DHANE DASHURI NEPERMJET HUMANIZMIT TE TYRE, PRANDAJ
MERITOJNE RESPEKT E MIRËNJOHJE/
… gjatë kësaj karantine spikatën më dëshirën e humanizmin e tyre, tre biznese restaurantësh, që zotërohen nga shqiptarët me banim në Filadelfia, dhe që e shtrijnë bisnesin e tyre edhe në Nju Xhersi. Ata jane “AMICI Restaurant” me pronar z. Aleks (Astrit) Daku, “IL FIORE Restaurant “me vëllezërit Jashar e Hekuran Daku, si dhe Grupi i restauranteve “LA FONTANA Della Citta” e “LA FONTANA Coast” me pronar vëllezërit Gani e Bujar Daku dhe Rafael (Mefail) Kupa, “Caffe Ida” në South Philadelphia.
Nga Tajar Domi/*
Periudha e izolimit të pa precedent që kaploi mbarë botën, për tu mbrojtur nga sulmi i rrufeshëm i virusit vdekje prurës Covid- 19, angazhoi të gjitha shtetet e qeveritë e tyre, që të përcaktojnë e zbatojnë sa më shpejt masat në mbrojtje të njerëzimit. Gjatë kësaj lufte në vijën e parë të zjarrit, u panë të vendosen si kurrë më parë, personeli shëndetësor mjek e infermier, por edhe Qendrat e Institucionet shkencore më me zë në botë, të cilat po bëjnë përpjekjet e tyre për të përcaktuar ilacin efikas e vaksinën për tu mbrojtur nga ky virus i rrezikshëm. Por akoma këto përpjekje nuk kanë arritur në rezultatin e kërkuar. Për pasojë, bota numëron sot miliona njerëz të infektuar e disa qindra mijë jetë të humbura, numri i të cilëve vazhdon të rritet nga dita në ditë. Dhe cdo shtet raporton me dhimbje për qytetarët e vet. Shqiperia, midis tyre…, qeveria e së cilës me sa duket u tregua e qartë me masat e marra që në fillim të situatës së krijuar. Shpresojmë dhe urojmë që vendlindja jonë, të ndalojë në numrin e tanishëm të humbjeve, deri në kthimin e jetës normale.
Amerika është duke përjetuar gjithashtu ditët pa jetë në rrugët e ambjentet e qyteteve të saj, qofshin këto edhe metropolet e mëdha. Kjo atmosferë ndjehet edhe në qytetin e Filadelfias, ku jeton sic dihet edhe një komunitet shqiptar me rreth 30 mijë persona.
Sigurisht që është folur e është shkruar cdo orë e cdo ditë, për situatën e rëndë të krijuar, shpesh duke qenë kritik për befasinë në të cilën u ndodh bota, pra edhe Amerika, nga ky sulm “biologjik” nëpërmjet covid-19. Vlen të theksohet për informacionet e përditëshme që zotërinjtë Dalip Greca e Ruben Avxhiu nëpërmjet gazetave “Dielli” e “Iliria” në Nju Jork kanë dhënë për diasporën shqiptare këtu në Amerikë, e për këtë duhen falenderuar.
Në të njëjtën kohë, kjo periudhë ishte edhe ajo e afirmimit të vlerave të përgjithshme njerëzore të shqiptarëve nëpër botë, vecanërisht atyre humane, të aftësive intelektuale, konkurimit e punësimit të tyre në institucione e pozicione të rëndësishme që deri më sot nuk njiheshin. Kemi parë me kënaqësi në emisione televizive si dhe kemi lexuar artikuj të shkruar në media, për shumë mjek, infermier, farmacist, inxhinier, mësues, psikolog, shkencëtar, artistë etj shqiptar, që punojnë e renditen të barabarte tashmë në vendet e ndryshme të botës ku ata banojnë. Kështu edhe në Filadelfia. Jemi ndjerë krenar kur në këto ekrane si në Shqipëri edhe këtu në Amerikë, kemi parë bashkatdhetarët tanë të fushave të ndryshme të udhezojnë me profesionalizëm kapërcimin e krizës, të njohin veten me pozicionet e nivelet e arritura të punës këtu. Të tillë si Dr. Gentian Toshkëzi (neurokirurg), Ing. Lorenc Koka, Eris Cani, BS, PharmD, etj, me këshillimet e tyre i erdhën në ndihmë komunitetit shqiptar me gjuhën shqipe të folur apo të shkruar në këto media. Shumë të reja e të rinj, të punësuar në rrjetin spitalor në Filadelfia, kanë punuar cdo ditë në pozicionet e tyre si mjek e infermier, duke pas në cdo moment rrezikun e infektimit, por me dashurinë për jetën e tjetrit, kanë marrë me vete në cdo kohë edhe kënaqësinë e punës të këtyre ditëve të vështira.
Ndërsa të tjerë nga bashkatdhetarët tanë, ishin të gatshëm për të ndihmuar e kontribuar me mundësitë e tyre, duke u ardhur në ndihmë njerëzve.
Menjëherë shprehën dëshirën e gadishmërinë për të përgatitur maska bashkatdhetarët Telua Tashua (Alma Telushi), Arseda Buhali Mihali, Adelina Ina Uznova e Juli Llapushi, të cilat i dhuruan në spitalin Holy Redeemer – Filadelfia për personelin e këtij spitali. Ishin ditët e para, kur maskat mungonin e një veprim i tillë ishte mjaft i mirë pritur.
Por gjatë kësaj periudhe, spikatën më dëshirën e humanizmin e tyre, tre bisnese restaurantësh, që zotërohen nga shqiptarët me banim në Filadelfia, dhe që e shtrijnë bisnesin e tyre edhe në Nju Xhersi. Ata jane “AMICI Restaurant” me pronar z. Aleks (Astrit) Daku, “IL FIORE Restaurant “me vëllezërit Jashar e Hekuran Daku, si dhe Grupi i restauranteve “LA FONTANA Della Citta” e “LA FONTANA Coast” me pronar vëllezërit Gani e Bujar Daku dhe Rafael (Mefail) Kupa, “Caffe Ida” në South Philadelphia. Nuk ishte hera e parë për to, të shpalosnin ndjenjat e tyre njerëzore, në situata të tilla ku të gjithë duhet të japim dicka nga vetja për të tjerët në nevojë, apo për komunitetin shqiptar në vecanti. Ata kanë hapur dyert e bisneseve të tyre disa herë, për grumbullimin e fondeve financiare duke i dhuruar për situatën e pas tërmetit të datës 26 nëntor 2019 në Shqiperi, apo gjatë vitit 2018 në ndihmë të shoqatës Bijte e Shqipes, për blerjen e Qendrës së re social-kulturore, për situata fatkeqësish në komunitet etj. Ata janë dera e parë që hapet vecanërisht për punësimin e të rinjve që vijnë në SHBA, që sigurisht fillimi është i vështirë për to.
Por këta bisnese, na bënë të ndjehemi krenar, vecanërisht gjatë këtyre javëve të izolimit, kohë gjatë së cilës mund të themi se ata punuan vetëm për të ndihmuar, për të dhuruar ushqimin e pergatitur të tyre, falas, kryesisht për moshat mbi 65 vjec e sidomos për njerëzit që punojnë në vijnë e parë të kësaj situate, për mjekët e infermieret. Me stafin dhe menaxherët e tyre Arjan e Enver Parllaku, Riza Ndreu, Arianit Domi, Luan Koka, Drilon Collaku, ishin gjithnjë në kërkim të ambjenteve spitalore, ku punohej për të mbrojtur jetë njerëzore. U panë të dhuronin dreka për mbi 100 – 200 përsona secila , tek Jefferson Hospital – Filadelfia, Virtua Hospital on Marlton – NJ, Jefferson Hospital në Cherry Hill – NJ, Our lady of Lourdes Hospital Camden – NJ, Cherry Hill Police Department – NJ, Cape Regional Health System – Atlantic City, Cooper Hospital Marlton – NJ. “Caffe Ida” u shërbeu me ushqim punonjësve të Policisë si dhe atyre të shërbimit shëndetësor në South Philadelphia. Ishin ditë tepër të ngarkuara për to, por që u jepte kënaqësi të madhe. U shkrua për këta bisnesmen shqiptar ndoshta jo të mëdhenj, por që falë zemrës së tyre të madhe u munduan tu japin jetë e kënaqësi të tjerëve, me ndihmat e tyre. U shkrua në gazetat e këtueshme në Filadelfia e Nju Xhersi, u pasqyrua edhe në ekranët e këtyre qyteteve, duke e vlerësuar veprimin dhe humanizmin maksimalisht. I pamë edhe në ekranet shqiptare, Top Chanel, Tv Klan, Zëri i Amerikës, ndërkohë që lajmi ishte i pasqyruar edhe në disa gazeta në Shqiperi. Ndjemë kënaqësi edhe në që jemi mbërthyer brenda ambjenteve ku rrimë, duke bërë një jetë detyruese për tu mbrojtur nga i ligu, që me pak pakujdesi mund të na rrëmbejë për të mos u kthyer kurrë. Edhe unë, që po shkruaj këto pak rreshta, kam si qëllim njohjen akoma më shumë nga bashkatdhetarët, të këtyre bisnesmenëve, që ndoshta jo për koincidencë i bashkon mbiemri Daku dhe Kupa.
Të gjithë kanë ardhur nga zona e Kalase së Dodes dhe kanë lindur në të njëjtin fshat, në atë të Radomirës, që shtrihet në rrëzë të malit të Korabit. Në këtë zonë jeta ka ardhur gjithmonë me bukuritë dhe vështërsitë e veta, ku vështërsitë i kanë kalitur dhe bërë bashkë banorët. Duke sjellë në kujtesë thënien e popullit “Ku ka rrjedhur, do pikojë”, mua më shkon ndërmend edhe origjina jo shumë e hershme e këtyre djemve që synuan Ameriken në kohë e rrugë të ndryshme.
Gjyshi i Astritit (dhe xhaxhai i Hekuranit), Selim Daku, një burrë i zgjuar që kurrë nuk i iku energjia derisa vdiq, officer pas të qenit partizan i luftes nacional-clirimtare, në punë të ndryshme drejtuese, por edhe “i rënë nga kali” sic ndodhte jo rrallë atëherë me burra të tillë. Vetëm episodi i mëposhtëm mjafton për ta njohur atë: Kthehej nga puna, kur punonte si sekretar i Lokalitetit Sllove ne vitet ’60-të, e në rrugë takon punonjësin e ri të sigurimit që kishte marrë (shoqëruar) një banor të Radomirës për në degën e brendshme të rrethit. Ku e con, e pyeti Selimi sigurimsin? Ka bërë…, ju pergjigj ai. Ktheje në shpi dhe herë tjetër mos guxo të marrësh njeri nga ky fshat, i tha Selimi dhe e mori me vete bashkëfshatarin për në shpi.
Gjyshi i Bujarit e Ganiut, Rrahim Daku, kishte emër në zonë ndërsa ishte i zgjedhur për shumë vite si kryeplak i Radomirës. Sic e mbaj mend unë, atij i kishte hije veshja, muhabeti e qëndrimi në krye të rreshtit të burrave të fshatit, bujar e me shpirt bisnesi.
Ndërsa gjyshi i Mefailit, Bajram Kupa, një burrë serioz, i mencëm e punëtor. I doli zot Radomirës, në ditë të vështira të saj. Familje e madhe, me pasuri të konfiskuar nga pushteti i asaj kohe e kulak për disa vite. Por banorët e asaj zone kurrë nuk i ndanë nga votrat e tyre ata qe u ndëshkuan nga sistemi i diktaturës së djeshme, përkundrazi ishin bashkë në gëzime e hidhërime duke ndihmuar njëri-tjetrin.
Të tria këto familje, kishin në cdo kohë nga pasuria e ndershme jo dhe aq madhe e tyre, për të dhuruar tek të tjerët në nevojë, dhe këtë e bënin si në raste festash, gëzimesh e fatkeqësish pa e kërkuar njeri, ashtu edhe kur dikush ishte në pamundësi e drejtohej për ta ndihmuar. Kjo vazhdoi edhe në brezin tjetër. Pra prej tyre, prej ketyre familjeve të mëdhaja e të qenësishme, vijnë edhe nipërit që sot i japin shkëlqim vlerave të trashëgimisë së tyre familjare, dhe krenari shqiptarëve këtu në Filadelfia e kudo në diasporë. Sigurisht që sakrifica e tyre ka qenë e madhe për të ardhur deri këtu. Bujari u largua nga vendlindja në moshën 18 vjecare, duke thyer kufirin që në vitin 1989 kur akoma nuk kishte ardhur përmbysja e sistemit socialist në Shqipëri. Astriti, më vonë, fillimisht në Itali, e pas pak vitesh këtu në Amerikë. Po kështu edhe Rafa …, ndërsa Hekurani vjen pas disa vitesh qëndrim në Angli si emigrant. Të gjithë i bashkon lodhja e madhe, vështërsitë pa fund derisa kanë arritur në Amerikë, në mënyra të ndryshme por gjithnjë me rrezikun mbi kokë. Ndërsa sot janë qytetar të Amerikës, dhe gëzojnë me familjet ecurinë e suksesin në bisneset e tyre, duke mos harruar të kthejnë kokën pas për të kujtuar nga kanë ardhur. Në një intervistë për zërin e Amerikës, pronari i Amicit, Alex Daku , pyetjes se gazetares se cfarë ju shtyn juve për të dhënë këto kontribute, i përgjigjet midis të tjerave : “ …vij nga një familje që ka shprehur gjithmonë humanizëm, por në kujtesën time ruaj momentet kur arrita në Itali e nuk kisha asgjë me vete , ndërkohë që u gjenda në ndihmën e të tjerëve për ushqim e për punë. Prandaj akoma më shumë më është forcuar ndjenja për të dhuruar , vecanërisht si kjo periudhë izolimi, pasi mendoj se u jap kënaqësi shumë njerëzve, ashtu sic e merrja unë prej tyre kënaqësinë, vite më pare”
Por ata, djemte e Radomires, duke vlerësuar të shkuarën e duke parë të tashmen, projektojnë edhe të ardhmen për më shumë arritje e kontribute.
Duke pas një histori të tillë, nuk kishte se si këta djem të qëndronin jashtë bashkimit e afirmimit të këtyre vlerave, prandaj u bënë anëtar e ndër mbështetësit kryesor të veprimtarive të gjithanshme atdhetare e kulturore të shoqatës “Bijte e Shqipes” këtu në Filadlelfia. Nga ana e saj kjo shoqatë, nuk mund të rrijë pa nxjerrë në pah e pa bërë të njohura këto vlera e kontribute. Ajo i ka vlerësuar e përshendetur vazhdimisht në mënyra të ndryshme, ashtu sic u veprua edhe këto ditë, kur këshilli drejtues i saj vendosi t’ju japë të katër bisneseve Certifikatë “Krenaria Shqiptare”, për kontributin e madh e humanizmin e treguar në kushtet e vështira të karantinimit nga virusi Covid-19, duke dhuruar ushqim falas. Ne mbyllje të këtij shkrimi po citoj nga ish presidenti amerikan John Kendedy thënien e mëposhtme: “Teksa shprehim mirënjohjen, ne nuk duhet të harrojmë kurrë se vlerësimi më i lartë nuk është ti shqiptosh fjalët, por të jetosh prej tyre”.
Suksese të mëtejshme bisnesmeneve tanë zemër mirë dhe zoti i ndihmoftë në jetë!
Filadelfia, me 2 Maj 2020
*Me shume fotografi i gjeni ne Facebook dielli vatra