• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zgjedhjet e Fundit në Kosovë: Kush e Kah?

December 13, 2013 by dgreca

Shkruan: Faton Bislimi/*

Zgjedhje të Lira dhe Historike?/

Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, sikurse edhe balotazhi i 1 dhjetorit, shënuan zgjedhjet e para të lira e demokratike të mbajtura në të gjithë territorin e Kosovës. Me gjasë, për shkak të këtij përceptimi, ato edhe po llogariten si historike. Them përceptim, pasi që në themel, zgjedhjet në pjesën veriore të Kosovës, në komunat me shumicë serbe, por edhe nëpër disa komuna tjera në jug të Ibrit, po ashtu me shumicë serbe, zgjedhjet jo domosdoshmërisht ishin të lira. Sikur në kandidatët ashtu edhe në preferencat e votuesëve në këto komuna, influence të rëndësishme dhe kryesore pati një shtet i huaji, Serbia. Andaj, se sa të lira ishin këto zgjedhje, të paktën në aspektin esencial të fjalës, mbetet cështje e hapur.

U vlerësuan si zgjedhje historike, pasi që sipas Prishtinës zyrtare, ato futën edhe serbët e Kosovës, e veçanerisht ata të komunave në veri të vendit nën ombrellën e institucioneve dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. Mirëpo, menjëherë pas përfundimit të balotazhit, në shumicën e komunave me shumicë serbe fituan kandidatët për kryetar nga rradhët e Listës “Sërbska,” iniciativë politike kjo kryekëput e themeluar, udhëzuar, e përkrahur nga Beogradi, të cilët deklaruan se do të jenë në shërbim të Serbisë dhe se asnjëherë nuk do ta njohin “të ashtuquajturën pavarësi dhe shtetësi të Kosovës.”

Deri më tani, këta kryetar komunash llogariteshin si jolegjitim, si dhunues të rendit kushtetues të Kosovës, por tani që iu ‘nënshtruan’ procesit zgjedhor në Kosovë, ata janë legjitim dhe si rezultat i marrëveshjeve të arritura në Bruksel në mes të Prishtinës e Beogradit, këta kryetarë komunash me shumicë serbe në Kosovës do të themelojnë edhe Asociacionin apo Bashkësinë e Komunave Serbe të Kosovës, një mekanizëm ky që, siç kam thenë edhe më herët, rrezikon të defunksionalizojë edhe më tutje Kosovën si një shtet unitar. Nëse në statutin e këtij asociacioni nuk përkufizohen mirë dhe kjartë të drejtat, përgjegjësitë, dhe funksionet e tij, ky asociacion shumë shpejtë mund të dale komplet nga rendi kushtetues i Kosovës dhe të kthehet në një bazament mbi të cilin do të ndërtohet një entitet i posacëm serb brenda Kosovës. Serbët këtë e kanë kalkuluar shumë mirë, si duket. Ata e kanë parë, tanimë nga përvoja, se cfarëdo sistemi ilegal që ata krijojnë në Kosovë, fillimisht do të refuzohet e injorohet nga autoritetet kosovare por edhe ato ndërkombëtare, mirëpo pas një kohe, të njejtit, përmes procesit dialogues, do të legjitimohen në një mënyrë apo në mënyrën tjetër si faktorë në kuadër të shtetit të Kosovës. Kështu ndodhiu thuajse me sistemin paralel komunal serb në veri, tash e njejta po bëhet me inkuadrimin e pjesëtarëve të deritashëm të MUP-it në Policinë e Kosovës, etj. Pse, atëherë, të mos shpresojnë dhe punojnë serbët që edhe ‘asociacionin’ e tyre një ditë ta kthejnë në një mini-shtet, apo rajon autonom brenda Kosovës, por me lidhje direkte me Serbinë?!

A Fituan të Gjithë?

Ndërsa, në pjesët tjera të Kosovës, duket se procesi zgjedhor kaloi pa ndonjë problem madhor. Kurse, e veçanta e këtyre zgjedhjeve ishte se ato prodhuan një rezultat kompleks dhe jo lehtë të kapshëm për shumëkë, e aq më pak për politikanët. Shumë matematika të paraplanifikuara nuk dolën askund. Shumë bastione u shembën? Ajo që duket kjartë, sidoqoftë, është fakti se votuesit ndërruan pushtetin lokal në shumicën e komunave. Pushtetarët, zakonisht, u dënuan dhe si rezultat fituan kundërkandidatët e tyre. Kjo posaqërisht vlenë për rezultatet e balotazhit, ku përjashtim bën Prizreni, nga të gjitha komunat e mëdha të Kosovës që shkuan në balotazh. Por, nuk është larg mendëve që edhe Prizreni do kalonte në duart e taborrit opozitar, LDK-së në këtë rast, sikur këta të fundit të kishin paraqitur një kandidaturë të re, më energjik, më gjerësisht të pranueshëm për shumicën e prizrenasëve.Në anën tjetër, në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Mitrovicë, Gjakovë, Viti, Suharekë, Lipjan, Pejë, e Malishevë, partitë që paten pushtetin në përgjithësi u ndëshkuan dhe në krye të këtyre komunave erdhën kandidatët nga taborret opozitare. Partia nuk bëri përjashtim këtu—pushtetarët e ndëshkuan, qofshin ata të LDK-së, PDK-së, apo AAK-së. Ky fakt tregon për një ngritje të vetëdijes qytetare në Kosovë, të paktën vis-à-vis pushtetit. Ata votuan për rrokadë pushteti. Prandaj, ua pamundësuan partive të flasin për favorizim elektoral të njërës apo partisë tjetër. Të gjitha partitë në pushtet, përgjithësisht, u ndëshkuan. Psh. LDK humbi Prishtinën, Kamenicën, Obiliqin, e Novobërdën, por fitoi Gjilanin, Pejën, Vitinë, Lipjanin, Suharekën, dhe Ferizajn; PDK humbi Malishevën, Gjilanin, Ferizajn, Mitrovicën e Jugut, Vitinë, por fitoi Kamenicën, Rahovecin, si dhe mbajti Prizrenin, Klinën, Vushtrinë, e Dragashin; AAK humbi Pejën, Rahovecin, Suharekën, e Gjakovën, por fitoi Obiliqin dhe mbajti Junikun; kurse për here të parë në krye të komunave vijnë kandidatët e Vetëvendosjes (Prishtinë) dhe AKR-së (Gjakovë e Mitrovicë).

Andaj, rezultatet e zgjedhjeve lokale nuk i japin komoditet asnjë partije politike. Realisht, këto rezultate japin rast të mirë për partitë politike që të fillojnë të mendojnë kritikisht në lidhje me raportet e tyre me votuesit si dhe në lidhje me organizimin e tyre të brendshëm. Përkundër kësaj harte të re politike në vend të prodhuar nga rezultatet e zgjedhjeve lokale, edhe PDK edhe LDK, edhe AAK, por edhe Vetënvedosje e AKR thonë se kanë dalë fituese. Por, a janë realishtë të gjithë fitues?

PDK: Përtej Drenicës Krenare!

PDK thot se është partia e parë për nga numri i votuesëve në tërë Kosovën, duke e nxjerrë këtë shifër nga votat e qytetarëve për asambletë komunale. Ky fakt qëndron. Realisht, PDK ka marrë rreth dhjetë mijë vota më shumë se partia kryesore rivale, LDK, në zgjedhjet për asamble komunale. Tutje, PDK vazhdon të qeverisë me numrin më të madh të komunave në Kosovë, dhjetë sosh, një më shumë se rivalja LDK që do të qeverisë me nëntë sosh. Por, a duhet të llogaritet ky fakt si fitore e PDK-së, kur ajo humbi qeverisjen në disa qendra kryesore të Kosovës si në Gjilan, Ferizaj, e Mitrovicë? A e ka forcuar ky rezultat PDK-në, kur kësaj i shtohet edhe fakti që humbi edhe Malishevën në mes të Drenicës? Çarjet tanimë të dukshme në PDK, e veçanërisht largimi i Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit si dy figura kyçe të partisë që nga themelimi i saj, duket të kenë dhënë efektet e para negative për partinë e kryeministrit Thaçi. Përderisa PDK ndihet komod që ende ka më shumë vota (nga rezultatet e zgjedhjeve për asamble) se partitë tjera, ajo nuk mund të llogaritë në këtë komoditet për të fituar edhe njëherë zgjedhjet nacionale që po afrohen shpejtë. Në shumë komuna kryesore ku PDK ka humbur primatin dhe qeverisjen, ajo do të dobësohet edhe më shumë sepse aty do të ndodhin rirreshtime politike. Grupe të ndryshme të interesit tanimë do të kalojnë në taborret e fitimtarëve, duke ia khtyer shpindën PDK-së që ishte në pushtet deri më tani. Të tjerë do të shfrytëzojnë humbjen e partisë nëpër këto qendra për të avancuar intereset e veta dhe si rezultat mund të çojnë në çarje edhe më të thella partiake. Psh, a nuk mund të thot Zenun Pajaziti dhe përkrahësit e tij se sikur paria e partisë të kishte kandiduar me Pajazitin në Gjilan, sot PDK ende do të kishte pushtetin aty? Të njejtën dilemë mund ta ngrisin edhe njerzit e Xhevat Bislimit në Viti, apo ajo? Dilema të ngjashme mund të ngrisë edhe disfata e gjeneralit në Prishtinë. Prandaj, PDK-së i ka dale kogja punë tani për të rimëkëmbur edhe njëherë të gjitha strukturat partiake, për t’i ruajtur ato (që mos t’i përsëritet ndonjë ‘Malishevë’ tjetër), dhe për ta rigjeneruar partinë. Gjerësa të udhëheq me qeverinë e Kosovës, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, e ka mundësinë që të ‘rehatojë’ shumë nga këta të pakënaqur nëpër pozita publike. PDK po ashtu do të duhet të tregohet e kujdesshme edhe në rigjenerimin e rradhëve partiake. Ajo ka pasur prurje të reja, por shumica e tyre janë fokusuar në Prishtinë. PDK tani duhet të atraktojë gjak të ri edhe nëpër komunat tjera, në përpjekje për të rritur suksesin politik në betejat e ardhëshme zgjedhore.

 

LDK: Larg Duket Kryeqyteti!

 

LDK thot se tanimë është partia e parë në Kosovë, dhe këtë shifër të fitorës duket se e nxjerrin nga përqindja e votuesëve të tyre në garën për kryetar komunash ku kandidatët e LDK-së për kryetar komune, në nivel vendi, kanë marrë më shumë vota se ata të rivalit kryesore, PDK-së. Ky fakt poashtu qëndron. Tutje, LDK shënoi fitore bindëse në Gjilan dhe mori qeverisjen edhe në disa qendra kryesore të Kosovës si në Pejë e Ferizaj. Tani, ajo do të qeverisë në nëntë komuna në vend. Por, LDK dhe mbi të gjitha, lideri i saj, Isa Mustafa, humbi në Prishtinë. A e kompenzojnë humbjen e Prishtinës, kryeqendrës së Kosovës që LDK e qeverisi pandërprerë pas luftës, e veçanërisht liderit Mustafa, fitoret në komunat tjera të Kosovës? LDK edhe nën udhëheqjen e Mustafës, përkundër premtimeve të panumërta, asnjëherë nuk arriti të çojë deri në fund reformat e shumë përfolura partiake. Disa mburren me fitoren e LDK-së nëpër shumë komuna dhe rritjen e numrit të votave që kjo parti ka marrë tani duke e krahasuar atë me numrin e votave të zgjedhjeve të vitit 2007 e 2009, duke harruar rrethanat në të cilat LDK ishte në atë kohë, veçanërisht pas vdekjes së Presidentit Rugova dhe ndarjes thuajse në dysh të partisë me krijimin e LDD-së. Me kalimin e kohës dhe rënien e përkrahjes elektorale për LDD-në, normalisht se është përmirësuar përkrahja elektorale për LDK-në. Por, edhe LDK mbetet larg prej komoditetit se do të fitojë zgjedhjet nacionale. Nuk është racionale të mendohet se votat e dhëna për kandidatët për kryetarë të LDK-së nëpër shumë komuna ku ata fituan janë domosdoshmërisht vota të LDK-së. Një pjesë e madhe e këtyre votave kanë qenë vota kundër pushtetit të deritanishëm në ato komuna. Prandaj, nuk mund të llogariten këto vota si përkrahje direkte për LDK-në edhe në zgjedhjet e ardhshme nacionale. Psh, të gjithë ata që votuan kandidatët e LDK-së në balotazh për të marrë pushtetin kundrejtë atyre që po kërkonin vazhdim të mandatit, jo domosdoshmërisht do e votojnë LDK-në në zgjedhjet nacionale. Sidoqoftë, inercioni është pozitiv për LDK-në dhe nëse shfrytëzohet mençur, ajo mund të ketë sukses në zgjedhjet nacionale. Mirëpo, edhe LDK-së i ka dale kogja punë pas rezultatit të këtyre zgjedhjeve, përtej humbjes së Prishtinës. Jo në të gjitha komunat ku kandidatët e saj kanë fituar do të mund të rehatohen të gjithë ata që llogariten, ose vetllogariten, si faktorë kyç të fitores. Pushteti rritë lakminë. Lakmia e tepërt mandej mund të çojë në prishjen e rradhëve të partisë fituese. Dhe, kjo do të ishte e padëshiruar në prag të zgjedhjeve nacionale. Andaj, LDK-së i duhet që të rigjenerohet dhe që në pushtetet lokale ku ka marrë timonin të ofrojë njerzë profesionistë, të rinj, dhe të përkushtuar për qeverisje të mirë, efikase, dhe efektive.

 

AAK: Atij Anekënd i Këndojmë!

 

AAK thot se ka shënuar rritje të konsiderueshme si parti dhe tanimë është konfirmuar fuqishëm si forca e tretë politike në vend. Ky rezultat duket se nxirret nga numri i votave të fituara në zgjedhjet për asamble komunale. Dhe, ky fakt qëndron. Tutje, AAK fitoi edhe Obiliqin dhe vazhdoi qeverisjen në Decan e Junik. Por, ajo humbi Gjakovën dhe Pejën, dy komuna të mëdha të Kosovës këto që konsiderohesh bastione të saj. A kompenzohen humbjet në këto dy komuna me fitoren e AAK-së në Obiliq dhe rritjen e numrit të asambleistëve të vet në nivel vendi? A e ka të sigurtë AAK, realisht, pozitën e të tretit në skenën politike tanimë? Rezultatet tregojnë se lavdia dhe meritat e luftës të kryetarit Ramush Haradinaj, përkundër faktit që janë pjesë e përherëshme e historisë sonë më të ndritur, nuk mund të shërbejnë tutje si kartë e sigurtë për fitore në zgjedhje as edhe në Dukagjin. Përceptimi në publik se AAK qëllim të parë dhe të fundit ka ardhjen në pushtet (veçanërisht atë qendror) përmes çfarëdo lloj matematike a koalicioni qoftë edhe me PDK-në, menjëherë pas kthimit triumfal të Haradinajt nga Haga, dëmtuan rolin e një opozitari të mirëfilltë për këtë parti. Dihet se 100 ditët e udhëheqjes së qeverisë nga Haradinaj kanë patur efektin e vet dhe vlerësohen për së mbari. Roli i tij prej në burrshtetasi që vë në vend të parë shtetin u dëshmua edhe kur ai la postin e kryeministrit dhe u vetdorëzua në Hagë. Por, partia iu dëmtua nga mungesa e tij gjatë kohës sa Haradinaj ishte padrejtësisht i paraburgosur në Hagë. Tani e tutje AAK-së i duhet të flasë më një zë të kjartë dhe solid. E ardhmja e saj do të përcaktohet nga drejtimi që partia do të marrë në përgatitje për zgjedhjet nacionale dhe roli që ajo do të luajë në komunat ku është pjesë e opozitës dhe në ato ku është pjesë e pushtetit.

AKR: Alternativa Kështu Rilindë!

AKR, e cila deri më tani nuk ka udhëhequr me asnjë komunë të Kosovës, tash e tutje e ka rastin të drejtojë dy komuna të mëdha të vendit—Gjakovën dhe Mitrovicën. AKR është fituese në garët e balotazhit sepse në të dy komunat ku ishte në balotazh, ajo korri fitore. Por, a e kompenzojnë këto dy fitore trendin në rënje të përkrahjes elektorale të AKR-së që nga themelimi i saj? AKR-në e pret punë e madhe në të dyja këto komuna. Ajo ka pak kohë që deri në zgjedhjet nacionale të vitit që po vjen të tregojë vehtën në këto dy qendra. Sidoqoftë, rastin e ka. Si partia me fokusimin më dinjitoz në program të zhvillimit ekonomik, AKR tani duhet të dëshmojë gatishmërinë e vet, përkushtimin e vet, dhe punën e ndershme që gjithëherë e ka proklamuar. Gjakova dhe Mitrovica, e sidomos Gjakova (pasi që në Mitrovicë koalicionet e para-balotazhit e veshtirësojnë punën e kryetarit të ri, i cili siç duket nuk do ta ketë shumicën në asamble) janë raste për t’i kthyer postulatet e AKR-së në punë praktike për interesa të qytetarëve. Lideri i AKR-së, ish-Presidenti Pacolli, ka vizion për zhvillim ekonomik dhe, kohëve të fundit sidomos, ka treguar një virtyt të lartë prej një politikani gjithëpërfshirës duke iu krijuar mundësi shumë të rinjëve të kyçen në skenën politike përmes AKR-së dhe me pëkrahjen e AKR-së. Partia e drejtuar nga ish-Presidenti Pacolli ka treguar vullnet për rimëkëmbje dhe shenja për rritje si forcë politike e moderuar. Prurjet e fundit në AKR janë nismë e mirë, e cila nësë vazhdon ka mundësi që t’i kontribuojë ndjeshëm rritjes dhe sforcimit politik të partisë. Intensiteti i punës në këtë parti duhet të rritet dhe assesi të bije tani duke gjetur kënaqësi në fitoren e dy komunave. Besimi se fitorja në Gjakovë dhe Mitrovicë janë “kartë e gjeblër” për zgjedhjet nacionale është i pabazë. Psh, a mendoni se të gjithë ata që i votuan kandidatët e AKR-së për kryetarë në ato dy komuna ku edhe AKR triumfoi, domosdoshmërisht do e votojnë AKR-në në zgjedhjet e afërta nacionale? Përgjigja dihet. Prandaj, kjo fitore e AKR-së është vetëm hapi i parë i rifuqizimit politik të saj. Hapat tjerë pritet të shihen në ditët dhe javët në vijim, dhe po këta hapa do të jenë vendimtarë për rezultatin e AKR-së në zgjedhjet nacionale. Nëse paria e kësaj partie e tejshijon fitoren e 1 dhjetorit, duke lënë anash angazhimin për rigjenerim dhe riorganizim të partisë nëpër të gjithë Kosovën, rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme nacionale mund të jenë jo të mira për të.

LV: Lëkundjet Vazhdojnë…

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shkuar në balotazh në asnjë komunë, pos kryeqytetit ku edhe kandidati i saj fitoi balotazhin. Të fitosh karrigën e të parit të kryeqytetit është kogja fitore. Por, a e kompenzon kjo fitore rënien e ndjeshme që Vetënvedosje ka pësuar gjithandej Kosovës në aspektin e përkrahjes elektorale? Fitora e postit të kryetarit të kryeqytetit është aq e madhe sa edhe sfida që vije me të, pasi që numrat në asamble nuk shkojnë në favor të Vetëvendosjes nëse kjo e fundit nuk bënë “pazar politik” për ndarje të pushtetit me ndonjërën ose me disa nga forcat politike të përfaqësuara në kuvendin komunal të Prishtinës. Tutje, diferenca aq e madhe në mes të numrit të votave që Shpend Ahmeti mori në balotazh dhe atyre që Vetëvendosje mori për asamble komunale janë indicator i fuqishëm i orientimit të një pjese të madhe të votes prishtinase më shumë kundër pushtetit të deritanishëm se sa pro Vetëvendosjes. Kuptohet dhe duhet të ketë qenë e pritshme se një pjesë e madhe e votuesëve të partive kryesore rivale të LDK-së, e veçanërisht i atyre të PDK-së, në balotazh do të votonin Ahmetin kundrejtë Mustafës, me qëllim të vetëm humbjen e liderit të LDK-së. Për PDK-në ka qenë, kuptueshëm, më e rëndësishme humbja e Mustafës sesa fitorja e Ahmetit apo Vetëvendosjes. Fundja, Prishtina ka një mori problemesh që jo lehtë mund të zgjidhen, e aq më pak, kur në krye të saj vije një burr që nuk e ka mbështetjen e sigurtë të kuvendit komunal. Bile, për PDK-në, fitorja e Ahmetit mund të konsiderohet edhe sikur “të vrash dy zogjë me një gur.” Pamundësia eventuale e Ahmetit, jo për shkak se i mungon profesionalizmi, dija, apo sinqeriteti e burrëria, por për shkak se mund t’i mungojë përkrahje e nevojshme politike në kuvendin komunal, për të realizuar premtimet e tij dhe programin e Vetëvendosjes në Prishtinë do t’i jepte edhe një argument shtesë PDK-së, por edhe partive tjera, për të atraktuar votuesit e Vetëvendosjes kah vetja duke bërë me gisht tek dështimet në Prishtinë. Prandaj, para Shpend Ahmetit, në veçanti, dhe Vetëvendosjes në përgjithësi gjendet një sfidë e madhe e qeverisjes. Suksesi në Prishtinë do t’i ndihmonte Vetëvendojes të ecte tutje si formacion politik, me kusht se reformohet dhe me doemos do të ndryshojë disa qendrime (psh, nuk mund të injorojë në vazhdimësi simbolet shtetërore të Kosovës, por ato duhet t’i praktikojë përditë). Por, dështimi eventual në Prishtinë do të mund edhe të dobësonte fuqishëm Vetëvendosjen.

*Faton Bislimi është studijues pranë Qendrës së Ekselencës të BE-së në Universitetin e Albertës në Edmonton dhe profesor vizitor në Universitetin Seton Hill në Penssylvania, SHBA.

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Faton Bislimi, zgjedhjet en Kosove

Parlamenti Europian voton “Pro” statusit te Shqiperise

December 12, 2013 by dgreca

Ish-kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur mbështetjen që Parlamenti Europian i dha vendimit të Komisionit Europian per ti dhene Shqiperise statusin e vendit kandidat per anetar te Bashkimit Europian.

Berisha vlerëson se vota e sotme historike në Strasburg ,eshte nje vleresim i madh per suksesin e reformave te medha e te gjithanshme te ndermarra nga Shqiperia vitet e fundit.

“Ky vendim, qe u bllokua vjet nga Edvin Rama duke mos votuar tre ligjet per te cilat ishte rene dakord, deshmon gjithashtu se ky neobllokmen vertete arriti ta bllokoje perkohesisht statusin e vendit kandidat, te shtyje me nje vit kete votim historik, por nuk arriti ta bllokoje ate perfundimisht” shkruan Berisha në fb.

Lideri i demokratëve ka shprehur mirënjohjen edheper grupin e deputetëve të PPE për votimin e rezolutës per Shqiperine. Dhe në fund ai e mbyll me një urim:

“Le te urojme ne se bashku qe me dt 17 dhjetor Keshilli i Ministrave te BE te miratoje statusin e vendit kandidat per Shqiperine!”

PD: Votimi i rezolutës nga PE, vlerësim për përpjekjet tona për integrim

Edhe Partia Demokratike përmes ish-Ministres së Integrimit Majlinda Bregu ka përshëndetur votimin e rezolutës në mbështetje të dhënies së stasusit kandidat për Shqipërinë. Në deklaratën për mediat Bregu tha se Partia Demokratike e konsideron këtë akt të Parlamentit Europian një gur kilometrik në aspiratën tonë kombëtare për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane

“Parlamenti Europian me një votim historik i tha po rezolutës që mbështet Shqipërinë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Parlamenti Europian me këtë rezolutë ka njohur përpjekjet e kombit shqiptar, të shoqërisë sonë, të politikës dhe veçanërisht të qeverisjes së 8 viteve të fundit, për arritjen e rezultateve të kërkuara në rrugën jo të lehtë të integrimit europian, duke plotësuar detyrimet e kërkuara nga Komisioni Europian për marrjen e statusit europian në drejtim të 12 prioriteteve në reformimin e administratës publike, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Në rezolutën e miratuar vlerësohet standardi i lartë i zgjedhjeve të fundit dhe tranzicioni i butë politik i realizuar nga Partia Demokratike. Po ashtu, theksohet roli i rëndësishëm që ka dhe duhet të ketë opozita në rrugën e mëtejshme të integrimit evropian të vendit.Partia Demokratike e konsideron këtë akt të Parlamentit Europian një gur kilometrik në aspiratën tonë kombëtare për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane.Partia Demokratike falenderon Komisionin Europian për nxitjen që i ka dhënë integrimit të vendit dhe punën e madhe të bërë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare, sidomos në 8 vitet e qeverisjes së PD.Partia Demokratike falenderon europarlamentarët e të gjithë kaheve politike, për impulsin dhe energjinë që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.Rezoluta e Parlamentit europian është një inkurajim për vendin tonë që të ecë më shumë në rrugën e integrimit, dhe është një lajm i mirë për stabilitetin dhe progresin në rajon.Kjo rezolutë është edhe një detyrim i ri për të gjithë ne, veçanërisht për qeverinë shqiptare, që të rrisë përgjegjshmërinë dhe efikasitetin në përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe që kërkohen për negociatat, në përputhje edhe me Rezolutën e miratuar unanimisht nga Kuvendi i Shqipërisë” tha Bregu.

Bregu vlerësoi se është një rastësi e bukur që kjo rezolutë miratohet pikërisht sot, me 12 dhjetor, ditëlindjen e Partisë Demokratike, që është në fakt partia e integrimit evropian të Shqipërisë.

Parlamenti Europian “pro” statusit, rezoluta kalon me shumicën e votave në sallë

Parlamenti Europian, i mbledhur në seancë plenare në Strasburg, votoi pro rezolutës për Shqipërinë megjithëse rrëzoi disa amendamente. Rezoluta mbështet dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqiperinë pa humbur kohë.

Në rezolutë vlerësohet progresi i vendit për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian, zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, tranzicioni i pushtetit.

Rezoluta bën thirrje për një bashkëpunim të qëndrueshëm midis mazhorancës dhe opozitës, rezultate konkrete të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërtimin e një administrate publike efikase dhe të pavarur dhe përmirësimin e sistemit të drejtësisë.

Votimi i sotëm në Parlamentin Europian është mbështetja e dytë e fortë pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Europian që i drejtohet Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian për akordimin e statusit të kandidatit Shqipërisë në 17 dhjetor.

Filed Under: Featured Tagged With: Parlamenti Europian, Pro sttausit, te Shqiperise

PD mbush 23 vjeç

December 12, 2013 by dgreca

Pas 8 vitesh në pushtet, Partia Demokratike ka festuar 23 vjetorin e themelimit në opozitë dhe pas shumë vitesh me një kryetar të ri.Ditëlindja e demokracisë dhe pluralizmit shqiptar ka mbledhur shumë miq, themelues dhe anëtarë të rinj të PD-së. Nuk mungonin as diplomatë e drejtues të lartë të politikës si ambasadorë të SHBA e BE-së por edhe ish-partnerë e kundërshtarë politikë si Ilir Meta.Ka munguar kreu i qeverisë Rama i cili këtë herë ka qënë i justifikuar me vizitën e tij të njëkohëshme në Itali.

Ndërkohë mbërritja në sallë e ish kreut të Partisë Demokratike , Sali Berisha, është pritur me ovacione nga të pranishmit

Pas një dokumentari të rrugëtimit 23-vjeçar të PD-së, Lulzim Basha, lideri i ri i partisë që solli demokracinë premtoi të ardhme të sigurtë për demokratët. Një parti më të madhe e të hapur për tu rikthyer në vendin që i takon kësaj force.

“PD lindi dhe do të mbetet përjetë forca e lirive dhe e të drejtave të njeriut, forca e zhvillimit dhe e integrimit, ppartia e interesit kombëtar, forca e shpresës dhe integrimit Europian të Shqipërisë. Në vitin e 23 të kësaj partie, kam nderin të kryesoj këtë kremtim, nder të cilin e përjetoj si përgjegjësi dhe të uroj të gjithë anëtarët e PD-së kudo që ndodhen për ditëlindjen e partisë sonë.

Kjo është një ditë për të kujtuar, për të nderuar, për të respektuar themelimin dhe themeluesit, shikojmë përpara dhe përshëndesim të ardhmen.  Duke kaluar përpara syve të mendjes Dhjetorin e përmbysjes së madhe të vitit 1990, me flamurin kombëtar pa yll në duart e njerëzve të çliruar nga robëria, me himnin e plotë kombëtar në koret e gjokseve të tyre, me dy gishtat e fitores ngritur lart, dhe me thirrjet për herë të parë në gjuhën shqipe Liri-Demokraci. Nderimi dhe mirënjohja ime ju drejtohet të gjithë demokratëve, nga i pari tek i fundit, nga më i vjetri tek më i riu”, u shpreh Basha.

Kreu i PD-së nuk ka lënë pa përmendur gjithashtu edhe disa pjestarë të familjes politike të Partisë Demokratike, të cilët janë ndarë nga jeta gjatë kësaj kohe. Basha kujtoi me mirënjohje Azem Hajdarin, prijësin dhe heroin e Lëvizjes studentore, Gramoz Pashkon, liberal-demokratin pa rekselansë dhe themeluesin e orëve të para të PD-së, Pjetër Arbnorin, “Mandelën” e Shqipërisë, simbolin e kurajos dhe urtësisë, Sokol Olldashin, nismëtarin, drejtuesin, deputetin, qeveritarin dhe opozitarin e spikatur.

Por kreu i Partisë Demokratike nuk ka lënë pa përmendur gjithashtu edhe paraardhësin e tij, Ish kreun e PD-së, Sali Berisha, të cilin e ka cilësuar si liderin historik të demokratëve.

“Demokracia shqiptare dhe Sali Berisha janë një binom i pakrahasueshem, demokratët janë krenarë për Berishën që kanë patur një lider të këtyre përmasave.”- theksoi Basha.

Kreu i PD-së, Basha tha se sfida për të hapur një kapitull të ri dhe një histori suksesi të re në PD, është e madhe, por theksoi ai, është sfida e re e PD-së.

“Kjo është sfida jonë e re, për fillimin e ri, ringritjen, ribashkimin, rikthimin si shumicë, dhe në qeverisje me ide të reja. Për Shqipërinë e zhvilluar, për Shqipërinë zonjë mes vendeve si motra.”- tha Basha, duke shtuar se kjo sfidë e re, po merr një përmasë të re, me çesjen e një Kuvendimi të madh të të gjithë anëtarësisë, për çfarë kemi bërë mirë, çfarë nuk kemi bërë mirë, dhe çafrë duhet të bëjmë me hapjen e fuqishmë të PD ndaj brezit të ri.

Ky 23 vjetor e ka gjetur PD në opozitë dhe para sfidave të mëdha përsa i përket riorganizimit të brendshëm të saj pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 23 qershorit.

 

Filed Under: Featured

Presidenti Bujar Nishani në “Tonight Ilva tare”: PRESIDENTI ESHTE MBI PARTITE

December 12, 2013 by dgreca

Emisioni “Tonight Ilva Tare”, në RTV “Ora News”, këtë mbrëmje ka patur një të ftuar të veçantë, qytetarin e parë të Shqipërisë, Presidentin Bujar Nishani./

Si e përjetuat 23 vjetorin e themelimit të PD-së? Nuk shkuat në ceremoni?

Presidenti i vendit është jashtë partive politike, edhe nga pikëpamja formale duhet të qëndrojë jashtë aktiviteteve që organizohen nga partitë politike. Unë i uroj festën PD-së. Ajo është një aset i rëndësishëm i jetës publike, poltike të vendit. Është partia e parë e krijuar pas pluralizmitnë Shqipëri.

Ju erdhi keq që nuk shkuat në festën e PD-së pasi ju keni qënë një nga përfaqësuesit më të lartë të saj?

Qëndrimi i drejtuesve të institucioneve të pavarura siçështë presidenca, nuk varet nga pikëpamja formale por nga mënyra e sjelljes dhe përmbushja e detyrimeve ligjore. Nuk do të ishte problematike vatja por unë mendoj se presidenti duhet të zbatoj me rigorozitet parashikimet që ka ky rregull dhe formalitet.

Si e shikoni faktin që PD humbi në zgjedhjet e 23-Qershorit? E kishit parashikuar këtë fakt?

Sistemi që ne kemi hyrë pas viteve 90’ është sistemi i rotacionit politik, sistemi i qeverisjes, i marrjes përsipër të përgjegjësive, I kontributeve dhe kostove që mund të kesh marrë gjatë qeverisjes. Unë mendoj se 8 vite në qeverisje në mënyrë normale mund të pritet dhe rotacioni politik

A ishte një largim i merituar?  

Gjykimi ishte i qytetarëve shqiptarë dhe askush nuk mund ta gjykojë këtë vendim. Prëderisa qytetarët vendosën se duhet të kishte rotacion ky vendim duhet respektuar. Vota duhet respektuar si kur je në mazhorancë ashtu edhe kur je në opozitë.

Si e shikoni PD tani në opozitë?

Natyrisht që ka angazhime të mëdha dhe dinamike. Së pari përgjegjësinë që ka një opozitë për jetën politike sociale dhe shoqërore të vendit, çka është detyra parësore dhe nga ana tjetër pjesën e dinamikës së jetës së brendëshme partiake të PD-së. Unë mendoj që jo vetëm ata që janë të lidhur me PD-në por për të gjithë është me interes që këto proçese të jenë të konsoliduara dhe me standartet e merituara.(Pjese nga intervista)

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Ilva Tare, presidenti Nishani

RUGOVËS I DOLI NË KRAH AKADEMIK MARK KRASNIQI SI SHENJTORI I GJALLË

December 12, 2013 by dgreca

RUGOVËS ADEM DEMAÇI T’I KËRKOJË NDJESË!/ Nga ELIDA BUÇPAPAJ/ E dëgjova me dhimbje sulmin e Adem Demaçit drejtuar Rugovës që nuk jeton më. E dëgjova me lot në sy mbrojtjen që i bëri Akademik Mark Krasniqi, njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të liderit indipendentist, i përjashtuar nga koalicioni i LDK-së menjëherë pas vdekjes së Rugovës. Më mirë se Mark Krasniqi askush nuk mund t’i dilte në krah Ibrahim Rugovës. Mbrojtjen e Rugovës nuk mund ta bënte asnjë nga lidërshipi i LDK-së ardhur postmortum Rugovës. Mark Krasniqi, si një shenjtor i lirisë mbi tokë, me të drejtë ishte plot pezm, sepse nuk e ka menduar që Adem Demaçi të shkonte deri këtu. Mirë kur Rugova ishte gjallë, por tani! Ibrahim Rugova, Mark Krasniqi, Adem Demaçi janë tre nga ikonat e luftës për liri dhe pavarësi me kompleksitetin që ka patur koha e vështirë, kur midis shqiptarëve ishte ngritur Muri i Berlinit dhe kur pushtuesi ushtronte të gjitha mjetet për të mos lejuar të ndodhte ajo që tani është realitet. Natyrisht që Ibrahim Rugova është lideri i pavarësisë. Dhe nëse pavarësia simbolizon kulmin, atëhere Ibrahim Rugova është mbi këtë kulm. Por kjo nuk e ul veprën e Adem Demaçit që ky të shfrynte mësime historie duke fyer Ibrahim Rugovën që nuk është më midis të gjallëve. Sepse ne jemi të gjithë dëshmitarë, të gjithë jemi bashkëkohës të historisë dhe e dimë se pavarësia e Kosovës ishte ideali më i paarritshëm në botë. Ibrahim Rugova, Akademik Mark Krasniqi, Adem Demaçi janë emra të ndritur që bëjnë pjesë në listën e sakrifikuesve për lirinë e Kosovës, ata që do t’ia mbajnë përherë Kosovës themelet e lirisë të forta. E dëgjova me dhimbje kur Adem Demaçi e portretizoi liderin indipendentist si „frikacak“. Ibrahim Rugova tash mbush shtatë vjet që ndodhet në botën e përtejme, në parajsë pranë Zotit, nga të paktët politikanë shqiptarë pa mëkate, jo si mëkatar, ashtu si e kanë zënë rrugën për në ferr shumica e politikanëve shqiptarë. Sa ishte gjallë, gazetat e majta të Kosovës i mbushnin për ditë faqet me sulme të paskrupullta kundër Ibrahim Rugovës, me shpifje, intriga, spekulime, sepse e dinin se, nëse rrëzonin Rugovën, betejën politike e kishin të fituar. Ndërsa ne të paktët gazetarë që mbronim liderin gandist, na etiketonin si „ekstremistë“ dhe pastaj na kërcënonin me jetë dhe e quanin veten „çlirimtarë“. Shikoni se çfarë paskrupullësie. Që do të thotë se vazhdon, përderi sa Adem Demaçin dikush e frymëzoi që ta etiketojë pas vdekjes Ibrahim Rugovën, e t’i bëjë aq dëm me fjalët e veta, vetë Adem Demaçit. Sa ishte gjallë Rugova, beteja e politikanëve të të gjitha ngjyrave ishte gjithmonë e humbur, me gjithë luftën mediatike dhe të të gjitha mënyrave kundër tij. Kur vdiq Rugova, PDK i fitoi zgjedhjet dhe hyri menjëherë në aleancë me Fatmir Sejdiun dhe LDK-ja mori të tatëpjetën, duke e lënë jetim elektoratin Rugovian. Adem Demaçi që, për nga vepra, i takon gjithë historisë të Kosovës, bën gabim kur e ndan popullin e Kosovës, i cili ka vuajtur dhe është ngritur i gjithi në këmbë për hir të idealit të lirisë. Adem Demaçi nuk ka nevojë për partitë e Kosovë. As t’u bëjë shërbim atyre, siç veproi kur e fyeu edhe të vdekur Rugovën si „frikacak“! Po kush është trim, sipas Demaçit, ata që i bënin atentat Rugovës për ta vrarë! Ata janë burracakë, frikacakë, kriminelë! Kudo qofshin i pret rruga për në ferr, sepse biletën për atje e kanë prerë me bëmat e tyre. Po Demaçi çfarë ka! Pas vdekjes të Rugovës, filluan të përfitojnë të majtë e të djathtë prej mospranisë së tij, ndërkohë që tani thonë se të gjithë kanë qenë rugovistë. Po të shihni pelegrinazhet tek varri i Rugovës, ai është vendi më i vizituar nga shqiptarët, por edhe nga mëkatarët – nga ata që ia kanë nxirë jetën Rugovës kur ishte gjallë. Ndofta janë penduar, ndofta i kërkojnë ndjesë, ndofta i luten që t’ua fali atë çka ata i punuan kur ai frymonte mes nesh. Ta dinë se Rugova i ka falur! Me një kusht, që të mos e vazhdojnë rrugën e qoftëlargut me luftue shqiptari kundër shqiptarit. Ndërsa për sulmet më të fundit që Demaçi nisi kundër Rugovës së vdekur nuk gjej asnjë sens. Adem Demaçi për vitet e burgut meriton të quhet njëri nga Mandelat e Europës. Ne shqiptarët kemi dy, Pjetër Arbnorin dhe Adem Demaçin, emrat me të cilët duhet të krenohen Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët. Po përse e nëpërkëmb emrin e vet Adem Demaçi , me gojën e vet, duke nëpërgojuar Ibrahim Rugovën? Nuk jam dakord me ata që thonë se asht plakë e rrokatë tash Demaçi. Jo, e kam dëgjuar plotë herë Demaçin kur flet ashtu si duhet, me marr mend ne të gjithë prej tij! Po çka atëherë! Qëndrimi i Rugovës, për të cilin Adem Demaçi spekulon kësaj here duke e cilësuar si frikacak, ishte vetëm në mbrojtje të popullit të Kosovës, sepse, asaj kohe, as SHBA dhe aq më pak Europa, nuk ishin të gatëshme ta mbronin Kosovën ashtu si vepruan më 1999. Deri kur Presidenti George Bush senior shpalli „vijën e kuqe“, qendrimi Amerikan ishte autonomi për Kosovën. Le të kujtojmë se tragjedia që ndodhi në Bosnje do të ripërsëritej në Kosovë, me një skenar edhe më të përkryer për shkak të homogjenitetit të popullsisë. Mua më erdhi tmerrësisht keq kur e dëgjova Adem Demaçi që bëhej mashë për ata që i pret ferri, dhe nuk e le Rugovën të prehet i qetë në parajsë, pas atyre të gjitha poshtërsive që ia punuan kur ai ishte në gjallje. Përballë lapsusit lajthitës të Adem Demaçit, Ibrahim Rugovës i doli në krah Akademik Mark Krasniqi, shenjtori i gjallë i Kosovës. Atij i kishte hije edhe pezmi ndaj Demaçit. Mark Krasniqi i doli në krah Rugovës së vdekur, sepse asnjërit nga lidërshpi i LDK-së nuk i kanë hije fjalët. Me që Demaçi na ktheu pas, e kam të freskët kohën kur, ndërsa qeveria hije e Kosovës jetonte me plot komodidete në Perëndim, Ibrahim Rugova qëndronte me familjen në Kosovën e pushtuar. Dhe i viheshin në diskutim pagesat e biletave dhe udhëtimeve në SHBA dhe Europë, ku ai lobonte për pavarësinë e Kosovës! Nuk gjej asnjë sens në sulmet e Demaçit kundër Rugovës. Adem Demaçi dha kontributin e tij si Mandela i Kosovës, i burgosur në burgjet e pushtuesit, Ibrahim Rugova si lideri Indipendentist, i cili përmes mënyrës gandiste dhe europianiste e sendërtoi pavarësinë, e ktheu nga një iluzion në realitet. Të dy i duhen Kosovës. Shqiptarofobia ishte sëmundje e Ballkanit, e cila do ende kohë të shërohet plotësisht. Pavarësia e Kosovës, lideri i së cilës është Ibrahim Rugova, ngjante si një „kataklizmë“ për mentalitetin ballkanik, pasi shqiptarët gjithmonë shiheshin si qytetarë të dorës së fundit aty ku jetonin. E Pavarësia, ky objektiv që e ideoi dhe sendërtoi Rugova me të gjithë ata që iu bashkangjitën, kërkonte burrëri të madhe, jo burracakëri. Prandaj Ibrahim Rugova ishte burrë, burrështeti! I pari në historinë e Kosovës moderne! Dhe këtë gjë e di mirë Adem Demaçi, të cilit i ka hije që t’i kërkojë ndjesë Rugovës. Mjaft u fye nga burracakët Rugova i gjallë! Nuk dua të pranoj se Adem Demaçi është burracak, sepse kam respekt për burgun e tij. Edhe Demaçi vetë, nëse ka respekt për vetë Adem Demaçin, duhet t’i lypë ndjesë Rugovës të vdekur dhe shqiptarëve të Kosovës, të cilët idealin e Rugovës e mbajnë në shpirtrat e tyre gjithnjë të gjallë!

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, Rugova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 792
  • 793
  • 794
  • 795
  • 796
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE
  • ALBANIAN HERITAGE BOOKSHELF INITIATIVE
  • Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne
  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT