• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Greqia rrezikon të përjashtohet nga FIFA dhe nga UEFA .

April 24, 2015 by Administrator

Greqia rrezikon seriozisht të përjashtohet nga FIFA dhe nga UEFA për shkak të ligjit të ri të qeverisë “Syriza” kundër dhunës në stadiume, i cili do të hidhet në votim javën e parë të majit. 

Në ligjin e ri i jepet pushtetit ekzekutiv grek, tagri për të gjobitur deri në 17 milionë Euro klubet për dhunën në stadiume, duke i marrë në këtë mënyrë këtë pushtet dy organizmave maksimale të futbollit.

Të dy organizmat ndërkombëtarë janë irrituar me ligjin e ri të qeverisë “Syriza” dhe kanë reaguar menjëherë duke i dërguar një letër Parlamentit grek.

“Nëse kjo norme do të aprovohet nuk do të kemi asnjë zgjedhje tjetër përces të përjashtojmë Federatën Greke të Futbollit”. E thënë më thjeshtë, nëse diçka e tillë ndodh, as Kombëtarja greke dhe asnjë klub nuk mund të marrë pjesë në kompeticionet ndërkombëtare.

Nga tonet e forta që po përdoren gjykohet se do të jetë e vështirë që raportet të përmirësohen.

“Kontrollet e UEFA-s dhe FIFA-s qartësisht kanë dështuar këtë e demonstrojnë faktet dhe ne nuk do të bëjmë hapa pas”, deklaroi zv/ministri grek i Sportit, Stavros Kontonis, duke i ftuar të dyja institucionet e futbollit për një takim, por duke paralajmëruar: “Sigurisht që nuk do të ndryshojmë filozofinë e ligjit tonë për UEFA-n dhe FIFA-n, por me sa duket ato më shumë se sa për të shpëtuar sportin, mendojnë të destabilizojnë rendin kushtetues në vendin tonë”.

Futbolli grek po jeton një periudhë të vështirë për shkak të dhunës mes ultrasve, kampionati këtë vit është pezulluar tre herë.

Filed Under: Featured

MBAS SHTERNGATES

April 22, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
■NË 100 VJETORIN E NJË YLLI TË KULTURËS SHQIPTARE…/
Mbas një shiu që ra mbramë sikur, dikur në Shkoder, kur dola n’ oborr pashë se qielli ishte mbushë me yje… I shikova per pak minuta e menjëherë mu kujtuen disa Yje që shtërgata e vitit 1944 në Shqipni, nuk na lejoi me ua pa as xixllimin e tyne plot dritë…
A dishroni me u shmallue me burimet e gurrat e Gegënishtes Letrare të Shqipnisë ?
Çoni sytë nga qielli e në sejcilin Yll do të lexoni emnat e Guljelm Dedës, Nikollë Dakës, Henrrik Lacës, Mark Demës, Et’hem Haxhiademit etj., Emna të cilët as hetuesitë, as torturat dhe as burgjet e kampet e interrnimit, nuk mujtën me ua errësue shkelqimin e artë të Tyne shpirtnuer, shoqnor dhe kulturor me një persekucion gjysëshekullor.
■E pra, bashkë me Ata letrarë asht edhe Dedë Gajtani (Kola), që asnjëni nuk njiheshin as “profesora” dhe as, “akademikë”… sepse, shkruenin e flisnin Gegnisht e per pasojë u interrnuen, u burgosën dhe u trajtuen nga “lufta e kllasave” të “pakënaqur” e nënza… “reaksionarë të kulturuar në shkollat klerikale të Shkodres”! Sigurisht, “jo shumë kohë” po, nga 1944 e derisa mbyllën sytë e Tyne plot dritë që shkelqenin kulturen Shqiptare Europjane Perëndimore! Një brez intelektualësh i papersëritshëm në Shqipni!
■Dedë Gajtani asht le në Gajtan të Shkodres me 7 Qershor 1915. Shkollen e mesme e perfundoi në Kolegjin e Jezuitëve në Shkodër. Ishte nxanës i Don Ndre Mjedjës, i vlersuem gjithmonë në letersi me notën 10. Në vitin 1935 vazhdoi studimet e nalta në Romë, ku edhe i perfundoi në Propaganda Fide në vitin 1941. Ishte student kur filloi me shkrue poezi të cilat u botuen edhe në revistën Cirka. Kur ishte Deda student në Romë, shkoi për vizitë At Gjergj Fishta. Me atë rast prof. Mark Dema recitoi një poezi që kishte shkrue Deda. At Fishta pyeti se kush e kishte shkrue atë poezi? Shokët i thanë: Dedë Gajtani. At Gjergji ju drejtue Dedës tue i thanë: Të lumtë, të këshilloj me vazhdue me shkrue! Vlersimi dhe levdatat e asaj kohë i dhanë krahë muzës së Tij poetike, gja të cilen e kujtonte gjithnjë Deda. Kishte pasion per gjuhët e hueja dhe zotnonte shumë mirë latinishtën, italishtën, frengjishtën, spanishtën, gjermanishtën, anglishtën, dhe hebraishtën. Porsa u kthye në Atdhe filloi përkthimet e botimet në revisten “Kumbona e së Diellës”. Punoi nga viti 1941 deri në 1945 në Institutin e Studimeve dhe Biblioteken Dante Aligeri, në Tiranë. Në vitin 1945 emnohet arsimtar në Fier. Ishte tue shetitë në Manastirin e Ardenicës në vitin 1946 kur e arrestojnë për disa muej në burgun e Beratit.
Me nderhymjen e nje shoku të tij, në Institutin e Studimeve, e lirojnë nga burgu. Ajo nderhymje ishte vendimtare që e çveshi nga akuzat e shpifjet si agjent i Vatikanit…etj.
Porsa u kthye në Tiranë, u dëbue politikisht dhe u emnue arsimtar në Maqellar të Peshkopisë deri në 1950. Prej këtej e transferojnë në Krujë, ku mbas një viti në 1951, e pushojnë nga puna me motivacion: “I pa denjë për të edukuar brezin e rinj”.
Detyrohet per kafshatën e gojës të punoi punë fizike në hidrocentralin Karl Marks, Ulzë, deri në 1954. Nga 1954 deri 1958 emnohet persëri mësues në shkollat fillore të Oroshit e Malaj të Mirditës… Deda nder ato Malësi të egra, kishte përkrahu edhe zonjën e Tij të Nderueme Maria, një Burrneshë e daltueme nga Vetë Dora e Zotit, me të gjitha tiparet që pak gra Shqiptare i ruejnë prej rracës sonë Ilire… Një Fisnike, e gjatë, por gjithmonë me buzë në gaz dhe madhështore, aqsa i ka hije një grueje intelektuale. Në vitit 1958
ishin me 4 fëmijë kur i transferojnë në Dukagjin, kohë në të cilën i njoha edhe unë… Detyrohen me i ra kryqeterthuer edhe Malësisë së Dukagjinit… Abat, Gimaj, Theth…
Po, gjithmonë Ai Deda i thjeshtë, i dashtun, buzagaz e optimist: “E ban Zoti mirë…!
Ai na ka në kujdes!”… Gjithmonë i “heshtun” e me një shprehje fëtyre plot dritë… ■Kultura botnore që kalonte nder duert’ e Tij, kishte ba punën e vet! Ajo kishte depertue thellë në Shpirtin e Dedë Gajtanit, që mërrijti me pa vetem pak ditë shpresdhanëse të asaj deshire të madhe sa vjeçare, per të cilën punoi gjithë jetën e vet pa ju ndigjue zani.
Bash atëherë kur një rreze drite e një Lirie mendimi e fjale të andrrueme filloi me freskue shpresën e mberthyeme nder prangat e heshtjes, atëherë, kur filloi me pa frutin e punës 47 vjeçare nder revistat e porsa daluna nga shtergata… Deda iku në Mbretninë Qiellore!
Me datën 7 Dhjetor 1993, Dedë Gajtani heshti përgjithmonë…Edhe né ashtu kujtuem!
■Po veprat e Tij në gjuhët e mbarë Europës, u zgjuen e na treguen se Dedë Gajtani asht i pranishem në sofrat e shkodranëve të Tij, nder sofrat e miqëve në Fier, nder ata gurë historikë të Bjeshkëve të Nemuna ku, dora e Dedës, gjithmonë e lëmueme nga një dashuni e thellë e Marijës, arrijti me daltue nder ata shkambijë dashuninë për Atdhe!
Aty nder ata male do të gjeni pranë krojeve nder Kryqat e pushimit perjetsisht tue folë në Gegnishten e bukur të At Fishtës dhe Don Ndre Mjedjës, në ambelsinë dhe rreptësinë e Don Lazer Shantojës e Don Ndre Zadejës, ase në rizat apo xhubletat shekullore të atyne Viseve, të shkruem per Ju o Rini Shqiptare: Poetët e Mëdhej Dante Aligeri, Viktor Hygo, G.Volfango Goethe, Federik Schiller, Aleksander Manxoni, Carducci, Leopardi, Marradi, Torquato Tasso, Ada Negri, G.Pascoli, Artur Graf, Zanella, Aleardi, Henrik Heine, G.Giusti, G.Caparozzo, Giovani Prati, Chateubriand, E.Longfellow, Domenico etj…, etj… E fëmijët e vegjel do të dëgjojnë përrallat e Ezopit e Fedrit në gjuhen Shqipe!
■E zemra e Madhe e Poetit të heshtun, aty ku prangat e robnisë u këputën, aty Ajo… shpertheu si vala e Drinit apo rrebeshi i Cemit, ashtu si dikur Ato Vise të Kastriotit nuk njohën turp dhe robni, ashtu edhe Shpirti i paster i Dedë Gajtanit na dhuroi poezitë e Tija origjinale si biluri: Malli, Ave Maria, Andërrime e vegime, Nanë Lamtumirë…
■Po, mbi të gjitha Dedë Gajtani sot në librin e Tij, na thotë mbas shtërgatës: Këtu jam!
Nuk jam ma Firsi…Nuk kam ma pseudonime! E as, nuk do të heshtë! Këtu jam!
■A dishroni me më ndigjue zanin tim tue këndue? Per Ju, o Shqiptarë, sot do t’i këndoj…
KALASË ROZAFATIT
O mure të vranta të Rozafatit!
Që tash sa shekuj, ju besnikë mbrojës,
I patë sa orla të zezë mësyen këtij shpatit,
Çerdhen e shqiponjës.

Sa ushtri turke këtu e barbarë erdhen!
Sa herë o shqipe, me luftë të kanë mësy!
Por s’ muejt asnjeni, ta prishi çerdhen
As të pushtojë ty.

E njikëtu motit shqipet rromake
Fishkëlluen rreth teje, me të shkye me skjepa.
Por ti, o shqipja shqiptare i flake,
Copë, copë në këto shkrepa.
Sa herë t’ u sulen ndër kohna të vjetra!
Sa herë t’ u sulen ndër kohna të reja!
Ti, o shqipe ilire, i shkjeve me kthetra,
Mu té foleja.
***
Vullkan kalaja thonë ka kenë motit,
E ke asht afrue e ka djegë mbrendë.
Vullkan kalaja asht dhe në ditë të sotit
E ka për të kênë.

U lëshuen të grabisin sa herë vandalët,
Rromakë e turq e serb, venedikë,
Por té, i to ledhe, u thyene valet,
Porsi té, i digë.

Ledhet hijeranda, të kalasë madhështore
Të kujtojnë të kaluemen, trime e luftare.
Porsi ma e bukra sot përmendore,
E tokës shqiptare.

O njato mure, e njato rrenime!
Mbulue prej myshqesh e shermashekut,
Përmbi ballë të tyne ruejnë sa kujtime,
Të kohës Skanderbegut.
***
Po qeshi Shkodra, e bukur fare,
Rrethue prej malesh zbardhue prej bores.
Kur kënduene të lira vashat shqiptare
Kangët e fitores.

Kënduen fushat, malet dhe valet e Drinit,
Kur valoi flamuri mbi të lire Rozafen.
E ushtritë e hueja përtej kufinit
E thyene qafen!

Té ti, me njome të veta përdore,
Vijnë sot të mejtueme nanat shkodrane.
E u tregojnë fëmijve njimijë histore,
Mbi kalanë tande!
***
■Ishim me duer të shterngueme si burrat…
Ah Dedë Gajtani, si sot më kumbon zani Yt “nën za”… “Fritz, mos na ndigjoj kush!..”
– Vetem Rozafa!
Vetem Ajo, do të daltojë nder Gurt’e Saj… Emnin Tand për shekuj të shekujve!
Melbourne, 2015.

Filed Under: Featured Tagged With: Fritz radovani, mbas shterngate

Njohje të vjetra e Kryepeshkop Anastasios me Mitropolitin Sebastianos

April 19, 2015 by dgreca

Nga Arben Llalla/
Krypeshkopi i Shqipërisë Anastas Janullatos ka patur lidhje të ngushta me Mitropolitin e Konicës, Sebastianon, njeriu që ka promovuar për shumë dekada propagandën për aneksimin e jugut të Shqipërisë ose Autonominë e Vorio Epirit.
Në fund të viteve 1950 Kryepeshkopi, Anastas Janullatosi, Mitropolit i Konicës, Sebastianos, Mitropoliti Stagon dhe Meteoron, Serafeim Stefanu, Kryepeshkopi i SHBA, Dhimitris Trakattelis, dhe shumë figura të larta kishtare ishin anëtarë të organizatës Vllazëria e Teologëve “JETA”. Në vitin 1960, Krypeshkopi Anastasio, Mitropoliti i Konicës Sebastiano, u shkëputën si fraksion nga Vllazëria e Teologëve “JETA”, dhe themeluan Vllazërinë e Teologëve “SHPËTIMTARI”.
Hakmarrja e Vllazërtisë “JETA”, ndaj Vllazërisë “SHPËTIMTARI”, nuk vonoj. Me zgjedhjen Kryepeshkop i Greqisë, Jerominos Koçoni, i cili vinte nga organizata
Vllazëria e Teologëve ”JETA”, shumë anëtarë të nga Vllazëria e Teologëve “SHPËTIMTARI”, u dërguan me detyra jashtë Greqisë për hakmarrje. Kështu, Anastas Janullatosi u dërgua me mision në Afrikë, Dhimitriso Trakattelis, u dërgua në SHBA, Efthimiu në Kore, etj. Në vitin 1974, erdhi në krye të kishës së Greke Serafeim, një tjetër anëtar Vllazërtisë “JETA”, dhe kështu shumica e drejtuesve të Vllazërisë “SHPËTIMTARI”, mbetën jashtë Greqisë, duke ju mbyllur rruga e karrierës së tyre për shumë vite.
Ishte Patriarkana e Stambollit që rehabilitoj disa figura të Vllazërisë së Teologëve “SHPËTIMTARI”, duke ju mundësuar që të bëhen kryepeshkop si: Anastas Janullatosi u dërgua Kryepeshkop në Shqipëri, në SHBA,u emërua Dhimitris, etj. Nxitësit e themelimit të Vllazërisë e Teologëve “SHPËTIMTARI”, në një farë mënyre ende janë të internuar duke shërbyer jashtë Greqisë, asnjeri prej tyre se kishte menduar dhe dëshiruar që të jetonin dhe punonin jashtë saj. Lufta midis Vllazëria e Teologëve ”JETA” dhe Vllazëria e Teologëve “SHPËTIMTARI”, vazhdon edhe në propagandë duke akuzuar dhe kritikuar figurat qendrore të këtyre dy organizmave. Një rast i freskët kemi kritikën e publicistit Panajoti Televandu,i cili një ditë pasi u inaugurua me aq propaganda Kisha Ortodokse në Tiranë, botoj një shkrim të ashpër kundër Kryepeshkopit Anastasios dhe kryepeshkopit të SHBA, Dhimitrios. Titulli i shkrimit ishte poshtërues: Nuk keni turp z. Annastasios! Autori sillte të dhëna se kisha në Tiranë si arkitekturë i ngjanë më shumë një Xhamie pa minare se sa një Kishe Ortodokse. Publicisti Panajot Televandu është një kritikues i Kryepeshkop Anastasit, ai atë e quan Profesor, pra pa asnjë titull të lartë fetar.
Në përfundim dua të shtoj se Vangjel Dule dhe kryetari i ri i OMONIA, Leonidha Papa, janë njerëzit e rekomanduar nga Mitropoliti i Konicës, i ndjeri Sebastianos, sepse që të dy këta vijnë nga organizata që punon për aneksimin e jugut të Shqipërisë, SFEVA, themelues i së cilës është Mitropolit Sebastianos.

Filed Under: Featured Tagged With: arben llalla, Kryepeshkop Janullatos, Sebastianos

ENVER HOXHA DHE BAHRI OMARI

April 17, 2015 by dgreca

“ENVERI DONTE TA ZHDUKTE BAHRI OMARIN PA MBARUAR LUFTA”“ENVERI DONTE TA ZHDUKTE BAHRI OMARIN PA MBARUAR LUFTA”/
Nga: Fatmira Nikolli/*
Një libër i ri hedh dritë mbi Bahri Omarin. Autorja, Donika Omari (nusja e të birit) tregon në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, kush ishte ai përtej ‘kunatit të Hoxhës’, arsyet pse u bë ministër i qeverisë nën pushtimin gjerman, këndvështrimi i tij për bolshevizmin, të pavërtetat e thëna për të ndër vite, a mund të ishte shmangur fundi tragjik, dokumentet që hedhin dritë mbi synimet e Enver Hoxhës, një sqarim për legjendat urbane mbi gruan e Bahri Omarit dhe përmasat e ‘panjohura’ të intelektualit.
Është përmendur për lidhjet familjare me Enver Hoxhën, por një libër i ri sjell kontributin e tij në publicistikë, si patriot, veprimtar. Pse vendosët të sillnit këtë studim për Bahri Omarin?
Emri i Bahri Omarit më ka shoqëruar qysh në fëmijërinë time, kur dëgjoja që transmetohej me megafon në rrugët kryesore të Tiranës gjyqi dhe dënimi i tij kapital, dhe në familje flitej me tronditje për këtë. Ishte një figurë që gëzonte vlerësim e nderim të veçantë te njerëzit. Dhe qysh atëherë e më vonë, megjithëse ishte e rrezikshme ta përmendje se Partia Komuniste e kishte damkosur si tradhtar, kam dëgjuar për të vetëm fjalë admirimi. Tani, në kohën e demokracisë, shoh se në gjykimin e figurave historike vazhdon prirja për të përgjithësuar, për të përjashtuar, për të damkosur, pa u marrë mundimi të shqyrtohet veprimtaria e veçantë e secilit dhe rrethanat në të cilat veproi. Një tipar i trashëguar i ne shqiptarëve për ta pasur të vështirë t’i rishikojmë gjërat, tipar që u theksua me shpëlarjen e truve gjatë diktaturës, vazhdon të pengojë sot arritjen e një shqyrtimi objektiv të historisë e të figurave të veçanta, që kanë pasur një rol në të. Kjo dukuri ndodh te ne pavarësisht kaheve politike. Nga ana tjetër, në shtypin tonë janë dhënë herë pas here gjëra të pasakta për Bahri Omarin. Me këtë libër jam përpjekur të tregoj kontributin e tij të shquar si patriot, si veprimtar politik, si publicist e botues. Si edhe të sjell nga jeta e tij të dhëna autentike.
Çfarë mund të ve-çoni sa u takon arti-kujve të tij për çësht-jen çame?
Atdhedashuria e Bahri Omarit është vërtet prekëse kur shkruan për çamët e Çamërinë. “Çamëria s’mundet të bëhet Greqi. Çamëria është vendi m’i bukur i tërë atij anëdeti, gjithë valët e Adriatikut atje në baltën e ëmbël të Çamërisë kërkojnë të mpështeten dhe të prehen.” E quan: “Çamëria trime, Çamëria e bukur, diamandi i vyer i Shqipërisë…” dhe i bën thirrje Konferencës së Paqes ta ndreqë gabimin e madh të Konferencës së Londrës dhe ta bashkojë me nënën e vet, Shqipërinë, duke e shmangur nga barbarizmat e shovinistëve grekë. Shqetësimit për fatet e Çamërisë, por edhe të Kosovës, që i shikon si të pashkëputshme nga fati i Shqipërisë, i kthehet herë pas here në editorialët e tij.
Si ka qenë puna e tij në drejtimin e gazetës “Dielli”?
Në gazetën “Dielli” ai është zgjedhur dy herë si editor dhe ka pasur barrën më të rëndë për tri arsye: Ka mbajtur sasinë më të madhe të numrave, me 1074 numra. Ka përballuar vështirësitë që krijonte përçarja mes vetë shqiptarëve të Amerikës. E ka ushtruar këtë detyrë në periudhën e Luftës së Dytë botërore, dhe pas saj, kur fati i Shqipërisë varej kryesisht nga interesat e Fuqive të Mëdha. Por jo krejtësisht, – hedh thirrjen e përsëritur editori, që përpiqet të sensibilizojë shqiptarët, se është edhe në dorë të tyre të ndikojnë, duke u dhënë zë të fuqishëm kërkesave të tyre të drejta. Vlerësimeve entuziaste për atdhetarët e vërtetë ua zënë vendin artikuj plot zemërim për ata që shkojnë kundër interesave të Shqipërisë, demagogjia e të cilëve ndodh që edhe zë vend në njerëz të paformuar intelektualisht.
Shkrimet e tij nuk kanë karakter vetëm politik, por edhe kulturor. Ai shqetësohet për gjendjen e ulët arsimore të bashkatdhetarëve, përpiqet t’ua lehtësojë përballjen me zyrtarët amerikanë, shpreh nevojën e ngritjes së cilësisë së jetës në një vend të zhvilluar si Amerika etj.
Një temë e veçantë në editorialët është ajo lidhur me fenë. Mesazhi i tyre është ai rilindas. Besimet e ndryshme fetare: faktor bashkimi, jo ndarjeje. Solidariteti i shqiptarëve duhet të shprehet në ndihmën ndaj të dyja komuniteteve, mysliman e të krishterë. Në gazetë ai boton edhe vërejtjet që i bëhen atij si editor, kritikat për tonin plot nervozizëm ndaj kundërshtarëve të “Vatrës”. Gjatë detyrës si drejtor i gazetës, Bahri Omari u shqua për një klimë mirëkuptimi vëllazëror mes personelit, që nga nëndrejtori deri te punëtorët e shtypshkronjës, çka nuk arrihej gjithnjë lehtë mes shqiptarësh. Për këtë ai shpreh mirënjohje në lamtumirën e tij, kur jep dorëheqjen nga ajo përgjegjësi e rëndë dhe e zgjatur në kohë.
Ka artikuj të tij edhe për situatën e Shqipërisë dhe orientimin e shqiptarëve. Si tingëllojnë sot?
Duke ndjekur shkrimet lidhur me gjendjen në Shqipëri, dalin në pah vështirësitë e komunikimit në atë kohë. Herë vonesë e madhe e lajmeve nga Shqipëria, herë të tjera dizinformim nga ndonjë gazetë etj. Sidoqoftë, ngjarjet në Shqipëri ndiqen me interesin dhe shqetësimin më të madh. Sepse shumë të mëdha ishin edhe rreziqet që kalonte vendi, i rrethuar prej fqinjësh lakmitarë, i rrezikuar prej intrigave dhe kontradiktave mes Fuqive të Mëdha. Në këtë libër janë përfshirë ata artikuj që pasqyrojnë zhvillimet në teatrin ndërkombëtar të luftës e të pas luftës që lidhen me Shqipërinë. Ngjarjet që kanë ndodhur në Shqipëri në atë kohë na vijnë tani të gjalla në penën e editorit të “Diellit”. Herë pas here ai tërheq vëmendjen për të meta e plagë që fatkeqësisht vazhdojnë edhe sot: “Përpara bashkim të plotë, pastaj politikë.” “Në një vend të paditur vendin e udhëheqësve e zënë sharlatanët.” etj. Në shkrime si “Qytetërimi”, “Ç’do me thënë votë”, “Gjakmarrja është shenja e paqytetërimit” etj. përpiqet të ngrejë nivelin qytetar të bashkatdhetarëve.
Ka qenë pjesë e parlamentit shqiptar në vitet 1921-1923, kohe kur Shqipëria hyri në rrugën e konsolidimit si shtet pas pushtimit të gjatë, Pavarësisë e Luftës së Parë Botërore. Cili ka qenë kontributi i tij në këtë periudhë?
Në fillimet e vitit 1921, Bahri Omari doli fitues në zgjedhjet parlamentare, duke pasur përballë një përfaqësues të rrymës konservatore, Myfit bej Libohovën, që kishte një përvojë të madhe politike. Në parlamentin e ri ai ishte pjesëtar i opozitës, krahas personaliteteve të njohura si Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Sulejman Delvina si edhe më të rinjve si Stavro Vinjau dhe Ali Këlcyra. U shqua si pjesëmarrës në diskutime për çështje të rëndësishme, siç qenë plotësimet kushtetuese të Statutit të Lushnjes, që njihen si Statuti i zgjeruar i Lushnjes dhe ku, ndër të tjera, dilte në mbrojtje të laicitetit të shtetit shqiptar. Vlen të përmendet veprimtaria e tij aktive parlamentare në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në mënyrë të veçantë të të drejtave të grave. Gjithashtu kujdesi për pavarësinë e parlamentit: “Mjerë ai shtet që ligjet i bazon në ambicionet politike.” “Parlamenti nuk duhet të shndërrohet në gjykatë”, “Qeveria duhet të marrë informata…që nëpunësit që emëron të mos kenë kryer krime”. E të tjera ndërhyrje që vlejnë edhe për ditët tona. Po kështu është edhe vërejtja që bën për zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë shtetasit. Ose vërejtja për lirinë e shtypit: “Gazetarët duhet të kenë të drejtë të kritikojnë qeverinë.” E shumë ndërhyrje të tjera që e dëshmojnë si shembull të deputetit që është vërtet në shërbim të interesave të elektoratit dhe që tregojnë veçanërisht kompetencën e tij në fushën e administratës publike, për të cilën ishte diplomuar.
Bahri Omari dallohej edhe për mendimin e tij të pavarur, kur del në disa raste kundër mendimit të kolegëve të tij të opozitës, ndërsa u qëndroi besnik deri në fund parimeve që mbronte opozita demokratike. Vlen të vihet në dukje se, sikurse pjesa më e madhe e deputetëve, ai dallohej për etikën e lartë në debatet parlamentare, shpeshherë të nxehta, pa kaluar asnjëherë në fyerje ndaj kundërshtarëve.
Një periudhë e vështirë e jetës së tij ishte Shqipëria e fillimviteve 1940, kohë kur desh të zgjidhte mes pushtimit nazist dhe Shqipërisë bolshevike. Si mund ta përshkruani ju këtë kohë të qenit në vështirësi? Këtë kohë kur u vendos shumëçka për të dhe për Shqipërinë?
Natyrisht që kjo është një temë që u takon historianëve ta trajtojnë me paanësi, me saktësi, me njohje të mirë të ngjarjeve. Ajo zgjedhje e vështirë vazhdon të diskutohet edhe sot. Ishte aq e ndërlikuar situata, saqë as sot nuk jep dot një përgjigje të prerë. Ndryshonte nga ajo e vendeve të tjera. Nga një anë pushtuesi sillte bashkimin e tokave shqiptare. (Bahri Omari shprehet qysh në artikujt e “Diellit”: “Një Shqipëri e coptuar, pa zëmërën e saj Çamërinë dhe Janinën, pa kryen e saj Kosovën e Jakovën, s’mundet të ketë jetë të gjatë midis fqinjve të saj lakmonjës.”) Me një këndvështrim të tillë nacionalistët shqiptarë nuk mund të mos e merrnin shumë në konsideratë këtë faktor. Një shqetësim i rëndësishëm ishte pastaj frika nga komunizmi për Shqipërinë, një regjim që s’kishte sjellë rezultatet e pritura as në një vend të madh e të fuqishëm si Bashkimi Sovjetik; një ideal i lartë e i bukur për barazi, solidaritet, vëllazërim midis njerëzve, por utopik, që aq më pak mund të gjente zbatim në një vend të varfër, të prapambetur, të vogël, të pafuqishëm si Shqipëria. Ishte një perspektivë që vinte në kundërshtim me vetë teorinë marksiste të revolucionit, i cili mund të triumfonte me sukses vetëm në vendet më të zhvilluara të Evropës, dhe në disa vende e jo në një të vetëm. Ndërkaq, në fillimin e Luftës së Dytë Botërore, distancën që ndante komunizmin teorik nga ai real e njihnin më mirë antikomunistët se ata shqiptarë që vriteshin për të.
Nga ana tjetër ishte rreziku se duke mos zhvilluar luftën e duhur ndaj pushtimit nazist, pas lufte Shqipëria rrezikonte shpërbërjen si shtet i pavarur.
Lidhur me këtë mundësinë e fundit, kam mendimin tim modest, të pasigurt, se ata faktorë që e bënë Shqipërinë më 1912, pra “lufta e thelave”, siç e quan Bahriu atë “tërhiq e lësho” të Politikës së Madhe, po ata faktorë, pra ato kontradikta mes të fuqishmëve, pavarësisht nëse qenë fitues a humbës të luftës, do ta mbanin përsëri më këmbë si shtet të pavarur. Se raportet dhe interesat mes tyre ishin historike, ndërsa lufta ishte një episod. Por duhet pasur fort parasysh rreziku se mund të mbetej Shqipëria shtet i pavarur por shteti i cunguar. Sidoqoftë, kjo mbetet një çështje shumë e diskutueshme, që, mbi të gjitha, kërkon gjakftohtësi e objektivitet.
Cilat qenë shkaqet e fundit të tij tragjik?
Siç dihet, pjesëmarrja në anën e kundërt të fitimtarëve të luftës, pra në Ballin Kombëtar, si edhe pranimi i funksionit si ministër gjatë pushtimi gjerman, i kushtuan shtrenjtë Bahri Omarit. Por më shtrenjtë akoma i kushtoi lidhja familjare me Enver Hoxhën, i cili, përpara jetës së njeriut, vuri pandehmën e shpikur se propozimi për t’i shpëtuar jetën të kunatit ishte kurth ndaj tij për ta denigruar politikisht! Askush nuk e kërkonte dënimin me vdekje të Bahri Omarit. Një dënim po, por jo kapital. Në libër do të gjeni dëshmi të personave të ndryshëm që kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me E.Hoxhën gjatë dhe pas luftës. Por janë edhe vetë letrat e E.Hoxhës që tregojnë synimin për ta zhdukur fizikisht të kunatin qysh pa mbaruar lufta. A mund të shmangej dënimi i tij kapital? Në kushte të një shteti demokratik, gjyqi do të kishte marrë parasysh kontributin e tij në shërbim të vendit si deputet i parlamentit të parë shqiptar, si publicist i njohur për patriotizmin e tij, si politikan i ndershëm e demokrat. Do të merrte parasysh se postin e ministrit e mori në një kohë kur kjo ishte një sakrificë e, veç rrezikut, nuk i sillte asnjë përfitim. Për më tepër do të vlerësonte ndihmën që i dha lëvizjes klandestine kundër pushtuesit, vetë kreut të kësaj lëvizjeje, kur shtëpia e tij u bë bazë mbledhjesh e takimesh të komunistëve. Me këto kontribute, me simpatinë e konsideratën që gëzonte në popull, Bahri Omarin do ta kishte mbrojtur vetë emri i tij i dashur e i nderuar. Por shteti shqiptar i pas 1944-ës jo vetëm që nuk ishte demokratik, por nuk ishte ende as i ligjshëm, s’ishte zgjedhur ende me votat e popullit se s’ishin bërë ende votimet, sado formale që u bënë më vonë.
Është shpallur ‘Nderi i Kombit’ nga presidenti. Si u prit ky nderim nga familja?
Me gjithë zhvleftësimin që ka marrë ky urdhër, meqë janë pak si tepër emrat që qëndrojnë krahas majave të tilla si Nënë Tereza dhe Ismail Kadare, prapë qe një kënaqësi e veçantë marrja e kësaj dekorate. Qe emocionues takimi me trashëgimtarët e atyre që patën fatin e përbashkët të dënoheshin nga një gjyq që urdhrat i merrte nga lart. Ceremonia me rastin e dhënies së këtij urdhri ishte e trishtuar dhe e gëzuar njëkohësisht. U jemi mirënjohës vatranëve, që e morën këtë nismë.
Në gjithë këto vite në media kanë dalë dokumente, rrëfime, dëshmi për të. Çfarë është e pavërtetë nga ato që janë publikuar?
Ndër të vërtetat ka edhe shumë të pavërteta. Duke nisur nga Wikipedia. Aty, në skedën e tij thuhet: – Profesioni: Publicist, tregtar, politikan. I saktë është vetëm profesioni publicist. Është një çudi se kujt i ka shkuar në mend ta quajë tregtar. Ndërsa politikan nuk është profesion. – Te Fëmijët: nuk shënohet djali i dytë: Fatosi. – Koha si ministër i Jashtëm: jo 1943-‘44. Qe vetëm pesë muaj ministër: shkurt 1944 – qershor 1944.
Në biografinë e tij përsëri një sërë gabimesh: prefekt i Himarës, por Himara nuk ishte prefekturë, pra: nënprefekt i Himarës. Në SHBA nuk shkoi më 1914 por në 1915. Në zgjedhje përfaqësoi partinë e Myfit bej Libohovës. Është e kundërta: E pati përballë beun, si përfaqësues i opozitës. Gjatë qeverisë së Fan Nolit u zgjodh sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokrat-Nacionale dhe kryeredaktor i gazetës “Shekulli”. Në fakt ai e themeloi këtë parti të re dhe botoi e drejtoi gazetën “Shekulli”. Shtëpi e marrë me qira Qazim Mulletit. Shtëpia ishte e Ali Mulletit, kushëri i largët i Qazimit.
Në shtyp është shkruar se E.Hoxha telefonoi nga shtëpia e Bahri Omarit për të kallëzuar te italianët Q.Stafën. Por në shtëpinë e B.Omarit nuk ka pasur fare telefon. Ka pasur edhe shkrime të tjera dezinformuese lidhur me figurën e tij, por nuk është se i kemi mbajtur shënim.
Me këtë rast dua të ndreq edhe një të pavërtetë lidhur me të shoqen e Bahri Omarit, Fahrien. Ka qenë një thashethemnajë shumë e përhapur, që vazhdon edhe sot si “fakt” i sigurt, se ajo dilte me peshore për të fituar bukën e gojës. Çka nuk është e vërtetë. (Kjo lindi nga një ngjashmëri fizike e Fahries me një zonjë me peshore, e cila, për më tepër, mbante në kokë një shall të zi që e shtonte ngjashmërinë). Gjatë kohës që Luani ishte student, familja, e mbetur pa asnjë të ardhur, mbahej ekonomikisht prej Enver Hoxhës.
Shpesh është thënë, a është pyetur, pse Luan Omari nuk flet për Bahri Omarin. A ka ky libër një rrëfim të tillë, apo është libri juaj ky rrëfim?
Të dhënat, ndonjë rrëfim, ndonjë hollësi i kam marrë kryesisht nga im shoq, Luani. Pastaj nga persona të tjerë që kanë pasur të tregojnë diçka të jetuar që lidhet me B.Omarin. Luani në ndonjë intervistë është shprehur për dënimin e padrejtë që iu bë të atit. Nëse ka folur pak për të kjo varet edhe nga natyra e njeriut. Ai i ndenji pranë të atit deri në fund, fotografia e Bahriut nuk u hoq asnjëherë nga bufeja me xham e dhomës së pritjes, u interesua pranë Komitetit të të Përndjekurve për të bërë lapidarin e të dënuarve të Gjyqit special…
Mund të thuhet se askush nuk mund ta dijë se ç’ndien njeriu brenda vetes. Në fund të fundit ajo që ka rëndësi është pyetja nëse ka qenë një bir i denjë i të atit? Bahri Omari shquhej për ndershmërinë, qëndru-eshmërinë e karakterit, ndjeshmërinë ndaj problemeve të të tjerëve, ndërgjegje në detyrat që ka pasur. Ndofta nuk më takon mua ta them por mendoj se këto cilësi karakterizojnë edhe të birin, Luanin.
*Bahri Omari ishte editor I Gazetes Dielli(Kortezi:Gazeta Shqiptare)

Filed Under: Featured Tagged With: DHE BAHRI OMARI, Donika Omari, editor i Diellit, Enver Hoxha

Demonstratat e vitit 1981-it zëri i parë i rrënimit komunist në Evropë!

April 9, 2015 by dgreca

Reagim kundër deklaratave dhe tezave të pa qëndrueshme të Azem Vllasit për këto ngjarje,revolucionare dhe kombëtare. Rrënimi i Jugosllavisë filloj me këto ngjarje,jo me ide të komunistëve nga Tirana as nga Beogradi qe gjithmonë ishin si andaj si këndej kufijve ndër shqiptar në interesat e Serbo-Sllavisë. Po ashtu tezat marksiste-leniniste janë nga vet ideologjitë jugosllave qe i mbollën dhe i çelikosen ma se tepërmi në trungun e komunizmit tek shqiptarët komunist siç ishte z.Azem Vllasi dhe komunist tjerë që akoma artikulojnë teza antikombëtare duke mbetur nën kornizat e frymës komuniste qe populli shqiptar e pagoi haraçin e kësaj ideologjie ma shumë se çdo popull tjetër në botë!?… /
Nga Asllan Dibrani/
Reagim kundër deklaratave dhe tezave të pa qëndrueshme të Azem Vllasit!
Këto ditë në vend që të bëhen unik të gjithë së bashku t’i përkujtojmë vlerat e demonstratave të përgjakshme te vitit 1981,akoma dalin zëra komunistesh që t’i zbehin dhe t’i etiketojnë më epitete të ndryshme sipas kutit të shteti gjakpirës të Serbo-Jugosllavisë artificiale .Në vend se të ndërgjegjësohen dhe t’i kërkojnë falje popullit për kasaphanën që u zhvilluar kundër tyre, dalin akoma me deklarata të frymës ish komuniste jugosllave, që edhe vet sllavët e prishen duke synuar secili në shtëpinë e vet.Komunistët tanë akoma përpiqen që ta ruajnë ideologjinë komuniste që për fat të keq nuk ka pak ,por si shkas i indinjatës sime ma të veçantë,po e marr deklaratën e z.Azem Vllasit gjatë një debati televiziv me çka thotë,se (organizatorët e demonstratave të vitit 1981 nuk kanë kërkuar përmirësimin e kushteve të shqiptarëve të Kosovës, por kanë synuar që komunizmin jugosllav ta zëvendësojnë më atë stalinist)!. Ai më tutje shton se në vitin 1981, shqiptarët kanë protestuar mbi baza ideologjike,të sistemit të atëhershëm të Shqipërisë,në krye me diktatorin Enver Hoxha,si dhe atyre staliniste e marksiste. Vllasi këmbëngulë që demonstratat e vitit 1981 të shqiptarëve nuk ishin për “Kosovën Republikë”kur dihet se me mijëra student,intelektual,profesor dhe punëtorë ishim protagonist i atyre ngjarjeve dhe ish të burgosur si viktimë e atij regjimi të egër kundër shqiptarëve të Kosovës, nga i cili edhe unë isha ish i burgosur politik nga ai regjim pjesë e së cilës ishe edhe ti z.Azem Vllasi,prandaj reagoj kundër deklaratave dhe qëndrimeve tua në emrin tim personal,po edhe në emrin e shumë ish të burgosurve politik që u dergjëm në burgjet jugosllave për “Republikën e Kosovës,e jo për marksizëm leninizmin,as për komunizmin jugosllav as të atij nga Tirana. I indinjuar,i shqetësuar,i revoltuar dhe i obligim nga ndjena kombëtare dhe njerëzore e ndiej nevojën që mos t’i mbes borxh atdheut dhe popullit shqiptar,po që nuk reagoj si ma poshtë:
Demonstratat e 81-it paraqesin fillimin e fundit të Jugosllavisë dhe nga Shqipëria s’ka asgjë të keqe që përmes saj gjuha serbe në Kosovë u zëvendësuar me atë shqipe!
Demonstratat e vitit 1981,parasëgjithash,kanë qenë demonstrata kombëtare dhe paraqesin fillimin e fundit të Jugosllavisë artificiale dhe titiste. A kanë pas ngjyrë të kuqe,të zezë ,blu apo të verdhë,shoku Azem,është fare pak e rëndësishme. Çfarë të keqe ka në këtë rast, rinia studentore,klasa punëtore dhe gjithë populli liridashës ka qenë i “indoktrinuar”nga shteti amë që edhe mësoj,shkrim e lexim, po edhe pati literaturë shkencore,historike dhe gjuhësore qe zëvendësoj gjuhën serbe!. Zoti Vllasi edhe vet je protagonist i asaj periudhe,që vetëm serbisht keni mësuar në mungesën e shkollave shqipe. Pushteti e ndalonte!?. Në gjeneratën tënde dhe para teje, pos mësimi në mejtepet në gjuhen arabe që i hapte Serbia dhe i financonte, mësimi u ndjek ne gjuhen serbe. Shkollat shqipe nuk i ka lejuar deri në vitin 1968. Hapja e universitetit u përgjak me demonstrata, qe pati edhe të vrarë.
Ne nuk kishim atdhe tjetër,përveç Shqipërisë!
Ne nuk kishim atdhe tjetër,përveç Shqipërisë. E ti dhe ata si ti kishit edhe një atdhe rezervë,ish Jugosllavinë. Ende janë të freskëta gjurmët e të këqijave qe ke bërë nën indoktrinimin e Marksizëm-Leninizmin dhe komunizmit jugosllav. Aty e kemi pas një mbështetje në aspektin informativ dhe propagandistik nga Shqipëria e mire e keqe ajo qe ja kemi bërë shërbimin, ka qene dhe është edhe sot . Nëse pyesim se sa dha Shqipëria për neve në atë kohë?.Rezultati është “Dha aq sa e fuqizuam,e ndërtuam dhe e rritëm Shqipërinë”.Zoti Vllasi kur mbeti Shqipëria e coptuar në 6 shtete ballkanike ti s’je fajtor, po ishin baballarët tanë, që edhe atëherë ishin të përçarë sikurse ne sot!Andaj të jemi të bashkuar do të jemi ma me vlera , do të jemi ma të fuqishëm. Eja zoti Vllasi bashkoju popullit tënd, se ne qe ishim si viktimë e atij regjimi dimë të falim njerëzit qe kthehen dhe i bashkohen popullit drejt realizmit në betejat e së drejtës sonë në aspiratat tona të bashkimit.Zoti,Vllasi unë personalisht njerëzit që mi keni lëshuar në shpinë në kohë zgjatjen e hetuesisë mese 8 muaj, ma shumë kam hëngër kërbaç, tortura se sa bukë,nga inspektorët shqiptar qe ishin në shërbimin e ish Jugosllavisë dhe në mbrojtjen e saj nga ne siç na quajshi irredentist ,kundërrevolucionar,seperatrist,armiq dhe antijugosllav. Unë edhe se kam pshurr ma shumë gjak se sa qe kam pi ujë,prapë kam qenë në gjendje t’i falë gjatë kohës së çlirimit të Kosovës,edhe ashtu kam vepruar me disa qe janë penduar dhe na u bashkuan në luftën kundër Serbisë.
Krenohem që kam qenë pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1981 Krenohem qe u burgosa për Republikën e Kosove dhe krenohem që këtë luftë do ta vazhdoj deri në Bashkimin Kombëtar!
I mbyturi mundohet te të mbytë andaj , hiqeni këtë dogmë nga vetja juaj e komunizmit dhe çliroje shpirtin tuaj ndaj çështjes kombëtare. Unë krenohem që kam qenë pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1981. Krenohem që jam biri i familjes që babe babadën nuk e ndalem pushkën kundër Serbisë. Krenohem qe rrjedh nga fshati Dabishec që pushkën e parë në luftën e dytë botërore në shtetet ballkanike, krisi në fshatin tim nga fshatarët tanë. Krenohem qe u burgosa për Republikën e Kosove dhe krenohem që këtë luftë do ta vazhdoj deri në bashkimin kombëtar. Jam shume krenar qe skam të bëjë asgjë me ju dhe ata qe mendojnë si ju zoti Vllasi. Jam krenar qe nuk kam të bëjë asgjë me (komunistët e Titosas as të Enverit. Jam shume i lumtur qe nuk ju ndava popullit dhe nuk isha kundër kërkesave që i kishte populli im në çdo kohë. E ndiej veten krenar për veten time dhe për ish të burgosurit politik që nuk ju përulem kërkesave të komunisteve shqiptaro- jugosllav,që ta mbyllim gojën për të drejtat tona në ish Jugosllavi.Përforcimin e ish Jugosllavisë e ndihmuan komunistet shqiptar me atë dite qe u ndanë nga Shaban Polluzha dhe na u vranë mbi 5000 luftëtarë ma të mirë edhe me dirigjimin e komunisteve shqiptarë në krye me Fadil Hoxhën Ali Shukrija ,Sinan Hasani etj.
Zoti Vllasi dhe ju tjerët mendimtar si Vllasi me deklaratat e fundi,po e dëshmon se ende ëndërroni “vëllazërim-bashkimin” e Titos . Kur flitet për ato demonstrata ,për vlerat e tyre Azem Vllasi dhe Azemat tjerë më të paktën që mund ta bëni duhet t’i kërkojnë falje publike popullit shqiptar për të gjitha të zezat që ia keni sjellë me politikën e juaj antikombëtare të asaj kohe, po edhe të tanishmen. Mosni, ju lutem, se çdo vlerësim i juaj i gabuar bëni mëkate dhe i lëvizni eshterat e djemve dhe vashave ma të mira që flijuan jetën për lirinë e kombit tonë dhe për Republikën e Kosovës!
Demonstrata të vitit 1981 kanë qenë në vijimësinë e përpjekjeve të popullit tonë për krijimin e “Republikës së Kosovës”,por edhe “Bashkim Kombëtar”
Pra kërkesat dhe Platforma e demonstratave te vitit 1981 edhe shkencërisht edhe historikisht ishin artikuluese të aspiratës në vijimësi të popullit shqiptar për një shtet kombëtar. Të gjitha teoritë e juaja z.Vllasi janë të pathemelta dhe antidemokratike.Thjeshtë bëni zhurmë sipas diktateve komuniste në Beograd. Ju zoti Azem nuk jeni pajtuar kurrë edhe dje edhe sot që Tirana të jetë epiqendra e shqiptarëve. -Prandaj tezat e juaja bien poshtë,ngase pikërisht këto demonstrata të vitit 1981 kanë qenë në vijimësinë e përpjekjeve të popullit tonë për krijimin e “Republikës së Kosovës” ,por edhe bashkim kombëtar. Ishin tërësisht demonstrata me platformë dhe themel kombëtar. Kjo deklarate e juaja dhe jo vetëm e juaja është një e pavërtete e stilit propagandistik komunist “hajt se mbas 34 vjetëve janë harruar gjërat”dhe i hamë karamelet .
Po të ishte i mirë “Marksizmi dhe leninizmin” e kishin ndal për vete Rusia dhe Evropa! Legenët e sotshëm politik në pushtet nga naiviteti dhe kaja do të shpallin edhe “veteran të UÇK-së!!!

-Demonstruesit kanë kërkuar vetëvendosje dhe Republikë ndërsa . “Marksizmi dhe leninizmin” si parullë e kanë përmend një grup i cili ka vepruar ilegalisht në atë kohë sikurse ne tjerët nga i cili grup prej 10 vetash nuk mund t’a njollosni esencën dhe vleren e atyre demonstratave tamam kombëtare ,nacionale dhe patriotike . Se, ne po flasim për demonstratat me karakter politik për Republikën e Kosovës e jo për “Marksizëm Leninizmin,që as një metalik vlerë nuk kanë pas kurrë për shqiptarët, as atëherë as sot, por nuk do të ketë as nesër .Po të ishte i mirë e kishin ndal për vete Rusia dhe Evropa dhe s’ju kish rëne hise shqiptarëve të përçahen për Marksizëm-Leninizmin që ma së shumti shqiptarët ranë viktimë e asaj ideologjie. Ajo që përmendeni ju ka qenë një mbulesë me qe ishte populli i rrethuar me sistemin komunist fatkeqësisht edhe Shqipëria ishte si e tillë.
Ti “shoku” Vllasti ke qene shqipfolësi ma i tërbuar kundër ne “irredentistëve dhe armiqve të Jugosllavisë”. Më kujtohet si sot kur thoshe: “Armikut duhet me ja ngushu hapësirën e veprimit”.Ju edhe në prag të shkatërrimit të Jugosllavisë u përpoqët të mbeteni si “mizë në bythën e kalit”. Prandaj këta legenët e sotshëm politik në pushtet nga naiviteti dhe kaja do të shpallin edhe “veteran të UÇK-së ,këshilltar,analist,avokat dhe ma në fund do të rezervojnë ndonjë pozicion gjyqtari me shkop në dorë, si në ish komunizëm ,por edhe në Republikën e Kosovës që nuk le gjë pa e bëre kundër saj.
Vetëm një qëllim ishte për”Kosovën- Republikë” që na ka takuar para sllovenëve,kroateve,malazezeve,boshnjakëve dhe maqedonëve etj!.
Zoti Vllasi demonstratat e Studentëve,Profesorëve,dhe të gjithë shqiptarëve të Kosovës kanë pasur vetëm një qëllim “Kosovën- Republikë që na ka takuar para sllovenëve,kroateve,malazezeve,boshnjakëve dhe maqedonëve etjJo qe nuk ju takuan republikat para nesh por ata si ardhacak okupuan tokat “Etnike-Pellazgo-Ilire dhe neve si pasardhës të tyre .Për neve armiqtë e Jugosllavisë nxorët platforma ani irredentiste kundër nacionalizimit shqiptar me diferencime dhe ndëshkime të llojeve të ndryshme ndaj njerëzve ma të mirë të kombit duke filluar nga akademiket siç ishte rasti i Ali Hadrit të ndjerë.
Kosova nuk ka qenë e pavarur apo shtet në veti sipas kushtetutës së ’74-it që theksoni ju. Ajo ka qenë martesë me zor,mes Serbisë Kosovës dhe Vojvodina!
Zoti Vllasi,Kosova nuk ka qenë e pavarur apo shtet në veti sipas kushtetutës së ’74-it që theksoni ju. Ajo ka qenë martesë me zor,mes Serbisë Kosovës dhe Vojvodinës. As edhe një lugë më e vogël nuk ka mund as të hyjnë Kosovë pa u vet Serbia!
Ju thatë se në vitin 1981, shqiptarët kanë protestuar mbi baza ideologjike, të sistemit të atëhershëm të Shqipërisë, në krye me diktatorin Enver Hoxha, si dhe atyre staliniste e marksistedhe komuniste.
Zoti Vllasi nëse paskemi luftuar ne shqiptarët apo separatistët nacionalist shqiptar në ngjarjet e vitit 1981 për ideologjinë komuniste, atëherë pse ishe kundër tyre kur ju Azem Vllasi ishit baba i komunizmit dhe përfaqësues i komunizmit për Kosovën sipas platëforemes marksiste-leniniste qe si lende ne universitetin e Kosovës e keni fut ju ,e jo Enver Hoxha, duke i detyruar profesorët të thyejnë edhe plan programet metodike duke ndërhyrë me teza ma të keqet duke i gjykuar si demonstrata armiqësore kundër Jugosllavisë .
Vllasi përmend se Kosova ka qenë e zhvilluar me një ekonomi te ngjashme sikur republikat tjera gjë që bien në lajthitje me atë që u ekzekutonte në praktikë.
Zoti Vllasi krenohet që Trepça atëherë ka pasur afër 25 mije punëtorë Është e vërtet se ka punuar, por lind pyetja se për kenë ka punua, për Kosovën apo për Beogradin. Faktet dhe dëshmitë janë dhe ekzistojnë se Kosova e ka kryer punën fizike ,ndërsa ari , dhe xehet tjera u përcollën përmes vagonëve në Beograd këtë e dinë ma së miri Ali Shukria.
Zhvillimi i Kosovës ka qenë i barabartë sipas parullës “Kosova puno Beogradi ndërto”
Në kohën e Vllasit, Kosova ka qene rajoni me i pazhvilluar ne Evropë. Asnjë metër katror rruge të asfaltuar nuk ka pasur në fshatrat tona.. Asnjë metër gjatësi gyp të ujësjellësit po ashtu nuk ka pasur. Të punësuar ka pasur çdo i 10-ti banor , andaj lind pyetja se nga e nxori Vllasi këtë rezultat se Kosova ka qene e barabartë me republikat tjera në ish Jugosllavi.Për fund krejt kërkoj nga zoti Vllasi që ka diçka kundër, kur të duan dalim në debat publike dhe i sheshisim këto teza të pa qëndrueshme të tij.Koha është të punojmë për të tashmen dhe të ardhmen e atdheut ,ta lemë të kaluarën se akoma në gjysmë të rrugës jemi!?.

Filed Under: Featured Tagged With: asllan dibrani, ndaj Azem Vllasit, reagim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 656
  • 657
  • 658
  • 659
  • 660
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT