• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ILIR IKONOMI- I NDERSHËM ME VETEN, REALIST NË PASQYRIMIN E REALITETIT

May 7, 2020 by dgreca

Portret-biografi kushtuar gazetarit e studiuesit Ilir Ikonomi/

Nga Thanas L. Gjika/

         Ilir Ikonomi, sot gazetar në Zërin e Amerikës, është një gazetar i njohur në botën shqiptare dhe si autor i disa veprave të mirëpritura prej opinionit publik e shkencor.

         Familja

         Iliri u lind në Pogradec në shtator të vitit 1954 në një familje intelektuale, prindërit e të cilit njihnin disa gjuhë të huaja. Babai i tij, mjeku Vangjel Ikonomi (1913-1980) ishte bir i një tregëtari të pasur beratas me shtëpi rrëzë kalasë që kishte ndjekur shkollimin me paret e familjes në fillim në Korfuz (1926-1930) në një shkollë italiane, pastaj në Gjimnazin Shtetëror të Shkodrës (1930-1934) dhe më tej në Universitetin e Athinës (1934-1940) për mjekësi. Gjatë kohës që kryente stazhin si mjek i ri në Spitalin e Përgjithshëm të Tiranës në mes të nëntorit 1940, autoritetet italiane e arrestuan dhe e internuan në Montale të Italisë bashkë me disa shqiptarë të tjerë që mendoheshin si antiitalianë. Midis të internuarve ishte dhe babai i tij, Jani. Internimi zgjati vetëm tre muaj. Në mars 1941 at e bir u rikthyen në atdhe.

         Pasi ushtria gjermane pushtoi shtetin Serbo-Kroato-Slloven (Jugosllavia e parë) e shpërbëri atë dhe i ktheu Shqipërisë disa territore që i ishin dhënë padrejtësisht Serbisë më 1913. Në atë kohë qeveria e Shefqet Vërlacit dhe më pas e Mustafa Merlika Krujës krijoi lista me mësues, nëpunës dhe mjekë të cilët i emëroi në qytete të ndryshme të atyre krahinave. Mjeku patolog Vangjel Ikonomi në nëntor 1941 filloi punën në spitalin e vogël të Pejës, më pas në Bicaj të Kukësit e në Tetovë. Këtu u emërua prej Këshillit të Naltë zv/drejtor i Spitalit të Tetovës, detyrë që e kreu deri në fund të qershorit 1944, kur u transferua me kërkesën e tij në Berat për të qenë pranë prindërve.

         Më 1946 Vangjeli u martua me Violetën, bijë e familjes së dëgjuar Paparisto argjendar në lagjen Kala të Elbasanit. Violeta Paparisto Ikonomi (1917-1960) ishte rritur në një familje arsimdashëse, e cila do të nxirrte mjekë, shkencëtarë dhe muzikantë të njohur. Violeta kishte kryer studimet në Institutin Qiriaz në Kamëz, ishte njohëse e anglishtes, italishtes dhe frëngjishtes. Nga kjo martesë lindën dy vajza, Ilinka më 1947 e Dhurata më 1952 dhe një djalë, Iliri më 1954. Humbja e parakohëshme e Violetës e detyroi Vangjelin të rimartohej mbas dy vjetësh me znj. Sofie Dedja, me të cilën nuk pati fëmijë.

         Vdekja e nënës krijoi një zbrazëtirë shpirtërore te fëmijët e saj të vegjël, sidomos te djali 6-vjeçar, zbrazëtirë që ata e mbushën me lexime e studime.

         Në vitin 1984, kur Iliri punonte si përkthyes në Radio Tirana u martua me zonjushen Pranvera Bino, që studionte për fizikë e më pas biologji. Nga kjo martesë u lindi më 1985 vajza Hera, e cila pas ardhjes në Amerikë vijoi shkollimin derisa kreu studimet në Universitetin George Mason në Virginia. Sot ajo punon si menaxhere programesh për firmën Booz Allen Hamilton afër Uashingtonit. Hera është e martuar me z. Michael Estrada dhe kanë një djalë të quajtur Logan, i datëlindjes 2017.

         Nga gjuhët europiane te gjuha kineze

            Djaloshi Ikonomi që në rininë e hershme kishte pasion mësimin e gjuhëve të huaja. Duke dëgjuar radion italiane mësoi shpejt italishten. Kur ishte 16 vjeç rastësisht gjeti në shtëpi librin anglisht “For Whom The Bell Tolls” të Ernest Hemingueit, i cili kishte anash shënime të shkruara prej nënës së tij. Mendimi se do të afrohej shpirtërisht me nënën e munguar, e nxiti t’i futej me pasion anglishtes.

         Në vitin shkollor 1972-1973 Iliri mbaroi shkollën e mesme me medalje ari. Dinte italisht, frëngjisht, anglisht dhe rusisht. Në shtator 1973 ai shkoi në Tiranë, ku filloi studimet për kimi industriale. Në dhjetor, Ministria e Arsimit e përfshiu në një grup prej 40 studentësh që do të dërgoheshin në Kinë për të studiuar profesione të ndryshme. Ilirin e caktuan për gjuhë kineze, një lajm i pakëndshëm për të dhe ai fillimisht refuzoi. Por babai e këshilloi që të shkonte, me mendimin se kjo mund ta ndihmonte të njihte një botë të veçantë dhe t’i hapte një dritare në jetë.

            Në fund të dhjetorit 1973, djaloshi Ikonomi me grupin e studentëve të zgjedhur mbërriti në Pekin. Studimi përgatitor i gjuhës kineze vijoi një vit e gjysëm në Institutin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit. Më tej ai ndoqi studimet për gjuhë e letrësi kineze në Universitetin e Pekinit, të cilat i përfundoi më 1978. Gjatë atyre viteve, pasioni e shtyu Ilirin të studjonte edhe japonishten e gjermanishten. Pas vitit 1976 marrëdhëniet Shqipëri-Kinë filluan të ftoheshin dhe në 1978 qeveria shqiptare i tërhoqi të gjithë studentët. Iliri i sapodiplomuar u kthye në atdhe në korrik të atij viti.

            Enver Hoxha qeveriste me dorë të hekurt dhe zbatonte politikën e një vetizolimi të rreptë.Ai kishte nisur të kritikonte politikat e Kinës për hapje ndaj Amerikës. Ngarkoi gazetarin Ajet Simixhiu, drejtor i Agjensisë Telegrafike Shqiptare, që në bazë të dosjeve të lajmeve që ruheshin në atë institucion, të hartonte komente në formë shënimesh sikur i kishte hedhur në letër vetë Enver Hoxha.

            Të ashtuquajturat ditare u botuan në tre vëllime voluminoze me titullin “Shënime për Kinën” me autor Enver Hoxha. Për të bindur botën për drejtësinë e linjës shqiptare u vendos që Radio Tirana të transmetonte në të 17 gjuhët e huaja pjesë nga këto shënime. U hap një redaksi e gjuhës kineze, ku u emërua edhe Iliri i sapokthyer nga Kina bashkë me tre ish-studentë.

             “Për fat të mirë, tregon Iliri në një intervistë që i mora, “valët e Radio Tiranës nuk mbrrinin deri të Kinë, por në Komitetin Qendror të PPSh-së raportohej se emisionet dëgjoheshin me interes deri në Japoni. Në fakt në Radio Tirana vinin herë pas here letra nga radioamatorë të rinj japonezë, të cilët krenoheshin se kishin kapur valët nga Shqipëria, ky vend i largët, por natyrisht pa thënë asgjë për përmbajtjen e emisioneve.” Personalisht, vijon Iliri, “gëzohesha që emisionet tona nuk dëgjoheshin në Kinë, aq absurde ishin.”

            “Pra, ju e kuptonit se punonit kot”? e pyeta.

            “Po”, u përgjigj Iliri. “Unë dhe kolegët e mij kuptonim se punonim kot, por njëkohësisht kuptonim se sa absurd ishte ai regjim që shpenzonte për të gënjyer botën. Unë e ndieja se ai regjim nuk mund ta kishte të gjatë. Iu kushtova mësimit të mëtejshëm të gjuhëve të huaja, sidomos anglishtes”.

            Nga Radio Tirana te Zëri i Amerikës

         Në vitet 1990-1991 kur filluan të hynin gazetarë të huaj në Shqipëri, Iliri nuk nguroi të takohej me ta. I kërkuan të jepte intervista live për radion BBC të Londrës dhe i dha me kurajo.

             “Në 20 shkurt 1991 isha në turmën që rrëzoi monumentin e diktatorit te sheshi Skënderbe dhe e përshkrova në Radio Tirana ngjarjen e sheshit menjëherë sapo kishte ndodhur. Isha i pari që e bëja këtë”, më pohoi Iliri dhe vijoi, “Në mbrëmjen e asaj dite fola për BBC-në dhe Agjensinë Reuter për gjendjen e elektrizuar në Tiranë. Ajo ka qenë ndoshta dita më emocionante e jetës sime”.

            Pas kësaj ngjarjeje Agjensia Reuter e kontaktoi dhe i propozoi të punonte për të si korrespondent. Iliri pranoi dhe apartamenti i tij në Tiranë u kthye shumë shpejt në zyrën e parë të Reuter-it në Shqipëri. Shkrimet e tij shfaqeshin në “New York Times”, “Washington Post” dhe gazeta të tjera të botës.

            “Agjensia Reuter, kujton ai, më kishte dhënë një kompjuter dore për të transmetuar lajmet nga Shqipëria, një mekanizëm me ekran të vogël që lidhej me telefonin dhe ky ishte ndoshta laptopi i parë që kishte hyrë në Shqipëri. Lajmet nga Shqipëria në atë kohë trazirash ishin shumë të kërkuara”.

            Shqipëria ishte dominoja e fundit; më në fund aty po vendosej pluralizmi politik dhe këto zhvillime kishin ngjallur interesim të madh në botën perëndimore.  Disa udhëheqës të partisë opozitare “Rilindja Demokratike” e këshillonin Ilirin të ishte i kujdesshëm, të jepte një imazh të mirë për Shqipërinë, me qëllim që kur të vinte partia e tyre në pushtet, të huajt të mos nguronin për të investuar.

             “Mirëpo, tregon Iliri, udhëzimi i parë që më kishin dhënë shefat e Reuter-it ishte ‘Mos zbukuro asgjë’, prandaj unë e bëra parim të isha i ndershëm me veten dhe realist në pasqyrimin e realitetit”.

            Elez Biberaj, në atë kohë shef i shërbimit në gjuhën shqipe i Radios Zëri i Amerikës, gjatë një vizite në Shqipëri i propozoi Ilirit të punonte për ekipin e tij në Uashington. Iliri pranoi menjëherë, la Reuterin dhe mbërriti bashkë me familjen në Uashington. Më 16 shtator 1992 filloi punë në VOA si gazetar i seksionit në gjuhën shqipe. Në vitin 1999 VOA shtoi edhe një program televiziv dhe sot është shndërruar në një transmetues multimedial. Iliri punon si redaktor përgjegjës i emisioneve.

            Prej vitesh Ilir Ikonomi është gazetar i niveleve të larta dhe me përvojë të pasur. Ai ka intervistuar dhe interviston rregullisht politikanë dhe personalitete të shumtë të botës shqiptare. Ashtu si kreu i sektorit të Eurazisë, Elez Biberaj, ish-shefi Frank Gj. Shkreli, shefi i shërbimit shqip Arben Xhixho, gazetarët Vehbi Bajrami, Ruben Avxhiu, Dalip Greca përmes kontakteve të shumta me përfaqësues të shquar të diasporës shqiptare të Amerikës edhe ai ka krijuar një njohje të mirë për psikologjinë dhe botën shpirtërore të individëve që e përbëjnë atë.

            Kur e pyeta se cili ishte mendimi i tij për diasporën, për qëndrimin e saj ndaj atdheut, Iliri më tha:

            “Bijtë e diasporës së vjetër shqiptare e kanë mendjen të mbledhur, ata nuk vuajnë nga ideja e kthimit në atdhe. Ata kujtojnë me nostalgji prindërit dhe gjyshërit, zakonet e tyre të jetesës, gatimet shqiptare. Ma këputi shpirtin nostalgjia e regjisorit shqiptaro-amerikan Stan Dragoti për nënën e tij kur më tregoi një fotografi të fëmijërisë, ku nëna e kishte veshur me fustanellë e çorape të bardha lidhur me gajtan të zi. Kurse brezi i parë i atyre që erdhën pas vitit 1991 jeton midis dilemës nëse do të rrijë këtu për fare, apo do të kthehet. Kjo dilemë është më e fortë tek komuniteti shqiptar se sa tek etnitë e tjera. Natyrisht, fëmijët shqiptarë që erdhën të vegjël ose lindën këtu, janë përshtatur plotësisht dhe nuk mendojnë për kthim në Shqipëri, ata mendojnë për vizita turistike.”

         Zbulimi i Faik Konicës diplomat

         Gjatë viteve në VOA Iliri njohu shumë fakte nga jeta e personaliteteve të shquar të komunitetit të hershëm shqiptar. E tërhoqi zgjuarësia e mençuria e rallë e Faik Konicës, eleganca e sjelljes, gjuha e tij e pastër, stili i të shprehurit në shqip dhe anglisht. Duke punuar vetë në kryeqytetin e ShBA-ve, atje ku Konica kishte jetuar e punuar si ambasador i Shqipërisë, Iliri mendoi se duhej të kishte dokumente ende të pashfrytëzuar në arkivin e shtetit amerikan për këtë diplomat karizmatik, që kishte arritur të emërohej dhe dekan i ambasadorëve të huaj në Uashington. Dëshira për të sjellë gjëra të reja në këtë aspekt të patrajtuar e nxiti t’i futej punës kërkimore dhe pas disa vitesh botoi librin “Faik Konica – jeta në Uashington” (Onufri, Tiranë 2011, 377 f).

         Në këtë vepër, botim luksoz, studiuesi Ikonomi ndërton për herë të parë 16 vjetët e fundit të jetës dhe veprimtarinë e Faik Konicës, kur ai shërbeu si Ministër i Shqipërisë në Uashington DC (1926-1939) dhe deri sa u shua më 15 dhjetor 1942. Gazetari Ikonomi ka shpalosur këtu talentin e vet prej studiuesi dhe shkrimtari përmes krijimit të një biografie shkencore të letrarizuar. Aty përshkruhen me besnikëri ngjarje dhe fakte pa bërë shtesa imagjinare dhe pa teprime me kuriozitete anësore. Materiali i mbledhur nëpër arkivat e SHBA-ve, në gazeta, libra, letra e kujtime njerëzish që e kishin njohur dhe kishin bashkëpunuar me Konicën, është i pasur. Bëhet e qartë puna dhe veprimtaria e Faik Konicës si Ministër Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë e më pas i Mbretërisë Shqiptare, lidhjet e tij me personalitete të Departamentit të Shtetit, me gazetarë amerikanë, diplomatë të huaj të akredituar në SHBA, me zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar, etj.

         Ana letrare qëndron në mënyrën e rrëfimit të shumë ngjarjeve dhe fakteve në formë dialogu e meditimi, si dhe në përshkrimin e gjallë të ambjenteve ku jetoi e punoi Konica. Ky autor ka meritën se solli për të parën herë materiale të shumtë pak dhe aspak të njohur nga jeta e vepra e Konicës që ai mori në shqyrtim. Ky studiues është i pari që na njeh dhe me shtëpinë në Konicë ku u lind e u rrit Faiku deri në moshën 9-vjeçare. Këtë shtëpi historike ai e vizitoi dhe e prezantoi në një dokumentar me këtë temë. Vlera të tjera përbëjnë dhe shumë fakte e dokumente të panjohur nga veprimtaria e shumë personaliteteve të tjerë si Ahmet Zogu, Fan Noli, Kostë Çekrezi, Mehmet Konica, Abdurahman Krosi, Hito Sadik, Vasil Pani, Peter Tyko, etj dhe të disa autoriteteve zyrtare amerikane, me të cilët e lidhi puna diplomatin tonë në Uashington, apo zyrtarë të qeverisë italiane në kryeqytetin e ShBA-ve.

         Studiuesi ka ditur t’ia rrisë seriozitetin dhe saktësinë shkencore veprës përmes mbledhjes së mendimeve të disa studiuesve të cilëve ua shpërndau dorëshkrimin e librit para botimit, vërejtjet e sugjerimet e të cilëve i pasqyroi në variantin që botoi. Midis studiuesve që ai falenderon bien në sy emrat e njohur të prof. Kristo Frashërit, prof. Sami Repishtit, gazetarit Elez Biberaj, studiuesve Idriz Lamaj, Bejtullah Destani, etj. Vlerësimet e disa prej tyre ai i ka riprodhuar në fletëpalosjen që mbështjell veprën.

            Faik Konica, i cili deri më 25 dhjetor 1924 ishte shquar si kundërshtari më kritik i Ahmet Zogut, pas kthimit të këtij në pushtet, bashkë me disa atdhetarë brenda vendit si Mihal Grameno, etj, në janar 1925 e ndërprenë luftën kundër fitimtarit. Këtë ulje armësh ata e bënë jo se e donin dhe jo për t’iu servilosur atij, por për të siguruar brenda vendit një qetësi sociale e politike me anën e së cilës ata menduan se shoqëria shqiptare mund të kalonte dalëngadalë në jetën normale parlamentare ku individët dhe partitë politike të vijonin luftën për pushtet përmes procesit të votimit.

            Ahmet Zogu filloi të ndiqte një politikë afrimi me kundërshtarët. Ai dëgjoi kërkesat e Gramenos e Konicës për nevojën e shpalljes së një amnistie dhe e shpalli. Faiku shkroi se përderisa qeverinë shqiptare nën drejtimin e Ahmet Zogut e njohën qeveritë kryesore të Europës dhe SHBA-të, atëhere dhe shqiptarët duhet ta njihnin. Ahmet Zogu si president u përpoq të afronte disa ish- kundërshtarë: Hil Mosin, i cili u kthye pas amnistisë, e emëroi prefekt në Korçë, Pandeli Evangjelin e zgjodhi Kryetar të Senatit, Faik Konicën e emëroi Ministër të Republikës Shqiptare në Uashinton DC, Mihal Gramenos i lidhi pension patriotik, Fan Nolin e ftoi të merrte drejtimin e Kishës Ortodokse Shqiptare, etj.

         Ikonomi vë në dukje se afrimi i Konicës me Zogun e ndau Konicën prej Fan Nolit, mikut e bashkëpunëtorit të vjetër, sepse Noli pas dështimit të atentatit zogist, iu kushtua luftës kundër Zogut. Për këtë arsye, Noli u lidh me zyrën e Internacionales Komuniste (Kominternit) në Vienë. Kjo zyrë nuk ishte tjetër veçse zyrë agjenturore staliniste për përhapjen e Komunizmit në Europë. Ajo i dha grupit të Nolit përkrahje financiare dhe i kërkoi që disa të rinj nga ky grup të shkonin në Moskë për të marrë formim politik dhe ideologjik për të formuar Partinë Komuniste Shqiptare me synim që të kryenin atje revolucionin proletar. Noli pranoi, dhe Sejfulla Malëshova, Zai Fundo, Koço Tashko, etj u dërguan në Moskë. (Këto fakte nuk janë përmendur në këtë studim. Ne i kemi lexuar tek kujtimet që shkroi Koço Tashkua në vitet 1964-1965 kur ishte në internim, kujtime që i ruan Fredi Koço Tashko në Tiranë.)

         Faik Konica, i cili e njihte mirë historinë e Komunës së Parisit dhe ecurinë plot viktima të Rusisë Sovjetike, kishte krijuar bindjen se komunizmi ishte një sistem i gabuar politiko-shoqëror. Që nga viti 1922 e deri në fund të jetës ai u qendroi besnik bindjeve të veta kundërkomuniste. Kjo ka qenë arësyeja pse ai e kritikoi lidhjen e Nolit me Kominternin dhe dërgimin e djemve në Moskë më 1925, si dhe vajtjen e vetë Nolit atje më 1927 ku mori pjesë në festimet e 10-vjetorit të Revolucionit të Tetorit.

         Kur Noli e kritikoi Konicën pse u afrua me kundërshtarin Ahmet Zog, Faiku pasi sqaroi se qeveria e Nolit humbi sepse nuk zbatoi reformat e shpallura dhe nuk kreu zgjedhjet për t’u kthyer në një qeveri legjitime, i dha dhe këtë sqarim: “Fan Noli dhe unë kemi luftuar disa vjet që t’i japim Shqipërisë një guvernë të një tipi të përparuar. Ahmet Zogu ka luftuar për një guvernë të një tipi më konservativ. Ahmet Zogu na mundi dhe na mundi me themel… Në Amerikë, kanë një zakon që i munduri i shtëngon dorën mundësit” (f. 35-36). Këtë sqarim Ikonomi e sjell si fakt, por nuk e komenton, ashtu si nuk komenton grindjet që shpërthyen midis këtyre dy korrifejve, grindje të cilat i ndanë vatranët për disa vjet në simpatizantë të Konicës dhe simpatizantë të Nolit. Studiuesi, duke ndjekur parimin e gazetarisë profesioniste, shpesh herë ka zgjedhur mënyrën e dhënies së dokumenteve pa komente, për të lënë lexuesin të gjykojë vetë.

         Pajtimi midis Konicës e Nolit erdhi kur ky shpalli: “Kam hequr dorë përfundimisht nga politika” (f. 96). Atëhere Konica e tërhoqi kërkesën e tij për të mos e lejuar Nolin të hynte në SHBA dhe kërkoi që të lejohej hyrja e tij në Amerikë. Dy korifejtë u pajtuan e filluan bashkëpunimin për të mirën e atdheut, madje gjatë Luftës së Dytë Botërore punuan edhe për njohjen e qeverisë së Mbretit Zog si qeveri legjitime, për të penguar synimet shoviniste të qeverisë greke e asaj jugosllave për copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë. (Për ne pajtimi Konica – Noli duhet të shërbejë si një mësim i mirë për shqiptarët e sotëm, politikanë të pozitës dhe opozitës në Shqipëri e Kosovë, të cilët vetëm grinden e shahen, por nuk dijnë të pajtohen, të bëjnë kompromis dhe të bashkëpunojnë për të mirën e popullit.)

         Konica ndonëse i pajtuar me Ahmet Zogun në letrat që i drejtonte këtij si President e më vonë si Mbret i Shqipërisë, bien në sy kritikat e tij të guximshme ndaj zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, gjë që tregon se ky zyrtar dhe kreyetari i shtetit shqiptar e pëlqenin frymën kritike dhe jo servilizmin.

         Mjaft bindës është paraqitur qëndrimi kundëritalian i Faik Konicës mbas pushtimit të Shqipërisë prej ushtrisë fashiste dhe mendimi i tij vizionar se Italia nuk mund ta mbante dot të pushtuar këtë vend, se “Shqipëria do të jetë përsëri e pavarrur, sepse shqiptarët janë të vendosur” (f. 237).

         Mirëpo gjatë vitit 1940, kur Mbreti i larguar prej atdheut nuk i mbajti premtimet për t’i dërguar Konicës sasinë e pareve që i duheshin për të paguar borxhet që i kishte hotelit “Mayflower” ku ai kishte mbajtur rezidencën e legatës, Ikonomi sqaron se ish-Ministri i Shqipërisë pranoi pagesën e këtyre borxheve prej përfaqësuesit italian në Uashington. Ky hap solli dhe një zbutje të qëndrimit të Konicës ndaj Italisë. Kjo zbutje kaloi dhe më tej gjatë vitit 1941 pas pushtimit gjerman të ish-Jugosllavisë kur iu rikthyen Shqipërisë shumë territore shqiptare që i ishin dhënë padrejtësisht Sërbisë më 1913. Për këtë qëndrim të Konicës, studiuesi Ikonomi arsyeton duke përdorur një mendim të Prof. Kristo Frashërit, nxjerrë nga një intervistë që ka patur me të: “ në qoftë se dikush ma ka vjedhur diçka dhe dikush tjetër ma kthen, nuk ka rëndësi se kush ma kthen, por ka rëndësi e drejta që vihet në vend” (f. 281).

         Në këtë studim nuk lihet jashtë edhe qëndrimi i Konicës ndaj fesë dhe përqafimi prej tij i besimit të krishterë katolik me aktin e pagëzimit të tij me emrin Faik Domenik Konica që në moshën 20-vjeçare. Vepra bie në sy për pasuri faktesh, dokumentesh dhe fotografish që botohen shumica për të parën herë, si dhe për pajisjen e veprës me shënime biografike për personalitetet e qeverive shqiptare, amerikane dhe italiane që përmenden gjatë studimit. Vlerat këtij libri ia shton dhe vëmendja që Ikonomi i ka kushtuar edhe studimit shkencor të Konicës “Albania – the Rock Garden of Southeastern Europe” (“Shqipëria kopësht shkëmbor i Europës JugëLindore”) dhe esesë “The Background of the Italian-Greek Conflict” (“Sfondi i konfliktit italo-grek”.

         Leximin e librit e bën edhe më tërheqës karakteri letrar i veprës që realizohet duke i kthyer në dialogje mjaft të dhëna të disa letrave dhe lidhjeve midis diplomatit shqiptar dhe personave të tjerë. Me kërshëri lexohen dhe përshkrimet e ambjenteve ku jetonte e punonte Konica dhe përshkrimi fizik i tij dhe i njerëzve me të cilët e lidhi puna, etj.

         Një vlerë tjetër e studimit është dhe sqarimi i inventarit të bibliotekës së Faikut. Përmendet fakti se shumica e kësaj pasurie ishin libra shkencorë me përmbajtje historike, të cilët ai i kishte blerë e shfrytëzuar gjatë jetës së tij që kur i ishte kushtuar botimit të revistës “Albania”. Studiuesi e vlerëson këtë pasuri: “Me librat e bibliotekës së tij Konica u kishte treguar të tjerëve se ç’ ishte ai vend që quhej Shqipëria” (f. 331). Autori ka riprodhua një foto të rrallë me cilësi të lartë të Faikut, gjetur mes librave të tij.

         Ikonomi jep numërin e saktë të librave: 3.000 (tre mijë), numërin e arkave prej druri: 30 (tridhjetë) ku u futën të mbështjella me letër këto libra të shoqëruara me numërimin dhe regjistrimin e titujve të librave që futeshin në çdo arkë. Këtë punë e kreu Peter Tyko, kryeredaktori i gazetës “Dielli” në prani të Vasil Panit, mikut më të afërt të Konicës. Ikonomi përmend faktin se dorëshkrimet dhe sendet e vyera u vendosën në një arkë të veçantë prej hekuri. Gjithë kjo pasuri intelektuale u paketua më 31 dhjetor 1942 dhe u vu në ruajtje në Uashington. Shoqëria “Vatra” filloi të paguante 12 dollarë në muaj për ruajtjen e këtyre arkave (f. 332). Autori ndalet këtu. Ai nuk thotë se kjo pasuri e Konicës pasi u muarr në mbrojtje në ambjentet e Kishës së Shën Gjergjit u tret pak nga pak dhe sot nuk dihet nëse ruhet diku apo jo.

         Studiuesi nuk ka pasur mundësi të sqarojë as fatin e arkivit të Legatës Shqiptare në Uashington pasi Konica u pushua së qeni Ministër i Shqipërisë, a u dërgua ky thesar në Shqipëri siç dëshironte në fillim diplomati ynë, apo iu dorëzua ambasadorit italian në Uashington, siç kërkoi qeveria italiane.

         Libri “Faik Konica – Jeta në Uashington” u ribotua në vitin 2017 nga UETPress.

            Pasioni për kërkim e publikim fotografish të vjetra

            Ilir Ikonomi njihet edhe si kërkues e mbledhës i fotografive të vjetra shqiptare, të cilat përbëjnë një pasuri të vërtetë dokumentare historike për vendin tonë. Në librin për Faik Konicën përfshihen disa foto të gjetura prej tij e që nuk kanë qenë botuar ndonjëherë. Në një koleksion të tij në Facebook me titull “Shqipëria – Si ishim” përfshihen mbi njëmijë fotografi bardhë e zi për Shqipërinë dhe shqiptarët të nxjerra nga arkiva të ndryshëm, libra të rrallë, dhurime nga miqtë dhe të blera prej tij në ankande on-line. Fotografitë janë të përmirësuara teknikisht nga Ikonomi, kanë shënime me të dhënat përkatëse dhe paraqiten në tre albume, që të gjitha të hapura për përdorim nga publiku i gjerë.

         Pasion për studime historike

            Pas suksesit që arriti me botimin e studimit “Faik Konica – jeta në Uashington” (2011), Ilir Ikonomi shpalosi një pasion të ri për studimet historike, për të nxjerë të vërteta të pathëna nga e kaluara e popullit tonë. Ndërsa libri për F. Konicën mund të vlerësohej si një ndihmë konkrete për punën e diplomatëve shqiptarë të ditëve tona, dëshira e autorit ishte tani të trajtonte tema, që t’i shkonin në rrënjë dilemave historike të shqiptarëve. Kjo ide e bëri të përqendrohej në studimin e jetës së veprimtarëve politikë në dhjetëvjeçarin e parë të krijimit të shtetit shqiptar dhe gjeti si objekt interesant jetën e dy personaliteteve politike, Ismail Qemalit dhe Esat pashë Toptanit.

         “U përqëndrova në momentet më të rëndësishëm të jetës së shtetit të ri shqiptar, përmes jetës së dy personaliteteve më të spikatur të atyre viteve, thotë Ikonomi, për të nxjerë në dukje vështirësitë e shumta që kaloi Shqipëria si shtet i pavarur, kur mungonin politikanë vizionarë dhe një ndërgjegje popullore atdhetare e konsoliduar”.

         Jeta e Ismail Qemalit ishte mjaft e trajtuar në libra, tekste mësimore dhe filma. Ishte studiuar mjaft përvoja e tij e gjatë si diplomat i Perandorisë Turke dhe veprimtar i lëvizjes kombëtare shqiptare. Ishte shkruar për nuhatjen e tij politike dhe shfrytëzimin e momentit për të realizuar shpalljen e pavarësisë si hap të parë, pavarësisht se presioni i Rusisë Cariste dhe Francës për të kënaqur fqinjët e shqiptarëve, bëri që kjo fitore të masakrohej dhe të rezultonte në gjysmake.

         Vëzhguesi i hollë Ikonomi zgjodhi një qasje tjetër dhe hodhi një dritë të re në trajtimin e Ismail Qemalit. Ai u përqendrua tek udhëtimi historik prej 26 ditësh që e solli atdhetarin e shquar nga një hotel i lagjes Pera të Stambollit deri në Vlorë, ku realizoi shpalljen e Shqipërisë shtet të pavarur. Peripecitë e këtij udhëtimi, që zbulojnë guximin, zgjuarësinë dhe shkathtësinë e këtij burri 68-vjeçar, përbëjnë dhe lëndën e librit Pavarësia – Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit UET Tiranë 2012, 290 fq. Ky libër, i pasur me fakte dhe dokumente të reja, ishte një nga dhuratat e çmuara që iu bënë Shqipërisë prej studiuesve me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë.

         Mësim për historianët dhe pushtetarët

         Gjatë studimit të jetës së Ismail Qemalit, autori pati rast të pasuronte arkivin e tij me dokumente të reja nga kjo periudhë e turbullt, ku Esat pashë Toptani ishte ndër personalitetet mbizotëruese. Ashtu si I. Qemali, Esat pasha kishte qenë deputet në parlamentin turk të viteve 1908-1912 dhe kishte ngritur zërin në atë parlament kundër dhunës së Turgut pashës ndaj kryengritëve shqiptarë të Malësisë së Madhe e të Kosovës. Mes Ismail Qemalit dhe Esat pashës gjithnjë kishte patur një marrëdhënie të nderë, së cilës Ikonomi i kushton një pjesë të mirë të studimit. Burimin e rivalitetit ai e gjen tek idetë e ndryshme që ata kishin për mënyrën e organizimit të Shqipërisë së ardhshme si dhe tek përplasja e egove, por pa e stilizuar si një marrëdhënie patriot-tradhtar, siç është vepruar rëndom në historiografinë shqiptare nën ndikimin e partishmërisë komuniste.

         Esat pasha, ky personalitet i historisë së Shqipërisë ka qenë vlerësuar thjesht si figurë negative, që “kishte punuar kundër interesave kombëtare” dhe që “pasi kishte organizuar vrasjen e Hasan Riza pashës, komandantit turk të forcave që mbronin Shkodrën, ua kishte dorëzuar qytetin malazezëve”. Kurse Ikonomi e sheh në një dritë realiste dhe me paanshmëri konfliktin mes qeverisë së Ismail Qemalit dhe Esat pashës, i cili pas qëndresës që u bëri malazezëve dhe serbëve gjatë rrethimit të Shkodrës, tetor 1912-prill 1913, zbriti në Tiranë me ambicie për t’u bërë sundimtar i Shqipërisë së re. Studiuesi sjell dokumente të panjohur nga arkivi austriak dhe italian për ta përshkruar këtë marrëdhënie të vështirë, duke përfshirë emërimin e Esat pashës nga Ismail Qemali si ministër të brendshëm në qeverinë e Vlorës, largimin e tij nga kjo qeveri dhe acarimin e mëtejshëm të rivalitetit mes të dyve.

         Ikonomi i hedh poshtë klishetë. Synimi i tij në libër është të na e japë Esat pashën ashtu siç ka qenë, në rrethanat e kohës kur jetoi. Ai nuk operon me të vërteta “absolute” kur është fjala për këtë figurë të historisë, por me faktet e gjetur në arkiva. Kjo punë kishte rrezikun e vet, sepse duhej ngritur kundër opinionit popullor dhe shkencor që ishte përhapur që me gjallje të Esatit prej kundërshtarëve të tij dhe që ishte përforcuar prej Enver Hoxhës e studiuesve të kohës së diktaturës. Guximi, objektiviteti dhe skrupuloziteti shkencor e ndihmuan autorin që ta studionte këtë personalitet historik kompleks në përputhje me rrethanat e kohës dhe jashtë klisheve. Ai ariti t’u jepte një mësim historianëve për t’u çliruar nga politizimi partiak, prej të cilit kishin vuajtur gjatë diktaturës komuniste dhe ende vijonin të qëndronin skllevër të klisheve të vjetra.

         Pas një studimi katërvjeçar, Ikonomi arriti në disa përfundime me rëndësi. Esat pashë Toptani falë ambicieve për pushtet, energjive, pragmatizmit dhe zgjuarësisë personale, ishte bërë ndër figurat kryesore në skenën politike të viteve 1912-1920 kur shteti shqiptar ishte ende në shpërgënj. Një lexim i kujdesshëm të bën të kuptosh se autori i kushton vemendje të madhe sqarimit të rrethanave për të kuptuar zinxhirin e ngjarjeve që e sollën Shqipërinë në kufijtë që ka sot dhe rolin e Esat pashës të lidhur ngushtë me këtë histori.

         Gazetari profesionist me pasionin e studiuesit e ka ndërtuar veprën e tij duke I qëdruar besnik parimit të vet të mëparshëm për të qenë i ndershëm me veten dhe realist në gjykimin e historisë. Ai e rindërton jetën e Esat pashës duke u përqëndruar në tetë vitet e fundit të tij, 1912-1920, periudha e formimit të Shqipërisë së re. Zgjedhja e tij ishte të parashtronte faktet dhe të jepte mendimet e veta pa polemizuar me vlerësimet që kishin dhënë para tij historianët në studimet për Esatin dhe figurat e problemet e atyre viteve. Rezultatet e kësaj pune i botoi në librin prej 570 faqesh “Esat pashë Toptani – Njeriu, lufta, pushteti” UET Press, Tiranë 2016.

         “Për mua, ky është libri më i mirë që kam shkruar,” shprehet autori. “Kam dashur të jap jo thjesht portretin e një njeriu, por mekanizmin se si ka funksionuar pushteti te shqiptarët dhe pse historia i la ata paksa mënjanë Europës. Kjo është më tepër një histori e Shqipërisë e parë me syrin e një kritiku për t’u dhënë mundësi shqiptarëve të sotëm të nxjerrin mësime. Njëri nga mësimet është se ndërtimi i shtetit kërkon idealizëm, sakrifica dhe frymë atdhedashëse.”

         Në lëvizjen Kombëtare Shqiptare deri në fillim të tetorit 1912 ishte mbisundues mendimi se për popullin shqiptar ishte më mirë të kërkonte krijimin e një shteti autonom nën vartësinë e sulltanit dhe nëse do të rrezikohej ekzistenca e Perandorisë Turke, ky shtet autonom të shpallej i pavarur. Ky mendim ishte shfaqur së pari gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit dhe pastaj ishte shprehur dhe më qartë prej ideologut Sami Frashëri më 1899 te libri “Shqipëria ç’ ka qenë e ç’ do të bëhet”. Edhe kërkesat kryesore të kryengritjeve të viteve 1911-1912 ishin formuluar në përputhje me këtë synim. Të 14 pikat që pranoi sulltani t’u njihte shqiptarëve në gusht të vitit 1912 ishin një hap përpara drejt njohjes së autonomisë. Prandaj shtetet fqinjë ballkanikë u lidhën në aleancë dhe i shpallën luftë Perandorisë Turke për të çliruar territoret e tyre që u kishin mbetur ende nën zgjedhën turke dhe më tej për të pushtuar e copëtuar trojet e banuara nga shqiptarët, të cilat ato i konsideronin territore të Perandorisë Turke. Fillimi i Luftës Ballkanike e detyroi delegacionin e Ismail Qemalit që gjatë ndalesës në Bukuresht të ndryshonte programin, nga shpallje e Shqipërisë shtet autonom në shtet të pavarur (të mosvarur).

         Viti 1912 e gjeti popullin shqiptar të raskapitur pas një pushtimi të gjatë osmano-turk, me 70 për qind të tij të kthyer në fenë e pushtuesit, me një prapambetje ekonomike të thellë dhe me një borgjezi të dobët që nuk kishte mundur të krijonte partinë e vet politike. Borgjezia dhe mikroborgjezia shqiptare kishte luajtur rolin e saj të shumanshëm për zgjimin nacional dhe kulturor të popullit dhe për krijimin e ideologjisë kombëtare, por ajo ishte ende e dobët në planin politik, financiar dhe organizativ. Ajo u mjaftua me përkrahjen që i jepte lëvizjes sonë kombëtare Austro-Hungaria e Italia dhe nuk dërgoi përfaqësues të saj të paktën te qeveria franceze dhe ajo angleze, kunsujt e të cilave kishin folur e shkruar mirë për popullin shqiptar, se ai ishte një popull josllav në Ballkanin Perëndimor që përbënte shumicën e territoreve të Vilajeteve Shkodër, Shkup. Manastir dhe Janinë, se ishte pasardhës i Gjergj Kastriotit Skënderbeut që kishte luftuar për të mbrojtur lirinë e tij dhe të Europës. Pra po të ishte bërë një punë diplomatike pranë këtyre fuqive para vitit 1911 mund të ishte siguruar përkrahja e tyre për ta përkrahur popullin tonë gjatë kryengritje të përgjakshme për liri të viteve 1911-1912 dhe në procesin e shpalljes së pavarësisë. Mbi gjithë këto dobësi ishte dhe një dobësi karkateri që karakterizonte veprimtarët politikë shqiptarë, ata, pavarësisht se cilës klasë dhe cilës rryme i përkisnin, vuanin nga egizmi dhe ideja se secili ishte më i miri. E shanin dhe e kritikonin njëri tjetrin pa fakte dhe e kishin shumë të vështirë të bashkëpunonin midis tyre për të vepruar si lob.

         Si pasojë e këtyre dobësive të lëvizjes kombëtare shqiptare, Rusia Cariste pasi u kishte siguruar pavarësinë ose autonominë popujve sllavë të Ballkanit në vitet 1875-1878, mundi të impononte gjatë viteve 1912-1913 vullnetin e saj për të zgjeruar territoret e këtyre shteteve edhe me territore shqiptare. Kështu shtetit të pavarur shqiptar mezi iu njohën më pak se gjysma e territoreve të banuar në shumicë nga shqiptarët.

         Në 10-12 vjetët e parë të jetës së shtetit shqiptar, rolin mbizotërues e kishin krerët e familjeve aristokrate, si Vlora, Toptani, Vrioni, Libohova, Bib Doda, e të tjerë, të cilët duke qenë të përkrahur e të përkëdhelur prej pushtetit osman kishin përvetësuar gjatë brezave reflekset e kapjes së pushtetit.

         Ikonomi argumenton se mes kësaj aradhe pushtetdashësish, Esat pasha ishte ndër më të fuqishmit dhe më influentët. Ai ishte shumë më tepër se një lider krahinor. Esat pasha synonte të bëhej kreu i një Shqipërie që të përfshinte të gjitha krahinat dhe të gjithë shqiptarët pa dallime fetare apo klanore. Në tetor 1912, para se Ismail Qemali të ngrinte flamurin në Vlorë, Esat pasha iu përgjigj detyrës si ushtarak, marshoi drejt Shkodrës me rezervistë shqiptarë që mblodhi në Shqipërinë e Mesme, për ta mbrojtur atë si qytet shqiptar krahas komandantit të garnizonit turk, që e mbronte në emër të Perandorisë Osmane. Hetimet për vrasjen e Hasan Riza Pashës nuk nxorën dot në shesh se kush ishin e kush i shtyu tre vrasësit e vërtetë, prandaj dy nënkomandantët turq pranuan që komandën ta merrte Esat Pasha, i cili me aftësitë e tij mundi ta drejtonte me sukses qëndresën kundër rrethimit.  

         Në vitin 1913, kur në Londër po vendoseshin kufijtë e shtetit të ri, këmbëngulja e Austrisë përballë Rusisë, bëri që Shkodra t’i mbetej Shqipërisë. Mirëpo kjo zgjidhje nuk do të ishte arritur po të mos kishte ndodhur rezistenca trimërore e zgjatur në terren e organizuar dhe drejtuar prej Esatit në kushtet e urisë së skajshme. Më vonë, thekson Ikonomi, dolën njerëz, që thanë se pashai e shiti Shkodrën, por askush prej këtyre njerëzve nuk pati aftësitë, guximin apo autoritetin e Esatit për të mbledhur luftëtarë dhe për të mbrojtur qytetin e rrethuar. Askush nuk i shkoi atij në ndihmë, kur kishte nevojë.

         Mbrojtja e Shkodrës, thekson studiuesi, “ishte fitore e Esat pashës” edhe pse ai u detyrua t’ua dorëzonte qytetin malazezëve për të mos e shkatërruar ushtërinë e dërmuar nga uria. Por dorëzimi ishte i përkohshëm, sepse Fuqitë e Mëdha kishin vendosur tashmë që Shkodra t’i mbetej Shqipërisë, kurse Gjakova e Dibra t’i jepeshin Serbisë. Malazezët u detyruan ta zbrazin Shkodrën pas dy javësh.

         Pas luftës në Shkodër, në fillim të majit 1913, Esat pasha u zhvendos me rekrutët e tij në Tiranë dhe arriti të vinte qetësi në Shqipërinë e Mesme. Tashmë ai zotëronte ndikim të padiskutueshëm në veri të vendit dhe besonte se i takonte të vihej në krye të shtetit të ri nën një princ të huaj mysliman, kufijtë e të cilit sapo ishin vendosur në Londër. Por ëndrra që ai ushqeu nuk u realizua, sepse Fuqitë e Mëdha vendosën të sillnin në Shqipëri një princ të huaj europian. Esati manovroi, pranoi që princi të ishte Vilhelm Vidi me kusht që ai t’ia dorëzonte “Pleqësinë e Shqipërisë së Mesme” Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit ditën që ai u nis për në Gjermani si kryetar i delegacionit që do ta merrte Princin. Mirëpo ardhja e Princ Vidit në Durrës në mars 1914 e futi pashain në një vorbull xhelozish dhe intrigash. Donte të ishte më i fuqishëm se Princi dhe një ditë t’i zinte vendin. Ambiciet e tij kishin ngjallur frikën e Austro-Hungarisë dhe Vidi e shihte me dyshim. Në javën e tretë të majit shtëpia e tij u qëllua me top nga njerëzit e princit dhe Esatin e detyruan të largohej i poshtëruar për në Itali.

         Plasja e kryengritjes fshatare proturke në Shqipërinë e Mesme e detyroi Vidin të ikte nga Shqipëria. Esati shfrytëzoi ndihmën e Serbisë dhe arriti të rikthehej me triumf në Durrës në fillim të tetorit 1914. Ai mori në dorë qeverinë dhe mendoi se Shqipëria do të gjente më në fund prehje nën autoritetin e tij. Mirëpo as këtë herë nuk mundi, sepse rebelët e shpallën pragmatistin Esat “të pafe” dhe armik të tyre. Stambolli gjithashtu e shpalli armik dhe i dha dënimin me vdekje. Fshatarët kryengritës, nën influencën e xhonturqve, nuk ia falnin Esatit faktin që pranoi një princ të krishterë evropian, në vend të një përfaqësuesi mysliman për Shqipërinë.

         Ishte një kohë kaosi, kur kishte filluar lufta e përbotshme dhe Shqipëria ishte viktima e harruar, e destinuar të shkelej dhe të copëtohej. I rrethuar nga rebelët, pashai drejtonte një qeveri në Durrës nën mbrojtjen e Italisë, e cila kishte pushtuar Vlorën, ndërsa Greqia mbante jugun dhe veriu ishte jashtë çdo kontrolli. Presioni i kryengritësve ishte aq i madh, saqë në maj të vitit 1915 Esatit iu desh të thërriste forcat serbe për ta çliruar. Ato erdhën dhe i dorëzuan Haxhi Qamilin bashkë me krerët e tjerë të rebelimit, të cilët Esati i ekzekutoi. Por komanda serbe i paraqiti një marrëveshje për ta nënshkruar. Kushtet e saj ishin të rënda dhe kishin të bënin me lëshime territoresh dhe bashkime doganash, por pashai besonte se kur të vinte koha, do të gjente mënyrën që ato të mos zbatoheshin. Ikonomi konkludon se edhe pse marrëveshja mund të jetë e vërtetë, nuk ekzistojnë dëshmi të drejtpërdrejta që ta vërtetojnë. Autori pohon se përpjekjet e tij nëpër arkiva për ta gjetur ujdinë me serbët nuk kanë patur sukses.

         Gjithsesi, fati e ndihmoi pashain toptanas: disa muaj më vonë Serbia u pushtua nga bullgarët, austriakët dhe gjermanët, ndërsa forcat serbe të përgjysmuara u detyruan të tërhiqeshin nëpër Shqipërinë e Veriut për të shpëtuar. Ato i kërkuan ndihmë Esatit dhe ky ua dha. Pashai e ndihmoi ushtrinë e sakatuar serbe të transferohej për në Korfuz dhe të shpëtonte nga shkatërrimi e poshtërimi. Si shpërblim për këtë shërbim, më vonë serbët i lidhën pashait një rrogë mujore. Me hyrjen e forcave austriake dhe bullgare në Shqipëri, në shkurt 1916 Esat pasha u detyrua të largohej nga Durrësi bashkë me mbrojtësit e tij, italianët. Ikonomi është ndër të parët që përshkruan me hollësi dhe vërtetësi gjendjen e shtetit të cunguar shqiptar gjatë kësaj periudhe jashtëzakonisht të vështirë, kur Fuqitë e Antantës kishin vendosur me një traktat të fshehtë ta copëtonin më tej vendin pasi të mbaronte lufta.

         Esat pasha pati meritën ta kuptonte se Luftën Botërore do ta fitonin shtetet e Antantës dhe u lidh me to që në fillim. Ai ishte i vetmi shqiptar që, me një forcë të armatosur (“Taborin e tij”), mori pjesë ushtarakisht në luftime kundër forcave bullgare e austriake përkrah forcave të Antantës në frontin e lindjes, rreth Selanikut. Qeveria franceze, kur ia kishte nevojën e vlerësonte lart Esatin, por në fund të luftës, si francezët dhe aleatët e Antantës e konsideruan pashain pa vlerë dhe u orvatën ta braktisin.

         Në Konferencën e Paqes në Paris, Esati u përpoq të thoshte fjalën e tij. Ai dorëzoi një memorandum, ku kërkonte njohjen e Shqipërisë me kufijtë e vitit 1913, por nuk e dëgjuan. Këtë memorandum, vëren Ikonomi, historianët shqiptarë nuk e kanë botuar asnjëherë.

         Me ndihmën e miqve të vet, në prill 1919, Esati pati një takim në Paris me Presidentin amerikan Woodrow Wilson, të cilit i parashtroi idetë e veta për Shqipërinë e ardhshme dhe denoncoi planet e Italisë për të mbajtur Vlorën. Ikonomi është i vetmi që e ka përshkruar me hollësi këtë takim, mbi bazën e disa dokumenteve, ku spikat një letër e gjetur në arkiv me përmbajtjen e kërkesave të Esat pashës gjatë bisedës me presidentin amerikan. Në thelb, Esat pasha kërkoi që Shqipëria të vihet nën protektoratin amerikan. As ky takim nuk është përmendur ndonjëherë nga historianët shqiptarë.

         Në fillim të vitit 1920, atdhetarizmi shqiptar u shkund nga letargjia dhe në Lushnjë u mbajt një kongres i cili krijoi një qeveri të re, që hodhi poshtë qeverinë proitaliane të Turhan pashë Përmetit. Disa pjesëtarë të kësaj qeverie i trembeshin kthimit të mundshëm të Esatit në pushtet, ndërsa në Shqipërinë e Mesme vepronin forca të armatosura pro pashait, të ashtuquajturit “esadistë”.

         Autori sqaron se Esat pasha me pragmatizmin e tij krijoi shumë armiq dhe urrejtje, por ai ua pohoi hapur të dërguarve të qeverisë së Lushnjës në Paris faktin që merrte para nga serbët për shkak se u kishte shpëtuar ushtrinë nga shkatërrimi i plotë. Esati thoshte me sinqeritet se nuk ishte shërbëtor i askujt dhe se gjithnjë kishte vepruar në të mirë të atdheut.

         “Shqipëria, – thoshte ai, – dëshiron të jetojë e qetë, midis maleve të saj, të ruajë atë që i ka njohur Konferenca e Londrës, të fuqizojë aleancën me fuqitë e Antantës, dhe të vendosë vetë mbi qeverinë që do ta udhëheqë”.

         Në qershor të vitit 1920, kur Esati shpresonte të kthehej në Shqipëri me bekimin e Italisë, mësuesi 25-vjeçar, Avni Rustemi, që kishte shkuar në Paris, e vrau, me shumë gjasë i mbështetur dhe i financuar nga njerëz të qeverisë së Tiranës, ndër ta edhe Ahmet Zogu, siç konkludon Ikonomi. Nga ana ime shtoj në favor të këtij konkludimi dhe dy fakte të tjerë: a) gjatë Luftës së Parë Botërore, kur Esat pasha ishte armiqësuar dhe luftonte kundër Austro-Hungarisë, Ahmet Zogu jetonte dhe instruktohej në Austri dhe b) vrasja e Avni Rustemit më 1924 u krye nga njeriu i vënë prej Ahmet Zogut, me sa duket për të mbuluar të vërtetën e vrasjes së Esat pashës.

         Ikonomi thekson se besimi i Esat pashës, që një ditë do ta shkëpuste Shqipërinë nga tutela e Fuqive dhe do të sundonte i lirë si monark, ishte një naivitet, prandaj në këtë drejtim atë nuk e ndihmuan as guximi dhe as kalkulimet e tij të zgjuar politikë.

         Thjesht dhe shkurt mund të themi se studiuesi u ka dhënë historianëve shqiptarë një mësim themelor lidhur me trajtimin e personaliteteve të historisë kombëtare larg klisheve dhe politizimit. Njëkohësisht ai i ka dhënë një mësim të vlefshëm dhe klasës së sotme politike të Shqipërisë e të Kosovës, se atdheu nuk qeveriset me mendësi egoiste anadollake e grindavece, si dikur I. Qemali e E. Toptani që shanin njëri tjetrin pa fakte. Jeta e politikanëve kërkon sakrifica, korrektësi dhe punë për krijimin e shtetit ligjor. Prej jetës së Esat pashës pushtetarët e sotëm mund të mësojnë edhe nga zgjuarësia e tij për të zgjedhur sekretarë të aftë që dinin disa gjuhë të huaja si Faik Konica, për të kryer me sukses punën e tij si politikan e burrë shteti.

         Edhe kjo vepër e Ilir Ikonomi të rëmben. Ajo lexohet me shumë kërshëri. Aty shpaloset jeta e Esat pashës me fakte duke përdorur në mënyrë të gërshtetuar stilin përshkrues, stilin analitik e atë letrar. Ai të bind se Esat pasha, ky politikan i zgjuar e pragmatist, mund të mos ishte një hero, por si veprimtar politik i pranishëm në gjithë periudhën e ngjizjes së shtetit shqiptar, meriton një vlerësim ndryshe. Nuk mund të mos njihet lufta e tij gjatë rrethimit të Shkodrës, rezistenca ndaj kryengritjes fshatare proturke të Shqipërisë së Mesme dhe pjesëmarrja me forca të armatosura në krah të bllokut fitues në Luftën e Parë Botërore, ndërkohë që rivalët e tij u rreshtuan me fuqinë humbëse, Austro-Hungarinë.

         Ndërhohë mendoj se Ikonomi duhej të kishte kërkuar më shumë në aspektin e formimit kulturor të Esat pashën në fëmijërinë dhe rininë e tij dhe të mos e kishte cilësuar “të pashkollë”. Një familje e pasur si ajo e Toptanëve nuk mund ta kishte lënë këtë djalë pa i dhënë mësime private që në fëmijëri për zotërimin me gojë e me shkrim të turqishtes, ndoshta dhe të arabishtes, si dhe ndjekjen e ndonjë shkolle të mesme në Stamboll. Ndryshe nuk ka si shpjegohet dhënia e gradës General (Pasha) dhe zgjedhja e tij deputet në parlamentin turk, si dhe elokuenca aq e spikatur e këtij pashai.  

         Rezultatet e këtij studimi duhet të shfrytëzohen që historianët ta trajtojnë ndryshe figurën e Esat pashës në tekstet mësimore dhe në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”. Ky studim vlen të shfrytëzohet dhe prej shkrimtarëve dhe skenaristëve për të hartuar vepra të reja me këndvështrime objektive dhe mësimdhënëse.

Filed Under: Featured Tagged With: Ilir Ikonimi, Portret biografi, Thanas L Gjika

BETEJA E LONDRËS E RRËFYER NGA SHQIPTARËT

May 7, 2020 by dgreca

-ADRIAN FANDI DHE LINDA MUSLI DOKTORËT BASHKËSHORTË NË LONDËR RRËFEJNË BETEJËN E FITUAR NDAJ COVID-19-/

Dr. Adrian Fandi Associate Specialist në Emergency Medicine dhe Linda Musli Specialty Doctor në Emergency Medicine në spitalin Kingston Hospital Foundation Trust, London, UK, i rrëfejnë gazetarit Sokol Paja për gazetën Dielli, betejën që kaluan me Covid-19./

Doktor Adrian Fandi së bashku me bashkëshorten e tij mjeke Dr. Linda Musli pranë “Kingston Hospital Foundation Trust, London, UK” kanë kaluar me sukses betejën personale ndaj Covid-19 dhe së fundmi ata kanë pranuar kërkesën e NHS England për të dhuruar plazmën e tyre me qëllim që të ndihmojnë pacientët me Covid-19. Doktor Adriani dhe bashkëshortja e tij Linda Musli vazhdojnë konsultat on line me shqiptarët në Londër dhe jo vetëm me qëllim asistimin dhe këshillimin për çdo nevojë mjekësore sidomos në kushtet e pandemisë botërore Covid-19. Së fundmi doktor Adrian Fandi është përzgjedhur nga Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri dhe është bërë pjesë e grupit të eksperteve shqiptarë në luftën ndaj Covid-19. 

KONTAKTI ME VIRUSIN VDEKJEPRURËS

Doktor Adrian Fandi tregon se virusin e mori në mes të muajit mars gjatë një vizite normale në spitalin “Kingston Hospital Foundation Trust” në Londër gjatë kohës që po vizitonte një djalë të ri. “U preka nga kovid rreth mesit të marsit në një periudhë që sapo kishte filluar të përhapej virusi në UK dhe masat mbrojtëse për personelin shëndetësor ishin jo adeguate. Ndiqja me vëmendje çfarë ndodhte në Itali ku përhapja ishte masive, diskutoja me manaxherët për rritjen e masave të sigurisë së mjeteve mbrojtëse por ishte një përgjigje e vrazhdë ku ne në Angli kemi rregullat tona, rregulla që më vonë po na i ndërronin çdo 2-3 ditë. Në punë patëm urdhër që të mos përdornim maska në EmergencyDept ku nuk kishte të sëmurë me shënja Covid-19 se përhapnim panikun në popull. Kështu që duke vizituar pacientë në zonën e pastër, ose pa pacientë që dyshohen me Covid-19, po vizitoja një djalë 25 vjeç që erdhi me dhimbje koke e temperaturë që i kishte shpëtuar kolegut të filtrit. Natyrisht isha pa maskë dhe pas vizitës e kuptova që ishte Covid-19. Atij djali i kishte ikur nuhatja si dhe disa shënja të tjera si kollë e dhimbje gryke. Për momentin nuk u shqetësova por mu desh të ballafaqohem me eprorët për incidentin dhe kërkova prap vënien e maskave për të gjithë personelin e Emergency Department. Pas disa ditësh ndërruan rregullat për më mirë por tashmë ishte tepër vonë. Pesë ditë pas kontaktit duke u kthyer në shtëpi pas turnit të punës fillova të dridhem e sa arrita në shtëpi temperatura ishte 38 gradë celcius. Aty e kuptova se më erdhi radha edhe mua . Ishte data 25 mars dhe mediat në Itali flisnin për mijëra viktima nga Covid-19. Të gjitha kanalet televizive me ekspertë e pseudoekspertë që flisnin për këtë tragjedi e njerëz që humbnin jetën. Puna e parë, fika televizorin jo se kisha panik por nuk duroja më shpirtërisht këtë bombardim  mediatik” rrëfen i trishtuar doktor Adrian Fandi.

NDRYSHIMET NË TRUP PAS PREKJES NGA COVID-19

Pas prekjes nga virusi vdekjeprurës, doktor Adrian Fandi tregon se: “Temperatura ishte në rritje e tamponi doli positive pas 4 ditësh. Nuk kisha nevojë të ma thoshte tamponi por shënjat që kisha Covid-19. Nuhatja me iku, filloi dhimbja në gjoks, kur kollitesha më dhimbnin të gjithë muskujt, nuk kisha fuqi të çohesha për nevojat personale derisa më filloi edhe vështirësia në frymëmarrje. Ndërkohë një koleg më kishte sjellë një aparat për të mat oksigjenin në gjak dhe po e shifja që ulej ditë pas ditë. Në 1 prill frymëmarja mu vështirësua dhe gruaja ime, që është mjeke e punojmë bashkë në të njëjtin department, më çoi në spital. Aty kolegët më pritën të mallëngjyer e të shqetësuar. Analizat ishin jo mirë, oksigjeni ishte ul 89% nga 95 e lart nga sa duhet të jetë. Fillova oksigjenin si dhe pyeta a do marr ndonje ilaç. Më thanë se duhej të firmosja për Trial dhe pranova. Llotaria e kompiuterit më futi te grupi i pacientëve që nuk do merrnin asnjë terapi. Aty më kërcyen pak, po tani unë jam mjek e nuk dua të bëj eksperimente por të merrja të pakten Plaquenil. Vështirë të ecësh kundër rregullave angleze. U deshën 24 orë të fshihesha nga kompjuteri e të filloja terapinë në spital. Tre ditët e para isha keq me kollë e vështirësi në frymëmarrje. Për të shkuar në banjë kisha një bombul të vogël oksigjeni se nuk mundesha. Qëlloi ditën e parë që një i sëmurë i dhomës time pati një kolaps dhe humbi ndjenjat në shesh, mu desh të ngrihem me oksigjen në fytyrë për ta reanimuar. Harrova që isha pacient dhe kur kolegët me gjeten në punë më falendëruan por edhe kritikuan që mos ta bëja më se rrezikoja jetën time. Specialistët e Intensive Care vinin dy herë në ditë për të parë curinë e nqs nuk përmirësohesha do të më intubonin. Nuk doja, ose më saktë nuk më pëlqente se e dija që puna do të shkonte gjatë e jo mirë me një shans për të mbijetuar 30%” rrëfen frikshëm doktor Adrian Fandi. 

LUTJA NDAJ ZOTIT SI BURIM FORCE E SHPRESE

Çdo natë më zinte gjumi duke ju lutur Krishtit dhe Zonjës së Bekuar në Medjugorje (Bosnjë). Ndërkohë më vinin tekste nga kolegët e shokët që luteshin për mua kush Allahut, kush Budës, kush nuk e di kujt. Ditën e katërt në spital fillova të ndihem diçka më mirë dhe ula nivelin e oksigjenit që merrja aty fillova të bëhesha më optimist. Bëra një CT SCAN që tregonte se kisha një pneumoni nga kovid. Çdo gjë që ndodhte ishte në sekret për prindërit e mi në Bari të Italisë. Ata nuk dinin asgjë deri sa dola nga spitali. Në 6 prill u çova dhe shkova në banjë pa oksigjen. Atëherë vendosa të mos ta përdorja e për dy orë nuk mu ul nën 95%. Aty vendosa të thërras mjeken e repartit e cila ishte e kenaqur me ecurinë dhe me dha lejen të shkoja në shtëpi te doktoresha ime” tregon doktor Adriani për bashkëshorten e tij që kanë 30 vjet së bashku . 

RIKTHIMI NË FAMILJE I SHËRUAR

Sapo dola nga spitali i shëruar Gruaja sa mori vesh erdhi të më merrte. Që atë ditë filloi jeta ime e dytë. Gëzimi për të qenë pranë familjes time, me të dashurit e mi, me jetën që kishim krijuar së bashku për gati 30 vjet. Ditë pas dite po bëhesha më mirë dhe vendosa të kthehem në punë pas 10 ditësh pasi dola nga spitali. Gëzimi i shokëve të punës ishte mallëngjyes. Aty fillova edhe një herë me energjinë si më parë. Natyrisht siguria në punë ishte rritur dhe masat mbrojtëse ishin bashkëkohore tashmë. Një pjesë e kolegëve ndërkohë ishin prekur nga Covid-19 por me shënja më të lehta se unë. Pacientët që vinin nuk ishin vetëm të moshuar por shumë të rinj si dhe në gjendje të rëndë. Masat e lock doun në UK nuk janë të forta dhe përhapja e virusit është e madhe” shpjegon për gazetën Dielli doktor Adrian Fandi. 

HUMANIZMI I DOKTOR ADRIAN FANDIT DHE LINDA MUSLI

Doktor Adriani sëbashku me bashkëshorten e tij mjeke Lindën edhe pse sapo kanë kaluar sëmundjen, prapë se prapë nuk ndalen në ndihmë të patriotëve të tyre shqiptarë në Londër të cilët e kontaktonin në Cel në Fb ose Skype për këshilla mjekësore në këtë kohë pandemie globale. Edhe pse ende nuk janë në 100% e tyre si pasojë e përplasjes me Covid-19, mjekët bashkëshortë vazhdojnë prej 23 vitesh t’ju shërbejnë me pasion e humanizëm çdo patrioti shqiptar sidomos. Doktor Adriani na tregon një histori të dhimbshme të Agimit një shqiptari që punonte taksist në Londër. “Gruaja e Agimit ishte e shtruar në reanimacion e intubuar në frymëmarje të drejtuar në gjendje të rëndë. Agimi është shofer taksie në Londër dhe ka 3 fëmijë, ku djali i madh ka probleme disabiliteti në tru që kur ka qenë fëmijë pas epilepsisë. Gruaja ishte ajo që kujdesej më shumë për djalin dhe tani luftonte për jetën. Spitali e merrte përditë në telefon por nuk kuptonte çfarë thonin mjeket. Që atë ditë spitali ku ndodhet më telefonon mua dhe më pas më duhet t’ja shpjegoj me fjalë të thjeshta Agimit” citoi për gazetën Dielli doktor Adrian Fandi cili prej shumë vitesh i këshillon shqiptarët si mjek, si përkthyes dhe si psikolog. 

Filed Under: Featured Tagged With: Dr.Adrian Fandi, Reteja ne Londer, Sokol Paja

MEMORIES OF PRE-PANDEMIC TIMES REVIVE THE SOCIAL PAST

May 6, 2020 by dgreca

By Rafaela Prifti/

Near to two months, the days in the lockdown city go by without much variation while questions of the collective revival spring up in our minds. Memories of the social past persist as the quarantine that has shaped our lives since last March is expected to be lifted in mid-May. Picking up our lives from the “pause” stemming from the pandemic may still take some mental practice and imagination. I remember two community events that were hosted on March 7 in the Bronx to commemorate teachers and honor heroes whose sacrifices laid the foundations of the Albanian nation. The concert was presented by Alba Life and the afternoon ceremony by the American Albanian Society Foundation. How do hosts and community activists, Kozeta, Qemal Zylo, and Esad A. Rizai remember that day and what are their thoughts on the current situation? 

KOZETA AND QEMAL ZYLO

Kozeta Zylo, writer and co-founder of Alba Life School, says that it is very hard not to visit with the grandchildren as she follows the stay-at-home guidelines. “I truly miss our students,” Mrs. Zylo confides, recalling their March 7th concert earlier this year “and the sweet sounds of their voices.” As far as work with Alba Life TV, she conducts interviews via Internet with public health professionals and medical experts around the world to thank them for their service. Her career and life partner, Qemal Zylo, Director and Founder of Alba Life TV and School, reveals that the current isolation in America and around the globe feels unreal. “The highest toll of quarantine weeks has been the inability to get together with our children and grandchildren,” says he, “and not seeing the students, staff and parents.” The domestic routine contrasts sharply with the couple’s very active and dynamic lifestyle before the crises. “We were used to being constantly on the move,” explains Mr. Zylo, “running to community events with the camera equipment or carrying books to and from school. I miss it so much.” Yet they have adapted to the new reality and have moved to broadcast online. The Alba Life TV director mentions that they are bringing to the audience “Albanian greetings from the quarantine” and a special children’s program on Saturdays geared towards education. 

ESAD A. RIZAI

The host of the March 7 event at the Belmont Library, Mr. Esad A. Rizai, President of the Albanian American Society Foundation recalls his opening remarks there “Acknowledging and honoring those who have placed the nation’s interest above all else has brought us together today.” Mr. Rizai notes that the day itself carried symbolism and significance. Kosovo’s legendary hero and freedom fighter Adem Jashari, was slayed with some fifty members of his large family by the Serbian police forces in Prekaz on March 7, 1998. The prolific writer, novelist and satirist whose career spans for six decades Naum Prifti was born on March 7, 1932. The office of the Bronx Borough President Ruben Diaz Junior had issued a post-mortem citation to Adem Jashari and a Proclamation to honor the lifework of Naum Prifti. The Founder and President of the Albanian American Society Foundation, Mr. Esad A. Rizai, speaks with reverence about the impact of the “pen and the sword” that best personify two honorees, Adem Jashari and Naum Prifti. He remembers the special guests, community representative and family members at the event: Mr. Hajdin Alijaj, Mr. Avni Karakushi, Mr. and Mrs. Enver and Kade Lajqi from the American Albanian Society Foundation, Ricci Campbell, American actor.  In his remarks, Albanian poet and songwriter Isa Brecani highlighted moments of Adem Jashari’s life that has impacted generations of Albanians. With reference to Jashari’s heroic acts, Mr. Rizai says “History has shown that even one person can make a difference,” through the strength of their power or the might of the pen. Julika Prifti, the writer’s second daughter, noted that despite the years, his purity, gentleness and unique humanity are the signature traits of Naum Prifti as a person and a writer. The professional writer, continued his publicist career after moving to America, and also carried out the duties of Secretary of Vatra for over a decade. Imbued with the ideals of the older generation of Albanians and spirit of patriotism, “these men have made us proud as Albanians living in America”, said Mr. Rizai. In part, the Proclamation by President Ruben Diaz Junior of the Bronx representing more than 1.4 million residents stated “In recognition of the Albanian-American community of New York and around the world, we honor Naum Prifti, a prominent writer, playwright, publicist and accomplished translator of English, French and Italian whose timeless works have captured the beauty of the Albanian culture.” Accepting the honor, Naum Prifti said with a chuckle that although he did not choose to be born on March 7th, he did start writing at a very young age, and grew increasingly aware of the exceptional burden that a writer carries. “In the years of the “cultural revolution’ of Albania’s tight communist grip, I was sent to teach in the Divjake region to be ‘reeducated’ after having written a play that was deemed to be ‘ideologically faulty’ by the political standards of the regime.” He remarked that teachers, just like writers and artists are bound by a similar mission because the success of a writer is not measured by the literary awards but rather by the readers’ love and affection for the body of work he has created. “In this sense, the writer is a public persona or a personality with a social status that goes beyond the circle of family and friends into the generations who, have come to know the works of the writer, and have allowed themselves to be entertained as well as educated by them. We are only as good as the humanism we have inspired onto others because art is not its own purpose,” said Naum Prifti.

While the New York governor laid out the terms for a phased reopening to start in over a week, it is refreshing to visit the pre-pandemic memories to revive our social past if only in our minds. 

CONVERSING WITH MY FATHER 

Along the struggles for freedom, throughout our history, Albanian educators and patriots have embodied the power of the word. To explore further the origins of the term “the pen is mightier than the sword” my father and I looked into the records. Comparisons between words and weapons go back in the Greek civilization, yet the first recorded expression is documented in the historical play Cardinal Richelieu written by English writer and politician Edward Buwle-Lytton. The Chief Minister to King Louis XIII, Richelieu was believed to have discovered a plot to kill him, but as a priest he was unable to take up arms against the enemies. When one of the characters points out: “But now, at your command are other weapons, my good Lord.” Richelieu agrees, by stating: “The pen is mightier than the sword… Take away the sword; States can be saved without it!” The expression quickly gained currency, according to the Oxford Quotations Dictionaries and by the mid nineteenth century “it was commonplace.” Still in 17th century publications and even earlier, variations of the phrase make appearance in print to convey a popular saying of the time “A blow with a word strikes deeper than a blow with a sword”. Going all the way back to the Greek civilizations, Euripides, the poet who died about 406 BC, is credited with writing: “The tongue is mightier than the blade.” In classical times there was a belief that the written word possessed the power to survive “and transcend even the bloodiest events… even if they didn’t actually prevail against arms in the short term.”  In the present times, an adequate illustration of the word and weapon comparison is Napoleon Bonaparte. “Four hostile newspapers are more to be feared than 1,000 bayonets,” he is quoted as saying in some official accounts. After Napoleon seized power and proceeded to influence politics of 19th century Europe, he suppressed most of the newspapers in France and sanctioned only a handful of publications. Scholars agree that he respected the press and feared it too. The military mind of the General who crowned himself Emperor of the French realized that the pen, in his own hand could be a weapon, with which he could undermine the allies who had defeated him. He did just that by writing his own memoirs and transforming himself from a bloody minded despot who buried the French Revolution into a fair-minded constitutionalist who saved the Revolution and liberated Europe. On Balzac’s desk sat a bust of the emperor, the base emblazoned with the words “All that he did with a sword, I will accomplish with a pen.” 

Then our memories arch back to my father’s play Plumbat e Shkronjave, which two professional theaters made into a production in Albania in May 1978. The inspiration for writing the play came from Professor Skender Luarasi, who first had shared with Naum Prifti the story of the teacher Gjerasim Qiriazi kidnaped by rebel Shahin Matraku. To lure the bandit to take action, the Greek Patrichana had pushed false information that a wealthy gentleman was passing by. In reality, the teacher was on his way to open an all girls’ school in Korca. The Albanian patriots intervened to free Gjerasim Qiriazi who along with his sisters taught at Korca School for girls. Inspired by the true events, my father wrote the play which I still remember for its powerful characters, dialogue and a remarkable twist.    

Filed Under: Featured Tagged With: MEMORIES OF PRE-PANDEMIC, Rafaela Prifti, TIMES REVIVE THE SOCIAL PAST

Speciale e Diellit- Përkujtohet Akademik Fehmi Agani, Hero i Kosovës

May 6, 2020 by dgreca

-Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, me një dekret të veçantë ka dekoruar bashkëpunëtorin më të afërt akademik Fehmi Aganin me Urdhrin Hero i Kosovës, për vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Duke e shpallur këtë vendim në 6 maj 2004, Presidenti Rugova theksonte, se “së bashku me Profesor Aganin i vendosëm themelet e shtetit të pavarur të Kosovës dhe funksionimin e tij”/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 6 Maj 2020/ Përkujtohet e nderohet akademik Fehmi Agani, i vrarë 21 vjet më parë, në 6 maj 1999, nga forcat serbe derisa po udhëtonte nga Kosova drejt Maqedonisë mes shqiptarëve të dëbuar nga vatrat e veta.

Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova,

me një dekret të veçantë ka dekoruar bashkëpunëtorin më të afërt akademik Fehmi Aganin me Urdhrin Hero i Kosovës, për vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Duke e shpallur këtë vendim në 6 maj 2004, Presidenti Rugova theksonte, se “së bashku me Profesor Aganin i vendosëm themelet e shtetit të pavarur të Kosovës dhe funksionimin e tij”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot shkruan:

Në 21 vjetorin e vrasjes e kujtojmë me respekt të thellë profesorin Fehmi Agani, që ishte një prej figurave kyçe të lëvizjes politike për pavarësinë e Kosovës në vitet e nëntëdhjeta.

Në të gjitha periudhat e jetës së tij, si intelektual, si autor librash dhe shkrimesh, si politikan dhe si negociator, profesor Agani është shquar me dijen e madhe, me urtinë prej një mendimtari të thellë dhe me këmbëngulësinë e një atdhetari, që shqiptarët e Kosovës t’i fitojnë të drejtat që u takojnë, duke përfshirë edhe të drejtën supreme për të jetuar të lirë dhe për të pasur shtetin e pavarur.

Kam pasur fatin që të njihem me të dhe të bashkëpunojmë e të jemi së bashku si pjesë e delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë.

Kontributi i tij për arritjen e marrëveshjes, që mundësoi më pas fushatën ajrore të Aleancës Veriatlantike dhe çlirimin e Kosovës, ka qenë i jashtëzakonshëm.

Politikanë dhe intelektualë të kalibrit të profesor Aganit i mungojnë shumë sot politikës në Kosovë. 

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, shkruan:

Sot, në 21-vjetorin e vrasjes, e kujtojmë njeriun e urtë e veprimtarin e madh, bashkudhëtarin politik të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, në lëvizjen e viteve ’90 për pavarësi, njërin ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mbi të gjitha, njeriun e dijeve e të ideve për konsolidimin e kombit, profesor Fehmi Aganin. Ai u vra më 6 maj 1999 nga regjimi gjenocidal serb i Millosheviçit. Vrasja e tij qe përpjekje për ta dobësuar vullnetin dhe këmbëngultësinë e shqiptarëve për liri dhe pavarësi.
Dr. Agani, njeri i urtë, tepër modest, por këmbëngulës në përpjekjen për jetësimin e idealeve të brezave për liri, qysh më 1968 qe njëri ndër bartësit e debatit për Republikën e Kosovës. Në vitet ’80 ai ngrehu zërin kundër diferencimeve politike dhe sidomos kundër ndryshimeve të dhunshme kushtetuese, për t’iu bashkuar nismës për themelimin e LDK-së, e cila u shndërrua në lëvizje të fuqishme kombëtare kundër ideologjisë totalitare dhe i bashkoi shqiptarët përreth idesë së lirisë. Profesor Agani i shërbeu vendit me gjithë qenien e tij prej dijetari e ideologu nacional. Ai ia dha lëvizjes urtinë e nevojshme për ta bërë të pathyeshëm idealin e shqiptarëve për liri dhe e mbajti të gjallë vazhdimisht ëndrrën për ta parë të jetësuar atë.
Profesor Aganin sot e kujtojmë si personalitet me mendim të thellë politik, promotor i mendimit politik ndër shqiptarë dhe i përafrimit të pikëpamjeve të ndryshme rreth projektit të shqiptarëve për liri, pavarësi e demokraci.

Në 21 vjetorin e vrasjes së Heroit të Kosovës Fehmi Agani, kryetari i LDK-së, Akademik Isa Mustafa dërgon këtë komunikatë për medie:

 “Lidhja Demokratike e Kosovës, sot kujton intelektualin, vizionarin dhe burështetasin e madh të Kosovës, që jetën ia kushtoi lëvizjes për liri dhe pavarësi. Agani ishte figura emblematike e LDK-së dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Ai i takonte plejadës së politikanëve që në kohët e vështira nën regjimin serb, e kishin të qartë rrugëtimin e tyre politik, në shtetformimin e Kosovës.

Vrasja e tij nuk ishte e rastësishme ngase veprimtaria e tij atdhetare dhe intelektuale ishte halë në sy për pushtuesin serb.

Njerëzit si Fehmi Agani, ndoshta ikin shpejt por veprat që lënë pas mbeten udhërrëfyes për brëza të tërë.

Ashtu siç thoshte Presidenti Rugova: “Kosova ndihet krenare me profesor Aganin, me veprën dhe figurën e tij”, ashtu ndihemi edhe ne për personalitetin e jashtëzakonshëm, të Fehmi Aganit. Vepra e tij është trashëgimi dhe vlerë e pakontestueshme e Kosovës dhe LDK-së në veçanti.

Rruga intelektuale dhe politike e nisur nga Agani mbetet misioni ynë për t’i kultivuar vlerat demokratike dhe shtetformuese.

Lavdi për jetë, intelektualit të madh, Fehmi Agani!”

DR. FEHMI AGANI NË VITIN 1994: SERBIA – AGRESIONI DHE  AGRESORI NUK DUHET SHPËRBLYER

Serbia – agresioni dhe  agresori nuk duhet shpërblyer, theksonte para 24 viteve akademik Fehmi Agani në deklaratën e dhënë, që e kam të botuar në gazetën e rezistencës, të lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, “Bujku” në 26 shtator 1994, ku kam të botuar edhe intervistën ekzluzive, që më ka dhënë Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, me titull “Politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”. Ajo intervistë e parë e një presidenti të Kosovës për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë  – ATSH zhvillohej në kohë të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, derisa bisedonim gjatë ditën e enjëte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës.

Gazeta “Bujku” në 26 shtator 1994:

DEKLARATË E DR. FEHMI AGANIT LIDHUR ME ZBUTJEN E SANKSIONEVE NDAJ SERBISË 

AGRESORI NUK DUHET SHPËRBLYER

-Sanksionet kryesore ekonomiko-financiare dhe bojkotimi ndërkombëtar i Serbisë nuk do të mund të suspendohen pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës/ 

I pyetur lidhur me qëndrimin rreth vendimit të Këshillit të Sugurimit për zbutjen e sanksioneve ndaj Serbisë e Malit të Zi, nënkryetari i LDK-së dr. Fehmi Agani dje deklaroi:

Edhe pse përkrahim të gjitha përpjekjet për arritjen sa më të shpejtë të një marrëveshje për Bosnjën në bazë të propozimit të Grupit të Kontaktit, megjithatë lajmi për zbutjen e sanksioneve ndaj Serbisë, edhe pse është fjala për një zbutje të përkohshme e të kufizuar, në Kosovë nuk është për t’iu gëzuar.

Pikërisht, në kohën kur Serbia po pret zbutjen e sanksioneve ndaj saj, në Kosovë me brutalitet po zbaton sanksionet që ajo u imponoi Kosovës dhe shqiptarëve.

Megjithatë, shpresojmë se, siç është deklaruar shpesh nga instanca të ndryshme ndërkombëtare, sanksionet kryesore ekonomiko-financiare dhe bojkotimi ndërkombëtar i Serbisë nuk do të mund të suspendohen pa zgjidhjen e problemit të mdh të Kosovës, si dhe problemit të Krainës dhe problemeve tjera të ish-Jugosllavisë. Përndryshe, do të ishte kjo një shpërblim i agresionit dhe i agresorit, përfundoi dr. Fehmi Agani. B.J.

AGANI-16 SHKURT 1996: NË GJYKATËN E HAGËS, DOSJET E KRIMEVE SERBE MBI SHQIPTARËT 

Në një nga konferencat për shtyp në Prishtinë, në 16 shkurt 1996, ku ishte edhe korrespondenti në Kosovë tash i Gazetës DIELLI, duke u përgjegjur në një pyetje rreth asaj se çka është ndërmarrë në Kosovë për dërgimin në Gjyqin e Hagës të të dhënave për autorët e krimeve mbi
shqiptarët në Kosovë, dr. Fahmi Agani,  nënkryetar i LDK-së, tha se Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut dhe Qeveria e Kosovës i kanë drejtuar këtij gjyqi dosjet e krimeve serbe mbi shqiptarët. “Shpresoj se ky gjyq do të punojë drejt dhe do të vijë në radhë edhe dosja e Kosovës”, tha Agani.

PIKËRISHT PARA 21 VITEVE NË 6 MAJ 1999 PËR AGJENCINË SHTETËRORE-ZYRTARE TË LAJMEVE TË SHQIPËRISË  KAM RAPORUAR EDHE KËTË LAJM:

https://groups.google.com/forum/#!msg/bit.listserv.albanian/mK-Kh_Wxs58/vqhG95O-gfIJ

Shqiptaret ne Prishtine – mburoje e gjalle

      KUFIRI JUGOR I KOSOVES, 6 maj- Korresp. i ATSH-se, Behlul
Jashari, njofton: Shume banore te Prishtines po mbahen peng dhe
po perdoren nga serbet si mburoje e gjalle. Ata jane detyruar te
qendrojne ne shtepite dhe banesat prane vendeve ku jane fshehur
arme dhe mjete te mekanizuara ushtarake si dhe neper objekte qe
mund te bombardohen nga NATO-ja, bejne te ditur burime te ATSH-se
ne Kosove.
      Shume familje jane detyruar te qendrojne per disa dite me
radhe prane postes se re te Prishtines, ne lagjen Dardania, thone
deshmitare okulare qe kaluan dje kufirin Kosove-Maqedoni.
      Shumica e te ardhurve jane femije dhe gra, ndersa burrat
jane marre nga forcat serbe. Gra nga rajoni i Llapit tregojne per
me se 200 te rinj e burra shqiptare qe i kane ndare nga familjet
dhe i kane marre ne rrugen midis Obiliqit dhe Prishtines. Te
deportuar nga fshati Hade i Obiliqit, tregojne per ekzekutimin e
13 shqiptareve. Mijrat e te debuarve gjate 24 oreve te fundit
jane krejtesisht nga rajonet e Llapit, Prishtines, fshatrat e
Ferizajt dhe te Lipjanit.
/pas/

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1999/99-05-06.ata.html

[07] Albanians in Prishtina become human shields

SOUTHERN BORDER OF KOSOVA, May 6 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that many residents of Prishtina were being held hostage and used by Serbs as human shields.

They were obliged to stay in houses and buildings near the places where weapons and military equipment were hidden and in buildings, which might be bombed by NATO, sources in Kosova said to ATA.

Many families have been obliged to stay for days near the new post building in Prishtina, in Dardania quarter, eyewitnesses entering Macedonia on Wednesday said.

Many of them are children and women while men have been separated by Serbian forces. Women from the Llapi region told of about 200 Albanian young boys and men separated from families in the road between Obiliq and Prishtina.

People deported from the village of Hade, Obiliq, told about the execution of 13 Albanians. Thousands of displaced people in the last 24 hours are mainly from Llapi and Prishtine regions and villages of Ferrizaj and Lipjan. /pas/ak/

Albanian Telegraphic Agency

LAJMIN QË SHKONTE NË GJITHË BOTËN E GJEJË SOT EDHE NË GJUHËN JAPONEZE:

https://hb6.seikyou.ne.jp/home/iura/9905.htm

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Perkujtohet Fehmi Agani

KUJTESA- 30 VJET, NDERIM PËR NIK MRNAÇAJN, NË DITËN E LIRISË SHQIPTARE

May 6, 2020 by dgreca

Karantina e diktuar nga Koronavirusi ka shtyrë shumë veprimtari të Komunitetit shqiptar në SHBA të planifikuara për t’u organizuar në muajin Maj. Një ndër këto veprimtari të përvitshme, ëshët dhe Dita e lIrisë Shqiptare, që organizohej në fillim të majit në përkujtim të Dëshmorit të Demokracisë Nik Mrnaçaj. Dita e Lirisë që organizohet në Kensico Dam Plaza- në Westchester, përfshinë jo vetëm komunitetin shqiptar, por edhe përfaqësues të pushtetit lokal, klerikë, si dhe drejtues të organizatave të komunitetit.

Joe DioGuardi duke fole per Nik Mrnacaj- 5 Maj 2019.

Sivjet është 30 vjetori i rënies së Nik Mrnaçaj, në pamundësi për ta organizuar si çdo vit në fillim të Majit nga familja e nderuar MRNAÇAJ, Dielli po risjell përkujtimin e organizuar vitin e kaluar me 5 Maj 2019 dhe me këtë rast risjell Kujtesën: I përjetshëm Kujtimi i Nik MRNAÇAJ!

6 Maj 2018- Dom Pjeter Popaj, Marash Mrnaçaj dhe ish kryetari i Vatres Dritan Mishto

Nga Dalip Greca/Dielli

5 Maj 2019….

….Edhe pse e Diela e 5 Majit 2019 ishte një ditë me shi dhe erë të fortë, shqiptarët e Amerikës shkuan masivisht në veprimtarinë e organizuar në Ditën e Lirisë Shqiptare, ditë që i kushtohet, simbolit të demonstrateve antikomuniste në SHBA, Nik Mrnaçaj. Kjo ditë simbolike, e kthyer tashmë në Ditë – Kalendar për Lirinë, Demokracinë dhe Flamurin shqiptar, mbledh çdo fillim maji, në një ndër parqet më të bukur të New York-ut, në Kensico Dam Plaza- në Westchester, jo vetëm komunitetin shqiptar, por edhe përfaqësues të pushtetit lokal si dhe drejtues të organizatave të komunitetit.

 Kjo ditë e veçantë sjellë në kujtesën e shqiptarëve të Amerikës qëndresën e  nacionalistëve shqiptaro-amerikanë, demonstratat antikomuniste, që nuk i pushuan asnjëherë përpjekjet për ta sensibilizuar Amerikën për mungesën e lirive dhe të drejtave, për dhunën e përgjakshme që ushtronte shteti komunist shqiptar kundër familjeve nacionaliste,bijtë e bijat e të cilave i burgoste burgjeve të diktaturës komuniste , ndërsa vetë familjet i internonte masivisht në kampet e internimit. Edhe pse familja Mrnaçaj ishte e arratisur nga Shqipëria, pjesa e mbetur në atdhe, u burgos e u internua. Tipik ishte rastii Nikollë Mrnaçaj, i cili u burgos dy herë për dy dekada, ndërsa familja u internua dhe vuajti për vite të tëra kampeve të internimit. I riu nacionalist, antikomunisti Nik Mrnaçaj, i biri i Marash dhe Mri Mrnaçaj,ishte në krye të demonstratave të shqiptarëve të Amerikës, që kërkonin të sensibilizonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mungesën e të drejtave dhe të lirive njerëzore në Shqipërinë komuniste dhe rrisnin përpjekjet për t’i hequr maskën udhëheqësve komuniste që tentonin të mashtronin perendimin, me anë të Misionit diplomatik në New York. Nik Mrnaçaj humbi jetën pasi kthehej nga demonstrata antikomuniste e organizuar në Detroit me 22 Janar 1990. 

                      ***

 Gazeta DIELLI e ka përcjellë kështu situatën e nxehtë të asaj kohe: Vitin 1990 kishte nisë me demonstrata të shumta në Diasporën Shqiptare të Amerikës. Dredhat e Ramiz Alisë në Shqipëri dhe urdhërat që përcilleshin në Misionin Shqiptar të Nju Jork-ut i kishin hedhur më shumë benzinë zjarrit.Me 20 Janar ishte zhvilluar një demonstratë e madhe për lirinë dhe demokracinë në Nju Jork. Demonstrata u zhvillua para Misionit të asaj që quhej Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Mijëra njerëz, burra, gra dhe të rinj, shkruante Dielli në faqen e parë, morën pjesë në protestë. Turma e madhe u mblodh rreth orës 11 paradite dhe manifestoi me thirrje të fuqishme:” Lironi Shqipërinë”! Poshtë diktatura! Reforma për Popullin Shqiptar”!…”Demokraci dhe Liri!” …

Demonstrata e antikomunistëve demokratë shqiptarë para Kombeve të Bashkuara kishte tronditë edhe Tiranën zyrtare, e cila ende bënte qëndresë dhe i lëshonte me pikatore te drejtat e mohuara njerzore. Një demonstratë e tillë antikomuniste do të organizohej edhe në Detroit, por duket se Misioni Shqiptar në Nju Jork kishte urdhër për një antiprotestë,antimiting atje. Vetë shefi i Misionit kishte udhëtuar të nesërmen e demonstrartës së Nju Jork-ut, drejt Detroitit. Grupimi i të rinjve antikomunistë me Nik Mrnaçaj e kishin mësuar lajmin dhe u nisen për në Detroit, që t’u vinin në ndihmë bashkatdhetarëve antikomunistë, demokratë atje. Edhe pse qe një ngjarje që provokoi tension, të rinjët nuk ranë në kurthin e përplasjes vëllavrasjes, duke shmangur gjakderdhjen. Gjithësesi Misioni shqiptar dështoi në orvajtjen e vet.Por në kthim ndodhi tragjedia,për të cilën dyshohet se aksidenti ka qenë i qëllimshëm.

        Gazeta e Dielli e ka regjistruar ngjarjen në numrin e saj 15 Shkurtit 1990. Ishte një kronikë e thjeshtë që përcillte dhimbje. Nën titullin”Një humbje tragjike” Dielli shkruante: Me datën 22 Janar 1990, në një aksident automobilistik, humbi jetën Nikoll Mrnaçaj, në moshën 31 vjeçare.

   Komuniteti shqiptar e përcolli me dhimbje të riun nacionalist. Me 27 Janar 1990, u përcoll trupi i të ndjerit…. Shërbimet funerale u kryen në Bronx, New York, ku të riut Mrnaçaj, i dhanë lamtumirën e fundit mijëra bashkatdhetarë të komunitetit shqiptar të Amerikës. Mesha e Dritës u celebrua me datën 27 Janar 1990, në Kishën Katolike Shqiptare, nga të Pëndershmit Don Rrok Mirdita dhe Don Pjetër Popaj….

             ***

Veprimtaria e 5 majit 2019 u organizuar nga Familja Mrnaçaj, Shoqëria Kulturore-Artistike Kelemendi dhe Counti Ekzecutive Westchester, ndërsa moderatorë ishin Sokol Smalaj dhe Valbona Preldakaj. Fjalimet dhe përshëndetjet u gërshetuan me një program të pasur artistik, ku spikatën këngët dhe vallet e Kelmendit.U duartrokitën interpretimet e këngës”Këndojnë bylbylat këngët e veta”të kënduar nga Denis Vukaj dhe Aleksandra Hysaj, “Ç’ka ka zogu që po qanë” të kënduar nga Mikela Nonaj, kangë e vjetër popullore si dhe vallet e kërcyera bukur nga fëmijët e SH.K.A.K.

Shkurt Kronika: Hymnet Kombëtare i ka kënduar Mikela Nonaj. Lutjen fetare e ka përcjellë famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës Dom Pjetër Popaj. Ka përshëndetur dhe Djakon Marash Shkreli. Folësi kryesor në këtë ditë përkujtimore ishte  presidenti i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane z. Joseph DioGuardi. Ai ka kujtuar veprimtaritë që ka udhëhequr në krye të komunitetit shqiptar, lobimin për çështjen shqiptare, veçanërisht për  Kosovën e okupuar nga regjimi diktatorial i Millosheviçit. Shqiptarët i janë mirënjohës ish kongresistit republikan Joseph DioGuardi, i cili e bëri aq të njohur çështjen shqiptare në Washington. Ai së bashku me Shirli Clojes DioGuardi në krye të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane shtuan miqtë e çështjes shqiptare në Kongres dhe Senatin Amerikan, duke rreshtuar në rrethin e miqëve zëra të fuqishëm të politikës amerikane si:Bob Dole, Henri Hide, Tom Lantosh, Ben Gilman, John McCain, Joseph Biden e shumë miq të tjerë.

DioGuardi vlerësoi dhe përpjekejet e komunitetit shqiptar, duke u ndalur posaçërisht edhe në demonstartat antikomuniste të shqiptarëve të Amerikës. Ai veçoi kontributin e të riut Nik Mrnaçaj, aktin e të cilit e përkujton komuniteti shqiptar çdo fillim maji.

Kanë përshëndetur edhe County Ekzekutive z. George Latimer si dhe kandidati për major në Mt. Vernon, z. Ernest Davis.

Kryetari i Fedeartës Pan-Shqiptare të Amerikës Dritan Mishto, në fjalën e tij përshëndetse ka vlerësuar aktin e Nik Mrnaçaj, i cili është bërë tashmë një simbol i demokracisë shqiptare këtu në Shtetet e Bashkuara dhe për çdo vit ne vijmë këtu dhe përulemi në shenjë nderimi dhe kranarie, tha ai. Kryetari Mishto i shprehu mirënjohjen familjes Mrnaçaj për kontributi e dhënë në luftën kundër sistemit komunist . Më pas ai ka prezantuar deputetin e Parlamentit të Shqipërisë, i votuar në siglën e Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, z. Endri Hasa (i cili së bashku me deputetët e tjeë të opozitës e ka dorëzuar mandatin).

Deputeti demokrat shprehu kënaqësinë që ishte i pranishëm në këtë veprimtari nderuse në Ditën e Lirisë Shqiptare. Z. Hasa vlerësoi kontributin e familjes Mrnaçaj dhe aktin e birit të tyre që me aktin e tij frymëzoi rininë shqiptare. Ai mbetet sot simbol i demokracisë, dhe përveçse mbanë titullin “Pishtar i demokracisë” emrin e tij e mbajnë në vendlindje, Shkolla dhe rrugë. I përjetshëm kujtimi i dëshmorit të demokracisë!

Deputeti nuk e politizoi fjalën e tij përshëndetse, por me pak fjalë tregoi se demokarcia shqiptare është në udhkryq, vendi përjeton krizë të thellë, drejtësia nuk funksionon, institucionet janë të kapura nga kreu i ekzekutivit,  dhe deputetët e opozitës janë në rrugë me qytetarët për të rikthyer vlerat e demokracisë së nëpërkëmbur.

Në emër të familjes Mrnaçaj ka falenderuar folësit, pjesmarrësit, avokati Mikel Mrnaçaj, i biri i Nik Mrnaçaj… 

Këtë veprimtari përkujtimore dhe nderuse e mbështeti edhe Federata Pan Shqiptare e Amerikës VATRA, ku përveç kryetarit të saj z. Dritan Mishto, morën pjesë nënkryetari Agim Rexhaj, anëtarët e kryesisë Zef Balaj, Marjan Cubi me zonjën, editori me zonjën, Pashk Maksuti, Mihill Velaj(njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë), Gjergj Ivanaj e të tjerë. Vatra, pas takimit që pati në selinë e saj me deputetin Endri Hasa, e ftoi atë, që të bëhej pjesë e veprimtarisë përkujtimore kushtuar Nik Mrnaçaj, ku ai u prit me duartrokitje.

Në fund të veprimtarisë, familja Mrnaçaj ftoi pjesmarrësit që të ngrinin Flamurin kuq e zi në shtizën e parkut, përkrah flamurit amerikan, ku qëndroi për një javë. Familaj Mrnaçaj kishte sjellë për pjesmarrësit, ushqime dhe pije.


Westchester Caunty, Maj 5, 2019

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, NIK MRNACAJ

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 250
  • 251
  • 252
  • 253
  • 254
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT