• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MARRËDHËNIET E REJA GLOBALE GJEOPOLITIKE

March 22, 2024 by s p

NIKË GASHAJ/

Sot, marrëdhëniet e reja globale gjeopolotike janë shumë të ndërlikuara. Kemi të bëjmë me të ashtuquejtur “botën e re”. Shkasi për këtë është agresioni ushtarak rus në Ukrainë. Me kryerjen e agresionit, me përmbajtje saktësisht siç përcaktohet nga Rezoluta 3314 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nga viti 1974, Presidenti i Rusisë Vladimir Putin shkeli të drejtat ndërkombëtare, Kartën e OKB-së dhe parimet themelore të sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në Helsinki, më 1975. Në “botën e re”, e drejta ndërkombëtare e deritashme në shumë raste nuk zbatohet, por atë e zëvendësojnë rregullat e diktateve politike e përdorimi i forcës ushtare.
Ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare tregojnë se pushtimi rus i Ukrainës ishte i përgatitur për një kohë të gjatë dhe gjerësisht. Agresioni rus( Operacioni special ushtarak) synon mohimin ose heqjen e sovranitetit të Ukrainës. Është një shtrirje e strategjisë së mëparshme sovjetike të sovranitetit të kufizuar, e cila ishte justifikimi për ndërhyrje(intervenim) në Hungari, Çekosllovaki apo Afganistan.
Procesi i krijimit të rendit të ri filloi me fjalimin e presidentit rus, Putinit në Konferenën e 43-të ndërkombëtare të sigurisë në Minhen, në shkurt 2007, ku ai kritikoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, duke thënë se si Rusia e percepton zgjerimin e NATO-s si kërcënim. Dy vite më vonë, me rastin e drejtimit të kombit, Putini tha se rënia e ish-Bashkimit Sovjetik ishte “katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit”.
Opercionalizmi i qëndrimeve ruse doli në pah me ndërhyrjen ushtarake në Gjeorgji në vitin 2008. Procesi vazhdon me krizën ukrainase, siriane dhe përsëri i ukrainës, homogjenizimin dhe forcimin e brendshëm të Rusisë, por edhe me përdorimin e një sërë “veprimesh sekrete”, për të eliminuar disidentët rusë dhe kritikët e regjimit si në Rusi ashtu edhe në territorin e Perëndimit. Ajo ka qenë një provë e aftësive ruse, por dhe një provë e reagimeve perëndimore.
Sukseset ruse, reagimet e buta perëndimore dhe depërshkallëzimi ushtarak i sigurisë u kuptua nga Rusia si dobësi e SHBA-së dhe NATO-s, gjë që i inkurajoi më tej veprimet ekspansioniste dhe agresive ruse. Marrëdhëniet amerikano-ruse kanë kaluar nga bashkëpunimi dhe partneriteti i kufizuar në konfrontim, përsëri në “luftën e ftohtë”. Kriza e ukrainës qëndron, në mes të aspiratave të ukrainës drejt integrimit euroatlantik dhe përpjekjeve ruse për të mohuar shtetin dhe kombin ukrainas. Pasi pjesë të territorit ukrainas u shkëputën në vitin 2014. dhe pavarësisht të kundërshtimit të bashkësisë ndërkombëtare, u aneksuan në Federatën Ruse(Krim) ose u përjashtuan nga mbikëqyrja e pushtetit qendror në Kiev( rajonet Donetsk dhe Lugansk), Ukraina, më 24 dhjetor 2014, hoqi dorë nga statusi neutral i vendit, i cili e lejon atë të kërkoj anëtarësimin në NATO. Mirëpo, kjo nxiti zemërimin e Moskës.
Dy ditë më vonë, Presidenti Vladimir Putin, miratoi një doktrinë të re ushtarake në të cilën NATO u caktuar si kërcënim themelor për sigurinë e vendit. Në shkurt 2015,amerikanët iu përgjigjën rusëve. Rusia për shkak të rolit të saj në krizën ukrainase, është etiketuar si shkelëse e sigurisë ndërkombëtare dhe si rrjedhim një kërcënim për lidershipin amerikan. Më tutje, kah fundi i vitit 2015, Rusia u përgjegj dhe vuri në dukje përkeqësimin e marrëdhënieve ruse me Amerikën, duke e akuzuar atë se po përpiqet të minojë Rusinë me presione politike, ekonomike, ushtarake dhe informative, ndërsa zgjerimin e NATO-s e vlerëson si kërcënim të sigurisë kombëtare.
Është e pranishme narrativa ruse për shkak të zgjerimit të NATO-s dhe të mosrespektimit të interesave ruse të sigurisë, si dhe të mospranimit të vazhdueshëm të Rusisë si një fuqi botërore e rikthyer me interesa të saja në hapësirën globale nga Perëndimi. Mirëpo, mund të konstatohet se nga të gjitha atributet e fuqisë, politike, ekonomike, ideologjike, ushtarake, Rusia zotëron vetëm të fundit- ushtarake.
Rezultat dyvjeçar i luftës dëshmon se agresioni rus i bazuar në “blitzkrieg” nuk dha rezultate të parapara. Andaj, strategjia luftarake e Putinit për kryerjen e aksioneve të shpejta sulmuese, donë me thënë të një luftë të rrufeshme me qellim të thyerjes së rezistencës së armikut për një kohë të shkurtë u treguar e pasuksesshme. Andaj, zhvillimi i saj në të ardhmen nuk është premtues. Dhe tani nuk dihet rrugëdalja nga kjo luftë. Meqenëse, Vladimir Putini vështirë do të pajtohet me dalë nga kjo luftë si humbës, sepse është i vetëdijshëm se çështja e së ardhmes së tij si lider i popullit të tij dhe Rusisë do të ishte e pasigurt. Andaj, një situatë e tillë është teje e rrezikshme, që do të thotë se ai do të bëjë gjithçka për të qenë fituesi. Përdorimi i arsenalit më të fuqishëm ushtarak rus është varianti më i sigurt. Mu për këtë arsye nuk mund të parashihet mundësia e miratimit të një marrëveshje të paqes ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës në një të ardhme të afërt. Më në fund, ndoshta orekset luftarake të Putinit janë më të mëdha dhe më të gjera se në Ukrainë.
Presidenti amerikan Joe Biden vuri në dukje në dhjetorin 2023. rrezikun që Rusia mund të sulmojë ndonjë nga anëtaret e NATO-s, gjë që mund të shkaktojë, eventualisht Luftën e Tretë Botërore. Pastaj, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Suedeze Micael Biden u bëri thirrje bashkëqytetarëve që në mënyrë”psiqike” të përgatiten për luftë.
Në kontekstin global, tendenca e Rusisë është të kthehet në skenën botërore si një subjekt i fuqishëm me respektimin e interesave të saja nga perëndimi dominues. Agresioni kundër Ukrainës është në të njëjtën kohë një qëllim strategjik me të cilin Vladimir Putin, pas vitesh të mosrespektimit, i tregoi botës se ai duhet të respektohet, ai tregoi se çfarë është i gatshëm të bëjë “në emër të respektimit” dhe deri ku ai është i gatshëm të shkojë….. Këto janë arsyet e pushtimit rus.
Siç njoftojnë mediat në rajon, presidenti amerikan Binden tha së fundmi se po krijohet një rend i ri ndërkombëtar dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të luajnë një rol prijës në të. Mirëpo, sikur duket Fuqitë tjera globale Kina dhe Rusia nuk pajtohen me këtë, por as ato rajonale(India, Turqia, Irani e ashtuquajtura bota arabe) kanë interesat e tyre specifike.
Bashkimi Evropian, edhe pse nuk është gjithëmon për tëra çështje unik, por në radhë të parë përpiqet të forcojë aleancën euroatlantike. Në veçanti, agresioni rus ndaj Ukrainës pati një ndikim të madh në forcimin e unitetit të BE-së. Vihet re se kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, po i sjellë më së shumti probleme unitetit të BE-së. Po ashtu në disa vende evropiane është i pranishëm dhe forcimi i së djathtës politike.
Ndikimi i Rusisë, Turqisë dhe Kinës janë shumë të pranishme në vendet e Ballkanit Perendimor. Agresioni kundër Ukrainës dhe eksporti i pritshëm i ndikimit rus në Evropën Juglindore e kthen shpejt BE-në dhe SHBA-në në rrugën e parandalimit të destabilitetit dhe ruajtjes së stabilitetit.
Më në fund, për dallim nga bota bipolare e luftës së ftoftë të së kalueres, bota moderne është njëkosisht unipolare, interpolare, multipolare dhe e ndërvarur, është një botë që në pikëpamje politike, ekonomike dhe të sigurisë, gjithnjë më e komplekse, më shumë e lidhur dhe gjithnjë më e diskuteshme. Këto do të ishin konturet e rendit të ri.
Autori është antar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Diokles.

Photo by: policyoptions.irpp.org

Filed Under: ESSE

Grua, ti je vetë poezia

March 21, 2024 by s p

Albert Vataj/

Kur lindi fjala, poezia kishte populluar botën, ti hyjnoje në këtë bekim, frymoje në gjithçka e pulsoje te çdo trill. Nga Kopështi i Edenit deri në lirikat flakatare të Petrarkës, mistikën e buzëqeshjes së Xhokondës, gjithësinë e çdo shkrepëtime të Rrugës së Qumështit. grua, brinja e shkulur e zanafillës, plaga e çdo psherëtime, ligjërimi adhurues i gjithë perëndive, poezia e parë që stolisi buza e çdo këndimi, krijimi që në fill.

Ti grua që hyn e del nga qenia dhe qiejt n’Apogje zotëron, deteve kridhesh te çdo Nimfë, dehjeve jepesh te çdo puthje, poezi je, ata që mëkuan shpirtin e mëtuan magjepsjen.

Ti që del nga sythi në mugëtim, e shpërthen hirshëm në shkasin e çdo teatraliteti të natyrës.

Grua, ti poezi e çdo vargëzimi që u ngjiz në ty me qenien dhe u lartësua qiejve me përulsinë dhe devocionin e nënës misionare. Ji çfarë stolisja e krejt shpengimeve nxjerr nga shpirtja e artit e të derdh në idilikën e pasioneve që gjunjëzon drita, ji gjithëçfarë është këndim dhe vaj, ij vetja e gjithësive në një çast.

Grua, ti lule e lirizëm poetikash dehëse, simfoni e tingull i çdo adhurimi, ti që shpërthen nga eteri si bima nga fara dhe hap krahët, gjoksin kreshpëron me gjinjt plot limf e hëna, flakesh e kuqëlon shegë dhe gjak, turpërohesh e dalldis, mëkon dritë e dielli, përkundesh rrezeve ku ti shuan etjen biblike të mëkatit e çlirumit nga zgjedha, për të qenë Evë e mbetur ëndje e çdo ëndërrimi, e purifikuara e çdo Parajse.

Grua, shëmbëllimi i çdo stine, verë paganizmi e çdo kremte në ty, verë që ngas e deh.

Grua, ti llojshmëria gazmimi, vetë vullneti i hyjshëm i atij komunikimi të magjishëm të natyrës me të gjallët e tokësores sonë, kopuluar në një qiellore eterne përmes përjetimit dhe forcës krijuese, hirit që në ty është thelbi, vetë qëllimi.

Grua, porta prejnga hyn perandoria e shpërblimit përmes mrekullisë, ti vullneti i bekuar që Krijuesi zbret me prehrin përplot shpërblesë dhe sfidë.

Grua, ditë vere, kumt pranverimi, kremte shenjtërimi e poezisë, je në çdo ditë të stinëve të trupit tënd, kopështi ku çelin të gjitha lulet e kundërmojnë krejt aromat, zemra ku thuhen më përgjërueset lutje dhe shpirti yt cak celebrimesh ëndërrtare.

Grua, zgjedh ti se çfarë lule don të jesh dhe me kë rreze dëshiron të përqafohesh, për të rrënjëzuar frymë dhe afsh në kurmin që i blaton mrekullimit që në ty pi gji.

Grua, unë të dua dhe kjo më dhemb, ndaj shkruaj për ty.

Asnjë tjetër shpërblim lumturimi nuk ma mbushi shpirtin veç asaj që je, që më bën të jetoj hirshëm dhe të vuaj bukur, asaj që s’mund dhe s’duhet të jesh ndryshe, veçse grua që drithëron në çdo varg, e hyjnon në çdo poezi që shkruaj për ty.

Filed Under: ESSE

Autoriteti i lokaleve

March 18, 2024 by s p

Andon Dede, Nju York/

Ky shkrim për bukën, më kujton Tiranën e dikurshme që kishte disa lokale apo dhe kuzhinierë të njohur që siguronin një klientelë të jashtzakonshme, ndonëse në kushte jo fort komode. Po kujtoj vetëm disa raste. I pari më kujtohet lokali “Tymi”, siç i thoshim ne, se në fakt e kishte emrin “Kosova”, nga fshati me të njëjtin emër i Përmetit, prej nga ishte pronari i lokalit, që shquhej për qoftet e famëshme. Ai quhej Andon Kote, ( jo ai që shkruante e botonte tek “Luftëtari”, por një tjetër ). Lokali linte shumë për të dëshëruar, po të niseshe nga komoditeti dhe paraqitja e jashtëme apo dhe e brendshme, në përgjithësi. Po të mos e dije se si qe, nuk të bëhej të hyje atje. Por i kishte dalë një nam apo opinion i tillë, saqë me vështirësi mund nuk gjeje vende. Sa hyje, të bënte përshtypje tymi që sundonte tërë hapësirën e që i kishte dhënë dhe emrin. Nëpër sallë qenë disa tavolina të zakonshme, nga ato që duhet të qëndroje më këmbë. Por, ato mbusheshin shumë shpejt. Dhe, si zgjidhje, kishin gjetur fuçitë e birrës, atje tek fundi i sallës, teke apo njera mbi tjetrën. Nga një anë nuk kishte gjë më të shëmtuar por, pikërisht aty qëndronte dhe bukuria e orgjinaliteti i tyre. Shërbehej birrë por nuk mungonin dhe pije të tjera. Si meze kryesisht qofte zgare. Unë kam qënë disa herë atje, me shokë e miq dhe jemi kënaqur shumë më tepër se në çdo lokal tjetër luksoz.

            Lokal tjetër, që të tërhiqte vemendjen, qe një mëngjezore apo si punë restoranti ku gatuante Osmani, një tiranas simpatik, flokëkaçurel. Ai gjithashtu qe i famshëm për qoftet që i servirte me pilaf, por dhe për gatime të tjera. Në fillim ai kishte një lokal privat por, kur u shtetëzuar të gjitha, Osmani punoi tek një lokal tek Rruga e Postës, pranë Pazarit të Ri. Megjithëse kushtet e punës e të furnizimit tashmë kishin ndryshuar për keq, por dora e Osmanit ndjehej kudo dhe kontrastonte me gjithë mëngjezoret e tjera. Klientela e tij qe e jashtëzakonshme. Radha fillonte tek lokali i tij dhe përfundonte afër bustit të Avni Rustemit. Kryesisht për pilaf me qofte.

            Lokal tjetër që më kujtohet nga ajo kohë, ka qënë ai i Cile Mukës, në Gjirokastër. Edhe ai për qoftet e famshme që gatuante, që shoqëronin zakonisht rakinë. Cilja, që në mos gabohem qe nga Zagoria, ia kishte marrë aq shumë dorën përagatitjes së qofteve sa që tërhiqte shumë klientë si Osmani e Andoni tek “Tymi”. Kjo e frymëzoi një ditë dhe Dritëro Agollin që botoi një shkrim që pati shumë jehonë:”Cile Muken e kam pranë dhe Kulturën përkarshi”. Aty ai kritikonte veprimatrinë anemike të Shtëpisë apo Pallatit të Kulturës që nuk e përligjte veten sa që njerëzit, siç konstatonte Dritëroi, preferonin më shumë të uleshin tek lokali i Ciles se sa të ndiqnin ndonjë shfaqje apo veprimari tjetër të institucionit kulturor. Vëllai mi, Thanasi, që ka banuar në Gjirokatsër, dhe që i ka shijuar me vite të  tëra rakinë e qoftet e Ciles, më tregonte se sekreti i tij ishte se përdorte erëzat të ndryshme nga mali, sidomos për përballuar mugesën e mishit.

            Më kujtohet se kanë qënë dhe në Elbasan disa lokale të vogla, njëkatëshe, ku shërbehej raki me meze alla-shqiptarëshe, sidomos fërgesë, djathë e salcë kosi; me bukë misri të thekur që të kënaqin shpirtin. Nuk më kujtohet as emri i lokalit e as i mjeshtërave të gatimit, por mua më kanë mbetur në mendje si lokale që të nuk harrohen kollaj.

            Së fundi, dua të ndalem edhe tek një lokal që brezi im nuk e harron kollaj. Është fjala për Kafenën e Maries, në Milot. Ajo qe përherë plot me kalimtarët e rastit që bënin një pushim të shkurtër aty. I kishte dalë aq shumë nami, sa që kur kishim shërbime në Veri, e quanim një kënaqasi të rrallë që do gjerbnim e shijonim kafen e Maries. Më kishte tërhequr vëmëndjen që kur nisa punën së pari në Mirditë, si teknik gjeolog e më pas si gazetar. Nuk mbaj mend që të kemi kaluar aty dhe të mos jemi ndalur tek Kafeneja e Maries. Dhe ajo kishte qënë private në fillim e pas u shtetëzua. Nami që kishte fituar e ruajti klientelen gjatë gjithë kohës. Isha kurioz të depërtoja sadopak e ku qëndronte sekreti i saj. Ndaj, sa herë shkoja atje, ndiqja me vëmëndje procedurën e përgatitjes së kafes nga ajo. Kishte përgatitur një bazament që e mbushte me rërë dhe poshtë, prush i ndezur, me dru apo ymyr. Në xhevze fare të zakonshme teneqeje, hidhte kafen dhe sheqerin, sipas porosisë së klientëve, ujin dhe i fundoste në rërën e nxehtë. Kjo e shpejtonte procedurën: në pak minuta kafet ishin gati. Gjithë sa shihja nuk kishin ndonjë gjë të vecantë. Edhe vetë në shtëpi, kafen turke e përgatisja, pak a shumë, kështu si Marija. Po ku qëndronte atëhere sekreti i saj? Për më tepër që në përgatitjen e kafes ka vetëm tre elementë:kafe, ujë dhe sheqer? Por, edhe në këtë thjeshtësi, ka plot faktorë që ndikojnë. Po radhis vetëm disa: vetë lloji i kafes, mënyra e pjekjes, janë tepër të rëndësishme. Ka një teknikë jo fort  të thjeshtë: kur vjen momenti i pjekjes, fare lehtë mund të të digjet, nëse nuk e largon në kohë; dhe kjo nuk është aq e thjesht po të mos ia kesh marrë dorën. Ka mendime që gjatë pjekjes mund ti shtosh brenda në qebap, ndonjë “ingredient”tjetër. Dikush më pat sugjeruar dyllë blete etj. Ka të bëjë dhe mënyra e përgatitjes: ka që e hedhin që në fillim kafen, sheqerin dhe ujët dhe e lënë të ziejë, sa të marrë valë, siç ma ka mësuar mamaja. Dhe nga përvoja ime më se gjysmëshekullore, nuk i dalë keq, si për vete dhe për miqtë që kanë pasur rast të shijojnë kafen time. Ka të tjerë që, më parë, ziejnë ujin e pastaj shtojnë në të kafen e sheqerin. Të tjerë, sugjerojnë që pasi të ketë marrë valë, ta presësh më një pikë uji të ftohtë etj.etj.

            Nuk është qëllimi im të jap leksione për kafen por u ndala tek ky shëmbull për të ilustruat temën që nisa: duken gjëra kaq të thjeshta, por ja që nuk janë përherë të tilla. Kanë dhe këto sekretet e veta.

            Po kaloj tani në një shëmbull tjetër. Lexoja para disa kohësh, në një revistë amerikane, një shkrim për lokalin e famshëm të Antoni Athanasit, “Pjer 4”, në Boston, të një gazetari amerikan. Ai e fillonte shkrimin me një pyetje provokuese: “Kur shkojmë për të ngrënë drekë apo darkë diku, ku duhet të ndalojmë: tek lokalet që kanë shumë njerëz që dhe presin apo, për të përfituar kohë, tek ata që nuk ka nevojë të presësh në radhë? Dhe përgjigja e tij, qe e prerë: tek ata që ka shumë njerëz(!). Sakrifica e pritjes shpërblehet me kënaqësinë që do të shijosh më pas(!). Këtë konkluzion ma merr mendja që e ka nxjerrë edhe secili prej nesh, pavarësisht se jo gjithmonë kemi kohën e nevojshme për të pritur etj.

            Mu  kujtua gjithë kjo tek vajtëm në Astoria, të Kuinsit, në Nju York, kohë më parë. Shohim në një vend radhë të gjatë. Interesohemi se përse po prisnin dhe marrim vesh se fjala për lokali “Kiklides”, që për nga emri, presupozohej të qe grek, si shumë të tjerë në atë zonë. Propozova që të zbatonim këshillën e atij gazetarit që na serviri biznesmeni i famshëm shqiptar. Pa e zgjatur, shkuam në lokal tek menaxherja. Na duhej të prisnim rreth një orë. Pranuam, pak si qejfprishur se na u duk kohë e gjatë. Vetë lokali nuk të imponohej për nga pamja. Një gja fare e zakonshme, mbase edhe nën mesataren: një ndërtesë e vogë, me një oborr të mbuluar nga disa pjergulla, në mos gaboj. Po të niseshe nga aparenca e jashtëme, as që e vlente të sakrifikoje. Por, le ta vënë më provë formulën e sugjeruar. Dhe pritëm. Ndërkohë marrim vesh se lokali ka për pronar një shqiptar, Ardian Skenderi, apo Adin, sic e thwrrasin. Kjo na e shtoi edhe më shumë kureshtjen por dhe dëshirën e mirë për të darkuar aty. Njerëzit që prisnin shtoheshin. E, pra, çudi: ç’i tërhiqte në aktë lokal?!

            Kur na erdhi koha, hymë e zumë vend në sallë. Përshtypja e jashtëme prapë po ajo: në një hapësirë të vogël tërë ato tavolina sa mezi lëvizje. Hedh sytë nga kuzhina; dhe ajo fare e vogël.. “Hejdede, thashë me vete, ku qënka sekreti i gjithë që kësaj klientele që s’i jep kohë as të marrësh frymë normalisht?” Më në fund, na erdhi porosia. Harrova të them se lokali ka nëntiutllin:”Prodhime deti”, ndaj dhe ne porositëm peshk. Filluam, më në fund, të hamë. U deshën vetëm pak minuta që të kuptojmë gjithçka: gatim perfekt! Peshk i pjekur në mënyrën më të shijshme që kishim provuar ndonjëherë(!). Ja pra, ku qe sekreti: freskia e peshkut dhe gatimi i tij! E harruam pamjen e jashtë të lokalit apo dhe ngushtësinë e brendeshme. Nuk na erdhi keq as për kohën që pritëm: të gjtha i përligji kënaqësia që na dha darka e shijshme.

————–

P.S. : Më fat të keq, i famëshi Pjer-4, doli nga Beznesi. Jam 100 përqind, se iu ka ardhur keq të gjithëve, por …nuk ia vjen që të zgjatem: logjika i biznesit  bën çudira!

Kurse Adi ka hapur lokal të ri, modern, madje edhe një tjetër në Manhaten.

Filed Under: ESSE

Tre mitet e poezisë së inxhinier Selaudin Gumës

March 16, 2024 by s p

Sadik Bejko/

Poezia e Selaudin Gumës më ka ardhur në tryezë në dy vëllime. Fillimisht simptia, magnetizmi, ndriçimi që buron nga personaliteti i autorit më shtynë që t’i lexoj këto poezi. S. Guma është një tip njerëzor që rrezaton energji. Pozitivitet. E do fort njeriun, e ka dashur në gjithë jetën e tij. Nga poezitë kuptohet që aq shumë njerëz të afërt ia kanë kthyer me pashë dashurinë që u ka dhënë ai. Tani është burrë në moshë. Dikur në rini ishte një inxhinier ushtarak që hidhte ura mbi lumenj të harbuar të vendit të tij. Ka bërë strehë në male e në zalle në themelet e në kulmet e urave të tij. Ura disa prej të cilave edhe sot u rezistojnë dallgëve të egra të kohëve, të ujërave. Ura që janë bërë me njerëz, me mund e vështirësi, me dashuri urash lidhur përmbi kohët që ende vijnë e shkojnë në jetën e Selaudinit të sotëm, vijnë e shkojnë e kthehen në art të fjalës, shndërrohen në figuracion fjale e vargu, në një poezi që shpreh atë çka atij i ka mbetur peng i pathënë. Është i lidhur në jetë, në fate, në fjalë me ata njerëz të dikurshëm.

Veç motiveve për njeriun dhe punën vargjet marrin krahë për më tej.

E ndien dashurinë e gruas dhe kjo ndjeshmëri shpërthen në vargje poezie për më të parën grua të çdo njeriu, për mitin absolut të femrës, për gruan me qumështin e ëmbël në jetën e gjithëkujt, për nënën, poezi për nënën.

Mitet e mëdha të poezisë intime universale, mite si nëna, nusja, motra, gjyshja, e dashura e rastësishme, ëndërruesja e parë, gruaja e zanafillës tokësore, kur prekëm në tokë femre së pari janë topikë të një poezie që mëton të jetë kujtesë, të jetë mirënjohje, të jetë kthim te ndërtimi i psikës sonë më ca lëngje intime që na kanë formuar eshtrën, na kanë formuar në fibrën që na ngjizi profilin shpirtëror e kockor aq të fortë sa mos ta humbasim kurrë.

Në këto poezi ai përkulet mbi kohët, kujtimet, përfytyrimet pa të cilat nuk do të ishte ky që është. Është kujtesa ajo që ne jemi sot, në ngrysje të viteve. Kujtesa e tunelit të lidhur diku pas vertebrave në qafën tonë. Sistemi ynë kockor vertebror nuk do të ishte i tillë siç e kemi pa këtë pajë të brishtë prej pranie të femrës në jetën tonë. Lexuesi duhet të ndalet në disa poezi që flasin drejtpërdrejt për atë që në kode e shpreh dhe që e fsheh arti i tij.

Libri i dytë më çon i gjithi në rrënjët reale jetësore e kryesore të autorit. Në qendër është vendlindja: Luzati. Luzati-fëmijëria e autorit, etërit, nënat, burrat mitikë e legjendë, emrat konkretë të fisit, të vatrës e të gjakut të tij…Luzati-tokë shtëpie e vegjëlie, Luzati i Buzës së Bredhit, i krojeve, i lumit Gjinakar, Luzati i tokës së bukës, i baltës së varreve dheu i rrjedhës së qumështit, të lule cfakës e të lules së kungullit, i tokës së mullinjve, i livadheve të nepërkave, i gjarpërinjve..tokë e hidhur e mjaltit dhe e kafshatës së helmeve… e gatuar bashkë gur e baltë, qumësht, diell e zjarr vatre, fytyra prindërish e të dashurish të vdekur që sot kanë trajtë veç si vizione e vegulli … një vendlindje e vdekur në ato që i jetuam, por dhe e gjallë me malin, erën, ujërat, dherat e gurët të gjallë ende.. një vendlindje e mbyllur në kujtime në legjendën jetësore, por po aq dhe e hapur… e arratisur në delirin e udhëtimit jetësor të një burri në moshën kur ai nuk vepron dot… vetëm ëndërron të shkuarat, lundron në nostalgji.

Mbetet të themi poezia është kujtesë, poezia është njerëzit që i deshëm aq shumë e që na gëzuan aq shumë e që tashmë janë të rrëgjuar e të plakur a të ikur realiteteve, siç jemi ne. Veç prapë këta njerëz e këto mjedise na pasurojnë e zbukurojnë jetën duke u kthyer në kujtimet tona përsëri e përsëri

Janë tre mite themelore në këtë poezi të Gumës: Njeriu/jeta, njerëzit dhe e jetuara të cilëve ai do t’u jetë mirënjohës, njerëz dhe jetë që janë në themel të lavdërimit, të aprovimit, të himnizimit të tij. Jeta është ajo që na dhuroi më të mirën e mundshme në ato vite që na ranë në pjesë të jemi gjallë. Tani në moshë ne duhet t’u kthejmë reston, nëpërmjet fjalës t’u japim mirënjohjen, më të çmuarën energji që e zotërojmë në kockat tona e në fibra të shpirtit. Një detyrim nderi…një shlyerje pengu burrash.

E dyta vjen tema e femrës: nënës, gruas, motrës, së dashurës. Figura mitike e femrës e dhënë në disa shfaqje të së njëjtës fibër. Tema e tretë, tema e dheut, e nënës tokë e shfaqur te Luzati… te natyra, mali, lumi, shtëpia, kopshtet, pylli, varrezat… dherat ku shpërthen junapi…

Cila është forma e poezisë së tij? Krejt e pangarkuar formalisht. Poezi e kthjellët, e shprehjes së drejtpërdrejtë, poezi në formë klasike, vargje metrike po dhe të shlirëta, poezi tradicionale strofike. Ai nuk është poeti profesionist që zgjedh të shprehet me ngarkesën formale në poezi. Ai zgjedh poezinë e mesazhit.. poezinë si një mjet të shprehjes më të shpejtë të miteteve të adhurimit të jetës njerëzore, të filozofisë pastërtisht tokësore, poezi të kuptimeve themelore të qenies, poezi me thelbet bazë të përmbushjes së njeriut si njeri.

Filed Under: ESSE

Koncert madhështor në New York

March 13, 2024 by s p

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 80
  • 81
  • 82
  • 83
  • 84
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT