• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptarët e Amerikës, protestë para ambasadës serbe në Uashington

May 1, 2019 by dgreca

SHQIPTARET E AMERIKES PROTESTUAN PARA AMBASADES SERBE NE WASHINGTON

Të mbijetuar të dhunës në Kosovë dhe familjarë të viktimave, si edhe përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan, mbajtën të martën pasdite një protestë të planifikuar para ambasadës serbe në Uashington, ku kërkuan drejtësi për krimet e kohës së luftës.

E mbijetuara e dhunës seksuale nga forcat serbe Vasfije Krasniqi Goodman, e cila dëshmoi të martën paradite në Kongresin amerikan, tha se ishte shumë e rëndësishme që zëri i tyre u dëgjua dhe se shpreson që përmes angazhimit të Kongresit amerikan, të çohet drejtësia në vend.

“Është një punë që është dashur të hapej edhe më herët. Pak me vonesë, por më mire vonë se hic dhe unë e kam kauzën me luftu për drejtësi dhe me thy stigmën jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë botën, ku kanë ndodhur dhunime gjatë luftrave”.

Ajo e pranon se për të nuk ishte e lehtë të protestonte para ambasadës së Serbisë.

“Por kjo është me u tregu atyre se ne nuk ndalemi para se drejtësia të shkojë në vend dhe këta me i pranu krimet që kanë kryer, me kërku falje për krimet dhe me i dënu kriminelët. Kështuqë ndihem krenare që jam para ambasadës serbe, me i tregu këtyre që ne shqiptarët duam drejtësi. Jo hakmarrje, por drejtësi”, thotë ajo.

Anëtari i Këshillit bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, që sapo është kthyer nga Kosova, ishte një prej protagonistëve të protestës.

“Sot është një ditë që mbas 20 vjetëve të kujtohen gabimet, dëmi që ka ndodhur në Kosovë. 20 mijë femra janë përdhunuar, 13 mijë vetë kanë vdekur, 1620 janë zhdukur. Kemi filluar një lobim të fortë, të vazhdueshëm që me u vu presion Serbisë që kriminelat e luftës të paraqiten para gjykatës, që t’i gjykojmë ne. Zoti ka me i gjyku në jetën tjetër”, tha ai.

Ilir Bytyqi, që edhe në Kongres foli për domosdoshmërinë e vënies para përgjegjësisë të fajtorëve, tha në protestë se Serbia duhet të arrestojë shkaktarët e këtyre krimeve.

Në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës, dy vetë nga personeli i ambasadës së Serbisë në Uashington thanë për Shërbimin Shqip se protesta “nuk do të thotë asgjë”. “Është një vend demokratik dhe gjithkush mund të protestojë,” thanë ata.(Koretzi-VOA)

Filed Under: Featured Tagged With: Proteste shqiptare-Ambasada Serbe-Uashington

Viktimat e luftës së Kosovës, Në kërkim të drejtësisë

April 30, 2019 by dgreca

 – Në Kongresin Amerikan-Viktimat e luftës së Kosovës, Në kërkim të drejtësisë/

Pranimi i Përgjegjësisë i hap rrugën Paqes e Pajtimit /

 Seanca e Posaçme e Komisionit të Kongresit Amerikan për Marrëdhëniet e Jashtme/

NGA WASHINGTONI PER GAZETEN “DIELLI”: RAFAELA PRIFTI/

Uashington DC – Përfaqësues të Komisionit për Marrëdhëniet e Jashtme të Kongresit amerikan, drejtuar nga kongresisti Elliot Engel mbajtën seancë të posaçme ” Viktimat e luftës së Kosovës – Në kërkim të drejtësisë “. Folësit e ftuar në seancë ishin Shkëlqesia e saj, dhe zëdhënësja e viktimave të dhunës seksuale ushtruar gjatë luftës, z. Atifete Jahjaga, Profesori i të Drejtës Ligjore dhe Marrëdhënieve Ndërkombetare nga American University Professor Dr. Paul Williams, z. Ilir Bytyqi dhe zonja Vasfije Krasniqi- Goodman. Në sallën e punimeve të Komisionit Parlamentar gjendeshin përfaqësues të trupit diplomatik të Republikës së Kosovës, Ambasadoresha Vlora Çitaku, dhe Konsullja e Përgjithshme Teuta Sahatqija, anëtar i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut z  Mark Gjonaj, promotorë e figura me ndikim të komunitetit, si z. Harry Bajraktari, drejtues të shoqatave të cilat ishin në ballë të kësaj nisme si Shoqatat e Grave si: Motrat Qiriazi, Marigona, Shoqata e Arsimtareve shqiptaro-amerikane, Drejtesi per te Gjithe, Fondacioni i Vellezerve Bytyqi, Nisma Vasfije, Zeri Yne dhe Qendra Hasan Prishtina,-dega e Grave, dhe dhjetra Organizata të bashkëngjitura si Albanian Roots, Federata Pan Shqiptare e Amerikes “Vatra” dhe organizata te tjera te Komunitetit….

Pas dy dhjetëvjeçarëve, “viktimat e luftës së Kosovës kërkojnë drejtësi”, tha krytari i Komisionit Parlamentar Eliot Engel. Me statistikat e dokumentuara nga Humanitarian Law Center dhe Human Rights Watch, ai tha se instancat e instaluara nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët për zbatimin e drejtësisë kanë qenë inefektive. Dhe ç’është më keq e kanë dëmtuar mbarëvajtjen e drejtësisë duke krijuar një ekuivalence fallco. Këtu qëndron rëndësia e seancës së sotme, përfundoi z. Engel, që këtej e tutje drejtësia e mohuar të kryhet pa kompromis. 

Permbledhtazi Profesori Paul Williams analizoi arsyet pse tribunalet e ngritura  si edhe gjykatat speciale nuk kanë efektive sepse qenë ndërtuar mbi baza etnike dhe si të tilla të paafta për të ndëshkuar autorët e krimeve të regjimit serb të Milosheviçit. Ai e vuri theksin te bashkëpunimi midis administratës amerikane dhe kosovare për të adresuar çështjen e përgjegjësisë ndaj të gjitha krimeve të luftës në Kosovë përfshirë dhunimin seksual si pjesë e saj.

Ilir Bytyqi, i cili flet në emër të familjes dhe vëllezërve të tij, shtetas amerikanë të vrarë, tha se dëshmia e tij ka vetëm një mesazh: viktimat nuk mund të lihen në harresë!

Ai kërkoi nga Komisioni të miratojë rezolutën HR 32, si edhe ju bëri thirrje politikanëve serb të kthejnë kursin e deritanishëm. 

Dëshmia e znj. Vasfije Krasniqi- Goodman e cila ka përjetuar dhunën seksuale gjatë kohës së luftës, ishte shprehje e ngadhënjillimit personal. Ajo tha se Kongresi Amerikan duhet të veprojë pa hezitim në emër të viktimave që kërkojnë drejtësi. 

Veprimtarine e ndoqen edhe disa prej vatraneve qe udhetuan prej Nju Jorku si dhe vatrane nga Washingtoni.

Kronika e plotë si edhe pyetjet e anëtarëve të kryesisë së Komisionit Parlamentar për panelin do të botohet në vijim . 

Filed Under: Featured Tagged With: DIELLI NE KONGRESIN AMERIKAN-DESHMI PER VIKTIMAT-KOSOVE

ZEF PERNDOCAJ NË SPITAL

April 21, 2019 by dgreca

Ne Foto: Ne dasmen e vajzes: Zef Perndocaj me zonjen Mire, vajzen dhe djalin/(Dielli-arkiv)

–  LUTJE PER VATRANIN QË PËR GJYSËM SHEKULLI VURI SHPIRTIN DHE ZEMRËN NË VATËR!/*

Vatrani që ka më shumë se gjysëm shekulli në Vatër, Zef Përndocaj, të Mërkurën me 17 Prill 2019 në mesditë udhëtoi drejt Detroitit për t’i kaluar Pashkët tek vajza.

 Në një telefonatë para nisjes me Editorin e Diellit ai tha se do të qëndronte një javë në Detroit dhe më pas do të kthehej sërish në Nju Jork. Por ky udhëtim qëlloi i pafat për Zefin. Pasi arriti në shtëpinë e vajzës në mesditën e së mërkurës, disa orë më pas, rreth orës 10 të mbremjes, ndërsa bisedonte lirshëm, ai pësoi Stroke dhe me urgjencë e shtruan në spital, ku vazhdon të jetë nën shoqërimin e  familjes dhe të miqëve. Zefin nuk mund ta lëvizin prej andej, pa u stabilizuar gjendja në të cilën ndodhet.

Lutemi që Zefi ta kapërcejë sa më shpejt situatën në të cilën ndodhet! Me zemer e shpirt jemi prane tij dhe familjes!

Zefi Përndocaj  edhe pse është në pension nuk e ka ndërprerë aktivitetin dhe kontributin në Vatër. Ai kontrbuoi edhe fushatën për 110 vjetorin e Diellit; ishte pjesë e veprimtarive të Vatrës, mori pjesë në promovimin e librit të historianes Eleni Kocaqi në Vatër me 13 prill 2018, ndërkohë që mori pjesë edhe në Konferencën  kushtuar 110 vjetorit të Gazetës DIELLI. Zefi ka dhënë gjithcka për Vatrën.

Miku ynë, Lutem për ty,  unë dhe Familja!

Për ata që nuk e njohin Zef Përndocën, po përcjell një shkrim që kam shkruar për Zefin kohë të shkuara, ne numrin special te DIELLIT, kushtuar 100 vjetorit te Vatres, Prill 2012

   ****

ZEF PËRNDOCAJ, SHPIRTIN DHE ZEMRËN NË VATËR

          Nga Dalip Greca

Zef Përndocaj është një ndër ata që ka vënë shpirtin dhe zemrën  në Vatër per më shume se pesë dekada. Edhe pse nuk klasifikohet tek biznesmenët, edhe pse ka punuar  gjatë të gjithë kohës në punë të vështira, ku mezi nxirret dollari, ai për më shumë se 50 vjet nuk u është ndarë vatranëve të tjerë që kanë dhuruar  për Vatrën, madje ka prirë duke hequr kursimet e familjes. Gjatë shfletimit të rekordeve të Vatrës, emri i tij nuk mungon në asnjë prej fushatave, që në 60 vjetorin e Diellit dhe pas Zef Përndocaj ka emrine  tij dhe përkrah emrit edhe shifrat e dhurimit.Edhe  në botimet e Vatrës dhe të Diellit Përndocaj ka dhuruar krahas vatranëve të tjerë. E gjeta emrin e tij edhe tek “Flamurtari i Kombit”, libri kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Nolit, ku shifra e dhuruar nga ai është sa dyfishi i mesatares  së çdo dhuruesi, edhe tek lista për botimin e librit të Beqir Metës ka dhuruar $ 1000(një mijë dollarë), për  ringjalljen e Diellit me rastin e 100 vjetorit ishte nga ata që e mbajtën premtimin, dhuroi  3 mijë dollarë, për 100 vjetorin e  Vatrës $ 2 mijë , përveç një tavoline të rezervuar e të paguar që në fillim ($2500) , përveç $ 500 për një faqe në Journalin e 100 vjetorit, me rastin e fatkeqsisë natyrore në zonat e Veriut të Shqipërisë  dhuroi $ 1000(një mijë). Natyrisht nuk janë vetëm këto shifrat e dhurimit, ai ka 50 vite që dhuron. Shpirtin dhe zemrën Zef  Pëndocaj, në plot kuptimin e fjalës, i ka vënë në Vatër.

  Dikur në një artikull të botuar në Dielli për kontributet e z. Përndocaj pata shkruar: Zef  Përndocaj, anëtari i bordit të Federatës Pan Shqiptare të Amerikës ”Vatra”, një ndër vatranët e devotshëm, e mbajti premtimin që pati marrë në Këshillin e “Vatrës”,  që u mblodh pas festimit të 100 vjetorit të gazetës “Dielli”, në gusht 2009. Ndër ata që premtuan (Zef  Përndocaj ishte ndër të paktët që e mbajti fjalën) për të kontribuar  me dhurime për të ringjallur gazetën e themeluar 100 vite të shkuara nga shqiptarët e Amerikës, me editor të parë Fan S. Noli e më pas Faik Konicën. 3 mijë dollarë për Zefin ishin shumë se ai nuk ka biznese, por zemra dhe shpirti vatran, e nxitën që ta jepte dhe ta mbante atë premtim.Veprimin e dhurimit e kreu në heshtje, pa bujë. Sikur të mos kishte marrë sinjal editori nga z. Agim Karagjozi  se  z.Përndocaj kishte bërë fakt të kryer fjalën e dhënë, ndoshta dhe këto radhë nuk do të ishin shkruar. Zefit nuk i pëlqen buja, as mburrja, ai thotë se me aktin e tij ka bërë detyrën si vatran.

    Nuk është hera e parë që  Zef Përndocaj bën dhurime të tilla bujare. Sa herë që “Vatra” është ndodhur në nevojë, pa marrë urdhër nga askush, përveçse nga zemra, ai ka ofruar kontributet e veta. Sa herë që “Vatra” ka organizuar fushata në ndihmë të çështjes së Kosovës, apo për kontribute në Shqipëri a komunitetin e këtushëm, Zefi sërish ka qenë i pari.

Në “Vatër” Zef Përndocaj ka vënë shpirtin e vet antikomunist dhe atdhetar. Ai iku prej Shqipërisë pas përgjakjes së familjes dhe fisit nga diktatura komuniste dhe sapo erdhi në SHBA, e gjeti strehën kombëtare tek Vatra. Ka më shumë se pesë dekada që e ngroh shpirtin në zjarrin mëmëdhetar të Vatrës shqiptare.

  Ardhja e Zefit në Amerikë ka kaluar përmes një kalvari tepër të vështirë. Nuk i harron vuajtjet dhe terrorin, që nuk iu ndanë familjes së tij nga sistemi komunist. Për  shumë kohë babai i tij u end maleve i përndjekur nga brigadat speciale të ndjekjes. Familja u internua në Lezhë, në Berat, bashkë me të tjerët ishte edhe gruaja e axhës me tri vajza të vogla. Që pa hapur sytë,  fëmijët u ndeshën me vuajtjet e ferrit. Babai i tyre, axha i Zefit, ishte vrarë në mal më 3 maj 1948. Më pas familja u internua në kampin e tmerrshëm të Tepelenës.

     Pas daljes nga burgu(ishte dënuar që në dhjetor 1944), babai i tij, u vu sërish në shënjestër. Këtë herë akuza ishte se u jepte mbështetje dhe ushqime forcave parashutiste që kishin zbarkuar për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës. Emri ishte rrethuar  me ngjyre të kuqe, por nuk dorëzohej antikomunisti i vendosur. Baba Ndue e kishte marrë sinjalin se i qe afruar rreziku dhe se këtë herë e priste plumbi. Ishte e vërtetë se ai qe takuar me Gjin Gjonaj, parashutist dhe e pat furnizuar me ushqime. Vetë Zefi, edhe pse ishte fëmijë 12 vjeç, iu desh që të dilte malit, së bashku me të atin dhe axhën në shtator 1951. Ai provoi në mal përveç rrezikut të jetës edhe vujatjen prej të ftohtit të dimrit të ashpër të maleve, edhe urinë.

      Një ditë u mor vendimi për ta kaluar kufirin. Ishin 19 veta në grup. Pasi studiuan vendkalimin, me shumë mundim dolën  në Zogaj. I dërguan fillimisht në Gjakovë.Më pas në një kamp refugjatësh në Pejë, ku qëndruan 3 muaj. I zhvendosën në Gjilan për 3 vjet. Më pas në Vushtri, ku vëllai, Biba, ilegal shkon drejt e në Beograd dhe pasi hyn në ambasadën angleze, merr formularët për t’i plotësuar për të ikur në Perëndim. UDB-ja u informua dhe i burgosi, atë dhë shokët. Katër muaj qëndroi në qeli. E dërgojnë në kampin e rrezikshëm të Gerovës. Pas disa kohësh edhe babën e dërgojnë në Gerovë. Pas vuajtjeve në kamp, u erdhi koha për të dalë në Itali.

Po Zefi? Fati i tij e drejtojë në tjetër rrugë. Ai filloi shkollën në Gjilan, për të vazhduar më pas në Vushtri. Pas shumë ndërhyrjesh , pengesash, presionesh, arrin që të shkojë në Prishtinë për ta vazhduar atje shkollën. Aty përfundoi gjimnazin. Më pas nisi studimet në  Universitetin e Prishtinës në fakultetin Ekonomik, ku arriti që të kryente dy vjet. Aty fillojnë e shtohen vështirësitë dhe pengesat e vëna nga UDB-ja për arsye të refuzimit të bashkëpunimit me ta. Kur do të jepte provimet e vitit të tretë, e çojnë në aksion për ndërtimin e autostradës Beograd-Shkup. Sapo e përfundon aksionin, kërkon të kthehet në Universitet, i vënë një tjetër pengesë, të shkojë për të përballuar pasojat e tërmetit shkatërrues që rrënoi Shkupin. E kundërshtoi urdhërin, por si tani i kujtohet kur Branko Millosheviç, komandanti i brigadës i tregoi dosjen e përndjekjes dhe survejimit prej UDB. Cfarë të bënte? Nuk mund të kundërshtonte; vendosi të shkojë. Edhe pse ishte nga më të dalluarit në aksion, edhe pse kontribuonte në sportin e volejbollit, edhe pse kishte qenë më i dalluari në aksione, ai trajtohej keq financiarisht, madje nëse të tjerët  merrnin pagesën e studentit prej 24 mije dinarë në muaj, atij i jepnin vetëm 12 mijë, duke pritur që të reagonte, të pranonte bashkëpunimin, por ai kurrë nuk e bëri. Presioni behej per ta thyer, por ai kurre nuk u perkul. Punonte fort me qëllim që një ditë të gjente mundësinë e ikjes në Perëndim. Momenti i erdhi. Në nëntor 1966 doli në Itali përmes Triestes. Më pas shkoi në Romë, ku qëndroi 5 muaj. Me 11 prill mbërriti në New York. Fillimisht u vendos në Bronks. Kontaktet me Vatrën i vendosi me 28 Nëntor 1967, kur është edhe anëtarësimi i tij. Kujton se ishte mysafir i Gjon Kadelit në darkën e Flamurit. I pëlqeu atmosfera atje dhe iu gëzua frymës kombëtare, që përshkonte festën. E kishte ëndërr që të bashkohej me vatranët dhe u gëzua shumë kur i thanë se mund të  bëhej vatran, mjafton që të pranonte Kanunoren. Më pas ai u bë një vatran aktiv, dhurues, veprimtar, anëtar bordi, kryetar i degës së Nju Jork-ut etj. Ndër miqtë e tij në Vatër, veçon z. Agim Karagjozi, zonjën Nexhmije Zaimi, Mahmud Cungun, Peter Ktona, Ymer Doda, Avdulla Kaloshi, dr. Hamdi Uruçi, dr. Gjon Buçaj, Jonuz Ndreu e të tjerë. Ndjehet i nderuar që ka qenë pjesë e Vatrës dhe që ka dhënë kontributin me një grupim atdhetarësh, që i bashkonte çështje kombëtare. Vatra, thotë z. Përndocaj, ka kaluar çaste të vështira. Ajo ishte në shënjestër të  Sigurimit tëTiranës dhe UDB-së. Ai kujton se  një grup vatarnësh e mësynë Vatrën, ndoshta me porosi të Ramiz Alisë, deshën ta merrnin. Përndocaj e kujton mirë atë moment, kur një grup, që dikush i kishte manipuluar, duke u mbledhur  një kuotë simbolike anëtarësie, s’kishin qenë më parë anëtarë përveç organziatorit, dhe kërkuan të bëheshin pjesë  në zgjedhjen e delegatëve për në Kuvend. Ai grupim ia arriti t’i diktonte degës së Nju Jork-ut që të ndryshonte sallë për takimin dhe u përpoqën  që të manipulonin duke diktuar fryëm e tyre. Mbaj mend, thotë ai, se drejtuesin e takimit(Chairman), që u zgjodh me votat e mysafirëve të paftuar, u përpoq ta godiste me shkop Xhemal Lajçi, një nacionalist i njohur. Pra pat një tension, por fryma e shëndoshë e Vatrës fitoi mbi manipulatorët. Kjo është e vërteta për atë që ka deklaruar dr. Gjon Buçaj se Ramiz Alia u përpoq të vinte dorë në Vatër, spjegon Zef Përndocaj.

Zef Përndocaj ndjehet krenarë që ka më më shumë se 50 vite që i shërben Vatrës.

Filed Under: Featured Tagged With: ZEF PERNDOCAJ-DALIP GRECA

KAMPIONI I KOSOVËS DHE SHQIPËRISË VIZITOI VATRËN

April 19, 2019 by dgreca

Ish kampioni i Kosovës dhe i Shqipërisë në sportin e Xhudos dhe Karates, Nazmi Kapllan Gashi, shoqëruar nga ish traineri i tij Elton Shametaj, vizitoi Vatrën të Premten me 19 Prill 2019 në mesditë.

Ish kampioni u prit nga Editori i Diellit, i cili e njohu mysafirin me rrugëtimin 110 vjeçar të Gazetës DIELLI, veprimtaritë ksuhtuar këtij përvjetori, dhe historinë e Vatrës, e cila me 28 Prill mbush 107 vite nga themelimi.

Ish kampioni i dhuroi VATRËS Flamurin e shtetit të Kosovës si dhe një bluzë të ekipit Kombëtar. Editori i dhuroi simbole të Vatrës dhe të Diellit.

Nazmi Gashi vjen nga një familje atdhetare që ka dhënë dëshmorë për Luftën për Lirinë e Kosovës. Babai i tij Kapllan Gashi është dëshmor i luftës; ra për liri me 10 prill 1999. Vetë Nazmiu ishte luftëtar dhe themelues i Shtabit të UÇK-së në Komunën e Pejës, ngritur me 4 prill 1998 në Buçanë, Pejë.

Karriera e tij sportive është e pasur me tituj dhe medalje. E nisi rrugëtimin sportiv që në shkollën e mesme të policisë në Vushtri, prej vitit 1986. Në fillim në sportin e Xhudos dhe më pas në sportin e karatesë, duke u shpallë disa herë kampion i Kosovës e më pas Kampion i Shqipërisë. Ai përfaqësoi Shqipërinë në kampionatin Ballkanik në Sofje të Bullgarisë në dhejtor 1998, ku fitoi medalje. Fitoren e atjeshme ia dedikon trainerit të vet Elton Shametaj dhe selektorit Xhavit Makolli. Më pas ai e ndërpreu karrierën sepse u përfshi në luftën për liri.

Pas lufte Nazmiu u shpall pesë herë kampion i Kosovës

Ish kampioni kryen detyrën e sekretarit të Federatës së Karatesë në Kosovë, që prej dhjetorit të vitit 2006. Ky sport ka përparësi në Kosovë dhe është i dyti, ndër më të sukseshmit, pas xhudos, vetëm 0.2 piëk më pak. Në Kosovë ka 46 klube të karatesë me rreth 4 mijë sportistë. Ekipi i ka sjellë Kosovës rreth 150 medalje nga garat botërore e Ballkanike.

Ish traineri i tij Elton Shametaj ka koleksionuar edhe vetë shumë tituj në karate, duke zënë vendin e  parë në peshat e rënda. Si trainer Eltoni ka nxjerrë kampionë. Ishte trainer i ekpieve të njohura të Partizanit, Dinamos dhe Akademisë së Rendit.

Kampioni Nazmi Gashi shkroi mbresat e tij gjatë vizitës në Vatër dhe përcolli një homazh urimi për Vatrën dhe vatranët si dhe për të gjithë shqiptarët e Amerikës, duke i ftuar ata që të bëhen faktor bashkimi Kombëtar dhe të përcjellin në vendlindje vetëm mesazhe të unitetit kombëtar. Ai falenderoi Amerikën, që iu gjend pranë popullit shqiptar në çaste të vështira. Pa Amerikën, pa shqiptarët e Amerikës, Kosova nuk do të ishte e lirë. Zoti e bekoftë Amerikën- tha ai për gazetën DIELLI.

ndërsa i dhuroi VATRËS fanellën e Ekipit Kombëtar të Kosovës, ai tha se shpreson që fanela të frymëzojë sportistët shqiptaro-amerikanë për suksese!

Filed Under: Featured Tagged With: Nazmi Gashi-Elton Shametaj

“DIELLI” PËR CËNIMIN E LIRISË SË MEDIAS NË SHQIPËRI

April 19, 2019 by dgreca

REAGIM I GAZETËS “DIELLI” NË SHBA PËR CËNIMIN E LIRISË SË MEDIAS NË SHQIPËRI/

– GAZETA “DIELLI” DENONCON CËNIMIN E LIRISË SË MEDIAS, MBRON LIRINË E SHTYPIT DHE TË DREJTËN KUSHTETUESE TË INFORMIMIT DHE APELON PËR TË MOS LEJUAR HAPSIRA KU PERSEKUTORËT TË SULMOJNË TË PERSEKUTUARIT-

DIELLI është i ndërgjegjshëm për rolin e vet në fushën mediale si gazeta që ka nderin të identifikohet me Rilindjen Kombëtare, dhe që në udhën e vet 110 vjeçare, i ka paraprirë Pavarësisë së Shqipërisë dhe momenteve kyçe të historisë. Qysh  nga fillimi i shekullit të 20 patriotët shqiptarë të Amerikës i kanë prirë lëvizjes së zgjimit të ndërgjegjes kombëtare të bashkëatdhetarëve të tyre nëpërmjet veprimtarisë së Federatës VATRA të shprehura qartazi tek gazeta DIELLI. GjatëDiktaturës komuniste ka qenë DIELLI që ka denocuar cënimin e lirive njerëzore, përfshirë dhe atë të informimit. Në ditët e sotme DIELLI konstaton se liria e medias në Shqipëri është e rrezikuar. Përballë akteve të rënda të censurimit të informimit nga elita politike e drejtuar nga kryeministri aktual Edi Rama, “DIELLI” denoncon shtetin shqiptar për hapat mbrapa në lirinë mediale. DIELLI mbron shprehjen e lirisë si “abetarja” e një vendi demokratik, që synon Demokracinë Europiane.

Raporti i Përvitshëm i “Gazetarëve pa Kufij” e rrëzoi Shqipërinë shtatë shkallë më poshtë se ç’ishte në raportin e vitit të mëparshëm. Organizata Boterore për Lirinë e Shtypit ka dhënë alarmin për gjendjen reale të medias shqiptare dhe presionet mediale nga institucionet qeveritare. Shantazhet, sulmet ndaj gazetarëve dhe shtimi i censurës qeveritare cënon vetë Demokracinë Shqiptare dhe zgjat tranzicionin që po i afrohet dekadës së tretë. Shkelja e së drejtës së shprehjes dhe presionet ndaj lirisë së mjeteve të informimit flasin për përpjekjet agresive të mbetjeve të sistemit totalitar, dhe mendësisë totalitare, të veshura me pushtet ekzekutiv për të kontrolluar demokracinë shqiptare.

Reagimi i Kryeministrit Edi Rama se në qeverisjen e tij nuk ka media të shantazhuara e liri të mohuara është shprehja tipike e pushtetarit autoritar për të cilin media mbetet thjesht një kazan.

Në të njëjtën kohë, DIELLI i bën apel Medias Shqiptare që të vetëdijësohet për rolin e “pushtetit të katërt”, dhe ta ruaj pavarësinë e vet nga politika për të mos u bërë instrument anti-demokratik.

DIELLI e sheh me shqetësim që sulmet e ish persekutorëve të diktaturës komuniste ndaj ish viktimat e pafajshme, gjejnë hapsirë në gazetat dhe portalet e Tiranës. Rasti i sulmeve ndaj shkrimtarit Visar Zhiti prej ish torturuesit të tij, Edmond Caja, përbën një precedent të rrezikshëm. Të tilla akte sulmi ndaj Visar Zhitit tregojnë mosveprimin e demokracisë shqiptare që jo vetëm nuk i ka dënuar ish persekutorët dhe fajtorët për krimet e komunizmit por edhe i lejon të ri-viktimizojnë disidentët e diktaturës.

Visar Zhiti mbetet një ikonë e letërsisë shqiptare të pasburgut dhe demokracisë si edhe model për qendresën në diktaturë, prandaj është detyrë morale e shoqërisë që ta përkrah dhe ta mbrojë atë si të tillë.

Demokracia shqiptare, e ngecur nëpër labirinthet e merimangave të stilit të diktaturës së Ramës, po tregohet e pafuqishme për të kundërvepruar mbi qeverinë që ka hapur frontin e luftës ndaj gazetarëve dhë ka çuar në rrënimin e lirive të shprehjes. Kapja e të gjithë pushteteve nga Kryeministri Edi Rama dhe fronti i hapur i luftës me median po e kthen Shqipërinë në errësirën mediale që minon Demokracinë dhe kultivon tiraninë.

Gazeta DIELLI do ta përcjellë shqetësimin e vet për censurën mediale të ushtruar nga qeveritarët ndaj mjeteve të informimit dhe gazetareve shqiptarë në instancat amerikane dhe ato botërore.

Filed Under: Featured Tagged With: Liria e Medias-Gazeta DIELLI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 338
  • 339
  • 340
  • 341
  • 342
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT