• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRYEPARLAMENTARJA NDERON GRATE SHQIPTARE PER KONTRIBUT NE 100 VJETOR

November 2, 2012 by dgreca

Geraldine Appony, Mbretëresha e shqiptarëve, Tefta Tashko, Lola Gjoka, Marije Kraja, Dr. Sabiha Kasimati, Musine Kokalari, Drita Pelinku, Vace Zela, Margarita Xhepa, Luiza Laska, Roza Anagnosti, Prof. Rushen Golemi, Suzana Turku, Prof. Adelina Mazreku, Cezarina Daragjati dhe…/

Kuvendi i Shqipërisë, në një ceremoni të veçantë në sallën e veshur kuq e zi, nderoi dje kontributin e grave shqiptare në 100 vjet pavarësi, të cilat i dhanë nder dhe krenari kombit shqiptar. “Ne nderojmë brishtësinë, delikatesën, dinjitetin e gruas shqiptare, kësaj gruaje të lindur në ‘djepin e tragjedisë’ e të ‘dramës pa fund’, por që kurrë nuk u vyshk në freskinë e në fisnikërinë e saj njerëzore. Sot, nderojmë një pjesë të grave simbol të qëndresës e të forcës së gruas shqiptare, siç vetëm një grua shqiptare mund të jetë”, tha Kryetarja e Kuvendit. Topalli me motivacione të veçanta në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për misionin e tyre, dhuroi botimin special të Kuvendit “Akte të themelimit të shtetit shqiptar”, duke nderuar një pjesë të grave simbol të qëndresës dhe të forcës së grave shqiptare, siç vetëm një grua shqiptare mund të jetë.

Tefta Tashko Koço

E para artiste lirike, e një Shqipërie që po përpiqej të dilte nga prapambetja dhe paragjykimet mesjetare. Me zërin e saj hyjnor, dëshirën dhe vullnetin që ky vend të rigjejë vokacionin e tij evropian, u bë pionierja e parë e promovimit të vlerave të muzikës shqiptare, e shpirtit artist të kombit tonë.

Lola Gjoka

E para pianiste shqiptare, e lindur, rritur dhe shkolluar në mërgim, por që zgjodhi të kthehej në atdhe ku ngriti nga asgjëja atë që më vonë do të bëhej shkolla e pianos, duke qenë edhe e para pianiste koncertiste në Shqipëri me një karrierë 50-vjeçare të pandërprerë.

Marije Kraja

Soprano lirike, pioniere e muzikës dhe arsimit muzikor në Shqipëri, e cila si pedagoge që në fillim të viteve ’30, formoi traditën dhe shkollën shqiptare të një interpretimi besnik të këngës popullore.

Dr. Sabiha Kasimati

E para biologe, shkencëtare në Shqipëri, me një aktivitet të dendur botimesh shkencore, ndër arsimtaret e para të institutit femëror “Nana Mretneshë”. Pushkatuar pa gjyq sëbashku me 21 intelektualë të tjerë në vitin 1951.

Musine Kokalari

Ndër të parat prozatore, publiciste, studiuese e psikologjisë dhe zakoneve popullore dhe sigurisht e para grua politikane në Shqipëri, me një kontribut të shquar si profesoreshë në institutin femëror “Nana Mretneshë”. Burgosur dhe internuar deri në fund të jetës së saj nga regjimi komunist.

Drita Pelinku

E para studente e artit dramatik në Shqipëri, regjisore, pedagoge e profesioniste e aktrimit, e cila numëron 110 role në skenë dhe kinema, shumë prej të cilave të paharrueshme e ende sot të freskëta.

Tinka Kurti

Aktore e teatrit dhe kinematografisë, e cila gjatë karrierës së saj, me mjeshtëri të rrallë ka interpretuar rolin e vajzës, nënës e gruas shqiptare, në tiparet e tyre kryesore: karakterin e fortë, njerëzor e tragjik në të njëjtën kohë. Teatri shqiptar në Malmo të Suedisë mban emrin e saj.

Margarita Xhepa

Aktore profesioniste, e cila me mjeshtërinë e aktrimit dhe sensibilitetin që përçon, të pandërprerë prej më shumë se 60 vjetësh në skenën shqiptare, është një ndër gratë me të cilat kinemaja shqiptare identifikohet.

Luiza Laska

Për kontributin e paçmuar e të pandërprerë në interpretimin me mjeshtëri si askush tjetër të karakterit e integritetit të gruas dhe nënës labe, duke u shndërruar krenarisht në “laben” e kinematografisë shqiptare.

Roza Anagnosti

Aktore e teatrit dhe kinematografisë, e cila me elegancën, finesën, feminilitetin dhe artin e saj më shumë se kushdo tjetër i dha figurës së gruas shqiptare forcën e delikatesën njëkohësisht.

Prof. Rushen Golemi

Ndër mjeket dhe kirurget e para shqiptare, autore tekstesh dhe artikujsh shkencorë, pedagoge e Fakultetit të Mjekësisë për disa dekada. Ndër të paktat deputete të Parlamentit shqiptar në zgjedhjet e para pas rënies së komunizmit në vitin ’91.

Suzana Turku

Figurë e shquar e muzikologjisë sonë, dirigjentja e parë shqiptare, e cila me korin “Pax Dei” sjell me mjeshtëri tingujt e paqes e të artit shqiptar e botëror në skenat tona.

Prof. Adelina Mazreku

E para kirurge onkologe shqiptare, me një kontribut të pazëvendësueshëm në sensibilizimin, parandalimin dhe mjekimin e tumoreve, si hartuese e programit kombëtar të luftës kundër kancerit.

Cezarina Daragjati

Ndër të parat piktore shqiptare, me një aktivitet të çmuar artistik në vaj, kryesisht në gjininë e peizazhit, portretit e natyrës së qetë.

Kristina Koljaka

Një ndër gratë më të shkolluara në një Shqipëri ende me shumicë analfabete, skulptorja e parë shqiptare, e vlerësuar me çmim që në vitin ’42 për punimet e saj nga Akademia e Arteve në Romë. Pedagoge pioniere e skulpturës në Institutin e Lartë të Arteve. 7 prej veprave më të mira të saj, pasurojnë sot fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Androniqi Zengo

E para piktore shqiptare profesioniste me arsim të lartë, e para grua që hapi ekspozitë punimesh personale, e para ikonografe shqiptare me një kontribut të pazëvendësueshëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore e shpirtërore të kombit të saj. Punimet e saj në vaj, janë sot një trashëgimi e vyer që ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Nexhmije Pagarusha

E papërsëritshmja, “bilbili i Kosovës” sigurisht, por edhe bilbili i këngës shqiptare. Fjalët janë të tepërta…

Tereza Bianku

E para grua në biznes e filantrope e shquar që në shekullin 19, e cila drejtoi disa biznese tejet të suksesshme, duke arritur të jetë homologia shqiptare e Dhomës së Tregtisë së Venedikut. Gjatë veprimtarisë së saj për një çerek shekulli, financoi dhe ndërtoi shkolla e rrugë në qytetin e Shkodrës e rrethina, duke u bërë shembull i humanizmit e bamirësisë së gruas shqiptare.

Marie Shaqe Shiroka (Çoba)

Ndoshta e para grua shqiptare që ndoqi universitetin për shkenca politike në Firence që në fund të shekullit të 19. Sigurisht e para grua shqiptare promotore e lëvizjes feministe shqiptare që në vitin 1918, duke krijuar komitetin “Gruaja shqiptare” të përbërë nga gra të të gjitha besimeve fetare, i cili kishte për qëllim të ndihmonte luftëtaret shqiptare që po përballeshin me forcat sllave që përpiqeshin të pushtonin Shkodrën. Botuese e revistës “Gruja shqyptare” në vitin 1920, e para revistë e këtij lloji në Shqipëri. Dënuar nga regjimi komunist në moshë të thyer si kundërshtare aktive e tij.

Rajmonda Bulku

Është aktore, politikane, portret i hijshëm i ekranit tonë si pak të tjera, por sot nuk e vlerësojmë për këtë. Sot e vlerësojmë për një moment të jetës së saj dhe tonës pashmangshmërisht, në të cilën u bë “zëri” i të gjithave ne, i grave shqiptare, nënave dhe motrave, me thirrjen e saj njerëzore më 20 shkurt të ’91, për të ulur armët e për të ndalur vëllavrasjen për “idhuj të rreme”! Thirrja e saj, në emër të të gjithave ne, pavarësisht se ku ndodheshim fizikisht në atë moment… na çliroi! Hapi tjetër epokë! Faleminderit Rajmonda Bulku!

Geraldine Appony, Mbretëresha e shqiptarëve

Në emër të të gjitha grave të huaja, që për hir të dashurisë lanë vendin e tyre dhe lidhën fatin me këtë vend të mrekullueshëm, por të shumëvuajtur e që megjithëse prej tij morën vetëm vuajtje e padrejtësi, i dhuruan pafundësisht dashuri, lindën dhe rritën fëmijë patriotë, të cilët i mëkuan vetëm me atdhedashuri.

Vaçe Zela

“Zëri”, “tingulli” më i bukur i këngës, i melodisë shqipe, e cila talentit që bujarisht i fali Zoti, i shtoi pa kursim, pasionin, shpirtin e saj, në çdo kordë, në çdo notë. “Zëri” që hynte në çdo shtëpi, e ngrohte çdo zemër, me dashuri për “dashurinë”, me dashuri për jetën, me dashuri për atdheun, në një kohë të vështirë, kur atdheu kishte fare pak ose aspak për t’i ofruar asaj e secilit prej nesh! Të papërsëritshmes Vaçe Zela, me mirënjohje!

 

Filed Under: Featured Tagged With: grate e shquara, Kryeparlamentarja, nderon, Topalli

ROLI I AMERIKËS NË BOTË

November 1, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Këtu në Shtetet e Bashkuara javën që vjen mbahen më në fund zgjedhjet për president, duke i dhënë fund kështu një fushate të gjatë dhe të lodhëshme por edhe shumë të shtrenjtë — një fushate gjatë së cilës janë debatuar dhe diskutuar çështje dhe probleme të ndryshme me të cilat përballet vendi, kryesisht ato ekonomike, buxhetore dhe financiare.  Ndonëse punësimi, ekonomia dhe deficiti i buxhetit  federal janë çështjet që preokupojnë më së shumëti zgjedhsit amerikanë.    Por megjithse interesimi i elektoratit amerikan për politikën e jashtme është tepër i ulët, në krahasim me problemet e mbrendshme dhe ato të jetës së përditshme, debati i tretë dhe i fundit midis dy kandidatëve për president, Barak Obama dhe Mit Romni, u përqendrua kryesisht mbi vizionin e këtyre dy burrave mbi marrëdhënjet ndërkombëtare si dhe mbi rolin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të luajnë në botë.

Ndër çështjet që u diskutuan dhe të cilat tani janë të një përparësie të rëndësishme të politikës së jashtme amerikane,  ishin luftërat në Irak dhe Afganistan, programi i Iranit për prodhimin e armëve bërthamore, kërcënimet terroriste  nga Lindja e Mesme, politika amerikane ndaj Kinës dhe Rusisë, si dhe roli i Shteteve të Bashkuara si supërfuqia e vetme në botë.

Gjatë debatit, siç ka bërë gjatë gjithë fushatës, kandidati republikan Mit Romni e cilësoi Presidentin Obama si të dobët dhe reagues ndaj situatave botërore dhe jo si udhëheqës i një superfuqie botërore.   Ndërsa Presidenti Obama e karakterizoi  Guvernatorin Romni si të papërgjegjshëm dhe oportunist në kritikat e tija, duke paralajmëruar se qëndrimi më agresiv i Z. Romni ndaj gjendjes në Siri dhe në Iran, mund të rrezikojë një luftë të re, ndërsa vendi po bën përpjekje për t’u  tërhiqur  nga Iraku dhe Afganistani.  Z. Romni iu përgjigj akuzave të Presidentit Obama duke i thënë atij se ”sulmet kundër meje nuk janë një agjendë” e politikës së jashtëme,  ndërkohë që Z. Obama tha se Amerika është më e sigurt se katër vjetë më parë.   Ndërsa Z. Romni e uroi presidentin Obama për vrasjen e Osama bin Ladenit, ai iu përgjigj duke thënë se ”influenca e Amerikës nuk është në asnjë vend të botës më e madhe se ç’ishte katër vjetë më parë”.

Debati u ashpërsua midis dy kandidatëve kur Z. Romni kritikoi Z. Obama për atë që ai cilësoi si ”një turne botëror për të kërkuar falje” për ato që ka bërë Amerika, duke akuzuar presidentin Obama se ai e keqkupton rolin e Amerikës në historinë botërore kur thotë se Shtetet e Bashkuara u kanë “diktuar’’ vendeve të tjera.   ”Amerika”, shtoi Zoti Romni  ”nuk ka u ka diktuar vendeve të tjera, Amerika ka çliruar vendet e tjera nga diktatorë të ndryshëm.”

Debati mbi politikën e jashtme dhe rolin që duhet të luajnë Shtetet e Bashkuara në botë për katër vjetët e ardhëshëm do të marrë fund më 6 Nëntor.   Por ama një gjë është tepër e qartë, se cilido prej këtyre dy kandidatëve që do të fitoj në zgjedhjet e javës që vjen — do e s’do — do të përballet me një mori problemesh ndërkombëtare, të cilat do të prekin jetën e përditshme të amerikanëve dhe të cilat do kërkojnë angazhimin e plotë të presidentit të ardhëshëm  amerikan dhe të Shteteve të Bashkuara.   Në arenën ndërkombëtare gjithëmonë dalin në shesh probleme të pa-parashikueshme dhe krijohen situata të papritshme, të cilat kërkojnë  dhe nevojitin vëmendjen dhe ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara.   Por ndër çështjet në krye të listës që do të kërkojnë, që në ditën e parë, vëmendjen e presidentit  amerikan, cilido qoftë ai, Obama ose Romni, do të jetë natyrisht gjëndja në Afganistan dhe pyetja se ç’do të ndodhë në atë vend kur të tërhiqen forcat amerikane më 2014.   Një çështje tjetër  shqetsuese për Amerikën dhe për botën është  programi bërthamor i Iranit dhe mundësia e një sulmi izraelit për të ndaluar Iranin që të prodhojë armë bëthamore.  Çka ndodhi me të ashtuquajturën ‘pranverë arabe”  dhe quo vadis Lindja e Mesme?   Çështjet e tjera kanë të bëjnë me rivalitetet e reja dhe të vjetëra të Shteteve të Bashkuara me Kinën dhe Rusinë.   Pyetja që po bëhet tani është nëse Rusia, me politikat e Putinit, është mike apo armike e Amerikës?   Si duhet trajtuar Kina komuniste dhe roli i saj gjithnjë e më i madh në fushën ekonomike, politike dhe ushtarake, sidomos kur të merren  parasyshë kërcënimet e fundit ndaj fqinjëve të saj në rajonin Aziatik dhe të Paqësorit, përfshirë Japoninë?   Megjithë mbarimit e luftës së ftohët, si Rusia ashtu edhe Kina siç duket e kanë ndër mendë të vazhdojnë të kundërshtojnë  influencën amerikane anë e mbanë botës, ndërkohë që regjimet në Moskë dhe Pekin, keqtrajtojnë dhe arrestojnë përkrahësit e të drejtave të njeriut dhe burgosin kundështarët politikë, ndërsa në të njëjtën kohë kanë shënuar rritje të  dukshme të forcave të armatosura dhe atyre policore për të shtypur kundërshtarët politikë.

Por megjithë qëndrimet, që kandidatët për president Romni dhe Obama, pasqyruan dhe theksuan gjatë fushatës në lidhje me politikën e jashtme dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë, qendrimet midis tyre, duke u bazuar sidomos në debatin e fundit që ata zhvilluan mbi politikën e jashtme, nuk dallojnë shumë nga njëri tjetri.   Mund të dallojnë nga mënyra se si i paraqitën  ata këto qendrime, por në substance mendimet e tyre janë pothuaj  identike.   Të dy kandidatët për president besojnë, siç tha edhe gazeta  Washington Post  se ”Vlerat politike dhe ekonomike të Amerikës duhet të triumfojnë në botë.”

Përputhja e qendrimeve ndodhë pjesërisht nga fakti se politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara, sidomos në kohë krize, gëzon pothuaj gjithmonë përkrahjen e të dy partive kryesore politike në Amerikë, dhe në përpilimin e saj, mbi të gjitha, konsiderohet interesi kombëtar i vendit.  Si e tillë, ajo është një politikë institucionale dhe jo partiake.   Edhe këtë vit, dy kandidatët, përfaqsues të dy partive kryesore, mbi çështje të rëndësishme siç është Irani,  janë në pajtim se Teherani nuk duhet lejuar të prodhojë armë bërthamore.   Në lidhje me Afganistanin, të dy kandidatët janë dakord për tu tërhequr nga ai vend, megjithse Romni ka thënë se do të jetë më i ashpër se sa administrate e presdientit Obama në marrëdhënjet e Washingtonit me Rusinë dhe Kinën.   Romni dhe Obama gjithashtu  janë dakord për të mos ndërhyrë ushtarakisht në Siri dhe të dy thonë se ndërhyrja ushtarake në Iran do të ishte alternativa e fundit.

Në një artikull të nënshkruar  nga katër ish-sekretarë shteti (Kondolisa Rajs, Xhejms Bejker, Xhorxh Shultz dhe Henri Kisinger) ,në përkrahje të Mit Romnit, shkruajnë se “Shtetet e Bashkuara mbeten fuqia më e madhe e botës, por mbi të gjitha Amerika vazhdon të jetë vendi më i pa-zëvëndsueshëm në botë – nga pikëpamja diplomatike, ushtarake dhe ekonomike.’’   Ata thonë se “Amerika  është më e mirë kur ajo merr përsipër rolin  udhëheqës në botë….. një Amerikë e cila mbetet shpresa e botës – e një bote në paqë, drejtësi dhe demokraci.’’

Shpresojmë që qoftë Barak Obama, qoftë Mit Romni, cilit do që populli amerikan t’i dorëzoj frenat e qeverisë më 6 Nëntor,  të  punojë për një Amerikë të fortë në fushën ekonomike, diplomatike dhe ushtarake, pasi një ‘’Amerikë e fortë do të thotë një botë në paqë.’’

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, ne Botes, Roli i Amerikes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 899
  • 900
  • 901

Artikujt e fundit

  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike
  • PAVARËSIA E KOSOVËS DARDANE
  • DRITA QË ECËN MBI PLAGËT E KOHËS…
  • Hamëz Jashari, in memoriam…
  • “Konferenca e Mynihut, Siguria nën/mbi rrenojat e rendit të vjetër”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT