• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

WAW e akuzuar me pretendimin për korrupsion që ditën e parë të themelimit

May 10, 2021 by dgreca

– Për dijeni:Entwicklung und Zusammenarbeit (DEZA)-Tatiana Valovaya, Directrice générale de l’Office des Nations Unies à Genève/

Nga Elida Buçpapaj – VOAL – Voice of Albanians/*

voal.ch – Shoqata ndërkombëtare e Grave shqiptare  në botë World Albanian Women ndryshe me akronimin WAW ka startuar krijimin e saj me dy skandale.
Skandali i parë lidhet me emrin, pasi në vetvete nuk është shoqatë ndërkombëtare.
Definicioni i shoqatës ndërkombëtare është si më poshtë:“Organizatë ndërkombëtare quhet një lloj organizate me karakter ndërkombëtar sa i përketë anëtarësisë, qëllimit ose pranisë të një rëndësie ndërkombëtare, me zyra, aktivitete dhe interesa në disa vende të botës; punonjësit e të cilave shpesh quhen zyrtarë ndërkombëtarë, shpesh gëzojnë imunitete diplomatike (disa shembuj të organizatave janë Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Organizata Botërore të tregtisë dhe NATO-s).”
Ky është skandali në formë abuzimi i parë i WAW (walbw.ch) sepse nuk përmbush asnjë atribut nga ato që lartpërmenden.
Skandali i dytë, lidhet sepse është akuzuar për mungesë transparence në ditën e inaugurimit të saj në Gjenevë më 2-3 Nëntor 2019.
Mungesa transparences hedh dyshim për korrupsion dhe në Perëndim nuk tolerohet.
Për mungesë transparence kjo shoqatë është akuzuar nga Ermira Lefort, e cila në të njëjtën datë kur u bë inaugurimi përmes një deklarate publike dha dorëheqjen e parevokueshme.
Drejtueset e kësaj shoqate janë: Mirela Mezani, Juliana Cici dhe Blerina Zoto.
Në deklaratën e saj botuar edhe në rrjetin social asaj kohe Ermira Lefort ka përmendur faktin për mungesën e informacionit të sponsorizimit, shumë prej 20 mijë frangash që kishte kushtuar festimi i inaugurimit të shoqatës në Gjenevë më 2-3 Nëntorin e 2019.
Sipas deklarimeve të saj, që nga 12 gushti 2019, Ermira nuk ka pranuar të firmosë hapjen e llogarisë bankare për këtë shoqatë,sepse mungonte informacioni kryesor. Ermira Lefort e ka përsëritur kërkesën në vijimësi në mbledhje pa proces-verbale,se kush ishte sponsori financiar i kësaj asambleje të kushtueshme.
Po sipas deklarimeve të Ermira Lefort: “U dhanë tre variante nga mbledhja në mbledhje.Në fillim ju dha si përgjigje, që është rrjeti i bizneseve në Zvicër.”Pyetjet e Ermirës publikisht ishin :Kush nga shumë strukturat ekzistuese?” Sepse ekziston Rrjeti i bizneseve,Dhoma e tregtisë dhe shoqata aksionare AG. Ermira Lefort këmbënguli përsëri në asamble,kush është si grupim apo individ dhe pse nuk vendoset Logo e sponsorizuesit?”
Deklarimi i sponsorizuesit nuk është bërë asnjëherë, kjo e detyroi zonjën Lefort të japë dorëheqjen e parevokueshme, çka hedh hije të forta dyshimi rreth transparencës të financimit të festimeve dy ditore në Gjenevë në 2-3 Nëntor 2019, data kur u bë inaugurimi zyrtar i shoqatës në fjalë.
Akuzuar për korrupsion WAW pretendon të atashohet me një zyrë pranë shoqatave të huaja në OKB
——-
E kam fjalën për shoqatën World Albanian Women International Association – me akronimin WAW. Që në zgjedhjen e emrit, qëllimi ka qenë të tërheqë vemendjen e naivëve, pra manipulimi është që në themel.
Konkretisht nuk kemi të bëjmë me një shoqatë ndërkombëtare grash sikur pretendohet por me një shoqatë grash shqiptare të formuar në Gjenevë.
Në Zvicër veprojnë mbi 100 mijë shoqata, nga këto syresh janë mijra shqiptare, me emra gjëmues, tronditës, spekulues por me zero aktivitet. Shoqatat shqiptare krijohen zakonisht në kontekste përfitimi, ndajnë çertifikata me njëri-tjetrin, nga pozita ilegjitime, sepse nuk kanë atribute të emërojnë ambasadorë të paqes, ambasadorë të kombit, ambasadorë të vullnetit te mirë, pena të artë, pena të sermta, pena prej letre, prej kartoni etj.etj.
Por ajo që bie në sy si shëmtim në piedestal është se këto shoqata nuk e njohin as vullnetarizmin, as bamirësinë, as kontributin individual.
Qëllimi i tyre është përfito sa të mundësh, duke u mbështetur nga Ministria e Diasporës në Shqipëri që drejtohet nga Pandeli Majko dhe instrumentat që kjo ministri ka në dorë sikur është gazeta online krijuar me fonde nga BE dhe Zvicra, programe të RTSH, çmime, çertifikata etj.etj.
Është shumë shqetësues fakti se këto shoqata po krijohen në kontekstin partiako-shtetëror-klientelist, me qëllim përçarës, në dëm të vlerave, në dëm të meritokracisë dhe të unitetit të komunitetit. Këtu ndihmojnë edhe portalët e që s’kanë asnjë lidhje me gazetarinë profesioniste dhe financohen në funksion të klientelizmit për të promovuar çka oriention politika e korruptuar.
Në këtë funksion janë edhe programe të RTSH që u bējnë publicitet dhe i mbajnë nën dritën e reflektorëve  të preferuarit e politikës. Një politikë e korruptuar merret me mend se çfarë promovon!
Komuniteti shqiptar duket i dorëzuar përpara kësaj katrahure me regjizurë dhe strategji përçarëse direkt nga Ministria e Diasporës e Republikës të Shqipërisë.
Përpara disa kohësh u festua zyrtarisht 50 vjetori i marrëdhënieve diplomatike Zvicër-Shqipëri dhe pala shqiptare kishte prezantuar më së shumti emra që nuk përfaqësojnë assesi komunitetin e shqiptarëve nga RSH në Zvicër, duke e shkruar historikun e marrëdhënieve 50 vjeçare me stilin e censurës si në diktaturën komuniste.
Por le të kthehemi tek shoqata e grave shqiptare e ashtuquajtur ndërkombëtare – Word Albanian Women International Association.
Po parashtroj disa pyetje:
Përse që në ngjizjen e saj kjo shoqatë pa asnjë lloj aktiviteti është mbuluar nga programi televiziv Urat i RTSH-së në Shqipëri?
Përse kjo shoqatë pa asnjë lloj aktiviteti është promovuar nga ambasadat e Shqipërisë dhe të Kosovës në Bernë?
Përse RTSH dhe Ambasada e Shqipërisë në Bernë promovojnë një shoqatë krijuar nga tre zonja të sapoardhura nga Shqipëria, të paintegruara në tregun e punës dhe me qëndrim të përkohshëm në Zvicër, që nuk e përfaqësojnë as diasporën, që nuk kanë as kontribute veç kanë përfituar mjetet e ekzistences nga Zvicra?
Por që synojnë përmes jehonës mediatike të instrumentalizuar politikisht dhe të mbështetjes direkt të politikës shtetërore klienteliste të atashohen deri me një zyrë pranë OKB!
A nuk bie erë abuzim?
Duket sikur po bëjnë në Zvicër një Copy Paste e asaj që ndodh në Shqipëri, kur sistemi demokratik nuk funksionon më dhe ku partia shtet favorizon  uzurpimet, trafikimet, emërimet politike,  klientelizmin, nepotizmin duke shkelur ligjin!
Diaspora shqiptare nuk do ta lejojë!
Diaspora shqiptare pjesë e integruar e Europës do të sensibilizohet dhe do të reagojë !
Diaspora shqiptare e ka fituar qytetarinë në Europë me djersë, mund dhe dinjitet!
Zvicra sapo ka ka dalë nga një votim, ku për pak po të fitonte iniciativa që do të shtrëngonte edhe të drejtat e punësimit të qytetarëve të zonës BE.
Zvicra ka politika shumë strikte për dhënien e vizave të qëndrimit dhe punësimit jashtë zonës së BE-së. E Shqipëria është jashtë zonës së BE-së.
Por le të shqyrtojmë hollësisht se cili është objektivi i kësaj shoqate dhe nga përfaqësohet.
Objektivi “humanist” i kësaj shoqate është integrimi i grave të paintegruara!
Por pikërisht këtu nis habia.
Si është e mundur që kjo shoqatë të integrojë shtresën e paintegruar të grave shqiptare në Zvicër kur tri zonjat që e drejtojnë janë për vete të paintegruara dhe me leje qëndrimi të përkohshëm në Zvicër?
Po si është e mundur që në dy ditët e inaugurimit të kësaj shoqate më 2-3 nëntor 2019 ky aktivitet shumë i zakonshëm në llojin e vet u mbulua me një pompozitet të madh direkt nga emisioni URAT i RTSH?
Ndërsa Ambasada e Shqipërisë në Bernë botonte në faqen e vet në Facebook tekstin se “Më datë 2 nëntor, Organizata Women Alb World International, zhvilloi mbledhjen e parë të Asamblesë së Përgjithshme, në Gjenevë. Qëllimi i krijimit të kësaj organizate është shkëmbimi i eksperiencave të grave të mirë integruara profesionalisht dhe kulturalisht në vendet ku zhvillojnë aktivitetin e tyre, në raport me pjesën e grave që kanë nevojë për shembuj të mirë integrimit dhe mbështetjen për të arritur në këto nivele. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të Ambasadës së RSH-së në Bernë, Ambasadës së Kosovës në Bernë, personalitete të spikatura të diasporës shqiptare në Zvicër e më gjerë, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Diasporës së RSH-së.”
Po si i justifikojnë pjesëmarrjet dhe duartrokitjet përfaqësitë diplomatike të qeverive përkatëse të Shqipërisë dhe Kosovës në formimin e një shoqate pa asnjë aktivitet, që e drejtojnë tri zonja sapoardhur nga Shqipëria me qëndrim të përkohshëm në Zvicër, pa asnjë kontribut dhe të paintegruara ende në tregun e punës?
Përse këto tri zonja nuk kërkojnë të integrohen normalisht në tregun e punës, si dhjetra mijë gra në diasporën shqiptare në Zvicër, të cilat punojnë me dinjitet e fitojnë jetën me dinjitet pa përbërë interes as për kamerat e Urave të RTSH dhe as për Ambasadat e Kosovës dhe Shqipërisë në Zvicër?!
Po si është e mundur që këto tri zonja sapo kanë vënë këmbët në Zvicer, duke mos punuar e kontribuar, veç duke konsumuar ndihma financiare nga Konfederata Helvetike të kthehen në “ikona” të Urave të RTSH-së të Tiranës, të diplomatëve shqiptarë dhe të pretendojnë deri aty sa të synojnë atashimin si shoqatë pranë OKB-së!!!!
Më poshtë po paraqes më konkretisht përbërjen e kreut të kësaj shoqate:
Presidentja e kësaj shoqate është Mirela Mezani, ardhur në Zvicër në vitin 2016, për arsye martese me një qytetar me prejardhje nga Kosova, është e paintegruar në tregun e punës dhe ka jetuar me mbështetje sociale nga Zvicra.
Nënpresidetja e shoqatës Blerina Zoto, ish diplomate e emëruar nga qeveria e Edi Ramës në Misionin shqiptar në Gjenevë. Ka disa vjet në kërkim të azilit politik për shkak të konfliktit që ka patur me ish-shefen e këtij misioni zonjën Filloreta Kodra, të cilën e akuzonte për korrupsion. Blerina Zoto është në pritje të përgjigjes nga organet përkate të Zvicrës, ajo është e papunë, e paintegruar, jeton e mbështetur financiarisht nga Zvicra ndërkohë pretendon të integrojë gra të tjera të paintegruara dhe bile të arrijë deri në OKB!
Për sqarim Zvicra nuk pranon kërkesa azili nga Shqipëria, veç rasteve shumë të veçanta.
Juliana Cici, edhe kjo shtetase e Shqipërisë. Ka ardhur në Gjenevë në shtatorin e 2018 për të qëllime studimi, master. Prej shtatorit 2020 ka filluar mbrojtjen e doktoraturës, jeton me bursë sipas kritereve të Universitetit të Gjenevës, pra merr pare burse nga Zvicra, është e papunësuar dhe e paintegruar. (Juliana Cici më ka bllokuar në Facebook – nuk kam patur kurrë asnjë lloj komunikim me të.)
Në Zvicër kemi një komunitet shqiptar shumë të madh, ku përfshirja e rinisë nëpër Universitetet zvicerane është gjithmonë edhe më e madhe, që do të thotë se kemi një numër të madh të rinjsh zviceranë me prejardhje nga Kosova apo Shqipëria që kanë përfunduar studimet, me master dhe doktoratura!
Në Zvicēr ka një numer të rëndësishēm të rinjsh shqiptarë që kanë studjuar drejtësi të cilët mund të japin kontributin e tyre për të orientuar komunitetin konform ligjeve. Po ashtu vetë komuniteti është një burim i fuqishëm që duhet të autofaktorizohet.
A duhet të mbeten gratë dhe vajzat shqiptare të paintegruara ende të komunitetit tonë në dorën e tri zonjave që për vete janë të papuna, shoqata e të cilave fsheh qëllimin e tyre individual që pa lodhje e kontribute të përfitojë direkt atashim në OKB?
Kjo shoqatë ka përfituar gjithçka lehtë, të gatëshme në tabaka, reklamimin nga RTSH, tek Urat etj, mbështetjen nga Pandeli Majko. Ministria e Diasporës e fton presidenten e shoqatës, Mirela Mezanin në takimin e grave të diasporës të angazhuara me biznes në Perëndim, kur Mirela Mezani në Zvicër nuk është e angazhuar në kurrëfarë biznesi por është në kërkim të integrimit të saj me metoda aspak dinjitoze!
Të njëjtën gjë bën Ambasada e Shqipërisë në Bernë, duke promovuar klikën e vet, ndërsa e shumëzon me zero komunitetin këtu tē vendosur prej gati tre dekadash, duke imponuar përçarjen, dasitë, injorimin e duke favorizuar klientët!
Duket sikur politika e Tiranes, Ministria e Diasporës po krijojnë nëpër Europë rrjete okulte shoqatash që t’i kenë në shërbimin e tyre, prandaj i promovojnë me çmime, çertifikata dhe permes kanaleve televizive e mediave që të financuara me fondet e Perëndimit i kanë nën kontrollin e tyre.

Shoqata World Albanian Women International Association u inaugurua me një skandal

Ndërkohë shoqata World Albanian Women International Association që në ditën e shpalljes të saj nën reflektorët e Urave të RTSH-së të Tiranës u inaugurua bashkë me një skandal, sepse nënpresidentja e saj Ermira Lefort dha dorëheqjen e parevokueshme duke hedhur akuza për korrupsion dhe mos transparencë, sepse sipas saj ishte fshehur burimi i sponsorëve që financoi eventin.
Tri zonja të papuna organizuan në Gjenevë një event me kosto 20 mijë franga, ndërkohë që nuk i prezantuan financuesit e qejfit dy ditor!
Po ju sjell një rast për të parë se diku paraja hidhet në hava si në rastin konkret, ndërsa në raste kur kërkohet të jepet para për kontribute të rëndësishme shqiptarët nuk japin!
Vitin që shkoi Joe DioGuardi festoi 80 vjetorin e lindjes. Sikur e dini DioGuardi ish kongresmen në Kongresin e SHBA është presidenti i Lobit Shqiptaro-Amerikan me një kontribut të jashtëzakonshëm. Me rastin e ditëlindjes, ai kërkoi në Facebook, që kush të dëshironte të jepte një kontribut për Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane që ai drejton prej tre dekadash. Dhe a e dini sa ishte ky kontribut online që do të duhej shprehte mirënjohjen e shqiptarëve? 6475 franga! 6475 franga për organizatën më të fuqishme me aktivitet 30 vjeçar që i ka kontribuar dhe i kontribuon interesit kombëtar të shqiptarëve pranë Washington DC, ndërsa këto tri zonja me shoqet e tyre në dy ditë për festime e qejfe dogjën 20 mijë franga !
Sa për dijeni, në Zvicër sponsorizimi i aktiviteteve është transparent dhe i detyrueshëm çka shpallet nëpër posteret që lajmërojnë mbajtjen e tyre, ndërsa 20 mijë frangave aq sa kushtoi vetëm inaugurimi i “lluksit” të krijimit nuk iu bë transparente prejardhja.  Prandaj Ermira Lefort, nënpresidentja e kësaj shoqate prej themelimit dorëhiqet menjëherë në 2-3 nëntor 2019, kur u bë ceremonia inauguruese duke deklaruar se kjo shoqatë ka dalë nga misioni që i vuri vetes!
Për çudi, emisioni Urat e RTSH që drejtohet nga Artur Bejzade, i cili i bëri një mbulim gati live të këtij eventi dy ditor me kosto 20 mijë franga i mbylli të dy sytë përpara dorëheqjes së Ermira Lefort dhe akuzës të saj të fortë.
Ju ftoj pēr vemendje, tri zonja të papuna, të paintegruara, që jetojnë në situata të ndryshme duke përfituar mbështje sociale të Zvicrës zhvilluan më 2-3 Nëntorin e 2019 një shfaqje pompoze të krijimit të një shoqate me një start kosto 20 mijë franga. Dhe jo vetëm kaq, por edhe pas një denoncimi për abuzim fondesh nga ish nenpresidentja e kësaj shoqate, të gjithë i mbyllën sytë, duke filluar nga Ministri i Diasporës Pandeli Majko, Ilir Gjoni, Ambasadori i RSh në Bernë e deri tek Urat e Artur Bejzades të RTSH të cilët në kor vijuan t’i duartrokasin tri zonjat e kësaj shoqate, për atë që nuk bëjnë, e megjithatë synojnë të atashohen deri në OKB, duke lëshuar hije dyshimi, që ditën e inaugurimit.

*Shkrimi u publikua se pari ne VOAL. Autorja e dergoi sot per Diellin.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, korrupsion, Tatiana Valovaya, WAW e akuzuar, Yatiana Valovaya

SHQIPËRIA,TOKË E MINUAR NGA “XHENIERËT E KRIMIT E TË KORRUPSIONIT”

February 6, 2018 by dgreca

Azgan-Haklaj-1 

Demontimi i saj i pamundur pa SHBA-në dhe aleatët evropianë/

Nga Azgan HAKLAJ/

Pushteti i krimit si një  oktapod gjigand  i ka shtrirë frikshëm tentakulat e tij në çdo  hallkë të pushtetit e të shtetit.

Qeveria e ka bërë të veten devizën  kriminale leniniste “I gjithë pushteti sovjetëve”, duke futur nën kontroll  e paralizuar të gjitha institucionet legjitime  Kushtetuese ,(drejtësinë, prokurorinë, parlamentin) ,ku vendos vetëm dhuna e kartonit  e, së fundmi, fjalën e lirë të Opozitës, si treguesi më sinjifikativ , se pas qeverisjes së Rilindjes fshihet grupi më i rrezikshëm , përfaqësuesit më me emër të krimit e të mafies politike  që ka njohur Europa pas Luftës së Dytë Botërore.

Në vitet 90, Italia zhvilloi një betejë në të cilën iu desh të përdorte edhe ushtrinë . Shteti Italian  pati vullnet politik  për ta bërë këtë betejë e për ta fituar atë.

Ndryshe nga rasti i fqinjit përtej detit ,ku kryeqyteti i mafies ishte Siçilia ,në Shqipëri kryeqyteti  dhe rezistenca e mafies është “Selia e Qeverisë”.

Nga aty shpërndahen valët e frekuencat  e zëdhënësve dhe arkitektëve  të krimit politik –ekonomik e ordiner,të  cilat mbulojnë jo vetëm territorrin e vendit tonë, por edhe të Ballkanit, Italisë, Spanjës, Gjermanisë, Holandës, etj ku  tonelatat  e drogës  shpërndahen  të sigurta nën kujdesin e  ambasadorëve të Ramës e Tahirit.

Interpoli dhe qeveritë Europiane kanë dhënë prej vitesh alarmin për fuqinë e stërmadhe, brutalitetin dhe egërsinë me të cilën mafia shqiptare demonstron në betejën e saj për hapjen e rrugëve të reja dhe sigurimin e tregjeve.

Së fundmi  ishte Gjermania ajo që dha alarmin “SOS“, duke paralajmëruar se në pak kohë mafia  shqiptare do të ishte padronia e hashashit, heroinës, në vendet më të rëndësishme të BE-së.

Gjermania e kanceleres Merkel, me të  cilën Rama pozonte me fodullëk e mburrje në Berlin e Bruksel, Gjermania, pra kolosi Europian, që ka investuar më së shumti për Shqipërinë, iu tregon shqiptarëve, se çfarë imazhi i jep vendit të tyre kryeministri dhe njëherësh kumbara i krimit e trafiqeve, z.Rama.

Harta e re elektorale u bë nga Rama ,& Co, me qëllimin kriminal për ta goditur Opozitën e bastionet e saj, për ta parcelizuar krimin e për ta bërë atë të padukshëm.

Krijimi i feudeve në Durrës ,Kavajë, Elbasan, Vlorë e në zona të tjera strategjike me modelet e Dakëve, Roshëve, Sejdinëve e Spahinjëve të tjerë, e ka bërë punën e policisë e të organeve të tjera ligjzbatuese të pamundur .Kjo jo vetëm për faktin se ai dhe ortakët e tij kanë investuar qindra miliona dollarë për ngritjen dhe funksionimin e infrastrukturës kolosale të mafies.Ka një arsye më të fortë se përse krimi bën ligjin në Shqipëri. Qeveria Rama i ka vënë në dispozicion çdo gjë, me pak fjalë, pushtetin e të gjitha resurset më të çmuara të vendit, portet, aeroportet, naftën e burimet minerale, energjitikën, rafineritë e përpunimit të heroinës e kokainës, e më në fund paprekshmerinë  nga ligji, imunitetin parlamentar.

Në rast të bezdisjes e presionit të madh nga opinion publik, Opozita  dhe mediat, qeveria ju organizon vetëarratisje spektakolare, në rastin më bujar, apo i vret në ditën për diell, kur prishin punë në pazaret e pista , me çmime konkurence , ashu siç ndodhi rëndomtë muajin e fundit, ku përgjaken çdo ditë trotuaret e qyteteve tona.

Ajo që publiku sheh dhe percepton përmes mediave të çensuruara është vetëm maja e ajzbergut të krimit, i cili në 5 vitet e Rilindjes së Ramës ka marrë përmasa të frikshme dhe është bërë zot  dhe i plotfuqishëm i vendit tonë. Kjo për faktin se paraja e tij kolosale vlerësohet 4-4.5 miliardë euro  në vit , kur buxheti i shtetit nuk i kalon 5 miliardët. Ky lumë parashë mund të përmbysë gjithçka që i del përpara:  Zgjedhiet e lira , parlamentarizmin ,institucionet e Shtetit të së Drejtës ,e së fundmi sipërmarrjen e lirë dhe konkurencën si gurë themeli dhe bazë e sistemit demokratik.

Në dallim nga mafia ndërkombëtare  ku lidhjet me pushtetin janë të fshehta dhe sporadike, në Shqiperi  kapoja është në krye të vetë shtetit. Shqipëria është rasti  sui-generis në Europë e përtej saj ,ku gjithë kupola e policisë së shtetit është përfshirë në veprimtari kriminale  dhe ministritTahiri e padronit të saj të policisë nuk i hyn gjëmb në këmbë. Është kjo arsyeja  që Opozita  dhe qytetarët shqiptarë e kanë të pamundur t’i besojnë Reformës në Drejtësi, sepse janë mëse të bindur se qeveria ka bërë kapjen e saj, pra me pushtetin ka kapur shtetin.

Qevera  do fillojë gjuetinë e shtrigave ndaj Opozitës , arrestimin e ndonjë drejtori tagra mbledhës të qeverisë së shkuar ,për të larë duart si Pons-Pilati.

Shqipëria sot s’ka vend për invenstitorë të huaj strategjikë e të fuqishëm. Qeveria e Krimit ka marrë me kohë masat për përzënien e tyre nga Shqipëria. Konçesionet kryesore dhe jetike për ekonominë shqiptare, Rama dhe ortakët e saj ua bëjnë dhuratë firmave fantazma të krijuara pak kohë më parë, si një hibrit i mafies qeveritare e asaj ndërkombëtare.

Partneriteti publik-privat, gjetja më e re e Ramës është as më shumë e as më pak ,veçse një valvul shkarkimi për të pastruar 1 miliard dollar të zhvatur nga  plantacionet e kanabisit,trafiqet e taksat e shqiptarëve.Kërcënimi që iu bën kryeministri kryetarëve të bashkive për të ndjekur këtë model ose për të mos iu financuar asnjë projekt është embargoja që ai dhe kriminelët që i dhanë pushtetin, i bëjnë pushtetit legjitim, Shtetit të së Drejtës dhe vetë të ardhmes sonë të përbashkët europiane.

Pyetjes së analistëve se: “Ku janë rezultatet e Reformës në Drejtësi” dhe përse nuk arrestohen peshkaqenët e mëdhenj, Rama i zënë ngushtë iu përgjigj:”Shyqyr Zotit e kemi kaluar atë kohë, kur partia të fuste në burg”.

Shteti i Ramës që burgos pa mëshirë kryefamilljarë fukarenj  pa asnjë punë, ndihmë sociale e përkujdesie për 2-3 mijë lekë drita , se ka për gjë të vjedhë 1 miliard euro çdo vit  përmes evazionit fiskal  dhe qindra milionë të tjera përmes taksave të larta, skemës mashtruese alla Beqia në shëndetësi apo mega skandalet me “Armon” dhe karburantet.

Mirë zotëri, partia e qeveria s’të fuskan në burg e s’duhet të të fusin në burg, po përse atëherë mbron  Baronin e Drogës, ish ministrin tënd Tahirin, kur atë e akuzon Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe kërkon ta  çojë përpara drejtësisë? Përse e ekstraduat në kundërshtim me ligjin ,dëshmitarin kryesor të bandës Habilaj, krijues e tutor i të cilës është pikërisht Tahiri juaj .

Oktapodi i krimit, i ideuar nga Rama , pasi gllabërojë  bregdetin, fushat e naftës dhe gazin, rafineritë, zonat industriale, lagunat dhe zonat e mbrojtura, minierat dhe pasuritë e tjera, ai i ka zgjatur tentakulat deri në Alpet Shqiptare.

Banorët e Alpeve i kanë ruajtur me fanatizëm bukuritë natyrore, malet, lirinë e krenarinë e tyre. Përbuzja proverbiale  e Ramës ndaj banorëve fisnikë që jetojnë prej shekujsh në këto bukuri përrallore apo “malokëve”, siç i quan ai, ka vetëm një sindromë: atë të kompleksit të inferioritetit, pasi i ka lënë pa asnjë investim , në mëshirë të fatit. Rama kërkon të pushtojë Alpet e bukura e banorët e tyre me hotele përbindësha.

Krijesat e Ramës janë projektuar me 5- yje , pa shpenzime, lekët i jep mafia e Rama i bën taksën zero. Pasi ngriti  flamurin e mafias në kryeministri, Rama kërkon ta  ngrejë atë në majat e Olimpit Shqiptar.

E theksova në kryerradhë se Shqipëria  është një tokë e minuar nga krimi e korrupsioni i mafies. Me të njëjten simbolikë si nazistët u larguan nga Shqipëria apo falangat e Millosheviçit u larguan nga Kosova, kriminelët jenë kudo të njëjtë.

E keqia  është bibla e besimit të tyre. Ata e parandiejnë  fundin e vet sepse siç duket një shqisë siç duket  më  tepër se njerëzit normalë. Ky është avantazh për njerëzit  monstër, sepse në ikje  e sipër pronësojnë sentencën :-“ika unë u  shoftë bota”duke  shkaktuar  dëme të mëdha.

Shqipërinë e kanë zaptuar në çdo skaj tentakulat e korrupsionit, e ka minuar krimi e mafia politike e nga ky rreth fatal mund ta çlirojë vetëm SHBA dhe aleatët e saj strategjikë, duke  zbarkuar  si dikur Aleatët në Normandi, për të çliruar nga fashizmi, Francën,  atdheun e Iluminizmit, Lirisë, Barazise—Vllazërisë  dhe për t’i hequr qafe  Europës dhe Botës zgjedhën e fashizmit.

SHBA dhe Aleatët me strukturat e veta moderne  dhe dedektivët  e saj mund ta çlirojnë Shqipërinë nga mafia, për ta bërë  më në fund një vend normal e të banueshëm  për qytetarët e saj fisnikë, të cilët kanë 5 vjet që në turma të mëdha  po largohen nga  Atdheu i tyre i marrë peng  si djalli nga temiani.

Filed Under: Analiza Tagged With: Azgan haklaj, korrupsion, Krim, shqiperia, Toke e miner

Policia arreston 13 politikanë në Malin e Zi

August 13, 2015 by dgreca

*Ndër të arrestuarit: Lazar Ragjenoviç, kryetari i bashkisë së Budvës;Milena Maroviç-Bogdanoviç është vajza e ish-presidentit malazez, Svetozar Marovic; Dragan Maroviç është vëllai i ish Presidentit/
* Ata janë të dyshuar për manipulim të lejeve të ndërtimit, që kanë shkaktuar miliona euro humbje në buxhetin e shtetit malazez./
PODGORICË, 13 gusht/Disa politikanë me influencë janë ndërmjet 13 personave, të cilët janë arrestuar në Malin e Zi, me dyshimin për korrupsion në shkallë të gjerë, konfirmuan sot zyrtarët e vendit të vogël ballkanik.
“Ka arsye për të besuar se të dyshuarit kishin formuar një sipërmarrje kriminale për përfitimin në mënyrë të paligjshme të pasurive”, deklaroi prokurori Milivoje Katniç në një konferencë shtypi.“Ata i kanë planifikuar veprimet e tyre prej një kohe të gjatë… me role dhe detyra të përcaktuara qartë”, theksoi ai.
Ata janë të dyshuar për manipulim të lejeve të ndërtimit, që kanë shkaktuar miliona euro humbje në buxhetin e shtetit malazez.
Lazar Ragjenoviç, kryetari i bashkisë së Budvës, zona më e njohur turistike e vendit, si edhe administratorja e qytetit, Milena Maroviç-Bogdanoviç ishin në mesin e të ndaluarve.
Ish-kryetarët e bashkive, Rajko Kuljaca dhe Dragan Maroviç, si edhe Aleksandar Tiçiç, këshilltar i kryeministrit Milo Gjukanoviç u arrestuan gjithashtu.
Milena Maroviç-Bogdanoviç është vajza e ish-presidentit malazez, Svetozar Marovic.
Dragan Maroviç është vëllai i tij.
Të dyshuarit ndodhen në ndalim 48-orësh. Avokatët e tyre thanë se të gjithë ata i kishin mohuar akuzat.
Katniç tha se një person tjetër nuk ishte arrestuar pasi ndodhej jashtë shtetit. Ai refuzoi të spekulonte se bëhej fjalë për Svetozar Maroviç.
Mali i Zi, ish-republika e fundit jugosllave e shkëputur nga Serbia, në 2006-tën, ka hapur bisedimet e anëtarësimit me BE-në, por përballet me përsëritjen e kërkesës për luftën kundër korrupsionit në sistem

Filed Under: Rajon Tagged With: 13 te dyshuar, korrupsion, Mali i Zi, policia arreston

Mimi Kodheli: Korrupsioni në Ministrinë e Mbrojtjes – shqetësim i madh për Shqipërinë

December 10, 2013 by dgreca

Padia ndaj Arben Imamit, vendimi ndaj armëve kimike, bashkëpunimi rajonal dhe ai gjerman në fushën e mbrojtjes, janë temat që trajton Mimi Kodheli në bisedë me Deutsche Welle-n/

DW: Zonja Kodheli, bisedën e nisim me ngjarjen më të fundit në Tiranë, me padinë ndaj ish ministrit të mbrojtjes. Sipas deklaratës suaj, akuzat mbështeten në fakte të pamohueshme dhe të mirëargumentuara. A do të thotë kjo që keni në dorë vërtet fakte konkrete që flasin bindshëm për abuzime të detyrës së ish ministrit Imami?

Mimi Kodheli: Së pari më lejoni të them që unë në pozicionin tim si minister e mbrojtjes dhe pjesë e qeverisë Rama kam ardhur në pushtet me votat e 1 milion shqiptarëve për ta drejtuar këtë vend dhe jo për tu marrë me gjueti shtrigash. Por pa dyshim që një nga plagët më të mëdha të shoqërisë shqiptare është dhe do të mbetet korrupsioni, i evidentuar ky fenomen, jo vetëm ne çdo qelizë, por i ngritur madje në çdo institucion brenda shoqërisë shqiptare dhe po ashtu i evidentuar kjo nga të gjitha dokumentat që të gjithë vëzhguesit e BE kanë konstatuar apo edhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare që kanë verifikuar për gjatë tetë viteve të fundit të qeverisjes Berisha. Me ardhjen time në Ministrinë e Mbrojtjes, një nga detyrimet e mija ligjore përtej drejtimit, menaxhimit të ministrisë dhe çuarjes përpara të gjithë punëve të kësaj ministrie dhe qeverisë, ka qenë edhe evidentimi i rasteve të abuzimit me pushtetin dhe të abuzimit me paratë e taksapaguesve shqipëtarë siç duhet të jetë në nderin dhe detyrimin e çdo qeverie,e çdo pushtetari madje dhe e çdo qytetari të thjeshtë. Mendoj se pas këtij togfjalëshi (mirëargumentuar) ka një punë të madhe të administratës së Ministrisë së Mbrojtjes, të inspektorëve dhe të audituesve të brëndshëm për të evidentuar këto raste abuzimi, të cilat ju siguroj që në dijeninë time janë të shumta. Kanë qenë në dijeninë time të shumta rastet edhe kur unë kam qenë në opozitë dhe ju siguroj që sot që jam duke drejtuar këtë institucion mund të them se opozita e mëparshme nuk ka gabuar në pretendimet që ka ngritur ndaj kësaj ministrie.

Janë të mirëargumentuara, sepse flasim për njerëz profesionistë, flasim për njerëz seriozë, pjesë të stafit të ministrisë, të cilët kanë bërë thjesht dhe vetëm detyrën për të investiguar mbi ato fakte ose mbi ato të dhëna që kanë rezultuar abuzive. Nuk ka pasur asnjë tendencë për të kapur atë që nuk ekzistonte apo për të krijuar një tymnajë në një kohë që auditimi dhe inspektimi kanë bërë vetëm detyrën e tyre. Ju siguroj që ka disa institucione apo agjensi apo ndërmarrje brënda dhe në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat nuk janë audituar prej vitesh, agjensi që nuk janë audituar prej 5 vitesh, kur bazuar në ligjet e shtetit shqiptar, duhet të auditohen çdo vit. Kjo ka shtuar zullumin e keqmenaxhimit të këtyre institucioneve brenda Ministrisë së Mbrojtjes dhe padyshim me abuzimin me parat e taksapaguesve.

Zonja Kodheli, deri në ç’masë janë bërë keqpërdorime në këtë dikaster? Duke pasur parasysh se ka edhe persona të tjerë të paditur, sa ka qenë në dijeni personalisht zoti Imami? Po në dikastere të tjera mund të ketë të tilla abuzime, të cilat mund ti keni konstatuar edhe më parë kur ishit në opozitë?

Unë nuk flas për dikasteret e tjera, sepse në këtë moment nuk mund të flas apriori. Sigurisht gjatë periudhës që unë kam qenë në opozitë dhe kam qenë nënkryetare e komisionit të ekonomisë dhe financës në Parlamentin shqiptar kam pasur disa mundësi për të hulmtuar mbi abuzimet që janë bërë me pushtetin gjatë kohës së qeverisjes Berisha, por nuk është në detyrimin tim ligjor për të bërë krahasime dhe vlersime të tilla, nëse ky institucion është më i korruptuar se sa një tjetër. Padyshim që unë kam të gjitha mjetet që më jep ligji për të hulumtuar mbi keqpërdorimin që është bërë në këtë dikaster, por nuk di tju them nëse zoti Imami ka qenë në dijeni të të gjitha keqpërdorimeve dhe abuzimeve që janë bërë këtu, sepse unë bëj ministren e Mbrojtjes, nuk bëj as prokurorin as gjykatësin. Gjëja që unë mund të ndaj me ju është që kjo ministri është përgjegjëse përpara ligjit dhe padyshim që përgjegjës moral për çdo gjë që ndodh në dikaster është ai që e drejton, kështu që ministrin kjo e involvon, në mos në mënyrë të drejtpërdrejtë, në mënyrë të tërthortë në çdo kohë.

 

Vetë Imami e quajti hakmarrje politike padinë e ngritur nga ju?

 

Ajo që unë kam thënë dje kam parë që është komentuar në rrjetet publike si një gjest dobësie. Unë e thashë që nuk jam aspak në një pozicion komod që unë të dorëzojë një akuzë, një kallzim penal për ish ministrin Imami. Unë ju siguroj që votat e qytetarëve shqiptarë, unë dhe kolegët e mi dhe padyshim kryeministri Rama dhe forca politike që unë përfaqësoj i kemi marrë për ta qeverisur dhe për ta çuar përpara këtë vend, por korrupsioni është një gangrenë dhe një sëmundje që ka shtrirë tentakulat, kthetrat në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare dhe duhet të vinte një ditë që këtij korrupsioni ti thuhej stop. Unë ju siguroj që korrupsioni në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcat e Armatosura kishte mbërritur në nivele kaq shqetësuese sa kjo ishte bër një shqetësim i madh edhe për Shqipërinë si vend i Nato-s,pra ne disa qarqe ishte diskutuar që qoftë Shqipëria anëtare e Nato-s ka filluar të ketë shumë probleme me këtë institucion dhe kjo është një gjë që duhet parë. Madje mund tju siguroj për dicka, lufta kundër korrupsionit nuk filloi me kallzimin penal që unë kam bërë dje, por ka filluar që me ndryshimin e kreut të forcave të armatosura të Repubikës së Shqipërisë, i cili është zëvëndësuar një muaj më parë: Gjeneneral Bazon, Shefi i ri i Shtabit të Forcave të Armatosura është padyshim një nga njerëzit dhe ushtarakët më me integritet në Republikën e Shqipërisë dhe ishte shenja e parë e lëvizjeve drejt një lufte frontale ndaj kësaj klime dhe këtij realiteti që për fat të keq perceptojnë jo vetëm qytetarët shqiptarë me të drejtë për politikëN dhe mua padyshim që sot jam duke drejtuar ministrinë.

Nisur nga deklarata e fundit e kryeministrit Rama, i cili e ka cilësuar vendimin për ti thënë “Jo” armëve kimike një vendim të vështirë, a ka qenë edhe për ju si ministre e Mbrojtjes, vërtet një vendim i vështirë? A kishim të bënim në këtë rast vërtet me një detyrim si vend anëtar i NATO-s apo thjesht një kërkesë nga ana e SHBA-së? Ndërkohë ka pasur vlerësime të ndryshme, por nëse flasim sot, ju çfarë do të bënit ndryshe nga ajo që ndodhi?

Më lejoni t’ju them se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri më i madh dhe strategjik i Shqipërisë si vend anëtarë i NATO-s dhe jo vetëm kaq. Detyrimi ka qenë në detyrimin, mendoj unë të çdo vendi anëtar të NATO-s, të çdo vendi në të cilin lulëzon demokracia, pra besoj të paktën që çdo vend Europian të merrej dhe përballej me këtë proces siç ishte procesi i largimit të elementëve kimik dhe armëve kimike nga një vend me një rrisk të lartë dhe një kaos total siç është Siria. Mendoj që si Shqipëria dhe çdo vend tjetër anëtar ose jo i NATO-s duhej ti përgjigjej pozitivisht këtij procesi për aq kohë sa ky proces nesër, të qënit E armëve kimike në duar qoftë të regjimit apo qoftë të rebelëve mund të sillte pasoja akoma më katastrofike sesa ato të cilat ne kemi parë. Kështu që ka qenë në nderin tonë të kërkoheshim nga partnerët tanë strategjik, përfaqësuesit më të lartë të SHBA-së, për të qenë pjesë e këtij procesi. Shqipëria nuk ishte i vetmi vend, por sigurisht që Shqipërisë ju kërkua një gjë e veçantë partikolare. Ne mendojmë që u pronocuam duke qenë të vetëdijshëm që përgjegjësia e një vendi të vogël si Shqipëria, është aq sa Shqipërisë mund t’i mbajnë këllqet, mund t’i mbajë kurrizi, por ndërkohë nuk harrojmë asnjëherë që Shqipëria është një vend anëtarë i NATO-s, që Shqipëria ka një pozicion të caktuar gjeografik që mund të ndihmonte, mund të fasilitonte procesin e largimit të armëve kimike nga Siria.

A bëmë ne gjithçka, apo ne duhet realisht të kishim bërë diçka ndryshe. Unë besoj që ne duhet të kishim bërë diçka ndryshe. Duhet të kishim sqaruar opinionin publik për riskun, apo lidhur me mundësitë që Shqipëria kishte për të qenë pjesë e këtij procesi. Shqipëria nuk i ka kapacitetet për ta bërë këtë gjë, por në fakt nuk diskutohet kapaciteti i Shqipërisë, sepse të gjithë procesin, tjetërsimin e lëndëve kimike do ta bënin ekspertë që vinin nga vende të tjera shumë të zhvilluara. Shqipëria do të ofronte vetëm vendin ku ky proces do të bëhej. Mendoj se njerëzit duhej patjetër të ishin sqaruar kohë më parë dhe më shumë. Por, ne morëm një mësim të madh. Kuptuam se sa e emancipuar është shoqëria shqiptare dhe padyshim, le të themi një epokë e re, një erë e re fryu mes qeverisë së re dhe opinionit të shoqërisë shqiptare dhe të shoqërisë civile, që është era e besimit reciprok dhe e respektimit të opinionit publik, të cilin ne nuk e kemi parë në qeveritë e mëparshme. Kështu që e gjitha kjo ishte një vendim i vështirë për qeverinë shqiptare, padyshim ishte dhe një aksion i mirë që ne mësuam, që ne dhamë tek shoqëria shqiptare, që ne jemi atje, të hapur për t’iu përgjigjur kërkesave të shoqërisë shqiptare në maksimumin e disponilitetit tonë si qeveri.

Zonja Kodheli, edhe shoqëria është vetëdijësuar për ambientin që e rrethon, për faktin që ende ka armë kimike në Shqipëri dhe rrezikohet mjedisi, apo trauma e Gërdecit që është ende e pashëruar në memorien e shqiptarëve. Tashmë ju me dikasterin që drejtoni, mendoni se ka ardhur koha që ky mjedis të pastrohet një herë e mirë?

Më lejoni t’ju korrigjoj. Në Shqipëri nuk ka më armë kimike. Në Shqipëri ka mbetje të lëndëve të rrezikshme kimike, të cilat janë rreth 13 hotspote, tashmë të lokalizuara. Më duhet t’ju them që unë tashme kam finalizuar një proces të nisur nga paraardhësi im, lidhur me një ripaketim të një pjese të këtyre mbetjeve kimike, një projekt i mbështetur nga OSBE-ja dhe disa donatorë të tjerë, të shumë vendeve aleate, të cilët kanë mundësuar ripaketimin e disa lëndëve të rrezikshme. Shumë shpejt do të organizojmë një tryezë për një find raising, lidhur me gjetjen e një fondi që do të mundësonte largimin e këtyre mbetjeve tashmë të ripaketuara dhe jashtë rrezikut dhe absolutisht të sigurta, jo në rrezik për jetën e njerëzve për t’i nxjerrë këto kontenierë jashtë vendit. Ndërkohë kemi përfituar nga SHBA një fond prej 1.4 mln USD, i cili do të mundësojë pastrimin e disa prej hotspoteve. Në total, në vlerësimin tonë, kemi nevojë për rreth 3 mln USD për të pastruar të gjitha hotspotet me mbeturina të rrezikshme që janë përdorur për armë, por jo vetëm këto, por edhe të një natyre tjetër, gjithsesi të rrezikshme për jetën e njerëzve. Besoj se me donacione apo duke financuar edhe vetë Ministria e Mbrojtjes me fondet e saj dhe me ekspertët e saj, do të mundësojmë një pastrim të territorit tonë, të paktën nga këto lëndë të rrezikshme. Besoj dhe shpresoj shumë se deri në fund të vitit që vjen ne ta quajmë Shqipërinë një vend free.

Zonja Kodheli keni projekte konkrete me vendet fqinjë për një bashkëpunim më të mirë rajonal, për të pasur vërtet një rajon të sigurtë me vendet që aspirojnë drejt BE-së, kjo në kuadër edhe të kritereve të BE-së, ku Shqipëria pritet të bëhet vend kandidat?

Në fakt besoj që të gjithë ne vendet anëtare të NATO-s, pjesë e këtij rajoni, pjesë e Ballkanit, duhet të kuptojmë që rruga jonë është një dhe e vetme, është rruga e përbashkët drejt BE-së edhe NATO-s, sepse mendoj që nën këtë ombrellë dhe duke ecur në këtë rrugë vendet tona do të prosperojnë më shumë, do të jenë më të sigurta dhe ne do të mundësojmë një tjetër demokraci brenda shoqërive tona. Ballkani, siç të gjithë e dimë vjen mbas një historie dramatike të dy dekadave të fundit dhe askush nuk e ka menduar se në vitet ’90 do të vinte shumë shpejt koha që ne do të flisnim për bashkëpunim të ngushtë, për fqinjësi të mirë, madje dhe për të njënjtën rrugë, që realisht ne jemi duke punuar për të shkuar në BE dhe NATO, për të gjithë ata që nuk janë anëtarë të saj. Shqipëria dhe shqiptarët kanë një rol të veçantë në këtë rajon, janë një faktor absolutisht stabilizues dhe një faktor i rëndësishëm. Unë mendoj që qeveria shqiptare është këtu për t’i mbështetur vendet e rajonit në rrugën e tyre drejt NATO-së dhe kërkon patjetër mbështetjen e vendeve të rajonit për të gjitha ato vende që janë përpara, në fazat e integrimit në BE, që ato vende të na mbështesin dukë na treguar neve të njëjtat hapa që ata kanë ndjekur për t’u integruar në rrugën drejt BE-së. Ky bashkëpunim i ndërsjelltë dhe i ngushtë besoj se do të çojë, ndofta në periudhën më të mirë të bashkëpunimit të vendeve të Ballkanit. Unë kam fatin dhe qeveria ime ka fatin që të drejtojmë Shqipërinë në një moment sa kritik aq dhe fatlum, sepse ne jemi vend anëtarë i NATO-s, por ndërkohë presim me padurim, jo vetëm që të bëjmë detyrat që BE ka përcaktuar për ne, por edhe mundësinë dhe shansin e madh për të marrë statusin e vendit kandidat

Sa afër është Gjermania në bashkëpunimin bilateral në fushën e mbrojtjes, zonja Kodheli? Ministria e Mbrojtjes ka një traditë bashkëpunimi prej kohësh. Ju si e vlerësoni rolin e Gjermanisë në këtë drejtim?

‘Bashkëpunimi midis Gjermanisë dhe Shqipërisë në lëmin ushtarak të mbrojtjes apo të sigurisë është një bashkëpunim që daton herët, shumë më herët që Shqipëria të bëhej një vend anëtar i NATO-s dhe është në nivelet e saj më të mira, madje të shkëlqyera. Gjermania është një nga donatorët më të mëdhenj dhe më bujarë jo vetëm për realizimin e reformave në ushtri, por dhe për të gjithë asistencën e nevojshme për të cilën FA kanë pasur nevojë në fushën e mbrojtjes në gjithë këto vite. Ajo që më ngazëllen më shumë është fakti që në Gjermani studiojnë një grup studentesh shqiptarë, flasim gjithmonë në fushën e mbrojtjes dhe kjo padyshim e rrit cilësisht nivelin e bashkëpunimit duke bërë të mundur, le të themi që fryma e menaxhimit të reformave, pse jo dhe të mënyrës së organizimit që vjen nga niveli i lartë i ushtrisë gjermane, të mund të përçohet në reformat apo strategjitë e përbashkëta që Shqipëria ndjek. Padyshim që Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, ashtu siç është dhe Gjermania, këtu niveli i bashkëpunimit ngrihet në një nivel akoma dhe më të lartë. Më duhet të falënderoj në mënyrë të veçantë dhe jo pse jemi duke folur për Dojçe Velen, por sepse e ndiej që kështu është, qeverinë gjermane, ministrin e Mbrojtjes për të gjithë asistencën e dhënë gjatë këtyre viteve, bujarinë që kanë treguar edhe pozitivitetin që vazhdojnë të tregojnë në marrëdhëniet tona dypalëshe

Mbrojtja si sektor është një sektor delikat i shtetit dhe posti i ministrit është një post që përgjithësisht i është besuar burrave. Ju jeni gruaja e parë në krye të kësaj ministrie. Ju duket e vështirë ose të paktën më e vështirë se sa e kishit menduar në fillim?

Unë besoj që nuk ka asgjë të pamundur. Shekspiri thoshte: “Nuk ka gjëra të pamundura, por ka vetëm njerëz të pazotë”, qo do të thotë që edhe kur gjërat janë të vështira, ndofta mua më tërheqin më shumë sesa kur gjërat janë të lehta dhe kjo nuk e besoj se është e vlefshme vetëm për mua, por për këdo. Të bërit politikë është një profesion i vështirë sidomos për një grua, kjo jo vetëm në Shqipëri; por kudo. Tashmë u bë më shumë se një dekadë që unë merrem me politikë dhe më vjen llogjikshëm të merrem me politikë dhe në nivele të larta, siç mund të jetë ajo e drejtimit të një ministrie. Të them të drejtën, kur më është propozuar nga kryeministri Rama, padyshim që kam qenë e suprizuar. Unë jam financiere në profesion dhe kam menduar gjithmonë që fokusi im duhet të ishin ministritë të cilat merren më së shumti me këtë gjë, por një politikan është një politikan, drejton politikisht një institucion. Mendoj se këtë pozicion dhe këtë propozim e kam konsideruar së pari respekt për personin tim dhe një vlerësim shumë të lartë t’ju them të drejtën, sepse është një ndër pozicionet më të rëndësishme në qeveri, por dhe një përgjegjësi e madhe. Nuk e shikoj të vështirë dhe ajo çka më kënaq më shumë është ajo që as të tjerët nuk kanë vështirësi të komunikojnë me mua, për shkak të faktit që unë jam një grua. Besoj që jam këtu dhe do të jem për të bërë më të mirën dhe dua që t’ju siguroj përmes kësaj bisede me DW që Shqipëria duhet t’i përkasë një gjenerate tjetër dhe që t’i përkasë një gjenerate tjetër, duhet që ne të punojmë fort. Ja kemi borxh këtë fëmijëve tanë, unë ja kam borxh djalit tim dhe shpresoj shumë të bëj më të mirën. Zoti më ndihmoftë në detyrën time, jo fort të thjeshtë.

Intervistoi: Mimoza Cika-Kelmendi

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Arben Imami, korrupsion, Mimi Kodheli, Ministria e Mbrojtjes

Artikujt e fundit

  • Neuroshkenca e Reziliencës së Stresit te Studentët: Rishikim literature (2020-2023)
  • Pse nuk jep Lajçaku dorëheqjen nga posti i ndërmjetësuesit?
  • Presidentja Osmani në pritjen e Presidentit Biden: Themelet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës janë në aleancën e përhershme me SHBA-të
  • Kryetari Glauk Konjufca: Gjuha e urrejtjes po sfidon secilin shtet të botës
  • KËRKESA E SINQERTË PËR FALJE SI URË DREJT CIVILIZIMIT PERËNDIMOR
  • Censura studimore dhe politika në një kontent historik
  • VATRA priti kryetarin e Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama
  • Presidentja Vjosa Osmani dekoron me Urdhrin e Lirisë, ish-kongresistin, Joe DioGuardi dhe aktivisten Shirley Cloyes DioGuardi
  • SOT NË ORËN 12.30 PM, ISH-PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS Z.BEHGJET PACOLLI VIZITON VATRËN
  • Shqipëria në krye të Këshillit të Sigurimit të OKB-së
  • NJË VEPËR ESESH DINAMIKE
  • Në 25 vjetorin e rënies, përkujtojmë heroin Fehmi Lladrovci, ideologun dhe strategun e UÇK-së
  • Atje ku viti i ri  që po vjen nuk do të jetë 2024
  • SHËNIME NGA LUFTA E KOPLIKUT 1920
  • Narcisi i shekullit të 21-të

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT