• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROF. DR. MENTOR PËRMETI NË 100 VJETORIN E LINDJES

December 21, 2020 by dgreca

-KONFERENCA KOMBËTARE “BUJQËSIA, NJË SHKENCË JETËSORE ME RRËNJËT NË BIOLOGJINË E APLIKUAR”-

Universiteti Bujqësor i Tiranës  zhvillloi në datën 3.12.2020 Konferencën Kombëtare: ‘’Bujqësia, shkenca jetësore me rrënjët në Biologjinë e Aplikuar’’ organizuar në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së Akademikut Prof. Dr. Mentor Përmeti.

Konferenca shkencore u organizua në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe MInistrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Për shkak të kushteve të diktuara nga pandemia COVID 19, konferenca u zhvillua online në platformën Zoom.

Në të morën pjesë përfaqësues të stafit akademik e drejtues të Universitetit Bujqësor të Tiranës; studiues, akademikë, ish-pedagogë,  kreu i Akademisë së Shkencave, përfaqësues e drejtues të lartë të MBZHR-së, specialistë të sektorit të bujqësisë dhe jo vetëm, familjarë të Prof. Dr. Përmetit, profesorë nga fakulteti i Shkencave të Natyrës, përfaqësues të Institutit të Kërkimeve Gjenetike, Institutit të Resurseve Gjenetike të Bimëve e shumë të tjerë.

Konferenca u hap nga Prof. As. Erinda Lika, zv/Rektore e Shkencës dhe Projekteve e cila në fjalën e saj pasi falënderoi pjesëmarrësit dhe organizatorët e ketij eventi, theksoi faktin që Universiteti Bujqësor e konsideron veprimtarinë kërkimore dhe krijimin e kontakteve dhe rrjeteve me studiues nga Institutet e ndryshme vendase dhe të huaja si një gur themeli dhe një faktor shumë të rëndësishëm për veprimtarinë e tij të përditëshme.

Fjala përshëndetëse në këtë konferencë u mbajt nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku i cili pasi falenderoi pjesëmarrësit për praninë e tyre në këtë event, përmendi ndër të tjera disa nga cilësitë e paçmuara dhe atributet e Prof. Mentor Përmetit.

-‘’Prof. Dr.  Përmeti ishte një shkencëtar brilant i bujqësisë dhe Përmirësimit Gjenetik të Bimëve që me kontributin e tij të shquar shkencor dhe akademik, hodhi themelet e kërkimit shkencor të bujqësisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe më gjerë. Ai lartësoi emrin dhe vlerat e Institutit të Lartë Bujqësor si dhe të kërkimit shkencor në fushën e bujqësisë’’– tha Prof. Sallaku. ‘’Ai investoi shumë në burimet njerëzore dhe gjatë punës së tij si pedagog dhe si drejtues në universitet, përgatiti breza specialistësh të aftë të cilët udhëhoqën me sukses kërkimin shkencor në bujqësinë shqiptare, drejtuan institutet dhe stacionet kërkimore në vend’’– vijoi më tej Rektori i UBT-së.

Në cilësinë e të ftuarit special, një fjalim përshëndetës mbajti edhe kreu i Akademisë së Shkencave, Akad. Prof. Dr. Skënder Gjinushi  i cili gjithashtu foli për kontributet dhe meritat e Prof. Përmetit si një studiues dhe dijetar i spikatur në fushën e tij.

-‘’Mentor Përmeti ishte dhe mbetet një figurë emblematike. Ai shkëlqeu në të gjitha fazat e jetës së tij dhe la gjurmë si një ndër themeluesit e UBT-së. Si anëtar i Akademisë së Shkencave ai mbajti një peshë të madhe të projekteve të rëndësishme që ka zhvilluar kjo Akademi veçanërisht në studimet albanologjike por jo vetëm. Ai meriton të quhet autor patentash shkencore, duke përmendur këtu punën e tij për grurin Dajti etj. Prof. Përmeti pati një kontribut të madh për brezat pasardhës’’– shtoi Prof. Gjinushi ndërsa falenderoi organizatorët dhe në veçanti UBT-në për organizimin e një konference të tillë.

Sesioni plenar i konferencës moderuar nga zv. Rektorja e UBT-së, Prof. As. Dr. Erinda Lika, vijoi me fjalën përshëndetëse të radhës nga zv. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo; nga Prof. Dr. Vjollca Ibro e cila e konsideroi ndër të tjera Prof. Përmetin si një model në fushën e gjenetikës; nga Mira Përmeti, vajza e Akademikut Përmeti; nga ish- Rektori i UBT-së Prof. Dr. Lufter Xhuveli, etj.

Ndërkaq një pjesë e veprimtarisë shkencore dhe akademike e Prof. Përmetit u përcoll me mjaft interes nga Prof. Dr. Fetah Elezi, ish- Drejtor i Institutit të Resurseve Gjenetike të Bimëve, nëpërmjet një materiali përmbledhës shoqëruar me një kolazh fotosh e pamjesh nga jeta, puna dhe karriera e Përmetit në dekada.

Po aq me interes ishte edhe sesioni i parë, moderuar nga  zv. Rektori për  Marëdhëniet me Institucionet dhe Publikun, Prof. Dr. Alban Ibraliu  dhe  Drejtori i Institutit te Resurseve Gjenetike, Prof. Dr. Belul Gixhari; sesioni i dytë i konferencës,  moderuar nga Prof. As. Dr. Rigers Bakiu dhe Prof. Dr. Anila Hoda.  Gjatë këtyre sesioneve u prezantuan një sërë punimesh dhe studimesh të kryera nga pedagogë, kërkues shkencor të ndryshëm me larmishmëri tematikash të lidhura kryesisht me fushën e bujqësisë por jo vetëm.

Konferenca shkencore u përmbyll me zhvillimin e sesionit të tretë të posterave, moderuar nga Prof. Dr. Fetah Elezi dhe Prof. Dr. Arjana Kraja, gjatë të cilit u prezantuan postera me të dhëna e informacione mjaft të rëndësishme me tematika gjithashtu të larmishme  në sektorin e bujqësisë etj.

Të gjitha prezantimet dhe punimet e realizuara në kuadër të kësaj konference kombëtare, si një vlerë e shtuar e institucionit organizator, u botuan në Librin e Abstrakteve dhe njëkohësisht do të jenë pjesë e një numri special në revistën shkencore të UBT (The Albanian Journal of Agricultural Sciences-AJAS) publikim i cili do të mund të aksesohet nga studiues të tjerë, pedagogë, studentë etj. Kontribut të veçantë për organizimin e këtij eventi dha Prof. Dr. Vjollca Ibro, ish-rektore e Universitetit Bujqësor si dhe një ndër nismëtarët e organizimit të kësaj konference.

Konferenca “Bujqësia, shkenca jetësore me rrënjët në Biologjinë e Aplikuar’’ pason Simpoziumin e I-rë Shkencor organizuar 5 vite më parë po nga UBT, për nder të Akademikut Mentor Përmeti.

Filed Under: Analiza Tagged With: 100 vjetori, Lindjes, Prof.Dr. Mentor Permeti

ARSHI PIPA, SI DOMETHËNIE E ARTIT TË FJALËS

September 11, 2020 by dgreca

NË KONFERENCËN SHKENCORE “100-VJET ARSHI PIPA”, FIER, 10 Shtator 2020–

MSc. Albert HABAZAJ-*Arshi Pipa ka shkruar shumë dhe për të shumë kanë shkruar, studiues shqiptarë apo të huaj. Duke ngjeshur fjalët e mendimit, gjatë përgatitjes së kësaj kumtese nderimtare për autorin Arshi Pipa, në këtë tryezë të çmueshme për mua në qytetin bujar të Fierit, vetvetiu më erdhi ndërmend një përcaktim që bën historiani i qytetërimeve, francezi Fernand Braudel për Mesdheun: “Një mijë gjëra njëherësh. Jo një peizazh i vetëm, por një pafundësi peizazhesh. Jo një det i vetëm, por një vazhdimësi detesh. Jo një qytetërim i vetëm, por qyetërime të ngjeshura pas njëri-tjetrit”. Nëse e jetësojmë dhe heqim një paralele ngushtësisht kuptimore nga kjo hapësirë e gjerë tek një njeri i vetëm, në një trajtë tjetër dhe Arshi Pipa është “njëmijë gjëra njëherësh”, është njeriu që i ka të gjitha ngjyrat: të forta, të ëmbla, të ndezura, të mbyllëta, të qarta, të paqarta, të bardha, të zeza, që i ka marrë të gjitha ngjyresat e mundshme. Njeriu  është njeri dhe si qënia e gjallë më e lartë, nuk mund të jetë mur guri, prandaj njeriu shikohet në dinamikën e jetës, aq më tepër një njeri i klasit sipëror për shoqërinë shqiptare të kohës si Arshi Pipa, diplomuar për Filozofi në Firence, i plotësuar me kulturë perëndimore dhe me rreth 40 vjet jetë dhe veprimtari të dendur kërkimore-shkencore, letrare dhe politike në SHBA. Kujtojmë se, këtu, edhe pse i burgosur, Arshi Pipa jetoi si njeri me dinjitet e krenar, jo si zhele mishi, siç klith vargu i tij tek poema “Kanali”.  

Shkodrani gjirokastrit Arshi Pipa (27/28 korrik 1920 – 20 korrik 1997) është një figurë enciklopedike shqiptare, që ka dhënë ndihmesën e tij si studiues dhe shkrimtar, njeri  i katedrave dhe auditoreve akademike, që ka lënë gjurmë në fushën e pedagogjisë dhe edukimit dituror, ku dukshëm emri i tij dallon në shkencat albanologjike, në gjuhësi e letërsi, me poezitë e tij, publicistikën letrare-kulturore, me përkthimet dhe sidomos me kritikën letrare. 

Duke falënderuar poeten dhe shkrimtaren e njohur Majlinda Nana Rama për ftesën në këtë konferencë shkencore, kushtuar dijetarit Arshi Pipa, pas çeljen e Panairit të Librit Fier, 2020, ndihem i nderuar që jam me personalitete të tillë si studiuesit të çmuar si prof. Klara Kodra, akad. Ali Aliu, Abdullah Zeneli, Çun Lajçi, Behar Gjoka, Agron J. Xoxa, Ilirjan Gjika e miqve të tjerë të dijes dhe librit, për respekt të të cilëve po flas në këmbë. Do të përpiqem që në këtë kumtim të shkurtër të nderoj sadopak letërsinë e maratonomakut sizifian, artin poetik të korrikjanin Arshi Mustafa Nuri Pipa.

Arshi Pipa nuk ishte si kjo farë gjithologësh megalomane, që ka mbirë keq e na bezdis mushkonjërisht, ai ishte dijetar dritëror, në kuptimin më të plotë të fjalës, sikurse poetët e antikitetit, që ishin edhe filozofë, edhe pedagogë, edhe shkencëtarë të dijeve të ndryshme.

Me figurën e tij janë marrë shumë figura të kritikës, shqiptarë dhe të huaj, sepse personaliteti i tij ka qenë në funksion të ndërkombëtarizimit të letërsisë shqiptare. Ai ishte një ndër polemistët e njohur të Gjuhës letrare shqipe, Shqipes Standarde me burim dy dialektet e popullit shqiptar. Gjykoj se ndër dritanët e Shqipërisë, pjesëmarrja kuvendore e tij i jepte hijeshi debatit, sepse, në s’e ke në krahë, jo më pak vlera ka një kundërshtar i fortë e i plotësuar, trim dhe i ditur si Arshi Pipa. Interesat e para krijuese të tij ishin kritika, estetika dhe poezia, që i kanë çelur sythet në harkun kohor 1936-1940. Edhe pse ka jo pak shkëndija epike, emri i tij në poezinë shqipe është klasifikuar në poezinë lirike dhe në një lloj tjetër të poezisë së angazhuar, siç është poezia politike, ku notat atdhetare ngyhen në fatalitet, por vjershërimi i tij nuk është nga ai i sojit të rripit të transmensionit.

Studiuesi Stefan Çapaliku, duke i bërë portretizimin letrar Arshi Pipës, i vë në dukje tiparet e krijimtarisë së tij, të cilat autori i ruajti në të gjitha vëllimet që botoi, madje edhe tek “Libri i burgut”: “Idhtar i një poezie që e kërkonte bukurinë vetëm tek subjektiviteti më i thellë i faktit, që ai e quante “spiritualizëm”, A. Pipa erdhi në lirikën shqipe të fillimviteve ’40 si poeti i motiveve eterike të dhimbjes, mallit, përsiatjes, dashurisë, të derdhura përmes formash të selitura klasike, detaje të holla dhe të një fjalori shumë të pasur”. Tek “Libri i burgut”, që ka brendi kryesisht politike, me peritekstin (shënimet) e vet të gjerë të konceptuar si një lloj ditari poetik të viteve të burgimit, autori shprehu bindjen se sistemi shoqëror i diktaturës së proletariatit, me totalitarizmin e tij të ashpër, ishte i destinuar të shembej.

Ndër studiuesit e huaj, që janë marrë me profilin e Arshi Pipës, Robert Elsie e studion Pipën të klasifikuar në Letërsinë shqiptare të shekullin XX në Itali e diasporë, si Gjaku ynë i shprishur, që radhitet ndër shkrimtarët shqiptarë të diasporës, sikurse Martin Camaj, shkrimtar emigrant me peshë shumë të madhe, apo Viktor Eftimiu, Xhevat Kalljaxhi, Abdylatif Arnauti, Thoma Kacorri, Preng Gruda, Nermin Vlora Falschi dhe shkrimtarë të tjerë më të zbehtë para punës plot kurajë e shpesh herë të talentuar në shërbim të zgjerimit të horizonteve të kulturës shqiptare. Elsie shkruan se Pipa vjershat e para, të shkruara në fund të viteve tridhjetë në Shkodër, u mblodhën në vëllimin “Lundërtarë”, Tiranë, 1944. Nuk na takon ne që të flasim për veprimtarinë politike, sepse është edhe jashtë synimeve të kësaj tryeze nderimtare ngushtësisht shkencore, në jehonë të 100-vjetorit të lindjes së Arshi Pipës, por nuk mund të harrojmë, se qe pikërisht Pipa botues e redaktori i të parit periodik në shqip kushtuar tërësisht çështjeve të krijimtarisë letrare, revistës “Kritika” e përmuajshme, 1944 në Tiranë, as që u arrestua pas çlirimit [1946], për idetë e tij politike liberale, thjesht se nuk pranoi konformimin vertikal dhe bëri 10 vjet burg, por zogu i lirë nuk i duron dot kafazet, i thyen ato e merr hapësirat deri në Amerikën e demokracisë së ëndërruar e dëshiruar. Nuk mund t’i shpëtonte valës së gjuetisë së shtrigave të pas Luftës së Dytë Botërore një shkrimtar dhe intelektual i kalibrit të Arshi Pipës. Nga historia e letërsisë shqiptare dimë se kur Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë nisi botimin e organit “Bota e Re”, Pipa me Kutelin ishin të vetmit shkrimtarë jokomunistë në këshillin drejtues, ndërsa Pipa ishte edhe drejtues i kësaj reviste, organ i Lidhjes. Mori pjesë në Kongresin e Parë të Lidhjes në tetor të 1945, drejtuar nga vigani i pathyeshëm Skënder Luarasi dhe pastaj … ëndrrat e tij nisin të lëndohen, vite e vite dhembën keq, u shqyen, por nuk u thanë, sespe ai i shkruante poezitë në letrën e cigares në burgjet e kampet e punës së detyruar. Atyre hënave nga jam unë, përdoret shprehja: “Dhe vdekjen e mori  në sy, por shpëtoi me këmbët e tij”.

Albanologu gjermano-kanadez R. Elsie shkruan: “Pipa i hodhi përjetimet e dhjetë vjetëve të tmerrit në burgje e kampe pune në Durrës, Vloçisht, Gjirokastër e Burrel në përmbledhjen 246-faqesh me poezi “Libri i burgut”, Romë, 1959, ka botuar dy vëllime të tjera me poezi në dialektin gegë “Rusha”, Munih, 1968 dhe “Meridiana”, Munih, 1969, ky i dyti një përmbledhje në frymën romantike e nostalgjike të Xhakomo Leopardit”. Ndoshta Pipa është një shembëlltyrë e Leopardit të madh të skek. XIX, por me identitetin e shqiptarit të moralit qytetar. Mund të themi se njohja e mirë deri në rrënjë e pemës së bukur të gjuhës italiane, jo vetëm nga fakti se, deri sa doli në pension qe profesor i italishtes në universitetet amerikane, u bë dashuri e dytë për autorin, ndjenjë e shpirt për të, saqë ndikoi dhe në stilin, strukturën poetike dhe tipologjinë shkrimore të poetit të fatalitetit romantik Arshi Pipa. Bota jonë letrare i vlerëson sidomos botimet studimore të tij, sepse ato kanë pasur efekt më të madh, sidomos kritika letrare, ngaqë dallojnë që janë një ndihmesë e vyer në fushën e hulumtimeve letrare. Veç  një vargu artikujsh, ai ka botuar studimet: “Montale and Dante” (Montalja dhe Dante), monografi, Mineapolis, 1968; “Contemporary Albanian Literarure” (“Letërsia bashkëkohore shqiptare”), 1991. E një rëndësie të veçantë për kërkimet në fushë të historiografgisë letrare mbetet trilogjia albanologjike në tre vëllime “Trilogia albanica” – “Albanian Folk Verse. Structure and genre” (“Poezia folkorike shqiptare. Struktura dhe gjinitë”), Mynih, 1978, “Jieronymus De Rada”, 1978 dhe “Albanian Literarure: Social perspectivs” (Letërsia shqiptare: perspektivat shoqërore”).

Ai ka botuar edhe një studim sociolinguistik, që ka ngjallur polemikë dhe kundërshtime, mbi formimin e gjuhës letrare shqipe, si gjuhë zyrtare e Shqipërisë, me titull “The politics of language in Socialist Albania” (“Politika gjuhësore në Shqipërinë socialiste) ”, Nju Jork, 1989. Pipa njihet për kundrështimin e zgjidhjes së çështjes gjuhësore nga Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (Prishtinë, 27-28 prill 1968 dhe Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe (Tiranë, 20-25 nëntor 1972). Njihen dhe qëndrimet e tij eklektike, jo racionale dhe të pabazuara, siç duhet, për vepërn letare të shkrimtarit tonë të shquar I. Kadare.

Pipa është marrë dhe me politologji, nga ku përmendim: “Albanian Stalinism” (“Stalinizmi shqiptar”), 1990, një përmbledhje me 15 artikuj mbi tema politike, etj. Edhe pse sipërfaqshëm, nuk mund të lëmë pa përmendur se Pipa ka themeluar e drejtuar revistën “Albanica” (1990-1992). Ka qenë ndër redaktorët e bashkëpëtorët e rregullt të revistës së mendimit kritik “Telos”, revistë prestigjioze ndërkombëtare. Ai ka kontribut të veçantë me shkrimete e tij prestigjioze në gazetën “Dielli” për shoqërinë emërmadhe “Vatra” në SHBA, duke e cilësuar qartësisht bukur “Vatra asht nji monument historik i vetëdijes dhe kulturës kombëtare”

Sipas Elsies, me përjashtim të Camajt, që lozi rol të madh në letërsinë shqipe të diasporës, ndihmesa e të tjerëve nuk pati peshë specifike. Gjithsesi, Pipa është një emër enciklopedik i përveçëm, sepse me artin e fjalës e mbajti gjallë flakën e qiritit të kulturës shqiptare ndër viset e globit ku jetoi, që nga Sarajeva, ish-Jugosllavia deri në SHBA. Paradigma e tij ngelet: “Me përqafimin e njerëzimit, veprim moral e ka kryer misionin e vet. Por moraliteti nuk e shteron dinjitetin njerëzor. Dhe kur njeriu pushon së vepruari, zbulon natyrën”. 

Studiuesi Roland Zisi, i shqyrton poetët e ndaluar në sistemin komunist, duke i nisur ligjëratat universitare me më të shquarin Camaj (1925-1992), ndërsa vijon sipas kriterit kronologjik: Sejfulla Malëshova (1901-1971), Mitrush Kuteli (1907-1967), Arshi Pipa (1920-1997), Zef Zorba (1920-1993), Bila Xhaferi (1935-1986), Frederik Reshpja (1940-2006). Arshi Pipa del më i shfaqshëm në konsolidimin tipologjik të poezisë meditative e filozofike, ndoshta se te personaliteti i tij vërehet mospërputhja e vizioneve dhe interesave, natyra fataliste e njeriut dhe poetit. Sipas studiuesit Zisi, tek trajton vjershat tipike të Pipës “Lundërtarë” dhe “Borë”: “Dashuria dhe Bukuria, me të drejtë shpallen si qëllim final i Jetës, por rruga për të shkuar tek ato kalon/ vendoset përmes Fa (talite) tit. Këtë filozofi autori e artikulon qartë në katër vargjet e fundit: “Timonieri i ynë asht Fati/ Velat tonë janë Dashunija/ Për me vujt jemi ba gati:/ Jemi nis kah Bukuria!”. Sipas Pipës “Gjeniu artistik është shpirti që vepron si natyrë”

“Arshi Pipa përmendet vazhdimisht si poet i fatit dhe i Vuajtjeve metafizike që vijnë si pasojë e mospërputhjes së vizioneve të tij humane dhe intelektuale me realitetin politik, shoqëror dhe kulturor të Shqipërisë socialiste”. Sado shumë të flasësh e të shkruash për Arshi Pipën, ai nuk mund të thuhet kurrë i tëri, ndoshta një konferencë shkencore albanologjike e përmasave ndërkombëtare mund ta paraqiste me të gjitha përmasat, por ndoshta asnjëherë shteruese. Dhe, para mbylljes së kësaj fjale të vogël për këtë njeri të madh, kam dy motive vetiake, vërtet rastësore e në dukje formale se përse unë nuk mund ta harroj Arshi Pipën. Motivi i parë është epik. Ai ka lindur në vitin 1920. Më vitin 1920 është zhvilluar Lufta Kombëtare e Vlorës, njëra nga dy ngjarjet emblematike për Vlorën dhe Shqipërinë, të cilës unë i kam kushtuar mbi 10 vjet studimtari, vëzhgim me pjesëmarrje në terren, si dhe dy monografi shkencore mbi raportin histori-epikë historike në këtë ngjarje të rëndësishme historinë e popullit shqiptar.

Motivi i dytë është lirik. Ai ka datëvdekjeje 20 korrikun. Unë kam datëmartese 20 korrikun.  

Pra, a mund ta harroj unë poetin dhe filozofin tonë?! I dritëroftë emri dhe vepra e tij e çmuar për ne, që njerëzit e kulturës dhe librit në Fierin e Jakov Xoxes dinë ta bëjnë me dritë nderimi!

Mirënjohje bujarëve fierakë!

Faleminderit Majlinda Nana Rama!

Fier, 10.09.2020

MSc. Albert HABAZAJ-**Përgjegjës i Biblioteksë Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

Filed Under: Politike Tagged With: 100 vjetori, Arshi Pipa, MSc. Albert HABAZAJ

KUJTOJMË PROF. ARSHI PIPA NË 100 VJETORIN E LINDJES

July 28, 2020 by dgreca

Arshi PIPA 1920 – 1997/

ELEGJI  PËR  GAC  ÇUNIN/

Vdiq edhe nji tjetër! Qanje shokë, të ngratin!
Banja t’madhe gjamën! Vdiq tue sosë afatin!
Si, pat hjekë e vuejtun, mbasi shumë qe rrekë
Tue luftue me morden! Vdiq: e lanë me vdekë!
Shtrydhë e shterrun forcash djerreve t’Bedenit,
fill andej përplasun brrakave t’ liqenit;
ra e u’mek djaloshi… Vinte i imët kah shtati,
s’ishte për tê kazma, s’ishte për tê shati
Se ktij qielli i fali çka s’i dha secilit:
frymën e muzikës, zanin e bilbilit.
Oh sa herë ndër muzgjet e robnis’ ai zâ
Zemrën qi lëngonte balçëm ai ju bâ
Dridhej nën zâ letas, mallshëm, melodija,
tash ndër kangë shkodrane, tash n’Ave Maria.
Prante zhurma e dhomës, që të gjithë veshtojshin
Tretun ndër kujtime t’ambla qi ato zgjojshin…
Gac, o shok i vuejtjes, nxânsi im i lashtë,
mâ s’ta gjegja zanin, mâ nuk t’ndesha jashtë!
N’imshtën e Burrelit vorrin ku ta banë
Kur ushton gjethnaja, Gac ti ndoshta fshân?
Fshâj nji kangë lirije qi t’u mbyll n’krahnuer!
Fshâj nji jetë artisti qi pa fryt u-buer!
Fshâj e përmbas teje le t’ankojë shoqnija
qi na njofti vlerën, mbarë t’ankojë rinija!

ELEGJIA VLLAZNORE

Ma thonte zemra e ngrata
se jeta t’kishte lanë,
edhe pse miqt e shokët
nuk dojshin me ma thanë.
Der sa mbi krye mandata
kur s’e pritsha më ra,
dhe mora vesh çka n’anderr
prej kohe m’ishte gja.

E pau epileptiku
qi s’njifte mue as tye.
Po kapërcejshim lumin
kur befas ura u-thye…
Un’ rashë… m’u-turr vertikut…
humba! uluroi nji za…
Ti u-hodhe, m’kape, m’qite…
por vetë nuk dole ma!

Ti vuejtje, ti rreziqe
durove simbas stinës,
nga ishulli i Ventottenës (3)
ndër telat e Prishtinës (4).
E pse përbuze vdiqe
terrorin bolshevik,
gjithmonë anmik i shtypjes,
e bir i atdheut, besnik.

Sot qi nga dita e mortit
ka rrjedhë ma se nji mot
tue t’a nderue kujtimin,
o vlla, nuk derdhi lot.
Pse për vdekjen e t’ fortit
i fortë duhet me u-bamë.
As përmendi fajtorët:
nuk kam ma çka me u namë.

Kur ndofta nga mizori
po përgatitet ura,
për mue ket herë, e kanga
e mbrame asht kjo qi thura,
me gjakun tand deshmori
vulosi sot nji be:
përbuzi komunizmin
e truhem per Atdhe.

•Shenim FR: Një kujtesë.., në 100 vjetorin e lindjes…

            Melbourne, 28 Korrik 2020.FRITZ RADOVANI

Filed Under: LETERSI Tagged With: 100 vjetori, Arshi Pipa, Gac Cuni

SFIDAT AKTUALE TË POLITIKËS SË JASHTME AMERIKANE

December 28, 2017 by dgreca

John_F_Kennedy-H

SFIDAT AKTUALE TË POLITIKËS SË JASHTME AMERIKANE, NË  100-VJETORIN E LINDJES SË PRESIDENTIT XHON F. KENEDI/

2 Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Viti 2017 shënoi 100-vjetorin e lindjes së ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Xhon F. Kenedi.  Xhon Kenedi lindur në vitin 1917 në Brukline të shtetit Masaçusets. Presidenti Kenedi, i cili është vrarë në gjysmën e mandatit të tij presidencial në vitin 1963 ishte presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara, dhe mbetet njëri prej figurave më të njohura të politikës moderne amerikane  të politikës së jashtme si dhe asaj të mbrendëshme. Me rastin e këtij përvjetori të lindjes dhe në kujtim të trashëgimisë së tij politike, sidomos në fushën e politikës së jashtme amerikane të ish-presidentit Xhon Kenedi, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) lëshoi, pak kohë më parë, një deklaratë në emër të Sekretarit të Shtetit Reks Tillerson.  Në deklaratën e shpërndarë nga DASH, Presidenti Kenedi kujtohet në këtë 100-vjetor si një president i cili, “Ndoqi një politikë të jashtme bazuar në fuqinë amerikane, në angazhimin e tij ndaj mbrojtjes së lirisë, të drejtave të njeriut dhe të dinjitetit njerëzor, por edhe në përdorimin e vendosur të diplomacies, si mjet për të çuar përpara interesat kombëtare të këtij vendi dhe të kauzës së paqës, gjatë një periudhe plotë sfida të historisë tone kombëtare.”  Presidenti Kenedi, thuhet në deklaratën e Z. Tillerson, ishte një mbrojtës i vendosur i lirisë dhe të drejtave të njeriut në Berlinin e ndarë, në kulmin e Luftës së Ftoftë, ndërsa kishte deklaruar se   ai ishte një prej tyre se edhe ai ishte një berlinas.

Sekretari Amerikan i Shtetit Tillerson thekson se, në kohën e tij, Presidenti Kenedi, “Kishte deklaruar rëndësinë e integrimit të diplomacisë dhe të politikës së mbrojtjes, si mënyra më e sigurt për të mbrojtur vendin tonë kundër rreziqeve që i kanoseshin atij në fillim të 1960-ave.”  Në njoftimin e DASH citohet Xhon Kenedi të ketë thënë se, “Ne nuk duhet të negociojmë kurrë nga frika, por nuk duhet as të kemi frikë nga negociatat.

“Urtësia dhe guximi i tij na shpëtoi nga një luftë bërthamore gjatë krizës së raketave në Kubë”, thuhet në deklaratën e DASH dhe citohet Presidenti Kenedi se, “Njerëzimi duhet t’i japë fund luftës, para se lufta t’i japë fund njerëzimit.”  Sekretari Tillerson kujtoi këtë muaj ish-Presidentin Kenedi në 100-vjetorin e lindjes edhe si udhëheqës i shpresës për popujt e botës, duke përmendur themelimin e Korpusit të Paqës, Aleancës për Përparim dhe avancimit të zhvillimit ekonomik për vendet e Afrikës dhe të botës në përgjithësi, nga Presidenti Kenedi, ndërkohë që kolonializmi fatbardhësisht po merrte fund në atë kontinent.

Ndërkohë që vlersojmë presidencën e tij prej vetëm 1000-ditësh, u shpreh Kryediplomati Tillerson, “Ne nderojmë gjithashtu edhe ëndrrën për paqë të Xhon Kenedit, jo vetëm për Amerikanët por edhe për popujt kudo”.  Në deklaratë citohet një thënje nga fjalimi më vizionar i Kenedit, mbajtur në Universitetin Amerikan në Uashington DC qershorin e vitit 1963 se, “Unë jam i vetdijshëm se angazhimi për sigurimin e paqës nuk është aq dramatik sa angazhimi për luftë…por nuk kemi detyrë më urgjente” se të angazhohemi për paqë, ka thënë ish-Presidenti Kennedi me atë rast.  Në të njëjtin fjalim, theksohet në deklaratën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Reks Tillerson, shpërndarë pak më heret këtë muaj në kujtim të 100-vjetorit të lindjes së ish-Presidentit Kenedi, ai u bëri thirrje Amerikanëve dhe njerëzve vullnet mirë kudo, që të lënë mënjanë mosbesimin ndaj njëri tjetrit dhe kërcënimet e Luftës së Ftohtë dhe të bashkpunojnë për një të ardhme më të mirë globale.  “Sepse, në fund të fundit”, ka thënë Xhon Kenedi, “Lidhja jonë e përbashkët dhe më themelore, është se të gjithë ne jemi banorë të këtij planeti të vogël.  Të gjithë ne marrim frymë të njëjtin ajër dhe të gjithë ne dëshirojmë një të ardhme më të mirë për fëmijtë tanë.  Dhe të gjithë ne jemi të vdekëshëm”, citohet të ketë thënë Xhon Kenedi, sipas deklaratës së DASH me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij, deklaratë e cila përfundon duke theksuar se, “Të gjithë ne që punojmë në Departamentin Amerikan të Shtetit, kujtojmë dhe nderojmë shërbimin e jashtëzakonshëm që Presidenti Kennedi i ka bërë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos në fushën e politikës së jashtëme.

Nuk besoj se është vetëm e rastësishme deklarata e DASH me rastin e një përvjetori të lindjes, në këtë rast të ish-presidentit Kenedi.  Besoj se pikërisht për trashëgiminë, vlerësimin dhe kujtimin që i bëhet gjithnjë politikës së jashtme të administratës afat-shkurtër të Xhon Kenedit, deklarata e DASH është jo vetëm me vend, por edhe frymëzuese edhe sot për diplomatët aktualë amerikanë, ndërkohë që përballen, ndoshta, me sfida ndryshe nga ato me të cilat përballej Xhon Kenedi në fillim të 1960-ave, por hiç më pak të rrezikshme për sigurinë e Amerikës dhe për stabilitetin dhe paqën në botë.

Ndërkaq, në një fjalim dy javë më parë në Këshillin e Atlantikut në Uashington, Kryediplomati aktual i Shteve të Bashkuara, Reks Tillerson foli mbi përballimin e sfidave të politikës së jashtme amerikane gjatë vitit 2017 dhe në të ardhmen.  Ai rreshtoi një numër sfidash dhe prioritetesh të politikës së jashtëme të administratës Trump anë e mbanë botës, duke filluar me krizën e armëve bërthamore të Koresë së Veriut dhe marrëdhëniet me Kinën, përpjekjet për të mposhtur organizatën terroriste ISIS, si dhe gjëndjen në Siri dhe Irak, përfshirë mbarë Lindjen e Mesme.  Z. Tillerson foli gjithashtu edhe për sfidat me të cilat përballet diplomacia amerikane në Azinë jugore, me theks politikën amerikane në Afganistan, Pakistan dhe Indi.  Nuk munguan komentet e Kryediplomatit amerikan edhe mbi politikën e jashtme amerikane sa i përket marrëdhënieve të Uashingtonit me Bashkimin Evropian dhe NATO-n dhe marrëdhëniet me Rusinë.  Përsa i përket marrëdhënieve me Evropën, Z. Tillerson foli për vizitat e tija të fundit në Evropë duke theksuar se kudo që vizitoi dhe në të gjitha takimet që ka zhvilluar me evropianët, vuri re se ekzistojnë gjithnjë lidhje të forta midis Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve dhe aleatëve amerikanë në Evropë. “Ekziston një bashkim i fortë rreth çështjeve me rëndësi për të gjithë ne, e të cilat janë çështje të sigurisë, çështje ekonomike dhe tregëtare”, ka thënë Tillerson në Këshillin e Atlantikut në Uashington, dy javë më parë.  “Kemi shumë për të bërë” ka theksuar ai, duke shtuar se “Mesazhi i Presidentit Trump për aleatët evropianë është se ne jemi me ju. Do të jemi me ju. Përsa i përket veçanërisht NATO-s dhe Nenit 5 për mbrojtjen e përbashkët, ne do t’i zbatojmë angazhimet tona”, tha ai, por duke iu drejtuar vendeve anëtare të NATO-s, Kryediplomati amerikan u shpreh se, “Ju nuk mund të vazhdoni të kërkoni nga populli amerikan që ai të kujdeset për sigurinë e qytetarëve tuaj më shumë se ç’kujdeseni ju vet.”

Në lidhje me Rusinë, Z. Tillerson theksoi se sot për sot nuk kemi marrëdhëine të mira me Moskën. “Okupimi i Ukrainës nga Rusia është diçka që ne nuk mund ta pranojmë”, u tha Z. Tillerson të pranishëmve.  Kjo është edhe arsyeja e vendosjes së sanksioneve të forta ekonomike kundër Rusisë, shtoi ai, dhe ato do të mbeten në fuqi për derisa Rusia nuk rivendosë integritetin territorial të Ukrainës.  Një pengesë tjetër në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, tha Z. Tillerson, janë përpjekjet e Moskës për të ndërhyrë në zgjedhjet e vendeve të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe një numër vendesh në Evropë.  Përderisa Moska nuk i ndalon këto ndërhyrje ilegale, nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve midis nesh, tha Kryediploamti amerikan Tillerson.  Zgjidhja e shumë prej këtyre problemeve do të marrë kohë dhe punë të rëndë.  Por kjo është natyra e vet diplomacisë në botën që jetojmë sot, në një botë plot sfida e konflikte, nënvijoi Z. Tillerson, në fjalimin e tij pranë Këshillit të Atlantikut në Uashington, mbi prioritetet dhe sfidat e politikës së jashtme amerikane gjatë vitit 2017 dhe në të ardhmen.  “Misioni ynë në këtë jetë është që t’u japim fund disa prej këtyre konflikteve”, përfundoi ai.

Në një kryeartikull botuar të ënjtën në gazetën amerikane “Nju Jork Tajms”, Kryediplomati i Shteteve të Bashkuara, Reks Tillerson shkruan se, “Pa marrë  marrë parasyshë sfidat serioze me të cilat përballemi, mbetem optimist rreth mundësisë së diplomacisë për zgjidhjen e konflikteve dhe njëkohësisht për të çuar përpara interesat amerikane.”  Ai tha se ky besim i tij bazohet në faktin se “Diplomacia jonë përpilohet dhe zbatohet nga diplomatë patriotë dhe të dedikuar të Departamentit Amerikan të Shtetit”, të cilët shkruan ai, “Shërbejnë me durim dhe këmbëngulje për të avancuar vlerat demokratike anë e mbanë botës dhe për të mbrojtur jetën, lirinë dhe vlerat e qytetarëve tanë”.

Duke lexuar deklaratën e më sipërme të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Z. Tillerson, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Xhon Kennedit, mbi trashëgiminë dhe influencën e këtij gjigandi në politikën e jashtme amerikane që ndihet edhe sot, është inkurajues fakti se ai dhe kolegët e tij — me të drejtë — gjejnë frymëzim nga “urtësia dhe guximi” i Presidentit Kenedi për të zgjidhur disa prej sfidave me të cilat përballet aktualisht politika e jashtme amerikane dhe bota, duke marrë shembull nga urtësia e diplomacisë së ish-Presidentit Xhon Kenedi.  Është shpresëdhënës fakti se në punën e tyre të përditëshme, diplomatët amerikanë duke filluar nga kryediplomati i SHBA-ave, kujtojnë, admirojnë dhe njëkohësisht shprehin guximin dhe vullnetin ndërsa tregojnë gatishmërinë e tyre dhe të ish-Presidentit Kenedi, ashtu siç kishte deklaruar ai, për të mos kursyer asgjë, në mbrojtje të lirisë dhe të drejtave të njeriut, kudoqë të kërcënohen ato në botë.  “Le t’a dijë çdo komb, nëse na e do të mirën ose të keqen, se ne do të paguajmë çdo çmim, do t’i bëjmë ball çdo vështirsie, do mbështesim çdo vend mik dhe do të kundërshtojmë çdo armik, për të siguruar lirinë, suksesin dhe përparimin e saj kudo.  Atyre aleatëve të vjetër me të cilët ndajmë vlerat kulturore dhe shpirtërore, ne u premtojmë besnikërinë e miqëve të besueshëm.” (Xhon Kenedi, 21 Janar, 1961.)

Besnikëria e miqëve të besueshëm ndaj Amerikës — siç ishte shprehur ish-Presidenti Kenedi më shumë se gjysëm shekulli më parë – është gjithnjë një vlerë dhe cilësi dalluese dhe me shumë rëndësi në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me vendet e tjera, sot dhe në të ardhmen, pa marrë parasysh se kush mund të jetë president i këtij vendi aktualisht, ose më vonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: 100 vjetori, amerikane, Frank shkreli, John F Kenedi, SË JASHTME, SFIDAT AKTUALE TË POLITIKËS

100 vjetori i Revolucionit Bolshevik-Meditime të nji viktime

November 17, 2017 by dgreca

48-repishti-300x212

Shkruan: Sami Repishti, Ph.D. */

Ridgefield,CT.- Me 7 nandor 2017 u mbushën plotë 100 vjet nga data kur komunistët bolshevikë, nen drejtimin e V.I. Leninit përmbysën rregjimin e Carit Nikolla II dhe filluen ndertimin e ish Bashkimit Sovjetik, tue ndryshue kështu fatin e botës mbar, përfshi edhe Shqipërinë tonë.

Ky “revolucion” që shumë historianë e konsiderojnë si nji nga ngjarjet ma të randësishme të historisë moderne filloi me 23 shkurt 1917, me protesta popullore në rrugët e Petrogradit/Shën Petersburg ish kryeqytet i Rusisë cariste për 200 vjet. Protestuesët e uritun dhe të lodhun nga lufta me Gjermaninë, kerkuen “bukë e paqë”. Autokrati Car Nikola II preferoi me dergue trupat ushtarake për paqësimin e gjendjes. Në përpjekje u vranë 40 demonstrues. Ushtria u trondit dhe filloi “mosbindjen” e autoritetit carist. Shumë ushtarakë u bashkuen me popullin. Kjo shkaktoi abdikimin e Carit Nikolla II me 2 mars 1917. Nji qeveri e re civile u formue e kryesueme nga Aleksander Kerensky.

Në ndërkohë, V.I.Lenini. emigrant në Svicër, me 3 prill 1917 u kthye në Petrograd me ndihmën e sherbimeve të mshehta gjermane që llogaritshin në premtimin e Leninit se do te bante paqë të ndame me Gjermaninë. Kjo  lejonte Gjermaninë me luftue vetëm kundër frontit të Perëndimit. Llogaritjet gjermane u vertetuen. Lenini nenshkroi Traktatin e Brest-Litovskit (1917): paqë me Gjermaninë!

Me arritjen e tij ne Petrograd, Lenini mori drejtimin e grupeve komuniste/bolshevike. Ai deklaroi se nuk njihte Qeverinë e Kerenski-t dhe proklamoi parullën “Paqë, bukë, tokë!” si pikënisje për revolucion. Për nji kohë të shkurtë Lenini fitoi përkrahjen e madhe të nji popullsie të lodhun. Ky ka qenë fillimi i “revolucionit të tetorit” në Rusi. Menjiherë, komunistët filluen përgatitjen e nji force ushtarake efektive, dhe naten 6-7 nandor 1917, nen komanden e Leon D.Trotsky-t, forcat revolucionare morën në dorë ndertesat qeveritare të kryeqytetit, dhe pushtetin e vendit. Kongresi i Dytë Panrus i Sovietëve, i mbledhun në Petrograd, formoi qeverinë e re nen drejtimin e V.I.Leninit, e perbame me shumicë “komisarësh  politikë”.

Qeveria e re me operacione ushtarake të përgjakëshme vendosi “diktaturën”, (ma vonë diktatura e proletariatit) e plotë në vitin 1922, datë në të cilën u formue Bashkimi Sovjetik që mbijetoi afër 70 vjet (1990). Mbrenda pakë muejve, Lenini forcoi disiplinën në rradhët e klasës punëtore; në Rusi gjendja u ba shumë e randë. Bashkimi Sovjetik, për arsye të krizes ekonomike dhe luftës u ba skena e shtypjeve të pamëshirëshme dhe vuejtjeve të pa kontrollueshme Diktatura tregoi forcën e vet.

Edhe sot, Presidenti Putin deklaron se për arsye të ndasive të medha në Rusi “…vendi ka nevojë për nji qeveri të fortë” Fatkeqsisht, liria e demokracia e pritun nga miljonët e shtypun nuk u realizue në Rusi. Por. gjatë kësaj periudhe, Bashkimi Sovjetik deshmoi nji rritje të madhe industriale, të arritun me çmim të naltë: miljona qytetarë të kombeve të ndryshme vdiqën nga shtypja dhe uria…!

Revolucioni ka qenë edhe arsyeja e shumë luftave kombëtare për çlirim në shumë vende të botës, që banë njikohësisht shekullin njizetë shekullin ma të përgjakshëm në historinë moderne.

Kush ishte udheheqsi “Bolshevik” V.I.Lenini? Condoleesa Rice, profesor dhe ish Sekretar i Shtetit, spjegon: ”Kur u kthye Lenini nga emigracioni, ai shfrytëzoi situatën që solli lufta në popullsi dhe ushtri, tue predikue nji shkëputje të plotë me të kaluemen. Ai ishte nji revolucionar deri në palc; që në fillim, ai u shpreh me nji retorikë të zjarrtë  dhe me nji fjalor politik që këshillonte ‘luftën’ deri në ekstrem.”  Ajo spjegon se “për Leninin ‘modaliteti’ nuk duhet të mbështetet mbi bazat e standardeve idealiste që ushqejmë; nuk duhet të bajmë kurrë kompromis, dhe duhet të jemi përherë ekstremistë…. Në mes të nji shoqënie vizionarësh, Lenini përqendronte vemendjen e tij në nji objektiv dominant që zakonisht nuk ashtë objektivi i klasave intelektuale: marrjen e pushtetit me çdo mjet”.

Ky qendrim anti-moral dhe plotësisht i pa skrupull solli rregjimin e “hurit dhe litarit” në ish Rusinë cariste, të vendosun nga Lenini- e të njohun eufemikisht si “diktatura e proletariatit”, dhe nuk pushoi asniiherë deri në vitet 1989-90 me ndryshimet radikale të fillueme nga reformisti Mikhail Gorbaçev…reforma që përfunduen me zhgënjimin e madh: Presidentin Putin. Shpresa për demokratizim dhe integrim në Botën e Lirë të Perëndimit nuk u realizue, dhe sot në shumë vende ish-komuniste, mbeturinat e së “keqes së madhe” vazhdojnë me helmue atmosferën e shoqënisë civile  ….. tue përfshi edhe Shqipërinë tonë!

Shprehja “revolucion” në shkencat shoqënore dhe politike përdoret me përcaktue nji lëvizje të madhe, të papritun, dhe tipikisht violente- zakonisht me gjak- që përmbysë rendin ekzistues dhe strukturat e shoqatat   e lidhun me këte rend, dhe  formon nji rendi të ri.

Sa e përgjakëshme ka qenë veprimtaria e Leninit? Nji shembull: Në mars 1922, ai shkruente: “Ashtë pikeëisht tani, dhe vetëm tani, kur në krahinat ku popullsia vdes nga uria dhe njerëzit ushqehen tue ngranë mishin e njeni tjetrit (kanibalizëm) dhe qindëra, ndoshta mijëra kufoma mbushin rrugët tona, që na mundemi (dhe prandej duhet) me zbatue konfiskimin e pasunisë së Kishës me egërsinë ma të madhe, dhe energji pa asnji mëshirë…Pikërisht në këte moment na duhet të luftojmë klerin në mënyrën ma të pamëshirëshme e vendimtare, dhe të dërmojmë rezistencën e tij, me nji brutalitet të atillë që kleri nuk duhet të harrojë në dekadat që vijnë…Sa ma i madh të jetë numri i  fetarëve reaksionarë dhe i borgjezisë reaksionare që ne do të ekzekutojmë për këte arsye, aq ma mirë për ne!”  (Martin Amis)

(Shenim: Arkivat kishtare tregojnë se në vitin 1922, V.I.Lenini ekzekutoi 1.962 murgjë, 2.691 priftën, 3.441 murgesha. Pse? “besimi ashte pjesë e natyrës njerëzore, kështu që bolshevikët ishin të detyruem me e shtypë në të gjitha format e tij, dhe të gjithë denominacionet tue përfshi islamizmin e budhizmin.”(po aty). “Nji tragjedi e vertetë, nji ngjarje që shkaktoi vuejtje të mëdha, shkatërrim dhe degradim”(Prof. Orlando Figes)

Akti i fundit: Lenini vdiq në 1924 e la trashëgim për Stalinin nji shtet policor, funksional, që ai perdori pa mëshirë (1924-1953) në asgjasimin e miljona qeniesh  njerëzore të pafajshme. (Vetëm vdekja e J.V.Stalinit shpëtoi nga asgjasimi fizik pesë miljonë jahudije në kampet e akullta siberiane të përgatituna nga Stalini)

Vazhduesi i Leninit, kryekrimineli J.V.Stalin (që ka qenë dhe mbetet personi i idealizuem edhe nga shumë komunistë shqiptarë!) ishte nji monstër i vertetë. Kush ishte Stalini?

Historiani i njohun Sebastian S. Montefiore në studimet e tia e përshkruen kështu: ”Deri në vitin 1917, J.V.Stalini ka qenë nji disident carist, rrugaç, pijanec, kangëtar, dashnor që vraponte mbas vajzave, dhe nji imitues i shkelqyeshëm” .

Prof. Stephen Kotkin, Princeton U., spjegon:” Diktatori Stalin ka qenë nji udhëheqës kontradiktor, ideolog e oportunist njikohësisht, njeri me vullnet të hekurt dhe krijesë e sistemit sovjetik, njeri pa karakter që shpërdoroi bashkëshorten e vet deri në vetëvrasje (dhe nuk e percolli në varr!) dhe nji udhëheqës që frymëzoi popullin e vet. Stalini bani ate që edhe udhëheqës të tjerë të dalluem kanë ba. Ai artikuloi dhe punoi me kambëngulje për nji qellim; në rastin e tij, nji shtet të fuqishëm, të mbështetun nga nji shoqëni e unifikueme që çrranjosi kapitalizmin dhe ndërtoi socializmin industrial. Metodat e tia anti-njerëzoe janë asgja ma pak se nji apokalips për popullsinë e vendit. Uria e madhe në fshat vrau ma shumë se shtatë miljonë qytetarë rus e të tjerë, pesë miljonë “kulakë” u arrestuen, deportuen, ose u ekzekutuen. Kambëngulja e tij mund të spjegohet me idenë e tij fikse të ndryshimit ‘me çdo çmim’ të gjendjes shoqënore dhe ekonomike në modernitet, që ai e pau si rruga e marrun nga fuqi tjera të mëdha: prodhim masiv, konsum masiv, kulturë masive dhe politikë masive. Anglia dhe Gjermania janë dy shembujt që ai imitonte. Arrestimi i miljona anëtarë partie, në mes të vitit 1931, tregon fatin e atyne që guxuen mos me u bindë, ose me kundërshtue “udhëheqsin”, “gjyqet spektakolare” të qytetarëve të pafajshëm- ma vonë të pakësueme- shpesh mbas torturash të randa që detyruen me   rrfye “anmiqt imagjinarë…”. Për Stalinin, terrori “përbante nji formë sundimi, nji mjet i artit të qeverisjes shtetnore.”

Edhe fakti që Stalini aplikoi metodat tronditëse në shtypjen e nji opozite të dobët, metoda që sollën ferrin mbi tokë për bashkatdhetarët e vet, spjegohen me nxitjen e shtypjes me shperblimeve byrokratike nga nji system represiv formidabel, dhe nga monopoli i pushtetit të nji partie të vetme në jetën politike të vendit. “ Ai merrte fuqi nga adhurimi i klasave të ulëta me imponue gjithçka nga nivelet e nalta. Në marrëdhanjet e politikës së jashtëme, sjellja e tij pa busull orientuese dhe pa parime të caktueme e paraqesin ate nji oportunist me eksperiencë, dhe ideolog me aftësi mendore të kufizueme”.(S. Kotkin)

Si Lenini ashtu edhe Stalini kanë vuejtë nga paranoia e vrasjes, deportimeve, asgjasimit të popullsive të tana. Si përfundim ata ndertuen nji rregjim, shovinist dhe ekspansionist, shtet policor, sundimin e nji njeriu të vetëm, kultin e individit, dhe gjetën mbështetje në terror, kampe përqendrimi dhe në “Big Lie!” (gënjeshtrën e madhe)

“E meta themelore e programit marksist ka qenë përballja pikë për pikë e ideologjisë me natyrën njerëzore,- shkruente shkrimtari izraelit Martin Amis- Udhëheqsit komunistë e kuptuen këte kontradiktë, por vendosën me lanë programin të paprekun dhe me ndryshue natyrën njerëzore, Në terma praktike ashtë ajo që na quejmë “totalitarizëm”  e që do të thotë nënshtrim total të qytetarëve ndaj politikës zyrtare.” Dhe mjerë ai/ajo që ka pasë guximin me devijue nga versioni zyrtar. Vetëm “gardianët e revolucionit” mund të ndryshojnë këte situatë. Kjo spjegon se përse pozita e Stalinit si gjysëm-perendi zbritet nga froni dhe përfundon sot në nji shenim negativ e pa randësi historike…!

I pyetun në se Qeveria ruse do të festojë 100 vjetorin e Revolucionit, zadhanësi qeveritar u përgjegj: “Qeveria nuk ka nji plan festimi”. Gazeta e njohun “Pravda” komentoi: “Ç’farë kemi këtu për festim?” Vitin e kaluem, Presidenti Putin inauguroi “Murin e Rihabilitimit” dhe në mes tjerash, ai tha: ’”Kjo e kalueme shumë e tmerrshme nuk duhet në asnji mënyrë të fshihet nga kujtesa e jonë; sepse, nuk mund të justifikohet, në asnji mënyrë e gjithë ajo që ka ngjarë’” Vetëm nji ‘guardian i revolucionit’ guxon me ndryshue historinë.  Lavdi e përkohëshme…..!

Disidenti i madh dhe shkrimtari rus Vladimir Nabukov, në nji artikull të vitit 1948, shkruente: ”Nen sovjetët, që në ditët e para, e vetmja mbrojtje për disidentët ishte shpresa se kapriçet e qeverisë do ti kursejnë pa shpresë në drejtësi ose ligjë. Asnji  parti e dytë nuk u lejue përveç pushtetit komunist. Byrokracia dominoi që në fillim. Opinioni publik u dërmue. Klasa intelektuale u eliminue. Çdo ndryshim që bahej ishte nji dekorim i skenave të shemtueme të nji grope të thellë e të zezë ku mbretnoi shtypja dhe terrori.”

Ashtë kjo shoqëni e re dhe e pabesë që u adoptue nga udheheqja gjysëm analfabete e vendit tonë – studentë të falimentuem, teneqexhijë, karrocierë, mjelse lopësh, shoferë, aventurierë pa busull morale…!

“As prindëve, as fëmijve të tyne nuk u besohet. Të gjithë janë të tmerruem ditë e natë, në çdo nivel tue përfshi edhe vetë Stalinin që jetonte me frikën e vrasjes çdo minut të jetës së tij” shkruen Nabukov.

(Nji shembull: kur Stalini udhëtoi për Teheran (Persi, 1942) në takimin me Churchillin dhe Rooseveltin, aeroplani i tij shoqënohej nga 27 avionë luftarakë. Kur udhëtoi për Potsdam (Gjermani, 1945) truproja e tij kishte 18.500 ushtarë e policë) (sic!)

Në Bashkimin Sovjetik nji popullsi e tanë ka qenë e traumatizueme …..Posa u hapen arkivat (mbas vitti 1990) u zbulue mënyra mospërfillëse me të cilën udhëheqsit sovjetikë, nën Stalinin, firmojshin vendimet për dënime me vdekje të qindëra mijëra qytetarëve – para se ata vetë të ekzekutoheshin gjithashtu, nji atmosferë e imortalizueme nga shkrimtari ish komunist Arthur Koestler në librin e ti “Errësinë në Mesditë”.

Tashti , “…me urdhën te Presidentit Putin arkivat janë mbyllë përsëri! NJi represion emocional i fortë ashtë zhvillue me qellim të mbulohen bremjet e ndërgjegjes për vuejtjet në Rusinë e sotme. Kjo ashtë plotësisht ajo që rregjimi Putin dëshiron dhe paraqet: nji shoqëni te tanë psikologjikisht e ndryshueme, dhe pa dëshirë me kthye kohën kah e kaluemja e vet, me përfundim të pa evitueshëm në nji depresion të hapun gjanësisht, dhe me besimin se vendi nuk ka nji të ardhme” përfundon Francis Fukuyama, Stanford…. Shqipëria me 2017 ?

Kjo spjegon me hollësi sa larg janë në gjendje me shkue demagogët ideologë, me zhdukë ose me shtrembnue të vërteten; me mshehë atrocitetet, vorfëninë, urinë lokale të fshatit, ekzekutimin fizik të klasës intelektuale, ndalimin “zyrtar” të ushtrimit të fesë, klerikëve e mbylljen e faltoreve, shuemjen e traditave –besë, nder, burrëni, mikpritje etj -dhe të jetës tradicionale e kulturore në qytet e fshat- popullsi e terrorizueme nga frika vetem sepse kërkon liri e demokraci…!

*****

Në Shqipëri ka pasë dhe ka edhe sot qytetarë të ndershëm që besojnë se “totalitarizmi” ka ngritë kokën përsëri mbas 27 vjetëve tranzicioni kaotik, tue përfshi presionin politik, mungesën e plotë të shoqënisë civile koshiente e gjendjes në vend dhe jashtë kontrollit qeveritar, nji arsim të pa organizuem me i përgjegjë nevojave të kohës dhe që nuk sherben interesat e studentëve as edhe ekonomisë së vendit që vuen nga papunësia e madhe, korrupsioni i shfrenuem që ka kapë për fyti edhe kuadrot drejtuese, dhe veprimtari mafioze pa frikë ndeshkimi…!

Por unë dyshoj se gjendja e sotme ashtë e pa shpresë! Sepse nuk ekziston akoma ne vendin tonë nji ideologji “zyrtare” që mobilizon masat e gjana  … …esenciale për nji shoqëni “totalitariste…! “

Nji njohës i mirë i sistemit sovjetik, dhe rregjimit të kuq në Shqipëri, analisti Dr. Janos Bugajski, në nji intervistë me Zërin e Amerikës (9 nandor 2017) bani këte deklaratë: “Përsa i përket trashëgimisë komuniste (në Shqipëri) kjo çfaqet në mes tjerash tek gjëra të këtilla si varësia tek Shteti për punësim dhe për ndihmë, tek nji farë tolerance ndaj shtypjes shtetnore, tek vazhdimi i lidhjeve dhe interesave speciale që vazhdojnë qysh nga koha e komunizmit dhe tek përfshirja e pamjatueshme e publikut në aktivitetet shoqënore; publiku akoma nuk e sheh veten si subjekt por si objekt politik, dhe kjo duhet ndryshue… (Megjithate)…as që mund të bahen krahasime me të kaluemen komuniste…Absolutisht duhet nji rihabilitim moral- sepse ish përndjeksit komunistë shetisin lirisht në rrugët e Tiranës….Mendoj se duhet të ketë ma shumë vemendje nga media dhe nga sistemi arsimor, më shumë informim publik rreth atyne që vuajtën nen komunizëm…” Dr. Bugajski quen viktimët e komunizmit “heroj” dhe kundërshtimin e tyne “heroizëm” i treguem nga këta persona gjatë periudhës së shtypjes…!

Në nji intervistë të njikohëshme për Zërin e Amerikes, e dha edhe Zonja Gentiana Sula, drejtoreshë e Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit. Ajo mendon se “…moshapja e arkivave u ka mohue njerëzve të drejtën për të njohë të vërteten.,. (sepse) shumë plagë të së kaluarës ende janë të pambyllura. Në Shqipëri, vendi në disa raste e gjen veten në nji kontradiktë me brezat e rij (të painformuem), nji pjesë ka nostalgji; të tjerë që ende nuk janë shkëputur dot nga mentaliteti i së kaluarës- Shqipëria vlerësohet nga të huajtë ekspertë se ende nuk e ka përfunduar periudhën e tranzicionit nga diktatura në demokraci…”

Unë do të shtojshe: ” nga skllavëria komuniste në nji jetë të lirë; nga frika e ushqyeme, në guxim me farkëtue fatin me duart e veta”.

Le të zbulohen të gjitha krimet e kryeme kundër qytetarëve shqiptarë, le të demaskohen të gjithë kriminelet, dhe të gjinden të gjitha vendet ku janë krye këto krime të pabesueshme dhe makabre të regjimit komunist në Shqipëri; le të zbulohen të gjitha varret individuale e varrezat kolektive dhe të bahen ata vende pelegrinazhi, “vende të shenjta” për adhurim nga të gjithë- veçanërisht për nxanësit e shkollave tona; le të  kthehen ata në objekte frymëzimi dhe subjekte meditimi të thellë.

Sepse vetëm, nji ndërgjegjsim i plotë i së kaluemes sonë tepër tragjike, do të pengojë përsëritjen e saj.

Nga vorret e harrueme, viktimat akoma të shqetësueme, kërkojnë me za të naltë: Vllazën, motra! Mos na harroni! Mos harroni mesazhin tonë: kurrë ma diktaturë në Shqipëri, kurrë ma ideologji të hueja në Shqipëri, kurrë ma “gënjeshtrat e mëdha” në Shqipëri ….!

=======================================================

* ish i burgosun politik në Shqipërinë komuniste (1946-56), dhe në Jugosllavinë komuniste (1959-60)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 100 vjetori, i Revolucionit Bolshevik, Meditime, Sami repishti, të nji viktime

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT