• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ylber Merdani: Se doja shumë në jetë e putha pak…” dhe “Lotët në sytë e një burrit janë margaritarë!

March 27, 2024 by s p

Requim Homazh për Poetin dhe Publicistin e njohur korcar Ylber Merdani

Shkruar nga Raimonda MOISIU

I trishtë lajmi i ndarjes nga jeta i Poetit e Publicistit të njohur korcar Ylber Merdani, ndjejmë trishtimin, boshllëkun dhe mungesën që na lë në zemër e shpirt, gjithmonë humbje e një personaliteti intelektual, kombëtar e historike për kombin, letrat shqipe dhe shoqërinë shqiptare. Unë kam pasur fatin e lumtur, se me poetin Ylber Merdani, më lidh miqësia e hershëme, prej fëmijërisë sonë, e në vazhdim, lindur dhe rritur në lagjen e; “Mirahorit të Madh”, në lagjen e Merdanëve, e Tuxharëve, e bejlerëve Mytevelinj, e Tabakëve etj, një nga lagjet autoktone të aristokracisë myslimane. Poeti dhe publicisti Ylber Merdani ka lindur në qytetin e Korçës, në një familje autoktone qytetare, nga aristokracia myslimane më e hershëme e këtij qyteti dhe në një nga ato “Familjet e Mëdha Shqiptare”, sikundër është edhe familja “Merdani”. Në historinë e Shqipërisë, familja “Merdani”, ka qenë me një influencë jo vetëm brenda qarkut të Korçës, e vendit, por edhe më tej, ne Ballkan. Edhe pse ka kaluar më shumë se një shekull – jemi gati në mbarim të cerek shekullit të njëzetenjëtë, por akoma edhe sot në memorien e kombit, në memorien e brezave të ardhshëm të Korçës tonë ndihen: forca, karizma, shpirti filantropik e intelektual, humanizmi, njeriu arsimdashës, atdhetar e influenca e familjes Merdani. Brezat e ardhshëm të Korçës sonë, përpiqen të adaptojnë nga aureola e kësaj familjeje fisnike dhe bashkëkohësit e fisit “Merdani” shprehen me dhimbje duke thënë se: kjo familje u përndoq dhe u persekutua pa asnjë shkak.

Regjimi komunist influencën dhe fisnikërinë e kësaj familjeje autoktone korçare e shihte si një kërcënim demokratik, për sistemin e tyre të urryer. Përveç burgosjes të burrave të fisit Merdani, që nga tregetarët e grosistët e kësaj familjeje, deri te këngëtari i talentuar, artisti i kombit, Sherif Merdani, poeti e publicisti Ylber Merdani, pjesëtarët e tjerë të kësaj familjeje të madhe ju nënshtruan kalvarit të tmerrshëm të persekutimeve, vuajtjeve dhe dhimbjeve, edhe në internim, për 24 vjet. Sa herë vija në Korcë, takimin e parë do e kisha me mikun tim, poetin e publicistin, Ylber Merdani, të vuajturin në burgjet famëkeqe të diktaturës komuniste dhe në internim, një prej zërave që nuk heshtën për krimet e diktaturës. Aty ulur aty nën hijen e një bliri, në oborrin e Bar Restorant;”Sofra Voskopojare”, nën shoqërinë e me poeteshës Zhaneta Tuxhari, kompozitorin e serenatave Nonda Kajno dhe editorin e Korcaneës., publicistin korcar Erget Cenolli, etj. Ashtu i pakët në trup, me thinjat mbi krye, fliste me humorin e hollë, ironik, sarkastik, dhe kur fliste për dashurinë cdo tipar i fytyrës së tij qeshte, kënaqej dhe nga shpirti i tij lirik dilte vargu klasik i poezive të tij që është edhe aristokracia e poezive.

Ndjej një emocion të vecantë teksa po shkruaj këtë requem për një burrë plot virtyte, mik, koleg, bashkëshort shëmbullor dhe një artdashës i cmuar, si Poeti dhe Publicisti Ylber Merdani. Ende ruaj në kujtesë, rrëfimin e tij në një intervsitë kam zhvilluar me të, të cilën që në fjalët para shprehte fatin fatal e të pamohueshëm të bashkëvuajtësve, një rrëfim tragjik, përpos gjithë atij kalvari dhimbjesh e vuatjesh, deri në humbje jete, sakrifca, që poeti dhe publicisti Ylber Merdani dhe bashkëkohasit e tij, përjetuan në burgjet e diktaturës. I thinjur, me syze, disi i mpakur në trup, por energjik, optimist i qeshur e plot humor, herë sarkastik dhe herë gazmor, altruist dhe me shpresë tek ardhmja, Ylberi të jepte përshtypjen e një personazhi që jetoi njëherazi mes së vërtetës historike dhe hipokrizisë së kohës, mes tragjikes dhe dhimbjes, mes atyre personazheve “ ish – heronj”, që nuk kanë të krahasuar, e i shkatërruan ëndërrat dhe u munduan të përdhosnin nderin e familjes Merdani! Por ja vjen një ditë e ndërrojnë kohët, rolet dhe personazhet. Ndërrojnë vërtet! “Ish- heronjtë” zveniten, ushton klithma e zërit të të parëve, klithmë për nderin e rilindjen e një shpirti të lirë. Nuk është më iluzion, se jeta tashmë ka ndryshuar, janë kilthma të një tragjedie historike, biles, as që mund të perceptohen – thoshte poeti Ylber Merdani, – nga brezat e ardhshëm. Ai botoi një studim publicstik mbi krimet e komunizmit ndaj inteligjencës përparimtare të kohës, ishte zëri i parë popullor, për të kuptuar jetën, ekzistencën, bashkëjetesën e të mirës me të keqen, të dhimbjes me vuajtjen, të së vërtetës me krimin, libri që na rrëfeu, se cilët kemi qënë e cilët jemi në të vërtetë. Në atë rrëfim shpesh, sytë e poetit përloteshin, porse “rrezatimi i atyre lotëve” – është margaritar në sytë e një burri”- shprehej Ylberi. Që do të thotë se edhe në fatkeqësi, në dhimbje e gëzim, nën trysninë e realitetit tjetërsohesh e ndërgjegjësohesh, për të hedhur në letër, emocionin, plagën që ti mendon se ka zënë kore, për të dhënë mesazhin ndryshe të përjetësimit e nderimit të veprës së tyre. Ylber Merdani, poezinë e donte si fëmijën e tij, e kishte “dashurinë e tij të përjetshme”;

“Sonte s’dua dimër dua maj, / Tani natën le të shkrepë dielli, / Kam dy buzët, kam dy sytë e saj, / Sonte kam këta dy yje qielli.

Sonte dertet, brengat i përzura, / Sonte jam i joti, -Dashuri. / Le të tallet dhe hëna me mua, / “Cilimi, i shkreti cilimi.”

Ndërsa lexoja poezitë e poetit Ylber Merdani, vura re se fjalori poetik i tij me një larmi të gjetura shprehjesh gjuhësore e metaforash, shkruar në vitet e dhimbjes e të mbijetesës, brenda një fshati të vogël, i internuar, i vetmuar, në Shtyllë të Vithkuqit, -apo- brenda mureve të burgut të Spacit. Poezitë e tij janë të mrekullueshme, meditative, mjeshtër i ironisë e sarkazmës, i humorit dhe batutave, i dhimbjes e trishtimit, mallit e dashurisë, me një stil elegant e elokuent në varësi të rrethanave fizike e shpirtërore që e ka shkruar poezinë. Duke përfshirë edhe poezinë;”Rikthim në Korcë pas 24 vitesh”, përshkrimi i shmbëlltyrës letrare, eleganca e vargjeve dhe fisnikëria e zërit të tij poetik mbesin të pazvëndësueshme. Pesha e historisë qëndron e mbushur me dhimbje, sakrifica, vuajtje, dëshpërim dhe i pashpresë në Korcë, aty ku ka rrënjët e tij.

“Pa kisha dhe prindër, pa kisha shtëpi, / nga shokët askush s’paska mbetur./ Kaloj kësaj rruge si i huaj tani,/ I thinjur, i kërrusur, kockë tretur./ Me mijra mendime, kujtime në kokë,/ Pengohem, rrëzohem përdhe. / “U vrave o bir?” -një zë më thotë, / është zëri yt mëmëdhe!

Apo te vargjet e para të po kësaj poezie kur thotë:“Dikur kësaj rruge, kaloja i qetë, / Dhe kollë nuk kisha aspak. / Po kisha ca shpresa, ca ëndrra në jetë, / Pa kisha dhe miken zambak.”

Vargje lirike që analizojnë deri në imtësi të vërtetën e një ekzistence të fragmentizuara me sqimë intelektuale, me forcën e dhimbjes e të dashurisë njerëzore. Në një poezi të tillë lirike Poeti Ylber Merdani na jep dhimbjen që ka kaluar nëpër rrotat e historisë. E në ditën e ikjes së Poetit e Publicistit të njohur korcar, Ylber Merdani kemi aq shumë për të treguar, kujtime që përzier me trishtimin tonë, janë; mirënjohja dhe vlerësimi. Mirënjohje, që jeta na ofroi të ishim pjesë e orbitës së mëncurisë dhe erudicionit të tij intelektual, qytetar e krijues, duke qenë nga njerëzit e panumurt që mësuam shumë më tepër prej personalitetit, dhe dritës së veprës dhe kontributit të cmuar që la pa.

Mirënjohje dhe nderim për mikun dhe kolegun tonë të cmuar, Ylber Merdani, hija e veprës së tij do të malit shquhet ndër breza si një vlerë kombëtare e historike.

U prehsh në paqe Ylberi ynë i mrekullueshëm, Poeti i Dhimbjes e Dashurisë!

Qofsh i paharruar! Ëngjëjt të këndofshin në çdo agim!

Raimonda MOISIU

Author/ Freelancer,

Florida/SHBA

Filed Under: ESSE

NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”

March 26, 2024 by s p

Prof. Begzad Baliu/

Ashtu sikur shihet edhe prej tekstit të Esad Mekulit, në versionin e parë të veprës autori e kishte pseudonimin Luan Dukagjini, ndërsa titulli i romanit “Vdekja më vjen prej syve tu” (Në dorëshkrimin që kemi ne, vepra ka nëntitullin “roman në trembëdhjetë tregime”.

Luan Dukagjini, ishte pseudonim i Rexhep Qosjes në dorëshkrimin e tregimeve të botuara në revistën “Jeta e re” për të cilin dinte vetëm kryeredaktori Esad Makuli.

Titulli i romanit: “Vdekja më vjen prej syve të tu”. Nëntitulli: – roman në trembëdhjetë tregime, përmirësuar me laps grafit (11) mes kllapave të mesme (me një pikëpyetje). Me gjasë fjala është për mënjanimin e tregimeve “Metamorfoza” dhe “Trilogjia”, të cilat Esad Mekuli i propozonte të mos përfshihen në vëllim ose tregimet “Mëkati” dhe “Laneti”, të cilat janë vendosur në përmbajtje por mungon teksti i tyre. Të gjitha shënimet me laps grafit, sipas dëshmisë gojore të Profesor Qosjes janë të Esad Mekulit, të cilit i është dorëzuar (besuar) dorëshkrimi për botim në revistën “Jeta e re”.

Brenda e dorëshkrimit vepra “Vdekja më vjen prej syve tu”, tregimet fillojnë, secili me numrin një dhe përfundojnë me faqen e fundit të tregimit: Legjenda (f. 1-11); Trashja, (f. 1-18); Trilogjia (f. 1-12); Trekëndëshi (f. 1-20). Tregimet Mëkata dhe Laneti, (në përmbajtje janë shënuar, por teksti në brendi të dorëshkrimit mungon); Deklarata (f. 1-26); Vetmia (f. 1-35); Kryevepra (f. 1-45), Metamorfoza (f. 1-33); Vetëvrasja (f. 1-26); Romana (f. 1-32); Horostati (f. 1- 28). Tregimi Laneti mungon në përmbajtje dhe në brendi. (Nga vepra në proces)

(Botohet për herë të parë)

Ky roman, “Vdekja më vjen prej syve tu” – siç e titullon autori, Luan Dukagjini i ndarë në ca “tregime” si kapituj të tij, është vepër me brum alegoriko-satirik marr, te shumtën, nga realiteti ynë bashkëkohor. Është një punim synimesh eksperimentative që sjellë dhe zbaton forma të reja në të shtruarit e lëndës të ngjashme me ato në prozën e Perendimit ku, përkundër të kësaj këtu, në rastet e shumta forma mbizotëron çdo kërkesë tjetër dhe bëhet qëllim i vetvetes. Është vepër më shumë meditativo-cerebrale se ndjenjore (megjithëse kapitujt “Trashja” dhe, sidomos, “Romana” dëshmojnë për mundësi jo të vogla të autorit për njomësimin letrarë të punimeve të veta) pra, na duket, në të parë, edhe më pak letrare në krahasim me shkrime të zakonshme me të cilat jemi mësuar të takohemi jo vetëm në prozën tanë. Romani, kështu, ka peshën e vet edhe si prozë vërtet e angazhuar bashkëkohore, edhe si kërkim i rrugëve të reja të trajtimit të materies jetësore të këtij ambienti – çka është apsolutisht pozitive.

Pasi autori punimin e vet na e ofron si një tërësi romaneske (roman në … tregime), të gërshetuar rreth një personazhi unik e jo si përmbledhje tregimesh, pra ngjarjesh dhe vehtesh të ndryshme pa lidhje organike më të afërt mes tyre, mendoj se duhen eliminuar ato kapituj (“tregime”) që nuk kanë të bëjnë me tërësinë e trajtuar e të këtilla janë: “Metamorfoza” dhe “Trilogjia”, të thurura pa lidhje direkte me protagonistin e veprës; është një gjë fare tjetër nëse auto rigjenë formë t’i adaptoi tërësisë.

Edhe kapitulli i fundit, “Herostriti”, është një pjesë, këtu, tepër e zgjatur që, si e tillë, nuk e mbyll librin aty ku duhet – me ngritjen e monumentit posmortal protagonistit, por trajton edhe çashtjet që, këtu, nuk kanë të bajnë me koncipimin e librit. Pra, duhet ndërruar edhe titulli i kapitullit në “Endërra” pse, Xhezairi, i ndjekur dhe i përndjekur në atë rreth, vetëm kështu, në ëndërr do të mund ta siguronte nderimin e merituar edhe nga burokracia artistiko-shkencore.

E mira e së mirës do të ishte sikur i tërë romani do të tregoheshte në vehten e parë, por… Megjithatë, kapitullin “Kryevepra” mund të ndërrohet në kësi lloj të treguarit, -çka do t’i ndihmonte veprës dhe zbulonte mundësinë edhe një të paraqituri të lëndës për të cilën autori veç ka dijtë, por për arsyna laramanie nuk e ka përdorë me dashje. “Kryevepra”, përndryshe, dhe jo vetëm ajo, kërkon një kondenzim shumë më rigoroz – pse autori, shpesh, zgjatet pa nevoj në gjëra epizodike, detajizime dhe “filozofime” të tepruara, çka e bënë prozën e tij më pak letrare e më shumë eseistike.

Elementi i posaçëm, “modern”, është – përdorimi jo i zakonshëm i fjalëve dhe fjalive skarade, banale, “rrugaçe”; do aludimeve që i afrohen pornografisë. Ardhë, prap, nëpërmes të prozës “avangardiste” to Perëndimit dhe shundit, gjërave psikopatologjike (me qellim të caktuar mohimi të peshës së fjalës së shkruar dhe ndikimit te saj më të gjërë ideo-politik dhe edukativ), kjo “modë” e pakuptimët në kushtet tona, vetëm sa i bënë dam veprës e nuk ka të bëj me asnjë letërsi të mirëfilltë. Jam apsolutisht kundër banalizimit e për ruajtjen e dinjitetit të fjalës së shkruar. Së këndejmi mendoj se patjetër, duhet spastruar edhe ky tekst serioz letrar nga gjëra që vetëm e zhvlerësojnë – çka duhet bë edhe në të gjitha botohen ndër ne! – pse kështu kërkon shoqëria janë e shëndoshë dhe synimet pozitive për nderimin e Njeriut dhe vlerave të tij.

Poashtu duhen ndreq edhe gjitha ato lëshime daktilografike e tjera – të përmirësuara me laps.

I marrun edhe njëherë nëpër duarë, pa ngutje e me përkushtim edhe më të madh (pse – kush ngutet për…!), romani bëhet ajo që me dëshirë pritet – kontribut i vërtet dhe vlerë e pamohueshme e letërsi sonë të re. Prishtinë, 4. XII. 1973

Filed Under: ESSE

Mbi kontributin patriotik, diplomatik dhe atdhetar të Elmi Berishës

March 25, 2024 by s p

Shqiponjë Osmanaj/

I nderuar dhe shumë i respektuari z. Elmi Berisha, duke e ditur kontributin tuaj që nga vitet 80-të jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha trojet shqiptare, marr të drejtën ta tejkaloj modestinë tuaj dhe me etikë profesionale e potencoj që si gazetare/redaktore ku kam raportuar për çështjen e Kosovës, diplomacinë dhe luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që me krenari ta potencoj faktin se ju ishit krahu i djathë i presidentit historik, Ibrahim Rugova, ju ndihmuat në lobimin e çështjes së Kosovës në përmasa ndërkombetare, në Departamentin e Shtetit, shumë njerëz mund të mos e dijnë se ju ishit edhe në vijën e luftës dhe nuk kursyet as centet e fituar me sakrificë.

Faktet flasin se si ju ishit përkrah me komandantët e luftës sonë për liri, ju jeni me ta edhe sot përmes mbështetjes ndaj tyre ku krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë.

Edhe pse shumë njerëz të njohin si diplomat e rugovist, e vërteta është se ju jeni pjesë e lavdishme e luftës së armatosur, shokët e luftës e të paqes flasin edhe për praninë tuaj kur u bë betimi i kolonel Ahmet Krasniqit, Agim Ramadanit, Tahir Zemaj, Agim Çekut, Rrustem Berishës dhe të tjerëve ku për herë të parë thyen kufirin për ta mbrojtur Kosovën.

Ju bashkë me shokët ndihmuat financimin e UÇK-së, shërimin e invalidëve të luftës, ndihmuat shkollimin e studentëve dhe krijuat ura miqësie me Vatikanin duke ja mundësuar edhe kryeministrit Kurti takimin me Papën, gjë që për Kosovën do të thotë shumë në sferën e diplomacisë, kulturës e historisë!

Ju ndihmuat të gjithë liderët në Kosovë pa anime politike, ju treguat se uniteti tejkalon barrierat e politikës ditore.

Një shqiptar shembull se si Vatra ecën rrugës së themeluesve të saj drejt bashkimit të intelektualëve, nderimit dhe mbështetjes së tyre!

Me ndjesë dhe mirëkuptim që disa nga pikat e kontributit tuaj për Kosovën dhe shqiptarët e kudondodhur i ritheksova këtu duke tejkaluar modestinë tuaj, por puna e gazetarëve është të tregojnë faktet, se personalitete si ju çfarë kanë bërë që ne që sot te kemi liri, shtet dhe paqe në koordinim me aleatët tanë ndërkombëtarë!

Filed Under: ESSE

Kosovës si shtet i duhet deputetja shqiptare në parlamentin kroat

March 24, 2024 by s p

Shkruajnë: Komuniteti shqiptarë në Kroaci/

Përpjekjet e shumta të disa “shqiptareve” e qe jane prezence e rastesishme ne shoqerine kroate, edhe kesaj here po tentojne per ta shperndare voten e votuesit shqiptar ne Kroaci. Keshtu ndodhi edhe ne tre pale zgjedhje me pare, radhazi, ku çdo here deputetja shqiptare znj. Ermina Lekaj Perlaskaj doli ngadhnjimtare.

Ajo i prezantoi dhe i prezanton te gjithe shqiptaret dinjitetshim dhe me devotshmeri te pashoq ne Parlamentin kroat, sepse edukata e saj e paster shqiptare, synon qe te perceptohet shqiptari ne Kroaci ashtu sikurse e meriton!

Ajo shqiptarin nuk e sheh te si subjekt te asimiluar por si subjekt te integruar ne shoqerine kroate. Ajo, nuk deshiron nderrim identitar, qofte fetare apo nacional, por ajo synon shqiptarin ne Kroaci ta shoh si nje teresi nacionale.

Ajo i perfaqesoi te gjithe pa dallim, edhe ata qe nuk votuan per te, e te cilet e kishin vetem nje qellim; te bejne perçarje te trupit votues vetem per ta cua kandidatin joshqiptar (boshnjak) per ti perfaqesua shqiptaret.

Ajo nuk eshte kunder pakicave qe i prezanton (boshnjaket, maqedonasit, malazezet dhe sllovenet) sepse me punen e vet e deshmoi kete deri tani, por, ajo eshte shqiptare dhe si e tille don te mbetet!

Deputetja shqiptare znj. Ermina Lekaj Perlaskaj, edhe kesaj here i pirosit votuesit, se nuk ka kunderkandidat shqiptar, ajo i ka jo nje, por disa kunderkandidat boshnjak qe synojne dhe kan te vetmin qellim nepermes dhe me ndihmen e disa votuesve te mjere “shqiptar” ta çojne boshnjakun ne parlament.

I porosisim se kjo perpjekje e tyre nuk do tu kene sukses, sepse, shqiptaria dhe trupi votues shqiptar ne Kroaci e din se çka don, ai voton vetem shqip pa dallim feje dhe regjioni. Ai voton per deputeten tone me te cilen mburret shqiptaria, mburret Shqiperia, Kosova, shqiptaret e Maqedonise Veriore, dhe trojet etnike.

Deputetja znj. Ermina Lekaj Perlaskaj ndihmoi nepermes Kroacise dhe diplomacise se saj ku eshte pjese aktive ne parlamentin kroat:

– Kosoves, ne aplikim dhe tani antaresim ne Keshillin e Evropes,

– Shqiperise, ne proceset politike integruese evropiane si dhe

– Maqedonise se Veriut ne perpjekjet e saj per implementim te rrugetimit te shqiptareve ne barazine ne shtetin e Maqedonise Veriore.

Ne aspektin arsimor, ekonomik dhe shendetesor, qofte Shqiperise, qofte Kosoves qofte shqiptareve ne Maqedonine Veriore kjo deputete la gjurme te pashlyera, per te cilin gje, qeverite shqiptare, ato, e Shqiperise dhe Kosoves si dhe z Ali Ahmeti si perfaqesues legjitim i shqiptareve e mbeshtesin fuqishem znj Ermina Lekaj Perlaskaj ne keto zgjedhje.

Na prifte e mbara!

Filed Under: ESSE

Kthimi

March 23, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Rrëfimi i Homerit në Iliadë përfundon me varrimin e Hektorit. Historia e Kalit të Trojës tregohet e plotë në Eneidën e Virgilit dhe hollësi të tjera vijnë nga shfaqja e e Euripidit, Gratë Trojane, e cila gjithashtu flet për rrënimin e Trojës dhe fatin e të mbijetuarve. Euripidi shkroi disa tragjedi rreth Luftës së Trojës, duke përfshirë Helenën dhe Andromakën, si dhe dramat Agamemnon dhe Ifigenia. 

Është për t’u habitur që përrallat e Luftës së Trojës tregohen kryesisht nga shkrimtarë grekë dhe në favor të fitores (përveç Virgjilit, i cili shkroi në latinisht për një fitore të shëmtuar, dhe flet me simpati për të mundurit. Hektori, kampioni i Trojës, është njeriu më i admirueshëm në këto legjenda. Kuptimi i plotë i profecisë së Kasandrës rreth Agamemnonit, tregon për kthimin e Agamemnonit në shtëpi. Ndërkohë që kthimi tjetër i famshëm i vështirë, i rrezikshëm dhe i vonuar, është ai i Odiseut.

Grekët patën fitoren e tyre, por mënyra se si e fituan i kishte zemëruar perënditë. Edhe Athena, kampionia e grekëve u zemërua,  sepse Kasandra ishte tërhequr zvarrë nga altari i saj. Athena shkoi te Zeusi dhe u ankua për këtë. Zeusi i dha asaj rrufenë e tij dhe Poseidoni e mbajti detin të qetë derisa flota u largua shumë nga bregu, pastaj e goditi me një stuhi të tmerrshme. Zhurma e bubullimës dhe gjëmimi i detit ishin shurdhuese, dhe vetëtimat ishin verbuese. Kapiteni që kishte marrë Kasandrën nga tempulli u mbyt në atë stuhi dhe Agamemnoni, i cili e kishte kërkuar Kasandrën për konkubinë, për pak u mbyt. Kur anijet e tij më në fund u lanë të kaloni nën retë e stuhisë, Agamemnon e ndjeu veten të falur nga perënditë. Por, jo. Megjithëse, rruga e Agamemnonit për në shtëpi ishte më e shkurtra; ceremonia e pritjes së tij ishte e vështirë. 

Njerëzit e lavdëronin Agamemnon për trimëri, fitore dhe uronin një kthim të shpejtë. Ndonjëherë e kishin fajësuar për marrjen e bijve të tyre në një luftë të kotë për një grua të pabesë. Here tjetër, më në heshtje, mërmërisnin për Ifigjeninë, bijën e tij të pafajshme, që e kishte flijuar për të marrë një erë të favorshme për udhëtimin e tij; kishin parë edhe pallatin ku mbretëresha Klitemnestra, nëna e Ifigjenisë, ulur në errësirë, qante e sikur gërmonte… 

Agamemnoni u prit me fjalim të pasionuar dhe lule; copa të purpurta ishin shtrirë, që këmbët të mos i preknin pluhurin. Ai argumentoi se një nder i tillë u shkonte perëndive jo njerëzve, por Klitemnestra tha se i ishte lutur perëndive për këtë. I bindur, Agamemnoni hyri në pallat, ku mbretëresha e nxiti të shkonte të lahej dhe të vishte rroba të bukura përpara se të ulej në festën e fitores. Njerëzit e tij shikonin dhe murmuritnin ndërsa portat e mëdha mbylleshin pas tij. Një shërbëtor solli Kasandrën në shtëpi – me nervozizëm, sepse dihej se ajo ishte e çmendur ose profete ose diçka tjetër e pakëndshme, dhe gjithashtu se ishte jashtëzakonisht e lirë me gjuhën e saj. Njerëzit ishin ende të befasuar, nëse jo të shokuar, kur Kasandra e shikoi pallatin me tmerr; i kujtoi që të vëzhgonin vrasjet dhe tradhtitë që kishin pllakosur familjen e Agamemnonit për breza, dhe shtoi se episodi tjetër në atë histori të tmerrshme ishte gati për t’u shfaqur. – ajo vetë do të ishte një nga viktimat. Disa nga dëgjuesit mërmëritën se nëse nuk donte të bëhej viktimë, duhet të fliste më me kujdes. Kasandra tha se heshtja nuk do ta shpëtonte, por vetëm do të kujtohej dhe hakmerrej. Pastaj shkoi duke u dridhur në pallat. 

Menjëherë pasi portat e mëdha u hapën përsëri, Klitemnestra i thirri njerëzit e saj për të parë se si e kishte pritur zotin e saj në shtëpi. Agamnenoni shtrihej te këmbët e saj, i mbështjellë me një rrobë argjendi – dhe gjithashtu – të rëndë e të mbyllur – me trupin e mbuluar me gjak, krejt i vdekur; gruaja e tij Klitemnestra e kishte goditur me thikë, ndërsa Kasandra më pak e stolisur – por po aq e vdekur –  shtrihej pranë tij. Njerëzit u zmbrapsën të tmerruar, por Klitemnestra u tha se kishte vrarë vrasësin e fëmijës së saj; veç kësaj, linja e Agamemnonit ishte njollosur me më shumë vrasje; shtëpia e Atreusit ishte mallkuar, me rrënjë e degë, nga perënditë; Klitemnestra, ishte vetëm instrumenti i hakmarrjes. 

Menelaus dhe Helen i mbijetuan stuhisë, por anija e tyre u largua nga rruga, dhe shkoi në brigjet e Egjiptit. 

Sa i përket Odiseut, mbretit të Itakës, i cili kishte dhënë idenë për Kalin e Trojës dhe kërkoi vrasjen e djalit të Hektorit për të parandaluar hakmarrjen e mëvonshme, pati rrugën më të gjatë të kthimit (10 vjet); anijet e tij qëndruan në det mes erërave çorientuese – ndaluan ishujve – derisa mbërritën në Itakë. 

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 79
  • 80
  • 81
  • 82
  • 83
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT