• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RUAJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR

September 15, 2020 by dgreca

RUAJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR PËRMES MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË TURQI-

Teuta Tabaku, mësuese e Gjuhës Shqipe në Bursa të Turqisë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, kulturës dhe traditës shqiptare në Turqi nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Teuta Tabakun bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË TURQI

Mësimi i gjuhës shqipe organizohet në mënyra të ndryshme sipas mundësive dhe kushteve që ka komuniteti Shqiptar në Turqi. Është për tu theksuar se qeveria Turke dhe Ministria e Arsimit e kanë organizuar në këto mënyra:

1- Gjuha Shqipe në shkollat fillore si lëndë me zgjedhje

2- Në shkollat publike sipas niveleve

3- Gjithashtu edhe në Universitetin e Edirnesë dega e gjuhës dhe letërsisë Shqipe në nivelin e arsimit të lartë.

Arsimi i nivelit fillor fatkeqësisht nuk pati jetëgjatësi pasi mungonte interesi i fëmijëve të cilët janë brezi i gjashtë dhe më larg. Këtu nuk duhet të paragjykojmë për arsyen e niveleve të ndryshme të arsimit dhe formimit të familjarëve. Për këtë program institucionet tona në bashkëpunim me institucionet Turke, duhet të përgatisin pedagogë ose mësimdhënës të kësaj fushe për të filluar edukimin e gjuhën amtare duke filluar nga prindërit. Së dyti ishte mungesa e teksteve të rifreskuara e nevojshme për të mbështetur procesin mësimor.

QYTETET KU MËSOHET SHQIP, KURRIKULA MËSIMORE

Mësimi i gjuhës shqipe organizohet në disa nga qytetet e mëdha të Turqisë si Bursa, Ankara, Izmir, dhe Stamboll. Unë në qytetin e Bursës për mësimdhënien punoj me programin e niveleve A1, A2, B1, B2, C1, dhe C2. Këtë program e kam filluar në vitin 2017 në shkollën publike të Bursës ku përfshihen metoda dhe materiale nga pedagogë të Universitetit të Tiranës. Duke u nisur nga përvoja ime mendoj se ky program është më i përshtatshëm për të mësuar gjuhën si gjuhë të dytë dhe për Komunitetin Shqiptar në Turqi. Ashtu sikurse e përmenda edhe më lart, mendoj se institucionet tona duhet të bashkëpunojnë për të përgatitur mësues për mësimdhënien e gjuhës Shqipe në Turqi. Në kurset e gjuhës Shqipe kam punuar me vullnet e dëshirë të madhe për të rritur interesin gjithashtu edhe numrin e nxënësve, pavarësisht vështirësive të ndryshme. Punoj dhe jap mësim vullnetarisht me disiplinë dhe korrektësi. Kjo punë ka dhënë frutat e veta dhe ka bërë që numri i nxënësve të vijë duke u rritur. Për tu mësuar gjuhën amëtare bashkëkombesve të mi këtë vit hapa edhe kursin e gjuhës Shqipe për amvisat me origjinë Shqiptare. Une çdo vıt hap 4 klasa me numër të ndyshëm nxënësish duke filluar nga 15 e deri në 25, 30 në varësi të interesit dhe kushteve. Sepse interesi mund të jetë i madh por mospërputhja e orareve të kursit me jetën e përditshme ndikon në numrin e pjesëmarrësve. Situata pandemike sigurisht krijoi vështirësi edhe në këtë fushë pasi jo të gjithë kanë mundësinë për të ndjekur mësimet online, por me durim dhe përkushtim mund të them që ia dolëm. Për këtë vit arsimor deri tani kam dy klasa online. Një të nivelit A1 me 20 nxënës dhe një klasë të nivelit A2 me 25 nxënës. Kjo e dyta ka mundësı të ndahet në dy klasa sipas kërkesave që mund të shtohen. Theksoj se është dhe kënaqësi për mua fakti që do të hap edhe një klasë onlinë me moshat e vogla, si 9 dhe 10 vjeç. Për klasat në shkollën publike besoj se ato do të hapen sipas programit dhe protokollit të Covid-19. Numri i mësimdhënësve për gjuhën shqipe është i pakët.

GJUHA SHQIPE SI MJET I RUAJTJES SË IDETITETIT KOMBETAR

Mësimi i gjuhës shqipe jo vetëm që ndihmon në ruajtjen e identitetit por është rruga e vetme për brezat e ardhshëm  që ta transmetojnë në brezat e tjerë. Duke folur e shkruar Shqip mbrojmë identitetin, rrënjët dhe traditen tonë. Komuniteti Shqiptar në Turqi duhet të jetë më i bashkuar për të mbrojtur identitetin dhe kulturën. Komuniteti Shqiptar është i organizuar në shoqata civile dhe kulturore të cılat janë të ligjshme në Shtetin Turk. Ashtu sikurse dihet Komunıtetı Shqiptar në Turqi ka një rol të rëndësishëm në çdo fushë dhe sukseset janë pafund.

TË MËSOSH SHQIP NË TURQI, REAGIMET

Edhe këtu mësimi i gjuhës shqipe është pritur mirë sepse komuniteti Shqiptar është një nga komunitet më të vjetra që jetojnë e punojnë bashkë me popullin Turk. Normalisht pritet mirë sepse historikisht kanë patur marrëdhënie vllazërore. E rëndësishme është se duke ruajtur e jetuar traditat e veta çdo komunitet ka respekt reciprok. Po bëjmë një punë shumë të mirë në shërbim të identitetit, kulturës, traditës, miqësisë me bashkëpunimin me vendin ku jetojmë.

MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

Mesazhi im për diasporën në USA është se duhet të bashkëpunojmë të gjithë së bashku kudo ku jemi. Vetëm nëse kemi bashkëpunim mund të jetë e mundur të mbrojmë dhe promovojmë gjuhën dhe kulturen tonë kombëtare.

 KUSH ËSHTË MËSUESE TEUTA TABAKU

Teuta Tabaku, mësuese e Gjuhës Shqipe në Bursa të Turqisë. Ajo u largua nga Shqipëria në qershor të vitit 1992. Pas një periudhe të gjatë integrimi, u angazhua vullnetarisht për të dhënë kontributin e saj në komunitetin shqiptar në Turqi, për informimin dhe zhvillimin e Diasporës atje. Me hapjen e Konsullatës së Nderit, një hap i rëndësishëm nga ana e saj ishte hapja e Kursit të Gjuhës Shqipe (pa pagesë), identifikimi dhe regjistrimi i të gjitha familjeve shqiptare që emigruan në Turqi në vitet ’90. Ky regjistrim solli pajisjen e tyre me dokumente dhe regjistrimin e fëmijëve të emigrantëve në Shkollat Publike Turke. Përgjatë viteve 2003-2015 në strehën e Konsullatës së Nderit, ajo organizoi aktivitete të ndryshme kulturore e historike lidhur me njohjen  reciproke të trojeve shqiptare dhe turke, si dhe për përkrahjen sociale e ekonomike të nxënësve, studentëve dhe familjeve të tyre. Këto aktivitete vazhdojnë edhe në ditët e sotme. Për thuajse tri dekada, ajo ka punuar për ruajtjen e identitetit dhe të gjuhës shqipe në komunitetin shqiptar atje, i cili përfshin bashkëkombës nga të gjitha trojet shqiptare. Në vitin 2017, me mbështetjen e bashkisë, ajo hapi zyrtarisht Kursin e Gjuhës Shqipe në shkollën Publike të Bursës në Turqi. Ka marrë pjesë në shumë konferenca e seminare për informimin, mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare, zhvillimin e marrëdhënieve turko-shqiptare, si në Turqi, ashtu dhe në trojet shqiptare. Për kontributin e saj vullnetar për komunitetin, Teuta Tabaku u nderua me titullin “Ambasadore e Kombit”. Në vitin 2019, Qeveria dhe Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës e vlerësoi me çmimin “Gruaja në Diasporë, Digë e fuqishme kundër asimilimit”.

Filed Under: Featured Tagged With: Shkolla shqipe, Sokol Paja, Teuta tabaku

Gjirokastër, nderohen dëshmorët nacionalistë që ranë në Grehot

September 14, 2020 by dgreca

Nga Raimond Kola-*

14 shtatori shënon në Shqipëri Ditën e Dëshmorëve Nacionalistë. Në Grehot të Gjirokastrës formacione të djathta nderuan sot 36 luftëtarë mes të cilëve edhe komandantin e Ballit Kombëtar Hysni Lepenica. Pjesëmarrësit në ceremoni kërkuan nga historianët të rivlerësohen ngjarjet që lidhen me rolin e Ballit Kombëtar dhe luftën e Grehotit.

14 shtatori shënon në Shqipëri Ditën e Dëshmorëve Nacionalistë. Kjo datë lidhet me 14 shtatorin e vitit 1943 ku në një betejë në Grehot të Gjirokastrës me pushtuesit italianë që po linin Shqipërinë u vranë 36 luftëtarë të Ballit Kombëtar. Shumë prej tyre ishin udhëheqës te cetave të Ballit ndërsa në këtë betejë u vra edhe komandatin i Ballit Komebatr Hysni Lepenica. Familjarë por edhe pëfaqësues të subjekteve të djathta nderuan sot ne ceremoni të ndara të rënët. Kreytari i shoqatës antikomuniste të të përndjekurve politike Nebil Cika tha se nderimi për këtë ditë ishte nderim për kontributin e shquar të nacionalistëve shqiptarë në mbrojtjen e integritetit të Shqipërisë.

Këta njerëz u vranë për të mbrojtur integrtitetin tokësor, Shqipërinë etnike, lirinë dhe demokracinë. Kishin një program politik “Dekalogun” që garantonte lirinë politike dhe shoqërore dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Sot janë një frymëzim i madh dhe një shembull për ata që duan të ndryshojnë Shqipërinë.

Mes deputetëve dhe përfaqesuesve politikë të Partise Demokratike ishte edhe Myzafer Elezi. Ai tha tha se historia duhet te rishkruhet Jo vetem per betejen e Grehotit por edhe për rolin e Ballit Kombëtar

Asgjë nuk është e vërtetë nga ato që janë shkruar.Janë historianët shqiptarë që pa ngacmime ,pa ndikime politike duhet të flasin për realitetin që është ndryshe nga ai që kemi mësuar në bankat e shkollës.Nacionalistët shqiptarë kishin një mision ata donin që Shqipëria të ishte e lirë dhe e pavarur.

Në një ceremoni të ndarë përfaqësues të Partisëe së Ballit dhe familjarë të Hysni Lepenicës kryen nderime në varrezat e Grehotit. Deputeti Adriatik Alimadhi tha se kjo ditë ishte e shënuar për Ballin Kombëtar.

Kjo ditë është historike sepse lidhet me ditë e dëshmorëve të Ballit Kombëtar dhe njëkohësiht me vrasjen e komandatit të pëgjithshëm të forcave të Ballit Hysni Lepenica së bashku me 36 luftëtarë të tjerë të Ballit.

Ndërsa Ridvan Mersini, përfaqësues i kësaj partie në Vlorë tha se duhej vullenti i bashkimit te nacionalistëve edhe në cermoni të tilla.

Do ishte në nderin e tyre që krah përkrah kryetarit të Ballit dhe familjarëve të vendosnin kurora së bashku.

Masakra e Grehotit vlerësohet nga burimet historike se u shkaktua nga një sulm i beftë i ushtarëve italianë që përgatiteshin të braktisnin kazermat e Grehotit pak ditë pas kapitullimit të Italisë fashiste në Shqipëri. Nacionalistët e mbledhur nga disa krahina që kishin negociuar për një dorëzim pa kushte u qëlluan në pabesi dhe 37 luftëtarë, mes të cilëve edhe Komandanti i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar Hysni Lepenica humbën jetën.(Fotot:Kortezi Nebil Cika)

Filed Under: Featured Tagged With: nderohen dëshmorët nacionalistë, Nebil Cika, Raimond Kola

KUJTESA- GЁRHOTI-TRADHETIA E MADHE

September 14, 2020 by dgreca

NGA PELLUMB LAMAJ/ Dielli-arkiv*

Gerhot,Gerhot/
Mbi gurin tend te thate e te shkretuar/
As lule,as lote une s’te dhuroj/
Nje mallkim qe thelle nga shpirti im shperthen/
Une te perplas;Gerhot xhenem,Gerhot ,trradhetar/
Me lote e gjak i trradhetuar./

Kudret Kokoshi/

Ne llogoret e luftes te gjitha zemrat kane nje rritem,gjaku qe fiton lirine,gjaku qe shlyen roberine,nuk mban emra partish.
Diten e 14 shtatorit 1943,te trradhetuar nga sllavokomunistet shqiptar ne bashkepunim me forcat pushtuese italiane ne Gerhot do te binin nje nga nje si ata lisat e lashte,ata qe e kishin dashur atdheun me shume se vetja e tyre,trima,nacionalist qe kishin shkruar historine maleve dhe ishin gati te jepnin dhe jeten per atdhe.Italia fashiste kishte kapitulluar dhe forca te shumta te armatosura me te gjitha mjetet ishin grumbulluar prane kazermave ushtarake ne Gerhot.Komandanti i pergjithshem i Ballit Kombetar me qindra luftetare pasi kishte cliruar qytetin e Gjirokastres dhe fshatrat perreth,i drejtohet me nje leter shtabit partizan qe ndodhej ne Ceptun duke ju zgjatur doren e bashkepunimit ne keto momente historike ne sherbim te kombit.Drejtuesit komunist Bedri Spahiu,Shefqet Peci,Shemsi Totozani jo vetem refuzuan te pergjigjen e bashkepunojne me Ballin Kombetar,por me urdher te Popovicit,Mugoshes e Hoxhes,ne bashkepunim me pushtuesin italian,do te vulosnin trradhetine me te madhe te komunisteve shqiptar.Naten e trembdhjete shtatorit,Bedri Spahiu,Shefqet Peci,Shemsi Totozani te shoqeruar nga majori anglez Tillman, mbrijne ne kazermat italiane dhe i propozojne gjeneralit italian Klementinit qe ai te mos e zbatoj marreveshjen qe forcat italiane kishin bere me Ballin Kombetar me pare.Sipas kesaj marrveshje,forcat italiane do te dorezonin gjithe armatimin dhe te shoqeruara nga forcat e Ballit Kombetar do te dergoheshin ne Sarande e prej andej me anije per ne itali.
Te dirigjuar nga majori anglez,kreret komunist do tu propozojne forcave italiane largimin per ne Itali me gjithe armatim, por me nje kusht.Italianet duhej te dorezoheshin tek forcat partizane dhe kur forcat e Ballit Kombetar tu afroheshin kazermave italiane,ushtria te hapte zjarr.Ata e nxiten gjeneralin italian duke i thene se Hysni Lepenica eshte nipi i Ahmet Lepenices qe ka qene komandanti i forcave ushtarake ne Luften e Vlores ne 1920en dhe se vete Hysni Lepenica ka zhvilluar disa beteja kundra italianeve si ajo e Gjormit,Selenices,Ruzhdies e se gjithe ushtaret rober qe ishin kapur,ai i kishte vrare kur dihej hapur se roberit italian i kishte egzekutuar Mehmet Shehu duke mesuar partizanet si te therrnin me thike e duke i hedhur pastaj ne gremine
Pa ditur asgje per pusine kobzeze qe sllavokomunistet shqiptar ne bashkepunim me pushtuesin italian kishin pergatitur kundra vllezerve te tyre shqiptar ,diten e 14 shtatorit Hysni Lepenica dhe tridhjete e gjashte komandante cetash do tu afrohen kazermave ushtarake italiane kur pa pritur do te shperthenin mijera gryka zjarri.Gerhoti do te mbulohej nga pluhuri e tymi.Ne fushe te hapur,perball qindra mortajave e mitralozeve qe villnin zjarr e vrere,luftetaret e Ballit Kombetar te zene ne befasi do tu pergjigjen me zjarr pushtuesit.Largohu komandant; i thane bashkeluftetaret Lepenices,na prene ne bese komunistet e breshkaxhinjte, por si mund te largohej ai qe kishte luftuar aq beteja e kishte dal fitimtar,si mund te largohej ai e te linte shoket te binin nje nga nje nga plumbat e pushtuesit .”Jo,do luftojme deri ne fishekun e fundit qe historia neser te mos thote ja mbathen Ballistet” keshtu do tu pergjigjej komandanti bashkeluftetareve .E ai do te mbeste atje,bashke me trupat kombetar,atje ku shkruhej liria,ne gjokset e tyre te pergjakura qe jane per trimat gjithe lavdia.
Nderkohe qe Gerhoti vaditej me gjakun e trimave nacionalist, Majori anglez,dhe kreret e shitur komunist Spahiu,Peci,Totozani ngrinin dolli per fitoren e perbashket ne zyrat e komandes italiane. Si ishte e mundur qe partizanet e batalionit Asim Zeneli qe ndodheshin ne anen tjeter te Viroit heshtnin dhe shikonin se si korreshin nga plumbat e pushtuesit bijte me te mire te kombit.
Kishte kaluar vetem nje muaj dhe Hysni Lepenica ishte caktuar komandant i pergjithshem i Ballit Kombetar ne Mukje ku shqiptaret kishin dhene besen e madhe pa dallim feje,krahine e ideje se do ta luftojne pushtuesin sebashku.Si ishte e mundur qe te shkelej ky betim e te beheshe pjese e pushtuesit.Gerhoti qe personifikon trradhetine me te madhe e me te shemtuar te organizates terroriste shqiptare P.K .SH do te behej vari i madh i Kombit.Gerhoti do te ishte preludi i luftes vellavrasese.Bashke me ata burra ,do te binte edhe e drejta e popullit shqiptar per te vendosur te ardhmen ne forme demokratike.
‘Komunizmi eshte nje semundje e tmerrshme,si ai terbimi i qeneve dhe ujqerve qe shkaterron jo vetem trupin,por mendjen dhe shpirtin e njeriut”-keshtu do tu drejtohej shqiptareve ne prag te luftes vellavrasese apostulli shqiptarizmit Mit’hat Frasheri, por sllavokomunistet shqiptar e kishin marre vendimin e tyre.Vetem disa dite pas trradhetise se Gerhotit ,me urdher te Popovicit e
Mugoshes,ata do te nisin luften vellavrasese.
Ne Gerhot,bashke me shume trima,do te plagosej rende nga plumbat e pushtuesit edhe djaloshi nga Cameria Elmaz,Emin,Filati.Pas betejes,trupi i tije do te dergohej ne fshatin Velce per tu kuruar dhe atje ,forcat e brigades se peste me urdher te Hysni Kapos pasi i derrdhen bresheri plumbash mbi trupin ende te gjakosur,e morren zvarre dhe e hodhen ne gremine. Dhe bashkeluftetaret qe aq shume e deshen do ti kendonin;

O Elamaz Emin Filati
Trimi qe lufton ne kembe
Ne Gerhot per ty qe fati
Morre nje plage te rende

Ne Velce te shpune kaluar
Dhe te shtruan ne spital
Brigade e peste e terbuar
Errdhi dhe te hoqi zvarre

Ne krevat ku ti lengoje
Nga plumbat e italianit
Prite dhe nje karikatore
Me plumba te partizanit

Lepenica te mbante me vehte
Si besnik nga Cameria
Te kish trim per dite te keqe
Erdh’ e te vrau partia

Dhe kucedra e kuqe s’kishte te ngopur. Duke perfituar nga drejtimi qe morren ngjarjet e Luftes se Dyte Boterore dhe perkrahja e misioneve ushtarake angleze,ata do te shaketerronin e shkelnin me kembe c’do vlere shpirterore, morale e kombetare, Vetem ne Lushnje ,krimineli Mehmet Shehu do te pushkatonte e therrte me thike me dhjetra fshatare me te vetmin faj se ata ishin simpatizante te Ballit Kombetar.Bandat komuniste te Shefqet Pecit,Bedri Spahiut,Shemsi Totozanit pas trradhetise se Gerhotit pasi do te pushtonin e digjnin Jugun, te terbuar e ndezur nga gjaku, do ti turreshin Veriut dhe Kosoves ku shqiptari do te vriste shqiptarin per interesat e serbit.Trradhetia e Tivarit do te ishte nje tjeter tragjedi e var i madh i kombit shqiptar qe do te mbante vulen e organizates terroriste shqiptareP.K.SH .

Sot ne shtatedhjete e pese vjetorin e betejes se Gerhotit, ne perrulemi me respekt e krenari para atyre BURRAVE.
Koha dhe Historia na dha te drejte edhe pse historiografia sllavokomuniste dhe lolot e saj vazhdojne te censurojne e sakatojne kete te vertete historike.Lum kush vdes per kombin.
Deshmoret i perkasin kombit dhe jo partise
Atje ku ndjenja e lirise eshte me e madhe,lindin martiret.
Idealet kombetare ngrihen mbi vare deshmoresh.
Lavdi Deshmoreve te Gerhotit…!
LAVDI SHQIPERISE ETNIKE!

  • Foto nga perkujtimi I deshmoreve te Gerhotit ne Vater , 12 Shtator 2017

Filed Under: Featured Tagged With: Gerhoti, Pellumb Lamaj, Tradhetia e Madhe

LAHUTARI I EPOSIT TË KRESHNIKËVE

September 14, 2020 by dgreca

Lahutari Jonuz Delaj ka qenë pjesëmarrës i festivaleve ndërkombëtare në vitin 1973 në festivalin Ballkanik në Ohër të ish-Jugosllavisë, në Ankara të Turqisë, në festival Europian në Venecia, në Bolonja dhe turne të rregullt në viset shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e Preshevës….

Nga Sokol PAJA  – DIELLI-

Jonuz  Delaj është lahutari më i veçantë në trevën e Malësisë. Një vazhdues i gjallë  i traditës, historisë dhe krenarisë së lashtë të Eposit të Kreshnikëve. Prej 64 vitesh Jonuz Delaj nuk resht duke i kënduar e shkruar këngë Malësisë, historisë së saj të lavdishme, traditës, kulturës e personazheve më të rëndësishëm në shekujt e gjatë të Malësisë. Jonuz Delaj në moshën 6 vjeçare filloi ti binte lahutës, në një moshë kur lahuta ishte më e madhe edhe se vetë artisti. Këtë instrument muzikor e ka trashëguar nga babai dhe gjyshi që ishin mjeshtra të lahutës. Lahuta dhe pushka ishin binom i çdo familje malësore. Fëmijët në atë kohë bëheshin ose të pushkës ose të lahutës. Fëmijëria e Jonuz Delajt ishte e lidhur jashtëzakonisht me kuvendet e burrave, logun apo organizimet mes fshatrave.  Fisnikëria e malësorëve ishte e jashtëzakonshme. Dashuria për atdheun ishte frymëzim së bashku me këngët e trimërisë, lufta për të mbajtur pushtuesin (shkjaun) larg trojeve shqiptare. Krenaria e të papushtuarit, dëbimi i shovinistëve dhe mbajtja në mënyrë të shenjtë të tokave të të parëve, ishin elementi dallues dhe frymëzues në këngët e Jonuz Delajt.

Kënga e parë e kënduar prej lahutarit Jonuz Delaj quhet: “Këta nizamët e shqiptarisë” që i dedikohej djemve shqiptarë të marrë peng prej Turqisë. At Gjergj Fishta ishte element frymëzimi për çdo malësor. Jonuz Delaj në moshën 10 vjeçare lexoi kryeveprën e Fishtës “Lahuta e Malësisë” origjinale dhe arrinte të thoshte qindra vargje  në koncerte e ansamble. Jonuz Delaj është dekoruar me Dekoratë e Klasit të Tretë nga Kuvendi Popullor si interpretues i vlerave kombëtare, folklorike dhe trashëgimisë kulturore. Kënga e fundit që ka krijuar lahutari Jonuz Delaj është për emigrantët shqiptarë e titulluar: “Prej mërgimit më erdhi një fjalë”. Jonuz Delaj  vazhdon të krijojë çdo ditë duke i kënduar Malësisë, figurave të saj, e ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së saj. I harruar prej  të gjitha pushteteve, ai  nuk u  zemërua kurrë, por në zemrën e tij dhe shpirtin të artit kultivoi dashurinë për Malësinë e tij, atë që nuk e braktisi kurrë. Çdo këngë ka historinë e saj të veçantë tregon Jonuz Delaj. Pabesia e komunistëve ndaj Këlmendit ishte e frikshme. Këlmendasit janë mësuar gjithmonë me pabesi që nga Osmanët  e deri nga serbët e komunistët në fund, shpreh pikëllim lahutari. Jonuz Delaj i ka kënduar Marash Ucit (një figurë e lartë trimërie nga Brigjet e Hotit), Oso Kukës, Atë Fishtës, Ciklit të Kreshnikëve, Martesa e Halilit, Isa Buletinin, Ali Pashë Gucinë, Nores së Kelmendit, Mem Smaljit, Prek Calit, Nik Lek Pepës, Sali Manit etj. U ka kënduar ngjarjeve që kanë shënuar Malësinë, qëndresës heroike të Këlmendit çka e bëjnë këtë lahutar kaq të dashur për Malësinë e malësorët.

Leu Prek Cali mbi  këto kreshta

Fjala e tij ushtoi sa bjeshka

Atje në Londër ky dai

Mos mi shtyj gur e shefi

Mos ma shkelni vendin tem

Se ua baj  vorrin në Kelmen

Sipas Lahutarit Jonuz Delaj, At Fishta erdhi në Malësi jo vetëm  për meshën e shenjtë por për ti kënduar e shkruar  malësorëve të Malësisë, bijve heroikë dhe atyre që kanë lënë jetën për Këlmendin e krejt Malësinë. Fishta u shkroi malësorëve dhe fisnikërisë e trimërisë së tyre mbi  20 mijë vargje. Lahuta ime thote Jonuz Delaj nuk i ka kënduar gjithëkujt, por bijve të veçantë të Malësisë dhe historisë së saj. Lahuta është më e vjetër se Cikli i Kreshnikëve. Lahuta ishte një sinjal kushtrimi si kënga maja krahut për raste të veçanta për malësorët që të mos diktoheshin  nga shkjau. Kënga e lahutës dhe kënga maja krahut ishin sinjale të veçanta komunikimi, një gjuhë specifike e fshehtë mes malësorëve që sinjalizonin njëri-tjetrin në raste rreziku. Edhe në komunizëm nuk i këndoi kurrë partisë dhe udhëheqjes por vetëm Ciklit të  Kreshnikëve dhe trimërisë e historisë së Malësisë e malësorëve. Vetë misioni dhe specifika e lahutës si instrument muzikor e shpëtoi nga censura dhe shërbimi ndaj partisë e udhëheqjes së kohës. Lahuta i këndonte trimërisë së malësorëve, kënga e lahutarit frymëzonte malet dhe malësinë e trimërinë , i nxiste në luftë  patriotët për të luftuar për atdheun e trojet e tyre. Në çdo luftë, në çdo kuvend burrash, në çdo betejë, lahuta i frymëzonte malësorët kundër sllavëve dhe osmanëve. Çdo katund ka pas lahutarët e tij në Malësi. Lahuta, fyelli, zymarja ishin tre instrumentët muzikor më të përdorur në Malësi. Jonuz Delaj veçon lahutarët më në zë të Malësisë: Nua Biboçi, Prek Gjon Luca, Martin Llesh Smajlaj, Vera Qosaj, Pretash Nilaj e disa të tjerë që e kanë trashëguar traditën e lahutës në Malësi. Sipas Jonuz Delajt, Sali Mani solli i pari çiftelinë në Malësinë e Madhe dhe i këndonte fshatit, trimërisë së malësorëve, jetës së  përditshme dhe personazheve të thjeshta frymëzuese të jetës së përditshme. Së bashku me Sali Manin kujton lahutari Jonuz Delaj, shkonim nga Malësia në Shkodër në këmbë për të kënduar në koncerte. Ne lidhëm një miqësi të fortë. Si dy instrumentat e çiftelisë e lahutës që janë bashkë, ashtu edhe ne ishim  një binom i pa ndarë. Me Sali Manin kemi shkuar në çdo festival në Gjirokastër, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi etj. Fakti i qëndrimit besnik të boshtit kreshnik të Lahutës, shpjegon lahutari Delaj, më shpëtoi nga kënga për udhëheqjen komuniste. Jonuzi i rritur me sokolat e bjeshkës mësoi ti binte edhe fyellit, zymarese e çiftelisë. 

Lahutari Jonuz Delaj ka qenë pjesëmarrës i festivaleve ndërkombëtare në vitin 1973 në festivalin Ballkanik në Ohër të ish-Jugosllavisë, në Ankara të Turqisë, në festival Europian në Venecia, në Bolonja dhe turne të rregullt në viset shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e Preshevës. Lahutari Delaj tregon me krenari se në Prishtinë, vitin që shkoi së bashku me lahutarë të tjerë kanë krijuar Festivalin e Lahutarëve në hapsirën mbarëshqiptare. Lahutari Jonuz Delaj është një mbrojtës i flaktë i vlerave të hershme të lahutës ( lavdës ) në media të shkruara dhe audiovizive. Lahutari Jonuz Delaj sulmon dhe UNESCO-n që e ka cilësuar lahutën element të trashëgimisë kulturore serbe. Lahutari Delaj citon At Fishtën: Serbët në Ballkan erdhën dy shekuj mbas nesh dhe shprehimisht, kur ne vazhdonim qytetërimin për dy shekuj, ata erdhën nga shpellat Urale të Rusisë. 

Në 30 vitet e demokracisë janë vitet  më të zymta të artit dhe kulturës shqiptare. Sidomos të pjesës folklorike që përbën identitetin tonë kombëtar, shprehet i zhgënjyer lahutari Delaj. Tradita dhe historia në muzikë është lënë në harresë prej qeverive në vazhdimësi. Shteti duhet ti ruaj me fanatizëm këto tradita. Sot ky komb është në rrezik, po humbet identitetin kombëtar. Që nga librat në shkolla e deri te mbështetja shtetërore për artin janë në nivele alarmante. Nuk kujdeset askush as per individin as për  artin, nuk ka kinema, shtëpi kulture, zero investime për artin. Në përfundim të bisedës, lahutari kreshnik Jonuz Delaj, na lë një amanet patriotik: Ruani patriotizmin siç e ruani prej më shumë se tash një shekulli. Mësojini fëmijëve shqip. Duani atdheun dhe mos e harroni kurrë historinë dhe identitetin tuaj shqiptar.  

Filed Under: Featured Tagged With: Jonuz Delaj, Lahutari, Sokol Paja

KOMUNITETI SHQIPTARO-AMERIKAN I DHA LAMTUMIRËN LIZA QAFËS

September 12, 2020 by dgreca

Lisa Qafa-27 Qershor 1962 – 6 Shtator 2020-

–Nga Dalip Greca–

         Lutjet, qirinjtë, lulet, lotët,zbutën sadopak dhimbjen për ikjen e Liza Qafës, bashkëshorte e Simon Qafës, nënës së Palit dhe Jackie. Është tepër e vështirë t’i japësh lamtumirën nje njeriu të dashur e të respektuar, që ka vuajtur shumë prej sëmundjes, por në fakt të gjitha shërbimet, përkujdesjet, dashurinë, i ka pasë maksimalisht nga bashkshorti, fëmijët,motrat, të gjithë të dashurit, e kanë dashtë me shpirt dhe i kanë shërbyer me shpirt e zemër. Simoni, që së bashku me fëmijët, i shërbyen deri në frymën e fundit, ngushëllohet me fakti se Liza tash e tutje nuk do të vuaj më!    

   Komuniteti shqiptaro-amerikan e ka përcjellë me respekt dhe nderime Lizën. Pjesmarrja si në homazhet në funeral, ashtu edhe në meshë e ceremoninë e varrimit ka qenë masive, tregues ky i respektit dhe nderimit për Lizën dhe Familjen Qafa. Zemra e Lizës 58 vjeçare pushoi së rrahuri ditën e Hënë me 6 Shtator 2020.

           Të Premten, 11 shtator, për më shumë se 7 orë, komuniteti shqiptaro-amerikan i shprehu ngushëllime familjes duke mbajtë radhë të gjata para shtëpisë mortore: Ballard-Durand-Funeral Home në White Plains, New York. Ishte një pjesmarrje e jashtzakonshme edhe pse pandemia diktonte rregulla të forta shtërnguse për të ruajten e distancës dhe masat e tjera mbrojtëse.Kishin ardhur nga të gjithë shtetet e Amerikës; shumë organizata të komunitetit përcollën ngushëllime në mënyrë të organizuar.

Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” dërgoi një kurorë me lule në nderim të Lizës në Shtëpinë Mortore, ndërkohë që ngushëlluan familjen dhe kryen homazhe: Kryetari i Vatrës  Elmi Berisha, Presidenti i nderit Agim Rexhaj, ish Kryetari Gjon Buçaj, nënkryetarët Pashko Camaj e Besim Malota, anëtarët e kryesisë Zef Balaj,Anton Raja,Marjan Cubi me zonjën Dila, Mark Mrnaçaj,ish nënkryetari Asllan Bushati, Lek Mirakaj, Paulin e Aleks Mrnaçaj, Mhill GJuraj, Mhill Velaj, Pashk Maksuti, editori Dalip Greca dhe shumë të tjerë.

        Të shtunën, 12 shtator, në orën 10 paraditë, në Kishën Katolike Shqiptare”Zoja e Shkodrës” nisi Mesha e Dritës nën drejtimin e famullitarit Don Pjetër Popaj. Pjesmarrja ishte shumë e madhe; madje një pjesë qëndruan në këmbë. Don Pjetër Popaj u lut për shpirtin e Lizës dhe evidentoi cilësitë, karakterin dhe virtytet e saj si bashkëshorte, si nënë,si besimtare, dhe qëndrushmërinë ndaj sëmundjes, me të cilën Liza u përball për një kohë të gjatë. Don Pjetër Popaj vlerësoi dhe sjelljen njerëzore të bashkëshortit të saj, Simonit, i cili, i shërbeu me përkushtim, deri në çastet e fundit të jetës. Don Pjetër Popaj u ndihmua gjatë meshës edhe nga prifti I White Plains father Tim Higgins.

   Nga elteri përcollën mesazhe dhimbjeje, nderimi, por dhe krenarie, djali i Lizës dhe Simonit, Pali, motrat e Lizës Vicki Buçaj dhe Vera Buçaj, si dhe motra e Simonit, Gjina Qafa Syla.

                 Pas Meshës, u krye ceremonia e varrimit në Gate Of Heaven Cemetery, në  Westchester County, New York. Pas Lutjeve të Don Pjetër Popaj, në emër të familjes ka falenderuar për pjesmarrjen e shumtë në homazhe, në meshë dhe në varrim, vëllai i Simonit, Nikolla Qafa. Ai tha fjalë shpirti për kunatën e tij, të cilën e përshkroi si një bashkëshorte të përkryer, një grua të fortë, dhe një nënë shembullore.

Çast emocionant ishte moment kur djali dhe vajza e Lizës e Simonit, Pali dhe Jackie, lëshuan pëllumbat e bardhë në ajër. Lule të shumta e rrethuan arkivolin, në syprinë e të cilit ishte stampuar Shqiponja e Flamurit Kuq e zi.

Nga Vatra meshën dhe ceremoninë e varrimit i ndoqën: Kryetari Elmi Berisha, Zef Balaj me zonjën, Idriz Lamaj me zonjën,Lek Mirakaj me zonjën, Asllan Bushati,Paulin Mrnaçaj,ish kryetari i Vatrës Gjon Buçaj me zonjën e djemtë, Anton Raja, editori i Diellit e të tjerë.

Për shpirtin e  Lizës familja shtroi drekë.

Lamtumirë Liza! Pushofsh në Paqe!(Dielli)-Per me shume fotografi

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 197
  • 198
  • 199
  • 200
  • 201
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT