
Akademik Rexhep Qosja, shkrimtar, kritik letrar dhe studiues i shquar i albanologjisë, lindi më 25 qershor 1936 në Vuthaj të Malit të Zi në një familje në një familje të njohur për traditën arsimdashëse dhe atdhetare.
Ai kreu studimet në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filologjik të Prishtinës, ku u diplomua më 1964, dhe më pas u specializua në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Karrierën akademike e zhvilloi si studiues dhe profesor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku për shumë vite ishte drejtor dhe një nga figurat qendrore të studimeve albanologjike.
Në vitin 1971 mbrojti doktoraturën mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit, duke hapur një kapitull të ri në kritikën letrare shqiptare. Ai është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë, kritikë letrare, si dhe romane, drama dhe publicistikë, ndër të cilat spikasin veprat madhore: “Historia e letërsisë shqipe”, “Populli i ndaluar”, “Vdekja më vjen prej syve të tillë”.
Krijimtaria e tij e gjerë e vendosi në radhën e mendimtarëve më të rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX–XXI, duke u bërë një zë i fuqishëm i mendimit kritik dhe një mbrojtës i palodhur i identitetit kulturor e kombëtar shqiptar.
Akad. Qosja u nderua me tituj dhe çmime të shumta kombëtare e ndërkombëtare, përfshirë çmimin “Nderi i Kombit” në vitin 2000. Akademiku, shkrimtari dhe kritiku i shquar letrar, Rexhep Qosja, u nda nga jeta më 23 prill 2026, në moshën 90-vjeçare. Ai la pas një thesar veprash madhore në albanologji dhe u përcoll në një ceremoni private, sipas amanetit të tij.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë e kujton sot në ditën e tij të lindjes me nderim akad. Rexhep Qosjen si një mendje të ndritur, një zë të fuqishëm dhe një personalitet të pazëvendësueshëm të albanologjisë dhe kulturës sonë kombëtare.