• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një kokë për një pëllëmbë tokë

February 15, 2019 by dgreca

1 azgan RamushOpinion nga Azgan HAKLAJ/

Koalicioni, apo më qartë kuarteti Putin-Erdogan-Rama-Thaçi, një aleancë antiperëdimore e antishqiptare, njëherësh kanë hyrë në dimrin e vetmisë së madhe. Dy të parët, lider autokratë dhe diktatorë kanë zgjuar ëndrrat dhe po përpiqen të jetësojnë ish-perandoritë ruso-otomane, njëherësh duan të ndajnë zonat e influencës në Ballkan përmes satelitëve të tyre Rama-Thaçi.
Edhe pak ditë festojmë 11-Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Pak ditë na ndajnë nga 20-Vjetori i Rambujesë.
Ky vit është 20-Vjetori i Çlirimit të Kosovës.
Edhe pak javë na ndajnë nga 20-Vjetori i fillimit të bombardimeve të NATO-s, Koalicionit të Lirisë, mbi Serbinë gjakatare të Millosheviçit. Në 78 ditë makineria luftarake serbe u shkërmoq si një kështjellë rëre e kasapi Millosheviç së bashku me gjeneralët e tij kanibalë u detyrua të kapitullonte pa kushte. Atë kohë Rusia e Boris Jelcinit, megjithë presionin diplomatik e Veton në OKB, nuk mundi t’u vijë në ndihmë vëllezërve serbë. Presidenti Klinton, Sekretarja e Shtetit Medlin Olbrajt, gjenerali Klark, Londra-Parisi-Roma i treguan mbarë botës se NATO dhe Perëndimi nuk do të lejonin kurrë që në zemër të Europës të ushtrohej dhunë, genocid e spastrim etnik. Makineria ushtarake kolosale e fitimtare e NATO-s mbështeti djemtë e vajzat e Kosovës e shumë bijë e bija nga mbarë hapësira etnike shqiptare që ishin rreshtuar në UÇK dhe me kurajo, vetmohim e trimëri të pashoqe rrokën armët e u hodhën si shqiponja në zjarrin e betejave për liri.
Kosova e mbretërve dardanë, e Lekë Dukagjinit, e Zhuj Selmanit, e Ymer Prizrenit, e Sylejman Vokshit, e Mic Sokolit, e Sef Koshares, e Haxhi Zekës, e Ali Ibres. Kosova e Lidhjes së Prizrenit, e Lidhjes së Pejës. Kosova e Kuvendit të Verrave të Llukës. Kosova e Kryengritjeve të mëdha 1908-1909-1910. Kosova e Kuvendit të Junikut, e trinomit të lirisë Hasan Prishtinës-Isa Boletinit-Bajram Currit më 21-25 maj 1912 hartoi Platformën e Kryengritjes së Përgjithshme që finalizoi Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar në Vlorë nga Plaku i Vlorës, Ismail Qemali.
Kosova – ky djep i kuvendeve, besëlidhjeve e kryengritjeve të mëdha për liri e pavarësi u mbyt nga gjaku i dragojve të ri të saj: Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, Adem Jashari, Luan Haradinaj, Shkëlzen Haradinaj, Agim Ramadani, Sali Çekaj, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Adrian Krasniqi, Bedri Shala, Bekim Berisha, Iliaz Kodra e mijëra djemve dhe vajzave që dhanë jetën për liri e çlirim kombëtar.
Numri i të vrarëve është aq i madh sa çdo pëllëmbë toke është e larë me gjak.
20 vjet më parë Bota e Lirë u ba dëshmitare e Masakrës barbare e çnjerëzore të Reçakut, ku dhjetra shqiptarë të pafajshëm u ekzekutuan nga falangat gjakatare të Millosheviçit dhe Arkanit. Kjo ngjarje shënoi një pikë kthese për Diplomacinë Euro-Atlantike e përmes saj për vet të ardhmen e Kosovës e të Kombit Shqiptar.
Sot kohët kanë ndryshuar në disfavor të armiqëve tanë historik serbo-sllav-ruso-otoman.
Shqiptarët në Ballkan janë një armatë 10 milionëshe e rreshtuar në krah të Aleancës më të madhe e më të fuqishme që ka njohur bota: NATO-s, SHBA e BE.
Shqipëria shënon 10-Vjetorin e antarësimit në NATO.
Këtë vit Kosova shënon 20-Vjetorin e Çlirimit dhe 11-Vjetorin e Pavarësisë.
Shqiptarët e Malit të Zi me votën e tyre përcaktuan antarësimin e Malit të Zi në NATO dhe vazhdimin e qeverisjes pro perëndimore.
Shqiptarët e Maqedonisë u banë përcaktues të rrugës së Maqedonisë në NATO dhe BE si dhe ndryshimin e emrit në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe zyrtarizuan Gjuhën Shqipe, gjuhën e Aleksandrit të Madh, Pirros, Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), Shenjtores Nanë Terezës.
Identiteti historik e kulturor i shqiptarëve, e drejta e tyre zakonore, vyrtytet e kodi i tyre i nderit solidariteti e humanizmi i trashëguar në shekuj, në genin e tyre, janë jo vetëm pashaportë e Identitetit Europian, por dhe themel i vlerave të Europës së civilizuar.
Beteja për Kosovën e Lirinë e saj nuk ishte vetëm betejë ushtarake.
Ajo ishte për një kohë të gjatë betejë diplomatike e morale, një gurë prove për vlerat e civilizimit perëndimor e kancelaritë e tyre.
Sot imperativ i kohës për Kombin Shqiptar është mbrojtja e Kosovës nga coptimi dhe mbrojtja e çdo pëllëmbe tokë të saj.
Kombi Shqiptar ka patur fatin të kishte nga gjaku i tij avokaten hyjnore, Nanë Terezen; gjeniun e politikës Ibrahim Rugovën; mendimtarin e filozofin, mendjendriturin, illuministin, “Volterin Shqiptar”- Ukshin Hotin, të cilin sherbimet sekrete serbo-sllave e vranë 20 vite më parë në shkurt 1999.
Kosova mbi trungun e saj ka provuar traktate, konferenca e protokolle, ka kaluar një sagë të gjatë sakrificash e kasandrash, humbjesh të mëdha jetësh njerëzore, genocid të pashembullt, shfarosje masive të popullsisë, spastrim etnik, me elaborate e operacione që nga Doktrina e Vuk Karaxhiqit – pyka shqiptare e Çubriolloviçit; elaborati i Qosiçit deri tek Operacioni “Patkoi” i Millosheviçit.
Në 11-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, në 20-Vjetorin e Çlirimit, Kosova është më afër se kurrë për t’u bërë pjesë e strukturave Euro-Atlantike dhe e Familjes Europiane.
Garante e mbrojtjes së këtyre arritjeve janë Ushtria e saj dhe SHBA. Kjo do të thotë së në trojet etnike shqiptare krahas Flamurit krenar të Gjergj Kastriotit do të valvitet edhe ai ngadhnjimtar i NATO-s, i SHBA dhe i BE.
Perëndimi e vlerat e lirisë, demokracisë e civilizimit kanë qënë gjithnjë ylli polar i shqiptarëve, të tilla janë sot e përgjithmonë.
Burrështetasit e shquar, themeluesit e shtetit të Arbërit, Gjergj Kastrioti, Ismail Qemali, Mbreti Zog. Rugova, Ramush Haradinaj, Ali Ahmeti, korifejtë e Rilindjes Kombëtare e të mendimit – Frashëllinjtë, De Rada, Mjeda, Pashko Vasa, Konica, Fishta, Arbër Xhaferi e Ismail Kadare ju kanë treguar bashkëkombasve të tyre se për shqiptarët dielli lind nga përendon.
Shqiptarët sot janë faktor madhor i pamohueshëm e fuqiplotë në trojet e tyre etnike në Ballkan.
Koha e pazarlleqeve dhe e traktateve të fshehta, siç është ky i ndryshimit të kufijve, pra shkëmbim territoresh në këmbim të njohjes, një teatër sharlatan politik, me skenaristë binomin Putin-Erdogan e aktorë trinjaket Vuçiç-Thaçi-Rama, ka perënduar përgjithmonë.
Shqiptarët në shekulln e kaluar edhe pse në kushte shumë herë më të rënda e të pafavorshme se sot kanë ditur t’u tregojnë vendin Haxhi Qamilëve dhe Esadistëve të tyre.
Edi Rama, siç shkruante me të drejtë këto ditë një analist nga Kosova, e ka shitur praktikisht Shqipërinë te Turqia. Portet, aeroportet, minierat e hidrocentralet, ajkën e pasurisë kombëtare të cilat janë mushkëritë e ekonomisë tonë, ua ka varur në qafë barbarëve të Azisë.
Edi Rama e ka pushkatuar Kauzën Çame duke ua falur grekëve sëbashku me Detin.
Teza e ndryshimit të kufijve, kjo dosje e zezë e kulisave politike ruso-turke e filluar qysh me çlirimin e Kosovës para dy dekadash, është hapur nga sivllau i Putinit, krushku i Erdoganit, nga Vuçiçi dhe po mbështetet nga dyshja kuislinge Thaçi-Rama, për interesat e tyre utilitare.
Vendosmëria e Kryeministrit Haradinaj dhe e Qeverisë së Tij, e Liderit të Opozitës së Bashkuar të Shqipërisë, z. Lulzim Basha, opinionit publik në Kosovë e në Shqipëri dhe nga patriotët e Kombit Shqiptar, për të mbrojtur çdo pëllëmbë të trojeve shqiptare qoftë dhe me jetë njerëzore, është vija e kuqe që nuk mund ta kalojnë despotët e Kremlinit e të Ankarasë dhe shërbëtorët e tyre në Beograd e në të dy anët e kufirit etnik shqiptar.
Në epilogun e Çlirimit të Kosovës, ditës së madhe të triumfit kombëtar, sikur ta parandjente skenarin ogurzi për të cilin apostrofova më sipër e madhja Shkurte Fejza këndonte në kor me piskamen e shpirtit të një Kombi:
“Pa u farue djem e çika
Jo nuk ndahet Mitrovica
Nuk i lëshojmë trojet tona
Krejt Kosova është e Jona”.
Në rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit në Mitrovicë, ish Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, u shpreh me këto fjalë: “Varri i Juaj Baca Isë do të jetë piramidë e kufirit me Serbinë dhe ju do të jeni gardiani i mbrojtjes së trojeve tona.”
E Drejta Ndërkombëtare ka në themel të saj sovranitetin e popujve dhe kjo është thembra e Akilit e projektit antishqiptar të ndryshimit të kufijve përmes shkëmbimit të territoreve, për të cilin punojnë prej kohësh armiqtë tanë shekullor.
Kancelaritë ruso-turke dhe ajo e Beogradit janë mëse të bindura se nuk mund ta ndalojnë zgjerimin e NATO-s e as të BE-së në Ballkan.
E provuan me skenarin malazez dhe maqedonas dhe dështuan me turp.
Në të dy rastet ishin shqiptarët që i dogjën skenarët e tyre dhe i rreshtuan këto shtete në anën e NATO-s e të Perëndimit.
Me frontin e dytë antiperëndimor e antishqiptar, me aktor kalifët Rama e Thaçi, është përpjekja e fundit e carëve të rinj ruso-turk Putin-Erdogan për ta mbajtur Ballkanin peng të politikës së tyre.
Shqipëria sot është e uzurpuar nga Edi Rama e Qeveria e Tij kriminale.
Është kjo arsyeja madhore që i bashkon opozitën dhe popullin në një flamur të vetëm, atë Kuqezi.
Më 16 shkurt është Marrshimi i pandalshëm i Lirisë.
Sovrani zbret si tajfun në sheshet “Skenderbej” e “Nanë Tereza” dhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të shpeëtuar demokracinë e Shtetin e së Drejtës të marrë peng nga Sulltan Rama, i cili po shet edhe trojet amtare për pushtetin e tij.
Ky uragan, me rrëzimin e Sulltan Ramës i then një këmbë oktapodit antishqiptar e antiperëndimor.
Japonezët kanë një postulat: “Më fal tokë që të shkel”. Thaçi dhe Rama trojet shqiptare të mbytur nga gjaku i derdhur nga martirët e rënë për mbrojtjen e tyre duan t’ia bajnë bonos Vuçiçit.
Mitrovica dhe çdo pëllëmbë tokë shqiptare është e jona. Ato do t’i mbrojmë me jetën tonë me moton : “Një kokë për çdo pëllëmbë tokë”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Azgan haklaj, koalicioni antikombetar, kosova

RUGOVA – PRINC I LIRISË DARDANE !

January 22, 2019 by dgreca

1 Azgan HAKLAJ me Presidentin

Nga Azgan HAKLAJ/

Zemra e Ibrahim Rugovës pushoi së rrahuri për t’ia emërtuar fuqinë e saj të paanë një populli të tërë të zhuritur për t’i rrahur fort zemra e tij në liri e mëvetësi, siç është ai i Kosovës. Janë të rrallë ata burra shteti që si Dr. Rugova të mund të bëhen përmendore-simbol për së gjalli të bashkëkombasve aqsa dhe të lënë lavdinë e tyre gjysëm-drejtëz që horizontalisht do të udhëheqë dhe breznitë e ardhshme.

Kurrë s’e kam menduar se kaq shpejt do të shuhej kjo flakë që nisi zjarrin e madh të avenirit të një populli kaherë të robëruar, me shekuj i masakruar, në shumë fate njerëzish e kombesh i pafat. Ibrahim Rugova, ky martir i idealeve më të shenjta shqiptare të nëpërkëmbura që nga Roma e Bizanti deri tek sllavofashizmi millosheviçian sot prehet në panteonin e kombit përkrah Boletinit, Sulejman Vokshit, Haxhi Zekës, Ymer Prizrenit, Azem Galicës, Adem Jasharit…

Ndërroi jetë në kulmin e energjisë së gjigandit human i mendimit, veprimit, maturisë, diturisë, eksperiencës e lavdisë, si për t’ja kaluar zheninë e vet një populli të tërë, një kombi të ndarë në gjashtë shtete e të degdisur nga sunamët tiranikë në çdo cep të botës. Dhe këtë fuqi ai ndau bujarisht, pikërisht tani kur hartës së botës moderne do t’i shtohej më së fundi edhe shteti më i ri i nëpërkëmbur që prej dardanëve të lashtë, Kosova.

Është një humbje jo si gjithë humbjet e mëdha, është humbje që ka përmasa trillesh eskiliane. Pse pikërisht Primi dhëndër dardan ndërron jetë pak çaste para se të shohë nuse Kosovën, djepin që e lindi, që e përkundi, që i dha për zemër strallin e shkëmbinjve të Kaçanikut, që i dha për fjalë arin e zgafellave të Mitrovicës, që i dha për mendje e arsye, kthjelltësinë e ujërave të Junikut…

Fjalët janë pak për këtë burrë, këtë prijës modern të dhimbjes sonë nacionale, thembrës së Akilit të Shqipërisë me emrin Kosovë. Profesori i rrallë i historisë e letërsisë, autori origjinal i mejtimeve naimjane, afro dy dekada më parë vendosi hyjnisht ta sindërtojë në trojet dardane rilindjen e vërtetë, jo vetëm me fjalë e artë si Dante Aligieri e Fransua Rabële, por ta materializojë atë duke e konvertuar në liri e pavarësi, çka rrallë gjindet veçse në legjenda e epika intriguese.

Ky ishte dhe do të ngelet Rugova.

Kam pasur rastin fatlum që të komunikoja gjatë qënies sime si deputet i Malësisë së  Gjakovës me presidentin Rugova. Dy vite e ca më parë isha i ftuar në rezidencën e tij në Prishtinë me rastin e ceremonisë së dekorimit të mikut të tij të ditëve të vështira, Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari. Na priti siç pret një vëlla, një mik, një burrë shteti. Ndenjëm gjatë e sipas zakonit arbnor që dominonte qënien e tij, na pengoi të ngriheshim pa drekuar sëbashku. Vetëm gjenitë dinë ta përdorin fjalën dhe heshtjen me atë ndërthurje plot kuptim. Vetëm ata që zbukurohen në shpirt prej Zotit dhe tërë karatet humane dinë të jenë kaq të sinqertë dhe pa asfarë pompoziteti. Do e mbroj gjatë atë filmim si pasuri e relike për t’ju treguar brezave e rifreskuar në vetvete portretin e qëndresës, të ëngjëllit që lind si orë e popullit të vet, të njeriut që mbijetesën e kthen në të zakontë, që të paarritshmen e shndërron në realitet.

Ky ishte Rugova.

Kosova humbi princin e lirisë, i cili lules që po çel shkoi t’i ujisë rrënjët e t’ja mbajë fort ato me kujdesin që vetëm ai dinte të përçonte. Lamtumirë Ibrahim Rugova, lamtumirë kalorës modern i lirisë. Në ditën e dasmës së madhe të kombit do shfaqesh sërish. Dasma është gati. Historia vetë po e përgatit. E në këtë histori, në një cep të bollshëm të saj, të ngelesh përherë autokton.

Lavdia jote u përjetësoftë e dëshira, puna, kontributi yt i pagjëshoq u bëftë pishtar në të gjithë trojet iliro-dardane. Një lot i nxehtë burri, bie mbi këto rrjeshta të thjeshtë për ty mësues i madh i qëndresës për liri. Është lot, krenari dhe mall për ty: Dr. Rugova. Çdo ditëlindje Juaja flet për Pavdekësinë Tande, dr. Ibrahim Rugova – Princ i Lirisë Dardane!

___________

Marrë nga libri i Azgan Haklajt “Gjergj Kastrioti, Moisiu ynë”, Botimet “Alb-Juris”, Tiranë, 25 dhjetor 2018 (botuar në Ditën e Krishtlindjeve).

Filed Under: ESSE Tagged With: Azgan haklaj, PRINC I LIRISË. DARDANE !, Rugova

MARSI, PRANVERA E LIRISË

March 19, 2018 by dgreca

Nga Azgan HAKLAJ/

Azgan-Haklaj-1

 Besë me Atdheun dhe Flamurin/

Në kalendarin Europian Marsi  është  muaji i tretë i  vitit, Perëndi e  Luftës për romakët e lashtë . Dita e  Sulltan Novruzit apo ditëlindja e Imam Aliut në botë. Në këtë ditë ҫdo gjë rigjallërohet, lind shpresë, ringjallje për gjithë  njerëzimin. Novruz do të thotë ditë e re, është  festa e Bektashizmit, e dekretuar si festë zyrtare në vitin 1996 në Shqipëri.

22 Marsi, Ditëlindja e Imam Aliut, është  dhe Dita e fitores së PD-së, Partisë Misionare të Kombit Shqiptar, që shembi diktaturën më të egër, komunizmin në Shqipëri.

Marsi  është  për Shqiptarët muaji i ngjarjeve dhe personazheve të mëdha, të cilat shndritin fort dhe përgjithmonë në  qiellin Shqiptar. Në  krye të vendit qëndron  natyrshëm   2 marsi I vitit 1444  i Besëlidhjes së  Lezhës ,  vepra e parë e pavdekshme e Heroit Kombëtar,  Gjergj  Kastriotit – Skënderbeut.

Nëse Shqiptarët Historia i ka qortuar shpesh për  vonesë e përgjumje, muaji i parë i pranverës i ka gjetur përherë në këmbë në kuvende e beteja të mëdha për mbrojtjen e lirisë dhe trojeve etnike.

Betejat e përgjakshme të  Lidhjes Shqiptare të Prizrenit .

Kryengritja e  Malësisë së Madhe, e udhëhequr nga Dedë Gjon Luli, që filloi më 25 mars 1911.

“Epopeja e Jasharëve”, mw 5-6-7 mars 1998-të dhe e Haradinajve, më 24 mars 1998.

Rënia heroike e Njazi Azemit, më 26 mars 2001, për mbrojtjen e të drejtave  të shqiptarëve në Preshevë e që janë  finalizimi i protestave.

Në Prishtinë, në marsin e vitit 1981 dhe 1999, jehuan krismat e para të  pushkëve të lirisë në Kalanë  e Tetovës gjatë protestave të shqiptarëve në Tetovë.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë nga delegacionet  shqiptare-angleze  dhe amerikane, më 18 mars  1999-tës,  që i hapte rrugë qëllimit të bombardimit të NATO-s mbi Serbinë, më datë 24 mars 1999, na kujtojnë se pa marsin nuk do të kishte liri për Shqiptarët.

7 marsi 1887–ës, Ditëlindja e Shkollës së Parë Shqipe, na sjell në kujtesën tonë historike devizën e madhe të rilindasve mendjendritur me pushkë e penë për Mëmëdhenë.

Alfabeti dhe shkronjat shqipe janë po aq të rëndësishme sa pushka dhe baruti  i trimave që i  dolën për zot Atdheut dhe u flijuan për Lirinë.

Ky muaj  i heroizmit, i patriotizmit dhe i vizionit të shqiptarëve për liri, na sjell në kujtesën kolektive figurat e mëdha të Popullit Shqiptar në një shtrirje kohore 600 vjeҫare. Skënderbeun e madh, Ali Pashë Gucinë, Bajram Currin, Idriz Seferin, Dedë Gjon Lulin, Preng Calin, Adem Jasharin dhe familjen e tij martire, familjen Haradinaj e Njazi Azemin.

Marsi i 1444-ës mbeti flakadani i lirisë i pashuar në shekuj. Ashtu si në Greqinë e lashtë, trimat e Shqipërisë  morën flakën Olimpike për ta shpërndarë në ҫdo cep të trojeve amtare e për të ngritur peshë zemrat e  shqiptarëve përballë armiqve të egër dhe të armatosur deri në dhëmbë.

Më 14 mars 1847 lindi dhe 25 mars 1927 ndërroi jetë udhëheqësi i  kryengritjeve të Shqiptarëve, Idriz Seferi, i cilësuar si kalorësi  i Karadakut  nga shkrimtari  Ibrahim Kadriu. Historiani Ali Riza  Selmani thotë se:- Idriz Seferi ishte organizator i zoti që frymëzoi, motivoi dhe udhëhoqi shumë kryengritje në Anomarovë, Kosovën Juglindore dhe trojet e tjera shqiptare. Nuk ishte vetëm prijës popullor dhe luftëtar i lirw, por dhe  strateg ushtarak,  që udhëhoqi popullin e tij në luftëra e beteja për ҫlirim.

Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë me kufij të cunguar, ndonëse ishte në moshë të  shtyrë, luftoi kundër serbëve e bullgarëve.

Idriz Seferi luajti një rol të rëndësishëm në organizimin dhe mbrojtjen në Kuvendin e Ferizajt gjatë korrikut të vitit 1908, i cili rezultoi me ngadhwnjimin e Revolucionit Xhonturk. Në Luftën e Parë Ballkanike, së bashku me vullnetarët e tij, luftoi heroikisht në mbrojtje të Atdheut.

Më datë 29  mars të 1925 ra Heroi i Popullit,  Bajram Curri. Prijësi popullor tribuni i lirisë mori pjesë  në betejat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit , për mbrojtjen e trojeve etnike nga Konferencat dhe Traktatet që kërkonin copëtimin e tyre. Bajram Curri ishte një nga organizatorët e Lidhjes së Pejës “Besa–Besë“,të udhëhequr nga Haxhi Zekë Byberi mw 1899-1900-të. Ai ishte një nga prijësit kryesorë të Kuvendit të Ferizajt . Mbështeti kryengritjen e armatosur të Malsisë Madhe  në vitin 1911-të të udhëhequr nga Dedë Gjo”Luli. Mbështeti Platformën e Hasan Prishtinës  në Kuvendin e Junikut, mw 21-25 maj 1912, ku u hartua Platforma e Kryengritjes të Përgjithshme të vitit 1912, që do të çonte në ҫlirimin  e Shkupit, në gusht 1912-tës dhe nw Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e Flamurit  në Vlorë më 1912–ën nga plaku i urtë, Ismail Qemali.

Më 5 mars  1888 ndërroi jetë Ali Pashë Gucia nga plagët e marra në një atentat , një ndër misionarët e Lidhjes  Shqiptare të Prizrenit dhe një nga figurat e dalluara të Këshillit Kombëtar të saj. Ali Pashë Gucia  ishte një nga udhëheqësit kryesorë të rrymës centriste, që hartoi luftën kundër shovinistëve fqinjë për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Atdheut. Ai u zgjodh kryetar i Shtabit Ushtarak për Mbrojtjen e Plavë-Gucisë. Veprimtarinë  e tij heroike e ka përshkruar bukur Gjergj  Fishta.

Betejat legjendare për mbrojtjen e Plavë–Gucisë, tw Hotit dhe Grudës, tw Ulqinit dhe Tivarit nga ushtritë Malazeze.

Kryengritja  e Malsisë së Madhe e 1911-ës.

Epopeja e Jasharëve dhe e Haradinajve, iu treguan Fuqive të  mbarë Botës se Shqiptarët janë në gjendje të përtërijnë rolin e madh të Gjergj Kastriotit sa herë e thërret liria për të mbrojtur flamurin kuq e zi, nderin, dinjitetin dhe tokën e tyre amtare.

Prijësit e shquar të betejave për liri: Idriz Seferi, Bajram Curri, ndërruan jetë  në mars .

Më 25 mars të 1945 komunistët pushkatuan Heroin e mbrojtjes së tokave etnike shqiptare, “Robin Hudin Shqiptar”, Prenk Calin.

Epopeja e këtyre trimave është e denjë për një  Iliadë  Shqiptare.

Ali Pashë Gucia e Jakup Ferri t’i kujtojnë Kreshnikët e Jutbinës.

Beteja 3 ditore e Adem–Hamz-Shaban Jasharit,Vraninën e Oso Kukën dhe heroizmin e Zhuj  Selmanit.

Në epikën historike shqiptare kanë mbetur të pavdekshme vargjet kushtuar Epopesë Marsiane Shqiptare dhe heronjve të tyre.

Ja si përshkruhet beteja legjendare për mbrojtjen  e Plavë–Gucisë, ku shqiptarët të udhëhequr nga Ali Pashë Gucia e Jakup Ferri i shpartalluan  hordhitë malazeze të Mark Milanit të 12.000 armiqëve:

Mark Milani i Malit të Zi

Ka hyp Marku në Plevi

Çka ka Limi që dirgjet zi

Haj medet vojnikët e mi…!

 Jakup Ferri, “Leonidha Shqiptar”, luftonte me shpatën zhveshur si Akili në muret e Trojës. Kënga e lahuta shqiptare i skalitën një monument të pavdekshëm:

Me të kallzue ty nanë t’vjen seri:

30 burra i ka pré nji njeri.

Nja  lypsh  emnin: Jakup Ferri.

Shtimja, Kaçaniku , Cerrnaleva, Hoti e Gruda, Ulqini, Plava  e Gucia  u bënë kala të pavdekshme të qëndresës shqiptare duke i detyruar pushtuesit turko-sllavë, e Fuqitë e Mëdha të mos bëjnë hesapet pa hanxhinë, siҫ  thotë populli ynë. Emisarët  e Sulltanit e të Knjaz  Nikollës pasi u shpartalluan keqas në fushëbeteja me shqiptarët tentuan disa herë të blejnë prijësit e tyre historikë duke i peshuar me ar , por  morën atë përgjigje që dinë të japin kapedanët e maleve: “As Sulltani, as krajlat, nuk kanë para për t’i blerë trojet  shqiptare”.Plisat e Bardhë dhe xhamadanët kuq e zi, trimat legjendarë nuk pranuan të shkëmbenin me kapicat, dallamat malazeze dhe me Shallvaret e turqëve.

Besëlidhja Shqiptare bëri pluhur dhe hi planet e armikut që përmes parullës të famshme “Përça dhe Sundo” tentuan të fusnin grindje mes shqiptarëve duke shpresuar ndarjet krahinore dhe fetare.

Pasi u shpartalluan në Plavë-Guci, Mali i Zi i kërkoi Portës së Lartë dhe Kongresit të Berlinit t’i jepte si këmbim Hotin dhe Grudën me preteksin se janë katolikë dhe ushtria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nuk do të bënte rezistencë. Kur mijëra luftëtarë shqiptarë vrapuan në ndihmë të  vëllezërve të tyre dhe i shpartalluan ushtritë malazeze , çështja shqiptare në Ballkan u ndërkombwtarizua dhe u vu në rend të ditës në kancelaritë e Fuqive të Mëdha. Shqiptarët ishin të udhëhequr nga postulati  i rilindasit  Pashko Vasa: “Feja e shqiptarit  është Shqiptaria”

Ja si e konceptonte legjendari Mic Sokoli nderin dhe dinjitetin shqiptar, i rrethuar nga të katër anët nga trupat e Pashait turk, ai thërret në ndihmë trimat e Dukagjinit. Kënga e thotë:

Mic Sokoli I Sokol Ramës,

Fjalë po I çon Mark Lulës Shalës,

A më ndihmon, o dajë i babes,

Më kanë ngreh topat rrethit arës

Rrethit arës,  rrethit t’oborrit,

Me shemb kullat Mic Sokolit…

Përballë ushtrive perandorake, të armatosur me topa, mitroloza mortaja, “Luani i Malësisë” dhe pse me forca të pakta, ishte betuar të luftonte deri në vdekje, siç bëri përpara tij Oso Kuka i Vraninës, Zhuj Selmani e pas tyre  Adem Jashari në Prekazin legjendar.

Dashuria për Atdheun, gjuhën, flamurin, doket, zakonet, amanetin, kujtimin e të parëve, janë  ADn-ja e burrave që besën e lidhën vetëm me Flamurin e Atdheun e tyre.

Ja si e arsyeton  qëndresën e tij ,deri në flijim  heroi  Mic Sokoli:

Me lëshue trojet poshtë po bie

Me venë ҫallmën spo m”ka hije

Se jam nip i Kastriotit

Më mirë gjoksin në grykë të topit.

Në vigjilje të Mijëvjeçarit të Tretë, më 5-6-7 mars të 1999–tës  në Prekazin  legjendar u shkrue Epopeja e lavdishme e Jasharajve. Komandanti legjendar i UÇK-sw Adem Jashari e Familja e tij i kthyen kullat e tyre në kala të pamposhtura qëndrese.

Në tre ditë u ripërsërit madhërishëm, krenaria , qëndresa shqiptare në shekuj. Ballë për ballë e dhëmbë për dhëmbë, si në Krujë, Shkodër e Sfetigrad e Albulenë kundër hordhive turke  Familja e Jasharajve e lau me gjakun e agresorëve  oborrin e muret e kullave. Ҫdo  frengji e ҫardak u kthye në bedenë kalaje . Muret shembeshin nga predhat e topave e tankeve, e prapë nga gërmadhat dilnin  Jasharajt e përgjakur duke qëlluar në  drejtim të ushtrisë serbe. Luftuan deri në vdekje për të mbetur të pavdekshëm. Heroizmi i tyre ndryshoi fatet e luftës dhe u bë simbol i betejës për liri.

Më datë 24 mars 1998–tës bisha serbe do të sulmonte një tjetër fole shqiponjash  nw Gllogjanin e Haradinajve. Këtu u shkrue me gërma të arta një epokë tjetër e lavdishme e Kombit Shqiptar. Haradinajt trima me në krye Ramushin u dolën zot kullave legjendare, siç thotë kënga epike:

Tunden malet, por nuk tunden kullat.

Në log të mejddanit po maten burrat.

 Marsi i trimave, betejave e kuvendeve kujtohet me krenari. Shqipëria dhe shqiptarët janë një kudo ku ata jetojnë në trojet etnike, në Ballkan e  Diasporë.

Trinia e shenjtë: Gjuha, Flamuri e Atdheu, është burim frymëzimi i pashuar për ardhmërinë e përbashkët.

Ulqini i Teutës e Balshajve, ku prehen eshtrat e udhëheqësit të Lidhjes së Prizrenit , Ymer Prizreni, u bwnë  shumicë dominuese në qytetin  e tyre.

Parlamenti i  Maqedonisw e shpalli gjuhë zyrtare Gjuhën Shqipe, pra krismat e lirisë në 14 marsin e 2001 të UҪK-sw, po finalizojnë ëndrrën tonë. Marsi na thërret të jemi në  këmbë e të bashkuar për të nderuar   heronjtë tonë kombëtar dhe protagonistët e mëdhenj të historisë tonë, për të vazhduar  misionin  e tyre për realizimin e ëndrrës shumë shekullore  pa harruar  Mitrovicën e Bacës Isë, Preshevën e Ridvan Qazimit  dhe Ҫamërinë tonë të shtrenjtë.

Viti i Gjergj Kastriotit -Skënderbeut është apel për finalizimin  zgjidhjes së  Ҫështjes Kombëtare, Bashkimin e Kombit  Shqiptar në një shtet të vetëm. Deviza jonë do të jetë: ”Një Komb, Një Shtet”.

Shteti Komb i Shqiptarëve është domosdoshmëri historike.

Filed Under: ESSE Tagged With: * Marsi, Azgan haklaj, Bese me Flamurin, Pranvera e Lirise

SHQIPËRIA,TOKË E MINUAR NGA “XHENIERËT E KRIMIT E TË KORRUPSIONIT”

February 6, 2018 by dgreca

Azgan-Haklaj-1 

Demontimi i saj i pamundur pa SHBA-në dhe aleatët evropianë/

Nga Azgan HAKLAJ/

Pushteti i krimit si një  oktapod gjigand  i ka shtrirë frikshëm tentakulat e tij në çdo  hallkë të pushtetit e të shtetit.

Qeveria e ka bërë të veten devizën  kriminale leniniste “I gjithë pushteti sovjetëve”, duke futur nën kontroll  e paralizuar të gjitha institucionet legjitime  Kushtetuese ,(drejtësinë, prokurorinë, parlamentin) ,ku vendos vetëm dhuna e kartonit  e, së fundmi, fjalën e lirë të Opozitës, si treguesi më sinjifikativ , se pas qeverisjes së Rilindjes fshihet grupi më i rrezikshëm , përfaqësuesit më me emër të krimit e të mafies politike  që ka njohur Europa pas Luftës së Dytë Botërore.

Në vitet 90, Italia zhvilloi një betejë në të cilën iu desh të përdorte edhe ushtrinë . Shteti Italian  pati vullnet politik  për ta bërë këtë betejë e për ta fituar atë.

Ndryshe nga rasti i fqinjit përtej detit ,ku kryeqyteti i mafies ishte Siçilia ,në Shqipëri kryeqyteti  dhe rezistenca e mafies është “Selia e Qeverisë”.

Nga aty shpërndahen valët e frekuencat  e zëdhënësve dhe arkitektëve  të krimit politik –ekonomik e ordiner,të  cilat mbulojnë jo vetëm territorrin e vendit tonë, por edhe të Ballkanit, Italisë, Spanjës, Gjermanisë, Holandës, etj ku  tonelatat  e drogës  shpërndahen  të sigurta nën kujdesin e  ambasadorëve të Ramës e Tahirit.

Interpoli dhe qeveritë Europiane kanë dhënë prej vitesh alarmin për fuqinë e stërmadhe, brutalitetin dhe egërsinë me të cilën mafia shqiptare demonstron në betejën e saj për hapjen e rrugëve të reja dhe sigurimin e tregjeve.

Së fundmi  ishte Gjermania ajo që dha alarmin “SOS“, duke paralajmëruar se në pak kohë mafia  shqiptare do të ishte padronia e hashashit, heroinës, në vendet më të rëndësishme të BE-së.

Gjermania e kanceleres Merkel, me të  cilën Rama pozonte me fodullëk e mburrje në Berlin e Bruksel, Gjermania, pra kolosi Europian, që ka investuar më së shumti për Shqipërinë, iu tregon shqiptarëve, se çfarë imazhi i jep vendit të tyre kryeministri dhe njëherësh kumbara i krimit e trafiqeve, z.Rama.

Harta e re elektorale u bë nga Rama ,& Co, me qëllimin kriminal për ta goditur Opozitën e bastionet e saj, për ta parcelizuar krimin e për ta bërë atë të padukshëm.

Krijimi i feudeve në Durrës ,Kavajë, Elbasan, Vlorë e në zona të tjera strategjike me modelet e Dakëve, Roshëve, Sejdinëve e Spahinjëve të tjerë, e ka bërë punën e policisë e të organeve të tjera ligjzbatuese të pamundur .Kjo jo vetëm për faktin se ai dhe ortakët e tij kanë investuar qindra miliona dollarë për ngritjen dhe funksionimin e infrastrukturës kolosale të mafies.Ka një arsye më të fortë se përse krimi bën ligjin në Shqipëri. Qeveria Rama i ka vënë në dispozicion çdo gjë, me pak fjalë, pushtetin e të gjitha resurset më të çmuara të vendit, portet, aeroportet, naftën e burimet minerale, energjitikën, rafineritë e përpunimit të heroinës e kokainës, e më në fund paprekshmerinë  nga ligji, imunitetin parlamentar.

Në rast të bezdisjes e presionit të madh nga opinion publik, Opozita  dhe mediat, qeveria ju organizon vetëarratisje spektakolare, në rastin më bujar, apo i vret në ditën për diell, kur prishin punë në pazaret e pista , me çmime konkurence , ashu siç ndodhi rëndomtë muajin e fundit, ku përgjaken çdo ditë trotuaret e qyteteve tona.

Ajo që publiku sheh dhe percepton përmes mediave të çensuruara është vetëm maja e ajzbergut të krimit, i cili në 5 vitet e Rilindjes së Ramës ka marrë përmasa të frikshme dhe është bërë zot  dhe i plotfuqishëm i vendit tonë. Kjo për faktin se paraja e tij kolosale vlerësohet 4-4.5 miliardë euro  në vit , kur buxheti i shtetit nuk i kalon 5 miliardët. Ky lumë parashë mund të përmbysë gjithçka që i del përpara:  Zgjedhiet e lira , parlamentarizmin ,institucionet e Shtetit të së Drejtës ,e së fundmi sipërmarrjen e lirë dhe konkurencën si gurë themeli dhe bazë e sistemit demokratik.

Në dallim nga mafia ndërkombëtare  ku lidhjet me pushtetin janë të fshehta dhe sporadike, në Shqiperi  kapoja është në krye të vetë shtetit. Shqipëria është rasti  sui-generis në Europë e përtej saj ,ku gjithë kupola e policisë së shtetit është përfshirë në veprimtari kriminale  dhe ministritTahiri e padronit të saj të policisë nuk i hyn gjëmb në këmbë. Është kjo arsyeja  që Opozita  dhe qytetarët shqiptarë e kanë të pamundur t’i besojnë Reformës në Drejtësi, sepse janë mëse të bindur se qeveria ka bërë kapjen e saj, pra me pushtetin ka kapur shtetin.

Qevera  do fillojë gjuetinë e shtrigave ndaj Opozitës , arrestimin e ndonjë drejtori tagra mbledhës të qeverisë së shkuar ,për të larë duart si Pons-Pilati.

Shqipëria sot s’ka vend për invenstitorë të huaj strategjikë e të fuqishëm. Qeveria e Krimit ka marrë me kohë masat për përzënien e tyre nga Shqipëria. Konçesionet kryesore dhe jetike për ekonominë shqiptare, Rama dhe ortakët e saj ua bëjnë dhuratë firmave fantazma të krijuara pak kohë më parë, si një hibrit i mafies qeveritare e asaj ndërkombëtare.

Partneriteti publik-privat, gjetja më e re e Ramës është as më shumë e as më pak ,veçse një valvul shkarkimi për të pastruar 1 miliard dollar të zhvatur nga  plantacionet e kanabisit,trafiqet e taksat e shqiptarëve.Kërcënimi që iu bën kryeministri kryetarëve të bashkive për të ndjekur këtë model ose për të mos iu financuar asnjë projekt është embargoja që ai dhe kriminelët që i dhanë pushtetin, i bëjnë pushtetit legjitim, Shtetit të së Drejtës dhe vetë të ardhmes sonë të përbashkët europiane.

Pyetjes së analistëve se: “Ku janë rezultatet e Reformës në Drejtësi” dhe përse nuk arrestohen peshkaqenët e mëdhenj, Rama i zënë ngushtë iu përgjigj:”Shyqyr Zotit e kemi kaluar atë kohë, kur partia të fuste në burg”.

Shteti i Ramës që burgos pa mëshirë kryefamilljarë fukarenj  pa asnjë punë, ndihmë sociale e përkujdesie për 2-3 mijë lekë drita , se ka për gjë të vjedhë 1 miliard euro çdo vit  përmes evazionit fiskal  dhe qindra milionë të tjera përmes taksave të larta, skemës mashtruese alla Beqia në shëndetësi apo mega skandalet me “Armon” dhe karburantet.

Mirë zotëri, partia e qeveria s’të fuskan në burg e s’duhet të të fusin në burg, po përse atëherë mbron  Baronin e Drogës, ish ministrin tënd Tahirin, kur atë e akuzon Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe kërkon ta  çojë përpara drejtësisë? Përse e ekstraduat në kundërshtim me ligjin ,dëshmitarin kryesor të bandës Habilaj, krijues e tutor i të cilës është pikërisht Tahiri juaj .

Oktapodi i krimit, i ideuar nga Rama , pasi gllabërojë  bregdetin, fushat e naftës dhe gazin, rafineritë, zonat industriale, lagunat dhe zonat e mbrojtura, minierat dhe pasuritë e tjera, ai i ka zgjatur tentakulat deri në Alpet Shqiptare.

Banorët e Alpeve i kanë ruajtur me fanatizëm bukuritë natyrore, malet, lirinë e krenarinë e tyre. Përbuzja proverbiale  e Ramës ndaj banorëve fisnikë që jetojnë prej shekujsh në këto bukuri përrallore apo “malokëve”, siç i quan ai, ka vetëm një sindromë: atë të kompleksit të inferioritetit, pasi i ka lënë pa asnjë investim , në mëshirë të fatit. Rama kërkon të pushtojë Alpet e bukura e banorët e tyre me hotele përbindësha.

Krijesat e Ramës janë projektuar me 5- yje , pa shpenzime, lekët i jep mafia e Rama i bën taksën zero. Pasi ngriti  flamurin e mafias në kryeministri, Rama kërkon ta  ngrejë atë në majat e Olimpit Shqiptar.

E theksova në kryerradhë se Shqipëria  është një tokë e minuar nga krimi e korrupsioni i mafies. Me të njëjten simbolikë si nazistët u larguan nga Shqipëria apo falangat e Millosheviçit u larguan nga Kosova, kriminelët jenë kudo të njëjtë.

E keqia  është bibla e besimit të tyre. Ata e parandiejnë  fundin e vet sepse siç duket një shqisë siç duket  më  tepër se njerëzit normalë. Ky është avantazh për njerëzit  monstër, sepse në ikje  e sipër pronësojnë sentencën :-“ika unë u  shoftë bota”duke  shkaktuar  dëme të mëdha.

Shqipërinë e kanë zaptuar në çdo skaj tentakulat e korrupsionit, e ka minuar krimi e mafia politike e nga ky rreth fatal mund ta çlirojë vetëm SHBA dhe aleatët e saj strategjikë, duke  zbarkuar  si dikur Aleatët në Normandi, për të çliruar nga fashizmi, Francën,  atdheun e Iluminizmit, Lirisë, Barazise—Vllazërisë  dhe për t’i hequr qafe  Europës dhe Botës zgjedhën e fashizmit.

SHBA dhe Aleatët me strukturat e veta moderne  dhe dedektivët  e saj mund ta çlirojnë Shqipërinë nga mafia, për ta bërë  më në fund një vend normal e të banueshëm  për qytetarët e saj fisnikë, të cilët kanë 5 vjet që në turma të mëdha  po largohen nga  Atdheu i tyre i marrë peng  si djalli nga temiani.

Filed Under: Analiza Tagged With: Azgan haklaj, korrupsion, Krim, shqiperia, Toke e miner

REKUEM PËR TY SHOTË

November 2, 2017 by dgreca

NGA ZGAN HAKLAJ/

1 Shota

E dashur Shotë Haklaj, dhembja për ty na është kthyer në krenari dhe gjaku yt në një pishtar të përjetshëm lirie, të cilin unë së bashku me familjen time, me mijëra demokratë, qindra artistë nga të gjitha trevat e trojeve etnike e përcjellim me krenari si pishtar olimpik në çdo cep të Atdheut.

Ti ngadhnjeve mbi terrorin e errësirën dhe fluturove si shqipe e lirë drejt parajsës, aty ku e kanë vendin djemtë e vajzat si ti të cilët janë martirizuar për Lirinë, për Demokracinë dhe Fjalen e Lirë.

16 vjet më parë ndërrove jetë duke lënë pas emrin dhe shembullin e ndritur të një vajze, e cila ashtu si Shote Galica nuk u tremb përballë çetnikëve e terrorit shtetëror.

Në çdo përvjetor tandin ne vijmë me betimin solemn për të qënë më të vendosur në rrugën në të cilën ti ece, rrugë të cilën ta ndërpreu në mes terrori shtetëror në lulen e rinisë.

Demokratët shqiptarë, Unioni Artistik i Kombit Shqiptar, Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, populli i Tropojës dhe të gjithë ata për të cilët është e shenjtë Liria e Fjalës, të Drejtat e Njeriut dhe Demokracia, të kujtojnë me nderim dhe mirënjohje.

Trupin tënd të njomë do ta tretë dheu i zi.

Guximi yt do të mbetet frymëzim për çlirimin e Fjalës së Lirë nga vargonjtë e pushtetit autoritarist.

Kujtimi yt do të jetë i përjetshēm!

Shpirti yt u prehtë në paqe!

Filed Under: ESSE Tagged With: Azgan haklaj, PËR TY SHOTË, REKUEM

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pika e Ujit
  • DR. ELISABET PERAJ IU BASHKUA VATRËS
  • VATRA NDEROI LEGJENDËN E BOKSIT SHQIPTAR XHEVDET PECI
  • MARK MRNAÇAJ: DALIP GRECA, LAMTUMIRË NJERI MODEL
  • TRASHËGIMI NGA DIASPORA KRAJANE
  • Xhaketa e Xhaferit
  • NEW YORK HERALD TRIBUNE (1939) / RRËFIMI I MBRETËRESHËS GERALDINË NË VERSAJË : EDUKIMI I DJALIT, SIMBOLIKA E KURORËS MBRETËRORE, SKËNDERBEU, DHOMA E PREFERUAR NË KËSHTJELLË…
  • Historia e Urës së Matit, një ndër më të bukurat në Ballkan
  • Shqipëria në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino
  • Congratulations Albania. Congratulations Roma
  • Urdhëri i Lirisë për patriotin e palodhur Jim Xhema
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” përjetësohet në New York
  • Kundër simboleve të diktaturës komuniste
  • Reagim për ndërprerjen nga Serbia të gërmimeve për mbetjet mortore të personave të zhdukur
  • Haris Vongli dhe Stela Bermema i bashkohen Vatrës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT