jeta plot mund e sakrifica e heroinës së kësaj vepre memuaristike mendoj se do t’i ndihmojë shumë të rinj e të reja për të gjetur rrugën sesi të bëhen më të vlefshëm për vete dhe familjet e tyre, dhe për mbarë botën shqiptare.

* * *

Ky libër biografik shquhet për rrëfimin realist të jetës së familjes Kohen në Shqipëri, Greqi dhe ShBA. Titulli “Fower of Vlora” (“Lulja e Vlorës”) për mua mund të merret alegorikisht sikur nënkupton gjithë komunitetin ebre të Vlorës si lulja e qytetit. E them këtë sepse pjesëtarët e komunitetit ebre të Vlorës me jetën e punën e tyre i ishin imponuar vlonjatëve si një model i qytetërimit europian.

Kushtet e vështira ekonomike e politike ndikuan që autorja të rritej në një atmosferë të izoluar, ndonëse ajo e ndjente veten të gëzuar për shkak të optimizmit që i jepte mosha dhe kujdesit të prindërve e sidomos të gjyshes Aneta. Kjo gjyshe merrej me punët e shtëpisë: gatimin, edukimin dhe kumandarjen e fëmijëve, sepse nëna dhe babai gjithë ditët e javës punonin jashtë shtëpisë. Aneta ishte një grua me kulturë dhe me karakter të fortë që u imponhej si fëmijëve dhe njerëzve që e rrethonin. Në rini ajo kishte studiuar tek “Aleanca Franceze” e Janinës ku kishte mësuar frëngjishten, pasuri e rrallë kulturore për femrat e asaj kohe. Përpjekjet e saj për t’i ushqyer, edukuar, veshur, krehur e mbathur sa më mirë katër fëmijët e familjes Kohen, u ngjallën dashuri e respekt grave vlonjate të mëhallës, të cilat i quanin ata fëmijë “Lulja e Vlorës”. Këtë epitet këta fëmijë e meritonin për pamjen e jashtme edhe për edukatën e tyre. Ata shoqëroheshin me të gjithë fëmijët e mëhallës e të shkollës, myslimanë, katolikë e ortodoksë. Nuk ziheshin kurrë, gjithëçka e zgjidhnin përmes zgjuarësisë me paqe. Mësonin rregullisht dhe nuk kurseheshin t’u shpjegonin edhe shokëve e shoqeve pjesët që nuk i kishin kuptuar.

Familja Kohen erdhi në Vlorë nga Janina e Greqisë më 1928 pa ndonjë pasuri dhe në Vlorë nuk u bë e pasur, por jetonte me rregull e pastërti që binte në sy. Babai i Annas merrej me tregti ambulante. Ai nuk kishte dyqan. Mallin që shiste (fustane, copa për fustan, shalle, shami koke, etj) i vendoste në dy arka të cilat i ngarkonte mbi gomar dhe shkonte fshat më fshat ku ua shiste banorëve të fshatrave malore.

Guximi për jetën ishte tipar i këtij ebreu, tipar që ai e manifestoi jo vetëm gjatë udhëtimeve i vetëm nëpër fshatrat malore të Vlorës, por mbi të gjitha në krijimin e familjes së vet, jo me një ose dy fëmijë, por me katër në kushtet e vështira të L2b dhe mbas saj. Më 1943 familja e tij e re u shtua me një djalë, Elio-n. Gjatë vitit 1944 familja e tij u strehua në fshatin malor Trevllazën prej familjes Lazaj. Sapo u larguan forcat naziste nga Vlora, ai me bashkëshorten Nina, si optimiste qe ishin, vendosën ta shtonin familjen edhe me tre femijë të tjerë, vajzën Anna, lajmëtarja e fitores, të cilën shoqet e quajtën Emi, djalin Abe (Mimi) dhe vajzën tjetër, Alice (Aliqi).

Si shumica e ebrenjve edhe David Koheni, të cilin populli i Vlorës e quante Xhon, ndiqte strategjinë e mbijetesës së popullit ebre: “përdor shtatë zgjuarësi dhe një trimëri, ose një hile”. Gjatë pushtimit italian ai u muarr me tregti mallrash italiane. Një herë, tregon autorja, babai i saj shkoi në Itali dhe bleu këpucë me shumicë. Mirëpo që të mos paguante doganë, i solli në portin e Vlorë me dy rrugë. Në rrugën e parë solli kutitë ku kishte futur vetëm këpucë të djathta, kurse në rrugën e dytë solli kuti ku kishte futur vetëm këpucë të majta. Në të dy rastet ai u ankua doganierëve: “Shikoni se ç’ qeratenj janë italianët, më kanë amballazhuar vetëm këpuc të djathta / të majta, e ç’doganë të paguaj unë, nuk mund t’i shes dot këto këpucë.” Doganierët nuk e kuptuan hilenë e tij dhe kështu ai emori mallin pa paguar taksë dogane.

Kurse gjatë viteve të diktaturës komuniste kur ai shkonte nëpër fshatra dhe ndonjë fshatar i varfër, pasi i shikonte plaçkat e tij, largohej pa blerë gjë duke psherërirë: “Eh kur s’kam pare t’ia blija këtë shami gruas / nuses a vajzës sime”. Xhoni menjëherë i thoshte: “Hajde mor i dashur, merre falas. Mos e prish zemrën”. Dhe ia mbështillte e ia jepte.

Tregtari ebre e dinte se fshatari shqiptar ndonëse i varfër kishte sedër dhe sedra do ta detyronte që një ditë ta paguante. Në kohën kur fshatari vilte domatet, rushin, ullinjtë ia sillte te shtëpia zotit Xhon Kohen një kosh plot me prodhimet e tij, që kushtonin shpesh herë më shumë se malli që kishte marrë falas…

Autorja i tregon këto raste për t’i bërë të qartë sesi përpiqej babai i vet për të mbajtur familjen duke fituar ç’ mund të fitohej në Shqipërinë e varfër të asaj kohe.

Të shumta janë episodet ku tregohet urtësia e durimi i zotit Kohen, por mbi të gjitha më tërhoqi largpamësia vizionare dhe guximi i tij. Këto tipare shpalosen në vepër kur rrëfehen ndodhitë e vitit 1966. Anna ishte studente pa bursë për stomatologji në Tiranë dhe vijonte miqësinë me djaloshin simpatik Theidhor (Dhori) Çaushi, me të cilin ishte njohur që gjatë viteve të gjimnazit në Vlorë.

Qeveria shqiptare dha urdhër që të mbylleshin aktivitetet private. Kjo situatë e shkundi tregtarin ambulant. Pa e zgjatur ai vendosi që të mos vijonte më jetën në Shqipëri, por të përpiqej për të gjetur mundësi për t’u larguar në botën e lirë.

Ai kapi faktin që familja e tij ishte ebre e ardhur nga Greqia dhe nuk kishte ende qytetari shqiptare, quhej familje greke. Guxoi t’i kërkonte drejtpërdrejt diktatorit Enver Hoxha të drejtën për t’u riatdhesuar në Greqi. Anna e zotëronte shqipen në nivel më të lartë se anëtarët e tjerë të familjes, prandaj ai ia sqaroi asaj planin dhe kërkoii që ajo ta shkruante letrën, natyrisht sipas ideve të tij.

Mirëpo kishte një problem, një nyjë gordiane. Sigurimi i Shtetit dha sqarimin se duhej të riatdhesohej krejt familja, pra nuk mund të lejohej që familja të ndahej, një pjesë të riatdhesohej në Greqi e një pjesë të mbetej në Shqipëri. Para vajzës lindi problemi: të ndahej nga i dashuri për të bërë të mundur riatdhesimin e gjithë familjes, apo e gjithë familja të sakrifikohej për hir të daahurisë së saj e të qëndronte në Shqipëri.

Momente prekëse, ndonjë krijues mund të frymëzohet për të hartuar një vepër dramatike, skenar filmi, etj…

Në mendjen dhe zemrën e vajzës 21-vjeçare nisën të ndeshen ndjenjat e dashurisë me zgjuarësinë ebraike. Ishte në kulmin e lulëzimit të ndjenjave rinore, mirëpo pikërisht në të tilla rrethana i duhej të vendoste për fatin e saj e të mbarë familjes. Dhe Anna vendosi të sakrifikonte dashurinë për hir të së ardhmes më të mirë të krejt familjes.

Shkoi tek Theidori dhe pasi u sqarua me të, i tha babait se mund ta shkruante letrën. U ul dhe shkroi…

Pasi familja u riatdhesua në Greqi, Anna vijoi studimet për stomatologji. Edhe aty pati vështirësi financiare, por gjithnjë ishte ndër studentet me rezultatet më të larta. Natyrisht duke qenë e sukseshme dhe e bukur shumë djem i afroheshin për ta njohur. Me zgjuarësi ajo u jepte shoqëri, madje me njërin marrëdhëniet shkuan mjaft mirë, por nuk përfunduan me fejesë.

Babai me zgjuarësinë dhe vizionarizmin e tij, ndjeu se Greqia dhe Israeli nuk ishin shtetet ku duhej të vendosej përfundimisht familja Kohen. Me ndihmën e disa kushërinjve ai ariti të realizonte shpërnguljen në ShBA, pikërisht kur Anna ishte ende studente në vitin e fundit. Shkuan së pari nëna, babai, gjyshja, motra e vogël dhe dy vëllezërit. U vendosën në Nju Jork. Ana shkoi atje pasi mori diplomën. Shpejt u punësua në një klinikë si asistente. Aty filloi të bënte karierën e saj. Kurajua, zgjuarësia, vullneti i madh për punë e ndihmuan të ecte gjithnjë përpara vajzën e re. Rastet e ndihmuan të njihte shumë djem pretendentë për martesë, por asaj nuk i mbushej mendja. Nuk i pëlqeu as një jude i pasur, që jetonte në Meksiko City, i cili kishte mundësi financiare t’i krijonte jetë të lumtur.

Rasti e solli, që kur ishte duke u ngjitur drejt apogjeut të karierës së saj profesionale, një shoqe e njohu me një ebre me origjinë polake, me Zotin Markus De Rowe. Në fillim Anna nguroi. Iu duk krejt i papërshtatshëm. Markus ishte 11 vjet më i madh, burrë i ndarë nga gruaja me dy fëmijë. Mirëpo Markus ishte burrë shumë i zgjuar, zotni në sjellje dhe brenda dy vjet e gjysëm marrëdhëniesh ariti t’ia fitonte zmerën plotësisht.

Ceremonia e dasmës u zhvillua në prani të 140 të ftuarve, kur Anna ishte 29 vjeçe e Markus 40. Mbas martesës çifti u shtua me dy fëmijë, vajzën Felicia dhe djalëin Olek, të cilët sot kanë fëmijët e tyre. Mbas pensionimit Anna me Markusin u vendosën në vitin 2015 në qytetin Sarasota, Florida. Aty shkoi më vonë për të jetuar edhe Felicia me vajzën e saj të vogël, Alana, kënaqësia e gjyshes Anna. Djemtë e Markusit erdhën për vizitë disa herë nga Izraeli tek familja e babait në Nju Jork dhe në Sarasota FL., deri në prill të vitit 2023, kur Markus u largua nga jeta. Anna i priti gjithnjë me respekt e dashuri, si rrallë ndodh midis grave shqiptare.

Ndonëse jeta e DDS Anna Kohen eci gjithnjë përmes stresit dhe vështirësive, rrëfimi i ngjajeve në libër karakterizohet nga një rrjedhje e qetë plot kuriozitete dhe bëma të këndshme. Libri lexohet me interes nga fillimi në fund . Lexuesit i mbeten në mendje shumë sentenca e këshilla të mençura që ka dhënë autorja, bëma të babait, gjyshes dhe njerëzve që jetuan pranë saj.

Leximi i këtij libri ma pasuroi botën shpirtërore, prandaj ua rekomandoj shqiptarëve dhe amerikanëve ta blejnë për ta lexuar sa më parë. Variantin anglisht mund ta gjejne në Amazon.com, kurse variantin shqip të përkthyer nga Edvin Zhvarc tek Libraria Tirana Times. Në nëntor 2024 ky libër do të dalë nga shtypi dhe greqisht, variant që besoj se do ta blejnë e lexojnë emigrantët e shumtë shqiptarë që jetojnë në Greqi…

Filed Under: ESSE

MESHA E PADRE LELLO-S DO TË VAZHDOJË NË QIELL…

April 4, 2024 by s p

Eda e Visar Zhiti/

Padre Raffaele Lanzilli, jezuiti italian, i njohur me emrin At’ Lello, është kaq i dashur dhe në Shqipëri, 20 vjet, ishte me mision mes nesh. Që nga 1993 deri në 2014 shërbeu në Tiranë dhe në Shkodër si at’ shpirtëror, drejtor i gjimnazit “Pjetër Meshkalla” profesor universitar i psikologjisë në Universitetin Teologjik, epror i komunitetit jezuit, etj, dhe e fliste shqipen tonë kaq bukur, sa nuk kuptohej që ishte i huaj, megjithëse ai nuk dinte të ishte i huaj kurrë.

Fjala dhe zemra e tij do të mbeten të mrekullueshme përgjithmonë.

E kam thënë dhe në librin tim, “Si na erdhi ai, i ndaluari”, më rrëmbeu fjala e tij në një meshë, po e sjell këtu atë pjesë libri, është në epilog:

GABIMI FATAL I SHQIPËRISË

Mezi po prisnim të shkonim në kishën tonë në Romë, të dielave mesha mbahet në gjuhën shqipe […]

Ime shoqe dhe unë i kishim dëndësuar vajtjet atje. Donim të luteshim së bashku […] edhe për të dashurit tanë, për miqtë e përbashkët… për vendin.

Të ndizja dhe një qiri…

Meshtari shqiptar, Dom Gjovalini, kishte ikur në Shkodër, edhe At Mikeli s’ishte, po kështu dhe rektori i kishave shqiptare në Itali, Don Pasquale gjendej në Veri dhe atë të diel do ta celebronte meshën një prift italian, Padre Lello, që fliste një shqipe liturgjike tërheqëse.

Gjatë homelisë ai po na fliste për ringjalljen e Krishtit e për dyshimin e Tomës, nga që s’kishte qenë i pranishëm në atë ringjallje dhe donte të sigurohej në ishte i njëjtë ai që ishte kthyer nga vdekja me atë që kishin kryqëzuar… pa vënë gishtin tim në vëndin e gozhdave, pa e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj… shkruhet në Ungjillin sipas Gjonit.

Pa këtë vazhdimësi s’do të kishte kuptim… po thoshte meshtari.

Ngrita kryet i tronditur si ai që zbulon një gjë me rëndësi. Tek ne kishte ndodhur ndryshe, nuk i kishin prekur dhe aq plagët tona, s’na kishin vënë dorë në kraharor, nuk na besonin duke qenë dhe vetë të mosbesuar dhe më e rënda, të tjerë ishin ata që u kryqëzuan dhe të tjerë ishin ata që u ringjallën.

Gabimi fatal që kishte bërë Shqipëria…

Ia thashë Edës. Më pa dëshpërueshëm.

* * *

Me Padre Lelon arrita të përcaktoj këtë zbulim, mashtrimin e madh, do të thosha, dhe kur e ke të qartë realitetin, e përballon më mirë.

E kishim takuar edhe në Tiranë, edhe në Romë dhe shkëmbenim shpesh mesazhe, jo vetëm për urime festash, por dhe për ta pyetur, jo vetëm për shëndetin, por dhe për çështje të ndryshme, ndonjë sqarim biblik, etj, dhe ai na përgjigjej me mirësi të madhe, gjithmonë…

E qeshura e tij, aq e natyrshme dhe e begatë, ishte e mençur si fjala e tij, aq e thjeshtë në dukje…

Por sot në Romë, në zyrën e tij në Curian e Përgjithshme të Shoqërisë së Jezusit, ku ne e kishim vizituar dhe kishim ndejtur gjatë me të, në mëngjes sot, ai u gjet pa jetë. Kështu është ai, punonte deri në fund…

Mesha e tij do të vazhdojë në Qiell, ku dhe iku engjëllrisht.

Dëshpërimi është tek të gjithë ata që e njohën e punuan me atë, por ai do ta zbukurojë Qiellin edhe më siç e bënte edhe më të mirë tokën…

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • 81
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT