• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptaret dhe Albania e Kaukazit

August 25, 2013 by dgreca

Shkruan : Aleksander Meksi/

Në këto 100 vjetët e fundit kur historia shumë shpesh është në shërbim të politikave afatshkurtër, ajo është keqpërdorur sidomos në Ballkan, ku interesat e shteteve të krijuara më përpara nëpërkëmbin ato të popujve fqinj. Nuk kursehen në këtë betejë, gjithnjë të humbur pa e nisur, për të përdorur “teza”e “argumente historike”, për të ngritur teori dhe rivendikime territoriale në dëm të të tjerëve.

Një teze e tillë është ajo mbi ardhjen e shqiptarëve nga Kaukazi, diku nga shekujt X-XI meqenë se athere përmendemi për herë të parë me emrin albanoi-arbanoi në trojet e sotme në burimet bizantine. Përgjithësisht historiografia shqiptare dhe jo vetëm ajo, e ka refuzuar këtë pseudoteori në mënyrë intuitive pa i hyrë në brendësi të dhënave historike që lidhen me albanët e Kaukazit. Për ne, me të drejtë ka mjaftuar teza e prejardhjes ilire dhe autoktonia e shqiptarëve, vazhdimësia e gjuhës dhe të qenit e saj indoeuropiane, që vërtetohet nga shumë disiplina.

Pavarësisht nga sa shprehëm më sipër na u duk me interes të hetojmë kush janë albanët e Kaukazit, ku jetonte ajo popullsi, pra ku shtrihej shteti i tyre, çfarë thotë historia për ta,gjuhën e tyre dhe cili ishte fati historik i tyre.

Përmendja e parë e tyre është në betejën e Gaugamelës në vitin 331 para Krishtit kur ata u reshtuan së bashku me persët kundër ushtrisë së Aleksandrit të Madh. Ata përmenden si një popull pranë Armenisë dhe Iberisë (Gjeorgjia), pra si një entitet politik i rëndësishëm i rajonit të Kaukazit. Për ta ka përmendje të vazhdueshme ndër burimet greke dhe romake por dhe ato armene, bizantine, arabe nga shekulli i I-rë deri tek shekulli i VIII-të e më vonë. E megjithatë për këtë popull njihen pak gjëra. Ka pak dëshmi gjuhësore, pak të dhëna arkeologjike (Mingeçam-Azerbajxhan). Në se kanë patur një leteraturë ajo sot është e humbur, kanë mbijetuar vetëm alfabeti dhe pak mbishkrime të fragmentuara e që presin zbërthimin.

Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit janë kryer mjaftë studime për këto probleme dhe në përgjithësi për historinë e gjuhët e popujve antikë të rajonit të Kaukazit, të nxitura edhe nga probleme territoriale ndërmjet shteteve të krijuara rishtas pas viteve ’90. Po kështu ndërkohë janë botuar në disa gjuhë burimet historike si dhe janë studiuar ato në mënyrë krahasuese dhe të përbashkët . Po ashtu nuk mungojnë monografitë për historinë e vjetër të popujve të Kaukazit dhe po aq për albanët.

“Çuditërisht” në të gjitha botimet e burimeve dhe studimet për rajonin, dhe në mënyrë të veçantë në ato për albanët dhe Albaninë e Kaukazit, askush, dmth. as dhe një studiues nuk merret dhe as nuk i ka shkuar në mendje që të gjejë lidhje ndërmjet tyre dhe shqiptarëve, sepse ato as që ekzistojnë. Albanët e Kaukazit, si një popullsi dhe shtet pëmenden gjithnjë krahas armenëve dhe iberëve (gjeorgjianët) me emra të ndryshme sipas gjuhës së burimeve : greqisht-alvania; latinisht-albania; armenisht-aluank; gjeorgjianshe-rani; siriane-aran; medo-persisht-ar(r)an; arabisht-arran. Eshtë me interes e dhëna e Stefan Bizantinit i cili thotë se ata janë arianoi, me sa duket termi fillestar aran, prej nga nën influencën e armenishtes kemi alvan-aluan prej nga rrjedh greqishtja alvanoi.

Për gjuhët e popujve të Kaukazit Straboni thotë se në qytetin tregtar Dioskuride (Suhumi i sotëm) fliteshin 70 gjuhë sepse aq tribu bënin tregëti aty, shifër që tjerë e shpien në 300 e më tej akoma udhëtari arab al-Masudi thotë se janë aq shumë popuj që vetëm zoti mund ti numëroj. Për albanët Straboni (Libri XI,4) na tregon se kanë një mbret por që janë 26 grupe etnike me gjuhën e vet secili, dhe se ata nxjerrin nën armë 60000 këmbësorë dhe 22000 kalorësa (me kaq përballën Pompeun). Sot aty fliten gjuhët indoeuropiane, altaike, semitike e kaukaziane (me shumë nëngrupe, një prej të cilëve gjuhët lezge). Për gjuhën e albanëve kemi alfabetin me 52 shkronja, pak mbishkrime, emrat e muajve, fjalë jo armene në historitë e herëshme të armenëve (shek. VII-X), nga të cilat rezultojnë elementë të gjuhës me studimin e të cilave gjehen lidhje me atë të Gargark-ve, duke e futur kështu në grupin e gjuhëve lezge dhe i gjehen lidhje me gjuhën e sotme të etnisë Udi që banon sot në dy fshatra: Vartashen dhe Nidzh, jo shumë larg vendbanimit ku janë bërë gërmimet arkeologjike të sipërpërmendura dhe janë gjetur mbishkrimet e gjuhës albane.

Ndër dëshmitë e vjetra kemi “Historinë e Armenëve” të Moise Khoren-it ku përmenden faktet e njohura për Aluan – Alvank, si dhe që në kohën e perandorit Theodos (fundi i shek. IV), Mesrop Mashtoc shkon tek Iberët dhe ju krijoi shkrimin, pastaj tek Alvanët pranë mbretit të tyre Arsralen dhe peshkopit Jeremia ku me ndihmën e përkthyesit Beniamin krijoj për ta shkronjat për këtë gjuhë të Gargarat’si, guturale, të ashpër, barbare, të ngjirur. Të njëjtat të dhëna jep dhe historiani i shekullit VII Movses Kalankatuaci, në veprën e tij “Historia e Aluank”, shkruar në shekullin VII dhe vazhduar në shekullin X nga Movses Daskuranci (mundet kryeprifti i Aluank).

Përsa i përket territorit të fiseve të ndryshme (në antikitet ishin 26) që përbëjnë albanët (aluank) ai shtrihej sipas të dhënave të shumicës të burimeve historike nga shpati jugor i pjesës lindore të vargmalit Kaukaz deri në lumin Kurr që derdhej në detin Kaspik duke patur në jug (në territoret në krahun e djathtë të lumit) Armeninë dhe në perëndim Iberinë. Gjatë shekujve shteti i tyre ka patur shtrirje edhe më të madhe, duke u përfshirë në territore të Armenisë dhe të tjera. Sot këto territore gjeografike bëjnë pjesë në Azerbaixhan.

Së fundi duhet të flasim për fatin historik të Aluanëve (Albanëve të Kaukazit). Ata dalin që në fillim si një etni e rëndësishme në rajon dhe si një bashkëbisedues i rëndësishëm për romakët, të cilët kuptuan aspektin më karakterizues të tyre si njerëz të kufirit ndërmjet sub-Kaukazisë dhe nomadëve të veriut (Hunët dhe Skithët), çka kontribuoi për dhënien e një rëndësie vendit të albanëve, në kontaktet e perëndimit me vendasit. Këto kontakte filluan me grekët dhe vazhduan me Romën, Bizantin dhe persët, që ndërkohë zvogëlonin vendin e Albanëve (Aluanve) në rajon, për t’u pasuar me arabët, me të cilët merr fund pavarësia e tyre që shënon dhe fillimin e një procesi ende të paqart për studiuesit, atë të çthurjes dhe tjetërsimit kulturalo-etnik që do t’i zhduki ata si komb nga hapësira e Kaukazit dhe nga skena e Historisë. Persët e sidomos arabët krijuan njësi administrative më të mëdha në të cilat albanët me gjithë rolin parësor të tyre nuk qenë në gjendje të afirmohen si komb përtej territorit fillestar të tyre. Në këtë mënyrë shtrirja e nocionit gjeopolitik Aluan-Alban nuk u pasua me mbijetesë në kushtet e pranisë së presionit apo shtytjes ideologjike-kulturore arabe.

Nga kjo tablo kuptohet se nuk ekziston as lidhja më e vogël ndërmjet shqiptarëve (albanitë-arvanitë) me aluanët (albanët e Kaukazit). Lidhja e tyre ka qënë dhe mbetet e sajuar apo e kërkuar dhe keqdashëse. Aq më tepër kjo, përderisa as dhe një, përsërim këtë, studiues i Aluanëve dhe i popujve të Kaukazit, gjatë më shumë se një shekulli nuk i ka shkuar në mendje për një lidhje të tille sepse realisht ajo absolutisht nuk ka ekszistuar.

Filed Under: Featured Tagged With: albania e kaukazit, aleksander meksi, shqiptaret

“Muzgu”-shpreh bardhësinë e një mëngjesi

August 25, 2013 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/

Ardhja në jetë e një gazete kulturore është shenjë e mbarësisë se një komb po ndryshon . Ndonëse ballina e parë e saj ka të shënuar:” Muzgu”, në të vërtetë ajo shpreh bardhësinë e një mëngjesi,dritësimin e tij.

“Muzgu” erdhi në një kohë kur nuk e prisnim, kur bollëku i krijuesve shqiptarë arriti pikun. I gjithë ky shpërthim shpirtëror derdhej “badihava” dhe vetëm pushtonte medien sociale. Ky prodhim i begatë ,(një poet ka thënë :E varfër sofra, i pasur shpirti,) nuk merrej në duar në formën e kahershme të saj, siç është ajo e printuar. Në kushtet kur varfëria ekonomike po rrënonte çdo ditë bizneset,askush nuk mendonte më për të sjellë në jetë në një variant të printuar dhe e gjithë kjo prurje e madhe në dhjetëra faqe të kësaj gazetë kulture. E kësaj kohe,”Muzgu” është shenja e parë e një agimi polar.

Ardhja e “Muzgut”
Në përmasat e kohës,kur erdhi në jetë u gjet në një terren të përshtatshëm, gati prush e flakë mund të quhet në gjuhën jugore. Një “kohë e urie”,për shpirtin varfanjak,ndihej mungesa e një mediumi të fuqishëm e pa ndikim partiak. Një gazetë e këtij lloji , do përhap një traditë dhe rrugë-nisi me të vërtetë një traditë të bukur .Ishte llohë dimri, gjithsesi kur u bënë përpjekjet e para nuk mbetet shumë përcaktuese stinë-ardhja . Rëndësi përbënë, që në jetën e një kombi u shfaq,lindi ose erdhi një medium i ri që do të flas veçse me letërsinë ,artin,kulturën .Ardhja e saj është si kohë-pritja e zonjës mëmë për të birin, malli i nuses për burrin,malli i të atit për fëmijën.
Ndoshta ajo nuk erdhi me të qara me zhurmë si çdo ardhje në jetën tonë,por e ëmbël,e ngrohtë,befasuese,frymëzuese.Kështu një ditë ,nën ngjyrën gri të kohës,nën erën e zhurmshme të politikës(fushata elektorale e23 qershorit) ,por pa e ndryshuar grafikën e ekzistencës së saj,u ngjiz një medium që do të punojë me financat e veta për kulturën tonë. Kështu një muaj më parë ,”diagrami i kulturor”, pësoi një lëvizje jashtë të zakonshmes,ishte tregues domethënës,për shpirtra,që hapësira kërkonin,a ndoshta më bëhet ta quaj një soj eklipsi , por i hënës .Kështu ardhja e saj ishte shenjë paralajmëruese e mbarësisë ,ishte ardhja e një “dallëndyshe “në strehën tonë.

Kohë pritja

Klubi i shkrimtarëve në Vlorë mbanë emrin e Petro Markos e ka pritur mirë këtë ardhje të re. Disa nga risitë e “Muzgut” janë:ka shumë faqe. Aty prezantohen një numër i konsiderueshëm poetësh dhe shkrimtarë. Ka rubrika të reja si tregimi,përkthimi,poezia,analiza, editorial etj.
Mirëpo si çdo fillim krijesa e re kërkon rrugët dhe shtigjet për të hyrë në treg fuqimisht . Gazeta “Muzgu’ në botimet e saj po tregon se tregu do të mbetet i saj. Faqet e shumta,prezantimi numrit të madh të krijuesve po tërheq krijuesit edhe lexuesit.Kjo tregon se simotrat e saj që gjenden në treg e kanë ngushtuar rrethin e tyre duke u fokusuar tek një grup i caktuar krijuesish. Përkundrazi bënë një prezantim të fuqishëm dhe krejt ndryshe” Muzgu” është e hapur për të gjithë krijuesit .”Muzgu” nuk ka censurë. “Muzgu” nuk është indiferentë karshi krijimtarisë tuaj. “Muzgu” është një portë ku krijuesit do ta gjejnë gjithmonë hapur. “Muzgu” nuk mban drynë dhe mëri partiake. “Muzgu” nuk bazohet tek pushteti, por tek krijimtaria. Te “Muzgu” do të gjeni- shkrimtarin me emër dhe autorin e ri. Përball lexuesit. Gjykon cilësia dhe lexuesi .“Muzgu”,erdhi në të vërtetë ose më saktësisht në” kohë muzgu”, për të ndritur krijimtaria. Kjo është gazeta ,tregut i ka munguar prej kohësh.Risit dhe traditat që po ndryshojnë kaq befasisht e çmendurisht,po shembet përpara teje si një ngrehinë e tërë,shkrumb e hi,ajo pjesë e asaj gjenerate, që sollën letrat shqipe në këto lartësi dhe tani ky brez plot nur e hire,ëmbëlsisht si mjalti, bukurish si bukuria,që duken se ’po na mërijnë siç i prisnim.

 

Filed Under: Featured, Kulture Tagged With: bardhesi e mengjesit, Gezim Llojdia, muzgu

IKJA E DYTE

August 24, 2013 by dgreca

NGA ROZI THEOHARI/ BOSTON/

Dardharët dhe Amerika. Babai “amerikan”, që aq shumë problem biografie hapi nën diktaturë, i dhuroi shtetësinë familjes së autores, që në fillim në viteve 90-të. “Vala e dytë” e emigracionit, këtë herë me avion, përzihet me një jetë kujtimesh të pashlyeshme Rozi Theohari, BostonEthet e nisjes për në Amerikë… Udhëtimi për herë të parë me aeroplan… Përgatitje valixhesh…acarim nervash… Mërzitje… rendje poshtë e përpjetë nëpër zyra e noterë…Isha kaq e dhënë pas gjithë këtyre, sa nuk e kuptova si erdhi nata e parafundit në apartamentin tonë të vogël, në Tiranë. Hyrje-dalje miqsh, kushërinjsh, krushqish, komshinjsh. Kulmi arriti në aeroport kur erdhi një tabor njerëzish për të na përcjellë. Një mikeshë plakë e familjes sonë më pyeti, e fundit: “E di amerikançen?”, pyetje që më solli një buzagaz të vogël tek hipja shkallët e aeroplanit në Rinas. Por zbrita buzëplasur në aeroportin e Zyrihut, kur, veç çantave të mia të rënda, u detyrova të ngarkohesha edhe me një çantë të një bashkudhëtareje nga Tirana, e cila udhëtonte vetëm. Gruaja tiranase, e mbingarkuar me çanta, e pa pisk punën e filloi të bërtiste mes grumbullit të njerëzve që prisnin të posaardhurit, përtej parmakëve. “Po si s’u duk ndonjë shqiptar, që të na ndihmojë?! Ja, ti je shqiptar, -i tha ajo njërit prej tyre, – eja na ndihmo.” “Nga e di që jam shqiptar?”- pyeti ai i habitur. “Nga fytyra,- foli ajo me zor,- jemi një racë!” “E po, unë kam tridhjetë vjet në Zyrih e po mundohem të mos dukem si shqiptar, ju, për një sekondë e zbuluat të fshehtën time,” – tha ai. Dhe na ndihmoi mjaft. Quhej Qemal. Udhëtimin e dytë të gjatë me aeroplan, me linjën Swissair, e bëra natën nga aeroporti i Zvicrës, në aeroportin Logan të Bostonit. Ulur pranë dritares së avionit shihja përjashta si në boshllëk errësirën ngjethëse dhe nuk mund ta imagjinoja se sa shpejt kalonim mbi kufij shtetesh përsëri e përsëri, ose mbi dete dritash të qyteteve të mëdha evropiane ku mund të dalloje paralelet e rrugëve dhe vertikalet e kolonadave të ndërtesave shumëkatëshe. Dhe një zë i brendshëm, përkëdhelës e nanuritës, s’pushonte së mërmërituri se aty poshtë ekzistonte çdo gjë që kishte kuptim e lidhje me jetën tënde. Aty zhvillohej historia e njerëzimit, aty dëgjohej muzika e poezia, aty bëhej dashuri e lindej fëmija, rridhnin lot gëzimi e trishtimi, luhej me fatin…Atje poshtë ëndërrohej. Ndërsa lart, tek ndodhesha unë, ndoshta ëndërrohej më shumë por edhe kujtohej, reflektohej, imagjinohej… Tok me familjen tonë udhëtonin edhe një çift pleqsh me djalin e tyre i cili, pasi kishte punuar disa vjet në Kuins, Mass, kishte blerë një shtëpi e tani po kryente atë që në gjuhën e dokumenteve quhet “bashkim familjar”. Plaku, nga që s’dëgjonte mirë, fliste me zë të lartë e dukej sheshit se çdo fjalë e tij shkaktonte plagë në zemrën e të birit. “Baba, të shikosh sa shumë do të të pëlqejë shtëpia dhe bahçja me pemë…” “Eh, mor bir,- rënkonte i ati,- s’më hyn në sy asgjë…unë jam një rrënjëdalë…ja ç’jam unë tani…!” E shpërqëndruar dhe e ngurosur siç isha, truri im ngjante me një kamera fotografike të parregullt, që i nxjerr figurat kokëposhtë, të dubluara e fluide. Përfytyroja dhe e krahasoja plakun me një pemë me rrënjë të shkulura dhe shkoja më tej me fantazinë, duke e mbjellë drurin me degët thellë në tokë, kurse trungu i cungët e rrënjët e përhapura lart në ajër dridheshin frikshëm nga era ulëritëse e shkurtit dhe dukeshin si duar që i jepnin munxet superqiellit. Se ishte natë shkurti ajo e udhëtimit tonë, që dukej se s’do të mbaronte kurrë dhe unë, më tepër se për veten time, mendoja për plakun ulur para meje, i cili nuk do të kthehej më kurrë në qytetin e vogël të lindjes. Ashtu siç nuk ishin kthyer baballarët e gjyshërit tanë. Dhe tani po shkonim ne, brezi i dytë dhe i tretë t’i zëvendësonim, t’i kërkonim e t’i vizitonim nëpër varret, kushedi se ku e nga I kishin…Si gjysmagjeli i përrallës, po vinim të gjenim gjysmën tjetër të babait e të gjyshit. Ik…ik…e s’ka! Një ikje nga gjithçka e përtej gjithçkaje. Kujtimet. Ato të lënë pa gjumë, qofsh edhe lart në aeroplan… Ding-danget e këmbanës së kishës së fshatit çdo të shtunë pasdite lajmëronin ardhjen e postës nga qyteti. Ne fëmijët, tufa-tufa e veç e veç, ngjitnim me një frymë të përpjetën e lodhshme të rrugicave me kalldrëm, deri sa mbërrinim në sheshin e shkollës ku ndaheshin zarfet e mezipritura. Me imagjinatën time prej fëmije ushqeja ëndrrën e më pëlqente të besoja se Zoti ndodhej në Amerikë që të mbronte babanë dhe gjyshin. Kështu, sa herë që binte të shtunave këmbana e kishës, më dukej se dëgjoja zërin e babait që kumbonte me tinguj të vazhdueshëm, metalikë e pulsues: “Të dashurit e mi, jam mirë, jam mirë…”. Ne shtyheshim përpara shkallares së gurtë dhe prisnim me padurim, duke parë zemërdridhur postierin që i nxirrte zarfat nga çanta një nga një. “Plikot” nga Amerika dalloheshin menjëherë nga vijëzat dekorative kuq e blu rreshtuar paralelisht në buzë të zarfit bojë qielli. Frymëmarrja jonë mbetej pezull deri sa dëgjonim emrin e nënës apo të gjyshes. Pastaj, me letrën kuq e blu që e valavitnim në erë si flamur, zbrisnim të tatëpjetën po me shpejtësinë e ngjitjes, hapnim portën, turreshim gjithë gëzim tek ndenjësja e drunjtë në oborr, ku ishin ulur në pritje gratë e mëhallës, nëna e gjyshja fytyrëvrerosura. Sepse rëndom, zarfi sillte lajme të këqia për të gjallët e për ata që s’ishin më…Iku filani…Iku dhe i ati i filanit…Zoti i ndjeftë…!” Gjyshja psherëtinte gjithnjë kur thoshte: “Na ikën burrat me këmbët e tyre e do të na kthehen brenda në zarf!” (Zarfi që lajmëronte vdekjen ishte i bardhë me kornizë të zezë.) Pikëllimi. Jehona e largët dhe e afërt e lotëve të dhembjes së shpirtit me tërhiqnin me forcën e rëndesës e më zbrisnin poshtë në tokë. Disa ditë para se të merrnim udhëtimin e gjatë, shkuam për vizitë në shtëpinë e një familjeje devollite, miq të njohur prej vitesh, të ngushëllonim për vdekjen e papritur të djalit të tyre në Kaliforni…Hodha sytë edhe një herë përtej dritares së aeroplanit, në sfondin e errët ku zbardhonte fytyra ime e pasqyruar në qelq. Ndërkohë stuardesa po shpërndante pije freskuese. Plaku kërkoi raki. Poshtë ndenjëses sime mbaja një çantë me shishet e rakisë, xhezven dhe filxhanët e kafesë, sende të lidhura pazgjidhshmërisht me vatrën e zjarrit të shtëpisë. Aty, në hirin e oxhakut ku ka rënë loti i parë i nënave tona, ku është pjekur kulaçi i bardhë e ku është ngrohur e tharë qengji i porsalindur…Shishet me rakinë e kumbullës na i kishin dhuruar dardharët. Pikën e kazanit. Plaku këmbëngulte për rakinë. Kërkova me duar nëpër çantë dhe nxora një shishe. Ia hoqa tapën dhe aroma e njohur prej vitesh e atij lëngu të bekuar më ringjalli. Ia zgjata shishen të birit, ndërsa vazhdoja të mbaja tapën në dorë, që s’ishte tjetër veçse një koçan misri. Për të mbyllur shishet me raki ne dardharët përdornim koçankat e thara të misrit, të cilat i prisnim në copa të vogla. Vjeshtës, kur shkoqnim misrin, vendosnim përtokë një tepsi të madhe me kallëpe misri dhe mblidheshim të gjithë rreth e rrotull, të mëdhenj e të vegjël, fërkonim së bashku dy kallëpe, nga të cilët njëri shkoqej. Bënim shakara, hidhnim romuze e shkoqeshim në muhabet. Ndërsa përjashta, prapa derës së madhe prej druri në oborr, qëndronte e varur një torbë leshi e mbushur me kripë—në roje e gatishmëri. Në rast rreziku e largimi të shpejtë nga fshati, banorët rrëmbenin vetëm torbën me kripë e vraponin të fshiheshin në pyll. Aty zienin barishte me kripë për të mbajtur shpirtin gjallë. Migracion ose migrim. Një term (një fjalë e ngarkuar emocionalisht) që përdoret për të emërtuar lëvizjen e njerëzve në botë. Migrim i pavullnetshëm – skllevërit. Migrim i vullnetshëm – ne, emigrantët. Ne, unë motra e dy vëllezërit po i afroheshim ngadalë hotel “Dajtit” në Tiranë, në një ditë maji të vitit 1991. Ambasada amerikane në ditët e saj të fillimit, ende pa ndërtesë, përdorte hotel “Dajtin” për banim e zyra. Ambasadori amerikan në Shqipëri, zoti Ryerson, i sjellshëm e i buzëqeshur, jo vetëm që na priti ngrohtë, por u interesua e na pyeti gjatë për familjen tonë, mbasi ishim ndër të parët shqiptarë që paraqiteshim në zyrën e tij për t’u bërë qytetarë amerikanë e për t’u pajisur me pasaporta amerikane. Vëllai i madh nxori nga xhepi numrin e social security (soushell sikjuriti) të babait tonë, i cili kishte vdekur para dy vjetësh në Detroit, USA. Ai baba, të cilin e kishim sharë nën buzë gjatë jetës sa e sa herë që nevojitej të plotësonim dokumentet e biografisë sonë për në shkollë, për zyrat e kuadrit etj. Dhe, po nën buzë, tani po e falenderonim. Zoti Ryerson, që nuk kishte sekretar, i plotësoi vetë formularët për ne të katër dhe së fundi, pasi i firmosëm, na kërkoi të ngrinim lart dorën e djathtë e të bënim betimin. Betimin për t’u bërë nënshtetas amerikanë, në një nga sallonet luksoze të Dajtit! Aty ku, pak kohë më parë, të zinin ethet vetëm po të përmendje emrin “Amerikë”, qoftë edhe duke ecur në trotuarin përballë. Ironi e fatit! Dolëm të katërt nga hoteli, më tepër të hutuar sesa të gëzuar. U ulëm në një kafene për të mbledhur veten…mendimet tona të çakërdisura. Ishim rreth një moshe mesatare. Motra nxori nga çanta e na tregoi syzet “plus 1” që kishte blerë atë ditë. Pastaj e gjithë biseda u përqëndrua te babai, i cili nuk ishte më, por ne dëshironim me gjithë shpirt që ai të rronte akoma. Si me një palimpsest ai kishte shtrirë duart që nga toka e largët tej Atlantikut për të na marrë në gjirin e vet. Filluam të tregonim kujtime nga jeta e tij, aq sa dinim nga letërkëmbimet apo sa kishim dëgjuar nga të tjerët. Ëndrra të varura në direkët e vaporit. Babai erdhi në Amerikë qysh kur ishte 12 vjeç, me 1916, bashkë me xhaxhanë. I kishin qepur një pallto prej batanije të leshtë, blu me vija gri. Kur lundrimi po merrte fund dhe vapori po i afrohej Nju-Jorkut, ai zuri të vraponte e të bërtiste nga gëzimi mbi kuvertë, me sytë e mbërthyer drejt horizontit. Emigrantët u ngritën në këmbë, veshën palltot e rënda dhe nxituan te parmakët të vështronin tokën e re: “Ja ku është, ja, Amerika!” Kur dalloi Statujën e Lirisë, në kulmin e entuziazmit, djaloshi e zhveshi pallton dhe, me tërë forcën e krahut, e vërviti në oqean. “Ç’bëre ashtu, more bir?- e qortoi xhaxhai.- Në xhepin e palltos kishe dokumentet!” Por palltoja, për fat, ishte penguar në një nga direkët e vaporit. Ajo mbeti aty e varur per disa çaste, e lëkundur nga era, duke tundur mëngët, sikur donte të përshëndeste token e kërkuar. Aty ishin varur shpresat e babait, që rrojti e punoi gjatë, rëndë e me mundim në atdheun e tij të dytë. Ato mëngë të vogla palltoje ishin një mesazh përcjellës e mikpritës. Si njw rreth vicioz – shkuarje e kthim në të dy anët e Atlantikut…Efti duhej të kishte qenë vajzë e zgjuar kur, pasi u martua, nga fillimi i shekullit të kaluar, iu ngjit të shoqit nga prapa, kapërceu oqeanin dhe erdhi edhe ajo në USA. Nga një vajzë fshatare, bijë kasapi, që shkonte derë më derë e pyeste, “Doni mish?”, Eftikija në Amerikë u bë zonjë e madhe, ashtu siç e kishte ëndërruar. Dhe ajo e tregoi këtë kur erdhi disa here në atdhe, aty nga vitet’ 50. Ajo e zgjidhte muajin e vizitës në qershor, kur korija e fshatit të saj të lindjes uturinte nga kënga e bilbilave dhe kur qengjat e pjekur në hell kishin mishin më të shijshëm. Ajo u “takste” bashkëfshatarëve 200 dollarë peshqesh për piknikun e përbashkët në pyllin e ahut gjethenjomë. Ta pret mendja, fshati boshatisej nga frymorët, aty dhe të sëmurët e pleqtë e moçëm i transportonin me batanije që i mbanin katër veta për cepash. Pylli oshëtinte nga kënga e djelmoshave të rinj që u binin kitarave e mandolinave. Qengji e kukureci vërtiteshin në hell ashtu siç vërtitej vallja dardhare e ndarë në tri rrathë bashkëqendrorë: rrethi i plakave, i nuseve dhe i vajzave të reja. Ftohej edhe Efti në valle, në rrethin e nuseve, sigurisht, sepse në rrethin e plakave, ku ndodheshin moshataret e saj, ajo stononte me fytyrën e freskët si lule top dëbore. Dy veta dalloheshin më shumë në këtë festë mbarëfshatare: prifti, që vishte rrobat më të shkëlqyera të kishës, dhe zonja Efti me një kapele të kuqe mëndafshi sa një tepsi në kokë dhe fustanin po të kuq, zbukuruar e mbërthyer me kordele, perla e karfica të ndritshme. Efti tundte e lëvizte byzylykët e artë në duart tërë unaza e manikyr, ndërsa dardharet e lodhura nga punët e bujqësisë, të vetmin byzylyk kishin nyjen e tërkuzës, me të cilën ngarkoheshin disa herë në ditë. Prandaj Efti binte në sy mahnitshëm mes tyre. Me Eftin, ashtu si dhe me soap opera-t, Amerika e kishte kryer shumë mirë punën e vet për të reklamuar mënyrën amerikane të jetesës dhe për të ushqyer ëndrrat e fantazitë e të rinjve që e kanë lakmuar gjithmonë tokën e premtuar. Vite më vonë, një shoqja ime amerikane me origjinë nga Suedia, më tregonte se stërgjyshërit e saj, kur emigruan me 1840, ishin të bindur se në Amerikë bari jeshilonte në të katër stinët, ndërsa nëpër rrugët e qyteteve të Amerikës do të gjenin plot florinj. Një karem i mirë për të ndjellë…njerëz. Ja cila ka qenë pasuria më e madhe e Amerikës në të gjitha kohërat – njerëzit, emigrantët, të cilët kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë mrekullira me fuqitë e tyre fizike e mendore, kur u hapet rruga e suksesit. Stuardesa ndali hapat pranë nesh dhe pyeti: “Doni peshk apo mish?” Prapa saj qëndronte një karrocë e ngarkuar me pjata me gjellë që avullonin shijshëm. Ngrita kokën, vështrova sytë e saj të lyer me rimel e m’u duk se pashë Eftin. Litari, sinonim i femrës fshatare. Zgjatimi i trupit, gjymtyra e pestë e gjyshes, vajzës, mbesës. Burrat mbetën kurbetit, gratë në ditë të sikletit! Ja si këndohej nëpër dasma: Këto nuset e Dardhës veshur me xibuna, Ç’e shuan të ritë e jetën pa burra! Ameriqi, e shkretë Ameriqi, Na i veshe nënat me fustan të zi, Na i le nuset me duar në gji! Teto Viqja e porositi burrin në letër t’i dërgonte nga Amerika një litar të mirë për t’u ngarkuar me dru. I shoqi s’e kurseu, por i dërgoi dhjetë pashë litar të bardhë, të dredhur bukur e të fortë. Por tetos i vinte keq ta përdorte dhe vazhdonte të ngarkohej me litarët e vjetër copa-copa e gunga-gunga. Kur vdiq, teto Viqes i gjetën në sëndykun bosh vetëm litarin e ri amerikan, të cilin e përdorën për ta lëshuar qivurin në gropë. Aty mbeti dhe litari… Po i afroheshim kontinentit amerikan milje pas miljeje. Në ekranin e madh të televizorit diktuam imazhin e aeroplanit tonë i cili me lëvizjet e ngadalta të amebës, la pas oqeanin e tani po fluturonte mbi brigjet shkëmbore të shtetit Mein. Tej dritares, në vijën e hollë rozë të horizontit, që ndante qiellin gri nga oqeani shkumëbardhë, na përshëndetën rrezet e para të agimit. Mirëmëngjes, Amerikë! Toka e indianëve, e pelegrinëve, e amerikanëve dhe e ëndrrave! Të shoh për herë të parë e të përshëndes nga qielli! Mbas një udhëtimi të rehatshëm, ndërsa stuardesa na zbraz në filxhanë kafe të ngrohtë, të fortë e aromatike, unë imagjinoj udhëtimin e parë të evropianëve më 1620, me vaporin e vogël “Mayflower” aty poshtë, mes valëve të tërbuara të oqeanit që e vërvitin e luajnë me të si me një lodër. Më ngjethet mishtë e mbushem me mornica kur më dalin para sysh figurat e pelegrinëve mbi kuvertën e anijes, me ato pelerinat e tyre të fryra e të gufuara nga era e ftohtë e Atlantikut. Më vijnë ndër mend disa vargje që kam përkthyer nga poezia “Imigrantët”, të cilën poeti i madh amerikan Robert Frost e ka shkruar nergut për udhëtimin e parë të “Mayflowerit”. Tjetër vapor nuk gjen apo avullore Të ketë mbledhur kaq shumë njerëz-mizëri, Me ëndrrat e tyre pelegrinët drejtonin “Mayflowerin”, Eh, anijëza nuk iu nda ankthit njerëzor Deri sa i nxori të gjithë në breg…me zor…! “Mirëmëngjes!”- na përshëndeti ekuipazhi i aeroplanit dhe na uroi mirëseardhjen në kontinentin e ri. Plaku gjatë natës, e kishte përgjysmuar shishen e rakisë. Ia dhashë ta merrte me vete. Po të vijmë zemërvrarë për tokën tonë, e për jetën tonë që lamë pas…Por po vijmë edhe plot ide, energji e shpresa… Mirëmëngjes, Amerikë! –

Filed Under: Featured Tagged With: Ikja e dyte, Rozi Theohari

AMERIKA PO ANALIZON GJENDJEN NE SIRI

August 23, 2013 by dgreca

Presidenti Barack Obama thotë se mundësia që Siria ka përdorur armë kimike kundër popullit të vet ka përshpejtuar procesin e kristalizimit të një përgjigjeje amerikane. Presidenti përballet me një numër të kufizuar opsionesh:
Në një intervistë të enjten për rrjetin CNN, presidenti u shpreh se nëse regjimi sirian ka përdorur armë kimike, kjo do të përbënte një incident tepër shqetësues:
“Ne ende po mbledhim informata për këtë incident specifik, që është tepër shqetësues”.
Zoti Obama tha se situata kërkon vëmendjen e Shteteve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar. Por ai shtoi se Amerika duhet ta mendojë thellësisht këtë përgjigje, duke paralajmëruar se ngutja drejt vendimeve të shpejtuara nuk jep përfundime pozitive:
“Duhet ta analizojmë situatën në mënyrë strategjike për të marrë vendime që u shërbejnë interesave tona afat-gjata”.
Zoti Obama tha se do të kërkonte mbështetje ndërkombëtare para se të merreshin masa të rëndësishme. Presidenti është bërë objekt kritikash se nuk është treguar më i vendosur pasi ishte shprehur më parë se përdorimi i armëve kimike do të përbënte kapërcimin e një caku të patolerueshëm. Zoti Obama u zotua kohët e fundit të ndihmojë opozitën siriane, por deri tani nuk janë dërguar ende ndihma.
Leila Hilal, drejtoreshë e Grupit të Punës për Lindjen e Mesme pranë Fondacionit Amerika e Re thotë se mbështetja e opozitës mund të jetë e efektshme në luftën kundër qeverisë. Por ajo shton se ndihmat nuk arrijnë të ndalin përdorimin e armëve kimike.
Zonja Hilal thotë se një tjetër opsion ushtarak do të ishte ndërmarrja e sulmeve me raketa nga jashtë Sirisë. Ajo thotë se edhe ky opsion shoqërohet me rreziqe.
“Sulmet mund të godasin depozita të armëve kimike, fabrika dhe magazine të këtyre materialeve, pyetja është nëse këto masa do të shkaktonin dëme të tjera për sa u përket viktimave civile”.
Zonja Hilal thotë se ndër opsionet më të mira të mundshme është ringjallja e mundësisë për një zgjidhje politike. Ajo beson se përkrahësit e regjimit sirian, si për shembull Irani, mund të ndikojnë pozitivisht për të bindur qeverinë të ulet në negociata.
“Regjimi i Asadit duket se e konsideron në avantazh të tij vazhdimin e konfliktit dhe për momentin nuk do t’ia dijë për avantazhet e procesit politik. Por kjo nuk nënkupton se njerëzit që e përkrahin Asadin nuk e mbështesin idenë e procesit politik”.
Rusia, e cila mbështet qeverinë e Asadit, bashkoi zërin me anëtarët e tjerë në Kombet e Bashkuara, duke bërë thirrje për qasje të pakufizuar për ekipin e OKB-së që ndodhet aktualisht në Siri.
Qeveria siriane ka hedhur poshtë akuzat se ka përdorur armë kimike.(Kortezi: Kent Klein, VOA)

Filed Under: Featured Tagged With: Amerika dhe Siria, lendet Kimike, Presidenti Obama

Tungjatjeta nga Nebraska;Vendi i ftohte por me zemer te ngrohte

August 21, 2013 by dgreca

Nga Enkela Vehbiu/Nebraska/

OMAHA, NEBRASKA – Sa here qe me qellon te udhetoj e takohem me bashkeatdhetare sapo permend emrin e shtetit ku banoj, Nebraska, te gjithe e kane degjuar sepse zyrat e miratimit te dokumentave te emigrimit ndodhen ne shtetin tim.  Por pak dine te te thone me teper se aq.

Nebraska, gjendet ne qender te Amerikes dhe eshte shtepia e nje komuniteti te vogel shqiptar, kryesisht te perqendruar ne zone lindore te shtetit.  Omaha, qyteti me I madh ne shtet, eshte vendi ku banojne shqiptaret kryesisht nga Shqiperia.   Ndersa Linkolni, kryeqyteti I shtetit dhe qe shume prej jush e njohin nga “letrat,” eshte qendra e shqiptareve te Kosoves te vendosur atje pas luftes.

Eshte nje shtet I mire.  Pak  di te flas per Linkolnin sepse nuk e njoh, por Omaha me ka bere per vete.  Ne fillim kisha degjuar per Omahan ne dimrin e 2001-it.  Ish ambasadori amerikan ne Shqiperi, I ndjeri Jozef Limpreht, ishte nga vendi im tani.  Ne nje mbremje per gazetaret ne Tirane, e shoqja me tregoi disa foto te Nebraskes.  I ftohte mu duk ai vend.  Nuk e dija ne ate kohe qe po shikoja ne foto te ardhmen time.   Kur im shoq me tha per zhvendosjen ne Omaha me erdhen ne mendje pamjet lakuriqe te gureve te latuara nga era dhe thashe jo, nuk mundem.  Po gjerat nganjehere ndodhin, ja ashtu, pa kuptuar.

Sa kishim dale nga shkolla ne Nju Meksiko ku ne kampusin e vogel te Las Krusesit shqipja as nuk mendohej te degjohej.  Arrijme ne Omaha qe eshte e vendosur tamam ashtu sic thuhet ne zemer te Amerikes.  Eshte nje qytet mesatar qe me rrethinat shkon rreth nje milion banore, dhe per shkak edhe te vendndodhjes gjeografike, mjaft konservative.  Pas dy diteve ne qytet, me duhej te blija dicka dhe futem ne supermarketin Target.  Tek eci, degjoj nje tingull qe kisha kohe pa e degjuar – “Po ku shkoi ky…?!”  Mbajta kembet.  Jam ne enderr thashe apo cfare.  Kthehem.  Shoh nje vajze te re.  E pyes a jeni shqiptare.  Nuk kisha gabuar.  Dhe historia ime ne Omaha nisi tamam atje ne rreshtat e Targetit.  Brigita nga
Prishtina u be pika ime e pare e kontaktit me komunitetin shqiptar, me tingullin e gjuhes ame qe me nevoitej aq shume te rimbushja shpirtin here pas here.

Omaha, dhe ne pergjithesi Nebraska, njihen per miser e mish.  Dhe ia pelqej  te dyja produktet.  Por te them te drejten me shume u pelqej entuziasmin per jeten dhe detyrimin qe ndjejne ndaj shoqerise.  E thene ndryshe u pelqej mjaft harmonine e arritur mes te qenurit I lumtur si njeri dhe te qenurit I pergjegjshem si qytetar I kesaj bote.

Per lumturine, me duket se jane nder te paktet  njerez qe kam takuar dhe qe kane arritur ekuilibrin e deshiruar mendje-shpirt-fizik.  Mesojne dhe punojne shume.  Mbajne nje lidhje te forte me Zotin dhe besimin.  Ushqehen mire, kujdesen per trupin dhe nuk lene pas dore argetimin kurrsesi.  Ne shqiptaret mesojme.  Nuk behemi shume.  Nuk kam te dhena te sakta por me sa di une, nuk I kalojme te 50 ne nje qytet afer nje milionesh.  Ka zenka, ka merira edhe ne grupime te vogla si tonat, por pamvaresisht nga kjo, ne gjykimin tim e kemi kuptuar mire emigrimin.  Per ata qe interesohen dhe per sa me intereson mua, emrin Shqiperise ia kemi ngritur lart.  Te gjithe, te rinj e te vjeter, kemi treguar se nuk kemi frike sfidat.  Rinia ia ka dale balle shkolles me sukses te plote.  Te moshes se mesem, me perpjekje dhe sakrifice, ia kane dale te realizojne deri diku endrren e tyre.  Sa per argetimin e besimin, jemi ende ne rruge e siper, po kercejme ama.  Ne festa familjare jemi gjithmone prane, dhe oh sa kercejme.  Po shume, bre, shume si I thone kosovaret.

Por ajo qe personalisht me ben per vete ne kete vend eshte perulesia dhe pergjegjshmeria.  Ne letra Omaha eshte nje qytet me perqindje te larte milioneresh.  Kjo lidhet drejpersedrejti me emrin e Uoren Bafetit, miliarderit qe ende jeton ne shtepine modeste prane lagjes sime.  Thjesht, shume thjesht.  Dhe po aq thjesht jetojne dhe pjesa tjeter.  Eshte nje mesim per ne te dalet nga uria e varferia.  Shoqeria ne Omaha eshte ne nje faze tjeter.  Pas ngopjes, ata e kane kuptuar se te pasurit e nje shtepie te mire, makine apo te ardhurash nuk eshte gjithshkah.  Eshte nje dimension tjeter qe eshte me I rendesishem – dhe ai eshte te qenurit pjese e nje komuniteti qe tani biles ka dale nga perimetri i shtetit dhe eshte bere boteror.

Ne fillim, dhe ketu flas per veten time, e kisha te veshtire ta beja timen kete aspekt.  Me pas, turrbullia kaloi, fitova qartesi dhe kuptova qe eshte e drejte.  Dhe them se dhe ne te aneve tona, e kemi kuptuar mire kete.  Te gjithe shqiptaret ketu, me sa di une, nuk kane pasur asnjehere probleme me ligjin.  Jemi komunitare te mire.  Po thuajse te gjithe kemi shtepite tona dhe I mbajme mire ato.  Ne komunitet vleresohemi si njerez punetore, te zellshem dhe te besueshem.  Sidomos te rinjte, jane rritur ende me shume me ndjenjen e perkatesise ne komunitet.  Shume prej tyre bejne pune vullnetare dhe jane te integruar teresisht ne jeten amerikane.

Ketu thone “ruaje Omahan per vendalinjte.”   Edhe pse fanatike te komunitetit vendas, njerezit e Nebraskes na kane lejuar te jemi pjese e tyre.  Nuk jemi te perkryer, por them se me kontributin tone, ia kemi shperblyer mikepritjen Nebraskes.  Ndersa ne vete kemi arritur ne piken ku Shqiperia dhe Nebraska jane bere nje – jane te dyja vendet tona.

Omaha, Nebraska-20 Gusht 2013.

Filed Under: Featured Tagged With: Enkela Vehbiu, me zemer te nrohte, Nebraska, vendi i ftohte

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 860
  • 861
  • 862
  • 863
  • 864
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT