
Prof. Ass. Dr. Pajazit Hajzeri/
Jemi mbledhur në këtë promovim jo vetëm për të përcjellë daljen në dritë të një libri të ri, por për të vlerësuar një punë të gjatë hulumtuese, një përkushtim të sinqertë intelektual dhe një përpjekje serioze për të depërtuar në thellësitë e historisë, mitologjisë, gjuhës dhe identitetit tonë kombëtar. Libri “Në kërkim të pasaportës së vjedhur I” i autorit Krenar Zeneli, që sot po promovohet, është një vepër e veçantë në shumë aspekte. Së pari, për vetë tematikën që trajton; së dyti, për qasjen e autorit ndaj problemeve të historisë së lashtë; dhe së treti, për guximin intelektual, me të cilin autori ka vendosur të trajtojë çështje të ndjeshme, shpeshherë të debatuara, por gjithmonë me interes të madh për lexuesin shqiptar.
Që në titullin e saj, kjo vepër të fton për reflektim. Titulli “Në kërkim të pasaportës së vjedhur” bart një simbolikë të fuqishme. Ai na jep të kuptojmë se autori është në kërkim të identitetit dhe rrënjëve të mohuara, të së kaluarës së tjetërsuar dhe të asaj trashëgimie historike e kulturore, e cila sipas tij, gjatë shekujve ka pësuar deformime, keqinterpretime apo edhe përvetësime nga të tjerët.
Autori Krenar Zeneli ka marrë përsipër një mision jo të lehtë. Ai hyn në një fushë të ndjeshme, shpeshherë të debatuar dhe të kontestuar, duke trajtuar çështje që lidhen me mitologjinë, pellazgët, ilirët, etnogjenezën, gjuhën shqipe dhe raportin e saj me gjuhët e lashta. Kjo ndërmarrje kërkon jo vetëm guxim intelektual, por edhe përkushtim të jashtëzakonshëm në hulumtim. Në këtë aspekt, autori ka dëshmuar një punë të gjatë e të palodhshme, duke shfrytëzuar një korpus të gjerë burimesh antike dhe bashkëkohore në gjuhë të ndryshme.
Një nga veçoritë më të rëndësishme të kësaj vepre është qasja analitike dhe krahasuese. Autori nuk mjaftohet vetëm me përcjelljen e mendimeve ekzistuese, por ai i vë ato në diskutim, i krahason, i analizon dhe shpeshherë ofron interpretime të reja. Nëpërmjet analizës së miteve, ai përpiqet të argumentojë se shumë prej figurave dhe perëndive të njohura si “greke”, në të vërtetë i përkasin një shtrese shumë më të hershme kulturore, të cilën ai e lidh me botën pellazgo-ilire.
Një tjetër dimension i rëndësishëm i librit është trajtimi i gjuhës. Përmes analizave etimologjike, toponimike dhe onomastike, autori përpiqet të dëshmojë lashtësinë dhe rëndësinë e gjuhës shqipe në historinë e qytetërimeve të hershme. Edhe pse shumë prej këtyre tezave mbeten të hapura për debat shkencor, meritë e autorit është se ai guxon të shtrojë pyetje të reja, të hapë diskutime dhe të nxisë reflektim tek lexuesi dhe studiuesi.
Në librin e tij, autori Krenar Zeneli na fton në një udhëtim të gjatë nëpër lashtësi. Ai nis nga mitologjia, nga figurat dhe personazhet e njohura të botës së lashtë, për të kaluar më pas në analiza të gjera historike, gjuhësore, antropologjike dhe etnologjike. Përmes këtij rrugëtimi, autori përpiqet të argumentojë se shumë nga elementet që sot njihen si pjesë e qytetërimeve të tjera, në fakt kanë rrënjë shumë më të hershme, të lidhura me botën pellazgo-ilire dhe me paraardhësit e shqiptarëve.
Duhet theksuar se ndërmarrja e një studimi të tillë nuk është aspak e lehtë. Kërkimi në fushën e mitologjisë, të historisë së lashtë dhe të gjuhësisë kërkon përkushtim të madh, lexim të vazhdueshëm, analizë kritike dhe mbi të gjitha, guxim intelektual.
Në faqet e këtij libri, lexuesi ndeshet me një numër të madh burimesh antike dhe bashkëkohore. Autori mbështetet në autorë grekë, romakë, egjiptianë, francezë, anglezë, gjermanë dhe studiues të shumtë modernë, duke sjellë shpeshherë edhe citimet në gjuhën origjinale, të shoqëruara me përkthime në shqip. Kjo metodë pune jo vetëm që e pasuron materialin, por i jep atij edhe një dimension më serioz dhe më të verifikueshëm.
Një nga aspektet më interesante të librit është mënyra se si autori i trajtojë mitet. Për shumë shekuj, mitologjia është parë si një përmbledhje rrëfenjash fantastike, e shkëputur nga realiteti historik. Ndërsa autori Krenar Zeneli përpiqet të argumentojë se mitet përmbajnë në vetvete elemente të rëndësishme historike dhe se ato duhen lexuar e interpretuar përtej kuptimit tradicional.
Përmes krahasimeve, analizave dhe argumenteve të shumta, autori arrin në përfundimin se shumë nga të ashtuquajturat mite greke, në fakt, janë trashëgimi shumë më e hershme, e lidhur me popullsitë pellazgo-ilire. Kjo qasje, natyrisht, është e guximshme dhe njëkohësisht sfiduese, sepse prek tema që prej kohësh janë konsideruar të mbyllura nga historiografia tradicionale.
Por pikërisht këtu qëndron edhe rëndësia e kësaj vepre.
Shkenca nuk zhvillohet duke pranuar verbërisht të vërtetat e gatshme. Shkenca ecën përpara falë pyetjeve, debatit, diskutimit dhe ballafaqimit të argumenteve. Dhe libri që kemi sot përpara, pavarësisht se në disa raste mund të ngjallë debate apo mendime të ndryshme, arrin ta përmbushë një mision shumë të rëndësishëm: nxit mendimin kritik dhe zgjon interesin për kërkime të mëtejshme.
Një tjetër element me rëndësi në këtë vepër është trajtimi i çështjeve gjuhësore. Autori ndalet në analizën e emrave të vendeve, të personazheve mitologjike, të toponimeve dhe mikrotoponimive, duke u përpjekur t’u japë atyre shpjegim përmes gjuhës shqipe. Edhe këtu, ai paraqet argumentet e veta, duke i lënë gjithmonë të hapura mundësitë për debat shkencor, plotësim apo kundërshtim nga specialistët e fushës.
Ky qëndrim është mjaft i rëndësishëm, sepse tregon se autori nuk pretendon të japë të vërteta absolute, por përpiqet të hapë shtigje të reja studimore, të cilat mund të pasurohen më tej nga studiues të tjerë.
Në të njëjtën kohë, libri pasqyron edhe një dimension të fuqishëm atdhetar. Duke lexuar këtë vepër, vërehet qartë pasioni i autorit për historinë, për gjuhën shqipe dhe për identitetin kombëtar. Ky pasion e përshkon tërë librin dhe i jep atij një dimension të veçantë emocional e atdhetar. Është një përpjekje serioze për të ndriçuar periudha të errëta të së kaluarës sonë dhe për të nxitur brezat e rinj që të hulumtojnë më tej mbi historinë dhe trashëgiminë tonë kulturore.
Autori shpreh bindjen se historia e një populli duhet të shkruhet para së gjithash nga vetë ai popull, pa mohuar kontributin e studiuesve të huaj, por duke marrë përgjegjësinë për ta studiuar, dokumentuar dhe mbrojtur trashëgiminë e vet historike dhe kulturore.
Të nderuar të pranishëm,
Çdo libër është një udhëtim. Por ky libër është një udhëtim i gjatë nëpër kohë, një udhëtim që nis nga mitet e lashta, kalon përmes qytetërimeve të hershme dhe përfundon tek pyetja thelbësore: Kush jemi ne dhe cilat janë rrënjët tona?
Nuk është e rastësishme që autori e ka konceptuar këtë vepër si pjesë të një projekti shumëvëllimësh. Kjo dëshmon se kemi të bëjmë me një punë afatgjatë, me një projekt ambicioz, i cili synon të trajtojë në mënyrë të gjerë dhe të thelluar shumë aspekte të historisë, mitologjisë dhe gjuhësisë.
Jam i bindur se ky libër do të zgjojë interes të madh jo vetëm tek lexuesi i zakonshëm, por edhe tek studiuesit e historisë, gjuhësisë, antropologjisë, arkeologjisë dhe mitologjisë. Ai do të shërbejë si nxitje për debate shkencore, për reflektim dhe për kërkime të reja.
Në fund, dëshiroj të përgëzoj autorin Krenar Zeneli për punën e madhe, për përkushtimin, për këmbënguljen dhe për guximin intelektual që ka treguar në realizimin e kësaj vepre.
Autorit i uroj shëndet, suksese dhe mbarësi në vazhdimin e punës së tij studimore, me bindjen se vëllimet e ardhshme do të pasurojnë edhe më tej debatin shkencor dhe do të kontribuojnë në ndriçimin e shumë çështjeve të rëndësishme të historisë sonë.