• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Serbi: Marrëveshja për të pagjeturit mbetet enigmë

March 28, 2021 by dgreca

Nga Bekimi Bislimi/Familjarët e personave të pagjetur në Kosovë dhe opinioni vendor ende nuk kanë arritur të kuptojnë se cilat janë pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit, për të cilën zyrtarët e delegacionit të Kosovës në dialogun në Bruksel, qysh në shtator të vitit 2020, kishin deklaruar se është arritur me Serbinë.

Zyrtarët e qeverisë së kaluar, të ish-kryeministrit Avdullah Hoti, patën theksuar se pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit do të zbatohen vetëm në rast se arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese me Serbinë. Por, ata nuk patën sqaruar detajet e marrëveshjes.

Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti ka premtuar se çështja e të pagjeturve do të jetë prioritet i qeverisë së tij. Por, as zyrtarët e qeverisë aktuale, nuk kanë dhënë ende ndonjë sqarim se çfarë përmbajnë pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit, për të cilën palët në Bruksel, kishin arritur pajtim.

Makolli: Pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit, nuk janë bërë publike 

Sqarime lidhur me pikat, për të cilat ishte arritur pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjen e të pagjeturve, nuk ka dhënë as kryesuesi i deritashëm i delegacionit për bisedime për çështjen e të pagjeturve në grupin punues të Kosovës, Ibrahim Makolli.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ai theksoi se megjithëse janë arritur pikat e pajtimit për çështjen e të pagjeturve, ato nuk do të zbatohen në rast se nuk do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Pikat për të cilat jemi pajtuar, nuk janë bërë publike, përderisa nuk arrihet marrëveshja e përgjithshme sepse janë të paqena në qoftë se nuk ka marrëveshje të përgjithshme”, tha Makolli.

Megjithatë, më 19 nëntor të vitit 2020, në mbledhjen e Komisionit qeveritar për personat e pagjetur në Kosovë, Makolli kishte theksuar se në dialogun e Brukselit është arritur pajtimi për shtyllat, që janë parime, për çështjen e të pagjeturve. Sipas tij, kjo nënkuptonte krijimin e “një komisionit të përbashkët, i udhëhequr nga një i emëruar special i Bashkimit Evropian, mekanizëm ky i cili do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen dhe mbështetjen e procesit të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur”. 

“Ndërkaq që mekanizmat e tjerë në terren, do të jenë po të njëjtit, të cilët kanë vepruar deri më tash. E dyta, është qasja e pakufizuar në të gjitha arkivat vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ato të ushtrisë, policisë dhe të forcave të tjera të Serbisë, të cilat kanë marrë pjesë në kryerjen e krimeve në Kosovë dhe fshehjen e trupave të të vrarëve dhe të masakruarve”, pati deklaruar atëherë Makolli.

Familjarët dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, pa informacion 

Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit koordinues të Asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur, thotë se tash e rreth shtatë muaj, prej kur është thënë se është arritur pajtimi për çështjen e personave të pagjetur, as përfaqësuesit e familjarëve të tyre nuk kanë marrë asnjë informacion lidhur me këtë marrëveshje.

“Askush për asgjë nuk na ka informuar. Vetëm na kanë thënë që është diskutuar, por kurrfarë materiali nuk na kanë dhënë. Na thanë që më vonë do ta diskutojmë, se do ta përpunojnë materialin dhe të na e sjellin. Por, nuk na e kanë dhënë. Ata qe 22 vjet i kanë pasur të njëjtat premtime, por nuk kanë bërë asgjë”, theksoi Grajçevci.

Megjithatë ai ka lavdëruar punën dhe angazhimin e Komisionit qeveritar për personat e pagjetur dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët, sipas tij, kanë bërë krejt çka ka qenë e mundshme për t’iu përgjigjur kërkesave të familjarëve të personave të pagjetur.

Por, as drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, i cili në vazhdimësi, për dy dekada, ka qenë pjesë e procesit të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, thotë se nuk ka ndonjë informacion lidhur me atë se për çfarë janë pajtuar delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, lidhur me të pagjeturit.

“Për sa u përket takimeve në Bruksel, ju them të drejtën që materialin nuk e kam pasur asnjëherë, por vetëm në bazë të atyre që kam dëgjuar. Nuk kam pasur ndonjë material konkret që ta di se çka është firmosur dhe për çka është biseduar”,theksoi Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë.

Të pagjeturit “prioritet i qeverisë”, qeveria pa përgjigje për marrëveshjen 

Kryeministri Kurti, të premten, më 26 mars, pasi që ka bërë homazhe pranë memorialit në Krushë të Madhe, afër Rahovecit, ku janë varrezat e civilëve shqiptarë të vrarë nga forcat serbe, ka thënë se Qeveria e Kosovës do ta ketë prioritet çështjen e të pagjeturve dhe familjarëve të tyre dhe për këtë do të kërkojë edhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë.

“Duke bërë nderime te varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, si dhe duke u angazhuar për të zbardhur fatin e të pagjeturve, ne kryejmë një pjesë shumë të vogël të borxhit të madh që e kemi ndaj sakrificës, humbjeve dhe vuajtjeve të popullit tonë”, ka thënë Kurti.

Megjithatë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, nuk kanë qenë të gatshëm, që të paktën tash për tash, të japin përgjigje nëse kanë parë dosjet dhe nëse e dinë se cilat janë pikat, për të cilat Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtimin për çështjen e personave të pagjetur.

Gërxhaliu: Puna në terren, vazhdon

Por, pavarësisht çështjes së marrëveshjes në Bruksel, sipas Gërxhaliut, puna në terren për zbardhjen e fatit të të pagjeturve ka vazhduar, varësisht nga kushtet atmosferike. Ai thotë se tashmë është paralajmëruar mundësia e një takimi të grupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e të pagjeturve, në fund të muajit mars ose në fillim të prillit. Në atë takim, siç thotë Gërxhaliu, do të bisedohet për mundësinë e vazhdimit të punës në Kizhevak të Serbisë, ku në një varrezë masive tashmë janë gjetur mbetjet mortore të civilëve të vrarë.

“Kemi mbetur në gjysmë të punës në Kizhevak, ku janë gjetur të paktën pesë persona. Vendi është i konservuar në Kizhevak, me shtresa plastike dhe presim që t’i qasemi punës me përmirësimin e kushteve atmosferike. Në dy javët e kaluara kemi pasur takime të grupeve profesionale, me palën serbe, në kuadër të dialogut që udhëhiqet nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe kemi diskutuar për mundësinë e fillimit të punës në Kizhevak”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu shtoi se gërmimet apo hulumtimet për një varrezë të mundshme do të zhvillohen edhe në Kosovë, në një shpellë në rajonin e Hasit, ku gjatë dimrit ishte e pamundur qasja për shkak të kushteve atmosferike. Aktualisht, mbeten edhe mbi 1.600 persona që janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998 dhe 1999, fati i të cilëve ende nuk është zbardhur.

Filed Under: Featured Tagged With: enigme, Kosova-serbi, te pagjeturit

KUJTESA- KOSOVA PARA 22 VITEVE, PRANVERË MASAKRASH NGA FORCAT SERBE

March 27, 2021 by dgreca

Në Kosovë pranvera është stinë e dhembjes dhe lotëve, e nderimeve dhe përkujtimeve për heronjtë, dëshmorët e martirët e rënë për shumë të shtrenjtën lari e pavarësi/

-Kryeministri i Republikës së Kosovë, Albin Kurti: Masakrat në Kosovë janë e vërteta e Serbisë dhe e kaluara jonë e cila nuk kalon/-U.d Presidenti i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca: Serbia absolutisht nuk e ka marrë dënimin e merituar si shtet për të gjitha ato veprime gjenocidale, gjenocidin që e ka bërë në Kosovë gjatë luftës së fundit të viteve 98-99/
 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË,  26 Mars 2021/ Në Kosovë përkujtohen në 22 vjetor martirët e dy masakrave të forcave serbe,  241 në Krushë të Madhe të Rahovecit dhe 113 në Krushë të Vogël në rajonin e Prizrenit.

Në Krushë të Vogël përkujtohet edhe se në 26 mars 1999, forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe shtëpisë me plot burra shqiptarë që i kishin vrarë ia vunë edhe zjarrin dhe po atë ditë gjenocidi bënë edhe spastrim etnik duke i dëbuar me forcë gratë dhe fëmijtë drejt Shqipërisë.

Krusha e Vogël ka mbetur fshat i grave të veja dhe i fëmijëve jetimë, si pasojë e asaj masakre.

Pranvera në Kosovë është stinë e dhembjes dhe lotëve, e nderimeve dhe përkujtimeve për heronjtë, dëshmorët e martirët e rënë për shumë të shtrenjtën lari e pavarësi.

Është stina kur përkujtohet se, në 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar Adem Jashari.

Në Izbicë, fshat tjetër i krahinës së Drenicës në Kosovë, përkujtohen 147 civilë shqiptarë të pushkatuar në masakrën e 28 marsit 1999, nga forcat serbe, të cilat në përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimeve i kishin nxjerrë nga varret dhe i kishin dërguar e groposur nëpër varreza masive në Serbi.

Ndër masakrat në Kosovë që do përkujtohen në këtë pranverë është edhe ajo në  fshatin Mejë të Gjakovës, e 27 prillit 1999, kur forcat serbe kanë rrembyer nga kolonat e refugjatëve dhe masakruar e zhdukur 377 shqiptarë. Asnjëri nga të ndalurit në rrethimin e hekurt nuk kishte arritur të dilte i gjallë.

Në Kosovë ndodhi edhe masakra serbe në burgun e Dubravës, e datës 22 maj 1999, ku u vranë 114 shqiptarë të burgosur. Forcat kriminale serbe bënë masakra në gjithë Kosovën, edhe në Reçak, në Likoshan dhe Çirez, Obri, Poklek,  Suharekë, Kralan, Goden,  Rogovë,  Celinë, Lubeniq, Makoc, Kotlinë, Fushë Kosovë, Gjakovë, Rahovec, Studime, Kaçandoll, Bajgorë, Shipol, Çabër…

 Në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan nga Kosova mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan mëse 12 mijë,  e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur, ndërsa ende nuk dihet për fatin e mëse 1600 të zhdukurve ende të pagjetur. 

KRYEMINISTRI KURTI NGA HOMAZHET NË RAHOVEC: DO TË ANGAZHOHEMI SI ASKUSH MË PARË PARA NESH PËR DREJTËSI PËR KOSOVËN

Rahovec, 26 mars 2021/ Kryeministri i Republikës së Kosovë, Albin Kurti i shoqëruar nga presidentja në ardhje, Vjosa Osmani, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, deputetja Vasfije Krasniqi, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, dhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi,  si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë të nivelit qendror dhe lokal, ka bërë homazhe sot në Krushë të Madhe dhe Krushë te Vogël.

Homazhet i filluan të Kompleksi Memorial në Krushë të Madhe të Komunës së Rahovecit, në 22- vjetorin e  masakrës  së kryer nga forcat serbe të mbi 243 personave.

Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti tha se edhe sot e kësaj dite i kemi 64 të zhdukur, e në mesin e tyre edhe profesorin Ukshin Hoti.

Duke bërë nderime te varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, dhe duke u angazhuar për të zbardhur fatin e të pagjeturve, Kryeministri Kurti theksoi se kryhet një pjesë shumë e vogël e borxhit të madh që e kemi ndaj sakrificës, humbjeve dhe vuajtjeve të popullit tonë falë të cilëve ne sot e kemi edhe lirinë edhe pavarësinë.

“Drejtësia për krimet e kryera nga Serbia mungon, dhe është obligim i  yni institucional që të angazhohemi maksimalisht me Institutin e ardhshëm për Krimet e Kryera gjatë Luftës dhe me aktivizimin e  Prokurorisë Speciale e të sistemit të drejtësisë në përgjithësi në mënyrë  që të arrijmë që t’i shërojmë plagët e luftës duke zbardhur fatin e të pagjeturve dhe duke sjell drejtësi që duhet të  gjykojë e të dënojë kriminelët  e luftës”, tha ai.

Pas Krushës së Madhe, vazhduan për në Kompleksin e Varrezave në Krushë të Vogël të Komunës së Rahovecit.

“113 veta u vranë në Krushë të vogël, dhe ky është një shembull i gjenocidit të Serbisë  në pranverën e vitit 1999.  Atëherë kur ajo synonte shfarosjen e shqiptarëve, terrorin mbi neve në mënyrë që të na shporrin nga  toka jonë e lashtë, ku jemi popull autokton dhe që nuk i ka dashur askujt të keqen, por vetëm të mirën për të gjithë”,  Kryeministri Kurti.

Nga Krusha e Vogël, Kryeministri Kurti u zotua se do të angazhohen si askush tjetër para tyre, për drejtësi për Kosovën, për familjet e të pagjeturve, familjet e të vrarëve , për humbjet, vuajtjet  e viktimat që i kemi, për dëshmorët dhe martirë, të cilët paguan çmimin e njëjtë të lirisë sonë kaq të vlefshme dhe pavarësisë sonë të shpallur këtu e 13 vjet më parë.

“Përkulemi para të gjitha këtyre varreve e familjeve të cilët përditë e ndjenjë mungesën e thellë të më të dashurve të tyre që nuk ishin vetëm anëtarë të këtyre familjeve, por shqiptarë e qytetarë të vendit ndaj të cilëve kemi borxh e obligim”, përfundoi Kryeministri Kurti.

KRYEMINISTRI KURTI: MASAKRAT NË KOSOVË JANË E VËRTETA E SERBISË DHE E KALUARA JONË E CILA NUK KALON

Suharekë, 26 mars 2021/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule te obelisku i të vrarëve të familjes Berisha në Komunën e Suharekës, dhe më pas vizitoi Muzeun e Martirëve të familjes Berisha si dhe Memorialin e kësaj familjeje. Atje u shoqërua nga deputetja dhe Presidentja në ardhje, Vjosa Osmani, nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci, deputetja Vasfije Krasniqi, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë të nivelit qendror dhe lokal.

Pas homazheve, Kryeministri Kurti tha se ky muze i kësaj masakre është jeta jonë, është e kaluara jonë e pashlyeshme, traumatike, që sot shënon një plagë që kullon, plagë të hapur për shkak se nuk ka ende drejtësi për viktimat dhe as gjykime e dënime të kriminelëve serbë.

“Nuk mund të kemi të ardhme të sigurt, nuk mund të kemi paqe e qetësi përderisa nuk e kemi drejtësinë e cila jo vetëm që na është mohuar sepse na është vonuar, por për shkak se nuk ka filluar ende”, shtoi Kryeministri Kurti.

Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti tha se si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe si Kryeministër i ri, bashkë me presidenten në ardhje znj. Vjosa Osmani, do të bëjnë çmos që këtyre familjeve të cilët paguan çmimin  kaq të lartë për lirinë dhe pavarësinë tonë, t’iu dalin në ndihmë dhe të jenë përkrah tyre. Edhe sa i përket traumave, humbjeve e vuajtjeve që i kanë përjetuar, por edhe sa i përket aktivizimit sa më të madh të sistemit të drejtësisë, e në veçanti të prokurorisë, në mënyrë që kriminelët e kësaj masakre dhe shumë masakrave të tjera të përfundojnë prapa grilave.

“Masakrat në Kosovë janë e vërteta e shtetit të Serbisë dhe janë e kaluara jonë e cila nuk kalon. Ajo është në të tashmen tonë, është përditë me neve, çdo mëngjes kur zgjohemi e çdo mbrëmje kur nuk na zë gjumi. 547 viktima civile janë në komunën e Suharekës, një ndër komunat më të goditura dhe 80 janë ende të pagjetur”, u shpreh tutje ai, duke thënë se Serbia pas vrasjeve që kreu këtu me forcat e saj i rrëmbeu edhe kufomat dhe u përpoq që ta varros të vërtetën por që ajo rishfaqej nëpër liqenet e saj nga kamionët të cilët nuk ngeleshin dot në thellësi të ujërave atje.

Kryeministri rikujtoi se 744 shqiptarë janë zhvarrosur nga Batajnica, një varrezë masive që sot është poligon i qitjes për policinë dhe ushtrinë atje, ndërkaq këtu janë 14 fëmijë nën moshën 15 vjeçare të vrarë. “Pra, nuk kanë dashur t’i vrasin vetëm të rriturit por edhe brezin e ardhshëm, edhe ata që vijnë më pas, prandaj të gjitha këto krime të kryera gjatë luftës përveçse janë krime të luftës, janë edhe krime kundër njerëzimit dhe gjenocidit”, shtoi Kryeministri Kurti.

Gjatë këtyre homazheve, Kryeministri Kurti bëri të ditur se bashkë me të ishte edhe Saranda Bogujevci, nënkryetare e kuvendit të Kosovës, e mbijetuar e masakrës së familjes së saj, masakër kjo që e ka përvjetorin e 22-të të dielën, dhe Vasfije Krasniqi e mbijetuara e përdhunimit e cila gjithashtu me kurajon e saj ka folur në emër të mijëra grave shqiptare të cilat u dhunuan gjatë luftës.

“Përulemi me nderim të përjetshëm para të gjithë atyre që u flijuan. E ardhmja e Republikës sonë varet shumë nga kjo kujtesë e kulturës kolektive”, përfundoi Kryeministri Kurti.

U.D PRESIDENTI KONJUFCA: GJAKU I TË RËNËVE TË KRUSHËS SË MADHE DHE KRUSHËS SË VOGËL QËNDRON NË THEMELET E SHTETIT TONË

U.d Presidenti i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë ditës së sotme ka bërë homazhe në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël.

U.d presidenti Konjufca ka thënë se sa herë vijmë këtu e kuptojmë edhe më mirë që Kosova i ka tri plagë, e që sipas tij, çka është më e keqja, janë plagë të hapura të Republikës së Kosovës dhe të popullit të saj.

“Plaga e parë është vet masakra që ka ndodhë. Populli këtu, krushianët e kanë përjetuar tmerrin në një masakër e cila ka lënë qindra e qindra të vdekur. Plaga e dytë është që këtu ka edhe varreza të zbrazëta. Disa prej varrezave janë të zbrazëta, që na e kujton edhe njëherë se Serbia i ka rrëmbyer më të dashurit tanë dhe familjarët tanë dhe nuk i ka kthyer kurrë. Fati i tyre ende nuk është zbardhur, dhe kjo është një plagë e hapur në trupin e shtetit tonë, të populli tonë.  Plaga e tretë do të thoja që është drejtësia e munguar. Nuk ka pasur drejtësi kurrë për familjarët të cilët i humbën më të dashurit e tyre, ata u masakruan, u rrëmbyen, nuk dihet për një pjesë të tyre, për fatin e tyre dhe familjaret tash e 22 vite prej asaj date jetojnë për çdo ditë me peshën, e me vuajtjen e rëndë për fatin e pazbardhur të familjarëve të tyre”, ka thënë u.d presidenti.

Ai ka kujtuar edhe intelektualin e patriotin e madh, Ukshin Hoti, “Të mos harrojmë që njëri prej personaliteteve më të shquara te kombit shqiptar ka lindur këtu, është vendlindja e tij dhe po atë fat e ka pas edhe ai, po flas për intelektualin e patriotin tonë të madh Ukshin Hoti, i cili u zhduk në muajin maj të vitit 1999 prej forcave policore të Serbisë, dhe që prej asaj date nuk dihet gjë për fatin e tij. Institucionet duhet të bëjnë dukshëm më shumë se që kanë bërë përpara për të gjitha këto që i thash, duke e përfshirë edhe zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit”, ka theskuar u.d presidenti Konjufca.

Sipas tij gjaku i të rënëve të Krushës së Madhe dhe të Krushës së Vogël qëndron në themelet e shtetit tonë, qëndron në themelet e lirisë të Republikës së Kosovë.

U.d presidenti Konjufca ka bërë homazhe edhe në Krushë të Vogël, në nderim të martirëve të rënë në masakrën e cila u krye prej forcave policore ushtarake dhe paramilitare të Serbisë, në mars të vitit 1999.

U.d presidenti ka thënë se Serbia absolutisht nuk e ka marrë dënimin e merituar si shtet për të gjitha ato veprime gjenocidale, gjenocidin që e ka bërë në Kosovë gjatë luftës së fundit të viteve 98-99.

“Në Serbi jo vetëm që mijëra kriminel të luftës janë të lirë e të padënuar, të patrajtuar nga drejtësia, por çka është më e keqja përmes politikës së sotme të cilën po e zhvillojnë përfaqësuesit shtetëror të Serbisë, po na tregojnë që Serbia në masë të madhe nuk është shkëputur nga ajo logjikë e atij pushteti e cila e ka shkaktuar gjenocidin në Kosovë gjatë luftës së fundit”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe veprimet e institucioneve tona kane shkaktuar pakënaqësi të mëdha ndonjëherë te familjarët e të rënëve të masakrës së Krushës së Vogël.

“Për shembull, përgjysmimi i dënimit të njërit prej kriminelëve të luftës, i cili është dënuar prej gjykatave tona për pjesëmarrje aktive në masakrën e Krushës së Vogël, ka shkaktuar indinjatë të thellë te i gjithë populli i Kosovës, por në veçanti te familjarët të cilët i kanë humbur më të dashurit e tyre gjatë kësaj masakre. Ky nuk ka qenë aspak një sinjal i mirë prej anës së institucioneve tona që rastet e krimeve të luftës do të ndiqen dhe do të dënohen”, ka thënë u.d presdienti.

U.d presidenti Konjufca, duke ju bërë thirrje institucioneve tona, sistemit tonë të drejtësisë, ka thënë se “tash të gjithë e dinë se nuk ka asnjë pengesë shteti i Kosovës, gjykatat tona për t’i ndjekur, dhe për t’i dënuar ashtu siç e meritojnë të gjithë akterët si përfaqësues të ushtrisë, të policisë dhe të paramilitarëve serbë të cilët kanë kryer masakra gjatë luftës në Kosovë”.​

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, Behlul Jashari, Kosova para 22 vjetesh

Tiranë: Ambasada Amerikane gati të marrë masa ndaj atyre, që nxitin apo pranojnë dhunën gjatë zgjedhjeve

March 26, 2021 by dgreca

  • KQZ ka kërkuar hetime të thelluara për 28 kandidatë për deputetë: 5 nga Aleanca ABEKO, 2 nga Bindja Demokratike, 2 nga Lëvizja për Ndryshim, 1 nga Lëvizja e Re, 6 nga LSI, 2 nga Nisma Thurrje, 4 nga Partia Demokratike, 3 nga Partia Socialiste dhe 3 nga Partia Social-Demokrate.

Nga Ilirian Agolli/ VOA

Me hapjen zyrtare të fushatës zgjedhore për parlamentin e ri ambasada e SHBA-ve në Shqipëri gjeti edhe një herë rastin t’u bëjë thirrje publike udhëheqësve partiakë që të refuzojnë qartas dhunën, dhe kandidatët për deputetë të zbatojnë ligjet vendase dhe standartet ndërkombëtare.

Ambasada amerikane deklaroi se Shtetet e Bashkuara i kanë bërë të qarta pritshmëritë dhe shpresat e veta, si mike dhe aleate e Shqipërisë. 

“Ne do të marrim masat e duhura në përgjigje të atyre që pranojnë ose nxisin dhunën, pranojnë ose nxisin shkeljen e ligjeve zgjedhore dhe standardeve ndërkombëtare, apo përpiqen të minojnë integritetin dhe besimin në procesin zgjedhor dhe rezultatet e tij” – thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane. – Ne do t’i mbajmë përgjegjës udhëheqësit, që janë në poste drejtuese dhe kanë përgjegjësinë e parë dhe më të rëndë për të vepruar në interesat e vendit”.

Ambasada amerikane i ftoi qytetarët të zgjedhin ato parti dhe kandidatë, që ofrojnë të ardhmen më të mirë për Shqipërinë, në partneritet me Shtetet e Bashkuara dhe drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. 

Prej shumë muajsh ambasada amerikane po këmbëngul që partitë politike të mbajnë larg listave të kandidatëve personat me rekorde kriminale dhe korruptive.

Në deklaratat e saj është përmendur emri i Tom Doshit, që institucionet të pengojnë hyrjen e tij në parlamentin e ri.

I pyetur për këtë, kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Ilirjan Celibashi, deklaroi në konferencën e sotme të shtypit se e ka dërguar për verifikim emrin e Doshit në institucionet përkatëse.

“Në rastin e zotit Doshi KQZ ka marrë shtysën nga të dhëna publike, që e nxitin t’i kërkojë prokurorisë informacione të tjera, veç atyre që ai ka dhënë në formularin e vetëdeklarimin, për të bërë vlerësim më të plotë mbi përputhshmërinë e kandidimit të tij për deputet. Por edhe në formularin e vetëdeklarimit ka të dhëna që shërbejnë si indicie për KQZ-në, për të kërkuar hetim të thelluar për kandidatin” – tha zoti Celibashi.

Ai shtoi se bashkë me zotin Doshi, KQZ ka kërkuar hetime të thelluara për 28 kandidatë për deputetë: 5 nga Aleanca ABEKO, 2 nga Bindja Demokratike, 2 nga Lëvizja për Ndryshim, 1 nga Lëvizja e Re, 6 nga LSI, 2 nga Nisma Thurrje, 4 nga Partia Demokratike, 3 nga Partia Socialiste dhe 3 nga Partia Social-Demokrate.

Filed Under: Featured Tagged With: Ambasadorja amerikane, Ilirian Agolli, zgjedhjet ne Shqiperi

BOMBARDIMET QË SHPËTUAN KOSOVËN DHE NDRYSHUAN HISTORINË

March 25, 2021 by dgreca

-KALENDAR-24 MARS 1999, Amerika me NATO-n nisën ndërhyrjen shpëtimtare për Kosovën/

-Para 22 viteve, në 24 Mars 1999, nisi ndërhyrja shpëtimtare për Kosovën e NATO-s  prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike Presidenti Amerikan Bill Clinton, derisa nga Shtëpia e Bardhë fliste për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s. Ai zë i lirisë – liria për Kosovën po vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës…Nga Amerika dhe aleatët…/

-Në Kosovë, në mbrëmjen e 24 Marsit 1999 rreth orës 20:00 u ndjenë fuqishëm goditjet e para të sulmeve të aviacionit të NATO-s kundër forcave serbe – terrorit e gjenocidit. Raportoja nga Prishtina në Tiranë. Media shqiptare ka shkruar se isha gazetari i vetëm që transmetoja nga Prishtina në fillimin e ndërhyrjes së NATO-s për Kosovën…/

-Ende pa kaluar tre muaj nga fillimi, bombardimet përfunduan në 10 Qershor 1999, pasi një ditë më parë ishte arritur  Marrëveshja mes NATO-s dhe Beogradit për tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të Alancës Veriatlantike në Kosovë. Dita e Lirisë dhe Paqes  erdhi në 12 Qershor 1999, në mëngjesin e asaj dite të lume raportoja nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynin  në Kosovë nga ora 05 e 17 minuta…/

-Viti 2004 – Presidenti historik Rugova: Me rastin e 5-vjetorit të Ditës së fushatës ajrore të NATO-s për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës, ju shpreh urimet e mia të përzemërta. 
Në këtë vit jubilar do thënë se 24 Marsi i vitit 1999 ka hyrë në historinë moderne të Kosovës…Gjithsesi objektiv madhor për gjithë popullin dhe qytetarët është njohja formale e pavarësisë së Kosovës sa më shpejt, çfarë do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës. Këtë do ta realizojmë së bashku me miqtë e Kosovës/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 24 Mars 2021/ Sot bëhen 22 vjet nga 24 Marsi 1999 – Dita kur ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s, forcës më të madhe planetare, kundër terrorit e gjenocidit, i hapi shteg lirisë së Kosovës.

Është kjo edhe një ditë e mirënjohjes e falënderimit të përjetshëm për botën demokratike që nuk lejoi spastrimin etnik dhe zhbërjen e  shumicës shqiptare të Kosovës.

Prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, para 22 viteve, në 24 Mars 1999, për Kosovën e popullin e saj ndodhi fillimi i ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s me goditjet nga aviacioni luftarak të pozicioneve të forcave serbe që po bënin krime, masakronin e dëbonin shqiptarët në fushatën e egër të spastrimit etnik.

Në mbrëmjen e 24 Marsit 1999 raportoja nga Prishtina në Tiranë se rreth orës 20:00 u ndjenë fuqishëm goditjet e para të sulmeve ajrore të NATO-s.

Përshkruaja situatën në kryeqytetin e Kosovës në atë orë historike: “Nga goditjet dridheshin xhamat e ndërtesave në Prishtinë, ndërsa vazhdimisht dëgjoheshin sirenat e alarmit”.

 Shtoja se, “pas pak çastesh të goditjeve, e tërë Prishtina dhe Kosova mbeti në terr”, meqë u ndërprenë dritat, furnizimet me energji elektrike.

Raportoja edhe se, “para goditjeve, automjete të blinduara me trupa serbe dhe armë në gjendje gatishmrie, lëviznin nëpër të gjitha rrugët e shkreta të Prishtinës, që ngjan në qytet fantazmë. Pas goditjeve, këto lëvizje tankesh dhe blindash nuk shihen më”.

Dhe, “kohë pas kohe, nëpër qytet, dëgjohen breshëri armësh”, përfundoja lajmin e parë për nisjen e bombardimeve.

Lajmin e jepja për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), për të cilën raportoja nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste të lëvizjes e luftës për liri e pavarësi të Kosovës.

Po atë lajm e dërgoja edhe për Radio Tiranën, me të cilën pastaj u lidha edhe drejtpërdrejtë në raportime, derisa në ato rrethana terri e lufte në Kosovë nuk mund të lexohej Agjencia Shtetërore-Zyrtare e Lajmeve e Shqipërisë as nuk mund të shihej Televizioni Shqiptar.

  Lajmet për ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s në Kosovë shkonin për gjithë kombin shqiptar edhe për botën, të raportuara nga Prishtina, nga lagjeja Ulpiana, nga banesa ime e mbushur refugjatë nga zonat e luftës.

Refugjatët sollën përvojat e tyre të pas dëbimit nga shtëpitë, të strehimit maleve, se si të bëhej dritë në terr kur s’ka as qirinj, duke ndezur ndonjë leckë të futur në vaj ushqimi të mbushur në gjysëmpatate të gërryer nga brenda. Nën atë dritëz po shkruaja lajm tjetër, ndërsa po dëgjoja lajme në një radio të vogël me bateri – tranzistor, derisa shkallëve të ndërtesës dëgjoheshin rrapllimat e ushtarëve e policëve serbë që nga momenti i nisjes së bombardimeve kishin ikur nga rrugët e sheshet ku ishin.

Nga radioja e vogël dgjohej edhe zëri i shpresës dhe besimit të madh, fjala e Presidentit Bill Clinton që i drejtohej kombit Amerikan.

 “Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksonte në atë ditë e orë historike Presidenti i SHBA-ve, Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë fliste për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s.

Ai zë i lirisë – liria për Kosovën po vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës…Nga Amerika dhe aleatët…

Në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve nga goditjet e aviacionit të NATO-s nga qielli shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

Ajo dritë shpëtimtare e lirie ishte e paralajmëruar…

Më pak se një vit më parë, në 29 Maj 1998, Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin Amerikan Clinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Presidenti Rugova pas takimit. Ndërsa, bëhej e ditur se Presidenti Clinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s…

Në fillimet e pranverës së para 22 viteve, ndërhyrja e NATO-s pritej pasi Konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje – Francë, që kishte nisur në  6 Shkurt 1999 kishte përfunduar në 18 Mars me refuzim nga delegacioni i Beogradit të marrëveshjes së pranuar nga delegacioni kosovar.

Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova,  në Prishtinë i kthyer nga Rambujeja e para nisjes përsëri për atje drejt Parasit, në një konferencë shtypi në 5 Mars 1999 paralajmëronte nënshkrimin  e Marrëveshjes së Rambujesë, për të cilën një ditë më vonë dha miratimin edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës së Deklaratës së 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990. Në konferencën për shtyp ku ishte edhe korrespondenti tash i Gazetës DIELLI, Presidenti Rugova paralajmëronte edhe vendosjen e NATO-s në Kosovë…

Po në atë 5 Mars 1999 kam raportuar edhe për një takim të Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova me Senatorin Amerikan Robert Doll – të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit të SHBA Bill Clinton, që ishte edhe një paralajmërim lirie. Takimi shumë i rëndësishëm u mbajt në Shkup-Maqedoni, pasi regjimi kriminal okupator serb e kishte pamundësuar në Prishtinë-Kosovë…

Viteve të ecjes drejt pavarësisë së Kosovës, Presidenti historik Ibrahim Rugova kishte të emëruar Përfaqësues të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – në Zyrën e Senatorit Robert Dole, mikut të madh të tij e të gjithë shqiptarëve, të cilin edhe e ka dekoruar. I emëruari ishte Elmi Berisha, tani kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, i cili ishte edhe ceremoninë kur Senatorin Amerikan Robert Dole e dekoroi Presidenti i Kosovës  Ibrahim Rugova, ku ishin bashkë…

Në pranverën e vitit 2004 në vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në 27 Prill, në selinë e OKB-së në Nju Jork, Presidenti historik Ibrahim Rugova takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës. Rugova gjatë kësaj vizite takon edhe guvernatorin e Nju Jorkut, Xhorxh Pataki dhe 20 ambasadorë të shteteve anëtare të OKB-së.

Nga raportimet e medias për vizitën e Presidentit Rugova në Nju Jork citohet edhe Elmi Berisha si person i veçantë kontaktues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës…

Në vitin e luftës e lirisë 1999, edhe derisa bisedohej në Konferencën ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje-Paris, regjimi i Beogradit kishte sjellë në Kosovë paisje luftarake e trupa ushtarake shtesë, që mund të arrinin në 130.000, sipas vlerësimeve të kohës.

Ndërkohë, për shkak të rreziqeve,  shumica e reporterëve të mediave ndërkombëtare bashkë me Misionin Vëzhgues të OSBE-së ishin larguar nga Kosova para fillimit të ndërhyrjes së Aleancës Veriatlantike. Edhe në ato rrethana vazhdoja pa ndalur asnjëherë raportimet nga Kosova për në Shqipëri…

E, në 24 Mars 1999, ishin orët u fundit para fillimit të bombardimeve të NATO-s kur kërkonim mundësinë e fundit për të dhënë nga Prishtina në Tiranë lajmin e madh të pritur, pasi lidhjet telefonike do bëheshin të pamundura.

Të provojmë me lidhje satelitore në mbrëmje, u morëm vesh me vëllain Demë Jashari në Zvicër. Dhe, ishim në linjë në momentin e pritur, nga Prishtina në Lozanë – Zvicër raportoja me telefon derisa po ndodhte lajmin e madh edhe për gjithë botën që e shkruante vëllai me kompjuter për ta përcjellë prej atje me telefax drejt Tiranës…

Dhe, vazhdoja raportimet…Media shqiptare ka shkruar edhe se isha gazetari i vetëm që transmetoja nga Prishtina në fillimin e ndërhyrjes së NATO-s për Kosovën në 24 Mars 1999.

“PERVJETORI/ Rrëfimi i reporterit të vetëm që transmetonte nga Prishtina: Ç’ndodhi kur bombardoi NATO?”, është titulli i portalit TESHESHI për shkrimin që ia kam dërguar në 24 Mars 2015 gazetarit në Tiranë, Ylli Pata,  i cili ka punuar në Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë shumë vite dhe ishte aty edhe në ditën historike të 24 Marsit 1999 të fillimit të bombardimeve mbi caqet e forcave serbe të aviacionit të Aleancës Veriatlantike.

“Sot mbushen 16 vjet prej fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, në mbrojtje të Kosovës.

Behlul jashari është gazetari i vetëm që raportonte nga Prishtina për ngjarjen në kushte tejet të vështira. Në atë kohë Jashari ishte korespondent i Agjencisë Telegrafike Shqiptare…”, ka shkruar ai në portalin ku theksohej se po botonin “kujtimet e reporterit që transmetonte nga një vend i fshehtë në kryeqytet”…

Mëngjesin e parë të pas fillimit të bombaredimeve, lajmet që dhash nga Kosova drejt Tiranës ishin për situatën në Prishtinë dhe për ekzekutimet nga forcat serbe gjatë natës të shqiptarëve në shtëpitë e tyre në Mitrovicë, veprimtarëve e intelektualëve – udhëheqësit komunal Agim Hajrizi bashkë me nënën dhe djalin 12 vjeçar dhe poetit Latif Berisha.

Ai mëngjes i 25 Marsit 1999  sillte lajme të reja se forcat kriminale serbe gjatë natës  kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, në Prishtinë kishin rrëmbyr në shtëpi avokatin e veprimtarin e njohur për të drejtat e liritë njerëzore, Bajram Kelmendi, me dy bijtë e tij, të cilët i ekzekutuan. Forcat serbe kishin djegur edhe selitë e institucioneve të rëndësishme kosovare e ndërkombëtare, përfshirë zyrat që ndodheshin në një shtëpi shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, dhe Zyrën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Edhe në mëngjes, si edhe natën, Prishtina dukej si një qytet fantazmë, rrugët dhe sheshet ishin të zbrazëta.  Tanket dhe makineria tjetër serbe e luftës, që një ditë më parë i mbushnin rrugët e sheshet, kishin ikur dhe ishin fshehur edhe nëpër lagje për t’i pasur banorët  shqiptarë mburojë të gjallë. Nëpër shumë pika kishte snajperë serbë dhe njerëzit qëndronin të mbyllur në shtëpi, të rrethuar me kërcënimin e madh të forcave serbe, por me gëzimin e besimin e plotë se liria e Kosovës po vinte.

Atë mëngjes të parë të pas mbrëmjes historike të 24 Marsit 1999 u këput edhe mundësia e fundit e lidhjes me telefon dhe e raportimit dhe nisa kërkimin e ndonjë mundësie tjetër, duke ndërruar edhe vendbanimin shkaku i rrezikut të qëndrimit të mëtejmë në banesë, e pastaj edhe duke u larguar nga Prishtina drejt Kufirit jugor të Kosovës, prej nga vazhdoja raportimet.

“Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë”, ishte titulli lajmit të 6 Majit 1999  i raportimeve që i bëja nga Kufiri jugor i Kosovës.

Lajmi, ku në ato rrethana nuk përmenda burimin – telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh nga një nënë mburojë e gjallë bashkë me familjen e saj alarmonte: 

“Shumë banorë të Prishtinës po mbahen peng dhe
po përdoren nga serbët si mburojë e gjallë. Ata janë detyruar të
qëndrojnë në shtepitë dhe banesat pranë vendeve ku janë fshehur
armë dhe mjete të mekanizuara ushtarake si dhe nëpër objekte që
mund të bombardohen nga NATO-ja… Shumë familje janë detyruar të qëndrojnë për disa ditë me
radhë pranë postes së re të Prishtines, në lagjen Dardania…”.

Cak i goditjeve të aviacionit të NATO-s mbi caqet e forcave serbe ishte edhe ndërtesa e postës së vjetër që ishte bërë edhe bazë ushtarake e që u zhbë e nuk është më e ishte pranë ndërtesës së tashme kryesore të Qeverisë së Kosovës te Sheshi Gjargj Kastrioti – Skënderbeu në Prishtinë.

 Raportimet që bëja dëshmonin se forcat serbe vazhdonin fushatën për dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova. U dëbuan afër një milion shqiptarë, shumica në Shqipëri. Më shumë se 12 mijë arrinte numri i shqiptarëve të vrarë e masakruar, edhe të groposur në varreza masive, në mëse 6 mijë arrinte numri i të zhdukurve, qytetet dhe fshatrat shqiptare digjeshin e plaçkiteshin nga forcat ushtareke, policore e paramilitare serbe të Milosheviçit, kasapit të Ballkanit, që pas vitesh përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë…

Ende pa kaluar tre muaj nga fillimi, bombardimet përfunduan në 10 Qershor 1999, pasi një ditë më parë në Kumanovë, qytet në Maqedoni ku një pjesë e madhe e popullsisë janë shqiptarë, ishte arritur  Marrëveshja mes NATO-s dhe Beogradit për tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të Alancës Veriatlantike në Kosovë.
Dita e Lirisë dhe Paqes, e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, erdhi në 12 Qershor 1999. Në mëngjesin e asaj dite të lume, në orën 05 e 17 minuta, tanket e para të NATO-s hynë në Kosovë duke kaluar kufirin me Maqedoninë në Bllacë – Han të Elezit, drejt Prishtinës, e të nesërmen nga Shqipëria, duke kaluar kufirin në Morin-Vërmicë, drejt Prizrenit…

Edhe në atë ditë e orë  historike një lajm tjetër të madh se në Kosovë po ndodhte liria e raportoja drejt Tiranës – në Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe Radio Televizionin Shqiptar nga kolona e tankeve të para të NATO-s  që kalonte kufirin jugor në Han të Elezit drejt Grykës së Kaçanikut…

Kosova, pas hyrjes së trupave të NATO-s – KFOR-it, u administrua sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së deri në 17 Shkurtin histotik  2008 të shpalljes së Pavarësisë së njohur deri sot nga 117 shtete të botës…

 Njëmbëdhjet vite pas takimit të 29 Majit 1998 në Uashington, në 1 Nëntor 2009 në Kosovën e lirë Presidenti Amerikan Bill Clinton, në fjalën e tij në seancën solemne të Kuvendit të Republikës kosovare, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar. 
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton. 
“Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Clinton gjatë vizitës në Kosovë.

Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

PRESIDENTI HISTORIK RUGOVA:  24 MARSI I VITIT 1999 KA HYRË NË HISTORINË MODERNE TË KOSOVËS

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në mesazhin e urimit në vitin 2002 bënte të ditur se kishte vendosur të kërkoj nga Kuvendi i Kosovës që ditën e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë 12 Qershorin ta shpallë Ditë të Lirisë së Kosovës, që do të festohet në të gjithë vendin. Gjatë viteve të lirisë Presidenti Rugova mesazhe urimi drejtonte në çdo përvjetor të 24 Marsit 1999, kur nisi ndërhyrja shpëtimtare me aviacion e NATO-s  që i hapi shteg Ditës së Lirisë së Kosovës:

VITI 2003 – RUGOVA: DITA E 24 MARSIT TË VITIT 1999 DO TË MBETET NDËR DATAT MË TË RËNDËSISHME NË HISTORINË E KOSOVËS

Prishtinë, 24 Mars 2003/ Në katërvjetorin e sulmeve ajrore të të NATO-s për mbrojtjen e popullit të Kosovës, Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova u ka drejtuar qytetarëve të Kosovës këtë mesazh:

Me rastin e 24 Marsit, Ditës së fillimit të fushatës ajrore të SHBA-ve dhe NATO-s për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës, ju shpreh urimet e mia të përzemërta.

Sivjet e festojmë 4-vjetorin e fillimit të fushatës ajrore për lirinë e vendit tonë. Dita e 24 Marsit të vitit 1999 do të mbetet si njëra ndër datat më të rëndësishme në historinë e Kosovës.

  
Në këtë 4-vjetor, do pranuar se Kosova ka bërë një progres të madh në të gjitha fushat e jetës.

Njëherësh në këtë përvjetor të katërt do theksuar objektivat e institucioneve dhe të popullit të Kosovës, siç janë: zhvillimi ekonomik, privatizimi, vendet e reja të punës për të rinjtë, dhe integrimi i grupeve etnike në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.

Poashtu, objektiv madhor për të gjithë ne është njohja formale e pavarësisë së Kosovës, që duhet ta arrijmë së bashku me miqtë tanë.


Në këtë ditë feste, urime të përzemërta u shprehim UNMIK-ut, OSBE-së dhe organizatave joqeveritare që po veprojnë në Kosovë. Urime të thella nga zemra u bëjmë komandantëve dhe ushtarëve të NATO-s/KFOR-it, që po bëjnë sigurinë dhe mbrojtjen e Kosovës.  

Njëherësh, urimet tona ua drejtojmë përfaqësive diplomatike në Prishtinë.

 
Në këtë ditë feste të Kosovës, përshëndesim Presidentin Bush që bashkë me Kryeministrin Bler po udhëheq forcat e koalicionit në Irak për lirinë dhe demokracinë e këtij vendi dhe për forcimin e paqes botërore.

Përshëndetjet tona ia drejtojmë Presidentit Shirak, Kancelarit Shreder dhe Kryeministrit Berluskoni, që po përkrahin Kosovën në zhvillimin e saj.

VITI 2004: MESAZH I PRESIDENTIT TË KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA, NË 5-VJETORIN E FUSHATËS AJORORE TË NATO-s PËR KOSOVËN

Prishtinë, 24 Mars 2004/ Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, u ka drejtuar një mesazh qytetarëve të Kosovës me rastin e 5-vjetorit të fushatës ajrore të NATO-s për Kosovën, që nisi më 24 Mars 1999. Më poshtë po e japim tekstin e plotë të mesazhit të Presidentit Rugova:


Me rastin e 5-vjetorit të Ditës së fushatës ajrore të NATO-s për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës, ju shpreh urimet e mia të përzemërta.


Në këtë vit jubilar do thënë se 24 Marsi i vitit 1999 ka hyrë në historinë moderne të Kosovës si njëra ndër datat më të rëndësishme. Tashmë kjo ditë konsiderohet si ditë historike për vendin tonë.


Në këtë 5-vjetor do theksuar se Kosova ka pasur një progres të madh në të gjitha fushat e jetës. Institucionet e Kosovës janë të përqëndruara dhe po punojnë në realizimin e objektivave të zhvillimit ekonomik dhe demokratik, të krijimit të vendeve të reja të punës, të stabilitetit politik si dhe të integrimit të grupeve etnike në shoqërinë dhe në shtetin e Kosovës.


Në rrugën tonë të progresit, ne këto ditë patëm trazira ku u përdor dhuna e papranueshme për ne, dhe po bëjmë përpjekje të përbashkëta për tejkalimin e gjendjes.


Jemi optimistë se këtë gjendje do ta përmirësojmë së shpejti dhe do të fuqizojmë progresin e vendit tonë të shtrenjtë.


Gjithsesi objektiv madhor për gjithë popullin dhe qytetarët është njohja formale e pavarësisë së Kosovës sa më shpejt, çfarë do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës. Këtë do ta realizojmë së bashku me miqtë e Kosovës.


Në këtë ditë feste, urime të përzemërta u shprehim ushtarëve dhe komandantëve të zonave të NATO-s/KFOR-it si dhe gjeneralit Kamerhof, që po bëjnë mbrojtjen dhe sigurinë e Kosovës.


Urime të sinqerta i shprehim UNMIK-ut dhe OSBE-së.


Njëkohësisht urimet tona ua drejtojmë dhe përfaqësive diplomatike në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.


Në këtë ditë feste përshëndesim Presidentin Bush, Kryeministrin Blair, Presidentin Shirak, Kancelarin Shreder dhe Kryeministrin Berluskoni, që po e përkrahin vendin tonë në rrugën e zhvillimit dhe të prosperitetit.


Si gjithmonë, përshëndetje të veçantë i drejtojmë Papa Gjon Palit II, që gjithnjë kujdeset dhe lutet për Kosovën.


Zoti e bekoftë NATO-n! Zoti e bekoftë KFOR-in! Zoti e bekoftë Kosovën tonë të dashur! Gëzuar 24 Marsi 2004 jubilar!

VITI 2002-MESAZHI I PRESIDENTIT RUGOVA: 12 QERSHORI ËSHTË NJË NGA DITËT MË TË MËDHA NË HISTORINË E KOSOVËS

Prishtinë, 11 Qershor 2002/  Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e 12 Qershorit – Ditës së hyrjes së trupave të NATO-s që vlerësohet si ditë e çlirimit të Kosovës, u ka drejtuar sot një mesazh qytetarëve të Kosovës. Në këtë mesazh thuhet:

– Qyetarë të nderuar të Kosovës,

Me rastin e 12 Qershorit – Ditës së hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që është Ditë e lirisë së Kosovës, ju shpreh urimet e mia të përzemërta.

Dita e 12 Qershorit është një nga ditët më të mëdha në historinë e Kosovës – të Dardanisë antike.

Sot, pas tri vjetësh, do pranuar se Kosova e lirë ka pasur një progres të madh në të gjitha segmentet e jetës, falë miqve tanë dhe popullit të gjallë e dinamik të Kosovës.


Prandaj, njohja formale e Pavarësisë së Kosovës shtrohet si detyrë e drejtpërdrejtë në të cilën po punojmë intensivisht.


Me këtë rast urime të ngrohta u shprehim ushtarëve dhe Komandantit të KFOR-it, gjeneralit Valenten.
Poashtu, urime të përzemërta i shprehim kryeadministratorit të Kosovës, zotit Mihael Steiner dhe OSBE-së.


Urime të sinqerta u shprehim përfaqësuesve diplomatikë në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë.


Në këtë ditë gëzimi të lirisë së Kosovës përshëndesim presidentin Bush, kryeministrin Bler, presidentin Shirak, kancelarin Shrëder dhe kryeministrin Berluskoni.


Përshëndetje të madhe i dërgojmë Papa Gjon Pali II për kujdesin e tij për Kosovën.


Zonja dhe zotërinj,


Dëshiroj t’ju njoftoj se sot kam vendosur të kërkoj nga Kuvendi i Kosovës që ditën e 12 Qershorit ta shpallë Ditë të Lirisë së Kosovës, që do të festohet në të gjithë vendin.


Gëzuar Dita e Lirisë.


Zoti e bekoftë Kosovën, – thuhet në fund të mesazhit të presidentit të Kosovës.

Filed Under: Featured Tagged With: 24 marsi 1999:, Behlul Jashari, Bombardimet

Niagara, simfonia e ujit dhe betimi i Presidenti Roosevelet….

March 25, 2021 by dgreca

….pas vrasjes së presidentit McKinley/

Nga Keze Kozeta Zylo/

Pas një izolimi më shumë se një vit nga pandemia botërore dhe të sigurtë pas vaksinimit, sidomos ne si prindër guxuam të shkonim si familje në një vend spektakolar brenda Amerikës.   Natyrisht është e pamundur të eksplorosh gjithëvendet e bukura që i ka afruar Zoti këtij kontinenti, por ato më të famshmet në bote ja vlen.  

Një vend i tillë ndodhet brenda New Yorku-t me emrin aq të njohur në botëUjëvara e Niagara-s që me makinë është gati 7-8 orë.  E kishim vizituar më parëUjëvarën e Kanadasë në Toronto ku midis dy vendeve ndodhen tri ujëvara në lumin me emrin e njejtë dhe të njejtin qytet.

Edhe pse ujëvara e Kanadasë si patkua është është e gjerë 792 metra, ndërsa e Amerikes, 323 metra përsëri bukuria e tyre ka emërues të përbashkët magjepsjen.  I pashë me vemendje reagimet e nipit dhe të tre mbesave kur ne u ndodhëm përballëujëvarës, rënies spektakolare të ujit, shkumën e bardhë që prodhohej papushim nga rënia e lartë dhe e lirë e ujit.  Bebëzat e tyre ndriçonin, fytyra iu mori nje fokusim të paparë për minuta të tëra…  Pamja e Ujëvarës është për të vegjëlit sa dramatike po aq dhe joshëse. Lumi Niagara të sjellë ajrin më të fresket, të shuan etjen e ujit, tëimponon gjallërinë dhe shfarros sëmundjen ngjitëse të shekullit, Covid 19-të.  

Se ç’pata një ndjesi pagëzimi për ndonjë mbesë tjetër me emrin Niagara, si e apasionuar pas lumenjve Valbona, detit Jon, perëndeshës “Dea” dhe qytetit Saranda!

Kurioziteti dhe të gjitha të dhënat që i kishim në duar nga librat historikë qëgjendeshin kudo shpjegonin se  Fjala “Niagara” ka ardhur nga gjuha autoktone e indianëve Iroquois si “tingulli i ujit”. Interesant ishte fakti se në vitin 1901, nje 63-vjeçare amerikane Annie Taylor kaloi ujin në rënie e futur në një fuçi. Emri i saj hyri në histori.

         Një e pesta e ujërave në planet gjenden në Niagara në pesë liqenet që derdhen aty si Michigan, Hurion, Erie dhe Superior.

Ishulli i dhive ishte shumë interesant pasi 500 vjet më parë kur Niagara u përplas me një copë toke u nda në dy kanale. John Stedman – një pionier dhe mullixhi i hershëm – mbajti një tufë dhish në ishull. Kafshët ngordhën të gjitha në dimrin e tmerrshëm të 1780-ës, por i dhanë emrin ishullit.

Ujëvarat e Niagaras u formuan duke filluar më shumë se 12,000 vjet më parë në fund të Epokës së Akullnajave kur përrenj të mëdhenj uji u çliruan nga akulli që shkrihej, duke u kulluar në lumin Niagara.

Niagara Falls u zbulua nga eksploruesi francez, At Louis Hennepin në Dhjetor 1678. Sot ky rajon është Old Fort Niagara – një fortesë e shekullit të 18-të.

Në muzgun e mbrëmjes Niagara merr ngjyra të tjera, tejet mbresëlënëse, prozhektorët e shumtë të dritave midis dy vendeve dhe që rrezatojnë pambarim midis rrjedhës së ujit sjellin reflekse të shumëllojshme të rralla.  Miliona turistë vinë brenda vitit çka është një tërheqje e jashtëzakonshme për ekonominë dhe shtetin brenda Nju Jorku-t. 

Në këtë mbrëmje me vetëtima dritash në stërkalat e ujit që puthnin fytyrat tona, mërmërrisja nën zë: “Good evening Niagara”!  Ishte nje përqasje metaforike me përshëndetjen si një Ëngjëll në këtë natë poetike ku shfaqej poeti i shquar Vehbi Skënderi i cili ka thurur mrekullisht një poezi me titull: “ Good morning Niagara” ku midis të tjerash shkruan si:  Unë të shpleks pak flokët, ul zërin dy-tri korda: “Good morning Niagara!”. 

Ngjyrat e ylberit loja e stërkalave të ujit si topëza dielli luanin sikur të ishte një balet i vërtetë.  Ishte një spektakël natyror që luhej në teatrin me skenë uji pa regjisor dhe artist, pa orkestër, por origjinal shfaqej simfonia e ujit.

Presidenti Roosevelt që bëri betimin pas vrasjes së presidentit William McKinley

Për gjatë ditëve të pushimit qëndruam në qytein e Buffalosë që ishte vetëm 20 minuta nga Niagara Falls.

Një shtepi të bukur me një statujë madhështore shikoja nga xhami i dhomës së hotelit në Buffalo dhe kurioziteti më shtyu të shkoja me këmbë. Kur u afrova përballëstatujës lexova emrin e presidentit Roosevelt një histori tragjike aq të njohur, njërrënqethje e lehtë më përshkroi trupin.  Cfarë historie dhe dramë mbante kjo shtëpi në mes të qytetit Buffalo!  

Me gjithë familjen po lexonim një ndër historitë e bujshme amerikane.  Më 14 shtator 1901, Theodore Roosevelt bëri betimin e detyrës si presidenti i 26-të dhe më i ri i Shteteve të Bashkuara në bibliotekën e shtëpisë me nje arkitekture të përsosur të Ansley Wilcox në Buffalo. Vetëm 42 vjeç, ai zëvendësoi Presidentin William McKinley, i cili i ishte goditur nga plumbi i një vrasësi atë ditë. Për Roosevelt, i cili kishte ëndërruar një ditë të behej president ishte “një gjë e tmerrshme të vinte në këtë mënyrë”.  Sipas kushtetutes Roosevelt beri betimin: “Kjo është detyra dhe unë duhet ta bëj atë sa më mirë nëpërmjet aftësive të mia”.  Tre vjet më vonë, ai u zgjodh për një mandat të plotë në të drejtën e tij.  Roosevelt kishte një ndikim të qëndrueshëm mbi kombin, duke mbrojtur dhe ngritur më lart autoritetin e Amerikës jashtë vendit.

Presidenti McKinley ishte duke vizituar Ekspozitën Pan Amerikane në Buffalo më 6 shtator 1901, kur një vrasës e qëlloi atë dy herë në stomak. Deri më 10 shtator, mjekët në Buffalo menduan se ai po shërohej. Ata inkurajuan Nënpresidentin Roosevelt.  Ai ishte në një shëtitje familjare të planifikuar në Malet Adirondack. Para se të largohej, ai i dha një kopje të itinerarit të tij mikut të tij Ansley Wilcox, në shtëpinë e të cilit kishte qëndruar. Tri ditë më vonë, duke u kthyer nga ngjitja në majën më të lartë në Adirondacks, ai takoi një lajmëtar që mbante telegramin fatal që e thirri të kthehej. Një karrocë me qira e çoi atë 35 milje gjatë natës së errët nëpër “rrugë të zakonshme të shkretëtirës” për të arritur në stacionin më të afërt.  Në agim, ai hipi në një tren të veçantë që e çoi në Buffalo. Vendi kishte qenë pa president për rreth 12 orë kur mbërriti Roosevelt, dhe të gjithë ishin të shqetësuar që inaugurimi të bëhej sa më shpejt që të ishte e mundur.

Njerëzit e Buffalose gjithmonë do të kenë një interes të veçantë për presidencën e

Theodore Roosevelt, sepse pikërisht në këtë qytet ndodhi tragjedia e tmerrshme.  Kjo tragjedi  

e bëri President dhe këtu ai u betua, bëri inagurimin e tij të parë, nga këtu do të nisej trupi i ish-presidentit të tij në vendin e fundit të prehjes.

Biblioteka mori emrin e presidentit “Theodore Roosevelt” sipas Fondacionit te faqes përuruese të Theodore Roosevelt

Buffalo qyteti i dritës

Buffalo ështe qyteti i dytë më i madh në shtetin e New York-ut 

Buffalo eshte si një portë kryesore për tregtinë dhe udhëtimet përtej kufirit kanadez, duke formuar një pjesë të rajonit kombëtar Buffalo, Niagara, zonën metropolitane Buffalo – Niagara Falls dhe New York.

Zona e Buffalosë ishte e banuar para shekullit të 17-të nga fisi amerikan vendas Iroquois dhe më vonë nga kolonizuesit francezë.  Qyteti u rrit ndjeshëm në shekujt 19 dhe 20 si rezultat i emigracionit. 

Për shkak të instalimit më herët të energjisë elektrike e quajten “Qyteti i Dritës”, dhe ai ka qenë gjithashtu i njohur si “Qyteti i Pemëve” për mbjelljet e tij dikur të dendura të elmave dhe pemëve të tjera. Qyteti është gjithashtu i famshëm për planifikimin dhe paraqitjen e tij urbane nga Joseph Ellicott, një sistem i gjerë parqesh të dizajnuara nga Frederick Law Olmsted, si dhe vepra të rëndësishme arkitektonike. Kultura e saj ndërthur traditat veri-lindore dhe mes-perëndimore, me festivale vjetorë.

E pamundur të vizitosh gjithë qytetin brenda pak ditesh.  Ne vizituam Parkun detar dhe te Ushtrisë në Erie county. Në 1976, Agjencia e Ripërtëritjes Urbane Buffalo, marinarët dhe ushtarët e Buffalosë kërkuan që Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Marinës të siguronte një anije detare të çaktivizuar për të ndërtuar një park detar. Ndërtimi i Parkut Detar dhe Ushtarakëve të Buffaloë filloi në 1977.  Kryqëzori i klasit Cleveland USS Little Rock dhe shkatërruesi i klasës Fletcher USS, Sullivans ishin pjesë e ekranit origjinal.  Në 1988 u shtua nëndetësja e klasës Gato USS Croaker.  Në 1989 Croaker iu nënshtrua një riparimi.  Anijet në park mbeten pronë e Marinës së Shteteve të Bashkuara, e cila i inspekton ato çdo vit. 

Parku tani është afër Canalside te Buffalosë.

Së bashku me anijet, ka një larmi automjetesh më të vogla, anije dhe avionë janë gjithashtu të ekspozuar në park. Këto përfshijnë helikopterin me një njeri Gyrodyne X-Ron 1 Rotorcycle të përdorur nga Trupat Detare të SHBA-së në fund të viteve pesëdhjetë dhe fillimin e viteve gjashtëdhjetë, një tank ushtarak M41 Walker Bulldog, një transportues të blinduar të Marins Corps M-84, një UH-1 Huey fluturuar në Vietnam, një Forcë Ajrore F-101 Voodoo e fluturuar nga Skuadrilja 136 e Luftëtarëve-Përgjues të Gardës Kombëtare të Nju Jorkut Ajror në Stacionin e Rezervës Ajrore të Niagara Falls, një Anije Patrullimi të Shpejtë (PTF), PTF-17 e përdorur nga marina në Vietnam, një avion Navy FJ Fury (FJ-4) (ekuivalent me F-86 Saber i Forcave Ajrore) dhe një USAAF P-39 Airacobra prodhuar në Bell Aircraft në Buffalo që shërbyen në Luftën e Dytë Botërore. Vela dhe timoni i nëndetëses USS Boston janë gjithashtu të ekspozuara këtu.

Shumë i njohur është Instituti i Kancerit në Roswell Park.  Dallohej për ndërtesa me banka të shumta.  Gjatë viteve 1860 deri në fillimin e Shekullit 19-të, bankierë dhe udhëheqës industriale u dyndën në Buffalo. Shumica u vendosën në Delaware Avenue, e cila u bë e njohur si rruga e Milionerëve.

Do të më ngelet në kujtesë si një pushim mbushur me simfoni amerikane.

Fund marsi, 2021

Niagara, New York

Filed Under: Featured Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Niagara, Presidenti Roozvelt

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 136
  • 137
  • 138
  • 139
  • 140
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT