• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHUHET LEGJENDA E KELMENDIT, MARASH MRNAÇAJ

October 10, 2019 by dgreca

        NGA DALIP GRECA/ DIELLI/*

            Sot, e Enjte, 10 tetor 2019, në orët e paradites, në White Plaince Hospital, pushoi së rrahuri zemra e Legjendës së Kelmendit, atdhetarit natikomunist Marash Mrnaçaj.

Në prani të Familjes së tij të dashur, e cila i qëndroi pranë gjatë të gjithë kohës së lëngimit, ai mbylli sytë dhe kaloi në amshim. Iu prehtë shpirti në Paqë, njeriut qëndresatr, që u kthye në Legjendë, duke u arratisë nga Shqipëria Komuniste së bashku me familjen, kafshët e ngarkesës dhe bagëtitë.

Njoftimin për ndarjen nga jeta të Marashit, Diellit ia dha nipi i tij, anëtar i këshillit të Vatrës, Mark Mrnaçaj.

Në pritje të informacioneve për shërbimet funerale dhe ceremoninë e varrimit, ju përcjellim historinë  e tij përmes dossierit-Intervistë, publikuar më 2016-të, me rastin e 90 Vjetorit të Lindjes. Pusho në Paqë Marash Mrnaçaj, shpirt i vuajtur dhe qëndrestar i paepur!

       ***

…Kisha kohë që mendoja për një bisedë me Marashin, për të hyrë në kujtesën e tij dhe për të rrugëtuar në historinë e familjes, simbol i demokracisë dhe e antikomunizmit, e përmendur deri edhe në Shtëpinë e Bardhë, e deri tek presidentët e Amerikës(kur presidenti Ford firmosi dhënien e shtetësisë amerikane nënës Mrikë në moshën 111 vjeçare, apo kur në Kapitol u ngrit Flamuri shqiptar në nderim të Heroit shqiptar të Demokracisë, Nik Marash Mrnaçaj)…

Kur, më mirë se në një ditë të shënuar, sic është Dita e lindjes( Kur përjetonte 90 vjetorin e lindjes), më jepej rasti për ta zvilluar bisedën?! Së bashku me nipin e Marashit, Mark Mrnaçaj, të enjten me 22 dhjetor 2016, në mesditë trokita në shtëpinë e tij në Yonkers. Pa u ulur mirë, Mrija, zonja e shtëpisë e mbushi tavolinën plot. Sa herë e kam takuar Mrijen, kam konstatuar fisnikëri e shpirtmirësi në fytyrën e saj, në sjelljen e saj, në bujarinë tipike kelmendase, por mjafton të hysh në botën shpirtërore të saj dhe do të zbulosh,se sa dhimbje dhe tragjedi, të shkaktuar nga diktatura komuniste mbart shpirti i malësores fisnike: Babën e saj, Dedë Bajraktarin, komunistët e kapën dhe tek lëngonte nga plagët e plumbave e kanë futë në shtëpi dhe e kanë djegë të gjallë, ndërsa kushërinj të saj, i kanë masakruar; njërit prej tyre,i kanë torturuar mizorisht, i kanë nxjerrë sytë, dhe e kanë mbuluar me gurë….Plaga e fundit e Mrijes, që ende rrjedh dhimbje, është Nika, që tek i jepte që nga Amerika goditjen e fundit diktaturës shqiptare, që i kishte shkaktuar aq plagë, Kelmendit dhe familjes Mrnaçaj, humbi jetën në mënyrë misterioze, me një goditja nga pas prej një traku, tek kthehej nga demonstrata antikomuniste, ku kishte shkuar me 20 shokë nga Nju Jorku në Detroit….Mrija ende ruan imazhin e buzqeshjeve dhe puthjeve, që Nika i jepte në ballë, kur shkonte apo kthehej nga puna.Edhe atë ditë të fundit… Sa i ishin lutë që të mos shkonte në atë mot të ashpër dimëror në demonstratë në Detroit! Ah, pengu i nënës dhe i babës! Shpirti dhemb….

        …Marashi, sikur nuk do t’ia dijë për 90 vitet e jetës, qëndron si lis, pa u përkulur aspak nga pesha e viteve.Memorien e ka  të kthjellët. I ulur përballë Flamurit kombëtar, ai nis të më tregojë për jetën e tij 90 vjeçare. Në ballë të dhomës së pritjes, përbri Flamuri Kombëtar, është vendosë një polifoto me 5 portretet e familjarëve: Në qendër është baba i tij Nue, i rrethuar nga djemtë: Nikolla, që vdiq nga vuajtjet e diktaturës, 20 vjet burgim dhe po aq internim,vdiq pak ditë pasi doli nga burgimi i dytë, Rroku, që ka ndërruar jetë në SHBA dhe më tej, të gjallët: Marashi dhe Pjetri….

 Trokas në memorien e  këtij burri të moçëm, që vjen nga fisi i qëndresës antikomuniste kelmendase dhe kërkoj gjurmët e  jetës së tij…

    Nga fëmijëria e largët ai sjell ndërmend rrëfimet e të atit për qëndresën e Kelmendit ndaj sllavëve, që e kallën në flakë dhe e mbytën në gjak Kelmendin, por që kurrë nuk e pushtuan, po ashtu dhe turqit, nuk arritën ta bënin për vete Kelmendin, as italianët e gjermanët, ndërsa nga rinia e vet sjell imazhet e luftës dhe qëndresës kundër komunistëve, që deshën ta nënshtronin me dhunë Kelmendin. Në sytë e tij u zhvillua lufta vëllavrasëse e Kelmendit, Janar 1945. Ishte i ri 18 vjeçar atë kohë. Memoria e tij është e mbushur me pamje makabre: përgjime,kurthe,arrestime, vrasje, pushkatime, dëbime….

– “Lufta e Kelmendit” e ndau përgjithmonë Kelmendin nga komunistët, thotë Marashi…

     Historianët ende diskutojnë , debatojnë dhe kundërshtojnë njëri-tjetrin nëse ishte apo nuk ishte Kryengritje ajo përballje e përgjakshme e Kelmendasve me diktaturën që po instalohej dhunshëm. Ç’donin forcat e  ndjekjes në Kelmend? Nga kush do ta çlironin kurorën e trimërisë shqiptare? Gjermanët kishin ikur me kohë.Por ç’mund të ishte tjetër ajo luftë, ku pati 83 të vrarë (pushkatuar), 69 të plagosur, më shumë se 30 shtëpi të djegura, dhjetëra kelmendas të arrestuar, dhjetëra të burgosur,qindra të dëbuar në kampet e internimit(kampet e vdekjes)? Që nga paslufta e Kelmendit, Kelmendasit, nisën kalvarin e vuajtjeve nëpër burgjet e diktaturës dhe kampet e internimit. Komunizmi u përpoq t’ua mposhtëte krenarinë e maleve, por ata nuk u nënshtruan.Tipik është Nikolla, vëllai i Marashit…

    Pikërisht pas luftës së Kelmendit e morën ushtar Marash Mrnaçajn dhe vëllanë Rrokun. 200 djem të Kelemndit i ngritën ushtarë menjëherë pas asaj lufte. Gjatë kohës së shërbimit ushtarak, plot 3 vjet,(5 vjet e bëri ushtrinë vëllai i tij,Rroku), Marashi kujton përplasjet e  forcave të ndjekjes me forcat nacionaliste. Sjell ndërmend qëndresën e Muharrem Bajraktarit dhe ndjekësve të tij, rrëfen për vrasjen e Destan Rexhepit e trimave të tjerë nacionalistë.Ishte dhe ai ushtar në disa nga përndjekejt e Bajraktarit trim.

–   Ishte trim me eksperiencë dhe i zgjuar Muharrem Bajraktari. Dinte të ruhej, tregon Marashi dhe kujton një moment, kur  forcat e ndjekjes, kanë kapë të plagosur djalin e Bajraktarit,që e transportuan deri në Kukës të gjallë. Aty ka ndërruar jetë.

 Shkuan pas gjurmëve drejt e tek vendqëndrimi i Muharremit (duket se u dekonspirua nga një zjarr i ndezur ditën për të gatuar). Një spiun kishte raportuar. Komandanti partizan urdhëronte ushtarët: Nëse ndokush kthehet mbrapsht kur ta rrethojmë, kam për ta vrarë unë me këtë kobure, dhe kishte çuar dorën në brez. Po ç’ndodhi? Muharremi nuk qëndronte në një vend me luftëtarët e tij, por pak i larguar, përgjonte, madje edhe kur flinin luftëtarët e tij, ai qëndronte zgjuar për t’iu ruajtur ndjekjësve. Dhe përdorte mjeshtrisht bombat për të çarë rrethimet. Kështu ndodhi dhe atë ditë. Plumbat e Muharrem Bajraktarit palosën për tokë të parin komandantin partizan….Thoshin, se Muharrem Bajraktari vriste vetëm oficerë nga forcat e ndjekjes, jo ushtarë… Kur kisha kaluar në perëndim, tregon Marashi, shkova dhe e takova në Bruksel Muharremin dhe biseduam gjatë. Ia tregova se si e kisha përjetuar kohën kur ai përndiqej maleve të Shqipërisë.Gjatë bisedës sollëm hollësi nga ato ngjarje. Në fund, kujton Marashi, i thashë:- A je gati të kthehemi tash e të shkojmë e të luftojmë komunistat? Unë bëhem ushtar i juaj…Ai ma ktheu: -Nuk është nevoja, bir, se ata po vrasin njëri-tjetrin. Nuk e kanë të gjatë…. 

ARRESTIMI I VËLLAIT, NIKOLLËS

Tregon Marashi: Në vitin 1952 arrestuan vëllanë, Nikollën, babanë e Markut. Ngjarja ndodhi kështu:Ishte i sëmurë Nikolla, qëndronte i shtrirë në shtresa. Vjen komandanti i Postës së Tamarës me pesë ushtarë.E presim. Kishte ardhë dhe herë tjetër.I uruam mirëseardhjen si zotë shtëpie. Ngrihet dhe Nikolla nga që ishte shtrirë nga sëmundja dhe i jep dorën.Ai menjëherë ia kthen:

– Kam një fjalë me ty, Nikollë!

 Çohet Nikolla dhe pa u veshur, me këmishë, i shkon pas.Minutat mezi kalojnë. Ne po prisnim në ankth, pse u vonuan? Kur vjen motra e dytë nga që kishte shkuar për të mbushë ujë, dhe e zbehtë në fytyrë, duke iu marrë fryma, na pyet:- Çfarë ka bërë Nikolla, që e kanë lidhë?

– Ku?,- e pyesim ne të shqetësuar….

– E kanë lidhë tek shkambi…thotë ajo.

Marashi kujton detaje nga ngjarja: Ishte një strehëz shkëmbi, poshtë shtëpisë, atje e kishin lidhë. Pas pak vjen tek ne, në shtëpi, komandanti me dy ushtarë, dy të tjerët i kishte lënë për të ruajtë Nikollën. Na jep urdhër të gjithëve që të dilnim jashtë sepse kishte urdhër të kontrollonte shtëpinë. Mori veç nënën Mrikë dhe nisi kontrollin. Gjeti vetëm një armë gjahu,(që Marashi e kishte me leje).E morën armën. Gjetën 2-3 libra fetare në gjuhën italiane, që i mbante Nikolla dhe ato i morën, pa e ditur se ç’ishin. Shkuam atje ku ishte Nikolla, por çfarë të shihnim: Gati kishte ngrirë prej të ftohtit. Edhe teshat që i çuam nuk po i vishte dot vetë, e ndihmuam. U ndamë me lot ndër sy. E morën duarlidhur dhe shkuan…

        …Po vazhdonte reprezalja komuniste. Bashkë me Nikollën kishin arrestuar dhe 12 të tjerë atë natë. Kishin arrestuar edhe një grua me katër fëmijë. Të nesërmen i pamë kur po i largonin varg.Ajo grua me katër vocrrakë ta këpuste shpirtin. Ç’faj kishin ata fëmijë, po nëna e tyre? Kishin ardhë më shumë se 50 forca policore me kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, sadistin Ilmi Seiti.

– Po përse e arrestuan Nikollë Mrnaçajn, çfarë kishte bërë?- e pyes Marashin.

– Kurrgja. U akuzua se kishte bashkëpunuar me fashizmin. Si shumë të tjerë ,në kohën e pushtimit Italian, Nikollën e kishin ngritë ushtar në vitin 1939(njësoj siç ngritën komunistët Marashin dhe Rrokun më 1945-46). Më pas, Nikollën, e kishin angazhuar me Gardën Italiane së bashku me shumë shqiptarë të tjerë. Më pas e kanë çuar në Torino. Pushtimi gjerman bllokoi rrugët e kthimit dhe ai mbeti rrugëve të Italisë. Kur u hapën rrugët, u kthye si shumë të tjerë në Selcën e tij, ku pat lindë, dhe kjo ishte e gjithë veprimtaria”fashiste” e Nikollës, që as vrau e as preu kënd, por regjimit komunist i duhej armiku për të terrorizuar Kelemendin. E dënuan 15 vjet Nikollën, bëri 10 vjet. E torturuan më shumë se 6 muaj në hetuesi.Hetuesia kishte qenë tepër e rëndë. I kërkonin të pranonte faje që nuk i kishte kryer. I kishin shkulur thonjët.Gishtërinjët i ishin shtremëbruar ,përthyer nga torturat, që prodhonin hetuesit sipas shkollës bolshevike. Burgimi ishte i rëndë, punonin si skllevër, e torturoheshin gjatë punës. I kaloi vitet e burgut në kampet-burgje të Vlashukut, Semanit, Rinasit, Lushnjës, Urës Vajgurore etj.

“KURTHI” I PUSHTETIT DHE ARRATISJA E MRNAÇAJVE

Ndërkohë që po afrohej lirimi i Nikollës,i kishte mbetë 1 muaj e gjysëm, që të plotësonte dënimin, familja merr sinjale nga miqtë e vet, që ishin afër pushtetit, se po përgatitej kurthi i arrestimeve të reja për burrat e asaj shtëpije. Sinjali u dha hapur kur në një mbledhje rinie në Tamarë,e nxjerrin jasht vëllanë e Marashit, Pjetrin. Në atë mbledhje merrte pjesë edhe Kryetari i degës së Brendshme të Shkodrës Ilmi Seiti. I thonë Pjetrit:- Dil jashtë,ti Pjetër, por mos shko në shtëpi para se të dalin shokët.

Një shok i Pjetrit, kur del nga mbledhja, i thotë:- kujdes, duhet të ikësh.

Kumti është marrë. Ata kanë diskutuar për Mrnaçajt gjatë mbledhjes.Furtuna po afronte.

Pas kësaj vjen një mik tjetër i familjes,që kishte marrë pjesë në mbledhje dhe i paralajmëron:Kujdes, jeni në shenjë!

      Kujton Marashi: Në prag të festës së 29 Nëntorit që bënin komunsitët, na thirrën ata të Këshillit dhe na kërkuan që t’u jepnim kontribute për festën e çlirimit. Baba më paralajmëroi që të mos kundërshtonim, por të jepnim gjithçka,që ata do të kërkonin. Kërkuan dy dhi me nga mbi 25 kg mish, 5 kg djathë, ushqime të tjera, raki etj.Ua dhamë të gjitha.

      Rrëfimi i Marashit është drithërues: Pas shumë sinjalesh që na erdhën, dhe vetë po e shihnim, se po na shtërngohej konopi. Çfarë të bënim? Problem ishin prindërit e moshuar, babai Nua ishte gati  90 vjeç, nëna pak më e re, por e plakur dhe ajo…. A do të mundnin ata ta përballonin rrugëtimin e vështirë nëpër male të thepisun në mot të ashpër dimëror? Pjetri më tha me vendosmëri: Gjallë a vdekë, unë do të iki! Ma mirë i vdekun se në burg!

 Bisedonim vëlla me vlla, kujton Marashi: Ç’vendim të merrim? Vëlla Rroku propozoi që të qëndronim, le të arrestoheshim ne, burgu për burra është, por shpëtonin pleqtë. Po kush na siguronte që dhe ata nuk do t’i syrgjynosnin në ndonjë kamp internimi në atë moshë? Aty nuk mund të qëndrohej sepse dera e burgut ishte hapë për të gjithë. Si t’ia thonim babës ikjen? -Unë e pata të vështirë, thotë Marashi.E mori përsipër Pjetri t’ia thoshte. E thirrëm babën dhe Pjetri ia tha copë: Babë, kemi dy rrugë; ose të presim të na çojnë tek Nikolla në burg, ose të ikim, të arratisemi. 

Baba u mendua dhe na tha: Ikim, në mundshim me kalue ,mirë. Edhe nëse më gjenë gjë,mua plakun, më shtini rrëzë ndonjë gardhi matanë kufinit, dhe e keni kryer detyrën…Këtu nuk rrihet ma…

    E poqëm mendimin dhe ndërtuam planin e arratisjes. E shoqja e Nikollës, Dranja me të bijën, Diellën, nuk u ndodhën në Selcë, kishin shkuar në Vermosh, tek familja e vëllait të saj. Në ato kushte nuk kishte kohë për ti marrë me vete, nga që vendimi u mor aty për aty.Pasatj, duhej folë dhe me Nikollën.Në mëngjes baba dhe vëllau nxorën bagëtitë në kullotë dhe i afruan sa më pranë pikave të lejushme të kufirit. Ushtarët ruanin dhe vështronin me dylbi gjatë të gjithë kohës duke kontrolluar lëvizjet e njerëzve dhe të bagëtive. Në mbrëmje, kur ra errësina, vëllau la babën afër kufirit me gjysmat e bagëtive dhe gjysmat i ktheu në shtëpi. Ishte alibia për ikje.E kishim menduar mire lojën: Ne dinim me saktësi kohën dhe vendin ku ndërroheshin rojet. Ndërrimi i shërbimit bëhej pranë burimit, ku mbushnim ujë. Pikërisht në këtë moment bëhemi gati me gra e fëmijë dhe marrim rrugën nëpër natë. Kishim të fshehura dhe dy pushkë. Një i ishte lënë babës tek kullota me delet, tjetrën, e mora unë, tregon Marashi. Ishte 21 Dhjetor 1959….

Po si mundët të largoheshit?, e nxis rrëfimin e bashkëbiseduesit.

-Zoti e di se si shpëtuam…dhe Marashi e sjell në kujtesë atë udhëtim që normalisht, po ta bëje ditën, nuk ishte më shumë se 1 orë larg, por atyre u kushtoi jo pak, por 22 orë…

Marashi tregon: Dolëm nëpër natë dhe me kujdes, pa u ndjerë, u kaluam pas shpine rojeve, që po ndërroheshin tek burimi. Pasi u bashkuam me babën e morëm bagëtinë përpara, ecnim ngadalë. Ishte frikë e madhe sepse kishim edhe dy fëmijë të vegjël, njërin 3 vjeç dhe tjetrin 9 muajësh. Po sikur ata të qanin? Gjithçka përfundonte aty…Ishte terr i thellë. Ecja nëpër pyll u vështirësua shumë. U hymë në hak edhe mushkave të ngarkuara, ato pengoheshin nga degët e pemëve. Asgjë nuk shihej para këmbëve. Hapat hidheshin kuturu. Vdekja përgjonte në çdo hap. Rrëzoheshim, ngriheshim me mundim dhe vazhdonim.  Qëndruam pak se menduam, ndoshta do të na ndihmonte hëna që duhej të lindëte në ato çaste, por për fatin tonë të keq, terri u shtua, ia nisi shiu. Ecja u vështirësua shumë.

    Marashi, kujton se kishte një elektrik të vogël, me të cilin ndriçonte para këmbëve që të vazhdonin mundimshëm ecjen. Pas shiut nisi bora.Keq e më keq. Dukej se po përjetonim një tmerr ferri. Fëmijët kishin ngrirë, duart u ishin ënjtur. Nisën të qanin. Diku, gjatë ditës së nesërme, rrëzë një shkëmbi,u përpoqëm të ndezim zjarrin, nga që fëmijët nuk pushonin së qari, por ishte e vështirë, lagështia, bora pengonin. Na ka parë në ato momente një treshian dhe na është ofruar. Duke zbërthyer fishekët, u morëm barutin dhe e ndezëm zjarrmin. Treshiani, që u përvëlua nga baruti, na tha se duhej të lëviznim sepse ushtarët shqiptar vinin deri aty për kontroll. Në ato çaste na doli dhe një problem me bagëtinë, që na u kthyen mbrapa, hynë në pjesën shqiptare. Shkoi treshiani dhe i ktheu mbrapsht. Pastaj erdhi dhe na mori e na çoi në shtëpinë e vet në Bekaj të Trieshit. Morëm frymë të lehtësuar. Ishim të lagur deri në kockë. Na veshën me rrobat e tyre, edhe pse na rrinin të mëdhaja, nga që ata ishin trupmëdhenj.Na ushqyen. Pasi e kishim marrë disi veten, mikpritësi njoftoi policinë malazeze. Na shoqëruan gati 20 trieshianë për në zyrat e policisë. Fëmijët vazhdonin e qanin nga që trupi u ishte ënjtur e fytyrat u ishin bërë plagë. Bagëtinë, s’mund ta merrnim me vete, ia lamë atij që na kishte ndihmuar. Na çuan në Titograd, ku na mori në pyetje UDB-ja. Çdo i rritur i qëndronte më vete në një dhomë, ku ballafaqoheshin përgjigjet e intervistave që na bënin. Pyetjet vazhduan për dy javë.

UDB-a dinte gjithçka për ne, tregon Marashi, dhe shton; madje më provokuan edhe për një ngjarje që kishte ndodhë 6 muaj para arratisjes.

– Çfarë mbanë mend se të ka ndodhë 6 muaj më parë?… Kishin ndodhë shumë ngjarje, ç’tu thosha më parë? Ata më orientuan. U kujtova. Ja ç ‘kishte ngjarë: Marashi me vëllanë kanë zbritë në tregun e Shkodrës me shitë disa dele,që të blenin grurë për bukë. Dikur kanë ardhë inspektorët e shtetit dhe ua kanë marrë me forcë bagëtinë,siç kanë sekuestrua dhe mallra të tjerë, edhe pse i kishin shlyer detyrimet e shtetit. Pas ankesës ua kishin kthyer sërish, por pazari nuk shkoi mirë atë ditë. Vetëm dikush iu dha një mundësi këmbimi të deleve me grurë, por pazari iu duk shumë i ulët. Më kot pritën deri në darkë. Kur po errej, menduan që të gjenin personin që u kishte dhënë pazarin e vetëm.Nuk mund të ktheheshin pa grurë. Me të pyetur e gjetën shtëpinë e personit, ishte vrakaçor. Shkuan në Vrakë, por kur e panë grurin që nga lagështia kishte marrë ngjyrën e gjelbërt, i thonë të zotit se ai grurë nuk mund të hahej, ishte i mykur. Unë këtë  grurë përdor, u tha ai, lajeni dhe thajeni. S’kishin rrugë tjetër, pranuan. Atë natë bujtën tek vrakaçori. Pikërisht aty u zhvillua  biseda për të cilën po pyeste intervistusi i UDB-së. E ka pyetë Marashin i zoti i shtëpisë:- Nga je, or mik?

-Nga Selca,- është përgjigjë Marashi.

-Sa larg e ke kufirin?

– Një orë,- i është përgjigj Marashi.

– Dhe ti vazhdon të rrish aty? Të isha si ti, do të ikja sa më parë, qoftë duke falë dhe dy fëmijët e mi…

– Ka hyrë dhe një tjetër në bisedë, unë do t’i falja të katër fëmijët e mi, vetëm të ikja….

Pikërisht këtë ngjarje e kishin verifikuar zyrtarët e UDB-së dhe e pyetën, e ripyetën Marashin, fill e për pe’ se si u zhvillua biseda…Pastaj kanë qeshë me të madhe, si si? Të katër fëmijët do t’i jepnin për të ikë nga ai ferr?…

      Pas formaliteteve Mrnaçajt i lanë të qetë. I vendosën në Titogard. Marashi dhe vëllezërit ishin të zotë të punës. Punonin fort dhe fitonin. Digjnin gëlqere edhe pse ishte me rrezik për shëndetin, veçanërisht për mushkëritë, por s’kishte rrugë tjetër. U jepnin të zotërve të fshatit, ku merrnin lëndën, 1/3 e fitimit, por mbetej edhe për ta.Shtatë vjet qëndroi Marashi aty.Ndërtoi dhe shtëpi, sa ia patën zili vendasit, që i thoshin njëri-tjetrit: Si more, ky shqiptari i Kelmendit, tash erdhi dhe tash e ndërtoi shtëpinë?! Dhe shih sa të mirë!…

 Në vitin 1966 u largua vëllau,Pjetri për në Itali.Pas një viti shkoi edhe Marashi me familjen. Në shtëpinë në Titograd la vëllanë Rrokun me dy pleqtë. Më pas baba Nue ndërroi jetë në Titograd dhe u varros në varrezat e Tuzit. Më 1967 Marashi me familjen mbërritën në Nju Njork. Deri në vitin 1978 jetuan në Bronx, më pas blenë shtëpinë në Yonkers, shtëpi që e kanë ende. Punoi në një fabrikë që prodhonte rezistenca dhe mjete ngrohëse. Më pas ka hyrë si sikjuriti në një Bankë, ku punoi 20 vjet. Sot, kanë ndërtesa, që i japin me qera dhe ndjehet i kënaqur me jetën në 90 vjetorin e lindjes, teksa shtëpinë e ka plot me 14 nipër e mbesa, vetëm nga fëmijët e tij.

HISTORIA E NËNË MRIKËS DHE BURGOSJA E DYTË E NIKOLLËS

Marashi vijon rrëfimin: Pasi baba vdiq dhe u varros në Tuz, erdhi në Amerikë dhe vëllau Rrok me nënën Mrikë. Nëna kërkoi strehim politik. Shkoi djali tek avokati dhe u këshillua. Kur avokati pa datën dhe vitin e lindjes, tha se ky ishte rast i veçantë në të gjithë Amerikën, një 111 vjeçare kërkonte shtetësinë amerikane! Lajmi u përhap shpejt, gruaja më e moshuar, që kishte zbritë në Nju Jork, kërkonte të bëhej shtetase amerikane! Ishte viti 1974 kur ajo mbërriti në Nju Jork. Lajmi mori dhenë nëpër gazeta e Televizione, kur ajo brenda një kohe të shkurtër mori shtetësinë amerikane. Deklarta e nënës Mrikë: “dua të jetoj dhe të vdes e lirë në tokën e lirë amerikane”, kishte bërë xhiron e lajmeve. Shtetësia e saj u firmos nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Gerald Ford brenda në një kohe fare të shkurtër, duke e trajtuar si rast të veçantë. Ndërkohë që lajmi i 111 vjeçares bëri xhiron në mediat amerikane, Misioni Shqiptar në Nju Jork, raportonte në Tiranë: Mrika Mrnaçaj ka lënë shtetësinë shqiptare në moshën 111 vjeçare dhe është bërë shtetase e imperializmit amerikan….Makineria e diktaturës jep alarmin:Kujdes se do të ketë efekt lajmi tek të internuarit dhe të burgosurit!Merrni masa…Operativët lëvizën. Hetuesit bënë gati akuzat dhe hapën Dosjet. Përgatitet burgimi i dytë i Nikollës, djalit të Mrikës, që kishte mbetë peng i shtetit komunist, ku pas 10 viteve burg  prej 20 vitesh vuante internimin në Savër të Lushnjës me gjithë familjen.Përgatisin dëshmitarët e rremë dhe procesi montohet. Nikolla dënohet me 10 vjet burg. Nis sërish kalvari i ferrit.Kur i kishte mbetur dhe një vit e nxjerrin se ishte i sëmurë rëndë. Vdes sapo del nga burgu me 20 Janar 1989. I biri, Marku,arrin përmes një aventure plot vuajtje ta dërgojë arkivolin me trupin e babës për varrim në Shkodër, por u detyrua që ta varroste natën, nga që nuk ia dhanë lejën e varrimit.

Edhe të vdekur, ia kishin frikën, pat shkruar gazetari i ndjerë Bujar Muharremi, pas përmbysjes së diktaturës.

DËSHMORI I DEMOKRACISË NIK MRNAÇAJ

Kalvari i familjes Mrnaçaj, përgjakja e saj nga diktatura,burgosja dhe riburgosja e axhës së tij Nikolla, dhe së fundmi vdekja e tij me 20 Janar 1989, pas vuajtjeve nëpër burgje e kampe internimi, e kishin mbushur shpirtin e djalit të Marashit dhe të Mrijës, Nikës plot mllef kundër komunizmit. Veçanërisht pas vdekjes së Nikollës ai u bë më aktiv kundër shtetit komunist dhe dhe merrte pjesë në tubimet antikomuniste si në Nju Jork, Uashington, Michigan dhe kudo ku tuboheshin shqiptarët. Viti 1990 ishte plot shpresa për nacionalistët shqiptarë të Amerikës. Ata iu kundërvunë me të gjitha forcat shtetit komunist, që po përpiqej të kamuflohej. Pas tubimeve të fuqishme në Nju Jork(kur erdhi Ramiz Alia), një grup shkoi edhe në Michigan ku kryediplomati i shtetit komunist shqiptar në OKB, po organizonte një manifestim në mbrojtje të qeverisë komuniste që ishte në grahmat e fundit. Nika ishte në krye, por në kthim mdodhi tragjedia.Ishte 22 Janar 1990… Po sjell në këtë shkrim dëshminë që i pata marrë në maj 2015, kur po organizohej Dita e Lirsë shqiptare, për të 25-tin vit radhazi në White Plains, NY, bashkëudhëtarit të Nikës, Mark Tinaj, që e pa vdekjen me sy.

    Rrefimi i Markut: “Në Detroit kishte shkuar ambasadori i atëhershëm shqiptar, Bashkim Pitarka.Nika e mësoi lajmin dhe na ftoi që t’i bashkoheshim dhe të shkonim atje për të protestuar në mënyrë paqësore. Kemi shkuar në Detroit dhe konstatuam se situata ishte shumë e acaruar. Ne të Nju Jork-ut nuk morëm armë me vete se menduam të shmangnim ndonjë tragjedi,por kur shkuam atje pati provokime dhe shkrepje armësh në ajër. Kishte nga ata që na qëlluan me gurë të mbështjellë me borë. Gjithësesi ne ruajtëm gjakftohtësinë. Shmangëm sa mundëm përplasjen vëlla me vlla.Ambasadori Pitarka dështoi në misionin e tij falë qëndrimit burrëror të Nikës dhe të tjerëve. Kthimi ynë për në Nju Jork ishte tejet i vështirë.Bënte mot i keq. Rrugët ishin vështirësuar nga bora dhe ngrica. Aksidenti ndodhi diku në Pensilvani. Mbaj mend një shpërthim të fuqishëm,një goditje e rëndë që erdhi nga pas prej një traku të rëndë, ishte një zhurmë e frikshme, që ngjasoi me një shpërthim të fuqishëm ekspolozivi.Traku nuk qëndroi, iku. Erdhi policia dhe më nxori nga makina.Unë po thërrisja për Nikën. Policia kërkoi gjatë. Trupi i Nikës nuk po gjendej. Nga forca e shpërthimit ai kishte dalë jashtë makinës dhe kishte hyrë mes gomave të mëdha të trakut. E kishte tërheqë zvarrë…Ishte e tmerrshme….”.

Tregimi i Markut është tronditës, ende dridhej nga përjetimi i atij aksidenti që i mori shokun e tij. Ai përmend detaje që ta bëjnë shpirtin copë.Tregon se si e shpërndau lajmin përmes telefonit dhe si e përjetoi ngjarjen tragjike…

Nika u përcoll si hero. Ishte vetëm 31 vjeç. Ceremonia qe madhështore, e përvajshme, solemne. Në respekt të Nikës-hero, në maj të vitit 1990,u ngrit Flamuri kuq e zi, para zyrave të Bashkisë në White Plains të Nju Jork-ut. Ceremonia organizohet çdo vit në Parkun“Kensico Dam Plaza”, në Valhalla, Westchester, Nju Jork, duke ngritë Flamurin shqiptar përbri atij amerikan dhe familjes Mrnaçaj i dorëzohet proklamata e bashkisë.

    Emrin e dëshmorit të lirisë e mbanë edhe Shkolla e Mesme ne Tamarë, Kelmend, nga ku Nika qe larguar foshnjë 9 muajësh.

Pas rënies së diktaturës, presidenti i Qeverisë Demokratike shqiptare, dr.Sali Berisha  i akordoi më 1993, medaljen “Martiri i Demokracise” me motivacionin. :” Luftoi gjithë jetën në mërgim kundër ideologjisë komuniste me flamurin e luftës për liri e demokraci”….

*Per me shume fotografi, shko ne Facebook

Filed Under: Featured Tagged With: Dalip greca-Marash Mrnacaj-Nderroi Jete

Vetëvendosje dhe LDK pajtohen për krijimin e koalicionit qeverisës

October 10, 2019 by dgreca

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës pas një takimi të mbajtur të enjten janë pajtuar për fillimin e bisedimeve për krijimin e koalicionit qeverisës pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 6 tetor në Kosovë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, tha se janë pajtuar që të qeverisin bashkë me LDK-në.

“Kosova ka humbur shumë kohë dhe pritjet e qytetarëve janë shumë të larta. Pa humbur kohë ne kemi filluar bisedimet duke nisur me idenë e përbashkët për një qeveri sa më efikase dhe një shtet sa më të fuqishëm, synimi jonë është që t’i dalim zot nevojave të qytetarëve dhe ta orientojmë shtetin nga drejtësia, zhvillimi”, tha Kurti.

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre, Vjosa Osmani, tha se te dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë.

“Sapo zhvilluam takimin tonë të parë me LVV-në për të diskutuar mundësitë e bashkë qeverisjes. Sot kemi diskutuar në nivel të parimeve jo të detajeve më e rëndësishmja është se të dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë dhe vullnetin e mirë për të punuar në interes të qytetarëve”, tha Osmani.

Ajo ka shtuar se do të presin numërimin edhe të votave me postë, votave me kusht para arritjes së një marrëveshje finale.

Gjatë këtij takimi, Kurti dhe Osmani kanë bërë të ditur se është diskutuar sa i përket reduktimit të numrit të ministrive dhe zëvendësministrave. Po ashtu, ata kanë bërë të ditur se do të krijohen grupet punuese të të dyjave partive për të diskutuar detajet dhe për të harmonizuar programet.

Në takim ishte i pranishëm edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili përmes një postimi në Facebook ka deklaruar se do të punojnë për përafrimin e objektivave qeverisëse.

“Në ditët në vijim do të punojmë në përafrimin e objektivave qeverisëse, ndërkaq pasi të përfundojë krejtësisht procesi i numërimit të të gjitha votave dhe të dihet subjekti i parë, do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje për mënyrën e participimit në Qeveri. Vendimin përfundimtar për bashkëqeverisje do ta marrin organet përgjegjëse të LDK-së”, tha Mustafa.

Të nderuar qytetarë
U takuam sot me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti, diskutuam mundësitë e bashkëqeverisjes, LDK- VV, si dy subjekte që dolën fituese në këto zgjedhje. 
Në ditët në vijim do të punojmë në përafrimin e objektivave qeverisëse, ndërkaq pasi të përfundojë krejtësisht procesi i numërimit të të gjitha votave dhe të dihet subjekti i parë, do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje për mënyrën e participimit në Qeveri. 
Vendimin përfundimtar për bashkëqeverisje do ta marrin organet përgjegjëse të LDK-së. IM

Para nisjes së këtij takimi, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili në bazë të rezultatit të zgjedhjeve pritet të jetë mandatari i ardhshëm për kryeministër të Kosovës ka thënë para medieve se ky është fillimi i qeverisë së re.“Ky është fillimi i Qeverisë së re, po punojmë për koalicion qeveritar që do ta çkapë shtetin nga e keqja”, tha Kurti.

Në zgjedhjet e fundit, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani janë parë si dy figurat kryesore për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës. Ndërkaq, tani rezultati preliminar zgjedhor e favorizon për kryeministër liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti.

Ndryshe nga e kaluara, kur pas zgjedhjeve parlamentare ishin shënuar vonesa të theksuara në konstituimin e institucioneve qendrore, duke iu referuar zgjedhjeve të fundit të 6 tetorit, analistët politikë në Prishtinë nuk parashikojnë se do të ketë vonesa të mëdha.

Filed Under: Ekonomi, Featured Tagged With: Albin Kurti- Vjosa Osmani- Gati marreveshja

RRETH BOTËS ME MUZIKË…

October 9, 2019 by dgreca

-Mbresa nga koncerti në Boston i tre artistëve të shquar shqiptarë: Inva Mula, Olen Cesari dhe Genc Tukiçi-/

 Nga Fuat Memelli/*

“Rreth botës me muzikë ” kështu ishte titulluar koncerti  që dhanë të martë në mbrëmje tre artistët e shquar shqipttarë: sopranoja Inva Mula, violinisti Olen Cesari dhe pianisti e kompozitori, Genc Tukiçi .

Është një titull që i shkon koncertit të tyre, pasi prej vitesh ata krahas Shqipërisë, japin koncerte edhe nëpër botë. Në këtë mënyrë kanë nderuar jo vetëm veten, por edhe Shqipërinë, duke u bërë ambasadorë të kulturës e artit shqiptar. Koncerti i tyre në Boston, ishte i gjashti i dhënë në kontinentin amerikan, ku 2 prej tyre ishin në Kanada dhe 4 në Amerikë. Salla e “Regent Theater” ishte mbushur si rrallë herë. Rreth 500 shqiptarë kishin ardhur për të parë koncertin e bashkëatdhetarëve të tyre, nga Bostoni e qytetet e tjerë rreh tij.

Të them të drejtën në fillim kisha një merak se vallë do kete shumë shqiptarë, pasi ata ( mendoja unë) pëlqejnë më shumë muzikën e lehtë dhe atë popullore, por isha gabuar. Pjesëmarja e tyre e madhe , dëshmoi se ata e duan edhe muzikën operistike, edhe pianon. Krahas shqiptarëve kanë ardhur edhe shtetas të kombësive të tjera, miq të shqiptarëve. Fjalën e rastit e mbajti Edlira Athanas, e cila tok me Shoqatën “ Mass.Besa” ishin organizatorët e këtij koncerti. Para 4 ditësh Edlira përcolli për në botën e përtejme, babain e saj, tenorin e shquar, Gjoni Athanas .Kanë qënë ditë të ngarkuara për të, por ajo me kurjao i përballoi këto dy ngjarje të rëndësishme. Pianisti e kopmpzitori, Genc Tukiçi, ishte i pari që çeli programin. “Në fillim do të luaj një pjesë që ia dedikoj xhaxhait tim” theksoi ai. Më pas mësova se ai e quante xhaxha Gjoni Athanasin, shokun e ngushtë të babait të tij, Ibrahim Tukiçi. Gishtat e tij fluturojnë mbi tastierë. Rrugën artistike Davidi e ka nisur që në vogëli. I ritur në një familje artisti dhe i diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe pastaj në Shkollën e Muzikës në Paris, kariera e tij njohu ngjitje të suksesëshme. Krahas Shqipërisë, Davidi ka lualtur edhe në salla koncertesh të njohura si në Paris, Zvicër,Vjenë, Neë York, Romë, Londër, Luksenburg, etj.

 Më pas e ka rradhën violinist dursak, por edhe me nënshtetësi italiane, Olen Cesari. Luan në fillim një potpuri për violinë. Edhe ai tashmë nuk i përket vetëm Shqipërisë.Veç koncerteve në vendin tonë, ka dhënë edhe në Itali, Vjenë, Paris, Neë York, Madrid, Brazil,etj. Ai ka luajtur në violinë para tre papave si Gjon Palit të dytë, Ratzinger dhe papa Franceskut. Është fitues i disa çmimeve si ai i Komunitetit Europian, i çmimit ” Music Global Award” etj. Olen Cesari është një nga shëmbujt e emigrantëve shqiptarë që kanë shkëlqyer nëpër botë pas viteve ’90.

 Skena është pastaj për artisten e madhe me famë botërore, sopranon Inva Mula.e cila pritet me duartrokitje.”Jam e lumtur që kini mbushur sot këtë sallë. Unë do të këndoj në fillim këngën “Globi rrotullohet”.Të gjithë emigrantët më duken sot sikur kanë hipur në një glob që rrotullohet”. Në sallë jehon më pas zëri i bukur i sopranos. Kjo këngë e kompozuar nga babai i saj, artisti i madh, Avni Mula, na çon vite larg kur ajo u këndua në një nga festivalet e Radio Televizionit Shqiptar dhe u bë aq e dashur për publikun. Të gjithë e njohin sopranon tonë, vajzën e dy artistëve të shquar, Avni dhe Nina Mula, por dua them shkurt disa fjalë për karierën dhe vlerësimet për të. Pasi mbaroi Konservatorin e Tiranës e dha disa shfaqje të suksesëshme në Shqipëri, në vitin 1993 mer pjesë në një shfaqje të organizuar në Paris nga këngëtari i shquar  Plaçido Domingo dhe fiton çmimin e parë si soprano. Interpreton role të rëndësishme të operave botërore dhe jep shfaqje krahas Shqipërisë  edhe në Francë, Itali, Los Angelos, Bon, Ëashington, Neë York, , etj. Në Shqipëri krahas interpretimit si soprano, në dy pjesë ka qënë edhe si regjisore. Në vitin 2012 është nderuar nga presidenti i Republikës me titulline lartë “Nder i Kombit” , ndërsa në vitin 2016   është vlerësuar nga qeveria franceze me titullin “ Kalorëse e artit dhe letrave”, që është një titull shumë prestigjioz për artistët. Programi vazhdoi me një gërshetim të bukur të pjesëve shqiptare me ato të muzikës botërore. Olen Cesari na çon larg, duke luajtur në violinë një tango argjentinase, ndërsa Davidi luan në piano “Marshin turk” aq i njohur në botë. Inva na çon në muzikën italiane, duke interpretuar “Karuzon” të kompozitorit të shquar, Luçio Dala. “Karuzo  ishte një emigrant, thotë Nina dhe nëpërmjet tij kompozitori na sjell dashurinë e mallin e mërgimtarit për vendlinjen e tij, Italinë”

Një nga momentet kulmore të programit ishte homazhi që u bë për artistin Gjoni Athanas, ndarë nga jeta para disa ditësh në Boston.”Kam qënë e vogël kur e kam njohur Gjonin, tha Inva. Ai ka kënduar me dy prindërit e mi, ka kënduar edhe më Ibrahim Tukiçin, si dhe me Gjoni Athanasin. Ai u largua nga kjo botë por për ne do mbetet i paharruar”..Në një ekran të madh jepet pastaj një video montazh i përgatitur nga vajza e tij, Edlira. Ai këndon në fillim vetëm e pastaj me dy miqtë e tij, Avni Mulën e Ibrahim Tukiçin. Në mbyllje Gjoni këndon nga ekrani këngën “Lule borë”, e cila vazhdohet pastaj në skenë nga Inva dhe Edlira. Ka qënë amanet i Gjonit që kjo këngë të këndohet në koncertin e Invës dhe vajza e tij, Edlira, ia plotësoi dëshirën. Megjithë dhimbjen për babain, Edlira këndoi. Kështu u ka ndodhur  edhe disa artistëve tanë si dhe nëpër botë::u ka qëlluar të këndjnë ose luajnë në teatër, ditën që kanë patur vdekje në shtëpitë e tyre.

Në mbyllje Inva shoqëruar në piano e violinë nga dy miqtë e saj, këndoi potpuri këngësh korçare si dhe këngën e bukur” Vjata kalova, gjithë Arbërinë”. Tok me të këndon e gjithë salla. Programit prej afro dy orësh, i vjen fundi e artistët largohen por salla brohoret: “Duam prapë!”.Inva dhe muzikantët rikthehen e vahzdojnë edhe disa minuta. Duartrokitjet si dhe buqedat me lule, ishin shpërblimi më i madh për ta.

 Shumë pjesëmarrës nuk largohen pa bërë foto me Invën dhe artistët e tjerë. Para largimit i mora një intervistë Invës për mbresat nga kjo shfaqje:” Ka qënë një koncert që më emocionoi shumë, mua dhe kolegët e mi. Ishte një publik i jashtzakonshëm. Bostoni është një qytet që ka një histori të pasur dhe një sharm të veçantë. Ishte hera e parë që vija këtu, jo vetëm unë por edhe kolegët e mi. Homazhi që bëmë për Gjoni Athanasin, i shtoi edhe më tepër emocionet për ne. Ai ka qënë shok, mik , bashkëudhëtar në skenë me babanë e nënën time si dhe me babanë e Davidit. Kjo lidhje e Gjonit me prindërit tanë si dhe me  dy vajzat e tij, Edlirën  Mirelën,  ishte një emocion i dyfishtë”.’

I morëm ndonjë mbresë edhe disa nga pjesëmarrësve. Mark Kosmo, kryetar i Shoqatës “MassBesa”: Qe një koncert i jashtëzakonshëm. Ai më bëri që ta dua më shumë jetën.Tre artistët na dhanë energji të gjithëve dhe na bënë të jemi më të motivuar”.

Kubanezi Cesar Perez-Rodriguez, ish student i Universitetit të Harvardit, i martuar me Gledisin, vajzë shqiptare, u shpreh “ Ishte hera e parë që merja pjesë në një koncert të artistëve shqiptarë. U kënaqa shumë nga interpretimi i tyre dhe nga gërshetimi i bukur i muzikës shqiptare me atë botërore”.

Sterjo Shkodrani, piktor:” Na kishte munguar një koncert i tillë në Boston. Ata na sollën pranverë në këtë stinë të vjeshtës”. Mirupafshim Inva, Olen dhe David! Ju presim përsëri në Boston!

*Per me shume fotografi shihni ne Facebook Dielli vatra

Filed Under: Featured Tagged With: Fuat Memelli-Rreth Botes me muzike

VATRA, MIRENJOHJE PAS VDEKJES, PER MARK DUKAJ

October 9, 2019 by dgreca

FEDERATA PAN SHQIPTARE E AMERIKWS “VATRA” NDERON PAS VDEKJES TELEKRONISTIN, GAZETARIN MARK DUKAJ

Federata Pan Shqiptare e Amerikës “Vatra” nderon pas vdekjes tragjike gazetarin , fotografin dhe operatorin shqiptaro-amerikan Mark Dukaj.

Nga Lek Gjoka/

        Me 19 Shtator vdiq tragjikisht nga stuhia tropikale Imelda në Texas gazetari, fotografi dhe operatori Mark Dukaj, pjesë e komunitetit shqiptaro-amerikan në Jacksonville, Florida. Si të gjithë shqiptarët, kudo në botë, që u tronditen kur mësuan ketë lajm tragjik, edhe vatranët, kudo në Amerikë e Kanada, u tronditen pa masë.

Mark Dukaj si një malesor Kelmendi, siç theksoi në ceremoninë mortore, prifti shqiptar i komunitetit katolik shqiptar në Jacksonville Dom Govani, një nder krahinat me patriotike shqiptare ashtu edhe në gjakun e Markut pulesonte dashuria e madhe për kombin shqiptar ishte e madhe,- ai nuk qëndroi kurrë në heshtje por kontriboi për bashkimin e diasporës shqiptare të Amerikës. Edhe në Federatën Pan Shqiptare të Amerikës “Vatra” Marku me kameren e tij dhe me fjalën e zjarrtë dha një kontribut të çmuar.

Ai punoi me mish e me shpirtë dhe i qendroi pranë z. Adriatik Spahiu që ditën e pare të themelimit të degës së Federatës Pan Shqiptare të Amerikës”Vatra në Jacksonville Florida . Jepte ide dhe mendime të çmuara se si shqiptarët në Florida për të bashkimin e komunitetit pa dallime fetare, politike apo krahinore. Humbja e Markut është një humbje e madhe si për familjen ashtu edhe për Vatranët dhe shqiptarët në Jacksonville, ku Marku kishte përkthyer me qindra e qindra herë për bashkatdhetarët nëpër zyra shtetërore, emigracion, spitale apo marrjen e patentës së shoferit. Me të mesuar lajmin nga njerzit si dhe nga televizionët lokalë në Jacksonville Florida ku Marku kishte dhanë kontribut të çmuar për disa vite si fotograf, operator dhe gazetar kronike Vatranët u bashkuan me dhimbjen e madhe që pllakosi familjen Duka ka ikja e tij tragjike ka lenë jetim dy vajzat Noren e Lizën dhe djalin e vetem Kelmen të pagëzuar me emrin e krahinës trime nga i ndjeri Mark Dukaj vinte. Gjithashtu edhe diten e varrimit me 29 Shtator 2019 prezenca e anetarve të Vatrës ishte e madhe. Ata jo vetëm kryen homazhe, por i qëndruan afër familjes për ta ndihmuar dhe për t’ia lehtësuar dhimbjen. Përveç kurorave me lule nga familja vendosen kurorat e tyre edhe dega e Federatës Pan Shqiptare Vatra në Jacksonville Florida me kryetar z. Adriatik Spahiu, dega e  Vatrës në Michigan me kryetar z. Mondi Rakaj , Dega  në Tampa me kryetar z. Tasim Ruko si dhe dega e Vatrës në Fort Lauderdale me kryetar z. Kolec Ndoja . Gjithashtu mjaft anëtar të Federatës Pan Shqiptare Vatra kanë dhe një kontribut të çmuar financiare në fondacionin e hapur për ceremoninë e dhenies së lamtumirës së fundit z . Mark Dukaj. Z. Mark Dukaj ka marre pjesë edhe në konfercat vjetore të Vatrës të Nju Jork dukë kontribuar pa pushim për forcimin e kësaj Federate, pjesë e trashëgimisë së Kombit Shqiptar përmbi një shekull. Ndaj për kontributin e çmuar me propozimin të nënkryetarit të Federatës Pan Shqiptare të Amerikës” Vatra” z. Adriatik Spahiu, Kryetari i Federatës, z. Dritan Misho, e nderoi me “MIRENJOHJE” pas vdekjes z. Mark Dukaj  me motivacionin e meposhtëm : Federata Pan Shqiptare e Amerikës Vatra vlereson Z.Mark Dukaj pas vdekjes me : ” Mirënjohjen  për kontribut të çmuar në kulturen shqiptare të diasporës së Amerikës si dhe për ndihmen e mbeshtetjen e vazhdushme të Federates Pan Shqiptare të Amerikës” Vatra”.

Filed Under: Featured Tagged With: Lek -Gjoka- Mark Dukaj-Vatra Jacksonville

NJË KONCERT HISTORIK ME SHARM SHQIPTAR NË PALLATIN VIKTORIAN 200 VJEÇAR

October 9, 2019 by dgreca

NGA MARJANA BULKU/

Kjo muzikë lëvizëse përcjell ngado që shkon thirrjet e artistëve për më shumë dashuri e respekt për ndjesitë e bukura njerëzore që nuk duhen harruar ,duartrokitjet e artëdashësve të etur dhe të përmalluar për atë pjesëz të bukur shqiptarie që artistët dijnë ta përçojnë si rrallëkush . Skena bashkoi energjitë e veçanta të Sopranos Inva Mula e cila i ka kaluar caqet e artistes duke u shndërruar në një frymëzim ,nxitje dhe përkrahëse për këdo që me talentin, punën dhe këmbënguljen dëshiron të ndërtojë profil artistik. Teksa shikoja fotografitë e mjeshtrit të madh Ilir Rizaj ndjeva se këto ngjarje artistike kanë amplitutë të madhe në jetët tona këtu në Nju Jorkun gjigand. Pa të tilla akte nuk do mundësh kurrë të dallosh ato dhjetra e dhjetra efekte të bukura që derivojnë nga ajo skenë e thjeshtë por historike ku dekor janë vetëm tingujt dhe mjeshtria interpretative e cila në fotografinë e Rizajit e rikrijon ngjarjen , e vesh atë me mitin e asaj salle të lashtë ku kanë interpretuar artistë të mëdhenj e ku piano e vjetër aspak moderne merr jetë nga virtuozi Genc Tukiçi . Është një grup ku e ke vështirë të thuash kush është më i miri por lehtësisht mund të pohosh që Olen Çezari dhe violina e tij janë shpirti i tij. Shfaqja nisi me këngën “ Dhuratë për ditëlindje” ku globi dikur vetëm objekt studimi sot është rrugëtimi që na ka përpirë duam apo s’duam .Teksa Inva këndonte këtë këngë që eshtë pothuaj 50 -vjeçare lehtësisht vihej re që të gjithë regjistronin duke kënduar këto tinguj me të cilët jemi rritur. Dihet se çfarë emocionesh sjell artisti tek spektatori, por për të kuptuar se çfarë emocionesh përcjell publiku tek artistët në skenë besoj se ky ishte rasti. Një marrdhënie e rrallë e ndërtuar me artistë të vërtetë dhe publik dashamirës dhe elitar.

Minutat nuk ndjehen madje koha ka peshë dhe vlerë tjetër kur mardhënia midis skenës dhe audiencës është e tillë dhe kaq e plotë e me kualitet  por kur zhanret muzikore ndërthuren duke alternuar maturimin artistik të Inva Mulës me lulëzimin në shpërthim të Ana Goljes e cila kishte ardhur enkas nga Toronto për këtë event , natyrshëm që kënaqësia zëvëndësohet nga kureshtja për artisten e re shqiptaro -kanadeze e cila po ngjit shkallët e rrugëtimit të saj artistik me zërin e thellë dhe interpretimin e bukur dhe me thjeshtësinë dhe maturinë që e karakterizon në jetë dhe në skenë.

Edhe pse koha fluturon nëpër tinguj ariesh e serenatash zërat e bukur janë ato që e sjellin të kulluar edhe fjalën edhe tingullin e pastër të sopranos Dëshira Ahmeti e cila së bashku me bashkëshortin e saj artist Arjan Kërliu ishin organizatorët e kësaj mbrëmje të paharruar . Të zëri i kthjellët i Dëshirës qëndron pjekuria e një artisteje që artin e ndan mes Nju Jorkut dhe atdheut të saj nga ku vjen dhe shkon por këtë herë duke na premtuar se shfaqje të tilla nuk do të na mungojnë në të ardhmen.

Fotografia e mjeshtrit Ilir Rizaj rrëfen edhe një herë përmasën historike të një nate muzikore ku artistët e mëdhenj kaluan orë të paharruara në një sallë që shndërron në histori çdo akt që buron nga arti i bukur.

E në fund të gjithë kënduan lule bore këtë hit të çdo familje shqiptare mu në zemrën e nje salle gjigande historike njujorkeze që jehoi shqip.

Filed Under: Featured Tagged With: Koncerti ne Brooklyn

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 305
  • 306
  • 307
  • 308
  • 309
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT