• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Historiku i Muzeut Kombëtar Onufri ne Berat

February 5, 2015 by dgreca

Nga Klajdi Musabelliu/
Muzeu Kombëtar Onufri është përshtatur në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986.
Muzeu mban emrin “Onufri”, për nder të njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek. XVI. Katedralja është e rindërtuar në vitin 1797 dhe është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pas-bizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1500 objektesh, pjesë e fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë dhe të qytetit të Beratit, ku 106 objekte janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë shqiptarë, që u përkasin shekujve XIV – XX: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku dhe Çetirët (Gjergji, Johani, Naumi, Nikolla dhe Gjergji i riu), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Gdhendjet në dru të katedrales janë realizuar nga mjeshtrat Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit dhe mjeshtër Stefan Barka nga Misrasi i Oparit në shekullin e XIX.
konostasi i Katedrales “Fjetja e Shën Mëris”, i (vitit 1807) bën pjesë në një nga realizimet më të mira të mjeshtrave shqiptarë të drugdhëndjes të shek. XIX. Ikonostasi është i vendosur në gjithë hapësirën tri nefëshe të interierit të katedrales, ai ka dy radhë ikonash, (12 ikonat e mëdha Mbretërore dhe 27 ikonat e vogla të Festave). Ka tri porta dhe është i gdhëndur në dru are dhe i larë në ar, i praruar dhe i kompozuar si fasadë arkitektonike. Udhëheqësit e grupit që realizuan gdhëndjen e ikonostasit dokumentohen të jenë dy mjeshtrat, Usta Andoni dhe Stefani, ndërsa ikonografët grabovarë të (dinastisë) familjes Çetiri ose ( Katro) nën drejtimin e mjeshtrit ikonograf Johan Çetiri, realizuan 27 ikonat e vogla të (Festave) dhe 7 ikonat e mëdha,(Mbretërore).
Në ikonostas është ruajtur parimi kryesor i simetris, dhe materiali i drurit të butë dhe i përpunueshëm ka dhënë mundësinë e ndërthurjes dhe harmonisë shumëplanëshe të motiveve bimore, zoomorfe dhe njerëzore. Ikonostasi u fut në Kishën e Krishterë pas Sinodit të shtatë rreth shekullit të 8-të, ku siç dihet pas rivendosjes së Ikonave në Kishë, u pa se ishte e nevojshme që ky objekt të funksiononte për të mbajtur këto Ikona.
Ikonostasi i katedrales “Fjetja e Shën Mëris” është i ndarë në tre breza (ose pjesë) kryesore, në brezin e poshtëm, në brezin qëndrorë dhe në brezin e sipërm.
Pllakat në brezin e parë, janë elementi më i rëndësishëm i kompozimit në marrëdhëniet konstruktivo – artistike dhe përmbajnë pjesën bazë të dekuracionit.
Brezi i xokolit horizontal (ose qëndror) mbi të cilin janë vendosur (12 ikonat mbretërore), paraqet një vlerë mjeshtërore. Ikonat mbretërore në ikonostas janë objekt i adhurimit dhe nderimit, prandaj dhe kanë përmasat më të mëdha.
Shumë të rëndësishme për besimtarët Kristian Ortodhoks, janë (4 ikonat) qëndrore, 2 në anën e majtë dhe 2 në anën e djathtë (të derës mbretërore). Në të majtë janë të vendosura, ikonat e “Jezu Krishti Pantokrator” dhe “Johan Pagëzori”dhe në anën e djathtë ndodhen ikonat e “Shën Mërisë”, dhe “Fjetja e Shën Mëris”, ikona e cila (i dedikohet ose kushtohet) Katedrales.
Rradha e profetëve është e pikturuar në medaljone (ikona) në formë rrethore, të vendosura në një brez horizontal, poshtë ikonave të festave në mes të zbukurimeve brilante të stilizuara të degëve të hardhisë.
Pjesa e sipërme ose (brezi i sipërm) i ikonostasit së bashku me kurorën e tij është i dekoruar nga (27 ikona e vogla të festave) të vedosura nën luneta të punuara në mënyrë speciale, duke formuar një radhë të gjatë skenash të harkuara, brenda të cilave ikonat janë vendosur sipas një rregulli të caktuar dhe rigoroz biblik.
Kurora e ikonostasit, (ose kurora qëndrore) me kryqin e madhë të pikturuar dhe të gdhëndur, ka formë të lehtë piramidale, ndërsa si motiv kryesor ka dy dragonj përbri njëri – tjetrit, kurse pjesa tjetër e kurorës zbukurohet me motivë florealë. Dy kurorat më të vogla në ikonostas, por që korrespondojnë përkatësisht me nefet jugorë dhe veriorë janë të dekoruar me elemente floreal dhe me nga një kryq sipër.
Kryqi i ikonostasit është i pikturuar dhe rrethohet me kornizë të gdhendur. Në qendër të tij paraqitet skena e Krishtit të kryqëzuar, ndërsa në dy anët e kryqit janë të vendosura dy ikona që kanë të pikturuar figurat e dy personazheve të njohur në këtë skenë, atë të Virgjëreshës dhe të Johan Theologut.
Mbi kurorën e ikonostasit janë vendosur të gdhendura figura shqiponjash me krahë të hapur, nga sqepi i të cilave varen objekte liturgjikë (argjendi) që qëndrojnë para ikonostasit.
Dera Mbretërore
Dera Mbretërore e ikonostasit të Katedrales është dera kryesore e cila të drejton direkt para Altarit të Shenjtë. Ajo është e tipit të kombinuar me gdhëndje dhe e pikturuar. Ndahet në dy pjesë (në pjesën e poshtëme dhe të sipërme); pjesa e poshtëme ka pamje kuadrate dhe është e ndarë në katër skena, ku të pikturuar në këmbë janë (Gabrieli, Maria dhe personazhe të tjerë). Ngjarja e “Ungjillëzimit”, kur Kryeëngjëlli Gabriel i sjell Shën Mërisë, “Lajmin” e gëzueshëm të lindjes së Shpëtimtarit, e cila është skena më e rëndësishme. Ndërsa pjesa e sipërme paraqitet e gdhëndur më mënyrë mjeshtërore, elegante dhe fine. Motivet kryesore janë dy dragoj të stilizuar dhe bistakët e rrushit, kurse hapësirat përkatëse plotësohen me elementë florealë. Dera mbretërore mbyllet në kulmin e saj gati gjysëm rrethor me figurën e një shqiponje krahëmbledhur me dy krerë e kurorëzuar me kurorë mbretërore.
Në ikonostasin e Katedrales “Fjetja e Shën Mërisë ndodhen dhe dy dyert anësore, dera e Veriut dhe ajo e Jugut. Të pikturuara janë dy Kryeëngjëjt Mikail dhe Gabriel – Gabrieli në derën e Veriut dhe Mikaili në derën e Jugut, të cilët simbolizojnë ruajtjen me rreptësi të Shenjtërores së Shenjtëroreve siç është quajtur Ajovima, dhe për këtë arsye janë të pikturar me shpatë në dorë

Amvona
Amvona është një podium shumë i hershëm në të cilën ngjitet Dhjakoni për të lexuar Ungjillin, por mbi të mund edhe të predikohet Fjala e Perëndisë. Gjendet zakonisht i ngritur dhe i mbështetur pas një kolone. Përveç këtyreve në shumë raste mbi amvonë lexohen dekrete të ndryshme që kanë një rëndësi të madhe për besimtarët, kryesisht dekretet Sinodike, por dhe ato qeveritare. Amvona është një nga pjesët më të larta të Kishës, e cila simbolizon që fjalët dhe dekretet të cilat shpallen nga atje, burojnë dhe frymëzohen nga Perëndia. Shpeshherë simbolizohet me Sionin, Malin e Lartë të Izraelit nga i cili buruan dekret më të mëdha të Perëndisë në Dhiatën e Vjetër.
Mbishkrimi i datimit gjendet i gdhendur në dru, rreth pjesës së poshtme të amvonit, dhe thote “Usta Naumi ka qenë nga Lavdari i Oparit, 1849 qershor 30, mjeshtër Naumi”.
Froni Dhespotik
Froni Dhespotik gjendet perballe Amvones. Në Fronin Dhespotik ose Kryeprifëror shohim Ikonën e Jezu Krishtit për të kujtuar gjithmonë Kryepriftin e Madh dhe Zotin e Krijesës. Në çdo Kishë katedrale ndodhen gjithmonë dy frone kryesorë, një në qendër të Kishës për të cilën po flasim dhe tjetri në Hierore pranë Tryezës së Shenjtë sepse në traditën e vjetër Bizantine Kryeprifti qëndronte në Fronin prapa Altarit ndërsa në qendër të Kishës qëndronte gjithmonë Perandori – Mbreti i Bizantit. Sot të dy fronet përdoren nga Kryeprifti në momente të ndryshme të Liturgjisë Hyjnore. Nën fron shpeshherë gdhenden dy luan që simbolizojnë fuqinë e mbretit, tani të Peshkopit. Mbi të vendoset një kupolë, e cila simbolizon Mbretërinë e Perëndisë si dhe përkujdesjen Hyjnore që Peshkopët kanë. Froni Mbretëror dhe Dhespotik u vendos në Kishë që në fillim të periudhës Bizantine, kohë në të cilën Kisha mori një formë të plotë.
AJOVIMA
Ajovima është vendi më i Shenjtë i Kishës (Shenjtërorja e Shenjtëroreve). Ajo gjendet vazhdimisht e drejtuar nga Lindja e Diellit. Lindja konsiderohet si Dielli Mendor i Zotit, drejt së cilies duhet të jenë drejtuar zemrat e besimtarëve gjatë lutjes. Quhet Ajovima dhe vjen nga greqishtja,që do të thotë Agjia – e Shenjtë, ndërsa Vima – Podium, sepse gjithmonë është një vend me një shkallë ose më shumë i ngritur nga pjesa qendrore e Kishës. Sipas Traditës Orthodhokse Ajovima është e pakalueshme nga gratë si dhe për burrat që nuk kanë një bekim të veçantë për të hyrë në të, por vetëm hierarkia e klerikëve. Të gjitha këto përkujdesje vijnë si shkak i Shenjtërisë që ka si vend sepse aty kryhet sakrifica e pagjashme, e Misterit të Kungimit të Shenjtë, i cili është një nga misteret më kryesore për Kishën Kristian Orthodhokse. Në Ajovim gjendet Tryeza e Shenjtë (Altari), Froni Dhespotik, Blata vendi ku ruhen Enët e Shenjta, si dhe lavamani ku lajnë duart priftërinjtë.
Altari ndodhet në qendër të Hierores dhe është objekti më i hershëm, më i shenjtë dhe më i domosdoshëm. Quhet Altar sepse mbi të kryhet sakrifica e pagjashme, në mënyrë simbolike quhet Katedra e Zotit. Tryeza e Shenjtë ka formë katrore ose drejtkëndëshe, mbështetet mbi një Këmbë që simbolizon Jesu Krishtin themeluesin e Kishës, por shpeshherë edhe mbi katër këmbë të cilat simbolizojnë katër Ungjillorët. Altari mbulohet nga një mbulesë druri, kjo e fundit është me kupolë të gdhëndur me kryqin sipër. Kjo pjesë ndryshe quhet – Kuvukli – dhe simbolizon Qiellin e Gjerë të krijuar nga Perëndia. Altari Simbolizon Varrin e Krishtit ndërsa mbulesa e parë e cila vendoset mbi mermerin e Altarit simbolizon, savanën, pëlhurën me të cilën u pështoll trupi i Krishtit, kjo copë nuk hiqet asnjëherë nga Altari.

Filed Under: Featured Tagged With: Historiku, i Muzeut Kombëtar, Onufri ne Berat

KUSH PO PASUROHET NGA PERMBYTJET NE SHQIPERI?

February 5, 2015 by dgreca

Reshjet e ditëve të fundit kanë krijuar një situatë dramatike në zonat jugore të Shqipërisë, pasi vërshimi i ujërave të lumenjve ka detyruar qindra familje të braktisin shtëpitë e tyre të përmbytura. Dëmet materiale të shkaktuara nga përmbytjet janë të konsiderueshme, me fshatra të tërë nën ujë, qindra krerë bagëti të mbytura dhe fusha me të mbjella të shkatërruara. Megjithatë, shirat e dendur kanë dhe një aspekt pozitiv. Reshjet kanë përmirësuar situatën hidrike në digat e hidrocentraleve të Korporatës Elektroenergjitke Shqiptare, KESH, duke rritur mundësinë e saj për gjenerimin e energjisë elektrike.
Por duket se taksapaguesi shqiptar, përfshirë edhe familjet e përmbytura, nuk do të përfitojnë të shumë nga rritja e prodhimit në hidrocentrale. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare KESH, e cila menaxhon prodhimin e hidrocentraleve nën pronësi publike, ka vendosur që energjinë e tepërt ta shesë me tender. Ndërkohë, kompania OSHEE, e cila gjithashtu është nën pronësi publike, ndryshe nga KESH, nuk ka tepricë energjie por deficit. Asaj i duhet të blejë energji, gjithashtu me tender. Problemi është se në tenderat e fundit të zhvilluara nga dy kompanitë publike, kanë marrë pjesë të njëjtat kompani private, të cilat, nga njëra anë kanë blerë energjinë e prodhuar shtesë nga KESH dhe nga ana tjetër i kanë shitur energjinë e munguar OSHEE-së. Vetëm se mes dy tenderëve ka një diferencë jo të vogël në çmim.
Në tenderin e mbajtur të hënën me 2 shkurt, KESH sh.a ka nxjerrë në shitje 127,620 MWh elektricitet, për periudhën 4-28 shkurt 2015, i cili i është shitur në dy lote gjashtë kompanive, kur përfshihen GEN-I Beograd dhe GEN-I Athens, GSA Sh.p.k, Axpo d.o.o Beograd, EFT A.G dhe Danske Commodities Albania sh.p.k. Çmimi i shitjes së energjisë për MWh ka variuar nga 36.93 euro në 43. 39 euro, për një vlerë totale prej 4,88 milionë euro. Çmimi mesatar për MWh i shitjes ka qenë 38.47 euro.
Pak ditë para se KESH të shitste, për të njëjtën periudhë kohore, OSHEE ka blerë 188,160 MWh, nga kompanitë AXPO d.o.o Beograd, ANTIX sh.p.k, GEN-I Tirana sh.p.k; GSA shpk dhe EFT AG, për një vlerë totale prej 10,75 milionë euro. Çmimi mesatar i importit të OSHEE ka qenë 57.12 euro, ose 18.65 euro më i shtrenjte se çmimi i eksportit të KESH sh.a.(Koha jone)

Filed Under: Featured Tagged With: KUSH PO PASUROHET, NGA PERMBYTJET?

“Beu” i Surrelit dhe përmbytja

February 5, 2015 by dgreca

Nga Sali BERISHA/
Rama sillet si beu i Surrelit për të shmangur detyrimet ndaj të përmbyturve. Nuk shpall gjendjen e emergjencës! Qeveria nuk shpall gjendjen e jashtëzakonshme, në një kohë kur prej pesë ditësh gjendja në Komunën Novoselë të Vlorës dhe Darzezë të Fierit mbetet shumë e rëndë. Ishte fat i madh që nuk pati humbje në jetë njerëzish dhe për këtë meritojnë falënderim dhe mirënjohje të gjithë ata që shpëtuan qytetarë në rrezik për jetën. Mendoj se mos shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, së paku në qarqet Vlorë dhe Fier, është një papërgjegjshmëri e jashtëzakonshme e qeverisë!
Përmasat e përmbytjes, rrezikshmëria e pasojave të saj, dëmet e mëdha të shkaktuara, justifikonin dhe justifikojnë edhe sot shpallje e gjendjes së emergjencës së paku në qarqet Fier dhe Vlorë. Por Edi Rama dhe qeveria e tij, në kohën kur Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, Fieri dhe Vlora ishin në mëshirën e Vjosës dhe tërbimit të saj, zhgërryheshin në orgjitë e weekendit të radhës apo siç del tani kishin marrë çiften dhe gjuanin derra dhe lepuj.
Për gjendjet e fatkeqësive natyrore shteti ka një ligj që detyron Kryeministrin të caktojë fondet dhe të mobilizojë të gjitha burimet si dhe të ngrejë me shpejtësi të gjithë infrastrukturën e shpëtim kërkimit, evakuimit, sistemimit, sanifikimit, vlerësimit të dëmit dhe zhdëmtimit të tij.
Sigurisht që ata që paguhen për përballimin e këtyre situatave e dinë mirë dhe kanë njoftuar edhe Ramën për ekzistencën e këtij ligji. Por gjendja e emergjencës nuk u shpall, sepse duhej kaluar pa shqetësim weekendi dhe se zhdëmtimi i të përmbyturve nuk duhet të bëhet sipas ligjit.
Me këtë rast i them Ramës se Gjirokastra, Novosela, Darzeza etj., nuk janë lagjja e rezidencës tënde në Surrel ku ti sillesh si beu i Surrelit dhe ne së bashku me banorët e përmbytur do të detyrojmë të zhdëmtosh, në përputhje me ligjin që ti shmangë, të gjitha dëmet që kanë pësuar ata!!.
Ndihmat e urgjencës për përmbytjet në Shkodër, por dhe në Novoselë apo Maliq gjatë qeverisjes së PD kanë qenë miliona dollarë në çdo përmbytje. Sikundër të gjitha përmbytjet kudo që kanë ndodhur, janë kompensuar në përputhje me dëmet e inventarizuara dhe vlerësuara nga ekipet përkatëse. Në Shkodër kompesimi është bërë në çdo rast përveç rastit të fundit, në përputhje me ligjin e digave nga përmbytësi. Për rastin e fundit, KESH ishte në gjendje financiare jo të mirë, ndaj dhe kompensimin e filloi me një vit vonesë, pra në pranverën e vitit 2013 dhe qeveria aktuale duhet të detyrojë KESH të shlyejë detyrimin ndaj banorëve të përmbytur të Shkodrës dhe NënShkodrës!!

Filed Under: Featured Tagged With: "Beu" i Surrelit, dhe përmbytja, Sali berisha

Intervista me Beqir Sinen – Gazetar Shqiptar ne SHBA

February 3, 2015 by dgreca

Intervistoi Drita Ramadani /
Beqir Sina ndër gazetarët dhe veprimtarët e shquar të komunitetit në SHBA , ka bërë që me pubiliket e tij të informojë pothuajse të gjithë publikun tone për aktivitetet e diasporës shqiptarë në Amerikë -I nderuar z. Sina, ju jeni ndër gazetarët më të njohur dhe më të dashur të komunitetit shqiptar në Amerikë. Çfarë do të thotë ky fakt per ju?
Gazetaria, është një profesion i lajmit, pra merret me gjetjen dhe shpërndarjen e informacionit për një audiencë të caktuar, dhe në fakt është audienca ajo që të beson ose jo të bësh punën e gazetarit. Mënyra se si e bën ti lajmin dhe se si komunikon, të bën më pak ose më shumë të pranueshëm për njerëzit. Besoj se kam ditur të gjej mënyrën time për të komunikuar me audiencën, që në këtë rast është kryesisht komuniteti shqiptar i Amerikës, pra t’u gjendem atyre në vendin dhe në kohën e duhur me lajmin, duke ia bërë të njohura arritjet e tyre edhe publikut në Shqipëri, Kosovë, dhe kudo në viset shqiptare.
Natyrisht, lajmi, informacioni, komenti ose analiza jo gjithmonë i kënaq të gjithë, por, për mua mjafton të jem korrekt dhe profesional në raportimin e lajmit, në pasqyrimin e ngjarjeve. Për këtë më ka ndihmuar shumë gjatë këtyre dy dekadave edhe vetë komuniteti shqiptar në SHBA, i cili është rritur mjaft në numër. Më ka ndihmuar edhe teknologjia e re dixhitale, sepse tani e kam të lehtë t’i publikoj lajmet e mia në internet, facebook dhe tweeter. Kjo më ka ndihmuar të bëj më shumë miq, dhe të jem më i afërt me të gjithë komunitetin shqiptarë në Amerikë.
Një arsye për lexueshmërinë e madhe të lajmeve që unë publikoj mund të jetë edhe fakti se unë bazohem në informata të verifikueshme, të mbledhura nga burime të pavarura dhe të besueshme të mediave amerikane, të cilat u përmbahen standardeve më të larta të gazetarisë në botë. Kjo më shërben të qëndroj afër komunitetit shqiptar në Amerikë dhe të lexohem prej tij, por edhe tek lexuesit e mi jo të paktë në Shqipëri, Kosovë, e viset shqiptare, duke i “furnizuar” ata çdo ditë me lajme dhe informacione nga komuniteti ynë.
Këtu do të theksoja se disa qeveri të majta e të djathta, demokratike apo socialiste, në Shqipëri, e Kosovë, kanë ndrruar vend gjatë këtyre 24 vjetëve që unë punoj si gazetar. Edhe në SHBA në krye të pushtetit kan ardhur republikanë e demokratë. E megjithatë, unë jam ai që aty ku e fillova gazetarinë, aty jam edhe sot – me bindjet dhe qëndrimet e mia. E vetmja gjë që ka ndryshuar tek unë, është rritja e nivelit si gazetar, e thënë më shqip “duke punuar dhe mësuar”.

Ju pyetët se çfarë do të thotë ky fakt per mua. Për mua është nder, por kjo më bën më të përgjegjshëm dhe më kërkues ndaj vetes dhe lajmit, në kuptimin që të mos lejoj kurrë të më përdorë dikush nga media – gazetë ose radio televizion, të mos e përdorë lajmin ose informacionin tim për interesa partiake, politike apo personale. Unë nuk ndryshoj sipas interesave partiake, apo politikëbërse të kohës, as kundrejt parasë. Kurrë nuk joshem që sipas këtyre interesave të ndryshoj lajmin ose informacionin tim, ose që mediat ta shtrëmbërojnë atë. Sepse është shumë e veshtirë të bësh emër në gazetari apo gjetkë, por është edhe më vështirë ta mbash atë emër.

 -Me shkrimet që bëni për komunitetin shqiptar ia keni arritur të informoni anekënd botës shqiptarët. Sa është e vështirë kjo për ju?
Nuk është e lehtë. Ashtu siç mund të thuhet për gazetarët e tjerë. Sepse roli i gazetarit, së bashku me atë të medias jo vetëm në komunitetin shqiptar, këtu në SHBA, por edhe në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe Luginën e Preshevës, sot, fatkeqësisht, përballet me vështirësi, duke filluar nga ajo që është primarja, për çdo njerin nga ne – paga, jetesa. Pra, ajo që është stimuluese në punën tonë të përditëshme. Gazetarë si unë dhe shumë gazetarë të tjerë, në Shqipëri, Kosovë, viset shqiptare dhe diasporë, megjithëse u duhet të punojnë shumë, paguhen keq, ose fare pak, madje në të shumtën e rasteve nuk paguhen fare. Por, edhe sikur të mos ishte kjo që përmenda, unë dhe të tjerë gazetarë shqiptarë apo media kemi shumë vështërsi të tjera, edhe të anës politike dhe pronësisë së mjeteve të informimit, konkurrenca jo të ndershme dhe vështirërsi të natyrave të tjera. Teknologjia e sotme, ka bërë të vetën. Gjatë dy dekadave të fundit media ka pësuar ndryshime të thella me ardhjen e teknologjisë dixhitale dhe publikimin e lajmeve në internet, facebook dhe tweeter. Drejtori ekzekutiv i kompanisë teknologjike Google, Eric Schmidt në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, deklaroi se interneti së shpejti do të hyjë në çdo pore të jetës njerëzore – do të bëhet i rëndësishëm si uji apo oksigjeni”. Kjo ka sjellë një ndryshim të madh në konsumin e lajmeve dhe informacioneve në kanale televizive, radio dhe media të shtypura. Njerëzit gjithnjë e më shumë po e gjejnë dhe po e konsumojnë lajmin, në internet, facebook, tweeter, smartphone, IPod, tablet, dhe pajisje të tjera elektronike, të cilat janë sfiduese si për mua dhe të tjerët, gazetarë shqiptarë dhe të huaj – pra për të gjetur lajmin dhe për ta përgatitur në kohë. Duhet t’a njohësh mirë çdo lloj teknologji të re që del dhe si gazetar i përkushtuar duhet “të çohesh nga gjumi me lajmin dhe të biesh në gjumë me lajmin”. Lajmi – mbas dy a tre ditëve, jo vetëm që nuk ka më vlerë, por audiencës i duket i “përvjedhur” ose “demode”-
-Jeta e një gazetari shqiptar në New York, si është kjo për ju, çfarë ju ka mbajtur gjatë gjithë këtyre viteve që të merreni me një profesion të tillë me kaq përkushtim?

Në radhë të parë i faleminderit nga zemra familjes sime të mrekullueshme: gruas, Altinës, djalit Avenir dhe vajzës Neda, të cilët, edhe kanë sakrifikuar, që të më ndihmojnë për të vazhduar me përkushtim pasionin tim të zjarrtë të gazetarit. Por një falenderim shkon me këtë rast edhe ndaj miqve, dashamirëve dhe shokëve, dhe gjithë komunitetit, të cilët, shepesh herë më kanë sponsorizuar ose ndihmuar në punën time. Megjithëse, me këtë rast më duhet të pranoj se ndonëse me shumë vështirësi, unë me gazetari “jetoj”, e kam punën time, prej se kam ardhur në Amerikë, pra në këtë 25 vjetor nga kontakti i parë me median e lirë – në botën e lirë. Mbasi, këtu ka një komunitetet mjaft të integruar dhe që e vlerëson dhe e respekton jashtëzakonisht median dhe masmedian – Në shikimin tim në rradhë të parë është lajmi – natyrisht, por, është edhe komuniteti ai që në të shumtën e rasteve e ka lajmin, dhe që më bën mua të jemi i pasionuar dhe i përkushtuar ndaj çdo aktiviteti dhe veprimtarie në komunitet. Në përkushtimin tim, gjithashtu ka ndikuar shumë edhe tradita e gazetarisë shqiptare në komunitet. E cila, daton qysh nga themelimi i Shoqërisë së parë shqiptare në mërgim, respektivisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, VATRA, e cila është themeluar në vitin 1912, kolosët e saj që ishin politikanë, gazetarë e shkrimtarë, dhe gazeta më e vjetër shqiptare (106 vjet) Dielli.

-A mund të na tregoni, si ishin fillimet tuaja në Amerikë?
Këtu me duhet të kujtojë se nga Shqipëria kam dalë më 20 Dhjetor 1990. Dhe, ikja ime me familjen time (nënën, gruan dhe dy fëmijët), ishte një dramë e vërtetë, e cila i përket së kaluarës komuniste. E thënë më shqip ishte pjesë e vujatjeve dhe presekutimit të pafund të popullit shqiptar, si nën sundimin komunist në Shqipëri, për më shumë se 45 vjet, por, edhe atë të shumë shqiptarëve në Kosovë, dhe, trojet etnike, nën sundimin e egër sllavo-komunist. Kur u arratis im atë me dy vëllëzërit e tij, nëna ime e re në atë kohë ishte shtatëzanë shtatë muajshe me mua. Siç më tregonte nëna për kushtet e asaj kohe, ishte një mision i pa mundur, “që ajo me dy fëmijë dhe një në bark që isha unë, së bashku me vjehrrën e saj, që ishte aso kohe maft e thyer në moshë”, të arratisej.
Kjo, natyrisht ju rrezikonte të gjithëve në atë kohë?
Po! Kështu të privuar nga çdo e drejtë do të duhej të vinin ato vite kur ndodhën ato që ndodhën dhe komunizmi ra, Shqipëria, më në fund dhe e fundit si gjithmonë u hap në mënyrë që edhe unë të vija në SHBA – dhe të takohem për herë të parë mbas 33 vjetëve me babanë. Im atë, krahas punës së përditëshme, për 20 vjet, punoi si drejtor i Radios Zëri i Atdheut, së bashku me patriotin Hysen Mulosmani, i cili ishte editor dhe kryeredaktor, duke udhëhëqur kështu njërën prej radio programeve më të dëgjuar dhe më të njohur në SHBA në gjuhën shqip. Zëri i Atdheut ishte zëri i vërtetë i Mbretërisë shqiptare në Diasporë, dhe nga të vetmet dritare të lirisë e demokracisë, së bashku me Zërin e Amerikës, e cila ishte pjesë e Departamentit të Shtetit dhe promovonte kudo në botë pikpamjet dhe vlerat e lirisë së popujve të shtypur nga komunizimi. Babai im me të ardhur në Amerikë, më “aktivizoi” në radio programin e tij, duke me dhënë rolin e editorialistit. Editoriali i parë më kujtohet si sot, ishte: “Çfarë kërkojnë shqiptarët që po ikin masavisht?” shkurt 1992.
Pra, këtu nisin fillimet e para në Amerikë, lidhja ime me median dhe masmedian. Ato nisnin nga viti 1992 deri në vitin 1994 me radion “Zëri i Atdheut”. Nga 1998 deri në vitin 2003 kam qenë korrespondent i rregullt i Radio Kontaktit në Tiranë. Ndërsa, që prej vitit 1998 punoj pa ndërprerje, edhe si korrespondent me gazetën kombëtare Bota Sot,në 2003 nisa të punojë edhe me agjensinë e lajmeve Illyria News Agency INA dhe të bashkëpunoj me gazetën shqiptaro-amerikane Illyria dhe gazetën Dielli, gazetën 55, dhe kam një emision në televizionin Albanian Culture të Adem Belliut. Bashkëpunoj githashtu me Televizionin e Gani Vilës (Televizionin Shqiptar të Michiganit) dhe televizionin AANTV këtu në Amerikë – Skënder Pali. Gjithashtu, jam anëtar i shoqatës së gazetarëve amerikanë (freelance) dhe jam i akredituar si gazetar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
-Përpos që jeni gazetar, ju jeni edhe veprimtar i komunitetit shqiptar, si ia arrini te krijoni balancën e duhur në mes të këtyre dy gjërave?
Për këtë natyrisht që më ndihmon shumë ajo se këtu në Amerikë kemi një komunitet mjaft të madh shqiptarësh (mendohet se janë gjysmë milioni); këtu më duhet të sqaroj se nuk janë shifra zyrtare, por, janë të bazuara simbas të dhënave të marra prej shoqatave dhe organizatave nga Xhamia e Kisha shqiptare në SHBA, pra, kemi një “Shqipëri të vogël në Amerikë”, siç e kam quajtur unë shpesh herë në shkrimet e mia.
-Gjatë veprimtarisë suaj, cila ka qenë koha më e vështirë kur ju është dashur të shkruani?
Kësaj, unë do t’i shtoja edhe këtë pyetje : cila ka qënë momenti më i bukur ose aktiviteti dhe veprimtaria më e bukur që ke mbuluar? Mbasi, iu jam “borxhlli” dhe nuk mundem të lë pa permendur këtu rolin dhe kontributin historik, të shqiptarëve të Amerikës. Sidomos, në demokratizimin e Shqipërisë, pra hapjen e saj dhe rrëzimin e komunizimit. Dhjetra e ndoshta qindra demostrata, të zhvilluara në Nju Jork, Uashington, Cikago, Detroit, Dajton, Ohio. Sa e sa demonstrata, peticione, takime, deri me presidentët e SHBA, senatorë e kongresmenë, Sekretar Shteti dhe ambasador të OKB-së, për të drejtat e shqiptarëve, nën sundimin sllavo serb. Luftën për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Krijimin e Batalionit “Atlantiku”, në New York, e cila përfshinte luftëtarët e lirisë, që luftuan në kuadër të UÇK-së për çlirimin e Kosovës, tre dëshmorët e lirisë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi. Mbulimin e sa e sa aktiviteteve të qindra shqiptaro-amerikanëve në mbarë Amerikën, të cilët dhanë një kontribut historik, për çlirimin e Kosovës duke iu bashkëngjitë luftës heroike së UÇK-së dhe NATO-s, kundër regjimit pushtues serb – për të ndaluar që populli shqiptar të vazhdonte të ishte viktimë e genocidit të Milosheviqit. Do të permend Ish kongresitin Xhozef DioGuardi, presidentin e LQSHA dhe bashkëshorten e tij Shirly Cloyes DioGuardi, dhe shumë të tjerë. Do të duhej një listë e gjatë, dhe një libër i veçantë, për secilin prej tyre.
Mirëpo, vijmë tek përgjigjja e pyetes suaj të parë, dua të them se ka qënë periudha e ngjarjeve tragjike në Shqipëri – revolucioni bolshevik – sllavo – komunist, me ngjarjet tragjike të 97′, të cilat sollën shkatërrimin e vendit dhe rënien e shtetit në Shqipëri, efekti dhe pasojat e saj në Diasporë. Të cilat, duheshin të përcilleshin me korrektësi dhe profesionalizëm në mënyrën se si po i përcillnin dhe po i përjetonin shqiptarët e Amerikës ato ngjarje. Cili ishte reagimi rreth këtyre ngjarjeve nga komuniteti shqiptar në SHBA, dhe si i shihte Uashingtoni këto ngjarje? Kjo ishte shumë e vështirë, dhe moment delikat – mbasi në atë kohë këtu vepronte ende një ndarje e madhe në diasporë mes të djathtës dhe të majtës, e cila kishte ardhur në pushtet në Shqipëri me anë të këtij revolucioni, ndërsa, këtu në SHBA – me anë të diplomatëve në Misionin Shqiptar në OKB kërkonte, ta mbronte dhe ta mbante pushtetin me forcë.
-Profesioni i gazetarit do përkushtim dhe angazhim maksimal. Gjithashtu, duke u bazuar në kodet etike të gazetarisë duhet të paraqisësh lajmin në kohe dhe me saktësi pa anuar asnjëherë. Si e keni bërë ju një gjë të tille për gjatë viteve?
Përgjigjen e kësaj pyetje besojë se e ezaurova më lart – por nuk mundem ta kaloj pa e theksuar edhe një herë rolin dhe kontributin e madh dhe të pazvëndësueshëm të këtij komuniteti, por, dhe vazhdimisht në punën time, duke mësuar dhe përfituar nga media dhe masmedia amerikane, kam ngritur edhe karjerën time”. Gjithmonë, do të thoja me këtë rast duke qenë kërkues, i palodhur dhe i kudo gjendur. Kam pasur lidhje të mira dhe kam komunikuar, me kolegë dhe miq të mi, gjatë këtyre viteve, si në Europë, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginën e Preshevës, dhe Diasporë, me gazetarët dhe njerëz të media dhe masmedias, nga më të mirat shqiptare, nga ata gazetarë që unë do t’i quaja yjet e gazetarisë shqiptare. Dhe, sot kur i kujtoj, që nga fllimet e para në këtë 25 vjetor – them se e kam për nder, që kam qënë afër tyre, i nderuar dhe i respektuar, prej tyre, dhe që kam mësuar shumë prej këshillave të tyre, editimit dhe redaktimit, kurajos dhe besimit. Ndaj, gjej rastin sot t’u shpreh secilit prej tyre edhe një herë mirënjohjen, time për gjithçka – se nuk ka qenë aspak e lehtë si për ata por edhe për mua.
-Në Amerikë ka gazetarë të shumtë, por sa i përmbahen ata parimeve të gazetarisë?
Shumë pak! Dhe, është me të vërtet për të ardhur keq – se ka shumë mediokritet dhe një pjesë e tyre janë profanë. Megjithëse, duhet të sqaroj diçka këtu në këtë përgjigje, sepse, në Amerikë, flas kështu se i njoh pothuajse të gjithë gazetarët shqiptarë, (me disa komunikoj, disa të tjerëve ua lexoj shkrimet apo i shoh në median vizive) dhe e ndejk pothuajse punën e të gjithëve, në fushën e gazetarisë. Dëshirojë të them se ka gazetarë shumë profesionistë, mjaft të kompletuar në të gjitha drejtimet.

Ka nga ata që për mendimin tim – janë me të vërtetë gazetar, jo thjesht se merren me gazetari aktive dhe profesionale, me media prestiogjoze në gjuhën shqipe këtu në komunitet, si Radio France International, Rojters, AP, apo dhe media të tilla si, VOA, Illyria, Bota sot, Dielli. Mendoj se në këta emra hyjnë: Ruben Avxhiu, Kryeredaktori i IIlyrias, Dalip Greca editor i Diellit, Frank Shkreli, Gjek Gjonlekaj, Ilir Ikonomi dhe Astrit Lulushi i VOA, etj…

Por, edhe nga ata që janë edhe sot, edhe në median më prestigjoze, shqiptare si “Klara Buda, ish kryeredaktore e Radio France Internacional, e cila ka themeluar së fundi në New York, TV show “Shqipëri/Kosovë të Dua” që përmes figurave të spikatura analizon modernitetin e të qenit shqiptar në SHBA. Ndërsa, gazeta e saj shumëgjuhëshe botimi online klarabudapost është një nismë novatore që promovon globalisht gazetarinë etike në shërbim të publikut. Nga media prestigjoze amerikane si shembull po marr Lidia Ujka në Fox News. Por, fatkeqësisht, ka edhe nga ata që i thonë vetes “gazetar”, vetëm duke përfituar nga interneti dhe bota e kompjuterit, të cilët, janë pa etikë dhe niveli i tyre profesional është shumë i varfër, aq sa ata nuk arrijnë ta kuptojnë, se nuk i përmbahen aspak parimeve të gazetarisë .

Ata dinë vetëm të vet-mburren dhe vet-lavderohen, shpërndajnë lajmet ose shkrimet e tyre në internet, edhe tek ata që nuk ua lexojnë. Gazetari nuk është shpërndarës lajmesh apo informacionesh, të mburret e vet-lavdërohet, ose të lavderojnë e mburrin njëri tjetrin.
-Cila do te ishte porosia juaj për gazetarët e rinj që sot veprojnë në komunitet?
Shumë faleminderit për këtë pyetje. Meqenëse, e fillova intervistën me gazetarinë shqiptare, po përpiqem të jap edhe porosinë time si gazetar. Ne gazetarët duhet të shikojmë jo vetëm nëse na paguajnë, sa na paguajnë dhe kush na paguan. Por, duhet të shikojmë realitetin dhe ngjarjen ashtu siç është, pavarësisht se dikujt i pëlqen apo jo, se dikush preket, apo nuk preket. Mendoj se këtu nuk ka asnjë pengesë të pakalueshme. Gazetari nuk duhet të varet nga interesi i partisë në pushtet dhe ky është parimi i parë. Përndryshe ai do të bëhet rob i autocensurës. Ai duhet të ndjekë parimin e lirisë së fjalës dhe të shprehjes, që janë thelbësore për gazetarinë në mbarë botën. Nuk ka gazetari dhe gazetar të lirë në demokraci nëse lajmin e bën nga njëra anë, duke shikuar nga qeveria dhe nga ana tjetër duke parë nga “paraja”. Liria, është kuptimi i demokracisë, dhe kjo është demokracia: Amendamenti i parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ndalon me ligj censurën, mbron me ligj lirinë e fjalës, të shtypit, të fesë e të tjera dhe është parimi nga mund të mësohet në rast se dëshiron të jesh gazetar i mirë.

Filed Under: Featured Tagged With: Beqir Sina, Drita Ramadani, Interviste

RISHKRIMI I HISTORISE- ABAZ KUPI PERBALLE HISTORISE DHE HISTORIANEVE

February 2, 2015 by dgreca

-SI E KTHEU ENVER HOXHA NGA HERO NË TRADHËTAR ABAZ KUPIN…/
-Enver Hoxha:”….Në Durrës luftonte Abaz Kupi kundra mijëra e mijëra fashistëve që po zbarkonin. Bazi i Canes dhe djemtë e Shqipërisë të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun me të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun të kthehej në vapore e të linte në Molo me qindra të vrarë. Major Bazi ishte kudo, në çdo pozicion dëgjohej zëri i tij: “Djema! Godisni armikun pa mëshirë, se kështu e lyp ndera e Atdheut!”/
Nga Dalip Greca/
Edhe në përkujtimin e 39-të të vdekjes së heroit të 7 Prillit, heroit kombëtar,(me 28 Nëntor 2014 u dekorua nga Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani me Urdhërin”Gjergj Kastrioti Skënderbeu”),-u përmend sërish kthimi i eshtrave në Atdhe. Komandanti i qëndresës antifashiste me 7 prill të ’39-tës, e ka vendin atje pranë Mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogut. Por kush do ta kthejë? Qeveria s’ka gjasa, shqiptarët e Amerikës duhet t’i dalin për zot vetë këtij kthimi.Djemtë energjikë të Legalitetit duhet t’i drejtohen diasporës dhe t’i dalin për zot kthimit.Ndoshta ky kthim shërben edhe si model për kthimin e nacionalistëve të shumtë, eshtrat e të cilëve duhet të prehen në Atdhe. Është e pafalshme që politika shqiptare, për një cerek shekulli demokraci, nuk ka kthyer eshtrat e Mit’hat Fashërit dhe nacionalistëve të tjerë!
Le të kthehemi tek Abaz Kupi: Ka 39 vjet që shqiptarët e Amerikës, i përulen me nderim heroit kombëtar, por ende historishkruesit shqiptar, nuk duan t’i japin Abaz Kupit ç’ka është e tij.Paskal Milo kërkon për Enver Hoxhën,” Jepi Cezarit atë që i takon Cezarit”, por nuk e kërkon këtë për Abaz Kupin, për të cilin do të mjaftonte vetëm qëndresa e 7 prillit, për t’u vendosur me nderime në historinë e Shqipërisë.. Ende shkruhet nëpër gazeta se Abaz Kupi e tradhëtoi Lëvizjen për çlirim!
Në fakt Abaz Kupi nuk pranoi të hyjë në labirinthet e luftës, kur ajo mori drejtim vëllavrasës, orientuar nga jugosllavët së bashku me Partinë Komuniste. Historia dëshmon se Abaz Kupi ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë të Konferencës së Pezës më 16 shtator 1942 dhe u zgjodh anëtar i KANÇ. Me idenë e zgjerimit dhe të forcimit të frontit të përbashkët të luftës kundër italianëve, ai u bë nismëtari i Konferencës së Mukjes mbajtur në 1-2 gusht 1943, për të arritur bashkëpunimin midis Frontit Nacionalçlirimtar dhe Ballit Kombëtar. Marrëveshja e Mukjes u pagëzuar në zjarrin e armëve në betejën e përbashkët me 4 dhe 5 gusht 1943, dy ditë pas Kuvendit të Mukjes, në një betejë të përbashkët në afërsi të Qafë-Shtamës, kundër ushtrisë italiane, që marshonte për në Mat. Çetat partizane dhe ato të Ballit Kombëtar, nën komandën e majorit Abaz Kupi e shpartalluan armikun, duke i shkaktuar humbje të rënda: 150 të vrarë, 40 të plagosur dhe 7 robër.Mirëpo komunsitët nën diktatin e jugosllavëve, e hodhën poshtë Mukjen. Në shtator të 1943,në Konferencën e Labinotit Enver Hoxha hodhi poshtë Marrëveshjen. Abaz Kupi u largua nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar.Enver Hoxha e shpalli tradhëtar dhe e dënoi me vdekje me një urdhër të posaçëm të komandës së Shtabit.

NGA HERO, ENVER HOXHA E SHPALLI TRADHTAR ABAZ KUPIN

Ende dëgjohen përrallat e Nexhmije Hoxhës, që vazhdon të shkruaj kujtimet e Enverit dhe kujtimet e saj,ku Abaz Kupi paraqitet me ngjyra të errta, si personazh negativ i letërsisë së realizmit socialist. Ajo harron se çfarë ka pasë shkruar vetë Enveri në Zëri i Popullit, 13 shkurt 1943, ku s’lë epitet, krahasim e metaforë, pa përdorur për të ngritë lartë trimëritë e Bazit të Canes. E risjellim pa koment të plotë fragmentin që i kushtohet Abaz Kupit, me shpresë se ithtarët e Enverit dhe të Nexhmijes do ta gjykojnë ndryshe heroin e 7 prillit:“Ditët e para të prillit 1939, populli shqiptar ishte në këmbë, me një zemër, me një parullë: Luftë invazorit! I madh e i vogël bërtiste, bërtiste: në Durrës, Shëngjin, Vlorë për të mbrojtur Atdheun. Në Durrës luftonte Abaz Kupi kundra mijëra e mijëra fashistëve që po zbarkonin. Bazi i Canes dhe djemtë e Shqipërisë të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun me të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun të kthehej në vapore e të linte në Molo me qindra të vrarë. Major Bazi ishte kudo, në çdo pozicion dëgjohej zëri i tij: “Djema! Godisni armikun pa mëshirë, se kështu e lyp ndera e Atdheut!” Nga çdo anë, nga çdo mur, derë, nga çdo penxhere e Durrësit gëlonte pushka. Bazi i Canes nuk po ja lëshonte vendin, megjithëse armiku përdori topa e aeroplanë, djemtë e Shqipërisë nuk trembeshin. Lufta vazhdoi me orë, armiku hidhte si në furrë me mijëra bersalierë dhe përpara kësaj hordhie të madhe të veshur me çelik, Bazi i Canes u tërhoq, por i pathyer, i papërkulur, me zemrën plotë dashuri për Atdheun dhe me urrejtje për okupatorin. Në emigracion këtij nuk i rrihej…prandaj çau malet me borë, çau bjeshkët e Veriut dhe u fut në Atdhe, atje ku e lyp detyra, ku e lyp ndera e Atdheut, u fut me forcat e tij, me atë të shokëve shqiptarë që ishin çu në këmbë. Fshatrat e Krujës zienin, fshatarët rrokën pushkët, pse era e hakmarrjes kish arritur, pse Bazi i Durrësit ishte kthyer me marrë pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar…Bazi i Canes që luftonte për një qëllim të shenjtë: Çlirimin e Atdheut nga zgjedha italiane, e ka kuptuar fare mirë se trimi i mirë me shokë shumë, se ky hall i madh ka mbuluar gjithë Shqipërinë dhe se një bashkim i fortë i gjithë shqiptarëve do të jetë shpëtimi i vendit tonë. Bazi i Canes nuk tutej por thoshte “Vallja vjen pas”. Patrioti i vërtetë nuk lufton me fjalë, por me vepra dhe Bazi i Canes mendimet e tij i realizonte në fushën e luftës dhe solidar deri në vdekje u hodh në luftën Nacionalçlirimtare… Bazi i Canes, Bazi i Krujës, Bazi i Pezës do ta vazhdojë luftën deri në fitore…”-Shkëputur nga artikulli i Enver Hoxhës, “Bazi i Canës, Myslym Peza dhe Babafaja Martaneshi”, Zëri i Popullit, 13 shkurt 1943
Pa koment…!

ABAZ KUPI PËRBALLË HISTORISË DHE HISTORIANËVE

Duket si lojë fjalësh ky nëntitull, por e vërteta duket sheshazi, ka një kontraditë mes historisë dhe historianëve rreth Abaz Kupit. Abaz Kupi përballë historisë është i dneruar, ai e ka kryer detyrën ndaj Kombit.Shumë kombe e shtete më të mëdhenj se Shqipëria dhe shqiptarët, e kanë ëndërruar një pushkë të shkrehur kundër pushtuesve,ndërsa shqiptarët organizuan qëndresë të armatosur, por historianët tanë nuk duan ta vlerësojnë.Një pjesë e tyre nuk duan ta ngisin Abaz Kupin në piedestalin që i takon për shkak se një pjesë e pidestaleve janë të zëna me heronjtë e rremë të krijuar nga historianët militantë,duke u nisë nga Enver Hoxha, që ende mbanë titullin Hero i popullit. Do të mjaftonte vetëm 7 prilli për t’ia ngritë monumentin Abaz Kupit….
Pra, problemi nuk është ai i Abaz Kupit me historinë, por i historianëve militantë me të.Ndërsa historianë si Beqir Meta, Muharrem Dezhgiu,Uran Butka e të tjerë, e kanë trajtuar realisht këtë figurë,ende ka historianë të tipit Kotani, Milo,që pretendojnë se zotërojnë materiale sekrete të arikivave(të Nexhmijes), ndërkohë që anglezët e kanë ngritur në qiell Abaz Kupin.
Ende e kujtoj një shprehje të djalit të Abaz Kupit, Bardhit, qëndrestarit të burgjeve komuniste dhe kampeve të internimit:” …Anglezët e kanë veshur Abaz Kupin me ar’, shqiptarët me lecka…!”. S’ka nevojë për koment kjo shprehje.
Në këtë këtë shkrim do t’i referohem studiuesit, dr. Vangjel Kasapi, i cili në librin e tij”Yjet e Gjeneralëve” e vështron me objektivitet figurën e Abaz Kupit. Ai kërkon nga historianët e kohës së sotme, që ta vlerësojnë dhe studiojnë Abaz Kupin si shqiptar dhe si ushtarak, duke iu shmangur politizimeve e subjektivizmit, pasi s’mund të gjejmë portrete të përkryera, të marra jasht konteksteve historike.Abaz Kupi nën këndvështrimin e këtij studiuesi, si personalitet lufte, i përket periudhës së lavdërueshme të popullit shqiptar për pavarësi Kombëtare 1911-1922, si dhe etapës së luftës Antifashiste, me prolog 7 prillin 1939. Edhe pse nuk e kishte arsimin ushtarak, shquhej për zgjuarsi e prakticitet të rrallë pune e drejtimi në fushën e luftës.Nga natyra shfaqi dhunti ushtarake, si prirja për të pasur e për të përdorur armë, guximi për të vepruar, urrejtja për të huajin pushtues etj. Këta tregues të karakterit të tij nisën nga fundi i sundimit turk (1910) e vazhduan deri në fundin e Luftës së Dytë Botërore. Në një moshë fare të re, vetëm 15 vjeçar zgjidhet anëtar i këshillit Kombëtar të qytetit historik të Krujës. Ishte vetëm 17 vjeç, i ngarkuar nga ky komitet, kur egzekuton filoturkun Llan Hoxha, pse ai pat përbuzë Flamurin Kombëtar, duke e zëvendësuar me atë turk. Në ngjarjet e pavarësisë më 1912, Abaz Kupi ishte në krye të krahinës së tij, duke qëndruar si prijës pro Kuvendit Kombëtar dhe Qeverisë së Vlorës. Ai konfirmon me vepra se është armik i shovinizmit fqinj, duke u rreshtuar në radhën e nacionalistëve që luftonin për Shqipërinë Etnike. Në vitin 1922 serbo-malazezët rrezikojnë me hordhitë pushtuse territoret e Koplikut dhe të mbi Shkodrës. Në këtë front lufte Abaz Kupi shquhet si komandant me të dhëna të plota ushtarake, organizator e udhëheqës me talent ushtarak i një reparti me rreth 400 krutanë. Goditjet e tij mbi ushtritë sllave qenë rezultative duke i thyer ata e duke i detyruar të tërhiqeshin nga krahina veriperëndimore.
Në çastet e vështira që kalon shteti shqiptar ka dalë në pah shërbimi i përkushtuar i Abaz Kupit ndaj shtetit. Pas vitit 1925 ai është ithtar i vendosjes së rendit dhe qetësisë duke luftuar ashpërsisht anarkinë. Në atë kohë ishte një ndër drejtuesit e operacioneve ushtarake ndaj atyre që kundërshtonin shtetin. Zgjuarsinë ushtarake dhe aftësitë komanduse, guximin dhe vendosmërinë tradicionale të prijësve krahinorë si dhe krenarinë e familjes, ai i vuri në shërbim të shqiptarizmit.Kur Atdheut i troket në prag agresioni fashist, Abaz Kupi nxjerr në pah cilësitë më të spikatura të shqiptarizmës.Shteti shqiptar, disi i paralizuar me kapacitete të kufizuara ushtarake, duket i pamundur për t’u përballur me agresionin. 1 milionë kundër 40 milionëve, ç’mund të bëhej në këtë përballje të pabarabartë? Gjithësesi me vendim Parlamenti, major Abaz Kupi vihet në krye të komandës për rezistencën e 7 prillit.
Studiuesi Kasapi na jep këtë informacion: Sipas planit të orientuar nga komanda e përgjithshme e UKSH-së, Abaz Kupi është në komandë të 500 vetave të Zonës së Parë, për mbrojtjen e drejtimit më të rëndësishëm operativ të Shqipërisë, atë Durrës-Tiranë, posaçërisht të portit strategjik të Durrësit. Ai u përpoq të mabjë në det ushtrinë pushtuse në portin kryesor. Luftimet i drejtoi në brendësi, që ta pengonte përparimin e shpejtë të motorizatave italiane, gjë që ishte e pamundur, por ai e kreu me nder aktin e atdhetarit.Abaz Kupi largohet përkohësisht jashtë Shqipërisë, ndërkohë që familja i internohet në Himarë, e më pas në Itali. Italia e shndrroi Shqipërinë në një teatër lufte e trampolinë për në Lindje. Emri dhe kontributi i Abaz Kupit doli sërish në skenën e qëndresës shqiptare.
Studiuesi konstaton se: Një kapitull më vete në biografinë e personalitetit të Abaz kupit formon vija e tij në raport me fashizmin italian.Ai s’i fsheh opsionet e një rendi kushtetues monarkist me Ahmet Zogun si mbret. Por Shqipëria etnike e lirë qëndron mbi pikpamjet që lindën në truallin e pushtuar.Në atë kohë Abaz Kupin e gjejmë në krye të aksioneve, por tepër i zgjuar,afrohet dhe drejton përgatitjet e gjithanshme ushtarako-politike dhe mobilizimin e popullit për ditët e ardhshme. Viti 1942 bëhet i padurueshëm, kështu që detyrohet të emigrojë në Jugosllavinë e pushtuar nga nazi-fashizmi. Abaz Kupi duke u investuar me fonde nga jashtë, nisi të mbledhë rreth vetes emigrantë bashkatdhetarë edhe nga Kosova pro luftës për shqiptarizëm. Shpërngulet që andej me ideale e fuqi ushtarake me qëllim që t’i shërbejë çështjes kombëtare. Në Bogë (Shkodër) Abaz Kupi kryen një akt të lartë patriotizmi, ngre Flamurin Kombëtar, duke rishfaqur personalitetin e tij ushtarako-atdhetar.
Abaz Kupi ishte një personalitet në qendër të vëmendjes prandaj është në qendër të kërkesave për dialog, qoftë nga pushtuesit fashistë, qoftë edhe nga Fronti Nacional-Çlirimtar si dhe Balli Kombëtar. Nisur nga interesat më të larta të Kombit, si dhe nga kërkesat imperative, si ajo e luftës çlirimtare kundër nazi-fashizmit, ai përkon me platformën e bashkimit kombëtar e në përpjekjet për zgjidhjen e detyrës kapitale. Kupi pajtohet dhe jep ndihmesë me pjesmarrje në organizimin e mbledhjes të krerëve dhe përfaqësuesve të popullit, siç ishte Konferenca e Pezës, 16 shtator 1942. Kupi është në një front me nacionalistët por pranon bashkëpunim edhe me komunistët për çlirimin e atdheut. Mukja, ishte momenti, ku nacionalizmi i Kupit shfaqi cilësitë e tij prej atdhetari gjithëetnik, por komunstët, nën diktatin e Miladinit dhe Mugoshës, e revizionuan konferencën e bashkimit kombëtar.
Te personaliteti i Abaz Kupit spikati qëndrimi burrëror dhe lufta me armë kundër fashizmit deri në kapitullimin e Italisë. Periudha 4-vjeçare e nxjerr atë si prijës ushtarak që bashkëpunoi me faktorët e tjerë të interesuar. Ai ndërmori edhe aksione të përbashkëta me UNÇSH-në, duke drejtuar me po aq aftësi sa dhe komandantët e tjerë. Kryengritja popullore e Matit qe një provë e madhe edhe për Abaz Kupin. Luftimet në Mat dhe në Dibër ishin një tërësi veprimesh sulmuse kundër garnizoneve të Burrelit, të Shkronjanit e të Qafës së Buallit, që u bllokuan për ditë të tëra. Major Kupi e mori zonën me ngarkim duke manovruar nga njëri vend në tjetrin, bashkëorganizon pritë pas prite me mjeshtri, sidomos me çetat partizane në Qafë-Shtamë. Kjo pritë shpartalloi dhe shpërbëu regjimentin italian”Guida”. Po ashtu ai thyen operacionin italian, që vinte nga Dibra dhe nxjerrjen nga rrethimi i forcave shqiptare. Abaz Kupi shfaqet kamandues tipik në pritat mbrojtëse për gjatë rrugës për Burrel, Klos, Kurdari, e Suc. Italainët pësojnë humbje të ndjeshme.Asnjë historian nuk mund t’ia fshijë me një të rënë të lapsit këto kontribute Abaz Kupit.
Deklarata e tij konfirmon shqiptarizmën e kulluar:”Unë jam gati të bashkëpunoj me çdo shqiptar të ndershëm pa dallim feje, krahine apo ideje. Unë nuk kam gajle se ju jeni komunsitë.Unë jau respektoj çdo bindje politike, por me kusht që ju të jeni komunistë shqiptarë…”
Nënkuptohet se Abaz Kupi duke vënë theksin tek”komunsitë shqiptarë”, aludonte mos komandimin e tyre nga sllavo-komunsitët sepse pavarsisht nga ideologjia e re komuniste, sllavët kurdoherë e kanë lakmuar sundimin e Shqipërisë.
Deklarata e Abaz Kupit se “Unë nuk dua që të shpallemi parti politike në këtë lufte se partitë politike përçajnë popullin”- konfirmon pikëpamjen e tij kombetare perëndimore.
Kuvendi i parë pluralist mbarëkombëtar i Pezës e konfirmoi Abaz Kupin si prijës patriot me vizione lufte për liri, e dëshmoi si strateg popullor, ndërsa Mukja konfirmoi vizionin prej nacionalisti.Ndarja nga Fronti erdhi, kur ai u bind se Partia Komuniste i ktheu shpinën Kosovës dhe tradhëtia e Mukjes, ia përshpejtoi këtë vendim.

KRONIKA E PËRVJETORIT TË 39-TË TË VDEKJES

Përkujtimi i 39-të i ndarjes nga jeta të heroit Abaz Kupi u shënua nga Partia Lëvizja e Legalitetit për ShBA dhe nga familja Kupi, Dani e Çupi me 10 Janar 2015 në Kew Gardens, Queens, New York. Takimin e ka hapë nënkryetari i PLL, z. Ahmet Hoti. Pas përcjelljes me solemnitet të dy hymneve Kombëtare, Amerikan dhe Shqiptar, është mbajtë një minut heshtje-në kujtim të Abaz Kupit dhe të gjithë dëshmorëve të Kombit. Kryetari i PLL për SHBA, z. Hakik Mena, përmes një kumtese evokoi jetën prej heroi kombëtar të Gjeneral Abaz Kupit. Prof.dr. Muharrem Dezhgiu përcolli kumtesën “Rrethanat historike të vendosjes së Legalitetit në Shqipëri, 24 dhjetor 1924”.
Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës përshëndeti nënkryetari i saj, z. Asllan Bushati.
Veprimtari i komuniteti çam, Sali Bollati, ashtu si dhe vitet e tjerë ka përshëndetur duke vlerësuar kontributin kombëtar të Abaz Kupit.
Nga brezi i ri përshëndeti presidenti i “Rrënjët Shqiptare” Marko Kepi. Musli Mulosmanaj, veprimtar i hershëm i komunitetit shqiptar, vatran, në përshëndetjen e tij, bëri apel, që së bashku me gjeneral Abaz Kupin, të nderohen edhe nacionalistët e tjerë, të cilët prehen në të njëjtën varrezë me të.
Anëtari i kryesisë së PLL për SHBA, Tomor Selamani lexoi kumtesën e gazetarit Erald Capri”Mbreti Zog dhe tentativa për një triumf të dytë të Legalitetit”, ndërsa Ahmet Hoti, i cili ishte dhe udhëheqësi i veprimtarisë përkujtimore, lexoi fragmente nga libri i Julian Amery.
Në emër të familjes Kupi, Dani dhe Çupi, ka përshëndetur Sokol Kupi, nip i gjeneral Abaz Kupit, i cili falenderoi organizatorët dhe pjesmarrësit për nderimin që i bënë gjyshit të tij. Sokol Kupi bëri thirrje për organizim dhe bashkim të nacionalistëve të vërtetë, të cilët vetëm të bashkuar do ta shpëtojnë Shqipërinë e rrezikuar nga korrupsioni, ringjallja e komunizmit dhe pseudodemokratët. Për Sokol Kupin, kombi shqiptar nuk mund të shkojë në Europë kështu i dobsuar, inferior, i kërcënuar me shpërbërje në trojet e veta etnike, i shpërndarë në gjashtë shtete. Në Europë, tha duhet të shkojmë me dinjitet. Dhe dinjitetin Kombit ia kthejnë nacionalistët.
Takimi përkujtimor u mbyll me vizitë tek varri i heroit të 7 Prillit në “Maple Grove Cementry” në Kew Graden( Queens), ku u vendosën kurora me lule dhe u bënë fotografi.
Në këtë takim përkujtimor morën pjesë edhe vatranët:Asllan Bushati, Zef Balaj, Sejdi Hysenaj, Uk Gjonbalaj,Lek Përlleshi si dhe editori i Diellit.( Shkrimi u botua në Diellin e printuar, 27 Janar 2015)

Filed Under: Featured Tagged With: abaz kupi, dalip greca, perballe Historise, rishkrimi i Historise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 662
  • 663
  • 664
  • 665
  • 666
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT