• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPËRI- Startoi stërvitja “Defender Europe 2021”

May 4, 2021 by dgreca

-Udhe të mbarë pjesmarrësve!/

-Po çfarë detyrimesh kemi ne si qytetarë dhe institucione shtetërore?/

-“Host Nation”,Institucionet shqiptare dhe  Defender  EUROPE 2021…/

Refleksione nga Shefqet KËRCELLI,[ushtarak në rezervë]

Opinioni ynë publik në këto ditë të nxehta votimesh, është informuar se në mbarë Europën, do zhvillohet stërvitja “Defender Europe 2021”,(shkurt DF2021).

Tashmë burime zyrtare të Komandës Amerikane në Europe dhe Afrikë, përfshi Komandantin e Trupave Amerikane në Europë, Gjeneral-lejtant Christopher G. Cavoli, kanë prezantuar qëllimin e kësaj stërvitje, trupat që do përfshihen dhe territorin ku do zhvillohet. Ndërkohë për këtë stërvitje janë prononcuar Ambasada e SHBA në Tiranë dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë sonë të Mbrojtjes.  Në vija të përgjithëshme kjo stërvitje  është një stërvitje e përbashkët vjetore në shkallë të lartë, ndërkombëtare, e udhëhequr nga SHBA për të forcuar gatishmërinënë dhe ndërveprimin mes SHBA, NATO dhe ushtarakëve partnerë. Këtë vit, më shumë se 28,000 forca ndërkombëtare nga 27 vende do të organizojnë afërsisht operacione të njëkohshme përmes më shumë se 30 zona stërvitjeje në më shumë se një dyzinë nga Baltiku drejt Ballkanit dhe Rajonit të Detit të Zi, që janë strategjikisht të rëndësishme. “Ndërsa jemi afërsisht duke monitoruar situatën e COVID, ne kemi vërtetuar që kemi kapacitete të trajnojmë të sigurt këto forca, pamvarësisht pandemisë. Edhe në këtë situatë, kombet tona kanë besim mbi forcat tona, të cilat janë të gatshme të mbrojnë paqen”,- tha Gjeneral lejtnant Kristofer Kavoli, Komandanti i Ushtrisë të SHBA, Europë- Afrikë. 

Vendi ynë, anëtar i NAto-s, që nga viti 2009, përveç ofrimit të gjashtë bazave detare, tokësore dhe ajrore, do të angazhojë 1000 trupa në këtë stërvitje, tha Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi. Ai u shpreh se, ““Qëllimi i pjesëmarrjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në këtë stërvitje do të jetë demonstrimi i aftësive të forcave të armatosura për t’u rritur, koordinuar, për t’u stërvitur e trajnuar së bashku me forcat amerikane dhe ato të NATO-s, në aktivitete, operacione të përbashkëta, në një ambient operacional kompleks. Kryefjala jonë për këtë stërvitje do të jetë gatishmëri, ndërveprueshmëri dhe operacionalitet me forcat aleate, siç bëjmë prej dekadash tashmë në operacionet dhe misionet e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara”. Defender Europe 2021, është një ngjarje historike sepse është stërvitja më e madhe në Shqipëri dhe në rajon”. 

 Në një intervistë për DW pyetjes së gazetarit:- Shqipëria do të jetë vendi kryesor mikpritës i një stërvitjeje kaq gjigande ushtarake. Çfarë prisni nga Shqipëria që të arrihen synimet e manovrës DEFENDER-Europe 21?

Kolonel Joseph Scrocca, Drejtor për mardhëniet me publikun i Komandës së SHBA në Europë ju përgjigj: “DEFENDER-Europe 21″ do të fillojë në Durrës, në javën e parë të majit. Shqipëria do të presë një stërvitje të përbashkët të logjistikës në bregdet, të njohur me inicialet JLOTS (Joint Logistics Over-the-Shore-Logjistikë e përbashkët në bregdet) e cila do t’i mundësojë ekipit të shërbimit amerikan të përdorë anije për të ngarkuar dhe shkarkuar pajisje dhe personel në porte jo të përshtatshme apo të dëmtuara si edhe në plazhe të zhveshura.

Kjo është një ngjarje e rëndësishme, sepse do të jetë hera e parë që një JLOTS ndodh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ky trajnim historik demonstron aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të shërbyer si një partner strategjik i sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi, ndërkohë që ne ngrejmë gatishmërinë operacionale dhe ndërveprimin me aleatët tanë të NATO-s dhe partnerët pjesëmarrës në Defender-Europe 21, gjë që nxjerr gjithashtu në pah rëndësinë strategjike që ka Porti i Durrësit.

Rreth  5.000 forca amerikane do të stërviten dhe veprojnë në Shqipëri nga muaji prill deri në qershor, të cilat do të veprojnë në vende të shumta në Shqipëri, përfshirë bazën ajrore në Kuçovë, në Farkë dhe në zonën e trajnimit në Bizë.

Por, çfarë duhet të bëjmë ne si popull e si shtet që të dalim faqebardhë në këtë stërvitje, ta kurorëzojmë ate më sukeses, të përmbushim detyrimet tona e të ndjehemi krenarë?

Si ishushtarak, pjesmarrës dhe ndjekës i stërvitjeve të përbashkëta me SHBA dhe NATON, dhe mikpritës i anijeve të tyre në portet tona, do shpreh disa mendime, që i shërbejnë përdorimit efikas të gjithë burimeve njerzore, ushtarake, tradicionale,institucionale,ekonomike, etj.

Së pari, mikpritja jonë…

Jo më kot në përfshihemi në “Host nation”. Larg klisheve, demagogjisë e propogandës absurde, apo politikës së madhe për këtë miqësi historike, ne si shqiptarë duhet, ta tregojmë veten se, jemi mikpritës, të sjellshëm, korrektë, besnikë e qytetarë të denjë të aleancës. Ta përdorim fjalën faleminderit, sa herë duhet. Nuk është nevoja ti biem gjoksit, se si i kemi pritur të gjithë miqtë edhe armiqtë, por këta janë aleatë dhe miq të vërtetë. Në testimet e zhvilluara në vitet 1991-1995, shqiptarët ishin më proNAto në Europë, në kufijtë e 90-93%, tani mund të kenë zbritur në kufijtë e 80%, për arësye të politikave të mbrapshta të ofiqarëve tanë. Kjo është thjesht statistikë, por ne fjalën miqësi duhet ta ulim në terren real, në rrugë, ambiente, restorante, kudo ku ka jetë në qytetin tonë. Në vijim të kësaj po sjell katër shembuj, nga mikpritja e qytetarëve durrsakë, në vitet 1992-1995. 

1- Gusht 1992. po zhvillohej stërvitja “Sarex-1”. Në majën e malit të Robit, ishte VK e stërvitjes. -Na duhej një flamur amerikan, ta vendosnim në shtizë, bashkë me atë shqiptar, pasi për momentin nuk e kishim. Atëhere bashkë me Nebiun{Vlashin}, i biem lokaleve e rrugëve të Durrësit, mos gjejmë nonjë. Diku përballë materinitetit të vjetër ishte një bilardo. Një zonjë grua, mbante leket e atyre që losnin. Pamë një flamur amerikan të varur në mur, dhe ju drejtuam zonjës,-a na jepni për disa ditë, qoftë dhe më lekë. Çfarë thoni, na u kthye, -ju mund ta merrni këtë flamur, e ta mbani sa të doni. Na lehtësoi, e falenderuam zonjën durrsake, e palosëm flamurin dhe shkuam e vendosëm tek vendi. Në mëngjes fillonte stërvitja. Na nderoi qytetarja durrsake, që spo ja gjejmë emrin tani. Besoj se është jashtë.

2-Garnizoni Plepa gëlonte nga ushtarët e Br.Plepa dhe 1 mijë marinsa amerikanë të Komandës Amerikane të Europës, një brez para këtyre që po vijnë këto ditë. Organizonim aktivitete të ndryshme mbasdite, kulturore e sportive. Më pak kulturore, se dhe anglishtja ishte dobët ke ne. Na lindi një ide, të marrëm estradën e Durrësit, për një shfaqje. Shkoj takoj Landin e Fadilin. Jemi gati, kur të duash, ma kthyen. Mbasi bisedova me Bardh Hoxhën, i them, a kanë nga ato pakot ushqimore të marinsave ti japim nga një këtyre mjeshtrave.- po, thotë Bardhi. Nese, mbaroi shfaqja. Edhe amerikanët e ndoqën, pamvarësisht sa e kuptonin humorin tonë. Kur po dilnim, Bardhi më dha 15 pako ushqimore. Grupi ishte 16, ne i thamë 15 amerikanëve. Ti kërkonim dhe një, na vinte zor. I ndjeri Fadil,[HASA] më thotë, ece o Çeto, mos e vra mendjen, mu më jep një dopjo raki, dhe je në rregull…

3-shtator 1995. 2 vite më parë na ndodhi një incident i paparashikuar, krejt rastësor. Ushtarakët amerikanë ngurronin që ti nxirrnin trupat vizitë në Durrës. Atëhere u mblodhëm si grup oficerash që banonim në Durrës, bëmë një plan, the thamë do i nxjerrim se sbën. U lidhëm me policinë dhe çunat motoçiklistë të  Durrësit. Caktuam itinerarin, zonën e vizitës dhe orarin. Për çdo grup 20 veta, 3-4 oficerë. U hipëm IFA-ve dhe dolëm. U kryen vizitat normal. Kthimi ora 12.00. Ju mbush mendja amerikanëve, Durrësi qytet i qetë. Nga ajo mbasdite nuk rreshtën vizitat dhe dollarët në Durrës.

5-qershor 2010. Përfaqsues të institucioneve tona detare, trajnoheshin për zbatimin e ligjit në det, nga specialistë me zë të Rojes Bregdetare të SHBA.  Në program kishte dhe trajnim në një anije. Ku të shkojmë ku mos shkojmë. I drejtohemi zotit Bujar Hoti, për ndihmë. E menjëhershme përgjigja, -nuk thua që shyqyr që erdhën amerikanët! jeni të mirëpritur! Rimorkiatori ‘Epidamn’, u bë një skenë intersante për kapjen e shkelsve të ligjit detar….

Të tillë raste mipritje e qytetarie ka me qindra në Vlorë, Sarandë, Shëngjin….

I solla këto shembuj konkretë, për të sqaruar se miqësia lind dhe farkëtohet në terren e jo si ajo miqësia e tradita që themi ne në planin makro, që na karakterizon prej shekujsh!? Ne si shqiptarë, kudo që jemi, duhet të tregojmë kulturën, edukatën e qytetarinë tonë, sa herë që takojmë ushtarakët e NATO-s, miqtë e aleatët tanë. Le shikojë bota vlerat tona. 

Në këtë drejtim, një shtysë miqësisë shqiptaro-amerikane do ti japë dhe shoqata e miqësisë Shqipëri-SHBA, me qendër Durrës, e cila është në prag të miratimit. Shoqata do ketë në gatishmëri grupe vullnetarësh për të ndihmuar vizitat dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta me ushtarakët miq. 

Deri tani u morëm me zgjedhjet,  të cilat ishin të rëndësishme, por jo pak rëndësi ka dhe kjo stërvitje që lidhet më çështjen tonë kombëtare, dhe ndodh njëherë në 30 vjet. Të nderuar bashkëkombës, nuk janë falanga pushtuese, po janë miqtë, shokët, aleatët, vellëzërit tanë, që vijnë për paqen e sigurinë e vendit tonë. Pastaj ne jemi dhe popull luftarak, që i ka qef armët, ndaj nga situata zgjedhore të kalojmë e ti shohim konkretisht të gjithë faktorët institucionalë shtetërorë e njerzorë që ndikojnë në mbarëvajtjen e kësaj stërvitje?

Duhet të kuptojmë mirë një gjë:-Stërvitja “Defender Europe 2021”, nuk është as e Ministrisë së Mbrojtjes, as e ushtarakëve shqiptarë, as e Edi Ramës, as Ilir Metës, as Niko Peleshit apo Lul Bashës. Është e krejt Popullit shqiptar. Dhe pa bashkëpunim institucional shtetëror nga lart boshtë, vertikalisht e horizontalisht, në gjithë skakierën burokratike të shtetit shqiptar, nuk ka zhvillim normal të kësaj stërvitje. Stërvitjes s’duhet ti jepet asnjë konotacion politik, madje situata politike duhet të qetësohet sa më shpejt, sepse është një faktor  kryesor për ecurinë normale të stërvitjes.

-Faktori i I-rë-

Presidenti i RSh. A e ka marë  në dorë situatën e kësaj stërvitje? A po përmbush detyrimet kushtetuese për këtë çështje? Minimumi duhet të kishte marë një informacion nga Ministri dhe Shefi i Shtabit për këtë stërvitje. Presidenti është faktor kryesor në kordinimin dhe zhvillimin normal të kësaj stërvitje në rang vendi. Ai mund ta zbusë situatën politike dhe ti orientojë strukturat shtetërore drejt kësaj ngjarje madhore dy mujore. Nuk po them të ngrihet në nivelin e Presidentit Moisiu apo Nishani, të cilët ndoqën e mbuluan me kujdes çdo aktivitet ushtarak në vend, për sa kohë ishin në detyrë, ose dhe Sali Berisha, kur ish president ndoqi disa stërvitje i veshur me uniformë kamuflazhi. Si djalë oficeri dhe nga një zonë patriote, Ilir Meta, mund të bëjë shumë për këtë stërvitje. Gjithashtu ai duhet të kërkojë të përmbushen me korrektësi pikat e dekretit të parlamentit shqiptar më datën 18 mars 2021, nga të gjitha institucionet. Do fitojë dhe për vete ca pikë.

-Parlamenti shqiptar e tha fjalën më 18 mars, tani deputetnave të rinj i ngelet për detyrë të ndjekin e zbatojnë masat përkatëse që rrjedhin nga dekreti i miratuar nga parlamenti i mëparshëm më 18 mars 2021.

Faktori i II-të-Ekzekutivi shqiptar

Është faktor kryesor. Shpejt Z.KM, të ulë tonet politike, e ta kthejë timonin drejt stërvitjes. Është fakt që rastësia e kësaj stërvitje i bëri mirë situatës në Shqipëri, qetësisë e mbajtjes në kontroll, se nuk diheshin si do zhvillohen ngjarjet. Populli ynë thotë, frika i ruan vreshtin. Zoti KM duhet ta marrë situatën në dorë për çdo aspekt të kësaj stërvitje. Të marrë informacion nga çdo dikaster për detyrat e kryera dhe vështirësitë. Ai duhet të mbajë non stop një linjë hapur me të gjithë ambasadorët e vendeve pjesmarëse të NATO-s, në këtë stërvitje dhe ti pyesë për çdo problem. Është rast i pastër për të bashkëpunuar me presidentin. Të paktën zbatoni njëhërë porosinë e Skënderbeut, që e doni aq shumë. Mirë do ishte, që për dy muaj të merte, ta atashonte pranë vetes  një kordinator  ndërministror, mundësisht ish ushtarak me nivel, si psh J. Bazo, B.Kollçaku, V.Qiriazi, D.Tola. Do ta ndihmonin shumë në përballimin e kësaj situate.

-Rëndësi të veçantë kanë Shërbimet inteligjente, të sigurisë e rendit publik. Duhet patjetër një bashkëpunim koherent midis tyre për mbajtjen nën kontroll të çdo situate. E kjo që nga kontrollet në çdo pikë hyrëse të kufirit tonë tokësor, detar e ajror. Jemi në një situatë të pazakontë nga pandemia, por ne si shqipëri, në nonjë rast kemi dhe qimen e derrit, e hamë golin në minutën e fundit. Një akt terrorist të kryhet, do e japin të gjithë mediat ndërkombëtare në gjithë hapësirën e tyre, kundërshtaretë tonë do paguajnë për këtë. Na shkon gjithë ajo punë dëm. Ndaj kujdes. Le ta fillojmë nga siguria rrugore. Më ka qëlluar në makinë me ushtarakë të huaj të shofim skena e kundërvajtje të ndryshme në rrugë. Njëri madje u shpreh. e mo, se në shqipëri jemi. Më erdhi inat, po skisha ç’bëja, fakti ishte fakt.  Dhe ata dukeshin të stërvitur për të drejtuar makina në rrugët tona. Shohim që trafiku nacional po rëndohet edhe prej sezonit turistik. Do ishte mirë që  hyrje daljet në shqipëri, barërat e këqija, të pengohen që në vendin e tyre, pa shkelur këtu. Mos harrojmë se sa më shumë ne forcojmë miqësinë me partnerët tanë strategjikë, aq më shumë hidhen në sulm e vjellin vrer, agjenturat e huaja, kundershtarët tanë, mbetje të Traktatit të Varshavës, Stasit,  dhe ata që kanë gëlltitur një lugë çorbë të prishur.

Probleme ka dhe trafiku brenda qytetit, Vizat e bardha, kalimtarët. Shohim që disa makinangarës shtojnë shpejtësinë ke vizat e bardha. Gjoba e ndëshkimi i ndreq këta njerëz. Një shembull të mirë kemi  nga policia bashkiake Durrës,  që po ndihmon në sigurimin normal të qarkullimit në qytet, duke ndihmuar policinë rrugore. Nuk bëhet fjala per sigurine në lagje e ambiente publike. Pjesë e kësaj stërvitje, është dhe siguria detare. Institucionet tona detare, Drejtoria e Përgjithëshme Detare, QNOD, Komanda e Forcës Detare, Policia Kufitare, Antikontrabanda Detare, Siguria portuale, shërbimet inteligjente, duhet të zbatojnë me rigorozitet detyrat e tyre, të përcaktuara ligjërisht, pa penguar zhvillimin normal të trafikut detar ekonomik e turistik. Hapësirat e porteve e moleve e lejojnë pa problem këtë. S’ka nevojë ti  trashim gjërat. Në këtë fushë kanë përgjegjsi disa Ministri, të cilat përfshihen si në Kodin Detar të RSH, në ligjin për “Rojen Bregdetare”, në VKM për QNOD, në ligjin “Për kapiteneritë e porteve”, etj… Nxirrini nga sirtarët miq dhe zbatoni.

-Kur themi ekzekutivi, në plan të parë është MM dhe Forcat tona të Armatosura.  Këto struktura kanë pasur kohën e mjaftueshme për të hartuar e planëzuar veprimet e duhura në kuadër të kësaj stërvitje. Është  fakt që tashmë ne kemi mjaft kuadro të përgatitur në vendet e NATO-s, sidomos në SHBA, shumë të tjerë në operacione paqeruajtëse. Ndërkohë vende të NATO-s, na kanë afruar teknikë, pajisje dhe armatime. E pra, këta kuadro së bashku me pajisjet që disponojnë duhet të shpalosin aftësitë  e tyre teorike, teknike e profesionale për zhvillimin me cilësi të stërvitjes dhe arritjen e objektivave të caktuara. Është rasti që dhe ata oficerë skutha, që kanë përfituar nga asistenca teknike e NATO-SHBA, ta shkrepin njëherë, të bëjnë një punë të mirë, jo si deri tani parazitë e kurse. Respekti dhe mirënjohja për NATO-n shprehet me vepra, e jo me llafe. Duke zbatuar me korrektësi standartet e rregullat e NATO-s, e jo si drejtuesi i repartit “N”, që skishte marë asnje masë për sigurinë e repartit. Ene këndej, pëllet,- rroftë NATO! Bëj dhe ti diçka të mirë konkretisht, se kështu i bie të kakarisësh në perëndim, e vezën ta bësh në lindje. Ka dhe nga ata që detyrimet nuk i përmbushin, kurse për tu kërmitur me nonjë kontratë për miqtë e vet, janë të parët. Ushtria shqiptare duhet të dalë në shesh të stërvitjes me ushtarakët më të aftë dhe me të gjitha mjetet që ka në gatishmëri. Tashti është koha ta tregojë veten secili. Po shoh që të gjitha ushtritë e NATO-s kanë mobilizuar rezervistë. E kam parë dhe herë të tjera. Ata mbajnë në regjistër dhe i mobilizojnë për çdo vit, 1-2 muaj, ushtarakë të niveleve e profesioneve të ndryshme. PO Ne? Kemi shumë kuadro dhe specialistë të zotë, që nën emrin e reformave të klikave të korruptuara ushtarako-civile, janë hedhur në rrugë. Kemi dhe qindra ushtarakë që kanë kryer operacione paqeruajtëse dhe misione luftarake. Ata janë aset për shtetin e kombin. Mbahen në rregjistër dhe përdoren për çdo nevojë e situatë të shtetit. Në çdo rrezik e situatë emergjente. Detyra të rëndësishme ka Sektori i Bashkëpunimit civilo-ushtarak, që duhet të planëzojë e kordinojë aktivitete të përbashkëta midis komunitetit dhe trupave të NATO-s. Mendoj se do ishte e arësyeshme pjesmarrja e një grupi vëzhguesish ushtarakë nga FSK. Kemi një rast unikal, djem dhe vajza shqiptarë janë pjesë e katër ushtrive në Ballkan, pjesmarrëse në stërvitjen DFE2021. Le të tregojmë vlerat më të mira. Ajo forca shqipe, tregohet në terren, me profesionalizmin e aftësitë tona. respektin dhe bashkëpunimin me ushtarakët aleatë.

-Ministria e Shëndetsisë. Ka bërë një punë të lavdërueshme për vaksinimin e popullsisë dhe personelit të FA. Mendoj se mund të bashkëpunojë me grupet mjekësore të NATO-s, për të bërë vaksina banorëve të zonave ku zhvillohet stërvitja. Janë zbatuar të tilla praktika dhe më parë, mjekët ushtarakë kanë eksperinca për këtë. Mendoj se duhet vepruar sa më shpejt. Nuk ka me mirë se ti bësh pleqve të Bizës e Kuçovës vaksinën antiCovid….nga mjekët e NATO-s.

-Ministria e Bujqësisë dhe ushqimit, ka rast të mirë të prezantojë produktet shqiptare, sidomos agrobiznesit,  gjithashtu dhe forcimin e vemëndjes ndaj sigurisë ushqimore. Të heqim dorë nga stili i të futmes për këto punë., se na del në krahun tjetër pastaj.

-Ministria e Financave duhet të krijojë lehtësirat e procedurave që përdoren në hyrjen e mallrave e pajisjeve ushtarake në vendin tonë. Të zvogëlojë burokracitë në procedura e dokumentacion. Ndërkohë strukturat e zbatimit të ligjit të jenë në nivelin më të lartë.

-Minstria e Turizmit dhe mjedisit. {MTM}. Është rasti më i bukur për të promovuar turizmin në vendin tonë. A e kuptoni zonja dhe zotërinj! Janë 6 mijë ushtarëkë të huaj, nga njëri cep i globit tek tjetri. Një djalosh nga Virxhinia po më tregonte se i kishte rënë kryq e tërthor zonës së Plepave, Shkëmbit të Kavajës, dhe po më tregonte fotot që kishte realizuar. Ja kishte përcjellë prindërve e miqve në Amerikë. Një natyrë e bukur, ushqim i veçantë, njerëz të mrekullueshëm, tregonte rreshteri. Ai kishte një javë që kishte erdhur dhe foli me superlativa. Janë me  mijëra  foto e selfije që emetohen çdo ditë individualisht në çdo cep të globit nga këta ushtarë, ndërkohë që pamje nga stërvitja do transmentohen nga stacionet kryesore në botë, përfshi CNN, BBC, DW, Euronews, etj.. A e kupton çdo të thotë kjo? Të jesh në qëndër të vëmendjes së botës për dy muaj. Duhet të sillemi mirë, të tregojmë vlerat më të mira si popull. Këtu marrin rëndësi të gjithë operatorët privatë të sektorit të turizmit. Doni ta ngrini piacën tuaj. Ju erdhi në dorë. tregojeni klasin tuaj. gatim, akomodim, relaks, çfarë afroni…Dhe tjetër. Tashmë këto ministri skanë pse harxhojnë para për të promovuar turizmin jashtë, me ato ekspozitat e panairet e tyre e të rujnë ca dieta. Duhet nxjerrë urgjent një urdhër i brendshëm nga MTM dhe bashkitë përkatëse, që vizita e ushtarakëvë pjesmarrës në stërvitjen “Defender Europe 2021”, në të gjitha institucionet historike, muzeume, amfiteatre, zona të mbrojtura, etj, të kësaj natyre, të bëhet falas. Fitojmë shumë në planin tjetër. Promovojmë turizmin shqiptar në gjithë botën falas. Po ashtu, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, {MKRS}, në bashkëpunim me federatat përkatëse dhe subjektet private mund të afrojë aktivitete të larmishme sportive, që i luajnë dhe amerikanët. psh gara atlektike, gara noti, boks, ndeshje basketbolli me ekipe të Kategorisë së parë, hipizëm, volejboll, zhytje në disa parqe zhytje që kemi ne, fluturim, etj  një plan i shpejtë, mund të shtrihet për dy  muaj.

-Media. është mëse e qartë se mbulimin mediatik do e realizojë zyra e shtypit e Komandës së SHBA dhe Europë, Ambasadat amerikane në territoret e stërvitjes dhe media që caktojnë ata vetë. Këtë organizim e kanë bërë për arësye sigurie, si dhe shmangien e thashethemeve e Fake News.  Billi e di mirë këtë. NATO-ka standartet e rregullat e veta, të cilat duhen zbatuar në ushtrinë tonë. O çekist, përktheje si e ka NATO, dhe mos shpik rregulla e teori me leng qepe. Që mos hynin në gojët e ndrikullave tona, ata qëndrën e infromimit publik per kete stervitje  e vendosën në Shkup.

-Po diaspora  jonë, sidomos e SHBA. Duhet të jetë e mirëpritur këto dy muaj.  Kush ka në plan me ardh në Shqipëri, mirë do ishte të udhëtojë këto dy muaj në atdheun mëmë.

Komunitetet  fetare… Zakonisht në stërvitjet e tjera, ushtarët amerikanë kanë kërkuar të shkojnë në kisha e xhami. Mirë do jetë që dhe objektet tona të kultit të shkëlqejnë dhe të mbajnë nonjë përkthyes anglishte. 

-Kemi disa kompani private shqiptare që operojnë për të furnizuar trupat e NATO-s. Është koha të tregojnë korrektësinë dhe disiplinën e tyre në zbatimin e kërkesave dhe kontratës me ta. Ka mjaft kompani në Ballkan që kanë tregues më të lartë të performancës së tyre në këtë fushë. Duhet të mendojmë seriozisht për cilësinë e atyre që afrojmë, aftësive konkuruese dhe mardhënieve me ta… 

Në vend të Epilogut….

-Për herë të parë, mbas luftës së II-të Botërore zbarkojnë kaq trupa, me një mision e qëllim paqësor. Mbrijnë kaq Gjeneralë të lartë, të Ushtrisë më të fuqishme në botë. Nqs stërvitja do kurorëzohet me sukses, të tjerë zyrtarë të lartë do vizitojnë Shqipërinë, ndoshta dhe sekretari i mbrojtjes Lloyd Austin. E pra, nqs SHBA&NATO, vë në dispozicion të gjithë arsenalin e vet diplomatik, ushtarak e njerzor për sigurinë dhe paqen në Ballkan, në duhet tja kthejmë me vlerat tona më të mira, bujarinë, respektin dhe mirënjohjen tonë. Sikur rilindasit dhe kryengritësit e viteve 1908-1912, të çoheshin nga varri, do na thonin, po-bëtë atë që ne ëndërronim, po se gjenim, se gjithandej kishim kundërshtarë dhe armiq! Ndërsa sot, jemi miq të aleancës më të fuqishme në botë. I përgjason një zgjimi kombëtar të shekullit të XXI-të. Është një stërvitje historike për kombin shqiptar. Ndërkohë stërvitjes si mungon as elementi human. Reparte të specializuara të inxhinjerëve e ndërtuesve të ushtrisë amerikane, po ndërtojnë disa objekte shkollore e kopështe. Duhet me i thanë faleminderit. Kemi nja rast të bukur për sa më shumë lidhje midis djemve e vajzave nga Shqipëria e SHBA.

           Ps. Dëgjoj nga gojët e liga, se ata kanë interesa tek ne. Po ja u them o qyqarë. Ne kemi qënë dhe jemi në sferën e II-të të interesave amerikane. mos u fryni kot. Se ti ske burime strategjike, te dores se pare…Ndaj ne duhet të jemi ata që duhet ti afrojmë, që mos na hajë ariu, ujku, çakalli, dhelpra dhe lakuriqi i natës. Kujdes, mos harro se  e kemi ngrene shpesh golin në sekondën e fundit.

Filed Under: Featured Tagged With: Defender Europe 2021, Shefqet Kercelli, shqiperi

DIELLI me shqiptarët në Teksas – USA

May 3, 2021 by dgreca

–SHKOLLA “UDHA E SHKRONJAVE” NË HUSTON, GJUHA DHE IDENTITETIT KOMBËTAR  SHQIPTAR NË TEKSAS /

Edmond Shkurti, drejtues i Shkollës Shqipe “Udha e Shkronjave”Huston, Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Teksas, USA nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Edmond Shkurtin bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE “UDHA E SHKRONJAVE”

Edmond Shkurti, drejtues i Shkollës Shqipe “Udha e Shkronjave”Huston, Teksas tregon për “Diellin” se fillimet e para të kësaj shkolle filluan në vitin 2005, me iniciativën e komunitetit të Huston-it u bë e mundur që të hapej kjo shkollë, e cila funksionoi për rreth 6 muaj. Jeta e saj ishte e shkurtër si rezultat i një komuniteti të ri, të cilët nuk bënë të mundur vazhdimësinë e kësaj shkolle. Pavarësisht nga dëshira e komunitetit për të angazhuar fëmijët për të mësuar gjuhën shqipe, vijimi i kësaj shkolle u bë e pamundur për shkak të një komuniteti të ri.

RIHAPJA E SHKOLLËS MË 2016

Viti shkollor 2016-2017 do të ishte shumë i lumtur për prindërit dhe nxënësit e shkollës shqipe “Udha e Shkronjave”Huston, Teksas pasi ajo vihet në funksion të plotë dhe më e organizuar se kurrë. Duket se pas një mungesë të madhe, kishte rifilluar me energji dhe pasion patriotik më të fortë se kurrë. Edmond Shkurti, drejtues i Shkollës Shqipe “Udha e Shkronjave”Huston, Teksas tregon se mundësia e komunitetit dhe dëshira e prindërve bënë të mundur që shkolla të rihapej sërish në Shtator 2016. Hapja e shkollës ishte inciativë e Znj. Pranvera Selenica Haxhillari dhe Z. Ergi Agolli, të mbështetur nga mësuesit: Znj. Rafaela Bani, Znj. Nora Sulejmani, Znj. Erjona Rramaj dhe Z. Edmond Shkurti. Një kontribut të shquar në këtë shkollë ka pasur dhe Znj. Ilira Struga Pitarka, e cila fatkeqësisht ka ndërruar jetë. Sipas z.Shkurti organizimi ishte model, interesimi po ashtu dhe themelet e shkollës sapo kishin filluar të viheshin në një dimension tjetër, më të sigurtë dhe afatgjatë për vitet në vazhdim. Drejtuesi i Shkollës z.Shkurti kujton se me fillimin e shkollës, u krijuan 3 klasa me rreth 50 nxënës në total. Një ndër klasat përbëhej nga nxënës duke filluar nga mosha 6 vjeç e në vijim, të cilën e drejtonte Z. Edmond Shkurti dhe Znj. Erjona Rramaj. Klasa e dytë përbëhej nga nxënës të grupmoshës 3-6 vjeç dhe drejtohej nga Znj. Nora Sulejmani. Klasa e tretë përbëhej nga nxënës të moshës nën 3 vjeç dhe drejtohej nga Znj. Rafaela Bani. Përkushtimi, profesionalizmi dhe devotshmëria e këtyre mësuesve të talentuar dhe me eksperiencë janë një garanci e shtuar për  nxënësit, prindërit, komunitetin dhe Shkollën Shqipe “Udha e Shkronjave” në ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Teksas nëpërmjet mësimit të gjuhës së bukur shqipe. 

KOMUNITETI SHQIPTAR MBËSHTET SHKOLLËN SHQIPE NË HUSTON

E gjithë kjo veprimtari e shkollës do të ishte e pamundur nëse nuk do të ishte mbështetur nga komuniteti shqiptar në Huston. Edmond Shkurti, drejtues i Shkollës Shqipe “Udha e Shkronjave”Huston, Teksas, tregon për Diellin e Vatrës se në shkollë bëjnë pjesë femijë të cilët kanë të dy prindërit shqiptarë ose një nga prindërit shqiptarë. Qëllimi i shkollës shqipe është t’i mësojë komunikimin në gjuhën shqipe këtyre fëmijëve, si dhe bëjnë të mundur krijimin e identitetit shqiptar në atë vend ku nesër do të jetojnë e punojnë. Përkushtimi i mësuesve, gatishmëria për të punuar me nxënësit pavarësisht vështirësive dhe përgatitja e lartë shkencore e mësuesve kanë bërë që shkolla shqipe “Udha e Shkronjave” nëHuston të jetë një model i shkëlqyer funksionimi për të gjitha shkollat shqipe të Diasporës Shqiptare. Sipas z.Shkurti, në gjithë aktivitetin e saj shkolla ka bërë të mundur mësimin e gjuhës shqipe, zhvillimin e një sërë aktivitetesh lidhur me festat shqiptare (festa e fëmijëve, festa e flamurit, Krishtlindjet, Vitin e Ri). Gjithashtu, janë organizuar festat e ditëlindjeve të fëmijëve pjesë e shkollës, si dhe janë zhvilluar orë mësimore në natyrë. Aktiviteti i shkollës është më i gjerë, por u përpoqa të jap një panoramë të shkurtër për atë çfarë kjo shkollë ka zhvilluar këto 5 vite, të cilat për ne si mësues kanë qenë vite sfiduese të mbushura me gëzim e krenari për atë që i kemi ofruar nxënësve dhe komunitetit shqiptar në Huston të Teksasit.

SHKOLLA “UDHA E SHKRONJAVE”HUSTON PËRGJATË PANDEMISË

Viti i shpërthimit të pandemisë globale ka qenë një vit i mbushur me vështirësi edhe për shtetet më të fuqishme jo vetëm për shkollën tonë apo komunitetin shqiptar në Teksas, kujton Edmond Shkurti, drejtues i Shkollës Shqipe “Udha e Shkronjave”. Edhe pse pandemia na kufizoi fizikisht, shpirtërisht nuk jemi ndalur për asnjë moment dhe ne i kemi shërbyer nxënësve tanë e komunitetit tonë këtu. Aktualisht, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, shkolla funksionon online nëpërmjet platformës “Zoom”, por me shpresë që gjatë muajit shtator të vitit 2021 çdo gjë ti kthehet normalitetit dhe shkolla shqipe “Udha e Shkronjave”do të kthehet me klasa të reja, nxënës të rinj dhe bashkëpunëtorë të rinj- përfundoi bashkëbisedimin e tij për Diellin e Vatrës në New York, z.Shkurti.  

Filed Under: Featured Tagged With: Edmond Shkurti, Shkolla shqipe, Sokol Paja, UDHA E SHKRONJAVE

VISAR ZHITI POET DISIDENT DHE ATO VARGJE TRONDITËSE PËR TË RINGJALLUR TË BIRIN

May 1, 2021 by dgreca

Nga SEBASTIANO GRASSO/

Përktheu nga italishtja Eugjen Merlika / Marrë nga gazeta “Libertà” 25 prill 2021, Itali/

Gazetari i njohur dhe poeti Sebastiano Grasso, President i PEN Clubit italian, vazhdimisht boton shkrime, kritikë arti për personalitete të njohura të letërsisë, të pikturës, të arkitekturës, etj, kryesisht nga ata që i ka njohur dhe vetë, si për bashkatdhetarët nobelistë, Quasimodo e Montale, shkrimtarët nga Siçilia e tij, Leonardo Sciascia, apo për poetë nga bota si Rafael Alberti (Çmimi Nobel), Evgenij Jevtushenko, Adonis, etj, etj, duke krijuar një galeri magjepsëse.                                  

Para disa ditës ai nxori në gazetën “Libertá” një shkrim-ese për shkrimtarin tonë Visar Zhiti, dy faqe të plota, ku shkruan për jetën dhe veprën e tij, vlerësime dhe citate, të shoqëruara me fotografi të ndryshme, portretin e Visarit në burg apo kur ai me të shoqen takojnë Papa Franceskun në Vatikan apo foton e djalit të tyre, Atjonit, me poetin e njohur, Adonis, që jeton në Paris. Ndërkaq krahas vargjeve të Visarit, është futur një pjesë nga libri ne proces botimi në Itali, “Rrugët e ferrit”.                   

Po i sjellim lexuesit artikullin e plotë të Sebastiano Grasso-s duke vënë si nëntitull atë që ai ka vënë mbi CV e Visarit:

NGA PERSEKUTIMI, NË LIRI, NË PARLAMENT…

         Visar Zhiti është, siç thuhet rëndom, “bir arti”. I ati, Hekurani, ishte aktor, poet e komediograf shqiptar, por, i përndjekur nga regjimi, nuk kishte mundur të botonte krijimet e tij gjatë jetës (sot është shkrimtar i njohur dhe ka rëndësi në Vëndin e Shqipeve). Çfarë do të thotë kjo? Që nga mosha më e njomë, Visari (Durrës 1952) ka patur të bëjë me teatrin dhe letërsinë. 

Për fat të keq ka pësuar të njëjtin fat me prindin nën diktaturën e Enver Hoxhës. U arrestua për vargjet e tij kundër regjimit (“Rapsodia e jetës së trëndafilave”), u padit e u dënua me dhjetë vjet burg e me punë të detyrueshme (minierë bakri). Sigurisht, disave prej shokëve të tij u shkoi edhe më keq: të pushkatuar apo të varur. 

Visari nuk e kreu gjithë dënimin: doli dy vite përpara, me rënien e diktaturës. Pra, një histori dramatike, po, por me një fund më të mirë, edhe se gjurmët e plagomës kanë mbetur. Ashtu si edhe kujtimet që sjellin ankthe, shqetësime, vuajtje. 

Mbasi u lirua, brënda nja pesë vjetëve, boton nja dhjetë libra (poezi, prozë, esé). Vlerësohet me të njëjtën masë të Ismail Kadaresë. Caktohet si i dërguar kulturor në ambasadën e Shqipërisë në Itali. Në Romë fillon kariera e tij diplomatike. I zgjedhur deputet në Kuvendin shqiptar, thirret në Tiranë dhe emërohet ministër i Kulturës, detyrë që do e lërë, ndërron jetë biri i vetëm i tij, Atjonit. Rikthehet në trupën diplomatike: si kreu i ambasadës pranë Selisë së Shenjtë. Karriera diplomatike mbyllet në ambasadën e Uashingtonit, që e lë në moshën 65 vjeç.

         Me Visarin jemi njohur në Milano, në shtatorin e vitit 1991, ku ai erdhi së bashku me gazetarin Lanfranco Vaccari, i cili e kishte nën mbrojtjen e tij. Pra, ishte vendosur pranë “Corriere della Sera”-s për një stazh gazetarie. Flokë kaçurrela, jo shtat lartë, as i bëshëm, shprehet në një italishte jo të përsosur e shpesh nuk arrin të mbarojë fjalinë. Bën praktikë në redaksi e, në të njëjtën kohë, përkthen poezi e tregime nga italishtja në shqip për gazetat e Tiranës. Dorështyp qindra faqe (veçanërisht vargje e tregime) me një makinë shkrimi shumë të vjetër, një Olivetti, që kishte së paku njëzet vite, të gjetur kush e di se ku. Me gjasë ishte një kundërveprim ndaj pamundësisë për të shkruajtur në qeli. Tani mund të nxjerrë dufin, të hedhë mbi letër ndjesitë e reja të njeriut të lirë, teksa sheh përqark që të kundrojë gratë e ëndërruara për vite. Herë herë një frymëmarrje e thellë, për të thithur ajrin e lirisë, e bën të rrotullojë kryet. Nuk buzëqesh shpesh, por kur e bën, mbi fytyrën e tij krijohen rrudha. Është i etur për lexime, por nuk ka para të mjaftueshme për të blerë libra. Dhurata më e pëlqyer për ndonjë festë apo përvjetor? Libra, vetëm libra. Aq e fuqishme është dëshira për të lexuar, saqë herë herë na rithotë se mbas pak ditësh ka ditën e emrit ose ditlindjen. Besoj se në një vit ka arritur të përmbushë pesë a gjashtë të tilla. Kur na lajmëron që ka datëlindjen prapë, të gjithë të kapluar nga harresa, i shkelim syrin. E kështu, në ditën e brohoritur, urimet shoqërohen gjithmonë nga pako me libra. Ha së bashku me ne në sallën-restourant të gazetës dhe shpesh e shëtisim nëpër qytet. Gjërat që e mrekullojnë më shumë janë mbitregjet. Gjithë ai bollëk e huton.

         Më 1997, Zhiti boton përmbledhjen e tij të parë të poezive në Itali “Kryqi prej mishi”, të përgatitur nga Elio Miracco: një dëshmi tragjike e historisë së tij vetiake, që, natyrisht, përkon me atë të Vëndit të tij. Vazhdon “Rrëfimet pa altarë”, ku Visari, edhe njëherë, i dorëzon jetën e tij dramatike vargjeve që kthehen në pasqyrë të “historisë të kombit të tij”. Poet e gladiator. Poet e muziktar. Poet e kalorës i Varrit të Shenjtë. Poet e artist. Poet e ushtar. Poet e punonjës hekurudhash. Poet e magjistar. Poet e mjek. Poet e i mërguar. Poet e punëtor. Poet e ëngjëll. Për të mos u zhytur në një dëshpërim pa rrugëdalje, 

Visari çdo ditë vetëshpik shëmbëlltyra e role të ndryshme për vetvehten sepse, më së fundi, dëshëron të mbetet vetëm poet. Pra, del “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”: një roman që në kundërshtim me atë që thuhet, nuk lexohet i gjithi me një frymë. Duhet një javë e mirë për ta mbaruar. Është një roman për t’u gjerbur si vera e mirë. Të bën të përsiatësh, të gjindesh i përzjerë, madje të mallëngjehesh. Janë Kafka e Xhojsi, bashkëkohësia letrare e realizmi magjik, shpikja e realiteti. Por është dhe një libër i vështirë, i trishtë; nga disa anë edhe i tmerrshëm, i pazakontë, shkandullues. Pra, i jashtzakonshëm. Çdo kapitull është një tregim më vehte, një lloj futjeje në një tragjedi të pandërprerë që prek vënde të ndryshme. I filluar të shkruhej në Vjenë, mbaron në Tiranë. Dy janë personazhet kryesorë. Fotografi diletant Feliks Kondi dhe Ema Marku, një gjimnaziste e re që arrestohet, sepse mban në qafë një zinxhir me një kryq dhe lexon Biblën e të tjerë libra të ndaluar nga regjimi shqiptar i Hoxhës.

         E liruar, gruaja ndalohet sërish, sepse në shtypin e Opozitës padit dhunat e torturat të pësuara në burg dhe “shndërrimin” në demokraci të vrasësve politikë e të burokratëve të dhunës. Feliksi, kur ishte i pranishëm në proçesin farsë, mbetet i mahnitur nga gojtaria dhe bukuria e gruas dhe dashurohet me të. Por policia e fshehtë vendos ta vrasë. Feliksi tërbohet, rrëmben arkëmortin dhe e ngarkon mbi shpatulla. Një përçartje. Mbi sfond në fakt tërbohet diktatura. Në të vërtetë bëhet fjalë dhe për një libër kujtimesh. Mbas personazhit të Feliksit është Visari dhe vitet e tij të gjata të burgut. Feliksi vendos të vijë në Itali. Ndalesa e parë është Bari, ku braktis valixhen e vjetër për të shëtitur qytetin: do të bëjë një krahasim me Tiranën e Durrësin. Pastaj shkon në Romë, në shtëpinë e një miku shqiptar të mërguar. Pranë tij është fantazma e Emës. Viziton vënde të shikuara në Tv italian. Shpesh nuk kujton se ku gjëndet: i përhitet të jetë në Francë, në Greqi, në Vëndet Veriore, në Kosovë. Në Bolonjë është duke hyrë në një bar, por përplas me forcë kryet në derën e xhamtë. I thotë kamarierit: “Vij nga një Vënd pis, përse e keni larë kaq mirë gjithë këtë qelq? Nuk kuptohet që është një derë”.              Shqipëria kërkon Evropën, por Evropa është e pamëshirëshme. Nga Roma në Vjenë. Feliksi njeh një librashitëse që i ngjet Emës, por ajo femër nuk pranon të bëjë dublanten e saj. Udhëtimi vazhdon. Feliksi mban gjithmonë me vete një dosje me dëshmira e prova të krimeve të diktaturës, përfshirë edhe vrasjen e Emës, për ta shpënë në gjykatën e Hagës. E fsheh nën xhaketë, nën jastëk, kudo ku fle; por nuk arrin ta dorëzojë. I dëshpëruar mendon se nuk ka kuptim të kërkojë të dënohet gjithë Vëndi i tij. Kthehet në Vjenë në fundvit. Qyteti në festë pret ardhjen e 2000-shit. Drita, dëborë, të dehur. Feliksit, të lodhur e të ligështuar, me flatra mbi supe, që mendon se i kanë mbirë nga që është një gjysmazot. Fillon të shpejtojë nëpër rrugë në drejtimin e kundërt me të gjithë. Makinat i kalojnë anash me shpejtësi. Mbi këmbësore pengohet e përplaset me vetrinat e shitoreve, plagoset, i rrjedh gjak, qesh e vazhdon të vrapojë. Kur kryqëzohet me një urë mbi Danub, vendos të takojë Emën. “Kush i do flatrat e mija?”, pyet para se të kridhej në ujin e akulltë.

         Gjatë Meshës së Papa Françeskut në Vatikan – 5 qershor 2016 – Visar Zhiti shkon në kërkim të “pëllumbit të bardhë” të fëmijërisë të birit të vetëm, Atjonit. I kthyer në Tiranë nga Milano, për pushimet e Krishtlindjeve 2014, Atjoni mbaron në një aksident me motorr. Është 19 vjeç dhe studjon në Universitetin Katolik. Zakonisht mbas leksioneve, kalon tek unë. Djali im është i martuar dhe jeton gjetiu. Dhe Atjoni bëhet një prani e përherëshme në shtëpinë time. Rreth orës pesë të mëngjezit, mamaja e tij, Eda, më telefonon nga Tirana: “Atjoni… jemi në morg” dhe dënes. “A je e sigurtë? Do të jetë duke fjetur. Do të shohësh se mjafton një përkëdheli për ta zgjuar”, i përgjigjem. Kur Visari dhe e shoqja vijnë në Milano për të tërhequr gjërat e Atjonit, natyrisht i mirëpres në shtëpinë time. Arrijnë në ora shtatë të mbrëmjes. Një orë më vonë darka është gati. Në tavolinë Visari dhe Eda nuk prekin asgjë. Zbuloj n’atë çast se kanë vendosur të vdesin. Bëj një lëvizje kundërshtimi. Ngrihem: “Unë nuk pajtohem. Ose hani, ose shkoni në hotel e këtu mos shkelni më. Nuk dua të jem bashkëpuntor i një “gjëje” kështu. Kisha thënë “gjë”, sepse nuk dija si ta quaja. Shohin njëri tjetrin, më shohin mua, kuptojnë se flas me gjithë mënd. E fusin diçka në gojë.

         Në vitin e dytë të Filozofisë Atjoni kishte filluar të shkruante mbi politikën në gazetat shqiptare, (në kryeqytet dikush shtrembëron buzët, me që n’atë kohë babai i tij është ministër i Kulturës). Shpesh i them të mos verë në siklet Visarin: ndonjëherë më dëgjon. Atjoni është edhe piktor. Por e mësoj mbasi ai kishte ikur; nuk m’a ka thënë kurrë për hajthmëni. Pikërisht një vizatim i tij shfaqet mbi kapakun e librit të ri me vjersha të Visarit: “Nata është atdheu im”: Po ku është pëllumbi yt, Bir/, pëllumbi i bardhë i fëminisë tënde? Pyet poeti “E nuk doje të rritëshe/ se ashtu as pëllumbat/ nuk trëmbeshin prej teje…

         Si në fletët muzikore, libri fillon me një “lentissimo”: (Marr dorën e butë të kësaj mbrëmjeje e ledhatoj, pastaj e hap për të parë fatin”),  për ta ndryshuar  tempin në një  “stringendo”: (Do të doja që shpirti im/ […] si një mantel i padukshëm t’ju mbështillte,/ku përsipër të ndiheshin fjalët e mia/ si një shi i magjepsur.), për ta mbyllur me një “doppio movimento”; Kjo ditë e gjithë për të kujtuar… /Por tmerri është më i madh, nuk e nxë dot kjo ditë,/del përtej. […]/ Dua dhe unë ditën time të harresës…”)

         Më vijnë nëpër mënd dy poetë të tjerë të goditur nga fati në të njëjtën mënyrë: Giosuè Carducci dhe Giuseppe Ungaretti. Carducci do të shkruante “Rimat e reja” për të birin Dante, tre vjeç; Ungaretti , “Dhimbja” për Antonetto-n nëntë vjeç. Vargje sfilitëse të poetëve që ringjallin bijtë e tyre, mbase me mendimin se bëhen etër për të dytën herë.

         Përktheu nga italishtja Eugjen Merlika      

Marrë nga gazeta “Libertà” 25 prill 2021, Itali

Filed Under: Featured Tagged With: Poeti Disident, Sebastiano Grasso, Visar Zhiti

VATRA INKURAJON HETIME GJITHËPËRFSHIRËSE PËR TË VËRTETËN ELEKTORALE NË SHQIPËRI

April 30, 2021 by dgreca

  • INTERVISTË E GAZETËS”DIELLI” ME KRYETARIN E FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS”VATRA” PAS KTHIMIT NGA SHQIPËRIA-/
  • ELMI BERISHA: VATRA DO TË INFORMOJË ME KORREKTËSI INSTITUCIONET AMERIKANE PËR ZGJEDHJET E 25 PRILLIT-/
    • Elmi Berisha, kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, në një rrëfim të gjatë për gazetën “Dielli” dhënë gazetarit Sokol Paja, pas kthimit nga vizita në Shqipëri, skanon ecurinë dhe takimet intensive që delegacioni i Vatrës zhvilloi në Shqipëri me rastin e zgjedhjeve Parlamentare të 25 prillit. Sipas kryetarit z.Elmi Berisha, Vatra inkurajon hetime gjithëpërfshirëse për të vërtetën elektorale mbi zgjedhjet në Shqipëri, pasi e  vërteta u bën mirë institucioneve dhe qytetarëve të republikës së Shqipërisë. Z.Berisha tregon me detaje për vizitën e delegacionit të Vatrës në familjet e prekura nga termeti dhe ndihma që do japë Vatra për këto familje, tregon detaje të kontributit për zgjedhje të lira dhe demokratike në Shqipëri, takimet me Presidentin e Republikës Meta, ish-kryeministrin Berisha, liderin e opozitës Basha, vizitën në Autoritetin e Dosjeve, takimin me akademik Beqir Metën, pjesmarrjen në takimin elektoral dhe mbeshtetjen e dhënë kandidates, që kishte mbështetjen e të përndjekurëve politikë Ledina Fratari, si dhe takimi me simbolin e qëndresës antikomuniste në Shqipëri Simon Mirakajn. 

z.Kryetar si ndjeheni pas kthimit nga vizitat e rëndësishme në Shqipëri dhe Kosovë?

Ndjehem jashtëzakonisht i lumtur për vizitat që patëm në Shqipëri me një pjesë të Kryesisë së Vatrës. Kjo ishte një vazhdimësi e shkëlqyer e traditës vatrane, ndjekur prej vitesh me radhë.

Vatra nuk mund të mungojë dhe nuk mund të qëndroj larg në momente të rëndësishme, siç janë zgjedhjet, apo procese të ndryshme kombëtare si në Shqipëri, Kosovë apo vise të tjera kombëtare. Vatra ka dhënë dhe jep kontributin e saj për të mirën e shqiptarëve në shtetet amë. Ajombështet proceset demokratike dhe monitorimi i zgjedhjeve dhe mbarëvajtja e tyre kanë një rëndësi për Vatrën dhe çdo shqiptar kudo që jeton e punon. Ndjehem shumë i gëzuar që së bashku me përfaqësuesit më të denjë të Vatrës kryesuam një delegacion për të monitoruar dhe mbështetur proceset demokratike në Shqipëri. 

A e përmbushi Vatra misionin e saj gjatë kësaj vizite të rëndësishme në Shqipëri me rastin e zgjedhjeve parlamentare?

Vatra bëri një vizitë historike dhe një përfaqësim dinjitoz në Shqipëri në një kohë shumë të rëndësishme për qytetarët shqiptarë siç ishin zgjedhjet parlamentare.Vatra e përmbushi më së miri misionin,qëllimin dhe angazhimin e saj në dobi të qyytetarëve shqiptarë, proceseve demokratike dhe betejës për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Vatra ka kërkuar institucione të forta dhe të qëndryeshme, zgjedhjet të lira dhe me standarte, sundim të ligjit, respektim të drejtave të njeriut, luftë krimit e korrupsionit, zhvillimin e ekonomisë, krijimin e një shpresë të re në shqipëri që të mos shpopullohet Shqipëria, zhdukjen e nepotizmit dhe kryerjen e reformave të qënësishme që zhvillojnë Shqipërinë dhe e afrojnë atë me Perëndimin. 

Si u prit Vatra në Shqipëri ?

Në këtë vizitë shumë të rëndësishme që ne si Vatër zhvilluam në Shqipëri, u pritëm në mënyrë të shkëlqyer, siç është pritur gjithmon Vatra në këta 30 vite.Vizitën e filluam nga Shkodra ku nderuam vëllain e nën/kryetarit të Vatrës, studjuesin Eduard Grishaj i cili u nda tragjikisht nga jeta pak javë më parë dhe më pas kemi vazhduar në Tiranë duke u takuar me Presiodentitn e Republikës z.Ilir Meta, ish kryeministrin Prof.Dr Sali Berisha, liderin e opozitës Lulzim Basha, kryetaren e Autoritetit të Dosjeve znj.Gentiana Mara Sula, qëndrestarin e persekutimit komunist në shqipëri z.Simon Mirakaj, Akademik Beqir Metën që po përgatit një studim të shkëlqyer mbi historinë e Vatrës, kemi vizituar familjet e prekura nga termeti dhe në fund kemi mbështetur publikisht kandidaten për deputete të shtresës së të përndjekurve politikë znj. Lediana Fratari. Zhvilluam bisedime dhe takime intensive ku Vatra këmbënguli fort në misionin e vizitës së saj. Dua të theksoj ftesën nga Doktor Berisha i cili u ndje shumë i respektuar dhe na falenderoi pafund për ndihmën që po jep Vatra jo vetëm në histori por edhe në këtë moment shumë të rëndësishëm për shtetin dhe popullin shqiptar. Doktor Berisha parashtroi vështirësitë për zgjedhje të lira dhe të pamanipuluara dhe ne i premtuam se do të jemi kurdoherë aktivë në proceset vendimmarrëse të shtetit e kombit shqiptar. 

Ju kanë etiketuar në shtyp për njëanësi politike dhe lidhje me të djathtën, çfarë komenti keni për këtë?

Vatra ka qenë gjithmonë më afër të djathtës për shumë arsye historike, shpirtërore dhe ideologjike. Me të majtën nuk kemi pasur asnjëherë qasje të afërt. Vatra shkoi natyrshëm në misionin dhe qëllimin e saj. Vatra përkrah çdo shqiptar pa dallim. Ne nuk kishim asnjë ftesë nga e majta në Shqipëri. Të majtët edhe kur vijnë në New York, nuk kujtohen për Vatrën. Qasja jonë është e qëndrës së djathtë. Vizita jonë dhe kontributi ynë në Shqipëri ishte i natyrshëm dhe shumë i përshpirtshëm. Uroj në të ardhmen që institucionet dhe të majtët në Shqipëri të kujtohen dhe të ndërgjegjësohen se Vatra punon për çdo shqiptar dhe jo vetëm për individë të caktuar apo parti politike. Vatra do të bashkëpunojë dhe punojë me të gjtihë ata që do ta kërkojnë ndihmën dhe bashkëpunimin tonë. Fakti që opozita ka kërkuar të takohet me ne do të thotë se ata ndjehen më të afërt me ne. Të majtët më kanëbërë presion dhe më kanë  kërkuar gjatë vizitës, që të mos ndërhyj në punët e brëndshme të Shqipërisë, por ua kam bërë të qartë se Vatra është mbi partitë dhe ka synim të kontribuojë për mirëqënien e çdo qytetari në Shqipëri, Kosovë e në viset shqiptare. Vatra ka misionin, qëllimin, filozofinë dhe qëndrimet e saj dhe nuk i ndryshon për askënd pavarësisht se kujt i pëlqejnë apo jo. Ne do ta japim ndihmën dhe bashkëpunimin tonë në çdo rast kur kërkohet për të mirën e mbarë qytetarëve shqiptarë dhe jo individëve të caktuar. 

Cili është qëndrimi juaj për zgjedhjet në Shqipëri?

Zgjedhjet Parlamentare në Shqipëri u zhvilluan në një klimë tensioni dhe parrregullsish të theksuara. Partia në pushtet vodhi të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë dhe i përdori për të fituar pushtet. Kjo është diçka e rëndë dhe e papranueshme ne një shtet demokratik. Kjo është një gjë shumë serioze dhe nuk i bën legjitime këto zgjedhje pasi qeveria duke përdorur fuqinë e pushtetit institucional ushtroi presion mbi zgjedhësit nëpërmjet eksponentëve të caktuar të veshur me pushtet ekonomik dhe politik dhe bleu votat. Ky fakt e ka shqetësuar tejmase Vatrën. Shqiptarët kanë nevojë për të vërtetën mbi zgjedhjet. Uroj dhe shpresoj që sa më parë e vërteta sesi u votua dhe kush fitoi realisht në Shqipëri të zbulohet sa më shpejt. Vatra inkurajon hetime të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse për të vërtetën elektorale në Shqipëri. E vërteta u bën mirë institucioneve dhe qytetarëve të republikës. Është një domosdoshmëri e panegociueshme që në një shtet demokratik të sigurohen të dhënat personale të qytetarëve dhe të mbrohen me ligj. Patronazhimi, vjedhja e database të qytetarëve shqiptarë është shkelje e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Qytetarë të survejuar dhe të intimiduar kudo e ngado. Pushteti përdori çdo mjet për të fituar zgjedhjet me çdo kusht edhe në kundërshtim me ligjin. Gjithësesi ne do të informojmë institucionet amerikane rreth situatës parazgjedhore dhe ditën e  zgjedhjeve.

Si e gjykoni përfshirjen e institucioneve shtetërore në zgjedhje, pra si pushteti përdori shtetin për të fituar zgjedhjet?

Institucionet shtetërore dhe njerëzt të lidhur me pushtetin kanë shantazhuar e bërë presion për votën.Dora e pushtetit dhe shtetit ndjehej ngado e kudo. Ne kemi pasur informacione të sigurta si nga opozita dhe ambasadat ndërkombëtare për atë që po përgatitej të ndodhte në Shqipëri. Shteti u vu në shërbim të partisë në pushtet për të fituar zgjedhjet. Shteti me të gjitha fuqitë dhe kapacitetet u vu në shërbim të partisë në pushtet. Këto zgjedhje u zhvilluan në një klime të tensionuar dhe jo demokratike. Është mëse e qartë që pushteti përdori shtetin për të fituar partia shtet. Është abuzuar me votën e qytetarëve. Ne jemi në një vijë me denoncimet e OSBE-ODHIR, se përveç shit-blerjes së votës, njësimi i shtetit me partinë në pushtet,mbetet një rrezik permanent për ta mbytur demokracinë dhe zgjedhjet e lira. Vatra do të vazhdojë misionin e qëllim e vet. Vatra do ta duartrokasë atë parti që bën gjëra të mira për qytetarët shqiptarë dhe do ta kritikojë me gjithë fuqinë e saj atë parti që nuk u shërbën qytetarëve. Vatra do ta ngrejë gjithmonë zërin për të mirën e përgjithshme të shtetasve shqiptarë kudo ata gjenden. 

Pse Vatra mbështeti hapur vetëm kandidaten e ish të përndjekurve politikë Lediana Fratari?

Për Lediana Fratarin ishte mbështetje me ndërgjegje, me zemër dhe me shpirt.E kishim mision të parardhësve vatranë që diktatura i vrau, i pushkatoi, i burgosi, dhe i syrgjynosi kampeve të internimit.Të përndjekurit e regjimit komunist në Shqipëri janë heronjt të vërtetë. Askush nuk mund ta imagjinojë persekutimin e padrejtë që ata kanë përjetuar mbi kurriz. Ne u pritëm në mënyrë të shkëlqyer nga të gjithë të përndjekurit në Shqipëri dhe Vatra vendosi ta pëkrahë hapur këtë kandidate dinjitoze. Ne kemi qenë gjithmonë pro të përndjekurve politkë në Shqipëri. Ne i kemi përkrahë dhe do ti përkrahim në të gjitha proceset dhe kauzat që ata ndjekin e kërkojnë. Kjo mbështetje është e drejtë morale jona, mbi të gjitha për atë që Lediana përfaqësonte në këtë kandidim për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Ne ende besojmë se vajza si Lediana do ta sjellin ndryshimin në Shqipëri.

Çfarë mbresat ju ka lënë vizita në familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri?

Vizita e delegacionit të Vatrës në familjet e prekura nga termeti ishte shumë domethënëse për tu gjendur pranë vëllëzërve e motrave tona në ditë kaq të vështira. Një ndër qëllimet kryesore të vizitës në Shqipëri ka qenë kontakti dhe komunikimi me këto familje në mënyrë që Vatra tu ndërtojë shtëpi këtyre familjeve me fondet që Vatra ka grumbulluar dhe pse jo të fillojë një fushatë tjetër për mbledhje fondesh shtesë. Jemi ndjerë tepër të trishtuar për gjendjen në të cilën shteti kishte lënë në mëshirë të fatit qytetarët e tij. Njerëz të braktisur, që kishin mbi 1 vit e gjysmë që jetonin në çadra, fëmijë pa shkollë, dhe jetësë në kushte skandaloze. Qeveria kishte harruar qytetarët e saj. Familjet kishin nevojë emergjente për ndihmë.Gjendja reale ishte e tmerrshme. Dimër e verë një jetësë e rëndë në çadër. Takuam njerëz fisnik dhe të dashur. Jemi mallëngjyer nga këto takime. Nuk e përshkruaj dot emocionin që kemi përjetuar si delegacion. Familja Jaku kishte nevojë imediate për ndihmë dhe sidomos fëmijët për shkollim. Ne do i gjendemi pranë kësaj familje. Ne do të bëjmë gjithçka tu gjendemi pranë. Shqipëria ka nevojë për solidaritet.

Si po shkon kërkimi shkencor për botimin e librit studimor për historinë e Vatrës?

Një ndër objektivat e vizitës së delegacionit të Vatrës në Shqipëri ishte edhe takimi me Akademik Beqir Metën i cili po punon fuqishëm për librin shkencor të historisë së Vatrës. Patëm një takim shumë frytëdhënës dhe u njohëm nga afër me punën voluminoze shkencore të Akademikut Beqir Meta i cili dëri më tani ka bërë një punë kolosale. Historia e Vatrës po del në dritë dhe i shprehim mirënjohjen dhe falenderim profesor Beqir Metës për punën fisnike që është duke përgatitur. Shpresojmë dhe kemi besim se libri do të jetë gati në vitin e 110 vjetori të Vatrës, pra vitin e ardhshëm. Po përgatitet një punim shkencor dinjitoz, jemi me fat për këtë bashkëpunim dhe libri studimor që do jetë shumë shpejt në dorën e vatranëve dhe studjuesve shqiptarë e të huaj. 

Çfarë mbresash ju la vizita në Autoritetin e Dosjeve?

Në autoritetin e dosjeve patëm një vizitë shumë mikpritëse dhe miqësore. Dua ta falenderoj Kryetaren e Autoritetit Gentiana Mara Sula e cila u shpreh e gatshme për bashkëpunim dhe na ofroi çdo qasje në dokumentacion për hulumtime dhe kërkime sipas ligjit dhe procedurave të marrjes së informacionit dhe njohjes me dokumentet. Ishte një takim shumë emocional ku u njohëm me disa dosje persekutimi të njerëzve të pafajshëm. E pa imagjinueshme vuajtja e padrejtë me të cilën janë përballur qytetarët shqiptarë gjatë diktaturës komuniste. Persekutime rrënqethëse. Falë bashkëpunimit të ngushtë me Autoritetin e Dosjeve, Vatra në vazhdim do të ketë akses që të bëjë vetting për strukturat e saj, veçanërisht për  të gjithë ata që e sulmojnë apo hedhin baltë mbi Vatrën. E vërteta i bën mirë secilit prej nesh.

Një mesazh për vatranët dhe të gjithë shqiptarët

Vatra do ta ruajë misionin e saj të shenjtë duke qenë gjithmonë një institucion shpirtëror, patriotik dhe atdhetar me qëllim për të punuar ditë e natë për kombin shqiptar. Vatra do të kontribuojë në vazhdim në proceset demokratike dhe do kërkojë rritjen e mirëqënies për shqiptarët në Kosovë, Shqipëri e trevat shqiptare. Vatra do të punojë fort që të mbrojë interesat kombëtare të shqiptarëve dhe të kontribuojë për shtete të forta, reforma të thella dhe institucione funksionale që garantojnë zhvillim ekonomik, barazi para ligjit dhe garantim të lirive e të drjetave themelore të njeriut. 

Filed Under: Featured Tagged With: dielli, Interviste

Gonxhe – Historia e patreguar për fëmijërinë e Nënë Terezës….

April 30, 2021 by dgreca

Gonxhe – Historia e patreguar për fëmijërinë e Nënë Terezës është në rrugën e saj të prodhimit nga Filmat me Ngjyra/

Intervistoi E.B., Nju Jork/

Themelueset e kompanisë “Filmat me Ngjyra” Greta dhe Vilma Zenelaj tregojnë për projektin e shumëpritur për Nënë Terezën – “Gonxhe”. 

Çfarë ju frymëzojë për të shkruar për Nënë Terezën?

Vilma dhe Greta Zenelaj: Duke qenë nga Shqipëria, ne gjithmonë kemi dashur të shkruajmë për të pasi ajo ishte gjithashtu shqiptare, por nuk menduam të shkruajmë për Nënë Terezën kaq shpejt. Ishte gjithmonë në te ardhmen, ne thonim “oh po duhet të bëjmë një film për Nënë Terezën dhe punën e saj në Kalkuta”. Ne nuk e dinim se çfarë saktësisht. 

Vitin e kaluar, 2020, kishim më shumë kohë të lirë. Vilma kishte filluar të shkruante romanin e saj të parë dhe pas dy muajsh ajo donte të bënte një pushim. Ne biseduam dhe menduam se çfarë të punojmë më tej, dhe Nënë Tereza na erdhi në mendje. Ne menduam për punën e saj në Kalkuta dhe pamë disa filma të bërë për të. Ata ishin pothuajse të gjithë të njëjtë vetëm të filmuar në periudha të ndryshme te jetës së saj. 

Ne donim të sillnim një histori të re të Nënë Terezës dhe gjëja me të cilën mund të lidheshim më shumë ishte trashëgimia dhe kultura jonë shqiptare. Ne kishim mendim se Nënë Tereza duhet të ketë patur një ndikim të jashtëzakonshëm gjatë viteve të saj të fëmijërisë për ta frymëzuar atë që të bëhej një shërbëtore dhe një murgeshë. Dhe, pasi kërkuam dhe lexuam për të ne zbuluam se ajo vinte nga një familje shumë e dashur, fetare dhe bamirëse që influenconte komunitetin dhe qytetin e tyre.

Cili është publiku që do ta shikojë këtë film?

Vilma dhe Greta Zenelaj: Ne besojmë se audienca për këtë film është çdokush që ka një kuriozitet ose interes për Nënë Terezën, i cili është i shumtë. Shumica e njerëzve me besim te Zoti do ta shohin këtë film historik dhe inkurajues. Ne besojmë se do të frymezojë shumë individë që ndoshta kanë lënë mënjanë deshirat e tyre dhe jane kenaqur më pak, por nuk është kurrë vonë për të bëre diçka pë të realizuar ëndrrat e tyre dhe të ndihmosh dikë që ka nevojë, në emër të Zotit.

Çfarë sfidash parashikoni për realizimin e këtij skenari, filmi?

Vilma dhe Greta Zenelaj: Asgjë nuk është 100% e sigurtë kur bëhet fjalë për prodhimin e filmave. Nga përvojat profesionale dhe e jetës, sfidat janë një pjesë e jetës. Sfidat mund ta shtyjnë dikë të bëhet krijues dhe ti japi zgjidje problemeve ne një mënyrë tjetër që ndoshta nuk ka ekzistuar më përpara. Kështu që jo çdo sfidë është negative.  Por një nga kufizimet e dukshme mund të jetë pandemia globale. 

Një sfidë tjetër mund të jetë gjetja e lagjes së duhur për të filmuar këtë pjesë të periudhës që të ngjajë me komunitetin e asaj kohe, në Shkup pas largimit te Otomanëve. Shumë nga shtëpitë dhe ndërtesat 100 vjeçare janë zëvendësuar me ato të reja moderne. Pra, nuk jemi të sigurtë nëse do të ndërtojmë një set ose do të punojmë me atë që ka mbetur në ato lagje, por supozojmë se do te vendosim kur të arrijmë atje.

Kush duhet të vijë për të parë këtë film?

Vilma dhe Greta Zenelaj: Të gjithë duhet të vijnë dhe ta shohin këtë film. Kjo do t’i frymëzojë njerëzit, t’i japi kurajo për të ndjekur ëndrrën e tyre.

Ku do të xhirohet filmi?

Vilma dhe Greta Zenelaj: Për momentin nuk është vendosur akoma, por planet tona për xhirime janë Shkupi dhe Shkodra, Shqipëri. Ne kemi filmuar Eagle në Shqipëri dhe me të vërtetë e kemi shijuar atë përvojë, kështu që ne jemi njohur me procesin atje, por ne gjithashtu duam të eksplorojmë se çfarë ofron Shkupi pasi gjithçka ka ndodhur atje, lindja dhe rritja e Nënë Tereza.

Si eshte experienca qe keni me njëra-tjetrën si motra dhe partnere biznesi?

Vilma dhe Greta Zenelaj: Që në vitin 2008 kur themeluam “Filmat me Ngjyra” ne nuk e dinim plotësisht se si do të punonim së bashku. Shumë na këshilluan ‘të mos përziejmë familjen me biznesin’ por ne jemi motra / shoqe të ngushta dhe e njohim njëra-tjetrën mirë, thjesht menduam ‘kemi të njëjtin qëllim në mendje, të bëjmë filma, pjesa tjetër do të zgjidhet, duke bere dhe duke pare, apo jo?’ 

Rezulton se nuk ka asgjë të tillë. Gjatë viteve të punës së bashku ne jemi munduar ti mbajmë gjërat në perspektivë, ti kushtojme vëmendje aftësive tona, cilat janë pikat e forta dhe të dobëta. Në këtë mënyrë askush nuk mbingarkohet ose ngarkohet me me shumë punë sesa duhet. Ne mësuam të delegojmë punën dhe të përqendrohemi në atë që jemi më të prirur duke e zotëruar atë. T’i japim hapësirë njëra-tjetrës për të marrë frymë është thelbësore, dhe të kuptosh që edhe pse jemi motra dhe shoqet të mira dhe sigurisht që na pëlqejnë të njëjtat gjëra, ne jemi dy individë të ndryshëm. 

Ne mësuam ta vlerësojmë njëra-tjetrën. Përgjithsisht është angazhimi dhe përpjekjet tona që e bëjnë të mundur këtë gjë. Sigurisht, ne kemi momentet tona, por nuk i lëmë ato momente të shkatërrojnë gjithçka për të cilën kemi punuar kaq shume. Ne jemi të bekuar që kemi njëra-tjetrën dhe falënderojmë Zotin për këtë.

A keni një ekip produksioni të gatshëm për filmin Gonxhe?

Vilma dhe Greta Zenelaj: Ne e kemi diskutuar skenarin me të tjerët të cilët duan të bashke punojnë dhe ata kanë shprehur dëshirën për t’u bërë partner me ne. Për momentin është akoma shumë herët për të punësuar një ekuipazh pasi vendimi për vendin e xhirimit do të përcaktojë edhe ekipin e prodhimit. Ne preferojmë të punojmë me talente lokal, sepse kane nje zell dhe përkushtim të theksuar. Ata janë gjithmonë aq mirënjohës për përvojën dhe shprehin kënaqësi për të qenë pjestar te filmit. Por ne e dimë që ekipet e xhirimeve kanë tendencë të bëhen familje gjatë xhirimeve, kështu që ne presim me padurim të krijojmë këtë familje të re filmike. Do të jetë një përvojë e re dhe emocionuese.

Çfarë e bën një film të shkëlqyeshëm për ju? A ka disa cilësi që e bëjnë një film më të mirë për ju?

Vilma dhe Greta Zenelaj: Historia është ndoshta gjëja më e rëndësishme. Nëse keni një histori / skenar të mirë, do të bëni që të tjerët të bashkohen me ju dhe t’ju ndihmojnë për ta kthyer atë në një film. Të kesh aktorë të shkëlqyeshëm që sjellin personazhet në jetë, ndihmon në përmirësimin e historisë. Ata nuk kanë pse të jenë aktorë të njohur apo të famshëm, thjesht të mirë. 

Shumë herë ne shohim aktorë të njohur në filma qe nuk e luajnë mirë rolin kjo tregon se ata nuk janë ne karakter dhe nuk jane të interesuar për suksesin e projektit. Duket sikur ata janë atje vetëm për t’u paguar. Mund të jetë gjithashtu faji i regjisorit që neglizhon të drejtojë aktorët e famshëm. Disa regjisorë mendojnë se kanë një aktor famos në filmin e tyre dhe nuk kanë nevojë t’u japin ndonjë drejtim sepse ai / ajo i di të gjitha. Por regjisori ka nevojë të drejtojë çdo aktor. Nuk ka rëndësi nëse ata janë një aktor me përvojë apo një aktor për herë të parë. 

Ndriçimi i skenave, skenografia janë shumë të duhura për skenat, po ashtu një pjesë e rëndësishme e krijimit të filmave. Ju nuk mund të vendosni thjesht një aparat fotografik para një aktori dhe të prisni një mrekulli. Ju duhet të kordinoni fotografitë. Krijusit e filmit po tregojnë historinë përmes kamerës dhe lenteve të saj. Kjo është një mjet shumë i fuqishëm për të maksimizuar intensitetin e filmit.

Ne e duam kinemanë, por duam te dime nga ju si ju ndez dashuria juaj për filmat?

Vilma dhe Greta Zenelaj: Jemi rritur në Shqipëri në një kohë kur na lejohej vetëm të shikonim filma shqiptarë, të cilët ishin mjaft të mirë në të vërtetë, pavarësisht nga propaganda politike. Por në atë kohë, Shqipëria nuk prodhonte shumë filma, kështu që mungesa e bëri atë më të dëshirueshme. Na pëlqente të shikonim filma dhe na duhej të prisnim me muaj për shfaqjen e tyre. Gjithashtu, nëna jonë e donte letërsinë dhe ajo gjithmonë na recitonte poezi dhe histori të famshme. Duke e dëgjuar atë, duke na treguar histori, ne krijuam një dashur per te treguar ngjarje te ndryshme. Të dyja shkruanim poezi që kur kemi qene të vogla dhe më vonë. Por filmat ishin gjithmonë më argëtuesit për ne. Ne thjesht pëlqejmë një film të bukur.

Filed Under: Featured Tagged With: e Nënë Terezës, Gonxhe - Historia e patreguar, për fëmijërinë, Vilma & Greta Zenelaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 125
  • 126
  • 127
  • 128
  • 129
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”
  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT