• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AMBASADORI ALEXANDER ARVIZU – NJË AMBASADOR SUI GENERIS –

March 3, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Ambasadori Amerikan në Tiranë Alexander Arvizu nuk është si gjithë ambasadorët e tjerë që kanë përfaqësuar SHBA në Shqipëri. E kam fjalën për shtatë pararendësit e tij që prej vitit 1991 kur SHBA dhe Shqipëria rivendosën marrëdhëniet diplomatike pas një pauze të gjatë, shkaktuar prej regjimit komunist,që e shndërroi vendin e shqipeve në një bunker të izoluar, por pa mundur që të presë rrënjët e lidhjeve me shqiptaro-amerikanët, e larguar si armiq të regjimit apo atyre që emigruan shekullit të shkuar. Faik Konica dhe Fan Noli ishin ura lidhëse midis Botës të Lirë me Tokën e Robëruar.

Vargjet e Fan Nolit “Mbahu Nëno mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë”, që rastësisht i kishin shpëtuar censures kriminale, ushqenin nënkoshiencën e shqiptarëve me një shpresë që dukej e fikur, por që u ringjall prej tingujve marcialë të radios Zëri të Amerikës dhe ardhjes së Sekretarit të Shtetit James Baker në qershorin e 1991.

Prej përmbysjes së diktaturës, SHBA shihen nga populli shqiptar si Aleati jetik i shqiptarëve, paradigmë që në fakt daton prej fillimit të shekullit të shkuar kur President Woodrow Wilson mori në mbrojtje vendin e bërë të vogël nga makutëria e fqinjëve me tendencë për ta zvogëluar sa më tepër. Kjo Aleancë do të rivitalizohej gjatë përmbysjes së diktaturës, Luftës në Kosovë dhe prej emigracionit të ri, që është  si ringjallje e atij të vjetër

Zakonisht Ambasadorët e SHBA në Tiranë janë gjykuar politikisht – pozitivisht nga njëri krah dhe jopozitivisht nga krahu tjetër, një lloj ping pongu konstant ky, ndërkohë që qeveritë shqiptare prej 23 vjetësh kritikohen për mospërmbushje të obligimeve ndaj qyteterëve të tyre. Politika shqiptare mjerisht për këtë dështim të saj personal ka penalizuar shpesh ambasadorët amerikanë. Edhe Ambasadori Arvizu nuk i shpëtoi këtij rregulli. Atij here pas here i është dashur të përballet me cinizmin e gazetave të Tiranës në shërbim klientelist të politikës apo me mosmirënjohjen e politikanëve shqiptarë të pangopur asnjëherë me pushtet.

Si e kam përmendur edhe më parë, Ambasadori Arvizu preferoi ta njohë vetë realitetin e komplikuar shqiptar, të mos mbetet peng i përkufizimeve dhe sharjeve që politikanët shqiptarë i rezervojnë njëri-tjetrit. Dhe mund të thuhet se është një njohës i shkëlqyer i këtij realiteti. Ai njeh personalisht politikanët, shoqërinë civile, gazetarët, njerëzit e thjeshtë. Ai njeh gazetat, televizionet, programet,anchormenët shqiptarë, njeh klerikët, botën artistike, njerëzit e zakonshëm, elitën…

Ai është një komunikues i palodhur për të shpjeguar e sqaruar gjithçka, ku gjithçka që ka thënë dhe thotë e mbështet në një themel mirëbesimi dhe sinqeriteti. Gazetarët kur duan ta kapin në “gabim” e pyesin “po ju keni thënë kështu” dhe ai ka gjithnjë koherencë me atë që ka thënë. Sikur këtë kërkesë llogarie që e mbajnë ndaj Ambasadorit Arvizu, gazetarët shqiptarë ta mbanin ndaj politikanëve të tyre, vendi ynë do të ishte shumë më mire.

Politikanët shqiptarë, kur u janë cënuar interesat e tyre për pushtet, i kemi parë të sillen ndaj tij në mënyrë të pacipë,sa që zyrtarët më të lartë të shtetit Amerikan janë detyruar të shprehen shpesh se qëndrimi i Ambasadorit Arvizu është pikë për pikë ndaj qëndrimit zyrtar të shtetit.

Ambasadorit Arvizu i është dashur që të dalë jashtë rregullave të kurtuazisë diplomatike, ku çdo gjë është me masë dhe gramaturë. Duke dëshmuar kompetenca të plota, për të dhënë përgjigje dhe rrugëzgjidhje për ngërçet shqiptare,ai ka shfaqur profilin e njeriut me sensibilitet të lartë human, siç ishte rasti i grevës të urisë të ish-të përndjekurve politikë.

Kundër SHBA dhe amerikanëve diktatura komuniste për gjysmë shekulli ka harxhuar mijra tonelata bojë dhe letër – me reminishenca deri sot – por Ambasadori Arvizu ka demonstruar se qëndrimi Amerikan ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk është profiter, por ai i një Aleati të provuar në ditë të vështira.

Autorja e këtij shkrimi nuk e ka natyrë që t’u thurrë hymn ambasadorëve të SHBA. Kam kritikuar për shembull Marisa Linon. Nuk më ka pëlqyer kurrë afeksionimi në favor të njërës palë e në disfavor të tjetrës. Jam për meritën. Sipas shprehjes: “Give to Caesar what is due to Caesar”. Dhe Ambasadori Arvizu e ka shmangur tunelin e ndikimit prej palëve dhe ka mbajtur një qëndrim të hapur mbi palët në të mirë të popullit shqiptar, ndryshe nga politikanët shqiptarë, të cilët janë sjellë me të si ballkanikë, here miqësorë dhe here armiqësorë,gjithnjë sipas interesave personale dhe assesi sipas konsitucionit shqiptar kur Miku është Mik, është i shenjtë.

Ambasadori Arvizu i ka dhënë të gjithë klasës politike shqiptare një mësim tolerance dhe njëfytyrësie.Sikur klasa politike shqiptare të kishte ndjekur këshillat e tij, duke pranuar çelësin e kompromisit në vend të drynit të ngërçit dhe gjuhës së urrejtjes, Shqipëria dhe shqiptarët do të ishin shumë më mirë – edhe vetë politikanët po ashtu, jo si si na shfaqen çdo ditë në Parlament si aligatorë të gatshëm për ta shqyer njëri-tjetrin.

Ambasadori Amerikan Alexandër Arvizu ka demonstruar të jetë një Amerikan i shkëlqyer, por ndërkohë edhe një shqiptar brilant. Kur të mbarojë misionin në Shqipëri, unë si gazetare do ta ndjej mungesën e tij. Do ta ndjejë edhe politika, sado e pafytyrë qoftë, sepse ai ka mbajtur si duhet etalonin e të drejtës dhe të vërtetës, pa marrë parasysh se kjo ka qenë sikur të kalonte mbi një fill teli 100 metër lartësi.Dhe ia ka dalë. Duket se Zoti ka qenë me të. Sepse ai është pjesë e atij vendi ku kumbon fort lutja God Bless America.(Ne Foto:Ambasadori Amerikan Alexander Arvizu ne Konferencen Shkencore ne New York”Vatra, 100 vjet en sherbim te Kombit”

 

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, NJË AMBASADOR, SUI GENERIS

KRYESIA E VATRES I PËRGJIGJET GRUPIT TË NIK MARKOLËS

March 2, 2014 by dgreca

*Dega “South Westchester” në New York ka shkelë Kanunoren e VATRËS./

* Me veprimet e kryera, ky grup, qoftë si “South Westchester Chapter” ose “Greater New York Chapter”, e ka vendosur veten jashtë strukturës së Federatës Panshqiptare VATRA.

* Në mbledhjen e ardhëshme të Këshillit Drejtues, Kryesia do t’a propozojë për aprovim kthimin e Degës “South Westchester”, në se, me përmushjen e obligimeve të mësipërme, ajo degë tregon dëshirën për t’u rikëthyer./

              Në mbledhjen e datës 28 shkurt 2014, Kryesia e Këshillit Drejtues të VATRËS, në mes tjerash, mori në shqyrtim edhe veprimet antikushtetuese (antikanunore) të udhëheqësisë së Degës së Vatrës “South Westchester” në New York. Në mbledhje u bënë disa konstatime dhe, si rjedhim, u morën disa vendime të domosdoshme, të cilat po i rreshtojmë këtu poshtë, për t’ua njoftuar si zotit Nick Markola dhe grupit të tij, ashtu edhe të gjithë antarëve të Këshillit Drejtues dhe vatranëve në përgjithësi.

Konstatime:

– në mbrëmjen para mbledhjes së rregullt të Këshillit Drejtues datë 16 nëndor 2013, z. Markola shpërndau një e-mail “Update from our chapter”, ku njoftonte se ai me bashkëpuntorët e tij kishin ndërruar emrin e degës, kishin vendosur ta regjistronin më vete me emrin e ri, kishin ndërruar edhe strukturën e udhëheqsisë. Për t’u marrë me këtë veprim që shkaktoi reagime negative në radhët e Vatrës, Kryesia u mblodh dhe hartoi me shkrim disa sqarime të nevojshme, të cilat iu përcollën grupit në fjalë dhe të gjithë vatranëvet me e-mail me datën 27 nandor 2013. Ato sqarime po i bashkangjesim në këtë e-mail (Sqarime nga Kryesia). Nga sqarimet në fjalë, po sjellim ato më esencialet në lidhje me degët: ato (degët) nuk mund të ndryshojnë emër pa aprovimin e Këshillit Drejtues, që është organi më i lartë deri në Kuvënd, as nuk mund të regjistrohen më vete dhe të mbesin pjesë e “Vatrës”. Të gjitha degët duhet të kenë strukturë dhe funksion të barabartë.

– Megjithatë më vonë u muar vesh se sqarimet e Kryesisë ishin injoruar dhe, me 10 janar 2014, dega ishte regjistruar më vete në Shtetin e New York-ut, me emrin dhe me strukturën këshillit të degës të ndryshuar, duke shkelur Kanunoren e Vatrës.

–Me 28 janar Kryesia dërgoi një kërkesë kryetarëve të degëvet, pra dhe zotit Nick Markola, të sjellnin pagesat e antarësive të degëvet përkatëse në mbledhjen e Këshillit Drejtues të datës 2 shkurt, si dhe formularët e regjistrimit për antarët që ende nuk i kishin dërguar; ai ishte mjaftuar me një listë dhe kurrë nuk solli fletët e regjistrimit. Antarësimi në Vatër nuk bëhet kolektiv, por individual dhe secili duhet të plotësojë dhe të firmosë fletën e regjistrimit.

– Pra edhe kjo kërkesë u injorua dhe me 1 shkurt, mbrëmjen para mbledhjes së radhës të Këshillit Drjetues që u mbajt me 2 shkurt 2014, erdhi një kërkesë nga ky grup, nënshkruar nga Lola Gazivoda si kryetare e degës “Greater New York”, ku kërkoheshin udhëzime, sepse nuk e kishin të kjartë ende kuptimin e Organizatës së Vatrës, gjendjen ligjore të saj, 2 organizatë tregtije, financiarer etj., po citojmë nga letra e shkruar anglisht: “…. still we have unclear understanding of Vatra’s organization, legal status and financial organization…”.

– Me këto veprime, ky grup, qoftë si “South Westchester Chapter” ose “Greater New York Chapter”, e ka vendosur veten jashtë strukturës së Federatës Panshqiptare VATRA.

Vendime:

1. Njoftojmë z. Markola dhe grupin e tij se do ta mbajmë të hapur derën për t’u këthyer në gjirin e Vatrës, prandej po i dërgojmë përsëri kërkesat e datës 28 janar 2014:

-të siellni pagesat e antarësisë për vitin 2013, duke i përcjellur me dokumentimin me shkrim të pagesës për ata që e kanë kryer dhe të pagesës bashke me dokumentimin e nevojshëm për ata që ende nuk e kanë kryer.

-të siellni të plotësuar dhe të nënshkruar formularët për antarësim (po e bashkangjesim formularin përsëri), ashtu si kanë bërë të gjitha degët tjera;

-të siellni listën e përditësuar (updated) të antarëvet, duke mbajtur parasyshë se degët kanë kuptimin e përfshirjes gjeografike të antarëvet dhe nuk mund të regjistrojnë antarë nga zona të tjera, as vatranë të cilët nuk dëshirojnë të jenë antarë të degës suaj, pa marrë parasyshë se ku banojnë (këto parregullsi janë vrejtur në listën e degës suej qyshë në kohën e Kuvendit);

– këto obligime t’i siellni në emër të Degës “South Westchester”, deri me 15 mars 2014.

2. Në mbledhjen e ardhëshme të Këshillit Drejtues, Kryesia do t’a propozojë për aprovim kthimin e Degës “South Westchester”, në se, me përmushjen e obligimeve të mësipërme, ajo degë tregon dëshirën për t’u rikëthyer.

Përndryshe, në se ai grup, kanë dëshirën të krijojnë organizatë më vete, është puna e tyre dhe ne do t’u urojmë sukses e të gjitha të mirat, por i kujtojmë se përdorimi i emrit të “Vatrës” për një organizatë të tillë, do t’ishte abuzim.

Antarët individë që dëshirojnë të mbeten vatranë, mund të lidhen direkt me qëndrën dhe do të jenë të mirëseardhur.

Nga letra e grupit në fjalë, datë 28 janar 2014, del e nevojshme të theksojmë edhe se:

“ VATRA” IS NOT A BUSINESS ORGANIZATION (nuk asht organizatë tregtare) !

“VATRA” IS NOT A FINANCIAL ORGANIZATION (nuk asht organizatë financiare) !

Kryetari,

Dr. Gjon Buçaj

1 mars 2014

Foto: Kuvendi i Vatres, prill 2013

Filed Under: Featured Tagged With: Grupit te Nick Markoles, i pergjigjet, kryesia e Vatres

NË EMËR TË ATDHEUT

March 2, 2014 by dgreca

Nga Azgan HAKLAJ /
Një orë para vendimit historik të BDI-së dhe z. Ali Ahmeti isha në zyrën e tij. Me qetësi Kristiane, meditim Budist, i gatshëm për t’u ndeshur si Davidi me Goliatin,  lideri i shqiptarëve në Maqedoni, me këtë vendim  synon të jetë një hap i ri në axhendën e tyre kombëtare për t’u ridimensionuar si faktor kryesor shtet-formues në Maqedoni. Zoti Ahmeti ka më se njëzet vjet që po ecën me hapa të matur dhe të sigurtë për të ardhmen e shqiptarëve në një Maqedoni tjetër, të ridimensionuar, ku shqiptaret të kenë peshën reale  të shtetformimit.
Gjatë gjithë këtyre viteve të ngjeshura me nisma dhe aksione kombëtare, Ahmeti ka lëvizur në një terren të sigurtë për shqiptarët, por përballues dhe të vështirë për veten dhe lidershipin e partisë së tij, që iu është dashur të ngrihen mbi çdo interes individi e grupi, në emër të asaj që është e shenjtë dhe e patjetërsueshme, çështja jonë nacionale.
Një maksimë franceze na mëson: “E vërteta qëndron në fund të pusit”. Aristoteli thoshte dikur: “Do ta them të vërtetën troç, edhe sikur të gjithë të jenë kundër saj, sepse vetëm e vërteta të bën të lirë”. Prej vitesh Ali Ahmeti flet me gjuhën e së vërtetës, larg kulisave të utilitetit personal. Ndonëse i dënuar me vdekje nga gjykatat serbe, si lideri kryesor i lëvizjes së vitit ’81 në Kosovë, ndonëse ballëpërballë në Kosovë e Maqedoni me serbët dhe maqedonasit, Ahmeti kurrë s’e humbi qetësinë dhe kthjelltësinë e kauzës.
E gjej me vend tek po shkruaj këto rreshta të perifrazoj Volterin : “Unë nuk jam në një mendje me ty, por në momentin që mendimi yt fiton mbështetjen e shumicës, unë bëhem pjesë e mendimit tënd”.
Fitues i të gjitha sondazhave për performancën e politikanit shqiptar në Maqedoni me mbi 20 përqind, Ali Ahmeti tashmë është profilizuar plotësisht si një politikan i majave më të larta të vetëdijes sonë kombëtare dhe duhet mbështetur në axhendën  e tij të fortë e të palëkundur për asnjë çast për çështjen shqiptare.
Fitimtar në beteja ushtarake, politike, diplomatike, vizionar i palëkundur i çështjes kombëtare, pa asnjë kompromis në kurriz të kombit, tani ka përballë një skenar të shërbimeve sekrete të qarqeve antishqiptare, që të kujtojnë kohën e Kserksit Persian, simbol ky i kulisave dhe dredhive, ashtu edhe  Gruevski me nipin e vet, me deyrë  kryetar i shërbimeve sekrete në Maqedoni, po synojnë për të tërhequr në kurthin e tyre shqiptarët, për të çertifikuar zgjedhjet e ardhshme për president.
Në këtë moment të rëndsishëm të BDI-së dhe Ahmetit me idenë për President konsensual, dëshiroj t’i kujtoj Gruevskit përcaktimin e Lamartinit për shqiptarët: “Ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë; kjo është toka e heronjve të të gjitha kohërave. Aty Homeri gjeti Akilin, grekët Aleksandrin e madh, turqit Skënderbeun. Të tre të një gjaku, të një race”.
Ali Ahmeti, që çoi shtatoren e Skënderbeut dhe të Nënë Terezës në Shkup, që arriti të ngrejë e të zyrtarizojë flamurin shqiptar dhe gjuhën shqipe nëpër institucione, do ta ndalë skenarin ogurzi të Ukrainës në Maqedoni: -Lindja me Lindjen –Perëndimi me Perëndimin, për të shkërmoqur Maqedoninë.
Në këto momente të BDI-së dhe të gjithë faktorit shqiptar në këtë vend të Ballkanit, më vjen ndërmend thirrja e Fishtës: “Lësho kushtrimin në toskë e në gegë / mblidhuni tok si kokrrat në shegë”.  Kumbojnë aktuale fjalët e Lord Bajronit: “Shqiptarët me veshjet e tyre karakteristike krijojnë një peizazh të mrekullueshëm në botë, ata janë raca njerëzore më e bukur që ekziston, Trima, më të fortë se kështjellat e tyre”.
Maqedonia është për shumë arsye nyja gardiane e Ballkanit. E krijuar si shtet artificial në kohën e Jugosllavisë Federative, asaj i mungonin tre elementë thelbësorë për të qenë republikë e Federates Jugosllave e më vonë, pas viti ‘90 shtet i pavarur.
Elemeti i parë, që përbën dhe arsyen numër një, qëndron në faktin se mazhoranca e banorëve bullgarë të Maqedonisë  së sotme nuk lidhet  me asnjë gjë tjetër, përveç emrit me Maqedoninë antike dhe me emrin e ndritshëm të Aleksadrit të Madh , strategut gjenial të betejave dhe arkitektit të parë të Rendit të Ri Botëror pa mbretër, princa, tiranë dhe despotë. Është njohur botërisht nga historia që nga Plutarku i lashtësisë e deri në ditët tona që Aleksadri ose Leka i Madh, siç e quanin shqiptarët, ka qenë nga gjuha, gjaku ilir, djali i Olimbisë së Molosëve të Epirit. Kaq e vërtetë është kjo sa kur ai pushtoi Indinë e largët ngriti një monument madhështor në 12 kollona të larta mermeri, në përkujtim të perëndive të tij pellazgo-ilire.
Arsyeja e dytë paradoksale  është se maqedonasit e quajnë veten shtet-komb kur dihet se Shkupi, kryeqyteti i sotëm, historikisht ka qenë kryeqendra e Mbretërisë së famshme Dardane  dhe ky qytet deri në tërmetin e vitit 1967 ishte qyteti ku  shumica e banorëve ishin shqiptarë etnikë, duke kaluar madje edhe Tiranën, dhe Prishtinën. Për të vërtetuar këtë pohim na vijnë në ndihmë akademistët, citoi: Pr. Barbaro Jelevic: Rrënjet etnike të maqedonasve të lashtë janë ilire. Dr. Murico Druan, sekretar i Akademisë Frange: “Shqiptarët i përkasin popujve më të vjetër se vet historia dhe se gjyshërit e tyre bënin pjesë në luftën e Trojës të udhëhequr nga Akili në njërën anë dhe Hektori në anën tjetër”. Nikolla Jorgo deklaron: “Populli shqiptar së bashku me baskët janë më të vjetrit në botë”. Pr. Dimitor Gordonov:“Skirtonët ilirë e kanë themeluar Heraklenë e Manastirit para 2500 vjetësh. Ata kanë themeluar edhe Resnjan e Prespës”. Dr. Dushko Hr. Kostandinov:”Shqiptarët janë banorët më të vjetër të Gadishullit të Ballkanit”. Pr. Braisllav Nushiq: “Shqiptarët  janë autoktonë, të cilët gjatë  gjithë dynjeve të popujve  e ruajtën tipin dhe karakterin e vet në mënyrë të theksuar.Ata u bënë ballë sulmeve të romakëve, mësymjeve të dendura të sllavëve”.
Shqiptarët në 500 vjetët e sundimit osman kanë bërë 57 kryengitje të fuqishme për lirinë e tyre e të popujve të Ballkanit. Në shekullin e 18, kur Evropa po shkundej nga Revolucioni i vitit 1848 dhe në skenë dolën Neçartania e Ilia Garashaninit dhe Megalidea e Koletit për copëtimin e trojeve shqiptare, Dervish Cara udhëhoqi kryengritjen kundër Perandorise Osmane, çliroi Shkupin e pjesën më të madhe të trojeve shqiptare. Në gusht të vitit 1912 prijësit  shqiptarë Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Riza Beg Gjakova, Bedri Pojani, Naxhip Draga në krye  të 60 000 mijë luftëtarë shqiptarë e çliruan Shkupin nga turqit dhe ngritën në kala flamurin e Gjergj Kastriotit. Në mbretërinë serbo-kroato-sllovene dhe në Jugosllavinë e Titos shqiptarët e asaj që sot quhet Maqedoni përjetuan dhunë genocide, shpërngulje masive, tjetërsim të identitetit kombëtar e mohim të kombësisë, gjuhës amë e simboleve kombëtare. Shpërbërja e Federatës Jugosllave pas vitit ’90,  lufta e shqiptarëve për liri e të drejta në Maqedoni nxorri në skenën historike liderin me reputacion  e vizion të jashtëzakonshëm Ali Ahmetin, veteranin e lëvizjes kombëtare, udhëheqës i demonstratave të Kosovës në vitin 1981, prijës i luftës së shqiptarëve të Maqedonisë për liri e të drejta njerëzore  dhe flamur. Shumë pak liderë shqiptarë, aleatë ndërkombetar e analistë besuan se ky strateg i luftërave do t’i imponohej Maqedonisë e faktorit ndërkombetar dhe do të shndërrohej në një politikan kalibri e faktor politik determinues në Maqedoni. Ali Ahmeti, ky Moisi i kombit shiptar, ka marrë  përsipër një mision hyjnor, ashtu  si Moisiu biblik do ta nxjerrë popullin e tij nga skllavëria.
Z. Ahmeti e partia e tij kanë vite që qeverisin me mazhorancën Maqedonase për hir të integrimit të Maqedonisë, për hir të moszhbërjes e ndryshimit të kufijve politik. Z.Ahmeti dhe BDI-ja në një mbledhje të jashtëzakonshme kanë marrë një vendim historik politik, me të vetmen pikë të rendit të ditës, shqyrtimin e situatës aktuale politike pas mospranimit të ofertës së BDI që vendi të ketë Presidentin e parë konsensual, pas analizave të gjithanshme të situatës dhe pas elaborimit të gjerë në opinion në lidhje me mundësinë e pasjes së kandidatit konsensual, veçanërisht pas mosgadishmërisë për pranimin e ofertës së saj, BDI vendosi:
1. Të mos garojë me kandidat të saj në zgjedhjet Presidenciale, t`i ftojë shqiptarët të mos përkrahin asnjërin nga kandidatët me çfarë do t’i jepnin legjitimitet të rrejshëm Kryetarit të ardhshëm të vendit, njëkohësisht BDI vendosi që të bëjë fushatë aktive, ku do të promovojë idenë dhe konceptin për Presidentin konsensual deri në realizimin përfundimtar të saj.
2. Grupi parlamentar i BDI-së të dorëzojë në Kuvend iniciativë për shpërndarjen e kësaj legjislature
3. Të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare.
BDI vlerëson se Maqedonisë si vend me demokraci në zhvillim i nevojitet vendimmarrje me konsultime më të gjëra dhe gjithëpërfshirëse, dialog më thelbësor për temat me rëndësi të veçantë, por edhe konsensus politik dhe etnik. Këto parime janë edhe pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, dhe sistemit politiko-juridik që doli pas implementimit të kësaj Marrëveshjeje. Andaj konsiderojmë se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme Parlamentare do të krijonte hapësirë për marrëveshje të re për bashkëqeverisje në të cilën do të hapen tema në interes të qytetarëve dhe vendit.
Bashkimi Demokratik për Integrim fton të gjithë Grupet Parlamentare që t`i bashkëngjiten kësaj iniciative dhe të përkrahin propozimin tonë për miratimin e vendimit për shpërndarjen e kësaj legjislature.
Gjithashtu BDI u bën thirrje të gjithë faktorëve politik, shtetëror dhe qytetarëve që të japin kontributin e tyre për të organizuar zgjedhje të lira dhe demokratike, për të dëshmuar që jemi të aftë dhe kemi kapacitete për organizimin e tyre.
Shekspiri ka thënë: “Bota është e guximtarëve”. BDI-a dhe Ahmeti vendosën që t’iu bëjnë thirrje shqiptarëve për një plebishit bojkotimi për të ndalur çertefikimin e këtij skenari turpi jo për pushtet personal por për kauzë, dinjitet, partneritet, luajalitet e për faktorizim të shqiptarëve. Memoria historike ka apostrofuar se fara, rrënja, palca, ashti i trungut Maqedon janë shqiptare, ndaj Ali Ahmeti ka zgjedhur momentin e duhur për të dëshmuar forcën e faktorit shqiptar dhe për t’i dhënë statusin që meriton .
Në emër të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, si shok e vëlla i Robin Hudit shqiptar,  i Tahir Sinanit, luftëtarit të luftës së Kosovës, Preshevës, që u vra në  luftë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, u bëj thirrje shqiptarëve, miqve dhe përkrahësve të mi në të gjitha trojet etnike, që të mbështesin Ali Ahmetin në betejën kruciale të shqiptarëve për të mos marrë pjesë në votime, që të mos legjitimojnë skenaret e qarqeve antishqiptare. Çdo shqiptar para se ta marrë vendimin duhet t’i bëjë thirrje ndërgjegjes së lashtë historike, të mbrojë nderin e të parëve të tij, atdheun, gjuhën shqipe dhe të ardhmen e shqiptarëve.
Në krizën botërore  të viteve ’30, presidenti i madh Teodor Ruzvelt ju drejtua me një fjalim kombit te tij: “Të dashur bashkëkombas, e vetmja gjë që duhet të kemi frikë është vetë frika”. Ali Ahmeti dhe BDI e dalë nga lufta ua vrau frikën shqiptarëve; tashmë frika është e Gruevskit. Dy mijë vjet më parë, Jezu Krishti  i ringajllur ju thotë apostujve të tij: “Mos kini frikë”. Këtë shprehje hyjnore dhe politike e përsërit pas 2000 vjetësh lideri i shqiptarëve Ali Ahmeti. Kjo thirrje duhet të mbështetet jo vetem nga shqiptarët e Maqedonisë, por nga  mbarë kombi shqiptar në trojet e veta etnike në Ballkan.
Në vitin 1962 presidenti Kenedi vizitoi Berlinin e bllokuar nga rusët: “Unë jam Berlinez”, -iu drejtua ai gjermanëve. Ali Ahmeti është një Kenedi i ri që do të shemb muret ndarëse të shqiptarëve, prandaj shqiptarët e Maqedonisë  duhet ta kenë parasysh thirrjen e Xhon Kenedit drejtuar amerikanëve: “Mos mendoni se ç’bëri Amerika për ju, po ç’bëtë ju për Amerikën”.
Refuzimi plebeshitar i zgjedhjeve presidenciale është një monument madhështor i identitetit të shqiptarëve në Ballkan. Çdo shqiptar i Maqedonisë këto ditë në formë peligrinazhi duhet të shkojë te kompleksi i varrezave “Nënë Tereza” të Kërçovës dhe me besa-besë si dikur Haxhi Zeka në Pejë, apo Hasan Prishtina, shpëtim a vdekje në Shkup, të betohen mbi flamurin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, nipit të Pollogut dhe Ali Ahmetit. Mbi gjakun e atyre që dhanë jetën për liri, për të mbetur materie e gjallë e ndërgjegjes kombëtare.
Vendimi i shqiptarëve për të mos marrë pjesë në votime është shërbimi më i madh që i bëhet Flamurit Kombëtar dhe Çështjes Kombëtare Shqiptare në Ballkan.
Hazreti Aliu, i cili u vra në Qerbela në mbrojtje  të doktrines së profetit Muhamet, na ka lënë një postulatë: “Mendjemëdhenjtë nuk i do as Zoti”. Gruevski nuk hoqi dorë nga arroganca e mendjemadhësia. Projekti shkupi 1 (një) miliardë euro zhvlerësohet para shtëpisë ku lindi shenjtorja shqiptare NëNë TEREZA,  gjurmët e së cilës i fshiu. Ajo edhe në ditët e fundit të jetës së saj ju lut Bill Klintonit: “Bëni diçka për kombin tim”. Edhe babai i saj, Kol Bojaxhiu u ekzekutua vetëm se kërkoi që përkrah gjuhës maqedonse të jetë zyrtare edhe gjuha shqipe, gjuhë e folur nga Niket Dardani e Shën Jeremini të krahasuar me Shën Ambrozin e Shën Agustinin.
Po e mbyll këtë opinion timin me një apel shqiptarisht: “Bëhuni pjesë e këtij aksioni të gjithë ata që flasin shqip, mendojnë shqip, frymojnë shqip dhe zemra e tyre rreh shqip, për të mbështetur këtë platformë politike që ridimensionon shqiptarët në Maqedoni”.(ne foto:Autori i shkrimit, Azgan Haklaj ne zyren e Ali Ahmetit)

Filed Under: Featured Tagged With: Azgan haklaj, NË EMËR TË ATDHEUT

KY ËSHTË KLEIDONI, PRESIDENTI I RINISË

March 2, 2014 by dgreca

-Intervistë me dhjetë pyetje e redaktorit të pergjithshem të ZSh-së Zeqir Lushaj, drejtuar Kleidon Ndreut, djaloshit bashkatdhetar nga Dibra e Shqipërisë, i zgjedhur President i Rinisë në shkollën 9-vjeçare nr. 6, në Cliffside Park të New Jersey-t, USA-

Pyetje 1:  -Sa vjeç keni ardhur në Amerikë dhe çfarë mbani mend nga Shqipëria?

Përgjigje:  -Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kam ardhur në moshën 4-vjeçare. Pra, sapo kisha bërë hapat e parë në jetë. Duke qenë se u largova nga Shqipëria në një moshë kaq të vogël, edhe kujtimet prej saj më vijnë të vagëta, por gjithmonë më ka shtyrë kureshtia për të vizituar vendlindjen. Kjo nuk lidhet dhe aq shumë me faktin se nga Shqipëria ruaj kujtime të bukura, por edhe sepse sa herë jam rikthyer atje, kam gjetur e ndier atë ngrohtësinë që të ofrohet në një mënyrë krejt ndryshe nga vendet e tjera. Me sa duket, kjo është edhe arsyeja që, edhe tani, pas kaq shumë vitesh shkëputjeje fizike prej vendlindjes, vazhdoj të ruaj një ndjeshmëri të brendshme për atdheun tim, që herë-herë buron prej pavetëdijes e herë të tjera me vetëdije shkoj drejt tij.

Pyetje 2:  -Me çfarë lidhen mbresat tuaja të para të mbërritjes në Tokën e Shenjtë?

Përgjigje: -Përgjithësisht, përballja me një jetë të re, sidomos me një vend siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shihet si një fillim i ri, pozitiv. Kjo ndodh kur ke njëfarë përvoje nga jeta e mëparshme, kur je i vetëdijshëm për të. Në rastin tim nuk kishte si të ndodhte kjo, pasi unë u largova nga Shqipëria në një moshë kur nuk kisha as njërën e as tjetrën, pra, as përvojën e as vetëdijen. Që do të thotë se mbresat e mia të para pas mbërritjes në të ashtuquajturën “Tokë e Shenjtë” ishin ato të një fëmije që sapo kishte filluar të kuptonte. Megjithatë, më kujtohet shumë mirë se si e gjithë mërzitja që kisha prej ndarjes nga thuajse të gjithë të afërmit e mi, u kthye në një kureshtje: pallatet e larta, shtëpitë e bukura, qyteti i madh, i pastër, me pak fjalë një vend përtej imagjinatës sime fëmijërore dhe, absolutisht, diçka krejt ndryshe nga Shqipëria.

Pyetje 3:  -Ditët e para të shkollës në Amerikë?

Përgjigje: -Në të vërtetë, përshtatja, si gjithmonë e si kudo, ishte paksa e vështirë. Po përballesha me çdo gjë të huaj; me bashkëmoshatarë që flisnin tjetër gjuhë, që u përkisnin feve të ndryshme; me fëmijë me ngjyrë, me të bardhë e aziatik; domethënë, me fëmijë nga të katër anët e botës. Nga ana tjetër, unë isha një copëz e këtij mozaiku, një fëmijë që vija nga pjesa tjetër e botës, por që në vendin tim të gjithë flisnin të njëjtën gjuhë. Megjithatë, pak nga pak arrita të bëhesha pjesë e “grupit të të huajve”, duke mos u ndier më i huaj, por anëtar me të gjitha të drejtat, i këtij komuniteti.

Pyetje 4:  -Si është sistemi i zgjedhjeve në shkollën 9-vjeçare dhe a mendoje se një ditë do të ishit ju Presidenti i Rinisë së kësaj shkolle?

Përgjigje: -Sistemi i votimit në shkollë ka të bëjë me disa hapa dhe procedura, të cilat mund t’i kryejë secili prej nxënësve që ka dëshirën dhe vullnetin për të qenë kandidat për President të Rinisë. Fillimisht plotësohen disa formularë me të dhëna të përgjithshme, por edhe specifike; më pas duhen siguruar 40 nënshkrime nga nxënësit që e konfirmojnë dhe janë dakord me kandidaturën; përveç këtyre, nevojiten edhe dy nënshkrime nga dy mësues të kësaj shkolle dhe një nënshkrim nga administratori i shkollës. Pasi janë siguruar këto, fillon ajo që mund të quhet punë individuale, pra, që nuk varet nga të tjerët: përgatitja e programit, e posterëve, bisedat me nxënësit. Fillon ajo që mund të quhet fushatë parazgjedhore, e cila zgjat dy javë. Në fund të dy javëve, secili prej kandidatëve, që në rastin në fjalë kanë qenë katër, duhet të mbajë një fjalim. Në fund është dita e zgjedhjeve, ku votojnë të gjithë nxënësit për kandidatin që ka qenë më bindës në ato që ka thënë e ofruar.

Pyetje 5:  -A pate emocion kur u zgjodhe me votim në këtë detyrë shoqërore?

Përgjigje: -Është pak të thuash se u emocionova. Madje, tani që po rikthehem në kohë, emocionet e ditës kur u zgjodha në këtë detyrë, mund të krahasohen me emocionet e ditës së parë të shkollës, vetëm se ndryshon natyra e emocionit. Tashmë emocioni kishte fituar natyrë të disafishtë. Ndjesia e parë kishte të bënte me faktin se u ndjeva një person i rëndësishëm, një ndjesi kjo që forcohej edhe më tej kur kisha parasysh se deri këtu kisha arritur me forcat dhe aftësitë personale. Nga ana tjetër u ndjeva në të njëjtën kohë amerikan me “të drejta të plota”, por edhe krenar që një shqiptar kishte triumfuar mbi të tjerët. Amerikan sepse kjo përgjegjësi e re më bëri plotësisht shtetas të Amerikës dhe, shqiptar, sepse kisha prekur ëndrrën amerikane pa e mohuar për asnjë çast prejardhjen time.

Pyetje 6:  -Konkretisht si është veprimtaria juaj në kuadër të detyrës që të kanë zgjedhur?

Përgjigje: -Aktivitetet e mia si President i Rinisë janë të disafishta: fillimisht kam si detyrë të njoftoj/informoj nxënësit për çdo mbledhje apo takim që zhvillon këshilli i studentëve të shkollës. Po ashtu, jam i angazhuar në gjetjen dhe mbledhjen e fondeve apo në organizimin e veprimtarive me karakter bamirësie; gjithashtu duhet të ofroj/jap ide në lidhje me mënyrën e mbledhjes së këtyre fondeve. Të gjitha këto për sa u përket aktiviteteve të mia në bashkërendim me individë apo struktura të tjera. Por, që të vazhdoj të mbetem President i Rinisë duhet patjetër të ruaj rezultatet e larta të notave që kam marrë deri tani, nuk duhet të bëj veprime që bien në kundërshtim me ligjin, si dhe duhet të jem gjithmonë shembull pozitiv për të gjithë nxënësit.

Pyetje 7: -Cili nga prindërit të ka qëndruar më pranë dhe të ka ushqyer më shumë me dëshirën për punë shoqërore, babi Agroni apo nëna Shega?

Përgjigje: -Kjo është një pyetje që nuk mund të marrë përgjigje të prerë. Pra, nuk mund ta them prerazi se kush se kush më ka mbështetur më shumë e kush më pak. Të dy kanë qenë, le të themi, krahu i djathtë në këtë sipërmarrje që për mua ka një rëndësi të veçantë. Nëse mami më ka ndihmuar praktikisht me ndonjë detyrë që mund të më ketë dalë si pasojë e mbërritjes në këtë post, babi, i angazhuar vazhdimisht me punë, më ka dhënë më shumë mbështetje teorike dhe prej tij ruaj këshillën e parë të vyer që më dha: “Mos harro se kush je e nga ke ardhur! Vetëm kështu do të mund të arrish e të mbetesh pronar i botës, por edhe shërbëtor i saj.”

Pyetje 8:  -A i ke treguar gjyshit tënd, Bajramit, i cili për shumë vite ka qenë arsimtar dhe tani është pensionist në Tiranë, për arritjet e tua në shkollë dhe si i ka pritur ato?

Përgjigje: -Gjyshi im, pikëmbështetja ime morale, por edhe këshilluese, ka qenë dhe vazhdon të jetë udhërrëfyesi më i madh. Gjithmonë është ndier krenar për mua, për arritjet e mia mësimore dhe, sa herë që më “kontrollonte” listën e notave, fytyra i përshkohej nga një emocion i veçantë. Por, fakti që u zgjodha President i Rinisë në shkollën time, e emocionoi edhe më tepër, aq sa u përlot. Jam i sigurt se, ashtu siç ai, në rolin e mësuesit, ka rrezatuar dije te të gjithë nxënësit e vet në Shqipëri, ashtu edhe unë do të përpiqem të bëj të njëjtën gjë këtu, sigurisht duke vazhduar të ndjek këtë rrugë që kam nisur.

Pyetje 9:  -Kur do të shkosh në Shqipëri dhe si e ndien veten dhe e realizon lidhjen me atdheun?

Përgjigje: -Shqipëria, një vend i vogël, por një emër i madh, shumë i madh. Që prej ardhjes sime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë e kam vizituar thuajse çdo vit. Të njëjtën gjë shpresoj ta bëj edhe në vazhdim. Vizita e radhës do të jetë verën që vjen dhe mezi e pres këtë çast. Shqipëria nuk është thjesht atdheu im; është shtëpia ime, vendi ku, pavarësisht të gjithave, ndihem i plotë. Atje kam të afërmit dhe gjithë pjesën tjetër të familjes, të cilët më falin lumturinë dhe dashurinë më të madhe. Shqipëria është vendi i mungesës së trefishtë: larg saj mungon atdheu, mungon familja, mungon ajo përmasa që më bën të ndihem i plotë.

Pyetje 10:  -Sot je President i Rinisë në një shkollë të Amerikës. A mendon se një ditë mund të jesh edhe President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Përgjigje: -Kur isha i vogël, gjyshja, e cila ka edhe një emër domethënës, Shpresë, nuk më thërriste asnjëherë në emrin tim, Kleidon, por gjithmonë në emrin e Presidentit të asaj kohe, pra, të Klintonit. Le të themi se ajo ishte e para që më shtyu drejt kësaj ëndrre. Pse jo, të mos udhëheq një ditë Amerikën?! Edhe pse në shumë raste ëndrrat mund të mbesin thjesht ëndrra, janë ato që na e zbukurojnë jetën dhe që na shtyjnë të luftojmë për një të ardhme më të ndritur. Kështu që do t’ju gënjeja nëse do t’ju thosha se nuk e kam një ëndërr të tillë. Deri dy dhjetëvjeçarë më parë, askush nuk e mendonte se “Toka e ëndrrave” do të udhëhiqej nga një njeri me ngjyrë, por ja që ndodhi. Edhe tani, ndoshta askush s’e mendon se një ditë Amerika do të udhëhiqet nga një shqiptar, por gjithçka mund të ndodhë.

Të falënderojmë për bisedën e këndshme dhe kur të bëhesh i madh në moshë e detyrë, mos harro se intervistën e parë të jetës tënde ta ka marrë e publikuar revista “ZemraShqiptare”, e cila botohet në Londër por është prezent në të pesë kontinentet si pjesë e Interneti.

-Per gazeten DIELLI, USA, marrë nga ZemraShqiptare e dates 1 Mars, 2014-(ne Foto:Familja e dalluar dibrane “Ndreu”, Agroni e Shega me tre feminjtë: (Kleidoni në mes, Liza ne prehrin e Sheges dhe Ema  në dore të babait. USA, 1 mars 2014)

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Ky eshte Kleidoni

Kush fshihej pas palltos së Rugovës

March 2, 2014 by dgreca

Intrigantët që betohen në emrin e Rugovës …/

Shkruan: Gani MEHMETAJ/

Kohë më parë një sharlatan i publicistikës e mercenar islamik, gënjeu sërish opinionin kinse pati afri me presidentin e ndjerë, apo sikur u takuan dikur me filan ambasadorin. Pse e bën këtë gjë: ta shes lëkurën sa më shtrenjtë të partia ku u vu në shërbim, apo të Serbia e shtetet islamike ku e ka shitur shpirtin? Por nuk përjashtohet mundësia që synon ta denigrojë Rugovën, sepse gënjeshtari ka reputacion të keq në opinion, prandaj njëkohësisht do ta kënaq sedrën e njeriut të vogël që pati rastin të pi kafe me një personalitet të madh. Ky nuk është i vetmi gënjeshtar, por është ndër eksponentë më agresiv e më të ndotë në publicistikën e gënjeshtrave.

Intrigantët që betohen në emrin e Rugovës

Pas vdekjes së presidentit Rugova, themeluesit të shtetit të Kosovës, dështakë të politikës e shkrimtar me reputacion të dyshimtë origjinaliteti, nisën të shprehin dashuri të pakufi ndaj Rugovës, kurse në të gjallë shquheshin për ndërskamca, intriga e grupime politike, duke i rivalizuar prapa shpinës. Sikur nuk u mjaftonte kjo, ia ndërsenin fraksionet brenda partisë, shpërndanin thashethemnaje të tipit të Jagos nëpër kuluare, rigrupoheshin, krijonin klane lokaliste e familjare, bënin aleanca të fshehta me partinë kundërshtare ose me struktura të dyshimta. Në të gjallë asnjëherë nuk e patën guximin t’i dalin përballë. Zilia e smira e sëmurë i mundonte gjithë kohën, sepse kurrë nuk u pajtuan të jenë hija e Rugovës, ndërsa s’kishin kaçik të ishin ndryshe: u mungonte karizma, u mungonin idetë, u mungonte origjinalitetet në çdo gjë, s’ kishin as guxim e moral intelektuali. Megjithatë nuk i shqiteshin Rugovës gjatë fushatës elektorale, në takime me popullin, nëpër mbledhje partiake etj. Nuk i shqiteshin edhe kur Rugova i nxori nga dera, ndërsa ata u futën për dritare.

Betoheshin se do ta ndjekin strategjinë kombëtare të Rugovës (miqësi të përhershme më SHBA-në dhe integrim në BE), ndërsa në fakt nga pro amerikanizmi i Rugovës e LDK-së po rrëshqasin në erdoganizmin anadollak, e vehabizëm të frikshëm mesjetar, ashtu sikurse në vend t’ia vënë në pah presidentit të ndjerë filozofinë politike që e mahniti botën, krahas personalitetit karizmatik që e pati, ata përqendrohen në krijimtarinë letrare! Ndërkaq, dihet fare mirë se Ibrahim Rugova, pavarësisht se në politikë u fut nga bota e letërsisë, ndër shqiptar, sidomos në botë u bë i famshëm me karizmën politike, me qasjen e veçantë dhe, më meritën e jashtëzakonshme të themeluesit të shtetit të Kosovës. Nuk dinë të merren me analiza të këtilla komplekse? Apo duan ta paraqesin vetëm një segment, duke anashkaluar kontributin kombëtar?

Të tretët dikur i rrinin prapa me servilizëm skllavi, pastaj nisen të përjargeshin para ndërkombëtarëve në mënyrë qesharake për t’ua bërë qejfin, pa i pyetur askush, duke u betuar se e duan Krishtin (I love Jesus, u thoshte njëri syresh një grupi ndërkombëtarësh në restorantin Emerald, me tregonte miku im), ndërsa pas disa vjetësh mbështesin vehabizmin që i mbulon gratë, madje del në mbrojtje të atyre që shkuan të luftojnë për islamin në Siri. Ata nuk i dhanë asgjë LDK-së, ndërsa përfituan shumë nga të qenit në partinë e Rugovës, ata ia ndryshuan kursin kombëtar kësaj partie, duke e mashtruar elektoratin kinse po e ndjekin rrugën e qytetërimit evropian dhe strategjinë kombëtare për shtetin e Dardanisë.

Gënjeshtrat serike   

Kështu, në vargun e shpifjeve e të gënjeshtrave, gënjen taliban-publicisti, ashtu sikurse gënjejnë ata që shtihen miq të Rugovës. Gënjente provinciali zëçjerrë kinse e donte Krishtin, sikurse gënjen tash gjoja e do myslimanizmin. Të tillë gënjeshtarë e mburracakë që nga fillimi i përpjekjeve për karrierë politike kanë mbledh pikë në emër të Rugovës, janë bërë ndër më të pasurit në Kosovë, janë futur në strukturat e larta të LDK-së, duke lozur rolin e kalit të Trojës. Ata e mbështesin njëri-tjetrin sa herë u rrezikohet posti apo u rrezikohet çjerrja e maskave. Po këta gënjeshtarë e ushqenin shtypin e verdh me proçka sikur kishin miqësi me presidentin qe kur nuk mbahet në mend.

Edhe në të gjallë Rugova nuk i  përgënjeshtroi mashtrimet e këtilla, nuk i përfillte mashtruesit, madje ua kthente me një qeshje babaxhane edhe kur disa prej tyre i vinin e i kërkonin falje për “pasaktësi” shtypi, sikurse i komentonin deklaratat e tyre. Me heshtje e shpërfillje ai i çarmatoste si kundërshtarët politikë që përjargeshin kundër tij, ashtu edhe gënjeshtarët.

Disave syresh u shpërthente mllefi pse ai nuk i caktoi apo nuk i sugjeroi pasardhës të tij.

Shumëkush ia pa për të madhe presidentit të ndjerë pse nuk la pasardhës politik, apo pse nuk e sugjeroi asnjërin nga bashkëpunëtorët. Por asnjëri nga “bashkëpunëtorët’ të cilët më shumë i silleshin nëpër këmbë se sa që e ndihmonin, nuk u shqua për asnjë ide origjinale gjatë periudhës 20-vjeçare të pluralizmit. Asnjëri nuk pati koncept politik avancues, që s’do t’i përsëriste ato që ishin thënë, asnjëri nuk e dha kurrë ndonjë intervistë apo deklaratë që do ta shquante nga të tjerët. Pjesa më e madhe e “bashkëpunëtorëve’ fshiheshin prapa palltos së tij të gjatë të presidentit Rugova, duke e fshehur kështu paaftësinë politike e intelektuale, mungesën e guximit, mungesën e ideve. Dhe shumica e tyre kanë mbetur në skenën politike me intriga e koalicione nga më të çuditshmet. Asnjëri prej tyre jo vetëm që nuk ishte në hap më Rugovën, por ishte me kilometra larg tij me shpirt e më trup.

Lidhja Demokratike e Kosovës në Kosovë e në Diasporë pati dhe ka potencial të jashtëzakonshëm të njerëzve e të intelektualëve, ka një strukturë organizative të shkëlqyeshme, të ndërtuar në kohën e Rugovës, ka militantë që si ka asnjë parti tjetër. Por këta s’ka kush i këndell nga zhgënjimi as t’i ve në veprim. Nuk u gjet ende emër që do t’i bindte se e vlen të sakrifikojnë e të angazhohen.

Ndërkaq, në periudhën e pasluftës pjesë më e madhe e idealistëve e intelektualëve u larguan nga LDK-ja, sepse s’i mbronte askush, ndërsa kundërshtarët politik i vrisnin pa mëshirë ose i kërcënonin me vdekje.

Ndonjëri syresh nga frika jo vetëm që u largua nga Rugova, por u dhanë detyrë punëdhënësit e rinj ta sulmonin egërsisht në shtyp e televizion ish shefin. Për turp ata e bënë këtë gjë sikur nxënësi kur e kryejnë detyrën  që ua ka dhënë mësuesi

Filed Under: Featured Tagged With: Gani mehmetaj, kush fshihej, pas palltos se Rugoves

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 719
  • 720
  • 721
  • 722
  • 723
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT