• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KARABURUN, UDHËTIM NË MAGJINË E KALTËR TË JONIT

August 14, 2017 by dgreca

Ishulli i SazanitN__ udh__timin drejt KaraburunitParku komb__tar Karaburun -SazanOLYMPUS DIGITAL CAMERA

 NGA PËLLUMB GORICA/ DIELLI/

Të udhëtosh në vendet turistike përjeton një emocion më vete. Sidomos në këtë vapë përvëluese të Verës, kur rend drejt detit që i tërheq të gjithë të pushojnë brigjeve të tij. Ashtu si Natyra, që ka krijuar kufinj të pakapërcyeshëm, deti është kurorë dhe vlera e veçantë e Vlorës, ndaj bëhet më e padurueshme dëshira të jesh pranë tij, sepse Gjiri i Vlorës, me natyrën përreth në çdo stinë, por sidomos në Verë: ujërat e kristalta dhe plazhet e shumta pa dyshim vizitorët kalojnë pushime të këndshme. Midis gjërave që ofrohen këtu, vizitorët kanë mundësi zgjidhje,jo vetëm duke u rrezitur në plazh, por edhe të eksplorojnë panoramat e shumta të gadishullit të Karaburunit, i cili nuk është larg, por shumë i dëshiruar besoj nga të gjithë.

                    Udhëtim drejt Vlorës

   Mëngjesi tepër premtues për një udhëtim drejt Natyrës dhe detit. Një nga ato mëngjese kur e ndjen të nxehtësinë që ka gjithmonë Vera. Pikërisht ky mot ledhatar është prova e pakundërshtueshme e një dite të re.

   Tirana zgjohet nga lëvizjet njerëzore dhe nga automjetet.Tabelat e shkruara buzë rrugës, me dritën e mrekullueshme të kësaj dite, të urojnë një udhëtim të mbarë.Katrorët e fushave, përmasat e kodrave dhe lumenjve, fshatrat e shumtë dhe qytetet me radhë trazohen e formojnë një qilim shumëngjyrësh, por të përvëluar nga dielli i Verës. Shpesh na parakalojnë makina të shumta me shpejtësi. Në horizont spikasin kodra të veshura me ullinj dhe male hijerënda, të radhitur përbri njëri- tjetrit e të mbështjellë nga një hartë resh të bardha. Panoramat ndryshojnë nga ndërtimet në të dy anët e rrugës drejt Vlorës, të cilat janë tregues i shpërthimit të vrullshëm të veprimtarisë ekonomike.

Vlora, si çdo qytet, që ka të veçantën e tij, ka një histori madhështore, që kurrë nuk ka munguar me kontributet në dobi të kombit.

  Ecim nëpër Rrugën Transballkanike që të nxjerr andej nga preferia e qytetit, ku me rikualifikimin urban të qytetit, Lungomare i ka dhënë një tjetër bukuri Vlorës dhe pamje të mrekullueshme e të mbushur me ndërtime që i ngjiten faqes së kodrës. Ato kanë mbirë gjithandej buzë detit, kryesisht pallate shumëkatshe dhe vezulluese, afër njëri-tjetrit, aq sa të zihet fryma kur kalon përbri tyre. Por ende pa kaluar tunelin e Ujit të Ftohtë, ndesh një trafik pak a shumë se normalja dhe zhurma të makinave që kalojnë bri nesh, zërat e kalimtarëve dhe mërmërima e valëve të detit që e bëjnë më kumbuese ardhjen tonë, si parathënie e një çlodhjeje të udhëtimit prej disa orësh. Para syve deti shtrihet i kaltër si një pasqyrë gjigante.

  Ndërsa dalim nga tuneli, të rëndojnë shikimin deri tej Orikumit ndërtime pa kriter, tokate kafshuara egërsisht për themele të reja, ndotje dhe plehra që hidhen vend e pa vend si diçka e zakontë. Natyrisht në buzë të rri pyetja:

 Kur do të mbarojnë një herë e mirë këto ndërtime të nëmura ?!…
Duhet ta ruajmë natyrën nga dëmtimet e të papërgjegjshmëve dhe përfituesve abuzivë, të cilët, me egon e tyre, po e shkatërrojnë atë duke mos menduar për pasojat që vijnë sojesh. Të respektojmë natyrën, sepse, duke e shkatërruar atë, nuk kemi të drejtë më pas të ankohemi. Jemi në dijeni të prishjes së këtyre ndërtimeve në emër të zhvillimit të Turizmit dhe Progresit. Por, sikurse ekzistojnë qënie njerzore që prodhojnë energji, drejtësi për të tjerët dhe lenë gjurmë në emër të Së Mirës, në të njënjtin kohë ekzistojnë dhe qënie njerzore të tilla,në emër çnderues të vlerave; të veshur e ngjeshur me pushtet, por që vjedhin e shkatërrojnë Natyrën, Të Mirën, Të Bukurën e pasurive tona kombëtare.

 

                       Karaburuni, toka e ndaluar e diktaturës

  Po shkojmë drejt tij në një shëtitje në det si një vend ideal për pushime ditore, edhe pse në Shqipëri vende të tjera të bukura ka plot. Po pak dihet për vlerat e mëdha të tyre…
Vitet e fundit udhëtimi me anije e mjete të tjera lundruese këtu është kthyer në një destinacion të dëshirueshëm për pushuesit e shumtë që kanë preferuar brigjet e Vlorës, por sidomos për të gjithë ata që dëshirojnë t’i ikin rutinës dhe ritmit ditor të qyteteve të mëdha.Me shëtitjen romantike nëpër panoramat e Karaburunit udhëtarët ndjehen të gëzuar dhe të mrekulluar.Natyrish ardhja jonë këtu është një kënaqësi me të vërtetë e paharrueshme, (edhe në një qëndrim që zgjat disa orë) me risinë joshëse e të pashtershme në shpirt.
Karaburuni ka formën e gadishullit, ndaj emërtohet si i tillë dhe është një prej atyre vendeve të lakmueshme. Një mal shkëmbor i rrethuar nga deti, me pak gjelbërim dhe panoramën e tij gri. Kjo është përshtypja e parë e kujdo që e shkel dhe vështron natyrën e tij, blunë e detit me afshin e diellit nën pasqyrën e kaltër të qiellit. Tharmi i kësaj natyre duhet shfrytëzuar edhe më shumë për të mirë, në zhvillim të Turizmit. Dikur, para Viteve ’90, por edhe vite më pas, Karaburuni dhe Sazani ishin një ëndërr për shumicën e shqiptarëve, për të shkelur dhe pushuar pranë brigjeve të tyre. Por sa prej tyre nuk u realizuan dot atëherë?! Sepse këtë privilegj e kishte vetëm një pakicë. Të shkelje aty, përbënte sekret ushtarak. Duhej lejë e posaçme nga Dega … Ndal, Zonë Kufitare !…

  Kur erdhi Demokracia, (një kapërcyell që do të ishte i dhimbshëm), rrodhën në të ngjarje të rënda. Për të mbushur xhepat e skllevërve të parasë lulëzoi edhe këtu në mënyrë të paligjshme e të rrezikshme biznesi i trafikut të qënieve njerëzore drejt brigjeve italiane. Ishte koha kur shqiptarët (dhe jo vetëm ata) u dyndën për të gjetur rrugë të papërshtatshme të kalonin detin, të cilat shpesh ishin me humbje jetësh njerëzore. Kjo gjendje vazhdoi vite me radhë dhe ne të gjithë i kujtojmë më shpesh tragjeditë e rënda që ndodhën e u përjetuan aty. Deti është dëshmitar i humbjeve, të cilat jetojnë në dhimbjen e nënave, baballarëve, motrave e vëllezërve të viktimave. Askush nuk mund të thotë se kjo ishte normale, ashtu sikundër mund të pranohej lejimi i këtij fenomeni nga pushteti i kohës. Shoqërisë njerëzore i duhen kujtuar këto ngjarje. Harresa e tyre është gabim i madh. Asgjë nuk duhet harruar, sepse u bë e mundur të frenohej disi fenomeni. Erdhi një kohë që Turizmi ( i cili duhet të lulëzojë më shumë nga nismat private) edhe pse do të përballej me probleme dhe pengesa absurde, siç ishte moratoriumi për ndalimin e mjeteve të vogla lundruese, ishte një dëm për zhvillimin e tij, duke ngritur përsëri mure të mbyllur për këto panorama të bukura.

                   Përmes kaltërsive të Karaburunit 

  U ndalëm në Radhimë. Ishim pak metra larg detit që llokoçitej lehtë bregut. Një nga një zbritëm nga autobuzi për t’u gjendur pranë tij. Një fllad i këndshëm e gjallërues endej bregut që e dallgëzonte lehtë detin. Dielli, i ngrohtë, por jo shumë i nxehtë. U akomoduam në anijen “Rexhina” për të pritur çastin e nisjes. Ajo është një anije e vogël udhëtarësh. Padurimi për t’u nisurte çdokush kërkon shpjegime, por janë të detyrueshme proçedurat e udhëtimit eksplorues në Karaburun. 

  Sidoqoftë të gjendesh në det të hapur nën zhurmën ritmike të motorit dhe dallgëve të vogla që përplaseshin, duke lënë pas gjurmë të shkumbëzuara, është bukur, duke na dhënë mundësinë të shijonim udhëtimin. Herë- herë kreshtat e dallgëve përplaseshin beftas në trupine anijes. Deti reflekton kaltërsinë me fuqinë e magjishme të madhështisë së tij. E kaltra e tij dhe e qiellit shkëlqente nga drita e diellit. Është dhe kjo pastërti e qiellit që kthjellon gjithçka; na bënte të shikonim me hollësi çdo gjë në breg, që edhe të nxisin dëshirën për t’i fotografuar.

  Natyra ka krijuar shkëmbinj që në kohëra i ka gërryer pa mëshirë deti me dallgë. Asnjë arkitekt, apo piktor, sado i guximshëm qoftë, s’do ia dilte dot mbanë të thurë mrekulli të tilla për syrin tonë. Thuajse asnjë nga ne nuk kishte udhëtuar këtu dhe ndjesia e kuriozitetit që të shkakton e panjohura e kësaj natyre të grish t’i vështrosh me shumë kënaqësi. Pamjet janë interesante me forma të shtresës shkëmbore shkallë – shkallë, ku gjire të fshehura të ftonin të pushoje. Pak përtej bregut, në lartësitë e gdishullit vraga rrugësh e përshkojnë atë, por ndesh edhe dëshmitë e ndërtimeve ushtarake, në ca godina të shkatërruara, bunkerë, tunele dhe qëndra zjarri, që Socializmi i ndërtoi edhe këtu me shumicë, si në çdo pëllëmbë të Shqipërisë, të cilat të sjellin në kujtesë periudhën kur gadishulli popullohej vetëm nga ushtarët. Natyrisht është e kuptueshme se sot ato ndërtime fortifikuese nuk mund të jenë gjë tjetër përveçse gërmadha. 

                                                          Në shpellën e Haxhi Aliut


     Po shkojmë drejt shpellës së Haxhi Alisë. Kush ishte ky Haxhi Alija ?! Mbase ndonjë pirat deti i zoti, mbase ndonjë shenjt i krijuar nga njerëzit … Ajo do ta pasuronte me tej udhëtimin tonë. Fundja ky ishte qëllimi i udhëtimit, zbulimi i vendeve interesante me përbërësit e kurtheve të natyrës. Atmosfera bëhet më gazmore kur të rinjtë, nën tingujt e këngëve ritmike, vallëzojnë. Ata, të shpenguar, duan të marrin sa më shumë kënaqësi nga ky udhëtim. Stafi i anijes, i miqësuar me ne, sikurse ne me ata, të përkushtuar krejtësisht që udhëtimi në det të jetë i këndshëm, e shoqërojnë atë me tregime për detin, malin e Karaburunit, dhitë e egra dhe gjarpërinjtë helmues, për shpellat, koralet, Majën e e Frëngut, etj. Kalojnë minutat mes këtyre bisedave të këndshme dhe ja ku iu afruam shpellës së famshme, që nuk është larg, përballë ishullit të Sazanit. Masivi i tij në mes të detit, shfaq konturet aq qartë në një ashpërsi diku të veshur me drurë e diku me fortifikime ushtarake.

 -Pas pak do t’i afrohemi shpellës së njohur të Haxhi Alisë,- flet nga kabina e anijes Arbeni, kapiteni i saj. Patjetër bëhesh tepër kureshtar të mësosh nga ai për misteret e kësaj shpelle, që në Lashtësi ka qënë një vendstrehim për piratët e detit. Por, kur çdokush është përballë saj, befasohet nga përmasat gjeometrike, e futur thellë barkut masiv të malit. Aty, ku bregu shkëmbor shtrihet pingul mbi det, të shfaqet zgavra e saj me mbi  30 metrash gjatësi. Hyrja e saj ka një lartësi mbi 10 metra dhe është  kësisoj shpella më e madhe detare në Shqipëri. I mrekulluar nga emocionet që ndodhesh këtu, duke bërë ëndërrën realitet dhe jo vetëm kaq, nuk i shmangesh ngasjes të eksplorosh labirinthet e saj.

 Historia e kësaj shpelle është përmbledhur në një legjendë, që në thelbin e vet tregon për piratin Haxhi Aliu, mjaft i njohur i shekullit XVII.Në këtë shpellë ai strehohej së bashku me anijet dhe njerëzit e tij.Ajo i ofronte atij vendin më të përshtatshëm për të sulmuar anijet turke, veneciane, dalmate, napolitane, etj dhe për të ruajtur mallrat e plaçkitura.Edhe pse legjenda i ka zmadhuar trimëritë e tij ajo ka ardhur deri në ditët tona nëpërmjet rrëfimeve që tregojnë se Haxhi Aliu ishte një hero dhe tmerr i anijeve të Venedikut, të Anglisë e Napolit dhe nuk i trembej askujt në përleshjet me ushtri e piratët nëpër Mesdhe.Ai ishte nga Ulqini dhe kishte mbaruar shkollë detarie në Stamboll.

   – Deti është shtëpia ime,- thoshte Haxhi Aliu,- por pragu i kësaj shtëpie është toka. Dallgët e detit i kam jastëk për kokë; ato do të jenë dhe guri i varrit tim. Interesante kjo histori që natyrisht tregon guximin e Haxhi Aliut. 

Një pirat turk me origjinë algjeriane, nga Afrika, i dërgon një letër Haxhi Aliut:

  -Arnaut, hiqmu nga sytë, hiqmu nga udhët e detit! Unë jam më i fortë se ti. Përndryshe, do t’a rrjep lëkurën tënde dhe do ta bëj pergamen për të shkruar në të suret e Kuranit. Me të marrë letrën Haxhiu iu përgjigj kështu:

-Kafkën tënde unë do ta bëj kokë për çibukun tim.

Dhe u nis Haxhi Aliu, ngriti velat për t’u ndeshur me piratin osman. U hodh në anijen e tij dhe vrau çdokënd që i doli përpara. Piratin, që ia kërkonte lëkurën, e zuri të gjallë, ia preu veshin me gjithë vath; pastaj atë vath ia nguli në hundë dhe ashtu e tërhiqte zvarrë nëpër kuvertë të anijes”. Thonë se Haxhi Aliu, ky pirat i detit, u vra me të birin nga Venecianët dhe e varrosën në Sazan.

Mik me detin

  Të ngarkuar me impresionet e Karaburunit, të shpellës së Haxhi Aliut dhe me këtë hapsirë me thyrje të bregut shkëmbor e me gjire të vegjël si të vizatuar me dorë, ne vazhdojmë drejt Shën Vasilit.Ky gji i vogël prej vitesh është kthyer në një kënd të qetë. Aty ndodhet një kalatë për t’u ankoruar anije të vogla, motobarka e skafe, duke u kthyer në një vend pushimi ditor me kushte të përshtatshme e që të bëjnë të ndjehesh i kënaqur. Dhe, duke e shijuar këtë pushim, nën ngopjen e nxehtësisë përvëluese të rrezeve të diellit, ne iu gëzuam fatit se po pushonim në një gji të qetë, ku magjike është deti dhe kthjelltësia e tij.Jo më kot atje nuk kishte shumë pushues.Personalisht i adhuroj këto vende të bukura për pushime, me qetësinë mbretëruese përmbi çdo gjë tjetër. Natyrisht të kaplon një ndenjë kënaqësie e thellë me ajrin e freskët, i cili i farfuronte dallgët, duke e thithur me tërë mushkritë aromën e detit, që të futet thellë në shpirt, shoqëruar me rrezatimin e diellit, i cili shpërndante reflekse të shëndritshme. Është një gjë që edhe ata që s’janë poetë i bën të fantazojëpanoramae gëdhendur dhe e qendisur si me dorë nga nëna Natyrë, me ngjyrën e diellit dhe detit…
Ja, përmes këtyre përjetimeve të bukura me miq, ngrohtësi, dritë, diell, natyrisht njeriu nuk ka se si të mos ndjehet i lumtur, edhe psenë fytyrat e të gjithëve endej një lodhje e lehtë e një dite të kaluar këndshëm, mes erës, dhe magjisë së kaltër të detit Jon.

Ne ishim në Karaburun dhe shpirti ynë kishte nisur që të rrihte nën ritmin e valëve.

Filed Under: Featured Tagged With: E KALTËR TË JONIT, KARABURUN, Pellumb Gorica, UDHËTIM NË MAGJINË

Kosova me 3 anëtarë të rinj në Akademinë e Filmit Evropian

August 14, 2017 by dgreca

-Astrit Kabashi, Adriana Matoshi dhe Trim Musliu janë anëtarët më të ri të Akademisë së Filmit Evropian/
Anëtarët e ri në EFA

PRISHTINË, 14 Gusht 2017-Gazeta DIELLI/ Tre artistët kosovarë, Astrit Kabashi, Adriana Matoshi dhe Trim Musliu janë anëtarët më të ri të Akademisë prestigjioze të Filmit Evropian EFA duke numëruar kështu 17 anëtarë nga Kosova të cilët janë pjesë e Akademisë.
 
Në bazë të sukseseve të arritura Astrit Kabashi dhe Adriana Matoshi si aktorë të filmit ‘Babai’ dhe Trim Musliu si producent i filmit ‘Home Sweet Home’, janë ftuar të anëtarësohen nga Akademia e Filmit Evropian me propozim nga drejtori i QKK-së, Arben Zharku.
 
Akademia e Filmit Evropian është themeluar në vitin 1989 me drejtorin e parë Ingmar Bergman bashkë me anëtarët tjerë themeluese si Pedro Almodovar, Lindsay Anderson, Bernardo Bertolucci, Sir Ben Kingsley, Andrzej Wajda, Wim Wenders etj.
 
Së fundmi edhe regjisori Visar Morina i është bashkangjitur Akademisë së Filmit Evropian, beri te ditur Qendra Kinematografike e Kosovës ne njoftimin e derguar./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, e Filmit Evropian, Kosova me 3 anëtarë të rinj, në Akademinë

PRIZREN- DOKUFEST SHPALLI FITUESIT

August 13, 2017 by dgreca

-Në ceremoninë përmbyllëse në DokuFest u shpallën filmat fitues të edicionit të 16-të, të verës 2017-të/2 Ok Doku –GARA PËR FILMIN MË TË MIRË TË BALLKANIT – FITUESI: BUFFET ŽELJEZARA nga Goran Dević/Doku Fest, Kosovo-Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË TË BALLKANIT filmin ONI SAMO DOLAZE I ODLAZE nga Boris Poljak./

1 ok Doku

-Nga një numër rreth 2000 filmave ishin përzgjedhur 102  për kategori garuese dhe rreth 150 filma për mbi 15 programe të veçanta të festivalit/

2 DokuPRIZREN, 13 Gusht 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në qytetin historik të Prizrenit, më të madhin në jug të Kosovës, afër kufirit me Shqipërinë, të shndërruar edhe në një kryeqytet botëror filmi çdo verë, Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest shpalli mbrëmë fituesit e edicionit të 16-të gjatë ceremonisë përmbyllëse në kinemanë “Lumbardhi”.Mes diskutimeve të jurisë, ndarja e çmimeve vuri në fokus 102 filma, përfaqësues të 50 shteteve gjatë konkurrimit për 6 kategori, përfshirë dhe çmimin e audiencës.

Aktivitetet e festivalit 9 ditor përfshinin shfaqjen e 254 filmave nga 63 shtete, punëtori, diskutime, debate, masterclass-e, ekspozita dhe një seri të performancave live të njohura si DokuNights, të cilat në vetvete mikpritën yje botërorë në skenën “Andrra”, si Princess Nokia dhe shumë artistë të tjerë te njohur.

“Prizreni u shndërrua në një qytet të zhytur thellësisht në magjinë e kinemasë, kulturës dhe shpresës për të ardhmen”, u shprehën organizatorët e  festivalit që këtë vit kishte temën “E ardhmja”,

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest në edicionin e 16-të u hap në mbrëmjen e 4 gushtit për të vijuar deri në 12 gusht.

“Nga një numër rreth 2000 filmave ishin përzgjedhur 102  për kategori garuese dhe rreth 150 filma për mbi 15 programe të veçanta të festivalit, shumë prej të cilave i përkonin edhe temës së këtij edicioni”, theksuan në DokuFest.

Organizatorët e DokuFest janë shprehur shumë të kënaqur me pjesëmarrjen e filmave të regjisorëve nga Shqipëria dhe Kosova si dhe  me cilësinë e përgjithshme të filmave për këtë vit, të festivaleve kryesore si Cannes, Tribeca, Berlinale, Sundance si dhe nga festivale tjera, europiane dhe rajonale.

Programi kombëtar kishte gjithësej 9 premiera që shfaqeshin për herë të parë në DokuFest nga 7 deri në 10 gusht.

DokuFest në këtë edicion kishte një bashkëpunim të veçantë me Marubin-Muzeun Ndërkombëtar të Fotografisë në Shkodër, duke sjellë një ekspozintë, dy punëtori dhe një video-mapping nga koleksioni i Marubit.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar në Prizren e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë e artistësh nga rajoni dhe bota.

KOMUNIKATA
Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër – DOKUFEST

DOKUFEST XVI SHPALL FITUESIT!

Fituesit e edicionit të 16-të të Dokufest u shpallën gjatë ceremonisë përmbyllëse të festivalit, mbajtur në mbrëmjen e sotme në kinemanë e qytetit të Prizrenit, “Lumbardhi”. Ndarja e çmimeve, e ndjekur nga diskutime të jurisë, vuri në fokus plot 102 filma, përfaqësues të 50 shteteve gjatë konkurrimit për 6 kategori të ndryshme, duke përfshirë dhe çmimin e audiencës.

Aktivitetet e festivalit 9-ditor përfshinë të tilla, si: shfaqja e 254 filmave nga 63 shtete, punëtori, diskutime, debate, masterclass-e, ekspozita dhe një seri të performancave live të njohura si DokuNights, të cilat në vetvete mikpritën yje botërorë në skenën “Andrra”, si Princess Nokia dhe shumë artist të tjerë te njohur.  Sërish për të satin vit rradhazi, Prizreni u shndërrua në një qytet të zhytur thellësisht në magjinë e kinemasë, kulturës dhe shpresës për të ardhmen.

GARA PËR FILMIN MË TË MIRË TË BALLKANIT – FITUESI: BUFFET ŽELJEZARA nga Goran Dević

Juria: Karen Cirillo, Mimi Brody, Ognjen Glavonić.

DEKLARATA: Ne e shpërblyem BUFFET ŽELJEZARA (Steel Mill Café) si një portret i punuar në mënyrë eksperte të një komuniteti që lufton me realitetet ekonomike të popullatës që po pakësohet. Me shkathtësi kap pronarët e kafenesë dhe vizitorët me humor të hollë dhe një intimitet që tregon se sa e vështirë është t’i thuash lamtumirë shtëpisë.

Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË TË BALLKANIT filmin ONI SAMO DOLAZE I ODLAZE nga Boris Poljak.

DEKLARATË: ONI SAMO DOLAZE I ODLAZE/ THEY JUST COME AND GO është një film lozonjar në aspektin vizual dhe një alegori që të lë gojëhapur, i dedikuar të pikturojë në mënyrë të hollë një botë në të cilën, nga agimi në perëndim, kapet jeta njerëzore në shkallë të ndryshme të dëshirës dhe pasigurisë në të gjitha ndërthurjet e veta pa drejtim.

Juria e njejtë zgjodhi FILMIN MË TË MIRË NGA REGJISORI BALLKANIK NË ARDHJE: MY LIFE WITHOUT AIR nga Bojana Burnać.

DEKLARATË: Ne e shpërblejmë filmin MY LIFE WITHOUT AIR për qasjen e tij të freskët dhe origjinale dhe fotografinë e mrekullueshme. Me një bindje që nuk shihet shpesh në filmat debutues, Bojana Burnac i beson subjektit të saj dhe audiencës dhe e le tregimin e saj të shpaloset ngadalë për të zbuluar personalitetin dhe realitetin e një zotëruesi tepër privat të rekordit botëror.

Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË NGA REGJISORI BALLKANIK NË ARDHJE filmin Gora nga Stefan Malešević.

DEKLARATË: Vlerësimi special shkon për filmin e Stefan Malešević i mrekullueshëm në aspektin vizual dhe meditimin e pasur lehtas për një komunitet të maleve dhe natyrës, kafshëve dhe njerëzve. Koha, tradita, ritmi dhe rregullat e jetës në Gora me kuriozitetin dhe vëzhgimin e autorit sillen më afër atyre që mund të mos kenë kurrë shansin ta vizitojnë këtë pjesë të botës.

FILMI MË I MIRË DOKUMENTAR NDËRKOMBËTAR I METRAZHIT TË GJATË – FITUESI: EL MAR LA MAR by Joshua Bonnetta, J.P. Sniadecki.

Juria: Carmen Gray, Cíntia Gli, Melody Gilbert, Rodolfo Castillo-Morales, Wood LIN.

DEKLARATË: Vështrimi i regjisorit në kohë dhe peizazhin e shkretëtirës në kufi mes SHBA dhe Meksikës, me filmin 16mm. Shenjat e jetës njerëzore vështirë se duken, por shkretëtira e zbrazët përgjatë kolonës zanore shërben si metaforë e gjallë e gjithçkaje të dukshme, megjithatë ndikuese, për jetët tona të përditshme. Aspektet gjeografike, ideologjike dhe politike po ashtu janë ndriçuar përmes strukturës narrative siç edhe e shpjegon udhëtimi. El Mar La Mar është një poemë e bukur dhe një deklaratë tepër politike me sinqeritet në kontekstin bashkëkohor.

 

 

Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË DOKUMENTAR NDËRKOMBËTAR TË METRAZHIT TË GJATË filmin 69 MINUTES OF 86 DAYS nga Egil Håskjold Larsen.

DEKLARATË: Një film i ndjeshëm që përshkruan udhëtimin e një familje përmes syve të pafajshëm, në kohë të vështira dhe të pasigurta të politikës dhe të ankthit shoqëror, ku mund të interpretohen shumë qasje drejt thelbit të filmit, të duhura apo problematike.

FILMI MË I MIRË DOKUMENTAR NDËRKOMBËTAR I METRAZHIT TË SHKURTËR – FITUESI: IF ONLY THERE WERE PEACE nga Carmine Grimaldi, Deniz Tortum.

Juria: Carmen Gray, Cíntia Gli, Melody Gilbert, Rodolfo Castillo-Morales, Wood LIN.

DEKLARATË:  Një eksplorim origjinal dhe shumë shtresor i marrëdhënieve të pushtetit, identitetit dhe performancës që na lejon të reflektojmë për funksionet e kinemasë si mjet shoqëror dhe kulturor.

FILMI MË I MIRË PËR TË DREJTAT E NJERIUT – FITUESI: THE WAR SHOW nga Andreas Dalsgaard, Obaidah Zytoon

Juria: Laura Limani, Mante Valiunaite, Miranda Pennel

DEKLARATË: Juria është impresionuar nga forma e punuar mirë e filmit, intimiteti i kamerës së tij dhe kualiteti reflektiv i rrëfimit të tij. Filmi arrin të ofrojë një pamje të afërt të rezistencës në Siri; ai është një homazh i bukur për aktivizmin politik dhe në fund, një tregim intim i miqësisë së humbur shumë shpejt. Ajo çka fillon si një tregim personal transformohet në një rrëfim guximi gazetaresk dhe përkushtimi për të dokumentuar ndikimin brutal të luftës në jetët njerëzore prej afër.

Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË PËR TË DREJTAT E NJERIUT filmin A FEELING GREATER THAN LOVE nga Mary Jirmanus Saba.

DEKLARATË: Një hetim i rëndësishëm dhe në kohë i historive të punës dhe solidaritetit të klasës punëtore në Liban në periudhën pak para luftës civile.

FILMI MË I MIRË PËR AMBIENTIN – FITUESI: AMA-SAN by Cláudia Varejão

Juria: Bilge Ebir, Riina Zachariassen, Uta Ibrahimi

DEKLARATË: Derisa ne ishim tepër të impresionuar me të gjitha propozimet e filmave këtë vit, çmimi për filmin më të mirë për Green Dox ishte unanim. I shkon një vepre që balancon për bukuri një ndjenjë komuniteti dhe humaniteti me ashpërsi dhe elegancë. Ky është një film me mirëkuptim të gjallë të ritmeve të natyrës, të krijuara nga një regjisore e cila jo vetëm që ka një sy të jashtëzakonshëm, por edhe di se si të na zhys në të gjithë botën. Ju mund ta ndieni këtë prani të regjisores në secilin kuadër të këtij filmi, dhe megjithatë ajo kurrë nuk del në rrugën e realitetit fascinues që po e prezanton.

FILMI MË I MIRË I SHKURTËR – FITUESI I PARË A DROWNING MAN nga Mahdi Fleifel.

Juria: Afolabi (Afo) Kuti, Jasmin Basic, Trimor Dhomi

DEKLARATË: A DROWNING MAN na çon në një udhëtim mbërthyes të një refugjati, me një aluzion të përkrahjes apo bujarisë së madhe. Me dramë që e ngacmon audiencën që jo vetëm të ndjekë por edhe të angazhohet. Mahdi Fleifel ka krijuar një film rrëzëllues me thellësi dhe frymë.

FILMI MË I MIRË I SHKURTËR – FITUESI I DYTË THE CHIMERICAL MUSEUM OF SHIFTING SHAPES

DEKLARATË: THE CHIMERICAL MUSEUM OF SHIFTING SHAPES është premierë botërore në DokuFest dhe juria janë kënaqur së tepërmi nga veçantia e imazhit me muzikën e  kompozuar. Damiàn Alquichire ka vetë punuar secilin aspekt të filmit duke e ndarë vetëm punën e muzikës. Talenti i tij është origjinal dhe unik me një zë që futet përmes kinemasë.

 

GARA KOMBËTARE – FITUESI: SANS LE KOSOVO nga Dea Gjinovci

 

DEKLARATË:  Një zë i ngrohtë dhe poetik përshkon rrugëtimin e sinqertë e delikat të një vajze dhe  babait të saj ndërsa së bashku provojnë të kuptojnë plagët e së kaluarës.

Juria e Garës Kombëtare vlerëson filmin SANS LE KOSOVO / PA KOSOVËN nga Dea Gjinovci si filmin më të mirë dhe siç përkon me temën e këtij edicioni të DokuFest, urojmë që regjisorja ta vazhdoj këtë kërkim drejt të vërtetës dhe respektimit të dinjitetit njerëzor, sepse një e ardhme e mbarë e pret!!!

 

Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për GARËN KOMBËTARE filmin ETHNOPHOBIA.

 

DEKLARATË:  Për vëmendjen e treguar ndaj çdo detaji, për sensin e fortë të humorit, për dashurinë, durimin, si dhe mjeshtërinë regjisoriale të treguar, juria vendosi të ndaj dhe një çmim special: Special Mention për filmin ETHNOPHOBIA nga Joan Zhonga i cili na ka dhuruar një film të hareshëm që prek njësoj si zemrat e fëmijëve, ashtu edhe të të rriturve.

 

ÇMIMI I AUDIENCËS:

 

Me dasht’ Me dasht’ Me dasht’ nga Ilir Hasanaj.

Filed Under: Featured Tagged With: 2017, Doku fest, Prizren, SHPALL FITUESIT

PRISHTINA MBLEDH ALBANOLOGET NGA BOTA

August 13, 2017 by dgreca

-Në kryeqytetin e Kosovës nis nesër Seminari XXXVI Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare/
1 ok Albanolog Prisht
 PRISHTINË, 13 Gusht 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Prishtinë, në sallën e madhe të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit Publik, zhvillohet nesër ceremonia solemne e hapjes së punimeve të Seminarit XXXVI Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili zhvillohet deri në 25 gusht, ndërsa sot po mirëpriten seminaristët.
Programi bazë i Seminarit është: Kurse intensive të mësimit të shqipes (tre nivele); Ligjërata të veçanta të gjuhësisë; Ligjërata për letërsinë shqiptare; Ligjërata për kulturën shqiptare; Referime shkencore; Ligjërata të përgjithshme; Tryeza të rrumbullakëta; Tryeza e doktorantëve; Program kulturor plotësues për t’i njohur seminaristët me bukuritë natyrore, me veprimtaritë kulturore e të mira të tjera në qendra të Kosovës.
Këshilli Drejtues në axhendën e dërguar thekson edhe se,  temat bosht  të Seminarit për sesionet shkencore (24 – 25 gusht) janë tre: Gjuhësi – Qendrat e zhvillimit të shqipes
(Qendrat gjeografike të zhvillimit të shqipes; institucionet që kanë ndikuar në zhvillimin e shqipes; pikat referente të zhvillimit të shqipes-sinkroni dhe diakroni; autorët si pika referimi);  Letërsi – Fakti dhe fiksioni në letërsi; Kulturologji – Media dhe identiteti kulturor.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1974. Ishte viti i Kushtetutës që avanconte të drejtat e shqiptarëvetë Kosovës si element konstituiv me të drejtë vetoje, i federatës së atëhershme.
Seminari ka zhvilluar në vitin 2016 sesionin jubilar – të tridhjetë e pestin. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Pas çlirimit të Kosovës në qershorin 1999, nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
 Në Qendrën Studentore në Prishtinë mes seminaristëve që kanë mbërritur sot është Eliza Danielewska nga Polonia, e cila për herë të parë merr pjesë në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqipe. Ajo aktualisht studion Albanologjinë në degën e Ballkanistikës në Poloni.
“Më pëlqen shumë si tingëllon shqipja. Për herë të parë e kam dëgjuar shqipen kur isha në Shqipëri. Që atëherë, e kam pasur ëndërr ta mësoj gjuhën shqipe. Kjo më shtyu edhe të vij në seminar këtë vit”, ka thënë Eliza.
Ka qenë pikërisht seminaristja e përvjetshme, Agata Rogos nga i njëjti vend, që i ka sugjeruar asaj të marrë pjesë në seminar. Shumë nga seminaristët e rinj sugjerohen të vijnë nga ish-seminaristët pas përvojave të mira që i kanë në Kosovë, bëjnë të ditur organizatorët.
Eliza, së bashku me rreth 150 pjesëmarrës të tjerë, do t’i ndjekin kurset për gjuhën shqipe gjatë dy javëve.

Filed Under: Featured Tagged With: Albanaloget, Behlul Jashari, nga bota, Prishtina

Meta priti delegacionin faktmbledhës të Senatit Amerikan

August 12, 2017 by dgreca

Presidenti Meta priti një delegacion faktmbledhës të Senatit të SHBA-së/

1 Meta senatoret

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti dhe bashkëbisedoi me një delegacion të Senatit të SHBA-së, të kryesuar nga Senatori Roy Blunt, të cilët po zhvillojnë një vizitë pune faktembledhëse në disa vende të Ballkanit Perëndimor.Kreu i Shtetit shqiptar dhe senatorët amerikanë vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, kontributin e Shqipërisë në NATO dhe rolin e saj stabilizues në rajon.

2 Meta

Bashkëbiseduesit vlerësuan vizitën në Malin e Zi të Zëvendëspresidentit të SHBA-së Mike Pence dhe mesazhet e tij të qarta mbi çështje të sigurisë rajonale, ato të koordinimit të veprimeve në kuadër të luftës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.Presidenti Meta nënvizoi se siguria është baza e prosperitetit dhe zhvillimit të rajonit tonë, ndaj bashkëpunimi kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar me SHBA-në dhe NATO-n është vendimtar për të ardhmen e sigurt të vendeve tona dhe qytetarëve tanë.

Filed Under: Featured Tagged With: Presidenti Meta priti .delegacion faktmbledhës, të Senatit Amerikan

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 490
  • 491
  • 492
  • 493
  • 494
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT