• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

21 SHKURTI DITA NDËRKOMBËTARE E GJUHËS AMTARE

February 22, 2024 by s p

“Nuk duhet të mbushim gjuhën tonë engjullore me gjemba e me ferra se nuk i qërojmë dotë më vonë” – (Hafiz Ali Korça ).

Bledi Filipi

Si fillim, dua ta nis këtë shkrim me një citim të Dokumentit të UNESCO-s: “Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare (anglisht: International Mother Language Day) është një ditë ndërkombëtare ceremoniale e shpallur nga UNESCO në vitin 1999. Si e tillë ajo festohet më 21 shkurt të çdo viti. Qëllimi i caktimit të saj është promovimi dhe ndërgjegjësimi për diversitetin gjuhësor dhe kulturor si dhe promovimin e shumëgjuhësisë. Dokumenti 16/C i UNESCO-s nga viti 1970 thotë: “Gjuha amtare shënon rrugën e qenies njerëzore dhe përmes saj ajo hyn në shoqëri, bën kulturën e grupit të cilit i takon dhe vendos bazat për zhvillimin e aftësive intelektuale të saj.”

Në vendin tonë ky vit është shpallur si viti i gjuhës shqipe. Një nismë e përkryer! Gjuha shqipe është identiteti ynë kombëtar, pika e vetme e bashkimit që na bën një kudo jemi. Populli ynë ka pasur një histori të hidhur, dhe nuk e teprojmë të themi që jemi i vetmi komb i copëtuar në gjashtë pjesë.

Sado që të pangopurit luajtën me fatet e kombit tonë, sërish një gjë nuk e shuajtën dot, dhe ajo është gjuha shqipe. Kjo gjuhë e cila u trashëgua brez pas brezi, u shkrua me gjakun e martirëve të saj, u bën ballë më së miri nevojave të kohës.

Gjuha shqipe është një gjuhë e pasur, ajo kaherë ka tërhequr vëmendjen e gjuhëtarëve botërorë, të cilët kanë bërë kërkime voluminoze për të.

Gjuhësia shqiptare ka pasur dhe ka arritjet e saj që janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Arritja më e madhe pas Kongresit të Manastirit (1908), mbetet Kongresi i Drejtshkrimit (1972). Ky kongres mbetet baza e formësimit të gjuhësisë shqiptare, pasi, bëri një shqiptarët kudo ndodheshin. Prej më se 52 vitesh shqiptarët kudo janë shkruajnë dhe flasim në të njëjtin standard.

Pas këtij kongresi do të vinin veprat e tjera madhore, si, “Gjuha Letrare Shqipe për të Gjithë ” (1976); “Gramatika e gjuhës Shqipe” I, II; “Fjalori i Drejtshkrimit” (1976); FGjSSh 1980, 1984; FGjSh, 2002, 2006, 2020 dhe FMGjSh që pritet të dalë së shpejti, janë vepra kodifikuese të gjuhës sonë. Kësisoj, ato mbeten libra pune për çdo shkrues të shqipes.

Arritjet janë të mëdha edhe në historinë e gjuhës, fonetikën historike, etimologjinë shkencore, ku mund të përmendim: Joklin, Pedersenin, Mayerin, Orellin etj; Çabej, Domi, Demiraj, Topalli etj..

Mendimi im është që :

a) Programet shkollore duhet të kenë tema të posaçme që të parapërgatisin nxënësit për të dalluar etimologjinë e vërtetë të fjalës nga etimologjinë popullore;

b) Televizionet duhet të ftojnë specialistë me emër, që të ndërgjegjësohen qytetarët;

c) Të ketë ligj të posaçëm për zbatimin e standardit dhe njohjen e arritjeve të shkencës.

Në këtë ditë të veçantë, institucionet duhet të ndërgjegjësohen dhe, meqenëse ky është viti i gjuhës shqipe, duhet të ketë aktivitete të ndryshme, të ndahet gjuha shqipe nga letërsia, të pajisen bibliotekat shkollore me literaturë gjuhësore dhe letrare.

Është detyrë e çdo institucioni të kujdeset për gjuhën amtare, madje atje ku ajo dëmtohet të ketë edhe gjoba.

Ka ardhur koha që midis shteteve tona të copëtuara të kemi një Akademi Shkencash të përbashkët, dhe tekstet e gjuhës shqipe të jenë të njëjta, për këtë nuk besoj se na ndal kush.

Si përfundim, jo vetëm kjo ditë, por dhe ditë të tjera duhet t’i kushtohen gjuhës amtare, me qëllim që ta flasim dhe shkruajmë bukur atë. Ne jemi një komb sepse kemi një gjuhë, një gjak, një flamur dhe një kulturë!

BOTOHET ME SHKURTIME.

May be a doodle of child

See insights and ads

Create Ad

All reactions:

88

Filed Under: ESSE

Saga diplomatike e Ballkanit në një pjesë botimesh të Shaban Muratit

February 22, 2024 by s p

Çerçiz Loloçi/

Libri i radhës i Shaban Muratit “Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi” plotëson sagën diplomatike të Ballkanit, me një sërë botimesh të mëparshme për të gjitha vendet e gadishullit tonë, që pavarësisht hapave të hedhura integruese në tri dekadat e fundit, një pjesë e tij, megjithëse me përkatësi europiane, mbetet jashtë kësaj familje kontinentale.

Për shkak të profesionit dhe të editimit të një portali, nga autorë të tjerë të zëshëm nga Ballkani, kam parë libra të veçuar për një apo dy shtete, por ende nuk kam gjetur një autor që të fokusojë të gjitha vendet, me epërsitë dhe boshllëqet e tyre, siç ngjet me diplomatin tonë që vlerësohet herë si patriark i diplomacisë dhe herë tjetër si një institucion akademik i pavarur, që ndjek dhe analizon ftohtësisht zhvillimet, aktet, marrëveshjet e mosmarrëveshjet dhe që ka një zë origjinal brenda dhe jashtë vendit.

Pavarësisht keqkuptimeve, mërive, mospajtimeve, protagonizmit të tepruar dhe shpesh të lajthitur të politikanëve në të gjitha viset e natyrshme, është fakt i pakontestueshëm që shqiptarët përbëjnë kombin më të rëndësishëm në Ballkan, me kontribute të hershme dhe të sotme në qytetërimin dhe vlerat perëndimore.

Fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s, që Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, diku më shumë dhe diku më pak, me përkatësi shqiptare, janë gjithashtu anëtarë të Aleancës Euroatlantike, që shteti më i ri i Europës ka partneritet me SHBA, flet për një përfaqësim gjithnjë në rritje të faktorit shqiptar në planin ndërkombëtar.

Natyrisht SHBA, Bashkimi Europian, Anglia, Gjermania dhe Italia janë partnerët më të rëndësishëm për viset tona, por përveç tyre, sipas analistit të vëmendshëm Murati, një rëndësi të veçantë për interesat tona marrin edhe raportet me Maqedoninë e Veriut, Kroacinë dhe Turqinë.

Pikërisht në këtë botim të fundit, me mbi tridhjetë e shtatë analiza, të publikuar në kohë të ndryshme, autori tërheq vëmendjen për ridimensionim marrëdhëniesh me shtetin më të madh të Ballkanit, me Turqinë, pa pretendime territoriale, me lidhjet të hershme dhe të reja, me prani të hershme në NATO dhe institucione të tjera ndërkombëtare, me një kujdes të posaçëm kur kërcënohet integriteti tokësor.

Kohë më parë, falë një mbështetje nga një organizatë jofitimprurëse, kam publikuar dy libra modestë për Turqinë, njëri që mbështetej në të dhënat e partisë “Për drejtësi dhe zhvillim” të Erdoganit, që duhet marrë me rezervë se nuk ka forcë politike që flet keq për vetveten dhe një tjetër “Turqia, nga fuqi rajonale në superfuqi botërore”, që mbështetej në të dhënat e agjencive më të mëdha botërore, BBC, SETimes, Voice of America (VOA), Deutsche Welle (DW) dhe kompani të tjera lajmesh nga të gjitha kontinentet. Përzgjedhja e 77 artikujve nga shtypi më serioz botëror dhe sjellja në një botim, përpos dëshmive që jepen për këtë vend mik, kanë gjithashtu edhe apelin për klasën politike shqiptare për një rivlerësim të marrëdhënieve mes tyre. Turqia ashtu si edhe Shqipëria kanë tashmë një raport specifik me SHBA, kanë gjithashtu dekada bashkëpunimi me Europën, çka është një bazë e mirë për të ecur më shpejt në rritjen e ekonomisë dhe në forcimin e institucioneve.

Post Scriptum:

Disa nga botimet e Shaban Muratit janë mbështetur nga fondacioni “Çamëria”, çka vlen një mirënjohje për të dhe drejtuesin Alket Veliu.

Filed Under: ESSE

RRUGË DHE FLATRA…

February 21, 2024 by s p

Poezi,

tregime,

ese, –

libra të 3 miqve të mi, bashkëvuajtës të burgut, m’i kanë nisur nga larg, nga vende të ndryshme, si letra të vyera i çmoj, na bashkoi vuajtja dhe qëndresa, i ndjej si dhimbjet…

Kur kujtoj se i kishim të ndaluara shkrimet, po edhe të lexonim çfarë do të mund të donim, edhe të jetuarit si njerëz e kishim të ndaluar, kurse tani ka ardhur një letërsi tjetër nga burgjet dhe internimet, e shkruar fshehurazi, nëpër rreziqe e sakrifica, që solli të vërtetat që mungonin dhe moralin, dëshminë e gjallë me një bukuri tronditëse, me estetikën e tragjedive, duke u dhënë forcë tjetër letrave shqipe, në fund të fundit duke i pasuruar ato.

1.

Ja, poezi nga Kujtim Murataj, metafora dhe rima që kumbojnë si hapa që u ngjiten të përpjetave, “Sikur qielli të ishte blu” – thotë autori në titull të librit, – si qielli brenda nesh, se jashtë nesh është me re dhe shtrëngata dhe mugëtirë si jeta jonë…

Tek isha në pranga dhe bëja lutje,

vegime nimfash më vinin shpesh

dhe befas ëndrrat më çonin tutje,

madje shumë herë dhe sipër resh.

Ëndrrave s’u vinin dot pranga gjithsesi.

2.

Qëndruam në vuajtje dhe dhunë, mbetëm njerëz dhe atje ku ishte e vështirë, në burg, – na e dëshmon tregim pas tregimi dhe Memisha Gjonzeneli në tre përmbledhjet e tij, “Piramida e Plakut”, “Nëna”, “Pendimi”, copa jete, një realizëm i ashpër, ku mirësia arrin të spikasë mbi ligësitë, dashuria mposht urrejtjet si hekurat e burgjeve, rrugët hapen, nga qelia – atje ku nuk besohej, në Amerikë, koka e kthyer pas nga malli, vegimet e së shkuarës janë bagazhet në mërgimet për një të ardhme tjetër…

3.

Po ne dimë të jetojmë së bashku në fund të fundit, – duket se nxjerr përfundimin e tij Muharrem Xhydollari në esenë për vendlindjen, “Pogradeci dhe rrethinat në bashkëjetesën fetare”, ku vë në spikamë këtë virtyt të shqiptarëve, mirëkuptimin me tjetrin, edhe i fesë tjetër në qoftë, kishat dhe xhamitë nuk na kanë ndarë, jemi dashur dhe të besojmë në dashuri e Zot. Rrëfime të thjeshta, aq familjare, domethënëse. “Me përulësi” – është fjala e fundit e librit.

Dhe kjo i karakterizon tre autorët e mi bashkëvuajtës, që me të hequr prangat nga duart, morën penën, kompjuterat e mërgimit dhe po hidhnin vargjet, elegjinë e nisur, po tregonin vuajtjen, urtë e me dinjitet, pa britmat e mburrjeve dhe pozat e konvertimeve, pa thënë se jemi heronj, as se po bëjmë letërsi burgu ose jo, ëndërrthyer, donin të studionin letërsi, shkenca, nuk i lanë, por dhe ata nuk po e lënë pa e dëshmuar veten, një e drejtë e gjithsecilit.

Dhe kam mall deri në mallëngjim sublim, u dëgjoj zërat, shfletoj librat… shih si duken, si copa të një rruge të përbashkët, por edhe si flatra…

Visar Zhiti

Filed Under: ESSE

NDIEJ VS NDJEJ

February 20, 2024 by s p

Sevi Lami Agolli/

Kur një “j” në vend të “i” e ndryshon krejtësisht kuptimin!

Pse gabojmë kaq shumë me këto dy folje?

Para disa kohësh nisa të lexoja një roman, i cili kishte fituar edhe një çmim të rëndësishëm në vendin tonë. Përveç kënaqësisë estetike dhe artistike që prisja të merrja nga ai roman si fitues i atij çmimi, prisja të merrja edhe kënaqësinë gjuhësore, pra, përdorimin e një gjuhe të drejtë dhe pa gabime drejtshkrimore e gramatikore. Por… sapo e hapa në faqen e parë, në paragrafin e parë personazhi kryesor “ndjente”, në vend që të “ndiente”… Nga konteksti i fjalisë, personazhi ndiente një emocion të papërshkruar, kurse ashtu siç ishte shkruar, ai “falte” një emocion të papërshkruar…

Vazhdova leximin më tej, me shpresën se ishte një gabim teknik, siç na ndodh të gjithëve të bëjmë, ngaqë na përpin leximi, kuptimi, përmbajtja, gjuha artistike…

Por pak rreshta më poshtë ai sërish “ndjente” dhe kështu vazhdonte në të gjithë romanin, duke “falur” gëzimin, lumturinë, trishtimin dhe të gjitha ndjesitë që përjetonte. Nuk dua të ndalem këtu edhe te gabimet e tjera drejtshkrimore dhe gramatikore që hasa, ku më dendur ishte përdorimi i trajtës së shkurtër “i” në vend të asaj “u”; i trajtës së shkurtër të bashkuar “ta” që dilte me apostrof; mospërshtatja në numrin shumës të mbiemrave që cilësonin emra të dygjinishëm etj., etj.

Fatkeqësisht, nuk ishte hera e parë që foljen “ndjej” e gjeja të përdorur në vend të asaj “ndiej”! Ngatërrimin e këtyre dy foljeje, që janë shumë të ngjashme nga ndërtimi fonetik, e hasim dendur jo vetëm në letërsi artistike, por edhe në shumë tekste studimore, artikuj të ndryshëm, medie, komunikim të përditshëm etj. Por, duke përdorur foljen “ndjej” në vend të asaj “ndiej”, ne i ndryshojmë krejtësisht kuptimin fjalisë, pjesës, tekstit, asaj që duam të shprehim..

Ajo që i dallon këto dy folje është tingulli “i” te njëra dhe “j” te tjetra. Por ky dhe në bazë të këtij dallimi dallim fonetik kemi edhe përbën edhe dallimin kuptimor të tyre.

Kur duam të përshkruajmë ndjesitë tona, ne “ndiejmë”, kurse kur duam të falim me dashamirësi një faj a gabim, ne “ndjejmë”.

Pra, shohim që kemi dy folje, që kanë trajtë e tingëllim thuajse të njëjtllojtë, por kuptime të ndryshëme. Prandaj duhet të kemi shumë kujdes kur i përdorim në tekste të ndryshme, sepse mund të tjetërsojmë kuptimin e tyre.

Ja kuptimi i këtyre dy foljeve, i shkëputur nga Fjalori i Gjuhës Shqipe:

NDIEJ – kal. – I. Kap me anë të shqisave ngacmimet dhe dukuritë e botës së jashtme; ndijoj. Ndiej zërin (shijen, erën). Ndien të ftohtët…

II. Provoj një ndjenjë a një gjendje shpirtërore. Ndiej kënaqësi (mërzi, bezdi). Ndien gëzim (hidhërim, pezmatim). Ndien një dëshirë. Ndiente frikë. Ndien neveri (krupë). Nuk ndien asgjë për të nuk e do, nuk e dashuron.

2. NDJEJ – kal. – I fal me dashamirësi një faj a një gabim dikujt. I ndjej fajin. Më ndjeni! Më falni! E ndjeu Zoti.

Edhe në Drejtshkrimin e Gjuhës Shqipe, f. 27-28, e kemi të sqaruar mjaft qartë drejtshkrimin e këtyre dy foljeve:

Shkruhen me -ie-: foljet te të cilat ky grup zanoresh ndiqet nga mbaresa -j: ziej, përziej, ndiej: ndien, ndiejmë, ndieni, ndiejnë; ndieja, ndieje, ndiente, ndienim, ndienit, ndienin; ndiem, ndiet, ndien; ndiekam, ndieke; (kam) ndier.

Shkruhen me -je-: trajtat e njëjësit të së kryerës së thjeshtë të dëftores dhe trajtat e dëshirores së këtyre foljeve: zjeva, zjeve, zjeu; zjefsha; përzjeva, përzjeve, përzjeu; përzjefsha; ndjeva, ndjeve, ndjeu; ndjefsha, ndjefsh, ndjeftë, ndjefshim, si dhe të gjitha fjalët e formuara nga folja “ndiej”: i ndjeshëm, ndjesi, ndjenjë, parandjenjë etj.

Shkruhet me -je- folja “ndjej” në të gjitha trajtat dhe format e saj (i fal fajin dikujt), si edhe formimet prej saj: (ndjesë, i ndjeri).

Pra, për të mos i ngatërruar me njëra-tjetrën, në raste të caktuara, duhet tëmbani mend se dimë se:

a) folja “ndjej” ka një përdorim shumë të vogël, krahasuar me foljen “ndiej”;”.

b) folja “ndiej” vetëm në të kryerën e thjeshtë të dëftores, tri vetat e njëjësit del me “j”: unë ndjeva, ti ndjeve, ai/ajo ndjeu; dhe në të tashmen e dëshirores merr “j”: unë ndjefsha, ti ndjefsh, ai/ajo ndjeftë… kurse në të gjitha mënyrat e tjera dhe kohët e tyre del me “i”.

Për të t’i dalluar sa më lehtë këto dy folje në mënyra e kohë të ndryshme, mos e ngatërruar me foljen “ndjej”, këtu po japim zgjedhimin e foljes “ndiej”, që ka edhe një përdorim më të dendur. në të gjitha mënyrat dhe kohët e tyre.

Filed Under: ESSE

Sot “Dita e Presidentëve Amerikanë” dhe betimi në mbrojtje të Kushtetutës

February 19, 2024 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Sot SHBA feston Ditën e Presidentëve, duke nderuar udhëheqësit e shquar që kanë formësuar historinë e kombit amerikan. Kjo ditë njihet gjerësisht si nderim për presidentët George Washington dhe Abraham Lincoln pasi që të dy kanë lindur gjatë muajit shkurt.

Në betimin e marrjes së detyrës, Presidenti i ShBA, betohet se “unë do e kryej detyrën e Presidentit me të gjithë forcën dhe aftësinë time” dhe se do mbrojë Kushtetutën e vendit.

E veçanta e këtij betimi është se në të janë përcaktuar tre fjalë: “preserve, protect and defend” (ruaj, t’i qëndroj besnik, të mbroj) të cilat në thelb kanë kuptimin “mbroj” por në fakt etërit amerikanë kanë përcaktuar qëllimisht tre fjalë të cilat parashikojnë tre skenarë të ndryshëm në lidhje me Kushtetutën ndaj të cilave Presidenti duhet të qëndrojë vigjilent dhe i vendosur në mbrojtje të saj.

1. “Të ruaj”

“Të ruaj” Kushtetutën siç na është votuar dhe mbështetur nga populli, zotohet Presidenti. Pushtetarët ikin e vijnë por ajo mbetet themeli i një shteti. Ajo është vetë shteti. “Të ruaj” Kushtetutën, zotohet ai, pa lejuar asnjë eksperiment por duke respektuar trashëgiminë e kombit dhe vullnetin e një populli.

Për më shumë se dy shekuj asnjë gërmë e tekstit bazë të Kushtetutës nuk është prekur, por janë shtuar vetëm 27 amandamente, 10 prej të cilave u shtuan në vitin 1791 – të njohura si Bill of Rights – e më pas u shtuan edhe 17 të tjera, e fundit në vitin 1992.

Kjo tregon rëndësinë dhe shenjtërinë e Kushtetutës: e ruajtur, e respektuar, e pandryshuar, e pa dhunuar. Ndaj edhe ShBA është lider i kombeve sepse sekretin e ka te Kushtetuta.

Nëse Shqipëria do t’i afrohet sado pak shtetit të së drejtës duhet të mbêshtetet edhe ajo vetëm tek Kushtetuta.

2. “T’i qëndroj besnik”

Kështu ai betohet se jo vetëm do ruajë Kushtetutën që kanë lënë trashëgimi etërit e kombit dhe vullneti i një populli por zotohet t’i qëndrojë besnik duke dhënē shembullin t’i bindet çdo gërme dhe frymës së Kushtetutës. Kështu ai do jetë shembull dhe shtysë si për qeveritarët ashtu edhe për çdo qytetar të thjeshtë.

Etërit amerikanē, përmes kësaj fjale përçuan mesazhin që Presidenti ka si detyrë të jetë garantues i Kushtetutës. Madje i pari në mbrojtje të saj!

3. “Ta mbroj”

“Ta mbroj” nga çdo përpjekje e brendshme apo e jashtme për ta cenuar atë. Fjala që kanë zgjedhur etërit amerikanë është “defend” që do të thotë t’i dalësh përballë me trupin, forcën, të gjithë qenien tënde çdo përpjekjeje për dhunim, shkelje, abuzim, sulm dhe kërcënim nga aktorë të brendshëm dhe të jashtëm.

Etërit amerikanë i kërkuan Presidentit të përdorë të gjithē fuqinë e tij dhe çdo mjet që disponon individualisht por edhe institucionalisht në mbrojtje të Kushtetutës.

Kjo është ShBA! Ky është “qyteti mbi kodër”, ai vizioni i pelegrinëve të parë që ia arritën të ndërtonin një shtet tek i cili do përqendroheshin prej shekuj sytë e të gjitha kombeve.

Ky është shembulli sublim i demokracisë, i shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 84
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT