• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FLET NGA GJERMANIA EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN DIELLI NË SHBA, BRUNILDA KODUZI

July 28, 2020 by dgreca

SHIFRAT E PËRHAPJES SË COVID-19, SA E RREZIKUAR ËSHTË GJERMANIA/

Brunilda Koduzi, radiologe në klinikën Neumaier me qendër në Regensburg, Bayern, Gjermani, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, rreth zhvillimeve më të fundit të pandemisë globale në Gjermani dhe specifikat e përhapjes së re të Covid-19. Me Brunilda Koduzin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

PANDEMIA, ÇFARË PO NDODH NË GJERMANI

Aktualisht, 24.07.2020 Instituti Robert Koch deklaron në Gjermani 815 raste të reja të infektuar me COVID 19, kjo vetëm në 24 orët e fundit. Krahasuar me ditën e djeshme (23.07.2020) që dokumentonte 569 raste të reja apo ditën e pardjeshme (22.07.2020) me një numër rastest të reja prej 454 si dhe me numrin e rasteve të reja të të infektuarve në javët e fundit i cili varionte 400-600,mund të themi që Gjermania po perballet me një rritje te numrit të të infektuarve në ditë. Sipas Virologëve  situata shihet kritike, për shkak se ndjekja zinxhir e infeksionit si dhe zbulimi i vatrës së infeksionit është veshtirë të identifikohet. Janë të shumtë faktorët të cilët mund të kenë ndikuar ne këtë situatë. Si faktor kryesor shihet reduktimi i masave kufizuese, rikthimi i përditshmërisë ka rritur nivelin e kontakteve.  Një faktor tjetër mendohet se janë të infektuarit që kthehehen prej pushimeve nga vënde të ndryshme. Rritja e konsiderueshme e numrit të testimeve mendohet se ështe një tjetër faktor i cili ka influencuar në  shifrat aktuale, shembull sipas  Institutit Robert  Koch ku vetëm në javën e kaluar janë kryer  531 571 testime gjithsej në të gjithë Gjermaninë, krahasuar kjo me javën e dytë të majit (09.05.2020-15.05.2020) ku numri i të testuarve ishte 127 457.

SITUATA E COVID-19 NË BAYERN

Rasti i parë i infektuar me COVID 19 në Bayern daton me 27 Janar. Potenciali dhe rrezikshmëria e infektimit është cilësuar nga Instituti Robert Koch në këtë pjesë të Gjermanisë në përgjithësi e lartë. Ka një rikthim gradual të jetës dhe aktiviteteve të përditshme, duke u munduar në zbatimin rigoroz të distancës  dhe masave higjenike. Përsa i përket shqiptarëve që jetojnë në Bayern nuk kam një shifër zyrtare. Ne si mjekë, të cilët jetojmë dhe punojmë në Bayern kemi një bashkëpunim ndërkolegial me njëri tjetrin,  i cili u theksua gjatë situatës që u krijua nga pandemia, me krijimin e një grupi vullnetar mjekësh të cilët publikuan kontaktet e tyre personale për ti ardhur në ndihmë me informacione shqiptarëve të cilët jetojnë dhe atyre që prej rrethanave që krijoi pandemia globale ishin të detyruar të qëndronin në Bayern. Ky bashkëpunim u realizua falë organizimit të Shoqatës së Mjekëve në Gjermani, duke treguar që të gjithë bashkë jemi më të fortë.

COVID DHE SPECIFIKAT NË RADIOLOGJI:

Rastet e dyshuara apo të konfirmuara me COVID 19 në klinikat radiologjike kanë qënë dhe  vazhdojnë të jenë të përditshme, duke qëne se përveç testimit një rol të rëndësishëm ka edhe diagnoza imazherike nëpermjet grafisë torakale dhe skanerit(CT), të cilët na japin informacione mbi ndryshimet e mundshme që ka krijuar infeksioni në mushkëri, komplikacionet si dhe kontrollin në vazhdimësi të rasteve në varësi edhe të gjendjes klinike të pacientit.

MESAZHI PER LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Situata e krijuar në muajt e fundit globalisht nuk ka qëne as nuk ështe për secilin nga ne kudo që jetojmë dhe çfarëdo profesioni që ushtojmë, aspak e lehte. Ne si shqiptar që jetojmë larg vendlindjes kemi treguar si gjithmonë solidaritetin që na karakterizon dhe forcën për të mbijetuar mbi çdo vështirësi. Une do lutesha të mos lejojmë frikën dhe ankthin të drejtojnë shëndetin tonë fizik dhe mendor apo të bëhen pjëse e përditshmërisë por me durim dhe përgjegjshmëri për jeten të qëndrojmë sëbashku pozitiv në sfidat e radhës. Edhe pse momentalisht vëmendja drejtohet në infeksionet e shkaktara nga COVID 19, duke marrë parasysh dhe spektrin e gjërë të patologjive të ndryshme që diagnostikojmë çdo ditë, do dëshiroja të theksoja se është mjaft e rëndësishme paraqitja, diagnoza dhe trajtimi në kohë i të gjitha patologjivë të tjera, të cilat janë po aq të rëndësishme. Mos hezitoni ti drejtoheni klinikave dhe spitaleve  apo të kontaktoni mjekët përkatës në kohë, sigurisht duke respektuar rregullat përkatëse. Përshëndetje të përzemërta për shqiptarët brenda trojeve të Shqipërisë dhe atyre në Diasporë!

KUSH ËSHTË RADIOLOGE BRUNILDA KODUZI

Ka përfunduar studimet për mjekësi të pergjithshme në Universitetin Nënë Tereza, Tiranë në vitin 2009. Specializimin për radiologji diagnostike e ka nisur në landin Nordrhein – Westfalen. Prej vitit 2018 punon për 12 klinika të specializuara për radiologji diagnostike, radioterapi dhe mjekësi nukleare në Bayern, klinikat Neumaier me qendër në Regensburg, në qytetin ku jeton aktualisht dhe filiale në qytete të ndryshme të Bayenit juglindor, ndër klinikat diagnostike më të mëdha dhe të njohura në Bayernin juglindor. Një pjesë të specializimit për radiologji intervencionale e ka kryer në Kliniken Universitare të Regensburg.

Filed Under: Featured, Opinion

NDARJE PA LAMTUMIRË

July 27, 2020 by dgreca

–VATRA E NDEROI AMBASADOREN TEUTA SAHTÇIJA ME MIRËNJOHJEN E LARTË”FAIK KONICA” – ISH MINISTËR I MBRETËRISË SHQIPTARE PËR 12 VJET NË WASHINGTON, DEKAN I TRUPIT DIPLOMATIK-

          Ka qenë me shumë emocione takimi i së hënës, 27 Korrik 2020, ai ku Vatra priti Ambasadoren Teuta Sahatçija së bashku me personelin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York.

          Fillimisht kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha i uroi mirëseardhjen zonjës Sahaçtija së bashku me personelin e Konsullatës. Ai shprehu vlerësimet më të larta për marrdhëniet, sjellet, komunikimin e saj me komunitetin shqiptar, veçanërisht me Vatrën. Ambasadorja Sahtaçija ka qenë korrekte dhe tepër vlerësuese për Vatrën dhe për të gjitha organizatat e komunitetit.

       Kryetari I Vatrës e uroi zonjën Sahatçija edhe për detyrën e re në kabinetin e Kryeministrit Avdulla Hoti, ku ajo është e ngarkuar me detyrën e zëvendës/Ministres së Jashtme. Ai i tha se dera e Vatrës përherë do të jetë e hapur.

          Zonja Sahatçija ishte shumë e emocionuar në fjalën e saj përshëndetse. Vizitën e parë në komunitet para katër vitesh e kam bërë këtu në Vatër, dhe ju më pritët me plot respekt e dashuri, kujtoi ajo. Dhe që nga ajo kohë nuk jemi dnarë. E ndjeva për detyrën që edhe në largim të vija dhe të ndahesha me vatranët. Faleminderit që më pritët! Vatra është një institucion Kombëtar, ajo ka prezantuar Kombin në moment të vështira. Unë do të jetoj përherë me kujtimet dhe mbresat që kam amrrë këtu në Vatër. Historia e Vatrës është frymëzuse për brezat. Ne krenohemi me këtë Tempull të Kombit tonë në SHBA. Ju jam mirënjohëse për gjithçka keni bërë. E ndjej veten të afërt me Ju, prandaj nuk po e quaj këtë takim lamtumire, por një ndarje pa lamtumirë. Thjesht do t’ju them Mirë u pafshim!

            Konsiderata të larta për ambasadoren Teuta Sahatçija ka shprehur edhe Presidenti i Nderit i Vatrës z. Agim Rexhaj. Më kujtohet si sot, takimi i parë me Ju para katër vitesh. Ndodhi këtu në Vatër. Dhe që nga ajo kohë përgjatë katër viteve ju keni qenë përherë në kontakt me Vatrën, keni ardhur, na keni vizituar, keni sjellë personalitete të Kosovës në Vatër dhe e keni respektuar dhe nderuar Vatrën dhe Diellin, jo vetëm me fjalë por edhe me Mirënjohje. Ndjehemi mirë që ju sërish keni një detyrë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Ne besojmë fort se ju ashtu siç e kryet me profesioanlizëm detyrën e këtushme kështu do ta kryeni edhe atë të Zv/Ministres.

           Kryetari i Vatrës, në emër të Kryesisë dhe Këshillit, e nderoi zonjën Teuta Sahatçija me Mirënjohjen e lartë “FAIK KONICA”. Vatra, tha z. Berisha, zgjodhi këtë mirënjohje për të vlerësuar maksimalisht ambasadoren Sahtaçija, jo pa qëllim. Konica ishte ambasador i një vendi të vogël, por arriti të siguroi një përfaqësim dinjitoz diplomatik në Washington, sa arriti të ishte edhe Dekan i Trupës Diplomatike, jo vetëm për moshën, por edhe për fisnikërinë, kulturën, gjuhët e shumta që fliste, sportivitetin,dijet, dhe koleksionoi disa tituj.

                     Vlerësimi që i bëri Vatra ish Kryediplomates të Kosovës në New York, është plotësisht i meritushëm për ambasadoren Sahatçija, sepse ajo tregoi profesionalizëm, klas diplomatik, dhe aftësi për të tërhequr vëmendjen dhe përkrahjen ndaj Kosovës. Ajo e ktheu Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës, nga një Konsullatë e zakonshme , në një  Misionit Përfaqësues të Kosovës,(Pa qenë anëtare e OKB) sa tërhoqi vëmendjen e diplomatëve serbë dhe miqëve të tyre rusë, që shpesh dërguan nota proteste në OKB.(dg)

Filed Under: Featured Tagged With: Ambasadorja Sahatcija, Mirenjohje"Faik konica, Vatra

DIALOGU ME SERBINË, PËR NJOHJEN E PAVARËSISË SË KOSOVËS

July 27, 2020 by dgreca

Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Hoti, takime me Koordinatorin Shtetëror për Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Skënder Hyseni: Në Bruksel do të dialogohet vetëm për njohjen ndërshtetërore/

 -Hyseni për takimin me Reeker në Bruksel: Mirëprita përkushtimin e palëkundur amerikan në përkrahje të dialogut dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë me ne përgjatë gjithë këtij procesi, në përkrahje të fuqishme për një marrëveshje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithpërfshirëse/

PRISHTINË, 27 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot e ka pritur Koordinatorin Shtetëror për Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Skënder Hysenin.

Presidenti Thaçi e ka uruar edhe një herë për emërimin e tij në këtë detyrë, duke shprehur besimin se me përvojën dhe angazhimin e tij z. Hyseni do e koordinojë këtë proces në mënyrën më të mirë të mundshme.

“E kam mirëpritur emërimin tuaj si koordinator për dialogun, sepse besoj fuqishëm në eksperiencën dhe qasjen tuaj gjithëpërfshirëse e përafruese mes gjithë spektrit politik në vend”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ritheksoi se në Bruksel duhet të dialogohet vetëm për marrëveshjen përfundimtare që sjellë njohjen reciproke ndërshtetërore.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe koordinatori për dialog, Skënder Hyseni, kanë biseduar edhe për nevojën e mbështetjes së këtij procesi nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Presidenti Thaçi dhe koordinatori Hyseni kanë ritheksuar se krijimi i unitetit politik është përcaktues për suksesin në procesin e dialogut.

Edhe Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti është njoftuar sot nga Koordinatori shtetëror për dialogun, Skënderi Hyseni, për takimet e delegacionit të Kosovës me atë të Serbisë, në Bruksel.

Po ashtu, z. Hyseni e njoftoi kryeministrin Hoti edhe për takimet e tij të tjera të rëndësishme, ndër të cilat edhe me Asistent Sekretarin kryesor për Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan të Shtetit, Philip Reeker.

Koordinatori shtetëror për dialogun, Skënderi Hyseni, në 24 korrik 2020 nga Brukseli deklaronte:

Pata knaqësinë të takoja sot në Bruksel Asistent Sekretarin Kryesor për Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan të Shtetit, mikun tim të kahmotshëm, Philip Reeker. Gjatë këtij takimi shumë të përzemërt, me ambasadorin Reeker bëmë një bisedë të hapur rreth zhvillimeve në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë në dialogun e rinisur midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Krahas BE-së, theksova se roli i SHBA-ve në këtë proces është i pazëvendsueshëm. Mirëprita përkushtimin e palëkundur amerikan në përkrahje të dialogut dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë me ne përgjatë gjithë këtij procesi, në përkrahje të fuqishme për një marrëveshje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithpërfshirëse.

HYSENI: NUK DO TË KETË MARRËVESHJE TË VEÇANTA PËRDERISA S’KA MARRËVESHJE GJITHËPËRFSHIRËSE

Hyseni me te derguarin e BE Mirosllav Lajçak.

Radio Evropa e Lirë në 23 korrik 2020 njoftonte:

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, në nivel ekspertësh, janë takuar të enjten në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni, pas takimit me palën serbe në Bruksel, deklaroi se “duket se ka një dozë konstruktiviteti dhe vetëdije që duhet të ecet tutje”.

Lajcak-Gjuric…

Ai, megjithatë, nuk dha detaje lidhur me temat konkrete nga takimi i së enjtes, por theksoi që ka “pajtim rreth elementëve të caktuar dhe se biseda ka qenë konstruktive”.

“Nuk ka marrëveshje për kapituj të veçantë përderisa nuk do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse”, tha ai.

Sipas tij, çdo e arritur në këtë proces që mund të zbatohet dhe ka zbatueshmëri, do të ndodhë.

“Mirëpo, ky është një moment i ri. Po flasim për një përmbyllje, prandaj ky proces është skajshmërisht politik”, theksoi Hyseni.

“Nuk ka më asgjë teknike, është skajshmërisht politik. Dhe, një ditë kur elementet e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të dakordohen në tërësi, do të shihen që janë elementë të një marrëveshjeje, së cilës i subordinohet çdo gjë tjetër. Prandaj, nuk mund ta zvarritin procesin, tash e tutje, duke trajtuar tema të ndara, të cilat mund të zbatohen dhe mund të mos zbatohen dhe që varen nga vullneti i mirë dhe i lirë i cilësdo palë. Tash po flasim për një marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht të obligueshme, të cilën do të detyrohen të dyja palët që ta zbatojnë në terren, sepse do ta ketë vulën ndërkombëtare”.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, më herët gjatë ditës, ka konfirmuar se ka zhvilluar takime të ndara me dy negociatorët, Skender Hysenin nga Kosova dhe Marko Gjuriqin nga Serbia.

Lajçak është shprehur i kënaqur që është takuar me Hysenin dhe Gjuriqin dhe ka thënë se “kanë vazhduar diskutimet politike në nivel ekspertësh”. Duket se Lajçak i ka zgjedhur mirë fjalët, pasi pala kosovare thotë se këto bisedime nuk janë teknike, por janë politike.

PRISHTINË, 21 KORRIK 2020: SKENDER HYSENI U EMËRUA KOORDINATOR SHTETËROR PËR DIALOG

Në 21 korrik 2020 Zyra për Komunikim Publik-Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftonte:

Duke u bazuar në platformën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, në mbështetje të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 1 korrik 2020, me qëllim të organizimit dhe të bashkërendimit institucional dhe ndërkombëtar të këtij procesi, kryeministri Avdullah Hoti sot ka emëruar z. Skender Hysenin Koordinator Shtetëror për Dialog.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Dialogu me Serbine

EVROPA NË VULËN E ANGELA MERKEL

July 27, 2020 by dgreca

Nga Maurizio Ferrera-Përktheu Eugjen Merlika -“Corriere della Sera”*

Në demokracitë drejtuesit më t’aftë bëhen “shtetarë” me plot kuptimin e fjalës vetëm kur dalin nga skena. Ndoshta , mbas marrëveshjes mbi Recovery Fund, Angela Merkel meriton një përjashtim, së paku sa i përket rolit të saj evropian. Në kornizën BE – duke ndjekur Habermas-in – një shtetar njihet sepse din të “bëjë historinë”, pra vepron me vetëdijen se në disa çaste duhet të merren vendime që do të ndikojnë fatet e gjithë kontinentit e të shumë brezave t’ardhshëm.Mund të jemi pak a shumë të kënaqur për përmbajtjet e tij të veçanta, por është e vështirë të mohohet që plani “Next Generation Eu” përfaqëson një pikë kthese të madhe në këtë vështrim. Së bashku me monedhën, bashkëndarja e rreziqeve ekonomikë e shoqërorë është një nga tiparet që përcaktojnë bashkësitë politike dhe zotimin e tyre për të qëndruar në kohë.

Vetëm dhjetë vite më parë ishin shumë ata që mendonin se Merkel nuk kishte stofën e shtetares, aq më pak në skenën evropiane. Gjatë krizës së borxhit sovran Kançelaria ishte qortuar fuqimisht – jo pa ndonjë arsye – për karakterin e saj të ndrojtur, e prirjen për të shtyrë vendimet. Mbiemri i saj u kthye në një folje (merkeln) që nga ajo kohë do të thotë “hiq e mos këput”. Joschka Fisher,ish ministër i Jashtëm dhe një nga figurat më ndikuese në opinionin publik e paditi se kishte thyer boshtin mbajtës të politikës gjermane: evropianizimin e problemeve dhe zgjidhjeve, bërjen e Gjermanisë gjithënjë e më shumë evropiane. Me mbylljet e saj kundrejt solidaritetit financiar me Vendet e Jugut, Merkel kishte ndjekur rrugën e kundërt: të paloste Evropën nën parapëlqimin dhe interesat gjermane.

Gjatë dhjetëvjeçarit Bashkimi është detyruar të përballohet me një “shumë-kriza” dramatike: rënia e madhe e ekonomisë, cunami i ardhjes së të shpërngulurve, Brexit. E në fillim të 2020 belegu më i tmerrshëm: koronavirusi. Një spikamë e vërtetë në profilin shëndetësor, ekonomik, politik, që do të kishte mundur t’a hidhte BE në darën e shteteve kombëtarë: mbyllje e kufijve dhe shkëmbimeve tregëtare (madje deri tek mbulesat e gojës), secili Vënd përsëri për llogari  të vet.

Bisedimet mbi planin Next Generation Eu (750 miliardë borxh të përbashkët për kredi dhe ndihma Vëndeve më të goditura si dhurata në tre vjet) u mbyllën në shenjën e bashkësisë së mendimit gjithë-evropian, madje me një akt altruizmi: Gjermania nuk ka pranuar të përfitojë nga ajo zbritje në ndihmesën që u mëtua nga Vendet kursimtarë, Hollanda në krye. Angela e ndreqi “boshtin mbajtës” të thyer një dhjetëvjeçar më parë dhe ka përhejruar një rol të ri për Gjermaninë, atë të Vendit mbisundues por të përgjegjshëm, të vëmëndëshëm ndaj interesit të përbashkët. Disa sigurisht do të vazhdojnë të shtrembërojnë turirin: a nuk jemi të gjithë të barabartë n’Evropë?

Formalisht po, por në fakt nuk mund të kemi të gjithë të njëjtën peshë vendim-marrëse, Gjermania ka përmasa ekonomike dhe popullsie të tilla që e bëjnë objektivisht më të barabartë se të tjerët. Një Gjermani që të dijë të veprojë duke mbajtur parasysh interesin evropian është shumë më e mirë se sa një Evropë e gjermanizuar. Në një deklaratë që, me gjasë, do të kujtohet në librat e historisë, më 23 prillin e shkuar, pak orë para një Këshilli në video-konferencë, Merkel i tha antarëve të Bundestagut se “zotimi kundrejt Evropës së Bashkuar është pjesë e arsyes së qënies të shtetit gjerman… Për neve Evropa është një bashkësi fatesh”. Dhe ka shtuar: nuk është një fjali për bujë, nga ato që lexohen në shtesat e të djelave në të përditëshmet. Bëhet fjalë për “diçka shumë praktike”, përfshirë edhe derdhjen e ndihmesave më të larta në bilancin e përbashkët.

Faktorë të ndryshëm i kanë lejuar Angela Merkel-it të veprojë si shtetare. Në shkurtin e shkuar, në prag të pandemisë, Kançelaria kishte njoftuar zyrtarisht se nuk do rë kandidohej përsëri në votimet e ardhëshme. Së paku pjesërisht, kjo e ka shliruar nga njëra prej rregullave më të “papëlqyeshme” të demokracisë: nëse kërkon flijime të tashme për fitime t’ardhëshme zgjedhësit të kthejnë krahët. Në sajë të mbarështimit të efektëshëm të spikamës shëndetësore, pëlqimi i Kançelares u ngjit në vlerën më të lartë, atë të 70 % dhe nuk zbriti kur u fillua të bisedohej për solidaritet “kundrejt miqve italianë e spanjollë” dhe u thye madje edhe tabuja e euro-bondëve. Nga fillimi i marsit Angela disa herë kishte përsëritur para njerëzve se mirëqënia e Gjermanisë është e lidhur në mënyrë të pazgjidhëshme me tregun e brëndshëm, pra me mbarëvajtjen e Bashkimit “në çdo pjesë të tij e në çdo Vend”.

Në këtë mënyrë Merkel ka krijuar kushtet më të volitëshme për ushtrimin e një udhëheqjejë të dyfishtë: të brëndëshme e të jashtëme. Një lëvizje e vështirë dhe guximtare në një sistem politik shumë-krerësh, “me shumë koka”, si BE ku drejtuesit shtyhen të mbrojnë burrërisht interesat e zgjedhësve të tyre. Siç u pa, bisedimet e sapo përfunduara nuk kanë bërë përjashtim, madje disa drejtues kanë luajtur lojëra paturpësisht t’egra. Sigurisht edhe Franca ka luajtur një rol të rëndësishëm. Por pa peshën e Angelas Makroni nuk do të kishte bërë shumë udhë: nuk zotëron një ligjëshmëri të mjaftueshme brënda për të investuar diçka n’Evropë. Kështu që Kançelaria që bëri investimin dhe shndërroi një stuhi të pritëshme të përsosur në të kundërtën e saj të plotë: përfundimin e një traktative që rrezikonte të dështonte duke krijuar çarje rrënimtare për tërësinë dhe mbarështimin e Bashkimit.

Atyre që do të vijnë pas u takon gjykimi i mundimshëm. Por nëse mbajmë një vështrim të gjatë, Angela Merkel-it pak lavdi mund t’i a japim që tani. Si mirënjohje së parës grua udhëheqëse të Gjermanisë e të BE dhe shtetare në zemër, mbi hullinë e një historie qindravjeçare, në të cilën luftërat ndërmjet Shteteve evropiane kanë mbizotëruar mbi bashkëndarjet e ndërsjellta.

“Corriere della Sera”, 24 korrik 2020     Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Featured Tagged With: Eugjen Merlika, Evropa, Maurizio Ferrera

SHUHET ARBËRESHI REGIS PHILBIN – LEGJENDA E TELEVIZIONIT AMERIKAN

July 26, 2020 by dgreca

Nga Mal BERISHA-

Regis Philbin, një legjendë e televizionit amerikan, ka ndërruar jetë dy ditë më parë. Emri i tij është shumë i njohur, jo vetëm në televizionin amerikan por edhe në botë, pasi karriera e tij e gjatë përbën një shkollë më vete për të gjithë televizionet e vendeve demokratike, perëndimore.

Vdekja e tij, natyrshëm ka prekur ndjenjat e miliona fansave të tij, anë e mbanë  botës. Për ne shqiptarët emri i tij ka një rëndësi tejet të veçantë. Ai është i biri i një nëne arbëreshe nga fshati Greci i Italisë, e cila quhej Filomena Boscia dhe ishte një emigrante italiane nga Campania. Përkatësinë e tij arbëreshe nga e ëma ai e ka deklaruar shumë herë në televizionin amerikan. Ai e vuri emrin e tij në median amerikane në vitin 1999, kur shqiptarëve nga të gjitha trojet tona arbnore iu bashkuan edhe arbëreshët e Italisë, sidomos ata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të ndihmuar çlirimin e Kosovës. Regis Philbin në atë kohë, demonstroi mbështetjen për Kosovën pasi e dinte mirë se emri i tij i madh ndikonte tek opinioni amerikan. Në një nga emisionet e tij të asaj kohe, në një intervistë me kompozitoren Kara DioGuardi, ai deklaroi se ishte lindur nga një nënë arbëreshe madje shqiptoi edhe fjalët shqipe që ia kishte mësuar e ëma në fëmijëri.

Ky personalitet i madh amerikan me gjak arbëresh e ka një degë të rrënjeve të tij nga fshati arbëresh Greci. Ai fshat është i njohur për bashkësinë arbëreshe si dhe për figurat që ka nxjerrë. Ndër to shquhen ish Kongresmeni amerikan, Joseph DioGuardi, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen shqiptare në Shtetet e Bashkuara si dhe e bija, Kara DioGuardi, një kompozitore bashkëkohore shumë e njohur në atë vend. Më parë nga ai fshat kishte dalë edhe Leonardo De Martino. 

Regis  Philbin ka lindur më 25 Gusht 1931 në New York dhe është një ndër personalitetet më të shquara të medias amerikane. Ai ishte aktor, këngëtar, mjeshtër i bisedave dhe shfaqjeve televizive. 

Philbin  njihet si punëtori më i madh i show biznesit në Amerikë dhe mban edhe rekordin e Rregjistrimeve të Gines Botërore, si njeriu që ka kaluar më shumë kohë përpara kamerave televizive në transmetim të drejpërdrejtë në historinë e televizionit. Deri në vitin 2010 ai kishte qëndruar 16100 orë në transmetim.

Philbin ka studjuar në Universitetin Notre Dame dhe ka shërbyer në ushtrinë amerikane. Ai ka filluar të shfaqet në televizionin amerikan në vitin 1950 në programin “Show i Natës Vonë”. Pasi provoi, eksperimentoi dhe performoi një numër programesh, të gjitha më të shikuarat në Amerikë, ai erdhi tek emisioni i drejpërdrejtë “Regis & Kathie” dhe më pas “Regis & Kelly”. Ai ka drejtuar versionin amerikan të emisionit: “Kush dëshiron të bëhet milioner?”,  “Fjalë-kalimi – një milion dollarësh” dhe sezonin e parë të emisionit “America Got Talent”.  

Priit Vesilind, një ndër autorët më të njohur të revistës “The National Geographic Magazine”, e ka vizituar Grecin dhe i ka kushtuar një artikull të posaçëm historisë së atij fshati në atë revistë, në vitin 2000. Ai  tregon edhe se si është ruajtur tradita gjuhësore dhe kombëtare shqiptare aty. Ai shënon se ka zona të tëra në  Sicili, Kalabri, Kampania dhe Puglia që banohen nga arbëreshët. Gjatë shekujve, thotë ai, arbëreshët kontribuan në jetën italiane me një Papë, tre kardinalë si dhe kryeministrin e burreshtetasin Francesco Crispi. Ata e ruajtën kulturën shqiptare gjatë sundimit otoman dhe studiuesit e tyre ishin ndër të paret që e shkruan Gjuhën Shqipe. Nga Italia arbëreshët u shpërndane anë e mbanë botës. Këtu Priit Vesilind tregon edhe historinë e familjes së ish kongresmenit Joseph DioGuardi dhe lidhjet e tij me fshatin e babait të tij Greci, emigrant në Bronx të New Yorkut. DioGuardi udhëton atje dhe mëson për “Gjakun e Shprishur”. 

  Me interes është të shihet sesi Martin Camaj në një shkrim rreth vizitës së tij në fshatin Greci në vitin 1961  shprehet:

“Përpara se të lëvizja për në Monaco, gjatë ditëve të para të Janarit të vitit 1961, në murin e dhomës së apartamentit tim të vjetër, në periferi të Romës, kisha një hartë të fshatrave shqiptaro-italiane. Unë kisha vendosur t’ja dedikoja një pjesë të jetës time studimit të gjuhës dhe zakoneve të arbëreshëve. Sytë e mi shpesh ndalonin në një emër në hartë, një vend i izoluar diku në pjesën verilindore, me emër Greci.  Mblodha informacion për të nga bibloteka të ndryshme dhe zbulova se At Leonardo de Martino, një prift françeskan dhe shkrimtar i njohur, i cili e kaloi gjithë jetën e tij në Shqipërinë e veriut si mësues, e sidomos mësues i poetit të madh shqiptar Gjergj Fishta, ishte nga Greci. 

Më lejoni të shpreh diçka për vlerën atdhetare shpirtërore të atij fshati. Greci është unik në botë dhe në fakt në asnjë fshat nuk flitet ekzaktësisht siç flitet në Greci.  Greci është një fshat shqiptar dhe unë jam Shqiptar po ashtu.”Martin Camaj, Ph.D”.

Mendohet se të ardhurit e çuditshëm arbëreshë të kohës pas Skënderbeut, banorët vendas italianë i morën për grekë. Kështu ata i vunë fshatit emrin Greci, por që në fakt nuk ka asnjë lidhje me Greqinë.

Artistë të mëdhenj amerikanë e kanë deklaruar origjinën e tyre arbëreshe siç është rasti i Roberto de Niros.  Në fakt vdekja e Regis Philbin, përbën një ndër humbjet e mëdha dhe dëshminë e rradhës së lidhjes së diasporës italiane në Amerikë me arbëreshët e Italisë, pas humbjes së emrave të tillë të mëdhenj, si sopranoja Licia Albanese, e cila vdiq në vitin 2014, në moshën 105 vjeçare.

Mal Berisha 

Filed Under: Featured Tagged With: Mal Berisha, SHUHET ARBËRESHI REGIS PHILBIN

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 214
  • 215
  • 216
  • 217
  • 218
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT