• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Vatra” Festoi Me madhështi 110 Vjetorin e Gazetës “Dielli”

April 8, 2019 by dgreca

Nga Keze Kozeta ZYLO/

Gazeta “Dielli” mbetet gazeta më e vjetër shqiptare për Kombin dhe si e tillë na bën të ndihemi krenar dhe ta përkujtojmë me madhështi çdo përvjetor të saj.

Gazeta “Dielli” e ka nisur udhën e ndritshme te saj 110 vjet të shkuara me editorin e parë, eruditin e pashoq Fan Stelian Nolin te cilin me te drejtë Konica e ka quajtur si: “At Noli nga kultura, nga mendësia dhe nga karakteri i tij, më kujton shpesh Kishtarët e Përlindjes Italiane”. 

Editori i dyte i gazetës “Dielli” ka qenë Faik Konica dy korifej të kulturës kombëtare.

Dita e shtunë për komunitetin shqiptar në Amerikë dhe më gjerë ishte një ditë e shënuar, një ditë e dielltë si vetë emri që mban gazeta.  Në mjediset e West Club në Manhattan në kryeqendrën e botës që është një hotel historik në New York City u zhvillua konferenca shkencore, më datën 6 prill për 110-të vjetorin e gazetës “Dielli” nën moderimin e gazetarit Frank Shkreli, ish drejtor i Divizionit te Euro-Azisë në Zërin e Amerikës si dhe gazetares Rafaela Prifti editore e gazetës “Dielli” për gjuhën angleze.

Dhoma ku u zhvillua konferenca dukej sikur ishte nje muze i hapur, një muze që të pranishmit kishin mundësi të shikonin fotot që nga krijimi i gazetës “Dielli” si dhe gjithë editorët e saj në një kënd të veçantë.  Duke medituar nëpër foto me plot emocion dhe kërshëri brezit tonë i shtohet dhe më shumë detyra morale dhe kombëtare për t’jua transmetuar brezave të ardhshëm historinë e ndritur të vatrës se ndryshe do të ndodh siç thotë politikani, gazetari dhe publicisti i famshëm: Marcus Mosiah Garvey Jr. se:

“A people without the knowledge of their past history, origin and culture is like a tree without roots”, që perkthehet: “Një popull pa dijet dhe mësimin e historisë, origjinës dhe kulturës së tij të kaluar, është si një pemë pa rrënjë”.

Konferenca u hap me interpretimet e dy hymneve kombëtare amerikane dhe shqiptare.  Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, z.Dritan Mishto pasi iu uroi të pranishmëve mirësardhjen si dhe 110-të Vjetorin e Diellit e deklaroi të hapur Konferencën shkencore të 110-të Vjetorit të Diellit.

Në këtë konferencë ishin dy nga penat më brilante dhe më të njohura në fushën e gazetarisë dhe të historisë si prof.Nikolla Pano, z.Elez Biberaj si dhe  z. Grant Harris nga Libraria e Kongresit Amerikan.

Ligjëruesit në këtë konferencë ishin: prof. Nikolla Pano, dr. Elez Biberaj, z.Grant Harris, Prof. Dr.Muharrem Dezhgiu, Ambasador Mal Berisha, Neka Doko, Anton Çefa, Dr. Arjeta Ferlushkaj, Ernestina Halilaj, Idriz Lamaj, Agron Alibali, Rafaela Prifti, editori i Diellit z.Dalip Greca. 

Kumtesat e autorëve Agron Alibali dhe Anton Çefa në mungesë të tyre u lexuan nga Merita Bajraktari dhe Rafeala Prifti.

Prof.Nikolla Pano paraqiti kumtesën mbi “Rolin e Diellit në Ringjalljen Kombëtare dhe në Bashkësinë Shqiptaro-Amerikane gjatë viteve 1909-1924.  Z.Grant Harris foli mbi gazetën “Dielli” në kuadër dhe nga perspektiva e shtypit evropiano-lindor në Amerikë nga vitet 1890 deri në vitin 1914.

Dr. Elez Biberaj, Shef i Drejtorisë për Euro-Azinë në Zërin e Amerikës kujtoi një ish-redaktor të Diellit me temën: “Për bashkëpunimin me Diellin gjatë kohës kur redaktor i gazetës ishte Xhevat Kallajxhiu dhe disa komente për sfidat e shoqërisë shqiptare sot në Shqipëri dhe Kosovë”.

Gazetari i Zërit te Amerikës Ilir Ikonomi solli për të parën herë intervistën e Faik Konicës me gazetarin e radios NBC, Hilmar Baukhage, transmetuar më 8 prill, 1939.

Ambasadori Mal Berisha paraqiti kumtesen me temë: “Vatra, qeveri në mërgim dhe kontributi në Konferencën e Paqes në Paris, 1919 dhe në atë të OKB-së në San Francisko, 1945.

Prof. Muharrem Dezhgiu foli “Mbi Diellin në shekullin e dytë të tij”.

Kumtesa e ish editorit të Diellit Anton Çefa u lexua nga znj. Merita Bajraktari, tema e referatit ishte: “Nacionalisti dhe demokrati i përkushtuar, Xhevat Kallajxhi.”

Studiuesi Idriz Lamaj solli referatin me temën: “Publicistika antikomuniste shqiptare në mërgim dhe gazeta Dielli, duke përmendur gazetat Flamuri, L’Albanie Libre, Shqipëria, Bashkimi i Kombit dhe dhjetra gazeta të tjera të Mërgatës, në polemika me Diellin.

Dr. Arjeta Ferlushkaj lexoi referatin me temën: “Në brendësi të Diellit.  Strukturimi i brendshëm i gazetës ndër vite”.

Ndërsa, Agron Alibali dhe Loreta Loli sollën kumtesën me studime me temën: “Faik Konica: pak i njohur – Shkrime dhe studime nëpër faqet e Diellit – 1939 – 1942”.

Gazetarja Rafaela Prifti dhe editore për anglishten në gazetën “Dielli” solli kumtesën për një ish-redaktor të Diellit dhe ish sekretar te Vatrës, Profesor Petër Priftin.

Të gjitha kumtesat u dëgjuan me vëmendje të posaçme nga të pranishmit. 

Fjala e mbylljes u bë nga Editori i Diellit Dalip Greca i cili ka dhjetë vjet që është pranë kësaj gazete dhe nga të gjithë diskutantët u folën fjalë miradie për punën e palodhur të tij dhe plot përkushtim në shërbim të gazetës “Dielli”, gazetë që i përket Kombit. Z.Dalip Greca, pasi vlerësoi të gjitha kumtesat e mbajtura, mbajti referatin me temë: “Gazeta e Rilindjes Kombëtare”, 110 vite histori, sfidat e mbijetesës, editorët, menaxherët, vlerat e risitë.”

Darka solemne kushtuar 110 vjetorit të gazetës ”Dielli”

Darka solemne u zhvillua në të njejtat mjedise në West Club ne Manhattan ku mjaft vatranë, anëtarë të komunitetit dhe personalitete të Diasporës morën pjesë për të festuar dhe nderuar së bashku 110 tëVjetorin e Gazetës “Dielli”, gazetës më një histori të pashoqe në median shqiptare, gazetës që i shërbeu me devotshmërinë më të lartë Kombit. 

Darkën solemne e ka moderuar znj.Marjana Bulku anëtare e kryesisë së Vatrës.

Darka është bekuar nga Imami i Xhamisë në Queens z.Edin Gjoni.  Fjala e tij elekuente gjithmonë i tërheq të pranishmit që e dëgjojnë dhe e respektojnë.  Ai e uroi gazetën “Dielli” që të rrojë sa Dielli në qiell. 

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” duke falënderuar kryesinë për punën e palodhur për organizimin e 110 të Vjetorit të Diellit dhe duke i përkshkruar portretet e tyre me pak humor të spikatur në emër të kryesisë ndau çmimet më të larta që jep Vatra.  Këto çmime u dhanë për Prof.Nikolla Pano, z.Ekrem Bardha biznesmen dhe ish Botues i gazetës “Illyria”, z.Harry Bajraktari biznesmen, veprimtar i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës “Illyria”.

Në këtë darkë solemne përshëndeti Ambasadore Teuta Sahatqija, Konsulle e Përjgithshme e Kosovës në New York në emër të Kryeministrit të Kosovës z.Ramush Haradinaj duke i uruar vatranët që gazeta Dielli të rrojë në përjetësi. 

Darkën e nderonte me pjesëmarrjen e tij Dr.Halim Kosova gjinekolog i mirënjohur në Tiranë dhe politikan i djathtë, ish kandidat nga Partia Demokratike për Bashkinë e Tiranës.  Dr.Kosova përshëndeti dhe përgëzoi të gjithë vatranët për përkushtimin e tyre si dhe gjithë editorët e Diellit që vazhdojnë ta mbajnë të ndritshme gazetën “Dielli”.   

Z.Mark Gjonaj ish Ansambleist i Shtetit të Nju Jorkut dhe anëtar i Këshillit të Bashkisë së Nju Jorkut nderoi me proklamatë mirënjohjeje nga Këshilli i Bashkise së Nju Jorkut z.Dalip Greca editor të Gazetës “Dielli” për punën e tij të jashtëzakonshme në shërbim të gazetës “Dielli” gazetë që i shërben Diasporës dhe Kombit.

Me shumë interes dhe emocion u mirëprit dhurata e sjellë nga Ati Spiridon i Kishës “Shën Gjergji” në Boston dhuratë e vyer që përmbante një cikël të gazetes “Dielli” që i mungonte arshivit të Vatrës këtu në New York.

Në prag të 110 Vjetorit të gazetës “Dielli” u shpall dhe një konkurs për krijimtarinë më të mirë si esse, fotot më të mira, dokumente, reportazhe, libra studimor etj. që kishin lidhje me këtë përvjetor. Juria me kryetar z.Dalip Greca vlerësoi me çmime këa personalitete dhe krijues si:  Ambasadorin Mal Berisha, znj.Neka Doko, z.Sinan kamberaj, z.Rafael Floqi, znj.Erenstina Halili, z.Fotaq Andrea, znj.Lindita Komani, znj. Megi Përmeti, z.Anton Çefa, z.Andon Andoni, znj.Entela Komnini, z.Nikolin Kurti, Z.Roland Qafoku si dhe z.Thanas Gjika.

U sollën poezi dhe humor nga dy kolosët e kulturës Fan Stelian Noli dhe Faik Konica interpretuar nga artisti i shquar Frederik Ndoci

Pjesëmarrësit u argëtuan nga artistët e njohur të komunitetit si Frederik Ndoci, Gezim Nika, Arbërie Hadërgjonaj, Valbona Peraj, Haxhi Dauti, Agim Krasniqi.

Ishte një e shtunë me diell të ngrohtë dhe të shndritshëm si vetë emri që mban gazeta “Dielli” të cilës i festuam me madhështi  ditëlindjen e 110-të të saj.  

Së shpejti TV “Alba Life” do transmetojë kronikën e përgatitur për 110-të Vjetorin e Diellit organizuar nga kryesia e Federatës Pan-shqiptare “Vatra”.

6 Prill, 2019

Manhattan, New York

Filed Under: Featured Tagged With: Keze Kozeta ZYLO-DIELLI

110 vjet kushtrim lirie (Diellit)

April 8, 2019 by dgreca

Nga Marjana Bulku/

Ka mjaftuar një natë festimesh të 110 -vjetorit të gazetës Dielli në Nju Jork që Zëri i Amerikës të jehojë më fort se kurrë në të gjithë arenën shqiptare.

Një zë i vërtetë që nuk ka frikë nga gabimet e pozitës, që nuk ka dilemat e opozitës, por që ia njeh që në themel mëkatet sistemeve të padrejta të cilat varfëria materiale dhe heshtja intelektuale i shndërron në një  diktaturë edhe më të rrezikshme sesa ajo që përjetuam ne Shqiptarët e Shqipërisë së vetmuar komuniste.

Ka mjaftuar ky tubim jubilar i festimeve ,që zëri i Elez Biberajt, drejtor i Euro Azisë tek Zëri i Amerikës t’i drejtohet audiencës me një fjalim historik që përshkon tej e përtej realitetin politik dhe ekonomik shqiptar duke u bërë kështu jehona e një Dielli që në 110 vjetorin e vet u dëgjua më fort se kurrë duke na dhënë të gjithëve një leksion të madh, atë të mos heshtjes kur fatet e kombit rënkojnë.

Të shfrytëzosh lirinë e fjalës përmes njohjes dhe hulumtimeve, argumentit dhe analizës, pa u shtirur, ngjirur, fyer, përçmuar e poshtëruar , duket se është pikërisht ajo çka pret realiteti i stërlodhur shqiptar.Është si të thërrasësh për ndihmë pranë një jete që shuhet, është si ti japësh dritë errësirës që ti mjergullon shtigjet. Tribuna e diellit që  festonte me miqtë e vet papritmas u shndërrua në një arenë mbarëshqiptare që dëgjoi po atë zë në kushtet kur liria kërcënohet nga kaosi i cili ka paralizuar edhe mendimin edhe veprimin.Për shumkënd kjo ngjasonte me bulime shprese, ndërsa mua më duket një këmbanë që paralajmëron fundin…uroj të së keqes që nuk po ka fund. Ka mjaftuar ky përvjetor i 110 -të për të na kujtuar se e ardhmja projektohet duke analizuar realitetin, me të gjitha dimensionet e veta ku natyrisht përfshihet edhe e shkuara . Bukleti studimor i Ambasador Mal Berishës,  i përpiluar enkas për këtë event vjen si një përmbledhje ku ravijëzohen momente kritike të historisë shqiptare dhe roli i Vatrës dhe misionarëve të saj që i dolën për zot fateve të kombit. Fuqia lobuese e nxitur nga roli i intelektualëve shqiptar në bashkëpunim me misionarë amerikanë (Charles Telford Erickson) pati ndikim të fuqishëm në qarqet e larta amerikane, situata të cilat shumkush do të donte që ti thërriste si për tia risjellë për zgjidhje aktualitetit po aq problematik ku vihen në pikpyetje liritë , siguritë , ekzistenca. Gazetaria e shekullit të ri përballet me sfida esenciale dhe ekzistenciale. Në një kohë kur paraja është zot dhe mendimi vjetërohet dhe robërohet, roli i mendimtarëve është këmbanë shprese. Dhe në fakt kështu vinte komunikimi i profesor Nikolla Panos;I matur prej peshe dhe i pamasë prej thellësisë dhe madhështisë. 

Si do të ruhet e gjithë kjo pasuri mendimi e akumuluar në 110 vite por që mban dhjetra e dhjetra vjet të tjerë në brendësi? Dr Arjeta Ferlushkaj e cila ka dhënë një kontribut konkret në sistemimin e bibliotekës së vatrês mendon se dixhitalizimi i diellit do të ishte zgjidhja dhe zgjedhja më e mirë për ta bërë të pavdekshme këtë trashëgimni historike, kulturore e politike. 

Fjala e thënë në vendin e duhur, kohën e duhur , mënyrën e duhur bëhet udhërrëfyese, referuese, informuese. Është pikërisht kjo gjuha me të cilën i drejtohet ish-gazetari i Zërit të Amerikës zoti Frank Shkreli lexuesve të vet. Ky brez gazetarësh edhe pse kanë disa dekada që janē larguar nga atdheu, nuk i kanë ikur kurrë atij, jo vetëm për shkak të të qënit gazetarë e profesionistë , por sepse janë thellësisht patriotë dhe idealistë , pasues të Nolit dhe Konicês në kapacitete intelektuale , dhe vepra konkrete . Përpikmëria kronologjike e shkrimeve të Frank Shkrelit  orienton dhe krijon imazh realist mbi gjendjen ekonomike e politike që përjeton atdheu .

Kush jeton midis Shqipërisë dhe Amerikës e ndjen se sa e dhimbshme êshtë të të zbraset shtëpia, lagja, qyteti, të të rrënohet mundimi, të të shembet mu përpara syve puna e ndërtuar me djersë e të lulzojë nga asgjëja ajo gjëja që nuk aspak të bëjë me nderin, pronën , lirinë!

Kush jeton në Shqipëri përkund ëndrrën për të ikur, ndërsa për ne që ikëm rishtaz nuk ka ëndërr më pakuptim se ikja . Dhe tia transmetosh ikjen si formulë zgjidhje shqiptarëve të sotēm është alternativa më e dhimbshme që artikulohet tribunave të politikës . Këto thirrje partiake nxitur nga po interesa të tilla e bëjnë të domosdoshëm rolin e gazetarisë së kthjellët , realiste , të paanshme që ushqen e rrit zgjidhje e shtigje lirish.

Sipas Biberajt 60 për qind e shqiptarëve duan të ikin nga vendi i tyre a thua se vendi është në luftë . 

Realiteti dhe faktet, shifrat dhe leximi përtej tyre, shrytëzimi i indikatorëve në terren dhe matja e tyre , janë mjetet me të cilat operon një gazetari e vërtetë dhe objektive.

A nuk janë pikërisht këto elemente që e mbajnë gjatë në jetë një gazetë 110 vjeçare që ende lexohet ? Është ngjarja që e e bën lajmin, ndodhia , fakti përtej të cilit lind reagimi, reflektimi, kronika, analiza , meditimi. 

Saktësia e gazetarit Idriz Lamaj, ka mbetur e paprekshme, duke iu referuar gjithmonë detajeve që vijnë nga studimet, leximet e thelluara që për të tashmë janë shndërruar në pasion. 

Ky 110 -vjetor është edhe një homazh për të gjithë editorët e gazetës Dielli sipas editorit aktual zotit Dalip Greca të cilët të ndryshëm dhe individualisht e drejtuan në mënyra të larmishme këtë gazetë duke sjellë gjithsejcili diçka të re. Dhe e reja e diellit tonë tashmë 110 vjeçar është editorja në gjuhën angleze zonja Rafaela Prifti e cila sjell një eksperiencë shumëdimensionale si gazetare dhe editorialiste vlera këto që dukshēm u konkretizuan gjatë moderimit elegant dhe subsancial pêrkrah Frank Shkrelit çka natyrisht e ktheu këtë ditë feste në një ditë historike, në një ngjarje për mbarë gazetarinë, sfidat që ajo përjeton në kushtet kur pushtetet kacafyten e ku ajo e fjalës liri bëhet kryefjalë. 

Filed Under: Featured

110 VJETORI I DIELLIT, NGJARJE ME RËNDËSI PËR HISTORINË E SHQIPËRISË DHE SHTYPIN E LIRË

April 8, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli*   

Honored guests and participants, good morning and welcome.  Mirë mengjesi.  Unë jam Frank Shkreli.  Kam nderin dhe privilegjin që me kolegen time, Rafaela Prifti të drejtojmë ketë seminar. 

    Mirë se keni ardhë në këtë konferencë historike për të shënuar 110-vjetorin e themelimit të gazetës Dielli, organ i Federatës Mbarë-Shqiptare, Vatra. 

Ky përvjetor shënon një ngjarje me rëndësi, jo vetëm për Federatën Vatra dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan, por edhe për historinë e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar në përgjithësi, e sidomos për historinë e shtypit shqiptar dhe të fjalës së lirë, ashtu siç është ushtruar nga gazeta Dielli, për 110 vjetë të ekzistencës së saj. 

      Në përputhje me veprimtarinë e Vatrës gjatë dekadave, ashtu edhe organi i saj Dielli, historikisht, është i lidhur ngusht me fatet e Kombit Shqiptar, në vijimësi ç’prej fillimit e deri në ditët tona.Është kjo një histori dhe trashëgimi që na bën të gjithëve krenarë!

         Sot do të njihemi më mirë me kontributin dhe veprimtarinë gazetareske dhe patriotike 110-vjeçare të gazetës Dielli, në veçanti, dhe të Federatës Pan-Shqiptare Vatra dhe vatranëve të breznive të ndryshme, në përgjithësi. 

Kemi nderin që në mesin tonë të kemi sot dijetarë, historianë, studiues e gjurmues me kompetencë dhe përvojë shkencore, të cilët do të flasin për Diellin e Shqiptarëve dhe për kontributin historik që ka dhënë dhe vazhdon të japë ky organ mediatik në fushën e publicistikës mbarëshqiptare.Jam i bindur se nuk do të zhgënjeheni!

            Duhet të jetë gjithashtu, për të gjithë ne, edhe një ditë reflektimi ndaj historisë tonë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të gjithë ata pjesëtarë të komunitetit tonë këtu në Amerikë, që ndoshta nuk e njohin mirë historinë e Diellit të Amerikës dhe të Vatrës – të Fan Nolit e të Faik Konicës.

Dëshirojmë të jetë gjithashtu një ditë reflektimi edhe për udhëheqsit e dy shteteve të shqiptare dhe të medias –në Shqipëri dhe në Kosovë – të cilët duket se e kanë harruar rolin që ka luajtur, historikisht,gazeta Dielli si organ i Federatës Pan-Shqiptare VATRA në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo dhe gjihtëherë, si dhe në mbështetje të ushtrimit të fjalës së lirë për të gjithë shqiptarët, anë e mbanë trojeve të tyre.

     Është gjithashtu edhe një detyrë morale dhe përgjegjësi civile për ne, që sot tu shprehim gjithashtu nderimet dhe mirënjohjet tona më të thella para-ardhësve tanë, të cilët, shpesh nën rrethana të vështira ekonomike dhe politike – patën vizionin dhe guximin që në momentet më kritike të historisë së shqiptarëve, të bashkoheshin rreth Vatrës dhe Diellit dhe të vepronin – pikërisht nepërmjet Vatrës dhe Diellit – në mbrojtje të interesave të Shqipërisë dhe të drejtave të Kombit shqiptar, bazuar në të vërtetat historike.  

Emërat e tyre më të njohur – përfshirë Peshkop Fan Nolin dhe Faik Konicën — do t’i dëgjoni në vazhdim të kumtesave të folësve të nderuar – por pa përjashtuar qindra e qindra vullnetarë të tjerë gjatë dekadave, krye-redaktorë të Diellit, antarë dhe udhëheqës të Vatrës – përfshirë edhe udhëheqjen aktuale të Federatës Pan-Shqiptare dhe të gazetës Dielli, veprimtaria e të cilëve do të jehojë lartë në qiellët e patriotizmit shqiptar.  Dëshiroj që me këtë rast të falënderoj folësit dhe pjesëmarrësit e ardhur nga komunitetet dhe degët e Vatrës, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara dhe madje edhe pjesëmarrës nga Evropa. Shumë prej tyre kanë qenë dhe janë bashkpunues të Gazetës Dielli. Të gjithëve u jemi mirënjohës që iu përgjigjët pozitivisht thirrjes së Vatrës për të marrë pjesë në këtë 110-vjetor historik të gazetës Dielli. 

Historikisht, Federata VATRA dhe orgnai i saj Dielli, për 110-vjet tani vazhdojnë të luajnë rolin e udhëheqsit të veprimtarisë patriotike dhe kulturore në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi dhe kultivimit dhe mbështetjes së marrëdhënieve dhe të miqësisë shqiptaro-amerikane, në veçanti.

Vatra dhe Dielli zënë një vend vërtetë të rëndësishëm dhe të pazevendsueshëm në historinë e Kombit shqiptar, sepse roli i Vatrës dhe i komunitetit shqiptaro-amerikan ishte dhe mbetet një faktor vendimtar për fatet e Shqipërisë, të Kosovës dhe të Kombit shqiptar në terësi.Nuk besoj të ketë një rast tjetër në botë, ku një organizatë mërgimtarësh  të cilitdo qoftë grup etnik në Amerikë ose kudo tjetër në botë, të ketë luajtur rolin kyç dhe të ketë qenë një faktor aq i rëndësishëm, sa ç’ishin Vatra dhe Dielli në themelimin e shtetit shqiptar dhe në mbrojtjen e interesave të Kombit shqiptar dhe trojeve të tija, ç’prej fillimit të shekullit të kaluar.  Jemi krenarë që në frymën e Federatës Mbarë-shqiptare Vatra, këtu sot kemi përfaqsues nga të gjitha trevat shqiptare në Ballkan dhe nga diaspora.

Urimet më të sinqerta edhe për 100-vjet të tjera Gazetës Dielli dhe Federatës Pan-Shqiptare Vatra!  Ashtuqë veprimtaria e tyre dhe e brezit të ri të shqiptaro-amerikanëve që do t’i drejtojë ato sot dhe nesër, të vazhdojë të jetë në lartësinë e vlerave, të interesave të Kombit dhe të misjonit të tyre historik, në këtë vend demokratik që na ka pranuar me krah hapur dhe nga i cili –ashtu si 110-vjet më parë — edhe sot varet fati Shqiptarëve.

Mirë se keni ardhur dhe punë të mbarë në këtë seminar kushtuar 110-vjetorit të Gazetës Dielli, organit të Federatës Mbarë Shqiptare Vatra!

* FJALA E HAPJES SË SEMINARIT ME RASTIN E 110-VJETORIT TË

       THEMELIMIT TË GAZETËS DIELLI, ORGAN I FEDERATËS

                     MBARË SHQPITARE VATRA NË NJU JORK

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli

ÇMIMET E GAZETES DIELLI PER KONKURSIN E 110 VJETORIT

April 7, 2019 by dgreca

– NJOFTIM ZYRTAR I JURISË PER NDARJEN E ÇMIMEVE TË KONKURSIT PËR 110 VJETORIN E GAZETËS “DIELLI” –

        Në darkën e organizuar me 6 Prillt 2019 kushtuar 110 Vjetorit të Gazetës “DIELLI” u shpallën fituesit e Konkursit organizuar nga VATRA & Redaksia e DIELLIT me rastin e 110 vjetorit, ku morën pjesë 52 autorë, me esse, artikuj studimorë, reportazhe, libra për Editorët e VATRËS, libra historikë, Monografi, poezi etj etj. I falenderojmë të gjithë pjesmarrësit dhe e vlerësojmë shumë angazhimin e tyre. Pas seleksionimit për shkak të kritereve të paravendosura,u përzgjodhën  27 prej konkuruesëve për t’iu nënshtruar gjykimit përfundimtar të Jurisë për çmimet. Juria votoi në mënyrë të fshehtë gjatë takimit përfundimtar ditën e premte në Hyatt Grand Hotel në Manhattan.I falenderojme te gjithe anëtarët e Jurisë për angazhimin maksimal.

      Juria e perbere nga: Dalip Greca – Kryetar; Merita B. McCormack-nenkryetare; Bujar Skendo sekretar; dhe anëtarë: Idriz Lamaj, Alfons Grishaj, Rafaela Prifti, dr. Arjeta Ferlushkaj,  vendosi qe me shumice votash te vleresoje me çmime:

1-  Çmimi i Gazetës “DIELLI” për Reportazhin më të Mirë” iu dha z. Mal Berisha”DIELLI QË NGROH VATRËN” dhe gazetarit Sinan Kamberaj”NË SHTËPINË E EDGAR POE-KORBI-NOLI”.

2. Çmimi i Gazetës “DIELLI” për Studimin më të Mirë iu dha gazetarit Rafael Floqi për “Divergjencat mes Nolit dhe Konicës në dritën e DIELLIT”; Ernestina Halili(Gjergji) për ” Editori dhe dramaturgu- rasti Kristo Floqi” dhe Thanas Gjika”Vështrim Krahasimtar në studimet e Sotme për Faik Konicën”

3. Çmimi i Gazetës “DIELLI” për Esenë më të Mirë” iu dha Lindita Komani” Noli i Kuptuar”;  Neka Doko” Noli, Konica & Dielli”, dhe Megi Permeti-stërmbesë e Aqif  Përmetit për esenë “Në gjurmët e Ish Komandantit të Forcave Vullnetare të VATRËS, Menaxherit të Diellit, Aqif Përmeti”.

4. Çmimi i Gazetës “DIELLI” për Librin me të mire kushtuar Editorëve iu dha Fotaq Andrea”Faik Konica për Një shqiperi Europiane – Antologji”, Anton Çefa”-“Fjala shqipe si zjarri i shejtë” dhe Andon Andoni “Kostë  Çekrezi…I treti i Munguari”.

5. Çmimi per librin me te mire per 110 vjetorin e Diellit iu dha gazetarit Roland Qafoku”100 Vrasjet më të Bujshme në Historinë e Shtetit Shqiptart”, Entela Komnino” E Vërteta për Fan S. Nolin”; dhe Nikollë Loka & Nikolin Kurti “I lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i Kishës Martirë”.

         Konkurentë për të fituar çmimet nga autorët e seleksionuar ishin edhe: Agron Alibali për Studimin” MEHMET KONICA , BURRË SHTETI, DIPLOMAT I SHQUAR “, Muharrem Shqarri për librin “Miku i Shqiptarëve Aubrey Herbert”, Donika Omari për librin kushtuar editorit të DIELLIT Bahri Omarit, Prof. Skënder Blakaj për  studimin: “Skënderbeu” i poetit amerikan Henri Longfellou

në shqipërimin dhe misionin patriotik të Fan S. Nolit- , Meri Lalaj për” Qiri për shpirtin Tënd- Andon Frashëri”, Gladiola Busulla për “Intermexo me Konicën për shqiptarët”,  Keze Kozeta Zylo për ” Shën Noli dhe Gjuha shqipe- e ëmbel si qumështi i nënës”, Gani Vila për punimin” Vatra, e ardhmja e Lobit shqiptar te Amerikës- një analizë programatike”, si dhe autorët: Mimoza Hysa, Alma Liço, Reshat Kripa, Xhylie Ibrahimi, Luan Çipi, Luan Kalana, Qebir Hoxha, Abdurrahim Ashiku e të tjerë. Një falenderim i veçantë shkon për poetët që na dërguan poezitë e tyre për Konkursin: Carrie Hooper, Namik Selmani, Fuat Memelli, Neki Lulaj e te tjere. Për arsye se në Konkursin e shpallur nuk përfshihej poezia, Juria e pa të arsyeshme që të mos jepte çmime për poezinë më të mirë.Ato, ashtu si dhe shumVatra, e ardhmja e Lobit shqiptar i Amerikës, një analizëprogramatike  prej punimeve nVatra, e ardhmja e Lobit shqiptar i Amerikës, një analizëprogramatike  gjinitVatra, e ardhmja e Lobit shqiptar i Amerikës, një analizëprogramatike  e tjera  do të botohen në faqet e DIELLIT.

 Faleminderit!

Filed Under: Featured Tagged With: Konkursi i Diellit-Cmimet

Prof. Nikolla Pano uron dhe… dhuron për DIELLIN-$1,110.00

April 3, 2019 by dgreca

Prof. Nikolla Pano, ligjërues në Konferencën kushtuar 110 vjetorit të Gazetës”DIELLI”,- që do të organizohet me 6 Prill në 3 West Club 51th Street, në Manhattan,- dërgoi në VATËR një Chek sa bujar aq edhe simbolik. Nga kursimet e  veta profesori dhuroi $1,110.00(Pra një mijë plus 110, që janë vitet e gazetës DIELLI.). Falenderime të përzemërta nga të gjithë vatranët, Redaksia dhe lexuesit e gazetës Dielli, i cmuari Profesor Pano, ikonë për Kulturën tonë Kombëtare.

Profesor Pano është i njohur jo vetëm si ikonë në fushën akedemike të shqiptarëve të Amerikës, analist i thellë dhe i panashëm, por i njohur edhe për kontributet e tij për kulturën shqiptare në SHBA, vecanërisht në Bibliotekën Noliane, pranë Kishës së Shën Gjergjit në Boston.

Janë të njohura lidhjet e Profesorit me Vatrën dhe gazetën e saj DIELLI. Babai i tij, Vasil Vangjel Pano (Panariti), i cili pat arritë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1911, ishte nga anëtarët e parë kryesorë themelues të degës nr.4 të VATRËS (Manchester, New Hampshire), degë që u themelua nën kujdesin e drejtëpërdrejtë të Faik Bej Konicës në qershor 1912. Më pas, kur babai i tij lëvizi për në Boston në mes të vitit 1920, e transferoi anëtarësinë në degën Nr.1. Babi i Prof. Nikolla Pano, qëndroi anëtar besnik i Vatrës dhe abonent në Gazetën”Dielli” derisa ndërroi jetë në nëntor 1959.

 Bashkë me Chekun Prof. Nikolla Pano dërgoi një letër me urime të ngrohta për stafin e Diellit dhe për Vatrën me rastin e 110 vjetorit të gazetës, me të cilën i ka ruajtë lidhjet në vazhdimësi. Profesori e mbyll letrën duke pohuar se e ka marrë DIELLIN gjatë të gjithë periudhës që është botuar dhe konstaton se gazeta ka ardhë duke u përmirësuar në cilësi gjatë dekadës së fundit.
Urimet e mia për stafin e Diellit dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në suksesin dhe ruajtjen e këtij komuniteti shqiptaro-amerikan!-uron Porf.Nicholas C. Pano.

Filed Under: Featured Tagged With: Prof. Nicholas Pano

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 341
  • 342
  • 343
  • 344
  • 345
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT