• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ditët e Shën Nënë Terezës/-Katedralja në Prishtinë organizoi Akademi

August 27, 2019 by dgreca

Ditët e Shën Nënë Terezës/

-Në 26 Gusht 2019, Akademi për Ditëlindjen e Shën Nënë Terezës në 40 vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe (1979)/

-Shqiptarët nga Amerika – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollar/

–Ilir Marjan Cubi, një nga emrat e vatranëve nga SHBA në korniza dritaresh të Katedrales Shën Nënë Tereza, këtë verë e takuam në Prishtinë të sapoardhur nga Nju Jorku/

-Vatranë, shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tradicionalisht verave vijnë në Shqipëri, Kosovë e viset tjera shqiptare…/

-Katedralja Nënë Tereza në Prishtinë nisi të ndërtohej në 26 Gusht 2005,  Presidenti historik  Dr. Ibrahim Rugova në vënie të gurthemelit: Ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën… Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj Katedraleje/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 25 Gusht 2019/ Në Kosovë, Katedralja Shën Nënë Tereza në Prishtinë organizon Akademi për të shënuar  40 vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe (1979) të Nënë Terezës, në ditën e lindjes së saj, në 26 Gusht 2019, ditë e hënë. Akademia fillon në ora 19:30 në Qendrën “BogdaniPolis”, që gjendet nën Katedrale.

Ky aktivitet shënon edhe fillimin e ditëve të Nënë Terezës që do të zgjasin deri në 5 Shtator, kur kremtohet ditëfesta liturgjike e Shenjtëreshës në Katedralen e Prishtinës, që i kushtohej asaj.

Sipas programit, Akademia nis me leximin e dy teksteve të Nënë Terezës –  

“Unë e kam në zemër Popullin tem shqiptar” dhe “Vendi im”, interpretuar nga aktorja Arijeta Ajeti.

Në vijim  nga Lule Brahimi dhe Kori i Studentëve interpretohet kënga  “Nënës së mirë – Porosia” 

Pjesë e programit është edhe promovimi i librit të Don Lush Gjergjit “E kam në zemër popullim tem Shqiptar. Bisedime me Shën Nënën Tereze”,  botuar nga “Drita” më  2019. Flet Visar Zhiti, shkrimtar.

 Vijohet me poezi dhe lexim: “Duaje Jetën”  dhe “Pjesë nga Fjalimi i Nënë Terezës në Shenjtëroren e Letnicës” (interpreton Arijeta Ajeti, aktore). 

Këngën “N’Cërnagore kem një Nanë”   e interpreton Kori i Studentëve.

Programi vazhdon me kumtesën “Nënë Tereza – Nobelistja e Çmimit Nobel për Paqe” nga Xhavit Beqiri, professor,  dhe me fjalën përmbyllëse “Pse ky libër i ri për Nënë Terezën”, nga Don Lush Gjergji, biograf i Nënë Terezës.

 “Për të gjithë pranishmit do të shtrohet koktej rasti në pjesën e Qendrës “Agora”, për të festuar ditëlindjen e Nënës sonë”, theksohet në fund të programit të Akademisë për Ditëlindjen e Shën Nënë Terezës në 40 vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe.

E lindur në 26 Gusht të vitit 1910 në Shkup, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu u bë Motra Tereze e Loretos në vitin 1929; Nënë Tereza – Misionare e Dashurisë ne 1950-tën; Nobelistja e Paqes në 1979-tën, e Lumja Nënë Tereza  në 2003-tën dhe Shën Nënë Tereza  në 2016-tën.

Në 10 Dhjetor 1979, sipas raportimit në atë kohë të gazetës tradiconale të Kosovës Rilindja,  Nëna Terezë, pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…”

Shugurimi i Katedralës Nënë Tereza u bë para dy viteve – në 5 Shtator 2017, në ditën e 1 vjetorit të shenjtërimit e të 20 vjetorit të kalimit në amshim të Shenjëtëreshes Shqiptare. Shumë solemne dhe madhështore ishte festa, mesha e shugurimit të Katedraljes-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe shqiptarësh-vatranësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet. Madje, ishte edhe pjesë e celebrimit në meshën solemne të shugurimit Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, njëherësh  arkëtar si dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, i cili kishte ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Dila.

Shqiptarët nga Amerika – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.

Brenda Katedralës në meshën solemne të shugurimit nga vatranët e SHBA ishte edhe Zef Balaj,  anëtar i Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, që kishte ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Lina, anëtari i Këshillit të Vatrës, Lek Përlleshi, me bashkëshorten Vera, anëtari i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, Fran Marku, si dhe Nue Balaj, nip i Zefit, Tomë Paloka që do e botonte së shpejti librin “Shqiptarët më të mirë në Amerikë që i njoha unë”…

Në 31 Gusht 2017, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, vatranët nga Amerika i ka pritur në takim në Ipeshkvi dhe i ka shoqëruar në vizitë Katedrales.

 Mbrëmjen e 4 Shtatorit 2017, pas meshës Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës në Kishën e Shën Ndout në kryeqytet, Ipeshkvia e Kosovës ftoi edhe në darkën e falënderimit për donatorët e ndërtimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë.

 Edhe në ditën e 16 Gushtit 2016 një delegacion i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra në Ipeshkvinë e Kosovës  dhe në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë u prit plot përzemërsi, repekt e vlerësim nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.

Në delegacionin e shqiptarëve të ardhur nga SHBA ishin Agim Rexhaj, zv/kryetar i Vatrës, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e  fondeve për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, si dhe Laura Rexhaj, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj.  Gjatë gjithë kohës isha edhe unë – korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Gjergji falënderoi dhe vlerësoi lart të gjitha kontributet dhe njoftoi delegacionin e Vatrës me të gjitha punët e kryera në Katedralen Nënë Tereza.

Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji vlerësoi lart organizimin dhe kontributet e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra,  të gjithë vatranëve.

“E vlerësoj veçantë mënyrën e organizimit tuaj, të Vatrës, nga të gjitha trojet shqiptare së bashku…Vatra është edhe vatër e të mirave dhe kontributeve të mëdha për kombin”, u shpreh Ipeshkvi i Kosovës.

Në vitin 2017, që në nisje të “Ditëve të Nënë Terezës” në 26 Gusht, në Katadrale, si dhe në ekspozitën “Shenjtorja shqiptare nga Shkupi – korrespondenca”, të hapur në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, ishin të pranishëm edhe vatranë të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, mes të cilëve i ardhur enkas bashkë me bashkëshorten Dila, Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Vatres.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji në fjalën përshëndetëse  në hapje të “Ditëve të Nënë Terezës”  vlerësoi lart të gjitha kontributet, ndërsa takoi e falënderoi vatranët edhe gjatë koktejit. 

“Dua me këtë rast të falënderoj të gjithë donatorët, që na kanë ndihmuar për ndërtimin e kësaj Kishe, ata që janë sot prezentë e ata që do të jenë me 5 Shtator”, u shpreh Ipeshkvi Gjergji.

“Do të vazhdojmë me kontributet”, shprehej vatrani Zef Balaj që është biznesmen e donator, si edhe veprimtar i çështjes kombëtare, derisa shihte se ende punohej në Katedralen  Nënë Tereza.

Nën një nga dritaret e Katedrales, në kornizë, shihte të shënuar emrin e tij, i vinte mirë për këtë që është edhe si shenjë mirënjohje, ndërsa thoshte se nuk është vetëm ai kontribues, se do donte të jenë edhe emrat e vëllezërve: Gjelosh, Pjetër e Zef Balaj.

Te dritaret e Katedrales ka edhe emra të tjerë kontribuesish, vatranësh nga SHBA, mes të cilëve: Ilir Marjan Cubi… Ilirin me zonjën e tij dhe dy fëmijtë e tyre këtë verë në  29 Korrik 2019, i takova në Aeroportin e Prishtinës, të sapoardhur nga Nju Jorku, prej nga për mua – korrespondentin në Kosovë kishin sjellë shpërblimin e përvitshëm nga Federata Gjithë-Shqiptare e Amerikës VATRA dhe organi i saj Gazeta DIELLI në vitin e jubileut të 110 vjetorit të saj – më të herëshmes gazetë shqiptare në gjithë botën.

Vatranë, shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që tradicionalisht verave vijnë në Shqipëri, Kosovë e viset tjera shqiptare, ka vite që priten e i takojmë edhe në Katedralen Shën Nëna Terezë në Prishtinë. Në Katedrale në 1 Gusht 2018 Kisha Katolike në Kosovë organizoi Ditën e Diasporës, ku erdhën edhe vatranë nga Nju Jorku – bashkë me bashkëshorten Dila erdhi Marjan Cubi, si githnjë të mirëpritur nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili i priu Meshës solemne në bashkëmeshim me meshtarët dhe misionarët që shërbejnë në diasporën shqiptare, si edhe nga Vikari Gjaneral, Mons. Lush Gjergji dhe të gjithë.

Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 Gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.

“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.

“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj Katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.

Në vitin 2003, më 19 Tetor, Presidenti Ibrahim Rugova në Vatikan ka marrë pjesë në ceremonitë e lumturimit të Nënës Tereze, misionares shqiptare Gonxhe Bojaxhiu me origjinë nga Kosova, lindur në Shkup. Para më se gjysmë milioni njerëzve, në sheshin Shën Pjetri në Vatikan, Papa Gjon Pali i Dytë ka lumturuar Nënën Terezën, së cilës Vatikani iu referohet si “Nënë Tereza e Kalkutës”.

Në Vatikan, në 20 Dhjetor 2003, ditë e  shtunë, Ati i Shenjtë Papa Gjon Pali II-të e priti në audiencë Presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën. Audienca, që zgjati rreth 20 minuta, ishte shumë e përzemërt.


Në fillim Presidenti Rugova e falënderoi Papa Gjon Palin II për beatifikimin e Nënës Tereze. Pastaj, Presidenti Rugova e njoftoi Atin e Shenjtë me progresin që është arritur në Kosovë në të gjitha fushat e jetës.

Presidenti kërkoi nga Ati i Shenjtë që që të lutet dhe të ushtrojë ndikimin e tij për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës.


Presidenti Ibrahim Rugova e njoftoi Papa Gjon Palin II me përgatitjet që po bënte Ipeshkvia e Kosovës për ndërtimin e Katedrales në Prishtinë.


Ati i Shenjtë e vlerësoi progresin që është arritur në Kosovë dhe shprehu interesimin e tij për shumë çështje të zhvillimeve pozitive në Kosovë.


Gjatë audiencës, Ati i Shenjtë e përmendi edhe Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, Heroin Kombëtar të shqiptarëve.


Presidenti Rugova ia uroi Papës Gjon Pali II Këshëndellat dhe Vitin e Ri, duke i dëshiruar shëndet dhe jetë të gjatë. Poashtu, edhe Ati i Shenjtë i uroi Presidentit të Kosovës Kërshëndellat dhe Vitin e Ri.


Në fund të audiencës, Presidenti Rugova i dhuroi disa dhurata Papës Gjon Pali II: Medalonin e Nënës Tereze, Medalonin e Lidhjes së Prizrenit, si dhe kristale të çmueshme të Kosovës.

Ati i Shenjtë i dhuroi Presidentit Rugova Medalje Papnore të punuara me rastin e 25 vjetorit të shërbimit të tij si Papë.


Pas audiencës tek Ati i Shenjtë, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova u prit nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Hirësia e Tij, Kardinal Anxhelo Sodano, me të cilin pati një bisedë të gjatë miqësore e përmbajtësore.

Edhe 10 vite më herët, më 11 Mars 1993, Shenjtëria e Tij, Papa Gjon Pali II priti në audiencë Presidentin Rugova nga i cili mori një Promemorie për çështjen shqiptare. Po më vitin 1993, më 27 Prill gjatë vizitës së Papa Gjon Palit II në Shqipëri, Presidenti Rugova është takuar me të në Tiranë dhe i ka dhuruar një gur nga muret e qytetit të Ulpianës në shenjë kujtimi për dy martirët e krishterimit, Florin e Laurin. 

Katedralja Nënë Tereza në Prishtinë nisi të ndërtohej ndërkohë që ishte festuar 6 vjetori i Kosovës së lirë nga qershori 1999. Në 2005-tën shënohej dhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

  • Per me shume foto shihni ne Fb

Filed Under: Featured Tagged With: Ditet e Nene Terezes-Behlul Jashari

ME CEKEN E BERATIT NË VATËR*

August 27, 2019 by dgreca

Nju Jork-27 Gusht 2019- Aktori i shquar i humorit shqiptar, Sejfulla Myftari, i njohur si Cekja i Beratit, i ftuar në SHBA nga dega e Vatrës në Tampa- Clearwater e shtetit të Floridës, vizitoi të Martën në mesditë (27 Gushat 2019) selinë e Vatrës.  Ai shoqërohej nga regjisori dhe aktori Drilon Hoxha dhe kryetari i degës së Vatrës së Tampës Tasim Ruko dhe anëtarja e kryesisë, biznesmenja Eva Keta. Mysafirët u pritën nga sekretarja e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Nazo Veliu, anëtarët e kryesisë së Federatës, Marjan Cubi(arkëtar i Vatrës), Zef Balaj, Asllan Bushati dhe Veiz Belliu e Besim Murati.

Editori i gazetës, Dalip Greca, e ka njohur mysafirin me rrugëtimin 107 vjeçar të Vatrës, duke u ndalur në pikat kulmore të Historisë së Federatës, kur Vatra luante rolin e Shtetit të munguar, emronte dhe paguante ambasaqdorë në Europë dhe Washington, bënte rolin e avokatit për të mbrojtur në arenën ndërkombëtare të drejtat e Kombit shqiptar, mbronte integritetin e Shqipërisë, vendoste ura miqësie mes SHBA dhe Shqipërisë, dërgonte bijtë e vatranëve ushtarët e stërvitur prej 4 vitesh në SHBA në mbrojtje të Jugut të Shqipërisë, të kërcënuar nga fqinjët grekë, dërgonte Bandën muzikore Vatra, dërgonte libra për shkollat shqipe, dhe hapte shkolla në SHBA për të ruajtë identitetin Kombëtar. Po ashtu ai e njohu mysafirin edhe me  veprimtaritë më të fundit të Vatrës dhe gazetës së saj Dielli, që luann rol aktivin në informimin e diasporës shqiptare në Amerikë & Kanada, dhe jo vetëm.

Aktori i shquar shprehu kënaqësinë që ndodhej në këtë Tempull të shqiptarizmës dhe uroi Vatrën për thesarin e saj arkivor dhe për çfarë ka bërë dhe bën për Kombin Shqiptar, duke qëndruar mbi partitë politike,të cilat po e mbajnë peng zhvillimin e vendit.

Talentin e tij të humorit aktori i shquar e shprehu gjatë drekës të shtruar në nder të tij.

Vatrën e kanë vizituar artistë të shquar si Tinka Kurti, Mirush Kabashi, Ylli Baka, e të tjerë.

*Per me shume fotografi-Shih ne Facebook

Filed Under: Featured Tagged With: Sejfulla Myftari-Vizite ne Vater

MUNDESI PUNESIMI-KERKOHET INFERMIERE

August 27, 2019 by dgreca

                                                     Mundësi punësimi /

Kings Harbor Multicare Center/

Infermiere Praktikante e Licensuar/

Për të gjitha turnet dhe me orë të plota pune. Paguajmë më shumë për orë se kontratat standarte.

Fito pagesën më të lartë në Bronks me paketën më të mirë të beneficioneve.

 Shpërblim regjistrimi deri në $2,000, Shpërblimi për afatgjatësi fillon nga $2,000

Aftësitë e avancuara kompjuterike janë kërkesë e domosdoshme.

Kjo qendër progresive për Kujdesin Afatgjatë me 720 shtretër gjendet në pjesën veri-lindore të Bronksit pranë dy autostradave kryesore dhe me plot vende parkimi.

Për të aplikuar dërgoni me faks rezymenë te Departmenti BN 718 405 3697

ose me emejl kguire@kingsharbor.com

Kings Harbor Multicare Center 2000 E. Gun Hill Rd. Bronx, NY 10469

Filed Under: Featured Tagged With: Kings Harbos Multicare-Mundesi punesimi

Dinjiteti përballë totalitarizmit-TEPELENA SI DESHMI

August 24, 2019 by dgreca

Identifikohen vendvarrime të reja pranë ish-kampit të internimit në Tepelenë/

– Për shkak të situatës ekstreme të jetës, kampi i tmerrshëm i Tepelenës është përmendur në mënyrë të posaçme nga qeveria amerikane në vitin 1955, si pjesë e ankesës së saj në Kombet e Bashkuara për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe për përdorimin e punës së detyruar si ndëshkim. 

– Identifikimi i varreve masive të fëmijëve dhe të atyre që humbën jetën në Tepelenë është hapi i parë për rehabilitimin e të zhdukurve e familjeve të tyre, që vazhdojnë të shpresojnë në gjetjen dhe trajtimin njerëzor të viktimave pa faj të kampit.

Tepelenë, 23 gusht 2019 – Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Tepelenës, Institutin për Integrimin e të Përndjekurve, Shoqatën Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë, të mbijetuar dhe shoqëri civile aktive nderoi sot, në Ditën Europiane të Viktimave të Regjimeve Totalitare dhe në kuadër të 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve vuajtjen e të pafajshmëve të internuar në kampin me tela me gjemba të Tepelenës, në vitet 1949-1953.

Ish-të internuar dhe trashëgimtarë të tyre, të ardhur nga i gjithë vendi dhe jashtë tij, u takuan në territorin e ish-kampit të internimit, në një ceremoni përkujtimore ku u nderua sakrifica dhe dinjiteti njerëzor i mijëra grave, fëmijëve dhe të moshuarve që e shkuan jetën në kazermat e Tepelenës.

Mes të ardhurve në kamp nga i gjithë vendi në këtë pelegrinazh të dhimbjes, kishte nga ata që riktheheshin për herë të parë, pas kohës së errët kur u dënuan pa shkak, si Marte Nikolli, nga Spaçi, e internuar në Tepelenë në moshën 10-vjeçare, me gratë e familjes. Të pranishmit folën me radhë për përballjen e vështirë me kampin, një pjesë e tyre të mbijetuar, një pjesë trashëgimtarë që në Tepelenë ngrenë zërin për amanetet e prindërve të tyre për të zhdukurit pa gjurmë.

Pas fjalëve të rastit, të mbajtura nga sekretari i përgjithshëm i Autoritetit, z. Skënder Vrioni, kryetari i SHAPP, z. Nebil Çika, ish-i burgosuri politik Uran Kostreci, të mbijetuar e përfaqësues të komunitetit fetar e akademik, grupi u drejtua për në një vendvarrim të raportuar nga banorët e zonës, ku janë zbuluar eshtra fëmijësh, pranë rrjedhës së lumit Vjosë. Identifikimi i varreve masive të fëmijëve dhe të atyre që humbën jetën në Tepelenë është hapi i parë për rehabilitimin e të zhdukurve e familjeve të tyre, që vazhdojnë të shpresojnë në gjetjen dhe trajtimin njerëzor të viktimave pa faj të kampit.

Në vijim, ish-të internuar dhe trashëgimtarë të tyre, të ftuar të ardhur nga i gjithë vendi u drejtuan në Pallatin e Kulturës së qytetit, ku u shfaq filmi “Azizi”, i gazetares Luljeta Progni, i realizuar me mjeshtëri mbi dëshmitë e të mbijetuarve të kampit. Një bashkëbisedim i gjallë mbi të shkuarën, pasojat e saj në të sotmen, vuajtjen dhe nevojën për drejtësi të të dënuarve politikë në diktaturë, mes dëshmitarëve okularë të ngjarjeve, krimeve e historive personale apo kolektive, mbylli një ditë të gjatë përkujtimi, me synim kthimin në vend kujtese të kampit të internimit në Tepelenë, i cili spikat për disa arsye:

– Ky kamp mbart qindra histori të dhimbshme njerëzore. Për shkak të situatës ekstreme të jetës, ai është përmendur në mënyrë të posaçme nga qeveria amerikane në vitin 1955, si pjesë e ankesës së saj në Kombet e Bashkuara për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe për përdorimin e punës së detyruar si ndëshkim. 

– Ai pasqyron më së miri tipologjinë e kampeve të rrethuara me tela me gjemba, të cilat nuk kanë qenë fenomen i përhapur në Lindjen Komuniste dhe mund të krahasohen vetëm me gulagët sovjetikë.

– Ndërsa për kampe të tjera të tilla, si ai i Beratit, Krujës, Valiasit, Cërrikut, Shijakut, Porto–Palermos, Kuçovës, Kuçit të Vlorës, etj., nuk kanë mbetur objekte kujtese, për Kampin e Tepelenës këto ekzistojnë. Disa nga kazermat e kampit të Tepelenës ruhen ende. Për më tepër, skicat e Lekë Pervizit, i mbijetuar, japin dëshmi për t’i rindërtuar kabinat ku strehoheshin të internuarit. 

***

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.

Filed Under: Featured Tagged With: tepelena-Vendvarrim-Deshmi

GRATË E PËRNDJEKURA TË DUMRESË

August 22, 2019 by dgreca

Film dokumentar mbi gratë e përndjekura në komunizëm dhe ekspozitë arkivore e përndjekjes së Sigurimit në Dumre/

Film dokumentar mbi gratë e përndjekura në komunizëm dhe ekspozitë arkivore e përndjekjes së Sigurimit në Dumre/

Belsh, 21 gusht 2019– Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Belshit, Institutin për Integrimin e të Përndjekurve, Shoqatën Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë, Kujto.al, të mbijetuar, institucione dhe shoqëri civile aktive vijoi arkivitetet e javës përkujtimore “Dinjiteti përballë totalitarizmit, gusht 2019”, në Belsh, organizuar në kuadër të 23 gushtit, Ditës Europiane të Viktimave të Regjimeve Totalitare dhe 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

I vendosur në shëtitoren e Belshit, në prani të komunitetit vendas dhe të ftuarve të ardhur nga i gjithë vendi, takimi u hap nga znj. Gentiana Sula, kryetare e AIDSSH, e cila u shpreh se “detyra jonë qytetare dhe institucionale është hedhja dritë në të shkuarën dhe krijimi i mundësisë që zëri i viktimës të dëgjohet, historitë e tyre të bëhen të njohura dhe të vendosen në kontekstin e kohës kur jetuan, krahas dosjeve që Sigurimi krijoi për ta e për familjet e tyre, që ruajnë qasjen e makinerisë së pushtetit ndaj “armiqve të popullit”.

Ekspozita me materiale arkivore të AIDSSH mbi persekutimin komunist në zonën e Dumresë, me dokumente mbi përndjekjen e ish-të internuarve dhe grave të burgosura politikisht në Kosovë, prezantoi dhjetëra dosje të përndjekjes së Sigurimit ndaj faktorit antikomunist në zonë apo të grave të burgosura, mes të cilave Tefta Tasi, Asamble Hatibi, Laura Keqi, Fatbardha Qorri, Emine Shima, Fatime Dega, Fatime Hoxha, Fatime Reka, Rukije Pame, Xhuljeta Cuka, shumë prej të cilave, për herë të parë. 

Materialet prej disa mijëra faqesh u vihen në dispozicion të të interesuarve, studiues dhe kërkues shkencorë, ish-të përndjekur dhe familjarë të tyre, shoqëri civile dhe media, duke mundësuar njohjen me inventarët e plotë, dosje përpunimi, hetimore-gjyqësore, regjistra, relacione dhe statistika që kanë të bëjnë me survejimin e elementit “armik” në zonë, të internuar dhe të burgosur. Të gjitha materialet e sipërpërmendura janë deklasifikuar. Të interesuarit mund të plotësojnë formularët e kërkesës për informim, konform ligjit 45/2015 për t’i lexuar këto dokumente. 

Në vijim u shfaq filmi “Gratë midis dhunës dhe stigmës në komunizëm”, i realizuar nga Fiona Todhri dhe Matilda Terpollari, mbi profile të grave të dënuara politikisht gjatë komunizmit, me materiale të vëna në dispozicion nga AIDSSH.

Mes tyre, Tefta Tasi, historia e së cilës rrëfehej nga Lekë Tasi, i vëllai; Nurie Ndreu, e cila tregon kalvarin e vuajtjeve në kërkim të të atit; Fatime Dega, që ndërroi jetë prej pak javësh dhe Taipe Pire, ish-gardiane e burgut të grave në Kosovë, ku vetëm 10 përqind ishin të dënuara politike, të përziera me gratë e tjera të dënuara për krime ordinere.

Aktiviteti vijoi me bashkëbisedim të hapur mbi përndjekjen, demokracinë dhe qasjen tek e vërteta, me një panel ku diskutuan Lekë Tasi, që solli përjetimet personale për komunikimin me të motrën e dënuar dhe fakte e të vërteta mbi persekutorët e saj; Fiona Todhri, pedagoge, realizuese e filmit, e cila u shpreh mbi shtysën për të realizuar një film për gratë në diktaturë; Fatbardh Doko e Liljana Herri, ish-të internuar në fshatin Dragot e në Fierzë të Belshit që sollën përvojat personale të së djeshmes e gjurmës së saj në të sotmen dhe Skënder Vrioni, Sekretar i Përgjithshëm i AIDSSH, i cili bën një pasqyrë të përndjekjes së Sigurimit në zonë, duke trajtuar materialin arkivor të shfrytëzuar nga Autoriteti për takimin e Belshit, konkretisht dosjet e Tefta Tasit, “Shtriga” mbi Asamble Hatibin dhe dosjen e Fatime Degës, e dënuar në shkelje të rëndë në moshë të mitur.

Bashkëbisedimi vijoi me komente të z. Uran Kostreci, ish-i dënuar politik, z. Nebil Çika i SHAPP dhe përfaqësuesve të komunitetit vendas, që theksuan nevojën për zbardhjen e së vërtetës dhe nderuan vuajtjen fisnike të të pafajshmëve në diktaturë. 

***

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.

Filed Under: Featured Tagged With: Autoriteti-Grate e Dumrese-Perndjekja e Sigurimit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 317
  • 318
  • 319
  • 320
  • 321
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT