• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NEW YORKU, I LEHTËSUAR NGA MAKTHI I KORONAVIRUSIT…

May 1, 2020 by dgreca

TË GJITHË SINJALET DËSHMOJNË SE NEW YORKU ËSHTË LEHTËSUAR NGA MAKTHI I KORONAVIRUSIT, POR BETEJA S’KA MBARUAR/

-Sot Spitali Javits Center në Manhattan bëri përgatitjet e fundit për t’i mbyllur dyert…Të Enjten, anija COMFORT la New York-un pasi kreu misionin; spitalet janë kthyer në normalitet, numri i viktimave kanë shënuar minimumin e shifrave. Në fund të tunelit po duket drita…

-Prej dy ditësh radhazi New Jersey shënon më shumë viktima se sa New Yorku.

Spitali i përkohshëm i Ushtrisë amerikane në Qendrën Jacob K. Javits në Manhattanin perëndimor është mbyllur të Premten pas trajtimit të afro 1100 pacientëve.

Media e New York-ut e dha lajmin të konfirmuar nga një zëdhënës i Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave.

Pacientët e fundit në qendrën spitalore dolën të shëruar ndërsa pjesa e mbetur u transferua në spitalet e tjerë. Në fakt deri të premten në mëngjes atje kishin mbetë rreth 10 pacientë.

Më shumë se 1,094 pacientë u trajtuan në këtë qendër spitalore të përkohshme. Spitali i improvizuar, me 1.000 dhoma në pjesën perëndimore të Manhattanit u hap në fund të marsit.

Pajisjet mjekësore vitale dhe furnizimet e tjera në Javits Center dhe tre objektet e tjera të përfunduara – përfshirë ato në kampuset e Universitetit Stony Brook dhe Universitetit Shtetëror të New York College në Old Westbury në Long Island – do të mbeten në vend, për të qenë të gatshëm për të pritur pacientë në rast se ka një valë të dytë të COVID-19.

Stafi ushtarak në Javits Center është planifikuar të largohet nga Manhattan nga fillimi i javës tjetër.

Spitali fushor i ngritur në Central Park me kapacitet 68 shtretër mund të mbyllet në fund të javës së ardhshme.

Sinjali tjetër i lehtësimit të qytetit nga makthi i Koronavirusit është dhe përfundimi i misionit nga Spitali lundrues i Marinës, anija Comfort, e cila u largua nga qyteti të enjten, e përcjellë me nderime nga zyrtarët dhe NYPD.

Duket se New Yorku është lehtsuar nga makthi i koronavirusit. Vala e egër Koronovirusit ka kaluar, por beteja nuk ka mbaruar, aq më shumë po të marrim në konsideratë paralajmërimet e rikthimit. Gjithësesi nuk do të jetë si makthi që kaluam. COVID-19 nuk është më fare i panjohur, një përvojë u fitua, pavarësiht kostos së lartë dhe jetëve të humbura. Plagët që shkaktoi do të duhen kohë të mjekohen. Njerëzit e dashur që shkuan,nuk mund të kthehen më. Fatkeqsisht shumë prej tyre ikën pa”Lamtumirë”. Shumë nipër e mbesa mbetën pa gjyshër. Ikën dhe mosha të reja. Jeta e gjithësecilit ka ndryshuar thelbsisht. Njerzit kanë mbetur me trauma në shpirt.

Por nëse “bisha” e padukshme kthehet spitalet dhe personeli mjeksor janë të përgatitur, ventilatorët nuk do të mungojnë, maskat dhe dorshkat gjithashtu.Në pritje të vaksinës, administrata amerikane për Ushqim dhe Ilaçe ka miratuar ilaçin kurues që ka rezultuar efektiv në mjekimet e bëra në spitale. 

Presidenti Donald Trump deklaroi se udhëheqësi i kompanisë Gilead, ka premtuar se do të dhurojë një milion shishe të ilaçit, remdesivir. Zëvendës Presidenti Pence njoftoi se ilaçi, i cili është krijuar fillimsiht për trajtimin e Ebola-s, do të shpërndahet që të hënën. Ilaçi ka dhënë efekte progressive dhe është eksperimentua në disa spitale në vende të ndryshme të botës.Veprimi i remdesivir zvoglon ditët e shfaqjes së simpotmave të koronavirusit nga 15 në 11…

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më të prekurit nga COVID-19, me 1 milion 126 mijë 432 të infektuar(Vetëm të Premten u raportuan 31 mijë e 409 të infektuar të rinj), ndërkohë që edhe për viktimat mbanë vendin e parë me 65 mijë e 598 (Gjatë ditës së Premte u raportuan 1 mijë e 742 të vdekur). Edhe për numrin e të shëruarëve Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajnë vendin e parë me 160 mijë e 179 të rikuperuar, ashtu siç mbajnë vendin e parë edhe për testimet duke testuar deri tani 6 milion e 668 mijë e 458 persona.

New Yorku nuk mbanë më peshën e rëndë të ditëve të më parshme si për numrin e të infektuarëve ashtu edhe për viktimat ditore. Guvernatori Cuomo u tregua opitmist gjatë konferencës së shtypit të Premten tek përmendi dhe shifrën e ulët të viktimave në 24 orshin e fundit, por ai paralajmëroi se nuk ngutet që t’i japë fund mbylljes së New Yorkut, veçanërisht për Big Apple. Ulja e kurbës, tha ai, e ka burimin edhe tek distancimi dhe mbyllja. Ai sërish deklaroi se distancimi social dhe puna e madhe e ët gjitëhve atyre që e parballuan betejën, kanë bërë të mundur që të mbajnë larg spitaleve rreth 100 mijë njujorkez, të parashikuar se do të prekeshin nga COVID-19.

Gjatë së Premtes guvernatori u mor gjatë edhe me procesin mësimor të këtij viti akademik dhe mbajtjen mbyllë të shkollave.

Guvernatori Cuomo urdhëroi të premten që të gjitha shkollat ​​në New York do të mbeten të mbyllura për pjesën tjetër të vitit akademik dhe paralajmëroi që mësimi tradicional në klasë mund të mos kthehet në kohë për semestrin e vjeshtës, pasi kriza e koronavirusit vazhdon të shkatërrojë shoqërinë.

Duke folur gjatë konferencës së tij të përditshme për COVID-19 në Albany, Cuomo tha se ekipi i tij kishte përcaktuar se nuk ka asnjë mënyrë për të rihapur shkollat ​​para se të përfundojë semestri më 26 qershor.

    Po si janë shifrat? Gjatë ditës së Premte New Yorku regjistroi vetëm 289 viktima(nga 306 të Enjten), duke e çuar shifrën e përgjithshme në 24 mijë e 69, ndërkohë që të infektuarit e rinj e kaluan shifrën 3 mijë, duke regjistruar gjithsej 315 mijë e 222 të infektuar. Fqinji i tij, New Jersey prej dy ditësh regjistron më shumë viktima; sot u raportuan 310 të vdekur(nga 458 të Enjten), ndërkohë që u shënuan 2 mijë e 388 të infektuar të rinj(numri i përgjithshëm është 118 mijë e 652).

Massachusetts regjistroi 157 viktima mes së Enjtes dhe të Premtes, duke e çuar numrin e përgjithshëm të jetëve të humbura në 3 mije 562, Ilinoisi raportoi 140 të vdekur(numri i përgjithshëm i viktimave 2 mijë e 355, California 90(numri i përgjithshëm 2 mijë e 14), Pannsylvania 187(numri i përgjithshëm 2 mijë e 541, Michigani 119(numri i përgjithshëm 3 mijë e 789, Florida 50 të vdekur gjatë së premtes, Teksasi 33, Louisiana 60, Connecticut 89, Georgia 34, Maryland 62, Ohio 38, Indiana 49, Virginia 30, Minnesota 24 etj…

Përgatiti: Dalip Greca

New York, 1 Maj 2020.

Filed Under: Featured Tagged With: New York

KOSOVË-30 VJET FALJE DHE PAJTIM MES SHQIPTARËVE

May 1, 2020 by dgreca

-Aksionit për pajtimin e gjaqeve në Kosovë, filluar në 1 Maj 1990, i printe profesori Anton Çetta, i cili në 20 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit te Verrat e Llukës është dekoruar me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm  Dr. Ibrahim Rugova”

-Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë ruhet një fotografi krejt e veçantë, e Anton Çettës me Presidentin Rugova, e cila e vetme i ka shpëtuar djegies nga zjarri i vënë në atë shtëpi nga forcat serbe pata 21 viteve, në pranverën 1999/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 1 Maj  2020/ Para  30 viteve, në 1 Maj 1990,  te Verrat e Llukës në rrethinën e Deçanit gjysëm milioni  shqiptarë u tubuan në Kuvendin e Pajtimit drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Verrat e Llukës, ku u mbajtën Kuvendet e Besëlidhjes shqiptare dhe të pajtimit të gjaqeve, janë vendi i vlerave universale kombëtare, i cili në rrethanat më të vështira ka bashkuar shqiptarët në rrugëtim për lirinë dhe pavarësinë, është theksuar gjatë viteve në përkujtim të ngjarjes historike.

Aksionit për pajtimin e gjaqeve në Kosovë i printe profesori Anton Çetta, i cili në 20 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit te Verrat e Llukës është dekoruar nga Presidenti i Kosovës me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm  Dr. Ibrahim Rugova”  për kontribut të veçantë dhënë gjatë gjithë jetës së tij për paqen, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e vlerave humane.

Tubimi i njohur te Verrat e Llukës, në Deçan, i mbajtur më 1 Maj 1990, ku morën pjesë mbi 500 mijë njerëz, ishte nisma e parë e madhe për pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave midis shqiptarëve…Kjo nismë më vonë u shndërrua në lëvizje të rëndësishmë mbarëkombëtare.

Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë ruhet një fotografi krejt e veçantë, e Anton Çettës me Presidentin Rugova, e cila e vetme i ka shpëtuar djegies nga zjarri i vënë në atë shtëpi nga forcat serbe para 21 viteve – në pranverën 1999.

 Në 4 Maj 2017 Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, ka aprovuar kërkesën e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Pejës për përfshirjen e hapësirës Verrat e Llukës, në Fshatin Llukë të Epërme të Komunës së Deçanit, në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme.

Me atë rast, Ministria deklaroi se, mbrojtja e përkohshme pranohet me arsye se Verrat e Llukës karakterizohen për vlerat historike, shoqërore dhe shpirtërore, si vendndodhje historike në kuadër të kategorisë Peizazhe Kulturore.

Në këtë vend janë zhvilluar shumë ngjarje historike, që nga viti 1900 deri në vitin 1910 aty u mblodhën shqiptarët për të luftuar kundër pushtuesit osman.

Po ashtu, ky vend njihet për Kuvendin e Verrave të Llukës, Besëlidhjen e Madhe Shqiptare të Verrave të Llukës, ndërsa historiku i Verrave të Llukës kulmoi në 1 Maj 1990, ku mbi 500 mijë shqiptarë, nga të gjitha hapësirat etnike, u tubuan aty për t’u jetësuar iniciativa e rinisë shqiptare, e pasuar nga intelektualët të prirë nga Anton Çetta dhe Zekrija Cana, për Pajtimin e Gjaqeve, lëvizje kjo e cila ndikoi në bashkimin e shqiptarëve dhe lëvizjen e mëvonshme për liri, pavarësi dhe demokraci.

Me këtë akt institucionet e Kosovës shtet nga 17 Shkurti historik 2008 i shpalljes së Pavarësisë, tregojnë e vijojnë kujdesin e shtuar ndaj trashëgimisë kulturore të Kosovës, të cilën e marrin në mbrojtje, e promovojnë dhe ua përcjellin brezave si vlerë e shtetit të Kosovës. 

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Pajtimi I Gjaqeve

VATRA 108 VJET- MESAZH URIMI I KRYETARIT TË VATRËS Z. ELMI BERISHA

April 28, 2020 by dgreca

  • Urim i përzemërt për 108 vjetorin e themelimit të Federatës Pan Shqiptare të Amerikës “VATRA”, nga kryetari i saj Z. Elmi Berisha! 

Të dashur vatranë;

Të nderuar bashkatdhetarë;

Sot është nje ditë shumë e veçantë për Shqiptarët e Amerikës, dhe të gjithë mergatën shqiptare të kudondodhur, por edhe për vendin e origjinës prej nga vijnë shqiptarët në Ballkan. 

Sot, 108 vite më parë u lind shkëndija e parë, shpresa dhe dëshira e fuqishme e Shqiptarëve të Amerikës me në krye Fan Nolin dhe Faik Konicën me bashkëpunëtorët e tyre për të krijuar Federatën Pan Shqiptare të Amerikës me emrin e ngrohtë “VATRA”, e cila do i shërbente me përkushtim Kombëtar nevojave dhe interesave të shqiptarëve, që nga pragu i Pavarësisë (7 muaj para se të shpallej Shqipëria e Pavarur) deri në ditët e sotme. 

Themeluesit e formuan Vatrën me një qëllim të vetëm; për të bashkuar forcat intelektuale, fuqitë materiale dhe njerëzore kombëtare për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë dhe kombit shqiptar në përgjegjësi. 

Me shumë mund e sakrifica ia arritën të mbrojnë interesin kombëtar dhe mbi të gjitha të mbrojnë kufinjtë e Shqipërisë.        Për 108 vite më radhë Vatra nuk ndaloi së punuari dhe asnjëherë nuk rreshti duke i dalë për Zot shqiptarëve të kudo ndodhur. Vatra ishte suporti kryesor në formimin e shtetit të parë shqiptar dhe vazhdoi me kontributin e saj në të gjitha proçeset e ndërtimit të shtetit shqiptar në 108 vite ekzistencë. Gjithashtu Vatra dha një kontribut tejet të vyer edhe në formimin e shtetit më të ri në botë, ” Kosovës” që sot gëzon lirinë dhe pavarësinë e saj.

 – Unë, uroj nga zemra që Vatra të këtë jetëgjatësi me qindra e qindra vite tjera dhe asnjëherë të mos të shuhet ngrohja e këtij dielli, që ngroh zemrat dhe trojet e çdo shqiptari të kudondodhur.

        Në këtë ditë të veçantë në kalendarin e Historisë Kombëtare ne vatranët e sotëm nderojmë themeluesit e Federatës dhe përulemi me respekt të thellë për dëshmorët antikomunist të Vatrës: Sot është ditëvdekja njërit prej bashkëthemeluesëve të Vatrës, e patriotit Kristo Kirka, i cili vdiq në burgun famkeq të Burrelit dhe sot nuk i janë gjetur eshtrat! I përjetshëm kujtimi i atdhetarit. 

     Po ashtu përulemi me respekt për ish kryetarin e Vatrës Kolë Tromara, Menaxherin e Diellit dhe komandantin e Trupave Vullnetare të Vatrës, që lanë Amerikën për të mbrojtë Shqipërinë nga fqinjët e jugut-Aqif Përmeti, Editorin e Diellit Bahri Omari, të tre të pushkatuar nga diktatura komuniste.

 Përulemi para vuajtjeve në burgjet e diktaturës të Kryetarit të Vatrës dhe Editorit të Diellit Aqile Tasi, Koço Kota, Kolë Rodhja, ish editorit të Diellit Andon Frashëri, të vatranit që udhëhoqi fushatën e Shpëtimit të Shqiëprisë, por që u shua në qelitë e hetuesisë Ali Kuçi, e shumë vatranëve të tjerë, që shkuan të bënin Shqipërinë. I përjetshëm Kujtimi i Tyre!

Respekt dhe Mirënjohje për të gjithë brezat që kanë punuar prej 108 vitesh në radhët e Vatrës. 

Nderim për kryetarët e saj!

Urime të përzemërta në 108 – vjetorin Vatrës, shqiptarëve të Amerikës dhe gjithë shqiptarëve nëpër botë!

Vatranë, ta gëzojmë FESTËN e Themelimit të VATRËS!

KRYETARI I FEDERATES PAN SHQIPTARE TE AMERIKES”VATRA”

ELMI BERISHA

28 Prill, 2020

Filed Under: Featured Tagged With: 108 Vjetori I vatres, Elmi Berisha, Mesazh krimi

VATRA 108 VJEÇE- GEZUAR DITELINDJN KESHTJELLE E ATDHETARIZMIT NE SHBA!

April 28, 2020 by dgreca

THEMELUESIT E VATRES. KOMISIONI QE THELEMOI VATREN.28 PRILL 1912./
  • VATRA sot është 108 vjeçe. Kjo ditëlindje e gjen të karantinuar siç është e gjithë bota e mbyllur prej koronavirusit dhe do ta festojnë në mënyrën virtuale 108 vjetorin. Gjithësesi VATRA i ka hedhur piketat e rrugëtimit të saj në shekullin e XXI në Kuvendin e 19 janarit 2020 dhe do ta lartësojë veten duke u ngritur në nivelin e shekullit që jeton, duke respektuar Kushtetutën e saj, duke u udhëhequr nga interesat Kombëtare dhe forcimin e miqësisë mes kombit shqiptar dhe atij Amerikan, duke ruajtur amanetin e themelusëve.

NGA DALIP GRECA

Sot është 28 Prill. 108 vite më pare, me 28 Prill 1912,  në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u deklarua e themeluar Federata që bashkoi shoqatat shqiptare në një kështjellë të përbashkët me emrin e ngrohtë ”FEDERATA PAN SHQIPTARE E AMERIKËS”VATRA”.

Rrugën e bashkimit të shoqërive shqiptare që vepronin në SHBA në fillim të shekullit XX e shtroi gazeta “Dielli”, e cila aso kohe ishte gazetë e Shoqërisë  ”Besa-Besën”. Veçanërisht në vitet 1910-12, ideja e bashkimit ishte e nxehtë, por Faik Konica e kishte rrahur problemin e bashkimit të shoqërive që vepronin në Amerikë që në një kryeartikull të botuar në “Dielli” më 29 tetor 1909. Ai propozonte themelimin e një shoqërie të madhe dhe të fortë kombëtare, rreth së cilës duhej të mblidheshin të gjithë shqiptarët e  Amerikës.
       Sipas ish editorit të gazetës “Dielli”, Refat Xh Gurrazezi, ky propozim gjeti qysh atë kohë bekimin e disa atdhetarëve, por u deshën më shumë se dy vjet që të realizohej, nga që u pengua nga disa që nuk kishin besim tek bashkimi. Kur Kristo Floqi, editori i fundit i “Diellit”, përsa kohë qe organ i Shoqërisë “Besa- Besën”, e ripërsëriti këtë kërkesë, Fan Noli në Diellin e 18 janarit 1912, i përgjigjej editorit se kishte edhe pëlqimin e  Faik Konicës për t’u takuar e për të biseduar rreth bashkimit. Noli i thoshte editorit se; ai dhe Konica ishin gati kurdoherë që të merrnin pjesë në bisedimet për bërjen e bashkimit të shoqërive shqiptare, por me këtë kusht: të bëhej një punë e pëlqyer dhe serioze, dhe jo qesharake. Pas shumë debatesh në shtyp e me takime, më në fund u arrit që me 24 Dhjetor 1911 të organizohej mbledhja e parë në Rathbone Hall, 724 Washington St., Boston, Mass. Aty u bë takimi i parë që i priu bashkimit. Mbledhjen e thirri Shoqëria “Besa-Besën” dhe e kryesoi si çermen Kristo Floqi. U rrahën debate në atë mbledhje për çështjen e bashkimit. Marko Adams u ngrit në atë mbledhje pas debateve dhe propozoi ngritjen e komisionit të bashkimit. Komisioni i zgjedhur në atë mbledhje përbëhej nga: Faik Konitza, At Fan S Noli, Kristo Floqi dhe Paskal Aleksi.Këtij komisioni iu besua bashkërendimi me shoqëritë ekzistuse për problemin e bashkimit. Komisioni bëri disa takime.U diskutuan format e bashkimit dhe qëllimet e shoqërisë së përbashkët që do të ngrihej.

SHOQATAT QE U SHKRINE NE FEDERATEN”VATRA”

Me 17 mars 1912, në sallën e Kishës së Shën Gjergjit, në 227 Tremont St., Boston, Mass, u mbajt mbledhja e pare bashkuse, ku morën pjesë përveç katër anëtarëve të komisionit të bashkimit dhe delegatët e shoqërive të ndryshme. Shoqëritë që iu përgjigjën komisionit të bashkimit dhe morën pjesë në këtë mbledhje ishin:”Komiteti Flamur’ i Krujës” i New England-it,”Kombëtare” e Worcester-it,”Mirëbërse” e Syracuse-it,”Mall’ i Mëmëdheut dhe Përlindja” e Jamestown-it, “Dallëndyshja” e New York-ut, dhe “Besa-Besën” që botonte “Diellin”. Më vonë u bashkuan dhe shoqëri të tjera që mbetën jashtë siç ishte Shoqëria e Skënder Beu” e Gary-it Indiana. Sipas Refat Gurazezit, Shoqëria “Mbarësia” e Luarasit kishte dhënë fjalën për pjesmarrje, por delegati i saj nuk u duk, ndërsa”Shoqëria “Mirëbërse” kish zgjedhë delegate At’ Naum Çeren, por ai ish i zënë dhe dërgoi në vend të tij, Kostë Kotën. Shoqëria korçare”Arsimi” u tëhoq mënjanë nga bashkimi për shkak të statusit të saj kulturor, por e dha pëlqimin se ishte dakord me bashkimin.
Vendimet e kësaj mbledhjeje janë të shënuara në Rekordin IV dhe mbajnë nënshkrimet e të dy palëve, komisionit të bashkimit; Faik Konicës, Fan Nolit, Kristo Floqit dhe Paskal Aleksit. Nga shoqëritë kanë firmosur delegatët; Elia Tromara,Lambi Çikozi, Kristo Kirka,Kostika Treska dhe Kostë Kotta.
Mbledhja e dytë e përbashkët e komisionit të bashkimit dhe delegatëve të shoqërive është mbajtur të dielën e 24 marsit 1912 dhe arriti në këto përfundime:

1- Shoqëria Federale që do të formohej do të kishte dhe gazetën “Dielli”, me konditën që gazeta do të mbahej me të ardhurat e saj nën kontrollin moral të Shoqërisë.

 2-Z. Faik konitza dhe Kristo Floqi muarën përsipër të bënin Kanunoren provizore inglisht tek një avokat i dëgjuar i Bostonit.

3-U votua një shumë prej $25 për shpenzimet e  para të Kanunores.

4- Në mbledhjen tjetër do të votohej Kanunorja dhe do të pagëzohej Shoqëria e re.

 5-Mbledhja e tretë u vendos që të mbahej të dielën e ardhshme në orën 2-6 pas dreke.

MBLEDHJA THEMELUSE
 
Diskutimeve e debateve u erdhi fundi dhe bashkimi po shfaqej në mes shqiptarëve të Amerikës. Vjen 31 marsi 1912 dhe shoqëritë shqiptare e shohin veten bashkë në Federatën Pan-Shqiptare. Refat Gurazezi argumentoi se përdorimi i fjalës federim në vend bashkimit, sikur e çau akullin e mospajtimeve. Në mbledhjen themeltare, Faik Konitza shtroi për bisedim dy emra për ta pagëzuar Shqoërinë; “Parmenda” dhe “Vatra”, e para në kuptimin kulturor, e dyta në kuptimin patriotik, që të mblidheshin rreth saj të gjithë shqiptarët si në një familje, pa ndryshim besimi në mes tyre, si nga ana fetare ashtu dhe ajo politike. Të gjithë pëlqyen të dytën, “Vatrën” dhe ashtu brohoritën për emrinin e  ri:Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA.
Rekordi i mbledhjes themeltare është shkruar nga dora e Faik Konicës, i cili ishte sekretar i Komisonit të Bashkimit.

Në Rekordin IV, shkruhet:


Komisioni i Bashkimit dhe delegatët e shoqërive, në mbledhjen që mbajtën të dielën e 31 marsit 1912, pasi biseduan çështjen e kanunores, të emrit dhe pagesës së Shoqërisë Federale që do të formohet, morën këto vendime:
1- U votua një shumë prej $ 70.00 për njohjen e shoqërisë nga shteti i Massachusetts.
2-Shoqëria u quajt”Federata Pan –Shqiptare e Amerikës VATRA”
3-Pagimi do të ishte $3 për mot dhe $1 për hyrjen e anëtarëve të rinj.
4-Mbledhja tjetër do të bëhej me 9 prill në sallën e Kishës së Shën Gjergjit, ora 6 P.M.
5-Çështja që do të bisedohej në mbledhjen pasuese do të ishte Kanunorja.
Në fund të rekordit janë emrat që kanë firmosur. Për Komisionin e bashkimit: Fan Noli, Kristo Floqi, Faik Konitza dhe Paskal Aleksi. Pas tyre emrat e delegatëve pjesmarrës:Elia Tromara, Lambi Çikozi, Kristo Kirka, Kosta Vasili, Koste Kotta. 
Data, 31 mars 1912.
Në takimin e 9 prillit u diskutua një pjesë e kanunores, e cila përfundoi në mbledhjen pasuse. (rekordi VII)
Mbledhja tjetër u mbajt me 14 prill dhe diskutimet janë të shënuara në rekordin VIII. Pasi u miratua plotësisht Kanunorja, u morën vendimet e mëposhtme:
Çdo delegat të sillte në mbledhjen tjetër një raport të plotë, ku të tregonte:
1-Numrin dhe emrat e anëtarëve që përfaqësonte së bashku me kapitalin që kishte shoqëria.
2- Të mbahej një mbledhje me 28 prill për të zgjedhur një komision të hëpërhëshëm të Federatës i cili të vepronte  gjerësa të organizoheshin degët plotësisht.
Mbledhja u bë me 28 prill dhe zgjodhi këta zyrtarë të komisionit:Fan S. Noli-sekretar, Lambi Çikozi-arkëtar,Faik Konitza dhe Kristo Floqi-organizatorë të degëve, Kristo Kirka-manager i “Diellit”, Paskal Aleksi, Elia Tromara dhe Kosta Vasil-mbikqyrës të gazetës.
Sipas rekordeve të nënshkruara prej anëtarëve të komisionit dhe delegatëve të shoqërive, provohet se VATRA u themelua zyrtarisht me 31 mars 1912, u deklarua me 28 Prill,  dhe me 13 qershor të atij viti u njoh nga shteti i Massachusetts.
Ndërkohë që shoqëria Besa-Besën, që ishte ndër shoqëritë kryesore që u shkri në Vatër dhe botuse e gazetës ”Dielli” mbledhjen e  fundit të saj e ka bërë me 28 prill 1912.Pas këtij takimi ajo dorëzoi gjithëçka në Vatër, gazetën, mobliljet e zyrës, arkën prej $374.85 etj.Kryetar i parë i Shoqërisë Besa_Besën qe zgjedhur Fan S. Noli më 1907, më 1908 Kristo Kirka.Nga maji 1910 e deri më 28 prill 1912 kryetarë të saj kanë qenë Josif Pani dhe Kolë Rodhja, i cili nuk ishte në mbledhjene  fundit pasi gjendej i burgosur në Gjirokastër.
Komisioni I përkohshëm I Vatrës e bëri mbledhjen e  parë me 2 korrik 1912 dhe mori vendimin që Kuvendi I parë I Vatrës të mbahej me 14 korrik të atij viti.Ajo mbledhje ngarkoi Faik Konitzën që të interesohej për përgatitjen e Vulës së Vatrës, Lambi Çikozi mori përsipër të përgatiste kopsat me monogramet F.S.V dhe Kristo Kirka të shtypte Kanunoret shqip.

FAIK KONICA:UNE “NUNI” I VATRES- SI MODEL SHERBYEN DY ORGANIZATA IRLANDEZE:THE GAELIC DHE SINN FEIN

Shpesh janë bërë debate për autorësinë e Vatrës. Kristo Floqi shkruante me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë se ai ishte gur-themeli i Vatrës dhe se Konica dhe Noli, nuk i ishin përgjigjur fillimisht në mbledhjen e parë. Këto Floqi i shkroi edhe në revistën “Hylli i Dritës”, madje shumë vite më vonë, e publikoi artikullin e tij edhe “Shenjëzat” që botonte Ernest Koliqi në Romë. Ish Editori i Diellit,Refat Gurazezi, që e shkroi Historinë e Vatrës në faqet e Diellit, replikon me Floqin dhe e cilëson si vetëmburrje dhe të pavërtetë deklarimin e ish editorit Floqi, të cilit gjithësesi nuk mund t’ia mohosh kontributin sepse në kohëbashkimin e organizatave në VATËR, ai ishte editor i DIELLIT, dhe ai i dërgoi ftesta për mbledhjen e parë, por që fara e bashkimit ishte hedhur herët, vecanërisht nga Konica, këtë nuk mund ta mohojë kush.

 Faik Konica na ka lënë dëshminë e tij të botuar në Dielli, dhe për hirë të dëshmisë autentike e sjellim të plotë: Boston 31 mars 1922; Jam ndodhur këtu edhe në të parën edhe në të dytën nga këto data(diskutim për 28 prillin apo 31 marsin si ditë themelimi). Dhe si një nga “nunët” e Federatës sonë VATRA, të cilën e kryesoja edhe aherë si sot, më bie shorti të thom ca fjalë për nisjet e kësaj shoqërie me famë: CA FJALE, se historia e plotë e VATRES është tepër e madhe që të hyjë në garth të ngushtë të një artikulli; e ka vendin e saj në një librë që do t’botojë nonjë ditë Federata mi historin’ e përgjithshme të Shqipëtarëve t’Amerikës, histori që do t’përmbledhë të ngjarat jo vetëm të ç’do dege po të ç’do shoqërie tjatër këtu, të ç’do grupi, të ç’do kollonie, me business-et e ndryshme, fabrikat ku kanë punuar Shqipëtarë, shkollat ku kanë mësuar, etj…, në një fjalë një histori që do të jetë si pasqyra e jetës që kanë rojtur djemt’ e Shqipërisë më kët’anë të Oqeanit(Sa keq që nuk u plotësua kjo dëshirë e Faik Konicës. Ka copëza historie, por jo një të plotë-dg). Trimëria e Shqiptarëve t’Amerikës, të cilët me djersët, krahët, dhe zemrën e tyre, e kanë shpëtuar në disa raste Shqipërinë, meriton pa dyshim nderimin e një historie të veçantë. Po këtu, siç thamë më sipër, do të shkruajmë vetëm një artikull për nisjet e VATRES.

Para se të vij n’Amerikë, kisha rojtur disa vjet n’Ingli dhe atje kisha vënë re anallogjin’ e madhe që kish Irllanda kundrejt Inglisë me Shqipërinë kundrejt Turqisë, me ndryshimin që Irllandasit, të frymëzuar nga një idealismë të pavdekur, po lëftojin qindëra vjet për çlirimin e tyre. Nisa pra të studioj organizatat e këtij populli të çuditshëm, dhe veçan dy: the Gaelic League edhe Sinn Fein, e para për të përhapur kulturën me anë të gjuhës nacionale, e dyta për të ndarë Irllandën nga Inglia. Organizimi dhe kanunëria e VATRES u-inspirua gjer më një pikë nga të dy shoqëritë irishe, dhe prandaj VATRA ka pasur dhe ka në gji të saj dy tendenca që rrjedhin nga inspirata e parë e tyre: tendenca kulturale dhe tendenca politike, nga të cilat e funtmia ka mbretëruar shumë vjet, dhe tani del në shesh edhe e para, e penguar aqë kohë me padrejtësi dhe për dëm të popullit.

Më 9 të Vjeshtës së Mesme 1909, zbrita në Boston nga vapori Ivernia(që është një tjatër emër i Irllandës), edhe mora në dorë redaksin’ e Diellit, të cilin gjer ahere (numur 29) e kish shkruar me talent At Fan S. Noli. Dielline zotonte dhe e mbante shoqëria Besa-Besën, e cila qendrën e kish në Boston, po anëtarët i kish më të shumët në rrethet: në Natick, në Cochituate, në Brockton, në Framingham, në Marlboro, në Lynn, në Worcester, në Southbridge, etj., dhe ca të pakë anëtarë shumë më lark. Përveç shoqërisë Besa-Besën, kish n’Amerikë edhe disa shoqëri të tjera, ca për interesat e një fshati ose të një qyteti, ca edhe me qëllim të përgjithshëm. Po shoqëria Besa-Besën, si proprietare dhe botonjëse e Diellit, çquante përmi të gjitha dhe kish një rëndësi të veçantë. 

Si u-vendosa në Boston dhe u njoha me patriotët që mirjin pjesë në lëvizjen kombëtare, nisa të përhap iden’ e bashkimit të shoqërive; po, ndonëse e pëlqejin të gjithë, asnjë s’dukej gati të bëjë çapin e duhur. Me shoqërin’ e Jamestown-it ish bërë fjalë dhe më parë, po s’kish dalë gjë. Shoqëria korçare Arësimiish ajo që çfaqte dëshirën më të madhe për një bashkim, dhe pata shumë herë fjalime të pëlqyera për këtë çështje me kryetarin e ahershëm Z. Nik Dishnicë. Po dhe këto fjalime vanë humbur. Dhe’u nuk ish dhe i gatitur miaft për lulëzimin e mendimit.

Disa javë pas ardhjes s’ime këtu, këshillova të mbahet një mbledhje e shoqërisë Besa-Besënpër të biseduar vetëm këtë çështje, edhe atje çfaqa idenë që shkaku i mosbashkimit të shoqërive ish se shoqëritë s’dojin të humbisjin qënien e tyre duke u-çdukur në gji të njërës vetëm, të shoqërisë Besa-Besën; dhe proponova një zgjidhje më të pëlqyer: jo bashkimin, po federimin.

Kjo fjal’ e fundit, federimi, u përdor’ ahere për herën e parë për këtë çështje, dhe është për çudi kur dëgjon njeriu një pakicë analfabetësh të thonë se iden’ e VATRES e mbollnë nj’a dy njerës të cilët ose s’kishin ardhur ende n’Amerikë, ose rrojin jashtë lëvizjes dhe lark qendrave shqipëtare. Po një nga karakteristikat e barbarëve, që është dhe e foshnjave, është moskuptimi i mësimeve që rrjedhin nga kronologjia, nga datat. Ja për kujtim historie raporti i shkurtër i botuar te DielliNo. 44, më 28 të Jenarit 1910 (faqe 3, shtyllë 5):

PLEQESIA E BESA-BESES. – “Pleqësia e Besa-Besësmbajti një mbledhje të Dielën e shkuar në zyrë të Diellit. Ishin në mbledhje: Z. Kisto Kirka, kryetari; Z. George Konda, arkëtar; Z. Nikolla Tromara, sekretar; edhe ZZ. Andrea Kristo, Stavre Mihal, Xheli Sotir, pleq. ZZ. Fani Kosta, nënëkryetar, edhe Maqi Thanas, plak, s’muntnë të vijnë. Në mbledhje muarnë pjesë edhe i Përnd. At Fan S. Noli me drejtorin e DiellitZ. Faik Konitza. U panë hesapet, dhe u bisedua çështja e federimit (lidhjes) së shoqërive kombëtare t’Amerikës. Mbledhja zgjati 3 or’ e gjysmë.”

Kjo mbledhje munt të quhet i pari çap për të themeluar në mes të Shqipëtarëve t’Amerikës një federatësi “Vatra”. Për fat të zi, dolli ca ditë më vonë një pengim i papritur. Mbledhja u mbajt më 28 të Jenarit; më 25 të Shkurtit, Diellibotonte demicjen e Drejtorit. Një mosmarrëveshje me kryesin’ e shoqërisë Besa-Besënshkakëtoj heqjen t’ime. U-vendosa përsëri nga anëtarët si drejtor, dhe vazhdova në këtë ofiq, me Z. Josif Pani si kryetar të Shoqërisë, gjer më 1 të korrikut 1910. Ahere, gazeta pushoj, dhe u botua tre muaj e gjysmë më vonë përsëri me At Fan S. Nolin si editor dhe me Z. Lambi Çikozin si Manager.

Si hyri ajo grindje në mes, ra edhe idea e themelimit të Federatës; dhe sado që më vonë lidha përsëri marrëdhëniet personale më të mira me ata nga të cilët isha ndarë nga moskuptime politike dhe jo gjë tjatër, bisedimi i 28 Jenarit 1910 mbeti pa pemë.

Në fund të motit 1911, ndodhesha në Cambridge, Mass.; vija rrallë në Boston, dhe s’piqesha me njeri, as kisha nge’ të marr pjesë në nonjë bisedim. Diellin, nga i cili kishte dalë(ishte larguar) edhe Fan Noli, nuk e këndoja, nga frika se mos harroja shqipen. Një ditë mora një letrë ku më ftojin në një mbledhje delegatësh, për të themeluar një “Komitet Qendror”. Idea s’m’interesonte as pakë; dhe në mbledhje, e cila u mbajt me 24 të Shën-Endreut në Rathbone Hall, nuk u ndodha, sado që isha emëruar delegat i shoqërisë Skënder-Beunë Gary, Indiana. Si duket, kjo ide e Komitetit Qendrorkish qenë biseduar pa rreshtur nga shqiptarët; dhe te Dielli No. 126 (30 Vjesht’ e III, 1911) u botua një Kanunore e Komitetit Qendror, të cilën duhet ta këndojë ç’do njeri që do të studiojë historin’ e themelimit të VATRES; do të shihni atje se ay projekt është aqë lark nga organizimi i Federatës s’onë, sa është lark Ballkani nga Irllanda.

Më 11 të Jenarit 1912, Dielli njihte dështimin e Komitetit Qendror dhe na ia vinte fajin At Fan Nolit edhe mua. Më 18 të Jenarit, Dielli botonte një letrë nga At Fan S. Noli, i cili, duke folur edhe n’emër tim, thosh se ishim gati të piqeshim për të biseduar, po “me konditën që të bëhet një gjë serioze dhe jo për të qeshur.”

Vetë shkova në Boston, u poqa me Z. Lambi Çikozin, manager-in e Diellit, edhe me Z. Kristo Kirka, kryetarin e shoqërisë Arësimi. I gjeta plot me dëshirë për të themeluar një organizatë serioze. U poqa me miq të tjerë, dhe i gjeta gjithë n’atë mendje. Vendosa ahere të trazohem.

Nismë të bëjmë mbledhje të dëndura, dhe në njërën shtrova ndryshimin në mes të një shoqërie qëndrore edhe të një shoqërie federale, me përfundimin që forma e fundit fitoj pëlqimin. Në një tjatër, si pas porosisë që kisha marrë nga delegatët, shtrova dy emëra për pëlqim: Parmendaedhe Vatra, i pari me kuptimin ideal të kulturës së mendjes e të shpirtit, i dyti me një kuptim më patriotik. U pëlqye i dyti. Dhe ashtu Federata “Vatra”, me emër dhe me formë, dolli në shesh. Në mbledhje themeltare të Marsit 31, 1912, ndodheshin këta zotërinj, si komision dhe delegatë: At Fan Noli dhe ZZ. Lambi Çikozi, Kristo Kirka, Faik Konitza, Elia Tromara, Kosta Vasil, Dr. Kost Kotta, Kristo Floqi, Paskal Aleksi. Te Kalendari i bukur i VATRES, 1918 gjenden shumë hollësira për nisjet e VATRES. 

Për emërin, formën federale, kanunoren, regulloren, edhe shpiritën e parë të VATRES, jam responsibleunë. Po e drejta është që VATRA, të cilën un’ e lashë çilimi shtatë muajsh, u ngjall, u rrit, u madhua, u bë një forcë e madhe nga Fan Noli dhe Veteranët e Amerikës, më 1915-1919, dhe n’atë shvillim unë s’kam patur as një pjesë.

*** 

VATRA sot është 108 vjeçe. Kjo ditëlindje e gjen të karantinuar siç është e gjithë bota e mbyllur prej koronavirusit dhe do ta festojnë në mënyrën virtuale 108 vjetorin. Gjithësesi VATRA i ka hedhur piketat e rrugëtimit të saj në shekullin e XXI në Kuvendin e 19 janarit 2020 dhe do ta lartësojë veten duke u ngritur në nivelin e shekullit që jeton, duke respektuar Kushtetutën e saj, duke u udhëhequr nga interesat Kombëtare dhe forcimin e miqësisë mes kombit shqiptar dhe atij Amerikan, duke ruajtur amanetin e themelusëve.

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Vatra 108 Vjeçe

SHBA REGJISTRON 1 MILION TË INFEKTUAR …

April 28, 2020 by dgreca

* PRESIDENTI UDHËZON TESTIME, GJURMIME DHE RIHAPJEN E EKONOMISË/

COMFORT NE IKJE NGA NEW YORKU…E KREU DETYREN…/

* New Yorku prek shifrën më të ulët të viktimave/

* Guvernatori Cuomo do t’ua zgjasë mbylljen disa qarqeve./

* Kryebashkiaku Bill De Blasio tha se do të hapë 100 milje rrugë për qytetarët./

* Departamenti i Arsimit në NYC ka humbë 68 punonjës

* Guvernatori i New Jersey-t preferon rihapjen e përgjithshme të shtetit./

* Iowa do ta fillojë rihapjen në 77 qarqe me 1 Maj /

Përgatiti: Dalip Greca/

Dita e Hënë ishte me tregues jo alarmant për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në betejën e përditshme me Koronavirusin. Të infektuarit e rinj zbritën në kuota më të ulta se ditët parardhëse, vetëm 20 mijë e 789(nga 26 mijë e 509 të dielën), ndërsa numri i të vdekurëve ishte i përafërt me ditën e djeshme, numri i të shtruarëve në spitale ka rënë ndjeshëm deri në 1 mijë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve e kaloi shifrën 1 milion 7 mijë e 949. Presidenti Trump në konferencën me gazetarët e mbajtur në mbrëmjen e së hënës i vlerësoi pozitivë të gjithë treguesit duke thënë se shteti po ecën në drejtimin e duhur. Ai tha se i gjithë vendi është në gjendje të mirë dhe është koha e rihapjes së bizneseve dhe ringritjes së ekonomisë.

Udhëzimet e Shtëpisë së Bardhë po përqëndrohen tek testimet dhe gjurmimet. Shtetet mund të testojnë rreth 2,6 përqind në popullsisë në muaj, ndërsa shtetet dhe zonat më të goditura mund të testojnë dy herë më shumë, ose dhe më tepër. Amerika i ka kapacitete për të kryer testimet dhe gjurmimet.

Në konferencën për shtyp presidenti tha se do t’i udhëzojë shtetet se si të rrisin testimin dhe gjurmimin e kontakteve të personave të infektuar.

New Yorku prek shifrën më të ulët të viktimave

Ndërkohë që Shteti i New Yorkut ka regjistruar ditën e Hënë treguesin më të ulët të vdekjeve ditore, 337(nga 367 ditën e dielë) dhe në rang shteti u regjistruan në total 22 mijë e 612 viktima, pesë bashkitë që përbëjnë NYC (New York City) kanë raportuar 11,708 vdekje të konfirmuara nga koronavirusi dhe 5.222 vdekje të mundshme të koronavirusit, sipas faqes së internetit të qytetit. Pra vetëm NYC ka 16 mijë e 930 të vdekur, ndërsa pjesa tjetër e shtetit kap shifrën 5 mijë e 682.

Departamenti i Shëndetit në New York City përcakton vdekje të mundshme nga nga COVID-19 ata pacientë që nuk kishin një test laboratorik pozitiv të Covid-19, por çertifikata e tyre e vdekjes kanë të shënuar si shkakun e vdekjes “COVID-19”.

Ka pasur 156.100 raste të koronavirusit në NYC, dhe rreth 40,000 njerëz të shtruar në spitale gjatë kësaj kohe, sipas statistikave të qytetit.

Të infektuarit e rinj të raportuar në 24 orshin e fundit për shtetin e New Yorkut ishin vetëm 3 mijë e 333(nga 5 mijë e 678 të dielën) duke e çuar shifrën e përgjithsme të të infektuarëve në 297 mijë e 224. Testimet në shtet janë në shifrat më të larta se në çdo shtet tjetër të Amerikës dhe më të larta se në shtetet europiane si Franca, Britania e Madhe etj. Deri ditën e hënë New Yorku kishte kryer 826 mijë 95 testime, nga 463 mijë e 662 që ka kryer Franca dhe 719 mijë e 910 Britanai e Madhe.

       Guvernatori Cuomo do t’ua zgjasë mbylljen disa qarqeve

Guvernatori i New York-ut, Andrew Cuomo, gjatë konferencës së përditshme të së hënës, tha se ai ka të ngjarë të zgjasë urdhrat për qëndrim në shtëpi dhe të mos hapjes së bizneseve për disa qarqe përgjatë afatit aktual të shtetit që është përcaktuar me 15 maji.

Në fakt, numri i shtrimeve të reja në lidhje me koronavirusin është ulë deri rreth 1.000 në ditë, sipas të dhënave të shtetit, ndërkohë që edhe shifrat e tjera flasin për për mirë.Po ashtu spiatlet kanë hapsira të bollshme dhe ventilator më shumë se duhet. Nga ana tjeter edhe anija e marinës që erdhi për ndihmë po merr rrugën e kthimit.

Cuomo përsëriti se shteti duhej të bënte më shumë testime dhe gjurmime të kontakteve në mënyrë që të fillonte rihapja në pjesët e mundshme të shtetit.

Kryebashkiaku Bill De Blasio tha se do të hapë 100 milje rrugë për qytetarët

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Bill de Blasio tha të hënën me 27 prill se ai dhe këshilli i qytetit arritën një marrëveshje mbi një plan që do të mbyllte 40 milje rrugë për trafik automjetesh dhe do t’u jepte qytetarëve më shumë hapësirë ​​të lirë pasi edhe moti po bëhet më i ngrohtë. De Blasio tha se ai është i angazhuar të hapë deri në 100 milje rrugë për këmbësorët nëse do të jetë nevoja me qëllim që qytetarët të mos grumbullohen për mungesë hapsire por të ruajnë distancën.

Kryetari i Bashkisë gjithashtu njoftoi se qyteti do të punësojë 1000 gjurmues kontakti, ose detektivë sëmundjesh. Ai i bëri thirrje çdo punonjësi mjekësor me përvojë përkatëse të aplikojnë përmes internetit në faqen e departamentit të shëndetit publik.

Departamenti i Arsimit në NYC ka humbë 68 punonjës

New Yorku ka humbur shumë punonjës të vijës së parë në këtë betejë me virusin e padukshëm, si punonjës të shërbimeve publike, por ka humbur jetë punonjësish edhe në arsim.

       Departamenti i Arsimit në New York City ka humbur 68 punonjës në COVID-19 që nga e hëna, deklaroi departamenti i arsimit. Në këtë shifër përfshihen 28 mësues, 25 profesionistë profesionalë, tre punonjës të zyrës qendrore, dy administratorë, dy këshilltarë udhëzues dhe dy punonjës të shërbimit ushqimor. 

       Shkollat ​​e New York City do të vazhdojnë të jenë të mbyllura për pjesën tjetër të këtij viti shkollor.

Guvernatori i New Jersey-t preferon rihapjen e përgjithshme të shtetit

New Jersey është shteti i dytë pas New Yorkut më i prekuri nga pandemia e COVID-19. Ai ka regjsitruar deri tani 111 mijë 188 të prekur nga Koronavirusi dhe 3 mijë e 3 të vdekur, ndërkohë që ka kryer 227 mijë e 390 testime. Parametrat e prekshme të koronavirusit janë në ulje në të gjitha drejtimet. Në ditën e sotme, e hënë 27 prill,kishte 106 të vdekur. Në këto kushte po mendohet për rihapje. Nëse në shtetin e New York-ut mendohet për hapje rajonale, Guvernatori i New Jersey, Phil Murphy, u shpreh në fillimjavë se ende është herët për të thënë nëse rihapja do të bëhet mbi baza rajonale ose në mbarë shtetin që drejton. Ai vetë preferon këtë të fundit.

-Paragjykimi im do të mbështetet drejt marrjes së vendimeve shtetërore- tha ai, duke shtuar “nëse nuk shohim një arsye të vërtetë unike për të bërë ndryshe, ose nëse nuk shohim një realitet me të vërtetë të dyzuar në drejtim të virusit dhe ndikimit të tij në shtet.”

Rihapja do të fillojë në vendet e punës dhe vendet ku shteti ka një “shkallë të lartë besimi”, që distanca sociale dhe normat e tjera mund të zbatohen në mënyrë efektive, kometoi ai gjatë konferencës të së hënës.

Përsa i përket radhës së rihapjes së bizneseve, Guvernatori Murphy tha se ndoshta duhet filluar me “zinxhirin ushqimor” dhe elementët e tjerë thelbësorë. Ai shtoi se e do shumë muzikën, por koncertet nuk mund të kthehen shpejt.

Murphy vuri në dukje se disa vendime ka të ngjarë të merren në harmoni me shtetet e tjera, duke dhënë shembullin se ai nuk mund ta imagjinojë që një restorant në Jersey City (New Jersey), do të kishte një protokoll të ndryshëm rihapjeje nga një restorant në anën e poshtme perëndimore të Manhattanit(New York)

Iowa do ta fillojë rihapjen në 77 qarqe me 1 Maj 

Guvernatorja e shtetit Iowa, Kim Reynolds, njoftoi të hënën se 77 nga 99 qarqet e shtetit mund të rihapin restorantet, qendra palestre, dyqane me pakicë dhe qendra të mbyllura me kapacitet 50%, duke filluar nga 1 maj.

Reynolds tha gjithashtu se ajo po heq ndalimin e tubimeve fetare, por jo të grumbullimit të më shumë se 10 personave.

Kjo qasje synon që të lirojë kufizimet në qarqet ku nuk ka veprimtari të virusit ose ku aktiviteti i virusit ka qenë vazhdimisht i ulët dhe ka treguar një prirje rënëse, tha Reynolds.

Vendet ku aktiviteti Covid-19 është më i lartë do të qëndrojnë të mbyllur deri në 15 maj, tha guvernatorja.

Hapja e qarqeve bazohet në aktivitetin e virusit dhe sasinë e rasteve të reja gjatë 14 ditëve të fundit, sqaroi Reynolds.

Ajo shtoi se biznesi dhe kishat e aprovuara për rihapjen duhet t’i përmbahen distancimit shoqëror, higjenës, masave të shëndetit dhe udhëzimeve të biznesit nga departamenti i shëndetit publik për të zvogëluar përhapjen e Covid-19.

Reynolds tha gjithashtu se restorantet do të duhet të mbajnë tavolina të paktën gjashtë metra larg dhe të kufizojnë numrin e njerëzve që mund të jenë në një tryezë.

New York, 27 Prill 2020

Filed Under: Featured Tagged With: 1 Milion te infektuar, dalip greca, presidenti, SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 252
  • 253
  • 254
  • 255
  • 256
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”
  • 106 VITE NGA KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES-THEMELI I PARLAMENTARIZMIT DHE VETËQEVERISJES SË PLOTË TË SHTETIT SHQIPTAR
  • Grenlanda “Molla” e Shekullit 21
  • Ne nuk harrojmë!
  • NË 20 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI, NDERIM DHE MIRËNJOHJE PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA
  • Pjesëmarrja dhe rezultatet e nxënësve nga Kosova në Neo Science Olympiad 2026 – Orlando, SHBA
  • IKJA E KORIFEUT APO BORXHI NDAJ NJI FJALE PER ISMET UKE BERISHEN
  • Dr. Ibrahim Rugova, emri që nuk shuhet
  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT