• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Simon Qafa rrëfen kujtimet me Profesor Ernest Koliqin, Papa Palin VI e takimin me Nënë Terezën

July 23, 2024 by s p

Sokol Paja/

Simon Qafa, aktivist i shquar i çështjes kombëtare e komunitetit shqiptar në mërgatën e Amerikës, vatran e atdhetar i spikatur, në një rrëfim emocional për gazetën “Dielli” të Vatrës në New York, rrëfen kujtimet dhe mbresat e pa shlyeshme në memorien e tij me Profesor Ernest Koliqin, Papa Palin VI e takimin me Nënë Terezën në Vatikan. Rrëfimet personale dhe eksperiencat e jashtëzakonshme me personalitete të veçanta kombëtare e botërore janë kontribut për shoqërinë, historinë dhe brezat pasardhës. “Kam qenë seminarist i ri në Romë kur Dom Prek Ndrevashaj me prezantoi me Profesor Ernest Koliqin. Atë e kisha parë në vitin 1968 kur refugjatët nga San Biaggio dhe Atina, ishin tuj prit me emigrue në Amerikë, ishin te ftuar me marrë pjesë në Vatikan dhe tek Shtatorja e Gjergj Kastriotit në Piazza Albania” kujton Simon Qafa. Kur unë u regjistrova në Seminar me ra mu tokue me Profesorin dhe me ndejt me të disa herë pasi në atë kohë në Romë ishin Profesor Koliqi, Kapidani Mirditës Nue Gjomarkaj, Ismaili Verlaci, Don Prenk Ndrevashaj, Pater Daniel Gjeçaj, Dom Gjeto Radi, dhe disa herë kishim kënaqësi kur na vizitonte Dom Zef Oroshi nga New Yorku dhe Profesor Martin Camaj nga Gjermania” rrëfen z.Qafa për Diellin e Vatrës. Ishte një kohë e vështirë për Shqipërinë e shqiptarët nën terrorin komunist, e elita intelektuale ishte arratisur jashtë vendit. Simoni vazhdon rrëfimin e tij në detaje “si një seminarist i ri ishte kënaqësi me ndejt në nji tavolinë me këta gjiganta, veç me i ndigjue bisedat e tyre jo zyrtare por në mes shoqnisë që kishin njëri për tjetrin. Ah sa mëkat që nuk kishim celular në atë kohë me regjistrue këto takime. Sa pasuri e madhe do ishte” shprehet z.Qafa. Profesor Koliqi ishte një njeri ma i thjeshti dhe i pervujtëri që unë kam njoftë ne jetën time, kujton Simon Qafa teksa shton se Profesor Koliqi nuk kishte mëndje të madhe por ishte shumë i thjeshtë, sikurse mos me dit njeriu se kush ishte Koliqi i vërtetë, do kishte mendue se ky është nji katunar” arsyeton z.Qafa. Profesor Koliqi kishte një miqësi të madhe me Papa Palin e VI, sepse kanë qenë miq të ngushtë nga koha kur Papa Pali VI ishte Kardinal në Romë, rrëfet Simoni. Më tej ai kujton: “Për Papen edhe unë fitova një respekt të veçantë dhe të madh për të sepse ai kishte një dhimbje të madhe në zemër për shqyptarët dhe vuajtjet e tyre ndër komunizëm, për persekutimin e klerikëve dhe për kishën e persekutueme shqyptare, shprehet z.Qafa për Diellin e Vatrës. Ai tregon të veçantat e thjeshtësinë e Atit të Shenjtë. Papa Pali kishte një zakon të veçantë, ai shpesh shkonte me hangër darkë me seminarista nëpër seminare të ndryshme. Seminari im, kujton Simon Qafa, ka qenë mbrenda Vatikanit dhe nje ditë kur u ulëm na seminaristat me ngranë, befas futet mbrenda edhe Papa Pali VI. Ati shpirtëror i imi një prift i ri Don Angelo Comastri, mandej që u ba Kardinal dhe ma vonë Vikari Vatikanit e miku i ngushtë i Nënës Terezë me prezentoi me Papën. Mu dridhen gjujtë kur ja putha unazën, shprehet i emocionuar Simoni. Atë Comastri i tha: “Ati Shenjtë, ky është nji seminarist shqyptar nga Shqypnia e persekutueme. Më bekoi Papa dhe më tha “me trego pak historinë tande si erdhe në Romë dhe me trego pak se çpo ndodhë në at tokë shënjtë” pak o shumë atë çfarë i tregova unë kishte ndigjue edhe nga Profesor Koliqi, kujton me nostalgji bisedën me Atin e Shenjtë. Z.Qafa vazhdon rrëfimin e tij: “Miku im Atë Comastri në disa vizita të miat në Romë një ditë më tha “Simon kur me tregojshe se çpo hjek Shqypnia nga komunizmi, mendojsha se po tregon fantazina por mbas përmbysjes së komunizmit e kuptova që vuajtjet paskan qenë 1,000 herë ma të tmerrshme, dëshmon z.Qafa. Atë Comastri më ka prezentue për të parën herë, ditë që njofta Nanën Tereze më 6 Janar 1971 në sheshin e Shen Pjetrit kur Nana Terezë ishte e ftueme nga Papa Pali VI për një dekoratë. Me humor Simon Qafa tregon dhe momente gazmore mes miqve të tij: “Nji të shtunde shkova tek banesa e Dom Prek Ndrevashës dhe mas sa minutash krisi telefoni. “Alo” a “Profesor si je” “nuk muj me ardhe sonte për darkë se më ka ardhë një cub Mirdite dhe dua ta çoj jashtë për darkë në Trattoria Frascati” “a po vjen?” Mandej një e qeshme e madhe nga Don Preka. “Ani pra se po vijmë ” E pyeta Dom Preken, tregon Simoni se “Çka të tha profesori që qeshe aq fort? Don Preka më tregoi: “Më tha se kishte përgaditë do pilaf me vokabular dhe më ftoj në darkë, por kur i tregova që kishe ardhe ti, me tha “merre cubin me vedi, por më nep nja gjysë orë afat sa ti mshefi lugët e pirujtë se mi vjedh cubi Mirditës” rrëfen me humor Simon Qafa. Kisha nji respekt të madh për Profesor Koliqin. Në Janar të vitit 1975, shkuam në vorrimin e profesorit në Romë nga Detroiti, unë dhe Don Prek Ndrevashaj kurse nga New Yorku Gjon Gjinaj. Aty më priti Gjek Gjelaj që atë kohë ishte me rezidencë në Romë mbas largimit nga Propaganda Fide, kujton Simn Qafa. Dëshira ime? Kisha me dëshirue që çdo shqyptar i ri ose i vjetër ta kishte njoftë Profesor Koliqin personalisht, mbyll rrëfimin e tij emocional e shumë intim Simon Qafa mbi kujtimet e jetës së tij si seminarist në Romë, në bashkëveprim me personalitetet më të shquara shqiptare të shekullit të kaluar.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

VATRANI ANTON RAJA NDEROHET NË TIRANË NË SPEKTAKLIN “SHËN TEREZA SHQIPTARJA E GJITHË BOTËS”

July 6, 2024 by s p

Sokol Paja/

Veprimtari i çështjes kombëtare në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vatrani z.Anton Raja u nderua në Tiranë në spektaklin “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës” organizuar nga Qendra Guga Production me mbështetjene Tv Klan Plus në nderim të veprës së shkëlqyer të patriotëve tanë të mërgatës. Ai u nderua krahas shumë personaliteteve shqiptare që veprojnë jashtë atdheut. Në fjalën falenderuese z.Raja u shpreh: “Me lejoni të shpreh mirënjohjen time të thellë për ndarjen e kësaj njohjeje të veçantë. Jam thellësisht i prekur nga vlerësimi juaj dhe kjo më jep një motivim të shtuar për të vazhduar të jap më të mirën time. Mirënjohja juaj është një nder i madh për mua dhe një kujtesë e rëndësishme se puna ime vlerësohet. Faleminderit shumë për këtë njohje dhe për mbështetjen tuaj të vazhdueshme” përfundoi z.Raja.

Kush është Anton Raja?

Ai ka lindur në Podujevë, Kosovë më 23 Maj 1956. Në vitin 1969 largohet familjarisht nga Kosova për në Itali dhe dhe në vitin 1972 zhvendoset familjarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Z.Raja shquhet për shpirtin e tij human e fisnik ku ka ndihmuar familjet në nevojë, invalidë të luftës së Kosovës, institucionet fetare e kulturore apo individë të ndryshëm në vështirësi ekonomike. Z.Raja ndihmoi në mbledhjen e fondeve për UÇK-në para e gjatë luftës e ndihmoi financiarisht të prekur nga lufta. Z.Raja është sipërmarrës i suksesshëm, inovator, atdhetar e besimtar i devotshëm. Në New York prej më shumë se 10 vitesh ka formuar Shoqatën e Golfit ku të gjitha të ardhurat nga turnetë ia dhuron katedrales së Prishtinës Nënë Tereza. Z.Raja është ndër mërgimtarët më aktivë në shërbim të komunitetit shqiptar e çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës duke marrë pjesë në të gjitha protestat pro kombit shqiptar në New York, Uashington, në ndërkombëtarizimin e çështjes kombëtare në Amerikë. Z.Raja është aktiv në të gjitha ngjarjet patriotike e komunitare të mërgatës shqiptare duke udhëhequr aktivitetet kulturore, sociale e patriotike. Z.Raja në dekadën e fundit ka qenë ndër protagonistët kryesorë të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra dhe veprimtarisë së saj patriotike.

Z.Anton Raja është emër i nderuar në mërgatën shqiptare të Amerikës dhe pjesë e shkëlqyer e trashëgimisë materiale, shpirtërore e atdhetare në komunitetin shqiptar të mërguar përtej Atlantikut.

Filed Under: Featured

VATRA PËRKUJTOI 80 VJETORIN E GJENOCIDIT GREK MBI SHQIPTARËT E ÇAMËRISË

June 29, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 29 qershor 2024- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” përkujtoi në Selinë Qëndrore në New York 80 vjetorin e gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë. Në fjalën e hapjes Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj theksoi se gjenocidi grek mbi shqiptarët e pafajshëm të Çamërisë ishte një ndër ngjarjet më të tmerrshme të ndodhura ndaj popullsisë shqiptare. Në kumtesën e Ndriçim Kullës lexuar nga Nancy Kajo u tha se: “Zhdukja me çdo kusht e minoritetit shqiptar të çamërisë u bë një nga detyrat më të rëndësishme të grekërve për të realizuar të ashtuquajturën “Ide të madhe” të tyre, edhe pse ishte një detyrë agresive dhe kishte në thelb kryerjen e një akti çnjerëzor. Grabitjet e dhunshme të pasurisë së shqiptarëve, stimulimi i grekërve për t’u vendosur në fshatrat me popullsi çame dhe për të ndryshuar strukturën e përbërjes së popullsisë dhe shfrytëzimi arbitrar i pasurisë së tyre ishin veprime të përditshme që u bënë gjithmonë me urdhëra të qeveritarëve të Athinës veprime këto të stilit fashist”. Alket Veliu

Drejtues i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” në kumtesën e dërguar për këtë përkujtimore lexuar nga editori i Diellit shprehet se: “Masakrat dhe spastrimi etnik, duke dëbuar dhe shpërngulur me dhunë popullsinë shqiptare myslimane të Çamërisë, përbëjnë një ngjarje tragjike që ka lënë gjurmë të thella në historinë e kombit tonë. Kanë ndodhur krime monstruoze, që kapërcejnë çdo lloj imagjinate kriminale, krime të cilat kanë mbetur pa u ndëshkuar dhe, akoma më keq, as nuk pranohen nga pasardhësit e ekzekutorëve të këtyre krimeve” thuhet ndër të tjera në kumtesën e z.Veliu. Patrioti i shquar çam Ahmet Xhafo në fjalën përshëndetëse të dërguar për këtë takim shprehet se gjenocidi grek ishte “një krim që ndodhi mu në zemër të qytetërimit europian e askush nuk reagon, fatkeqësisht as shteti shqiptar. Shteti grek vodhi e sekuestroi me dhunë pasuritë, tokat, bizneset, bagëtitë, e shtëpitë e shqiptarëve. Ende sot asnjë falje, asnjë kompensim, as asgjë, vetëm harresë, por shqiptarët e Çamërisë nuk do të harrojnë përjetë”. Aktivisti i çështjes kombëtare Bashkim Shehu e cilësoi gjenocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë si një ndër ditët më dhimbshme të historisë sonë kombëtare dhe se shqiptarët nga Amerika duhet të punojnë për çështjençame. Poeti Mhill Velaj përgëzoi Vatrën për aktivitetet patriotike, apeloi që shqiptarëve të Çamërisë tu garantohen të gjitha të drejtat e mohuara shekullore dhe shprehu ngushëllime për humbjen e mikut të madh të Vatrës, Diellit e shqiptarëve të Amerikës Atë Antonio Bellusci. Pjetër Marku nga akademia “Mirdita” i bëri apel politikës shqiptare që të mos e harrojë kurrë çështjen çame. Në përfundim të përkujtimores, patrioti nga Kosova Toni Musaj shtroi një koktail për të pranishmit.

Filed Under: Featured

FESTIVALI I FËMIJËVE SHQIPTARË NË TORONTO “MARLEE`S GOT TALENT (MGT)”, SI NJË KONTRIBUT PËR GJUHËN, IDENTITETIN DHE KULTURËN KOMBËTARE

June 26, 2024 by s p

Ina Kocaqi Xoxa, mësuese e Festivalit të Fëmijëve Shqiptarë të Torontos “Marlee`s Got Talent (MGT)” dhe GTA (Greater Toronto Area), në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, dhënë Editorit Sokol Paja, analizon organizimin e një spektakli pë talentet dhe fëmijët shqiptarë duke krijuar një qendër kulturore, patriotike, sociale dhe atdhetare për familjet dhe fëmijët e mërgatës së Torontos. Festivali i përvitshëm ka një rëndësi të jashtëzakonshme për ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kulturor kombëtar  shqiptar.

HISTORIKU I FESTIVALIT TË FËMIJËVE SHQIPTARË NË TORONTO “MARLEE`S GOT TALENT (MGT)”

Marlee`s Got Talent (MGT) është një talent show ose Festival i Fëmijëve Shqiptarë të Torontos dhe GTA (Greater Toronto Area) të moshave 4 deri 18+ vjeç që organizohet vullnetarisht çdo vit në fund të Majit ose në fillim të Qershorit. Unë fillimisht e nisa aktivitetin muzikor me dy fëmijët e mi të vegjël duke u mësuar të këndojnë dhe të luajnë në piano dhe kitarë këngë shqiptare. Të dy fëmijët e mi interpretuan këngë shqiptare në Festën e Flamurit në Nëntor 2011 të organizuar nga SHBSHK Toronto. Dëshirës së shumë prindërve të lagjes Marlee Avenue në Toronto ju shtua edhe pasioni im për të punuar me fëmijë, si dhe qëllimit tim për të krijuar një arkive të zgjedhur kulturore shqiptare për fëmijët e lindur jashtë Atdheut, me krijimet më të mira foklorike e të zhanreve të tjera të muzikës sonë. Me inkurajimin e bashkëpunëtores sime të ngushtë, Gentjana Aliaj, dhe muzikanteve të talentuara Entela Galanxhi dhe Mara Cako, mora iniciativën të krijoj Korin e Fëmijëve të Torontos me 24 koristët e parë. Me ftesë të Dr. Ruki Kondaj, ish presidente e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptare të Torontos (SHBSHK) Kori i MGTsë mori pjesë në Festën e 8 Marsit 2012, në Festen e Shkollave Shqip të Torontos në Qershor 2012 si dhe në Koncertin e madh të 100 vjetorit të Pavarësisë, të gjitha të organizuara nga SHBSHK Toronto. Më pas dëshira e fëmijëve për pjesëmarrje po rritej kështu që mendova të organizoj një talent show ku fëmijët shqiptarë do të kishin mundësi të këndonin në kor këngë shqip, të kërcenin vallet tona të bukura, të luanin instrumenta, të recitonin etj me një repertor shqiptar, kanadez dhe internacional. Kështu u krijua Marlee`s Got Talent (MGT). MGT 1 është shfaqur në Maj 2014 me 20 pjesëmarrës. U quajt Marlee`s Got Talent pasi shumica e pjesëmarrësve janë nga Lagjja Marlee Ave (lagjja më e madhe me shqiptarë, në Toronto). Këtë vit në Marlee`s Got Talent 2024 plot 60 fëmijë festuan në skene 10 vjetorin e MGTsë me një program të pasur më këngë, valle, poezi etj.

ANGAZHIMI I FËMIJËVE NË RUAJTJEN E IDENTITETIT DHE KULTURËS KOMBËTARE

Suksesi i MGTsë është meritë e fëmijëve vetë por edhe e prindërve. Kemi gjetur një komunikim shumë frytdhënës falë transparencës së bashkëpunimit dhe dëshirës së përbashkët : Trashëgimi i Kulturës tonë dhe Gjuhës Shqipe! Një meritë të veçantë në suksesin 10 vjeçar të Korit dhe përformancave Instrumentale ka muzikantja/violinistja e talentuar Entela Galanxhi, mësuese ne TDSB dhe concertmaster of Greater Toronto Philharmonic Orchestra (GTPO). Entela Galanxhi e ka mbështëtur vullnetarisht korin që në krijimin e tij duke kompozuar/arranxhuar muzikën e mbi 50 këngëve shqiptare. Së bashku me të shoqin, muzikantin e talentuar Qazim Kallushi, mësues ne TDSB dhe drejtor ekzekutiv i GTPO si dhe me Mara Cakon, mësusese në TDSB dhe pianiste në GTPO, kanë shoqëruar korin dhe solistët në skenë në shfaqjet e MGTsë në vite. Gjithashtu pianistja e talentuar Sofia Papadhimitri së bashku me Mjeshtrin Jani Papadhimitri te Trio Fammus kanë shoqëruar korin e  MGTsë në disa përformanca mbresëlënëse. Entela Galanxhi & Qazim Kallushi, Mara Cako, Sofia Papadhimitri dhe Rudin Lengo kanë ndihmuar shumë anëtarë të MGTsë me përformancat e tyre në Talent show (piano, kitarë, violinë etj) dhe studentët e tyre vazhdojnë të marrin pjesë në MGT. Veçantia e korit dhe e talent show-t është se fëmijët pranohen pa audicione/përzgjedhje pasi qëllimi parësor i këtij festivali është që tu ofrojë të gjithë fëmijëve shqiptarë që kanë dëshirë, një mundësi për të mësuar këngë e valle shqiptare, folklorike e të përpunuara.

ÇFARË MËSOJNË FËMIJËT

Përzgjedhja e Programit bëhet pas një pune këmbëngulëse kërkimore që unë bëj për tu mësuar fëmijëve këngët e vallet më origjinale që përfaqësojnë të gjitha trevat në Shqipëri, Kosovë, Çameri, Arbëreshe etj. Falë sistemit arsimor të Kanadasë, fëmijët janë të familjarizuar me konceptin e origjinës, integritetit e kulturave të ndryshme në botë. Pjesëmarresit në MGT e kuptojnë qëllimin dhe rëndësinë e këtij aktiviteti që në fakt është kyçi i vazhdimësisë. Të gjithë fëmijët, pa përjashtim, këndojnë në kor dhe vallëzojnë në grupe vallesh sipas moshës. Unë punoj në detaje tekstet që fëmijët të kuptojnë çfarë do të këndojnë/recitojnë dhe ndalem pak në historinë e trevës që përfaqësojnë këngët e vallet. Për shembull fëmijët këtë vit mësuan që Vallja e Shotës është Vallja lirike e rosave pasi “shotë” i thonë rosës në dialektin Kosovar etj etj. Programi i Koncertit përbëhet nga 2 pjesë. Pjesa e parë është teresisht Folklorike Shqiptare ndërsa Pjesa e Dytë përfshin një repertor të zgjedhur ndërkombëtar (dhe shqiptare) nga të gjitha zhanret e artit përformues: Recitime, këngë, pjesë baleti, pjesë instrumentale, kërcim modern, retro, stand up, comedy etj etj.. Disa përformanca janë zgjedhje të vetë fëmijëve sipas talenteve.

PËRFITIMET E FËMIJËVE PREJ FESTIVALIT TË FËMIJËVE SHQIPTARË NË TORONTO “MARLEE`S GOT TALENT (MGT)”

MGT shërben si një qendër komunitare shqiptare për familjet dhe fëmijët. Krijohen miqësi mes anëtareve gjatë 5 muajve të provave. Rritja e vetëbesimit, përballja me “stage fright”, puna në grup dhe leadership (fëmijët me eksperiencë në talente të ndryshme ndihmojnë pjesëmarrësit e rinj). Njohja me krijimet më të mira shqiptare në këngë, valle, pjesë instrumentale, krijime letrare (një pasuri që do ti përdorin në gëzime familjare kur të rriten). Mësojnë tekstet dhe pasurojnë gjuhën nëpërmjet diskutimeve që bëjmë mësojnë për Skënderbeun, Rilindasit, kënget e prindërve të tyre në festivale etj. Fëmijët drejtojnë dhe mësohen me përgjegjësi. I përdorin “community volunteer hours” për aplikime në universitet. Mësojnë si të bëjnë fundraising dhe të mbështesin bashkëmoshatarët në Shqipëri si mbledhja e fondeve (pas termetit), pjesëmarrja në koncertin bamirës të Ervin dhe Linda Meço, fundraising në Mbrëmjet e “Shoqëria Jonë e Torontos” etj. Përfshirja e të dyja kulturave, shqiptare dhe kanadeze, në program ndihmon në vazhdimësinë e MGTsë pasi fëmijët identifikohen plotësisht në të. Ne si prindër mësojmë shumë prej fëmijëve duke parë sa të komunikueshëm janë dhe sa mbështëtes të njeri-tjetrit. Së bashku, jemi duke krijuar kujtime të mrekullueshme që do t’ju vlejnë shumë fëmijëve kur të rriten.

BASHKËPUNIMI ME KOMUNITETIN SHQIPTARË, ORGANIZATAT DHE SHOQATAT SHQIPTARE

Festivali vazhdon të organizohet çdo vit vullnetarisht, falë dëshirës së fëmijëve, punës së  palodhur të prindërve që ndihmojnë me çte munden, sponsoreve dhe dashamiresve. MGT vazhdimisht fton në social media të gjithë fëmijët nga Toronto, GTA e kudoqoshin të marrin pjesë në këtë event komunitar gjithëpërfshirës. Bashkëpunetoret më të dalluara të MGTsë që kanë ndihmuar për shumë vite me radhë në kor dhe valle janë të rejat e talentuara: Olivia Xoxa, E.A., Amanda Doku, Doreen Shtylla, Alyssa Dedelli, Elia Pasha, Ariel Doku, Eralba Hajdaraj, Eva Shtylla etj. Një brez i lë stafetën tjetrit duke ruajtur këtë traditë bashkëpunimi që është për tu admiruar. Nëe kontribut të veçante për 10 vjet me radhë, në organizimin dhe manaxhimin e shfaqjeve ka dhënë bashkëpunëtorja ime e ngushtë Gentjana Aliaj, Eva Hoxha, stilistja jonë e talentuar, Enkeleda Deda, financierja, dhe Alma Doku the graphic designer of MGT etj etj. Një mirenjohje të veçantë sponsorëve tanë që në MGT 1: Pasqyra Shqiptare (Ilir dhe Tony Lena), që me përkushtim dhe entuziazem ka xhiruar të plotë  çdo shfaqje dhe ka transmetuar çdo vit emisione të veçanta për të afruar sa më shumë anëtarë të rinj. LGH Art Photography (Genti e Lorida Hali), që kanë fotografuar çastet më të bukura të fëmijëve në skene), Entela Galanxhi, Vasil Kristaqi, Gojard Kodra,  Rrobaqepesi “Xhesi” në Sarandë, Xhesila Berberi Islamaj, atdhetare dhe patriote që ka sponsorizuar MGTnë për vite me radhë duke qepur kostumet popullore për fëmijët e të gjitha moshave, Gojard Kodra, Shoqëria Jonë e Torontos etj etj. Sponsoret dhe vullnetaret e MGT 2024 po i ndajmë me lexuesit në foto me mirënjohje dhe shumë respekt.

ARRITJET, ÇMIMET DHE PJESËMARRJET

Aktivitete të ndryshme të Korit të MGTsë: MGT talent Show çdo vit që prej vitit 2014 ka realizuar e marrë pjesë në koncerte, aktivitete të organizuara nga SHBSHK Toronto si: Koncerti i shkollave shqip të Torontos, Koncerti i 8 Marsit,  Koncerti i 100 vjetorit të Pavarësisë, Koncerti i Shenjtërimit të Nënë Terezës, Pjesëmarrje në Fundraising Concerts Ëorld Vision, Global 6K for Ëater Concert, shoqëruar nga Trio Fammus (Jani & Sofia Papadhimitri), koncerti i bamirësisë “Tinguj për vendin tim” organizuar nga Linda & Ervin Meço, fundraising me donacione nga vetë fëmijët dhe 2 këngë të korit në mbështetje të bashkëmoshaterëve në Shqipëri (Termeti 2019). Mbrëmjet e Festës së Flamurit – organizuar nga “Shoqëria Jonë e Torontos”, koncerti virtual i Festës së Flamurit 2020 organizuar nga Ambasada Shqiptare në Ottaëa, festivali i 11-të ndërkombëtar i Vjenës 2021 – Ëorld Peace Choral Festival 2021(online). Në këtë festival morën pjesë 300 kore nga 40 vende të botës. Kori i MGTsë mori pjesë me dy këngë shqiptare: “Margjelo” – Kori i të rinjve dhe “Këndo bilbil i fushave”. MGT Choir dhe Kori i të rinjve u vlerësuan me Bronze Aëard Certificate. Koncerti i MGTsë me rastin e 110 Vjetorit të Pavarësise – 19 Nëntor 2022, Forest Hill Spring Concert – nën drejtimin e Livia Simas, Koncerti “I love Çamëria” organizuar nga Gojard Kodra 30 Qershor 2024.

MIRËNJOHJE DHE RESPEKT PËR PRINDËRIT

Ne komunikojmë hapur me prindërit jemi shumë transparentë dhe mirëpresim çdo ide e formë bashkëpunimi. Programi ju dërgohet prindërve e fëmijëve që të njihen me të. Prindërit janë pjesë e MGTsë pasi ndjekin provat, sjellin gatime për fëmijët. Ata tashmë e dinë qëllimin kryesor të këtij aktiviteti që është tërësisht vullnetar, jo kompetitiv midis fëmijëve, përkundrazi është gjithëpërfshirës, si një qender komunitare e mirëfilltë.

KUSH ËSHTË INA KOCAQI XOXA?

Quhem Ina Kocaqi Xoxa, jam diplomuar si mjeke e përgjithëshme në Universitetin e Tiranës në 1997, ndërsa në Kanada jam diplomuar në arësim në vitin 2008. Punoj si mësuese e licensuar (OCT- Ontario Certified Teacher) në shkollat publike të PDSB në Ontario. Jetoj në Toronto që prej vitit 2000. Pasionin për muzikën, artin dhe punën me fëmijët e kam trashëguar nga prindërit e mi, Stefan e Shqipe Kocaqi, që kanë qenë arsimtarë të përkushtuar dhe artëdashës, dhe sidomos nga im atë që ka qenë organizator koncertesh në shkollë por edhe një aktivist i dalluar në komunitet, në Lukovë (teater dhe variete). Nga mami im dhe nga gjyshja ime, Adelajde Birjani, kam mësuar si të komunikoj me njerëzit, të jem tolerante dhe ti pranoj pa paragjykime. Kam marrë pjesë në orkestrinat (piano) në festivalet e fëmijëve në Sarandë nën drejtimin e mjeshtrit Thoma Gjoni dhe në koret e Festivaleve. Një mbështëtje të vazhdueshme në punen time vullnetare si themeluese dhe drejtuese artisike e MGTsë kam patur nga familja ime, bashkeshorti im, Vaska Xoxa dhe fëmijët e mi Scott dhe Olivia Xoxa. Vitet e fundit vajza ime, Olivia, më ka ndihmuar shumë si bashkëpunëtore në zgjedhjen e këngëve, përshtatjen e lëvizjeve koreografike të valleve si dhe në përfshirjen e ideve të brezit të ri në organizimin e shfaqjeve. Motivimin për të krijuar MGTnë e kam gjetur tek arbëreshet dhe rilindasit tanë që edhe pse larg Atdheut kanë mundur të ruajnë gjuhën dhe kulturën shqiptare për shekuj me radhë. Motoja ime është: Lum kush sheh me sytë e të ardhmes!

Filed Under: Featured

VATRA FESTOI 25 VJETORIN E ÇLIRIMIT TË KOSOVËS

June 15, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 15 qershor 2024- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” përkujtoi me nderim dhe respekt 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës. Një një ceremoni festive të organizuar në Selinë Qëndrore të Vatrës, në këtë ditë historike kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha shprehu mirënjohjen e përjetshme Shteteve të Bashkuara të Amerikës e NATO-s për ndihmën e jashtëzakonshme për çlirimin e Kosovës e mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë shqiptarëve të Kosovës në veçanti e shqiptarëve në trojet etnike në përgjithësi. Kryetari Berisha falënderoi Batalionin Atlantiku për ndihmën dhe kontributin e çmuar, të gjithë shqiptaro-amerikanët e mbarë vatranët me në krye Marjan Cubin, të cilët meritojnë vlerësime e nderime të veçanta. z.Berisha uroi festën duke shpresuar në bashkimin kombëtar te te gjitha trojeve shqiptare si aspiratë e përjetshme e çdo shqiptari. Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj theksoi se shqiptarët e Kosovës u çliruan nga regjimi gjenocidal i Millosheviçit falë mbështetjes ndërkombëtare e përpjekjeve të lavdishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Studiuesi Dr. Paulin Marku në fjalën e tij theksoi se lufta e Kosovës e vendosi bashkësinë ndërkombëtare në pozitën përcaktuese të një vendimi konkret e përcaktues për popullin shqiptar në Kosovë, të vuajtur dhe të dhunuar prej dekadash prej pushtuesit serb. Populli shqiptar i epur për liri e pavarësi frymëzoi çdo shqiptar anëkënd botës. Ngritja dhe organizimi i Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës me në ballë familjen e Adem Jasharit frymëzonte shqiptaret brenda dhe jashtë kufijve që ti bashkoheshin lëvizjes ushtarake për liri e pavarësi. Ishin të shumtë shqiptarët e diasporës që ju bashkuan luftës, siç ishin shqiptaret e diasporës. Sipas Dr. Markut ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte dëshmi e mbrojtjes së vlerave njerëzore dhe shtonte besimin e shqiptarëve ndaj forcës së armatosur se të drejtat e shqiptarëve po rivendosen në vendin e duhur, bazuar ne konceptin e sigurimit të të drejtave të njeriut në Kosove, të cilat ishin sfida te mëdha dhe ne qarqet ndërkombëtare. Çlirimi i Kosovës ishte ngjarje e madhe dhe përben arritje të jashtëzakonshme për shqiptarët, pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Studiuesi Prof. Elez Osmani në kumtesën e dërguar me këtë rast shprehet se: Lufta e Ushtrisë Çlirimtare ishte bijë e të gjitha përpjekjeve të atdhetarëve shqiptarë, të cilët asnjëherë nuk ishin pajtuar me pushtimin sllav, asnjëherë nuk kishin pushuar së kërkuari liri dhe mëvetësi. Çlirimi i Kosovës është përmbyllje e një pjese të procesit historik të bashkimit kombëtar, i cili do të bëhet një ditë, deshën apo nuk deshën qendra të caktuara të Evropës, citon prof. Osmani. Lavdi përjetë dëshmorëve të kombit tonë, heronjve, luftëtarëve e çlirimitarët që dhanë gjithçka për lirinë e shtrenjtë të shtetit e kombit shqiptar. Rroftë përjetë e mot Kosova e lirë, demokratike dhe Euroatlantike.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT